Për dhjetëvjetorin e pavarësisë performon edhe Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-së

Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-ve për Evropë (USAFE), sonte në Sheshin “Nëna Terezë”, ka interpretuar me rastin e festimeve të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kemi nderin që na është dhënë mundësia për të interpretuar në këtë ngjarje të veçantë”, ka thënë nënkoloneli Don Schofield, komandant i Ansamblit USAFE, i cili ka shoqëruar muzikantët.

“Interpretimet si ky krijojnë mundësi për ndërtimin e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Kosovës, duke forcuar mirëkuptimin dhe vlerësimin kulturor të ndërsjellë përmes angazhimeve popull-me-popull, partneriteteve, dhe miqësive”, shtoi ai.

Ambasada amerikane ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Kosovë, ansambli poashtu do të vizitojë trupat e SHBA-ve dhe të koalicionit në kuadër të Forcës së Kosovës, i njohur si KFOR, që është një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO, e që gjendet në Kosovë që nga viti 1999. / KultPlus.com

Sonte në New York, Gala Koncert për nder të Nexhmije Pagarushës

Koncerti do të përmbajë këngë të artistes së mirënjohur Nexhmije Pagarusha, të interpretuara nëpër vite, ndërkaq në koncert do të vijnë të interprtetuara nga këngëtarë të njohur shqiptarë, shkruan KultPlus.

Me rastin e 17 shkurtit, 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sonte para komunitetit shqiptar në New York do të mbahet një gala koncert, shkruan KultPlus. E organizuar dhe e ideuar nga fotografi i njohur shqiptar Fadil Berisha, koncerti do të përmbajë këngë të artistes së mirënjohur Nexhmije Pagarusha, të interpretuara nëpër vite, ndërkaq në koncert do të vijnë të interprtetuara nga këngëtarë të njohur shqiptarë. Vet Fadil Berisha, për KultPlus thekson se ka qenë ide e mëhershme e tij të sillte të rikomponuara këngët e Pagarushës, gjë që vite më parë u interpretuan në një koncert tjetër nga këngëtarja Aurela Gace. Para publikut do të paraqiten: Linda Halimi, Riad Ymeri, Ergin Oda, Dëshira Ahmeti, Angelo Miho, Agona Shporta, Donika Ukshini Ukaj, Elona Muca, Gjilberta Lucaj, Gjon Krasniqi, Igli Tuga, Leke Salihu, Lindita Mezini Lole, Lori Miho, Mialtin Zhezha dhe Pia Salvia.

Ky koncert është mbështetur edhe nga konsullata e Republikës së Kosovës në Neë Yortk, e vecanërisht nga Konsullja e këtij institucioni – ambasadorja Teuta Sahatqija. Në këtë koncert ishte paraparë që të ishte prezente edhe vetë Nexhmije Pagarusha, por në pamundësi për të marrë këtë rrugë të largët, ajo nuk do të jetë e pranishme në këtë koncert/ KultPlus.com

Si do ta shijoje me të vërtetë jetën tënde?

Çfarë dëshiron? Çfarë të bën të kruhesh nga dëshira? Cilën lloj situate do pëlqeje?

Le të supozojmë, e bëj këtë gjë shpesh në udheheqjet profesionale, shumë veta vinë e më thonë, “epo, jemi duke mbaruar kolegjin dhe nuk kemi as idenë më të vogël se çfarë duam të bëjmë”. Kështu që unë gjithmonë shtroj pyetjen, “çfarë do të doje të bëje nëse paraja nuk do të ishte një objekt? Si do ta shijoje me të vërtetë jetën tënde?

Është e mrekulleshme që si rezultat i llojit të sistemit tonë edukativ, turma studentesh thonë, “do të donim të ishim piktorë, do të donim të ishim poetë, shkrimtarë, por siç e dinë të githë nuk mund të fitosh para në këtë mënyrë. Ose një tjetër thotë, “do të doja të jetoja jashtë dyerve dhe të kalëroja. I them, “do të japësh mësim në një shkollë kalerimi? Le ta shqyrtojme këtë gjë. Ti çfarë do?

Kur më në fund gjejmë diçka, të cilën individi thotë që do me të vërtetë ta bëjë, do ti them, “bëje atë gjë dhe harroje paranë, sepse nëse thua që të marrësh paranë është gjëja më e rëndësishme, do të kalosh të gjithë jetën duke harxhuar kohën tënde më kot. Do të jesh duke bërë gjëra që nuk të pëlqejnë që të mund të vazhdosh të jetosh dhe kjo do të thotë të vazhdosh t’i bësh ato gjëra që nuk të pëlqejnë, gjë që është budallallek. Më mirë të kesh një jetë të shkurtër që është plot me atë që do të bësh sesa një jetë e harxhuar në një mënyrë të mjerë.

Dhe në fund të fundit, nëse ti me të vërtetë e pelqen atë që bën, nuk ka rëndësi së çfarë është, ti përfundimisht mund ta përdoresh atë — ti mund të bëhesh një mjeshtër i asaj gjëje. E vetmja mënyrë që të behesh i mirë në diçka është të jesh me të vërtetë me të. Dhe pastaj mund të jesh i aftë për të marrë një pagesë të mirë për të, çfarë do gjëje që të jetë. Kështu që mos u merakos më shumë se ç’duhet.

Çdo njeri — të pakten dikush është i interesuar në gjithçka e çfare do që të jetë ajo në të cilen ti je i interesuar, do të gjesh të tjerë gjithashtu. Por është absolutisht budallallëk të kalosh kohën tënde duke bërë gjëra që nuk të pëlqejnë, që të mund të blesh gjëra që nuk të pëlqejnë duke bërë gjëra që nuk të pëlqejnë dhe pastaj të mësosh fëmijët e tu të vazhdojnë në të njëjten rrugë.

