Në kuadër të Panairit të Librit u promovua sot “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj

Alberina Haxhijaj

Në sallën e promovimit të improvizuar në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë kanë zënë vend sot edhe dy vëllimet e romanit “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë si çdo vit nuk harron që të iu ofrojë hapësirë edhe shkrimtarëve të ri të cilët po fillojnë që të krijojnë vepra të cilat po kërkohen nga lexuesit. Pikërisht si pjesë e gjeneratës më të re të shkrimtarëve, shkrimtarja Jetlira Avdijaj solli promovimin e romanit të saj më të ri “Valsi i Dashurisë”.

Promovimi i dy vëllimeve të romanit, i cili tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të panairit ishte një befasi e këndshme për autoren. Ajo ishte përgatitur për botimin e librit por jo edhe për promovimin e tij pikërisht në kuadër të panairit, të cilin ajo e konsideron një pasuri.

“Panairi është një pasuri e cila një herë në vit prezantohet dhe i dedikohet të gjithëve. Të gjithë që marrin pjesë në të pasurojnë njohuritë e tyre, me një fjali më shumë, një titull, një libër, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që unë e kam bërë promovimin e librit pikërisht këtu në panair”, tha ajo për KultPlus.

Romani “Valsi i dashurisë”, i cili mund të mendohet se trajton vetëm temën e dashurisë fsheh prapa tij edhe tema të tjera të cilat shkrimtarja i sheh si aktuale në Kosovë. Një libër që ndërthur në mënyrë të përsosur jetët e njerëzve që marrin frymë në botë krejtësisht të ndryshëm.

““Valsi i dashurisë” trajton sfidat, sakrificat, krimin e organizuar, ndjenjat e mbi të gjitha fuqinë kolosale të dashurisë. Libri trajton edhe tema të tilla si krimi, lufta që ndodh brenda familjeve tona prej kundërthënieve, armiqësive që nuk marrin fund pavarësisht se sa shumë ne mundohemi që ato të përfundojnë e sidomos për dashurinë dhe shpresën e cila i mbanë në këmbë dy personazhet kryesore”, tha autorja.

Sipas autores një copë nga jeta e secilit lexues, fshihet në aventurat e rrezikshme të protagonistëve në libër. Libri sjellë historinë e një studentes e cila bie në dashuri me një agjent sekret.

Pikërisht ky libër ka qenë një ndër librat që i ka marrë më së shumti kohë për ta shkruar shkrimtares Jetlira Avdijaj, ndërsa zbuloi për KultPlus, se ajo u ka dërguar shtëpive botuese edhe libra të tjerë të cilët tashmë i ka përfunduar e që priten të publikohen së shpejti.

Në mesin e këtyre librave është romani “Premtimi”, një roman i cili trajton dashurinë në disa aspekte, duke vënë në pah një premtim të dhënë i cili mbetet për të parë nëse do i mbijetojë sfidave që sjellë jeta. Po ashtu në botim është dërguar edhe libri “Simfonia e fundit”, një simfoni e cila po ashtu trajton dashurinë e cila në këtë libër është në presion të vazhdueshëm nga plumbat, një dashuri që kërkon sakrifica.

Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Adem Mikullovci kërkon që Kodi i Ri Penal të bazohet në Kanunin e Lekë Dukagjinit (VIDEO)

Sot në seancën e radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është diskutuar për Kodin e Ri Penal, shkruan KultPlus.

Sa i përket kësaj, në këtë seancë fjalën e mori edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, i cili tregoi se është i pakënaqur me ligjin dhe ai kërkoi që të merren parasysh edhe Kanuni e edhe Pleqnarët. Sipas tij, ligjit nuk po i vije era shqip, dhe kësisoj siç e tha ai: “po bëhemi më Papë se Papa”.

Adem Mikullovci në këtë deklaratë skandaloze, thotë edhe: “Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni”.

Ai po ashtu merr një shembull dhe i pyet deputetët se çfarë mendojnë: “Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni”.

Po sjellim të plotë deklaratën e aktorit, e tash edhe deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Adem Mikullovcit:

“Unë dua të them, ju e dini që nuk jam jurist, por e shfletova materialin dhe u mundova të kuptoj ca gjëra. Por e vërejta dhe nuk më pëlqeu që këtij kodi nuk po i vije era shqip. Mendoj që është dashtë të mbështetën ata ekspertët e juaj pak edhe në tradita e edhe në pleqnarë. Pleqnia jonë ka ditur të zgjidhë konfliktet që nuk kanë ditur as juristët t’i zgjidhin. Por unë u ndala edhe në dhunën familjare. Të kuptohemi që dhuna familjare nuk mund të aplikohet si në Amerikë e Angli e ata tjetër atje, ne jemi tjerë dhe duhet të iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni. Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni. Mandej këtu e përkrahi plotësisht Mialim Zekën, dhe mendoj që pak tepër po mundohemi të bëhemi anglez, si thotë ajo fjala popullore më papë se Papa, nuk po vjen era shqip, e kjo më ka penguar”, ka thënë ai./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2520407978185017/UzpfSTEyNzE0OTY2NzI6MTAyMTU4NTUxNDE1OTI3NDA/

Tirana e Beogradi me marrëveshje të bashkëpunimit mes dy Teatrove

Në Beograd, sot është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Beogradit dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Tiranës, shkruan KultPlus.

Kjo marrëveshje ka ardhë si rezultat i zbatimit të marrëveshjes kulturore që është firmosur mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, vitin e kaluar.

“Kultura pa kufi” – është koncepti ynë për bashkëpunimet midis popujve dhe kjo eshte garancia me e mire per integrim dhe emancipim, ka njoftuar ministrja e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro./KultPlus.com

Ansambli Folklorik “Tirana” sjellë koncertin “Në konak”

Kjo është vetëm pak nga atmosfera që do të krijohet në Muzeun Historik Kombëtar. Këngë e valle të interpretuara nga ansambli i Tiranës, si në një konak mikpritës. Është kjo mënyra që ka zgjedhur Teatri i Metropolit për të mbyllur sezonin artistik.

