Tenori Tusha nis “Natën Europiane” në Elbasan

Një mbrëmje fantastike në një nga ambientet më të bukura të Elbasanit mbushi me tingujt e muzikës dhe zërin e mrekullueshëm të tenorit Kastriot Tusha muret mijëra vjeçare të kalasë.

I lindur dhe rritur ne Elbasan, Kastriot Tusha mori një emocion të veçante, jo vetëm nga publiku i ngrohtë, por sepse që sot ai vjen si qytetar nderi i këtij qyteti.

“U ndjeva shumë mirë për respektin që më është bërë nga qyteti i vendlindjes. Një qytet vërtetë i mrekullueshëm. Ndjehem krenar që kam lindur këtu. Një mbrëmje që u bë enkas për këtë publik dhe për surprizën që më bënë”, tha Kastriot Tusha.

“‘Nata Europiane’ është një udhëtim muzikor, i cili është vazhdimi i projekteve që kemi filluar me Kastriotin. Një shpresë më shumë. Është një projekt ku mbi të gjitha të ardhurat e mbledhura edhe na projektet e tjera, shkojnë për bamirësi”, tha Zeqir Tulkuqi, violinist.

Muzikantë të vjetër e të rinj, breza të tërë të rritur me kulturën e një  qyteti plot tradita, nuk mund t’i mungonte kësaj mbrëmje zërat e mrekullueshëm të Ulpiana Aliajt dhe të të madhit Mehdi Zena.

Mali i Zi sipas traditës shqiptare

Në plejadën e personaliteteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare bën pjesë edhe Pashko Vasa, i cili u dallua me veprimtarinë e vet në favor të çështjes kombëtare. Në këtë aspekt bën pjesë edhe veprimtaria botuese, e cila ishte dëshmi e ngritjes së ndërgjegjes kombëtare, që përkon me kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.

Ai ishte personalitet shumëdimensional si, publicist, poet, studiues i historisë kombëtare, i gjuhës, hartues i një alfabeti, një gramatike e një romani dhe poliglot, sepse ishte njohës i shtatë gjuhëve të huaja. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si zyrtar i administratës së Perandorisë Osmane, duke qenë përfundimisht guvernator i Libanit, ku edhe vdiq në vitin 1892 në moshën 67-vjeçare.

Vepra “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, është botuar frëngjisht në vitin 1872 në Stamboll në Shtypshkronjën “Lajmëtari i Orientit”, ndërsa kohë më parë në përkthim nga prof. Seit Mansaku është botuar në gjuhën shqipe nga Fondacioni ALSAR nga Tirana. Ndonëse studiues të ndryshëm kanë pasur njohuri për ekzistimin e një vepre të tillë, ajo për opinionin shqiptar ishte e panjohur, sepse ishte në gjuhën frënge, ku si e tillë i bashkëngjitet botimit në shqip, duke ruajtur origjinalitetin e saj.

Shtatë dekada më pas: Ç’domethënie ka për botën e sotme, romani “1984” i Xhorxh Oruellit

Nga Stephen Groening

Shtatëdhjetë vjet më parë, Erik Bler, duke shkruar nën pseudonimin Xhorxh Oruell, botoi romanin “1984”, që sot konsiderohet si një klasik i zhanrit fiksion dystopian. Romani tregon historinë e Uinston Smithit, një mesoburrë dhe burokrat i paaftë që jeton në Oqeani, vend që mbikëqyret vazhdimisht nga autoritetet.

Edhe pse atje nuk ka ligje, ekziston një forcë policore, “Policia e Mendimit”, dhe postera gjigantë u kujtojnë banorëve se “Vëllai i Madh po të shikon”. Smith punon në Ministrinë e së Vërtetës, dhe puna e tij është që të rishkruajë raporte në gazetat e së kaluarës, në përputhje me realitetin aktual. Smith jeton në një gjendje të vazhdueshme pasigurie; ai nuk është i sigurt se jeton në fakt në vitin 1984.

Megjithëse narrativa zyrtare, është se Oqeania ka qenë gjithmonë në luftë me Eurazinë, Smith është i sigurt se vetëm pak vite më parë ata kishin qenë në luftë me Azinë Lidnore, që tanimë është shpallur aleati i tyre i vazhdueshëm dhe besnik.

Shoqëria e portretizuar në librin “1984”, është ajo në të cilën kontrolli social, ushtrohet nëpërmjet dezinformimit dhe mbikëqyrjes. Si një studiues i televizionit dhe kulturës së ekranit, unë mendoj se teknikat dhe teknologjitë e përshkruara në atë roman, janë shumë të pranishme edhe në botën e sotme.

Një nga teknologjitë kryesore të mbikëqyrjes në roman, është “tele-ekrani”, një pajisje shumë e ngjashme me televizionin tonë. Ai kap vetëm një kanal që transmeton edicione lajmesh, spote propagandistike dhe këshilla mbi mirëqënien e qytetarëve. Ai ndryshon nga televizioni ynë në dy aspekte thelbësore:Është e pamundur të fiket, dhe ekrani i sheh shikuesit, ashtu si shikuesit e shohin atë.

Pra tele-ekrani, është njëherazi televizion dhe një kamera që survejon. Në roman, Smith nuk është asnjëherë i sigurt nëse po përgjohet apo jo përmes ekranit. Tele-ekrani i Oruell u bazua në teknologjitë e para të televizionit para Luftës së Dytë Botërore, dhe vështirë se mund të shihet si një fanta-shkencë.

Në Gjermaninë e viteve 1930, funksiononte sistemi i transmetimeve televizive, ndërsa programet e rregullta ishin duke u transmetuar edhe në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës. Interpretimi dominues i “1984”, ka qenë ai i një parashikimi të tmerrshëm, i asaj që mund të ndodhte në të ardhmen.

Sipas eseistit të ndjerë italian Umberto Eko, “të paktën tre të katërtat e asaj që rrefën Oruell, nuk janë utopi, por histori”. Përveç kësaj, studiuesit kanë vënë në dukje se sa qartazi e përshkruan të tashmen ky roman. Kur u shkrua në vitin 1949, amerikanët shihnin mesatarisht 4 orë e gjysmë televizion në ditë.

Në vitin 2009, ata shihnin gati 2 herë më shumë. Në vitin 2017, informacioni i transmetuar nga ekranet televizive, dominonte një pjesë të jetës sociale dhe psikologjike të njerëzve. Studiuesi Mark Miler, argumentoi se si slogani i famshëm nga libri “Vëllai i Madh po të shikon”, u shndërrua në një format televiziv.

Ai thotë se televizioni në Shtetet e Bashkuara, pësoi një lloj konformiteti të ndryshëm nga ai që paraqitet në roman. Në roman, tele-ekrani  shfrytëzohej për të prodhuar konformitetin ndaj Partisë. Sot televizioni prodhon konformitet me një sistem të shfrenuar të konsumit, përmes reklamimit dhe përqendrimit të vëmendjes tek të pasurit dhe të famshmit.

Gjithashtu ai nxit produktivitetin e pafundëm, nëpërmjet mesazheve mbi kuptimin e suksesit dhe virtytet e punës së madhe. Shumë shikues, konformohen duke e krahasuar veten me atë që shohin në televizion, si në veshje, marrëdhënie dhe sjellje. Sipas Milerit, televizioni ka “vendosur standardin e vetë-analizimit të vazhdueshëm të vetes”.

Shqetësimi paranojak që ka Smith në roman – se çdo veprim apo mendim i gabuar do të sjellë në shtëpi ‘Policinë e Mendimit’- shfaqet sot në formën e “vigjilencës obsesive” të shikuesit të televizionit. Pra shikuesit kontrollojnë veten, për t’u siguruar nëse janë si të tjerët që shohin në ekran.

Studiuesi Xhoshua Mejrovic, thotë se treguar se llojet e programeve që mbizotërojnë në televizionet amerikane – lajmet, komeditë, dramat, e kanë bërë normale vëzhgimin e e jetës private të të tjerëve. Ndërkoha ka një shtim vazhdueshëm të emisioneve të formatit “reality TV”, ku më i spikaturi në gjithë botën ka titullin “Big Brother”, dhe evokon enkas romanin “1984”.

Por “Big Brother”, është gjithashtu një eksperiment mbi kontrollimin dhe modifikimin e sjelljes njerëzore. Duke u kërkuar pjesëmarrësve të bëjnë publike jetën e tyre private, shfaqje të tilla inkurajojnë vetëvlerësimin, dhe sjelljen sipas disa normave ose roleve të perceptuara sociale, që i sfidojnë normat e perceptuara .

