“Nga Kosova me dashuri”, sheshet e Prishtinës mbushen me instilacione për dashurinë (FOTO)

Duke qenë se dita e të dashuruarve, është shumë pranë Ditës së Pavarësisë së Kosovës, simbolika e saj sot është e përfshirë në javën festive që po organizohet për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Sheshet e Prishtinës janë mbushur me instilacione ku janë kombinuar elemente të këtyre dy festave. KultPlus, ju sjellë disa fotografi të këtyre instilacioneve të veçanta që përmes ngjyrave të flamurit, e instilacioneve në formë të zemrës, shprehin më së miri simbolikën e dashurisë./ KultPlus.com

Xhaketa e Walker, kapela e Albright dhe motoçikleta e Adem Jasharit, pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës

Muzeu Kombëtar i Kosovës, për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të sjellë një ekspozitë më ndryshe se ekspozitat që vijnë e zënë vend për një periudhe të shkurtër brenda muzeut. Kjo ekspozitë e cila ishte planifikuar të mbahet pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, do të hapet për publikun në një datë tjetër, më 23 Shkurt, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ekspozita, e cila hap dyert javën tjetër për vizitorët, përmes eksponateve historike e artefakteve arkeologjike do të prek pika të rëndësishme të vendit. Përtej ekspozitës së përhershme, kjo është jo vetëm ftesë për t’u njohur me to, por është një platformë që fton të gjithë për të kontribuar drejt pasurimit të ekspozitës. Tashmë vitrinat e drunjta vetëm kanë nisur të zënë vend në të dy katet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa mediumet e reja do të jenë vetëm një format tjetër për të prezantuar historinë e rrëfimet e historisë së vendit. E veçanta e kësaj ekspozite është se një kënd i posaçëm do t’u dedikohet fëmijëve, të cilët përveç se do të njoftohen me ekspozitën e Muzeut, po ashtu përmes ekraneve të vendosura do të mund të udhëtojnë virtualisht nëpër lokalitete të rëndësishme të Kosovës.

“Medaljoni i Probit”, është një monedhë e çmueshme që do të prezantohet në Muze, e për të cilën thuhet se janë vetëm dy ekzemplarë të tillë në botë. Ndërsa në këtë ekspozitë do të prezantohet edhe një eksponat që nuk është parë më herët, që është një promenadë që quhet “Vrapuesja e Prizrenit”, origjinali i së cilës ndodhet në Muzeun e Londrës, por që një kopje e tillë në Muze ka ardhur nga ministri Memli Krasniqi. Përveç kësaj, në pjesën e eksponateve do të prezantohen edhe veshjet e personaliteteve të ndryshme që kanë lenë gjurmë në historinë e vendit. Një xhaketë e ambasadorit William Walker, e një kapelë e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, motoçikleta e komandantit legjendar, Adem Jasharit vijnë më afër se kurrë për publikun në këtë ekspozitë.

Këtë ekspozitë të përhershme, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj e quan ekspozitë bazë, pasi që e ka një strukturë por që do të plotësohet dhe do të zhvillohet edhe më tutje. Ai tha se Muzeu i Kosovës aktualisht nuk posedon materiale, fotografi të cilat mund ta përfaqësojnë plotësisht historinë e vendit. Ai thotë se kanë krijuar platforma dhe hapësira ku këto prurje, dokumente, eksponate, rrëfime të njerëzve, të qytetarëve dhe komunitetit shkencor, akademisë apo donatorëve të ndryshëm mund të prezantohen në Muzeun e Kosovës. Kjo veçmas do të jetë në pavijonin e historisë ku një hapësirë u dedikohet prezantimit të imazheve të fotografive kryesisht të periudhës së eksodit dhe jo vetëm, një pjesë e tyre do të mbeten në koleksionin e muzeut dhe këto arazhmane krijohen me emrat e autorëve.

“Pavijoni i historisë do të jetë një laborator i historisë për prurjet e njerëzve, institucioneve, dhe dokumenteve që vijnë. Qasja jonë është pak më e re se sa që jemi mësuar ta shohim në muze, nuk do të ketë rrëfim statik që do të përshkruaj periudha të ndryshme historike por do të jetë një platformë ku eksponatet e muzeut dhe prurjet e qytetarëve dhe donatorëve do të gjejnë vendin e vet”, tha Boshtrakaj për KultPlus.

Boshtrakaj tha se për Muzeun e Kosovës është shumë e rëndësishme që dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ta festojmë me një aktivitet që vitin 2018 e shënon me një konsolidim të institucioneve dhe rrëfimeve, bëhet fjalë jo vetëm që simbolikisht të festohet 17 shkurti por për të shënuar edhe vitin 2018 dhe që kujtesën tonë të fragmentuar ta përmbledhim dhe ta bëjmë pjesë të muzeut. Sipas tij këto rrëfime do të ndahen me publikun dhe gjeneratën e re dhe të përfitojmë interpretime dhe perspektiva të reja.

