Promovohen librat e dy shqiptareve në Ontario të Kanadasë

Shoqata Shqiptaro-Kanadeze ka rezervuar gjithmonë hapësirë për të afruar shqiptarë të ndryshëm me histori dhe jetë të ndryshme.

Këtë herë në shtëpinë e saj, ajo hapi dyert për dy emrat mjaft të shquar të jetës intelektuale në komunitetin shqiptar.

Sanije Gashi dhe Eglantina Mandia, ishin të ftuarat e nderit që do të mblidhnin përreth shumë gra e vajza të tjera e për t’u treguar se lidhja me librin bëhet edhe më e fortë me kohën.

Aktiviteti i zhvilluar pak ditë më parë do t’i jepte jetë krijimtarisë së gazetares e publicistes Gashi dhe shkrimtares e ish-mësueses Mandia, cilat këtë herë do të promovonin botimet përkatëse.

Aktivitetin e hapi Presidentja e Nderit, Ruki Kondaj duke përshëndetur të gjitha gratë e bordit Arta Tafaj, Irma Luli, Irene Breznica, Brunilda Mersini, Amarda Pone, mësuesen e gjuhës shqipe Mirka Hallidri, valltaren e njohur “Nderi i Kombit” Lili Cingu, si dhe surprizën e të ftuarve, Laura Albanese, Ministre e Emigracionit dhe Shtetësisë së Ontarios, tashmë mike e shqiptareve e jo vetëm në Kanada. Në këtë aktivitet Ambasada e Kosovës u përfaqësua me sekretaren e parë të Ambasadës Blerta Ademi.

Do të startonte me vëmendjen ndaj “Terrori 1998-1999” i Sanije Gashit e cila përloti të gjithë të pranishmit për kujtesën e fortë të dhimbjes së shkuar së popullatës kosovare ndaj regjimit serb.

Libri i Eglantina Mandia “Fytyra e Dashurisë”, u analizua nga Arta Tafaj, anëtare e bordit, duke theksuar mënyrën e të shkruarit, mirësinë dhe emocioni që të përshkron kur lexon tregimet e saj, për bukurinë e fjalës së përdorur dhe lexoi një shkrim tejet të bukur e emocionues.

Si çdo herë, Albanese i përshëndeti pjesëmarrësit dhe shkrimtaret dhe e quajti me vlerë të njihen figura të tilla të çmuara nga komuniteti nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Ajo theksoi se gjatë krizës Kosovare 1999 ka qenë gazetare në “OMNI 1” dhe ka raportuar rreth ngjarjes, ndërsa librin e quajti një testament me shumë vlerë dhe premtoi që patjetër do ta lexojë./ ata

Sot hapet Pavijoni i Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut

“The city is everywhere” apo qyteti është gjithkund që shpalos vitet e 90-ta në Kosovë, nga Eliza Hoxha është tema e Pavijonit të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Kësisoj sot me fillim nga ora 14:15 në ekspozitën e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut, do të hapet ky Pavijon i Republikës së Kosovës, në Arsenale, Venedik.

KultPlus, është atje ku përveç që do ta sjellë çdo moment të Pavijonit të Kosovës në këtë Ekspozitë Ndërkombëtare, do të sjellim edhe momente nga Pavijonet e tjera që do të hapen sot atje.

Kështu duket Pavijoni i Kosovës, si në foto:

Ndërkohë para hapjes, Jehona Shyti në cilësinë e Komisionerit të Pavijonit të Kosovës mëngjesin e sotëm ka shkruar se është shumë lumtur që udhëhoqi gjithë këtë proces të përfaqësimit të Kosovës në këtë ngjarje madhe të diplomacisë kulturore./ KultPlus.com

Dua Lipa po bëhet gati për performancën në Ligën e Kampionëve (FOTO)

Dua Lipa do ta bëjë hapjen e ceremonisë finale të Ligës së Kampionëve dhe tani ka filluar edhe përgatitjet, shkruan KultPlus.

Kujtojmë se Era Istrefi, Rita Ora dhe Dua Lipa, janë këngëtaret tashmë me famë botërore të cilat kanë ngjitur majat e suksesit përmes zërave të tyre. Kësisoj, sivjet që të trija do të këndojnë në ndeshje futbollistike të cilat përcillen nga e gjithë bota. / KultPlus.com

Netta: Mendova se fitorja do ti takonte shqiptares Eleni Foureira

Fituesja e Eurovizionit i dhuroi shtetit të saj fitoren pas 20 viteve, mirëpo në intervistën e saj të parë pas kthimit në vendlindje, Netta Barzilai është shprehur se nuk e kishte pritur fitoren.

Ajo këtë çmim kishte besuar që do e fitonte Eleni Foureira, përfaqësuese e Qipros.

Sipas saj zgjedhja e këngëtares shqiptare Eleni Foureira, nuk do e kishte befasuar duke aluduar se ajo do zgjidhej për shkak të pamjes së saj të jashtme.

“Fitorja nuk ka qenë asnjëherë në xhepin tim, nuk kam besuar që do të fitoj. Madje edhe në spektaklin “Ylli i ardhshëm”(festivali selektues i Izraelit për Eurovizion), dhe në çdo festival tjetër më është dashur çdo herë të luftoj me veten time, jo për çfarë mendojnë të tjerët për mua por se çfarë mendoj unë për veten time”, është shprehur ajo ndërsa tutje ka treguar se favorite ishte këngëtarja Eleni Foureira.

“Unë isha përgatitur për fitoren e Elenit, dhe kjo nuk do më shkatërronte sepse e gjithë jeta ime ka qenë e tillë…Unë nuk kam ditur diçka tjetër…Gjithë jetën time jam mposhtur për shkak të normave standarde. Kur vjen koha e përzgjedhjes çdo herë zgjedhen ato që të kënaqin sytë”, është shprehur ajo.

Së fundi mediat kanë vënë në pyetje edhe peshën e këngëtares e cila pastaj ishte shprehur se nëse do të mbante dietë, këtë do e bënte vetëm për veten e saj dhe për asgjë tjetër. / KultPlus.com

Arta Dobroshi kërcen për paqe dhe fotografitë e Pragës në luftë, dy ekspozita sjellin gëzimin dhe tmerrin

Alberina Haxhijaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë hapur dy ekspozitat ndërvepruese me njëra tjetrën. Në këtë ekspozitë të fotografive të ndarë në “Prague 68” dhe “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore”, u paraqit e kaluara dhe e ardhmja.


(Facebook: Dimitrios Machairidis)

“Prague 68” është një seri e fotografive të fotografit çek Oldřich Škácha. Fotografitë e ekspozuara sjellin dëshminë e tij pamore të dokumentuar me fotoaparatin e tij, në ditën e parë të intervenimit ushtarak sovjetik në Pragë, në vendet e ngjarjeve ku çekosllovakët paqësorë të shtangur vdisnin në Sheshin Wenceslav, në Sheshin e Qytetit të Vjetër dhe në selinë e Radio Çekosllovakisë.

