Gomari i Babatasit (metamorfoza)

Gjergj Fishta

Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,

“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije./KultPlus.com

Veliaj ndërhyn LIVE në emision: Ja sa u paguan Ermal Meta dhe Rita Ora

Koncertet e Ermal Metës dhe Rita Orës në Tiranë, të cilat mblodhën në shesh mijëra adhurues të muzikës së tyre, kanë kushtuar zero lekë.

Në një lidhje telefonike në emisionin “Dita e 8” e gazetarit Alfred Peza, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaroi se për ardhjen e dy këngëtarëve në Tiranë nuk është shpenzuar asnjë qindarkë.

“Të gjitha kanë qenë falas sepse këtë kemi dashur të bëjmë që në fillim e këtë kemi bërë. Unë besoj se të rinjve shqiptarë duhet t’u jepet mundësia të shohin një koncert falas”, u shpreh ai.

Dyerve të përplasura

Poezi nga Gili Hoxhaj

Sa herë e kemi kapur veten për flokësh
derisa numërojmë centët e fundit
me të cilët s’mund të ushqejmë as veten.
Spitaleve,
paguajmë që të mos vdesim

Nën kuletën e rjepur na flenë ditët pa shpresë,
dimë të numërojmë deri në të nesërmen,
përkëdheljet janë shpëtimi i vetëm derisa fëmijët tanë trashëgojnë lodrat e atyre që janë bërë gra e burra

Mjaftohemi vetëm me frymëmarrje,
sepse kështu na kanë mësuar ta ngushëllojmë veten
Se pa zgjidhje është veç vdekja
Kanë harruar se nën çeremidet e thyera, vdesim secilën ditë

Verbohemi çdo ditë nga pak nga pluhuri prej të cilit s’e njohim as veten në pasqyrë,
dyert tona ua hapin të tjerëve,
na rjepin nga ëndrrat për ata që s’kanë shkelur as mbi lloqin e të mbathurave tona,
as mbi mindilin që s’na i fshin as sot djerset
që janë palosur nën rrudha

Prej klithmave na shtjerrët zëri,
atëherë dukemi të kënaqur derisa endemi oborreve tona të rrethuara me tela të ndryshkur,
ata enden oborreve të botës e flasin për vlerat të cilat i kanë djegur në zjarrin e parë

S’kemi as faj që rrugëve i lemë ankesat me ata qe fatin e njëjtë e përjetojnë ndryshe,
kafeneve i kemi larë gjynahet e të gjithëve,
mes tymit të duhanit kemi vajtuar fatin e të parëve,
kemi renkuar kur i kemi numëruar dhimbjet e trashëguara
për ta pranuar se s’jemi as vetë më mirë

Veç fëmijët na i ndezin shkëndijat,
sa herë fryejnë qirinjtë e datëlindjes
neve na mbarojnë përrallat.
Përmes ninullave,
Të ardhmen ua patëm premtuar ndryshe./KultPlus.com

Haradinaj në hapje të Panairit të Librit: Shkruani se dilni në dritë

Prishtina sot mirëpriti hapjen e Panairit të 20-të të Librit, i cili si çdo vit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Që në hapje të panairit u çmua shumë puna e botuesve gjersa u ftuan pjesëmarrësit e këtij panairi që të lexojnë sa më shumë libra. Në anën tjetër nga institucionet e Kosovës u premtua përkrahje financiare për vazhdimin e organizimit të panairit si dhe lehtësime për botuesit duke përfshirë edhe heqjen e taksave për libra.

Kryetari i shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, rikujtoi kohën që nga fillimi i organizimit të panaireve duke u shprehur krenar për punën dhe për arritjen e mbajtjes së 20 panaireve të suksesshme dedikuar librit.

“Çdo ngjarje e madhe kulturore e ka për detyrë të prodhojë një porosi, një mesazh të veçantë dhe unë e kam fjalën për pastërtinë e gjuhës shqipe. Shqipja është pronë e çdo shqiptari dhe secili e ka hisen e vet dhe të drejtën që ta mbrojë pastërtinë e gjuhës së vet. Në këtë panair shumica e librave janë të shkruar në gjuhën e pastër shqipe prandaj dua të ju them se miku më i mirë i njeriut gjendet në mes të dy veshëve të tij. Le të urojmë që të marrim libra që kanë gjuhën e pasur dhe këshillën e mirë që ta begatojmë vetveten dhe jetën tonë”, tha ai.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që ta përkrahin librin.

“Ky panair është jubilar dhe si i tillë meriton porosi të çmuar nga qeveria e vendit. Jemi të vendosur që të përkrahim botimin dhe shpërndarjen e librit dhe të bëjmë lehtësirat në taksa, pra pa TVSH. Porosia ime për ata që shkruajnë është ‘shkruani se dilni në dritë’…Si brez i lirisë ne kemi lexuar dhe jemi frymëzuara, pra kemi marrë prej rilindësve, prej heronjve, patriotëve, burrave e zonjave të mëdha duke pasur qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë”, tha ai, duke porositur që të mbajnë lidhjen me librin pasi që pikërisht kjo lidhje edhe na bënë me të zotë.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi , ky panair e ka një veçori të veçantë pasi që gjenezën e ka më ditët e luftës për liri. Sipas tij simbol i këtij panairi është se ai ka lindur nga gryka e pushkës për të sjellë paqen.

Ndërsa i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti theksoi rëndësinë që kanë botuesit e librit, autorët dhe organizatorët e panairit të cilët, së bashku, i quajti ushtarë të librit.

“Është kënaqësi të jem në mesin e ushtarëve të librit, të cilët e bëjnë një nga betejat më të mëdha sot. Ata luftojnë me dembelinë, përtacinë, me teknologjinë informative, informata e shpejta duke na kthyer të e vërteta, hulumtimi, shkrimi, tregimet, novelat, e të gjitha të tjerat që na japin kënaqësi kur ne lexojmë një libër. Unë si kryetar komune e di se sa hekin organizatorët për të kërkuar fonde për realizimin e këtij panairi. Ata trokasin në çdo derë për ta mbajtur gjallë këtë panair dhe për t’ia pfruar lexuesit një mundësi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Xhevat Bajrami nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se ministria e ka parë të rëndësishëm përkrahjen e botuesve të librit duke e trefishuar edhe buxhetin për mbështetjen e botuesve. Para të pranishmeve aktori Çun Lajçi solli edhe një poezi.

“Kur të kthehesh lum trimi, pështyje hijen prapa e mos shkel fërkemit të ikjes/ merri sytë e territ e përpiju veshi t’malit/ përpije rrugën e me shpinën tanë peshoje/ ndrydhja mendimit para se t’ia besosh fjalën mikut. Panairi për të gjithë të pasionuarit pas librave do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./KultPlus.com

Kamarieri i Titos, jorganxhiu i Gjilanit dhe shkëlqimi i rrugëve me kalldrëm në Gjilan

Shevqet Mehmeti është doktor me profesion por edhe njohës i mirë i Gjilanit, historisë, familjeve, zakoneve e traditave, duke i shpalosë kështu herë pas here, specifikat e këtij qyteti në sfera të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ai që një kohë kujton qytetin e tij të lindjes, prej fëmijërisë deri në ditët e sotme, duke spikatë figura të rëndësishme të këtij qyteti, që konsiderohet një ndër qytetet më të rëndësishme të Kosovës, kur bëhet fjalë për qytetërimin. Objekte të rëndësishme, duke përfshirë edhe shatërvanin me katër qeshmë, Shevqet Mehmeti nga memorja e tij sjellë edhe përshkrimin e rrugëve me kalldrëm, dhe familjet që ishin të vendosura në rrugët e Gjilanit.

Më pjesën e tij të memoareve të tij me Gjilanin, ai ka specifikuar edhe kamerierin Shuka, i cili në këtë shkrim është prezantuar pa mbiemër, por që i njëjti kishte shërbyer për 50 vjet mysafirët nga e gjithë ish Jugosllavia, duke përfshirë edhe Titon, ku kamerieri shqiptar e kishte shërbyer më 13 prill të vitit 1971.

Dhe përshkrimi i tij prapë vazhdon me përshkrimin e rrugëve, shtëpive, kapixhikët, ku sipas tij, femrat e lagjeve të ndryshme kalonin po nga këto porta të vogla, për të vizituar familjet.
Dhe jo vetëm këto, ai ka treguar në këto rrëfime edhe për zanatlinjtë e qytetit, të cilët për atë kohë vlerësoheshin si artistë të kohës, pasi që, me punën e tyre me dorë, krijonin produkte të ndryshme, të cilat u shërbenin qytetarëve për nevoja të ndryshme.

Shevqet Mehmeti përmend jorganxhiun e qytetit, Jakup Mahmutin, i cili ka qenë jorganxhiu i vetëm në qytet, i cili me punën e tij afër xhamisë “Shehzade”, punonte jorganët e tij.
“Isha fëmijë, me orë shikoja Jakup Mahmutin-Jorganxhiun që kishte shitoren afër xhamisë “Shehzade”, ku punonte jorganët, jastëkët e mbushur me kashtë, pastaj edhe shilte. Ishte i vetmi me këtë profesion në qytet, por ishte artist i punës”, ka shkruar Mehmeti, dhe mes tjerash ai ka shkruar se si qytetarët e Gjilanit e kanë ditur edhe gjuhën rome, pasi që në këtë qytet kanë jetuar shumë rom, dhe sipas tij, muzika në këto pjesë është dëgjuar pa asnjë metalik, pasi që familjet rome janë njohur për shpirtin e tyre artistik, dhe ndejat e tilla nuk kanë munguar asnjëherë në familjet rome. Për më shumë, mund ta lexoni artikullin origjinal në profilin e Shevqet Mehmetit/KultPlus.com

Koleksioni i famshëm i artit i familjes Durazzo

Familja “Durazzo” e një emigranti shqiptar që la Durrësin ne vitin 1389 dhe u nis drejt aventurës, e cila nxorri 9 dozhë (presidentë) të Republikës gjenoveze, 30 ambasadorë e konsuj, shumë e shumë senatorë, dy kardinalë të famshëm, njerëz të artit e të letërsisë, jezuitë të njohur në botën e dorëshkrimeve, etj, u bë ndër më të njohura në metropolet europiane. Një pinjoll i kësaj familje ishte dhe Giacomo Durazzo, një nga mecenët e artit, ish ambasador dhe drejtor i Teatrove Imperiale të Vjenës, parat ê cilit do ë jepte koncert nê Venecie dhe djaloshi i ri i quajtur Mozart. Gjithë këta njerëz të mëdhenj ishin dhe amatorë të famshëm të artit, veçanërisht pikturës, skulpturës e librave të rrallë, të cilat zbukuronin pallatet e tyre jo vetëm në Gjenova por edhe gjetkë.

