“Java e Bibliotekës në Kosovë” hapë edicionin e 17-të, theksohet rëndësia e këtij institucioni

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, hapi sot edicionin e 17-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Fjalën e hapjes e bëri drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, i cili tha se Java e Bibliotekës është një festë vjetore që përpiqet të jap mesazhin pse bibliotekat kanë rëndësi,  dhe si duhet përdorur bibliotekat për të treguar se sa shume dije ruhet brenda tyre.

“Java e Bibliotekës në Kosovë që mbahet në muajin prill përveç që hapë debatin për të trajtuar njohurit tona dhe dijet bibliotekare, përvojat tonë të përbashkëta dhe të veçanta deri aty sa edhe përdoruesit e bibliotekës na mësojnë ne bibliotekarëve është edhe një festë vjetore që përpiqet të jap mesazhin pse bibliotekat kanë rëndësi, një festë që flet për kultivimin e kureshtjes për ti përdorur bibliotekat për të treguar se sa shume dije ruhet brenda tyre nga ajo që nuk e dimë se sa mundësi ka për ta bërë përdoruesin të kënaqur për atë që kërkon e gjenë, poashtu për ta bërë edhe të mërzitur për atë që nuk mund të ia ofroj biblioteka“, tha Gajraku.

I pranishëm në këtë edicion ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fjalimin përshëndetës u shfaqë tejet i mallëngjyer, duke u shprehur se biblioteka i ngjallte emocione duke ia kujtuar ditën e parë kur ka ardhur si 18-vjeçar.

“Për mua personalisht vërtetë është pjesë e emocioneve për vetë faktin se e kujtoj ditën e parë kur kam ardhur si 18-vjeçar. Në vitin e parë të studimeve jam futur në  këtë ambient për herë të parë, nuk e di a ka ndërtesë që më bën më tepër përshtypje sesa kjo ndërtesë e Bibliotekës sonë Kombëtare. Kemi kaluar me mijëra orë duke lexuar pikërisht në këto ambiente. Kemi pasur momente gëzimi rinor, entuziazmi, por në të njëjtën kohë edhe sakrifice të cilat kanë qenë pjesë e sakrificës sonë kombëtare. Gjithë kjo kujtesë, gjithë këto emocione natyrisht e bartin me vete edhe pjesën e përgjegjësisë që kemi sot si njerëz, si qytetarë të këtij vendi të lirë, si përgjegjës institucional, të punojmë edhe më shumë për vendin tonë. Ta çojmë edhe më përpara vendin tonë”, është shprehur Veseli.

Për një fjalë rasti nuk mungoj as njëri nga bashkëpunëtorët kryesor të këtij projekti, e që ishte Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se së bashku do të reflektojnë dhe të flasin për rolin e bibliotekës sfidat dhe mundësit  e përkrahësve të këtij institucionit të rëndësishëm për ruajtjen dhe përpunimin e trashëgimisë së shkruar dhe jo të shkruar.

“Kam kënaqësinë dhe nderin të jem me ju në edicionin e 17-të të javës së Bibliotekës Kombëtare që së bashku të reflektojmë dhe të flasim për rolin e bibliotekës sfidat dhe mundësit  e përkrahësve të këtij institucionit të rëndësishëm të grumbullimit të ruajtjes dhe të përpunimi të trashëgimisë së shkruar dhe jo të shkruar. Duhet të flasim zëshëm dhe ne po punojmë dhe po veprojmë në këtë drejtim  që derisa revolucioni i informacionit  i ka dhënë presion të madh bibliotekave tona ne duhet t’i ndihmojmë ato për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme që të gjejmë rrugën e tyre të duhur në këtë ndarje dramatike teknologjike”, ka thënë Gashi.

E pranishme në këtë edicion ishte edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani e cila në një fjalë rasti tha se formimi dhe trajnimi bibliotekar në funksion të krijimit të një trupe të mirëfilltë profesionale është një domosdoshmëri e përhershme në kushtet e zhvillimit të rrjetit të bibliotekave të Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Është detyrim i yni i përbashkët t’u përgjigjemi në nivel sa më të lartë profesional akumulimit ruajtjes dhe restaurimit të pasurisë sonë të shkruar, por aq sa edhe përpunimit, sistemimit, publikimit dhe qarkullimit të informacionit që ato paraqesin për përdoruesit e bibliotekave jo thjesht në nivel shtetëror, por kombëtar, rajonal e botëror”, është shprehur krejt për fund Asllani.

Ky aktivitet që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të zgjasë deri më 14 prill 2019./ Xh. Uka / KultPlus.com

“Ma para thehet bjeshka se besa”

Atdheu është më tepër se çdo fjalë e thënë për të, është përtej çdo përkufizimi, përtej çdo tingulli e fjale. Atdheu është një dashuri e bashkëdyzuar me vuajtje, dhimbje e mall. Janë të shumtë ata që në mënyra të ndryshme kanë dhënë shumë për atdheun, e dashurinë për të ka edhe  prej atyre që e kanë përkufizuar me dhënien e jetës, gjënë më të çmuar që ka njeriu.

Për këtë dashuri, për këto rrënjë, për këtë histori, për këtë gjuhë për këtë flamur, për këta heronj, artisti Genc Prelvukaj ka shkruar një tekst rrëqethës e të cilit ja ka bashkangjitur edhe tingujt e muzikës për ta kompletuar në mënyrë përfekte.

Ai vendosi të shkruaj për vendin e të parëve të tij, për të shpalosur historinë që ngërthen në vete Plava dhe Gucia.

