Politikani grek: Nëna e Aleksandrit të Madh ishte shqiptare (VIDEO)

Theodoros Pangalos, ish ministri grek i ekonomisë ka folur në një diskutim privat për shqiptarët dhe serbët.

Sipas tij shqiptarët, turqit dhe grekët janë të racës së njëjtë dhe nuk kanë të bëjnë me serbët.
Në po të njëjtin diskutim Pangalos, thotë se nëna e tij ishte shqiptare, pasi që në atë kohë grekët nuk kanë ekzistuar.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=245&v=HaXtQph0ZGw
“Në kohën e Aleksandrit të Madh nuk ka pasur grekë, nëna e tij është shqiptare”.

Dashuria, miqësia dhe respekti nuk i bashkojnë njerëzit aq shumë sa i bashkon…

“Kur njerëzit janë të lumtur, ata nuk e vërejnë nëse është dimër apo verë.”

“Dija nuk e ka asnjë vlerë përderisa nuk e praktikoni.”

“Dashuria, miqësia dhe respekti nuk i bashkojnë njerëzit aq shumë sa i bashkon urrejtja e përbashkët për diçka.”

“Ju duhet të besoni tek njerëzit, përndryshe jeta bëhet e pamundur.”

“Asnjë psikolog nuk duhet të pretendoj ta kuptojë atë që ai nuk e kupton… vetëm budallenjtë dhe sharlatanët din gjithçka por nuk kuptojnë asgjë.”

“Nëse keni frikë nga vetmia, mos u martoni.”

– Anton Chekhov

Pesë artistë që shpërfaqën mjegullën e Kosovës (FOTO)

Mbrëmë Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur ekspozitën “Mjegull”, një kombinim i veçantë i artistëve Albert Allgeier, Driton Selmani, Fatmir Mustafa-Karllo, Gazmend Ejupi dhe Luan Bajraktari. Një ekspozitë e cila të fton të shohësh përtej mjegullës që shpesh here krijohet, ashtu siç tha edhe kuratori i kësaj ekspozitë, Avi Lubin, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaja

Që në hyrje të Galerisë, në oborrin e saj ishte vendosur një nga punimet e artistit Fatmir Mustafa-Karllo, një veturë e cila tymin që lironte e kthente përsëri brenda saj.
Për të vazhduar me veprat që intrigonin publikon nga Driton Selmani, të tilla si “Gjallë dhe Zier”, një grumbull i telave me gjemba e që vende-vende në të ishin vendosur edhe doreza të boksit. “Më trego nga ky jam?”, një hartë ku Kosova mungon, apo “Bashkësia e Patitulluar”, një flamur i bërë nga gjysma e flamurit të Jugosllavisë dhe gjysma nga Flamuri i Shqipërisë. Flamurë që valëvitej në shkopin e drunjtë të një kosë të dorës…

Për të eksploruar tutje “Dëshmitarin e fundit” që gjendej në arkivol nga Fatmir Mustafa-Karllo apo “vëllaun e Milotit” nga Luan Bajraktari, videoinstalacionet “Humbje momentale e arsyes” nga Gazmend Ejupi apo edhe “YOU-GO”.

Duke zbuluar më shumë nga “Gjatësia mesatare e një numri arbitrar të njerëzve në një moment të dhënë në kohë dhe hapësirë”, nga Albert Allgaier duke përfshirë këtu gjatësinë mesatare të njerëzve tëinvolvuar në ekspozitën “Mjegull”, gjatësinë mesatare të popullsisë femërore dhe mashkullore në Kosovë, gjatësinë mesatare të ekuipazhit të misionit në gjithësi “Apollo 13” dhe gjatësinë mesatare të anëtareve të grupit “The Spice Girls”.

Pikërisht ky kombinim i punëve nga artisti Alber Allgaie nga Austria i cili punon në Vjenë, si dhe i kosovarëve nga diaspora, Luan Bajraktari nga Vjena dhe Gazmend Ejupi nga Londra dhe i dy artiste kosovarë që punojnë dhe veprojnë këtu, Fatmirë Mustafa-Karlo dhe Driton Selmani, është arsyeja e numrit të madh të artdashësve që në hapje të kësaj ekspozitë u shpreh drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani.

Titulli i ekspozitës “Mjegull” ka ardhur si rezultat i përjetimeve që ka pasur kuratori më Kosovën, vendin për të cilin ai nuk kishte ditur asgjë para se të bisedojë me artistin Gazmend Ejupi dhe Driton Semani.
“Fillova që të kërkojë më shumë informata për Kosovën, vendin tuaj, historinë e këtij vendi, e që nuk e kisha ditur më parë.Po ashtu kuptova që vendi im Izraeli nuk e njeh pavarësinë tuaj. Ishte shume e çuditshme për mua, pasiqë ne jemi në një situatë pothuajse të njëjtë, shumë shtete nuk e njohin pavarësinë tonë dhe ne nuk e njohim pavarësinë e Palestinës. Këto pyetje mbi ekzistencën e shteteve apo mbi njerëzit ishte një pikë intriguese për mua që shërbeu si pikë fillestare”, tha ai.
Ai duke kujtuar fjalët e ish-kryeministres së Izraelit, Golda Meir,e cila kishte thënë se palestinezët nuk ekzistojnë, ka dashur që të sjellë në mënyrë metaforike një ekspozitë e cila nuk ekziston, në një vend që nuk ekziston.

“Ajo ka thënë njëherë së nuk ka palestinezë dhe kjo që nga atëherë është shndërruar në shaka në Izrael, pasi që ne i shohim ata njerëz, pra si është e mundur që ata të mos ekzistojnë. Kur mendova që të vi këtu ju thashë djemve që le të bëjmë një ekspozitë që nuk ekziston, në një vend që nuk ekziston, me njerëz që nuk ekzistojnë, në një galeri që nuk ekziston. Kjo filloi si shaka mirëpo kur erdha këtu në janar për hulumtim kishte mjegull në qiell dhe aeroplani nuk mundi që të ateronte, kështu që unë mbeta edhe për një natë në Stamboll. Ju shënova artistëve ‘Ndoshta Kosova më të vërtetë nuk ekziston’ dhe ky moment ishte edhe fillim për këtë ekspozitën”, u shpreh ai.

Tutje kuratori sqaroi se pikërisht këtë mjegull nuk duhet shikuar si një gjendje degresivëpor si mënyrë potenciale për të parë ndryshe, për të filluar diçka të re pa qenë të karakterizuar nëpër kategori apo në bazë të historisë, të kaluarës traumatike.