Më 1719, siç shkruhet në „Atti di Societa Storia e Patria“, Durazzo-t kishin si konsulent të tyre për blerjen e veprave të artit një piktor të njohur, Paolo Gerolamo Piola dhe se nga një vizitë në Bologna e Firenze ata ishin kthyer me disa vepra të Guido Reni-t dhe të Veronese-s. Disa vite më vonë, më 1724 ata blenë në Madrid një vepër të Rubens, që kishte qenë pronë e Filippi IV dhe një Madalena të Tiziano-s. Ata vazhdimisht investonin në pasurimin e koleksionit të tyre të veprave të artit duke u dalluar ndër gjithë fisnikët e tjerë gjenovezë.

Në Revistën e Muzeumeve të Italisë (Revue des Musées d’Italie, Catalogue raisoné des peintures et des sculptures…) historiani i artit André Lavice, i bën një përshkrim të hollësishëm veprave të artit që ishin në Galerinë Durazzo në atë kohë. Ja çfarë shkruan ai, duke rradhitur autorët e ndryshëm sipas emrit alfabetik dhe veprave të tyre që ishin në Galerinë Durazzo: – Amerighi (Michelangelo) i mbiquajtur Caravaggio – Psyché një figurë e shtrirë pranë Dashurisë dhe që fle në gjirin e saj. Në të djathtë, në hije, duket një Faune që vështron duke qeshur.

Balli dhe sytë e Psyché-së janë gjithashtu në hije, ndërsa pjesa tjetër është e ndriçuar mirë; – Badigalopo (Giuseppe) – Gjashtë figura historike; – Barbieri (Giovanni Francesco) i mbiquajtur Guerchin – Monedha e Cesar- it, një tablo e mrekullueshme, por mjerisht disi e dëmtuar. Po ta krahasosh me atë të Van Dyck, figura e Krishtit është më pak e bukur, por personazhet e dyta janë të pikturuara mjaft mirë. – Shpëtimtari që i shfaqet nënës së tij pas ringjalljes dhe që përkulet te Maria, në gjunjë. Pas tij duket një apostull që mban Kryqin e Pasionit. Majtas, në qiell, endet një ëngjëll. – Bonacorsi (Piero), i mbiquajtur Pierino del Vaga – Virgjëresha që ushqen Jezunë. – Boni – Akili, të cilin Thétis ia beson Centaurit. Fëmija që përqafon nënën gjithë afsh. Nimfa dhe centaurë. – Caliari (Paolo), i mbiquajtur Veronese – Martesa e Katerinës, një tablo e vogël dhe disi e dëmtuar. – Caulasi (Guido), i mbiquajtur Cagnacci – Akili midis grave të Lycomede. Ka një veshje femrash dhe tund shpatën në ajër. Uliksi i veshur si tregëtar me një arkë të hapur para tij plot gjerdanë, si dhe i rrethuar nga shumë kureshtarë. – Cantarini (Simone), nga Pesaro – Udhëtimi në Egjipt, Maria ka një kapele kashte në kokë dhe anash barinj, ku njëri prej tyre prin delet. – Carracci – Ecce Homo, Jezuja me kurorën me gjemba dhe një pallto të kuqe; – Castello (Valere) – Engjëjt që kanë shkuar te Abrahami.

Patriarku u sjell miqve një pjatë në tavolinë. Sara duket në sfond; – Castiglione (Benedetto), i mbiquajtur Greghetto – Agar dhe Ismaili. Nëna që ka ngritur vellon që mbulon të birin, tek klith dhe kthehet me ankth nga engjëlli që po vjen djathtas; – Dyck (Antoine van) – Portret burri i veshur me të zeza. – I riu Tobie që mban peshkun, i ndjekur nga qeni i tij. Në ajër duket ëngjëlli. – Portret i një fëmje i veshur me mëndafsh të bardhë dhe që mbështetet te një karrige. Në tokë duken fruta. – Dy djem dhe një vajzë në mes. Fëmijë të këndshëm. – Portret i një bjonde të bukur, e ulur. Një dorë e saj është mbi kokë ndërsa tjetra mbështetet mbi një nga fëmijët, i cili është në këmbë pranë saj. – Ferrari (Gaudenzio) – Madona me fëmijën. – Franceschini (Paolo) – Thétis që hedh fëmijën e vet në Styx, duke e kapur nga thembra. Nimfa përreth. – Langetti, gjenovez – Shën Pjetri në burg, i ulur me trupin dhe profilin e ndriçuar mirë. Një grua pranë tij është në këmbë dhe duket se i numuron ditët që i kanë mbetur për të jetuar. Prapa, gardiani duket në hije. – Vetvrasja e Ameleck. Ai është i shtrirë përtokë me një kurorë në kokë.

Një ushtar mban në dorë një thikë që sapo e ka tërhequr nga plaga e tij e madhe, të cilën po e shikon një plak. – Urimi i Jakobit. – Lotti (Charles) – Jakobi me rrobat e përgjakura të Jozefit. – Merighi (Francesco) – Vdekja e Akilit. Ai është me mjekër. Një njeri që mban një hark dhe një grua, vështrojnë trupin e shtrirë në tokë. – Monti , bolonjez – Akili që tërheq trupin e Hektorit. – Moroni – Portret i plakut, i cili është me mjekër të bardhë dhe me pallto të zezë. – Pellegrini (Antonio), venecian – Betimi i Gertrudës, nëna e Hamletit, një grua ende e re dhe në plan të parë. – Piola (Domenico) – Fëmijë. – Procaccini (Julio Cesare) – Gruaja adultere. Fajtorja është e tmerruar para Krishtit dhe ithtarëve të tij. – Reni (Guido) – Mëshirë romane. Vajza e lumtur që po mban të gjallë të atin. – Shën Eustache, i cili është në gjunjë mes kalit dhe qenit të tij. Rreze drite në qiell dhe majtas një engjëll. – Shën Jeronimi që shkruan.

Një nga mënyrat e para të pikturimit të Caravaggios. – Vestale, një grua, koka e së cilës, gjysma është e mbuluar me një vello deri te sytë. – Kleopatra, një kokë e bukur dhe me një trup në një reliev të mrekullueshëm. – Porcia. – Fëmijë i shtrirë anash; – Ribera (Josef) – Shën Jaku me shkopin e gjatë, me një mjekër të zezë dhe një dritë të mrekullueshme. – Një filozof, një plak i thatë me supin dhe gjysmën e trupit të xhveshur. – Demokriti. Ai qesh duke treguar me gisht një vend në glob. – Herakliti, i cili bën të njëjtin xhest me gisht dhe që qan. – Shën Jeronimi. – Rigaud (Hyacinthe) – Portret i Ipolitto Durazzo, si një kalorës simpatik dhe veshje mbrojtëse, si dhe me një kapele të gjerë si ajo e Louis XIV. – Riobusti (Jacopo), i mbiquajtur Tintoretto – Portret i bukur i Agostino Durazzo. – Rubens (Pierre Paul) – Portreti i tij me rroba të zeza dhe një kapele të gjerë. – Portret i Filippe IV në këmbë. – Strozzi (Bernardo), i mbiquajtur Cappuccino – Peshkopi, një figurë në këmbë, me mustaqe të zeza dhe pa kapele, më shumë një figurë ushtaraku sesa besimtari të devotshëm. – Vannucchi (Andrea), i mbiquajtur Del Sarto – Madona, një tablo e vogël dhe e rrumbullaktë, ku nëna dhe fëmija janë pikturuar shumë bukur. – Vecchia (Piero) – Krishti dhe dy xhelatët. – Vecellio Tiziano, i mbiquajtur Tiziano – Madalena, me flokë të gjata mbi gjinjtë e saj të xhveshur. – Cérès me Bachus, një nimfë si dhe Dashuria. – Shkolla veneziane – Davidi duke marrë bekimin e Zotit nga dora e Samuelit. Davidi është shumë i ri. – Zampieri (Domenico) – Vdekja e Adonis. – Shën Sabastiani, i lidhur pas një peme. – Zanchi (Antonio) – Sakrifica e Jeffe, i cili është i xhveshur dhe duarlidhur. Mbreti e ka kapur për flokësh. – Zanetti (Domenico) – Akili që merr nga duart e Thétis armët për tu hakmarrë ndaj vdekjes së Patroklit.

Në vitet 1700, koleksioni privat i Durazzo-ve përfshinte mbi 400 vepra arti të autorëve më në zë të epokës. Në këtë koleksion bënin pjesë dhe një numur i madh skulpturash, veçanërisht të skulptorëve të famshëm në atë kohë si Domenico dhe Filippo Parodi. Skulpturat e tyre, krahas skulpturës romane të Vitellius, qëndronin plot hire në mjediset e vilave të Durazzo-ve dhe së pari në „Galerinë e Pasqyrave“ (ku në dekoret e saj Nicole Kidman do të realizonte rolin e Grace Kelly në ditët tona), siç ishin veprat në mermer Metamorfosi, Stagioni apo Mito di narcisio.

Gesu bambino dormento është padyshim një kryevepër e Parodit. Në fakt Durazzo-t e pëlqenin shumë dhe skulpturën e në veçanti kur ishte fjala për portretet e tyre në mermer, siç ishin portretet e Gio Luca Durazzo, Marcellino apo Stefano dhe Eugenio Durazzo. Kush më mirë se mermeri do t‘i bënte ata të përjetshëm?… Një përshkrim akoma më interesant kemi në një botim të vjetër rreth madhështisë së Palazzo Reale Durazzo, ku jetoi kjo familje prej dy shekujsh dhe ku ishte nje nga koleksionet e mëdha të Europës dhe pronë e një familjeje të vetme: Durazzo.

Ja pse vizita e këtij pallati të cilin kam patur fatin ta vizitoj dy herê bashkê me konsullin e Shqipërisë nê Monako, Giuseppe Durazzo, ishte një nga itineraret e çdo udhëtari europian që kalonte nga Gjenova: Rubens, Van Dyck, Rembrandt, Tiziano, Veroneze, etj, etj, gjenitë e artit figurativ ishin aty. Duke përshkruar Pallatin Durazzo, autori shkruan: „Ky pallat është më i madhi dhe më i denji për të qëndruar një sovran, pasi i ka të gjitha komoditetet që duhen, apartamentet e mëdha, një bibliotekë të pasur, një teatër, një oborri të gjerë dhe një perspektivë të bukur në „Via Balbi“.