“Vendi i Origjinës” e ka quajtur këtë dedikim duke prekur kështu zemrat e shumë shqiptarëve e duke bërë që të lëvizin eshtrat e atyre që emri ju kumbon në këngë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj këngë:

“Vendi i Origjinës”

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

I ulun n`Sarajet e Ali Pashes

Me sy t`mrrolun drejt shkambit t`vajzës

Ku rrijnë malsortë n`krye t`venit

Skifterat e Vuklit e ujtë e Kelmendit

Ku lahuta bjen n`çdo shkrep

Jom unë djali juaj prej n`djep

Ky është vendi i origjinës

Ku pret shpata e Selman Fakut e Pulec Himes

Shqiponjat e ulin terrin

Malet e thrrasin prap Jakup Ferrin

Ku nihet zilja e ogiçit

I njomë gjaku n`fushat e Nokshiqit

Ku flasin edhe gurrat e shterruna

Fjalë  kanë edhe kullat e djeguna

Prej Rugovës deri n`maje t`Shalës

Toka mban erën e gjakut t`Gjon Bales

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

Sa plagë kanë rrjedhë n`Limin dinak

Sa burra me gjak ka pa orli plak

Sa plumi n`krah e n`trup t`Shqiptarvet

Shekuj me luftë për giuhën e t`parvet

Ky është vendi i Hasan Gjekës

Ku burrat shkojnë me kangë drejt dekës

Me faqe t`bardhë plot me nerë

Pushkë e trimni për secilën derë

Me rrudha n`ballë kundër robnisë

Luftarë e dasmorë me flamur n`shtizë

N`kuvende kur mbledhën

E knojnë n`lahutë Isuf Kamer Çelën

Nure Kurtin me burrat që ranë

Qe vdekjen kurrë me frikë nuk e panë

Ky është vendi i t`parve të mi

Ku gjithçka e gjallë rrjedh kuq e zi

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

N`sofrën e Plavës nën malet e zeza

Ma para thehet bjeshka se besa

Ku vlen nderi e dashnia e zotit

Prej liqenit deri te burrat e Hotit

Jom si votra që ndezet Janarit

Si fjala e urtë e Bajraktarit

Si plaga e randë n`trup t`ushtarit

Jom unë që se prej n`besë tokën e t`parit

I knojnë shqip nën votër

Fmisë në djep nana me motër

Tokë e trimnisë e jo drojës

Vend i Ismajl Nikocit e Agan Kojës

Si kështjellë me bedena

Tokë e shqiponjës me dy krena

Sot me varrë e sy nga Shqipnia

Fund me nerë nga Plava e Gusia

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ON5iLErRaUg

Zbulohet një video xhirim live i Beatlesave, i vjetër më shumë se gjysmë shekulli

E vetmja shfaqje live e bendit legjendar nga Liverpooli, “The Beatles” në një shfaqje televizive është gjetur në Meksikë.

Paraqitja e bendit legjendar në shoun televiziv “Top of the Pops” të BBC, e cila zgjat vetëm 11 sekonda, është gjetur në shtetin meksikan dhe është realizuar në vitin 1966.

Xhirimet origjinale nuk janë ruajtur, por video është bërë nga një shikues që regjistroi televizorin me një aparat fotografik.

“Nëse ju jeni fans i Beatlesave, ky është ‘Grali i Shenjtë’. Ne menduam se video ishte humbur përgjithmonë, sepse xhirimet e vitit 1966 nuk janë ruajtur. Është e mahnitshme që e gjetëm pas gjithë këtyre viteve”, tha Chris Perry i Kaleidoscope për BBC-në.

Produksioni filmik, “Music Believed Wiped” ka mbledhur 240 shfaqje muzikore të zbuluara kohët e fundit nga Kaleidoscope.

Ato përfshijnë Man Elton John i Rocket që këndon në një shou televiziv të vitit 1972 në BBC si dhe një shfaqje të Slade të vitit 1975. / KultPlus.com

“Skënderbeu”, opera e parë shqiptare në Maqedoni

Regjisori Qëndrim Rijani do të vendosë për herë të parë një operë shqiptare në Teatrin e Operas dhe Baletit në Maqedoninë e Veriut.

Regjisori zbuloi se po punon prej tre vitesh së bashku me Fatos Lumanin dhe Arian Krasniqin për të sjellë operën “Skënderbeu”.

Në një bisedë për “RTV Ora”, Rijani tha se kjo do dëshmojë arritjen e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Opera e Skënderbeut është një hap shumë i rëndësishëm. Kam dy vite që po punoj me të dhe është hera e parë që po e them publikisht. Unë, Fatos Lumani dhe Arian Krasniqi, jemi duke bërë një opera me emrin ‘Skënderbeu’. Dy vite punë, do jetë opera e parë shqiptare në teatrin e Operas në Maqedonisë. Në historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Maqedonisë deri në sot nuk është vendosur asnjë opera shqiptare”, ka thënë ai.

Sipas regjisorit Rijani, ende nuk është çarë kjo tabu deri në fund atje brenda, por shprehet i bindur se do arrihet.

“Akti në vetvete do dëshmojë, nëse ne arrijmë si shqiptarë të Maqedonisë të jemi në stadin më të lartë kulturor, në shkallën më të lartë të një niveli kulturor të përfaqësuar denjësisht atëherë mund të flasim me teorinë e evropianizimit dhe arritjen e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë”, theksoi Rijani. / KultPlus.com

Netflix dokumentar për Beyonce

Duket se një dokumentar i Beyonce mund të vijë nga Netflix javën e ardhshme. Në një postim gjiganti shkroi thjesht ‘”Homecoming” me shkronja greke. Projekti do jetë në dispozicion më 17 prill.

Netflix nuk tha në mënyrë specifike se “Homecoming” ka të bëjë me Beyonce. Por këngëtarja ka një koleksion mode të quajtur “Homecoming”, dhe gërmat janë të shkruara me shkronja greke, njësoj si në postimin e Netflix.

Gjithashtu Beyonce nisi programin e bursave vitin e kaluar “Homecoming Scholars Award Program” që i siguroi Historically Black Colleges and Universities (HBCUs) bursa 25 mijë dollarë  për studentët e përzgjedhur.

Fituesja e  Grammy bëri historinë në Coachella vitin e kaluar si gruaja e parë me ngjyrë që kryesoi festivalin vjetor. /a.a/ KultPlus.com

Festivali “Vaçe Zela”, të rinjtë konkurrojnë në qytetin e lindjes së këngëtares

Në 80-vjetorin e lindjes së Vaçe Zelës, në Lushnje u organizua festivali për nder të saj.

16 djem dhe vajza u ngjitën në skenë në edicionin e katërt të festivalit “Vaçe Zela” në qytetin e saj të lindjes. Të ardhur nga Tirana, Vlora, Kavaja, Lushnja, Divjaka etj., shumica e interpretuesve ngjiten për herë të parë në skenë për të kënduar “live”.