Shiko, ajo që ne jemi dukë bërë është që po edukojmë fëmijët të jetojnë të njëjten lloj jete që ne po jetojmë. Që ata të mund të justifikojnë veten e tyre dhe të gjejnë kënaqësi në jetë duke edukuar fëmijet e tyre që të edukojnë fëmijët e tyre që të bëjnë të njëjtën gjë, gjë që është një ndjesi për të vjellë por që nuk ka të vjella. Nuk mbërrin asnjëherë.

— Alan Watts (Përkthyer nga Agron Bajraktari)

Pianistja Pranvera Hoxha me koncert në Ulqin

Një mbrëmje me muzikë spanjolle do ta begatojë Ulqinin.

Në Shkollën e Muzikës në Ulqin, pianistja Pranvera Hoxha-Bryma do të sjellë emocion dhe interpretim muzikor të veçantë, siç di vetëm ajo.

Me 16 shkurt, me fillim prej orës 18:00, pianistja do të sjellë një koncert me punë nga Enrique Granados, Manuel De Falla, përfshirë këtu edhe zhanret andaluza dhe zambra.

Koncerti mbahet me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Pranvera Hoxha mësimet e para në piano i nisi në moshën 10 vjeçare me pedagogen Hadije Gjinali. Shkollën e mesme e përfundoi në Prishtinë në klasën e prof. Agron Shujaku, ndërkaq studimet e larta i vazhdoi në Akademinë e Arteve të Bukura – Tiranë në klasën e Prof. Anita Tartari dhe magjistroi në Fakultetin e Muzikës në Shkup.

Gjatë këtyre viteve, Hoxha-Bryma ka marrë pjesë në shumë Festivale si: Java e Bahut (2000), Festivali i Muzikës Kamertale (2000) Festivali i Shopenit –Tiranë, Prishtinë ( 2002, 2013), Festivali Dam (2007), ReMusica (2008/09) dhe Tingujt e Flautit (2011/12). / KultPlus.com

Testament

Poezi nga Frederik Rreshpja.

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe.
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt
Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj
në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin
e trëndafilave.
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,
i mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Po kur të vdes portreti im ka për t‘u shfaqur nëpër gjethe,
se unë kam patur miqësi me çdo dru.
Në stinën kur bien gjethet
do të bien edhe sytë e mi.
Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Hatri i ndërkombëtarëve shtyhet festa e pavarësisë

Disa nga aktivitetet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë shtyrë për ditën e diel më 18 shkurt.

Seanca solemne dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, (FSK) dhe Policisë së Kosovës, (PK), do të mbahen një ditë pas 17 shkurtit, pra të dielën më 18 shkurt.

Arsyeja e shtyrjes së këtyre aktiviteteve është bërë për shkak se disa nga miqtë ndërkombëtarë do të jenë pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë e cila do të mbahet në Munih.

“Vetëm seanca solemne dhe parakalimi i FSK-se dhe Policisë së Kosovës është shtyrë për 18 shkurt. Ndryshimi është berë për shkak të pamundësisë që të jenë prezentë në seancën solemne disa nga miqtë tanë ndërkombëtare, sepse do të jenë pjesëmarrës edhe në Konferencën e Sigurisë që do të mbahet në Munih nga 16-18 shkurt. Do të kenë adresim edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj për Insajderin.

Mirëpo se cilët personalitete do të jenë prezentë në Kosovës, për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenca nuk i ka bërë të ditur.

Behramaj ka thënë për Insajderi se deri më tani rreth 70 delegacione e kanë konfirmuar ardhjen.

Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë, Qeveria ka ndarë një shumë prej 600 mijë euro. Ku ka themeluar edhe Këshillin organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së UÇK së. Për këtë Këshill ndahen mjete financiare në vlerë prej 100 mijë euro.

E mysafiri i parë që ka arritur në Kosovë është Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel. Ku për vizitën e tij kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare.

Po ashtu në Kosovë është duke qëndruar edhe Ansambli i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (ShBA), për Evropë, me ç’rast sot do të interpretojnë në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Ndërsa të dielën ata do të jenë prezent në sheshin “Shadërvani” në Prizren dhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë.

E po ashtu edhe këngëtarja shqiptare, Rita Ora e ka konfirmuar se do të jetë prezentë në Kosovë për 10 vjetorin e Pavarësisë.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Instagram”, Rita Ora ka konfirmuar se do të jetë prezentë në Kosovë në datën historike të Kosovës, me ç’rast do të mbaj një koncert në sheshin, “Zahir Pajaziti”.

Ora ardhjen e saj e konfirmuar një ditë pasi që Qeveria e Kosovës, ndau 600 mijë euro për ditëlindjen e Kosovës. / KultPlus.com

Ermal Meta mund t`ia sjellë Italisë fitoren në Eurovizion

Ka pak ditë që kënga e fitoi Sanremon, ndërsa po pëlqehet jashtëzakonisht nga fansat nëpër Evropë.

“Non mi avete fatto niente” e Ermal Metës dhe Fabrizio Moros tanimë numëron 7.5 milionë shikime në Youtube, në kanalin e RAI.

Këto shikime vijnë vetëm në videon e performancës së parë të këngës, në natën e parë të Festivalit të Sanremos, duke mos numëruar edhe paraqitjet tjera të kësaj kënge deri në natën finale.
Ermali dhe Fabrizio me këtë këngë do të ngjiten në Eurovizion për Italinë, në muajin maj të këtij viti në Lisbonë, shkruan KultPlus.

