Në Berat fillon ndërhyrja për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës

Siguria e strukturave të banesave monument kulture në lagjen muze të Goricës, në Berat, shpesh herë është vënë në rrezik nga degradimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve.

Tubacionet e amortizuara të linjës së ujësjellësit në këto dekada kanë sjellë një degradim të rrjetit e për pasojë është e domosdoshme ndërhyrja në lagjen muze nga ana e Drejtorisë së SHA Ujësjellës-Kanalizime për të eleminuar këtë fenomen të dëmshëm për sigurinë e strukturave të banesave.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat ka nisur këto ditë punën për mirëmbajtjen e një tjetër banese monument kulture.

Specialistët e DRTK Berat janë duke ndërhyrë në banesën e Llazar Pushit, monument kulture kategoria e II lagjia Goricë.

Ndërhyrja konsiston në hapjen e kanalit për punimet e drenazhimit me qëllim hidroizolimin e strukturës murale të katit nën tokë dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me terrenin e rrugicës.

Ansambli i lagjes Goricë zhvillohet në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës.

Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha kryesisht të tipit me çardak, që duket se i përkasin fazës së shekullit të XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim me banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare.

Në qendër të lagjes vazhdimin e linjës së banesave e thyen prezenca e kishës tip bazilike të Shën Spiridhonit. Për vetë pozicionin që ka lagja Goricë, ndryshe nga Mangalemi, kapet më pak nga rrezet e diellit./ KultPlus.com

Vargjet e mia

Poezi nga Mark Krasniqi.

Vargjet e mia s’janë shpend krahlehtë,
Që lart flut’ron n’hap’sirë të qiellit;
Ato nuk janë as hënë e zbehtë,
As s’janë shkëlqim i rrezes së diellit.

Vargjet e mia kanë mbirë n’këtë tokë
Me bar e hithra, me lule e ferra;
Ato jehojnë si përroi n’bokë,
Si ftoit të vjeshtës i vjen era.

Kënga ime s’është zanë nga përralla,
As fjalë e modës, as det pa fund;
Ajo s’këndon punë të mëdha e t’rralla
Por njerëz të thjeshtë që veshin zhgun.

Rrëfimi i Dritëro Agollit për poetët dhe miqtë e tij nga Greqia

Një intervistë e kërkuar nga një revistë letrare greke në vitin 2002, ku tregon se ato që na bashkojnë me fqinjët tanë janë më të shumta sesa ato çfarë do të mund të na ndanin.

Një rrëfim i çlirët nga Dritëro Agolli, mbi fëmijërinë e tij, mbi jetën e veprat letrare, mbi poetët e miqtë e tij nga Greqia e Lashtë dhe gjithherë magjepsëse.

Dritëro Agolli

Fshati Menkulas, ku linda dhe kalova fëmijërinë dhe rininë e hershme, është në breg të lumit Devoll dhe shtrihet gjysmë ore më këmbë larg kufirit me Greqinë. Ne, djemtë e fshatit, shkonim për t’i kullotur lopët apo dhentë në kodrat e fshatit, përtej lumit, të cilat kishin dhe kanë një emër sllav: Poçrova.

Në këto kodra, që gjysmat ishin të fshatit tonë dhe gjysmat, matanë kufirit, lopët, lopët që kullosnim ne djemtë e Menkulasit, përziheshin me lopët që kullosnin djemtë e fshatrave greke. Dhe ne bashkoheshim: lopë dhe djem. Duke u bashkuar ua dinim emrin njëri-tjetrin: Pavllos, Markos, Spiros, Andonis, Kristos, Juniz e me radhë. Nuk rriheshim dhe nuk vriteshim. As nuk e dinim se çfarë ishim. Dinim se ishim njerëz që flisnim gjuhë të ndryshme. Ata thoshin, kur na takonin: -Jasu! Ne thoshim: -Njatjeta! Pastaj erdhën kohë të vështira. Ne nuk i nxirrnim lopët për t’i kullotur në Poçrava, në kufi. As djemtë e fshatrave grekë nuk i nxirrnin. Kishte filluar Lufta Italo-Greke. Në Poçrovë vërshëllenin dhe pëlcisnin gjylat e topave italianë dhe grekë. Atëherë në shtëpinë tonë erdhi një miku i tim eti, që e quanin Thomas, dhe që im atë i thoshte, Qirio Thomas. Ky Qirio Thomas kishte “ardhur” edhe më parë tek ne në shtëpi, se e kishim mik. Ai i binte violinës dhe im atë e merrte edhe në dasma dhe në festa. Por ishte luftë. Erdhi me të birin e tij Pavlin, që ishte nëntë vjeç, sa ç’isha edhe unë. Qirio Thomas i tha tim eti, me djalin Pavllon e vogël për dore: -Qirio Riza (Riza e kishte emrin im atë, Qirio Riza, mbaje në shtëpi Pavllon, se unë do të shkoj në luftë dhe nuk dihet se si do të ecë puna ime! -Lëre, Qirio Thomas! Pavllon do ta kemi si djalin tim! – tha im atë.

