“Tirana, 100 km” nga Lorin Terezi garon në festivalin e Virxhinias

Filmi “Tirana, 100 km” është përfshirë në konkurrim zyrtar në “West Virginia Filmmakers Festival”. Filmi shqiptar me regji nga Lorin Terezi garon për kategorinë filmi më i mirë i huaj.

Festivali i parë “West Virginia Filmmakers” u mbajt në pranverën e vitit 2001 në Virxhinia. Bashkëthemeluar nga Kevin Carpenter dhe Steve Fesenmaier, sot ky festival konsiderohet si nga më të rëndësishmit edhe për regjisorët e rinj dhe bën bashkë në konkurrim filma të ndryshëm nga e gjithë bota.

Këtë herë në edicionin e këtij viti do të garojë dhe “Tirana, 100 km” me skenar nga Lorin Terezi dhe Anila Balla, që është dhe përfaqësuesi shqiptar në këtë garë filmash, shkruan a.t.a.

Filmi prodhuar nga shtëpia filmike Movie-On me producent Artan Malaj financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ka qenë në konkurrim në disa festivale kombëtare dhe ndërkombëtare deri tani. Filmi me regji nga Lorin Terezi sjell për publikun një histori, që e gjen në realitetin e përditshëm. Aktorët janë Anila Balla, Kastriot Shehi, Ardian Cerga në rolet kryesore.

Filmi pati premierën në Shqipëri në nëntor të vitit që kaloi në “Tirana International Film Festival” ( TIFF), që u zhvillua në Tiranë.

Jeta e luksit për Lindën që interpretohet nga Anila Balla merr fund kur Stefani, që luhet nga aktori Ardian Cerga, biznesmen i suksesshëm vdes. E gjendur e papërgatitur në një atmosferë armiqësore, ajo kthehet në vendin e lindjes. Por, me ç’duket, fshati ka mbetur ashtu siç ajo e ka lënë, bashkë me rrugët, njerëzit dhe familjen. Dëshmitare e mjerimit, pa e kaluar pragun e shtëpisë, ajo riniset drejt kryeqytetit, 100 kilometra larg./ KultPlus.com

“Aktori në kuti” do shfaqet në Teatrin “The Playground Theatre” në Londër

Alberina Haxhijaj

Shfaqja “Aktori në kuti” do prezantohet në Teatrin “The Playground Theatre” në Londër më 13 e 14 shtator 2018, shkruan KultPlus.

Me rastin e Vitit Jubilar , 10 Vjetorit të shfaqjes “Aktori në kuti” vazhdon prezantimi dhe pjesëmarrja në skenat ndërkombëtare.

“Aktori në kuti” në shenjë të këtij përvjetori, më 22 prill u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Bacau të Rumanisë e cilësuar shfaqje nderi e festivalit si dhe në manifestimin mbarëkombëtar “140 Vjetorin e Lidhjes së Prizrenit” më 13 qershor.

Gjate 10 viteve shfaqja “Aktori në kuti” mori pjese dhe u prezantua në mbi 20 festivale kombëtare dhe ndërkombëtare duke marrë çmime dhe nominime po ashtu.

“Aktori në kuti” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT, ndërsa teksti, regjia dhe interpretimi nga Mentor Zymberaj.

Shfaqja “Aktori në kuti” tregon historinë e një aktori i cili e braktisë Teatrin Kombëtar të vendit të tij dhe merr rrugën e aktorit shëtitës. Ai për më shumë se tri vite shëtit nëpër rrugë duke dhënë më shumë se 700 shfaqje.

Ai një ditë nuk mbërrin në qytetin antik për ku ishte nisur, por në një zonë të minuar lufte. Dëshiron të kthehet nga ka ardhur por shpejtë i mbyllet shtegu. Mbetet i izoluar mu në mesin e zonës së minuar me kutin e tij të vogël të cilën e ka skenë por edhe bujtinë, kuzhinë, gardërobë. Atë ditë rastis të ketë edhe ditëlindje, e feston mu në “zonën e minuar” duke i ofruar “zonës së vdekjes” pjesë nga Shekspiri, Molieri, Çehovi dhe në fund monologun e tij jetësor ku vet është autor. ”Zona e Ftohte” vazhdon kërcënimin ndaj artistit duke ia rrëmbyer dhe duke ia hedhur në ajër copë-copë edhe “partneren” e vetme, Xhulijetën!…Mallëngjehet për kukullën e tij, partneren e vetme. Betohet se kurrë më nuk do ta luaj atë pjesë teatrore…Akuzon “Luginën e Vdekjes” për pasojat që ua bënë njerëzimit./ KultPlus.com

Regjisori Mehmeti: Hani mish e pini verë italiane, e kur nuk keni më, servojeni mishin tonë në pjatat tuaja të argjendta

Regjisori Kushtrim Mehmeti i cili tashmë njihet për disa nga aktivitetet që kanë adresim pushtetin, së fundi ka reaguar edhe për vdekjen e të riut Milot Belegu, i cili ka ndërruar jetë pasi ka pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e punës, shkruan KultPlus.

Më poshtë po sjellim reagimin e plotë të Mehmetit:

Karavanit te vdekjeve ne vend te punës i shtohet edhe 23 vjeçari, Milor Belegu.
Ende pa u mbushur një muaj nga një tjeter tragjedi, shteti ynë është një hiç i populluar me Hiça qe udhehiqen nga Hiçat.
Kurre dritë mos pafshi!
Ju marroftë Zoti!
Hani mish kalmari e pini verë italiane, e kur nuk keni më, servojeni mishin tonë në pjatat tuaja të argjendta dhe gjakun tonë në gota te porcelanit.

Milot Belegu gjatë këtij muaji ishte lënduar në vendin e punës, në një objekt të ndërtimtarisë në Pejë.