Në fund të festivalit, fituese doli 16-vjeçarja Erisa Xharo. Në qytetin e lindjes, së shpejti Vaçe Zelës do t’i ngrihet një monument. Në Lushnje, godina e kinoteatrit dhe ansambli folklorik mbajnë emrin e këngëtares së madhe. /KultPlus.com

Hapet biblioteka digjitale në Prishtinë

Bibliotekat digjitale, ndër zhvillimet më të fundit bibliotekare të cilat arrijnë t’i mbrojnë materialet që i posedojnë dhe t’i bëjnë të qasshme për të gjithë, tashmë zuri vend edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Tashmë do të fillojë puna për digjitalizimin e librave, gazetave dhe revistave, dorëshkrimeve manuale, doracakëve e fletushkave dhe teksteve të programeve shkollore – materiale të domosdoshme për digjitalizim.

Hapja solemne e bibliotekës digjitale u bë sot në kuadër të Edicionit të 17-të të Javës së Bibliotekës.

I pranishëm në hapje të bibliotekës digjitale ishte edhe kryeparlamentari Kadri Veseli i cili u shpreh se dy dekada pas çlirimit dhe një dekadë pas pavarësisë së Kosovës duhet të punohet fort për shtetndërtim, duke luftuar korrupsionin dhe fuqizuar institucionet e dijës.

“Lansimi i bibliotekës digjitale është me rendësi për studentët dhe libërdashësit që është e nevojshme për studime”, tha Veseli.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se kjo ministri është duke ndihmuar institucionet e dijes për zhvillimin e tyre.

Një fjalë rasti e tha edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku. Ai u shpreh se Java e Bibliotekës synon vetëdijesimin e të gjithëve për biblioteka.

Kështu tha në hapjen solemne të bibliotekës digjitale e cila është bërë në kuadër të Edicionit të 17-të të Javës së Bibliotekës. / KultPlus.com

Rona Nishliu sjell “Mallëngjimi”, dedikim për ata që jetojnë me mall për vendlindje (VIDEO)

Këngëtarja Rona Nishliu sapo ka publikuar projektin e saj më të ri të titulluar “Mallëngjimi”, shkruan KultPlus.

Me kompozim dhe tekst të kantautorit e veprimtarit Rashid Krasniqi e interpretim të paharrueshëm të zërit të ëmbël të Muharrem Qenës, kjo këngë vjen e realizuar edhe me videoklip.

“Ky variant i jonë është një falënderim i përzemërt për krijuesin dhe interpretin, e dedikim për të gjithë ata që jetojnë me zjarrin dhe mallin për vendlindjen, familjen, lagjen e fëmijërisë, përrocken e fshatit… Mërgimi nuk është i lehtë e mallëngjimi është shoqërues i përhershëm…”, ka shkruar Rona Nishliu në Facebook. / KultPlus.com

Gashi: Ju nuk e kuptoni sa e vështirë është t’i bësh krenarë prindërit shqiptarë

Ditë më parë, një ndër gazetat më të mëdha në Amerikë, “New York Times” i dedikoi një artikull rap-artistit të njohur shqiptar, Gashi.

Nën titullin “Gashi, biri i refugjatëve kosovarë, tani një “Phill Collins” i trap-it (zhanër muzikor)”, gazeta prestigjioze njujorkeze i ka dedikuar një artikull të veçantë djalit, që karrierën e kishte nisur ndryshe.

“Disa vjet më parë, reperi në rritje ishte një roje. Tani ai ka miliona dëgjues në SoundCloud dhe një kontratë me RCA Records”, nis shkrimin e saj “New York Times”.

Ka qenë pikërisht kjo pjesë e artikullit, të cilin reperi ka vendosur ta ndajë me ndjekësit në rrjetin social Instagram, ku ka shkruar në mbishkrimin e saj se më në fund ka arritur t’i bëjë prindërit krenarë, pavarësisht se ishte shumë e vështirë.

“Ju të gjithë nuk e kuptoni se sa e vështirë është t’i bësh krenarë prindërit shqiptarë. Faleminderit Zot”, ka shkruar Gashi në Instagram. / KultPlus.com

Artisti bën mozaik për Agim Ramadanin (FOTO)

Një i ri nga Drenasi është duke punuar një mozaik prej shtatë metra.

Në 20 vjetorin e rënies së tij, me 260 mijë gëzhoja të fishekëve, Besart Gashi po punon portretin e heroit Agim Ramadanit.

Ky mozaik do ti dhurohet familjes së heroit në ditëlindjen e tij më 3 maj, dhe më pas mozaiku do  të vendoset në Komunën e Gjilanit.

Gashi është shprehur se për të është kënaqësi dhe nderë të punojë një figurë të tillë si e Agim Ramadanit, një atdhetarë që jetën ja fali atdheut.

Gashi një dashuri të madhe ka edhe për poezitë që Ramadani i shkroi sa ishte gjallë, shumë prej tyre ai i reciton me shumë dashuri. / KlanKosova / KultPlus.com

Dalai Lama shtrihet në spital

Dalai Lama është pranuar në spital në kryeqytetin indian, Delhi, pas një infeksioni në gjoks, por raportohet të jetë në gjendje të qëndrueshme.

Ndihmësi i tij privat Tenzin Taklha, tha se ai ishte derguar në Delhi nga baza e qytetit të tij pasi u ankua për shqetësim.

Udhëheqësi shpirtëror 83 vjeçar i Tibetit u arratis në Indi 60 vjet më parë pas një kryengritjeje të dështuar kundër sundimit kinez.

Laureati i Nobelit për paqe është një folës jashtëzakonisht popullor, por ka pakësuar angazhimet e tij globale në vitet e fundit.

“Mjekët e kanë diagnostikuar atë me një infeksion në gjoks dhe ai po trajtohet për këtë. gjendja e tij është e qëndrueshme tani dhe pritet të trajtohet për dy-tre ditë këtu”, tha Tenzin Taklha për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kina mori kontrollin e Tibetit në vitin 1950 dhe e sheh Dalai Lamën si një separatist të rrezikshëm.

Kush do ta pasojë Dalai Lamën pas vdekjes mbetet e paqartë dhe e diskutueshme.

Kina thotë se udhëheqësit e saj kanë të drejtën të zgjedhin një pasardhës. Por muajin e kaluar, Dalai Lama përsëriti se asnjë udhëheqës i emëruar nga Kina nuk do të pranohej nga tibetianët.

Në besimin budist tibetian, shpirti i lamës më të lartë rimishërohet në trupin e një fëmije. / KultPlus.com

“Bllaca 99”, sot vihet gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb

Sot bëhet vënia e gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në fshatin me të njëjtën emër të komunës së Hanit të Elezit.

