Shkodra zbukurohet për festat e fundvitit

Në Shkodër është prag Krishtlindje. Atmosfera e festës ndihet në kisha dhe në vatrat e familjeve të krishtera.

Shtëpitë, rrugët dhe hapësirat publike kanë filluar të ndriçohen nga dritat shumëngjyrëshe dhe simbolet e festës.

Oborri i Katedrales “Shën Shtjefni” është ndriçuar nga dritat, e muzika dhe pema e zbukuruar do të presin besimtarët.

Katolikët e Shkodrës nuk e kanë braktisur kurrë Krishtlindjen, as gjatë diktaturës, kur besimi fetar u ndalua.

Bep Lufi është një besimtar i devotshëm. Ai jeton përballë objektit të kultit dhe këtë vit ka ofruar statujëzat e veta për të ngritur skenën tradicionale të lindjes së Krishtit në oborrin e katedrales.

Në pragfestash, dritat zbukurojnë qytetin dhe zbusin shpirtrat, ndaj thirrja e Bepit sot është ajo e çdo besimtari: Një mesazh për politikanët, të kthejnë sytë nga populli pa dallim ngjyre, race apo feje.

Mandej bëni dashuri

Poezi nga Alda Merini.

Përktheu: Beti Njuma

Mandej bëni dashuri.
Jo seks, veç dashuri.
Dhe me këtë nënkuptoj
puthjet në gojë,
në qafë,
në bark,
mbi kurriz,
kafshimet në buzë
duart e pleksura
dhe sytë brenda syve.
E kam fjalën për përqafime kaq të shtrënguara
sa të bëheni një gjë e vetme,
trupa të ngërthyer dhe shpirtra që ndeshen,
përkëdheli mbi gërvishtje,
tesha të zhveshura bashkë me frikën,
puthje mbi ligështi,
mbi blanat e një jete
që deri atë grimë
kish qenë disi e zbehtë.

E kam fjalën për gishtërinj mbi trupa,
të krijoni yjësi,
të thithni aroma,
për zemra që rrahin tok,
frymëmarrje që rendin
me të njëjtin ritëm.
Mandej buzëqeshje,
të sinqerta pas një copë here
që s’ishin më të tilla.
Pra,
bëni dashuri dhe mos kini turp,
sepse dashuria është art,
dhe ju kryevepra.

Gjeniu 6-vjeçar nga Kamenica që flet 7 gjuhë

Amar Lenjani nga Karaçeva, fëmija superior me koeficient të inteligjencës 131.

Telefonin e mban në dorë në mënyrë që të arrij të identifikoj të gjitha flamujt e shteteve që i gjen në bazë të aplikacioneve telefonike. Amar Lenjani gjashtë vjeçari nga Karaçeva e Kamenicës është fëmija superior i cili di të flas 7 gjuhë të botës, raporton T7.

Përpos shqipes dhe anglishtes gjuhë e veçante për të janë edhe rusishtja e greqishtja.

Amari i cili duket se është poliglot di edhe të shkruaj shumë mirë gjuhët që i flet. “Flas anglisht, gjermanisht, rusisht, greqisht, indisht, portugalisht,serbisht”, ka treguar Lenjani.

Ai madje edhe pse është gjashtë vjeçar arrijnë të di se kush udhëheq me qeverinë e kush është president i Kosovës.

“Kryeministër i Kosovës është Ramush Haradinaj, e presidenti është Hashim Thaci”, ka thënë Amari. Gjashtëvjeçari superior di që alfabetin e gjuhës angleze të shprehë edhe me gjuhën e shenjave.

Vijimi i mësimeve në klasën e parë tashmë për të nuk është interesant sepse ai ka dëshirë të jetë dy klasa më lartë se sa që është aktualisht.

“Unë du me shku në klasë tretë se aty mëson ma shumë matematik, e klasa e parë nuk është shumë e mirë”, është shprehur gjashtë vjeçari. E kjo është vërtetuar edhe nga psikologët të cilët i kanë matur atij inteligjencën.

Inteligjenca e gjashtë vjeçarit është 131 IQ.

Prindërit tregojnë që djali i tyre ishte i veçantë qysh kur ishte edhe më i vogël.

“Amari kur ka qenë katër vjeçar ka ditë me shkrujt e me fol anglisht po edhe shqip. Në fillim na ka fol veç anglisht, për neve ka qenë e vështirë sepse ne jo krejt e kemi ditë anglishten”, ka treguar për T7 dhe Gazetën Express nëna e Amarit, Valmira.

Madje ajo tregon se rekomandimi i mësueses së Amarit ishte që të bënte një test psikologjie.

“Kur Amari ka nis shkollën, klasën e parë mësuesja ka pas me të probleme se nuk iu ka dok shkolla interesant e as mësimet. Mësuesja e ka vrejt që Amari osht ma i vecant se nxansat e tjerë edhe na ka rekomandu me qu me ja bo një test. Testi i intelegjencës i ka dal 131 IQ, e që e bënë këtë fëmijë superior”, ka thënë Valmira Lenjani.

Dëshira e Amarit është që kur të rritet t’i shërbej atdheut nën uniformën e ushtrisë së Kosovës.

“Unë kur të rritem du me u bo ushtar”, shprehte vazhdimisht këtë dëshir gjashtë vjecari.

Amari i cili ligjërisht gëzon moshën gjashtë vjeçare sipas raportit mjekësor ai duhet të jetë 8.10 vjec.

Fëmijët si Amari në Kosovë janë të rrallë por që kanë mungesë të përkrahjes institucionale.