Është herët të flitet për këngët favorite për të fituar Eurovizionin, por Italia këtë vit mbetet një konkurrencë e fortë.

Ermal Meta kësisoj bëhet një prej tre shqiptarëve që ngjitet në skenën e Eurovizionit këtë vit. Vitin e kaluar ai morri Çmimin e Kritikës në Sanremo dhe u pozicionua në treshen më të mirë, për të goditur me fitore këtë vit.

7.5 milionë shikime për vetëm 1 javë tregon se kënga premton shumë dhe e ka suksesin të garantuar. / KultPlus.com

Në muajin mars hapet ekspozita retrospektive e Edi Hilës në Varshavë

Do të jetë ekspozita e parë retrospektive e artistit Edi Hila.

Muzeu i Artit Modern në Varshavë kësisoj nga 2 marsi e sjellë piktorin shqiptar, një mësues i pashoq dhe “një prej mjeshtërve të fundit të lënë pas dore nga Evropa Lindore”.

“Arsyeja pse po e sjellim punën e Hilës në këtë kohë është vendimi strikt i një artisti që ka refuzuar të jetë i mashtruar nga gjurmët e transformimit, gjithmonë duke ndjekur kërcënimet nënlëkurore që bartë ajo” thuhet në komunikatën e Muzeut.

Kathrin Rhomberg, Erzen Shkololli dhe Joanna Mytkowska janë kuratorë të ekspozitës.

“Edi Hila: Painter of Transformation” do të jetë e hapur deri me 6 maj.


Edi Hila, Propaganda


Edi Hila, The Suburbs

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944, ndërsa punon në Tiranë. I edukuar në Shkodër, ai ka pasur qasje në rrënjët e kulturës klasike. Në studimet e tij në vitet 60-të, ai ka eksperimentuar me deformime.
Piktura “The Planting of Trees” e vitit 1972 bëri që ai të përfundonte në një kamp ri-edukimit. Për disa vite ai ishte i detyruar të jetonte në periferi dhe të punonte në një fermë pule, duke e pasur të pamundur punën si piktor. Nga kjo kohë vjen edhe seria e pikturave POULTRY (1975-1976), shkruan KultPlus.

Vlejnë të përmenden ciklet PARADOX, RELATIONS, THREAT, ROADSIDE OBJECTS, PENTHOUSES, BOULEVARDS dhe A TENT ON THE ROOF OF THE CAR.

Ekspozita në fjalë është pjesë e një serie të ekspozitave që kanë për fokus artistët nga Evropa Lindore. Muzeu viteve të fundit ka përgatitur ekspozita monografike të Grigorescu, Július Koller dhe Mária Bartuszová. Por ky projekt, sic thuhet në faqen e muzeut, shkon përtej kuriozitetit akademik ose nevojës historike.
Hila është profesor dhe pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. / KultPlus.com

Rekuiem për orën 6…

Poezi nga Xhevahir Spahiu.

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
qe s’ekziston

Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika!

Frashër Demaj mohon se i ka kërcënuar kolegët në Institutin e Historisë

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka reaguar ndaj historianit Frashër Demaj, i cili është kandidat për drejtor të këtij Instituti, duke e akuzuar atë për shantazh ndaj punëtorëve.

“Ne dëshirojmë të ju shprehim shqetësimet tona si punëtor të Institutit të Historisë lidhur me këto veprime të cilat po e pengojnë zhvillimin normal të punës sonë dhe të njëjtën kohë po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve tanë përmes metodave të ndryshme antiligjore siç janë kërcënimet, shantazhet e presionet ndaj kolegëve tanë”, thuhet në reagim.

Sipas këtij reagimi, thuhet se grupit shantazhues i prinë vetë Frashër Demaj.

“Këtë grup të këtyre personave e udhëheq dhe e përfaqëson Akademik Frashër Demaj, i cili duke pasur disa pozicione në institucione publike dhe private dhe duke e keqpërdorur pozicionin dhe autoritetin direkt, dje dhe sot ka bërë kërcënime dhe presione ndaj disa kolegëve tanë në Institutin e Historisë”, thuhet ndër tjera në reagimin e Institutit të Historisë.

Reagimi i është drejtuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Historiani Frashër Demaj, i cili është edhe kandidat për drejtor në Institutin e Historisë së Kosovës, i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e këtij institucioni, i cili e ka akuzuar atë për shantazhe e kërcënim ndaj kolegëve aty.

“Është totalisht e pavërtetë. Çfarë ka kërcënuese aty. Si mund të përdori metoda aty kur nuk jam as drejtor, mund ta joshi askënd, as ta korruptoj. Absolutisht kjo është e pavërtetë”, ka thënë Demaj për Gazetën Insajderi.

Sipas tij, kjo është bërë si kundër reagim ndaj një denoncimi që ia kanë bërë drejtorit të Institutit të Historisë, Sabit Syla, për mbajtjen e kundërligjshme të mbledhjes së Këshillit Shkencor.

