Njeriu që ndërpreu këngën e Britanisë në Evrovizion u lirua me kusht

Njeriu që pushtoi skenën gjatë performancës së Britanisë së Madhe në Festivalin e Këngës në Eurovizion është liruar me kusht.

SuRie po performonte këngën e saj “Storm” kur një burrë vrapoi në skenë dhe rrëmbeu mikrofonin prej saj gjatë transmetimit të drejtpërdrejt në Lisbonë të shtunën.

Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) tha se ” janë në pritje të rezultatit të një hetimi policor për rastin”.

Organizata kishte konfirmuar më parë ndërhyrjen e njeriut – i cili kishte bërtitur “ne kërkojmë liri”.

Ndërkohë u raportua se ai ishte shqiptar./ KultPlus.com

Unë pashë lulet e para

Poezi nga Ismail Kadare.

Unë pashë lulet e para
që çelen kudo përmbi dhe
Pashë zogjtë e parë shtegtarë
q’u kthyen sërishmi tek ne

Në brigje, në kopshte, në ara
gjithçka është e parë, gjithçka
Ndërmend dashuria e parë
ato kur i pashë më ra.

Do vyshken të gjitha të parat
dhe prap do kthehen ato
përveç dashurisë së parë
as vyshket, as kthehet ajo…

Rita Ora e mahnitshme para koncertit në Manchester (FOTO)

Ylli botëror Rita Ora, pas koncerteve të shumta në vende të ndryshme të botës, këngët e saj sonte do të dëgjohen në Manchester, shkruan KultPlus.

Disa orë më parë ajo ka postuar një fotografi në rrjetin social Instagram, ku ka shkruar se mezi po pret të këndoj për publikun e Manchesterit.

Minuta më parë, ajo ka publikuar disa fotografi para këtij koncerti ku shihet mjaft e freskët dhe energjike, ndërsa mban një varëse me mbishkrimin “Daddy”, apo në shqip “Babai”.

“Një filxhan me qaj para se të ngjitem në skenën e Manchesterit”, ka shkruar Rita.

Ajo së fundmi ka publikuar këngën “Girls”, në bashkëpunim me Cardi B, Charli Xcx dhe këngëtaren shqiptare Bebe Rexha./ KultPlus.com

Bebe Rexha e emocionuar për albumin e ri “Expectations”

Këngëtarja shqiptare që ka arritur tashmë të njihet ndërkombëtarisht, Bebe Rexha para pak minutash ka paralajmëruar albumin më të ri me titull “Excpecations”, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha përmes një postimi në Instagram ka shprehur emocionet e saj lidhur me albumin, për të cilin thotë se ka punuar aq shumë.

“Expectations po vjen”. Jam shumë e stresuar por dhe mjaft e entuziazmuar. Kam punuar shumë për këtë album dhe nuk di çfarë të pres. Do doja vetëm ta publikoj e pastaj të iki në një qytet të vogël të Evropës për disa muaj dhe pastaj të kthehem. Me shpresën që kur të kthehem ju do ta doni atë aq sa e dua unë”, ka shkruar Bebe Rexha në postimin e saj në Instagram.

Bebe Rexha javën e kaluar ka publikuar edhe këngën më të re “Girls”, në të cilën është e përfshirë edhe këngëtarja tjetër shqiptare Rita Ora./ KultPlus.com

Vuçiq: Do të doja ta dija gjuhën shqipe (VIDEO)

Është President i Serbisë, por do të donte ta njihte gjuhën shqipe.

Kështu të paktën thotë Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për Klanin.

“Ndjehem fajtor që nuk di asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Do të doja ta dija gjuhën tuaj dhe të jem më i edukuar, shpresoj se do të kem kohë të arrijë një gjë të tillë”, deklaron Vuçiq, njofton Klan Kosova.

Një intervistë ekskluzive ku po flitet për realitetin në raportet Serbi-Kosovë dhe mbi proceset tjera mes dy shteteve, Vuqiq ka thënë se do të donte të ishte më i edukuar në aspektin gjuhësor dhe se shpreson që do të ketë kohë t`ia arrijë synimit për të ditur më shumë për gjuhën shqipe.

‘Të bojkotohet mbajtja e Eurovizionit në një shtet vrasës’

Një qytetar nga Islanda kërkon që të bojkotohet Eurovizioni dhe transmetimi i tij në këtë shtet.

Peticioni në internet i cili ka mbledhur rreth 8 mijë nënshkrime thotë se televizionit kombëtar islandez RUV nuk duhet ta transmetojë vitin tjetër Eurovizionin, i cili do të mbahet në Izrael.

Izraeli e fitoi pas disa vitesh prapë Eurovizionin por këto ditë lajmet më të rënda vijnë pikërisht nga kufiri mes Izraelit e Palestinës ku dje u vranë rreth 50 qytetarë.

Po synohet që të arrihen rreth 30 mijë nënshkrime që Izraeli të mos jetë as nikoqir i Eurovizionit vitin tjetër.
Duket se edhe vetë fitorja e ‘pulës’ Netta nuk po komentohet shumë këto ditë marrë për bazë një ditë të përgjakshme dje. Netta megjithatë fitoren ia ka dedikuar Izraelit ndërsa ka tentuar të tingëllojë sa më pak politike në fjalimin e saj me tu kthyer në Izrael pas fitores në Eurovizion.

Izraeli e ka fituar Eurovizionin edhe në të kaluarën. Në vitin 1998 Dana International fitoi me këngën “Diva” ndërsa festivalin izraelitët e kanë fituar edhe në vitin 1978 dhe në vitin 1979. / KultPlus.com

“E dashura ime perfekte”, kur Arthur Miller i shkruante Marilyn Monroes

“Nëse të kam bërë të qash, ose të kam mërzitur qoftë edhe për një sekondë, më fal, e dashura ime perfekte”, kështu I shkruante në një nga letrat e pafund dramaturgu Arthur Miller, aktores së njohur Marilyn Monroe. Dhjetëra letra dashurie janë gjetur në arkivin personal të shkrimtarit, pjesa më e madhe dedikuar bjondes me të cilën pati historinë më të gjatë të dashurisë.