Dhe Pavllua qëndroi në shtëpinë tonë disa vjet. Flinim bashkë në një dhomë, hanim bashkë në një sofër dhe qeshnim e qanim bashkë. Ai mësoi shqip prej meje dhe unë mësova greqisht prej tij. E tillë ka qenë jeta e ballkanasve, bashkë i kanë ndarë gëzimet dhe bashkë hidhërimet. Kur në njërën shtëpi është bërë dasmë dhe i kanë rënë gërnetës, edhe në shtëpinë tjetër është dëgjuar kjo gërnetë. Kur është djegur njëra shtëpi, edhe tjetra është djegur. Kështu, filloi Lufta e Dytë Botërore. Poçrova u mbush me luftëtarë antifashistë shqiptarë dhe grekë. Unë e Pavllua më 1943 e 1944 ishim 12 e 13-vjeçarë dhe ishim korrierë partizanë! Në Operacionin e Qershorit të 1944 të nazistëve fshati im Menkulasi u dogj dhe ne shkuam matanë Poçrovës, në Greqi, atje në fshatin Revan, ku kishte shumë shqiptarë.

Më vonë, kur filluan sulmin gjermanët nga ajo anë, grekrit erdhën nga fshatrat tona. Vërtet, bashkë i kemi mbjellë pemët dhe bashkë i kemi ruajtur nga thatësira dhe ngrica. Edhe poezinë bashkë e kemi bërë. Naim Frashëri kur mësonte në shkollën Zosimea të Janinës pat shkruar në gjuhën greke poemën e famshme “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, ku dëshiron që grekë e shqiptarë të jetojnë si vëllezër. Po edhe gjysmë shekulli më vonë pas Naimit në Zosimea të Janinës, erdhi në Korçë një poet grek, si konsull, si nëpunës diplomatik. Por ky nëpunës, edhe vetë nuk e dinte se do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë dhe më 1963 do të merrte çmimin “Nobel”. As unë, as Pavllua më 1940, nuk e dinim që Seferis, si konsull i ambasadës greke në Korçë, më 1937 shkruante: …(Bëhet fjalë për një poezi të shkrimtarit grek George Seferis të shkruar në Korçë)

Mua fati më ka sjellë jo vetëm të lexoj edhe të përkthej shumë poetë e prozatorë grekë, por edhe të njoh disa prej tyre, madje t’i kem edhe miqë, si Samarakis Antonis, që i kam shkruar edhe parathënien e romanit të tij “Gabimi”, përkthyer në shqip. Kam njohur poeten e famshme, miken e vendit tonë Rita Bumi Paba bashkë me të shoqin e saj, Nikon. Por kam njohur edhe poetin dhe publicistin simpatik të Janinës, Llambros Mallamas. Mos themi pastaj që kam takuar edhe pritur artistin dhe kompozitorin e madh, Theodorakis. Kam njohur edhe poetin dhe skenaristin e filmave Asimogopoulas, që kishte një fytyrë si të gdhendur në gurë. Nuk mund ta harroj as piktorin e njohur grek, burrin e mençur Dhimitër Jolldashi, që duke më dhuruar një album të veprave të tij ka shkruar një autograf. Dhimitër Jolldashi ka ardhur në Tiranë edhe më 1980 edhe është shoqëruar nga Odhise Paskali. Edhe atëherë më të dhënë një libër të tij me autograf. Por mua më ka mbetur në mendje, ai Pavllua, shoku i fëmijërisë, djali i Qirio Thomait, mikut të tim eti, për të cilin kam shkruar një tregim që është botuar në greqi në librin tim. Tregimi mban emrin e librit. Madje edhe libri fillon me këtë tregim. Unë po jap vetëm hyrjen e këtij tregimi që është përkthyer jo vetëm në greqisht, por edhe në frëngjisht edhe në gjuhë të tjera: ….. Ja, kështu janë punët edhe hallet tona, të mirat edhe të ligat bashkë.

