Mevlan Shanaj: Kombit tonë i mungon ndershmëria

”Një njeri i kulturuar di ta përcaktojë se çfarë është nderi, morali, apo e pamoralshmja. Një njeri i pakulturuar deformohet, shitet. Kjo është fatkeqësia jonë. Antivlerat shihen si vlera”.

Mevlan Shanaj erdhi fiks në orar, i relaksuar dhe spontan. Ka ruajtur sharmin e dikurshëm, stilin. E kishim lënë për një intervistë, tek restorant Amici MIEI në Tiranë. Intervista nuk kishte sesi të mos ishte dhe mbi filmin, por me një artist të përmasave të tilla mund të flasësh për shumë gjëra. Preferoj të mos ndalem tek karriera.

Kush nuk e njeh Mevlan Shanaj? Por a e di publiku se çfarë mendon Artisti për realitetin e sotëm? Le të fillojmë me vetë njeriun, pastaj tek marëdhënia e sinqertë mes njerëzve, guximi i intelektualit. Le të flasim për qytetarin, për krizën kombëtare, pse jo dhe për politikën. Në dhe për politikën, por hë për hë ta lemë pak jashtë.

Takimi herët me filmin të jep mundësinë të zbulosh njëriun, ta duash të bukurën dhe të kuptosh e kritikosh me një sy objektiv realitetin ku jeton. Mevlani nuk i thotë rëndë kritikat e tij, nuk e përplas në fytyrë hipokrizinë, por nuk e pranon atë. Mbron një parim të vetin: krijimin e një marëdhënieje të sinqertë me tjetrin.

Toleranca: “Nuk e kam njohur kurrë xhelozinë apo cinizmin brenda vetes”, tregon Mevlan Shanaj. “Edhe humbjen e kam pranuar me sportivitet krejt normalisht. Kjo mesa duket ka ndikuar pozitivisht tek unë. Tjetër gjë ambicja. Kam dashur ta bëj punën time sa më mirë dhe kam investuar maksimalisht tek ajo. Nga ana tjetër kam menduar se në këtë botë ka vend për cilindo për tu shprehur”, tha ai.

Takimi i parë me filmin: “Isha student dhe me thirrën për një provë. Kisha një rol të mirë në film. Dikush më pa dhe më ftoi. Provimi është rastësi, më tej duhet të përpiqesh për të arritur atë që do. Duhet të kërkosh më shumë. Në jetën time nuk kam qenë asnjëherë i kënaqur me atë që kam arritur, dhe kam kërkuar më tepër. Por më duhet të them se takimi me televizionin më ka hapur një botë të re. Aty kam eksploruar gjithçka. Isha i ri dhe doja të kapja majat. Kam filluar më gjëra më të thjeshta, më pas kam kaluar tek show dhe spektaklet.”

Madhështia: Vetëm puna e bën të madh një artist. Karakteri i fortë bën njeriun. Mevlan Shanaj vlerëson jashtëzakonisht shumë karakterin e njeriut dhe kulturën e tij, si tek meshkujt por sidomos tek femrat. “Një karakter i fortë di të ecë para dhe të kapërcejë situatat që nuk janë të favorshme. Por kultura është e domosdoshme në çdo profesion që zgjedh apo fushë të jetës. Pastaj duhet të insistosh, pa të nuk shkon askund.

Morali dhe kultura: Mevlan Shanaj urren hipokrizinë dhe servilizmin. Por nuk e godas, thjesht e lë të kalojë. Toleron shumë, e thotë dhe vetë, dhe ka një parim. Krijimi i marëdhënieve të sinqerta me të tjerët. Kombit tonë i mungon ndershmëria. Një njeri i kulturuar di ta përcaktojë se çfarë është nderi, morali, apo e pamoralshmja. Një njeri i pakulturuar deformohet, shitet. Kjo është fatkeqësia jonë. Antivlerat shihen si vlera.

A kemi artista të mëdhenj të ardhshëm? “Artisti shfaqet në produksion. Në rafshin e kinemasë është një djalë që po ecën, Xhelili. Në Shqipëri nuk kemi talente të pikasur. Në kohën tonë kishte role dhe ngarkesa. Ndërsa sot nuk ka prodhim, ose janë të limituara nuk janë shumë. “

Kriza kombëtare dhe morali: “Kriza kombëtare ka influencuar kudo. Shoqëria kombëtare po kalon krizë në të gjitha profesionet. Shqipëria dhe shqiptarët kanë krizë morale. Shikoje si përbaltet njeriu i politikës, që e kanë zgjedhur vetë njerëzit ti përfaqësojë. Arti ka buxhet minimal. Kinemaja është ekonomi e zhvilluar, jo vetëm talent. E keqja është se shqiptarët nuk arrijnë të imponohen askund. As në zgjedhje”, thotë ai.

I përkëdhelur nga fati? Po. Publiku e do artin, dhe atij i janë hapur dyert kudo.

Vendi me komod? Me nipin e mbesën. Kur jam me ta jam njeriu me komod në jetë.

Cfare do e ribënit? Ika nga mjekësia për në art. Besoj se nuk duhet ta lija.

Radio apo Tv? Mevlan Shanaj pranon se ka një marëdhënie shumë të mirë me muzikën, dhe radion. Televizionin më pak. Thotë se ky i fundit është diktator. Të jep informacion pasiv.