“Ky është një kundër reagim i një ankese që ne e kemi çuar në Ministrinë e Arsimit, për shkak se drejtori aktual Sabit Syla, pa kuorum dhe në mënyrë të paligjshme e ka mbajtur një mbledhje të Këshillit Shkencor për t’i realizuar premtimet e veta sepse është kandidat për drejtor. Por për kërcënim e shantazhe as që bëhet fjalë”, ka shtuar historiani Demaj. / KultPlus.com

Ambasada e Kosovës në Slloveni shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë (FOTO)

Me një koncert klasik muzikor ku performoi sopranoja kosovare Flaka Goranci dhe me hapjen e një ekspozite të fotografive të autorëve nga Kosova të përzgjedhura ndër vite si më të suksesshmet, e përgatitur nën përkujdesjen e piktorit Gani Llalloshi, Ambasada e Kosovës në Slloveni ka shënuar mbrëmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në pritjen e organizuar kanë marrë pjesë qindra mysafirë të ftuar, zyrtarë të lartë të shtetit slloven ndër të cilët sekretari i shtetit në MPJ, Andrej Logar, europarlamentari dhe ish-kryeministri slloven Lojze Petrle, deputetë të Kuvendit të Sllovenisë nga grupi i miqësisë me Kosovën, ambasadorë dhe anëtarë të akredituar të korit diplomatik në Slloveni dhe shumë kosovarë që jetojnë e punojnë në këtë vend.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i shëndetësisë i Republikës së Kosovës Uran Ismaili me bashkëpunëtorë që po qëndrojnë atje në një vizitë bilaterale.

Duke përshëndetur të pranishmit ambasadori Nexhmi Rexhepi tha se ky dhjetëvjetor është rast i mirë për të bërë një vlerësim substancial të të arriturave të vendit tonë. Ai u përkujtoi të pranishmëve se shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi sakrificat e shumta shekullore për liri dhe pavarësi të popullit tonë.
“Por ne sonte duam të flasim më shumë për të sotmen”, është shprehur mbrëmë ambasadori Rexhepi, duke u përkujtuar të pranishmëve se ne tash po ndërtojmë një Kosovë të re mbi këto sakrifica edhe njerëzore por edhe materiale. Ai tutje u shpreh, se po krijohet një shtet i cili është shtëpi e të gjithë qytetarëve, i përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet ndaj vetvetes, rajonit dhe më gjerë. Ai është shprehur se ne e kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të falim, mirëpo jo të harrojmë.

“Fëmijët tanë duhet ta dinë se me çfarë kemi kaluar ne. Është e domosdoshme të dihet për kohën tonë dhe për të ardhmen – kush ishte viktima dhe kush agresori. Populli i Kosovës do të mbetet gjithmonë falënderues ndaj të gjitha shteteve të cilat kanë bërë përpjekje bashkërisht ta ndalin këtë pastrim etnik dhe shkatërrim total të vendit tonë”, ka thënë ambasadori Rexhepi mbrëmë në këtë manifestim.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Slloveni, ambasadori Rexhepi përkujtoi se këto dy vende ndajnë histori të përbashkët të së kaluarës dhe çka është më e rëndësishme kanë qëllime të njëjta për të ardhmen. Mbi të gjitha këto dy vende i lidhë edhe një numër i madh i diasporës kosovare e cila jeton dhe vepron në Slloveni.

“Kosova i është përgjithmonë mirënjohëse Sllovenisë dhe popullit slloven për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë të gjitha proceseve në të cilat ka kaluar Kosova”, ka thënë ambasadori Rexhepi.

Manifestimin e mbrëmshëm e përshëndeti me një fjalë rasti edhe Andrej Logar, Sekretar i Shtetit në MPJ të Sllovenisë i cili duke uruar për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se vendi i tij do vazhdoj të kultivoj marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë ndërmjet dy vendeve të cilat datojnë që herët. Ai tha se Kosova dhe Sllovenia kanë interesa të njëjta për paqe, fqinjësi të mirë dhe zhvillim në rajon dhe siguroi se vendi i tij do jetë gjithmonë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe në BE. / KultPlus.com

Rita Ora pas gjashtë vitesh sërish në Kosovë, kthen vëmendjen e botës në vendlindjen e saj

Erdhi në Kosovë, në vitin 2012-të dhe ardhja e saj në vendlindje krijoi një lloj fuqie të shtetit më të ri në botë që ishte Kosova., shkruan KultPlus.

“Shine ya light”, i dha shkëlqim Kosovës, më saktësisht Prishtinës, aty ku shqiptarja Rita Ora bashkë me vendasit e saj realizuan videoklipin e kësaj kënge e cila u bë zë i Kosovës për botën.

“I SAPOLINDURI/E SAPOLINDURA” apo “New Born”, ishte vendi që tregon çdo emocion të kosovarëve që kishin pak më shumë se një dekadë që kishin dalë nga lufta. Rita mbi këto shkronja përballë të së cilave ishin me mijëra njerëz që dolën ta dëgjonin e shihnin yllin shqiptar që ka mahnitur botën, u bënë pjesë e kësaj videoje duke ngritur duart lart bashkë me Ritën, e duke krijuar shqiponjën-simbolin e tokës së shqiponjave që në të përfshihen të gjitha trojet shqiptare.

Tash, pas plotë gjashtë viteve Rita Ora vjen përsëri në vendlindje.

Aty ky gjaku i dëshmorëve u shpërblye më datën 17 shkurt të vitit 2008-të, e pikërisht në këtë datë historike, jubile të Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora vjen me një koncert në qendër të kryeqytetit kosovar. Për këtë koncert, Rita nuk pranoi të paguhet. Ajo bëri edhe njëherë një vepër të madhe për shtetin në të cilin ka lindur, për datëlindjen e tij e për të gjithë këta qytetarë që po presin nga çasti në çast ardhjen e saj.

Rita, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, më 17 shkurt ngjitet në skenën e përgatitur te sheshi Skënderbeu. Një skenë që në çdo cep të saj ka simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës është përgatitur të pres me mijëra njerëz të shtunën mbrëma.