Për ta sjellë të tërë këtë ekspozitë kanë kontribuar një numër i madh bashkëpunëtoresh si nga jashtë dhe brenda muzeut, ndërsa për të hartuar konceptin e kësaj ekspozitë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka themeluar një grup punues të udhëhequr nga Edi Shukriu, i përbërë nga arkitektë, arkeolog, etnolog dhe artistë që kanë dhënë kontribut në bazë të fushës së tyre.
“Dua ta falënderoj komisionin e hartuar prej Ministrisë pasi që e kanë shtyrë këtë proces përpara sepse kanë qenë ndihmesë e madhe që ky projekt i ri të hyj në agjendën e prioriteteve të Ministrisë”, u shpreh drejtori Boshtrakaj për KultPlus. Për t’u njoftuar me gjithë këtë punë që po vazhdon të bëhet në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dyert e këtij institucioni do të hapen për të gjithë vizitorët me 23 Shkurt./KultPlus.com

I thuri 2,900 vargje dashurisë së pamundur

Poema më e gjatë e dashurisë në botë u krijua në vitin 1844 në Banska Stiavnica në Sllovaki.

Janë 2 900 vargje të një shkrimtari vendas.

Sot, qyteti i vogël mesjetar dëshiron të transformohet në një vend pelegrinazhi për të dashuruarit në mbarë botën, në sajë të një “Banke Dashurie” krijuar për të ruajtur historitë e tyre, transmeton ATSH shkrimin e AFP-së.

Që Banska Stiavnica t’i bashkohet Parisit apo Veronas në hartën e vendeve romantike, një OJQ lokale kultivon kujtimin e historisë fatale të poetit Andrej Sladkoviç dhe muzës së tij Marina, detyruar nga prindërit e saj borgjezë që të martohej me një prodhues buke dhe jo me një poet të varfër.

Ish-shtëpia e Marinës ka 100 000 ndarje, destinuar për të pritur historitë e dashurisë dhe kujtimet e çifteve.

Publikuar në vitin 1846, poema e gjatë ku Andrej Sladkoviçit që shpreh pasionin dhe zhgënjimin nga dashuria, u regjistrua si vepra e këtij lloji më e gjata në botë nga Akademia Botërore e Rekordeve, që ndodhet në Majemi, në Florida dhe rivali kryesor i librit të rekordeve ”Guinness”.

Kjo vepër është përkthyer në disa gjuhë.

“Kur, 100 000 ndarjet do të mbushen me histori, kjo bankë do të bëhet vendi i përqëndrimit më të madh të dashurisë në botë, epiqendra e dashurisë”, theksoi Katarina Javorska, ngarkuar për marrëdhëniet publike të OJQ-së.

Shoqata ka vendosur selinë e saj në ish-shtëpinë e Marinës dhe pas dy vitesh punime, inauguroi në muajin dhjetor një ekspozitë interaktive duke prezantuar një kopje të dorëshkrimit të poemës të Sladkovic, bibliotekën e tij dhe një “metër dashurie” që maste forcën e ndjenjave të një çifti.

Por, nën shtëpi duket se do jetë pika kryesore e tërheqjes, me “Bankën e Dashurisë”.

Një tunel i gjatë në pjesën nëntokësore të ndërtesës është transformuar në dhomën që numëron 100 000 ndarje, ku të dashuruarit mund të depozitojnë historitë e tyre në kohë të caktuara të vitit.

Zyrtare: Rita Ora performon në Prishtinë për 10-vjetorin e Pavarësisë

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora do të marrë pjesë në manifestimin qendror që do të organizohet në Prishtinë, për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Pjesëmarrjen e yllit botëror të pop muzikës, me prejardhje nga Kosova, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Mund të konfirmoj se më 17 shkurt 2018, në orën 22:00 para shikueseve dhe qytetarëve të Kosovës do të performojë këngëtarja më famë botërore Rita Ora”, ka thënë Behramaj.

Shënimi i 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka filluar me aktivitete të ndryshme. Ndërkaq manifestimi qendror do të zhvillohet më 17 shkurt./KultPlus.com

Zbulohen statujat gjigante mbi 2000 vjeçare në Arabi

Skulptura të papërfunduara devesh, ndërtimi i të cilave shkon mbi 2000 vite më parë, janë gjetur në një zonë të pabanuar në shkretëtirën e Arabisë Saudite.

Imazhe të tjera mijëravjeçare të deveve janë gjetur në këtë rajon, por asnjëherë të këtyre përmasave gjigante, transmeton tch.