(Tiranë, 11 qershor 2002. Për një revistë greke!)

“Kopshti i Vishnjeve”, nis sezonin e ri në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Më 3 shtator Teatri Kombëtar nis sezonin e ri, shkruan KultPlus.

Kësisoj, është publikuar edhe repertori i muajit shtator ku përveç shfaqjeve të tjera që do të rikthehen në këtë sezon, TKK, shfaqë edhe premierën e shfaqjes “Kopshti i Vishnjeve”.

Teksti i autori Anton Çehov vjen me regji të Ilir Bokshit, ndërsa do të jetësohet nga kasta e aktorëve si: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha.

“Kopshti i Vishnjeve”, vjen me premierë më 5 shtator me fillim nga ora 20:00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

“Statuja e Unitetit” më e larta në botë, drejt përfundimit

Statuja më e lartë në botë është drejt përfundimit.

Bëhet fjalë për një vepër 183 metra të lartë, për nder të një prej udhëheqësve të pavarësisë së Indisë, Sadar Vallabhbhai Patel.

Pas 5 vitesh ndërtimi, statuja e përfunduar do të mbajë rekordin si më e larta në planet, duke lënë pas statujën e Budës në Kinë me rreth 30 metra. Gjithashtu kjo lartësi është sa dyfishi i “Statujës së Lirisë”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Statuja me vlerë 260 milionë euro po ndërtohet në ishullin Sadhu, të shtetit Gujarat dhe ndodhet në mes të ujërave të lumit Narmada.

Kompleksi do të ketë një galeri kulturore që do të mundësojë zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme për 200 persona./ KultPlus.com

Brenda metros më të bukur në botë

Metroja e Moskës e cila shpesh herë cilësohet si “labirint” stacionesh nëntokësore ka një stil të veçantë arkitekturor.

Disa prej tyre tregojnë të shkuarën baroke të Rusisë, ndërsa disa të tjerë ndërthuren me art-dekon e kohëve moderne, transmeton GSH. Por që nga viti 1930, sistemi i metrosë është zgjeruar me më shumë se 200 stacione.

Udhëtarët mund t’i kushtojnë sot pak vëmendje muraleve të metrosë apo mozaikëve gjithë jetë, por ekspertët e arkitekturës e vlerësojnë atë si më të bukurën në botë. Njeriu që më shumë se kushdo tjetër këmbënguli për ndërtimin e metrosë së Moskës, ishte politikani sovjetik Lazar Kaganovich, një stalinist i thekur.

Vizioni i tij rezultoi në një sistem metroje efikas që transportonte qytetarët nëpër qytet, por edhe në krijimin e disa stacioneve me vlera të rralla. Metroja e Moskës vazhdon të përmbushë qëllimin e saj, dërgimin e njerëzve nga një pikë në një tjetër, por ndërsa e bën këtë, u ofron udhëtarëve edhe një histori arti dhe arkitekture. E ndryshe nga Moska që paraqitet e ndryshueshme, nëntoka ofron diçka të qëndrueshme./ KultPlus.com

Po të ishte gjallë Ali Podrimja, sot do i mbushte 76 vjet

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë.

Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi deri në fund të jetës. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshime policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një…

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik Hija e tokës, të cilin Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, Lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).

Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij.

Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjerë më sot, Lum Lumi.

Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara./ KultPlus.com

Sot 3 vite nga vdekja e Mark Krasniqit

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor të vitit 1920. Ai ishte profesor, shkrimtar e akademik, shkruan KultPlus.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.

Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Mark Krasniqi ndër të tjera ishte edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”.

Akademik Mark Krasniqi ndrroi jetë më 28.08.2015 në Prishtinë./ KultPlus.com

“Lonely Planet”, pamje mahnitëse nga Alpet Shqiptare

Alpet Shqiptare po mahnisin gjithnjë e më shumë turistët e huaj, duke u kthyer me shpejtësi në një destinacionin e tyre të preferuar.

Turistët që zgjedhin Alpet Shqiptare dhe Luginën e Valbonës për të shijuar bukurinë dhe klimën e mrekullueshme të tyre, po shtohen dita ditës.

Në kërkim të shtigjeve të pashenjuara, kompania mediatike e sporteve ekstreme dhe aktiviteteve outdoor, Teton Gravity Research, pjesë e Lonely Planet, ka vizituar Shqipërinë dhe ka prodhuar këto pamje mahnitëse të Alpeve tona.