Në mesin e punëve të ekspozuara ishte edhe “Loja” nga Luan Bajraktari, një punë e re e artistit në të cilin ai ka qenë duke punuar kur e ka marrë ftesën për këtë ekspozitë
“Kjo punë lidhet shumë mirë me gjithë ekspozitën, pra mjegullën, pyetjet rreth ekzistencës dhe mos ekzistencës. Mendova që do të jetë interesant ta sjellë pikërisht këtë punëbrenda galerisë. Gjithmonë kur ne si shtet, pra Kosova, bisedon me dikë duhet që të jetë edhe njëlojtar i tretë i cili na ndihmon me e zhvillu në një mënyrë lojën. Mirëpo nuk është vetëm kjo pasi që ky punim është rrjedh e punëve të mia të mëparshme. Unë kam dëshirë që të luajë me hapësirën edhe me krijua skulptura në hapësira, pra kjo nuk ështëvetëm një fushë futbolli kjo për mua paraqet një skulpturë”, u shpreh ai për KultPlus.
Tëgjithë të interesuarit që dëshirojnë ta vizitojnë këtë ekspozitë do të mund ta bëjnë këtë deri më 17 qershor./KultPlus.com



Emri i ri i Maqedonisë, “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”

Maqedonia dhe Greqia kanë arritur marrëveshje sa i përket ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Kryeministri maqedon, Zoran Zaev dhe ai grek, Alexis Tsipras janë pajtuar në Samitin e Sofjes që emri i ri i Maqedonisë, të jetë “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, njofton Klan Kosova.

Ilindeni është Dita e Republikës së Maqedonisë.

Me këtë marrëveshje që ende nuk është konfirmuar, do t’i hapet rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së BE dhe Aleancën Veri-atlantike.

Përveç “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” opsion kanë qenë edhe emra tjerë si “Maqedonia e Epërme” ose “Republika e Maqedonisë së Shkupit”.

Analisti, Ylber Sela, ka thënë për Zona B direkt nga Sofja se mes Zaev dhe Tsipras është përmbyllur pjesa e parë e finales. Ai ka shtuar se edhe shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë përbërëse e kësaj zgjidhjeje të arritur.

“Sot është ditë historike për Maqedoninë pasi interesi i shqiptarëvë është që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të hyjë në BE”.

“Janë parë interesat bullgare dhe duhet të shihen edhe interesat e shqiptarëve sa i përket çështjes së emrit”.

“Besoj që më në fund Maqedonia të zgjedhë këtë kontest. Ardhja jo vetëm e Theresa May por këta muajt e fundit kemi pasur shumë liderë evropianë që kanë ardhë në Shkup. Roli i Bullgarisë është mjaft i rëndësishsëm dhe Sofja dha maksimumin dhe ky është fat që duhet të shfrytëzohet dhe po ia arrijnë qëllimit. Shpresoj që në vitin 2018 do të shkruhet me shkronja të arta për Maqedoninë”

Kurse analisti tjetër, Qashif Bakiu, ka thënë se Zaev dhe Tsipras janë përkujdesur që ta mbajnë të fshehtë këtë marrëveshje të arritur e cila sipas tij do të diskutohet edhe në të dy vendet përkatëse.

Ai ka thënë se në rastin e emrit të ri të Maqedonisë edhe historianët duhet ta bëjnë punën e tyre./Klan Kosova/

Shkëlqejnë divat, Irma, Rovena, Eneda dhe Besa elektrizojnë publikun (VIDEO)

Salla prej 3000 vendesh e Pallatit të Kongreseve duket se ishte e vogël për të pritur të gjithë adhuruesit e muzikës së 4 prej emrave më të mirë të muzikës shqiptare në të parin recital të përbashkët.

Dhe 4 divat: Irma, Rovena, Eneda dhe Besa, nuk zhgënjyen pritshmëritë, duke elektrizuar publikun që mbushi çdo kënd të Pallatit të Kongreseve mbrëmjen e së mërkurës.

Një koncert për forcën e femrës, të pagëzuar me titullin “Diva” për të thënë se femra shqiptare është një divë, jo vetëm në skenë, por edhe përtej saj.

“Diva’s show” do të shfaqet në ekranin e Top Channel në muajin shtator, ndërsa 4 diva të tjera do të vijojnë këtë nismë vitin e ardhshëm.

“Ditënetët e Librit”, Agolli tregon magjinë e festivalit: Kulturë e trashëgimi, ja risitë

Është çelur mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar festa pranverore e librit. Pesë ditë e pesë net (16-20 maj), në atriumin e muzeut, në salla e në kënde të tij, brenda e jashtë, deri edhe në pavijone, promovohen libra e mbahen takime me përkthyes e shkrimtarë që i këndojnë himne letërsisë.

Disa gjuhë e disa zhanre, me letërsi shqipe, franceze, spanjolle, ruse, turke, me vargje të fuqishme si ato të Fabrizio De Andre, me histori e gjuhësi, me studime e kujtime dhe rrëfime ku krijuesi, narratori e personazhi ndodh të jenë një.

Gsh thotë se disa shtëpi botuese të vëna krah njëra-tjetrës na rikthejnë vëmendjen te letërsia dhe artet, njëherësh me konkurset letrare e pamore që mbahen në kuadër të këtij eventi.

Në fjalën e hapjes, Elona Agolli tha se një ngjarje të tillë si Festivali “Ditënetët e Librit” e bën të ndihet e nderuar.

Duke falënderuar Ministrinë e Kulturës, që ju përgjigj kërkesës për festivalin, tha se ky event “i bën brezat më të ndjeshëm ndaj mbrojtjes me librin e botimet, e duke e parë së bashku këtë domen nga këndvështrimi i krijuesit, autorit, përkthyesit, mbartësit fillestar të vlerës”.

“Sfondi Historik i Vitit Mbarëshqiptar të Skënderbeut, thërret ‘Ditënetët e Librit’ që përmes nismave me ‘libër e penë’, të kontribuojë në promovimin dhe përçimin e trashëgimisë kulturore e të traditave, të përbashkojë diasporën dhe shqiptarët përtej kufijve në një kuvend virtual vlerash, duke kultivuar ndërgjegje e krenari për thesaret e shqiptarëve të këtej e përtej Drinit.

Gjatë ditëve të festivalit, të pasionuarit do të kenë mundësi t’i prekin këto vlera shqiptare, të shtrëngojnë duart e bashkëbisedojnë me mendjet që i kanë krijuar e trashëguar ato, teksa këtu Kosova mbërrin mes vargjesh poetësh të dashur të pamoshë dhe përmes personalitetesh, që na nderojnë me praninë e tyre e që bartin me vete kontribute me peshë në nismat kulturore përbashkuese”, tha Elona Agolli.

Pasi përmendi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, studentët e Fakultetit të Arteve Pamore, Bashkinë e Tiranës dhe Muzeun Historik Kombëtar, që do të kthehet në sfondin natyral të këndit të leximit, ajo uroi “një navigim të mbarë në ditënetët e leximit”.

Më tej, ministrja Mirela Kumbaro tha se Leximi është hapësirë e lirë mendimi. “Në gjithë këto vite kemi pritur si për Godonë, që të mbërrinte diçka e rrallë dhe e rëndësishme: ndarja së bashku e një kohe të pasur kulturalisht.

Mbushja e kësaj kohe me emocion, mendime, ide, diskutime librash. Takime që të japin shpresë e të bëjnë të ndjehesh i vlefshëm, ku nuk flitet veç për përfitime të shpejta, zgjidhje praktike, kënaqësi që treten pa lënë shenjë. Kemi dashur të krijojmë grupime, shoqëri që i bashkon Shenjti i pazëvendësueshëm, Libri.

Të krijojmë kushtet për një atmosferë mikëpritëse për njerëzit që e duan librin, si për ata që e shkruajnë, ashtu dhe për ata që e lexojnë”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se nuk e krijon dot politika atmosferën për librin, kërkohet ndihma e gjithsecilit, e sidomos e punëtorëve të librit, shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve, lexuesve, edhe e gazetarëve, madje edhe e cinikëve dhe skeptikëve!