Teatër apo film? Preferon lirinë që i jep teatri. Është më fisnik dhe tolerant. Do filmat me karakter psikologjik, por nuk i ndjek serialet. I quan “abuzime” me karakter financiar, jo kulturor. “Është abuzuar skajshëm me shqiptarët. Nga këto telefilma nuk përfitojnë asnjë kulturë.

Marëdhënia më politikën: Cdo veprim që bëhet në Shqipëri nga politika është në kundërshtim më parimet e Europës në çdo vend. Janë veprime të patretshme. Europa nuk i pranon. Ajo nuk pranon një parlament ku hynë kriminelët dhe hajdutët. Ajo nuk pranon 4000 njerëz në kërkim që nuk i gjen dot policia. Pse ndodhi që parlamenti holandez tha ‘Jo’? Nuk është problem i drogës, por i mentalitetit të shqiptarit. Vunë re që shqiptarët vrasin. Shqiptarët për pak të marrin jetën.

Zgjidhja është të shohim brenda vetes. Nëse nuk e kërkojmë brenda vetes por e hedhim tek tjetri fajin nuk do të ia dalim asnjëherë. Dikur thonin “ekonomia jonë është më e larta” etj etj. Ishtë koha e diktaturës. Pra mos shikimi i vetes me sy kritik na ka dhënë këto rezultate. Ne nuk e dimë ku është bota. Me thuaj një fushë që e dimë. Jemi të distancuar nga të gjitha fushat. Edhe në familje femra është pronë. Në botë është partnere. Fenomeni shqiptar është i dhimbshëm, prandaj duhet të punojmë për këtë.

Një recetë e shkurtër, koncentrat i eksperiencës së viteve të kaluara pranë realitetit shqiptar më art, me vërtetësi. Nuk ka sesi të mos ngresh zërin. Eshtë koha, mbi të gjithë e artistit, intelektualit, qytetarit të thjeshtë. Tek e fundit janë qytetarët ata janë prekur më shumë se kushdo nga tranzicioni i gjatë shqiptar. Tani duhet të dëbojmë frikën dhe të ndërtojmë duke mësuar mbi të gjitha nga njohja e vetvetes, asaj që ishim, dhe asaj që duam të jemi. Një model më i mirë ekziston për këdo. Le të kemi kurajon ta ndjekim. GazetaLetrare.com/KultPlus.com

Filatelia shqiptare, Ambasada Amerikane publikon një pullë postare të vitit 1922

Si në të gjitha shtetet e tjera edhe në Shqipëri filatelia është pjesë e kulturës dhe e lidhur ngushtësisht me historinë.

Për të gjithë të interesuarit për pullat postare, Ambasada amerikane në Tiranë postoi sot foton e një pulle postare e nxjerrë në Shqipëri, rreth vitit 1922.

“Keni interes për pullat? E dini që Shtetet e Bashkuara kanë një Muze Kombëtar Postar? Është një nga 19 muzetë e Institutit Smithsonian dhe galeritë e artit në Uashington dhe Nju Jork”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Në 5 maj 2017 pulla postare shqiptare mbushi plot 104-vjet, një rrugëtim i gjatë që nga momentet e para të emetimit të pullës së parë postare shqiptare.

Aktualisht katalogu i pullave postare shqiptare numëron mbi 3640 pamje të ndryshme pullash. 

Kur stilistët përdorën të njëjtat veshje për aktorë në filma të ndryshëm

“Pse të shpenzojmë para për gjëra të reja kur mund t’i përdorim ato të vjetra?”

Ishte ndoshta mendimi i krijuesve të filmave kur ata vendosën të përdorin kostume që tashmë ishin përdorur në filmat e mëparshëm.

Shumica e filmave dhe serialeve televizive thjesht nuk kanë para të mjaftueshme për të veshur të gjithë kastin në kostume krejtësisht të reja.Dhe në qoftë se një fustan ishte veçanërisht i mirë (si në Titanik), pse të mos e shfrytëzosh rastin dhe ta përdorësh përsëri?

Bright Side ka zgjedhur disa shembuj kur personazhet nga filma të ndryshëm kanë veshur rrobat e njëjta.

Vetëm shikuesit më të vëmendshëm do t’i kishin vënë re ato. Ndoshta ju jeni një prej tyre?

Ndoshta ju jeni një prej tyre? /Telegrafi/

1. Pride & Prejudice, 2005 — Sense and Sensibility, 2008

2. Elizabeth, 1998 — Camelot, 2011

3. Gossip Girl, 2010 — The Carrie Diaries, 2013

4. Dangerous Liaisons, 1988 — Hocus Pocus, 1993

5. Head in the Clouds, 2004 — Race, 2016

6. My Cousin Rachel, 2017 — Victoria, 2017

7. Manolete, 2008 — Brooklyn, 2015

8. Isabel, 2014 — The Hollow Crown, 2016

9. The Duchess, 2008 — The Scandalous Lady W, 2015

10. Pride and Prejudice and Zombies, 2016 — Mary Shelley, 2018

11. Mad Men, 2009 — The Help, 2011

12. Snow White and the Huntsman, 2012 — Once Upon a Time, 2017

13. Friends, 1994 — Edgar Allan Poe’s Murder Mystery Dinner Party, 2016

14. Titanic, 1997 — Tuck Everlasting, 2002

‘Këngët maje krahu’, jehona e maleve zëvendësonte orkestrën (VIDEO)

Në ditët e sotme këngët maje krahu apo këngët përkrye krahut janë pothuajse të panjohura nga gjeneratat e reja, shkruan KultPlus.