Në një letër që mban datën 30 prill 1956 kur Miller ishte duke i dhënë fund divorcit me Mary Slattery, tregohet pasioni i madh që i kishte rrëmbyer. “Do të puth e do të mbaj në krahë deri sa bashkë të shkrihemi në ndodhi të papritura, e jashtëzakonisht të bukura, deri sa të dëgjosh psherëtimat e mia. E kur koka jote të prehet mbi shpatullën time, atëherë do të jem burri më i lumtur më botë…”, shkruan Miller.

Nga gjithë historitë e dashurisë, ajo me Miller do të ishte më e veçanta për aktoren, e cila pavarësisht kontraditave në fund të kësaj lidhjeje do ta ruante gjithnjë me dashuri në kujtesë. Ata u martuan më 29 korrik 1956. Çifti u takua në Lee Strasberg dhe miqtë janë shprehur se ajo e “magjepsi” Arthur Miller me një shikim. Pasi ata u martuan, Arthur shkroi një pjesë të Roslyn Taber në vitn 1961, “The Misfits” (Mospërshtatjet) posaçërisht për Marilyn Monroe. Fatkeqësisht martesa e Monroe dhe Arthur Miller mori fund në 20 janar 1961, kështu që filmi “The Misfits” (Mospërshtatjet) u duk sikur t’i përshtatej plotësisht situatës të krijuar mes çiftit. Miller do të shprehej më vonë se “Unë nuk e kam kuptuar, se si Marilyn u bë një simbol i autenticitetit. Ndoshta kjo kish të bënte me faktin, se prej shikimit të saj burrat tradhëtonin dhe gratë indinjoheshin nga smira…”.

Pas vdekjes së saj, Miller do të ishte njeriu që do të përkufizonte më mirë karakterin e jetën e saj.
“Merlin vinte nga vitet dyzetë dhe pesëdhjetë. Ajo ishte dëshmia, se në psikikën amerikane seksualiteti dhe serioziteti nuk mund të ekzistonin bashkë, madje ato ishin në armiqësi e dy kontradikta përjashtuese mes tyre. Por më në fund Marilyn hapi rrugë dhe sërish asaj iu desh të pozojë nudo në një pishinë, që të mund të xhirohej një film”, shprehej ai. /Shqip

Shqipëria dhe Serbia me ofertë të përbashkët turistike

Falë një marrëveshjeje të nënshkruar sot në Beograd nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, do të mundësohet bashkëpunimi mes dy vendeve kryesisht në fushën e turizmit.

Promovimi i përbashkët mes Shqipërisë e Serbisë do të bëhet me anë të paketave të përbashkëta turistike, programeve arsimore, aftësimit profesional të personelit, si dhe studime dhe projekte kërkimore në fushën e turizmit.

Marrëveshja dypalëshe u nënshkrua nga ministri Klosi me homologun e tij serb të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajić.

“Së bashku me ministrin Lajic ne do të punojmë që ofertat të mos jenë vetëm shqiptare dhe serbe, por të jenë një bashkëpunim midis gjashtë institucioneve të turizmit të rajonit tonë, së bashku me Malin e Zi, Bosnje–Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë”, – tha ministri Klosi për median.

Nga ana e tij, ministri serb u shpreh se me produktin e përbashkët turistik shtohet mundësia që të tërheqin turistët, para se gjithash të tregjeve të treta. “Nuk ka rrugë më të mirë sesa turizmi dhe eksperiencat personale që mund të kenë njerëzit për të tejkaluar çdo pengesë”, – u shpreh Lajic. Pas takimit të dy ministrave u zhvillua edhe një takim midis tur operatorëve shqiptarë dhe serbë.

Gjatë qëndrimit në Beograd, ministri Klosi mori pjesë edhe në takimin e dytë të nivelit të lartë të samitit të pyjeve midis Kinës dhe vendeve të Europës Lindore. / KultPlus.com

“Të gjithë mendojnë për ndryshimin e njerëzimit, por askush nuk mendon të ndryshojë veten”

Të gjithë e njohim Leon Tolstoin si një shkrimtar dhe filozof rus, një mjeshtër i letërsisë realiste dhe një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës. Por pak prej nesh e dinë se ai qe një prej të parëve mbështetës të idesë që veprat e artit nuk duhet të jenë pronë private, por duhet t’i përkasin gjithë njerëzimit. Refuzimi që i bënte kishës dhe shtetit e bënin atë një anarshist të veçantë kristian, që urrente pronën private, dënonte fort vanitetin dhe ishte një prej të parëve që refuzoi Çmimin Nobel në Letërsi.

Më poshtë një koleksion i thënieve të tij shumë të thjeshta e njëkohësisht tejet të mençura mbi jetën, dashurinë, besimin e lumturinë…

Në botën tonë, të gjithë mendojnë për ndryshimin e njerëzimit, por askush nuk mendon të ndryshojë veten.

Çdo gjë i vjen në kohë, atyre që dijnë të presin.

Të gjitha familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, çdo familje e pakënaqur është i pakënaqur në mënyrën e vet.

Gjërat e mëdha janë gjithmonë të thjeshta dhe modeste.

Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.

Ne gjithmonë mendojmë se na duan ngaqë jemi të mirë, por kurrë nuk kemi as dyshimin, se të mirë janë ata që na duan ne.

Dashuria është jeta. Gjithçka që unë kuptoj, e kuptoj vetëm sepse dua.

Kur ju doni dikë, e doni ashtu si është, dhe jo si dëshironi ju që të jetë.

Humbëm sepse i thamë vetes që humbëm.

Të vërtetat më të mëdha janë të thjeshta.

E vërteta, ashtu si ari, duhet të fitohet jo duke u rritur, por duke e larë nga gjithçka që nuk është flori.

Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis njeriut dhe natyrës të mos jetë prishur.

Vokacioni i çdo burri dhe gruaje është që t’u shërbejë njerëzve të tjerë.