Festivali shqiptaro-australian u mbajt në Melburn të Australisë

Ministri për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha se edhe këtë vit sikurse tash e më shumë se 20 vite radhazi, shqiptarët kanë prezantuar këngët dhe vallet e tyre në festivalin e Melburnit në  Australi.

Majko ka thënë se ky festival Shqiptaro-Australian zgjatë një ditë dhe mbledh artistë shqiptarë nga Adelaide, Brisbane, Sydney, Melbourne dhe vende tjera në Australi, shkruan albinfo.ch

Organizatorët ndërsa kanë thënë se qëllimi i tyre kryesor është për ti mbajtur të bashkuar shqiptarët dhe për t’i treguar botës se kombi ynë ka mjaft për të ofruar për sa i përket vlerave kulturore.

Në 20-vjetorin e themelimit, “Intelektualët” ndezin fishekzjarre (VIDEO)

Tifozëria e klubit të futbollit Drita – “Intelektualët” sot e kanë shënuar 20 vjetorin e themelimit të grupit të tyre.

Këtë festë ata e kanë shënuar me disa aktivitete gjatë ditës.

Fillimisht është luajtur një miqësore mes tifozërisë dhe lojtarëve të Dritës, pastaj prej orës 18:00 janë ndezur fishekzjarret në qytetin e Gjilanit, prej Teatrit e deri te Salla e Sporteve, shkruan Kallxo.com.

“Intelektualët” njihen si një prej tifozërive më të flakta shqiptare, të cilët gjithmonë e mbeshtesin ekipin e tyre që 20-vite.

Kur qau baba!

Kur isha fëmijë, babën e shihja si hero, si mbrojtës timin nga rreziqet. Në bindjen time, ishte i fortë, i pamposhtur. Veç kësaj, ai ishte edhe një mjeshtër i situatave. Kur neve fëmijëve të tij, që ishim hiq më pak se nëntë, na mungonte gati gjithçka, ai në mënyrë gjeniale na mbante shpresën gjallë, na i ushqente ndjenjat me fjalë të zgjedhura, na jepte përshtypjen se ato gjëra i kemi afër, dhe se shumë shpejt do ti kishim në dorë ato që i dëshironim.

Diçka me ka feks në kokë; babai ishte fiksuar pas arsimit, me gjithë mungesat materiale që kishim, ai arriti të na shkolloj të gjithëve, nëntë fëmijët, i bindur se kështu do të kishim një të ardhme të mirë punësimi dhe përparimi.

Baba na fliste edhe për lodra por nuk mërzitej se nuk kishte mundësi të na i blinte, sepse ai kishte metodën e vetë për lumturinë tonë. Ai kur fliste për gjërat fëminore që na mungonin, disi na jepte një ndjenjë krenarie edhe pa i pasur ato. Por i njejti njeri, kur ishte në pyetje arsimimi ynë, ai ishte i pa kompromis, nga asgjëja gjente mundësi dhe zgjidhje që ne të ishim rehat në mësime. Baba nuk qante kurrë.

Ne si kundërshpërblim, gjithnjë e më shumë u avansuam, u shkolluam, e bëmë krenar. Baba ia arriti qëllimit të tij, por unë më vonë e kuptova se ku qëndronte e gjithë kjo dashuri për arsimin.

Babën, qysh në klasën e dytë të shkollës fillore e kishte ndalë nga shkolla baba i tij (gjyshi im). Fillimisht baba nuk e kishte kuptuar arsyen e këtij vendimi, prandaj kishte krijuar një urrejtje në heshtje ndaj tij. Gyshi kishte një arsye se përse nuk e kishte lejuar shkollimin e tij: në ata kohë, shqiptari i arsimuar ishte shënjestër e regjimit të atëhershëm. Pasi baba ishte djalë i vetëm, gjyshi im vendosi të sakrifikoj shkollimin e tij, në këmbim për jetën e tij.

Kështu, prej asaj kohe baba ishte fiksuar pas shkollës, dhe kur dëgjonte që dikush nuk kishte mundësi të i shkollonte fëmijët e tij, ai mërzitej edhe për ta, dhe mundohej të u gjente zgjidhje. Por, baba nuk qante kurrë.

Ne u rritëm, e baba u plak. Filluan tashmë rrobat t’i binin të mëdha, por ai vazhdonte të mbante peshën e përgjegjësisë familjare, në heshtje shqetësohej për çdo problem që kishim, vuante por me krenari të veçantë, dinte të fshihte vuajtjen. Baba nuk qante kurrë.

Kurrë babën nuk e pam të mërzitur. Ai dinte të jepte forcë edhe atëherë kur atë nuk e kishte as për vete.

Por…. një ditë baba nuk i mbajti lotët. Ai qau si fëmijë. Qau sepse nipi i tij, nuk do të shkoj në shkollë. Ne e kursyem nga njoftimi për sëmundjen e nipit, por babës i mjaftoi mosvazhdimi i shkollimit të tij. I mjaftoi të lëndohej rëndë në shpirt.

Këtu mbaroi krenaria e babës sonë. Ai nuk e mbajti më veten.

Baba qau…

*Ky shkrim është është shkruar nga Faton Avdiu, më 13.12.2018, në koridoret e spitalit në Prishtinë./ filozifia.al

Shkolla në Sverkë të Pejës që nuk u renovua që nga viti 1968

Aty mësojnë 17 nxënës, që janë në klasën e parë, të tretë dhe të pestë.

Kjo shkollë amë në fshatin Sverkë të Pejës  është paralele e ndarë nga shkolla fillore “Naum Veqilharxhi” në Kliçinë.

Kushtet në këtë shkollë janë tejet të vështira dhe se në këtë gjendje thonë se janë që nga viti 1968, njofton Klan Kosova.