E ndërtuar nga dy arkitektë Piero Francesco Cantone dhe André Falcone, me shkallët e mrekullueshme prej mermeri të ndërtuara nga kalorësi Carlo Fontana, ai të tërheq me pamjen e tij. Para se të hysh në sallon janë dy portrete në bust nga Filippo Parodi, ndërsa brenda ndeshesh me dy tablo të mëdha njëra e Bertolottos, ku duket audienca e ambasadorit Agostino Durazzo tek Sulltani si dhe një tablo tjetër e Domenico Piola ku duket darka e shtruar nga sulltani për ambasadorin nga Gjenova. Ka dhe një vizatim të bukur të Agostinos mbi kalë. Pasaj shquhen dy portrete të dozhëve Vincenzo Durazzo dhe Cesare Durazzo të piktorit Sarzana.

Po kështu dhe një portret tjetër i Vincenzo Durazzo nga Molinaretto. Një tjetër dozh Durazzo është pikturuar nga Domenico Parodi. Portreti i kardinalit Marcello Durazzo është realizuar në Romë nga Morando. Galeria e vogël përballë hyrjes ka tablo të shumë autorëve me figurat e Gjon Batistit, prometeut, Herkullit të lidhur nga Cerbere, Tituis ku skifteri i ha mëlçitë, Venusi e Dashuria, „Helena“, „Enea që mban atin e tij mbi shpatulla“, etj. Në sallonin e quajtur „Giordano“, spikat tabloja „Peren që mban kokën e Meduzës“, po kështu tabloja Seneka dhe nxënësit e tij.

Ka një portret të Van Dyck. Po kështu tabloja Shën Virgjëresha dhe fëmija Jezu nga Van Dyck. Në sallonin Paolo, shquhet tabloja re Paolo Veronezes, „Dreka në shtëpinê e Simon fariseut“; ka shumë buste greke, romake, si dhe një bust të Parodit. Në sallonin e quajtur „Salloni i Kohës“, ka një kube të mrekullueshme të pikturuar nga Parodi. Eshtë një tablo e Holbein, një portret i Tintorettos, një tjetër portret i Tintorettos, etj. Në „Dhomën e quajtur të Aurorës“ është një tablo e Caravaggios: „Shën Pjetri që mohon Jezunë“.

Ka një figurë me veshje spanjolle të Van Dyck; po kështu një tjetër e Van Dyck „Kalorësi nga Kajro“; është tabloja „Catherina Durazzo“ e Van Dyck, një portret burri e Tintoretto-s (gjysmë e djegur), një Shën Pjetri i Guido Reni; një tablo „Burrat që luajnë dam“ e Caravaggios, një portret i Paola Durazzo nga Molinaretto. Në sallonin e quajtur Salloni i Tapiserive, ka shumë portrete të familjes Durazzo: Francesco Durazzo me fëmijët, e Parodit, Eugene Durazzo nga Molinaretto; Jerome Durazzo po nga Molinaretto;. Në „Salloni i Fundit“, është një tablo e Rubens „Junion që lidh sytë e Argos“; tabloja „Familja e Shenjtë“ e Van Dyck, „Lindja e Zotit“ nga Tiziano; „Portreti me turban“ i Rembrandt…

Në Shapelën e pallatit është një tablo e mrekullueshme ku „Krishti mban kryqin“, e Tizianos, ndërsa në bodrum një kopje e „Madalenës“ së Veronezes…“ Padyshim gjithë këto tablo, vetëm brenda këtij pallati, pa folur për pallatet e tjera, kanê qenê njê marramendje e jashtëzakonshme për vizitorin me sqimë dhe erudit tê artit botêror, e që tregojnë dashurinë e madhe të kësaj familjeje për artin. Shumë artistë punuan në pallatin e tyre, siç ishte Van Dyck, i cili pikturoi dhe një tablo të dozhit Marcello Durazzo në këmbë, apo tablo të tjera. Aktualisht një ekspozitë është hapur në Paris në Musée de Luxembourg për 500 vjetorin e Tintoretto-s.

Dhe të mendosh se tablotë e Tintoretto-s gjendeshin me shumicë në sallonet e Durazzove, e kupton menjëherê madhështinë e atij koleksioni. Le të mos flasim pastaj për „Madalenen“ e Tizianos, për tablonë e famshme të Veronezes „Darka nê shtëpinê e farisejve“, një nga më të shtrenjta, apo tablotë e tjera të Rubens, Van Dick, Guido Reni… gjithçka ishte madhështi në atë koleksion që e ishin çdo ditê para syve te atyre dozhëve Durazzo, senatorëve të kësaj familjeje që la aq shumë gjurmë në historinë gjenoveze dhe europiane.

Në pikë të ditës

Poezi nga Wislawa Szymborska, përkthyer nga Elida Buçpapaj.

Në një pushimore malore do të shkonte,
në sallën e ngrënies do të zbriste,
të katër bredhat degë për degë,
pa shkundur borën e freskët,
nga tavolina pranë në dritare do të shikonte.

Mjekërzën spic,
leshtor, thinjosh, me syze,
tiparet e fytyrës të trasha dhe të lodhura,
një lyth në faqe dhe ballin me rrudha,
a thua se balta ka mbuluar një mermer engjëllor –
e as ai vetë nuk do të dinte se kur,
sepse në fakt jo menjëherë por ngapak e ngaherë
rritet çmimi pse nuk kemi vdekur më parë,
e edhe ai do ta paguante këtë çmim.
Veshin, gërvishur paksa nga një plumb
– koka në fakt menjanuar në kohën e duhur –
“kam pasur një fat të pacipë” do të thoshte.

Duke pritur që t’i shërbehej supa,
do të lexonte numrin e fundit të gazetës,
kryetitujt, reklamat,
ose do i trokiste gishtërinjtë mbi mbulesën e bardhë,
e prej kohësh i kishte duart e holla,
me lëkurë të plasaritur dhe damarë të fryrë.

Nganjëherë dikush nga pragu do të bërtiste:
“zotëri Baczynski, ju kërkojnë në telefon” –
e nuk do të kishte asgjë të çuditshme
që të jetë ai dhe të ngrihet duke rregulluar golfin
dhe të lëvizë pa u ngutur drejt derës.

Nga kjo pamje zërat nuk do të heshtnin
as gjesti dhe frymëmarrja nuk do të mbeteshin pezull –
sepse fakti është normal dhe – medet, medet –
si një fakt normal do të trajtoheshin. /KultPlus.com

Vjen edicioni i pestë i manifestimit kulturor “Lidhja nga Bashkon”

Më 10 qershor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës (Qendra për kulturë në Tetovë), mbahet edicioni i pestë i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, shkruan KultPlus.

Në kuadër të këtij manifestimi kulturor, që organizohet nga Shoqata për Art dhe Kulture “Tradita”, zhvillohen këto veprimtari: Shënimi i 140 – vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ndarja e Çmimit Kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2018 si dhe në fund do të ketë program artistik.

Hapja solemne do të bëhet më 10 qershor në orën 12:00, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës (Qendra për kulturë në Tetovë)./ KultPlus.com

Shumësia përmasore e ligjërimit poetik

Shkruan Prend Buzhala.

(Donart Rexhbogaj: “Nji zâ”, poezi, botoi ROZAFA, Prishtinë 2018)

Krijuesi student, Donart Rexhbogaj, me librin e tij të parë poetik “Nji zâ”, e nisi me një sfidë gjuhësore: janë tri cikle lirikash të shkruara (FJALA LINDI FJALËN, UDHA dhe NGA ARKA E KUJTESËS) në trajtën gege dhe cikli i dytë (GJETJE)i shkruar në atë të gjuhës letrare apo të standardit të shqipes. Po qe se që në fillim na dalin disa fjalë, si: shqipe, standard, gegnishte letrare dhe poezi; atëherë krejt këtë rrjetë nocionesh, kur kemi të bëjmë me letërsinë, mund ta shpjegojmë me atë që quhet licentia poetica, me lirinë poetike. E kjo do të thotë se nocioni gjuhë shqipe nuk përfshin vetëm normat e standardin e saj, po edhe dimensionet tjera të saj. Standardi ka amë të veten gjuhën shqipe.

1. Mbi licentia poetica-n në poezi

Gjuha artistike thyen norma… Prandaj dhe liria gjuhësore e tillë ka funksionin krijues të saj. Nëse gjuha letrare shërben për komunikim “zyrtar” e për nevoja praktike zyrtare, atëherë, gjithsesi, që ekziston dhe “një gjuhë tjetër” për nevoja të tjera: për shprehje të përjetimit estetik. Gjuha, në “funksionin e saj të dytë”, pra, është ligjërim TJETËR, është instrument i shprehjes lirike. Është thënë sa e sa herë: filologët, linguistët, gramatologët, etimologët, leksikologët etj merren me funksionin praktik të gjuhës, kurse shkrimtarët merren me “funksionin tjetër” të gjuhës, me atë artistik, të intuitës krijuese; me poetikën e fjalës në tekst, me prirjen për t’i dhënë kuptime të reja, figurative, metaforike, fjalës, në veçanti dhe tekstit artistik, në përgjithësi. Nuk është e habitshme, prandaj, përse shkrimtarët përdorin formime të reja fjalësh, fjalëshprehjesh, morfo-fonemash stilistike; madje një tekst të tërë (a vëllim të tërë) e shkruajnë qoftë edhe në një të folme a në një dialekt tjetër, sepse ashtu i ligjëron LICENTIA POETICA e tij.

Nëse shkrimtarët përdorin, bie fjala, gegërishten a trajtat gege; ata e shquajnë ashtu, hirin poetik të saj, bukurinë e saj, hijeshinë e frazeologjizmave me dendurinë e thënies, që nuk mund “të përkthehen” në gjuhë standarde; përdorin nuancime të shprehjes, për të paraqitur gjendje, disponime e situata shpirtërore “të pakapshme” nga standardishtja, përdorin aso thurjesh (ndër)tekstore, në të cilat veçoritë “akustike” apo fonostilematike, janë krejtësisht adekuate me strukturën poetike. Vijnë shtresa e nivele të tjera rrjedhash asociative të nënvetëdijes a ndërdijes, vijnë sekuenca fjalësh a frazash që nxisin provokime e sfida kuptimore, tekste që sjellin freski semiologjike e semantike, të papërjetuara më parë… Dhe shembujt e tillë, i kemi si nga tradita (“Lahuta e Malcis” e Fishtës apo poezia e Mjedës, shepesh edhe te romani “Oh” i
Anton Pashkut, që nuk mund “të përkthehen” në gjuhën letrare); ashtu sikundër shembuj të kësaj tradite kemi nga autorë të Shqipërisë dhe Kosovës (nga Primo Shllaku e Arben Prendi e deri te Adem Gashi), apo autorë të tjerë të shumtë shkodranë. Po ashtu, një musht të tillë gjuhësor, e hasim tek Dritëro Agolli, me përdorimin e trajtave jugore jashtë standardit, sepse ndryshe, do të vritej ajo magjepse lirike devolliane, ai vesk metaforik frazeologjizmash tipike agolliane.