E veçanta e këtyre këngëve është këndimi pa percjellje të instrumenteve muzikore meqë ato këndoheshin në vise malore dhe jo në rrafshina për arsye se jehona e maleve zëvendësonte orkestrën.

Sot, ato këndohen shumë rrallë dhe vetëm në pjesën veriore të Shqipërisë, në veriperëndim të Kosovës në Krahinën e Rugovës, po ashtu këto këngë ishin mjaftë të njohura edhe në Malësi.

Më poshtë ua sjellim një ndër këto këngë. / KultPlus.com

Akrobati

Nga: Bono Vox (U2, albumi “Achtung Baby”, 1991)
Përktheu: Fadil Bajraj

Mos beso n’atë çka dëgjon
Mos beson n’atë çka sheh
Po i mbylle sytë
Armikun do ta ndiesh

Vashë, kur të takova herën e parë
Shpirtin e kisha zjarr
Ç’ndodhi me fytyrën tënde
Si borë e shkrirë
Tash këtë çehre e ka

E ti mund ta përpish
Ose mund ta pështysh
Mund ta dëbosh
Shkaku i saj të gulçosh
E mund të ëndërrosh
Pra ëndërro zëshëm
Ti e di se po të vjen koha e artë
… mos u lejo bastardëve të të bluajnë

Jo asgjë më s’ka kuptim
Asgjë s’më shkon ndoresh
E di se do të shitoje
Po ta dije kujt t’iu drejtoje

E në lëvizje do të rreshtohesha
Po të ishte ndonjë që t’i besoja
Pse jo me gjithë qejf do të kungohesha
Po të kishte kishë ku do të pranohesha
Ngase tash më duhet

Potirin për ta pranuar
Mllefin për ta shuar
Me ngadalë për ta zbrazur
S’mund të heq dorë prej teje

Më duhet të jem
Njëfarë Akrobati
Kur flas e sillem
Siç më shkon për shtati
E ti mund të ëndërrosh
Pra ëndërro zëshëm
… mos u lejo bastardëve të të bluajnë

Tashmë kur çdo gjë është thënë, ç’duhet vepruar?
Shtëpia po na han, e çdo libër është lexuar

E unë duhet të jem
Njëfarë Akrobati
Kur flas e sillem
Siç më shkon për shtati
E ti mund të ëndërrosh
Pra ëndërro zëshëm
E mund ta gjesh
Shtegdaljen për qejfi
Ti mund ta ndërtosh
E unë kam vullnet

E ti mund të thërrasësh
S’mund ta duroj pritjen
Ti mund të fshehësh
E mund t’i zësh
Në ëndrrat e filluara
Përgjegjësitë
E unë gjithë do të të dua
E unë mund të dua
E di se punët po shkojnë për së mbari
… mos u lejo bastardëve të të bluajnë

Vdekja ka me ardhë me sytë e tu

Cesare Pavese / Përktheu Blega Sheholli

Vdekja ka me ardhë e ka m’i pasë
sytë e tu-
kjo dekë që na shoqnon 
prej mëngjesi deri n’mbramje, e pagjumë,
e shurdhët,
si nji pendsë e moqme,
a nji ves qesharak.
Sytë tu kanë me u bâ fjalë pa vlerë,
kanë mu ba vajtim i lâmë n’gjysmë, a veç heshtje.
Ja çka sheh ti çdo mëngjes kur je vet, e i afrohesh pasqyres!
Oj shpresë e çmueshme,
veç at’ ditë kemi me marr vésh’ se ti 
je vet’ jeta dhe s’je asgja.

Vdekja e ka nji f’tyrë për të gjithë.
E vdekja ka me ardhë 
e ka m’i pasë sytë e tu.

Disa projekte kinematografike shqiptare pranohen në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Festivali i Filmit në Sarajevë sot ka shpallur programin e filmave garues.

Prurje të rëndësishme filmike do të jenë pjesë e festivalit që mbahet në Sarajevë prej 16-23 gusht.

53 filma do të garojnë për ‘Zemrën e Sarajevës’.

Samir Karahoda

Në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë konkurron edhe regjisori Florenc Papas me filmin ‘Derë e hapur’ – bashkëproduksion mes Shqipërisë, Italisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Në kategorinë garuese për filmat dokumentarë, filmi i Samir Karahodës “Në Mes” do të jetë njëkohësisht edhe premierë në Bosnjë.

Aktori Alban Ukaj vjen në festival në cilësinë e regjisorit, me filmin “Jama”, premierë botërore, ndërsa regjisori Erenik Beqiri me filmin “The Van” është poashtu pjesë e garës kryesore në kategorinë e filmave të shkurtër.

Në 16 vitet e festivalit rreth 700 filma janë shfaqur në kategorinë e filmave garues.

Edicioni i radhës i Sarajevo Film Festival e bën më të rëndësishëm festivalin pasi ai bëhet festival me të drejtë nominimi për ceremoninë Oscars, dhe organizohet nën patronazhin e UNESCO-s. / KultPlus.com

Muzeu i Dickens blen portretin e humbur 133 vjet pasi u zhduk

Portreti i Charles Dickend do të kthehet në shtëpi, 130 pasi kishte humbur, shkruan KultPlus.

Muzeu i Londrës ka arritur ta kthejë duke e blerë portretin për 180,000 paund në një ankand në Afrikën e Jugut.