Skulpturat janë gjetur nga një ekip franko-saudit në krahinën e Al Jawf në tre shkëmbinj të mëdhenj./ KultPlus.com

Artistët e Kaçanikut kërkojnë themelimin e Teatrit të Qytetit

Ben Apolloni, Bekim Guri, Armend Ballazhi, Osman Isa, Lulzim Rexha, Lind Berisha, Dituri Neziraj dhe Qëndresa Loki, janë disa nga grupi i artistëve dhe studentëve të artit dramatik nga Kaçaniku dhe rrethina, që kanë iniciuar kërkesën në Kuvendin Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit, shkruan KultPlus.

Kjo kërkesë sipas grupit iniciues është bërë konform ligjit për Teatrot, ndërsa siç bëhet e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku ky grup ka njoftuar për këtë nismë, kërkesa nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut është drejtuar tek Kryetari i Komunës dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në këtë komunë.

Në vijim po sjellim të plotë publikimin e grupit të artistëve që kanë nisë kërkesën për themelimin e Teatrit të Qytetit:

“Teatri i Kaçanikut
Më datën 5 shkurt 2018 një grup i përbërë nga disa artistë dhe studente të artit dramatik, nga Kaçaniku dhe rrethina, i kemi drejtuar një kërkesë Kuvendit Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit. Kërkesën e kemi bërë konform Ligjit për Teatrot ku thuhet se: “Teatrot e qyteteve themelohen me vendim të Asamblesë komunale. Komuna nuk mund të themeloj më shumë se një teatër të qytetit me status publik.” ( Cituar nga: Ligji për Teatrot, Neni 4, Themelimi i Teatrove).
Kërkesën e kemi bërë pasi mendojmë se qyteti i Kaçanikut ka potencial kadrovik që ta ketë Teatrin dhe ka nevojë më shumë se çdo qytet tjetër që ta ketë Teatrin, pasi gjatë këtyre 18 viteve, kultura në këtë qytet ka qenë e pranishme sa shiu në Saharë.
Dje, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës më ka njoftuar përmes emailit se kërkesën tonë, të grupit inicues, e ka proceduar te Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Drejtorisë për Arsim e Kulturë, sepse sipas tij Kuvendi nuk merret me kërkesa. Por unë, në emër të grupit inicues, i kam shkruar Kryesuesit dhe anëtarëve të Kuvendit dhe ua kam sqaru se kjo kërkesë është adresuar sakt sepse është bërë sipas Ligjit për Teatrot e bashkë me përgjigjen ua kam dërguar edhe Ligjin.
Tani ne po presim.
Me këtë njoftim dua t’i vë në dijeni edhe gjithë qytetarët e Kaçanikut për këtë iniciativë dhe të kërkoj që të na përkrahin që më në fund të bëjmë diçka të hajrit në qytetin tonë”, thuhet në njoftimi e publikuar nga regjisori Ben Apolloni./ KultPlus.com

“Ku mbet’ f’tyra e gjithë ai nam i tan Shqipnisë” (VIDEO)

KultPlus, sot po e sjellë këngën “Shkaba” nga Jericho interpretuar nga vokalisti Petrit Çarkaxhiu.

Kjo këngën e publikuar në maj të vitit 2012-të, është një këngë e radhës që Jericho sjellë fuqishëm kombinimin e rokut me dialektin gegë.

SHKABA

Edhe malet edhe fushat po vajtojnë
Kang’t e trimit n’zemër t’djalit mâ s’jetojn’
Fjalt’ e pleqve nëpër oda kokan tha
Nji shejtan, ma t’mirt’ e votrës na i ka vra

Paska ardhë ahir zamani more vlla
N’krye t’venit nji xhahil syt me na pa
Oh ky devër o i fesatit n’mes vllaznisë
Gratë e huja dojnë me na i bo t’zot’t e shpisë

Ku mbet’ besa ku mbet fjala e burrnisë
Ku mbet’ f’tyra e gjithë ai nam i tan Shqipnisë
Ku mbet vallja, ku met kanga me tupan
Ku mbet loti i dashnisë o për vatan

Përmi stanet e çobanit fluturo
Ti moj shqipja e vatanit mos harro
Me i hap krah’t me na dhon zemër për mejdan
Në emër t’Zotit o për kët’ vend bahem kurban

Ref:

Çohu n’kam se na erdh vakti
Sot flen o veç i ngrati
Vet jemi t’zot e ktij vendi, o dora e hasmit
Ka kush i del vatanit

Vet’ jemi t’zot e k’tij vendi, o zagart’ e hasmit
Ka kush i del vatanit

Greqia kërkon të hiqet emri Çamëri nga tekstet shkollore

Greqia jo vetëm që nuk pranon se ekziston një çështje Çame po do ta zhdukë emrin Çamëri edhe nga librat e hartat shkollore të Shqipërisë.