Me një fjalë, kësisoj, zgjerohen e krijohen mundësi të reja të shprehjes, energji të reja krijuese të fjalës deri në shkallë teksti.

Nuk thuhet më kot, se filologun a linguistin e interesojnë normat statike, gjendjet e ngurtësuara të gjuhës, uniformiteti i komunikimit, rrudhja e mundësive të ligjërimit, “shtetëzimi” (me ligj) i shprehjes.

Nuk është e habitshme, pse pikërisht nga një lëndë e tillë gjuhësore, që thyen normat, Kadare krijoi fjalë të reja, pikërisht me mundësitë shprehëse të gegërishtes, ku fjalët krijohen në përputhje me synimet gjuhëpastruese dhe gjuhëpasuruese të këtij krijuesi të madh (si thonë studiuesit Tefik Çaushi e Gjovalin Shkurtaj në studimin “Kadareja dhe fjala shqipe”), me qëndrim anësues, enkas të hapët dhe parapëlqyes të fjalëve e frazeologjizmave gege, si dhe me përdorimin e disa formave fonetike të shënjuara si jashtë normës, me një –n- të parotacizuar, tek fjalët: gjithnajë, baltinë (e jo baltirë), ballinë, barnatore (farmaci), ku baza është shumësi barna dhe jo barëra (toskërisht), bishtnim, bishtnonte, cubnisht, hekurinë, hirnore, idhnak, ikanak, kotni, krenajat, larginë, mjegullinë, plehnajë, qyqnajë, rrethanak, etj.

Po të pyeteshin filologët, Kadare do të mbetej pasiv në punë të krijimit të mundësive shprehëse të gjuhës, sepse kërkesë e ideal i linguistëve, është “legjitimiteti” i gjuhës, ku të gjithë do të shpreheshin njësoj “pastër”, të gjithë do të flitinin njësoj “bukur”…. e që është gjuhë “joindividuale”, impersonale, e ngurtë… kurse shkrimtari përqendrohet te funksioni estetik i gjuhës, pra te veçoritë individuale: secili shprehet me gjuhën e tij, që buron nga thellësia e qenies së tij.

Secili shfaq veten e tij…

2. Zâni dhe zëri

Sado që i riu Donart Rexhbogaj nuk është hedhur në aventurën e tillë gjuhëkrijuese, ai, megjithatë, ka vetëdijen krijuese për gjuhën. E pra, dhe Donart Rexhbogaj dëshiron ta sprovojë vetveten dhe ta shquajë prirjen e tij pikërisht në shumëdimensinalitetin e gjuhës, ta provokojë vetveten në këto dy dimensione të lirikës në gjuhë. Gjuha ka shumësinë e saj përmasore: ka përmasën estetike, por ka dhe përmasën etike, ka atë emotive, po edhe atë meditative, gjuhëkrijuese, idekrijuese…

Nuk e shqipton më kot konceptin poetik që në ciklin e parë: Fjala lindi fjalën. Drama ka ndodhur pikërisht në gjuhë:

nji zâ t’vjedhun
t’frikësuem nga heshtja

Nuk është zëri i pashqiptuar, po zâni që është marrë, i rrëmbyer me forcë, një tokë gjuhësore e vjedhur, e mbetur eng! Me forcë rrëmbehet dhe thesari, porse ky thesar është kyçur diku dhunshëm. Është i tkurrur, i heshtur dhunshëm e që këtu shënjohet me fjalën frikë (“t’frikësuem nga heshtja”). Poeti dëshiron t’i japë zë një kryekërkese të tillë: gjuha të lirohet nga heshtja, nga frika. Ali Podrimja do të thoshte se poezia është mbrojtje e gjuhës. Poeti ka atdhe gjuhën e tij. Nuk është thënë më kot se politika e robëron gjuhën, kurse letërsia e çliron. Kur Rexhbogaj i përdor disa përmasa të gjuhës, jo vetëm standardin e shqipes dhe jo vetëm variantin letrar të gegnishtes, po edhe leksema e shprehje nga e folmja e Rugovës apo nga letërsia e traditës, prej nga e ka prejardhjen, atëherë për poetin e rëndësishme është që fjala e tillë të qëndrojë në vendin e duhur në poezi. Prandaj, ai thotë: fjala lindi fjalën. Fjalët e përdorura në poezi, janë të poetit.

Së këndejmi, leksema nji zâ, le të lexohet në shumëkuptimësinë e saj lirike: edhe si zë personal krijues. Poezia e parë vë në gërshet ndërkëmbim audiovizuel, thuret me imazhe e me melodi, me akustikën e saj të hirit gegë e me pamjet epike të ambientit ku ligjërohet ajo:

Ngjyra t’ngatërrueme
t’pshtjelluna marrëzisht,
pushtuen me harmoni
nji zâ t’vjedhun
(…)
Melodi e çartun
e shortueme rastësisht,
puthitej me ajrin
skaj gjuhës së verbueme.

Më tutje shfaqet shpërthimi gjuhësor, në tri aktet e saj të lirimit dramatik (si te poezia “Shpërthim”) që del nga grilat. Motivin e të tillë të lirimit mund ta kuptojmë edhe nga një tjetër këndshikim universal e kombëtar: sa shumë vuajti gjuha jonë; ajo ndau fatin e saj me popullin, duke u ndaluar nga armiqtë, madje diku-diku ajo edhe sot ndalohet! Por liria ka ndodhur: Fjala lindi fjalën.

E pra, poeti e nis rrugëtimin e tij me lirinë e fjalës, me lirinë si kuintesencë e qenies njerëzore. Poezia ta dhuron këtë liri. Ta dhuron dhe erosin a kënaqësinë e këngëtimit.

3. Skepsa poetike:
Ironia e bukurisë dhe gjakimi i dashurisë

Porse folësi lirik nuk e kishte të lehtë këtë lirim dramatik. Madje ai dëshiron të ligjërojë reflektueshëm edhe për moshën e rinisë së thinjur (poezia “Përjetësi”), që thellohet në një tejmoshë, ashtu si ta sugjeron këtë edhe poezia “Përtej”. Është, ndoshta ai qortimi i brezave më të vjetër që po ua bëjmë Kosovën të padëshirueshme rinisë?! Jo, thotë poeti. Përdorimi antitetik i fjalës thinja, këtu le të lexohet si sinonim i fjalës shpirt, përjetësi… meditim, urtësi. Poeti i parapëlqen rrugët e urtësisë e të mendimit, përgjithësisht të krijimit. Ka, në këtë cikël, një parapëlqim personal të skepsës a të skepticizmit meditativ: e vërteta qenka kaq relative, e vërteta është ende e pazbuluar, e njeriu ende është në kërkim, mu si poeti. Poetët të befasojnë me çrëndomtësimin a me dekonstruktimin e realitetit (poetika postmoderne), për të na thënë se ka një dallim midis asaj se si janë gjërat me të vërtetë dhe si ato na zbulohen e na shfaqen. Ai e do një gjendje qetësie, një si ataraxia filozofike, një situatë pezull, mu ashtu si reflektonin skeptikët (poezia “Pezull”).

E çfarë na është gjendja e tillë?
E me ta thojshin me mblue,
Se kur i hedhshin dhe’ e baltë
Arkivol prej hekuri
Rrinte pezull…

Donarti të befason me gjetjet e tilla të paradoksit lirik e me ato të një tjetërllojshmërie meditative. Procedon kësisoj, për të qenë me çdo kusht vetvetja, edhe si krijues që e ka identitetin e vet artistik, botën e tij të veçantë, edhe si person, edhe si qenie njerëzore që e ka identitetin e tij të papërsëritshëm njerëzor. Poetët janë prishaqefët e kësaj bote. Percy Bysshe Shelley do të thoshte se poetët janë ligjëtarë të papranueshëm të botës. Kurse poeti i ri ligjëron:

Si flluskat e sapunit
Kam me u tretë,
Diku kam me u tretë
Gjurmë as zâ
S’kam me bâ
Po veç në ândrra kam mu ardhë
Nashtâ gjumin do u rândoj
E kur t’zgjohi
Keni me i thanë vetes
Puhh, ç’ankth i zi
ma prishi ândrrën.
(poezia “Tretje”)

Gjithsesi që meditimi i tillë postmodern, dekonstruktues, skeptik, i ngrysur, ka dhe një revoltë ironike brenda saj. I tërë cikli në vazhdim, me titullin “Gjetje” (i shkruar në standardin e shqipes), tashmë e ka krijuar paqen me ne, po jo edhe paqen sociale.

A është i mundshëm veprimi?

Përsëri zotëron një gjendje pezull, ligjëron një melodi e plagosur, një pasqyrë e thyer, një vegim si vel mashtrimi. Aty shkëndijëzon një mall i rebeluar, si shenjë gjallimi. Kurse dashuria, bukuria, e bukura, shpesh na shfaqen si ironi e bukurisë, si boshllëk i qenies, si vetëgënjim për ta mbuluar këtë zbrazësi tragjike, nga njëra anë:

Atë thikë me epshin e vajit tënd
Shpoje ashtin anë për tej,
Skalite në ashtin tim
Dashninë tande
që e verboi bukuria.
Kjo ndjesi shfaqet edhe si dhe si gjakim i dashurisë nga ana tjetër:
Mos e shlyej skenarin e fundit
Atje janë ushqyer pulëbardhat me gjak
Atje mjellmat janë vrarë nga bukuria e tyre
(…)
S’ke me kenë e njêjta
Ke me u zbukurue
Me bukuri që i sheh veq syni jem,
Por, atëherë kam me t’mbjellë
Në mishin e trupit tem!