Pasi ka ofruar 6 premiera për të rritur e më shumë se 4 tituj për të vegjlit, skena e Metropolit ka zgjedhur që në këtë konak plot traditë të mos sjellë vetëm Shqipërinë e mesme, por ansamblit të tyre ti bashkohet edhe Isopolifonia e jugut dhe vallet plot ritëm të veriut.

Mihal Kaçi është një i ri që i është bashkuar grupit të Isopolifonisë në Tiranë, e tregon se njëlloj si në jug pret që edhe në kryeqytet të duartrokitet kjo kryevepër e trashëgimisë botërore.

Koncerti do të mbahet mbrëmjen e kësaj të enjteje në ambientin e jashtëm të Muzeut Historik Kombëtar për të manifestuar përmes traditës një vit artistik që Teatri i Metropolit mbyll, për të rinisur sërish në shtator./ KultPlus.com

Rruga në Gjilan që mban emrin e diktatorit Enver Hoxha (FOTO)

Në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në fshatin Velekincë është një rrugë e emërtuar me emrin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, dhe pikërisht ky emërtim ka bërë që një grup i qytetarëve të reagojnë, të cilët kanë kërkuar në adresë të Lutfi Hazirit që të largohet ky emërtim i kësaj rruge, shkruan KultPlus.

Dritan Dema është iniciatori i kësaj kampanje, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë thirrje që ti shkruajnë Lutfi Hazirit, kryetarit të Komunës.

“Në Komunën Gjilan të Republikes se Kosovës, siç rezulton në foton e hartës ka nje rruge te emertuar në emer te Diktatorit Hoxha. Ftojme te gjithe te interesuarit ti dergojne një email Kryetarit te kesaj Komune në adresen: lutfi.haziri…Le t’ja kujtojmë Z. Haziri dhe kujtdo tjeter qe e ka te nevojshme se në Republiken e Shqiperise jane mbi 5000 persona të zhdukur, gjate periudhes se rregjimit te diktatures komuniste”, ka shkruar Dema, statusi i cili më pas është shpërndarë nga shumë qytetarë.

Në lidhje me këtë, redaksia e KultPlus ka provuar të kontaktojë kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, kurse se ekziston një rrugë me një emërtim të tillë, të gjithë qytetarët mund ta vërtetojnë edhe nëpërmjet google.map./KultPlus.com

Historianët shqiptarë ende citojnë dokumentet e falsifikuara nga serbët, edhe ato të Kongresit të Berlinit?!

Po sjellim një intervistë të historianit Jusuf Buxhovi, të realizuar vitin e kaluar, por që përkon shumë edhe me aktualitetin.

Kështu vlerëson hisoriani i njohur Jusuf Buxhovi në një intervistë për revistën “Milosao” të Tiranës, me ç’rast ai sqaron edhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjë me fanatizmin antishkencor të shumë historianëve zyrtarë të Tiranës dhe Prishtinës që të ruhen stereotipet ideologjike të së kaluarës si dhe “reçetat” e Beogradit rreth gjoja “shtetit mesjetar” serb në Kosovë, që asnjëherë nuk ka ekzistuar!

“Milosa”:Ribotimi i Kongresit të Berlinit sjell në vëmendjen e publikut dokumentet, aktet dhe letrat e shumë subjekteve. Pse i sollët sërish për publikun shqiptar?

J. Buxhovi: Libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878” i takon filleve të punës sime hulumtuese shkencore në historiografi nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Ky libër monografik mbështetet mbi temën e magjistraturës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”, e mbrojtur në vitin 1979 në katedrën e Historisë së Universitetit të Kosovës. Botimi i vitit 2008, ishte një rast i mirë që tema e magjistraturës të plotësohet me një kundrim më të gjerë të problematikës, duke u parë në tërësinë e Kongresit të Berlinit, gjë që asaj i ka dhënë një dimension më të thellë.

“Milosao”:Juve personalisht jeni i ndarë mes kërkimeve, publicistikës dhe sidomos krijimit letrar. Sa e ndihmojnë njëra-tjetrën përpjekjet individuale në disa fusha?

J. Buxhovi: Publicistikën e kam profesion të mirëfilltë jetësor. E kam filluar në vitin 1967 si gazetar i “Rilindjes” për ta vazhduar dhe përfunduar në vitin 2008 në Bon të Gjermanisë si korrespodent i përhershëm i kësaj të përditshme shqiptare në këtë vend. Pra, për dyzet vjet pune aktive, gazetaria më ka ndihmuar shumanshëm. Megjithatë, gazetaria mund të jetë e dëmshme në krijimtarinë letrare, po qe se nuk lirohesh nga sipërfaqësia e saj që ia imponon dinamika, dhe veçmas e papërshtatshme në fushën e hulumtimeve shkencore, po qe se faktografia mbetet në nivelin e trajtimit publicistik.

“Milosao”:Çfarë pasojash ka sjellë Kongresi i Berlinit prej vitit 1878, në ditët tona. A mendoni se ky ishte shkaku kryesor që mori trajtë Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe u përmirësua përpjekja për pavarësinë e vendit?

