Mrekullia e ikonave dhe mungesa shqiptare

Nga Luan Rama

Kur Shqipëria jeton kaq shumë me këtë politikë aktuale të mbrapshtë, mes thirrjeve të urrejtjes, atmosferën e vrasjeve, kriminelëve, burgimeve, është e kuptueshme që jo rrallë vlerat e trashëgimisë shqiptare harrohen dhe lihen tutje, pasi institucionet e kulturës, me oshilacionet e tronditjet partiake, me një buxhet të vogël apo të papërfillshëm, studiuesit i ka lënë pa mbështetje, duke mos bërë të mundur botimin e studimeve të tyre në gjuhë të huaja, digjitalizimin dhe krijimin e hapësirave mbarëshqiptare, për t’u integruar pastaj fuqishëm në hapësirat e mëdha kulturore, ballkanike dhe europiane.

Kam parasysh, shkruan Luan Rama në “Gazetën Shqiptare”, një botim të mrekullueshëm nga serbët në gjuhët frënge dhe angleze, ku ikonat e tyre mesjetare vendosen mes ikonave më të bukura botërore, duke përfshirë dhe veprat e famshme të piktorit rus Andrei Rublev. Në të kishte ikona dhe nga Maqedonia, Mali i Zi apo dhe nga manastiri i Deçanit me tri ikona, por nga Shqipëria, asnjë ikonë. Piktura mesjetare shqiptare mungonte, po jo vetëm në atë botim serb, por dhe në botime të tjera ndërkombëtare ku shkruhet për artin e mesjetës dhe në zonat ballkanike.

S’ka shumë kohë që në sallat e muzeut të “Petit Palais”, në zemër të Parisit, është hapur një ekspozitë mjaft interesante: “Ikonat e artit të krishterë të Orientit”, me portrete dhe kompozime nga jeta biblike dhe veçanërisht portretet e Shën Gjergjit, Shën Marisë, Shën Baptistit dhe ndonjë shenjtori lokal, të cilat janë sjellë nga Greqia (shumë prej tyre nga Kreta), nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, por më kot të kërkosh të shohësh në këtë ekspozitë ikona të piktorëve tanë të famshëm si Onufri, i biri Nikolla, David Selenicasi, Shpataraku, Zografi, etj. Janë ikona të shekujve XVII-XVIII që shquhen për mjeshtërinë dhe origjinalitetin e tyre edhe në kuadrin botëror. E megjithatë, në këto lloj ekspozitash, jo rrallë, arti shqiptar mbetet jashtë, jo për vlerat që ka, por për pamundësinë e komunikimit me organizatorët, specialistët dhe studiuesit ndërkombëtarë dhe kjo si shkak i një njohje të kufizuar të artit mesjetar shqiptar në botën e sotme. Dhe sigurisht, nuk është faji i studiuesve tanë, prej të cilëve ka një punë të lavdërueshme në studimin dhe restaurimin e tyre, por ne s’duhet të kënaqemi apo të mburremi me atë çka bëhet brenda hapësirës sonë kulturore shqiptare. Institucionet, duhet t’u bëjnë të mundur studiuesve që ata të jenë të pranishëm në organizatat apo forumet ndërkombëtare. Nëse “Arti Mesjetar shqiptar” u prezantua së fundi në një nga sallat e Unescos, kjo ishte diçka e kënaqshme, por ne duam që kur flitet më gjerë për vlera të mirëfillta të kulturës, trashëgimisë dhe identitetit tonë, që Shqipëria të jetë pjesë e këtyre ekspozitave përfaqësuese. Mesazhet në ekspozicionet kolektive ndërkombëtare janë më të fuqishme dhe përcjellin më fortë mesazhin që duam e që lidhet me përkatësinë shqiptare.

Le të shpresojnë që me një politikë të re dhe një klasë tjetër politike, Shqipëria të jetë më e pranishme në ngjarje të tilla ndërkombëtare, ku të dalë në pah dhe gjenia e popullit tonë. /KultPlus.com

Parku i Butrintit nominohet për çmimin ‘Green Gown Award’

 

Parku i Butrintit është përzgjedhur nga studentë të Universitetit të Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar për të zhvilluar një seri leksionesh në formë filmike lidhur me praktikat e menaxhimit të trashëgimisë botërore.

Modeli shqiptar i menaxhimit të turizmit si dhe konceptet novatore që janë implementuar në Parkun e Butrinti është nominuar për çmimin Green Gown Award në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke pasur për qëllim nxitjen e projekteve inovatore në sistemin e edukimit të lartë në të gjithë botën, për këtë çmim votojnë mbi 1 milion studentë.

Në praktikat e tyre mësimore, studentët e universitetit prestigjioz kanë përfshirë modelin e krijuar dhe të administruar nga Drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ku Auron Tare, aktualisht kreu i UNESCO-s për Komitetin Shkencor dhe Teknik për Trashëgiminë Botërore Nënujore ka shpjeguar praktika që ndiqen për mirëmenaxhimin e Butrintit.

