Shqiptarët mbledhin forcat, fillon mbledhja e 25 mijë eurove për FIFA-n

25 mijë euro janë dënuar Shaqiri, Xhaka e Lichststeriner, dënim, ky që është marë nga FIFA, pasi që të tre kishin bërë shqiponjën me rastin e ndeshjes mes Zvicrës dhe Serbisë, shkruan KultPlus.

Por gëzimin që kanë përjetuar shqiptarët për lojën e mrekullueshme të Shaqirit dhe Xhakës, ata nuk duan ta lënë vetëm me gëzim, pasi që tashmë ka filluar një iniciativë për grumbullimin e mjeteve për 25 mijë eurot që janë dënuar kjo treshe sportive.

Edhe pse sapo ka nisur kjo kampanjë në gofundme, tashmë janë grumbulluar 910 dollarë. Mbetet të shihet nëse shqiptarët do të arrijnë të grumbullojnë 25 mijë eurot për Xhakën, Shaqirin e Lichststeriner./KultPlus.com

https://www.gofundme.com/xhaka-shaqiri-and-lichststeriner

Fillon edicioni i 5-të i Festivalit të Muzikës së Vjetër në Korçë

Edicioni i pestë i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”, solli për herë të parë në Shqipëri “Quartetto di Cremona”, një nga kuartetet më në zë në arenën ndërkombëtare.

Me një interpretim virtuoz “Quartetto di Cremona”, solli një performancë fantastike përmes instrumenteve origjinale Stradivari, tek “Hani i Pazarit”, në Pazarin e Vjetër të Korçës.

Edicioni i 5-të i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” ka nisur në datën 24 qershor në qytetin e Korçës dhe deri në datën 8 korrik do t’i kushtohet tërësisht repertorit barok./ KultPlus.com

Serbia: Turp FIFA-s, na gjobiti tre herë më shumë se Xhakën e Shaqirin

Shtëpia Botërore e Futbollit (FIFA) e ka dënuar me gjobë presidentin e Federatës Serbe të Futbollit (FSF), Sllavisha Kokez si dhe përzgjedhësin e kombëtares serbe Mladen Krstajiq me nga 5.000 franga zvicerane dhe i ka paralajmëruar se nëse përsëriten raste të ngjashme, pasojat do të jenë edhe më të rënda, shkruan “Blic” i Beogradit.

Po ashtu, FSF-ja është dënuar me 54.000 franga tjera për mesazhe diskriminuese të fansave dhe për hedhje të gjësendeve në terren në ndeshjen kundër Zvicrës, e cila u zhvillua të premten në Kaliningrad, transmeton Koha.net.

Dënimi ndaj dy zyrtarëve të sportit serb erdhi pasa ata publikisht komentuan gjykimet e gjyqtarit Felix Brych.

Kujtojmë se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë dënuar me nga 10 mijë franga zvicerane për festim të golave me shqiponjë, ndërsa kapiteni i kombëtares zvicerane, Lichtsteiner, u dënua me 5 mijë franga, po ashtu për festim të golit të Shaqirit me shqiponjë.

Festa me shqiponjë, ky është vendimi i FIFA për Shaqirin e Xhakën

Mediumi i madh zviceran, “Blick”, ka raportuar se FIFA nuk do të ndëshkojë Granit Xhakën e Xherdan Shaqiri me nga dy ndeshje mos-lojë siç ishte paralajmëruar.

“FIFA është e mëshirshme me ekipin kombëtar të Zvicrës. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner nuk janë dënuar për festimin e tyre me shqiponjë”, ka thënë ky medium, raporton Koha.net.
Sipas mediumit zviceran, megjithatë, tre përfaqësuesit e Zvicrës do të dënohen me para. Xhaka e Shaqiri do të gjobiten me nga 10 mijë franga, ndërkaq Lichtsteineri me 5 mijë franga zvicerane.

Dashuri siberiane

Poezi e shkruar nga Drita Çomo.

Po bie shi…dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua te jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt- kaq akull
Kaq ftohte në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua
Dhe të dua shumë , çuditërisht
Po që se të urresh është njësoj si të duash
Të urrej dhe të dua njëkohësisht

Te urrej për atë , që më prishe qetësinë
Te urrej, pse erdhe tek unë
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa grade nën zero paske lindur
Dashuria ime siberiane

Në të terë qenien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je kaq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prape s’dua të jemi bashkë.

Dhërmiu, kryeqendër festive për 1400 turistë të huaj

Bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut që nga 20 qershori ka mirëpritur rreth 1400 turistë të huaj, kryesisht nga Britania e Madhe, në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri “Kala”.