Kurse Kushtrim Mehmeti i cili ka reaguar për vdekjen e këtij të riu, si pasojë e mos sigurisë së punëtorëve në vendet e punës, njihet për iniciativën e mbledhjes së kravatave, që ia pati dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj, me rastin e rritjes së rrogës nga ky i fundit, ku e pati arseyatuar rritjen e rrogës së tij, pasi që i duheshin mjetet për blerjen e karavatave./KultPlus.com

Fisi Hoti, pozita dhe popullata e tij

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit dhe vazhdon të shtrihet përpjetë maleve që kalojnë pranë Brigjës deri te maja e fshatit Rapshë-Starje. Rruga nga bregu kah territori i Kelmendit dhe i Vermoshit ,në fillim shpie në këtë luginë, që shkon paralel me kufirin shqiptaro-malazez. Territori i Hotit shtrihet edhe përgjatë liqenit, në Malin e Zi, dhe vazhdon nëpër gjirin e Humit, duke u ngjitur deri në luginën e parë të Helmes dhe Traboinit, në anën veriore të Malit Bukoviq. Hoti kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Grudës në veri të Malit të Zi, në verilindje me Kelmendin dhe me Kastratin në jug.
Ngulimet kryesore të Hotit janë: Rapsha e Hotit në Shqipëri dhe Arza, Helmesi dhe Traboini në Mai të Zi.

Popullata

Termi Hoti është shënuar si një emër personal më 1330. Më 1474, rajoni quhej montanee octorum, montanea attanorum (Malet e Hotit). Trajta e termit hoti përmendet në raportin dërguar Romës, në shtatorin e vitit 1621, nga peshkopi shqiptar i Sap-ës dhe i Sardë-s, Pjetër Budi dhe në raportin kishtar të Pietro Stefano Gasparit, më 1671. Hoti gjithashtu shfaqet në raportin e Gjorgjo Stampaneos, aty kah viti 1685 dhe në hartën e vitit 1689, të hartografit italian Gjakomo Kantelli da Vinjola.

Më 1614, shkrimtari venedikas, Mariano Bolizza nga Kotori i përmend 212 shtëpi të Hotit nën zotërimin e një farë Marash Papës, me 600 burra të armatosur.66 Më 1838, doktori austro-hungarez , Jozef Myller, ishte informuar nga At Deda i Vuklit se në Hot kishte 1500 banorë.67 Pothuajse në të njëjtën kohë (1841), në “Një informatë e shkurtër mbi fiset e Malësisë së Shqipërisë së veriut, në veçanti mbi malet e pavarura”, Nikolla, Princi i Vasojeviqve, pohon se popullata e Hotit përbëhej prej 2400 banorëve, prej të cilëve 600 ishin të armatosur. Në saje të regjistrimit të vitit 1854, diplomati francez, Hajsinth Hekardë, ka cekur se Hoti ka 450 familje.

Një diplomat tjetër francez, Emil Vjetë, konsulli francez në Shkodër, ka cekur se Hoti kishte 400 shtëpi që përfshinin 2442 katolikë, plus pesë shtëpi të tjera myslimane në trevën e quajtur Sunci.70 Autorë të tjerë të fimdit të shekullit nëntëmbëdhjetë përmendin gjithashtu 400 dhe 500 familje. Nga këto të dhëna, mund ta kemi të qartë se popullata e Hotit ka pasur rreth 400 banorë në atë kohë. Edith Durhami i referohet Hotit në dekadën e parë të shekullit njëzet si një bajrak i përbërë prej 500 shtëpive.

Hoti, tradicionalisht, ka qenë fis katolik. Mbrojtësi i shenjtë i fisit është Gjoni i Pagëzuar, dita e të cilit (Shënjoni i Hotit) kremtohet për çdo vit, më 29 gusht. Kisha e famullisë së Brigjës, e ndërtuar më 1699, i është kushtuar Shën Gjonit Pagëzues. Vetëm disa gurë dhe një varrezë e vjetër kanë mbetur nga kisha. Ky fis e ka edhe festën dimërore të Shën Nikollës, e cila kremtohet tërë javën. Kisha në Hot i është dedikuar Shën Venerandës. Kisha në Rapshë të Hotit është ndërtuar në vitin 1699 nga françeskanët, të cilët pas një kohe të shkurtër qenë të detyruar të largoheshin prej saj. Një shtëpi e famullitarit u ngrit aty më 1907, e financuar nga Austro-Hungaria. Në Traboin ka qenë një famulli katolike që nga viti 1648, megjithëse shpesh braktisej.

Disa familje në Hot, gjatë periudhës së sundimit Osman u konvertuan dhe kaluan në fenë islame. Megjithatë, ndasitë fetare nuk duket të kenë shkaktuar probleme të mëdha brenda fisit. Dhjetë familje në Rapshë, bie ijala, kaluan në fenë islame më 1800 dhe nga Pasha fituan të drejtën që të kenë Bylykbashin ose (Vojvodën e vet); këtë post e pati vazhdimisht familja e Hasan Agës./ KultPlus.com

Edicioni i 11-të i “Hyjnesha në Fron” përmbyllet sonte me ndarjen e çmimeve

Në natën e pestë, sonte, më 27 gusht përmbyllet edicioni i XI-të i Fest Film Kosova ‘Hyjnesha në Fron’.

Nata finale ka në program ceremoninë përmbyllëse e cila fillon nga ora 20:00 në stacionin e vjetër të trenit në Prishtinë. Pjesa e parë e mbrëmjes është e rezervuar për ndarjen e çmimeve, ndërsa vazhdon me një koktej me muzikë live nga doajeni i muzikës qytetare Bashkim Gagica.

Në çdo kategori garojnë filma të shumtë ndërkombëtarë dhe vendorë për çmimin kryesor të festivalit ‘Hyjnesha në Fron’, statujë kjo e cila simbolizon qytetin e Prishtinës.