J. Buxhovi: Kongresi i Berlinit i vitit 1878 duhet parë në frymën e zhvillimeve të njohura që solli Kriza Lindore, me çka u bë e ditur se fundi i Perandorisë Osmane në pjesën evropiane do të përcillej me lëvizje të mëdha gjeostrategjike, të cilat, duhej të mbaheshin nën mbikëqyrje nga Fuqitë e Mëdha të kohës, veçmas pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1871 dhe shfaqjes së saj në skenën politike si faktor i rëndësishëm. Meqë pansllavizmi rus në këtë hapësirë ishte shumë aktiv dhe po përdorte lëvizjet nacionale të botës ortodokse (grekëve, serbëve, malaziasve, rumunëve dhe bullgarëve) për interesa të veta, atëherë ishte e natyrshme që edhe oponentët e saj, Austro-hungaria dhe Italia të përdornin lëvizjet tjera nacionale, veçmas atë të shqiptarëve për qëllime të veta, pra që të mbrojnë interesat e tyre në hapësirën evropiane te Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, pas luftës serbo-turke të vitit 1877 dhe asaj ruse-turke të vitit 1878, pra pas Paqes së Shën Stefanit, e cila Serbisë i lejoi zgjerim në pjesët shqiptare (nga Nishi deri në Kurshumli) si dhe krijoi Bullgarinë e Madhe (ku u prekën edhe disa pjesë të etnisë shqiptare), ishte i pashmangshëm edhe reagimi shqiptar, që pasoi me thirrjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren disa ditë para se Kongresi i Berlinit të fillonte punimet.
Natyrisht se për një reagim të tillë të shqiptarëve, që si dihet, filloi me moton e “mbrojtjes së vatanit nga copëtimet sllave dhe greke” dhe përfundoi me një lëvizje politike ndër më të fuqishmet që i hapën rrugë zhvillimeve që do të çojnë tridhjetë e katër vite më vonë deri te shpallja e shtetit të pavarur shqiptare, ishin të interesuar edhe fuqitë qendrore (Austrohungaria, Gjermani dhe Itali), siç ishte e interesuar edhe vetë Perandoria Osmane, e cila te reagimi i shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre, shihte mundësinë për t’i shpëtuar trysnisë ruse, por pa dividentë politike (autonominë brenda Perandorisë), siç kërkonin shqiptare. Ka shumë dokumente mbi të cilat mbështeten këto qëndrime, vlerësimi analitik i të cilave, nxjerr në pah pjekurinë politike të elitës politike shqiptare të Kohës që procesi i pashmangshëm i rënies së Perandorisë Osmane të shfrytëzohet në përputhje edhe me interesat e atyre fuqive të mëdha të cilat pansllavizmit mund t’i kundërvihen me futjen në lojë të kartës së faktorit shqiptar, që nuk mund të ishte tjetër pos me lindjen e një shteti shqiptar, pa marrë parasysh përmasat e tij etnike.
Shikuar nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptarëve e Prizrenit e vitit 1878, në arenën ndërkombëtare, e promovoi politikisht nacionalizmin shqiptar të mbështetur mbi faktorin gjuhë siç e vuri në binarët e pashmangshëm dhe të pandalshëm pavarësinë e Shqipërisë.

“Milosao”:Kush ju ka ndihur në këtë përpjekje të stërmadhe dhe a mendoni se keni pasur pengesa në punën tuaj?

J. Buxhovi: Puna ime hulumtuese dhe shkencore duhet parë në kuadër të zhvillimeve shoqërore dhe politike të kohës. Pra, ato të viteve të gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta nëpër të cilat kaloi Kosova, që lidhen me emancipimin politik, kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, të cilat , pas ndryshimeve kushtetuese të viteve 1968-1974, u hapën rrugë edhe krijimit të institucioneve kombëtare, siç ishte Universitetit i Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve si dhe instituteve të tjera hulumtuese shkencore, ku një rol të madh pati edhe veprimtaria botuese në gjuhën shqipe që drejtonte “Rilindja” e të tjera. Këtyre zhvillimeve duhet shtuar edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë, i vendosur zyrtarisht në vitin 1968 në marrëveshjen e parë midis Tiranës dhe Prishtinës, me ç’rast, midis Tiranës dhe Prishtinës filloi këmbimi i teksteve shkollore, librave si dhe profesorëve në të dy universitetet, shkëmbim ky që i solli dobi të mëdha Kosovës. Tirana dhe Prishtina asokohe harmonizonin qëndrime edhe rreth disa projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe shkencore aty ku kishte mundësi. Meqë si gazetar isha i akredituar në Bon dhe po merresha me hulumtimin e dokumenteve të Kongresit të Berlinit, çarqet shkencore në Prishtinë dhe Tiranë (Dr. Ali Hadri, Aleks Buda dhe Arben Puto) insistuan që këtë angazhim ta ktheja në vokacion të përhershëm hulumtues shkencor, gjë që edhe kështu ndodhi. Pra, në punën time hulumtuese, si mentor të parë, kam pasur akademik Ali Hadrin dhe profesor Aleks Budën, me të cilët kam bashkëpunuar deri në vitin 1981, kur do të ndërpritet dhunshëm nga ana jugosllave pas ngjarjeve të vitit 1981. Megjithatë, ndryshimin e njohur të rrethanave politike dhe shoqërore të atyre viteve, jam munduar që ta përballoj me punë individuale në Gjermani, duke iu përkushtuar hulumtimit nëpër arkivat gjermane, në mënyrë që të rrumbullakoj sa më shumë që të jetë e mundur punën e nisur në vitet e shtatëdhjeta.

“Milosao”:Në kërkimet tuaja të vazhdueshme, ju jeni përballur me dokumente autentike. A mund të na thoni, ka pasur përpjekje për manipulime nga fqinjët apo nga kancelaritë ndërkombëtare?

J. Buxhovi: Mund të thuhet pa hezitim se e gjithë problematika e studimit të dokumenteve të Kongresit të Berlinit dhe atyre që solli kjo ngjarje, për çdo studiues të mirëfilltë shqiptar, përcillet me anatemën e manipulimit dhe falsifikimit të tyre të qëllimshëm në njërën anë si dhe të stereotipeve ideologjike në tjetrën anë. Manipulimi dhe falsifikimi i këtyre dokumenteve gjithsesi se lidhet me historiografinë serbomadhe të Beogradit, po edhe të Moskës dhe Athinës për qëllime të njohura hegjemoniste që u sherbyen projekteve antishqiptare ( “Naçërtanja” e Garashaninit e vitit 1844 dhe ajo e “Megaloidhesë” greke e po të njëjtës kohë si dhe ato të historiografisë ruse). Kongresi i Berlinit si dhe vendimet e njohura të tij, kanë paraqitur referencën emblematike të manipulimit të këtyre qendrave në mënyrë permanente nga falsifikimi i tyre e deri te keqinterpretimet e qëllimshme, që për moto kishin fabrikimin e gënjeshtrës rreth “shqiptarëve ardhacakë dhe pa histori”, “shqiptarëve mbetje e mjegulluar osmane dhe fundamentalistë të rrezikshëm islamikë” e të ngjashme, me çka atyre duhej jo vetëm t’u mohohej shteti, por, për hir “të interesave të mëdha evropiane”, Beogradit, Athinës e të tjerëve, t’u lejohej qërimi i hesapeve me ta, deri te etnogjenocidi!
Kur shikohen mirë e mirë nga të gjitha këndet të gjitha dokumentet e Kongresit të Berlinit, një pjesë të të cilave kam sjellë në librin tim, veçmas letrat e dërguara nga të gjitha viset shqiptare (124 sosh), del se një pjesë të tyre mund të thuhet se janë shkruar edhe nga konsuj rusë e grekë, nga klerikë ortodoksë dhe agjentë të tjerë të Beogradit, Athinës dhe Moskës, po edhe nga ndonjë konsull austriak. Këtë të fundi, madje e pranon edhe Andrashi, ministër i jashtë i Austrohugarisë në memoaret e tij, me ç’rast zbulon se “Vjena ka punuar që në nga disa qendra shqiptare të vinë letra dhe telegrame që na duheshin”. Këto “ndërhyrje” nuk ua humbin vlerën kërkesave autentike të shqiptarëve, veçse bëjnë të ditur se midis tyre ka pasur edhe të dirigjuara në përputhje me interesat tjera, gjë që historiografisë sonë i mbetet që ato t’i deshifrojë dhe t’i interpretojë mirë e mirë.