Eksperimente të tilla, zhvilloi dikur psikologu i njohur amerikan Stanli Milgram, ku ai zbuloi se një pjesë e madhe e pjesëmarrësve, iu bindën edhe pse me një farë ngurrimi, udhëzimeve nga një figurë e autorizuar për të dëmtuar një person tjetër. Ndërkohë emisionet televizive bashkëkohore, nuk i urdhërojnë pjesëmarrësit të dëmtojnë direkt njëri-tjetrin.

Por ato zhvillohen si një eksperiment social në shkallë të vogël, që shpesh përfshin një rivalitet të ashpër. Sot ashtu si tek romani, mbikëqyrja me kamera është e pranishme kudo. Kamerat ekzistojnë gati çdo aspekt të jetës, nga rrjetet e transportit, shkollat, supermarketet , spitalet dhe trotuaret publike, për të mos përmendur punonjësit e policisë.

Kjo është pjesë e një kulture të përdorimit të gjerë të televizionit, gjë që e ka shtyrë kriminologun norvegjez Tomas Matiesen ta quajë “shoqëria e shikuesve”, ​​në të cilin shumë njerëz shohin disa të tjerë. Për Matiesen, kjo lloj shoqërie është thjesht ana tjetër e shoqërisë së mbikqyrjes, e përshkruar në romanin e Oruell. /KultPlus

Stephen Groening

Së shpejti qendra kulturore me emrin e Nexhmije Pagarushës

Në Pagarushë të Malishevës pritet së shpejti të ngrihet një qendër kulturore, e cila i bën nder jetës dhe veprës së këngëtares së mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarushës. Qendra ka për qëllim të nderojë dhe të lartësojë figurën e veprimtarinë e ikonës së muzikës shqiptare.

Ky projekt është i iniciuar nga organizata “Troja” dhe ka marrë përkrahjen e Komunës së Malishevës. Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit tashmë ka zgjedhur projektin fitues për këtë qendër dhe së shpejti pritet të nënshkruhet kontrata. Rreth një viti më parë, në korrik të vitit 2018 kjo Komunë ndau parcelën ku pritet të ndërtohet kjo qendër. Në vendimin e nxjerr nga ajo mbledhje e Kuvendit Komunal thuhet se ndërtimi i kësaj qendre kulturor në total kap shumën prej 198.589.00 eurosh dhe nga Komuna e Malishevës është kërkuar të ofrojë vetëm parcelën në mbështetje prej 15 mijë eurosh. Sipërfaqja ku do të ndërtohet ky objekt, që pritet të financohet nga MKRS-ja, është 25 ari dhe vendi njihet në Pagarushë me emrin “Arat e Abazit”.

Samir Hoxha, këshilltar i Ministrisë së Kulturës, për “Zërin” ka theksuar se Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve vitin e kaluar pati marrë vendimin ta përkrahë ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në Pagarushë të Malishevës. Pas këtij vendimi dhe pas ndarjes së buxhetit për realizimin e këtij projekti, Ministria e Kulturës, duke respektuar procedurat ligjore në fuqi, ka shpallur konkursin e projektimit për hartimin e projektit për ndërtimin e kompleksit “Nexhmije Pagarusha”, në Pagarushë. “Sipas detyrës projektuese të konkursit të projektimit, qendra kulturore, që do të mbajë emrin ‘Nexhmije Pagarusha’, do të ketë për qëllim promovimin e vlerave kulturore të artit skenik, të muzikës, të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve, të promovimit të trashëgimisë kulturoro-materiale dhe shpirtërore, zgjerimit të aktiviteteve kulturore, përfshirjen e të rinjve të Pagarushës dhe të fshatrave përreth në jetën socio-kulturore dhe sportive”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, qëllimi i këtij konkursi të projektimit është krijimi i një objekti kualitativ arkitektonik, i cili do të shprehë prezencë të fuqishme arkitektonike në mjedisin rural, prezencë kjo që duhet të jetë bashkëkohore dhe inovative, origjinale e identifikuese. Pra një objekt kulturor, i cili do të identifikojë përmes arkitekturës vlerat emancipuese të trashëgimisë sonë kulturore. “Në këtë konkurs-projektimi për ndërtimin e kësaj qendre kulturore janë paraqitur disa projekte të hartuara nga studio vendore të arkitekturës. Ministria e Kulturës duke respektuar të gjitha procedurat ligjore të prokurimit publik ka shpallur projektin fitues të këtij konkursi të projektimit. Vendimi i Ministrisë deri më tani nuk ka hyrë në fuqi për arsye të procedurave ankimore lidhur me rezultatin e konkursit të projektimit. Aktualisht ne si Ministri pas procesit të rivlerësimit të këtij konkursi të projektimit kemi shpallur fituesin e konkursit dhe tani presim që në bazë të procedurave ligjore të nënshkruajmë kontratën me operatorin ekonomik të shpallur fitues”, tha Hoxha duke shtuar tutje se sipas dinamikës së paraparë presin që pas hartimit të projektit kryesor për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” gjatë këtij viti të shpallin tenderin për ndërtimin e këtij objekti kulturor, i cili do të jetë pikë referimi jo vetëm për rajonin e Malishevës, të Rahovecit dhe të Suharekës, por do të jetë pikë referimi kulturor edhe për tërë territorin e Kosovës.

Sipas Hoxhës, kjo hapësirë do t’u dedikohet edhe shfaqjeve teatrale, dramave, koncerteve muzikore, festivaleve rajonale, promovimeve të librave, ekspozitave të ndryshme, takimeve të komunitetit dhe të mundë të shërbejë edhe si bibliotekë po edhe për aktivitete tjera. Në të njëjtën kohë, qendra do të ketë edhe muzeun e trashëgimisë, si dhe amfiteatrin e jashtëm e të gjitha hapësirat tjera përcjellëse për një qendër të karakterit të tillë kulturor.

Albanë Hoti, drejtuese e organizatës “Troja”, OJQ kjo që ka qenë iniciuesja e projektit duke ia drejtuar e para kërkesën Komunës së Malishevës, për “Zërin” ka treguar se si ka nisur e gjithë ideja. “Ne ia kemi drejtuar fillimisht kërkesën Komunës së Malishevës. Kemi synuar një projekt ideor drejt realizimit të Qendrës Kulturore të Nexhmije Pagarushës. Pastaj kemi gjetur mbështetje të MRKS-së. Tash jemi në pritje të fazës finale të publikimit të projektit, sepse ata janë në përgatitje të disa miniprojekteve që kanë për t’iu bashkëngjitur këtij projekti. Janë marrë hapa konkretë sa i përket MRKS-së, por Komuna e Malishevës me kapacitetet e saj ka ndarë parcelën, e cila do ta mundësojë ndërtimin e këtij kompleksi”, u shpreh Hoti.

Hoti ka vlerësuar se iniciativa ka ardhur prej organizatës që ajo drejton me dy koleget e saj dhe si rrjedhojë e kësaj është menduar t’i shpërblehet puna ikonës së muzikës shqipe. “Jemi duke e kompletuar punën, të cilën e ka filluar organizata jonë dhe jemi shumë të kënaqur për faktin se bëhet fjalë një personalitet si Nexhmije Pagarusha. E kemi përpunuar, e kemi ideuar projektin, pritet vetëm publikimi”, theksoi ajo.

Besa Kryeziu-Rama, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Malishevës, për gazetën “Zëri” ka deklaruar se kjo Komunë e ka kryer detyrën e saj sa i përket këtij projekti e ajo ka qenë ndarja e parcelës. “Komuna e Malishevës ka pasur për detyrë vetëm ta ndajë parcelën për projektin në fjalë, mirëpo diçka tjetër si Komunë nuk kemi pasur për të bërë. Ka shkuar në Kuvend ky projekt dhe është votuar unanimisht, por plani se si ka për t’u dukur varet nga MRKS-ja”, theksoi Kryeziu-Rama.

Rikujtojmë se këngëtarja Nexhmije Pagarusha numëron më shumë se pesë dekada karrierë në skenën e artit muzikor. Dikur ajo ishte aktive edhe në kinematografi./Zëri/

Auron Tare rizgjidhet në Komisionin Shkencor të UNESCO-s

Pasditen e së premtes u mbyll sesioni i 10 i UNESCO mbi trashëgiminë kulturore botërore. Kjo Konventë e njohur si konventa 2001 merr në mbrojtje të gjithë pasurinë kulturore nënujore dhe iu bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të ruajnë mbrojnë dhe promovojnë këtë trashëgimi.

Po kështu ky sesion zhvilloi zgjedhjet e reja për Këshillin teknik dhe shkencor ku vendet anëtare përzgjedhin kandidaturat që vijnë nga e gjithë bota shkencore e kërkimeve nënujore.