Edicioni i sivjetmë i festivalit u zhvendos në stacionin e vjetër të trenit në Prishtinë ku përveç kinos në stacion të trenit dhe asaj në Kino Armata, filmat janë shfaqur edhe në një kino në vagon treni statik si formë proteste e mosrealizimt të idesë fillestare që me tren të udhëtohet nëpër Evropë, dhe të jetë një festival që në udhëtimin me tren ti marrë krijuesit përgjatë udhëtimit të tij, ide kjo origjinale e themeluesit të festivalit Besim Ajeti.

Krijuesit ndërkombëtarë të pranishëm në edicionin e sivjetmë janë tejet të mahnitur me idenë themeluese të festivalit, i cili vazhdon të tërheq mysafirë dhe krijues të shumtë nga vende të ndryshme të botës.

Këtë vit, dy regjisorë, hungarez dhe koreano-jugor, vendosën që filmat e tyre t’i shfaqin si premiera botërore në Fest Film Kosova ‘Hyjnesha në Fron’. Bëhet fjalë për filmat ‘The Devoted’ (Të Përkushtuarit) nga regjisori Pozsgai Zsolt (Hungari), dhe ‘Dad Is Pretty’ (Babai është i Bukur) nga regjisori Park So Min (Republika e Koresë Jugore).
Filma të tjerë të shfaqur këtë edicion kanë pasur gjithashtu premierat e tyre europiane dhe regjionale. Regjisori Szolt, i cili nuk mund të ishte i pranishëm në premierën botërore të filmit të tij, nëpërmjet një letre të përcjellë përmes Ambasadës Hungareze në Kosovë tek organizatorët e festivalit shtoi se ka qenë një surprizë e papritur dhe kënaqësi që filmi i tij është përzgjedhur prej festivalit duke e konsideruar shfaqjen e filmit të tij në Prishtinë si një moment emblematik në karrierën e tij./ KultPlus.com

Flaka Xërxa e Vlora Navakazi përfaqësojnë Kosovën në Kongresin Bienal të Docomomo International në Lubjanë

Duke filluar nga nesër, 28 deri me 31 gusht, në Lubjanë të Sllovenisë mbahet kongresi i 15-të bienal i Docomomo International.

Në kongresin e Lubjanës Kosova do të përfaqësohet nga anëtarja e saj Flaka Xërxa e cila në bashkëpunim me profesoreshën Vlora Navakazi në njërin nga sesionet e kongresit do prezantojnë një punim shkencor të titulluar “The life of Kosovo Modernism” (Jeta e Modernizmit Kosovar). Punimi i Xërxës dhe Navakazit shtjellon perceptimin dhe metamorfozën e modernizmit Kosovar që nga fillet e saj e deri tek ditët e sotme.

Docomomo International është organizata më e madhe botërore e Dokumentimit dhe Konservimit të Arkitekturës dhe lëvizjes Moderne e cila në mbar botën numëron mbi 60 degë kombëtare. Para 2 vite në kongresin e Lisbonës dega e Docomomo’s në Kosovë është pranuar si anëtare e plotë.

Për dy vitet e kaluara Docomomo Kosovo ka organizuar punëtori dokumentuese, ka alarmuar Docomomo International rreth shkatërrimit të trashëgimisë moderne në Kosovë, sikurse sheshi i Bashkim Vllaznimit, Fakultetit Teknik, Shtëpisë së Armatës, e tjera. Dega e Kosovës gjithashtu ka filluar me popullimin e Docomomo Virtual Exhibition me objekte nga Kosova (exhibition.docomomo.com) dhe ka prodhuar mbi 30 fiche dokumentuese për objekte të ndryshme në Kosovë të cilat mëton ti shfrytëzoj edhe si dosje nominuese për listimin e këtyre objekteve në listën e objekteve të mbrojtura nga shteti. / KultPlus.com

Opera e famshme italiane vjen në Prishtinë

Më 8 shtator me fillim nga ora 20:30, në Teatrin Oda në Prishtinë shfaqet opera e famshme italiane ‘Katër i Radës’, shkruan KultPlus.

E prodhuar nga Cantieri Teatrali Koreja – Lecce, opera ka qenë e komisionuar nga ‘Biennale di Vennecia’. Nga koha kur është prodhuar, kjo operë është dhënë në dhjetëra festivale të rëndësishme evropiane, përfshi edhe në festivalin e mirënjohur MESS të Sarajevës.

‘Katër i Radës’ nuk është veç një operë e kujtesës. Është një përpjekje, që përmes muzikës, të shkarkohet universi i njeriut i cili shkoi për të takuar një nga shumë tragjeditë e Mesdheut: atë të një anijeje të vogël të stërmbushur me burra, gra dhe fëmijë, që u fundos, në mars të vitit 1997 në bregdet të Italisë. Në turmën e një akti të vetëm, të Fundosurit dhe të Shpëtuarit, ata që u shpëtuan dhe ata që vdiqën, zërat e tyre, mendimet e tyre, e posaçërisht udhëtimi i tyre drejt errësirës, plot me ankthe dhe dëshira të vogla, ëndrra dhe frikë, devijime, ndarje, kujtime të rastësishme…

Muzika: Admir Shkurtaj, Libreto: Alessandro Leogrande, Regjia: Salvatore Tramacere, Skena dhe dritat: Michelangelo Campanale dhe Kostumet: Stefania Miscuglio./ KultPlus.com

60 vjet nga puthja e parë në kinematografinë shqiptare

Plot 60 vjet më parë ishte premiera e filmit të parë të gjatë artistik, “TANA”, me skenar nga Fatmir Gjata dhe regji të Kristaq Dhamos. Tana nuk ishte vetëm filmi i parë shqip por dhe filmi ku u dha puthja e parë në kinematografinë shqiptare.

Dy personazhet që interpretuan të dashuruarit në këtë film ishin Tinka Kurti dhe Naim Frashëri, rikujton Shqip.