Ky model kërkon të krijojë një lidhje sinergjike midis turizmit bregdetar dhe ekonomive lokale të zonave që fillojnë menjëherë pas vijës bregdetare të jugut. Pikërisht këto dy modele u përzgjodhën nga universiteti i njohur britanik për të qenë pjesë e një serie leksionesh mbi modelet më të mira botërore të turizmit të qëndrueshëm duke i përfshirë në programet mësimore.

“Një nga shqetësimet që ne kemi sot është numri i turistëve i cili kur ne filluam projektin 18 vite më parë kishim 2500 turistë në vit. Tani kemi 10 mijë turistë në vit shifër kjo që tregon se Butrinti po bëhet një pikë e suksesshme turistike”, shprehet Tare.ATSH

Shilpa Ray për herë të parë do të performojë në Kosovë

Duke emetuar thelbin e tingujve punk blues të cilat tërhoqën vëmendjen e muzikantit australian Nick Cave, këngëtarja dhe tekst shkruesja amerikane Shilpa Ray do të performojë për herë të parë në Kosovë me 26 Korrik te Lumbardhi në orën 21:00.

“I ndeshur me vlerësimin e zhurmshëm dhe entuziazmin, albumi i saj i fundit Door Girl (2017) është një përshkrim alternativ ëndërrues dhe i gjallë që ushqehet me reverberim dhe reagime, duke zbuluar një nivel mbresëlënës të cilësisë së prodhimit përmes të cilit secili instrument është i përcaktuar aq qartë. Së bashku me zërin e saj të veçantë – një gjë e rrallë për shkak të papërsosmërisë së saj rrezatuese, Ray është rrëfyesja e tregimit që jeton një jetë si muzikante dhe magjistare për të cilen secila këngë është një jetë tjetër që ajo ka jetuar”, thuhet në komunikatën për media nga Fondacioni Lumbardhi.

Mbrëmjen do ta hapin dhe mbyllin djemtë e grupit Tetris nga Prishtina, të cilët do të sjellin tinguj të bazuar në frazat hipnotike nga një numër tingujsh synth dhe deep bass të cilat do të shoqërohen nga imazhet e filmave eksperimental të viteve 20’ dhe 30’ të kompiluara nga Tetris.

Sezoni i muzikës te Lumbardhi mbështetet nga Komuna e Prizrenit, Gjirafa, BpB dhe Koha Group. / KultPlus.com

Vjet në Kosovë u kurorëzuan mbi 16 mijë çifte, mosha mesatare 30 vjet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2018”.

Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile në Kosovë.

Në vitin 2018, thuhet në komunikatë, janë grumbulluar gjithsej 18.332 fleta statistikore për kurorëzime DEM-3.

“Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2018 janë kurorëzuar 16.871 çifte-bashkëshortore”, thuhet në komunikatë.

Nga gjinia femërore, me përkatësi etnike shqiptare janë 94.0%, kurse 95.8% janë meshkuj të përkatësisë etnike shqiptare.

“Femra me përkatësi etnike serbe janë 1.1% dhe meshkuj 1.1%; femra të përkatësisë etnike turke janë 0.4%, kurse meshkuj janë 0.5%; femra me përkatësi etnike boshnjake janë 1.1%, kurse meshkuj janë 1.0%; femra me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë 1.2%, kurse meshkuj janë 1.3%; femra me përkatësi tjetër etnike janë 2.3%, kurse meshkuj 0.4%”, thuhet në komunikatë.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.

“Në kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5.398, ose 32.0%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5.341, ose 31.7%. Më së shumti kurorëzime ishin në komunën e Prizrenit, 1.589 raste, ose 8.7%, pastaj vjen Prishtina me 1.285 kurorëzime, ose 7.0%, ndërsa në Ferizaj ishin 1.067 kurorëzime, ose 5.8% etj”, thuhet tutje.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10.602, ose 62.8%, kurse e meshkujve ishte 11.701, ose 69.4%. / KultPlus.com

Denzel Washington: Pasi fitova Oskarin, nëna më tha: Tani shko derdhe bërllokun

Denzel Washington është aktor i famshëm amerikan, produçent dhe drejtor filmi. Gjatë karrierës së tij ka fituar mjaft çmime, duke përfshirë tri çmime Golden Globe, dy çmime Academy Awards.

Washington për intrepretimet e tij ka fituar Golbin e Artë dhe çmimin e lakmueshëm Oskar, me filmin Training Day, ku ai luan rolin e policit të kompromentuar së bashku me Ethan Hawke; për këtë film ai fitoi çmimin Oskar në vitin 2001.

Me talentin e tij, Denzel Washington ka arritur të menaxhojë dhe tërheqë audiencën si dhe të garantojë suksese në kinema për pothuajse të gjithë filmat e tij.

Për fitimin e Oskar-it, ai ka shkruar një pasazh të shkurtër shumë interesant, në të cilin bisedon me nënën e tij pasi që e ka fituar çmimin.