Kjo ka qenë deklarata që është bërë nga ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias në Parlamentin e shtetit fqinjë.

Ministrit të Jashtëm grek i janë kërkuar sqarime për bisedimet që po zhvillohen me Shqipërinë dhe Maqedoninë për termat nacionaliste në librat shkollorë të këtyre vendeve, nga deputeti X.Theoharis. Kotzias i është përgjigjur kësaj interpelance me shkrim me një letër zyrtare e cila iu përcoll Parlamentin helen.

Në këtë përgjigje në pjesën e parë që fliste për Shqipërinë, ministri Kotzias është shprehur se pala greke gjatë bisedimeve të komisionit dypalësh të ekspertëve ia ka bërë të qartë palës shqiptare se termat: “territoret shqiptare në Greqi” dhe emërtimi “Çamëri” për territore që janë në shtetin grek duhet të fshihen nga librat shkollorë të Historisë e Gjeografisë.

“Gjatë takimit të fundit të Komisionit të Përzier të Ekspertëve Greko-Shqiptar, pala greke ka këmbëngulur në fshirjen nga librat shkollorë të shprehjeve të papranueshme e fyerëse për unitetin e vendit tonë (Greqisë) si: “territoret shqiptare në Greqi”.

Por edhe shprehjet dhe hartat në të cilat krahina gjeografike greke shfaqen me emërtimin “Çamëri”, të cilat demonstrojnë, fatkeqësissht, se shtetit shqiptar mbetet i bllokuar në retorike anakronike nacionaliste dhe me qëndrime idemadhe, të dëmshme dhe të rrezikshme në radhë të parë për vetë Shqipërinë”, thuhet në përgjigjen e Kotzias dërguar parlamentit, sipas mediave greke.

PRESIONI
Kotzias ka theksuar se pala greke e ka si kusht të panegocueshëm heqjen e këtyre frazave nga librat shkollorë shqiptar. Ministri i Jashtëm grek ka theksuar tekstualisht se: “Qeveria greke ia ka bërë të qartë palës shqiptare se problematika në fjalë është e papranueshëm nga çdo pikëpamje që të jenë në përmbajtjen e librave shkollorë dhe duhet të hiqen në mënyrën më të shpejtë të mundshme”.

Gjithashtu Kotzias ka bërë me dije se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt madje brenda këtij muaji, kur komisioni dypalësh i ekspertëve do të rimblidhet në Athinë. “Pas një këmbëngulje të gjatë nga ana e palës greke për vazhdimin e zgjidhjes së problematikave brenda kronoghramit të saktësuar, pala shqiptare ra dakord që takimi i ardhshëm i Komisionit të Përzier të Ekspertëve Greko-Shqiptar të kryhet brenda 15 ditëshit të dytë të muajit shkurt në Athinë”, ka deklaruar Kotzias.

Nga këmbëngulja e palës greke për rimbledhjen e komisionit dypalësh brenda muajit shkurt bëhet e qartë se deri më tani pala shqiptare nuk e ka pranuar një pretendim të tillë, ndaj edhe Greqia është duke bërë presion.

MBETET VETEM VALLJA
Në hartat greke shumica e zonës ku shtrihet Çamëria emërtohet Thesproti dhe Etolo-Akarnani. Janë emrat e dy qarqeve zyrtare që përdorin grekët për krahinën e Çamërisë. Nuk duhen harruar edhe deklaratat e para pak kohe e Kotzias në televizionin shtetëror grek që nuk ekziston asnjë çështje Çame. Pra pas mohimit të genocidit çam nga Greqia kërkohet edhe fshirja e tyre nga harta.

Popullsi çame nuk ka për grekët, as krahinë çame s’ka se ka Thesproti dhe Etolo-Akarnani, por ama valle çame ose “çamiko” siç e quajnë ata ka edhe është një nga vallet me të cilat grekët e veriut krenohen. Pak absurde por ballkanase. Një popull që sipas grekëve ekziston vetëm në emrin e një valleje!

BISEDIMET SHQIPTARO-GREKE
Kujtojmë se bisedimet shqiptaro-greke për zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve të vjetra midis dy shteteve kanë kohë që kanë filluar. Takimet midis dy ministrave të Jashtëm Bushati e Kotzias, në Kretë e në Korçë, i kanë dhënë një rrugëzgjidhje shumicës së këtyre problematikave. Nga palët është rifillimi i punimeve për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-41.