Midis kandidaturave me votim të fshehte Auron Tare rizgjidhet përsëri në këshillin shkencor dhe teknik të UNESCO organizmi më i lartë dhe i vetmi në botë që autorizohet nga Kombet e Bashkuara për të përfaqësuar vendet anëtare në fushën e trashëgimisë kulturore nënujore.

Ky këshill shkencor ka vetëm 12 anëtare dhe janë nga emrat më të njohur në botë të kësaj fushe.

Autoportreti që shkatërroi kanonet

Nga Monika Shoshori Stafa

Një artist gjerman i talentuar dhe i gjithanshëm i periudhës së Rilindjes, Albrecht Durer (1471-1528), lindi në qytetin frankonian të Nurembergut, një nga qendrat më të fuqishme artistike dhe tregtare në Evropë gjatë shekujve të XV dhe XVI. Ai ishte piktor, grafist dhe një shkrimtar i shkëlqyer, megjithëse ndikimi i tij i parë dhe ndoshta më i madh artistik ishte ai i shtypjes në kartë të vizatimeve…

Durer punonte me babanë e tij, që ishte një argjendar dhe me piktorin e qytetit Michael Wolgemut, punishtja e të cilit prodhonte punime në dru për libra dhe botime të mëdha. Pas ndjekjes së punës me përkushtim Durer do të bënte që të revolucionarizojë procesin e shtypjes në kartë të vizatimeve, duke e ngritur atë në nivelin e një forme të pavarur të artit.

Talenti i Durerit, ambicia dhe intelekti i mprehtë i dhanë atij vëmendjen dhe miqësinë e disa prej figurave më të shquara në shoqërinë gjermane. Ai u bë artisti zyrtar i oborrit për perandorët e Shenjtë Romak si Maksimilian I dhe pasardhësi i tij Charles V, për të cilët Durer projektoi dhe ndihmoi në ekzekutimin e një sërë projektesh artistike.

Në Nuremberg, një qendër e gjallë e humanizmit gjerman dhe një nga qytetet e para që edhe zyrtarisht i mirëpriste parimet e Reformimit, Durer arriti të kishte akses në disa teologë dhe studiues të shquar të Evropës, përfshirë edhe Erasmusin etj. Për hollin e bashkisë së qytetit të Nurembergut, artisti pikturoi dy tablo të katër apostujve, duke sjellë tekste nën përkthimin e Martin Lutherit duke i thurur lavde qytetit që kish adoptuar luteranizmin. Qindra vizatime që i kanë mbijetuar kohërave, letra dhe shënime të ditarit të tij, dokumentojnë udhëtimet që artisti ka kryer nëpër Itali dhe Holandë (1520-21), duke dëshmuar perspektivën e tij këmbëngulëse shkencore në kërkim të një gjykimi artistik.

Durer i donte autoportretet. Gjatë gjysmës së parë të jetës së tij, arriti të krijonte një seri të autoportretesh tepër elegante dhe nga kritika vlerësuar për një shije të hollë. Portretin e parë të vetes ai e vizatoi në vitin 1484, kur artisti, një djalë me zhvillim të parakohshëm sapo kish mbushur të 13-tat. Portreti ishte vizatuar në pllakë argjendi, një nga teknikat tradicionale të vizatimit në atë kohë, përdorur fillimisht nga shkrimtarët e mesjetës nëpër dorëshkrime. Më vonë, ai shkroi në këndin e sipërm të djathtë: “Një portret i vizatuar i vetes nëpërmjet pasqyrës, vitin 1484, kur isha ende fëmijë – Albrecht Durer”.

Një tjetër kryevepër erdhi pas ca vitesh në krijimtarinë e tij. Piktura ikonë e autoportretit të vet, është një djalosh 28-vjeçar që mban veshur një pallto me jakë gëzofi. Këtë autoportret Durer e pikturoi në fillim të vitit 1500, pak para ditëlindjes së 29 të tij. Kjo vepër është dhe e fundit e tre autoportreteve të tij të pikturuara me aq kujdes e pasion. Është konsideruar si një ndër më afër portretit të tij jo vetëm fizik, por dhe psikologjik, tepër kompleks si përcaktim profesional dhe me të cilin duket se ai ka mbetur i tillë në imagjinatën popullore.

Është gjithashtu i famshëm, sepse në këtë autoportret ai ngjan shumë përfytyrimit të Krishtit. Kodi fetar këtu është i qartë: simetria, tonet e errëta dhe mënyra me të cilën Durer hedh sytë mbi vizitorin. Ai nuk mjaftohet me kaq por ngre duart në mes të gjoksit sikur të jetë në aktin e bekimit. Duke pasur parasysh portretin e idealizuar të tij siç dhe duket që në skicimin e parë, hunda e tij ishte fillimisht e parregullt në formën e saj dhe të gjithë e pranuan në fund se Durer i është afruar shumë Krishtit. Në shkrimet e vjetra në latinisht kjo konsideratë është gjetur me fjalët “imitatio Christi”, një imitim i Krishtit. Durer e ka pikturuar veten me flokë ngjyrë kafe, edhe pse vetë portretet e tjera të tij tregojnë se ai i kishte të kuq në biond.

Në vitin 1500 një qëndrim ballor, si Albrecht Durer e kishte pikturuar veten, nuk ishte i zakonshëm për një portret laik. Dy pikturat e mëparshme të tij ishin pikturuar në një kuadër tre të katërtat. Qëndrimi ballor në tablotë e kohës mbeten përjashtime, edhe pse Hans Holbein i Riu, një nga portretistët më të mëdhenj të shekullit të 16-të në atë kohë, pikturonte portrete të Henrit të VIII-të të Anglisë dhe mbretëreshave të tij, ndoshta sepse kishte ky të drejtën e vetme për të ndjekur udhëzime të tilla për të përdorur këtë lloj pozicioni. /KultPlus

Monika Shoshori Stafa

“Te varri im mos eja të qash”

Te varri im mos eja të qash;
Fjetur s’jam, aty nuk më gjen.
Jam në njëmijë erëra që fryjnë. 
Shkreptima e diamantit në dëborë jam.
Në grurin e pjekur jam drita e diellit.
Shiu i butë vjeshtor jam unë.

Kur në heshtjen e mëngjesit të zgjohesh ti
Jam nxitimi i çastshëm
I zogjve të qetë që në fluturime rrethore enden.
Jam ylli i butë që natën shndrit.
Në varrin tim të qash mos u ndal,
Nuk kam vdekur, aty nuk jam.

Nga Mary Elizabeth Frye

Përktheu Fatbardha Statovci

KultPlus

Fundosja e Titanikut

Poezi nga Vernon Dalhart
Përkthyer nga Bujar Meholli

Mëngjes i së hënës qe rreth orës një,
kur i madhi Titanik andej-këndej lëkundej,
njerëzit filluan të bërtisnin “gjallë s’do mbesim asnjë!”
Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Kur Titanikun e madh ata e ndërtuan,
thanë se uji gjë nuk do mund t’i bënte,
por Zotin e plotfuqishëm sakaq e harruan,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej,
ishte trishtuese…
Kishte gra, burra e vocërrakë, që jetët po i humbnin,
ishte trishtuese, ajo anije e madhe po fundosej…

Njerëzit po bënin rrugë të gjatë nga të tyret shtëpi,
ashtu tok, nuk e dinin se vakti u kish ardhur,
vdekja trokiti, qindra syresh i gëlltiti,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej…
Kish gra, burra e vocërrakë, që jetët po i humbnin.
Zot! Sa e dhimbshme! Anija e madhe veçse u fundos…

Inçizuar te Gennett Records, në vitin 1926.

Vernon Dalhart, emri i vërtetë i të cilit është Marion Try Slaughter, konsiderohet si njëri ndër artistët më të mëdhenj të muzikës Kantri. /KultPlus

Çfarë ka ndodhur më 22 qershor ndër vite?

22.06.2019 – 08:14

217 pes – Beteja e Raphias: Ptolemeu IV Philopator i Egjiptit mposht Antiokin III të mbretërisë Seleucid që përfshinte rajonin e Sirisë dhe pjesë të tjera të Azisë perëndimore. Ptolemeu IV mbretëroi 221-205 pes; ai ishte Faraoni i katërt i dinastisë së Ptolemeut. Historianët thonë se nën sundimin e Ptolemeut IV, filloi edhe rënia e dinastisë; ai njihet për vrasjen e nënës së vet, si dhe për oborrin e korruptuar, dhe jetën e shthurur.