Gabimi nuk mund të korrigjohet kurrë nga gabimi, dhe e keqja nuk mund të mposhtet me të keqe.

Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.

Ka vetëm një kohë që është e rëndësishme – Tani! Kjo është koha më e rëndësishme, sepse ajo është e vetmja kohë kur ne kemi ndonjë fuqi.

Gabimi nuk pushon së qëni gabim, për shkak se shumica e ndan atë.

Dikush mund të jetojë madhërishëm në këtë botë, nëse di se si të punojë dhe si të dojë.

Rrokni momentet e lumturisë, dashurisë! Ky është realiteti i vetëm në botë, çdo gjë tjetër është marrëzi.

P.S. Kur jepte leksionet e tij mbi letërsinë ruse dhe letërsinë krahasuese në Universitetin Cornell dhe Uellesley College, shkrimtari ruso-amerikan Vladimir Nabokov e niste çdo orë duke mbyllur të gjitha perdet. Në errësirë absolute ai fillonte: “Nëse ju e imagjinoni letërsinë ruse si një qiell, atëherë kjo është Gogoli. (Dhe lektori ndizte një nga llampat në tavanin e auditorit). Pastaj ai shtypi sërish çelësin: “Këtu është Chekhovi dhe Dostojevski”. (Dy llampa ndizeshin). Më pas, Nabokovi shkonte tek grilat dhe i hapte me një veprim të shpejtë. Kur klasa “verbohej” nga drita natyrale, mësuesi thoshte: “Dhe ky është Tolstoi”. / bota.al

Vdes gazetari dhe shkrimtari Tom Wolfe

Gazetari dhe shkrimtari i famshëm Tom Wolfe është ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare

Ai njihej për veprat “The Kandy-Kolored Tangerine-Flake Streamline Baby”, “The Right Stuff” dhe “Bonfire of the Vanities”. Vdekja u konfirmua nga agjentja e tij, Lynn Nesbit, që tha se ai kishte qenë i shtruar në spital shkaku i një infeksioni.

Wolfe kishte jetuar në New York që kur ishte bërë reporter i The New York Herald Tribune më 1962.

Në të 1960-at, ai ndihmoi në krijimin e një qasjeje hibride me ndikim shumë të madh, që njihet si Gazetaria e Re (New Journalism), në kuadër të teknikave të tij rrëfimtare në jofiksion.

Si një person i paepur dhe kontradiktor, ai ishte i mirënjohur edhe për veshjen e tij satirizuese. Njihej në çast teksa shëtiste në Madison Avenue – i gjatë, i hollë, sykaltër, djaloshar në rrobat e tij të bardha me një shami që s’i mungonte kurrë në xhepin e sakos.

Folku dhe turizmi bashkon në Vlorë 300 artistë ndërkombëtarë (FOTO)

Ansambli “Epirus”nga Selaniku, Greqi, u shpall fitues i edicionit të 10 -të “Aulona Inter Folk Festival”, që u zhvillua përgjatë një festë tre ditore nga 12-14 maj në qytetin bregdetar të Vlorës.

Por, mbrëmjen e djeshme në natën e fundit të festivalit u dha edhe një tjetër çmim, ai i 10 vjetorit të Festivalit, me të cilin u nderua ansambli nga Kina “Minnan Folk, nga qyteti Quan Zhoi.

Përgjatë tre ditëve, Vlora u pushtua nga ritmi i traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga vende si Shqipëria, Bullgaria, Italia, Letonia, Greqia, Sllovakia, Kina, Kosova.

Drejtori i këtij festivali Sejmen Gjokoli, tha sot për ATSH-në se ”edicioni i 10-të si asnjëherë tjetër pati një performancë vërtetë të jashtëzakonshme, sepse u ngjitën në skenë mbi 300 artistë. Festivali preku të gjitha ambientet e reja social kulturore në Vlorë, si sheshi Lungomare, rrugët dhe sheshet e tjera të qytetit”.


Sipas tij, në sheshin e Flamurit pati një performancë të rrallë, ku ishte edhe skena kryesore e festivalit, në të cilën ansamblet popullore performuan për tre netë me radhë.

Gjokoli tha se ky aktivitet promovoi jo vetëm kulturën dhe folkun, por mbi të gjitha edhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Përveç konkurrencës në skenë pati performanca edhe në rrugë dhe sheshe të ndryshme.Ky festival kishte edhe dimension turistik pasi grupet pjesëmarrëse shkuan edhe në kalanë e Kaninës, si dhe u promovua edhe kulinaria vendase në rivierën e Radhimës”, nënvizoi Gjokoli.

Pjesë e aktiviteteve ishte edhe parada e kostumeve popullore të artistëve pjesëmarrës në festival të organizuar në sheshin “Tre rracat”, në Vlorë.

Ky festival ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Festivali u organizua nga Qendra Kulturore “Aulona” në Vlorë, me mbështetjen kryesore të Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Ministrisë së Kulturës./k.s/

Vështrim mbi Jerusalem

Jehuda Amihai / Përktheu Edon Qesari

Majë një tarracë të Qytetit të Vjetër
plaçka të nderura nën rrezet e vona të pasdites,
mbulesa e bardhë e një gruaje që e kam armike,
peceta e një burri që e kam armik,
me të ai fshin djersët e ballit.
Në qiellin e Qytetit të Vjetër
një balonë.
Nga ana tjetër e perit,
një fëmijë
që s’mund ta shoh
për shkak të murit.
Kemi ngritur shumë flamuj,
kanë ngritur shumë flamuj.
Që të mendojmë se janë të lumtur.
Që të mendojnë se jemi të lumtur.

***

Jerusalem
i vetmi qytet në botë
ku dhe të vdekurit kanë të drejtën e votës.

Blerta Sejdija, vajza e ‘Beat Sexism’ që shtrihet në 19 vende të botës

Gili Hoxhaj

Blerta Sejdija është studentja nga Kosova e cila është rritur dhe studion në Republikën Çeke. Vetëm 18 vjeçare, ajo ka krijuar një projekt të sukseshëm, të cilin e ka titulluar ‘Beat Sexism’.