Piktura është punuar nga Margaret Gillies në kohën kur Dikens ishte 31-vjeçarë.

Në vitin 1844 autorja e portretit e kishte raportuar si të humbur, para se ai të dorëzohej në Akademinë Mbretërore.

Lidhur me rimarrjen dhe gjetjen e këtij portreti Muzeu i Londrë ka disa vite që punon në këtë drejtim.

Lajmi fillimish ishte bërë i ditur nga një adhurues i veprave letrare të Dikens gati katër vite më parë./KultPlus.com

‘Za Fest’ rikthehet në Theth, artistë shqiptarë e të huaj bashkohen për festën kulturore

Ështe e vertetë që arti flet ne cdo gjuhe, po aq sa arti sensibilizon.

Për këtë vit të trete, “Za Fest”, do të shkojë sërish në perlen e Shqipërisë, në Theth, për ta rizgjuar e për ta shndërruar në nje pikë takimi të kulturave të ndryshme .

Drejtroi artisik, Vlashent Sata këtë nismë, e mori pikërisht në Theth, për të kujtuar dhe një herë vendin e orëve dhe zanave.

Për këtë vit, vec emrave të njohur të artsistëve shqipatrë si Elina Duni dhe Arben Bajraktaraj, festes do ti bashkohen edhe të huaj.

Në datat 2-3 dhe 4 gusht vec muzikes, në “Za Fest” do të ketë dhe aktivitete të tjera si hiking, joga, panair kulinarie, kinema verore, tregime & legjenda e  biseda të hapura./tch/KultPlus.com

Gjendet në Australi një mesazh në shishe 50 vite i vjetër

  

Pranë brigjeve të Australisë, gjendet një mesazh në shishe i shkruar 50 vite më parë.

Peshkatari Paul Elliot deklaroi për median australiane ABC se mesazhin në shishe e ka gjetur gjatë peshkimit me djalin e tij në gadishullin Eyre, në jug të Australisë.

Ai theksoi se mesazhin që daton nga 17 nëntori i vitit 1969, e ka shkruar një britanik 13-vjeçar, Paul Gilmor, i cili tregon për udhëtimin me anije nga jugu në perëndim të Australisë.

Eliot tha se dëshiron të njoftojë autorin e mesazhit të vjetër 50 vite.

Mesazhi më i vjetër në shishe në botë është gjetur në një plazh në perëndim të Australisë dhe datonte 132 vjet më parë. / KultPlus.com

Presidentja e Komisionit Evropian, nënë e shtatë fëmijëve

Ursula von der Leyen është e pasionuar në ëndrrën e një Evrope federale dhe besnike e Angela Merkelit, e cila e donte gjithmonë pranë në qeveritë e saj. Ursula von der Leyen është një grua e hekurt.

Pas gjashtë vitesh të kaluara duke komanduar me baketë gjeneralë dhe admiralë, ajo është gruaja e parë në historinë e drejtimit të Komisionit Evropian.

61 vjeçe, nga të cilat 14 të kaluara pa ndërprerje si ministre e CDU-së. Mjeke me gjak blu (rrjedh nga një familje baronësh nga Breme, të pasuruar pas tregtisë me Rusinë në fund të shekullit XIX) Ursula është nënë e shtatë fëmijëve të lindur në 12 vjet nga martesa me një tjetër mjek, i shndërruar më pas në biznesmen, përcjell KultPlus.

Vendosmërisht evropiane, nga fakti se u lind në Ixelles dhe u rrit në Bruksel, ku jetoi për 13 vjet duke mësuar përveç gjermanishtes, edhe frëngjishten dhe anglishten.

Në kohën kur ishte studente në Londër, iu desh të përdorte një emër të rremë pasi ishte në listën e objektivave të një organizate terroriste gjermane të kohës.

Politikisht, Ursula von der Leyen është fëmijë arti pasi babi i saj, Ernst, ka qenë prej një kohe të gjatë president i landit të Saksonisë së Poshtme.

Në CDU ajo hyri në vitin 1990. Pas një përvoje lokale, në vitin 2005 ajo bën kapërcimin e madh në politikën kombëtare, pasi Merkel e kërkoi për ministre të Familjes nga viti 2005 deri në 2009, dhe nga ky vit deri në 2013 ajo shërbeu si ministre e Punës dhe e Çështjeve Sociale.

Në fund mori postin e ministres së Mbrojtjes, ku nuk pati një jetë të lehtë për shkak të raporteve të vështira me shefat e shtabeve të përgjithshme si edhe për shkak të një serie skandalesh, ndërmjet të cilëve historia e disa konsulencave që kushtuan miliona euro, por që doli prej tyre pa asnjë faj.

Disa probleme të vogla i pati edhe kur u akuzua, në vitin 2015, ashtu siç kishte ndodhur edhe me një ministër tjetër gjerman të Mbrojtjes, për plagjiaturë të doktoraturës, por që më pas rezultoi e pabazë.

Në të kaluarën ka qenë kandidate edhe për sekretare e përgjithshme e NATO-s, por edhe për presidente e Gjermanisë, në postin e Frank-Walter Steinmeier.

Por, asnjëherë nuk i shkoi mbarë. Ashtu si edhe për kreun e CDU-së, ku në fund u zgjodh Annegret Kramp-Karrembauer dhe jo ajo.

“Ndoshta sepse”, siç shpjegon një vëzhgues u vëmendshëm i çështjeve politike të Berlinit, “ajo është më shumë mike e Merkelit se sa e bazës së partisë, ku nuk gëzon shumë simpati”.