“Milosao”:A mendoni se Lidhja e Prizrenit ka trajtime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë? Nuk duket se një pjesë e studiuesve nuk kanë parë dokumentet origjinale?

J. Buxhovi: Arsyet e njohura ideologjike dhe ato që shqiptarët nga 1912 i ndanë dhunshëm në realitetet shoqërore dhe politike të ndryshme kanë sjellë edhe qëndrime të ndryshme, ku në njërën anë, nga Tirana zyrtare është imponuar qëndrimi se nga Europa dhe Perëndimi shqiptarëve u kanë ardhur të gjitha të këqijat, se perëndimi nuk i ka dashtë shqiptarët e të ngjashme, gjë që kjo ka justifikuar izolimin dhe mbylljen komuniste, ndërsa në tjetrën anë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është dashtë të shihet vetëm si përpjekje për autonomi, që si e tillë të “justifikojë” statusin politik të shqiptarëve në Jugosllavi e të ngjashme, sado që pjesa më e madhe e historianëve të Kosovës, konceptin e autonomisë e kanë parë si proces, që shkon tutje, e jo si gjendje statike, kundrim ky që ka qenë i ngjashëm edhe me qëndrimin politik të intelektualëve shqiptarë dhe të një pjese të klasës politike…
Krahas këtyre stereotipeve, që për fat të keq, ende gjithnjë mbahen te një pjesë e historianëve tanë (sidomos atyre në Tiranë) nga shkaku se kanë doktoruar dhe shkruar libra, siç kanë fituar edhe tituj “akademikë” e të tjera gjatë kohës së diktaturës komuniste, sot e gjithëditën mungon edhe vullneti i qëllimshëm për ballafaqimin me dokumentet origjinale. Them kështu, ngaqë ka dhjetë vite që kam sjellë dokumentet origjinale të Kongresit të Berlinit në origjinal (frëngjisht dhe gjermanisht), të nxjerra nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon (të autorizuara nga botuesi gjerman“Gisen”) e të përcjella edhe me përkthimin në gjuhën shqipe, ndërsa që historianë nga Tirana dhe Prishtina edhe në tutje citojnë versionin e cunguar dhe të filtruar të dokumenteve që sjell Haxhivasilevi, Gjorgjeviqi dhe historianë të tjerë serbë! Ç’është më keq, disa pedagogë të kësaj mendësie, pengojnë studentët që marrin guximin të citojnë librin tim, meqë kjo ua rrënon “kredibilitetin” veprave të tyre!

“Milkosao”:Historianët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë pasur një lloj tutele të diktuar nga regjimet respektive. A mendoni se ka ardhur koha që duhet të ketë një trajtim kombëtar shqiptaro-kosovar sa i përket rëndësisë së Kongresit të Berlinit?

J. Buxhovi: Tutela e regjimit represiv komunist është dashtë të marrë fund me rënien e komunizmit, siç ka ndodhur edhe në vendet tjera. Por, për fat të keq, ajo po vazhdon për arsyet që i ceka më sipër. Kujtoj se historiografia jonë duhet të ketë qëndrim shkencor jo vetëm sa i përket Kongresit të Berlinit, por të gjitha çështjeve të tjera, veçmas asaj që ka të bëjë me lidhjen pellazge dhe të tjera nga antikiteti, ku pjesmarrja jonë në djepin e qytetërimit të lashtë dhe të vlerave të tij universale është thuajse vendimtare. Kjo do ta nxjerrë në pah edhe komponentin kombëtar.

“Milosao”:Sa i vështirë ka qenë për Ju hulumtimi në arkivat gjermane dhe sa kohë ju është dashur t’i grumbulloni këto materiale?

J. Buxhovi: Të qenit gazetar (korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Gjermani, i akredituar pranë qeverisë gjermane) më ka krijuar mundësi të mëdha edhe formale që t’u qasem dokumenteve pa ndonjë vështirësi. Meqë fokusimi im hulumtues ka qenë Kongresi i Berlinit, ishte e natyrshme përqendrimi te shqyrtimi dhe vjelja e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Bon. Aty kam punuar nga mesi i viteve të shtatëdhjeta e deri në vitin 2008, ku kam klasifikuar mbi pesë mijë dokumente që kanë të bëjnë me Krizën Lindore, Kongresin e Berlinit dhe çështjen shqiptare nga viti 1865 e deri në vitin 1912. Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve ruhet në arkivin tim personal, ngaqë nuk ia kam dalë t’u siguroj vend në Arkivin e Kosovës dhe atë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Sepse, këto institucione, për arsye “të pakuptueshme”, që u cekën, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë as siguri e as trajtim shkencor!

“Milosao”: E mendoni se ishte e arsyeshme ajo që përcaktoi në konkluzionet e veta Lidhja e Prizrenit, sa i përket mbrojtjes nga copëtimi i trojeve shqiptare dhe autonomi nën Turqinë?