Në anën tjetër “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore” është një seri e fotografive të bëra nga fotografët e ndryshëm duke e dokumentuar nismën e aktores së ‘Lorna`s Silence’ për të frymëzuar njerëzit që të jetojnë në paqe dhe të respektojnë të tjerët. Në fotografitë e saj ajo kërcen me gëzim me fëmijë, me personalitete të njohura, me refugjatë, me diplomatë, me artistë e njerëz të tjerë. Askush nuk është superior në këto fotografi, të gjithë janë një për misionin drejt paqes në botë. Arta është kryefjala, një personazh gjithmonë i buzëqeshur, për të gjetur kënaqësi e paqe në planet.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, Ivo Silhavy, që është kurator i kësaj foto-ekspozite dhe vetë një fotograf i pasionuar shpalosi momentin sesi ishte ndjerë vet kur kishte kërcyer së bashku me Artën. Pjesë e universit, i lirë dhe i lumtur, gjersa egon e tij e kishte lënë në tokë në momentin e fotografimit me aktoren që para disa vitesh u bë e para aktore nga Kosova në tepihun e kuq të Festivalit të Kanës.
Sipas tij të gjithë ne duhet të kemi fuqinë për të kërcyer mjaftueshëm lart për të kapur fatin në duart tona. Duhet besuar në të vërtetën dhe në dashurinë.

Ai theksoi se fotografitë bardhë e zi paraqesin të kaluarën, ndërsa ato me ngjyra të ardhmen, gjersa shpalosi më shumë detaje për to.

“Në fotografitë bardhë e zi nga ditët e okupimit ne i shohim njerëzit në rrugë të frikësuar, të shtangur, të pafuqishëm, mirëpo me një përcaktim në sytë e tyre. Në fotografitë me ngjyra të Artës dhe të miqve të saj përmes kërcimit ndajnë gëzimin dhe kënaqësinë e jetës me një dritë në sytë e tyre”, tha Silhavy.
Aktorja Arta Dobroshi,falënderoi të gjithë ata të cilët janë bërë pjesë e kërcimit të saj për paqe si dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për realizimin e kësaj ekspozite.


(Facebook: Dimitrios Machairidis)

Sipas Artës, populli i Kosovës është shembull për botën se si të arrihet paqja, liria në një vend, pasi sipas saj me vite të tëra gjithë gjeneratat deri në vitin 1999 në Kosovë kanë protestuar për paqe dhe liri.
“Paqen dhe lirinë e kemi përjetuar aq shumë me zemër e me shpirt, sa e kemi reflektuar në gjithë vendin tonë dhe në të gjithë botën. Dhe sot, ne jetojmë në liri e në paqe. Fotografitë ku kërcej me hare për paqe në botë, janë reflektim i shpirtit tim dhe dëshirës time për paqe në krejt botën”, tha ajo.

Ajo për të treguar rëndësinë që ka paqja solli për të pranishmit një krahasim se si do të shkonte kjo ekspozitë nëse do të hapej 20 vite më parë, se sa të frikësuar do të ndjeheshin të gjithë të pranishmit.

“Nëse do kisha dashur që ta bëj këtë ekspozitë 20-të vite më parë nuk do të kisha mundësi, apo sikur ta bëja, do të ishim ndjerë të frikësuar. Të frikësuar se forcat policore do na gjenin e do të na dërgonin në burg pa arsye. Ndoshta edhe vetëm për shkak të gjuhës që flasim. Ne po ashtu do të siguroheshim që të arrinim të gjithë në shtëpi rreth orës 19:30 pasi të gjithë e dimë se ora policore fillon në 20:00. Mirëpo kjo është e kaluara dhe sot qëndrojmë në paqe”, tha Dobroshi në hapje të ekspozitës.

Sipas saj, 100 vite më vonë ndarjet dhe barrierat kufitare në mes të shteteve dhe njerëzve do të jenë absurde. Ajo ftoi që të mos presim 100 vite por të veprojmë sot që bota të jetë vend i paqes, ku të gjithë janë të barabartë.
“Ne mund të zgjedhim sot se çfarë do të tregojnë pasardhësit për ne”, theksoi ajo gjersa ftoi të pranishmit ti bashkoheshin udhëtimit të saj duke bërë gjithë të pranishmit që të kërcejnë për paqen.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për dy javë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Papa ka marrë një dhuratë të pazakontë nga Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në Audiencën e Mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Haradinaj i ka përcjellur Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër – kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi Atin e Shenjtë për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar faktin se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare.

“Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin. Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e qytetarëve tanë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, vlerësoi pritjen që iu bë nga Papa Françeku, duke thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetë mirënjohës Vatikanit për mbështetjen e dhënë gjatë dekadave të fundit, e po ashtu shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin.

“Vizita ime në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun është nder i madh për mua dhe popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për të përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat më të mira të popullit të Kosovës për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë, pra për Vatikanin dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përcjellur Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër – kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.

“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se “E kam në zemër popullin e Kosovës””, theksoi kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar lartë pritjen që i është në Vatikan, kryeministri Haradinaj theksoi se trajtimi dhe pritja me aq respekt, është dëshmi për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ai e dha bekimin, për Kosovën, një bekim që ishte prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ne, një ndjenjë e veçantë. U ndjeva i nderuar dhe vërtetë jam ndjerë i respektuar sot”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.

“Ne e kemi me shumë rëndësi këtë marrëdhënie. Vatikani, po ashtu Selia e Shenjtë është anëtare në plotë organizata ndërkombëtare, sikurse e Interpolit dhe organizatat tjera. Jam thellë i bindur që në rrugëtimin tonë si Kosovë, do të na ndjenë. Jam i bindur që Selia e Shenjtë do ta ndjenë Kosovën”, ta kryeministri Haradinaj.

Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

Burrat

Maya Angelou, përkthyer në shqip nga Orjela Apolloni

Kur isha e re, e kisha zakon
me shiku’ përtej perdeve
se si burrat ecnin lart e poshtë në rrugë. Burra të dehur, burra të vjetër
burra të ri e të mprehtë
I shikoja ata. Burrat gjithmonë
shkojnë dikund.
Ata e dinin që isha aty. Pesëmbëdhjetë
vjeç dhe e uritur për ta.
Poshtë dritares sime, ata pushonin,
shpatullat e tyre të larta
si gjinjtë e një vajze të re,
e cepat e xhaketave përplaseshin mbi
pjesën e pasme,
Burrat.