Në rolin e të dashurit Frashëri është një djalë malësor, romantik, me dashuri të pastër, që dëshiron të ndërtojë një jetë të re, edhe pse në fillim e ka të vështirë pasi i duhet të shkojë për të jetuar e punuar në fshatin e Tanës, me të cilën do të lidhë një jetë të re. Gjatë këtij viti AQSHF lajmëron do ndaj herë pas here lajme të mira mbi këtë film të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare dhe për kontributin e kineasit të shquar, Kristaq Dhamo.

Subjekti i filmit, me temë nga jeta shoqërore e fshatit dhe vendosur me skenar nga Fatmir Gjata mbështetur në novelën e tij me të njëjtin titull. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë. Një puthje që për mentalitetin shqiptar të kohës ishte një tabu. “Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare.

Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” do të rrëfente vite më vonë aktorja Tinka Kurti në rolin e Tanës në film. “Sigurisht që nuk ishte e lehtë.

Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?”, shprehej aktorja. Në këtë film kanë interpretuar aktorët që më vonë do të bëheshin historia e kinemasë shqiptare si Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadrri Roshi, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Ilia Shyti, etj./ KultPlus.com

Epitaf për veten

Poezi nga Ndoc Gjetja.

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë

Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin në kolltuce
kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
uri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
Pastaj e përcollën në banesën e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.

Ne çastin e mbarmë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

Fjalët e fundit nga Migjeni

Dje ishte 80-vjetori i vdekjes së 27-vjeçarit që pavarësisht rock-ut të papërsëritshëm të prozës së vet – arkapi(je) e vërtetë kah shtrëngatave letrare europiane të viteve ‘30 – nuk u bë dot kurrë pjesë e Club 27.

Dëshmia e tij e fundit me shkrim qe nga një spital italian, ku ishte çuar për t’u kuruar nga tuberkulozi:

“15 Maj 1938 – Ka kohë që më sillet ndër tru mendimi të marr shënime në shtëpinë e të dëshpruemve – në sanatorium. Sot, ma tepër se kurr, m’asht duke kjo banesë shtëpi e të dëshpruemve, mbasi nuk ndihesha mirë fizikisht, e kur nuk ndihem mirë fizikisht, vuej dy herë ma tepër shpirtnisht. Mbasi e diela – erdhën Olga, Arta T. Dhe Ankthim K.*

Biseduam mbi temën e ditës: politikën, mandej mbi mizat e ngordhuna nëpër tokë nga formalina. Në korriz të politikës së ditës dhe në korriz të mizave të ngordhuna e bamë pak gaz. Kur shkuen këta, ndihesha ma mirë dhe në darke ngrana mjaft mirë.”

Millosh Gjergj Nikolla./ KultPlus.com

Kosovari i cili përmes vallëzimit ndihmoi fëmijët në Afrikë

Berat Haskaj kosovari i cili njihet me emrin “Benito” përmes vallëzimit modern së bashku me grupin e tij në një festival humanitar ka ndihmuar fëmijët në Kenia të Arfikës.

“Battle for Kenya” festival me karakter humanitar që ka për qëllim të ju dal në ndihmë fëmijëve të Afrikës, është mbajtur në qytetin e Aarburgut në Zvicër. Në këtë festival morën pjesë përfaqësues nga të gjithë vendet e Evropës, ku në mesin e tyre ishte edhe Kosova e cila u përfaqësua nga “Benito” së bashku me grupin e tij, shkruan 21 media.

Kujtojmë se Berati është pjesë e grupit të njohur të vallëzimit “Future Steps”. Prej disa vitesh ai jeton në Zvicër. Krahas aktiviteteve atje, ai nuk lë anash as ato në Kosovë, bashkë me grupin por edhe vet. / KultPlus.com

Besim Sahatçiu laureohet me çmimin “Bekim Fehmiu”

Veprimtaria kinematografike e regjisorit Besim Sahatçiu konsiderohet themeltare e regjisurës kinematografike të Kosovës, që e avancoi atë në kinematografi konkurruese në rajon.

Ky ishte vlerësimi i jurisë së Çmimeve në Fushën e Kinematografisë që i ndan MKRS.

Çmimi për Veprimtari Jetësore “Bekim Fehmiu” post mortum iu nda Besim Sahatçiut dhe Çmimi Vjetor për Veprimtari Kinematografike, regjisore Blerta Zeqiri, shkruan KultPlus.

Kësisoj sot me një ceremoni në ambientet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, u ndanë këto çmime ku të pranishëm ishin bashkëshortja e Besim Sahatçiut Besa Sahatçiu dhe regjisorja laureatë Blerta Zeqiri.

“Jam e gëzuar sepse më është dukur që Besimi është harruar por ja që erdhi koha dhe u nderua me këtë çmim. Besimi dhe Bekimi kanë qenë miq dhe kolegë të profesionit. Ju falënderoj shumë për këtë çmim”, tha bashkëshortja e Besim Sahatçiut Besa Sahatçiu.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi u zotua edhe njëherë që do të vazhdojë përkrahja për kinematografinë kosovare.

Anëtarët e jurisë profesionale ishin: Ardiana Pajaziti, Isa Qosaj, Fadil Hysaj,Fatos Berisha dhe Kimete Berisha./ KultPlus.com

“Koko Fest” shndërron Korçën në destinacionin e artistëve dhe të humorit

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë do të shndërrojë Korçën në një qytet festiv dhe argëtues për qytetarët dhe turistët që vizitojnë qytetin e serenatave.

“Koko Fest” vjen me edicionin e pestë nga data 1-8 shtator me artistët më të mirë të të gjithë trevave shqiptare, jo vetëm të humorit.

Teatri i Shkodrës, i Fierit, i Vlorës, i Durrësit, i Gjirokastrës, i Korçës pa dyshim dhe trupa të tjera që vijnë nga Kosova e Maqedonia, kanë qenë pjesë konkurruese e këtij festivali, vit pas viti. Këtë vit, do të shfaqen 8 premiera.

Në natën e tretë të “Koko fest”, Teatri i Korçës do të sjellë një premierë të re që po punohet nga regjisori Guri Koço. Teatri “Petro Marko” në Vlorë, konkurron me veprën “Në dorë të fatit” me regji të Arben Kumbaros.