Ora 22:00 do të shënojë ngjitjen në skenë të Ritës. Ora 22:00 është caktuar, sepse Kosova po bënë 10 vite. E Rita, përveç të tjerash, mbrëmë edhe konfirmoi ardhjen e saj në Kosovë. Rita shkroi shqip, dhe tregoi edhe njëherë sa e lumtur është që po vjen në Kosovën që edhe tash, pas 10 viteve pavarësi vazhdon të ketë sfidat e saj.

Mediet shqiptare nuk u kursyen që siç thotë populli ‘të gjejnë të metat’ për ardhjen e Ritës. U morën me bluzat që ajo krijoi për këtë jubile e që do të jenë në shitje. Poashtu që nga fillimi i muajit u morën edhe me atë se ‘po vjen Rita apo jo’. Me tituj nga më të ndryshmit që bënë konfuz qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se dështuan. RITA ORA po vjen në KOSOVË. RITA ORA po këndon falas për 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS dhe RITA ORA edhe njëherë me zërin e saj po e bënë KOSOVËN kryelajm në TITUJT E GAZETAVE BOTËRORE./ KultPlus.com

16 thëniet e dashurisë nga poeti i madh Dritëro Agolli

Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli ka lënë shumë vargje të cilat flasin për dashurinë, e atdheun. Agolli përmes poezive të tij u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore, shkruan KultPlus.

KultPlus sot po ju përcjellë gjashtëmbëdhjetë thënie të Dritëro Agollit mbi dashurinë, të cilat janë postuar mbrëmë nga e bija e poetit, Elona Agolli.

1. Dashuria nuk i dhuron , por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme , por i përjetshëm mbetet çasti.
2. Bilbili i këndon dashurisë, pa e sharë kurrë.
3. Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë , por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit .
4. Dashuria nuk mësohet në kurse profesionale .
5. Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi.
6. Për mua gruaja është një krijesë me rroba të endura prej bari, uji dhe ere.
7. Dashuria dhe arti nuk bëhen me urdhër, ashtu siç nuk bëhet me urdhër teshtima.
8. Dashuria është e para laureshë , që këndon në mëngjesin e rinisë sonë.
9. Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti .
10. Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet.
11. Ai që e ndjek dashurinë dhe nuk e pushton , nuk plaket .
12. Dashuria e bën qiellin të vërtitet në kokë si portokall.
13. Dashuria deri më sot nuk njeh plan që të plotësohet qind për qind.
14. Burri është zbulues, gruaja mbrojtësja e zbulimeve.
15. Dashurinë e zmadhon fisnikëria dhe e zvogëlon meskiniteti.
16. Dashuria e parë është një provim për të hyrë në dashurinë e vërtetë./KultPlus.com

Për dhjetëvjetorin e Pavarësisë, BKK prezantohet me “Kosova – nga historia në shtetësi”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të mbajë me rastin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës organizimin “Kosova – nga historia në shtetësi”, shkruan KultPlus.

Në kuadër të këtij organizmi do të shfaqen tituj të zgjedhur të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Libri për historinë e Kosovës 1912 – 2018”. Për të vazhduar me lajme dhe ngjarje të prezantuara në gazetat e Kosovës, “Kosova e 10-të Vjet Pavarësi”.

Gjithashtu do të jetë një ekspozitë e artikujve të gazetave të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nën sloganin “Eksodi 1999”.

Pjesë e këtij aktivitet do të jetë edhe ekspozita “Shkruajmë e vizatojmë për Pavarësinë e Kosovës” e nxënësve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia”. Ndërsa do të bëhet edhe ndarja e shpërblimeve për fituesit e Konkursit për Esenë për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 17 shkurt në orën 16:00./ KultPlus.com

Rushit Ramabajes i dorëzohet Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot i ka ndarë shkrimtarit Rushit Ramabajes, Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” ndërsa në këtë ceremoni ka ndarë edhe Çmimet Vjetore për Letërsi, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve tha se këto çmime ndahen për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe se kjo është një arsye që MKRS-së ta vlerësoj punën e laureatëve në këtë përvjetor të rëndësishëm.
“Këto çmime kanë një procedurë që e zhvillon MKRS-së, përcaktohen me një rregullore të veçantë. Juria që e kemi themeluar besoj që ka qenë një juri profesionale e cila ka dhënë një kontribut të çmuar duke pasur parasysh gjithë këtë krijimtari që ka pasur për ta analizuar. Besoj që është bërë një punë e mirë nga të gjithë ju dhe Ministria e Kulturës do të jetë në mbështetje tuajën edhe në të ardhmen”, tha ministri Gashi i cili shtoi se i inkurajon krijuesit që të punojnë edhe më tutje pasi që puna e tyre është një krenari dhe nder i veçantë.


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot i ka ndarë shkrimtarit Rushit Ramabajes, Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” ndërsa në këtë ceremoni ka ndarë edhe Çmimet Vjetore për Letërsi, shkruan KultPlus.

Rushit Ramabaja pasi që pranoi këtë çmim u shpreh falënderues duke thënë se ndihet i lumtur që përmes veprave të tyre kanë arritur që lexuesit sado pak t’ia përçojnë veprat e të mirës dhe humanes. Ai tutje tha se ndihet i nderuar që në dhjetëvjetorin e shtetësisë së Kosovës por e marrin këtë çmim nga shteti ynë dhe ministria e jonë e kulturës, duke uruar që në të ardhmen njeriu të bëhet më i mirë e shteti më i mbarë e më i fuqishëm.
“Çdo krijues i artit dhe rrjedhimisht çdo shkrimtar gjatë gjithë shekullit të vet krijues përpiqet që nga drita e shpirtit të vet të krijoj universin, do të thotë botën fiktive paralele. Pra shkrimtari mbetet një fëmijë e i pandreqshëm dhe po aq naiv, megjithatë me këtë naivitet që shpesh duke çmendurak, arrin të mbroj të bukurën dhe filozofiken, e cila jo rrallë bëhet profecia e së ardhmes”, u shpreh Ramabaja pasi që pranoi çmimin.