Një ditë ata do të të mbajnë
në pëllëmbë të dorës, butë, sikur
ti të ishe veza e fundit e freskët në botë. Pastaj
shtrëngojnë. Vetëm pak. Shtrydhja
e parë është e këndshme. Një përqafim i shpejtë.
Butë në pafuqinë tënde. Pak
më shumë. Dhimbja fillon. Nxjerr një
buzëqeshje që rrëshqet rreth frikës. Kur
ajri zhduket,
mendja jote kërcet, duke shpërthyer ashpër, shkurt
bash siç merr flakë një shkrepëse në kuzhinë. E shkatërruar.
Është lëngu yt
që rrëshqet në këmbët e tyre. Duke njollosur këpucët e tyre.
Kur bota kthehet prapë mbarë,
dhe shija tenton të kthehet në gjuhë,
trupi yt është mbyllur me kërcitje. Përgjithmonë.
Asnjë çelës nuk ekziston.

Pastaj dritarja shfaqet e plotë në
mendjen tënde. Atje, bash prapa
perdes që lëkundet, burrat ecin.
Duke ditur diçka.
Duke shkuar dikund.
Por këtë herë, unë thjesht
do të rri dhe do t’i shoh.
Ndoshta.

Izraelit nuk i pëlqen videoja satirike me këngën e fitueses së Eurovizionit

Ambasada e Izraelit është ankuar të martën për një parodi që i është bërë këngës fituese në Eurovizion 2018.

Aktorja Sanne Wallis de Vries ka sjellë versionin e saj të këngës fituese ‘Toy’, në një transmetim televiziv mirëpo kjo nuk i ka pëlqyer Izraelit, shtetit fitues.

E veshur në mënyrë të njëjtë si këngëtarja Netta, aktorja Sanne Wallis de Vries ka performuar këngën fituese duke i ndryshuar fjalët. Performuesja modifikoi fjalët e këngës “Toy” kushtuar në origjinal lëvizjes #METoo, për të adresuar më pas mesazh politik duke përfshirë edhe shpërndarjen e videove të protestuesve palestinezë dhe mureve të ngritura në kufirin e izraelit.

“Më shikoni mua, unë jam një vend simpatik i vogël, udhëheqësit e botës hanë me guxim në dorën time dhe me një puthje i shuaj të gjitha zjarret…Shikoni sa bukur është kur i lëshoj bomba, përsëri, oh po, Izraeli fiton. Për 70 vjet, kjo festë vazhdon”, ka kënduar ajo.

https://www.youtube.com/watch?v=h6LJfB6Ftiw

Ndërsa të papranueshme dhe të turpshme e ka konsideruar këtë gjest Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit.
Në letrën dërguar televizionit holandez BNNVARA mes të tjera është shkruar se “Duke treguar video të trishtuara dhe dëshpëruese si një sfond në Konkursin e Këngës në Eurovizion nuk ishte thjesht shije e keqe, ajo ishte gjithashtu e papranueshme dhe e turpshme”.

Izraeli do të jetë vitin tjetër nikoqir i Eurovizionit, për të katërtën herë. Pak ditë pasi Netta fitoi Eurovizionin me këngën ‘Toy’ rreth 50 palestinezë humbën jetën në luftim me trupat izraelite në kufirin mes dy vendeve. / KultPlus.com

‘Ekrani i Artit’ këtë vit me program të pasur artistik

Edicioni i dytë i “Ekrani i Artit” vjen si një bashkëpunim i Art House me festivalin ndërkombëtar të filmit “Lo schermo dell’arte” në Firenze.

Lo schermo dell’arte është një festival ndërkombëtar i filmit i cili organizohet që nga 2007 në qytetin e Firences në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra për artin, akademi e universitete italiane e ndërkombëtare.

I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione, video, takime me artistë e kuratorë, rezidenca për artistë ndërkombëtare, produksione dhe shpërndarje të filmave.

Këtë vit, programi i përzgjedhur sjell filma, dokumentarë e video që janë shfaqur vitin e fundit në festivalin e filmit, i cili shënoi edhe dhjetë vjetorin e themelit të tij.

Të ftuar të veçantë të Ekrani i Artit do të jenë Silvia Lucchesi, drejtoreshë e “Lo schermo dell’arte”, Leonardo Bigazzi, kurator i VISIO European Programme on Artists’ Moving Images, Rä di Martino, regjisore e “Controfigura”, njërit prej filmave që do shfaqen, Driant Zeneli, artist pjesëmarrës në programin VISIO 2017 me videon “It would not be possible to leave planet Earth unless gravity existed” si dhe muzikantët Admir Shkurtaj e Giorgio Distante.

Ditët e Ekranit të Artit, krahas projeksioneve, do të shoqërohen edhe nga momente muzikore, biseda e prezantim libri.

Programi
E premte 25 maj

Kinema Millennium

17:00 Hapja dhe fjalët përshëndetëse
17:30 “Equivalent Units”- Danilo Correale, Itali/SHBA, 2017, 19′
18:00 “Koudelka: Shooting Holy Land”- Gilad Baram, Izrael, 2015, 72’

E shtunë 26 maj

Art House
10:30 Bisedë me regjizoren Rä di Martino
Teatri Migjeni
12:30 Performancë muzikore nga Admir Shkurtaj
Kinema Millennium

17:30 “Deep Sleep”-Basma Alsharif, Kuvajt/SHBA, 2014, 12’45”
18:00 “Thomas Hirschhorn: Gramsci Monument”, Angelo A.Lüdin , Zvicër, 2015,94’
20:00 “In Art We Trust”- Benoît Rossel, Zvicër/Francë, 2017, 85’

E diel 27 maj

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

12:00 Promovimi i librit “Dhoma e Dritshme” i Roland Barthes, përkthyer në shqip nga
Zef Paci
Kinema Millennium
17:00 “It would be impossible to leave the earth unless gravity existed”- Driant Zeneli,
Shqipëri, 2017, 13′ 41”
17:30 “Séance”-Yuri Ancarani, Itali, 2014, 30’
19:30 “Controfigura”- Rä di Martino, Itali/Zvicër/Francë/Marok, 2017, 75’
Qendra Rinore Arka

21: 30 Koncert me Admir Shkurtaj e Giorgio Distante

Çmimi ‘Ardhje 2018’ do të ndahet me datë 1 qershor

Me datë 1 qershor do të hapet ekspozita e finalistëve të Çmimit Ardhje 2018, kuruar nga Alban Hajdinaj.

Ngjarja do të fillojë në orën 19:00, në Galerinë Zeta – Tiranë, shkruan KultPlus.

Fituesi i Çmimit Ardhje 2018 do të shpallet gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës, përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Barnabas Bencsik, Anthony Elms dhe Alketa Ramaj.

Finalistët e Çmimit Ardhje 2018 janë: Blerina Muça, Fatlum Doçi, Remijon Pronja dhe Sokol Peçi.