Turistët që zgjedhin Luginën e Valbonës dhe Alpet Shqiptare për të kaluar pushimet e tyre, do të kenë informacionin e domosdoshëm për këtë destinacion, aktivitetet, shërbimet dhe pikat me interes për t’u vizituar.

Duke nisur nga data 1 Gusht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur Zyrën e Informacionit Turistik në Valbonë. Po ashtu FSHZH ka kontribuar ne hartimin e Masterplanit të Alpeve, dokumenti strategjik i zhvillimit të rajonit për 15 vitet e ardhshme, ndërsa ka nisur investimet e para bazuar në këtë dokument.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat:

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpet dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve. Në përbërje të saj ka kurrize malore, blloqe e male të larta (Bjeshkët e Namuna me Iartësi 2400 – 2500 m) si dhe disa pllaja të larta (Velecik – Bridashe) dhe disa lugina: e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë etj.).

Lugina e Shalës është ndër më të mëdhatë në Alpet Shqiptare. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet, në të cilat janë vendosur qendrat e banuara (Thethi, Bregu i Lumit etj.) me ngushtimet, që në disa raste marrin formën e kanioneve.

Kurrizet malore midis luginës së Shalës e Valbonës, që ndahen nga lugina e Currajt, kanë reliev të ashpër me plot maja të ashpra dhe të thepisura dhe bimësi të dendur pyjore.
Lugina e Valbonës, një luginë tjetër e madhe e Alpeve, ka formën e një harku të madh. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet me ngushtimet, shpesh në formën e kanioneve. Në zgjerimet janë vendosur qendrat e banuara si: Ragami, Valbona, Dragobia etj. Parku Kombëtar i Valbonës shtrihet në 8,000 m hektarë dhe kosiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Malësia e Gashit përmendet për relievin e ashpër me forma të shumta akullnajore, në të cilat ka liqene të vogla, por me bukuri të rrallë, pyje dhe kullota të pasura.

Parku Kombëtar i Thethit. Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektar dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2.570 metra mbi nivelin e detit.

Razma është një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshteke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.

Vermoshi ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit./ KultPlus.com

Mblidhen mjete shkollore për fëmijët në nevojë

Ka nisur aksioni për mbledhjen e mjeteve shkollore për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Me moton “Shtatori sivjet me çantën komplet”, aksioni është organizuar nga grupi “Maniakët e Leximit” dhe mbështetur nga organizatat “Nëna dhe fëmijë te lumtur”, “Community Builders” nga Fushë Kosova dhe “Koha në duart tona” nga Vushtrria.

Organizatorët janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe kanë vendosur një tavoline me afishe që iu bëjnë ftesë qytetarëve që të dhurojmë mjete shkollore për fëmijët në nevojë.

Fushata ka nisur nga 22 gushti dhe do të vazhdojë deri më 22 shtator. Përveç se në shesh, qytetarët mund të dhurojnë mjetet shkollore edhe në zyrën e organizatës “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, në lagjen Ulpiana në Prishtinë./ KultPlus.com

“Hyjnesha në fron” shpall fitues “My Short Words”

Filmi që shpalos rrëfimin e tre fëmijëve në një udhëtim me biçikleta dhe peripecitë që hasin kur u bie të kalojnë një liqen është shpallur më i miri i edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit “Hyjnesha në fron”.

Të hënën mbrëma Çmimi për filmin më të mirë i është dhënë filmit “My Short Words” nga Turqia, nën regji të Bekir Bülbül, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në ditën e pestë të Festivalit, kur edhe janë ndarë çmimet, në një vagon statik, në Stacionin e Trenave në Prishtinë, Çmimi special i festivalit i është dhënë filmit “Hippopotamus” me regji të Edward Palmer, prodhim i vitit të kaluar. Në një ceremoni të thjeshtë, ku pjesëmarrës ishin vetëm juritë, organizatorët e festivalit e vullnetarët, Çmimi special për kinematografi i është dhënë filmit “Haldaa” të regjisorit nga Bangladeshi, Tauquir Ahmed, po ashtu prodhim i vitit 2017.

Juria për filmat e gjatë artistikë në përbërje të kineastëve anglezë, Edwin Mingard e Mark Norfolk, dhe regjisorit kosovar, Agim Sopi, Çmimin për aktoren më të mirë në rolin kryesor ia ka dhënë Airida Gintautaitė, për rolin e saj në filmin “Breathing into marble”, nën regji të Giedre Beinoriute nga Lituania. Po ky film ka marrë edhe Çmimin për skenarin më të mirë. E Çmimi për aktorin më të mirë në rolin kryesor i është dhënë Kim Jong-kook, që luan në filmin korean “Dad is Pretty”.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit, Makfire Miftari, e cila e ka bërë publike listën e fituesve, ka kumtuar se Çmimin për regjisorin më të mirë e ka marrë Anders Emblem për filmin “Hurry Slowly”.