“Leximi duhet të mendohet si urë lidhëse, si hapësirë për t’u ndarë bashkë. Libri nuk mund dhe nuk duhet të jetë vetëm pronë elitash e shoqërish të zgjedhura (e kush është ai që do i bënte këto zgjedhje, të rrijë larg prej nesh!)”.

Ajo shtoi se çdo vit shtohen festivalet e librit, si ky që hap dyert sot “Ditënetët e librit” – 5 ditë ku libri do të jetë kryefjalë. Libri dhe leximi, në të gjitha format dhe mënyrat e perceptimit: si brendi, si urë komunikimi, si vepër arti, si burim zhvillimi.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mbulohet me ngjyrat e komunitetit LGBTI (FOTO)

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës është mbuluar sot me ngjyrat e komunitetit LGBTI për ditën ndërkombëtare kundër Homofobisë.
Përmes një postimi në llogarinë e qeverisë së Kosovës, në Twitter, thuhet se ndërtesa e qeverisë ngjyroset me ngjyrat e krenarisë.
“Kosova shënon IDAHOT 2018 duke ngjyrosur ndërtesën kryesore të qeverisë në Prishtinë me ngjyrat e krenarisë. Kosova është e angazhuar që t’i mbrojë dhe promovojë të drejtat e LGBTI”, thuhet në postim.

Sot në kryeqytet është shënuar Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë me një numër të aktiviteteve, me ç’rast është vendosur një ekspozitë me disa nga komentet me të cilat i janë drejtuar persona të ndryshëm, menjëherë pas daljes së tij në mënyrë publike.

Flamuri i LGBT-së në Katedralen “Nënë Tereza”

Flamuri i komunitetit LGBT është shfaqur sot në ndërtesën e Katedrales Nënë Tereza në qendër të Prishtinës, për nderë të ditës ndërkombëtare kundër homofobisë, Transofobisë dhe Bifobisë.
Flamurin e komunitetit LGBT në Katedralën Nënë Tereza e kanë shfaqur disa aktivistë të këtij komuniteti në Kosovë, raporton Insajderi.
Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë shënohet për çdo vit më 17 maj dhe synon të koordinojë ngjarjet ndërkombëtare që rrisin ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Vajza e paralizuar ngrihet në këmbë për Rita Orën (FOTO)

Ka pak ditë që Rita Ora ka publikuar këngën titull “Girls”, në duet me Bebe Rexhën, Cardi B dhe Charli XCX Po në të njëjtën ditë, këngëtarja ka nisur turneun e ri, i cili në ditët e para po ecën mjaft mirë.

Ditën e djeshme, këngëtarja pati një takim mjaft të veçantë me një fanse, të cilën e kishte takuar pesë vite më parë. Ajo ishte e paralizuar dhe i kishte dhënë premtimin Ritës, se herën tjetër kur do të takohen ajo do të ecte vetë.

Në një fotografi të publikuar së bashku me Ritën, fansja shkruan: “Mbrëmë pas shfaqjes, falë ekipit të shkëlqyeshëm të Ritës, e takova këtë engjëll përsëri, dhe pas 5 vitesh duke mbajtur premtimin se do të ecja drejt saj kur ta takoja, unë bëra 6 hapa dhe i dhashë asaj përqafimin më të madh që kisha. Pasi kisha imagjinuar këtë moment gjatë rehabilitimit dhe shtytjeve që kam bërë, nuk mund të besoj se ky moment ka ardhur”. Ndërsa Rita që ka shërdarë fotografinë e fanses ka shkruar: “Më pëlqeu që u takuam sërish pasi ti më premtove që do të ecje dhe e bëre. Gjashtë hapa të pabesueshëm nga karrigia jote deri tek unë. Nuk kam për ta harruar kurrë dhe po, ne po rritemi bashkë. Shihemi në turneun e ardhshëm e dashur. Me dashuri Rita”, ka shkruar ndër të tjera Rita poshtë fotografisë me fansen./21

Po, unë e quajta Mitrovicën Arabi

Shkumbin Kajtazi

Artikulli i djeshëm që qarkulloi nëpër të gjitha mediat kosovare, është shkruajtur nga gishtat e mi. S’jam pishman asnjë pikë. Mitrovica po bëhet si Arabia me të vërtetë. Më lini t’jua sqaroj…

Por para se ta trajtoj këtë detajisht, mund të them se dëshmi më e freskët e kesaj shoqërie të mbyllur, të cilën po e kritikoj, është pikërisht sulmi i ashpër pas shkrimit tim. Fyerjet e lincimet ndaj mendimit tim, dhe jo veç timit, që ngjan të jetë ndryshe, shërbejnë si alarm për shoqërinë tonë ku secili pritet të mos e prekë vijën e përgjithshme të besimeve, ideve e qëndrimeve. Andaj, qëndrimi im s’mëton të jetë kundër fesë e fetarëve, por kundër mendjeve primitive të mbyllura ku secilit individ i mohohet liria e shprehjes veç për hir të lirisë së tyre.

*
Kujt i ka rënë të kalojë nga Mitrovica dhe të flas me dhjetëra të rinj, e kupton se ata mendojnë fetarisht. Pra, të kërkosh një të ri mitrovicas që mendon racionalisht dhe i pandikuar nga feja, është bast me rrezik të lartë. Kjo gjendje nuk mund të themi se është shfaqur tani. Për të jemi fajtorë të gjithë, e sidomos partitë që për hatër të votave u kanë servuar populizëm qytetarëve të saj.
Kujt i ka rënë të debatojë me të rinjtë mitrovicas, a një grua a burrë në moshë deri 35 vjeçare, e ka parë që ekziston një diskurs fetar. Kjo nuk ka ardhur krejt rastësisht. Kjo është pjellë, sidomos e partive politike, e në mënyrë sistematike edhe nga hoxhallarët që s’i kontrollon kush.

Kujt i ka rënë të kalojë nëpër Mitrovicë ditën e premte në mesditë, e ka parë që fetarizimi i Mitrovicës është në masë gati të pakontrollueshme, dhe për këtë kanë faj të gjithë, e sidomos partitë politike që jepnin shembull shkuarjen nëpër faltore sa për t’u dukur të moralshëm e për të fituar një grusht vota. Në Mitrovicë, pra, nuk shkohet në faltore vetëm për besim. Aty shkohet për politikë, për trend e për ‘obligim shoqëror’.

*
Këto shpërfaqje arabizmash, dhe jo vetëm kaq (mund të rri gjithë ditën duke dhënë shembuj të tillë), e tregojnë se Mitrovica është një Arabi, nëse jo në funksionim institucional, në atë kulturor e fetar gjithsesi. E ndikimi kulturor është premisë kryesore që shtron shtratin e ideologjisë fetare deri në kufijtë e joracionales, që në rastin e fundit është krijimi i gjendjes që lokalet të mos servojnë pije alkoolike.