BLERINA MUÇA u lind në vitin 1985, në Fier. Ajo studioi dhe u diplomua në vitin 2008, në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe aktualisht jeton e punon. Ndër ekspozitat më të rëndësishme që ka marrë pjesë përmendim: “Çmimi Idromeno”, Galeria e Arteve, Shkodër (2017); “…në një ditë si gjithë të tjerat”, Zeta Galeri, Tiranë (2015); Onufri XVIII. “Piktura e Jetës Moderne”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2011).

FATLUM DOÇI u lind në vitin 1991, në Shkodër, ku aktualisht jeton dhe punon. Studioi dhe u diplomua në Atelienë e Multimedias, Universiteti i Arteve në Tiranë, në vitin 2015. Ndër ekspozitat ku ka marrë pjesë përmendim: Bienalen e Humorit dhe Satirës, Gabrovo, Bullgari (2017); Mediterranea 18 – Bienalja e Artistëve të Rinj, Tiranë (2017); “Ngjan si”, Zeta Galeri, Tiranë (2017); “Inside Out”, Tirana Art Lab (2016); Çmimi Idromeno, Galeria e Arteve, Shkodër (2015); arTVision – A Live Art Channel, Qendra M’ARS për Artin Bashkëkohor, Moskë (2015).

REMIJON PRONJA u lind në vitin 1984 në Tiranë, ku aktualisht jeton dhe punon. Studioi në Itali dhe mori MA shkencor në pikturë, në Universitetin e Breras, Milano dhe MA shkencor në departamentin e kërkimeve për artin bashkëkohorë në Universitetin e Breras, Milano (2011). Ka realizuar tre ekspozita individuale: “Inno alla Gioia”, Galleria Opere Scelte, Torino (2018); “Untitled in Allegro Moderato”, Zeta Gallery, Tirana (2017), dhe “rex anonymous”, Ku(rz)nthalle Bregenz, Austri (2014). Ka marrë pjesë në një numër ekspozitash në grup: “Exgratia” Collezione Giuseppe Iannaccone, Milano (2018); “Çmimi Idromeno”, Galeria e Arteve, Shkodër (2017); Mediterranea 18 – Bienalja e Artistëve të Rinj, Tiranë (2017); “Balena e cila ishte nëndetëse”, Ludëig Museum, Budapest (2015); “Post Young Albanian Artists”, Museo Pino Pascali, Bari (2013); Onufri XIX. “Ndoshta të ëndërrosh”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2012).

SOKOL PEÇI u lind në vitin 1984 në Tiranë, ku aktualisht jeton dhe punon. Ai studioi për art pamor në Itali, ku u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Venezia (2008) dhe mori MA, në Akademinë e Arteve të Bukura në Bologna (2013). Ndër ekspozitat më të rëndësishme përmendim: “Double Feature #9”, Tirana Art Lab (2017); “T.I.C.A. Rezidenca #7”, Zeta Galeri, Tiranë (2011); “Ëhat is Ëaiting Out There”, Bienalja e 6-të e Berlinit (2010); “Efiçenca simbolike e kornizës”, Bienalja e Tiranës – Projekti satelitor (2009); Onufri XVI. “Dëshira dhe dëshmi”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2009); Ekspozita e 87 Kolektive, Fondacioni Bevilacqua la Masa, Venecia (2003). / KultPlus.com

Mozaikët e fshehur të Butrintit, tani të prekshëm dhe për publikun

Shqipëria zotëron shumë site arkeologjike, të pasura me mozaikë. Disa prej këtyre mozaikëve janë bërë objekt studimi dhe restaurimi ndër vite, të tjerë mozaikë presin të studiohen, restaurohen si dhe dokumentohen nëpërmjet publikimeve shkencore.

Për këtë arsye, specialistët e mozaikëve, Agron Islami dhe Marie-Patricia Raynaud sollën sot vëllimin e parë të serisë “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë”, një botim i çmuar, i cili i dedikohet mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit, që u pubikua për publikun në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Publikimi “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë” është një seri vëllimesh të cilat pasqyrojnë rezultatet e punës disa-vjeçare të hulumtimit në terren të dyshemeve me mozaik (mozaikë, opus sectile dhe veshje me pllaka ose plloça) në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Botimi përmban një format të madh ku përfshihen planimetri të lexueshme dhe dokumentacion fotografik i shfrytëzueshëm me ngjyra. Publikimi pasqyron një inventar të detajuar të të gjithë mozaikëve në Butrint të dokumentuara sipas fishave të dedikuara për këtë tipologji.

Ky është një nga botimet e para që ndodh në këtë fushë,me të cilin kurorëzohen 5 vite punë, të stafit të ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me ambasadën franceze dhe ekspertët francez. Këto specialistë kanë vite që punojnë dhe studiojnë në terren duke sjellë një punë të denjë kërkimore dhe me shumë vlerë të këtyre mozaikëve.

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se ”kjo është një iniciativë të cilën e kam ndjekur me shumë interes dhe me një lloj pasioni që unë ndjejë për trashëgiminë kulturore”./ KultPlus.com

Përse besa e shqiptarit është vetëm një legjendë?!

Poezi e shkruar nga Arben Duka.

Sot asgjë në Shqipëri,
nuk është si njëherë,
sepse fjala besë e nder,
nuk ka asnjë vlerë!

Po sistemi që jetojmë,
s’e sheh si të metë,
besa rron nëpër legjenda,
se s’është e vërtetë!

Dhe për nderin e shqiptarit,
s’kam pse ju flas kot,
sepse po të jesh i ndershëm,
të quajnë idiot!

Nga ata-që këto vite,
vendin kanë drejtuar,
karakteri i shqiptarit,
është deformuar!

Vërtet që kemi arritur,
në një ditë të keqe,
se të shumtëve u shkon mëndja,
për kurthe e leqe!

Iku me besën e nderin,
edhe burrëria,
ndaj si monument u ngrit,
vetëm ligësia!

Janë shpërfytyruar krejt,
të rinjtë dhe të vjetrit,
mendojnë sa më të thellë,
t’ja bëjnë gropën tjetrit!.

Që nga majë e piramidës,
gjer tek vegjëlia,
tipari më kryesor,
është hipokrizia!

Flasin me radhë hipokritët,
për bashkëjetesë fetare,
po shqiptarët fe e Zot,
nuk besojnë fare!

Pisllëku dhe pabesia,
tani quhen vlera,
nderohet pederastia,
dhe vese të tjera!

Mashtrimi dhe spihunllëku,
sërish quhet vlerë,
dhe në fakt s’jemi në krizë,
jemi në humnerë!

S’diskutohet që jetojmë,
në kohë mizore,
kemi humbur që të gjitha,
ndjenjat njerëzore!

Injoranca e bën ligjin,
jo njerëzit e ditur,
sepse vetëm budallenjtë,
mund t’i mbash të shtypur!

Nëse vlera kemi patur,
i ka marrë lumi,
se rri në ballë të trapezit,
vulgu edhe llumi!