Suksesi i projektit ‘Beat Sexism’ përveç se u ka ndihmuar shumë vajzave e grave të cilat janë përballur me pabarazinë, ka shënuar edhe një sukses tjetër që lidhet me zgjerimin e platformës edhe në vende të tjera të botës. Klubet ‘Beat Sexism’ tashmë ekzistojnë në 19 shtete të botës, në Evropë, Azi, Amerikë e Australi.

Blerta Sejdija tregon për KultPlus se vizionin për ta krijuar një projekt në dobi të shoqërisë e kishte pasur qysh herët, por që nuk kishte pasur guxim e as ide të qartë.

Projekti i saj “Beat Sexism”, tashmë numëron dy vite që nga hapat e parë të implementimit dhe është një platformë për t‘i treguar ngjarjet rreth pabarazisë që gratë dhe vajzat i përjetojnë çdo ditë.

“Seksizmi ka qenë gjithmonë një çështje e rëndësishme për gratë”, shprehet Blerta Sejdija për KultPlus.

Ajo thotë se edhe pse vajzat dhe gratë kanë bërë hapa të mëdhenj që nga shekulli 20, ato ende nuk kanë fituar barazi të plotë gjinore. Ajo thotë se mungesa e pabarazisë është e dukshme edhe sot tek shqiptarët, andaj problemet e tyre janë ato që i trajton Sejdija në projektin e saj, e cila shprehet se disavantazhet me të cilat përballen gratë dhe vajzat janë një burim kryesor i pabarazisë.

“E quajta ‘Beat Sexism’. Pse këte emër? Në përkthim dmth – “Lufto kundër seksizmit“. Besoj që vetëm nga emri i projektit njerëzit do ta kuptojnë qëllimin e tij. Një ditë të janarit fillova të punoj në këtë projekt duke shkruar se çfarë dua të arrij me të, dhe si do të marr përkrahje nga tjerët. U befasova se sa shpejtë morra reagime pozitive. Ky reagim pozitiv më motivoi mua të mos ndalem kurrë. Shumë shpesh gratë dhe vajzat janë të diskriminuara në arsim, përfaqësim politik, në familje, treg pune etj”, tregoi Blerta Sejdija për KultPlus.

Projekti i iniciuar nga Blerta Sejdija, dëshiron që ti afrojë gratë dhe vajzat më afër ligjit, pra ti njoftojë ato me të drejtat e tyre ligjore.

“Nëpërmjet këshillave tona ligjore dhe konfidenciale, ne mundohemi t’ju ndihmojmë vajzave dhe grave përmes ligjit. Vendosa me këtë projekt të jap këshilla falas ligjore vajzave dhe grave që kanë nevojë për të. Këshilltarët tanë ligjorë janë të kualifikuar në fushën e ligjit. Ata sigurojnë një hapësirë të sigurt për gratë që të flasin për situatën e tyre dhe të marrin këshilla profesionale eksperte për t’u mundësuar atyre që të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e tyre”, tregoi Sejdija.

“Edhe pse unë nuk jetoj në Kosovë, kam pasion për vendin tim dhe historinë e tij”, thotë Blerta.

Blerta Sejdija e cila jeton në Republikën Çeke është studente e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Ajo tregoi për KultPlus se synimi i saj është që ta promovojë Kosovën dhe shqiptaret në përgjithësi sa më shumë me anë të projekteve të ndryshme. / KultPlus.com

Magjia e maskave veneciane në Tiranë (FOTO)

“Mbreti i Maskave” Guerrino Lovato ka mbërritur në Tiranë për të bërë të njohura 100 nga punimet e tij më të mira për ata që adhurojnë maskat e veçanta.

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, artistit Vladimir Myrtezai Grosha dhe kuratores Migena Hajdari nga galeria Blu Art Itali dhe Institutit Italian të Kulturës, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik kombëtar u zhvillua ditën e djeshme takim i zgjeruar me mjeshtrin Guerrino Lovato për prezantimin e punës së tij të veçantë.

Guerrino Lovato, mjeshtrit i Artit Venecian, realizon gjithfarë shëmbëlltyrash, me një kosto fare të vogël, por me një vlerë mjaft të madhe. Ai i krijon veprat e tij duke u frymëzuar nga kryeveprat artistike, portretet e personazheve historike, figurat alegorike dhe mitologjike si dhe nga tradita e “Komedisë së Artit” italian. Ndërsa punët e tij mund të përdoren gjërësisht në një ballo, festë karnavalesh, apo në një film me metrazh të gjatë.

Mjeshtri Guerrino Lovato tregoi për publikun në sallë përmes pamjeve që transmetoheshin nga projektori, se si kishte punuar për të realizuar 100 nga 500 punët e tij. “Kam përdorur materiale të thjeshta dhe ekonomike, që kanë fare pak kosto, madje edhe prej letre, por që marrin vlerë mjaft të madhe”, është shprehur mjeshtri Guerrino Lovato.

Gjatë prezantimit të punëve të Guerrino Lovato ,fjalën e mori dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi i cili theksoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Venecian kanë qenë shekullore dhe se vetë institucioni që ai drejtonte kishte në themel të programit të tij, jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare por dhe pasqyrimin e trashëgimisë së vendeve të tjera.

“Maskat janë një pjesë e rëndësishme e kulturës Veneciane, ndaj dhe puna e mjeshtrit Guerrino Lovato duhet të bëhet e njohur për dashamirësit e këtij arti në Shqipëri”, tha mes të tjerash Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi. Ai më pas vlerësoi dhe iniciativën e kuratorëve Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari të cilët bënë të mundur ardhjen e këtij Mjeshtri të Madh.

Guerrino Lovato është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Që prej vitit 1983 ai ka studion e tij, ku përveç maskave të famshme veneciane, ideon dhe krijon instrumente dhe makineri për teatrin, operën-kinemanë dhe në këtë drejtim ai ka bashkëpunuar me regjisorë të famshëm si Stanley Kubrick (për filmin “Eyes Wide Shut” me aktor kryesor Tom Cruise) dhe Paolo Sorrentino. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Projekti Presepe di Vennezia për Komunën e Parisit në Paris, tema e njohur që evokon lindjen e Krishtit; është autor i librit “Objekte dhe skulptura në kartapestë”. Disa skulptura për Parkun Guliver në Tokio.