168 pes – Beteja e Pydnas: Romakët nën gjeneralin Lucius Aemilius Paullus mposhtin mbretin Perseu të Maqedonisë. Kjo ishte lufta e tretë romako-maqedonase; dinastia antigonide, vazhduese e Aleksandrit të madh, e dobësuar ndaj botës romake che helenike, mbërriti në fundin e saj; Beteja në Pydna (sot afër Katerinit) shënoi shkatërrimin përfundimtar dhe vendosi autoritetin romak në Maqedoni dhe Epir. Lucius Aemilius Paullus zuri rob mbretin Perse dhe urdhëroi vrasjen e 500 personave të shquar të njohur për kundërshtimin e tyre ndaj Romës. Ai gjithashtu konfiskoi pasuritë e tyre në emër të Romës, por, sipas Plutarkut, Paullus mbajti për vete shumë prej kësaj pasurie; burime të tjera thonë se ai përvetësoi vetëm bibliotekën mbretërore maqedonase, që cilësohej si e dyta më e madhe pas biliotekës me famë së Aleksandrisë. Pas kthimit triumfues në Romë, senati i dha Paullus mbiemrin Macedonicus. Më 164 pes, Lucius Aemilius Paullus Macedonicus u zgjodh konsull, por shpejt u sëmur, dhe vdiq gjatë mandatit të tij, më 160 pes.

1633 – Romë; Zyra e Shenjtë detyron Galileo Galilein të tërheqë pikëpamjen e tij se Dielli, dhe jo Toka, është qendra e universit; dhe Galileo u tha se hiqte dorë nga pikëpamja e tij – ‘megjithëse Toka vazhdon të rrotullohet’ rreth Diellit, pavarësisht se çfarë thoshte dijetari.

1870 – SHBA; Kongresi krijon Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Ky department, udhëhiqet nga Prokurori i Përgjithshëm që emërohet nga presidenti. Përpjekje, asnjë tërësisht e suksesshme, janë bërë për të përcaktuar kuptimin e motos latine në vulën Departamentit të Drejtësisë: “Qui Pro Domina Justitia Sequitu”. Nuk dihet saktësisht se kur dhe si u miratua versioni origjinal i vulës, ose kur motoja u shfaq për herë të parë në këtë vulë. Mendimi mbizotërues sugjeron se motoja i referohet Prokurorit të Përgjithshëm, i cili ndjek penalisht në emër të drejtësisë.

1906 – Suedia miraton flamurin e saj; një kryq i verdhë në sfond blu. Flamuri e ka orgjinën në një mit mesjetar ku thuhet se mbreti Erik IX pa një kryq të artë në qiellin blu, ndërsa mbërriti në Finlandë gjatë kryqëzatës së parë suedeze më 1157. Më pas, për arsye praktike, ngjyra e artë e kryqit u ndryshua në të verdhë. Por problemi me mitologjinë është se nuk ka burime se një kryqëzatë e tillë ka ndodhur, dhe gjithashtu nuk ka pamje ose përshkrime të flamurit suedez deri në mes të shekullit të 16-të.

1941 – Gjermania pushton Bashkimin Sovjetik me operacionin Barbarosa. Operacioni u quajt Barbarosa për nder të Frederik Barbarossës, perandor i Shenjtë romak dhe mbret i Gjermanisë (1152 – 1190), që kishte luajtur rol në bashkimin e fiseve germanike. Zbatimi i planit Barbarossa ishte autorizuar nga Hitleri më 18 dhjetor 1940, duke caktuar datën e fillimi më 15 maj 1941; por kjo date u shty për shkak se Gjermanisë i duhej t’i shkonte në ndihmë Italisë që pësoi humbje në luftën me Greqinë; kështu sulmi ndaj Rusisë u shty për më 22 qershor 1941 – shumë historianë thonë se kjo vonesë solli edhe disfatën gjermane; sikur Operacioni Barbarossa të kishte filluar një muaj më herët (në maj dhe jo qershor), ushtarët gjermanë nuk do të kishin provuar dimrin e ashpër rus, dhe historia ndoshta do të ishte shkruar ndryshe.

1970 – SHBA, Rritet përgjegjësia e moshës; Presidenti Riçard Nikson nënshkroi ligjin për uljen e moshës së votimit në 18 vjeç. Mosha minimale e votimit para vitit 1970 kishte qenë 21 vjeç, që ishte vendosur që në vitin1884 – por gratë e fituan këtë të drejtë shumë më vonë, në vitin 1928.

2009 – Kompania Eastman Kodak njoftoi se do të ndërpresë shitjen e filmit me ngjyr Color Film Kodachrome, duke i dhënë fund garës së saj 74-vjeçare si ikonë e fotografisë.

Kujtesë dhe luftë

Nga Mikaela Minga dhe Salian Çullhaj

Ka shumë mënyra si ngjarje historike që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive e atë individuale rikthehen në vëmendjen tonë. Kur bëhet fjalë për episode të rënda të lidhura me luftën, këto mënyra marrin një valencë disi më të veçantë sa i takon asaj çka kujtojmë, si zgjedhim ta kujtojmë, me kë e kujtojmë. E themi këtë pas një udhëtimi në Bavari të Gjermanisë, në kuadër të një serie aktivitetesh të cilat kishin në fokus masakrat e bëra në Shqipëri dhe Greqi nga trupat e divizionit të parë malor të ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më njohura dhe më e rënda në tokën shqiptare ka qenë Masakra e Borovës (6 korrik 1943) gjatë së cilës u vranë, pushkatuan dhe dogjën të gjallë 107 njerëz. Kjo u pasua nga të tjera në Greqi – aty ku u vendos batalioni alpin (Lingiades, 1943; Distomo, 1944; Pyrgi, 1944). Në total, ky batalion ka bërë rreth 150 masakra, të cilat numërojnë afërsisht 10 mijë viktima (ndonëse ende nuk kemi një studim që të japë shifër të saktë për këtë).

Aktiviteti organizohej nga IGMetall (Sindikata e industrisë së përpunimit të metalit) dhe Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege (që mund ta shqipëronim si Grupi i punës për tradita që vihen në diskutim), e cila prej kohësh angazhohet në drejtim të njohjes dhe ndërgjegjësimit ndaj krimeve të nazizmit. Këtë vit, për herë të parë, ata kishin ftuar edhe një grup nga Shqipëria që përfaqësohej prej një të mbijetuare të masakrës së Borovës, znj. Pandora Ndoni.

Shoqëria e sotme shqiptare duket e distancuar prej kohësh nga Lufta e dytë Botërore. Në një masë të madhe kjo ka ndodhur për shkak të mënyrës si erdhi e u legjitimua kjo luftë brenda shablloneve ideologjike e manikeiste të periudhës komuniste, kur regjimi, synoi që të vërtetat e luftës, t’i kthente në një të vetme, atë të tijën.[1] Sa ia arriti qëllimit, e tregojnë vitet post-diktatoriale: debatet për çka ishte, apo nuk ishte lufta, apo edhe pasiviteti i të shumtëve, mbase edhe sepse këtyre i kanë zënë radhën ngjarje të tjera, jo më pak traumatike për shoqërinë tonë.

Ndërkaq, rasti i Pandora Ndonit iu përket atyre që e jetuan këtë luftë në dhe nën lëkurë, pa qenë të angazhuar drejtpërdrejt në konfliktin primordial dhe, po ta mendosh hollë-hollë, pa e ditur ende se kush do dilte i fituar apo i humbur prej saj. Njerëz si ajo e kanë kujtuar atë tragjedi të jetës së tyre përtej ligjërimit zyrtar mbi Borovën “martire”, muzikës pllakateske apo lapidareve pompozë. E bënë këtë duke e rrëfyer në intimitetet e jetës: herë si përrallë të trishtë për nipat e mbesat e herë për të ndarë muhabetin mes familjarësh, miqsh apo të njohurish. Janë ata njerëz që vazhdojnë ende, çdo 6 korrik të rikthehen në atë vend, duke mëkuar me praninë e tyre shpirtrat që prehen aty, në një ritual që shkon përtej lakonizmit të ceremonialit përkujtimor zyrtar, gjithashtu të përvitshëm. I tyri është një ritual që lidhet me një kujtesë sa komunitare, aq edhe individuale dhe shpërfaqet ngahera si një akt dashurie i njeriut për njeriun.