Një rikthim tek kohë e burrit,
nuk kam asnjë shpresë,
besa rron nëpër legjenda,
se nuk kemi besë!

E vështirë që të dalim,
nga gjithë kjo humnerë,
nderi rron nëpër legjenda,
se nuk kemi nder!

HAT-TRICK nga Kosova për Botën

FIFA dhe UEFA do të pushtohen sivjet nga tri vajzat kosovare, shkruan KultPlus.

Era Istrefi, Rita Ora dhe Dua Lipa, janë këngëtaret tashmë me famë botërore të cilat kanë ngjitur majat e suksesit përmes zërave të tyre. Kësisoj, sivjet që të tria do të këndojnë në ndeshje futbollistike të cilat përcillen nga e gjithë bota.

Era Istrefi është zëri që do të kumbojë sivjet në gjithë Kampionatin Botëror që sivjet mbahet në Rusi. Era është ajo që do ta këndojë këngën e Botërorit bashkë me dy emra të mëdhenj siç janë Will Smith dhe Nicky Jam.

Dua Lipa dhe Rita Ora, janë vajzat nga Kosova të cilat janë rritur jashtë vendit nga vijnë e të cilat po mahnitin botën me zërat e tyre.

Dua Lipa do ta bëjë hapjen e ceremonisë finale të Ligës së Kampionëve ndërsa Rita Ora është sponsorizuar nga UEFA për turneun ‘The Girls Tour’ si pjesë e fushatës së tyre “Together #WePlayStrong”.

Tashmë si çdo herë tjetër është bërë edhe fotografia e vajzave kosovare nga faqja Images of Kosovo, me mbishkrimin HAT-TRICK./ KultPlus.com

Mediat serbe sulmojnë Era Istrefin: “Këndoi e zhveshur në kishë, tash po e hapë Botërorin”

Lajmi që Era Istrefi do të jetë pjesë e këngës zyrtare të Botërorit në futboll Rusia 2018 është dhënë edhe në mediat serbe.

Gazeta “Blic” e quan kontraverse këngëtaren nga Prishtina duke thënë se ajo ka kënduar gjysmë e zhveshur në objektin e Kishës Ortodokse të Serbisë, duke aluduar në një videospot të saj të publikuar vite më parë.

“Ajo synon me anë të paraqitjeve provokative të tërheq vëmendjen ndërkohë që para 4 vitesh është akuzuar për shkak të videospotit kontravers të këngës ‘E dehun’, në të cilin gjysmë e zhveshur vallëzon në tempullin e kishës Krishti Shpëtimtar në Prishtinë”, shkruan gazeta “Blic”, transmeton mapo.

FIFA do ta prezantojë Himnin e Botërorit 2018 më 25 maj.

Panairi “Harmonia e Kulturave” bashkon në Shqipëri studentë të huaj

Panairi “Harmonia e Kulturave” ka mbledhur së bashku në Tiranë të rinj studentë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës, që studiojnë në Shqipëri, për të promovuar kulturën e vendeve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapje të panairit njëditor ishte i pranishëm zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, i cili në fjalën përshëndetëse tha se studentët pjesëmarrës në panair ndihen si në shtëpinë e tyre.

“Është një pamje e mrekullueshme kjo që po shikojmë sot këtu, ku ka studentë nga vende të ndryshme të botës. Nga pikëpamja gjeografike Shqipëria është një vend i vogël, por duke parë diversitetin e bashkëjetesës e shumë elementëve të ndryshëm në këtë vend, nuk është në dorën tonë që të mos mrekullohemi nga kjo pamje. Cilësia më e mirë që i simbolizon shqiptarët është toleranca dhe bashkëjetesa që kanë midis tyre. Në Shqipëri disa terma si racizmi apo terma të tjera negative nuk ekzistojnë. Në këtë pikëpamje, dua të theksoj se Shqipëria është shumë më përpara se disa shtete evropiane”, tha Baş.

Panairi “Harmonia e Kulturave”, ka mbledhur së bashku në Tiranë të rinj studentë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës, që studiojnë në Shqipëri, për të promovuar kulturën e vendeve të tyre. ( Olsi Shehu – Anadolu Agency )

Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra, tha se fondacioni që ai drejton, e ka kthyer në traditë organizimin e panairit të kulturave me rastin e ditës së diversitetit.

“Është viti i tretë që organizojmë këtë aktivitet. Në Shqipëri ka shumë studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët me kontaktet që kanë vendosur me bashkëmoshatarët e tyre nëpër universitete nuk ndihen të huaj. Ato janë integruar në shoqërinë shqiptare dhe si të gjithë studentët vendas edhe ata po vazhdojnë kryerjen e studimeve”, tha Gurra.

Panairi “Harmonia e Kulturave”, ka mbledhur së bashku në Tiranë të rinj studentë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës, që studiojnë në Shqipëri, për të promovuar kulturën e vendeve të tyre. ( Olsi Shehu – Anadolu Agency )

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet shprehu mbështetjen për organizimin e aktiviteteve të tilla.

“Sot ne jemi në një vorbull të rëndësishme të emigracionit dhe të lëvizjeve të kulturave të ndryshme, shpërngulje masive të njerëzve për arsye të ndryshme, por që vendosen në disa sisteme të tjera, të cilat pasqyrojnë atë kulturë dhe trashëgimi që sjellin me vete këto lëvizje të kulturave të ndryshme. E parë në aspektin e shkëmbimeve kulturore mes shteteve të ndryshme edhe Shqipëria është bërë pjesë integrale e kësaj lëvizjeje, duke shkëmbyer jo vetëm emigracion, por edhe kultura të shteteve të ndryshme, nëpërmjet studentëve që vijnë këtu”, tha Hado.

Panairi “Harmonia e Kulturave”, ka mbledhur së bashku në Tiranë të rinj studentë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës, që studiojnë në Shqipëri, për të promovuar kulturën e vendeve të tyre. ( Olsi Shehu – Anadolu Agency )

Në panairin “Harmonia e Kulturave” organizuar nga Fondacioni Arsimor Kulturor Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Turqia, Italia, SHBA-ja, Spanja, Egjipti, Kanadaja, Irlanda, Polonia, Holanda, Kuvajti dhe Palestina prezantuan kulturat e vendeve të tyre në stenda promovuese.

Studentët prezantojnë vendet historike, kulturën, artin, veshjet tradicionale dhe monumentet historike, të shteteve që përfaqësojnë.

Mbahet punëtoria “Procesi për shpallje në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore”

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ( KKTK) më dje organizoi punëtorinë “Procesi për shpallje në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore”. Qëllimi i organizimit të kësaj punëtorie ishte prezantimi i aplikacionit për shpallje të trashëgimisë kulturore materiale në mbrojtje të përhershme së bashku me udhëzuesin. Në punëtori u diskutua edhe për përcaktimin e zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia Kadastral e Kosovës, drejtor dhe zyrtarë nga Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Muzeu i Kosovës, Instituti Arkeologjik etj.