“Në kujtim të eksodit të ‘99-ës dhe të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve,Zyra e Kryeministrit organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit. / KultPlus.com

Kuvendi kërkon që lënda e edukimit seksual të përfshihet në shkolla

Nëntëmbëdhjetë rekomandime i kanë listuar partitë politike për parandalimin dhe dënimin e abuzimeve seksuale të të miturve.

Njëra pre tyre parasheh që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të kurrikulës ekzistuese për shkollat e mesme të ulëta dhe të larta, të përfshijë një lëndë zgjedhore për edukimin seksual, shkruan sot “Koha Ditore”.

Po ashtu, i kërkohet Qeverisë që me rishikimin e buxhetit për vitin 2019, të sigurojë një numër fillestar të psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla.

Hartimi i rekomandimeve ka pasuar pas debatit rreth keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas, i cili u zhvillua muaj më parë, gjatë një seance plenare të jashtëzakonshme. Tani rekomandimet pritet të hidhen në votim dhe të miratohen në seancën e radhës, në momentin që do të caktohet nga Kryesia e Kuvendit.

A do të kualifikohet Jonida Maliqi në finalen e Eurovizionit?

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i Eurovizionit – Festivalit Evropian të Këngës, ku edhe shqiptarët po përfaqësohen denjësisht.

Jonida Maliqi po qëndron shumë mirë në bastet momentale të gjysmëfinales së dytë, kur edhe do të këndojë.

Ajo është në pozitën e nëntë në Eurovision World Odds 2019, pra gjasat janë të mëdha që ajo të mund të kualifikohet për në finalen e Eurovizionit.

Jonida këtë vit përfaqëson Shqipërinë me këngën “Ktheju tokës”, dhe këndon në atë që po quhet gjysmëfinalja e ferrit – sepse të gjitha këngët e forta të Eurovizionit këtë vit janë në këtë gjysmëfinale, dhe kësisoj konkurrenca bëhet më e fortë, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=eo4aFzAkQkA

Jonida ka shkëlqyer ditë më parë në koncertin Eurovision in Concert në Amsterdam, duke i dhënë hov dashurisë së fansave për këtë këngë, dhe për vokalin e saj të fuqishëm në paraqitjet e fundit reklamuese për Eurovizion.

Shqipëria merr pjesë në Eurovizion që nga viti 2004. Nëse Jonida Maliqi këtë vit kualifikohet për në finale, nga 16 pjesëmarrje do të jenë gjithsej 9 herë që Shqipëria merr pjesë edhe në finale të Eurovizionit.

Pozita e pestë dhe e shtatë në finale janë rezultatet më të mira ndër vite të shqiptarëve në Eurovision Song Contest. / KultPlus.com

“80 vite nga pushtimi fashist”, paraqiten foto të Mujo Ulqinakut

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 80-vjetorin e rënies së dëshmorëve gjatë qëndresës së armatosur kundër agresionit fashist. Në aktivitetin “80 vite nga pushtimi fashist italian”, u prezantuan për herë të parë për publikun disa fotografi të Mujo (Cakuli) Ulqinakut të mundësuara nga pasardhësit e tij.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Ngjarja historike u parashtrua nga ligjëruesit në aktivitet historiani Moikom Zeqo dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, por edhe përmes interpretimeve dhe referimeve të gjimnazistëve, si dhe nëpërmjet ilustrimeve të fotografive të dëshmorëve të rënë.

Koçi tha në fjalën e tij se ideatori kryesor i pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ishte konti Galeazzo Çiano, dhëndëri i Benito Musolinit, të cilit i lindi ideja për një “zgjidhje tërësore për Shqipërinë”.

“Pushtimi fashist italian më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani etj”, tha ai.


Moikom Zeqo bëri një panoramë të zgjeruar se si erdhi pushtimi fashist në Shqipëri dhe hapat e ndërmarra nga populli shqiptar në luftën kundër fashistëve italianë, duke vlerësuar këtu edhe kontributin e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku.

Olsa Ulqinaku, stërmbesa e Mujo (Cakuli) Ulqinakut, në fjalën e saj përshëndetëse midis të tjerash tha se: “Dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare janë jo vetëm simbol i pashlyeshëm i rezistencës kombëtare dhe luftës për liri, por edhe frymëzim për ne brezat e sotëm”. /j.p/ KultPlus.com

Kur Dua Lipa ëndërronte të bëhej si Rita Ora (VIDEO)

Dy këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, sot po prekin majat e suksesit në skenën muzikore.

Madje, ka raste kur po diskutohet e krahasohet se cila është më e suksesshme, shkruan albinfo.ch.

Fillimisht Rita Ora u bë zë i njohur, por këtij suksesi shumë shpejt iu bashkua edhe Dua Lipa.

Por, në një intervistë dhënë për Express Summer të KTV-së, në vitin 2013, Dua Lipa tregonte se si ëndërronte të bëhej si Rita Ora.

“Ku me marrë, ku me marrë me u ba ma së pari si Rita, jemi shumë, shumë krenarë, edhe me mujt unë me u bazu në atë që ka ba ajo edhe me u ba edhe unë, ish kanë andërr për mua. Shumë kisha pasë qejf”, kishte thënë Lipa, përcjell albinfo.ch.

Tutje, në këtë intervistë, ajo thotë se Rita Ora është inspirim për shumë shqiptarë.

Paçarizi: Më dhemb edhe mu zbrazja, por a kemi fytyrë me iu thanë njerëzve rrini

Shkruan: Rrahman Paçarizi

Na keni lodhe me ikjen e qytetareve e zbrazjen e Kosoves. Ma se pari nuk jane te paret qytetaret e Kosoves qe po ikin – kane ike para tyre miliona polake, miliona bullgare, qindra mijera kroate, dhjetera mijera serbe, gati nje milione shqiptare te Shqiperise… Njerezit e varfer ikin nga vendi i tyre ne kerkim te mbijeteses apo edhe te jetes me te mire. 


Çka po pritni ju? Po mendoni qe ngopen te varfrit duke kqyre postimet tuaja ne FB per ushqimet qe hani e pushimet qe beni?! Mendoni se mjafton me ju pa qysh po kenaqeni e me u kenaqe edhe ata?!