Adhuruesit e muzikës elektronike, përveç bregdetit joshës të Jonit me ujin kristal dhe rërën e bardhë, kanë përjetuar edhe mbrëmjet të elektrizuara nga muzika e DJ me famë botërore si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann.

Një grup turistësh londinezë të cilët vinin për herë të parë në Shqipëri u shprehën për ATSH se ,”ne kemi ardhur për Kala Festival pasi jemi adhurues të muzikës elektronike, por po mahnitemi nga bukuria e bregdetit tuaj e sidomos këtu në Dhërmi me ujin e kristaltë dhe guralecët e bardhë, por mbi të gjitha jemi të impresionuar nga mikpritja dhe gatimet e shumëllojshme”.

“Përveç mbrëmjeve të cilat elektrizohen nga muzika e DJ-ve më të famshëm gjatë ditës ne organizohemi për të eksploruar vende të ndryshme këtu në bregdetin e Jugut ku kemi vizituar ”Shpellën e Piratëve” dhe gjirin e Gramës të cilat dukeshin si vende të dala nga filmi ”Piratët e Karaibeve”, pra magjike dhe plot mister. Keni bregdetin më të bukur dhe jeni njerëz shumë mikpritës dhe shumë të buzëqeshur”, u shprehën ata.

Ky festival u organizua nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me angazhimin e veçantë të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Albin Gega duke bërë të mundur që këta turistët përveçse të shijojnë muzikën të njohin dhe Shqipërinë turistike me plot vende të bukura dhe bukuri të pazbuluara.

Festivali i Parë Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike në Shqipëri “Kala” do të vazhdojë të ndezë atmosferën deri më 27 qershor./ ata

“Si ta vrasim presidentin” me regji të Marigona Bekteshi-Ferati, sjellë dramaturgun e njohur kroat Miro Gavran në Kosovë

Gili Hoxhaj

“Si ta vrasim presidentin”, është shfaqja me tekst të dramaturgut të njohur kroat Miro Gavran, e me regji të regjisores nga Kosova, Marigona Bekteshi Ferati, që këtë të premte vjen premierë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Bekteshi- Ferati në një intervistë për KultPlus, ka treguar se është pikërisht kjo shfaqje, ajo që do ta sjellë në Kosovë autorin e njohur kroat Miro Gavran. Ky autor prinë në listën e autorëve më të përkthyer kroat, tekstet e të cilit kanë depërtuar në rreth 40 gjuhë të botës, ndërsa vetëm në premiera të shfaqjeve kanë arritur një numër me rreth tre milionë shikues. Bekteshi- Ferati thotë se e ka gjetur shumë veten në tekstet e shkrimtarit kroat Miro Gravan, pasi që, të gjitha zhvillimet brenda dramave të tij fillojnë tek familja, ndodhin brenda një dhome të ditës dhe rreth një tryeze të bukës.

“Ai është shumë i ngjashëm me gjuhën tonë, ka shumë të përbashkëta me kulturën tonë, me zhvillimet tona pasi që në kohën kur ai i ka shkruar dramat Kroacia veçse ka kaluar në atë proces në të cilin ne jemi duke kaluar. Për shkak se e ka vlerësuar punën time, pasi që, unë gjithmonë jam munduar që t’i promojë veprat e tij, ai ka komunikuar drejtpërdrejtë me mua dhe ka bërë që unë ta marr këtë mesazh për ardhjen e tij në premierën në Prishtinë”, tregoi regjisorja fillimisht për KultPlus.

Drama “Si ta vrasim presidentin” është dramë që flet për gjendjen e një vendi të Evropës që gjendet në tranzicion, andaj si e tillë edhe është lehtë e adaptueshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Heroi i kësaj shfaqje vjen përmes personazhit Igor 31 vjeç, i cili është kundër globalizimit dhe është i përgatitur të luftojë në çfarëdo forme për një botë të re. Vëllai i tij Robert, i cili është katërmbëdhjetë vjet më i vjetër, ka luftuar kundër socializmi derisa ishte i ri, por tani është shndërruar në konformist. Igor kthehet në atdheun e tij me të fejuarën e tij, Maria. Vëllai i tij Robert dhe gruaja e Robertit Stella, nuk i pëlqejnë pikëpamjet radikale të Igorit për globalizimin dhe anti-globalizimin, nga frika se kjo mund të kërcënojë karrierën e tyre dhe mirëqenien e familjes së tyre.

Marigona Bekteshi- Ferati u shpreh falënderuese ndaj stafit menaxherial të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Këshillit Drejtues dhe ekipit të shfaqjes që e mundësoi që kjo ëndërr e saj për ta realizuar këtë shfaqje po jetësohet.