Mësimdhënësit thonë se kanë kërkuara disa herë renovim të objektit ekzistues apo ndërtim të një objekti të ri, por që një gjë e tillë nuk u bë kurrë.

Ndërsa, në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Pejës thonë se për shkak të numrit të vogël të nxënësve u hoq dorë nga renovimi i këtij objekti apo ndërtimit të një të riu.

Jeta në Mozomazi

Poezi nga Abdullah Konushevci

Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë

Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik

Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave

Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri

Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis

Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash.

Filmi mbi Vincent Van Gogh, vjen në kinema në 2019-ën

 Vetëm një regjisor i rangut të Julian Schnabel sjellë në ekranin e madh që prej 3 janarit 2019 filmin “At Eternity’s Gate”, një version i paparë dhe i thelluar për Vincent Van Gogh, jetën e tij, anën njerëzore po aq sa dhe krijimtarin e piktorit, kërkimet artistike dhe ato ekzistenciale.

Kjo falë edhe interpretimit të Willem Dafoe, i cili pas performancës në “La Coppa Volpi” në Venecia, është shpallur kandidatë për “Golden Glob”.

Është e pamundur të shpjegosh filmin, është e pamundur të japësh një arsye. Sa herë që tregojmë mbi Van Gogh-un, në një lloje mënyre gënjejmë në diçka. Në fakt, filmi është larg tradicionales Schnabel përçon te spektatori botën përmes subjektivizmit të piktorit, qoftë në qytetin Arles, ku Van Gogh lufton për tu integruar, qoftë në natyrën e mrekullueshme përreth, ku piktori kërkon inspirimin.

Për Willem Dafoe puna për realizimin e rolit ka qenë e thellë. ”Më është dashur të mësoj të pikturoj dhe të lexoj shumë. Rolet si këto mund të jenë përvoja që të ndryshojnë jetën përgjithmonë dhe për një aktor janë një transformim i vërtetë”, është shprehur aktori. 

Kjo falë edhe interpretimit të Willem Dafoe, i cili pas performancës në “La Coppa Volpi” në Venecia, është shpallur kandidatë për “Golden Glob”.

Është e pamundur të shpjegosh filmin, është e pamundur të japësh një arsye. Sa herë që tregojmë mbi Van Gogh-un, në një lloje mënyre gënjejmë në diçka. Në fakt, filmi është larg tradicionales Schnabel përçon te spektatori botën përmes subjektivizmit të piktorit, qoftë në qytetin Arles, ku Van Gogh lufton për tu integruar, qoftë në natyrën e mrekullueshme përreth, ku piktori kërkon inspirimin, shkruan ata.

Për Willem Dafoe puna për realizimin e rolit ka qenë e thellë.

“Më është dashur të mësoj të pikturoj dhe të lexoj shumë. Rolet si këto mund të jenë përvoja që të ndryshojnë jetën përgjithmonë dhe për një aktor janë një transformim i vërtetë”, është shprehur aktori. 

Jennifer Lopez sjell këngën e re në bashkëpunim me vajzën e saj

Jennifer Lopez ka publikuar këngën e saj më të fundit ‘Limitless’.

Kënga e yllit 49-vjeçare është krijuar për tu përdorur si kolona zanore e filmit të ri të Jennifer, Second Act, që ka dalë në kinemat botërore ditën e djeshme.

‘Limitless’ flet për thyerjen e barrierave dhe këmbënguljen.

Por JLo ka ardhur me një risi në videoklipin e ri. Për herë të parë aktorja dhe këngëtarja e famshme ka bërë pjesë të videoklipit muzikor vajzën e saj 10-vjeçare Emme Muniz, shkruan ata.

Emme shihet në videoklip duke kënduar dhe kërcyer, dhe të gjitha lëvizjet janë në sinkron me nënën e saj JLo, duke plotësuar njëra-tjetrën. / KultPlus.com

Kryeqytetit shqiptar i rikthehet “Kalaja e Tiranës”

ëNjë tjetër hapësirë e re i është shtuar kryeqytetit shqiptar, “Kalaja e Tiranës” e cila është trashëgimi e familjes Toptani.

Hapësira më e vyer e Tiranës  jo vetëm është zbuluar dhe kuruar, por ndodhet në një pikë të vizitueshme për qytetarët, si dhe turist vendas e të huaj, duke e bërë kryeqytetin një dekor të larmishëm, shkruan ata.

Pas “Pazarit të Ri” dhe sheshit “Skënderbej” një tjetër hapësirë e re është rihapur në Tiranë.

“Kalaja e Tiranës”,trashëgimi i familjes Toptani, është rikthyer në origjinën e saj të kulturës edhe më moderne, edhe më frekuentueshme për komunitetin. Tirana që duam, vazhdon çdo ditë transformimin e saj”, shkruan Gjylameti./ KultPlus.com

Kush është ushtarja shqiptaro-zvicerane që tronditi Zvicrën me shqiponjën

 

Një potret i Jetmira Avdilit, këto ditë ishte bërë temë për mediat në Zvicër. Për shumë vite ajo ka luajtur futboll dhe është shqiptarja e parë që ka kryer ushtrinë në Zvicër. Jetmira Avdili njihet për aktivitetet e saj humanitare. Ajo ka mbledhur fonde dhe u ka dalë në ndihmë afër 20 familjeve në Kosovë.