J. Buxhovi: Qëndrimet dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë në përputhje me rrethanat si dhe zhvillimet historike të kohës, në të cilat u gjenden shqiptarët, kur ata në njërën anë rrezikoheshin nga hegjemonizmi i fqinjëve sllavë dhe grekë dhe në tjetrën anë rrezikoheshin nga shembja e shpejtë e perandorisë osmane. Mbrojtja e interesave kombëtare asokohe mund të sigurohej nëpërmes kërkesës për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare (krijimi i një Shqipërie osmane, që në të vërtetë doli nga kërkesat e katërmbëdhjetë pikëshit të Hasan Prishtinës në Shkup, në gusht të vitit 1912), që nënkuptonte lirimin nga koncepti i “miletit osman” ku gjendeshin dhe një formule kompromisi që do ta arrinte Perandoria Osmane me fuqitë evropiane të boshtit (Austrohungarinë dhe Italinë). Pa marrë parasysh si rrodhën ngjarjet deri në nëntor të vitit 1912 dhe nëpër ç’katrahurë kaluan shqiptarët, megjithatë epilogu i këtij zhvillimi ishte i përcaktuar nga programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe platformës kombëtare që doli prej saj. Pa këtë ngjarje, nuk do të kishte as Shqipëri e as komb shqiptar.

“Milosao”:Keni mbaruar dhe një kolanë historike të Kosovës, cilat janë planet tuaja më të afërta?

J. Buxhovi: “Kosova” në pesë libra, e botuar midis viteve 2012-2015, këtë vit plotësohet edhe me tri vëllime të tjera (VI,VII dhe VIII), me çka përmbyllet koncepti im që ky libër në tetë vëllime të paraqesë një kontribut shkencor për historinë e Shqipërisë së natyrshme dhe të Shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë, ku Dardania është në qendër të vemendjes, si një mbretëri ndër më të vjetrat e antikitetit, e lidhur me Trojën dhe zhvillimet tjera që ndodhën pas rënies së saj. Përqendrimi te Dardania si qendër e antikitetit ka rëndësi të dyfishtë: ngaqë në njërën anë lashtësisë sonë ia shton komponentin kryesor që atë e lidh me qytetërimin trojan dhe atë pellazg në përgjithësi (qëllimisht të harruar dhe të anashkaluar), dhe në tjetrën anë e zhvlerëson në tërësi gënjeshtrën serbe për gjoja “shtetin mesjetar serb” në Kosovë, që nuk ka ekzistuar kurrë, që për fat të keq, edhe sot e gjithditën mbrohet nga disa historianë të mendësisë ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë, me të cilën Serbisë, siç e pasqyron edhe pakoja e Ahtrisarit në Kushtetutën e Kosovës, vazhdon t’i njihet edhe “e drejta historike”, paçka se ajo frymëzoi gjenocidët serbe ndaj shqiptarëve ( të viteve 1878, 1912, 1944 dhe 1999)!
…….

Pas ‘Kosova mon amour’, Klara Buda rikthehet në Panairin e Librit në Prishtinë më ‘Pëshpërimë gruaje’

Alberina Haxhijaj

Sot po shënohet dita e dytë e Panairit të Librit në Prishtinë dhe në kuadër të kësaj dite organizatorët e panairit po sjellin edhe promovime të librave të ndryshme, duke filluar me librin “Pëshpërimë gruaje” nga Klara Buda, shkruan KultPlus.

Në hapësirën e stendës së ‘UET Press& Mapo’, shkrimtarja Klara Buda kishte zënë vend përkrah librit të saj “Pëshpërimë gruaje”. Ajo në kuadër të panairit priste lexuesit dhe të interesuarit për krijimtarinë e saj. Me buzëqeshje në fytyrë i përshëndeste të gjithë një nga një dhe nuk ngurronte që t’iu shkruante fjalë që i dilnin nga zemra gjersa firmoste librat e blerë nga të pranishmit.

Faktin se është e lumtur që po rikthehet edhe këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë e thekson që në fillim të intervistës së saj për KultPlus.

“Është një panair i organizuar shumë mirë dhe unë vet personalisht gjithmonë vi me libra dhe i prezantoj edhe këtu edhe në Tiranë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të themi se krijimi i hapësirës kulturore në mes të Tiranës dhe Prishtinës, midis Kosovës dhe Shqipërisë është mënyra më e mirë për t’i bashkuar këto dy vende”, tha ajo fillimisht.

Sipas saj Panairi i Prishtinës është një panair i cili ka një histori të shkurtër pasi që edhe shteti i Kosovës është i ri, mirëpo sipas saj ajo që duhet vlerësuar është se panairi është më i vjetër se shteti i Kosovës. Sipas saj kjo tregon se libri dhe kultura në këtë vend është në origjinë të zhvillimit të shtetit të ri. Tutje ajo flet për bashkimin kulturorë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dy vendeve ku mbetet edhe mendja e saj gjersa qëndron në Francë.

“Ajo që duhet të ndodh në radhë të parë është një bashkim kulturor pasi që ky është më i fuqishëm dhe jo deklarata se do bashkojmë shtetet e të tilla. Duhet që të largohet dogana për librin fillimisht në mënyrë që kur libri udhëton nga Tirana në Prishtinë apo anasjelltas të mos paguhet dogana. Gjëja e parë që duhet të bëhet është bashkimi kulturor, një bashkim i cili nuk mundet të kontestohet nga askush për faktin se kultura është një, gjuha është një”, theksoi ajo.

Në qershor të viti të kaluar, Klara Buda pati ardhur në Panairin e Librit në Prishtinë nga ku u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”. Libri tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale.

Këtë çmim ajo e kujton me shumë dashuri dhe është mirënjohëse ndaj organizatorëve të panairit për vlerësimin. Ndërsa këtë vit në panair ajo erdhi me “Pëshpërimë gruaje” një homazh për dashurinë si akt rezistence, por në njëfarë mase edhe për mëmësinë pasi që personazhi kryesor detyrohet nga presioni politik që të abortojë fëmijën e vet, fryti i vetëm i dashurisë së saj me Adrianin i cili i përket një klase të përmbysur.