Kjo është vepra e tretë e autorit Gavran me të cilën punon regjisorja Bekteshi-Ferati. Ajo thotë se tani e ka ndjerë që është momenti për ta inskenuar këtë tekst, i cili përshkruan situatën e një shteti në tranzicion ndërsa gjithë bisedat të cilat prekin fusha të ndryshme zhvillohen brenda komunikimit familjar.

“Pikërisht kjo shfaqje flet për vendet në tranzicion, për globalizmin, antiglobalizmin dhe kjo ka qenë pikërisht koha që unë ta inskenoj këtë vepër në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Vepra sjellë dy lloje të personazheve, njëra palë që e mbron globalizimin dhe ana tjetër që është kundër globalizmit. Shfaqja flet për atë se si po shkatërrohen vendet e vogla dhe po robërohen nga vendet e mëdha”, tregoi ajo duke shtuar se në këtë shfaqje ka zgjedhur që publiku vet ta përcaktoj mesazhin e shfaqjes.

Në këtë dramë luajnë: Mirsad Ferati, Rabije Kryeziu, Fatmir Haliti dhe Njomza Tmava. Regjisorja tha se ky nuk është bashkëpunimi i parë me këta aktorë, pasi që me ta ka realizuar edhe shfaqjen e cila është dhënë premierë në Belgjikë “Sundimi i gruas”, andaj edhe nuk ka hezituar për një bashkëpunim të dytë me ta. Procesi sipas regjisores Bekteshi-Ferati, është shumë më i lehtë për shkak se e njohin natyrën e punës së njëri tjetrit.

Aktori Mirsad Ferati do ta sjellë rolin kryesor të shfaqjes, Igorin, i cili vjen nga kontinenti i Amerikës ndërsa paraqet një njeri idealist i cili beson se shtetet e mëdha po e shfrytëzojnë ndikimin e tyre në botë për të shkatërruar vendet me të dobëta. Përballja me të afërmit e tij në vendlindje, do ta bëj që të ndihet i zhgënjyer dhe të vazhdoj përpjekjet deri në vetëflijim për mbrojtjen e idealeve të tij. Ferati thotë se nuk ka qenë aspak i lehtë realizimi i këtij roli sipas kërkesave të regjisores.

“Ky personazh është krejt i kundërt në krahasim me mua në jetën e përditshme dhe nuk ka qenë shumë e lehtë që ta formësoj në skenë këtë rol. Dua t’i falënderoi veçmas kolegët që kanë qenë bashkëpunëtor të jashtëzakonshëm e që kjo ka bërë të realizohet një produkt shumë i mirë”, tregoi aktori Ferati për KultPlus.

Ndryshe nga Igori, vëllau i tij Roberti është një konformist që i përshtatet gjendjes aktuale ndërsa duhet të përballet me vëllain e tij që ka një pikëpamje krejt tjetër. Aktori Fatmir Haliti tha se bashkëpunon tashmë për të dytën herë me regjisoren Bekteshi-Ferati dhe pikërisht me tekst të Miro Gavranit.

“Kjo është hera e dytë që punoj me regjisoren Marigona Bekteshi-Ferati, është një regjisore shumë e mirë. Roli ka qenë shumë i vështirë por besoj që ia kemi arritur asaj që e kemi synuar. Të gjithë kemi pasur një komunikimi shumë të mirë gjatë tërë procesit të provave”, u shpreh Haliti për KultPlus.

Kjo shfaqje vjen me skenografi të Petrit Bakallit, kostumografi nga Vesa Kraja ndërsa muzika nga kompozitori Trimor Dhomi.

Premiera e shfaqjes “Si ta vrasim presidentin” vjen këtë të premte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 21:00. Hyrja në premierë është me bileta kurse repriza për publikun vjen të shtunën më 30 qershor./ KultPlus.com

ProCredit Bank vazhdon traditën, sjellë Elvana Gjatën me koncert madhështor

Banka PorCredit, tashmë e ka kthyer në traditë organizimin e koncerteve madhështore në qendër të kryeqytetit kosovar.

Vitin e kaluar parku i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u stërmbushur me njerëz nga të gjitha anët e vendit, për të shijuar tingujt e magjishëm të Alban Skenderajt si dhe pamjen e mahnitshme të fishekzjarrëve që u lëshuan.

Kësisoj, sivjet më 14 korrik, i njëjti vend me të njëjtit organizator mirëpresin këngëtaren e njohur shqiptare Elvana Gjata. Ky koncert LIVE në parkun e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të jehojë me këngët e reja dhe ato më të njohurat të Elvanës e cila tashmë po punon fort edhe për karrierë ndërkombëtare.