Premisat e aktivitetit në fjalë e patën zanafillën pikërisht në këtë vend, në 6 korrik të 2018, kur pjesëtarë të Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege vizituan për herë të parë Borovën dhe u takuan me disa prej të mbijetuarve, ndër të cilët ishte edhe Pandora Ndoni. Njohja e një vendi që për ta deri atëherë kishte qenë një terra incognita krijoi mundësinë për ta ftuar në Gjermani. E ndërsa historia shqiptare përmend sporadikisht Borovën, në historinë gjermane, masakrat e batalionit alpin nuk kanë pasur ndonjë vëmendje specifike; edhe aty ku përmenden, trajtohen si gjëra dytësore, ose më keq akoma, thjesht si raprezalje dhe luftime ndaj banditëve. Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege, duke bërë bashkë historianë e aktivistë, kërkon të ndërgjegjësojë shoqërinë gjermane për këto krime. E tyrja është një kauzë që kërkon të kujtojë e njëkohësisht të luftojë; të vendosë në pikëpyetje dhe të kundërshtojë tradita që mund të duken të paprekshme; një kauzë ku ka rëndësi të flasësh, po aq sa edhe ta bësh zërin tënd të dëgjohet.

Kjo karakterizoi në vija të përgjithshme aktivitetet në fjalë: I pari, një forum në Schliersee ku u shfaqën dokumentarë mbi masakrat në Greqi, u mbajtën workshop-e gjatë të cilave të mbijetuarit nga Shqipëria dhe Greqia ndanë përvojat e tyre, si dhe u diskutua mbi çështjen e dëmshpërblimeve; të gjitha në motto-n: Erinnern heißt kampfen (Të kujtosh do të thotë të luftosh). Momenti i dytë ishte një pelegrinazh kujtese dhe proteste gjatë të cilit historianë e aktivistë gjermanë, bashkë me përfaqësuesit nga Shqipëria e Greqia ndaluan në vende që mbartin e trashëgojnë peshën e Nazizmit dhe të luftës. Tre prej tyre janë për t’u veçuar: Qendra e dokumentimit të viktimave të Nazizmit në Mynih, vendosur afër Königsplatsz, sheshi ku dikur organizoheshin mitingjet masive naziste; Monumenti kushtuar atentatit në Reichenbachstrasse[2] dhe sidomos Mittenwald-i, qyteza ku çdo vit Batalioni Alpin feston ekzistencën e vet me një ceremoni ushtarake, në të cilën në disa raste kanë marrë pjesë edhe përfaqësues qeveritarë përkatës.

Qëndrimi aty nxori në pah më shumë se në çdo vend tjetër, tensionin dhe ngarkesën emocionale të asaj çka po ndodhte; diçka që nuk ishte tamam e dukshme, apo e prekshme, por që e ndjeje nën rogoz, diçka që godiste së brendshmi. Nga një anë, ceremonia e përvitshme ushtarake në gjithë pompozitetin e vet celebrativ; nga ana tjetër, The Balcony: Memories of Occupation film dokumentar kushtuar masakrës së Lingiades, nga Krysanthos Kostantinidis; nga një anë fjalime normalizuese në nder të një batalioni i cili ka qenë përgjegjës për krime lufte, nga ana tjetër rrëfime publike të një të mbijetuare shqiptare. Vetë Mittenwald-i kishte filluar ta ndjente peshën e rëndë të kësaj kundërvënieje. Nuk ishin vetëm reagimet plot irritim të tipit “ata bënë thjesht detyrën”. Ky tension duket se kish arritur të minonte thelbin e ekzistenës së një vendi, atë pasivitet të organizuar deri në nivel institucional të kësaj qyteze (që nuk ishte e vetmja), për të penetruar atë çka mbante prapa ky vend si kartolinë, ngrirë nga rregullsia e përkorë dhe nikoqirllëku.

Në një atmosferë të tillë arrin të kuptosh se në të nëntëshmen e rrëfimit të gjyshes Pandora ngërthehet diçka gati sakrale; me qetësinë që e karakterizonte të linte të kuptoje se të treguarit ka qenë dhe do vazhdojë të jetë për të një përpjekje për të reaguar ndaj atyre gjërave që nuk mund të marrin shpjegim apo të pranohen lehtë, por që nuk mund të na lënë që të na marrin energjinë për jetën. Rrëfimi nga ana tjetër, i bën njerëzit bashkë dhe dëgjimi i ngjarjeve të tilla mes një audience gjermane kishte sa kërshërinë për të mësuar, aq edhe rëndesën e fajit, peshën e përgjegjësisë. Dhe kundërvënia mund të jetë goxha e fortë po ta shtyjmë pak tej mendimin se mbase gjyshi i ndonjërit prej atyre që dëgjonin mund të ketë qenë “njëri nga ata”… gjendeshim në Bavari, vendin ku Nazizmi gjeti folenë më të ngrohtë dhe mbështetjen më solide. Kjo na kthen gjithashtu te universaliteti i fatkeqësisë: Nëse paqja dhe mirëkuptimi nuk na kanë bashkuar gjithmonë me grekët, fatkeqësia e përbashkët tregon, në fund të fundit, se jemi njerëz dhe vuajmë, tregojmë e përpiqemi njësoj.

Ky itinerar vendesh, ngjarjesh, protestash, historish arrin të shënojë kështu një akt historik me të vërtetat e të gjithëve atyre që u bënë bashkë për të rrëfyer në emër të të gjithëve forcën shëlbuese e rijetëzuese të kujtesës: nga Pandora Ndoni që edhe për shumë kohë vazhdoi të shihte te çdo burrë me kapele babain e saj Lekën dhe që u rrit një grua të fortë e kapur fort pas jetës; nga Perikli Minga që e gjeti të shuar familjen e vet dhe e mbajti si një ishull të patrazuar brenda vetes deri sa mbylli sytë; nga Ralph Klein-i, që edhe pse nuk mundi ta bindte babain e vet se bindjet dhe mbështetja ndaj nazizmit e luftës ishin fatalitet, gjeti motivim për ta luftuar atë si historian, profesor e aktivist; nga Efrosini Chasaki, një 99 vjeçare vllahe – sarakaçane që ende kujtonte se masakrën në Lingiades e shkaktoi dasma e saj; nga Maximilian Fichtner-i që beson ende se idealet e një politike të majtë mund të përfaqësojnë njerëzoren dhe pozitivitetin; dhe më në fund nga Mikaela dhe Saliani që duke e përjetuar thellë këtë udhëtim, menduan që ta rrëfenin për ju. /PF/KultPlus

Mikaela Minga

Promovohet libri “Bllaca – dhimbja e lirisë” nga Emin Azemi

Është promovuar libri “Bllaca – dhimbja e lirisë”, i publicistit Emin Azemi. Ky libër është vlerësuar si i veçantë dhe u tha se po vjen në kohën e duhur për të dëshmuar gjenocidin dhe krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.

Autori i librit, Emin Azemi tha se ky libër është një përmbledhje e aktakuzave që do të duhej të procedoheshin nga dikush në mënyrë që gjenocidi serb të marr dënimin e duhur.

“Është një përmbledhje aktakuzash të cilat fatkeqësisht po rrinë në këtë libër dhe do të duhej që të procedoheshin nga dikush. Po bëhen 20 vite dhe gjykatat ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit nuk e di shumë pak kemi, Serbia dhe gjenocidi serb nuk është dënuar”, tha Azemi.

Recensenti i librit, historiani Sevdail Demiri tha se ky libër vjen në kohën e duhur për të rikujtuar sakrificën dhe vuajtjen e qytetarëve që ka ndodhur 20 vite më parë, transmeton kp.

“Dy dekada më parë Kosova u gjend para sprovës së madhe të mbijetesës. Shumica e shqiptarëve iu nënshtruan dhunës në përmasa gjenocide që po ushtronte makineria vrastare serbe e Millosheviqit. Vjen para lexuesit në kohën e duhur për të na rikujtuar vuajtjet dhe sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet e veta 20 vite më parë. Por dhe me solidarizimin e miliona shqiptarëve të tjerë me këtë tragjedi kolektive”, tha Demiri.

Ndërkaq, profesori Arben Fetoshi u shpreh se ky libër vjen si një monument i rëndësishëm për gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë.

“‘Bllaca- dhimbja e lirisë’ është segment i Holokaustit shqiptar, i cili na ofron pasqyrë të qartë të terrorit, perversitetit, sadizmit të shfrenuar, një kronikë të dokumentuar të gjenocidit serb. Një rrëfim autentik në mënyrë që siç ka thënë Vizel që bota mos të harroj kapacitetin çnjerëzor të njeriut mbi njeriun”, deklaroi Fetoshi.

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në trojet e veta, Jahja Lluka deklaroi se nuk duhet të tmerrohemi nga e kaluara dhe ky libër, sipas tij jep dëshmi për ato që kanë përjetuar qytetarët.

Ai bëri thirrje që të përkujtohet sa më shumë Bllaca në mënyrë që mos të harrohet.