E çfarë është akti i pjesëmarrjes së subjektit lirik të dashurisë në aktin e së bukurës? Shpesh këto qenie na shfaqen si qenie të dhimbjes, të humbjes, të vjeljes së bukurisë së plagosur, aq sa janë dhe qenie të lumturisë së tyre; e lumturuar në trishtimin e saj jetësor. “Nji dhimbje ndryshon botën” thotë te një poezi e një cikli tjetër.
Prandaj folësi lirik i kësaj poezie nuk është pesimist, po qe se e thotë të vërtetën, duke ia hequr velin zbukurues, duke e nxjerrë në sipërfaqe ashtin, gjakimin, thesarin e ndjesisë, si shprehet me ironi diku tjetër.
Të duket sikur ke të bësh më një Oskar Vajld që demistifikon bukurinë e jashtme, pikërisht pse bota shpirtërore as që preokupohet me dukjen e jashtme. Janë ato qenie që të tjerëve ua lënë në dorë të rrëfejnë për to jetën që kanë, në vend që vetë të flasin për vetveten, janë qenie mendjelehta që jepen pas të sipërfaqshmes, pas bukurisë së modës, pas rrëfenjave të lehta për dashuriçka apo pas argëtimit. Poeti dëshiron të na thotë se realiteti nuk është kaq rozë, por në brendi të tij ka diçka tjetër.
Në mbarim të librit, një si kthjellim nga ky realitet i plagosshëm bukurie, na vjen një çlirim prej një katarsisi lirik: lexojmë mall e nostalgji rurale, po edhe rikrijime baladash e romancash shqiptare të dashurisë.

5. Në përmbyllje: këngëtimi e meditimi

Po theksojmë, në fund, se Donart Rexhbogaj poezinë e shkruan me përqendrim krijues. Shfaqet si krijues serioz, që arrin të nxisë dhe provokojë me anë të mendimit, skuta shpesh të padukshme të botës së brendshme.
Është kjo, një poezi që Helderlini dhe Hajdeger e përkufizonin me sintagmën këngëtim dhe meditim. Do të thotë, që lirika e tillë është sintezë e poezisë dhe mendimit. Dhe gjithandej lexuesi e përjeton një ngrohtësi lirike të hirit gegë të jehonave të tingëllimeve të fjalës të veshur me refleksionin funksional; apo, si do të na kumtonte Niçe: ku pleksen toni dionisiak me atë apollonian.
Strukturat lirike të këtij vëllimi, shfaqen shpesh të ndërliqshme, që na detyron të lexojmë me kujdes, për t’i eksploruar kuptimet, idetë, për të arritur te kuptimi themelor e unik i poezisë. Zëri lirik që ligjëron në këto poezi, është ai i vetes së parë, drejtuar shpesh një vete të dytë, herë i drejtohet qenies njerëzore, shpesh qenies që e do, femrës… e që ndërthur dhe raporte dialoguese. Në të dy rastet, poeti e merr rolin e një udhërrëfyesi në ligjërim, rolin e bartësit të intensifikimit të përjetimit. Porse, kur këndon në veten e tretë, tashmë distanca objektive me përmbajtjet e përzgjedhura shtrihet dukshëm, si te poezia “Pezull”. Larmia e folësve lirikë, kësisoj, thur dhe një larmi strukturash poetike, për të theksuar momentin emocional, nga njëra anë, si dhe momentin meditativ, nga ana tjetër.
Maj 2018

Botohet libri me ese dhe studime letrare “Enigma e shkrimit” i Sali Bashotës

Libri “Enigma e shkrimit” i Sali Bashotës përbëhet nga ese, trajtesa dhe studime të shkruara këtu e njëzet vjet më parë. Autorë dhe vepra, çështje dhe probleme letrare të diskutueshme, modele krijuese, koncepte mbi letërsinë, duke filluar nga periudha e romantizmit shqiptar e deri tek letërsia e sotme shqipe janë mbarështruar në shkrimet e këtij libri.

Në radhë të parë, poezia, proza, kritika, të shkruara e të botuara nëpër faza dhe periudha të ndryshme të zhvillimit të letërsisë shqipe, janë objekt i interpretimit dhe vlerësimit, me qëllim të njohjes, studimit dhe funksionalizimit të tyre në raport me treguesit e komunikimit letrar.
Në këtë libër synohet trajtimi i temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe
kriterit estetik, para së gjithash, për të evidentuar dhe konceptuar veçori të reja kuptimore midis krijimit letrar dhe mendimit kritik.

Libri “Enigma e shkrimit” trajton edhe çështje dhe fenomene aktuale të letërsisë shqipe, duke
problematizuar diskursin e saj brenda pikëpyetjeve e këndvështrimeve, por edhe debateve që kanë për qëllim kryesor nxitjen e dialogut për sugjerime dhe propozime për leximin dhe receptimin e letërsisë.

Në këtë libër të Bashotës zënë vend personalitete të ndryshme të letërsisë dhe të kulturës shqiptare: Jeronim de Rada, Zef Serembe, Mitrush Kuteli, Faik Konica, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Zija Çela, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Osman Gashi etj. Librin “Enigma e shkrimit” e botoi Shtëpia Botuese “Artini”./KultPlus.com

Marrëveshja për Evropën Kreative i fuqizon fushat e kulturës dhe krijimtarisë në Kosovë

Sot në zyrat e Komisionit Evropian, Ministri Kujtim Gashi, ka takuar Komisionerin Evropian, Tibor Navracsis, me ç’rast kanë nëshkruar marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosoves në programin Evropa Kreative për mbështetjen e sektorëve të kulturës dhe dhe atë kreativ.

Ministri Gashi konsideron se pjesëmarrja e vendit në programin e Evropës Kreative është me rëndësi dhe duke pasur parasysh fushëveprimin e MKRS-së. “Mbështetja për sektorin kulturor dhe audiovizual nga programi është në përputhje me politikat prioritare të MKRS-së për nismat mbështetëse në sektorin e kulturës, sikurse platformat kulturore, ngritja e rrjeteve kulturore, përkthimi i literaturës, si dhe promovimi, zhvillimi, shpërndarja dhe qasja në veprat audio-vizuale”, tha ministri pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë program është shumë e rëndësishme kur kemi parasysh promovimin e aktiviteteve në sektorin kulturor përmes projekteve të bashkëpunimit; projektet e përkthimit letrar; krijimin e rrjeteve; Platformat evropiane etj .

Si rezultat, pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Duke u mbështetur në faktin se programi i Evropës Krijuese kontribuon, ndër të tjera, për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, ndaj synimeve evropiane për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe ndihmon sektorët kulturorë dhe krijues të përshtaten me epokën digjitale dhe globalizimin, krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës – MKRS konsideron se pjesëmarrja në këtë program është shumë e rëndësishme, shtoi ministri Gashi.

Pjesëmarrja në programin e Evropës krijuese do të kontribuojë njëkohësisht në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar aksesin në veprat kulturore dhe krijuese evropiane dhe në forcimin e inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Do të ketë gjithashtu një ndikim të veçantë në bashkëpunimin që ka për qëllim rritjen e inovacionit, mobilitetin ndër-vendor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira. Krahas aspektit normativ neve si ministri tanimë kemi themeluar Deskun Evropa Kreative Kosovë-Zyra Kulturë e që si mandat ka ofrimin e informatave dhe promovimin e programit, asisitimin e sektorëve kultlturorë dhe kreativ në relacion me programin dhe mundësitë e ofruara, orgaizimin e eventeve dhe sesioneve dhe cështje tjera që ndërlidhen me Nën Progarmin Kulturë në kuadër të Progarmit Evropa Kreative.

Që nga fillimi i punës së Desk-ut, janë mbajtur seanca informative në bashkëpunim me Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së për të paraqitur informacion të përgjithshëm mbi programin e Evropës Kreative, me qëllim informimin e institucioneve kulturore, organizatave të shoqërisë civile dhe audiencës së interesuar në Kosovë mbi proceset e përgjithshme të aplikimit.

Tibor Navrcsis, Komisioneri për arsim, shkencë, kulturë dhe rini, foli për rendesinë e programeve dhe prespektivës që i jepet vendeve jo anëtare për pjesëmarrje në kuadër të programeve në fjalë. Gjithashtu, ndër të tjera ai theksoi se janë siguruar korniza për periudhën e ardhshme buxhetore për programin Evropa Kreative në kuader të së cilës do të përfitojë edhe Kosova./KultPlus.com

Letër Kuvendit e kryeministrit të Republikës së Kosovës, ndalojeni diskriminimin e shqiptarëve të krishterë!

Shkruan: Gani Mehmetaj

Kosova është i vetmi vend në Evropë ku varret e të krishterëve e myslimanëve janë të ndara, ku të krishterin me asnjë çmim, zyrtarët komunalë nuk lejojnë ta varrosin në varret komunale.
Bashkësia Islame e Kosovës me ndihmën e zyrtarëve komunalë ua ka ndaluar shqiptarëve katolikë e protestantë t’i varrosin të vdekurit aty ku varrosen myslimanët. Sipas arsyetimeve të zyrtarëve komunalë nuk mund të përzihen varret, sepse, thonë ata, u fyekan myslimanët!

Ndarjen e varreve të shqiptarëve sipas fesë e ka bërë pushtuesi turk, e ka thelluar pushtuesi serb dhe po e vazhdon përçarjen pushtuesi i ri- Bashkësia Islame e Kosovës që e bënë ligjin të ne, i terrorizon shqiptarët e fesë tjetër dhe ata që nuk janë besimtarë.

Zyrtarët komunalë, të ndërsyer nga BIK-u e forcat më antikombëtare i nëpërkëmbin shqiptarët e krishterë, i terrorizojnë e i fyejnë me të nisur procedurat e varrimit. Në Gjakovë kur qeveriste M. Kusari, një shqiptari ia shkulen kryqin nga varri, në Prishtinë para dhe pas luftës ua kanë përdhosur varret, në qytetet tjera, “shumica myslimane” i terrorizon shqiptarët e krishterë, por gjërat heshten për hir të “tolerancës fetare!”