“Dashuria këtu është si formë rezistence por edhe si e vetmja ndjenjë e cila nuk mund të tjetërsohet nga politika pasi që është ndjenjë që lind jashtë dhe pavarësisht strukturës. Në atë sistem aq të rreptë edhe të dashurojë dhe ta shprehje se dashuroje një njëri të një klasë tjetër ishte në vetvete një akt rezistencë. E vetmja është dashuria e cila i bënë rezistencë totalitarizmit dhe që i mbijeton edhe frikës pasi që të gjitha ndjenjat e tjera tjetërsohen në totalitarizëm”, u shpreh ajo për KultPlus.

Përmes dashurisë së ndaluar në mes të dy të rinjve ajo trajton gjithë problematika e totalitarizmi. Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Franca dhe Londra këtë vit mirëpresin ekspozitën mbi ndikimin e Michael Jackson-it në artin bashkëkohor

Në Francë në Grand Palais do të hapet ekspozita e cila shpërfaq ndikim që Michael Jackson ka pasur në artin bashkëkohorë duke filluar nga viti 1980 e deri sot. Fillimisht kjo ekspozitë do të prezantohet këtë verë në Londër me rastin e ditëlindjes së 60-të të këngëtarit dhe pastaj në nëntor në Francë, përcjell KultPlus.

Michael Jackson është një nga figurat kryesore të shekullit XX i cili edhe 10-të vite pas vdekjes së tij vazhdon që të ketë ndikim të njerëzit. Incizimet e tij vazhdojnë që të shiten në gjithë botën gjersa video-incizimet, koreografitë e tij po ashtu akoma kanë ndikim.

Kjo ekspozitë vë në pikëpyetje arsyet e ndikimit që ai ka pasur në kulturë. Ekspozita bënë së bashku piktura, vizatimet, skulpturat, fotografitë, video, instilacione e të tjera të 40-të artistëve si dhe punë të krijuara për këtë rast të veçantë.

Ekspozita e quajtur “Michael Jackson: On The Wall”, është e organizuar në mënyrë kronologjike duke e përcjell transformimin e tij që kur ishte i ri deri në momentin që u bë një legjendë./ KultPlus.com

Kur ishte në rolin e Uliksit, intervistë e Bekim Fehmiut e vitit 1967 (VIDEO)

Konsiderohet të jetë një ndër rolet më të mëdha të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, të cilit i ishte besuar roli i Uliksit, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu shihet duke dhënë një intervistë, pikërisht nga sheshxhirimi i këtij filmi, i cili ndanë disa momente mbi përvojën me këtë film.

https://www.facebook.com/Julio.marndoj/videos/242806456271515/

Ai ka thënë se roli i Uliksit ka një rëndësi të njëjtë sikurse rolet e tjera, përpos asaj se për të realizuar këtë rol, është një vështirësi më e madhe.

Kjo intervistë e dhënë në vitin 1967, na sjellë shumë afër Bekim Fehmiun, i cili ka falënderuar edhe përvojën e tij në Beograd e Prishtinë, familjarët, aktorët, që i kanë ndihmuar të jetë aty ku edhe ka synuar./KultPlus.com

Aleksandër Pushkini, poeti rus që u vra në duel për çështje nderi

Po e përkujtojmë sot në 219 vjetorin e lindjes, poetin Aleksandër Pushkin, shkruan KultPlus.

Aleksandër Sergejevic Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare.

Më 1811 u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e Aristokracisë Peterburgase. Ambienti ne lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anti-carizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare.

Popullaritetin e poetit anti-carist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti pa i mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 27 janar 1837./ KultPlus.com

Ish kryeministri i Italisë: Ibrahim Rugova, profet i paqes dhe baba i Pavarësisë

“Profet i paqes dhe baba i Pavarësisë” – kështu e cilësoi jetën dhe veprën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ish kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, shkruan KultPlus.

Sot në Rezidencën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, qëndroi për vizitë kryeministri i 53-të me radhë i Italisë, vitet 1998-2000, Massimo D’Alema.

Falë angazhimit dhe miqësisë me presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova së bashku me familjen e tij u transferua në Itali me iniciativë të kryeministrit italian Massimo D’Alema, më 5 Maj të vitit 1999, për të vazhduar punën dhe angazhimin e tij drejt realizimit të ëndrrës së tij Kosovës shtet të pavarur e demokratik. U jemi gjithmonë mirënjohës shtetit italian, Kryeministrit dhe mikut të përhershëm të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova Massimo D’Alema dhe gjithë bashkëpuntorëve italian të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova për kontributin dhe angazhimin e tyre drejt çlirimit të Kosovës, lirisë që ne e gëzojmë sot, ka shkruar në lidhje me këtë vizitë, Blerta Kllokoqi Rugova./KultPlus.com

Fotografitë historike me ngjyra nga pushtimi i Aleatëve para 74 vjet

Foto historike që tregojnë zbarkimin e forcave aleate në plazhet e Francës vijnë për herë të parë pas 74 vite pas realizimit të tyre me ngjyra.


Më tepër se 150 mijë trupa zbarkuan në 5 plazhe të Francës më 6 qershor të 1944-s dhe 1,4 milionë trupa në vijimësi iu bashkuan operacionit ushtarak që çliroi Francën dhe mposhtën Gjermaninë naziste të Adolf Hitlerit, transmeton tch./ KultPlus.com

Zbulohet qyteti ilir i para 2,300 vitesh në Bushat

Në pamje të parë i ngjante vetëm një toke bujqësore. Deri në vitet 1990 aty qe vendosur edhe një repart tankesh.

Në vitet 1980 u gjetën krejt rastësisht varre antike, mandej një fontanë e prapë, ajo dukej si një fushë krejt e zakonshme, derisa një grup arkeologësh duke përdorur metoda invazive, hasi në anomali që çuan më pas në një zbulim.