Siç e dimë të gjithë ProCredit Bank, është një shtyllë shumë e rëndësishme e kulturës në Kosovë. Ajo çdo vit përkrahë financiarisht festivalet kulturore në vend e poashtu edhe koncerte e evente të ndryshme për klientët e saj dhe jo vetëm

Elvana Gjata në këtë koncert të organizuar nga ProCredit, do nisë performancën e saj me fillim nga ora 19:00 ndërsa përpos saj në këtë koncert të pranishmit do të kenë mundësi të kënaqen edhe nën tingujt e DJ Gamblemani & The Band e po ashtu qielli i Prishtinës do të ndriçohet nga fishekzjarrët e shumtë që do të lëshohen në sinkronizim të muzikës. Në këtë koncert hyrja do të jetë falas! / KultPlus.com

PlayUK në PriFest

Çdo vit, PriFest fokusohet në një shtet apo regjion të caktuar për të promovuar kinematografinë e atij vendi në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadat përkatëse.

Sivjet, Programi Fokus i PriFest është realizuar në bashkëpunim me Këshillin Britanik (British Council), për të sjellë fokusin special të filmave të një ndër kinematografive më me ndikim – Kinemanë Britanike dhe atë me emrin moton- PlayUK.

PlayUK është një iniciativë e cila u nis vitin e kaluar nga British Council duke krijuar një platformë të veçantë me qëllim promovimin e Kinemasë Britanike në shtetet e Ballkanit.

Këtë vit, PlayUK vjen si pjesë e programit të PriFest, duke na bërë të lumtur që publikut tonë po i sjellim jo vetëm filma të kësaj kategorie, por një perzgjedhje filmash të spikatur të cilët kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm në festivale dhe vijnë në Kosovë për tu shfaqur si premiera në PriFest.

Më poshtë gjeni listën e plotë të filmave që do të shfaqen në programin PlayUK:

1) Film stars don’t die in Liverpool
2) Beast
3) The Party
4) England is mine
5) Arcadia
6) Apostasy
7) God’s own country

Artan Imami: Jemi pro një teatri të ri, por kundër cenimit të tokës së TK

Aktori i njohur Artan Imami deklaroi sot në dëgjesën përballë kreut të bashkisë Erion Veliaj, se është pro një teatri të ri, por kundër cenimit të tokës së Teatrit Kombëtar.

“Të gjithë ata që gjejnë veten në këtë deklarim mund ta firmosin. Ne artistët e pavarur që nuk jemi pjesë e asnjë shoqate apo sindikate, dëshirojmë që të bëjmë me dije opinionin publik, që shprehim nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Ne shprehim kërkesën tonë për të qenë pjesë e negociatave. Por shprehemi, që prona që posedon TK të jetë vetëm për TK dhe mos të ketë asnjë cenim të saj përveçse për TK. Ne duam që të jemi në dijeni për nisjen dhe për afatin e përfundimit të projektit. Ftoj të gjithë ata që gjejnë vetën në këtë deklarim që të thonë mendimin e tyre”.

Debati

Neritan Licaj: Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar me përgjegjësi të lartë qytetare i bënë me dije çdo qytetari të Republikës kudo ai ndodhet se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd sa kohë nuk tërhiqet projekt-ligji i cili grabit tokën publike të Teatrit Kombëtar.

Teatri Kombëtar dhe prona ku ai ngrihet është pasuri publike në aspektin ligjor dhe shpirtëror ndaj sigurojmë çdo qytetar se do e mbrojmë pa asnjë lëshim.

Komuniteti i aktorëve, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të angazhuar që janë bashkuar në qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon dialog dhe bisedime konstruktive për rikonstruksionin e godinës aktuale si një vlerë dhe kujtesë historike.

Gjithashtu jemi të hapur për ndërtimin e një godine të re Teatri bashkëkohor në një vend tjetër publik me para publike. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë formulën se si mund ti vijmë në ndihëm shtetit për mbledhjen e fondeve të kërkuara.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ju përgjigj pozitivisht thirrjes së parë për bashkëbisedim por hasëm në përdorimin politik dhe manipulimin publik nga ana e qeverisjes vendore dhe qendrore duke gjuajtur nën brez./ KultPlus.com

“Shpata prej drurit”, një bashkëpunim filmik Kosovë – Turqi, xhirohet në Mitrovicë

Kosova dhe Turqia do të realizojnë një projekt filmik, që trajton temë nga lufta e fundit në Kosovë. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi që pati aktori Fatmir Spahiu me zyrtarë të Komunës së Mitrovicës.

Ai i njoftoi ata se xhirimet kryesore të filmit “Shpata prej druri”, do të bëhen në qytetin e Mitrovicës.

Aktori Spahiu u prit nga nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.