Me dhemb edhe mu zbrazja, por a kemi ftyre me iu thane njerezve rrini e knaquni tuj na kqyre neve qysh po knaqemi, rrini le t’ju vrasin e t’ju djegin, rrini se mund te vriteni tek prisni per te marre ndohmat sociale ne banke, rrini se mund t’ju shtyp ndonje me makine femija i harlisur i ndonje krimineli, rrini e merrni diploma te lodhta, rrini e merrni nga 180 a 200 euro rroge qe pronari jua ben me gjak, rrini e mbytuni ne vendet e punes, flijohuni per shefat qe nuk ju sigurojne kushte pune, rrini e plasni si thiu te izoluar deri ne fushatat zgjedhore ku ju premtohet pune a ndonje mandat asamblisti, rrini sa me i validu konkurset e kurdisura te akraballekut, rrini se… Hic mos rrini. Po gjetet pune jashte, shkoni e punoni, mos çoni pare ketu se jau hane te verdha, por nese shkoni shkollojini femijet atje. Kosoven mos e hiqni prej mendjes. Llogariteni toke tuajen te premtuar ku duhet te ktheheni dhe ta beni vend per se mbari. Ne kemi deshtu tashme…

Del në shitje numri i ri i revistës “Jeta e re”

Doli në qarkullim numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i pari për këtë vit. Të shtatë rubrikat e këtij numri sjellin autorë me peshë nga fusha e letërsisë, teorisë dhe kritikës letrare botërore dhe asaj shqiptare.

Revista hapet me Ligjëratën e shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Sabri Hamitit me titullin “Mësimi i letërsisë”, mbajtur në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Rubrika e prozës nis me tregimin “Përralla e ishullit të panjohur” të nobelistit Jose Saramago, për të vazhduar me “Në pritje” të shkrimtarit, gjithashtu shumë të njohur, Amos Oz, me tregimet e shkrimtarit, publicistit dhe dramaturgut agjentinas Robero Alt: “Shkak dhe marrëzi xhelozie”, “Vëmendje beqari”, “Zilja e ndrojtur”, “Njeriu që gjithmonë të jep të drejtë” dhe “ Fjalimi që do të kishte sukses”, pastaj me tregimet e shkurtra “ Dreka e Pashkëve” dhe “ Pesë minuta” të shkrimtarit italian Paolo Zardi. Nga autorët tanë, Rrahman Paçarrizi është prezantuar me tregimin me titullin “ Helena ime”, Virion Graçi me “ Takime në mesnatë” dhe “ Xhojsi në fotografi” dhe Gazmend Bërjalolli me “ Fëllanza”.

Rubrika e poezisë nis me një cikël të gjerë poezish të poetit dhe dramaturgut të njohur spanjoll Garsia Lorkës, për të vazhduar me poetin amerikan Lingston Hueghes, me poemën “ Komesari Magreli” të poetit italian Varelio Magrelit.

Ndërkaq, nga autorët, me nga një cikël poezish në këtë numër të revistës janë paraqitur Ibrahim Berisha, Osman Gashi, Skënder Zogaj, Arif Kutleshi dhe Përparim Blakaj, ndërkaq me një intervistë me titullin “Pas çdo fjale fshihet një botë e tërë” vjen shkrimtari Heinrich Boll.

Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, në një hapësirë prej 50 faqesh, vjen Eugene Guillovic, një nga poetët madhorë të poezisë franceze të kohës, i përkthyer në më shumë se pesëdhjetë gjuhë të botës. Rubrika nis me një tekst të shkurtër vlerësues të Andre Velter-it me titullin “ Guillevic”, për të vazhduar me një cikël të gjerë poetik të këtij autori, përzgjedhur nga disa libra të tij. Rubrika përfundon me tekstin interesant dhe me interes autobigrafik “Të jetosh në poezi”.

Në rubrikën e kritikës janë prezantuar një numër autorësh tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin e David Perkins-it “Kontekstualizmi historik“ e vazhdon me “Gramatika e krijimit” të George Steiner-it, njërit ndër kulturologët më të mëdhenj sot, me “Pamundësia e përkthimit të Franc Kafkës” të shkrimtares së shquar amerikane Cynthia Ozick, me “Teatri dhe drama” të Erenestina Halilit, “ Dimensionet e identitetit multikulturor në letërsinë e vjetër shqipe” të Ilir Brecës dhe “ Erosi i përçmuar” të Marjela Prognit- Pecit.

Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Sulejman Dërmaku, Alfred Beka, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Qerim Ondozi, Arta Hallaçi dhe Rexhep Maloku.

Koshare

Shkruan: Shqiptar Oseku

(Më 9 prill 1999 ranë 187 dëshmorë 
për ta fshirë kufirin. 
Ndër të plagosurit është vëllai im.
Ky është rrëfimi i tij.)

edhe po desha ta harroj Kosharen 
nuk më lini ju

më kapni pa fjalë për fyti 
e ma bëni me gisht nga rrasat mbi krye

edhe po desha të tërhiqem nga Rrasa e Zogut 
nuk më lini ju

se më bjen hise t’i zdirgjem kokulur Kosovës 
t’i bie derë më derë

e të jap kudo kumtin e vdekjes suaj

si ju fikën shkëndijat e fundit në sy 
sa ftohtë sa trishtë ishte
kur e dhatë grahmën e mbramë

e unë nuk mundem more 
nuk mundem se qaj

ndaj nuk i lëshoj dot këto rrëpira

më mirë ta mbrojmë edhe sonte bashkë Rrasën e Zogut 
unë në këtë botë e ju në atë botë

le ta fusim prapë gishtin nëpër helmeta të shpuara 
e të tallemi se kujt i ra sonte bingo granata 
hije nga balta e gjaku në transhe te moçme
vëllezërit e mi motrat e mia

le të presim edhe sonte bashkë përforcime 
me tjerë të rinj të padërsirë që do të vriten nesër

mos ta lëshojmë frontin as sonte 
edhe këtë natë ta mbrojmë 
Rrasën e Vdekjes

unë e ju hijet e mia

se edhe kur dua ta braktis Kosharen 
nuk më lini ju

më kapni pa fjalë për krahu 
e ma bëni me gisht kah fushat e Kosovës

Nesër fillojnë aktivitetet e Javës së Bibliotekës në Kosovë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, këtë javë hap edicionin e 17-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në hollin e Bibliotekës më 10 prill në orën 10:00, kurse tema e këtij edicioni do të jetë programi kombëtar i arsimimit bibliotekar.