Teatri i Durrësit përfaqësohet me regjisoren Driada Dervishi me “Komedia që shkon për dreq”, Teatri i Prishtinës, vjen me një vepër që mban firmën e regjisë së Ilir Bokshit. Në finalen e “Koko Fest”, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të konkurrojë me “Darka e Lamtumirës” me regji të Kiço Londos.

Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Guljem Radoja, dhe anëtarët e jurisë, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Adem Karaga nga Maqedonia dhe Enver Petrovci nga Kosova do të jenë pjesë e këtij edicioni të pestë, bashkë me të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë festival , të cilët do ta ndjekin “Koko Festin” në të gjitha ditët e tij.

Publiku gjithashtu, e ndjek më shumë dëshirë këtë festival , por edhe shumë turistë që e vizitojnë Korçën gjatë ditëve të festivalit, shkruan ata./ KultPlus.com

Vdes rokeri Kyle Pavone në moshën 28 vjeçare

Vokalisti i grupit “We Came As Romans”, Kyle Pavone vdiq në moshën 28 vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesja e grupit Amy Sciaretto, që konfirmoi se ai ndërroi jetë në moshën 28 vjeçare, shkruan CNN.

“Humbja tragjike e Kyle erdhi shumë herët. Të gjithë jemi të shkatërruar nga vdekja tij. Ne kemi humbur buzëqeshjen tij, sinqeritetin e tij, shqetësimin e tij për të tjerët, dhe talentin e tij mbresëlënës muzikor”, shkruan në njoftimin e grupit.

Kylie Pavone dhe “We Came As Romans” performuan në “Rock On The Range Music Festival”, në Ohajo, gjatë muajit maj, shkruan syri.

Shkaku i vdekjes së rokerit nuk u bë i ditur menjëherë. Grupi planifikonin të performonin në turne me grupin “Rock Bullet”, gjatë muajit të ardhshëm./ KultPlus.com

Seminaristët serbë i cilësojnë shqiptarët miqësorë dhe të shoqërueshëm

Kristina Stankoviq nga Aleksinaci, Marija Ivanoviq nga Çaçaku dhe Tomisllav Perushiq nga Subotica, të cilët studiojnë gjuhën shqipe në Beograd, këtë vit po marrin pjesë në Seminarin e 37-të të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mbahet në Prishtinë.

Kristina dhe Marija (20), të cilat kanë përfunduar vitin e parë të studimeve, për herë të parë marrin pjesë në seminar dhe për herë të parë vijnë në Kosovë, ndërsa Tomisllavi (28) ka përfunduar vitin e tretë dhe kjo është hera e tretë që merr pjesë në seminar kurse Kosovën e ka vizituar disa herë.

Kristina në një prononcim për AA thotë se ndjehet mirë në Kosovë dhe se aspak nuk është ashtu siç e kishte paramenduar, pasi që Kosova paksa më ndryshe paraqitet në Serbi.

“Nuk kam pritur që njerëzit të jenë kaq të mirë dhe miqësorë ndaj serbëve, ndaj nesh që kemi ardhur nga Beogradi”, thotë Kristina Stankoviq.

Ajo tha se ka patur mbështejen e prindërve për të ardhur në Prishtinë, ashtu siç ka mbështetjen e tyre të plotë për të studiuar gjuhën shqipe.

“Prindërit dhe të afërmit e mi e kanë pranuar mirë, pasi që ne kemi miq shqiptarë dhe e dimë se sa miqësorë janë ata, por për miqtë e mi kjo ishte plotësisht absurde dhe nuk ishin aq të lumtur që zgjodha të studioj pikërisht gjuhën shqipe”, thotë Kristina. Ajo thekson se në Serbi shumë është e vlefshme të dish gjuhën shqipe, kryesisht për shkak të gjendjes aktuale politike, pasi që nevojiten përkthyes.

Po ashtu edhe kolegia e saj Marija për një javë qëndrimi në Prishtinë është përplot me përshtypje të mira.

“Me të vërtetë e papritur. Si miqësia, si njerëzit, po ashtu edhe komunikimi është diçka e papritur me njerëzit nga Kosova dhe neve nga Serbia. Aspak nuk kam pritur se do të jetë kaq mirë. Pasi që neve gjërat na servohen krejtësisht ndryshe, unë me të vërtetë jam shumë e befasuar dhe e kënaqur”, tha Marija.

Familja e saj në fillim ishte e shokuar me vendimin e saj për të studiuar gjuhën shqipe, por me shpejtësi kishin vërejtur se kjo është një plus për jetën e saj të mëtejshme.

“Kurse mjedisi këtë e pranoi pak më vonë, por ende janë të shokuar kur u tregoj, posaçërisht pse unë jam nga një qytet i vogël, kjo e bën edhe më të pazakontë ngjarjen. Edhe një vajzë tjetër nga Çaçaku studion gjuhën shqipe dhe kjo për ta është shokuese”, thotë Maria.

Tomisllav Perushiq planifikon që pasi të përfundojë studimet në Beograd të vijë për magjistraturë në Prishtinë. Tashmë disa herë ka ardhur në Kosovë, kështu që ka inkurajuar studentët e rinj të vijnë në Prishtinë, jo vetëm me fjalë, por edhe me fotot që ka publikuar në rrjetet sociale.

“Unë për shqiptarët nuk kam ditur thuajse asgjë para se të vija në Kosovë, por nuk kam pasur paragjykime. Thjeshtë, nuk kisha kurrfarë informacionesh, kurrfarë njohuri për gjuhën, historinë, kulturën, traditën, ndërsa shumë më interesonte, pasi që janë fqinjët tanë të parë”, tregon Tomisllavi.

Siç tregon, ka qenë i befasuar kur për herë të parë ka ardhur në Kosovë, pasi që ka menduar se në Kosovë është kaos, diçka e ngjashme si në Sirinë e sotme, e cila është në luftë, ndërsa ka hasur në një Kosovë të ndërtuar dhe të modernizuar.