Filmi “Shpata prej Druri”, me skenar të Selman Kiliçaslan dhe me regji të Emre Konuk, trajton temën e një djali nga Krusha e Madhe, i cili i ka prindërit e zhdukur që nga lufta e Kosovës, përcjell Koha.net./ KultPlus.com

Kati i parë i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, përmbytet nga shiu

Institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë.

Biblioteka Kombëtare thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i vlerave të rralla dhe Arkivi i librit e i periodikut shqip.

Nga të dhënat paraprake, numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Gjatë punës së deritanishme janë tharë plotësisht rreth 70% e tyre. Vijon puna intensive për tharjen e plotë të pjesës së mbetur.

Mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale. Në funksion të kësaj emergjence institucioni njofton se do të qëndrojë i mbyllur nga data 25 deri 30 qershor./ KultPlus.com

Albert Heta prezanton sonte programin e Shkolla Verore si Shkollë në Sarajevë

Sonte më 25 qershor me fillim nga ora 18:00 në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, bëhet prezantimi i programit të Shkolla Verore si shkollë, shkruan KultPlus.

“Akademia e Arteve të bukura në Sarajevë dhe Sonemus ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në prezantimin e programit të Shkolla Verore si Shkollë 2018 – platformës ndërdisiplinore, edukative me qendër në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe krijuar mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Prezantimi dhe diskutimi në perspektivat e arsimimit në fushën më të gjerë të artit bashkëkohor bëhet me: Albert Hetën, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Donjetë Murati, hulumtuese dhe koordinatore e programit në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Anja Bogojevic, kuratore/historiane e artit, asistente në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë, bashkëthemeluese e Qendrës për Art Bashkëkohor Abart, Mostar; Admir Mujkic, artist/asistent në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë; Amila Ramovic, kuratore/muziciente, asistente në Akademinë e Muzikës dhe Akademinë e Arteve Skenike në Universitetin e Sarajevës; Ališer Sijarić, kompozitor, profesor në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Sarajevës dhe drejtor artistik i Organizatës Sonemus.

Programi i Shkolla Verore si Shkollë 2018 mbahet më 16 korrik – 2 gusht, 2018.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur thirrjen e dytë për aplikim në kurse. Afati i fundit për aplikim është më 25 qershor, 2018.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion, ligjërata dhe prezantime publike, ekspozita, perfomanca dhe program filmi. / KultPlus.com

Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 82-të

Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 82-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com

Inaugurohet busti i Eqerem Çabej në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka inauguruar bustin e gjuhëtarit Eqerem Çabejt. Ai ngriti lart figurën e Çabej, duke vlerësuar rolin dhe kontributin që ai ka dhënë për gjuhën shqipe.

“Busti i Eqerem Çabejt në zemër të Tiranës, një vepër e bukur për një njeri të bukur, të cilin përkushtimi dhe kontributi për gjuhën e shqipe e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike”, shprehet Rama./ KultPlus.com

Lumi i Shalës, kjo mrekulli shqiptare që mahnit turistët

Është një mrekulli të shikosh këtë oaz aty ku Shala përqafohet me Drinin, tashmë liqeni i Komanit. Ka dy vjet që është bërë pika më e frekuentuar në veriun e Shqipërisë. I thonë dhe “Blini i Gurit t’Lekës”, sepse aty ka mbyllur vitet e fundit të jetës së tij, prijësi i Dukagjinit, Leka.

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.

Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme është disi e gjatë, por jo e lodhshme, pasi është e larmishme. Vizitohet kryesisht nga turistë që nisen nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Lushnja… kryesisht Shqipëria e Mesme dhe ajo Veriore. Vizitorët e Tiranës nisen pak herët rreth orës 5 të mëngjesit dhe pas 2 orë udhëtim në rrugë të asfaltuar mbërrijnë në Vaun e Dejës dhe prej këtu duhet dhe 1 orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.

Oraret e tragetit janë 6 dhe 9 e mëngjesit. Megjithatë, për 90 euro në total (5 euro personi) varka me rreth 20 vende vihet në dispozicion të vizitorëve për të shijuar nga afër pikat interesante të liqenit të Komanit dhe të lumit të Shalës.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të bësh dhe banjo dielli.

Ata më aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale, rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.

Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij, si për shembull “Guri i Lekës”, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.

Lumi i Shalës është një atraksion i ri, i cili ka pak kohë që ka filluar të frekuentohet. Ai i tërheq vizitorët me ujin e kristaltë dhe natyrën e mrekullueshme.

Ky bum turistësh në dy vitet e fundit, i ka nxitur vendasit e përfshirë në industrinë e shërbimit dhe akomodimit të kërkojnë mundësi zhvillimi me nisma që do të financojnë bujqësinë e zonës, në mënyrë që vizitorët të shijojnë prodhime vendase. Aty ka dhe një bar të vogël të ngritur nga investitorë vendas, ku u shërbehet vizitorëve.