Ka organizuar kurse për maskat në disa shtete, si: Itali, Gjermani, Francë, Siri, Amerikë, Brazil, Rusi etj. Një ndër skulpturat e tij të njohura është një statujë e Jezusit në stilin e Mikelanxhelos, 6 metër e lartë, kjo me kërkesë të Vatikanit. Përvoja e tij kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e pasur, e shoqëruar vazhdimisht me një energji tipike.

Gjithashtu, mjeshtri Lovato zhvilloi një vizitë në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, i cili u impresionua nga koleksioni i Pavijonit të Lashtësisë dhe ai i ikonave./ata

Eugenti tregon takimet me Eleni Foureirën dhe reagimet rreth shqiponjës

Eugent Bushpepa ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në një intervistë përball gazetarit Blendi Fevziu.

Ai foli për eksperiencën në Eurosong 2018 dhe shprehu falenderimet për mbështetjen e shqiptarëve e po ashtu lumturinë për rezultatin e arritur.

Veç të tjerash Eugenti rrëfeu edhe për takimin me Eleni Fourierën dhe Ermal Metën. Eugenti u shpreh se raportet mes tyre ishin shumë të mira. Ai tregoi për herë të parë në “Opinion” se pati një incident pasi publikoi foton me këngëtaren teksa bënin simboli e shqiponjës.
Qipro kishte kërkuar heqjen e fotografisë sepse sipas tyre dëmtohej performanca dhe përfaqësimi i tyre. Por Eleni Fouriera e kishte ndaluar diçka të tillë duke u ndjerë e lumtur dhe krenare për prejardhjen e saj.

“Në patëm një ftesë të takonim Elenin, unë nuk e kisha takuar asnjëherë më parë. Ajo ka shkuar që e vogël dhe është rritur në Greqi. Eleni ishte shumë e lumtur për prejardhjen e saj saqë në një fotografi që realizuam bashkë bëmë simbolin e shqiponjës”.

“Ajo fotografi i hapi avaze. Ajo nuk u shqetësua aspak. Në fakt unë i kërkova falje që e publikova dhe ajo tha madje shumë mirë ke bërë që e kë lënë, sepse ata të Qipros tentuan që të hiqnin fillimisht fotografinë. Ata donin ta hiqnin sepse nuk donin që performanaca të merrte një konotacion negativ. Por ajo kërkoi që të mos hiqet fotografia sepse tha që jam e lumtur për prejardhjen time”, u shpreh Bushpepa. / KultPlus.com

Tre projekte shqiptare finaliste për çmimin “Urban Public Space 2018”

Sheshi Skënderbej, rinovimi i Himarës si dhe përtëritja e shëtitores bregdetare në Vlorë, janë tre projektet e nominuara për çmimin ndërkombëtar në arkitekturë “Urban Public Space 2018”.

Juria ndërkombëtare e çmimit “Urban Public Space 2018”, ka përzgjedhur 25 projekte për këtë vit, ku ndër të nominuarit ka edhe tre projekte shqiptare.

Përmes një njoftimi për shtyp, ambasada shqiptare në Holandë njoftoi sot se, vendimi i jurisë do të shpallet në 20 qershor 2018.

Sheshi Skënderbej i përuruar më 10 qershor 2017, përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart.

Mozaiku spektakolar i gurëve nga gjithë trevat shqiptare dhe kopshti orbital përreth sheshit Skënderbej me pemë e bimësi nga gjithë zonat shqiptare, u kanë dhënë qytetarëve të Tiranës një hapësirë publike fantastike, kartvizitën e një kryeqyteti europian.

Në Himarë rikualifikimi i plotë urban i shëtitores buzë detit dhe sheshit qendror, krijon imazhin e një qyteti tipik mesdhetar, në bregun e Jonit. Përgjatë vijës Spile-Himarë dhe në 9880 metra katror sipërfaqe janë ndërmarrë ndërhyrje arkitekturore, zhvillimi urban dhe rekreacioni. Projekti ruan karakteristikat e zonës, duke përdorur materiale që i afrohen elementeve natyrale të plazhit.

Po ashtu, vija e rilindur bregdetare e qytetit të Vlorës, Lungomare, i konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, krijon mundësi që gjithkush të gjejë vetveten, në varësi dëshirave të tij, duke u dhënë përparësi këmbësorëve.

I përuruar në maj 2017, ky projekt është cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ndër më tërheqësit për turistët e huaj.

Aktorja Kristen Steward thyen rregullin e Kanës, ecë zbathur në tepihun e kuq të festivalit

Aktorja Kristen Steward, protestuesja e takave të larta, e cila njëkohësisht është pjesë e jurisë së festivalit ka protestuar mbrëmë për një nga rregullat e festivalit, ndalim e këpucëve pa taka, përcjellë KultPlus.

Aktorja e cila ka qenë mbrëmë në premierën e Blackkklansman, është shfaqur me taka të zeza të Christan Louboutin. Mirëpo pasi që fotografitë kryesore janë bërë ajo ka zbathur takat në prani të fotografëve duke ecur zbathur në tepihun e kuq. Për të dëshmuar kështu që asaj nuk i intereson kjo rregull e festivalit as këtë vit.

Kujtojmë se aktorja kishte zbathur takat e saj edhe në vitin 2015, në po të njëjtin festival (duke mbathur Convers). Ajo po ashtu në intervistën e saj për The Hollywood Reporter u shpreh kundër kësaj rregulle.

“Nëse nuk po kërkoni nga burrat që të veshin taka dhe fustane përse duhet ta kërkoni një gjë të tillë nga gratë”, ishte shprehur ajo vitin e kaluar, raporton vanityfair.com./ KultPlus.com

“Vetë jeta është një citat”

Një prej figurave letrare më unike të shekullit 20, Jorge Luis Borges, u lind në Argjentinë, në 24 gusht 1899.