Kur priftërinjtë e pastorët ankohen në instancat më të lata, zyrtarët tanë u thonë: “Nuk mund ta lejojmë varrimin e shqiptarëve të krishterë me myslimanë, sepse nuk do ta lejojnë myslimanët, nuk e lejon as Bashkësia Islame e Kosovës. Po ua dhamë lejen, natën do t’ua rrënojnë ekstremistët islamikë, ashtu sikurse po ua rrënojnë, ndërsa jemi të pafuqishëm t’u dalim në mbrojtje!” Ç’do të thotë kjo? Se myslimanët e BIK-ut e paskan të drejtën absolute të varrimit në varrezat e caktuara nga shteti? Se myslimanët u lënduakan nëse hapet një varr i të krishterëve pranë varrit të myslimanit? Se shteti qenka vetëm i myslimanëve? Apo se shteti u dorëzua para kriminelëve që përdhosin e rrënojnë varre? Ku jetojmë zotëri të nderuar deputetë e kryeministër?
Në Evropë, ku varret e të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve e budistëve nuk ndahen, apo në shtetet islamike, ku i krishteri nuk guxon të varroset pranë myslimanit? Si është e mundur që edhe pas 18 vjet çlirimi shqiptarët e krishterë diskriminohen, kurse myslimanët privilegjohen, ashtu si i privilegjoi dikur Serbia. E lejoni ju edhe më tutje këtë diskriminim të pafalshëm e kriminal? Pajtoheni ju që shqiptarëve të krishterë t’u ndalohet varrimi në varret e komunës që pa të drejtë i ka pronësuar Bashkësia Islame? Jemi shtet laik apo islamik? Duam të vazhdojmë me modelin e Bangladeshit, Arabisë Saudite e Iranit, apo duhet të marrim modelet e shteteve evropiane, SHBA-ve e Kanadasë? Patëm mundësinë ta merrnim traditën e mirë të Shqipërisë, ku bashkëkombësit tonë (ortodoksë, katolikë, myslimanë e ungjillor) i varrosin në një vend.
Por nuk e bëmë, e morëm traditën arabe e anadollake. Ju e dini se koalicioni i krishterë euro- amerikanë e bombardoi Serbinë dhe e çliroi Kosovën.
Ju e dini se duke i diskriminuar shqiptarët e krishterë, zyrtarët tuaj po i fyejnë e diskriminojnë gjyshërit tuaj që ishin të krishterë para se t’i bënin turqit me dhunë e me përdhunime grash myslimanë. Ju e dini se BIK-u është bërë fabrikë e vdekjes, sepse për secilën kufomë myslimane që e varros marrin nga shteti mbi 250 euro, në Prishtinë tarifa e vdekjes është 290 euro. Ju e dini se Stejt Departamenti Amerikanë e akuzoi shtetin tonë se e financon BIK-un e islamizmin.

Në Kosovën tonë e tuajën janë përdhosur e dëmtuar qindra varre të shqiptarëve të krishterë, por nuk është kapur e nuk është dënuar asnjë kriminel për këto përdhosje. I shikon nëpër gishtërinj policia e prokuroria këto akte të shëmtuara të prishjes së varreve, apo solidarizohet me keqbërësit?
Është urgjente që të ndërpritet praktika e dënueshme e diskriminimit të shqiptarëve të krishterë; të përcaktohet me ligj se në varret komunale do të varrosen të vdekurit e të gjitha besimeve, ashtu si në tërë botën e qytetëruar; të zbatohet ligji e të dënohen zyrtarë që bëjnë diskriminime fetare, në emër të shtetit apo në emër të fesë tjetër; të dënohen zyrtarët që pengojnë varrimin në varre të përbashkëta. Shqiptarët katolikë janë mësuar me diskriminim e përbuzje, i diskriminoi pushtuesi mizor turk, i diskriminoi pushtuesi i egër serb, po i diskriminon shteti ynë me BIK-un që është mbi shtetin. Ata po e përballojnë në heshtje e durim diskriminimin.

Por a duhet ta durojnë shqiptarët diskriminimin e bashkëkombësve nga mendësia anadollake shkretinore në shtetin e dytë të Arbrit? Intelektualët shqiptarë, opinioni publik, i pa ndotur nga fryma shkretinore dhe i pa korruptuar e i pa fëlliqur nga Turqia, duhet të reagojnë, duke iu drejtuara instancave perëndimore e SHBA-ve për ndihmë kundër diskriminimit fetar. Ndërpriteni arrogancën e mendësinë mesjetare të diskriminimit që e la Turqia e Serbia, ndërsa vegla e tyre BIK-u po e zbaton me ndihmën e zyrtarët të korruptuar. Zbatojeni traditën e mirë të Shqipërisë, ku të krishterë e myslimanë nuk diskriminohen, por janë të barabartë në varreza./KultPlus.com

“Kopshti i Vishnjeve” nga Ilir Bokshi, sjellë kapjen e pushtetit nga injorantët

Alberina Haxhijaj

Ka dy javë që kanë filluar provat për të sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shfaqjen “Kopshti i vishnjeve” me tekst të Anton Çehov. Ky tekst i është besuar regjisorit Ilir Bokshi, i cili me një punë të madhe që po bënë, shumë shpejt do ta sjellë këtë shfaqje para audiencës shqipfolëse.

Teksti i autori Anton Çehov është shkruar në vitin 1903 dhe botuar në vitin 1904 shpërfaqë situatën politike por edhe ekonomike të Rusisë në atë kohë. Ky tekst i cili është shkruar si komedi nga Çehovi por që është trajtuar si tragjedi nga Konstantin Stanislavski, vazhdon të sjellë duel në mes të regjisorëve të ndryshëm pikërisht për shkak të mënyrës se si ata e trajtojnë atë.

Shumë shpejt do të mund të zbulohet edhe mënyra sesi regjisori kosovar Ilir Bokshi e ka trajtuar këtë vepër, pasi që “Kopshti i vishnjeve” do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Regjisori Ilir Bokshi në intervistën e tij për KultPlus ka treguar se kjo është hera e parë që ai punon autorin Anton Çehov, i njohur në Kosovës kryesisht për veprat e tij një akshe.

“Për mua është hera e parë që punoj një tekst të këtij autori. Një vepër e cila flet për Rusinë borgjeze ku pas borgjezisë ky vend ka një tranzicion të lehtë kapitalizmi por jo të pasur si shtetet tjera evropiane. Pas kësaj fillon revolucioni fshataresk-komunist t’i themi dhe kësisoj Rusinë në dorë e merr komunizmi. Kjo ka qenë një situatë jo e mirë ekonomike dhe politike në Rusi”, sqaroi ai fillimisht për KultPlus.

Ky tekst, i cili trajton kohën kur është dëshpërimi i madh, kur njerëzit nuk kanë zgjedhje dhe kur fshatarët marrin pushtetin, ky është një tekst i cili si temë kryesore ka ndikimet që sjellin ndryshimet sociale tek njerëzit.

“Vendin e marrin në dorë njerëzit e pacivilizuar, paarsimuar si shembulli i shumicës së politikanëve tanë të cilët pasi që janë bërë politikan i kanë kryer edhe shkollat, të cilat i dimë sesi i kanë kryer dhe kështu janë bërë intelektual. Pikërisht këtu e kemi një monolog shumë të mirë të studentit, të cilin e luan Armend Smajli e që i pasqyron shumë mirë pseudo-intelektualet. Tregon se ata nuk lexojnë nuk dinë se çfarë flasin, rijnë seriozë, për artin nuk flasin ose flasin shumë gabimisht, merren me filozofi që nuk i kuptojnë si shumica e këtyre që i kemi edhe ne parasysh”, pohoi Bokshi.

Mirëpo në këtë tekst të shkruar pikërisht për situatën e atëhershme në Rusi, Rusia nuk do të përmendet pasi që regjisori nuk ka dashur që ta përcaktojë vendin se ku ndodh ngjarja duke e lënë atë të hapur për interpretim.

“Aktorët i kanë emrat në rusisht mirëpo vendi se ku po ndodh ngjarja nuk e kemi përmend në mënyrë që me tingëllu dhe me e shiju edhe pse për të keq atë që po ndodh edhe të ne. Duke përfshirë këtu edhe ekzilin e të rinjve që kanë dëshirë më ikë prej Rusisë në atë kohë, me dal në vende të tjera, si shumica e të rinjve tanë që kanë dëshirë më ikë pasi që shumica prej tyre nuk kanë asnjë perspektivë”, tha ai.

Përmes shfaqjes publikut i jepet mendësia që ti kap këto tema dhe t’i ndjejë ato në lëkurën e vet duke u bërë pjesë e shfaqjes. Ndërsa vëmendja e publikut tërhiqet edhe përmes situatave komike që kjo shfaqje ka përfshirë në vete.

“Kopshti i Vishnjeve” sjellë në kastën e aktorëve: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha.

Aktori Adrian Morina tha se është kënaqësi e veçantë me e punu Çehovin për çdo aktorë, pasi që, shkrimet e tij shumë pak vihen në skenë. Sipas tij teksti është çdo herë aktual për çdo shoqëri mirëpo rrallë herë merret guximi nga regjisorët për ta vënë në skenë.

“Kam kënaqësinë që jam pjesë e kësaj shfaqje e sidomos kur shfaqjen e punojmë me Ilirin, me të cilin kam punuar edhe më herët. Shfaqja flet për luftën midis klasave dhe për ndryshimin e madh kur njerëzit i fitojnë të drejtat, i fitojnë liritë. Korrespondon edhe me shoqërinë tonë ku vlerat njerëzore, humane shpeshherë e humbin kuptimin dhe ku kryesisht rrënohet ajo e kaluar dhe gjithçka nis prej fillimit. Të njëjtën gjë e bënë edhe personazh që unë e luaj në këtë shfaqje”, u shpreh për KultPlus aktori Morina.

Morina sjellë Llopahinin, një fshatar, familja e të cilët kanë qenë bujkrob dhe për shkak të tranzicionit ai e blen çifligun në të cilin më parë ka qenë shërbëtorë. Pikërisht ai pas fuqisë që ka marrë dëshiron që ta shkatërrojë kopshtin e vishnjave për të ndërtuat pallatin e tij.

“Fatkeqësisht edhe ne jemi trajtuar si qytetarë të klasës së dytë nën pushtimi e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë dhe tani që e kemi marrë lirinë dikur nuk po dimë sesi të sillemi me lirën dhe sikur po fillojmë të shkatërrojmë edhe ato pak vlera njerëzore, të trashëgimisë kulturore e të tjera duke mos ditur si të sillemi ndoshta në liri”, tha ndër të tjera aktori.

Ndërsa për aktoren Shengyl Ismajli, teksti është shumë i veçantë dhe sipas saj janë duke punuar për ta sjellë atë sa më mirë pasi që është një vepër e gjatë, me katër akte.

“Lubov Andrejevna rolin e të cilës edhe e kam është e pasionuar pas kopshtit të vishnjës por gjithashtu është edhe një grua me shumë probleme e cila nuk e ka sensin e kohës, shpenzon në mënyrë racionale. Ndërsa në kopshtin e vishnjave shumë lehtë gjenë edhe lidhshmëri me Kosovën tonë”, tha ajo.

Kostumografin për këtë shfaqje e ka bërë Vesa Kraja, muzikën Art Lokaj, Ass.regjie- Butrint Pasha dhe skenografia Petrit Bakalli. Shfaqja më 20 qershor do të këtë një premierë të mbyllur, ndërsa në shtator do të jetë edhe premiera e hapur për publikun./ KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua në vitin 1979 si institucion kulturor për prezantimin e artit pamor dhe ruajtjen e mbledhjen e veprave më me vlerë.

Për këto 30 vjet të veprimtarisë ky institucion ka organizuar afro 500 ekspozita në vend dhe në botën e jashtme, të cilat janë përcjell me shumë botime, dhe blerjen e afro 1000 punimeve artistike nga të cilat është formu një fond i pasur i Galerisë.