Dhe pas disa orëve shëtitje në ujërat e kthjellta, plazh në zhavorrin lumor dhe një dreke të shijshme në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët i hipin sërish varkave të vogla për të provuar rrugën e kthimit, e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit. Dhe brenda ditës je përsëri në Tiranë por… ke kaluar një ditë ndryshe… / KultPlus.com

Psychedelic Cinema Orchestra me koncert në Lumbardhi

Psychedelic Cinema Orchestra më 27 qershor me fillim nga ora 21:00 do të mbajnë koncert në Lumbardhi, shkruan KultPlus.

Formacioni i tanishëm i grupit është një bashkëpunim i veteraneve të Psychodelic Cinema Orchestra dhe anëtarëve të grupi kroat, Šumovi Protiv Valova, të cilët përshkruajnë muzikën që bëjnë si “psychedelic / ambiental instrument rock”.

Për performancën në Lumbardhi Psychedelic Cinema Orkestra do te jenë: Ken Winokur (perkusion, clarinet, junk), Jonathan LaMaster (violinë elektrike, kitarat, noisemakers), Ivan Čadež (bas, elektronikë, ondenot), Hrvoje Radnić (kitarë, laptop akustik), Hrvoje Nikšić (organ, sintet modular).

Koncerti do të shoqërohet gjithashtu me shfaqje filmash të Ken Brown. Filmat e Brown ishin projektuar në koncertet e bendeve të viteve 60 – Hendrix, Velvet Underground, Frank Zappa, Sly and the Family Stone, Neil Young, The Who, Pink Floyd dhe shumë të tjerë.

Filmat që rezultojnë, së bashku bëjnë kinematografinë aktuale PSYCHEDELIC dhe qëndrojnë sot si një dritare mahnitëse të një kohe tjetër. Biletat mund të blihen në Lumbardhi me çmim prej 2 Euro./ KultPlus.com

Nji natë e dogja

Poezi e shkruar nga Leonard Cohen.
Përkthyer nga Fatbardha Statovci
.

Nji natë e dogja shtëpinë që doja,
Ndriti nji rreth t’përsosun
Ku pashë ca barna t’këqija dhe gurë
E asgjë jashta kësaj.

Disa krijesa të ajrit
Prej natës t’frikësueme,
Erdhën botën prapë me e pa
Dhe nëpër dritë u zhdukën.

Tash prej qielli n’qiell lundroj
Dhe e gjithë errësina këndon
Kundër varkës prej krahësh sakatë
Që e kam ba.

Ulqini ekspozon dokumentet “Zyra Doganore e Tivarit 1928”

Arkiva e Ulqinit hapi ekspozitën fotodokumentare “Zyra Doganore e Tivarit, dokumentacioni për lejekalimet dypronësore nga viti 1928”.

Për herë të parë në ekspozitë prezantohen dokumente dhe fotografi që dëshmojnë për aktivitetin gjatë periudhës mes dy luftërave botërore në zonën kufitare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, transmeton “Zëri i Amerikës”.

Ekspozita dëshmon për banorët e brezit kufitar përgjatë Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna si dhe shkëmbimet pas funksionalizimit të pikave kufitare midis dy vendeve./ KultPlus.com

Me temën “Arkitektura e Shkruar”, së shpejti nis Festivali i Arkitekturës në Kosovë

Sot një javë në Prishtinë fillon Festivali i Arkitekturës në Kosovë, eventi më i madh i arkitekturës në vend.

Përgjatë dy javëve të para të korrikut në Prishtinë do të mbahen 12 ligjërata, 6 punëtori, 5 shfaqje të filmave, 1 ekspozitë, 2 promovime të librave, 1 debat dhe 1 sallon i librit. Programi do vazhdoj edhe përgjatë muajit gusht dhe shtator me 2 ekspozita të tjera, 2 punëtori dhe 3 ligjërata.

Këtë vit tema e festivalit është “Written Architecture” – “Arkitektura e Shkruar” dhe fokusi i ligjëratave, debatit dhe disa punëtorive do jetë mungesa e leximit dhe shkrimit kritik në arkitekture (posaçërisht asaj lokale). Në sallonin e librit do të prezantohen disa nga shtëpitë botuese më të njohura në botën e arkitekturës sikurse “DPR-Barcelona”, “Actar”, “Urban Next” dhe “Mies Foundation”.