Një qytet ilir rreth 2300-2400 vjeçar ka dalë në dritë në zonën e Bushatit në Shkodër, gjatë gërmimeve arkeologjike të ekspeditës shqiptaro-polake. Saimir Shpuza në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thotë se lulëzimi i tij u shënua në shekujt 4-2 para erës sonë dhe se me rënien e mbretërisë ilire të Ardianëve, qyteti pësoi rënie graduale deri sa u braktis totalisht. I shtrirë në rreth 20 ha, sipërfaqja e tij është e përafërt me qytetet e tjera të mëdha të zonës si Shkodra dhe Lezha. Shpuza thotë se ende nuk është mësuar se cili ka qenë emri antik të këtij qyteti. Por pikërisht ky eksplorim drejt së panjohurës e bën punën e arkeologut ende më të bukur./ KultPlus.com

Sot 21 vite më parë, Nënë Tereza mori Medaljen e Artë nga Kongresi Amerikan

Më 6 qershor 1997, Kongresi Amerikan nderoi Shën Nënë Terezën me Medaljen e Artë.

Më 1985 presidenti Ronald Reagan do ta nderonte me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Nëna Terezë është ndër personalitetet e rralla të cilës më 1996 nga presidenti Bill Clinton ju dha titulli qytetar nderi i Amerikës, që është në mesin e vetëm shtatë personaliteteve botërore që gjatë historisë i ka nderuar Amerika me këtë titull.

Kongresi Amerikan më 1997 e nderoi nobelisten shqiptare me Medaljen e Artë të Kongresit, ndërsa Posta Amerikane më 2010 nxori pullë postale me portretin e Nënës Terezë./ KultPlus.com

Dizejnatorja amerikane gjendet e vdekur në New York

Dizejnatorja Kate Spade është gjetur e vdekur brenda apartamentit të saj në Manhattan të New Yorkut.

Dizejnatorja që u bë e famshme për krijimin e një modeli të ri të çantave, besohet se ka bërë vetëvrasje.

Spade, 55-vjeçare, raportohet se ka lënë një letër para se të vetëvritej./ KultPlus.com

Nis Festivali “I këndojmë lirisë”

Sot në Çabiq të Klinës fillon Festivali folklorik “I këndojmë lirisë” që tradicionalisht mbahet për ditëlindjen e komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi.

Hapja e festivalit bëhet në orën 11:00 në vendlindjen e dëshmorit të UÇK-së, ndërsa mbahet në qytezën e Klinës për tri ditë rresht.

Kurse në mbrëmje në Klinë fillon nata e parë konkurruese e manifestimit folklorik “I këndojmë lirisë”, i cili mbahet për tre net me radhë.

“Miss America”, jo më konkurs bukurie me rroba banjoje

Konkursi i bukurisë “Miss America” eliminoi segmentin me rroba banjoje dhe nuk do të gjykojë me konkurrentet për paraqitjen fizike.

Edhe segmenti i spektaklit me veshje mbrëmje është eliminuar dhe pjesëmarrëseve do t’i kërkohet që të veshin diçka që i bën të ndihen mirë dhe që shpreh stilin e tyre personal. Gretchen Carson, fituese e dikurshme e konkursit, ishte e para që dha lajmin për programin Good Morning America të televizionit ABC, transmeton tch.

Carson tha se tashmë që vajzat nuk do të gjykohen më për paraqitjen e jashtme, spektakli nuk do të jetë më një konkurs bukurie dhe ky është një ndryshim i madh. Në vend të pjesës së programit ku vajzat shfaqeshin me rroba banjoje, do të ketë intervista me to për të kuptuar pasionet e tyre, inteligjencën dhe rolin e “Miss America”.

Organizatorët thanë se kishin marrë shumë informacione nga mijëra vajza të reja që kishin dëshirë të ishin pjesë e spektaklit, por kurrsesi nuk donin të dilnin në skenë me taka të larta dhe rroba banjoje. Kjo nuk do të jetë më problem dhe konkursi do të vlerësojë shpirtin e vajzave e jo më bukurinë.

Mediat amerikane shkruajnë se ndryshimet janë pasoja të skandalit të vjetshëm kur u zbuluan mesazhe të krerëve të “Miss America” që ofendonin dhe poshtëronin konkurrentet.

Të gjithë drejtuesit e vjetër dhanë dorëheqjen dhe ndryshimet themelore të spektaklit duket se janë prurja e gjakut të ri. “Miss America 2019” do të transmetohet në televizionin ABC në shtator dhe atëherë do të shihet edhe vlerësimi i publikut për formatin e ri./ KultPlus.com

Publikohen disa sekuenca nga videoklipi i Himnit të Botërorit, Era Istrefi e mrekullueshme (VIDEO)

Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam janë artistët që do ta këndojnë himnin e Kampionatit Botëror, shkruan KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bjp03D4j6E9/

Kosovarja Era Istrefi, vetëm 23 vjeçare, do të jetë zëri i këtij kampionati botëror, duke bashkëpunuar me një artist ndërkombëtarisht të njohur si Will Smith, e duke u renditur në mesin e artistëve si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.

https://www.instagram.com/p/BjqP4IHBww6/?utm_source=ig_share_sheet&igshid=11qvrg7pa3na8

Tashmë janë shpërndarë disa video me pak sekonda ku shihet se si do të duket pak a shumë videoklipi i kësaj kënge. Këtë të enjte do të lansohet videoklipi i këngës së shumë perfolur “Live it Up”, që është bashkëpunim mes këngëtares nga Kosova, Era Istrefi, Nicky Jam dhe Will Smith. / KultPlus.com

Këto janë aktivitetet në ditën e dytë të Panairit të Librit

Në ditën e dytë të Panairit të 20-të të librit në Prishtinë do të ketë disa aktivitete.

Më poshtë i gjeni ato:

Në orën 11:30
Në stendën e ‘UET Press & Mapo’, salla Atelie:

Prezentimi dhe firmosja e romanit

‘Pëshpërimë gruaje’ nga autorja Klara Buda

Në orën 12:00

Në sallën e promovimeve:

Promovimi i dy vëllimeve të romanit

‘Valsi i dashurisë (I dhe II) nga Jetlira Avdijaj, botuar nga ‘Faik Konica’

Në orën 13:00

Në sallën e promovimeve:

Konferencë për media e SHBK-së

Në orën 14:00

Në stendën e ‘Magjia e librit’, korridor:

Prezentimi dhe firmosja e librit:

‘Mësimet e Diolës – Ushqim për çdo sëmundje’ nga Diola Dosti-Baftiu

Në orën 16:00

Në stendën e ‘BUZUKU’, korridor:

Nënshkrime nga Çun Lajçi, 3 librat e rinj: ‘Çakorr, ti vdekje e mirë’,

Ecje e plakun’ dhe ‘Bekimi i plisit të Moisiut’.