Jetmira Avdili, është bërë mjaft e njohur jo vetëm tek shqiptarët në Zvicër por edhe në Kosovë. E reja shqiptare e cila jeton në Solothurn, ka disa kohë që merret me aktivitete bamirësie në Kosovë. Duke e parë situatën e vështirë të shumë familjeve pa strehë si dhe kërkesat e shumë qytetarëve për shërim jashtë vendit, Jetmira mbledh fonde vullnetare për t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë, shkruan Albinfo.ch në një portrer që ia kushtua asaj.

“Jam person shumë i ndjeshëm. Më pëlqen gjithmonë të ndihmoj njerëzit nevojtarë. Ndoshta këtë e kam traditë edhe nga prindërit e mi të cilët kanë ndihmuar shumë familje tona“,- thotë Jetmira.

24 vjeçarja me prejardhje nga Gjilani në kuadër të projektit të saj “Only 10 for a better ëorld” – Vetëm 10 euro për një botë më të mirë – që u dedikohet fëmijëve më aftësi të kufizuara thotë se aksioni i parë ka qenë ndihma e organizuar për Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema” në Gjilan. Për këtë kategori të njerëzve ajo ka dhembshuri të madhe ngaqë edhe vëllai i saj është me nevoja të veçanta.

“Sigurisht që e ndjej më shumë dhe e di se çfarë do të thotë për një familje apo për një motër që të këtë vëllanë me nevoja të veçanta. Por, duke falënderuar Zotin dhe shkollat në Zvicër të cilat kujdesen enkas për persona të tillë, vëllai im ka përparuar shumë dhe ka përmirësim të dukshëm. Dëshiroj që secilin person që i takon kësaj kategorie ta shoh duke u përmirësuar si vëllai im”,- shprehet Jetmira.

Për t’u marrë me aktivitete humaniste, Jetmirës i lindi ideja kur rastësisht kishte shikuar disa të rinj shqiptarë në Zvicër duke djegur para. Ajo është ndier jashtëzakonisht keq, teksa shihte këtë gjest të ulët ndërsa në Kosovë ka shumë familje që nuk kanë kushte elementare jetësore.

“Gjatë tërë natës nuk kam fjetur. Para syve të mi më rrinin pamje të shumë familjeve të pa strehë dhe shumë fëmijë të sëmurë që nuk kanë kushte për shërim. Thosha me vete: Këto para që i djegin, pse nuk i mbledhim për t`ua dërguar personave apo familjeve që kanë nevojë në Kosovë?!“ Aktivitetet e saj tashmë janë bërë të njohura në gjithë Kosovën. Deri më tash ajo ka arritur t`u dalë në ndihmë afër 20 familjeve.

Jetmira është shumë e njohur në rrjetet sociale, veçanërisht në “Facebook” dhe “Instagram”. Në këtë të fundit ajo ka afro 50 mijë ndjekës. “Instagramin e shfrytëzoj për aksionet e mia humanitare por edhe për jetën private dhe marketing”.

“Skandali“ me  Shqiponjën, shumë kohë para Xhakës e Shaqirit

“Rebelja” shqiptare gjithmonë ka pëlqyer profesionet e meshkujve. Për shumë vite ka luajtur futboll. Ajo vijon kurse të ndryshme për zjarrfikëse,  punon në kozmetikë dhe gastronomi, ndërkohë është shqiptarja e parë që ka kryer ushtrinë në Zvicër. Gjatë asaj kohe ajo së bashku me disa djem shqiptarë në ushtri, kishin bërë një fotografi duke bërë shqiponjën.

Më pas kjo fotografi ishte konsideruar si “skandal“ për mediat zvicerane. “Ka  qenë ide e imja. U kam thënë disa ushtarëve shqiptarë hajde ta bëjmë një foto me shqiponje. Një ditë më pas fotografia u shpërnda në të gjitha mediat zvicerane”.

Në të ardhmen ajo ka dëshirë të vazhdojë të angazhohet në aktivitete humanitare. Dëshira e saj është që të këtë një bashkëshort që do ta mbështesë në rrugën të cilën e ka zgjedhur si dhe të bëhet një nënë e kujdesshme për fëmijët e saj. /KultPlus.com

Piktori Fehmi Hoxha “peizazhon” festat e fundvitit

Një nga emrat më të dashur të pikturës mes profesionistësh, Fehmi Hoxha – Feho, mbajti të shtunën mbrëma ekspozitën e tij personale.

Muret në hapësirat e galerisë “H&B” ishin mbushur me pikturat e Fehos, që të gjitha të punuara përgjatë vitit 2018. Në to spikatet peizazhi i punuar në një stil krejt të veçantë.

Teknika e punës që përdor piktori Hoxha, sipas profesorit të Akademisë së Arteve – Hajrush Fazliu, bën dallimin e këtij piktori nga të tjerët, përpos vlerave tjera të shpërfaqjes së ideve në pikturë.

“Duke respektuar shumë elemente të artit pamor, si edhe parimet e saj, në pikturën e Fehmi Hoxhës e kemi edhe përmbajtjen dhe mesazhin e tij, që e paraqet çdo mendim të tij. E veçanta e tij është teknika, dhe ajo e bën që ngjyra ta ndjen, e të na jep një vepër të sigurt figurative”, ka thënë Fazliu.

Kurator i ekspozitës ishte profesori Refki Gollopeni, që tha se të qenit kurator i ekspozitës së Fehmi Hoxhës nuk është e vështirë.

“Nuk është fare vështirë të jesh kurator tek ekspozita e Fehmi Hoxhës, pasi çdo pikturë që merr ka vlerat e veçanta. Është e vështirë të gjesh dikë që Feho pikturon si ai, por si Feho po”, ka thënë Gollopeni.