“Atë e shihnin si një yll në perëndim e sipër, por në fund era ndryshoi drejtim”, thekson ai. /KultPlus.com

‘Do të pres te porta lajmet që njerëzit më sjellin nga ty’

Alma Bektashi është këngëtare e njohur në trevat shqiptare, e cila gjatë karrierës së saj ka arritur të fitojë mjaft çmime. Ajo lindi në Prishtinë, dhe si e re nisi të merrej me muzikë.

Ndër këngët e para të saj është “Nuk ka tjetër si ai”, që ishte pjesë e videofestivalit “Video Fest Muzikor 2003” ku fitoi çmimin “Videospoti më i mirë në konkurrencën e Postproduksionit më të mirë”.

Alma Bektashi ka marrë pjesë edhe në shumë festivale tjera, ku ka qenë fituese e disa çmimeve të para.

Me zërin e saj unik dhe tekstet e bukura, Alma, arriti të futet në mesin e artistëve më të mira shqiptare. Ajo mbetet një këngëtare shumë e dashur për publikun, me këngët e saj si “Më mungon”, “Iluzion”, “Vjen një çast”, “Zhgënjimi”,  e të tjera…

KultPlus jua sjellë këngën “Do të pres”, e cila u lansua në vitin 2004 dhe pati sukses mjaft të madh. /KultPlus.com

Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, feston sot ditëlindjen

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare e cila ka ‘pushtuar’ skenat e njohura botërore, sot feston ditëlindjen, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho  lindi në Tiranë, në vitin 1974, por u largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skenë, përkrah artistëve të huaj.

Pas përfundimit të studimeve për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme, të tilla si: Giacomo Puçini në Milano Itali më 1997, Spontini International Ancona, Itali më 1998, në Rovereto Zandonai, Itali më 1999, këngëtarja më e mirë e Festivalin Wexford më 2000 etj.

Ermonela Jaho filloi ta mësojë këngën në moshën 6 vjeçare. Pas diplomimit nga Liceu Artistik Jordan Misja, në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademine e Arteve po në Tiranë. Ajo fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës. Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë.

Jaho fillon të interpretojë në skenë në Bolonja, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Dalja e saj e parë në skenë jashtë Italisë ishte në festivalin e Weksfordit në Irlandë, ku këndoi operën Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit. Në Gjermani, ajo shfaqet me rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih. Më pas ajo interpreton përsëri Suzanën në Gjenevë dhe në Francë, në teatrin Kapitol të Tuluzës. Në Shtetet e Bashkuara, ajo paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liù (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris.

Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thaïs (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit. Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden.

Tutje, Ermonela vazhdoi pa ndalur me role të reja e me interpretime në skenat më të mëdha botërore ku vazhdon edhe sot të mahnis publikin dhe kritikët më të mirë të artit.

Ermonela Jaho ka fituar edhe një sërë konkursesh ndërkombëtare si: Giacomo Puccini në Milano, Spontini në Ankona, Zandonai në Rovereto, Çmimi i artistit më të mirë lirik në Festivalin e Weksfordit e të tjerë.

Sot në ditëlindjen e saj, KultPlus ju sjell disa fotografi dhe video nga interpretimet e saj.  / KultPlus.com

‘Boll me ken shkodran të tana i ban’

Një ecje nëpër sheshin e bukur të Shkodrës, të mbetet gjatë në mendje. Ajo që të tërheqë më shumë këtu është pamja e bukur e sheshit e rrethuar nga katër anët me malet e bukura shqiptare, me pikë vrojtimi nga kalaja e Rozafës.

Ndërsa një thënie që e gjen pothuajse pranë çdo dyqani, dhe e dëgjon shpesh nga vendasit është “Me ken shkodran të tana i ban”.

Flamuri i përkufizimit “Me ken shkodran, të tana i ban”, më shumë se një valvitës mburrjeje mbetet një detyresë për t’i bërë të gjitha, si shkodran, me sa më shumë modesti.

Shkodra ishte qendër e madhe dhe plot jetë. Një nga qytetet më të lashta në krejt gadishullin, bashkëkohëse e Romës antike. Shkodra me gjithë furtunat që i kishtin kaluar përsipër e ruante peshën dhe hijen e saj. Hijen e pushtetit të dikurshëm të padronëve të saj, derës së famshme të Bushatllinjve, shpatëndëshkuese e krejt sulltanëve në Gadishullin e Ballkanit, madje më larg, gjer në Hungari e në Kretë, hijen e fesë katolike, kuvendet e kishat e së cilës nuk ishin më pak të fuqishme, dhe së fundi hijen e maleve, atë hije të rëndë tragjike që me mijëra kanale e udhë misterioze zbriste nga Malësia e Madhe, nga Bjeshkët e Nemuna, nga krejt Rrafshi verior i Shqipërisë, për të plotësuar, për të zëvendësuar apo për të korrigjuar diçka në statusin shpirtëror të këtij qyteti. Por nuk ishin vetëm këto.

Përveç kështjellës dhe kishave, kullave, kambanoreve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, biblioteka, arkiva mesjetare, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë vendin.

Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfarë problemesh, gra të bukura dhe histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga ato që pjell qytetërimi etj. /KultPlus.com

Ceca reagon pas ndalesës në Shqipëri

Pasi agjencia për mediat audiovizuele në Shqipëri (AMA), e ka kritikuar dhe paralajmëruar Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) për shkak të emetimit të videospoteve të këngëtares serbe Svetlane Razhnatoviç – Ceca, e cila është bashkëshortja e kriminelit serb Arkan, ka ardhur edhe reagimi nga vetë këngëtarja.

Ajo thotë se është e befasuar me këtë vendim, duke theksuar se kurrë me muzikën e saj nuk ka dërguar mesazhe politike.

“Nuk kam dëgjuar se jam ndaluar në Shqipëri. Mendoj se muzika nuk duhet të ketë kufij dhe pengesa. Së paku ky është rregulli të cilit i përmbahem gjatë karrierës sime të gjatë mbi 30 vite. Kurrë përmes këngëve të mia nuk kam dërguar ndonjë mesazh politik apo urrejtje. Gjithmonë janë dhe do të jenë të bazuara në mesazhe të dashurisë, sepse këngët e mia bashkojnë njerëzit. Sikur që edhe unë i dua të gjithë njerëzit”, ka deklaruar ajo për mediat serbe.

“Sa i përket qëndrimit tim personal, jam patriote dhe e dua popullin tim dhe gjithmonë do të jem pranë tij. Dhe të kuptohemi, kjo nuk nënkupton se urrej dikë tjetër dhe nuk respektojë njerëzit e besimit tjetër, ngjyrën apo kombin. Kjo nuk jam unë. Këtu bëhet fjalë për manipulime klasike. Do të lus që emri im mos të përzihet në këtë, publiku im është i llojllojshëm dhe ashtu do të mbetet. Dhe do t’i këndoj publikut tim kudo që është dhe kudo që dëshirojnë”, ka përfunduar ajo. /Zëri/KultPlus.com

Disenjatorja shqiptare prezanton koleksionin e saj në eventin e njohur botëror CHIO Aachen

Jeta Zymberi
Fotografitë e koleksionit: Anna Helm dhe Yulia Raznikov

Prezantimin e parë si disenjatore ajo e kishte në Paris, ku shpalosi koleksionin e saj të parë të titulluar në gjuhën shqipe “Enigmë”, shkruan KultPlus.

Emërtimi i këtij koleksioni në gjuhën shqipe ka një rëndësi të madhe për disenjatoren shqiptare, pasi që, vetë Ariana Krasniqi ka treguar se ky emërtim ka për qëllim që ajo të identifikohet në pasarela si një disenjatore shqiptare.

Por, ajo tashëm ka arritur të bëjë edhe prezantimin e dytë të koleksionit, kësaj radhe në Gjermani.

Ishte turneu ndërkombëtar i kalërimit – CHIO që mbahet me vite në Aachen të Gjermanisë e që kësaj radhe përqafoi edhe koleksionin e disenjatores shqiptare. “Unë kam lindur në Aachen edhe e njoh mirë këtë event sepse jam rrit me të, andaj pjesëmarrja ime këtu ka qenë nderë për mua”.

Krasniqi studimet i ka përfunduar në Düsseldorf në fakulltetin ‘Fashion Design Institut’. Si çdo vit, CHIO e ka një vend partnerë, kësaj radhe ishte Franca. Duke qenë edhe vendi i modës, ajo ka zgjedhur fakultetin e dizajnit, aty ku i ka përfunduar studimet edhe Ariana, për tu përfaqësuar në këtë event.  

“E kam pasur fatin që jam e Aachenit edhe e kam pas mundësinë edhe ta organizoj këtë event. Domethënë nuk isha vetëm pjesëmarrëse me dizajnët e mija, por edhe organizatore. Për mua ky prezantim ka qenë shumë i veçantë. Të pjesë e një sfilate kaq të madhe, në një event ndërkombëtar që e shikojnë mija njerëz dhe transmetohet live në televizion, është me të vërtetë diçka e bukur”, thotë ajo për KultPlus.

Disenjatorja tregon se para dhe pas kësaj sfilate ka pritur shumë komentet të mira, sidomos për punën e dorës në fustane. Ngjyrat që ka përdorë në këtë koleksion gjithashtu kanë tërhequr vëmendje.

“Eventi CHIO është diçka që nuk mund ta përshkruaj, kur e shikon një stadium plot njerëz, e ku prezent ishin edhe shumë fytyra publike, është thjesht e mrekullueshme dhe gjithashtu një mundësi e mirë për secilin pjesëmarrës aty”.

Ariana Krasniqi

E pyetur nga KultPlus për planet në vazhdim, Krasniqi thotë: Koleksioni ENGIMË është pritur shumë mirë si nga shqiptarët ashtu edhe nga vendet e tjera. Besoj që shumë shpejt do të sjell koleksionin e ardhshëm si një disenjatorë e pavarur. Shpresoj që do ta kem përkrahjen e shqiptarëve dhe përmes modës dhe me stilin tim ti tregoj botës se edhe Kosova është vend i modës dhe jo vetëm Franca dhe Italia.  / KultPlus.com

“Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorësh, për të ndryshuar botën”

Thënie frymëzuese nga Nelson Mandela

Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

KultPlus, jua sjellw disa nga thëniet frymëzuese te ish-Presidentit te Afrikes se Jugut.

“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.