E kur jemi tek përdorimi i pijeve alkoolike, më duhet të them se është argument kryesor i sipërfaqësisë së të menduarit në Mitrovicë, e që e vërteton arabizimin e saj. Në një botë ku feja dhe dallimi konceptual mbi zotin sjellin mijëra të vdekur çdo ditë, mitrovicasit vendosin që në emër të këtyre koncepteve të shkelin lirinë individuale të njerëzve për të përdorur cilën pije të duan.

*
Për fund, më duhet të them se dhuna sistematike e një aparati kulturor të arabizuar, ka sjellë në Mitrovicë një gjendje të tillë që është zor të quhet edhe Arabi, pasi zor se është mjaftueshëm ilustruese.

Mitrovica, mbase mund të quhet Afganistan: Ai Afganistani që paraqitet në librat e Khaleed Hussein që shkatërrohet nga talibanët, dhe jo ai i Kairos së bukur të para luftës. Mitrovica mbase mund të quhet edhe Liban: Ai Libani që paraqitet në veprën ‘Hotel Bejruti” të Nehat Islamit, që tregon se si shkatërrohet një vend nga dallimet fetare, e jo ai i bukuri i paraluftës që kishte mbi 700 filiale bankash botërore.

Pra, Mitrovica mund të quhet me çfarëdo emri të Lindjes së Mesme që është sinonim i shkatërrimit shoqëror dhe degradimit kulturor. Por, vetëm me disa emra nuk mund të quhet: Unë s’mund ta durojë më kurrë që dikush para syve të mi t’i thotë këtij qyteti: Mitrovica e personaliteteve të shquara, Mitrovica e kulturës, e rokut…

Yllka Gashi po i kthehet teatrit, por jo në Kosovë

Aktorja e njohur kosovare Yllka Gashi ka kohë që nuk është pjesë e skenës kosovare, pasi që, tash e sa kohë ajo është duke jetuar në Amerikë, shkruan KultPlus.

Por, pavarësisht që ka ndërruar vendbanimin, duket që ëndrrën prej aktore e ka bartur edhe përtej oqeanit, pasi që, vetëm dy ditë e ndajnë nga emocioni i dërrasave skenike, dhe këtë emocion do ta përjetojë para audiencës së New York.

Për këtë prezantim ka njoftuar vet Yllka Gashi e cila ka treguar se do të jetë pjesë e shfaqjes ‘Women on Fire-Stories from the frontlines’

“Njerëz t’mirë, kam knaqësinë me ju njoftu që të shtunën me 19 Maj do t’jem pjesë e shfaqjes ‘Women on Fire-Stories from the frontlines’ me skenar e regji nga Chris Henry.
Shfaqja luhet në hapësirat e Royal Family Productions në Times Square, New York!
145 West 46th Street, 3rd Floor
Biletat mund t’i bleni online në www.royalfamilyproductions.org
Nëse keni kohë e mundësi ju që jetoni/punoni në Greater New York Area hajdeni se m’nderoni!”, ka shkruar Yllka Gashi./KultPlus.com

Shqipëria e Kosova këtë vit do të marrin pjesë në Turkvision Song Contest

Në tetor të këtij viti do të mbahet Turkvision.

Për herë të katërt në Turqi vjen festivali muzikor i inspiruar nga Eurovizioni.

Këtë vit në festival do të marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova por dy vendet ende nuk kanë nxjerrë përfaqësuesit e tyre në garë.

Këngët janë pjesërisht në turqisht ndërsa gjithmonë përkujdeset që gjuha turke të promovohet gjatë festivalit pasi ky është edhe qëllimi kryesor i tij.

Në tri vitet e kaluara në festival kanë fituar Azerbajxhani, Kirgistani dhe Kazakistani. / KultPlus.com

‘Nënë ku i kam vëllezërit, nënë këndoma një këngë…’

Kujtim Paçaku /
KËNGË E ZEZË

Nënë ku i kam vëllezërit
I kanë vrarë …
Po babai ku është nënë
Nuk u kthye …
As qeni i shtëpisë nuk dëgjohet
E helmuan …

Nënë këndoma një këngë
Zëri më është shtjerrë o bir …
Më jep pak bukë nënë
S’kemi asnjë dromcë …
E cdo të hamë sonte moj nënë
Do të kafshojmë dhimbjen tonë
E do të dehemi me lotë …

Maylinda Kosumoviq, pjesë e projektit teatror në Matera të Italisë

Foto: Boubkar BENZABAT

Silvia Graubaldi ka angazhuar disa aktorë për një shfaqje të radhës.

Aktorja Maylinda Kosumoviq është pjesë e këtij projekti. Ajo ka treguar se në Lecce të Italisë po mbahet punëtoria e parë ndërsa më vonë do të pasojnë punëtoritë tjera.

“Tema e shfaqjes ka të bëjë me Qytetin e Materës, i cili ka qenë dikur ‘turpi i Italisë’ ndërsa sot konsiderohet si vendi më kulturor brenda shtetit” tregon Kosumoviq.

Punëtoria e parë për projektin teatral ‘The poetics of shame’ po mbahet me regjisorin Italian Massimiliano Civica ndërsa në nëntor do të vazhdohet me punëtori në Matera me regjisorin Maja Kleczewska. Në Shkup do të pasojnë punëtoria e radhës dhe më pas edhe një tjetër workshop do të mbahet me Jeton Nezirajn.

“Më pas nga janari deri në mars do të jemi prapë në Matera ku do të kemi prova 45 ditë me koreografen dhe regjisoren Gribaudi, dhe këtu do të jetë edhe premiera e shfaqjes” tregon Maylinda Kosumoviq.
Gribaudi ka lindur në Torina ndërsa ajo fokusohet sidomos në hulumtimin e trupit dhe raportit të tij me audiencën.

Në vitin 2009 ajo fitoi në garën Giovane Danza d’Autore ndërsa puna ‘A corpo libero’ u prezantua më pas edhe në Festivalin e Vallëzimit në Dublin dhe në Bienalen e Venecias. Që nga viti 2011-të rreth 60 pjesëmarrës kanë qenë pjesë e punëtorive të saj, shkruan KultPlus.

Kosumoviq në anën tjetër është ndër aktoret më aktive momentalisht në vend. Ajo ka qenë pjesë e shfaqjes Bordel Ballkan ndërsa është pjesë edhe e leximit të radio-dramës ‘On Kosovo Field’ – fituese e çmimeve për radio-dramë në BBC, mes projekteve tjera ku merr pjesë. / KultPlus.com

‘Viktimë’ mentaliteti

Poezi nga Agon Rexhepi

Mos tento
me fol për mu
e, as për jetën tem
se
ti nuk e din
me çka unë jom përball
Ti nuk e din
sa forcën e kom shpenzu
T’u u munu me i rënu muret
që i kan’ kriju njerëzit si ti
e që po i qujn’ tabu
Mos gabo me m’bërtit
se boll m’u kan’ shurdhu vesht’
prej fjalve t’tjerve
që dashta s’dashta
m’kan’ gju shumë posht’
qaq posht’ sa ti s’je kan’ kurr’
se me pas kan’, s’kishe ba qështu
se e kishe dit’
qysh nihesh.
Mos gabo me kesh me mu
Ndjej pak mshir’
për ftyrën tem
e cila asht’ e etun për lumtuni
lumtunin’ që ti e gjen
Me dobsit’ e tjerve
A me mnyrën qysh ata jetojn’
e vet,ti harron me jetu

Mos guxo edhe niher’
me m’hi n’jetë
e me m’kallxu kon me dasht’
e,edhe dashnis tem
armës t’vetme që m’ka mbet
me i qit kufi
a me ma imponu
Mos m’kallxo çka me kqyr
se kta sy kan’ pa shumë sene
që s’u dasht’ me i pa
E , mos m’shti me bërtit
se e di qe britma jem
ka me mrri n’vesh t’shurdht
po edhe jom lodh t’u fol
qoft’ me veten
qoft’ për veten
qoft’ me tjerët
qoft’ për tjerët
Mos m’kallxo
me çka me mbulu kit’ trup
a me çka me vesh shpirtin tem
se ti nuk e din me sa
shuplakën
grushtin
e shkelmin u përballu
trupi jem
prej njerëzve
a fal’ njerëzve si ti
që s’t’lajn’ me kan’
vetvetja.