Sa u përket filmave të shkurtër, ata janë shpërblyer me tri çmime. Juria në përbërje të publicistes Kimete Berisha, dramaturgut Naser Shatrolli e regjisorit Yll Berisha ka vlerësuar me Çmimin e tretë filmin ”Fahroozan” me regji të Mirabbas Khosravinezhad, me të dytin “Terrier” me regji të Ozan Mermer dhe me të parin “Maniera Greca” me regji të Kirineos Papadimatos./KultPlus.com

Lisbona gati për garën “Operalia 2018” të Placido Domingos

Alberina Haxhijaj

Sot fillon rundi i parë i garës prestigjioze të muzikës klasike “Operalia” 2018, shkruan KultPlus.

Këtë vit garë është duke u mbajtur në Teatrin Kombëtar të Sao Carlos, në Lisbonë. Kjo është hera e parë që kjo garë po mbahet në Portugali. Sot do të performojnë 20 këngëtarë ndërsa nesër do performojnë edhe 20 të tjerë, për tu kualifikuar në gjysmë finale.

Gjatë dy ditëve të para, të njohura si eliminatoret, 40 kandidatët do të zgjedhin një vepër vet ndërsa vepra tjetër do të zgjidhet nga juria. Juria do të kërkojë edhe një zarzuela (operë spanjolle) nëse kandidati ka hyrë në këtë kategori, të paraqitur nga Domingo. 20 kandidatët pastaj do të zgjidhen për gjysmëfinale, me një ari, gjithmonë në piano. 10 finalistë do të kenë nderin të marrin pjesë në finale, me orkestër. Vetëm finalja është e hapur për publikun, ndërsa orkestra shoqëruese do të jetë Orkestra Simfonike e Portugalisë.

Kujtojmë se sopranot kosovare Elbenita Kajtazi dhe Marigona Qerkezi janë në garë për çmimin e madh “Operalia” 2018. Ndërsa në vitin 2016, në këtë garë u patë shpërblyer tenori Ramë Lahaj. Ai pati zënë vendin e tretë./KultPlus.com

Rita Ora valëvit flamurin kombëtar në karnaval

Rita Ora është bashkuar me shoqërinë e saj në një karnaval. Aty ajo shihet e veshur në veshje sportive dhe me gërsheta ngjyrë rozë gjersa valëvit edhe flamurin kombëtar, shkruan KultPlus.

Këngëtarja për momentin është në Londër ku po shijon qëndrimin në shtëpinë e saj dhe është bërë pjese e karnavalit që po zhvillohet atje./ KultPlus.com

Lindita Halimi sjellë këngën “Murda”

Këngëtarja Lindita Halimi ka publikuar videoklipin e këngës “Murda”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë tregon edhe synimin e këngëtares për të arritur famë ndërkombëtare. Kënga është mjaft ritmike dhe më shumë ngjyra.

Kujtojmë se këngëtarja Lindita Halimi me këngën “World” përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2017-të./ KultPlus.com

Vladimir Putin uron instrumentistin Ivan Bessonov për fitoren

Presidenti rus Vladimir Putin ka përgëzuar zyrtarisht Ivan Bessonov për fitoren e tij në Eurovizionin e Muzikantëve të rinj 2018, përcjellë KultPlus.

Ai në urimin e tij ka përgëzuar pianistin për fitoren e parë që i ka dhënë Rusisë në këtë garë.

“Pianisti arriti që të fitojë zemrën e jurisë dhe të publikut nga e gjithë bota. Unë shpreh mirënjohje të veçantë për mësuesit dhe veçanërisht mësuesit e këtij instrumentisti të ri. Njëkohësisht i uroj Ivanit shumë suksese”, ka thënë ai në urimin e tij.