Si një mjeshtër i tregimeve të shkurtër, Borgesi shkroi për botën kriminale të Argjentinës dhe krijoi botë që rroknin magjepsjen e tij pas konceptit të pafundshmërisë. Poemat e tij përkujtojnë kulturën unike dhe traditat e kryeqytetit, Buenos Aires, ku ai jetoi deri ditën që vdiq, në 1986.

Këtu sjellim disa prej shprehjeve më të spikatura të Borgesit:

“Dyshimi është një prej emrave të inteligjencës”

“Diktaturat sjellin shtypjen, diktaturat sjellin robërinë, diktaturat sjellin mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë”

“Vetë jeta është një citat”

“Teksa mendoj për mitet e shumtë, është njëri prej tyre që është shumë i dëmshëm, dhe ky është miti i shteteve”

“Mos fol, nëse nuk ke për ta përmirësuar heshtjen”

“Lëri të tjerët të krenohen se sa shumë faqe kanë shkruar. Preferoj të mburrem për ato që kam lexuar”

“Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyes”

“Ne e pranojmë me kaq shumë gatishmëri realitetin. Ndoshta sepse ndjejmë që asgjë nuk është reale”

“Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh një fe me një Zot të gabueshëm”./ KultPlus.com

Të kam mbajt gjatë…

Poezi nga Arjola Zadrima.

Të kam mbajtë gjatë
në shpinë,
qytet m’qytet,
prej dites n’ditë,
nadje deri në mramje,
pa të kërkue gja.
Ti veç ke hesht.
Më ke peshue sa me kanë dhimbt brinjt
e veç kam hesht.
Kam rrefuzue gjithë burrat që më deshtën,
për nji natë
a krejt jetën tue t’pa në sy,
e jam ndi vetëm.

Nesër, do të jesh prapë dashnia
e nji kohe tjetër,
pa adresë,
mik i vjetër./ KultPlus.com

Vjen në Prishtinë radio drama fituese e produksionit më të mirë në BBC RADIO & MUSIC AWARD 2018

“Në fushën e Kosovës”, një radio dramë e shfaqur në BBC, vjen për publikun Kosovar si një lexim në skenë i dy episodeve të para dhe dëgjimi i tre episodeve në Anglisht, shkruan KultPlus.

“Në fushën e Kosovës” është shkruar nga Fin Kennedy, vjen me regji të Kushtrim Koliqit dhe është e inspiruar nga këngët e PJ Harvey të dedikuara udhëtimit të saj në Kosovë. Radio drama tregon historinë e kërkimit të identitetit nëpërmjet një udhëtimi tek një trashëgimi e humbur.

Radio drama “Në fushën e Kosovës” fitoi drama produksioni më të mirë në BBC RADIO & MUSIC AWARD 2018.

Rebeka dhe Dardan, vëlla dhe motër të lindur në Kosovë, të cilët u sollën në Mançester si të mitur të pashoqëruar gjatë konfliktit në 1999, rikthehen në Kosovë pasi një varr masiv është zbuluar afër fshatit të tyre të lindjes. Ata zbulojnë një komb të ri që përpiqet të krijojë një rrugë për shpresë dhe pajtim dhe aty kuptojnë se edhe ata duhet të udhëtojnë në të kaluarën e tyre për të ecur përpara. Ata mbajnë një sërë çelësash, që u janë dhënë atyre nga një fqinj para se të largohen, duke ofruar mundësinë për të hapur shtëpinë e tyre dhe me të, kujtimet.

Leximi në skenë do të performohet nga: Maylinda Kosumovic, Shkelzen Veseli, Labinot Raci, Qendresa Jashari, Shpetim Selmani, Allmir Suhodolli.

Leximi në skenë është realizuar nga Tamasha Theatre Company (UK) dhe Intent New Theatre (KS). Leximi do të bëhet në Qendrën Multimedia duke filluar nga ora 20:00, më 17 maj. / KultPlus.com

Petrit Çeku dhe Marc Bouchkov hapin edicionin e 17-të të Remusica

Festivali Remusica ka filluar që të bëjë të ditur disa nga befasitë që do të përmbajë ky edicion duke zbuluar edhe dy artistët e njohur që do të bëjnë hapjen e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Më 27 maj, të dielën, hapjen e edicionit të 17-të të këtij festivali do e bëjnë Petrit Çeku, kitaristi i mirënjohur shqiptar i njohur si “gjeniu i kitarës” dhe Marc Bouchkov, violinist belg i njohur për koncertet e tija si solist me Orkestrën Nacionale të Belgjikës, Brukselit, Moskës e të tjera.

Gjatë kësaj natë do të luhen vepra të kompozitorëve si Niccolò Paganini, Béla Bartók, Rafet Rudi, Jules Messenet dhe Astor Piazzolla.

Koncerti hapës do të mbahet në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, në ora 20:00./KultPlus.com

Përmes shtatë “Kaligulave”, Kushtrim Koliqi solli abuzimin e pushtetit dhe mungesën e revolucionit

Para se shikuesit të zënë vend në ulëset e Teatrit, skena ndriçohet nga drita e“hënës”. Që në fillim shfaqja dukej premtuese. Imazhin e plotë të hënës, e pengojnë grilat ndriçuese të cilat zbresin ngadalë poshtë skenës. Prapa grilave, vijnë e rreshtohen aktorët, përballë gjykatëses (Gresa Pallaska). Janë këta grila që ndërmjetësojnë skenat e mizorive të perandorit romak,Kaligules. Kjo skenë është ndërmjetësuese e vetme, mes mizorive që të bëjnë të qash, e nënshtrimeve që herë- herë të bëjnë dhe të qeshësh.