Shafi Gashi kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, bëri hapjen e punëtorisë, fillimisht duke i falënderuar pjesëmarrësit për prezencën e tyre në këtë punëtori, duke vlerësuar së procesi i shpalljes së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonave të mbrojtura është mjaftë i rëndësishëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kjo punëtori është në kuadër të mandatit dhe në vazhdën e punës së KKTK për shpalljen e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershëm.

Isuf Koci udhëheqës ekzekutiv i KKTK, bëri prezantimin e aplikacionit së bashku më udhëzuesin për plotësim. Për të pranishmit në punëtori, z. Koci ndau praktikat për format e aplikacioneve në rajon dhe me gjerë.

Përvojat me procesin e shpalljes në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimin e zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore ndan panelistë vendor dhe nga rajoni. Historiani i artit Fejaz Drançolli si dhe arkeologet nga Shqipëria Ols Lafe dhe Elio Hobdari.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencia Kadastral e Kosovës, shprehen gatishmërinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të gjitha çështjet që ndërlidhen me fushën e trashëgimisë kulturore.
Kjo punëtori ofroi mundësinë pjesëmarrësve që të japin imputet e tyre profesionale dhe të kontribojnë që procesi i shpalljes në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të jetë profesional dhe transparent.

Në mbyllje të kësaj punëtorie të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që brenda një afati të shkurtër të japin vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet lidhur më aplikacioni dhe udhëzuesin e prezantuar nga KKTK./ KultPlus.com

Libohova, qyteti i rilindur me një panoramë të re (VIDEO)

Libohova, qyteti i ndodhur rreth 11 km në juglindje të Gjirokastrës, me një bukuri natyrore magjepsëse dhe monumente me vlera kulturore, falë programit kombëtar të Rilindjes Urbane, po kthehet në një atraksion turistik për qytetarët vendas e të huaj.

Një bashki e vogël, ku njerëzit kishin mbetur peng i rrënimit të së shkuarës, sot po rilind falë investimeve të kryera.

Rilindja Urbane në Libohovë së shpejti do t’i dhurojë qytetit një panoramë të re, duke transformuar dhe rijetëzuar qendrën e qytetit, rrugë dhe objekte me rëndësi historike. Investimi prej më shumë se 134 milionë lekë, i cili parashikon rehabilitimin e plotë të 10 mijë metrave katrorë, është drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtues të pushtetit vendor pa nga afër punimet që po e shndërrojnë qytetin nga një zonë të shkretë nga pikëpamja infrastrukturore, në një mjedis funksional e tërheqës për qytetarët dhe turistët.

Ministrja Kumbaro shpjegoi se rehabilitimit të plotë do t’i nënshtrohen edhe godina e bashkisë, shkollës, unaza e qytetit, por edhe i zonës historike, me restaurimin e sarajeve të Myfit bej Libohovës.

“Në total janë rreth 10 mijë metra që rehabilitohen, por pjesë e projektit është edhe restaurimi i shkollës, bashkisë, kemi edhe restaurimin e Sarajeve të Libohovës që është një pjesë historike e rëndësishme dhe unaza gjithashtu. Ideja është që të bëhet këmbësore e gjithë shëtitorja. Që tani kanë filluar edhe investimet private që deri dje nuk iu shkonin në mendje, të lokaleve rreth e rrotull sheshit”.

Sipasa saj, kemi gati edhe projektin për rikualifikimin e zonës së kalasë së Ali Pashë Tepelenës, me gjithë ndriçimin përkatës.

Punonjës të bashkisë së Libohovës bëjnë të ditur se “ustallarët e zonës janë mjeshtra të vërtetë dhe në periudhën e verës në darkë rruga do të kthehet në pedonale”.

Banorët e Libohovës shprehen se Libohova vërtet është një qytet i vogël, por i bukur.
“Këtu ka ndryshuar gjithçka më parë çdo gjë ishte e vjetër, ndërsa tani ka dalë diçka shumë e bukur dhe po afrohen sa më shumë njerëz në Libohovë”, thotë një i ri libohovit.

Ndërsa një tjetër banore thotë se “tani vijnë më shumë turistë se më përpara. Çdo gjë ka ndryhsuar nuk është investuar ndonjëherë në Libohovë sa është investuar tani”.

Banorë të tjerë theksojnë se kënaqen njerëzit vijnë shumë vizitorë, më parë ishte rrugë makine.Kjo punë e bukur që u bë do të mbetet në mendje për të gjithë libohovitët, sepse u bë diçka e bukur, po ruhet kultura e Libohovës”.

Sipas studiuesve, Libohova e ka marrë emrin pas shekullit VI, pasi sllavët u dyndën dhe pushtuan Arbërinë. Mbi këtë emër, mendohet të ketë dy kuptime; i pari Libohova, vend buzë fushës, luginës dhe i dyti, Libodo, që do të thotë i dashur, me kuptimin vend i bukur dhe prapashtesa përkëdhelëse.

Qyteza e vogël shquhet për kalanë e Ali Pashë Tepelenës, dhuratë e motrës së tij Shanishanë. Shanisha u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova dhe kalaja ishte paja e Ali Pashës për të motrën. Shanishaja tashmë prehet në varrezat në jug të kalasë. Kalaja kishte një pozicion strategjik dhe kontrollonte gjithë luginën.

Zona ku shtrihet qyteti ndahet nga disa përrenj në zona të veçanta shkëmbore në të cilat burojnë ujërat e kristalta dhe të ftohta të burimeve të Zhepes, te Lozes etj.

Në qendër te Libohovës ndodhet rrapi shumëshekullor mbi 560 vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrepë të tjerë. Ata i japin qytetit gjelbërimin, bukurinë dhe freskinë verore.

Gjithashtu bien në sy, në qendër të qytetit, sarajet e bejlerëve të Libohovës.
Kalaja e Libohovës, me katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, është një fortesë me përmasa të konsiderueshme./ata

Trishtim

Poezi e shkruar nga Herman Hesse.

Ç’më ngrohte gjer dje plot shije,
Sot vdekja e mban në gji.
Lule pas lulesh bien
Nga pemë e trishtimit tani.

I ndiej si bien, bien
Si borë që rrugën mbulon,
Dhe hapat më nuk ndihen,
Një heshtje e gjatë afron.

Në qiell s’ka yje as hënë.
Në zemër s’ka dashuri.
Gjer tutje një heshtje ka rënë
Dhe bota u mplak e u mpi.

Kush mbron dot zemrën një fije
Nga koha plot ligësi?
Lule pas lulesh bien
Nga pemë e trishtimit tani.