Në finale ishin gjashtë shtete: Norvegjia, Sllovenia, Republika Çeke, Gjermania, Hungaria dhe Rusi. Për Shqipërinë e cila nuk arrit të kalonte kjo ishte hera e parë që mori pjesë në këtë garë. Ajo u përfaqësua nga violonçelist Klaudio Zoto/ KultPlus.com

“Virtuozi” Klaudio Zoto në Eurovizionin e Muzikantëve të Rinj

Bebe Rexha shpërblehet me çmimin për bashkëpunimin më të mirë

Bebe Rexha ka fituar çmimin për bashkëpunimin më të mirë për këngën e saj “Meant to Be” në bashkëpunim me Florida Georgia Line, në iHeartRadioMMVAs, shkruan KultPlus.

“Faleminderit të gjithë atyre që më përkrahin në Kanada. Kjo është e mrekullueshme, nuk mund ta besoj që jam këtu. E dua Toronton dhe këtë çmimin do e vendos në shtëpinë time të re që posa e kam blerë. Prandaj, faleminderit shumë”, është shprehu ajo gjatë pranimit të çmimit.

Këngëtarja gjatë iHeartMusicRadio Much Music Video Awards, po ashtu ka performuar edhe dy këngët e saj “I’m a Mess” dhe “Meant to Be”.

Listën e plotë të fituesve në këtë mbrëmje mund ta gjeni këtu./KultPlus.com

68 vite nga vdekja e poetit Cesare Pavese

Sot, më datën 27 gusht, shënohet përvjetori i vdekjes së Cesare Pavese-s, i cili i dha fund jetës në një hotel në Torino, në moshën 41-vjeçare.

I zhgënjyer nga dashuria për aktoren amerikane Constance Dowling dhe nga refuzimi i saj, ai piu më shumë se dhjetë qese me tableta gjumi, çka i shkaktuan edhe vdekjen. Pavese la vepra të shumta, por në gjithë botën, emri i tij si shkrimtar u vulos me poezinë “Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu”, kushtuar aktores Dowling.

Poezitë e mëposhtme publikohen për nder të 68-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit Cesare Pavese.

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.
Të tillë i sheh çdo mëngjes
kur e vetme përkulesh
para pasqyre. O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë edhe ne
që je jeta dhe asgjëja.
Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë.

Gjithmonë veç t’kam parë

Gjithmonë veç t’kam parë,
pa të folur kurrë,
në momentet e tua më të bukura.
Por tani e kam shpirtin aq të trazuar,
të thyer nga pamja jote,
dhe nuk mund të gjej më qetësi
nga tronditja e tmerrshme.
Dhe nuk mund të të flas,
dhe as të afrohem,
se do të shembeshin të gjitha ëndrrat e mia…
Oh nëse kështu e tmerrshme është dhimbja
që kam në shpirt këtë natë
dhe nuk do të të njoh kurrë,
çfarë do të bëhej zemra ime e shkretë
nën trysninë e gjakut,
para madhështisë tënde?
Nëse tani do të më dukej sikur po vdes,
çfarë marramendje të çmendur,
çfarë rrahjesh vdekjeprurëse,
çfarë britmash epshi dhe ligështie
do të më jepte realiteti yt?
Por unë nuk mund të të flas,
dhe as të afrohem:
në momentet e tua më t’bukura
gjithmonë veç t’kam parë,
gjithmonë veç t’kam ëndërruar.

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Ti je për mua një krijesë e trishtë
një lule e përkohshme poezie
që bash në çastin kur e gëzoj
dhe provoj të dehem
e ndjej që ikën larg
shumë larg,
për mjerimin e shpirtit tim
mjerimi im i trishtë.
Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër
dhe ta thith gojën,
gjatë, papushim,
jam i trishtuar, vogëlushe,
sepse e ndjej zemrën time shumë të lodhur
duke të dashur kaq keq.
Ti ma jep gojën tënde
dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë
dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur
sepse shpirti në ne është shumë i lodhur
nga ëndrra tash t’ëndërruara.
Por jam unë, jam unë frikacaku,
dhe ti je kaq lart
saqë, kur mendoj për ty,
nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie
për atë pak gëzim që më jep,
s’di a për tekë a për mëshirë.
Bukuria jote është bukuri e trishtë
të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja,
por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr.
Kur të flas për gjërat më të ëmbla
dhe të shtrëngoj në zemrën time
dhe ti nuk mendon për mua,
ke të drejtë, vogëlushe:
unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak.
Dhe ja, ti je për mua
asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë
me sy të mëdhenj ëndrre,
që për një orë më shtrëngohet në zemër
dhe më mbush plot
me gjëra të ëmbla, plot keqardhje.
Kështu më ndodh kur i dërrmuar
shtrydhem për të futur në vargjet e lehta
një hov timin të trishtë.
Një lule e përkohshme poezie
asgjë më shumë, dashuria ime.
Por ti nuk e di, vogëlushe,
dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj.
Do të vazhdoj, lule e vogël bionde,
që kaq shumë ke vuajtur në jetë,
të ta sodis fytyrën që të qan
edhe kur buzëqesh
-oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde!
nuk do ta dish kurrë, vogëlushe –
do të vazhdoj të adhuroj pranë teje
gjymtyrët e tua të vogla melodioze
që kanë ëmbëlsinë e pranverës
dhe janë kaq prekëse dhe aromatike
saqë unë gati sa nuk çmendem
nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë
duke i mbërthyer në trupin e tij.
Do të vazhdoj të të adhuroj,
të të puth dhe të vuaj,
deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka
duhet të marrë fund.
Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg
dhe nuk do ta ndjej më të lodhur zemrën,
por do të çirrem nga dhimbja
dhe do të puth në ëndërr
dhe do të shtrëngoj në gjoks
iluzionin e zhdukur.
Dhe do të shkruaj për ty,
për kujtimin tënd zemërthyes
pak vargje vajtuese
që ti nuk do t’i lexosh kurrë.
Por mua do të më qëndrojnë mizorisht
të gozhduara në zemër
përgjithmonë.