“Kisha përshtypje pozitive me njerëzit me të cilët njoftohesha, me të cilët personalisht bisedoja dhe të gjithë gëzoheshin kur u thosha se studioj gjuhën shqipe, pasi që pak kush merret me gjuhën shqipe në botë, dhe posaçërisht në Beograd. Mendoj se ky është një popull dhe një kulturë që është lënë shumë pas dore në Ballkan. Shumëçka dihet për popujt tjerë, kurse për shqiptarët shumë pak”, thotë Tomisllavi, të cilit interesi për gjuhën dhe kulturën shqiptare iu ngjall gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ku për herë të parë në jetë kishte takuar shqiptarët.

Tomisllavi gjatë bisedës tonë kishte veshur fanellën e kombëtares së Kosovës në basketboll, ndërsa mbante orën dhe këllëfin e telefonit celular me flamurin shqiptar. Këto nuk i mban me qëllim për të provokuar, por siç thotë, njerëzit të kuptojnë se shqiptarët ekzistojnë dhe se ata janë edhe në Beograd dhe në Suboticë prej nga vjen ai dhe se janë fqinjë të mirë.

“Unë nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me luftërat, me konfliktet, isha i vogël. Unë kam përgjegjësinë të mësoj se çfarë ka ndodhur dhe të flas rreth kësaj, por unë nuk dua që barrën e të tjerëve ta kem mbi vete dhe për shkak të disa gjeneratave të vjetra të vuaj”, ka thënë Tomisllav.

Ai konsideron se ka ardhur koha që gjërat të ndryshojnë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe një rol të veçantë në thyerjen e paragjykimeve mund ta kenë gjeneratat e reja, kryesisht gjenerata e Kristinas dhe Marijas.

Gjithashtu edhe Marija konsideron se ajo çfarë ka ndodhur nuk mund të ndryshojë dhe se kjo do të mbetet në histori, por se bota u mbetet të rinjve dhe se të rinjtë serbë dhe shqiptarë mund të jenë fqinjë të mirë, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jetojnë në paqe dhe harmoni si dhe të njohin njëri-tejtrin.

Kristina porosit të rinjtë që më shumë t’i përkushtohen kulturës dhe të mësojnë zakonet dhe të mos shohin shumë politikë, ndërsa Tomisllav thekson se nëse ai si individ mund të jetojë dhe të miqësohet me shqiptarë, atëherë mundet çdokush.

“Nëse ne mund të qëndrojmë këtu dhe të flasim lirë serbisht, atëherë askush nuk mund të na thotë se kjo nuk lejohet në Prishtinë apo në Kosovë dhe ne jemi vetëm një dëshmi se gjërat nuk qëndrojnë siç flitet dhe se ky vend nuk është i rrezikshëm për serbët, aspak më e rrezikshme për shqiptarët që jetojnë këtu. Edhe njëri edhe tjetri përjetojnë gjendje të njëjtë, ashtu si në Serbi”, përfundon Tomisllavi./ KultPlus.com

Fillon edicioni i 12-të i Festivali Folklorik Ndërkombëtar “SKUPI”

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “SKUPI” prej sot e deri më 31 gusht do të mbajë edicionin e dymbëdhjetë me radhë me pjesëmarrje të grupeve folklorike nga disa vende të botës.

Në këtë festival marrinë pjesë shumë shtete nga e mbarë bota si: Argjentina, Meksika, Qiproja Veriore, Bullgaria, Ukraina, Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia si organizatore.

Festivali Folklorik Ndërkombëtarë “SKUPI” shërben në ruajtjen dhe përhapjen e traditave të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, ca më tepër ky Festival vjen edhe në mbështetje të drejtpërdrejtë të turizmit si një aktivitet i mirëfilltë i turizmit kulturor si dhe për prioritet themelor posedon qëllimin që qytetarëve të ju ofron një manifestim ku gërshetohen kulturat e vendeve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

Ky festival organizohet nga SHKA “Karshiaka” Shkup dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë dhe disa komuna të Shkupit.

Përgjatë këtyre ditëve të festivalit, do të ketë shumë aktivitete kulturore dhe artistike në disa sheshe të qytetit të Shkupit si: Sheshi Filipi i Dytë, në sheshin Isa Boletini – komuna e Sarajit si dhe në sheshin ‘Skënderbeu’.

Në hapjen e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar, përveç Ministrit të kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi./ KultPlus.com

Agolli në vitin 2000: Ne kemi krizë burrash shteti

Një intervistë e Dritëro Agollit e shkruar për “Zërin e Kosovës” në 22 dhjetor të vitit 2000, ku ai shpreh dëshirën dhe besimin se Kosova do të arrijë lirinë e plotë.

Në këto rreshta, botuar në Facebook nga e bija Elona Agolli, shkrimtari flet gjithashtu për krizën e kombit tonë për udhëheqës. “Krizë burrash shteti”. Ai shprehet gjithashtu se e ardhmja e kombit përveçse njerëzve të ditur ka nevojë edhe për njerëz kurajozë, për të përballuar rreziqet.