Para hapjes së Javës së Bibliotekës, në ora 9:00do të mbahet një prezantim nga Dr. Robert MONTOYA, i cili vjen nga Universiteti i Indianës, Indiana – ShBA. Tema e këtij prezantimi do të jetë: Drejt një Programi Kombëtar të Arsimimit në Shkencën e Bibliotekarisë dhe të Informacionit

Fjalën e hapjes do ta ketë Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, kurse në fjalë përshëndetëse do të ketë fytyra publike si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri VeseIi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, Zëvendësdrejtore e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun e Ambasadës së ShBA-ve në Kosovës, Erin Manis, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani.

Ky aktivitet që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës fillon më 10 prill e zgjatë deri më 14 prill 2019./ KultPlus.com

Xhevat Lloshi: Të mos ketë më mësues që nuk dinë të flasin gjuhën letrare

Studiuesi i gjuhës shqipe, Xhevat Lloshi, për “Shekullin” bën një analizë të problematikave reale të gjuhës shqipe. Mësues që nuk njohin gjuhën letrare, mangësitë në administrata  dhe qeveritarë që përdorin fjalë të huaja, pa ditur se ç’thonë. Përfshirja e gjuhës shqipe në universitete, hallka e fundit e procesit

Anila Dedaj

Përvetësimi i gjuhës shqipe është një cikël i plotë, ku përfshirja e kësaj lënde në programet universitare, do të ishte hapi i fundit i procesit ose kurorëzimi i tij, siç e quan studiuesi i gjuhës shqipe Xhevat Lloshi. Për gjuhëtarin, krahas teksteve zanafilla e kësaj problematike, duhet kërkuar tek mësimdhënësit. “Në asnjë shkollë të ciklit të parë, ose siç quhet ndryshe fillore, të mos ketë mësues që nuk dinë të flasin gjuhën letrare!”, shprehet studiuesi për “Shekulli”-n, duke theksuar se është e pamundur që një mësues që nuk di mirë gjuhën letrare, t’ia përçojë atë nxënësit. Një fenomen ky, që sipas tij, nuk haset në asnjë vend tjetër të Evropës. Ndërsa, instancat përkatëse nëse duan realisht të zgjidhin problemin duhet t’i japin prioritet. Kërkesa, apo deklarata e fundit e kryeministrit Edi Rama (duke qenë se një vendim i tillë nuk është brenda kompetencave të tij, pasi duhet të vijë nga bota akademike), se:“Duam që ta fusim gjuhën shqipe në universitet, në të gjitha degët”, specialistëve të fushës, u sjell ndërmend një tjetër iniciativë verbale të tij. Ishte viti 2012, kur ai premtoi përfshirjen e stafit redaktorial për të bërë korrigjimin dhe vëzhgimin e dokumentacioneve për çdo institucion publik. Një nismë që si shumë të tjera, nuk funksionoi dhe ngeli në kuadër të propagandës. Sipas gjuhëtarit Xhevat Lloshi, njohja e mirë e gjuhës shqipe nga ana e funksionarëve publikë është e domosdoshme. “Në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, ku njerëzit që shkruajnë dokumente zyrtare i bëjnë me gabime”, shprehet ai, duke nënvizuar nevojën e një teksti të posaçëm për administratat, që të përshtatet me stilin e veprimtarisë shtetërore.

Zoti Lloshi, kryeministri Rama ditët e fundit ka propozuar përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjitha degët universitare. Sa efikase mendoni se mund të jetë një nismë e tillë për minimizimin e problematikave të gjuhës shqipe?

Nuk ka asnjë dyshim, që në të gjitha shkollat e larta kryesore të vendeve që njohim ne, në vitin e parë jepet detyrimisht gjuha, por jo në atë kuptim që shumë kujtojnë. Pra nuk flitet për zgjedhime e lakime, por për një fushë që quhet “Ndërtimi i teksteve”. Unë kam bërë një vepër të tërë që quhet “Stilistika e gjuhës Shqipe”, ku e kam shtjelluar hollësisht këtë gjë. Domethënë nëse shqyrtojmë degët juridike, unë kam një krye të veçantë në këtë libër apo cili është stili i veprimtarisë shtetërore administrative dhe kështu me radhë. Domethënë, jo një përsëritje të disa gjërave thjesht mekanike. Kurse në shkollën nëntëvjeçare që kemi tani, çështja themelore duhet të jetë patjetër në të mësuarit e drejtshkrimit dhe të gramatikës, kryesisht morfologjisë.  Në shkollën e mesme do të zgjerohet më tej, për shembull me elementë më shumë të sintaksës e kështu me radhë. Pra, është një cikël i plotë, i cili në universitet merr kurorëzimin e vet.

Cili duhet të jetë hapi i parë që duhet ndërmarrë për përvetësimin e gjuhës shqipe nga të rinjtë sipas jush?

Mendoj se fillimisht duhet të përcaktohet një plan nga Ministria e Arsimit, që për shembull brenda 5 vjetëve, në asnjë shkollë të ciklit të ulët ose të quajtur ndryshe fillore, të mos ketë më mësues, që nuk dinë të flasin gjuhën letrare. Duhet filluar që këtu, nëse kërkohet realisht zgjidhje, sepse nuk mund të mendohet që mësues, që nuk dinë mirë gjuhën letrare, t’ia përçojnë atë nxënësve. Kjo është diçka e pamundur! Mendoj se në një shtet që pretendon të zhvillohet diçka e tillë nuk duhet të ekzistojë… Në asnjë vend të Evropës nuk të fut njeri mësues, nëse nuk di gjuhën letrare.

Problematika jo të vogla janë hasur edhe në gjuhën e përdorur në administratat publike, në dokumentacione, letra apo komunikata të ndryshme zyrtare. Në 2012-ën, po nga ky kryeministër u premtua përfshirja e një stafi redaktorial në institucione. Si e shikoni një situatë të tillë dhe çfarë do të sugjeronit për rregullimin e saj?