Gjithashtu është rënë dakord njohja e patentave shqiptare të makinave në Greqi, njohjen e vulave apostile shqiptare, rishqyrtimi i teksteve shkollore që përdoren në Shqipëri, si dhe furnizimi i minoritetit grek në vendin tonë me libra të posaçëm nga Athina. Po kështu edhe për dy çështjet madhore si abrogimi i Ligjit të Luftës dhe një Pakt i ri Detar është thënë se edhe ato kanë marrë një zgjidhje, shkruan Shqiptarja.com.

Ligji i Luftës është pranuar të abrogohet nga grekët, ndërsa për sa i përket marrëveshjes detare, Greqia ka pranuar se në atë të 2009 me Berishën është gabuar në dëm të Shqipërisë. Kështu pala greke i ka pranuar që t’i llogarisë gjiret si të mbyllura dhe se matja do fillojë jo nga shkëmbinjtë e pabanuar si në 2009, por nga ishujt e banuar. Greqia do shtrijë Zonën Ekonomike Eksluzive të saj në 12 milje, por duke përcaktuar “vijën e mesme” në ato vende që hapësira është më e vogël./ KultPlus.com

MKRS, nesër ndanë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi

Në kuadër të agjendës shtetërore për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me e rastin e festës, më 15 shkurt 2018 (e enjte), ora 13:30, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bën ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi.

Çmimi Vjetor për Vepër Jetësore do t’i ndahet shkrimtarit Rushit Ramabaja. Çmimi për prozë “Anton Pashku” shkrimtarit Fatmir Halimi për veprën “Dy vdekje e një jetë”, Çmimi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi do t’u ndahet shkrimtarëve: Ismail Syla për “Atdheu im i ngyrsur” dhe Ragip Syla për veprën “Kam drojë për ty”.

Çmimin “Vehbi Kikaj” për fëmijë dhe të rinj do ta ndajnë shkrimtarët Mexhit Mehmeti “Ecejaket e Hero Lindit” respektivisht Avni Dehari “Flakadanë e Lirisë”. Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” i ndahet Arben Veselaj për studimin “Tema Kadareane”, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” i ndahet Orjela Stefasanit për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet”.

Laureatët marrin çmimet respektive në bazë të vendimit të jurisë profesionale në përbërje të Hysen Matoshit, Merxhan Abdylit, Brikenë Ceraja- Beka, Shkelqim Millaku dhe Qazim Thaçi.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve për letërsi do të mbahet në kabinetin e Ministrit./ KultPlus.com

Ambasada e Amerikës në Kosovë do të vazhdojë mbështetjen e kulturës në vend

Që nga viti 2015 Ambasada e Amerikës në Kosovës, ka punuar që ta ruajë diversitetin dhe pasurinë e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Kësisoj, kjo punë duket se do të vazhdoj edhe më tutje. Kështu bëri të ditur kjo ambasadë përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

“Përmes fondit për kulturë “The Ambassadors Fund for Cultural Preservation” ambasada ka dhënë shumë grande për ruajtjen e objekteve dhe koleksioneve kulturore, si dhe forma të tjera përmes të cilave shprehet kultura tradicional. Në këtë dhjetë vjetor ne e konfirmojmë se mbështetja jonë do të vazhdojë”, shkruhet në njoftimin e ambasadës e cila më këtë rast ka ndarë edhe disa fotografi./ KultPlus.com

Dua Lipa, këngëtarja e re me më së shumti klikime në YouTube (FOTO)

Dua Lipa, është bërë artistja më e re që ka arritur 1 miliardë klikime në kanalin Youtube me këngën “New Rules”, shkruan KultPlus.

Kjo këngën e publikuar para 7 muajsh, nxori shqiptaren Lipa, me këtë shifër marramendëse të klikimeve, si këngëtaren më të re femër me më së shumti klikime.

Dua Lipa, sot nëpërmjet rrjetit social Instagram, ka publikuar një fotografi të fëmijërisë, dhe ka konfirmuar lajmin për klikime, gjë që e ka bërë shumë të lumtur./ KultPlus.com

“Kam drojë për ty” i Ragip Sylës, shpallet libri më i mirë për poezi nga MKRS

Shkrimtari i njohur kosovar Ragip Sylaj, ka fituar çmimin për librin më të mirë për poezi “Kam drojë për ty”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë autori Sylaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook. Ai ka falënderuara jurinë dhe familjen e gjerë, kolegët dhe miqtë për përkrahjen e pakursyer.

“Këtë foto (autor, Arben Llapashtica) po e postoj me rastin e njoftimit se jam njëri nga fituesit e MKRS për librin më të mirë për poezi “Kam drojë për ty”, botuar nga “Armagedoni”, Prishtinë, 2017. Falemnderit prej jurisë dhe për përkrahjen e pakursyer të familjes (së gjerë), kolegëve dhe miqve!… Urime 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës!”, ka shkruar Ragip Sylaj.