Kurse, Çmimi për prozë “Anton Pashku” i është ndarë shkrimtarit Fatmir Halimi për veprën “Dy vdekje e një jetë”, kurse Çmimi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi u është ndarë shkrimtarëve: Ismail Syla për “Atdheu im i ngyrsur” dhe Ragip Sylës për veprën “Kam drojë për ty”. Çmimin “Vehbi Kikaj” për fëmijë dhe të rinj është ndarë për shkrimtarët Mexhit Mehmeti “Ecejaket e Hero Lindit” respektivisht Avni Dehari “Flakadanë e Lirisë”.


Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” i është ndarë Arben Veselaj për studimin “Tema Kadareane”, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” i është ndarë Orjela Stefasanit për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet”.

Këto çmime janë ndarë me vendim të jurisë profesionale në përbërje të Hysen Matoshit, Merxhan Abdylit, Brikenë Ceraja- Beka, Shkelqim Millaku dhe Qazim Thaçi. Anëtari i jurisë, Shkëlqim Millaku e falënderoi ministrin për besimin e dhënë për të qenë pjesë e punës së mbi 525 veprave për ndarjen e çmimeve. Ai shtoi se kanë hasur në një punë serioze dhe jashtëzakonisht me prurje të reja.
“Kemi pasur një konkurrencë serioze, kemi pasur një prurje serioze, të re dhe të gjithë atyre që nuk i kemi këtu u dëshirojmë që të vazhdojnë punën e tyre sepse me të vërtetë edhe ata kanë bërë një punë të madhe”, tha Millaku sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
/KultPlus.com

Shfaqja “Bardh” shpërfaqi peshqit e vegjël në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Alberina Haxhijaj

Mjafton një pyetje e aktorit Tristan Halilaj. Mjeshtër, a jemi na peshq të vegjël? drejtuar ‘mjeshtrit’ Shpëtim Selmanit, për të nxituar reagimet e këtij të fundit. Mjeshtri është i sigurt se thjeshtë nuk ju kanë ra në dorë ‘letra të forta’ se edhe këta një ditë do të bëhen ‘peshqi të mëdhenj’. “Jena tërheqë, ndoshta dorën tjetër na vijnë letra të mira, mos thuj mo që jena peshq të vegjël”, përgjigjet i zemëruar mjeshtri. Por nxënësi vazhdon: A është e mundshme që kurrë mos me na ra letrat e forta?

Kjo është një pjesë e dramës “Bardh” me regjit të regjisorit të njohur kosovar, Fatos Berisha, e cila u dha mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic, është një shfaqje e mbushur me dialogë në mes të mjeshtrit dhe ndihmësit të tij që lyejnë me ngjyrë të zezë muret e një banese.

Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre. Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit. Duke trajtuar kështu ndoshta të pavetëdijshëm edhe problemet ‘e mëdha’ shoqërore-sociale.
Titujt e artikujve në gazetat të cilat qëndronin të shpërndara në dyshemenë e skenës jehuan në një moment nga aktori Tristan Halilaj. “Thaçi, Haradinaj e Veseli shkelin protokollin shtetëror”, ishte njëri nga titujt. Njëlloj si kjo temë, tema të ndryshme ditore që kanë lënë gjurmë kohëve të fundit në Kosovë mund të dëgjoheshin tutje. Muret lyheshin me të zeza, disa tinguj piano, tema mbi seksin, kush është i forti, ishin disa pjesë të kësaj drame e cila jo çdo kënd e konsideron moler. Nuk mund të jetë moler ai që vetëm një herë lyen banesën e tij, e as infermier ai që i jep hapat nënës së tij çdo mëngjes, profesionet janë një gjë fisnike në këtë shfaqje. Por në qendër ishte mjeshtri i cili mundohej ta ruante ndihmësin e tij. Ai duhet të ketë kujdes në fjalor, edhe pse mjeshtri përdorë zhargon. Derisa është pikërisht ëndrra e tij mbi lopën e bardhë që sjell edhe ndryshimet në shfaqje, ajo torturohet nga të tjerët.

“Mendoj që e kanë pritur mirë shfaqjen, nga reaksionet sa pashë më duket që është perceptuar mirë, dhe ashtu si e kemi planifikuar. Është një tekst ku realisht nga gjysma e dytë e shfaqjes i ndërrohet zhanri. Prej një komedie të zezë pastaj kthehet në një dramë goxha të rëndë dhe pikërisht kthimi në zhanre në një shfaqje është më i vështiri. Kjo ndodh, sepse duhet ta bindësh publikun që ndërrohen zhanret, që publikun ta marrësh me veti”, tregoi për KultPlus regjisori Fatos Berisha.

Drama është një temë sociale, e cila flet për një shtresë të shoqërisë sonë për atë që autori vet e quajti peshqit e vegjël e që janë njerëz nga margjina e kësaj shoqërie. Drama e cila mund të konsiderohet si universale flet shumë edhe për Kosovën dhe shoqërinë e sotme.
“Tentoj me zgjedhë tema me preokupime të miat, sidomos viteve të fundit janë drama sociale. Kjo dramë edhe pse ka autorin kroat po them se korrespondon shumë me ne dhe më shoqërinë tonë, me këta peshqit e vegjël që jemi shumicë këtu e që gjendemi brenda këtyre mureve të cilët ata përpiqen ti ngjyrosin. Ndërsa, shikojnë përtej mureve një jetë tjetër jashtë, një jetë që e udhëheqin peshqit e mëdhenj”, përfundoi regjisori.