Ndërsa vet autori e la vetën të fundit që të flas, e potencoi se ai gjithmonë synon fuqizimin e institucioneve artistike, sikur edhe galeritë private, sikur tek ajo që organizonte këtë të fundit.

“Unë dua që secila galeri të fuqizohet sepse kështu është e tërë bota. Kjo ka qenë shtysa që të organizoj këtu ekspozitën dhe është ekspozitë që u kushtohet festive të fundvitit”, foli shkurt Hoxha.

Ekspozita do të jetë e hapur gjerë më 22 janar, teksa aty pikturat e ekspozuara do të mund edhe të blihen, me një çmim më të ulët. /KultPlus.com

Nuk kryqëzohem në trishtim!

Poezi nga Silvana Dhori Xhelaj.

Në një gotë dua të mbys
dhimbjet e kësaj bote të bukur,
por të pabesë. 
Krejt çdo shteg më ka mbyllur,
si lypsar më do të vdes..
Në gjysëmëndrrat zgjuar
më vret çdo shpresë .

Ti o botë e mjerë
ke humbur ..mirësinë
e ke lënë në harresë..
Rend dhe rend ..unë
udhëtar i padëshiruar,
por as dua të di .

Më duhet dëshira ime
jo çka do ti..
Janë shumë sa dashuroj..
nuk kam kohë për tu lënduar.
Udhëtoj pa fund ,
ti më ndjek më ndjek…
në perëndim dhe lindje
në Diell e rrebesh .

Por në kopshtin me borë
rrethuar ,
herët në mëngjes një
trëndafil i çelur,
më ngjallë çdo shpresë.
Shpirtin e çon në meditim
me heshtjen mbërthyer..
Nuk kryqëzohem në trishtim ,
Jo!!
me jetën jam dashuruar…. /filozofia.al /KultPlus.com

Jeta nuk duhet të jetë vetëm punë, pagesë faturash dhe vdekje!

Ne jemi të mbingarkuar gjatë gjithë kohës. Testet e shkollës duhet të shkojnë mirë, duhet të kaloni vitin, duhet të ndiqni një shkollë të mirë, duhet të ndiqni disa kurse prestigjioze, duhet të keni një punë të mirë, një program të mirë dhe më shumë respekt në njohuritë tuaja. Personalisht kurrë nuk e kam kuptuar gjithë këtë presion për të pasur një punë të mirë në vetëm 20 vjet. Ne na mësojnë se suksesi në jetë është të pasurit një pozicion në krye të një kompanie të njohur dhe që ka disa punonjës nën komandën e tyre.

Ne rritemi duke e besuar këtë me besnikëri. Pra, pse edhe ata që i arrijnë këto qëllime bëhen një person i dëshpëruar, materialist dhe konkurrues? Ajo që ka rëndësi është të bësh shumë para, apo jo? Jo!

Jeta nuk duhet të jetë vetëm studim, punë, të bësh para dhe të vdesësh. Ne nuk kemi lindur në këtë botë të mrekullueshme, plot me vende fantastike, njerëz të veçantë dhe ushqime të shijshëm, për të jetuar çdo ditë në zyrë nga ora 9-18. Unë, për një gjë e konsideroj veten një person me shumë fat. Unë kurrë nuk kam punuar për shumë dhe kurrë nuk kam pasur një pagë që mund ta ketë zili dikush. Unë mendoj se jam një person më i suksesshëm se sa miqtë e mi me kostume që fitojnë 5-shin e pagës time.

U hodha me parashutë, mësova anglishten te murgjit e Indisë rurale, vizitova vende që shumica e njerëzve nuk e dinë që ekzistojnë, kam punuar vullnetare, kam udhëtuar me çantë shpine pa destinacion, kam jetuar në shumë vende, më kanë grabitur dhe kam mbetur pa para në një kontinent tjetër. Këto gjëra nuk llogariten si përvojë? Kjo nuk duhet të kërkohet gjatë një interviste për punë?

Ne vetë jemi kurrikula jonë. Ne nuk jemi kompania shumëkombëshe në të cilën punojmë. Ne nuk jemi paga që fitojmë. Ne jemi ajo që jetojmë. Ne jemi njerëzit që njohim, librat që lexojmë, vendet ku vizitojmë. Ne jemi përvojat që bëjmë.

Njerëzit, le të shkojmë në punë për të grumbulluar para që do të na lejojnë të udhëtojmë. Ne vullnetarë. Ne shkruajmë një libër edhe nëse nuk do të publikohet asnjëherë, luftojmë për shkaqet në të cilat besojmë edhe nëse e gjithë bota do të mendojë se jemi të çmendur (megjithëse ne jemi profesionistë). Ne mbjellim një pemë, bëjmë gjithçka…

Ata që janë 20 vjeç dhe pak më shumë janë të mbërthyer në trak për të shkuar në punë, ata që gjithmonë shohin të njëjtit njerëz para të njëjtit kompjuter.

I gjithë ky hulumtim i suksesit profesional për çfarë është? A kemi vërtet nevojë për të gjitha paratë që fitojmë? Çfarë bëjnë disa zero shtesë në llogarinë tonë bankare? A besojmë se ne jemi njerëz të mëdhenj për të studiuar në këtë universitet dhe për të punuar në kompaninë më të njohur?

Nëse nuk kemi të ardhura për të ndihmuar financiarisht shtëpinë, nuk mund të themi se problemi është paraja. Siç e kam përmendur tashmë, kam jetuar një vit të tërë me paratë e lënë mënjanë gjatë 13 muajve të trajnimit. Megjithatë, unë kam avancuar. Ne nuk kemi nevojë që të gjitha gjërat të tejkalohen.