A pak po t’doket që m’ke marr’
prej jetës tem
veq po t’pengon edhe ekzistenca jem
e qat’ pak hapsin’
që pe nxa’
veq po munohesh
me ia shkatrru jetën
edhe ma t’dashunve t’mi
t’cilt’ jan’ ba shurdh,memeca
e t’verbën
veq prej tutës
se çka kan’ me than’
njerëzit
si ti
e, e harrojn’ lumtunin tem
ndjenjat e mia
hjekat’ e mia
e, sfidat e mia.
Lem’!
Lem’ t’jam vetvetja e t’i boj senet që du
e që kam nevoj’
Mso’ me dasht’ veten
e qajo dashni që ty t’mungon
lej’ njerëzit ta ken’
Ti ki frik’ me jetu
a unë, me ton’ kto plagë
hala marr’ frym’
larg e pa dashnin’ e njerëzve qe m’msun me dasht’
Unë kam mbijetu e
jetoj
veç n’emën t’dashnis’.

Elton John do të këndojë në dasmën mbretërore

Elton John do të këndojë në dasmën e Harry dhe Meghan Markle. Lajmi është bërë i ditur nga sajti TMZ. Nuk është e qartë nëse do të këndojë gjatë ceremonisë në kishë apo gjatë pritjes, por do të jetë atje.

Dhe prania e tij, ka një domethënie të madhe, veçanërisht për Harry, 21 vite më parë, pikërisht ai, mik i madh i Lady Diana, këndoi një version të paharrueshëm të ”Candle in the wind”, gjatë ceremonisë funerale të nënës së princit.


Ky i fundit, në atë kohë, ishte vetëm një fëmijë, ndërsa sot, një burrë, dhe në ditën e tij të madhe ka dashur të ketë pranë edhe Elton John. Ylli 71 vjeçar ka anuluar disa evente në program në Las Vegas, për të qenë në Britani më 19 maj.

Elton John ishte edhe në dasmën e vëllait të madh të Harry, princit William me Kate Middleton, por në atë rast, nuk kishte kënduar.

Por, këtë radhë, do ta bëjë këtë… “Nëna ime është me ne në këtë udhëtim”, kishte thënë princ Harry pas fejesës zyrtare me Meghan. Dhe prania e Elton John, mik i madh i Dianës, është prova se sa i pranishëm është kujtimi i të ëmës për dhëndrin e ri.

Në të bardha, Rita shkëlqen në koncertin e saj në Birmingham (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora pas shkëlqimit që pati me koncertin e saj në Manchester, ka mahnitur publikun edhe në qytetin Birminghamit, atje ku ka performuar mbrëmë.

Në fotografitë që ka postuar ajo nga koncerti i mbrëmshëm, shihet se Rita rrezaton energji e pozitivitet në skenë. Përballë saj janë dhe një numër i madh i fansave, të cilët qëndrojnë shumë pranë këngëtares shqiptare. KultPlus ju sjellë disa fotografi nga koncerti i saj atje.

What was your favourite part??? #GirlsTour #GirlsOUTNOW mwah!!!! 💋

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

Rita Ora së fundmi ka lansuar këngën “Girls”, në bashkëpunim me Bebe Rexha, Cardi B dhe Charli XCX. / KultPlus.com

“Shkrimtari Dritëro Agolli, përfaqësues në rang botëror i një gjuhe të vogël”

Ayhan Demir

“DRITA” E LETËRSISË SHQIPTARE: DRITËRO AGOLLI

Dritëro Agolli është një ndër figurat qendrore të letërsisë shqipe. Në të njëjtën kohë është njëri nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të brezit të viteve ‘60. Veprat e tij janë në gjini të ndryshme të letërsisë si: poezi, tregime, romane, drama dhe skenarë. Agolli lindi më 13 tetor 1931 në fshatin Menkulas, në krahinën e Devollit, pranë qytetit të Korçës. Aty mbaroi shkollën fillore. Në moshën trembëdhjetëvjeçarë mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Ishte korrier i batalionit partizan.

Duke folur për ato vite, ai kujton : “Kur filloi lufta për çlirim, shkova pranë partizanëve dhe mora pjesë në luftë. Isha i detyruar të mbaja armë në dorë. Këtë e kërkonte lufta”. Arsimin e mesëm e përfundoi në shkollën “Asim Zeneli”. Katër vjetët në Gjirokastër ishin si një akademi për të. Duke qenë në këtë shkollë, ai botoi punimet e para në letërsi. Në moshën 14-15 vjeçare shkroi vjersha dhe tregime të shkurtra. Në vitin 1947 iu botua vjersha e parë në gazetën “Rinia”.

Atë e tregon me krenari të madhe: “Babai preu copën e gazetës ku ishte botuar poezia, e vuri në kuti. Ky është poeti im,- thoshte,- duke u mburrur në fshat”.

VITET NË BASHKIMIN SOVJETIK

Ndonëse e dinte se do të mund të ishte i aftë në lëmin e letërsisë, mendoi që të ecte në rrugë të tjera të jetës dhe bëri kërkesë për zooteknik. Kahreman Ylli, ministri i Arsimit i kohës, nuk ia pranoi këtë dëshirë. “Ky djalë ka botuar poezi. Nuk është i detyruar të jetë veteriner, duhet të vazhdojë të punojë si letrar”. Këto fjalë të ministrit i ndryshuan jetën Agollit. Në 1952 shkoi në Leningrad. Ndoqi Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Leningradit.

Përktheu në shqip veprat e Pushkinit, Lermontovit, Çehovit, Tolstoit, Gogolit, Buninit, Dostojevskit dhe Bagrickit. U njoh me Erenburgun, Tvardovkskin dhe Nazim Hikmetin. Në vitin 1956 u martua më Nina Novikovën, mësuesen e gjuhës angleze, me të cilën u njoh në Bashkimin Sovjetik.

Nga kjo martesë lindi një djalë, Arjani. Në vitin 1957 u kthye në Tiranë, ku do të kalonte 55 vjet të jetës së tij.

Dha leksione në Universitetin e Tiranës. Në të njëjtën kohë filloi të shkruajë në gazetën “Zëri i Popullit”, ku punoi për 15 vjet. Prishja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë u pasqyrua edhe në martesën e tij. Në vitin e shtatë të martesës, ata u ndanë për të mos e parë më njëri-tjetrin.