Aktori Tristan Halilaj u shpreh se i ka lënë përshtypje teksti që herën e parë kur e ka lexuar.
“Sonte kemi pasur më shumë emocione se ishte edhe premiera dhe pati shumë njerëz. Ne e kemi dhënë shfaqjen këto katër herët e fundit me publik, pwrgjatw provave tw fundit, mirëpo ka pasur publik më pak, kurse sonte kemi pasur publik më shumë. Në disa momente ku nuk e kemi prit kanë reaguar, edhe pak a shumë mendoj që edhe ritmin na e kanë ndryshuar në disa vende mirëpo në përgjithësi mendoj së gjithçka shkoi mirë”, tha ai për KultPlus.

Bota jashtë dritares e cila ua tërheqë gjithnjë vëmendjen dy molerëve i jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim. Duke i bërë këta dy personazh mjaftë të komplikuar, ashtu siç tha edhe aktori Shpëtim Selmani.

“Shpresoj që publiku e ka marrë mesazhin e shfaqjes i cili është shumë njerëzor edhe jemi të kënaqur. Kurse ndërrimi i zhanreve nuk ka qenë edhe shumë e vështirë pasi që kemi punuar intensivisht gjatë këtij muaji. Edhe pse dialogjet janë shumë natyraliste, karakteret janë shumë komplekse, mirëpo kjo është edhe detyra jonë në procesin e analizës ndaj personazheve”, u shpreh për KultPlus aktori Shpëtim Selmani. Reprizat e para të shfaqjes vijnë më 23 dhe 24 shkurt duke filluar nga ora 20:00/ KultPlus.com

Drama “Kuartet”, sonte premierë në Dodona

Drama tragjikomike “Kuartet” është një dramë e autorit gjerman Heiner Muller, e përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe nga Alban Beqiraj, ndërsa sonte vjen premierë në teatrin “Dodona”, shkruan KultPlus.

Teatri “Dodona” për herë të parë sjellë një rrëfim dashurie me fuqi të jashtëzakonshme poetike, një ndjenjë të frikshme që eksploron lojërat e joshjes, tradhtisë dhe pushtimit, ku veprimi fokusohet në një orë të thjeshtë të kohës së lojës dhe gjuha është e mbushur me metafora, ironi, sarkazëm, humor të zi dhe imazhet seksuale. Në këtë dramë lojërat e rrezikshme ndizen, paturpësia e dashurisë dhe seksualiteti i të dy personazheve përfundon në një fushëbetejë të varësisë reciproke njerëzore.

“Kuartet” i detyron spektatorët të përballen me të kaluarën e tyre, mëkatet dhe i ballafaqon me katastrofën që po e kërcënon njerëzimin.“Kuartet” po ashtu ngërthen në vete kërcënimin e kulturës, dallimin e natyrës dhe na lë të kuptohet se shkatërrimi i marrëdhënieve midis gjinive padyshim mbetet një temë aktuale.

Shfaqja është inskenuar nga regjisori austriak, Andreas Pronegg. Virtuoziteti i tekstit bën që aktorët Arjola Demiri dhe Ermal Sadiku të kenë qasje të veçantë, ku gjatë interpretimit ata do të luajnë disa karaktere, duke ndryshuar gjinitë dhe rolet. Pjesë shumë e rëndësishme e shfaqjes janë edhe “Engjëjt e historisë“, ku interpretojnë aktoret Rajmonda Ahmetaj, Arta Lahu, Shqipe Gashi dhe Donikë Ahmeti./ KultPlus.com

Forbes: Dua Lipa po bëhet një model për fuqizimin e vajzave dhe komunitetit LGBT

Shkrimi fillon me historinë sesi një djalë kishte tentuar që të kalonte sigurimin për të takuar Dua Lipën gjatë koncertit të sa në Los Angles mbrëmjen e 12-të shkurtit. “më duhet të hyjë brenda, ju nuk më kuptoni, unë e dua atë”, ka qenë përgjigjja e tij, të cilën gazetari e ka konsideruar si normale.

“Asgjë në lidhje me këtë rast nuk mund të konsiderohet e çuditshëm. Nëse e ndiqni Lipën në rrjetet e saj sociale, ju e dini se gjëra më mbresëlënëse në rritjen e saj artistike si yll popi nuk është suksesi i saj komercial, edhe pse ajo së fundi ka zënë vend në top 10-she më këngën e saj “New Rules”, por është pasionin i zjarrtë që ajo shfaq te adhuruesit e saj.

Tutje ai tregon për intervistën e tij të parë që e ka realizuar me Dua Lipën në vitin 2016.
“Lipa mund të jetë një yll popi, por ajo mbart me vete guximin dhe karizmin e anëtares së grupit ‘The Pretenders’, Chrissie Hynde. Dhe ashtu si tifozët u sulën ndaj origjinalitetin të Chrissie Hynde, njëjtë janë duke vepruar edhe ndaj Lipës, e cila shumë shpejtë po bëhet një model për fuqizimin e vajzave dhe të komunitetit LGBT, është shkruar në artikull i cili vazhdon tutje duke treguar se Lipa i kupton ndjekësit që i ka dhe bisedon me ta përmes këngëve.