Kur arrijmë në moshën 60-vjeçare, të pasur, në shtëpinë tonë prej 300 metrash katrorë, ne do të jemi në gjendje të marrim diell në kopshtin tonë dhe të kemi makinën më të bukur në qarkullim, ne do të mendojmë se kemi arritur qëllimin tonë në jetë. Por pavarësisht kësaj, ne do të jemi të pakënaqur, në depresion.

Të jesh i realizuar, për mua nuk do të thotë të kesh shumë para. Të kuptuarit do të thotë të kesh histori për të treguar. Të jesh i realizuar do të thotë të ulesh në një bar me katër miq dhe të pish një birrë të mirë të ftohtë, pa u shqetësuar për punën që mbetet për t’u bërë për sot sepse ishte shumë dhe nuk kishe kohë të mjaftueshme.

Ne ndjekim atë që e bën zemrën tonë të mundë më shpejt. Ne jemi shumë të rinj për t’u shqetësuar për pensionin dhe hipotekat. Karkalecat nuk kanë sirtarë dhe çfarë do të fitojmë në jetë, nuk mund ta marrim me vete pas vdekjes. Ajo që mund të sjellim nga kjo jetë është jeta e njëjtë që kemi jetuar.

Duhet të kemi sukses në gjetjen e ekuilibrit të duhur mes domosdoshmërisë dhe lirisë. Përgatiti: Brikela Daci | Burimi / emozionifeed.it /KultPlus.com

Natën e Kërshëndellave, fëmija i braktisur i drejtohet doktorit: Thuaji ndonjërit se unë jam këtu

Nga: Eduardo Galeano
Përktheu: Bajram Karabolli

Fernando Silva drejton spitalin e fëmijëve në Managua. Në prag të Kërshëndellave qëndroi në spital deri vonë. Ndërkohë që Fernandoja vendosi të shkonte në shtëpi po dëgjoheshin të shtënat e fishekzjarrëve dhe qielli po ndriçohej me xixëllimat e tyre. Në shtëpi e prisnin për të festuar së bashku.

Pasi bëri kontrollin e fundit nëpër pavijone dhe pa se gjithçka ishte në rregull, duke ecur korridorit ndjeu hapa që e ndiqnin pas. Qenë hapa që dukej sikur ecnin mbi pupla. U kthye dhe pa se një prej fëmijëve të sëmurë vinte pas tij. Në gjysmëhije e njohu. Ishte një fëmijë që ishte i vetëm, pa njeri, pa të afërm. Fernandoja i dalloi në fytyrë shenjat e vdekjes, ndërsa sytë e tij dukej sikur i lypnin ndjesë e ndoshta kërkonin diçka, leje apo…

Fernadoja iu afrua dhe fëmija i preku dorën:

– Thuaji… – mërmëriti fëmija. – Thuaji ndonjërit se unë jam këtu… /Telegrafi/ KultPlus.com

Era Istrefi performon në “Tomorrowland”, ndez atmosferën në Belgjikë (VIDEO)

Era Istrefi ka interpretuar në njërën nga skenat më të mëdha botërore në Belgjikë.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, mbrëmë ka qenë mysafire në njërin nga koncertet e organizuara nga “Tomorrowland”, në Andverpen.

Në një skena gjigante, Era ka shkëlqyer gjatë interpretimit të këngës së saj të re “Selfish” e cila siç ka shkruar ajo në Instagram pritet të lansohet së shpejti.

Ndiqeni pak interpretimin e saj në këtë skenë madhështore:

https://www.instagram.com/p/Brtk-AgD5f-/

Kjo është tekstshkruesja dhe kompozitorja e këngës së Jonida Maliqit për në Eurovision

Mbrëmë është mbajtur nata finale e Festivalit të ’57 të këngës në RTSH, i cili u mbajt në Pallatin e Koncerteve në Tiranë, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje ku po garonin artistë të shumtë, fituese është përzgjedhur kënga “Ktheju tokës” e kënduar nga këngëtarja Jonida Maliqi.

Kjo nënkupton që kjo këngë ka fituar të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurosong 2019 në Izrael.

Kënga u konsiderua si më e mira e kësaj gare, por edhe interpretimin i Jonida Maliqit mori lëvdata të shumta, por asnjëherë nuk ngelen prapa edhe ata që u përkujdesen që kjo këngë të vijë në jetë.

Për secilën fjalë të kënduar mbrëmë nga Jonisa është përkujdesur tekstshkruesja Eriona Rushiti. Përveç tekstit Eriona është edhe kompozitorja e këngës fituese për në Eurovision.

Kjo vepër e Rushitit bëri që Jonida të shkëlqejë mbrëmë në festival dhe të shpallet fituese.

Këtë vit kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision do të këndohet në gjuhën shqipe, andaj teksti i shkruar nga Eriona Rushiti nuk do të përkthehet e të përshtatet siç ka ndodhë me shumicën e këngëve shqiptare që janë prezantuar në Eurovision. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=g1zbNCSNH2Q

29 vjet nga themelimi i LDK-së


Lidhja Demokratike e Kosovës, shkurt LDK, si parti politike shikuar nga jashtë dhe si lidhje shqiptare brenda Kosovës u formua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh.

Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur Rugova u nda nga jeta. LDK, u formua si bashkim i intelektualëve dhe popullit të Kosovës, në kohën e shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Kosovës. LDK u angazhua për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të lirë. LDK-ja prej fillimit e deri më 2007 ishte forca kryesore politike në Kosovë.