“Kam drojë për ty” është botuar nga “Armagedoni”, Prishtinë 2017./ KultPlus.com

Ka vdekur regjisori dhe aktori Nuhi Matoshi

Ka vdekur në moshën 71 vjeçare, ish regjisori i Radiotelevizionit të Prishtinës, Nuhi Matoshi.

Për të nderuar jetën dhe veprën e regjisorit të njohur gjilanas, komuna e Gjilanit organizon mbledhje komemorative.

“Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, organizon të mërkurën mbledhje komemorative në ora 11:00, në teatrin e qytetit!”, bëhet e ditur në njoftimin e komunës së Gjilanit.

Matoshi ishte lindur më 30 maj të vitit 1946 dhe ishte i njohur si aktor, regjisor dhe dramaturg./ KultPlus.com

Gazetat e Turqisë e lavdërojnë ndaljen e muzikës kurde në Prishtinë

Disa medie të Turqisë kanë lavdëruar gjestin e Policisë së Kosovës, kur ajo para pak ditësh ka ndërprerë një ‘Natë të Muzikës Kurde’ në kryeqytet.

Agjencia Anadolu e Turqisë ka shkruar se Qendra Sociale SABOTA ka planifikuar të përhapë propagandë të organizatës terroristë YPG/PPK me anë të kësaj nate të muzikës.

Lajmet e gazetës turke YENISAFAK po ashtu kanë treguar për ngjarjen që ndodhi para pak netësh në Kosovë. Shkrimet e kanë quajtur provokim këtë natë, duke cituar liderin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Ministrin e Administratës Publike – Mahir Yagcilar.

“Të shfaqësh sjellje kundër Turqisë, shtetit mik të Kosovës, është e pakuptimtë. Në fakt, është në të kundërt dhe e dëmshme për Kosovën” i ka thënë Yagcilar gazetës turke, shkruan KultPlus.
Të premten tek SABOTA u planifikua një Natë e Muzikës Kurde e cila u ndërpre për pak minuta, por vazhdoi deri në fund.

Me reagimet e tyre kanë dalë edhe nga kjo Qendër por edhe nga Policia e Kosovës.

Krejt për fund, një pjesë e medieve në Turqi, shumë prej tyre të kontrolluara nga shteti, kanë fajësuar këtë shpërndarje të propagandës së PPK-së kurde, që ka luftuar kundër forcave turke për disa dekada tanimë. / KultPlus.com

Dua Lipa tash performon edhe në Ellen DeGeneres Show (VIDEO)

Dua Lipa i ka treguar rregullat e saj në emisionin e Ellen Degeneres.

Lipa para pak orësh ka qenë e ftuar në emisionin Ellen Degeneres Show, ku ka performuar “New Rules”, hitin me të cilin depërtoi në showbizin botëror aktual.

Emisioni i Ellen është ndër më të shikuarit në Amerikë.

Pas “New Rules”, Dua Lipa ka realizuar edhe “IDGAF” një këngë e pëlqyer dhe një videoklip tjetër simpatik nga Lipa. / KultPlus.com

Hiqet flamuri kombëtar, Policia largon me dhunë një qytetar

Pas gati dy orëve përpjekje, është arritur që të zbritet në tokë flamuri kombëtar, që më pas të zëvendësohet me flamurin shtetëror. Menjëherë pas heqjes së flamurit kombëtar kanë reaguar ashpër qytetarët ku policia është detyruar ta largojë një qytetar me forcë, raporton Insajderi.

Së fundmi në vendin e ngjarjes janë parë edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë angazhuar që t’ia plotësojnë kërkesën kryeministrit Haradinaj që flamuri shtetëror në hyrje të Prishtinës të ngritet sonte.

Përveç ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes janë duke qëndruar edhe shumë qytetarë të cilët janë të interesuar për ngritjen e flamurit, të cilët janë shprehur të pakënaqur për largimin e tij.

Dhjetë fakte mbi jetën e Bilbilit Nexhmije Pagarusha

Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, është e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit.

Ajo asnjëherë nuk ka pranuar të këndoj diçka që i tejkalon vlerat tona e të lë pas dore muzikën e mirëfilltë shqipe, këtë më së miri e dëshmon anulimi i një koncerti në Maqedoni, ku i është kërkuar të këndoj në gjuhën serbe dhe zonja Nexhmije është larguar nga skena dhe nuk ka kënduar fare.

Nexhmie Pagarusha ka përfuduar shkollën e muzikës në Beograd, dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës, duke e bërë kështu Kosovën të njohur kudo që ka hedhur hap.