Shqipëria dhe shqiptarët po kalojnë nëpër një periudhë të gjatë tranzicioni, lodhëse dhe rraskapitëse. Në periudha të tilla të mbushura plot ankth dalin sipër shoqërisë shumë lapanjozë dhe batakçinj që drejtojnë makinerinë kolosale të prodhimit të gjerë të degjenerimit, të krimit, të prostitucionit, të korrupsionit dhe të injorancës. Të gjitha këto ngjallin frikë dhe pesimizëm. Megjithatë jeta e individit, kolektivit dhe kombit është krijim, e mbushur me gjëra të reja paçka se kalon përmes rrezikut dhe ankthit. Individi apo kombi, që kërkon të ndërtojë diçka të re, duhet të dijë t’i përballojë këto rreziqe, ankthe dhe pesimizma. Dhe këto, siç thotë një sociolog, nuk përballohen vetëm me diturinë dhe inteligjencën, po edhe me kurajën. Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë. Dhe shqiptarët mendoj se i kanë këto tri dhunti, që i duhen realizimit të projektit të së resë. Puna është të gjenden ata arkitektë dhe kryearkitektë, që t’i organizojnë këto tri dhunti: diturinë, inteligjencën dhe kurajën, në një fjalë, të dalin udhëheqës shteti jo vetëm të ditur, të zotët dhe kurajozë po edhe organizatorë, largpamës dhe atdhetarë idealistë. Ta themi me guxim të vërtetën: ne kemi krizë udhëheqësish, krizë burrash shteti, krizë arkitektësh qeverish mendjendritur si rilindasit për një Rilindje të Re. Nëse vijnë të gjitha këto që thashë, edhe kultura, gjuha dhe tërë pasuria shpirtërore do të marrin një shkëlqim të ri dhe do të lindë qytetërimi i vërtetë për mbarë shqiptarët. Unë i lutem Natës që ndërron shekujt që, duke ikur, të ftojë ditët dhe vitet e qytetërimit tërësor të Shqipërisë, që Drini, ky lumë i bekuar të kalojë vërtetë “mespërmes Shqipërisë” dhe të sjellë vetëm ujë të kristaltë pa asnjë pikë gjaku. Dua të le edhe emër të mirë, të ruaj miqtë dhe shokët. Jam krejtësisht i bindur se shekulli pa u bërë burrë dhe pa u plakur, domethënë, që në moshë fare të re do ta shohë Kosovën me lirinë e plotë të saj. Madje unë vesoj se ky shekull që fëmijë do të luajë valle me lirinë e Kosovës. Shekulli i ri do t’i thotë të atit që shkoi: -Or atë, e pashë lirinë e plotë të Kosovës; e pashë atë që ti pe përgjysmë!

Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë.

Agolli në vitin 2000: Seleksionimi i veprave të totalitarizmit, një tjetër skematizëm

Në një intervistë të vitit 2000, shkrimtari Dritëro Agolli flet për letërsinë në kohën e diktaturës komuniste. Në këtë artikull, Agolli thekson se gjykatësi më i mirë për letërsinë e tij të krijuar në atë periudhë mund të jetë vetëm koha.

Me gjithë kushtet e vështira që krijoi totalitarizmi u zhvillua një letërsi shumë e madhe, një letërsi e fuqishme që nuk ishte krijuar më parë. Së pari u plotësuan të gjitha ciklet e gjinive. Dikur para 60 vjetësh në kohën e monarkisë romani s’ishte zhvilluar fare. Në këto vite u krijua romani ynë si romani evropian dhe dëshmi për këtë është botimi i letërsisë shqipe jashtë shtetit. Përshembull, ¾ e veprës së Kadaresë filloi të botohej jashtë, po kështu edhe veprat e mia apo të të tjerëve. E pra kjo krijimtari e kësaj periudhe u bë pronë e të tjerëve, por edhe sikur kjo të mos ndodhte kjo letërsi nuk mund të mohohet. Ka pasur skarcitete, ka pasur vepra skematike, por këto vepra edhe sikur të mos vinte demokracia ishin gati të harruara sepse nuk i lexonte njeri. Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë. Përshembull po të ngrihet një kritik të bëjë seleksionimin e veprave të kësaj periudhe, natyrisht unë do t’i them “kush je ti?”, biles për mua kritikët shqiptarë janë fajtorët më të mëdhenj që është orientuar një letërsi e tillë, ndaj me të drejtë them që koha është seleksionuesi më i madh dhe me kalimin e kohës ju e keni parë se si gjërat humbasin apo fitojnë vlerën e vërtetë të tyre. Dua të them edhe diçka tjetër, të rrish me laps në dorë për të seleksionuar do të thotë të kalosh në një skematizëm tjetër, pra të përsërisësh kohën e Realizmit Socialist kur seleksionoheshin veprat e të tjerëve që nuk publikoheshin. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, pra që të mos lejohet publikimi i veprave të filanit sepse ka qenë komunist, ne s’bëjmë gjë tjetër, veçse përsërisim atë kohë. Letërsia është pasqyrë e jetës e epokave dhe nuk pyet se çfarë pikëpamjesh ka shkrimtari. Kështu përshembull, Balzaku ishte ruajalist, por kjo s’do të thotë që ai të mos përshkruante revolucionin borgjez. Pastaj ne ngatërrojmë metodën e realizmit socialist me letërsinë socialiste që është krijuar. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Të gjitha ato vepra që janë shkruar sipas metodës së Realizmit Socialist nuk bëjnë si në atë kohë ashtu edhe sot.

Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë./ KultPlus.com

Punohet për restaurimin e kishës së Shën Kollit në Sarandë

Ekipet e Institutit të Monumenteve po punojnë për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në manastirin e Mesopotamit, Sarandë.

“Me profesorët e nderuar Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, inspektuam gjithashtu ecurinë e punimeve restauruese dhe konsoliduese të cilat po kryen aktualisht në këtë monument”, njoftoi Instituti i Monumenteve.

Kisha e Shën Kollit është një ndër kishat më të mëdha dhe me vlera të rralla të periudhës bizantine. Ajo shquhet për arkitekturë unikale, për dekoracionin e saj me tulla, për relievet skulturalë në muret e jashtme të fasadave, si dhe për vlerat e larta artistike./KultPlus.com

“Një muaj” i Zgjim Terziqit shpërblehet në Festivalin e Filmit Seanema

Alberina Haxhijaj

Filmi i shkurtër “Një Muaj” me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi është shpërblyer me çmimin “Special Mention” në Festivalin e filmit Seanema në Ulqin, në Mal të Zi, shkruan KultPlus.