Vetëm pas luftës së fundit janë organizuar mbi 200 ekspozita kolektive e individuale, kombëtare e ndërkombëtare, ku kanë ekspozuar mijëra e mijëra artistë. Veprat e tyre u vizituan dhe u shijuan nga qindramijëra artdashës, nga më shumë se 200 delegacione ndërkombëtare, nga personalitete të njohura të jetës politike dhe kulturore, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annani e deri te shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare.[2]

Call +381 38 225627

https://www.facebook.com/Galeria.Kombetare.e.Kosoves/

[email protected]

Iara Boubnova, kuratorja e edicionit të 12-të të Çmimit Muslim Mulliqi

GKK prezanton kuratoren e çmimit Muslim Mulliqi të edicionit të 12-të, Iara Boubnova.

Iara Boubnova, është kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja. Ajo u lind në Moskë, Rusi, ku edhe diplomoi në Departamentin e Historisë dhe Teorisë së Artit në Universitetin Shtetëror të Rusisë.

Që nga viti 1985 ajo punon në Galerinë Kombëtare për Art të Huaj në Sofje si Kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore. Në vjeshtën e vitit 2013 Ministri i Kulturës e emëroi Drejtoreshë të Galerisë Kombëtare për Art të Huaj, në Sofje, Bullgari. Që nga janari 2015 ajo u bë Zëvendës Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të themeluar së voni dhe është përgjegjëse për koleksionin ndërkombëtar të Galerisë.

Që nga viti 1995 Iara Boubnova është Drejtoreshë Themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor – Sofje. Në mes të viteve 2003 dhe 2006, ajo ishte Udhëheqëse e Projektit të Seminarit Vizual Multidisiplinar që i dedikohej mjedisit urban të neo-kapitalizmit. Në vitin 2017 së bashku me kolegët e saj nga ICA- Sofje, ajo e themeloi dhe e udhëhoqi programin arsimor të studimeve të avancuara “Takime të Afërta – Dialogjet Vizuale Shkolla për artistë” (“Close Encounters – Visual Dialogues School4artist”).

Së shpejti do të dal konkursi për aplikantët./ KultPlus.com

Në Prishtinë bëhet promovimi i librit “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova”

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendra Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me shtëpinë botuese nga Turqia Mitos Boyut, organizojnë promovimin e librit “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi], i botuar sivjet në Turqi, shkruan KultPlus.

Promovimi do të bëhet të hënën, më 11 qershor nga ora 12:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në promovim do të marrin pjesë, botuesi i mirënjohur turk Turhan Yılmaz Öğüt, drejtor i shtëpisë botuese Mitos Boyut, Mehmet Fatih Ölekli, editor në Mitos Boyut dhe Dr. Senem Cevher, përkthyese e antologjisë dhe studiuese e teatrit.

Në përmbledhjen “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi] janë përfshi dramat e autorëve: Xhevdet Bajraj, Ilir Gjocaj, Visar Krusha dhe Jeton Neziraj.

Mitos Boyut është shtëpia botuese më e madhe në Turqi e cila veprimtarinë e saj kryesore e ka botimin e dramave dhe librave të fushës së Teatrit. Më herët kjo shtëpi botuese ka botuar edhe librat e Stefan Çapalikut, Doruntina Bashës e Jeton Nezirajt.

Botimi i kësaj antologjie në turqisht është me rëndësi për afirmimin e krijimtarisë së re dramaturgjike nga Kosova.

Botimi i librit është realizuar në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, përmes mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, në fondin e mbështetjes së botimeve për vitin 2017./ KultPlus.com

Muzeu i Kosovës

Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Ajo ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. Aktualisht, muzeu është duke u angazhuar në rikthimin e 1200 objekteve/artefakteve të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës, të marra nga Beogradi gjatë vitit 1998..

Muzeu i Kosovës ka katër departamente: Departamenti i Arkeologjisë, Departamenti i Etnologjisë, Departamenti i Historisë si dhe Departamenti i Natyrës. Ekspozitat janë te vendosura ne tri ndërtesa: Ndërtesa kryesore, Muzeu Etnologjik apo Kompleksi “Emin Gjiku” dhe “Shtëpia e Pavarësisë”.

Muzeu i Kosovës gjendet në rrugën Nazim Gafurri

Call +381 38 244107

[email protected]

“Hamleti simbas Horacit” sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës

“Hamleti simbas Horacit”, me tekst të Ag Apollonit e regji të Ilirjan Himajt, vjen me premierë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Hamleti simbas Horacit”, sjellë në kastën e aktorëve: Shkëlqim Islami, Agron Shala, Valina Muçolli, Beslidhje Bytyqi, Labinot Lajçi dhe Kreshnik Malushaj.

Princi Hamlet, i biri i Mbretit Hamlet, Klaudit, Polonit e Gertrudës, vëlla i Ofeisë dhe Laertit, armik i Fortimbrasit dhe dashnor i Horacit, nuk lë gurë pa lëvizë për ardhje në pushtet.

Kjo shfaqje, ishte paraparë që të dalë me premierë më 16 prill, por që, për shkak të lëndimit të aktorit i cili sjellë personazhin kryesorë të shfaqjes Shkëlqim Islamit, ajo është shtyrë për 8 qershor.

Kompozitor i kësaj shfaqje do të jetë kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi ndërsa skenografia e kostumografia i është besuar Agnesa Malushajt.

Rikujtojmë se shfaqja vjen me premierë më 8 qershor në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 21:00. Repriza e parë e shfaqjes është nesër në TKK, me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

Filmi i animuar shqiptar përkrahet nga Qendra Kinematografike e Serbisë

Filmi i animuar “Man Wanted”, me skenar e regji nga Irida Zhonga, pasi që, fitoi mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, tashmë ka marrë mbështetje edhe nga Qendra Serbe e Filmit, shkruan KultPlus.

Ky film po ashtu ka mbështetjen edhe të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Institutit Estonian të Filmit. Ndërsa sa i përket mbështetjes nga Qendra e Shqipërisë, vetë regjisorja u pat shprehur tejet e lumtur.

“Krenare të ju tregoj se po zgjerohet bashkëpunimi ynë ndërkombëtar për filmin e ardhshëm të animuar “Man Wanted”. Qendra Kinematografike e Shqipërisë i është bashkangjitur projektit tonë krahas Greqisë dhe Estonisë. Nuk do mund të isha më e lumtur. Një falënderim shumë të madh për anëtarët e bordit të Qendrës dhe për vendim e tyre për të financuar “Man Wanted”, kryetarit të qendrës Ilir Butka dhe producentes sime mahnitëse Belina Jano”, pati shkruar ajo në postimin e saj në Facebook./ KultPlus.com

Ermal Meta takon Rita Orën dhe italianët mrekullohen: Çfarë ju japin të hani në Shqipëri?!

Pas koncertit që mbajti në Tiranë, Ermal Meta u nis për në Itali, ku pati një takim vërtet interesant me këngëtaren shqiptare, Rita Ora. Kjo e fundit mbajti një koncert në Verona dhe në të nuk mund të mungonte bashkëkombësi, Ermal Meta.

Ky i fundit ka publikuar një foto të këndshme nga takimi që pati me Ritën. “Shqiptarë”, shkruan Ermal Meta në Instagram, ndërsa fansat shqiptarë janë mrekulluar nga ky takim.

Ka dhe fansa italianë që çuditen me talentin dhe bukurinë e Ritës dhe Ermalin. Njëri prej tyre shkruan: “Nga Eurovizioni, Amici e Sanremo! I bekuar mes femrash. Po çfarë ju japin të hani në Shqipëri”?/KultPlus.com

Les Echos shkruan për lobimin kulturor të Shqipërisë në BE

Gazetarja franceze Martine Robert vizitoi Tiranën disa javë më parë dhe bisedoi me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro drejtues të institucioneve artistike, publike dhe private, artistë, etj. “Në publik e në privat luhet karta e kulturës europiane”, është shkrimi i botuar në të përditshmen Les Echos nga gazetarja Martine Robert, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që Bashkimi Europian do të shprehet në fund të qershorit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendi përshpejton lobimin e tij kulturor, nis shkrimi i gazetares.

Galeria Kombëtare e Arteve, që i dedikohej Realizmit Socialist, do të zgjerohet së shpejti, ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar ka hapur një tender ndërkombëtar me qëllim rinovimin e tij. Shqipëria dëshiron të afirmojë dimensionin e saj kulturor kozmopolit në prag të një përgjigjeje vendimtare në fund të qershorit mbi hapjen e negociatave që synojnë pranimin në Bashkimin Europian.

“Shqipëria është një vend i ri në moshë, ku 28% e 3 milionë banorëve janë më pak se 18 vjeç, dhe ku demokracia nuk është më shumë se një çerek shekulli. Ne kemi kaluar pesë shekuj nën sundimin otoman, fituam pavarësinë jo më parë se 1912-a, dhe pesëdhjetë vjet në diktaturë, një nga më të egrat e kontinentit europian, e cila e izoloi vendin dhe ndrydhi sektorin privat. Familja jonë është Europa”, – thekson Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Muzeu më i ri “Shtëpia me Gjethe” gjendet në selinë qëndrore të Shërbimit Sekret për të denoncuar tmerret e diktaturës komuniste. “Gjithë elita intelektuale e vendit u eleminua gjatë asaj periudhe”, sqaron drejtoresha e këtij muzeu, Etleva Demollari.

Në udhëkryq të ndikimeve të shumta kulturore (romake, helene, sllave etj.) dhe fetare (gjatë historisë së tij vendi njohu me ligj ateizmin, çka shpjegon dhe bashkëjetesën paqësore të katolikëve, ortodoksëve, myslymanëve…), Tirana do të përfitojë nga këto ndërthurje : këtë gjë e dëshmon dhe xhamia e Et’hem Beut, në rinovim e sipër, përballë Operas me një arkitekturë sovjetike.

Ndërkohë që qeveria mendon për vendosjen e ligjit të mecenatit bazuar në modelin francez, shfaqen nisma private si Bazement, një qendër arti e menaxhuar nga disa artistë. “Ka ardhur koha të vendosim një skenë artistike këtu”, – thekson piktori Genti Korini.

Ndërsa Përparim Kalo ka hapur një nga galeritë e rralla në Tiranë.

“Numërohen rreth dhjetë koleksionistë në vend, por tregu është ende embrional. Organizoj ekspozita jashtë vendit në mënyrë që artistët tanë të njihen edhe andej, ashtu siç bëra në Këshillin e Evropës në Strasburg, apo nëpër panaire. Po ashtu, po mendoj të hap një sallon dedikuar artistëve të Ballkanit”, – shpjegon ai.