“Duhet të përkujtojmë Bllacën të shënojmë, mos të harrojmë. Këto 20 vite Bllaca është përkujtuar vetëm me një orë letrare me disa poet, faleminderit atyre, por është shumë pak”, tha Lluka.

Ndërsa, studiuesi i letërsisë dhe shkrimtari Arben Veselaj tha se ky libër përmbledh shkrimet për vuajtjet e refugjatëve shqiptarë në disa kampe si ai i Bllacës dhe Stankovecit. Ai kërkoi që të kenë sa më shumë shkrime dhe botime për të dëshmuar krimet serbe në Kosovë.

Letër e një kinezi që u kthye nga ish-Jugosllavia

Miq të dashur,

Po kthehem nga një udhëtim i gjatë nga Ballkani, kjo krahinë e Evropës që disa e quajnë të errët. I kam kaluar atje disa muaj dhe e ndiej veten tejet të lodhur nga ky rrugëtim. Nuk është aq udhëtimi që më lodhi, por më shumë hutimi në të cilin gjendesha gjatë qëndrimit tim, dhe takimet e mia me njerëzit e atjeshëm. Diçka e rëndë shqitej nga peizazhet që i kisha vizituar, kjo ngarkesë e pllakoste shpirtin tim dhe e ndieja veten të molisur, shkruan sot Koha Ditore.

Në fillim të këtij shekulli, sa kaluan pak më shumë se dhjetë vjet, u ndez Lufta e Parë Botërore pikërisht në Ballkan, në Sarajevë. E dhjetë vjet para se të përfundojë ky shekull, vorbulla e luftës e shkatërroi një pjesë të këtij gjysmë-ishulli. Shumë dokumente dëshmojnë për atë që ndodhi. Disa vite ua kushtova përgatitjeve për këtë udhëtim: lexova studime të shumta për historinë e shekullit XX të Ballkanit, kronika, hulumtime dhe raporte të misioneve të ndryshme.

Nga drejtori i bibliotekës së qytetit tonë kërkova të na sjellin shumë vëllime nga Evropa. Ajo që zgjoi kërshërinë time për ngjarjet dramatike në këtë rajon, aq të largët e aq pak të njohur prej nesh, është njëfarë kontrasti midis, në njërën anë, idesë që kisha pasur mbi të kaluarën e një pjese të Ballkanit, Greqisë antike…/Muhamedin Kullashi

Facebook diagnostikon sëmundjet bazuar vetëm në postimet tuaja

Gjuha e përdorur në postimet e mediave sociale mund të ndihmojë në identifikimin problemeve të ndryshme me shëndetin të tilla si diabeti, ankthi, depresioni apo shqetësime të tjera.

Ekspertët përdorën softwerin e inteligjencës artificiale AI për të analizuar postimet në Facebook të 1.000 personave. Të dhënat treguan se mënyra se si shkruajmë jep indikacione për të paktën rreth 21 probleme shëndetësore.

Ky studim është realizuar nga Universiteti i Shkollës së Mjekësisë të Pensilvanisë dhe nga Stony Brook University.

Postimet e njerëzve janë kryesisht të fokusuara në gjërat që i shqetësojnë, në mënyrën e jetesës, informacionet për të cilat kanë interes, ndjenjat që përjetojnë…etj.

Prandaj këto statuse mund t’ju vijnë në ndihmë ekspertëve për të kuptuar një problem shëndetësor që mund të kemi dhe për të cilin mund të mos jemi në dijeni as vetë.

P.sh përdorimi i rregullt i fjalëve të tilla si ‘pije’ ose ‘shishe’ mund të përdoren për të nënkuptuar abuzimin me alkoolin, ndërsa përdorimi i gjuhës armiqësore mund të jetë tregues i problemeve me drogën dhe me psikoza të ndryshme./KultPlus.com

‘Nëse ndonjëherë ndihesh në depresion, hapu me dikë…’

Disa thënie nga aktori dhe komediani amerikan, Robin Williams.

“Çdokush që ti njeh, është duke kaluar nëpër një betejë, për të cilën ti nuk di asgjë. Ndaj, ji i sjellshëm! Gjithmonë!”

“Ti ke për të pasur kohë të vështira në jetë, por ato gjithmonë do të të kujtojnë gjërat e bukura, të cilave ti nuk po i kushtoje rëndësinë e duhur”.

“Nëse ndonjëherë ndihesh në depresion, hapu me dikë. Kujto që vetëvrasja është një zgjidhje e përhershme për problemet që janë të përkohshme”.

“Mendoj se njerëzit më të trishtuar gjithmonë përpiqen në maksimum për t’ bërë të tjerët të lumtur, sepse ata e dinë se si është të ndihesh komplet i pavlerë dhe nuk duan që askush tjetër të ndihet ashtu”.

“Gjithçka që të duhet, është thjesht të mbash një buzëqeshje të shtirur në fytyrë për të fshehur një shpirt të lënduar dhe ata kurrë nuk do ta kuptojnë, se sa i mërzitur ndihesh përbrenda”.

“Të lutem, mos u shqetëso shumë! Në fund asnjëri nga ne nuk do të jetë pjesë e kësaj bote. Jeta fluturon. Ndaj, nëse ndonjëherë ndihesh i/e trishtuar, unë dua të shohësh qiellin e një nate vere dhe, kur një yll të bjerë, të shprehësh dëshirën tënde më të madhe. Bëje jetën tëndetë jashtëzakonshme!”

“Unë mendoja se gjëja më e dhimbshme në jetë, ishte të përfundoje duke jetuar vetëm. Gjëja më e dhimbshme është të përfundosh pranë njerëzve që të bëjnë të ndihesh i vetmuar”./KultPlus.com

Era publikon këngën me reperin rus (VIDEO)

Sezoni i verës, njihet si periudha e sjelljes së këngëve të reja prej artistëve. Era Istrefi ka publikuar projektin më të ri muzikor para fansave dhe publikut të gjerë.

Bukuroshja kësaj radhe ka zgjedhur të bashkëpunojë me një reper të njohur rus, “Sayonara boy”. Kjo është hera e parë që ka ndodhur një bashkëpunim i tillë. “Algie”, titullohet kënga e dyshes por që nuk kanë vendosur ta shoqërojnë me ndonjë video projektin e ri. Theksojmë se biondina jonë është duke punuar në këngë të tjera që pritet t’i sjell gjatë muajve në vijim para tirfozëve të saj. Istrefi ka paralajmëruar se gjatë verës do të mbajë disa koncerte të ndryshme në diasporë dhe troje shqiptare./KultPlus.com

Po ikë nga vendi im

Poezi nga Bujar Meholli

Po ikë nga vendi im.

Ai më sheh të huaj dhe unë atë,

gjithashtu!

Nëpër rrugët e tij kam parë,

manipulues turmash,

e vrasës-shpresash…

Tani, me varkën e molisur,

përmes detit shëllirë jam nisur…

Nga vendi im po ikë,

ai më sheh të huaj dhe unë atë,

gjithashtu!/KultPlus.com

Dalin datat e turneut me hologramët e Buddy Holly dhe Roy Orbison

Datat e koncerteve në SHBA dhe Kanada me hologramët e artistëve të ndjerë Buddy Holly dhe Roy Orbison tashmë kanë dalë.

Turneu i quajtur “Turneu i Ëndërrave Rock & Roll” ishte paralajmëruar muaj më parë nga kompania që e ka organizuar atë, BASE.

Ai do të nisë më 19 shtator në San Francisko për t’u përmbyllur më 20 nëntor në Toronto.

Në këto koncerte do të performojnë një bend live, këngëtarët ndihmës si dhe do te degjohen zërat e masterizuar të hiteve më të mëdha të të dy muzikantëve.

Regjisori i këtyre dy hologramëve, Eric Schaffer, ka pohuar se një gjeneratë e re fansash të të dy këngëtarëve do ta kenë mundësinë t’i shohin si kanë qenë në të vërtetë.

Në internet është publikuar edhe një klip se si do të duket Buddy Holly, i cili shfaqet ai i vitit 1957 me një kostum të kaltër dhe syzet e tij karakteristike.

Ata i kanë ngjyrosur rrobat e tij pasi që në atë kohë, incizimet e Holly-t janë bërë bardh e zi.

Të dua më fort se natyrën

Poezi nga Yevgeny Yevtushe

Ty të dua më fort se natyrën,
Se natyra e gjallë je vetë,
E lirisë ti je shëmbëlltyrë,
Por pa ty dhe liria më vret.

Ty të dua aq fort i shkujdesur,
Sa rrëpira më duket si shteg.
Të pamundurën askush s’e ka prekur,
Dashuria ime e prek.