Katër punëtori do organizohen nga partneret dhe arkitektet e ri Evropian të Future Architecture, një punëtori nga Ivan Kucina nga Dessau ISA si dhe për herë të parë do organizohet një punëtori për dizajn industrial që do udhëhiqet nga Rainer Mutsch, njëri nga dizajnerët industrial më të njohur në botë.

Disa nga ligjëratat më të dalluara do jenë ato të Antoine Willmering nga Getty Foundation, Liam Young nga Sci-Arch, Ivan Blasi nga Mies Foundation si dhe ajo nga Eliza Hoxha, kuratorja e Pavijonit të Kosovës në Biennalen e Venedikut të sivjetmë.

Të gjitha ligjëratat do të mbahen në Kino Armata, çdo mbrëmje duke filluar nga ora 19:00. Salloni i librit dhe debati mbi shkrimin kritik do mbahet në Soma.

Nesër KAF do shpërndaj edhe programin e plotë të festivalit ndërsa për më shumë informata rreth pjesëmarrësve të eventit, aktiviteteve të tjera dhe për të shkarkuar fotografi vizitoni faqen zyrtare në: www.kosovoarchitecture.com ./ KultPlus.com

“Zonja e çeliktë” zvicerane në përkrahje të shqiponjës dykrenare

Dhjetë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Këshilltarja e vjetër federale Micheline Calmy-Rey (72) ishte një avokate e kosovarëve. Në një intervistë me “SonntagsBlick”, Calmy-Rey përkujton rolin e Zvicrës në formimin e shtetit të ri dhe shpjegon lidhjet e ngushta të Zvicrës me Kosovën, njofton Albinfo.ch.

Atë që ajo nuk e kupton fare, janë kritikat ndaj lojtarëve të Kombëtares zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pas ndeshjes së tyre fitimtare në Kaliningrad.

Për hir të saktësisë autoriale, intervistën po ua sjellim të plotë.

Znj. Calmy-Rey, ekipi kombëtar zviceran fitoi të premten kundër Serbisë. A e keni ndjekur lojën?
Micheline Calmy-Rey: Jo, por rezultati më bëri shumë të lumtur.

Golashënuesit zviceranë me rrënjë kosovare, Xhaka dhe Shaqiri, gjatë festimit bënë një gjest që simbolizonte shqiponjën dykrenare shqiptare. Për këtë, ata menjëherë morën kritika të rënda. Si e gjykoni gjestin e të dyve?

Si mund të definohesh më besnik se sa nëpërmjet shënimit të golave për Zvicrën? Askush nuk mund t’i detyrojë ata të hedhin nga dritarja origjinën dhe të kaluarën e tyre. Që të dy lojtarët janë zviceranë, por rrënjët e tyre janë në Kosovë dhe kjo nuk është aspak kontradiktore. Sidomos jo në Zvicër.

Çfarë do të thotë?

Unë kam lindur në Valais dhe u bëra një politikane në Gjenevë. Dhe unë jam e të dyjave: Si e Valisit, ashtu edhe e Gjenevës. Kjo nuk bie aspak në ndonjë kundërshtim.

Ju keni luajtur një rol qendror në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Zvicra ishte e rëndësishme. Ne ishim vendi i parë që filloi një diskutim mbi statusin e Kosovës. Bile, që në vitin 2004. Për vite të tëra Zvicra ka qenë e angazhuar për uljen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës. Kur u bë e qartë se nuk ishte i mundur asnjë përparim në këto bisedime, ngritëm çështjen e statusit të Kosovës në OKB. Pastaj pasoi një proces i gjatë, i udhëhequr nga OKB. Ky proces përfundoi në vitin 2008 me një shtet të pavarur.

E cila u njoh shpejt nga Zvicra ?!

Jo. Komisioni i Politikës së Jashtme dhe Këshilli Federal fillimisht duhej të pajtoheshin. Ne e kemi njohur Kosovën në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera europiane.

Sa janë të afërta marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Kosovës?

Shumë të ngushta. Dhjetë për qind e kosovarëve jetojnë në Zvicër. Kur jam në Kosovë, shoh shumë makina me targa zvicerane. Disa madje thonë se Kosova është kantoni i 27-të i Zvicrës. Zvicra është ende shumë e pranishme atje: me ushtarët e KFOR-it dhe projektet e zhvillimit të DEZA-s.

Çfarë rëndësie ka Kosova për ju personalisht?

Ne jemi toka e William Tellit. Mua më ka prekur lufta e lirisë së këtij populli. Veçanërisht me njerëzit e diasporës kosovare në Zvicër, kam shumë takime të mrekullueshme. Ndonjëherë, kur hipi në taksi, shoferi thotë: “Zonja Calmy-Rey, nuk duhet të paguani asgjë, unë jam nga Kosova.” Në disa udhëtime në Kosovë, ndihem e respektuar si Nënë Tereza (qeshet). Por kjo tregon vetëm se çfarë rëndësie të madhe ka pasur aktiviteti i Zvicrës zyrtare dhe ende ka në Ballkan.