Themeluesi i qendrës kulturore Tulla, Rubin Beqja organizon ekspozita, konferenca, mbrëmje DJ… “Ne tërheqim një publik të ndryshëm dhe një komunitet krijuesish. Është e rëndësishme të kontribuosh që ta bësh Tiranën sa më të dëshirueshme”, thekson ai.

Bashkëpunimi me Francën

“Ne përpiqemi me të gjitha forcat që të rigjenerojmë ekosistemin, ndërkohë që shumë artistë janë larguar jashtë vendit, si Anri Sala për shembull. Institucionet duhet të luajnë një rol të rëndësishëm nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në evente si Bienalja e Venecias”, – shton drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli. Pas fillimit të punimeve për modernizimin e saj, me mbështetjen e mundshme të diasporës, ai shpreson të arrijë në 300.000-400.000 vizitorë në vit kundrejt 125.000 që vijnë aktualisht.

Vetë Kryeministri Edi Rama, edhe ai artist, e ka dhënë shembullin tashmë. Kati i parë i Kryeministrisë është transformuar në një qendër kulturore.

“Qëllimi kryesor është që arti bashkëkohor të jetë i aksesueshëm për të gjithë, me pesë ekspozita në vit pa pagesë”, – komenton Genti Gjikola.

Po ashtu, vila e ish-diktatorit Enver Hoxha sapo është kthyer në qendrën e një ekspozite për të prezantuar dorëshkrimet bizantine, otomane, persiane, veneciane, të nxjerra nga Arkiva e Shtetit. Për arkivistin Sokol Cunga, “këto thesare janë prova e mozaikut kulturor që është vetë Shqipëria”.

Franca, e cila hapi që në vitin 1912 Liceun e Korçës, shoqëron edhe tani këtë nismë të re.

“Shqipëria ka nevojë të njihet. Bashkëpunimi ynë universitar, gjuhësor, artistik, arkeologjik është i rëndësishëm sepse Shqipëria vuan nga imazhi i keq që lidhet me të kaluarën e saj, me korrupsionin, me numrin e madh të azilkërkuesve”, – thekson Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për veprimtarinë kulturore në Ambasadën e Francës./ KultPlus.com

https://www.lesechos.fr/industrie-services/services-conseils/0301725884386-albanie-public-et-prive-jouent-la-carte-de-la-culture-europeenne-2180286.php

Prizreni, “qytet muze” pa muze?

Publikohet hulumtimi “Prizreni, “qytet muze” pa muze?” i cili tenton të jap përgjigje në pyetjet si: Sa muze gjenden sot në Prizren dhe sa prej tyre janë funksionale e të hapura për publikun? Në çfarë gjendje janë dhe çfarë ofrojnë muzetë e këtij qyteti? Sa reflektohet diversiteti kulturor i këtij qyteti në muzetë e tij?, shkruan KultPlus.

Muzeu është institucion që kujdeset për koleksion të artefakteve dhe objekteve të tjera me rëndësi artistike, kulturore, historike ose shkencore. Këto artefakte, muzetë i vënë në dispozicion të publikut përmes ekspozitave që mund të jenë të përhershme ose të përkohshme.

Muzetë më të mëdha gjenden në qytetet e mëdha në gjithë botën, ndërsa mijëra muze lokale ekzistojnë në qytete, qyteza dhe zona rurale më të vogla.

Muzetë kanë qëllime të ndryshme, duke filluar nga shërbimi për studiues e specialistë e deri tek shërbimi i publikut të gjerë. Qëllimi i shërbimit të studiuesve gjithnjë e më shumë po zhvendoset me atë të shërbimit për publik të gjerë.

Që nga vitet 2010, përshpejtimi i vazhdueshëm i digjitalizimit të informacionit, e kombinuar me rritjen e kapacitetit të ruajtjes së këtyre informacioneve, po shkakton që modeli tradicional i muzeve të zgjerohet në përfshirje të ekspozitave virtuale multimediale dhe një qasje më kreative të edukimit të publikut.

Qyteti i Prizrenit, krahas epitetit të kryeqytetit kulturor të Kosovës, sipas perceptimit të përgjithshëm të publikut kosovar është qytet me vlera të lashta kulturore dhe historike dhe mban edhe epitetin e “Qytetit muze”.

Ky epitet domosdoshmërisht reflekton ruajtjen e strukturës së saj historike dhe rrjedhimisht nënkupton edhe promovimin e kësaj pasurie tek publiku i gjërë. Një nga mjetet e promovimit të kësaj pasurie të Prizrenit janë edhe muzetë që mes tjerash kanë po këtë mision.

Mirëpo a e meriton një epitet të tillë sot Prizreni? Sa muze sot gjenden në Prizren dhe sa prej tyre janë funksionale e të hapura për publik? Në çfarë gjendje janë dhe çfarë ofrojnë muzetë e këtij qyteti? Sa reflektohet

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
http://ecmandryshe.org/repository/docs/180604181141_HULUMTIMI_Prizreni_qytet_muze_pa_muze.pdf

Edhe artistët pjesë e letrës së hapur dërguar Bashkimit Evropian për heqjen e vizave

Emra të njohur të shoqërisë civile dhe mediave iu janë drejtuar me anë të një letre Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian me anë së cilës kanë kërkuar që të miratojnë vendimin për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Kësaj kërkese i janë bashkangjitur edhe artistë, shkruan KultPlus.

Për: Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian

Letër e hapur nga shoqëria civile e Kosovës

Të nderuar komisionerë, europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian,
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda Zonës së Schengenit.
Ka kaluar një dekadë, që kur vendi ynë i është nënshtruar reformave dhe plotësimit të kushteve specifike në kuadër të procesit të liberalizimit.
Mijëra studentë, personalitete të suksesshme të artit, kulturës, sportit ende duhet t’i nënshtrohen regjimit të vizave, që kufizon qëndrimin për një afat të përcaktuar kohor. Familje të tëra nuk kanë mundësi të vizitojnë familjet e tyre, vende e qytete.
Po ashtu, nuk kanë mundësi të njihen me vlerat kulturore europiane, ndërsa në teori i mësojnë fëmijët e tyre se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
Shumë pak të rinj të Kosovës kanë pasur fatin të shohin ndonjë shtet evropian, ngaqë edhe vizitat studimore janë projekte vështirë të realizueshme për shkak të regjimit të ashpër të vizave.
Në Kosovë ekziston perceptimi se BE-ja ka parashtruar kërkesa të veçanta dhe është duke e diskriminuar Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. Kemi kaluar nëpër një bllokadë politike për tre vjet radhazi për shkak të çështjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, kriter ky i vendosur gjatë procesit të liberalizimit. Kjo çështje, përveç se ka polarizuar skenën politike, ka ndarë edhe qytetarët, ka rritur pasigurinë dhe besimin e qytetarëve ndaj partive politike kosovare dhe autoriteteve të Brukselit. Me gjithë ndjeshmërinë e lartë të kësaj çështjeje ne kemi gjetur modalitetin e aprovimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, meqë ka qenë kriter i kërkuar specifikisht për liberalizimin e vizave.
Tani, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ju jeni para marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ne, si shoqëri civile e Kosovës, ju bëjmë thirrje që të merrni vendim PËR liberalizimin e vizave për Kosovën, ndër të tjera, për këto arsye:
1. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit, nga i gjithë rajoni, ndaj të cilëve aplikohet regjimi i vizave Shengen, me gjithë vullnetin tonë shoqëror që kemi për procesin e integrimeve europiane.
2. Si shoqëri jemi duke humbur shanse të mëdha për transformim të bazuar në modele evropiane për shkak se jemi të privuar nga mundësia që të shkëmbejmë përvoja me qytetarët e shteteve anëtare të BE-së.
3. Kemi konstatuar se izolimi i të rinjve ka qenë faktor shtytës për përfshirje në organizata radikale e ekstremiste, sidomos ato me bazë në Lindjen e Mesme.
4. Dhe, më e rëndësishmja, ne mendojmë se Kosova ka plotësuar kriteret e matshme të dala nga procesi i liberalizimit të vizave.
Presim që raporti final vlerësues për liberalizimin e vizave të jetë pozitiv dhe i bëjmë thirrje Parlamentit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe veçanërisht shteteve anëtare të BE-së që të votojnë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Mbështesim synimin e BE-së për të vendosur kontroll në rrjedhën e migracionit dhe për të futur mekanizmat për pezullimin e liberalizimit të vizave, ashtu siç është i aplikueshëm për shtetet e tjera. Konsiderojmë se Kosova nuk përbën një rrezik migrimi për BE-në.
Duke marrë parasysh se Bashkimi Evropian do të mbajë zgjedhjet në fillim të vitit të ardhshëm, shpresojmë shumë që ky vendim të merret në qershor të këtij viti, me qëllim që qytetarët – mbajtësit e pasaportave biometrike të Kosovës – të gëzojnë të drejtën e udhëtimeve afatshkurtra dhe pa viza në Zonën e Schengenit.
Çdo shtyrje eventuale e vendimit të Këshillit për liberalizimin e vizave do të dëmtojë rëndë ambicien e shoqërisë kosovare për integrim europian dhe do të përjetohet gjerësisht si diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës edhe në raport me rajonin.
Prandaj, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, u bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE-së që ta miratojnë vendimin sa më parë që të jetë teknikisht e mundur dhe të vendosin PËR liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Deklarata është përkrahur nga:
Adriatik Kelmendi, Publicist
Arijana Qosja, Aktiviste e Sh.C.
Artan Demhasaj, Aktivist i Sh.C.
Astrit Gashi, Publicist.
Berat Buzhala, Publicist.
Dastid Pallaska, Avokat.
Dushan Radakovic, Aktivist i Sh.C.
Eliza Hoxha, Artiste.
Fadil Vokrri, President tek FFK.
Fahredin Spahija, Fotograf.
Igballe Rugova, Aktiviste e Sh.C.
Imer Mushkolaj, Publicist.
Ismet Kryeziu, Aktivist i Sh.C.
Jehona Lushaku, Politologe
Jeton Neziraj, Rexhisor .
Kushtrim Sadiku, Gazetar.
Lulzim Peci, Aktivist i Sh.C.
Majlinda Kelmendi, Xhudiste, fituese e Lojërave Olimpike.
Oda Haliti, Artiste.
Petrit Zogaj, Aktivist i Sh.C.
Sibel Halimi, Sociologe.
Uta Ibrahimi, Alpiniste e Kosovës – FBAK.
Zake Prelvukaj, Artiste./KultPlus.com