Pas dy vjetësh u martua me Sadie Kecajn, edhe ajo gazetare dhe shkrimtare si ai. Lindën dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Agolli hyri si protagonist në letërsinë shqiptare. U bë njëri ndër përfaqësuesit e rëndësishëm në rang botëror të një gjuhe të vogël. Hodhi themelet e traditës së re të letërsisë shqiptare.

Nuk solli risi vetëm në strukturën e tregimit, por edhe në galerinë e karaktereve. Heronjtë e tij sa të çuditshëm po aq ishin të zakonshëm, sa madhështorë po aq të thjeshtë, sa tragjikë po aq komikë. Sipas Agollit, “Shkrimtarët janë bij të popullit. Një shkrimtar i madh veprat e tij duhet t’i zgjedhë nga çështjet aktuale dhe jeta reale e popullit”.

VEPRAT E PARA

Vepra e parë e Dritëro Agollit, libri “Në udhë dola”, u botua në 1958. Poezitë e këtij libri morën notë pozitive nga kritikët. Pas këtij hapi të parë, pati botime të reja. Testi i dytë letrar i shkrimtarit shqiptar ishte përsëri me poezi me titull “Hapat e mia në asfalt”. Atë e ndoqën “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964) dhe “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965). Por libri “Zhurma e erërave të dikurshme”, që ishte një përmbledhje tregimesh, u ndalua dhe u shndërrua në karton. Vepra e parë me të cilën Dritëro Agolli u bë i njohur si shkrimtar ishte “Komisari Memo”.

Ky roman, i botuar në 1970, në fillim ishte menduar si një tregim i shkurtër. Trajtonte heroizmin e partizanëve gjatë viteve të luftës. Mbështetur në këtë roman u shkrua skenari i filmit “I teti në bronz”. Ky film u shfaq edhe në Kinë dhe u mirëprit nga publiku. Agolli krijoi edhe vepra interesante. Për shembull, romani satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” vërtetoi se shkrimtari e meritonte famën e krijuar.

Romani fillimisht në vitin 1972 u botua në revistën “Hosteni” dhe pas një viti, si libër më vete. Ky roman është vepra e tij më e përkthyer dhe më e botuar në gjuhë të huaja. Lexuesit njihen me historinë e një burokrati, drejtues i një qendre kulturore, i cili në thelb është njeri i mirë, por i paaftë. Demka, kolegu i tij punëtor dhe i zgjuar, tregon rënien ironike të Zylos, i cili sillet sa çuditshëm po aq edhe për t’u dhimbsur. Zylo është një figurë universale, që mund të gjendet në çdo shoqëri dhe në çdo epokë.

Mehmet Shehu, kryeministri i periudhës diktatoriale komuniste, për këtë libër i tha Agollit : “Me këtë libër asgjësuat administratën”. Romani “Njeriu me top” rrëfen ndikimin e luftës mbi njerëzit. Po të krahasohet me “Komisarin Memo”, vihet re një qëndrim i ndryshëm dhe më i thellë i temës së luftës partizane.

ASPEKTI POLITIK

Në vitin 1972 Dritëro Agolli ishte sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Një vit më vonë u zgjodh kryetar i Lidhjes. Këtë detyrë e vazhdoi deri sa doli në pension më 31 janar 1992. Krahas qenies shkrimtar dhe personalitetit të tij intelektual, Agolli është njohur edhe si figurë politike. Në vitet 1974-2005 ai ishte deputet në Kuvendin Popullor dhe në Parlamentin e Shqipërisë. Zbatuesit e censurës komuniste i ndaluan botimin e dramës “Mosha e bardhë” në 1980 dhe disa tregime në revistën “Nëntori”.

Është tragjik fakti se këto dy veprat u fundit iu ndaluan gjatë periudhës që ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Agolli ka mbrojtur idenë se shkrimtari duhet të jetë polemist dhe gjithmonë opozitar. Ndonëse ishte një emër ndikues në lidershipin komunist, ai tërhiqte vëmendjen si një person që kritikonte regjimin e Enver Hoxhës. Megjithëkëtë, pas shembjes së komunizmit, ai ishte i vetmi që deklaroi hapur se kishte qenë komunist dhe kishte punuar për komunizmin. Në vitet e mëvonshme vazhdoi të ishte një ndër mentorët e Partisë Socialiste. Në vitin 1980 Agolli erdhi në Turqi dhe si i ftuar i Jashar Qemalit vizitoi Stambollin dhe Adananë. Kjo dyshe më parë kishte vizituar Elbasanin, Durrësin, Krujën, Korçën dhe Shkodrën.

Në ndryshim nga Ismalil Kadare, Dritëro Agolli gjatë gjithë jetës së tij mbështeti marrëdhëniet turko-shqiptare. Ai gjithmonë u shpreh se nuk janë të vërteta pretendimet se “Turqia ushqen politikë neo-osmane”, se këto pretendime janë “absurde dhe amatoreske”. Ai mbrojti idenë se Shqipëria, së bashku me Kosovën, është e detyruar të bashkëpunojë me Turqinë.

TREGIMET, PROZA DHE POEZIA E TIJ

Fuqia e vërtetë e Agollit janë tregimet e shkurtra. 16 prej tyre janë botuar me titullin “Tregime të shkurtra” në vitin 1985. Shkrimtari shqiptar ishte tepër prodhimtar në vitet 1990. Në vitin 1995 botoi “Njerëz të krisur”, në 1996 “Kalorësin lakuriq” dhe “Arkën e djallit”. Jeta publike në Shqipëri mori një rrjedhë ndryshe, por Agolli nuk e ndryshoi orientimin e tij. Pa i kushtuar rëndësi censurës së padukshme, në vëllimin me poezi “Pelegrini i vonuar” ai foli për luftën e popullit për të mbijetuar.

Gjithashtu botoi librat me poezi “Lypsi i kohës” (1995), “Shpirti gjyshërve” (1966), “Vjen njeriu i çuditshëm”, (1996), “Balada për babanë dhe veten” (1997), “Fletorka e mesnatës” (1998) dhe “Kambana e largët” (1998). Si një arkitekt i projekton dhe i bashkon të gjitha shtresat e poezisë : tingullin, rrokjet dhe vargjet. Thjeshtësia dhe muzikaliteti në tekstet e tij janë ngritur mbi traditën poetike shqiptare.

Çështje të tjera që trajton në poezitë e tij janë jeta dhe problemet e njeriut, si dhe natyra. Poezia “Udhëtim në mbretërinë e gjelbër” ka lindur nga bashkimi i të gjitha këtyre elementeve. “Jam mbështjellë prej blerimit/ Valë e vakët më përkund/ Humb në mes të gjelbërimit/ Humb se erdha që të humb”.

‘Kryeqyteti historik’ nxit polemika e batuta në Kuvend

Një amendament i propozuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, për përfshirjen e Prizrenit në Ligjin për Kryeqytetin me epitetin “kryeqytet historik”, ka shkaktuar debate e batuta mes deputetëve.

Në votimin e këtij propozimi, 47 deputetë e mbështetën propozimin e Hasanit, 7 e kundërshtuan ndërsa 10 të tjerë abstenuan.