Përpara se të bëhet diçka e tillë, unë mendoj se do të ecim në rrugën e vendeve të tjera. Në Francë pothuajse çdo vit botohet një libër që quhet “Stili administrativ”, domethënë është e meta jonë, e gjuhëtarëve, e specialistëve që nuk kemi përgatitur një libër, që të jetë pikërisht për stilin e veprimtarisë shtetërore. Aty të japim modelet kryesore dhe të shtrojmë çështjet themelore. Madje po ju rrëfej, se në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Nuk ka shtete të këtilla, vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, që njerëzit të cilët shkruajnë dokumente zyrtare, i bëjnë me gabime. Domethënë, detyra e parë është e jona. Pastaj, sigurisht që duke e bërë këtë detyrë tonën, në mënyrë të organizuar, kualifikohen njerëz të caktuar të institucioneve, të cilët janë në gjendje ta bëjnë këtë. Shembulli më i mirë është ky: Për shumë vite, jo më për një vit, në Kuvendin Popullor ka pasur dhe vijon të ketë redaktor gjuhësor, i cili, sjell në formë korrekte gjuhësore ligjet dhe materialet e tjera.

Edhe pse gabime të vogla ndonjëherë janë njerëzore, dua të theksoj se problematikave u dilet përpara me njerëz të përgatitur për këtë punë. Të cilët gjithashtu duhet të kenë në duar materialet përkatëse, mbi të cilat duhet të mbështeten. Nuk janë punë që bëhen sipas mendjes së njërit, apo tjetrit.

Ju keni propozuar gjithashtu të hapet një muze për albanologjinë…

Unë kam hedhur idenë se duhet të ngremë një kënd me buste të albanologëve. Të njerëzve të huaj që kanë lartësuar popullin dhe kulturën tonë. Dhe unë do ta quaja këtë “Kopshti i albanologjisë”. Është një ide e mundur, tani për shembull që është menduar të bëhet një bibliotekë kombëtare, ose që kemi Bulevardin e ri që sapo është hapur. Natyrisht që nuk mendohet të fillohet me një milion, por mund të fillohet me një. Mjafton të caktohet nga Bashkia vendi ku do të bëhet. Të jetë një kopsht i kulturës, që me kalimin e kohës, kur të shtohet me një, dy…, katër buste, të shoqërohet edhe me fletëpalosje, ku të thuhet diçka nga biografia e tyre. Kështu fëmijët të sillen në atë kopsht, të shëtisin dhe të shohin se kush ka kontribuar për shqipen, për kulturën tonë. Unë kam bërë një libër të titulluar “Shqipja qysh u është dukur?”, ku kam përmbledhur thëniet më të mira të shqiptarëve dhe të të huajve për gjuhën shqipe. Pra mundësitë janë dhe nëse bëhej do të ishte diçka e këndshme.

Aktualisht në Fakultetin e Histori Filologjisë, për degën e redaktimit nuk ka kërkesa, kjo edhe për shkak të tregut. Si e shikoni një fenomen të tillë?

Kjo sigurisht është një gjë jo e mirë për kulturën tonë, por bënë pjesë në të gjitha ato mangësitë e mëdha që kemi në këtë fushë. Unë kam shkruar dhe kam folur vazhdimisht dhe dëshiroj t’ju them këtë fjali shumë të rëndësishme: Rënia e nivelit të shkollës dhe rënia e kujdesit për gjuhën nuk janë dukuri të veçuara, janë dukuri shoqërore. Kemi nevojë të ngremë interesimin e përgjithshëm të shoqërisë, për kulturën në përgjithësi dhe për kulturën e gjuhës. Në këtë fushë kanë një vend shumë të rëndësishëm pikërisht edhe mjetet e komunikimit masiv, gazetat, televizioni dhe radio. Në radhë të parë, unë mendoj, se për këto duhet të ngulim këmbë. Që tek gazetat, të cilat dalin përditë, televizionet që japin filma e lëndë tjetër të shkruar, atje duhet në radhë të parë të jetë kujdesi më i madh. Sepse, mjetet e komunikimit masiv, si të thuash me një fjalë “e bombardojnë” përditë vëmendjen e njerëzve edhe nga ana gjuhësore.

Përdorimi i anglicizmave apo ndërkombarizmave, veçanërisht nga brezi i ri ndikon negativisht në përdorimin korrekt të gjuhës shqipe, si në ligjërim ashtu edhe në gjuhën e shkruar?

Mendoj se nuk është brezi i ri që fut fjalë të huaja. Unë ngul këmbë në idenë time, që e kam shprehur edhe më parë, se nuk mund të ngrihet kultura e gjuhës shqipe, nëqoftëse njerëzit nuk përvetësojnë në mënyrë të drejtë e të rregullt gjuhët e huaja. Tani sapo është bërë me dije sondazhi, se “Në Shqipëri vetëm 17% e njerëzve dinë anglisht”. Thënë shqip, sipas meje, fjalë të huaja përdorin ata që nuk i dinë mirë gjuhët e huaja. Nuk është puna thjesht tek brezi i ri, se këtu ka deri edhe parlamentarë, anëtarë të Qeverisë që përdorin fjalë të huaja, pa kuptuar se çfarë thonë.

Mendoni se zgjidhja e këtij problemi duhet të vijë nga bota akademike dhe albanologët, e jo nga Qeveria (parlamentarët), ndoshta edhe për problemin që ju cekët më sipër?

Nuk përjashtohet Qeveria, sepse për mendimin tim, Shteti është shkresë. Nëqoftëse shteti nuk i ka në rregull shkresat, nuk është shteti në rregull. Prandaj nuk është thjesht çështje gjuhe, është çështje e veprimtarisë shtetërore. Ju e dini fare mirë, se në gjyqe debati shpesh herë është thjesht gjuhësor. Kakëtë kuptim, është përdor kështu, është thënë ashtu etj. Pra, Shteti është i interesuar drejtpërdrejtë për të pasur një gjuhë të rregullt në veprimtarinë e tij. Një shtet pa gjuhë të rregullt në veprimtarinë e tij, nuk është si shtet në rregull. Dhe pastaj mund t’u thuhet gjuhëtarëve, pse s’na i kini zgjidhur këto probleme?

Rita Ora po qëndron në Kosovë me mision humanitar


Siç është paralajmëruar, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora mbrëmë ka arritur në Kosovë, shkruan KultPlus.

28-vjeçarja do të qëndrojë në Kosovë në kuadër të një misioni bamirësie në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF). Vera Ora ka publikuar një fotografi të Rita Orës diku në një lagje në Kosovë.

Rita në Kosovë po shoqërohet nga nëna e saj Vera Ora, e cila ka thënë se ndihet krenare me vajzën e saj.