Në artikullin i cili është publikuar dje është intervistuar edhe studentja Alejandra Matheu-Rios, e cila ka qenë duke e përcjellë koncertin së bashku me dy shoqet e saj. Ajo ka treguar se dy këngët që i kanë pëlqyer më së shumti janë “Blow Your Mind”, të cilën e ka quajtur si një këngë mjaftë ritmike për të vallëzuar më të dhe “IDGAF”. Ajo këtë këngë e ka konsideruar si ‘himn për të mos qarë kokën për lidhjet‘ dhe duke shtuar se është kënga e saj e preferuar nga albumi./KultPlus.com

“Pavarëso mendjen, festo me libër”, për 17 Shkurt mbahet orë leximi në Pejë

Organizata joqeveritare cedX në ditën e Pavarësisë së Kosovës do të organizojë orë leximi në qytetin e Pejës, shkruan KultPlus.

“Festo me libër, çliroje mendjen”, ky është slogani i këtij eventi, që synon ta nxisë leximin duke ftuar të gjithë qytetarët që të bashkohen në këtë orë leximi.

“Leximi është çelës i të mësuarit dhe përparimit. Janë librat ata që na inkurajojnë dhe na frymëzojnë të punojmë me më shumë shpresë dhe guxim”, shkruhet në njoftimin e cedX.

“Mund të vini me libra tuaj, ose mund t’ gjeni këtu, e kafet janë prej shtëpisë”, shkruhet tutje në njoftimin e këtij eventi. Të gjitha ata që duan të jenë pjesë e kësaj ore të leximit, mund të shkojnë tek lokacioni i cedX, këtë të shtunë në ora 14:00./ KultPlus.com

Pamje nga skena ku do të performojë Rita Ora për 17 Shkurt (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora do të këndojë në një koncert të organizuar nga Shteti, për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Faqja zyrtare e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës #Kosova10, mbrëmë ka publikuar pamje nga skena ku do të ngjitet ylli i muzikës, Rita Ora.

Vendndodhja e kësaj skene është tek sheshi “Skënderbeu”, ndërsa Rita do të performojë para publikut kosovarë, duke filluar nga ora 22:00./ KultPlus.com

Flaka Krelani sonte në Rockuzinë

Sonte në Rockuzinë do të performojë Flaka Krelani and Band.

Flaka e filloi karrierën e saj në “Ethet”, ku ajo arriti deri në finale. Pas kësaj gare, ajo u bë një nga këngëtaret shqiptare më të njohura të muzikës rok. Flaka ka marrë pjesë në disa festivale muzikore të mbajtur në territore të ndryshme shqiptare. Ajo ka marrë pjesë në Top Fest, duke marrë çmimin “Best Alternative” në edicionin e katërt, dhe “Best Rock” në edicionin e tetë.

Ajo është përpjekur në garën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision katër herë. Në vitin 2008, ajo zuri vendin e dytë, dhe në pozitat Top 5 në dy vitet e ardhshme. Në vitin 2015 ajo renditet e treta me këngën e saj “S’je Për Mu”.

Flaka ka arritë që me talentin e saj dhe zërin karakteristik të tërheqë një numër të madh të adhuruesve të muzikës rok, me performanca jashtëzakonisht energjike./ KultPlus.com

“Njeriu që mungonte”, sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Premiera e shfaqjes “Njeriu që mungonte” me regji të Isa Qoses e me tekst të Zymber Kelmendit do të shfaqet sonte në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ngjarja e kësaj shfaqje lidhet me personazhin e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Kthimi i tij në shtëpi, e shokon familjen e tij. Në mesin e tyre, lind një dilemë: si do t’u tregojnë të tjerëve për kthimin e tij! Shumë projekte janë bërë në emrin e “rënies heroike” të tij. Nëse ai del, do dalin telashe për përfituesit e projekteve. Familja e tij merr një ndihmesë financiare si familje e dëshmorit, dhe ato të ardhura i kanë futur në kredi. Tashmë Agroni ka dy rrugë: të dal hapur në publik, apo të pres përfundimin e projekteve. Koha kalon dhe Agroni vazhdon të qëndroj brenda. Në oborrin e shkollës qe mban emrin e tij, pritet të vendoset shtatorja e tij. Ai krejt në fund del me një vendim.

Ngjarjen e kësaj shfaqje në skenë do ta jetësojnë aktorët: Teuta Krasniqi, Basri Shala, Agron Shala, Doresa Rexha dhe Gani Rrahmani. Skenografe e kësaj shfaqje është Shqipe Kamberi, kostumografe Samka Ferri, skulptor Agron Blakçori dhe kompozitor Korab Shaqiri.

Premiera do të shfaqet sonte duke filluar nga ora 20:00, kurse reprizat e para më 17 dhe 19 shkurt duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Falënderimi i veçantë i Kosovës për 115 shtetet që e kanë njohur Pavarësinë (FOTO)

Në pritjen e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, para zyrës së tij është vendosur një simbol me numrin 10-të për 10 Vjetorin e Pavarësisë, ku janë përfshirë të gjithë flamujt e shteteve që e kanë njohur Kosovën, së bashku falënderimet në gjuhën e tyre.

I kontaktuar nga KosovaPress, Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ ka thënë se kjo ka qenë një formë simbolike e shprehjes së mirënjohjes në këtë dhjetëvjetor për shtetet që na kanë njohur dhe vazhdojnë të na mbështesin në forcimin e subjektivitetit tonë shtetëror.

“Kjo ikonë sot është vendosur në Presidencë, por të ngjashme prej nesër do të vendosen edhe në kabinetin e kryeparlamentarit Veseli dhe të kryeministrit Haradinaj. Është një formë simbolike e shprehjes së falënderimit tonë për njohjen dhe për përkrahjen e vazhdueshme të tyre”, ka thënë Behramaj./ KultPlus.com