1.Në vitet e rinisë Nexhmija ka kënduar vepra të përkthyera nga Bethoven, Verdit e shumë emra të mëdhenj

2. Ajo edhe sot konsiderohet si një grua shumë e saktë. Ajo, gjatë kohës sa ishte nëpër turne nuk është vonnuar kurrë, madje as në prova nuk është vonuar asnjëherë

3.Gjatë gjithë karrierës së saj ka kënduar mbi 150 këngë

4.Kënga më e njohur e saj është “Baresha”, të cilën e ka kompozuar burri i saj Rexho Mulliqi

5.Nexhmija është krahasuar me yjet më të mëdha botërore, sa sa ishte në shkollë në Beograd, madje atë e kanë krahasuar me zërin e rrallë francez Zhyliet Greko. Poashtu profesorët e shkollës së muzikës kanë thënë se është ofendim ta krahasojmë Nexhmijen me ndonjë emër tjetër, sepse zëri i saj është i rrallë.

6.Përveç muzikës ajo ka qenë edhe aktore. Ka luajtur në shumë filma dhe është cilësuar nga regjisorët si një aktore e përkryer.

7.Ka mbajtur koncerte në vende të ndryshme të botës, si në Irazel, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë e Shqipëri pa dyshim

8.Frika më e madhe e saj është aeroplani.

9.Idhulli i saj i përjetshëm ka qenë gjithmonë babai i saj, i cili ishte mësues me profesion, dhe siç tha Tariku vëllau i saj për Gazetë Metro, gjithmonë do t’i falenderohet atij për suksesin e saj.

10.E ka anuluar një koncert në momentin e parë që ka dalë në skenë në Maqedoni, pasi që publiku ka filluar të bërtas dhe të mos e lejoj të këndoj shqip. Ata i kanë kërkuar të këndoj në gjuhën serbe por Nexhmija i ka mbyllur perdet e skenës dhe është larguar, duke e refuzar menjëherë kërkesën e tyre. / KultPlus.com

Kadri Veseli premton ngritjen e një memoriali për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e katër organizatave e shoqërisë civile, të licencuara për të bërë verifikimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Organizatën Qendrën për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Medika Kosova, Medika Gjakova dhe Qendrën për Promovimin e Gruas në Drenas.

Veseli u informua rreth procesit të verifikimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa u falënderua për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për këtë kategori, në aspektin legjislativ dhe atë financiar.

Kryeparlamentari Veseli ka falënderuar përfaqësueset e këtyre organizatave për punën e tyre të bërë deri më tash.

Ai ka premtuar se gjatë këtij viti, përballë Kuvendit të Republikës Kosovës, do të ngritët një memorial për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në këtë takim, është diskutuar edhe mundësia që kjo kategori të përfitojë shërbime shëndetësore falas.

Veseli, po ashtu, ka premtuar se do të trajtohen me prioritet problemet e shfaqura në zbatim të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. / KultPlus.com

Për atë që s’më donte e s’e desha!

Poezi e shkruar nga Zhuljeta Grabocka Çina.

Aty ku gjuhë e syve shuhet një ditë,
unë ndez me shkrepse një qiri.
Vajtimi im e lotët më bëhen dritë…
me këngë më mbushet zemra.

I fal mëshirë, i kërkoj drejtësi,
atij që s’më donte e s’e desha!
Prej syrit të tij fjalët e mia kishin frikë
ndaj nuk fola unë, foli heshtja!

Në tokë të ra fati të jesh një krimb
nëpër pluhur me këmbë të fshehura.
Ç’faj kanë pemët që rriten mbi ty?!
Ç’faj kanë degët, lulja e gjethja?!

Të luaj me zjarrin e syve të mi nuk kam frikë,
në gjuhët e tij shuhen fjalët e zjarrta.
Afrohu, merr pak prush e ndiz një dritë
Të të them, pse s’më doje e s’të desha!

Aty ku gjuha e syve do të flasë sërisht,
mos eja të më hapësh plagët e vjetra.
Me urrët e zjarrit errësirën e natës do të gris,
të vdesë hakmarrja e dashurive të verbra!

Flamuri i Kosovës vendoset në hyrje të Prishtinës

Pas shumë kërkesave që me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, flamuri shtetëror është vendosur në hyrje të Prishtinës.

Vendosja e flamurit ishte paraparë të bëhej gjatë ditës deri në ora 16.00 megjithatë kjo nuk ka ndodhur deri më tani kur ora shënon 19.00, shkruan Insajderi.

Rreth vendimit për largimin e flamurit kombëtar në hyrje të Prishtinës, foli sot edhe Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë së vendit. Tha se ka urdhëruar që vendosja e flamurit të bëhet sot. / KultPlus.com

******

Në këto momente zyrtarë të MAPL-së janë duke tentuar të vendosin flamurin shtetëror “Te Rrethi”.