Miratohet Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari”

Anëtarë të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural kanë miratuar sot projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Kjo pikë nuk ka qenë në rend të ditës të komisionit por ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ajo që propozoi që sot të hedhet në votim ky projektligj.

Anëtarët e Komisionit e kanë votuar projektligjin në parim dhe i njëjti do të procedohet në Kuvend.

Komisioni do të shqyrtojë projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje./ KultPlus.com

Olga Tokarczuk, fituese e Man-Booker International

Shkrimtarja polake, Olga Tokarczuk fitoi çmimin ndërkombëtar “Man-Booker”, një vlerësim që shpërblen shkrimtarët, të cilët bazohen në ngjarje joreale, për librin e saj “Pelegrinët”.

Juria nxori në pah “imagjinatën” dhe “elegancën artistike’’ të Tokarczuk.

Autorja dhe përkthyesja do të ndajnë shumën prej 57 000 euro të çmimit për një vepër të botuar në vitin 2010 në versionin e saj në gjuhën franceze.

“Pelegrinët” (“Flights” në gjuhën angleze ) është një axhendë e udhëtimeve të mbledhura në një mori tekstesh të shkurtra për të formuar një panoramë të gjallë të jetës nomade, ku udhëtimi i preferuar i Frédéric Chopin mes Varshavës dhe Parisit të shekullit XIX ndeshet me udhëtimet e gjata të një kirugu flamand të shekullit XVII, Philip Verheyen.

E konsideruar si më e talentuara e romancierëve të gjeneratës së saj në Poloni, Olga Tokarczuk, 56 vjeçe, është autorja e dhjetëra veprave, të përkthyera në më shumë se 25 gjuhë të huaja dhe të vëna në skenë apo në ekranin e vogël.

“Skënderbeu” i pikturuar nga një turk

Atanur Dogan është turku i parë që pikturon portretin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Këtë e bëri në ngjarjen më të madhe të akuarelit në rajonin e Ballkanit, me pjesëmarrjen e dhjetëra artistëve nga e gjithë bota që prej disa vitesh zhvillohet në vendin tonë, këtë herë me vendodhje, sallën e Universitetit të Arteve.

“Artisti Helidon Haliti më tha që është një vit i rëndësishëm për ju, “Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut”. Mendova, atëherë ai është portreti i duhur”.

E distancon veten nga deklaratat si zyrtare dhe qëndrimet personale të bashkëkombësve të tij kundër figurës së Skënderbeut.

“Unë jam një njeri i zakonshëm i rritur dhe shkolluar në Turqi. E di që ju jeni shumë të ndjeshëm ndaj figurës së Skënderbeut, çdo vend është në të drejtën e tij të mbroj kulturën, historinë dhe figurat përfaqësuese. Situatat në atë kohë ishin që Skënderbeu të luftonte Perandorinë Otomane si kjo e fundit pushtoi shumë vende. Le ta respektojmë historinë”, raporton Klan.

Për të mbërritur tek kjo pamje, artisti turk i është referuar disa portreteve të realizuara nga skulptorë të ndryshëm. Imagjinata në “Skënderbeun në akuarel” zë pak vend.

“Si model mora këtë portret, më duket tejet realist, shpreh një karakter të fortë, përcaktues dhe të zgjuar”.

Në portretin e Heroit tonë Kombëtar, pikturimi i syve thotë Atanur Dogan ishte sfida në këtë portret.

“Sytë ishin sfidë më vete, ata duhet të tregojnë një njeri të gatshëm për të mbrojtur vendin e tij, është me të vërtetë një hero”.

Kjo vepër është fillimi i një detyre që artisti turk i vuri vetes në nisje të pikturimit të drejtpërdrejt për publikun e shumtë në sallë. Ajo do të shërbejë si model për realizimin e një pikture në përmasa të mëdha.

Vjen edicioni i pestë i “Mirëdita, dobar dan” në Beograd

Javën tjetër, më datë 30 maj fillon edicioni i pestë i Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, i cili organizohet në Beograd dhe zgjat deri më 2 qershor, shkruan KultPlus.

Ky festival përmban një mundësi unike për të prezantuar skenën artistike dhe kulturore të Kosovës për audiencën e Begoradit. Duke i prezantuar publikut performanca të ndryshme, që përfaqësojnë skenën kulture artistike moderne të Kosovës, festivali ka për qëllim të inicioj ndryshime kulturore dhe sociale në Kosovë dhe Serbi. Festivali mëton që të krijojë një traditë bashkëpunimi përmes artit, e cila do të kontribuoj në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ngjashëm me vitet e kaluara, vizitorët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth skenës kulturore të Kosovës, përmes perfornancave muzikore, filmave, koncerteve dhe ekspozitave. Përveç kësaj, një pjesë e festivalit i dedikohet debateve dhe diskutimeve mbi të kaluarën dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe rrjetizimit mes dy shoqërive.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” 2018 do të hapet zyrtarisht me 30 Maj, me shfaqjen e filmit “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit, fitues i çmimeve Critics’ and Special Jury prizes në Tallinn Black Nights Film Festival. Në të njëjtën ditë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor do të prezantohet ekspozita e karikaturistëve nga Kosova dhe Serbia: Murat Ahmeti dhe Mentor Llapashtica dhe Predrag Koraksic Corax e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”. Gjatë ditëve tjera të festivalit, vizitorët do të kenë mundësi të jenë pjesë e kulturës kosovare përmes muzikës, nën përformancën e pesë artisteve të talentuara të Ansamblit “Zánat”, instalacionin me fotografi të Eliza Hoxhës të titulluar “Midis ëndrrës dhe realitetit“ e cila do të prezantohet për adhuruesit e artit pamor dhe kontemporan. Përderisa, shfaqja teatrore “Copë – Copë” me regji të Zana Hoxha Krasniqit, do të ilustroj një vështrim më të thellë të procesit të kujtimeve dhe transformimit të dhimbjes. Këtë vit, debati do të fokusohet në ekspolorimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, me temën “Kosova – Serbia: Kush jemi ne për njëri tjetrin?”

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” 2018 do të jetë prezent në loakcione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas. Për më shumë informacion rreth festivalit, ju lutemi ndiqni uebfaqen ëëë.mireditadobardan.com dhe faqen e FB.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Prestigjiozja amerikane: Rama, ish-kryebashkiaku që transformoi Tiranën në një metropol të fuqishëm

Prestigjiozja amerikane “Lonely Planet” ka renditur Tiranën ndër 10 vendet më të mira të Europës për t’u vizituar nga turistët.

Në artikullin e saj, “Lonely Planet” shkruan gjithashtu se Tirana është vërtet një metropol plot energji që ka përjetuar një transformim rrënjësor, falë ish-kryebashkiakut që tani është kryeministri i Shqipërisë.