Përktheu: Orjela Stafasani. /KultPlus.com

Qytetit që dyzon për nji “j”

Poezi nga Rozafa Shpuza.

Vetëm 5 minuta
mjaftojnë me ndezë dashnitë e pamujtuna
që ju pergjasin druve të stivueme persosmënisht ndër oborret me dyer pa drynj…
Qyteti çapitet me ritëm dasmash kabahe
ku nuset ulin velat për me fashitë
prologjet naive te ditarëve.
Tasheparë
mbi dyzimin e statujave derdhet histeria e korbave
që tubohen tue skicue qiejt me hieroglife surreale…
Gjithçka nisë sparit
kur thembrat e natës tërheqin zvarrë
përgjumjen e gotave të birrës t’destinueme me shkumue si baticat inatçore…

Gjilan, gusht 2018./ KultPlus.com

Java në Kino ARMATA

Këtë javë në Kino ARMATA do të vijnë një seri filmash të regjisorit gjerman Walter Ruttmann, shkruan KultPlus.

Nga 27 gusht deri më 2 shtator, do të vijnë në Kino ARMATA filma si: Der Siger, Der Aufstieg, Berlin, Symphony of a Great City e të tjerë nga ky regjisor.

Po ashtu gjatë kësaj kohë do të shfaqen edhe filma të tjerë nga regjisorja Dziga Vertov. Më poshtë mund të shihni edhe listën e plotë të filmave si dhe orarin e shfaqjes së tyre./ KultPlus.com

Festivali i balonave, për herë të parë në Shqipëri

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizon për herë të parë në Shqipëri një Festival Balonash.

Do të bëhesh pjesë e një festivali shumëngjyrësh balonash? Eja në lëndinën jugore të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës në datat 1 dhe 2 shtator. Çdo fëmijë që ka gati një balonë, por edhe atij që i duhet ndihmë për ta ndërtuar atë, mund të jetë pjesë e magjisë së ngjyrave dhe haresë.

“E di çfarë ngjyre ka era? Po retë? Po qielli? Po ajo ndjesia magjike e të vrapuarit bashkë me to?
Po sikur ta ngjyrosim erën, retë dhe qiellin së bashku? Po, po, të ngremë balona shumëngjyrëshe që fluturojnë lart!

Në datat 1 dhe 2 shtator, eja në lëndinën jugore të Parkut të Madh të Liqenit Artificial Tiranë, merr me vete balonën tënde, ose eja ta ndërtojmë bashkë!

Për herë të parë në Shqipëri, një Festival Balonash!
Shumë ngjyra, shumë aktivitete, shumë festë!”/ a.t.a/ KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar sjellë ekspozitën “Shpirti Arbëresh në Veshje”

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar hapë për publikun ekspozitën me titull “Shpirti Arbëresh në Veshje”, shkruan KultPlus.

Veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e Arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e vet kulturor.

Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara.

Kjo ekspozitë do të hapet ditën e premte, më 31 Gusht 2018 duke filluar nga ora 11.00, në Hollin kryesor të Muzeut. / KultPlus.com

Ambasada gjermane: Anija “Mircea” në Durrës, ejani

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë njofton se anija mësimore me vela “Mircea” ndodhet aktualisht në portin e Durrësit dhe nesër do të jetë e hapur për vizitorët, shkruan KultPlus.