Gili Hoxhaj

Drama “Kaligula” është një kryevepër e artit teatral, që është jetësuar ndër vite në skenat më të njohura teatrale. Kjo vepër e Camus është shkruar për herë të parë në vitin 1938, për t’u botuar më në fund në vitin 1945. E shkruar në kohë të rëndësishme historike (Lufta e Dytë Botërore), para publikut erdhi në një version të rishkruar. Edhe pse e shkruar shumë dekada më parë, në një kohë lufte, shfaqja me regji të Kushtrim Koliqit arriti të përcjell fuqishëm mesazhet e autorit Albert Camus, madje dhe të komunikoj me realitetin e sotëm. Personazhi Kaligula, kapërcej mes lojës së shtatë aktorëve që ishin në skenë: Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Shkëlzen Veseli dhe Ylber Bardhi. Në anën e “Kaligules”, e pranë tij qëndronin dy personazhe grash që erdhën përmes rolit të aktores Meli Qena e Gresa Pallaskës.

Gjithçka nis mes zërave në kërkim të Kaligules, e personazhet mes fjalëve e këngës sjellin në dritë incestin mes perandorit dhe motrës së tij. “Të flesh me tët motër, të rrënosh ca jetë të shembesh vendin tënd”, vjen në kor nga aktorët që qëndrojnë në skenë, e jo në pak raste kënga do të përcjell fuqishëm edhe skenat me eksplicite të shfaqjes, për t’i dhënë ngjyrim edhe me të fuqishëm dramaticitetit. Perandori Kaligula, i cili kthehet në skenë përmes lojës së shtatë aktorëve karakterizohet nga vulgariteti e mungesa e mëshirës. Duket sikur gjithçka këtu ka humbur kuptimin, e ai shpesh gjendet në kërkim të hënës. Liria dhe gjithçka tjetër duhet të jetë vetëm e Kaligules. Vendimi për secilën jetë duhet t’i takoj atij. Ai flet përballë atyre që u ka vrarë fëmijët e prindërit, atyre që motrat dhe vajzat ua ka shndërruar në punonjëse të shtëpive publike. Përballë këtij realiteti, ata që gjenden përballë tij, nuk mund t’i shmangen fuqisë së tyre emocionale derisa u rrëshqasin lotët njëri pas tjetrit. Kaligula u nxjerr dhimbjen, e megjithatë ata duhet të qeshin në kor, kur kjo u kërkohet. Trashëgimtari i vetëm i pasurisë së tyre duhet të jetë shteti dhe jo fëmijët që u kanë mbetur.

“Të qeverisësesh do të thotë të vjedhësh”, është një nga fjalitë që të ngulitet fort në mendje, e që theksohet gjatë shfaqjes. Rrobat e personazheve në skenë janë të grisura, Kaligulën e identifikon një shallë ngjyrë vjollce që tregon pushtetin. Secili nga aktorët do të arrij ta transformoj lojën e tij mes nënshtruesit dhe perandorit të pa mëshirë, që nuk e do askënd përveç hënës, të cilën duhet t’ia sjellë Helikoni, pasi që aty njerëzit vdesin e nuk janë të lumtur. Qëndrimi i tij në majë të shkallëve shpesh pasqyron pushtetin e tij të pakufishëm, të tjerët poshtë tij duhet të derdhin atë çfarë hanë në fytyrën e njëri-tjetrit. Kaligula thotë se vetmia ndihet me të gjallët, më shumë se më te vdekurit, ata i plotësojnë zbrazëtinë që ia krijojnë të gjallët. Kaligula kërkon të lexoj poemën për Zotin, mbi letrat e së cilës më pas shkelin personazhet në skenë.

Skenografia e krijuar nga Petrit Bakalli, e sjellë hënën herë të buzëqeshur, në habi e deri tek fytyra e saj që ngryset. Nën dritën e saj ndodhin mizoritë më të mëdha.Përmes skenave të gjyqit, një dhomë dhunuesish, shfaqja arrin në mënyrë krejt të natyrshme të kaloj në një seancë politike, ku fjala e perandorit, megjithatë është e para dhe e fundit. Çdo kush flet e hesht sipas urdhrit të tij. Më pas vallëzimi i fundit i “Kaligules”, shënon një shfaqje artistike, që i mbledh të gjithë në skenë.
Shtatë krisma të fuqishme në fund rrëzojnë personazhet në tokë. Megjithatë ata kthehen në procesin e fundit gjyqësor, e pikërisht këtu shfaqja arrin të prek drejtpërdrejt në realitetin e vendit, ku himnizohet me heronjtë e vdekur e nuk respektohen viktimat e gjalla, ku diplomat jepen pa meritë, e janë pushtetarët ata që duke i ikur burgut individual e kanë shndërruar këtë vend në një burg kolektiv. Përveç atyre që qëndrojnë prapa grilave, në këtë mes, të gjithë janë të dënuar. Zëri i bindshëm i Gresa Pallaskës kthehet drejt publikut, duke e bërë pjesë të lojës, duke ia drejtuar drejtpërdrejtë mesazhin. Duke i kthyer gishtin, e duke e cilësuar fajtor që ka lindur e jeton në këtë vend, që është ferr, e pranon e nuk bën asgjë për ta shmangur këtë realitet. “Revolucioni do të marshosh”, e “Revolucion”, janë fjalët e fundit që vijnë nga Meli Qena e me të cilat shfaqjen e ndajnë pak sekonda nga duartrokitjet e forta e të zgjatura te publikut.

“Arsyetimi i krijimit të kësaj vijës së gjyqit është se meqenëse ne nuk po mundemi këta pushtetar t’i sjellim në gjyq dhe t’i dënojmë, unë po e përdori teatrin që t’i sjellë në gjyq dhe t’i dënoj. Në të njëjtën kohë i kthehem publikut dhe i them “A nuk po iu vjen marre”, se deri kur duhet të na poshtërojnë që me reagu”, thekson Koliqi për KultPlus.

Koliqi tregoi për KultPlus se raporti me pushtetin e ka intriguar gjithmonë, veçmas mënyra se si njerëzit e përdorin pushtetin pasi që jo gjithmonë pushteti mund të përdoret për të keq. Sipas Koliqit, keqpërdorimi i pushtetit ndodhë veçmas kur ai pushtet nuk kontrollohet dhe pikërisht kjo vjen përmes “Kaligules”.