Joga, disiplina indiane e shndërruar në trashëgimi botërore

Joga është një disiplinë tradicionale indiane, që përfshin si trupin ashtu dhe shpirtin, dhe praktikohet në mbarë botën dhe që nga viti 2016 është pjesë e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit.

-Origjina e jogës-

Fjala joga e ka prejardhjen nga sanskritishtja që nënkupton bashkëpunimin, lidhjen, bashkimin, një gjë që sipas historianit Bernard Sergent ilustron më së miri idenë që nënkupton disiplinën, të bashkohesh në një veprimtari të njëjtë intelektuale me atë që praktikon shpirtin universal të botës.

Koncepti i jogës shfaqet në tekste shumë të vjetra si Bhagavad-Gita, teksti themelor i hinduizmit, i shkruar mes shekullit V dhe II para Krishtit.

”Joga është në fakt elementi bazë i hinduizmit”, shprehet indianologia, Tara Michaël.

”Kjo praktikë bazohet në ndërgjegjësimin e natyrës së pakënaqur të gjendjes njerëzore”, shton ajo.

-Një term me shumë kuptime-

”Ky term është i shumëkuptimtë pasi bashkëjetojnë disa joga, klasike, popullore, e ngurtë po edhe ajo erotike”, thekson filozofi dhe romancieri Mircea Eliade në esenë « Teknika të Jogës ».

Për fjalorët modernë perëndimorë, joga është një displinë shpirt-trup që synon të çlirojë shpirtin nga kufizimet e trupit me anë të lëvizjeve, të ritmit apo të frymëmarrjes.

”Sot joga nuk është gjë tjetër veçse një gjimnastikë e shëndetit të mirë”, shprehet Tara Michaël.

-Një rishpikje moderne-

Joga u bë e njohur në Perëndim në fund të shekullit XIX. Në po të njëjtën periudhë, disiplina përjetoi një ripërtëritje të thellë në Indi nën ndikimin e mjeshtrit të hinduizmit modern, Swami Vivekananda (1863-1902).

Ky murg filozof vë theksin në anën racionale dhe shkencore të jogës për ta bërë një disiplinë të arritshme nga perëndimi. Libri i tij « Raja Joga » parashtron bazat e një joge moderne dhe ndërkombëtare.

-Fenomen planetar-

Në vitet ’60-’70, admirimi i ikonave të kulturave dominuese për metafizikën indiane, e ilustruar nga marrëdhënia e Bitëllsave me gurunë indiane, Maharishi Mahesh, popullarizoi jogën si praktikë shpirtërore.

”Në mënyrë krejt të ndryshme, vitet ’80-’90 konstatohet shfaqja e një praktike më laike dhe joga posturale (me qëndrimin ulur) bazuar në metoda atletike dhe dinamike synon të imponohet në Perëndim”, thekson hulumtuesi britanik, Mark Singleton.

-Trashëgimi botërore-

Sot është e vështirë të përllogaritet me saktësi numri i personave që praktikojnë jogën në të gjithë botën. Disa dhjetëra milionë me siguri, disa shprehen për 200 deri në 300 milionë.

Ndërsa studimet tregojnë përfitimet e saj ndaj ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të gjumit, joga u regjistrua në dhjetor të vitit 2016 në Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO.

Që nga koha e marrjes së detyrës në vitin 2014 kryeministri indian, Narendra Modi e ka shndërruar jogën në një instrumet të ndikimit të Indisë në botë. Ai është iniciatori i një rezolute të OKB-së që nga viti 2015 e regjistroi në kalendar 21 qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Jogës./(Nga Olivier Thibault)/ata

Dion Zeqiri sjellë ekspozitën e parë personale “Ripërtypja”

Të enjten me 28 qershor me fillim nga ora 19:00, hapet ekspozita e parë personale e artistit Dion Zeqiri “Ripërtypja”, shkruan KultPlus.

“Ripërtypja” sjellë katër punë serike të cilat paraqesin një narracion të materializuar/në formë fizike, paraqesin trupa mutant të kafshëve ku në mungesë të informacioneve për prejardhjen e tyre, i ngjajnë në një krijesë imagjinare mutagjene.

Zeqiri flet për një anë personale të problemit të mishit të paverifikuar, flet për sistemin ekonomik e shoqëror që njëjtë mund të shihet si mutacion sepse dështon në mbrojtjen e konsumatorit nga cilësia e dobët e produkteve të mishit dhe si ky konsumim ndikon në vetë organizimin e tij./ KultPlus.com