“Duke mbështetur @unicef_uk dhe @ritaora për punën e palodhshme për të ndihmuar fëmijët. Krenare për Ritën që po gjen kohë përgjatë turneut të saj muzikor që ta vizitoj Kosovën”, ka shkruar Vera në Instagram.

Rita Ora po kthehet pas një viti në Kosovë mirëpo tashmë me mision humanitar, vitin e kaluar ajo kishte mbajtur një koncert në Prishtinë për nder të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

Shtëpia Humolli e 4M Group Kosova shpërblehet me “Bigsee Architecture Award 2019”

Çmimin e arkitekturës “Bigsee  Architecture Award 2019″, këtë vit e ka rrëmbyer Shtëpia Humolli nga 4M Group Kosova, shkruan KultPlus.

Shtëpia Humolli është ngritur në një kodër të vogël me pamje nga periferia e Prishtinës, forca dhe dinamizmi i strukturës rezulton në një simbol të gjallë të besimit në një mjedis që përpiqet të gjejë veten.

Kjo hapësira  jetese  i ngjan një skulpture të pastër dhe të banueshme që frymëzon një shoqëri për të menduar se si forma dhe funksioni mund të krijojnë së bashku një terren të ri dhe të ndërtojnë një mikrokozmos të bukurisë së qëndrueshme.

Këtë projekt e karakterizon edhe llojllojshmëria, duke filluar nga orientim dhe ndriçim natyror i planifikuar, dritaret e mëdha përballë  jugut dhe perëndimit ofrojnë qoshe atmosferike dhe pikat fokale mahnitëse që tërheqin sytë në fusha specifike në çdo kohë të ditës. Kryqëzimi i avionëve, shtigjeve dhe shkallëve inkurajon takime shoqërore dhe eksplorim vizual. Nga hapësira private e kopshteve të saj deri në peizazhin surreal brenda rezidencës bashkëkohore, brendësia e shtëpisë bëhet një shtrirje e jashtme e saj, që lidhet me natyrën për të marrë frymë në jetën përreth.

Shtëpia Humolli është projektuar me dritë dhe hapësirë ​​në mendje ndërsa në të njëjtën kohë sheh kulturën dhe traditën lokale që frymëzojnë dinamikën e formës. Gjithashtu nuk ekspozon vetëm mundësitë e krijimtarisë së pakufishme, por zbulon një konsideratë të rëndësishme etike se si ndikon hapësira  në emocionet e një shoqërie dhe në shpirtin e saj./ KultPlus.com


Me mue vjen pranvera në Pejë

Poezi nga Erina Çoku

Shqipnue shpirtnat tanë mkojnë tokat e pranverës
me rranjët e tyne t’ gjata kah m’kah ktij dheu,
dhembja na i njeh ngastrat, bashkue e ndamë
e andja e jetës shpesh na duket veçse nji andërr e largët.
Un vij prej nji ane tu t’kërkue ksaj ane.
Pash gjakun e tokës e t’qiellit, si njisoj e kena,
ti ku je?

Asht pranver’, gjithçka ndihet me kraharor,
fjalët e pemve për rranjët e tyne kuptohen mâ mirë,
asht pranver, çka çeli ka m’u bâ frut,
nuk do ‘desim uni, tashmâ.
Pash kangt e pemve e t’barit, si gjallë ta mbajnë frymën,
ti a je?

Pranveren jam tu mbledhë si nji fill t’gjatë
prej pragut tim n’Pejë e prej Peje n’pragun tim,
kadalë tu mendue, për mue e ty,
për nâ si nji u bamë, por nji nuk mbetëm, 
kadalë tu ndie dashnin n’ rrema përqafue 
me shpirtin e gjanë e t’lartë përky uji,
kadalë tu e bâ nji shtrojë të re për njeriun
me u njoftë e me u plotnue brenda kresë.
Pash, shpirtin si afrue e largue na nget,
ti a je, sikundër jam?

Udha asht nji kurm me brinjë e degë,
t’gjitha janë tu m’dhembë nan lekurë
e t’gjitha jam tu i ndi’ si rrema t’kuq trupit tim.
Pash kryet e maleve n’kryet tand, perngja me mue,
ti si je?

N’Prizren kam me qenë dikur,
kur t’shkoj, saora ke m’u shkru n’fytin tim 
nuk di pse, e nuk di qysh.
Nesër, sot e dje m’janë bâ lamsh.
Pash udhën, si drejt duhet me e marrë,
ti pse je?

N’Gjakovë kam lanë do kodra t’blerueme,
zaje t’bardha m’bien prej zemre
e uji i syve m’i merr e m’i çon larg,
peng i kputun, i përjetshëm.
Pash ujin, si durve t’mija me buzën tande e ke pi,
ti qysh je?

Lumi shket n’Pejë tu u lmue gurve t’shpirtit
e zajet e mija t’bardha ngucen bregut
tu harrue plagët thellë në ujë.
Pash çatinë mbi dritore, si zemren ta ndrit,
ti çka je?

Pemët mbledhin shiun n’Pejë,
era e dheut asht historia e rranjës tande,
po mendimet bahen turrë mbi ura të vogla
tue zanë brigje e shtigje, për mue dhe ty.
Pash zgjimin e ujit n’zemër, si gjallnimin ta jep,
ti kah je?

Malet kanë bâ prag e janë afrue 
me lindë n’zemër edhe njëherë,
e krye m’krye e kacarrojnë lumin
si shket i lmueshëm diçka tu’ përkundë
sa ura e lidh prapë shpirtin e zgjidhun,
pa lanë dert për penj të trishtë.
Pash andrrat, si shenjë t’lanë n’ballë,
ti je a s’je?

Pranvera asht e kadaltë në Pejë,
nuk ngutet me ardhë, nuk ngutet me ikë,
trandafila t’verdhë shpirtnohen n’hundë
tu’ e ba dhembten ma t’durueshme
e krahanorin t’shelbuem me eter.
Pash dritën si t’puthet amel sysh,
ti ji.

Pranveren e heq zhag kahdo shkoj,
pranvera m’heq zhag kahdo vij,
streha m’sheh nan vetull butë,
pragu m’sheh drejt buzës urtë,
Pash jetën, si asht thelbi ynë i pastër
pash jetën, si e ruejmë n’trupat tanë t’përkohshëm,
pash jetën, si ka me kenë edhe kur na t’mos jemi,
kurrë mos thuaj se s’je,
tash si unë jam.