“Ai i ktheu ndërtesat e mërzitshme dhe gri, në disa pallate shumëngjyrëshe, inkurajoi banorët që të linin makinat për të përdorur biçikletat, dhe rivendosi fokusin në hapësirat e gjelbra të qytetit. Rezultati është vërtet bindës”, thotë “Lonely Planet”.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook shkrimin e “Lonely Planet”.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën që të shkoni vetë deri tek numri 10 në listën e dhjetë vendeve më të mira për t’u vizituar këtë vit në Europë e pastaj t’i lini të vazhdojnë “kokat e mëdha” të klubit të llafeve të Tiranës të thonë se Tirana është bërë qytet i pajetueshëm ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama.

“Dikush vështirë se do të impresionohej lehtë, nëse do t’i tregonin një destinacion udhëtimi më të mirë sesa Tirana, një qytet që gjendet mes brigjeve të Adriatikut dhe Alpeve Shqiptare. Por ky nuk është thjesht një qytet hyrës për në këtë vend, është vërtet një metropol plot energji që ka përjetuar një transformim rrënjësor, falë ish-kryebashkiakut që tani është kryeministri i Shqipërisë. Ai i ktheu ndërtesat e mërzitshme dhe gri, në disa pallate shumëngjyrëshe, inkurajoi banorët që të linin makinat për të përdorur biçikletat, dhe rivendosi fokusin në hapësirat e gjelbra të qytetit. Rezultati është vërtet bindës”, thotë “Lonely Planet”.

Prestigjiozja evidenton mrekullinë që ofron mali i Dajtit, ku nuk duhet humbur edhe një udhëtim me teleferik për të shijuar pamjen panoramike dhe më pas për të shijuar ushqimin tradicional. Mbrëmjet në zonën e njohur si ish-“Blloku”, janë një tjetër element që veçohet nga “Lonely Planet”, ku turistët mund të shijojnë atmosferën fantastike. “Një ditë tipike në Tiranë, përfshin një xhiro me teleferik nga qendra e qytetit në majën më të lartë, në malin e Dajtit. Pamje panoramike, eksperiencë me ushqim tradicional dhe bio, në restorante lokale, dhe më pas një tur në baret e shumta natën, në vende ku shërbehen koktejle, dhe bare të dizenjuara në bazë të trendit të fundit në lagjen e ish-Bllokut, njëherë e një kohë, territor i bosave të korruptuar komunistë”, shkruhet më tej në artikullin e një prej faqeve më të njohura në botë për turizmin.

Media spanjolle jehonë rrugëtimit muzeal më të veçantë në Tiranë

Media ndërkombëtare spanjolle Laconexionusa.com pasqyron hapjen e ekspozitës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave “Përmes një Urtësie të pashuar, duke kremtuar Europën në Shqipëri, rrallësi dhe larmi”.

Ajo e nis shkrimin e saj se ”ish-shtëpia e diktatorit Enver Hoxha sjellë këto ditë për herë të parë një koleksion të dorëshkrimeve unike ortodokse bizantine dhe Kuranëve.
Koleksioni përmban rreth 40 dokumente fetare, letrare, filozofike dhe ligjore, të shkruara nga shekulli 6 deri në shekullin e 19-të.

Ato përfshijnë dy kodikë mesjetarë, të njohur në Shqipëri si Kodikët e Purpurt të Beratit, qyteti ku u gjetën, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare por edhe botërore.

Më i vjetër, i shekullit të 6-të, është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe është shkruar me bojë argjendi në pergamenë të purpurt me tekstin grek ungjillor.
“Ajo që e bën këtë kodikë të veçantë është se ka vetëm pesë kopje në botë dhe është perandorake”, shpjegon Sokol Cunga për EFE.

Besohet se ishte shkruar në Kostandinopojë në kohën e perandorit Justinian dhe nuk dihet se si erdhi në Shqipëri.Tjetri, që i përket shekullit IX , përmban 420 fletë pergamene të purpurta me të gjitha tekstet e arta. Në fillim të çdo Ungjillit, faqet janë zbukuruar në ar dhe 4 piktura në miniaturë të ungjilltarëve, duke e bërë atë unik në botë, shpjegon Cunga, specialist në Arkivin Qendror të Shtetit.

Të dy dorëshkrimet janë gjetur të dëmtuar rëndë në vitin 1968 nën dyshemenë e katedrales ortodokse të Virgjëreshës së Beratit, trashëgimisë kulturore të UNESCO-s për arkitekturën e saj tipike osmane.

Ata u riparuan nga kinezët në vitin 1971, kur Shqipëria e Enver Hoxhës kishte marrëdhënie vëllazërore me udhëheqësin komunist kinez Mao Tse Tung.

Ndër dokumentet fetare të besimit islam i shkruar në arabisht dhe persisht është ekzemplari i Kuranit të shek XV , më i vjetëri që gjendet në Shqipëri, i cili deri në vitin 1912 ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

“Ky Kuran është i shkruar në letër me kaligrafinë ku përdoret bloza e bojës,” thotë eksperti i periudhës osman Rezart Pezani i AQSH.

“E gjithë kjo trashëgimi na jep një mozaik shumë të pasur kulturor të popullit tonë, që nga mesjeta, në periudhën osmane deri në lëvizjet nacionaliste të pavarësisë nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX, thekson Cunga .

“Më pëlqen shumë ekspozita, pasi tregon tolerancën fetare laike të popullit tonë të lashtë”, thotë Fatmira Demaj,vizitore.

Shqipëria ka një popullsi prej 2.8 milionë banorë, nga të cilat 57% janë myslimanë, 10% katolikëve dhe ortodoksëve pothuajse 7% (nga regjistrimet e 2011), dhe kurrë nuk ka vuajtur luftërat për arsye fetare.

“Është shumë interesante për të parë Kuranët në krah të Biblave. Njerëzit në Ballkan kanë jetuar në paqe. Konfliktet, duke përfshirë edhe fetare, kanë ardhur nga politika e mësipërme,” tha turistija boshnjake Rada Jovanovic pasi kishte vizituar ekspozitën.

Vizitorë të tjerë janë veçanërisht të interesuar të shohin për herë të parë shtëpinë që shërbeu si vendbanim për diktatorin Enver Hoxha, gruan e tij dhe tre fëmijët e tyre.

Për shqiptarët kjo shtëpi ka qenë një mister, sepse ajo ishte në Bllokun e pakapërcyeshëm të udheheqesve,e ruajtur ditë e natë nga ushtarë të armatosur të cilët nuk lejojnë askënd pranë.

“Kjo është hera e parë që ka qenë e hapur për publikun për një kohë kaq të gjatë”, tha Cunga.

Interesi i madh i vizitorëve, që nga dita e 5-të e hapjes ka tejkaluar 20 mijë vizitorë, detyroi organizatorët të shtynin ekspozitën edhe për një javë, fillimisht të planifikuar për në 20 maj.