Paraprakisht, Hasani në arsyetimin e tij tha se Prizreni ka luajtur rol të madh në historinë e Kosovës dhe e ka pasur statusin e kryeqytetit në periudha të mëhershme historike.

Por kolegu i tij nga PDK, Bekim haxhiu, ia kontestoi idenë Hasanit.

Ai propozoi që epiteti “kryeqytet historik” me ligj duhet t’i jepet Prekazin.

“Ta vëjmë ligjin në shërbim të historisë e të mos bëjmë histori me ligje”, tha Haxhiu.

Pas tij, në debat ndërhyri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Kjo hyn në fushën e kreativitetit”, tha Veseli në shaka.

Më pas fjalën e mori deputeti që vjen nga Prizreni, Zafir Berisha nga NISMA.

“Unë kam kërku që Prizrreni të jetë kryeqytet, jo vetëm historik… Prizreni, me ligj apo pa ligj, është kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”, tha Berisha.

Propozimin e kundërshtoi Muharrem Nitaj i AAK-së.

“Mos boni hajgare me kryeqytete historike. Nëse PZ është kryeqytet historik, nuk mund ta fusim në këtë ligj sepse është kundërkushtetuese”, tha Nitaj.

Edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, shprehur dyshime për këtë propozim.

“Nuk jam i sigurt që e ka vendin këtu, por nëse pajtohemi ta përfshijmë, e votojmë. Kemi mundur ta trajtojmë Prizrenin me ligj të veçantë”, tha Krasniqi.


Ismet Beqiri e kundërshtoi këtë propozim.

“Nëse projrektligji flet për Prishtinën, për kryeqytetin e Kosovës, nuk kontestohet në asnjë rrethanë edhe vlerësimi që Prizreni është kryeqytet historik. Por ky amandament lidhje nuk ka”, tha Beqiri.

Propozimi për Prizrenin u mbëhstet, ndërkohë, nga Rexhep Selimi i Vetëvendosjes.

“Jemi të shqetësuar më shumë se kur ka qenë Qendra Historike e Prizrenit. Po ju propozoj që të deklarohemi me votë dhe unë e deklaroj votën time ‘për’. Kërkoj që hidhet në votim. Prizreni e meriton të quhet me ligj si kryeqytet historik i shqiptarëve”, tha Selimi./ kallxo

Kujtim Paçaku, njeriu që i dha emër dhimbjes rome

Gili Hoxhaj

Kujtim Paçaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, poet e gazetar sot pas ikjes nga kjo botë, si epitaf mbi zemrën e secilit që e njohu ka lënë si kujtim vargjet të cilat pasqyronin brengën e tij të shpirtit, çiltërsinë që e karakterizonte, sytë e rrudhosur e buzëqeshjen plot butësi.

“Herdelezi”, “Si bëhet kënga rome”, “Testament” janë vetëm tri nga poezitë e tij, ku vargu të prekë thellë e të bën pjesë të dhimbjes së një komuniteti që është lënë nën hije të shoqërisë. Vargu i fuqishëm i Paçakut nuk e toleronte këtë padrejtësi e dhimbje, andaj merrte udhë në krijimin e poezive që të marrin me vetë në botën e tij shpirtërore.
“nuk ka shumë marifet!”, kështu nis një nga poezitë e tij më të njohura “Si bëhet kënga rome”. Fjali e shkurtë por që të fton në brendësi të poezisë, e cila mes metaforës të fton në rrugicat e jetës së komunitetit rom, atje ku e ndjen dhimbjen e nuhat aromën e stinëve të dashurisë.

Vargjet e tij reflektojnë përditshmërinë e një jete rome

Siç thotë ai në poezinë e tij, kënga rome ndërtohet me një grusht dhimbje, ca pika loti, pluhur rrugësh të pasosura, aromë stinësh të dashurisë. Në zjarr të shpirtit piqet gjer në agim, kënga rome me erëza djegëse dashurie e ca yje sipër. Me pak fjalë, ai përshkruan këngën rome, hapat e së cilës ata i ndjekin ditëve të zakonta deri tek “Herdelezi”, emër të cilin e mban njëra nga poezitë e tij. Një festë për kthimin e pranverës. Poezia e Paçakut e përshkruan mëngjesin e hershëm të një babai xhepzbrazur e sytë e mbushur lot, që në këtë ditë maji para gjithçka-je tjetër duhet të kafshojë krenarinë e vet.
Ishte muaji maj, ditë Herdelezi,
Një mëngjes i hershëm,
Diell pranveror mbi horizont.
Që im bir të mos më kërkonte
rroba të reja.

Në majë të gishtave ika,
sytë të mbushur lot
e xhepat bosh.
Edhe një festë do të kalojë
në lecka të vjetra.

Sot kur ai iku në amshim, poezitë e tij duket sikur janë një lloj testamenti për t’i shtuar ca pika lumturie këngës rome të djegur nga dhimbja. Vet vargu i tij është testament që kënga rome të marrë një melodi tjetër. “Testament”, e ka titulluar ai njërën nga poezitë e tij, që zgjon pikërisht trishtimin e kësaj dite ku tepihu i jetës së tij mbaron. Qëndrimi “Vertikalisht” është kërkesa e tij e fundit, ashtu siç qëndron kjo fjali mes poezisë së saj. Kujtimi për shpirtin e tij poetik e të dashur do ta mbajë të gjallë imazhin e veprimtarinë e tij.

Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tepihun e jetës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj
V
E
R
T
I
K
A
L
I
SH
T
Meqë gjithë jetën
S`më lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë!

Kujtim Paçaku u lind me 12 mars të 1959 në Prizren. Ai kishte përfunduar studimet në Akademinë e Arteve – Dega e Muzikës dhe studimet postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore. Po ashtu arriti ta përfundonte edhe Akademinë e përshpejtuar për Aktrim dhe Regji në Klasën e Prof. Faruk Begollit.
Ish – deputeti i Kuvendit të Kosovës, diplomoi në romologji në Sorbonë të Parisit. Gjatë studimeve krijoi oktete e kore të shumta. Pëveç aktiviteteve të shumta në shoqëri kulturore si ajo “Agimi”, ishte mësues në Duhël e Bllacë në vitin 1986.

Poeti Kujtim Paçaku ndërroi jetë në mëngjesin e kësaj të enjte. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 18 maj në kohë dreke në Prizren. / KultPlus.com

‘Hitleri dhe Enver Hoxha iu dalin hak’, hapet ekspozita me gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT

Një ekspozitë ku u tregua gjuha e urrejtjes karshi komunitetit LGBT në Kosovë sot u shfaq në kryeqytet.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, në Sheshin ‘Nënë Tereza’ u shfaqën mesazhet e tmerrshme që njerëzit i shkruajnë në rrjete sociale kur sulmojnë pjesëtarët e komunitetit gej, lezbik, trasngjisor e biseksual, shkruan KultPlus.

16 fotografi sot ishin pjesë e ekspozitës.

“Vetëm Hitleri dhe Enver Hoxha ktyne ja u kish dhan hakun…” ishte njëri prej komenteve që u pasqyrua në këtë ekspozitë.

Vitin e kaluar Kosova për herë të parë e pa Paradën e Krenarisë e cila ndodhi në muajin tetor, një ngjarje kjo historike për komunitetin LGBT.