“Kuptohet që pushteti mund të përdoret në mënyrë shumë të mirë por kjo nuk ndodhë rëndom, rëndom ndodhë që ai pushtet keqpërdoret, sidomos në rastet kur ai pushtet nuk monitorohet dhe një gjë edhe më e dhimbshme për realitetin e Kosovës është mosgatishmërisë për të reaguar. Ne jemi një shoqëri në gjumë, na ndodhin gjëra të tmerrshme për të cilat në baza ditore do duhej të dilnim në protesta dhe të kërkojmë llogari prej këtij sistemi dhe ndryshim të tij”, tregoi Koliqi i cili që nga fillimi shfaqja është konceptuar si radikale, duke e dërguar veprën në një nivel tjetër dhe duke i dhënë mesazhet në mënyrë të drejtpërdrejtë në abuzimin e pushtetin dhe mosgatishmërinë për të mos reaguar.

Arsyeja përse Koliqi e ka ndarë “Kaligulen”, në shtatë personazhe është pasi që ai ka dashur të luaj me fuqinë që Camus ia ka dhënë Kaligulës dhe ka dashur që këtë fuqi ta vë në lojën e shtatë aktorëve. Secili aktor që në 80 % të lojës është në pozitën e të nënshtruarit, momentin që vjen në rolin e “Kaligulës”, e keqpërdor atë pushtet në nënshtrimin e të tjerëve, ky është pikërisht mesazhi që Koliqi ka dashur ta transmetoj. Ai tha se diskutimet e shumta me aktorët gjatë procesit të provave, kanë ndikuar që ata ta implementojnë shumë lehtë konceptin e tij regjisorial në skenë.

“Bashkëpunimi me aktorët është fenomenal, jam me fakt që e kam pasur këtë kastë sepse ndryshe nuk do të mund ta kisha mundur ta arrij këtë rezultat. Për mua ka rëndësi që aktori të jetë inteligjent”, tregoi regjisori Kushtrim Koliqi.

Regjisori Fadil Hysaj tha se kjo është një nga shfaqjet më të mira e cila ka ardhë në kohën e duhur dhe si një vaksinë shumë e mirë politike që vjen në një periudhë ku është mbushur kupa.
“Mendoj që ishte një moment kulminant fundi i shfaqjes kur krijohet një relacion me publikun dhe tek secili prej nesh ngjallë një moment ndërgjegjësimi se me të vërtetë ka ardhur koha që këta njerëz, ky publik ta marrin të ardhmen në duart e tyre”, u shpreh Hysaj për KultPlus, duke shtuar se beson që kjo shfaqje do të ketë një të ardhme shumë të mirë dhe që teatri po u kthehet regjisorëve të tyre.

Aktori Ylber Bardhi ishte një nga “Kaligulat”, e kësaj shfaqje kolektive e një nga personazhet e nënshtruara në një pjesë të shfaqjes, ku secili aktor arriti ta sjellë versionin më të mirë të Kaligulës, me një natyrshmëri të lojës artistike. Bardhi tha për KultPlus se ideja për shtatë Kaligula fillimisht ka tingëlluar si intriguese por me kalimin e kohës në procesin e provave është dëshmuar që shfaqja po shkon në rrugën e duhur, e që u dëshmua edhe me duartrokitjet e publikut. Për këtë shfaqje aktorët kanë punuar rreth shtatë javë, pothuajse dhjetë orë në ditë.

“Kur kemi të bëjmë me shfaqje kolektive procesi i punës është pak i lodhshëm por unë termin “lodhje”, nuk do ta kisha përdor në këtë shfaqje, sepse vërtetë më shumë jemi kënaq se sa jemi lodhur dhe shpresoj që publikun nuk e kemi mërzit në asnjë moment dhe shpresoj që nuk janë mërzit dhe e kanë shijuar shfaqjen”, tregoi Bardhi për KultPlus, i cili tha se duke qenë se kjo është një nga veprat më të njohura, teatri duhet ta ketë privilegjin që e ka këtë shfaqje. Reprizat e parë të shfaqjes vijnë sonte më 15 dhe nesër 16 maj, duke filluar nga ora 21:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

AKV “Gjilani” kthehet nga Shkupi me çmim të parë

Ansambli i këngëve dhe valleve “Gjilani” po radhit suksese te njëpasnjëshme nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu ndodhi edhe në festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest 2018”, ku zuri vendin e parë.

AKV “Gjilani” këtu u paraqit me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare. Me këtë rast interpretuan këngëtaret tashmë të njohur: Avni Latifi, Qemajl Musliu, Afrim Haziri, Nazim Gagica, Adnan Leka, Nehat Ferati, Kaltrina Hajdari, Eronita Qerimi dhe Rinesa Zahiri, nën përcjelljen e orkestrës profesionale të artistëve gjilanas me përzgjedhjen e këngëve dhe udhëhequr nga maestro Murat Ismajli, në bashkëpunim me këshillin artistik te Ansamblit.

Gjithashtu AKV “Gjilani” u paraqit me “Kolazh vallesh” nga grupi i mrekullueshëm i valltarëve me koreografi të Qemajl Musliut.

Festivali “Shkupi Folk-Fest2018” është organizuar nga SHKA “Shqiponja” dhe komuna Saraj – Shkup. Është hera e dytë që mbahet dhe, sipas organizatorit, pritet të jetë tradicional. Ka karakter garues. Këso here në të morën pjesë mbi 20 ansamble dhe grupeve të tjera.

Qeveria merr vendim për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, thotë se ky dokument është mundësi e adresimit dhe trajtimit adekuat të tyre.

“Në funksion të përkrahjes dhe avancimit të sektorit kulturor ka paraparë një varg angazhimesh, duke parë rëndësinë e avancimit të fushës ligjore,” është shprehur Gashi në mbledhjen e Qeverisë, raporton Gazeta Alo. Përfaqësues të këtyre institucioneve kulturore ende nuk kanë marrë trajtimin adekuat në lidhje me funksionimin e tyre pavarësisht kërkesave të vazhdueshme./ KultPlus.com