Ndërsa, sot bëhen 29 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Para se të mbahet ceremonia e 29 vjetorit të themelimit, kryesia dhe anëtarësia e LDK-së do të bëjnë homazhe te varri i presidentit Rugova./KultPlus.com

Kryeministri Haradinaj zgjedh kartolinat unike të punuara nga fëmijët me Sindromin Down

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj këtë vit ka përzgjedhur kartolinat e punuara nga fëmijët me Sindromin Down për të uruar festat e fundvitit.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Në përkrahje të fëmijëve me Down Syndrome, këtë vit kam përzgjedhur kartolinat unike të punuara nga ta me shumë dashuri dhe përkushtim për festat e fundvitit.”, ka shkruara Haradinaj në Facebook. /KultPlus.com

Vdes Paddy Ashdown, emisari britanik i luftës në Kosovë dhe dëshmitar kundër Millosheviqit

Ish- emisari i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë, Paddy Ashdown, ka vdekur në moshën 77 vjeçare.

Ashdown, që udhëhoqi partinë Liberale Demokratike në Britani nga viti 1988 deri më 1999, vdiq të shtunën mbrëma, bëri të ditur një zëdhënës i partisë.

Vince Cable, lideri aktual i partisë, tha se “është një ditë tepër e trishtuar” për partinë dhe për të gjithë politikën “që kishin dashuri dhe respekt për Paddyn”.

“Ishte i njohur për politikat e tij, por talentet e tij ishin shumë më të gjera. Ai ishte një autor i kompletuar dhe kishte kaluar shumë vite duke shërbyer për vendin para se të hynte në politikë. Pak njerëz e dinë se sa shumë punoi që të futej në politikë pas shërbimit të tij ushtarak e diplomatik”, tha Cable, transmeton Koha.net.

Ashdown kishte shërbyer si emisar i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë më 1998 dhe 1999, ndërsa ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë.

Ai ishte në mesin e përfaqësuesve të parë të komunitetit ndërkombëtar që e kishte paralajmëruar Sllobodan Millosheviqin për krimet që po i kryente në Kosovë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës ndaj Millosheviqit i ndihmoi prokurorisë të demonstronte se Millosheviqi ishte i vetëdijshëm për krimet që po kryheshin nën komandën e tij kundër shqiptarëve të Kosovës, që ishte një prej elementeve ligjore të nevojshme për ta bërë atë përgjegjës për veprimet e vartësve të tij.

Paddy Ashdown, derisa ishte ftuar të dëshmonte kundër Millosheviqit në Hagë, kishte kujtuar takimin që kishte pasur me të më 29 shtator të vitit 1998 në Beograd në lidhje me krimet që i kishte parë se po kryheshin në Kosovë.

“Zotëri President, keni qenë shumë bujar me kohën tuaj, dhe nëse mund të them, po ashtu që më lejuat të vija në vendin tuaj. Më duhet t’i them disa fjalë të rënda për atë që kam parë [në Kosovë] por e dua popullin serb dhe nuk besoj se mund ta ndëshkoni një komb. Më duhet të ju them se komuniteti ndërkombëtar do të veprojë nëse nuk ndaloni. Ju, sipas vështrimit tim, jeni duke zbatuar një politikë që është krejtësisht kontra-produktive dhe po lejon prishjen e emrit të mirë të popullit serb. Ju përgjërohem të ndaloni këto veprime që ndotin përfaqësimin e vendit tuaj”, ia kishte kujtuar Ashdowni Millosheviqit në Hagë, çfarë i kishte thënë më 1998.

Ndërkaq, gazeta e fuqishme britanike, “The Guardian”, në artikullin e saj në lidhje me dëshminë e Ashdownit në Hagë të 16 marsit, 2002, kishte kapur një moment emocional, ku britaniku mezi i kishte mbajtur lotët kur kishte folur për luftën në Kosovë.

“Në një pikë, Lordi Ashdown luftoi me lotët teksa përshkroi pamjet që kishte parë të një kolone refugjatësh shqiptarë të Kosovës të cilët, siç tha ai, po iknin nga forcat e armatosura jugosllave pasi ishin sulmuar pa mëshirë me mortaja dhe u ishin djegur shtëpitë me themel”, shkruan “The Guardian”.

Derisa gjykata e kishte parë një video që shfaqte Lordin Ashdown duke i dëgjuar tregimet e refugjatëve, ish-lideri Liberal-Demokrat bëri një koment emocional teksa luftoi me lotët.

“E kisha shumë të vështirë të pajtohesha me këtë në atë kohë”, kishte thënë ai. “Ata ishin shumë të frikësuar dhe mu duk një pamje thellësisht e tmerrshme. [Ata ishin] në rimorkiot e traktorëve duke u strehuar nga shiu nën mburoja plastike. Ishin burra të moshuar, gra, fëmijë dhe bebe. Ishin të frikësuar sa s’ka më”, thoshte Ashdown në dëshminë e tij kundër Millosheviqit.

“Ju pata thënë se do të përfundoni në këtë gjykatë [nëse nuk ndalni spastrimin etnik] dhe ja ku jeni”, i kishte thënë Ashdowni Millosheviqit.

Muaj më parë, Ashdown kishte dhënë një deklaratë edhe për çështjen e ndryshimit të kufijve të Kosovës si marrëveshje e mundshme me Serbinë. Ai kishte thënë se ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi do të pasonte me kërkesa të ngjashme nga shtetet tjera ish-jugosllave.

Prestigjiozja franceze ‘NRJ’ shkruan për Rita Orën dhe dashurinë e saj të madhe për Kosovën

 

“E lindur në Prishtinë, Rita Ora kurrë nuk e ka fshehur dashurinë e saj për vendlindjen. Në vitet e fundit, ajo ka rritur vëmendjen e saj në këtë vend ballkanik”, kështu e nis shkrimin e saj për këngëtaren shqiptare, Rita Ora, një prej mediave më prestigjoze franceze, NRJ.