Në një studim të vitit 2017-të, rreth 95 përqind e qytetarëve në Kosovë janë homofobë dhe nuk do të donin një fëmijë që është homoseksual. / KultPlus.com

Përparim Rama: Pata menduar që është mirë ta bëjmë një Park të Memorialëve

Alberina Haxhijaj

Arkitekti Përparim Rama ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për të diskutuar me studentët dhe të pranishmit rreth temës “Përtej Memorialëve”, duke vënë në fokus projektin e tij për kompleksin memorial “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Ai fillimisht kujtoi momentin kur si i vogël shëtiste rreth Fakultetit Filozofik, ku edhe u mbajt diskutimi. Po ashtu kur kalonte kohë edhe afër Bibliotekës Kombëtare, ndërtesë kjo që ka ndikuar që ai të bëhet arkitekt.

Arkitekti Përparim Rama, këshilloi studentët që ajo që ka më shumë rëndësi është lidhshmëria që krijojnë njerëzit me ndërtesat dhe ndikim që kanë këto të fundit të njerëzit. Prezantuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në vitin 2012 tha se interaksioni me hapësira është një ndër elementet kyçe te secili projekt që ai e bënë.

Këtë element ai e ka përfshirë edhe në memorialin Adem Jashari projektin e të cilit ai e ka realizuar në vitin 2012 mirëpo që ishte refuzuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Ideja kyçe e memorialit është që përveçse restaurimit dhe konservimit vizitorët të mund të afrohen sa më afër ngjarjes dhe mënyrës sesia ajo ka ndodhur. Pikërisht për faktin se tashmë ekzistojnë edhe mënyra të ndryshme teknologjike të cilat ne mundemi me i shfrytëzuar për të sjellë një përjetim sa më real afër vizitorëve”, u shpreh ai duke diskutuar për elementet që përbente projekti i tij më në detaje.

Në këtë diskutimi është folur edhe për ndërtimin e memorialëve nga ana e familjes diçka e cila është konsideruar një temë shumë e ndjeshme.

“Memorialët të cilat janë ndërtuar kryesisht në hapësira publike, rrugë, sheshe, apo edhe nëpër vende të tjera lënë ndikim te shoqëria. Në qoftë se nuk janë të menduara mirë lënë ndikimi negative edhe pse ato nuk janë ndërtuar me asnjë prapavijë pas tyre. Pata menduar që do të ishte mirë që të bëjmë një park të memorialëve ku mblidhen këto dhe në një mënyrë të ju ofrojmë strehim, një shpi, pra mos të i lëmë nëpër rrugë. Pra një vend ku do të mbroheshin institucionalisht dhe tregimi do të rrëfehej në atë mënyrë që të mos krijojë ndikim negativ”, tha Rama.

Sipas tij ndërtimi i memorialëve në hapësira publike është bërë pikërisht pas çlirimit kur ka ndodhur një vakum në sistemin shtetëror, kështu njerëzit e kanë konsideruar hapësirën publike si të tyren.

Profesoresha Linda Gusia e cila e kishte ftuar arkitektin Përparim Rama për këtë ligjëratë u shpreh se pjesa më e dhimbshme kur kemi të bëjmë me kujtesën kolektive sa i përket periudhës së luftës është zhdukja e anës humanitare te ngjarjet të cilat kanë lidhje me luftën.

“Kur kam vizituar shtëpinë e Jasharajve pas sulmit ka pasur shumë bredha e gëzhoja, pastaj gjësendet që i kanë lënë nëpër shpi anëtarët, e që të gjitha këto sot janë largu. Ajo që më shqetëson në përgjithësi të kumtesa e luftës është një gati dehumanizim. Në këtë procesin e heroizmit po i dehumanizojmë, po e zhveshim prej elementit njerëzor ngjarje”, tha ajo duke treguar se çfarëdo kujtimi që do i bëhet këtij memoriali duhet që të ketë në vete aspektin familjarë duke përfshirë gratë dhe fëmijët e kësaj familje.

Kujtojmë se projektin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e ka fituar kompania sllovene “AG-Inzineering”, e që kosto e tyre ka dalë 6 milionë euro, si parashikim për punën që do zgjaste 2 vite. Shuma e njëjtë që ishte ofruar nga arkitekti Rama për projektin e tij./ KultPlus.com

FemArt – festivali më i madh i Artisteve dhe Aktivisteve në Ballkan nis javën e ardhshme

FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh më i madhi në rajonin e Ballkanit duke filluar nga data 25-30 Maj do të shënoj vitin e gjashtë të organizimit. Ndryshe nga herët e kaluara, për shkak të interesimit të madh, FemArt këtë vit do të prezantojë programin e tij me më shumë se 40 aktivitete në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe në Mitrovicën e Veriut.

FEMART – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmave (dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

Me moton TI UDHËHEQË, ne inkurajojmë qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

Programi artistik i Festivalit FEMART adreson: Të Drejtat e njeriut dhe Lëvizjet Feministe, Të Drejtat Seksuale dhe Shëndetin Ripordhues, Drejtësinë Tranzicionale dhe Ndërtimin e Paqes, Të Drejtat e Komunitetit LGBTQI+, Fuqizimin e Grave, Dhunën Kundër Grave, njëherë Promovon Storiet e Suksesshme Rajonale dhe Globale të Grave.

Festivali është një platformë për zhvillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe për të shërbyer si urë lidhëse për ndërtimin e paqes dhe dialogut në rajon.

Ky edicion përkrahet nga Donatorët: Zyrja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA, CFD, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Unë e Du Kosovën, UN Women, IPKO Foundation, Koalicioni K10, QKSGJ, Unicef Innovations Lab.

Bizneset përkrahëse: Frutti, Buçaj, Hotel International Prishtina, Union Caffe, Shok e Shoqe.

Përkrahësit Institucional: Biblioteka Kombëtare e Kosovës- “Pjetër Bogdani”, Teatri Dodona, Muzeu i Kosovës, KinoArmata, EU Information and Cultural Centre, Teatri Oda, Fakulteti i Arteve./ KultPlus.com

Dua Lipa do të këndojë në “The Voice” të Amerikës

Ylli i Pop muzikës ka pasur ngritje në karrierë pas suksesit me këngën “New Rules”, i cili ka arritur mbi një miliard shikime në YouTube.

Dua Lipa thuhet se është në rend të parë për të regjistruar kolonën zanore të filmit të James Bond.

Por, sot është bërë e ditur që këngëtarja do të jetë në talent shou amerikan, që ka mbi tre milionë shikues.

Bukuroshja 22-vjeçare do të shfaqet të premten (18 maj) në shoun “The Voice”, i cili mbahet në Los Angeles.

“Dua do të shfaqet këtë të premte në The Voice në Los Angeles!”, shkruan në rrjetet sociale duke mos dhënë edhe më tepër detaje të tjera.

Ndryshe, sipas Capital FM, Lipa është duke kryesuar garën me Ed Sheeran dhe Jessie J. në listën e emrave të mundshëm për të regjistruar temën për filmin e 25-të të agjentit James Bond.

Filmi është planifikuar të shfaqet në kinematë botërore gjatë muajit nëntor të këtij viti./ KultPlus.com