Ty të dua, të dal’ku të dalë,
Dhe kur pi dhe kur bëhem brutal,
Ty të dua dhe as bëhet fjalë,
Përmbi egon e shenjtë do dal.

Ty të dua më fort se Shekspirin,
Se të dheut këtë bukuri,
Se muzikën pa fund të efirit,
Se muzikë e libër je ti.

Ty të dua më fort se lavdinë
Që kaloi e atë që po vjen,
Se të ndryshkurën perandorinë,
Mëmëdhe s’ësht’ajo,por ti je.

Je fatkeqe? S’pranon ti mëshirë?
Lodhe Zotin me lutjet e tua.
Ty të dua përmbi lumturinë,
Më fort se dashurinë të dua./KultPlus.com

Festivali MonoAKT sjellë monodramat dhe ekspertët ndërkombëtarë në Kosovë

Së shpejti fillon edicioni 11-të i Festivalit Ndërkombëtar i Monodrames në Kosovë  MonoAKT, shkruan KultPlus.

Në ketë edicion marrin pjesë monodrama nga disa vende të Evropës si nga Kroacia, Azerbexhani, Maqedonia, si dhe në konkurencë është edhe Kosova me dy monodrama. Ndërsa në konkurencen e MonoStripit konkurojnë 15 aktorë të rinjë.

Ketë vit në juri ndërkombëtare është përzgjedhur: Nina Mazur (Ukraina/Gjermania), Liviu Dospinescu (Kanada), Emin Emini (Kosova).  Kurse në kuader të festivalit do të ketë edhe ekspert të ftuar si mysafirë, ku do të organizohet konferenca me temë për zhvillimin e monodrames që do të udhëhiqet pikërisht nga këta ekspert ndërkombëtar të teatrit.

MonoAKT do të mbahet  në Teatrin ‘Istref Begolli’ në Pejë, në teatrin Dodona si dhe në Skenën e Fakultetit të Arteve. Realizator është shtëpia teatrore filmike AKT, themeluar dhe drejtuar nga Mentor Zymberaj. Festivali është mbështetur nga ITI dhe MKRS dhe Komuna e Pejës.

Festivali fillon me 23 qershor e do të zgjasë deri me 26 po të këtij muaji./KultPlus.com

Kujtime e Maria Cesares: ‘E kam dashur dhe e dua Kamyn’

Ata u takuan fare thjeshtësisht, një ditë në boulevardin Saint-Germain ku gëlonin artistët e kohës së luftës dhe të pasluftës. Ai ishte 30 vjeç ndërsa ajo 21, në lulen e rinisë. Ishte 5 qershor i vitit 1944 dhe tre javë para shfaqjes “Moskuptimi” (Le Malentendu) të shkruar nga Kamy, ku ajo interpretonte rolin e Martës.

Në mbrëmje janë të ftuar në një “soirée” të organizuar nga Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir tek regjisori Dullin. Beauvoir e kujtonte me nostalgji atë mbrëmje (pasi dhe ajo e pëlqente shumë Kamyn).

Në tetorin e atij viti, meqë gruaja e tij Francine erdhi nga Algjeria për të jetuar me të në Francë, dy të dashuruarit u ndanë. Por katër vjet më vonë ata do të bashkoheshin sërrish.

Pas pothuaj 60 vjetësh, botuesi Gallimard i mblodhi letrat e këtyre dy dashnorëve të mëdhenj, dy emigrantë në tokën e Francës, njëri një francez i ardhur nga Oran-i i Algjerisë dhe tjetra, bija e një ministri të Spanjës republikane të emigruar pas shëmbjes së Republikës. Ai u botuan në një vëllim voluminoz me 1312 faqe dhe 365 letra.

Në vazhdim është njëra nga letrat me kujtimet e Marias për Kamyn:

“… E kam dashur dhe e dua Kamynë, pasi e kapur nga kontraditat e tij, të cilat ai i pari i denonconte edhe në çastet e diversionit, të cilat asnjë njeri nuk mund tu rezistojë, ai tregoi gjithë vëmendjen e tij që të mos kënaqej kurrë nga kjo ide e fortë që e ndiqte gjer dhe në sipërfaqen e gurit, pa u shmangur asnjëherë, me rrezikun që ndoshta mund të ngjante se kishte humbur nga sytë, diku në një labirint apo ku shtegu zgjatej tutje në tokë – linjë kjo pas së cilës ai ishte përkushtuar që të mbetej besnik i pasionit të tij, drejtësisë dhe të vërtetës.

Pavarësisht nga nevoja e tij e thellë për të gjetur një formë, ai përdorte gjithë arsyen e tij që të mos mashtronte nën pretekstin se do të vinte në rregull ekzistencën dhe mendimin e tij. E po kështu dhe ndershmëria e tij, kjo çmenduri e tij që e mbante dhe e mban larg nga cirqet e kohës sonë – ku nuk duhet ti afrohesh shtazës, për të shmangur kështu që shqetësimi në arenë të shtohet tek njerëzit – pra që të mos i mashtronte kurrë ata që mund ta dëgjonin.

Kur s’kishte asgjë për të thënë ai heshte. Donkishotizmi i tij dhe çmenduria e tij e shenjtë, qëndronte pikërisht në këtë gjë, sikur ai të mos dëshmonte më veçse përmes heshtjes, sikur kompleksiteti i rrethanave apo kontraditave të veta nuk i linte më vend veçse një lloj përshtatjeje apo gënjeshtrës, ku para se të klithte, ai e guxonte këtë marrëzi, pra ti vinte një shtupë gojës dhe të qëndronte pa folur.

Dhe nëse i humbur përballë dallgësh e në shkretëtirë, asnjë shteg nuk hapej për të arritur në breg, në një tokë pjellore, në vend që të ndërtonte një udhë rrethore rreth një grope, në vend që të krijonte mirazhe ku të humbiste në oaze të largëta për të harruar një çast etjen e tij, ai ftonte të tijët që të shkonin bashkë me të dhe të kapërcenin kënetën apo shkretëtirën – për të vazhduar – duke u zhytur apo djegur së bashku – sepse në arrogancën dhe krenarinë e tij ai i mendonte ata të denjë që të vuanin për të vërtetën me ndërgjegje të plotë.

I detyruar të zgjidhte midis besimit që kishte për drejtësinë dhe mbrojtjes së nënës së tij, i kërcënuar në emër të një drejtësie, ai zgjidhte që të mbronte nënën e tij : pikërisht atje në udhën që ndiqte mbi fillin e së vërtetës – e kishte gjetur këtë akrobaci kokëfortë – dhe unë nuk shoh tashmë në çka mund ta akuzosh atë rreth angazhimit të tij, as për atë që i heq apo i shton idesë së vetë drejtësisë që ishte e tija.

Nuk besoj se mund të diskutohet rreth saj apo të komentosh, veçse nëse është për të diskutuar mes drejtësisë dhe së vërtetës, ku ai zgjidhte të vërtetën kundër çdo drejtësie të gënjeshtër.

Mbreti i mënçur Solomon, përpara dy grave që pretendonin të dyja se fëmija ishte e tyre, ai u propozoi atëherë ta priste, pra ta ndante në dysh që secila të kishte pjesën e saj që pretendonte. Por ai e dinte se për të mbrojtur fëmijën, klithma e nënës së fosshnjes do të tregonte në fund të fundit se cila ishte nëna e vërtetë dhe kështu ai do të vendoste me drejtësi.

Tashmë, janë fëmijët që duan të ndajnë mes tyre të njëjtën nënë dhe në këtë betejë plot zhurmë, atje ku drejtësia shfaqet vërtetë mes dy kampeve armike dhe ku idea e vetë drejtësisë kërkohet nga secili kundërshtar, unë pyes veten se cili do të ishte vendimi i Solomonit të ri mes këtyre dy kampeve dhe nëse i detyruar të ndante mes tyre dhe drejtësisë e nënës, ai vallë do detyrohej të heshte?

Ndoshta… Mund të zgjedhim dhe një rrugë tjetër, atë të luftës, ta ndajmë dhunën e vëllezërve të tij dhe t’i ndihmojmë për të coptuar nënën e tij, por kur i përkushton jetën refuzimit të terrorit dhe kur gjendesh larg vendeve ku synohet veç vdekja, nuk shoh vërtetë se ç’duhet bërë tjetër, veçse të heshtet.