Gjatë përpjekjes për vendosjen e flamurit të Kosovës, punëtorët bashkë me zyrtarët hasën në pengesa për shkak të defekteve në shtizën e flamurit. Këto defekte ata po përpiqen t’i evitojnë, raporton Koha Ditore.

“Te Rrethi” i flamurit kanë arritur edhe inspektorët e komunës të cilët kërkuar sqarime se përse po tentohet vendosja e flamurit të Kosovës. Zyrtarët kanë thënë se është vendim i qeverisë që krahas atij kombëtar, të vendoset edhe ai shtetëror.

Derisa punëtorët po përpiqen të evitojnë defektin në shtizë, inspektorët komunalë të Prishtinës po qëndrojnë larg tyre.

Vendosja e flamurit po monitorohet nga Policia e Kosovës.

METALLICA dhe fotografitë me flamurin shqiptar

Të gjithë e njohin grupin legjendar ‘Metallica”, shumë prej jush mund të jenë edhe fansa të tyre.

Ajo çka po i çudit të gjithë është fakti që anëtarët e grupit po publikojnë shpesh foto ose video me flamurin shqiptar.

Para pak kohësh doli një foto e grupit me flamurin shqiptar. Foton e kishte marrë një fans i tyre, i cili ua kishte dhuruar flamurin dhe menjëherë e bëri virale. Mbrëmjen e kaluar, grupi i njohur ka ekzaltuar fansat në një koncert në Itali.

Në videot e postuara nga përgatitjet për koncert, duket pas shpinës së tyre flamuri shqiptar. Lidhja e grupit të rrokut me Shqipërinë duket se është e madhe, pavarësisht se asnjëherë nuk kanë qenë për një koncert këtu.

Supozime janë ngritur për lidhjen e tyre me vendin tonë, ndoshta dikush prej stafit ka origjinën shqiptare. / KultPlus.com

Kur Abetarja vinte fshehtas në Kosovë

BAJRAM MJEKU

Abetarja në foto është shtypur në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar në Shqipërinë Mbretërore. Konsullata e Mbretërisë shqiptare në Shkup ua jipte aktivistëve të Komitetit për Çlirimin e Kosovës për ta shpërndarë fshehtas në Kosovë.
Ndër shumë aktivistë të Komitetit për Çlirimin e Kosovës ishin edhe Vesel Pagarusha, babai i doajenes së muzikës popullore, Nexhmije Pagarusha dhe Kadri Minushi nga Damaneku i Malishevës. Ata dhe shumë aktivistë tjerë gjithandej Kosovës, kur i merrnin abetaret në Konsullatën Mbretërore të Shqipërisë në Shkup, maskoheshin si sharrëxhi, që të mos binin në sy të xhandarmërisë së Mbretërisë jugosllave.
Këta dy burra, abetaret dhe librat shqip ua shpërndanin familjeve në zë, derisa këto të fundit, ua shpërndanin familjeve tjera, të cilave u besonin.
Në këtë kohë, ministër fuqiplotë i Shqipërisë mbretërore në Beograd, ishte Shkëlqesia e tij, Rauf Fico.
Sakrifica e Komitetit për Çlirimin e Kosovës për t’i sjellë abetaret në Kosovë, nuk u ndal deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
Këtë postim e bëra me qëllim që t’ua kujtojmë bashkëkombasve tonë se çfarë sakrifice për arsimin shqip kanë bërë burrat e Kosovës në fillim të shekullit të kaluar dhe si e degraduan sistemin arsimor një grusht halabakësh në fillim të shekullit të ri.

Në Prishtinë do të hapet Qendra Kulturore Serbe

19 vjet pas konflikteve të luftës në Kosovë, në Prishtinë, në oborrin e kishës Shën Nikolla, do të fillojë së punuari institucioni i parë kulturor serb, njofton radio kim. Në Ditën e Sretenjes, Dita e Shtetësisë e Serbisë, 15 shkurt, do të hapet Qendra Kulturore Serbe.

Siç është njoftuar nga Shtëpia e Kulturës në Graçanicë, hapja e Qendrës Kulturore është paraparë të bëhet pasi që në kishën Shën Nikolla në Prishtinë vlladika i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, do ta shërbejë meshën.

Pastaj, gjithnjë sipas njoftimit, është paraparë hapja e ekspozitës “Piktorët e Shkollës së Artit të Prishtinës” si dhe paraqitja e SHKA “Kopaonik” nga Leposaviq – Lojëra nga Prishtina e Vjetër, shkruan Koha.net

Në hapje do të marrin pjesë edhe zyrtarë shtetërorë nga Serbia. / KultPlus.com