Ky është çmimi i tretë që po fiton ky film, pas çmimit “Best Eastern European Film” në Grenzland Filmtage dhe çmimit “Golden Remi Award for Directing” në WfH International Independent Film Festival.

“Një Muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.

https://filmfreeway.com/SeanemaFilmFestival

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu./ KultPlus.com

‘Një muaj’, melodia e Muharrem Qenës dhe gruaja e verbër në mëshirë të fatit

Anita Bitri dhe zëri i saj që nuk harrohet

Anita Bitri, ishte një nga zërat më të mirë të skenës shqiptare. “S’ka formulë në dashuri”, “Lulet e majit i çel në janar”, “Dashuria e parë”, “Mos u nxito, mos u gabo” e shumë të tjera janë hite dhe këngë të pavdekshme, të cilat këndohen e dëgjohen edhe sot.

Jeta e saj u pre tragjikisht nga asfiksimi prej monoksidit të karbonit në moshën 38-vjeçare. Para se të ikte nga kjo botë Anita kishte regjistruar një album të ri me titull “Çdo gjë është e mundur” dhe kishte në plan të bënte një turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për ta promovuar atë.

Ajo po punonte edhe për një album në anglisht. Madje këngëtarja kishte regjistruar edhe një këngë me vajzën e saj të vogël.

Ti je shumë larg meje, të lash unë në vetmi
Mos mendo se zemra, pa ty më ka gëzim
Këtu jam pa ty, një trup unë e pashpirt
Dhimbja është e madhe, atë e di dhe ti

Deti është i kaltër, atë shumë mirë e di
Puthja është e ëmbël, atë ma fale ti
Ndarja është e hidhur, oh sa pa kuptim

Sa njerëz dashurojnë, s’e ruajnë dot sekretin
Se s’mund ta fshehin detin
Ndaj dhe shoqet më ngacmojnë, dhe kanë për ty
i dashur një qortim
Përse të jesh ti akoma anonim./ KultPlus.com

Pusi që lahet vetë

Është hapur 618 vjet më parë, në vitin 1460 në një lagje të madhe jo shumë larg qendrës së qytetit të Elbasanit.

Ideja e hapjes së një pusi ishte e dy vëllezërve arabë, besimtarë muslimanë Hyseni dhe Dylgjeri, të cilët mbas hapjes së pusit në këtë vit, do të ndërtonin edhe një xhami shumë pranë pusit.

Kur nisën hapjen e pusit, dy vëllezërit, hodhën brenda tij një çekiç, sqeparin, dhe mistrin prej floriri, vegla pune të cilat sinjifikonin mbarësi përsa i përket ndërtimeve në të ardhmen. Të gjithë besimtarët, para se të kryenin faljen e namazit laheshin në pusin e ndërtuar shumë pranë xhamisë. Që asokohe kjo lagje e cila vinte duke u shtuar nga qytetarë Elbasanas por edhe të ardhur nga fshatrat përreth do të shtohej nga viti në vit.

Mbas ndërtimit të xhamisë dhe hapjes së pusit lagja mori emrin ” Dylgjer Hysen”, në nder të dy vëllezërve arabë, por që asnjëherë nuk u thërrit me këtë emër, por me titullin simbol ” Pusi që lahet vetë”. Por në vitin 1966 sistemi Komunist do të prishte xhaminë, si dhe do të mbyllte pusin që lahet vetë. Që nga ajo ditë pusi u mbyll dhe të shumtit që e dinin vendndodhjen e tij, tashmë nuk jetojnë më, vetëm mbas 45 vjetësh, dikush do të investonte për të hapur sërish këtë pus, i cili njihet tashmë nga i gjithë komuniteti Elbasanas, por edhe shumë vizitorë e turistë për nga vetë historia që ai ka, më së shumti nga gojëdhënat e vetë banorëve. Dhe sot të gjithë këtë lagje e cilësojnë me këtë emër ” Pusi që lahet vetë”.

Shumë pak është shkruar në historinë e Monumenteve të Kulturës për pusin që lahet vetë, por edhe për rrapin i cili ndodhet shumë pranë tij. Sipas rrëfenjave të banorëve të kësaj lagjeje, një herë në dy javë pusi shpërthente ujë dhe nxirrte papastëritë në rrugë, dhe të nesërmen në mëngjes rruga ishte e mbushur me ujë. Pusi lahej për ditë të premte, ç’ka edhe sistemi komunist e prishi atë./ KultPlus.com

Vdes dramaturgu me famë botërore, veprat e tij u vunë në skenë edhe në Shqipëri

Ndahet nga jeta dramaturgu i njohur amerikan Neil Simon. Ai vdiç në moshën 91- vjeçar në New York, ku edhe lindi më 44 korrik 1927.

Ndërkohë shumë vepra të tij u përshtatën për kinemanë. Mes veprave të tij më të njohura janë “Më këmbë zbathur në park”, “Çifti i çuditshëm”, “Djemtë e parezistueshëm”, etj.

Veprat e Simon janë vënë në skenë edhe në Shqipëri. Një vit më parë, komedia “Çifti i çuditshëm” u luajt në skenën e Teatrin Kombëtar./ KultPlus.com

Besim Sahatçiu merr çmimin për Veprimtari Jetësore “Bekim Fehmiu”

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi nesër ndanë çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, regjisorit Besim Sahatçiu, ndërsa çmimin vjetor për veprimtari kinematografike, regjisores Blerta Zeqiri, shkruan KultPlus.

Nesër (27 gusht 2018), ora 11:00, në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, organizohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e Kinematografisë.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Bekim Fehmiu” i ndahet regjisorit Besim Sahatçiut-post mortum. Ndërsa Çmimi Kombëtar për Veprimtari Vjetore në fushën e Kinematografisë i ndahet regjisores Blerta Zeqiri.

Anëtarët e jurisë profesionale ishin: Ardiana Pajaziti, Isa Qosaj, Fadil Hysaj,Fatos Berisha dhe Kimete Berisha./ KultPlus.com