Atëherë mbetet që heshtja të jetë veç një britmë e gjatë. Eshtë klithma që ulurin për vdekje – që vazhdon – përtej fundit ku bëhen si ujë forcat e gjalla të tokës sonë, përtej kësaj shplarje të vazhdueshme që rrjedh nga vrimat e hapura të retorikës së trukuar – propagandave të shumfishuara dhe të maskuara në mënyrë të trashë – budallallosje – kjo mënyrë sheqerosjeje, kjo bojë që vlerësohet nuk e di nga çfarë marrëveshjesh për të mbytur në avazin e vjetër e të trishtë udhëkryqet e shkëmbimit dhe komunikimit të botës sonë aktuale – kjo gjë e çuditshme që përkund mërzinë dhe që ve në gjumë dëshirat e mëdha të shpirtit të kohës sonë.

Por duhet të them vetëm këtë : që ai ka klithur… “

Kush po i dëbon të rinjtë nga Kosova?

Bajram Mjeku

Rrjetet sociale kanë avancuar aq shumë, sa të rilidhin me miqt e vjetër, të cilët mund t’i kesh konsideruar pothuajse të harruar. Para katër vitesh, rastësisht mu kujtua njëri nga miqt e mi slloven gjatë shërbimit të detyruar ushtarak në ish-Jugosllavi, të cilin e gjeta saora në rrjetin social. Me Matkon gjashtë muajt e parë të shërbimit ushtarak i kemi kryer në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë. Ishim miq të mirë dhe neve na lidhnin tri gjëra; kultura e dy popujve, rocku dhe letërsia. E kur në mesin tonë gjendej edhe miku ynë i mirë Xhavit Rexhaj nga Peja, i cili tash është njëri ndër njohësit më të mirë të arsimit në Kosovë, atëherë ndodhte qershia mbi tortë. Flitnim shumë pak për çështje politike. Vetëm një vit më parë në Kosovë kishin ndodhur demonstratat e vitit 1981 dhe në ushtrinë jugosllave ishin vitet më të rënda për të rinjët shqiptarë.
Para pak muajsh derisa flitnim me Matkon, i cili në vendlindjen e tij në Slloveni aktualisht menaxhon një qendër turistike, e pyeta edhe për gjendjen e punësimit në Slloveni, mbasi nuk thuhet kot; gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi.
– Tek ne është hapur shumë punë mik i dashur, – më tha Matko dhe më pyeti menjëherë: “Ke nevojë për çunat?! Fol miku im mos ngurro. Jam i gatshëm të bëj gjithçka për ty…
Para pak ditësh, Agroni vëllai i një miku tim, i cili është kuzhinier i mirë dhe këtë zanat e ka pasion, më foli gjatë për vështirësitë në vendin e tij të punës dhe për mënyrën se si është trajtuar si skllav nga shefi i tij në një zingjir supermarketesh në Prishtinë. Ka kohë që e dimë dhe këto dëshmi tashmë nuk prodhojnë as lajm se mbrapa zingjirëve të supermarketeve dhe mbrapa të gjitha kompanive në Kosovë, pronarë real janë klasa jonë politike. Në fund të muajit të kaluar, Agroni i cili punonte padrejtësisht nga 12 orë gjatë ditës, pranon nga shefi i tij plikon me vetëm 200 euro, derisa marrëveshja kur ai e kishte filluar punën si kuzhinier ishte bërë në vlerë prej 500 euro. Kur Agroni reagon ndaj shefit të tij se mos i është ngatërruar plikoja e tij me ndonjë kamarier?, atëherë shefi reagon ashpër duke i thënë se gjatë muajit të fundit kishe shumë pak punë, prandaj edhe paga e tij është më e vogël dhe këtij “fakti” është zor t’i besosh. Vetëm në Kosovë e askund tjetër në Ballkanin Perëndimor pagat merren në të zezën. Të gjitha punët në institucionet shtetërore dhe kompanitë private bëhen në të zezën, madje shqiptarët janë të prirur që edhe në të ashtuquajturat “shtëpi pushimi”, të cilat më së miri shpërfaqin horllëkun tonë dhe që shtrihen përgjatë autostradave gjithandej Kosovës, edhe seks bëjnë në të zezën.
Agronit i erdhi si një zbulesë kur i thashë se përmes mikut tim Matko i kemi gjetur punë në Slloveni, ndërkohë që javën e kaluar i ka mbërrijtur leja e punës, derisa pardje në Ambasadën sllovene ai e mori edhe vizën për të udhëtuar të mërkurën që vjen.
Mbrëmë jam ndier keq. Kisha ndjesinë se isha unë shkaktari që po largohet edhe një i ri nga Kosova. E thirra Agronin për kafe më shumë për të ngushëlluar veten dhe për t’ia dhënë udhëzimet elementare si të gjendej me çështjen e strehimit dhe gjërat tjera elementare sapo të mbërrinte në Lubjanë, por ai duke buzëqeshur tha:
– Që të gjitha më janë siguruar nga miku yt Matko, madje edhe akomodimin në hotel dhe ushqimin falas!
Trendet e ikjes së të rinjëve nga Kosova janë në rritje dhe shqetësuese, derisa bosët e kompanive, më saktë udhëheqja jonë politike vazhdon t’i diskriminojë si të ishin skllav në epokën e Mesjetës. Kujtoni vetëm vitin e kaluar kur në vendet e punës, për mungesë të mbrojtjes elementare dhe sigurisë në punë u mbytën rreth 20 të rinj, derisa institucionet e drejtësisë u shndërruan si të ishin mumie dhe u bënë sikur asgjë nuk është duke ndodhur në këtë vend. Pikërisht nga këto pasoja dhe për mungesë totale të perspektivës, brenda pak muajsh jo vetëm qytetet tona, por edhe hapësirat e kompanive private do të shndërrohen në fantazma, më saktë do të duken si uzinat e industrisë së rëndë kur ra kampi komunist. Pse jo, derisa udhëheqja aktuale politike në Kosovë është trashëgimtare politike e këtij kampi, prandaj gjatë viteve që vijnë, gjendja do të jetë e rëndë dhe e nderë, mbasi nuk thuhet kot: Çdo fillim i keq e pret fundi i keq.

Biznismeni serb vendos flamurin e Kosovës në Bjellorusi, çmenden serbët

Në vendin ku do të mbahen Lojërat e dyta Evropiane ‘Minsk 2019’ është parë flamuri i Kosovës dhe kjo sigurisht nuk ju ka pëlqyer medieve serbe.

Bëhet fjalë për Bjellorusinë, ku serbët drejtojnë gishtin ka biznesmeni dhe politikani i njohur Bogojlub Karic.Karic ditë më parë është rizgjedhur si President i Lëvizjes Forca e Serbisë.“Biznesmeni dhe udhëheqësi i Lëvizjes Forca e Serbisë, Bogoljub Kariç, i cili përfaqëson veten si një patriot i madh, i lindur në Pejë të Kosovës, njeh Kosovën e pavarur.

Patrioti i madh i Kosovës madje ka vënë flamurin e Kosovës edhe para objekteve që ka jashtë vendit, siç është qendra tregtare e madhe në Bjellorusi, ku shihet flamuri i një shteti të rremë që ai njeh” shkruan Telegrafi serb.

Rifat Jashari takon Vasfije Krasniqin Goodman, Vasfija shpërthen në lot (FOTO)

Baca Rifat (Rifat Jashari), sot vizitoi ekspozitën e QKRMT-së “Bëhu fytyra ime” të realizuar nga autorja Eliza Hoxha e cila po qendron e hapur në Muzeun e Kosovës në kujtim dhe nderim të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, transmeton KultPlus.

Ai takoi Vasfie Krasniqi – Goodman të cilës ju falenderua për guximin e saj për rrëfimin publik të ngjarjes traumatike dhe kurajon që u ka dhënë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për të vazhduar kërkimin e drejtësisë për krimet e kryera ndaj tyre.

Ndërsa Vasfije Krasniqi – Goodman shpërthen në lot pasi sheh ekspozitën dhe mbishkrimet në to. Kjo pamje flet më shumë se çdo fjalë.

Fotografitë: Adi Beqiri/KultPlus.com

Blerim Destani në kopertinën e revistës prestigjioze botërore

Aktori shqiptar Blerim Destani është një nga shqiptarët që ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare.

Së fundmi Blerimi është bërë pjesë e revistës amerikane “Bella”. Aktori ka treguar për lexuesit se është me origjinë shqiptare dhe se ai ka lindur në Gjermani, sepse familja e tij ka emigruar shumë shpejt.

Blerimi ka rrëfyer se punën me aktrimin e ka nisur që në moshën 13-vjeçare dhe gjithmonë e ka pasur ëndërr të luante në një film me aktorë të famshëm.

Më tej ai ka zbuluar se do të donte shumë që në të ardhmen të kishte një rol në një film ku do të luan Meryl Streep, Denzel Washington, Daniel Day-Lewis, Sean Penn, Robert DeNiro apo Al Pacino.