“Gjuhën shqiptare, Rita Ora e dinte shumë pak nga prindërit e saj”, vazhdon tutje përshkrimi për artisten shqiptare.

Rita Ora (Foto: Tim P. Whitby/Tim P. Whitby/Getty Images/Guliver)

Pak pasi mbushi 1 vjet, këngëtarja e hitit “Your Song”, do të rritej në Evropë deri në fillim të karrierës së saj muzikore.

Megjithatë, Rita Ora nuk e ka harruar origjinën e saj. Në vitin 2012, këngëtarja shqiptare shkel në qytetin e saj të saj të lindjes, për xhirimet e klipit “Shine Ya Light”.

Rita Ora, një personalitet i njohur në Kosovë

Rita Ora (Foto: John Phillips/Getty Images/Guliver)

Megjithëse ka kaluar vetëm disa muaj atje, Rita Ora është një nga personalitetet më të njohura në Kosovë.

Me rastin e dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, Rita Ora u ftua për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit.

Rita Ora performoi më 17 shkurt në Prishtinë, për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

E lindur me emrin Rita Sahatçiu, artistja shqiptare e ofroi këtë koncert falas.

“Tashmë ambasadorja e Kosovës, Rita Ora, është dekoruar edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për promovimin e Kosovës në botë”, përmbyll shkrimin e saj për artisten shqiptare, prestigjiozja NRJ./KultPlus.com

Rita Ora, ambasadorja e Kosovës (Foto: Rita Ora/Instagram)

Dafina Zeqiri publikon këngën e re ‘Alo’ (VIDEO)


Këngëtarja Dafina Zeqiri po vazhdon të jetë tejet aktive duke publikuar projekte të reja.

Gjatë mesnatës ajo publikoi këngën e re ‘Alo’ në bashkëpunim me Dj Geek.

Në videoklip na shpaloset një storie e dashurisë e ku Dafina na vjen shumë tërheqëse.

Brenda pak orësh kënga ka arritur të grumbulloj afro 100.000 shikime./KultPlus.com

Ndahen çmimet “Harpa”, nderohet Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Ka përfunduar edicioni i gjashtë i çmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si çdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e kthyer tanimë në një traditë, ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.

Fjalën e hapjes e mbajti presidentja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, e cila theksoi se çmimet “Harpa” edhe këtë vit,  shkojnë për emra dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë.

Kështu, çmimin e madh “Harpa” e dorëzoi drejtuesja e Fondacionit,  Rama për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me motivacion “Për kontribut të çmuar në ngritjen dhe thellimin e dijes, për arritje të veçanta në shkencën dhe kulturën kombëtare shqiptare”. Këtë çmim e tërhoqi akademiku i asociuar Shaban Sinani, i cili u shpreh se “ky është një gjest fisnik që Fondacioni “Harpa” i jep këtë mirënjohje Akademisë së Shkencave. Ky është një çmim në çastin e duhur, që ne e vlerësojmë shumë. Ky është i vetmi çmim, mesa di unë që i është dhënë Akademisë së Shkencave që nga krijimi i saj në 46 vjet dhe i vjen në një moment ringritjeje, kur më shumë ka kritika për të sesa vlerësime. Është një inkurajim vërtetë shumë i rëndësishëm për ne. Akademia e Shkencave i njeh detyrimet e saj edhe për trashëgiminë shpirtërore, por ky çmim na bën të vlerësojmë më me përgjegjësi mundësitë për bashkëpunim më të frytshëm me fondacionin “Harpa” dhe institucionet kulturore e shkencore”, tha akademiku i asociuar Shaban Sinani në emër të ASH-së. Gjatë ceremonisë akademik i asociuar Gjovalin Shkurtaj u ftua të dorëzonte çmimin e personalitetit “in memoriam”, që Fondacioni “Harpa” këtë vit ia akordoi poetit Fatos Arapi, i ndarë nga jeta disa muaj më parë.

Edhe prefekti i qarkut Fier, Baki Bala u shpreh se kjo natë është në nderin e qytetit të Fierit, pasi brenda një salle të vogël gjendet e gjithë Shqipëria bashkë. Sipas Balës, merita i shkon Fondacionit “Harpa” që ka mundur ta mbajë e ta përsosë këtë aktivitet nga viti në vit.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreka, ka thënë se Fondacioni “Harpa” është vlerë e shtuar kombëtare që ka ditur t’i japë një fytyrë serioze këtij çmimi, duke e bërë atë një ndër më autoritarët në rang kombëtar dhe jo vetëm.

Ndërkohë, “Njeriu i vitit 2018” u shpall spikeri i mirënjohur Dhimitër Gjoka me motivacion “Për kontribut në fushën e gazetarisë televizive. Prezantues që përçon profesionalizëm, besueshmëri dhe autoritet. Figurë dhe zë i dashur për publikun”.

Shkrimtari Virion Graci u shpall shkrimtari më i mirë me motivacionin “Shkrimtar me vlera të larta krijuese. Autor me individualitet krijues që ka krijuar kode unike ligjërimi, duke pasuruar prozën romanore shqipe”. Ndërkohë u vlerësua aktori i njohur Nikolla Llambro, balerini i ri i talentuar Endri Qendro etj. Mbrëmja u shoqërua nga surpriza të shumta dhe pati karakter festiv. Ky është i gjashti vit që nga “Harpa” jepen çmime në fundvit, duke u vlerësuar një sërë emrash të personaliteteve që kanë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre. /KultPlus.com