“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket” /KultPlus.com

Modeli kosovar sfilon para 40 mijë të pranishmëve në eventin CHIO Aachen në Gjermani

Vitet në Kosovë ishin ato që e formësuan si një djalë me ëndrra shumë, të paktat mundësi që i ofron vendi jonë për model, ai u mundua t’i shfrytëzoi, por vizioni i tij ishte më i largët. Modeli kosovar Arblind Zymberi, vendosi që karrierën e tij si model ta vazhdojë jashtë Kosovës. Ishte Gjermania vendi i cili hapi dyert për të mirëpritur kosovarin i cili synon që një ditë të sfilojë në pasarelat më të mëdha botërore e të pozojë për markat e njohura, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, në Aachen të Gjermanisë janë mbajtur garat botërore në kalërim, CHIO. Kjo konsiderohet gara më e njohur botërore e kalërimit që ngërthen rreth vetes një publik shumë të madh. Si çdo herë CHIO e ka një vend tjetër si partner dhe këtë vit ishte Franca partneri i Aachenit. Duke qenë Franca vend i modës, këtë vit ajo është prezantuar në këtë event me dizajnerë të shumtë.

Por, pjesë e kësaj sfilate të madhe ishte edhe modeli kosovar Arblind Zymberi i cili mori vëmendje me paraqitjen e tij.

Ai sfiloi për dizajneren Maj-Britt Kreft bashkëpunimi me të cilën sipas tij ka qenë i mrekullueshëm. “Ajo ka bërë një punë të mrekullueshme dhe jam i lumtur që pata mundësi t’i prezantoj veshjet e saj”.

Për të gjithë modelët ishte një ndjenjë e veçantë të ecin në paradën më të njohur të garave të kalërimit, ku u prezantuan hiç më pak se 280 kreacione nga dizajnerë të ndryshëm.

Edhe për Arblindin, kjo eksperiencë mbetet e paharruar. Ai për KultPlus ka treguar që të sfilosh para 40 mijë personave sa ishin prezentë aty, ishte një emocion i veçantë e që një mundësi të tillë nuk beson që do ta kishte në Kosovë.

“Ishte kënaqësi shumë e madhe që të marr pjesë në shoun më të madh për kalërim, ishte një atmosferë shumë e bukur, një organizim i mrekullueshëm. Kisha emocione sepse po sfiloja para 41 mijë personave, por gjithçka shkoi bukur. Ky është eventi i parë i kësaj natyre që unë marr pjesë dhe hera e parë që sfiloj para një publiku kaq të madh, gjithashtu kemi qenë edhe live në televizion”.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe shumë fytyra publike, artistë e përfaqësues të markave të njohura botërore si Chanel, Hermes, Calvin Klein dhe kjo e ka bërë edhe më domethënës prezantimin e kosovarit atje.

“Shpresoj që ky të jetë një hapë i suksesshëm për rrugëtimin tim si model”, përfundoi Zymberi. / KultPlus.com

Edicioni i nëntë i Green Fest vjen për “nanën natyrë”

Nga data 21 deri më 26 korrik në qytetin e Mitrovicës, për vitin e nëntë me radhë organizohet Festivali Green.

Ky edicion organizohet nën temën “Për nanën natyrë” duke vënë në spikamë rolin e gruas dhe nënës në raport me mjedisin dhe burimet natyrore, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të qytetarëve mbi zhvillimin e qëndrueshëm.

Gjatë këtyre ditëve të festivalit do të ketë shfaqje të filmave, muzikë, punëtori artistike, murale, debate, si dhe aksione mjedisore.

Të dielën në hapësirën e 7 Arte do performojnë dyshja latino-amerikane Helado Infinito dhe në vijim për tre net me radhë do shfaqen tre filma dokumentar si: “Solar Mama”, “Permakultura si rrugë drejt paqes” dhe “Ferdonija”.

Derisa në anën tjetër organizata holandeze Hope Box do të organizojë dialog artistik nën temën “Çfarë po ndodhë me Nënën Natyrë” që do fasilitohet nga artistja me renome ndërkombëtare Rienke Enghardt.

Me datën 26 korrik, parashihet të mbyllen aktivitetet përmes natës muzikore ku do të performojnë  bende dhe artistë të ndryshëm si Mr Rez (DJ reggae), Sytë, Flaka Krelani, Gima & Band dhe Elton Deda.

Këtij edicioni i ka paraprirë ekspozita e fotografive nën titullin “Në mbrojtje të Faunës” me autor Arian Mavriqi, si dhe punëtoria “Code 4 Green” e organizuar nga Girls Coding Kosova me qëllim të zhvillimit të ideve e aplikacioneve që do ndihmonin gjendjen e mjedisit tonë./ BotaSot/ KultPlus.com

Busti i Skënderbeut në Odesa të Ukrainës, aty ku jeton komuniteti shqiptar

Busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është vendosur në zonën e Odesës në Ukrainë, ku jetojnë rreth 5000 banorë të vetëidentifikuar si shqiptarë.

Posta Shqiptare mbështeti nismën e ndërmarrë nga Qendra Media Aktive për skulpturimin e bustit të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në këtë zonë, shkruan Koha Jonë.

Realizimi i specifikave të kësaj nisme si dhe garantimi për ta çuar deri në destinacion është ndjekur me prioritet nga administratori i Postës Shqiptare, Laert Duraj. Në zonën e Odesës, fshati Karakurt ka përqendrimin më të madh të tyre me rreth 2700 banorë, nga të cilët 80% janë me origjinë shqiptare.