Anija mësimore rumune me vela “Mircea” ndodhet aktualisht në portin e Durrësit.

“Aty mësojnë kryesisht kadetë gjermanë dhe rumunë se si të përdorin velat dhe si të lundroni në det të hapur”, thuhet në njoftim të ambasadës.

Po ashtu, ambasada gjermane tregon dhe oraret e mundshme për vizitorët, (e martë, 28.08. – nga ora 10:00 – 12:00 dhe 15:00 – 18:00./ KultPlus.com

Titujt shkencorë i mbajnë injorantët, dekoratat kriminelët

Edison Ypi

Frikacakët inkurajohen. Trimat përbuzen. Titujt shkencorë i mbajnë injorantët. Dekoratat kriminelët. Sa më tepër punë tu bësh, aq më pak vota të japin. Portalet, gazetat, televizionet, i ushqen korrupsioni, i mban politika, i paguan mafia.

Populli telefonon çdo mëngjez televizioneve pa e ditur as vetë pse. Kokëtrashë që organizojnë evente artistike, letrare, poetike, sillen në të katër anët si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina. Rrëshqanorë gjirizash burokratikë, butakë pa kocka dhe shtyllë kurrizore, gjallesa primitive pa asnjë ndjeshmëri apo dashuri njerëzore, mbijetuesa ordinerë që mbahen për artistë, shkrimtarë, poetë, që zhgarravisin neverira estetike, bëjnë promuovime pështirosëse me fonde të xhvatura.

Administrata shtetërore nepotike dhe partiake nuk ka asnjë etikë sjelljeje dhe asnjë shtysë morale. Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike nuk bëhet fjalë. Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por këtu spiuni i ndyrë quhet “zotëri i nderuar”, ndërsa të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin ndërlikime inekzistente. Programet televizive nuk kanë asgjë interesante. Pa filtër, pa kod, pa stil, janë thjesht rrëfime lineare të asaj që syri sheh, veshi dëgjon, hunda nuhat. Filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë neveritë propagandistike më absurde dhe më qesharake që ka njohur bota, janë këllirat estetike me efekte tragjike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan.

Megjithatë, trutharë të njohur që mbahen për eksperta po thonë se ato filma janë luajtur nga aktorë të mëdhenj dhe jo vetëm nuk duhen ndaluar, por përkundrazi duhen restauruar. Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, elegancë, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje.
Teoricienët konservatoristë ku i kemi varur shpresat janë ca halldupë trashanikë, ca hajvanë ngrehalucë, dallamango, derra të panginjur që mezi presin të shtrohet dreka dhe darka, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.

Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e ndryshme, alternative, që tek dishepujt e vet provokon emocion, ngjall shpresë. Liberalizmi ynë është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë nëpërkat dhe gjarpërinjtë e korrupsionit. Këtu këndohet kënga e hidhet vallja në një aheng pa fillim e fund.

Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve janë aq pa lidhje sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm. Këtu demokracinë e sollën viktimat që vuajtën në diktaturë tmerre që nuk i ka parë bota. Duhej të ishin të vuajturit pra, ata që Shqipërinë ta qeverisnin për nja mijë vite rrjesht. Shqipërinë po e shkapërdhejnë ata që e bënë kasaphanë, bijtë e etërve kriminelë. Asnjë premtim nuk mbahet, asnjë afat nuk respektohet, asnjë parashikim nuk mund të bëhet. I vetmi ngushëllim është shpresa ngordhalaqe se ndoshta çmendina nuk do bëhet kasaphanë.

Shkodra mirëpret “Festën e Biçikletës”

Kjo festë do të jetë festa më e bukur për shkodranët pasi që bëhet fjalë për simbolin që karakterizon shkodranët, biçikletën.

Në kuadër të “Festës së Biçikletës” organizata “The Door”, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe me mbështetjen e bashkisë Shkodër kanë programuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të fillojnë me hapjen e një ekspozite fotografike, ku të skicuara janë menduar që të jenë biçikletat e Shkodrës.

Pjesëmarrësit në rolin e organizatorëve kanë nisur një takim informativ lidhur mbi aktivitetin, i cili synon të promovojë shërbimet e biçikletave e njëherësh të angazhojë qytetarët në aktivitetin që do të organizohet me këtë rast. Aktivitetet që do të organizohen në kuadër të kësaj jave do të jenë të larmishme. /m.z/r.e/ KultPlus.com