Princesha Maxhide, ajo që udhëhoqi revolucionin kundër ferexhesë

Ajo duket e buzëqeshur, veshur me një fustan të lehtë mëndafshi të gjatë. Eshtë princesha Maxhide, një prej motrave më të përfolura të mbretit Zog, për bukurinë dhe zgjuarsinë që mbarte. Kjo është vetëm një prej fotove të mbetura nga ajo kohë, kur Maxhide nuk e fsheh lumturinë në fytyrë. Por ajo kujtohet dhe si gruaja që ndikoi në emancipimin e femrës shqiptare. Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.

“Ndodhi një revolucion i vërtetë.Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane. Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.

Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore. Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”, thuhet në shkrimin e plotë të gazetës përkthyer në shqip nga Aurenc Bebja.

Rita Ora publikon pamje të videoklipit më të ri (VIDEO)

“Girls” titullohet kënga shumë e përfolur që është bashkëpunim mes dy këngëtareve shqiptare Rita Orës, Bebe Rexhës me Charli xcx dhe Cardi B.

Rita Ora sapo ka publikuar disa pamje te këtij videoklipi që do të publikohet nesër.
Ky videoklip duket se përfshin lëvizje mjaft dinamike derisa përcillet me zërat e katër këngëtareve të njohura./KultPlus.com

“Urtia e Pafuqishme“, vepra më e re e Ibrahim Berishës

Sociologu Ibrahim Berisha publikoi librin më të ri me ese sociologjiko-kulturologjike, me titullin “Urtia e Pafuqishme”. Libri u botua nga Shtëpia Botuese “Artini” në Prishtinë, dhe ka 190 faqe. Është ndërtuar në katër kapituj, në të cilët shkruhet për shoqërinë e Kosovës mbas vitit 2000. Rishfaqje dhe shfaqje të temave socio-kulturore që tregojnë paradokse dhe funksione të konstrukteve inerte të legjitimuara si dinamike, të cilat jetojnë duke qëndruar ndërmjet pushteteve informale, më shumë se sa atyre formale.

Në fokus është vënë intelektuali që shpreh pjesën aktive të sistemit të deformuar formal-publik, duke qenë edhe vetë pjesë e korrupsionit etik në shërbim të politikës informale, por edhe duke shfrytëzuar aktivisht këtë deformim “demokratik”. Në këtë frymë, transformimi dhe tranzicioni shoqëror dhe politik, rikonfiguron profilin sistemor të të privilegjuarve adminsitratorë, të cilët bashkohen në aspiratën e fiseve politike me ato intelektuale për t’u fshehur pas turmës që është streha mbuluese e aksioneve dhe misioneve “të shenjta” . Natyrisht se konfliktet ndërmjet tradicionales joekfektive dhe modernes së paasimiluar, prodhojnë praktikat e formatizuara të totalitares në autoritare, duke treguar se urtia para pushteti dhe forcës është e pafuqishme, e parëndësishme dhe e pavlerë. Elitat dhe elitarët në ambient të tillë social-publik janë forcë e pushtet dhe jo urti e pushtetshme.

Autori në ese shkruan edhe për shoqërinë e adoptuar me komunikimet, në të cilat të pavërtetat jetojnë dhe konsumohen si të vërteta, janë të akomoduara dhe të konsoliduara tashmë si kiç-histori, që i shërbejnë kiç-realitet, gjithë kjo përmes momorizimit të të pandodhurave. Në gjithë këtë përballje dhe vlim social e kulturor, sipas Berishës, ka ngadhënjyer komunikimi ceremonial për të zënë jo pak hapësirat formale e të varfëra ekstremisht, që nga Parlementi dhe jo rrallë, deri te “konferencat shkencore”. Janë ngritur lista-agjenda temash të paqena agresive, konfliktuoze, që nga ajo kombi a feja, pa u thelluar në përmbajtjen dhe identifikimin e koncepteve dhe praktikave që prodhohen nga përdorimi i krizës për të nxitur dhe ushqyer kaosi identitar.

Janë këtu edhe esetë për mundjen e dialogut demokratik nga monologu autoritar, tabu-temat dhe konformizmi si kulturë dominuese e komunikimeve publike. Autori u referohet burimeve relevante shkencore kur trajton temat, madje nisur që nga filozofët antikë, siç është rasti me esetë Dituria sokratike dhe Katoni i Republikës Ireale.

Libri është një risi në fushën e esesë sociologjiko-kulturore dhe do të gjejë lexuesin e tij pse bënë fjalë pikërisht për këtë lexues të urtë e kërkues që aspiron të bëhet dominues në shoqërinë e të lirëve, e cila kalon nëpër proces sa dinamik, po aq edhe dramatik të strukturimeve sociale e kulturor./KultPlus.com

Ia hodhën flamurin rus në skenë, Dua Lipa mahnit me veprimin që bëri

Këngëtarja më e suksesshme shqiptare tash e sa kohë ka filluar turneun në vende të ndryshme.

Së fundmi, ajo ishte e pranishme në një koncert në Moskë i cili u mbajt para tre ditësh, shkruan lajmi net.

Gjersa po këndonte këngën e saj “Hotter than Hell”, një nga fansat e këngëtares ia kishte hedh flamurin rus në skenë, ajo e mori flamurin dhe më pas e largoi. Siç duket, ky gjest i fansave nuk i ka pëlqyer aspak këngëtares nga Kosova, edhe pse kjo e fundit mahniti me veprimin që bëri.
https://www.youtube.com/watch?v=hWcJykS1sWQ
Për më shumë ndiqeni videon nga minuta e 54:00. Ndryshe, Dua ditë më parë ka paralajmëruar se së shpejti do dalin në shitje biletat për koncertin që do të mbahet në Prishtinë me 10 gusht. /Lajmi.net/