Ky komunitet paraqet një rëndësi të veçantë për identitetin kombëtar shqiptar, për ruajtjen e kulturës, zakoneve dhe të folklorit. Ky bust i heroit kombëtar është simbolika dhe mesazhi më i duhur që i jepet këtij komuniteti në shenjë mirënjohje dhe për t’u dhënë mundësi të ndihen më pranë Shqipërisë. / KultPlus.com

Kur ke një nënë të fortë, bëhesh një njeri i fortë

Kur keni një nënë të fortë, mësoni menjëherë vlerën tuaj dhe mësoni se nuk keni nevojë për një person tjetër në jetën tuaj që të jeni i lumtur dhe i suksesshëm.

Ju kuptoni se keni gjithçka që ju nevojitet për të realizuar ëndrrat tuaja dhe që ju mund të shkëlqeni për meritën tuaj. Ju kuptoni se një dashuri apo një miqësi nuk mund t’ju bëjë më të lumtur nëse nuk ndjeheni mirë me veten tuaj në radhë të parë. Kur ke një nënë të fortë, mëson të komunikosh të vërtetat e tua me botën pa frikë dhe turp, mëson të jesh i pavarur që nga mosha e hershme, sepse bota nuk na merr për dore dhe na tregon se si të ecim.

Mësoni të luftoni dhe të fitoni vetëm, të kujdeseni për veten dhe nevojat tuaja, sepse e dini se askush nuk është këtu për të jetuar jetën tuaj për ju. Kur ke një nënë të fortë, mëson se nuk është e dobishme të respektojmë të tjerët dhe të përbuzim veten. Mëson të duash dhe të vlerësosh veten mbi gjithçka.

Kur ke një nënë të fortë, mëson se çfarë është dashuria e vërtetë. Mëson t’i trajtosh njerëzit në jetën tuaj me kujdes dhe përkushtim. mëson të dallosh marrëdhëniet e vërteta dhe toksike.

Kur ke një nënë të fortë, mëson të jesh një person i fortë dhe madje edhe kur fakti i të qënit të fortë, prishet, kërkon ndihmë. Kupton që edhe më të fortët kanë dobësi dhe momente dyshimi dhe se forca dhe dobësia shkojnë dorë për dore.

Kur ke një nënë të fortë, ke modelin më të mirë që duhet të ndjekësh. Një shembull që do t’ju bëjë më të fortë dhe më të lumtur çdo ditë!  / KultPlus.com

Egjipti fillon restaurimin e arkivolit të artë të Tutankhamonit

 Egjipti ka filluar të restaurojë arkivolin e artë prej druri të Tutankhamonit, për herë të parë, që kur u zbuluan në vitin 1922.

Ministria egjiptian e Antikiteteve tha në një deklaratë se arkivoli vuan nga disa forma të dëmtimit duke përfshirë çarje në shtresat e saj të arit.

”Rivendosja dhe mirëmbajtja e arkivolit do të përfundojë në tetë muaj”, shtoi ajo.

Ministria tha se koleksioni i djaloshit-faraon duke përfshirë të gjithë arkivolin e tij, do të ekspozohet në Muzeun e Madh të Egjiptit, i cili është në ndërtim e sipër, pranë piramidave të Gizës dhe pritet të hapet në vitin 2020.

Tutankhamoni ishte nëntë vjeç kur u bë faraon. Ai sundoi midis 1333 dhe 1323 para Krishtit, si një nga mbretërit e fundit të Dinastisë XVIII.

Egjipti në muajt e fundit njoftoi një sërë zbulimesh, me shpresën e ringjalljes së industrisë së turizmit, një burim kryesor i të ardhurave kombëtare.

Industria është goditur rëndë nga trazirat e gjera që nga kryengritja e vitit 2011 kundër sundimtarit më të gjatë të kohëve moderne të Egjiptit, Hosni Mubarak/ ATSH/ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës

Nelson Mandela ishte president i Afrikës Jugore dhe luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej të zinjve në Afrikë, posaçërisht në Afrikën Jugore.

Ai studioi juridikun. Shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nëpër burgje.

Mandela ka lindur më 18 korrik të vitit 1918.

Ditëlindja e Mandelas është edhe Ditë Ndërkombëtare e Nelson Mandelas, e shpallur nga OKB-ja si shenjë mirënjohjeje për kontributin e fituesit të çmimit Nobel për Paqe e pajtimin e arritur në këtë vend.

Në këtë ditë afrikano-jugorët zakonisht shënojnë ditëlindjen e liderit të tyre kundër aparteidit, i cili ishte 67 vjet në shërbim publik, kurse qytetarët bëjnë 67 minuta punë për komunitet.

Fillimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij.

Në vitin 1956 ai u akuzua për “tradhti të lartë” nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri me 1961 dhe të gjithë u liruan. Mbas lirimit ai u bë lideri i grupit të armatosur së ANC-së.

Në vitin 1962 u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi.

Në vitin 1990 mbas një kampanje të ANC dhe presionit ndërkombëtar ai u lirua pa kushte. Në vitin 1993 fitoi çmimin Nobel. Kurse në vitin 1994 u zgjodh në zgjedhje demokratike, President i Afrikës Jugore dhe me 9 maj u zgjodh si presidenti i parë i zi në këtë vend.

Në vitin 1999 ai dha dorëheqje dhe ishte aktiv për organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut. Në vitin 2003 kritikoi shumë Toni Blair dhe George Ë. Bush për intervenimin në Irak.

Mandela vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 5 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij në Johannesburg. /Koha.net/ KultPlus.com