Këtë pasazh jua sjellë KultPlus më poshtë.

Familja ime ishte e pasur shpirtërisht. Nëna ime, që i ka 90 vjet, më ka mësuar që t’i mbaj këmbët për toke. Kur e fitova Oskarin e parë ajo më tha: ok, tani shko derdhe bërllokun. /KultPlus.com

Para pushkatimit, 22 burra rrethuan me trup gruan që refuzoi dashurinë e Enver Hoxhës

Nga Ylljet Aliçka (fragment nga romani “Metamorfoza e një kryeqyteti”)

Si në çdo fushë të jetës, edhe në atë të marrjes së jetës së armiqve ndodhnin parregullsi, kur rregulli nuk respektohej korrektësisht, siç ishte rasti i një ish-shefi të shtabit të ushtrisë i cili, pasi u shpall armik, dha shpirt me mjaft vështirësi nga rrahja me purteka të trasha druri në karrocerinë e një kamioni ushtarak. Pra në mospërputhje të plotë me rregullat elementare të ekzekutimit.

Po si pasojë e shkeljes së rregullores, ndodhi që në një pushkatim pa gjyq që iu bë 23 intelektualëve të shquar të kohës, 22 burra dhe një grua, pikërisht gjatë çastit kulmor të krejt procesit, atij të ekzekutimit, në respekt të të vetmes grua, të 22 burrat nuk ndenjën në rresht për një përballë, siç e kërkonte rregullorja, por u bënë rreth, duke e mbrojtur me trupat e tyre atë grua, i vetmi faj i të cilës kishte qenë refuzimi i dashurisë së Udhëheqësit në të ritë e saj dhe ca më pas, mospërqafimi i idealit të vetë Udhëheqësit. Ndonëse e shpëtuan nga breshëria e plumbave, qëlloi që ashtu të lidhur me një tel të përbashkët me të gjithë të pushkatuarit, këta e tëhoqën pas vetes, për së gjalli, në gropën e përbashkët, hapur paraprakisht nga ata vetë.

Si rrjedhojë, fshatarët e atyre zonave u lemerisën tek dëgjonin ca rënkime dalë nga thellësia e tokës, për aq kohë sa i duhej një qenieje njerëzore të japë shpirt, mbuluar me dhe e bërë njësh me trupat e vdekur të 22 bashkëvuajtësve të saj. /KultPlus.com

Matt Taylor ka arritur në Kosovë, përshëndet fansat në gjuhën shqipe

Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, ka arritur mbrëmë në Kosovë për herë të parë, dhe po merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar – Anibar.

Më të arritur në Aeroportin e Prishtinës, mbrëmë pas mesnate ai ka xhiruar një video në të cilën përshëndet të gjitha fansat e animacionit në gjuhën shqipe.

“Mirëmbrëma Kosovë”, ishte fjalia e parë që ai than ë Aeroport, derisa ftojë të gjithë adhuruesit e filmit të animuar të i bashkohen në prezantimin që ai do të mbajë të premten duke filluar nga ora 14:00, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë në kuadër të Anibar.

Matt Taylor është artist po ashtu me origjinë nga Los Angeles, dhe me mbi një dekadë përvojë në industrinë e animacionit.

Ai punoi në Titmouse Inc. për një pjesë të madhe të karrierës së tij në seri televizive si Metalocalypse, Superjail!, Kina IL, Moonbeam City dhe për serinë fituese të disa cmimeve Emmy, King Star King.

Ai po ashtu ka drejtuar një numër projektesh, duke përfshirë “The Rick dhe Morty Exquisite Corpse”. Matt gjithashtu ka punuar në mënyrë të pavarur, duke krijuar ID të stacionit për Adult Sëim dhe animacion për videon muzikore “Cut Chemlight Moonlighting with Biz”. Matt aktualisht punon në Cartoon Network si dizajnues karakteresh në “J.J. Villard’s Fairytales”.

Fotoja “Berat, 1936” dhe historia pas saj

Nga Qerim Vrioni

Një ndër fotot e dalë nga duart dhe aparatet e fotografit beratas, Ilia Xhimitiku, e mbërritur në ditët e sotme e publikuar shpesh në shtyp, është edhe kjo me titullin “Berat, 1936”. Në të vërtetë ky emër iu vendos, ndonëse autori e saj e ka përfshirë në numrin e madh të fotove që kishte realizuar atë ditë në qytet, por pa pagëzuar asnjerën.

Foton, në madhësi kartoline, e kisha kaluar shumë herë para syve, kur vështroja albumet vjetra fotografike të familjes. Ndër to, si më e hershmja ishte një foto e tim Eti në moshën 18-19 vjeçare (fillimi i viteve ’20) ulur në një karrige, në oborrin e shtëpisë apo të ndonjë studio fotografike të Beratit. Këtu ka një peng për autorin e këtyre rreshtave, sepse ende nuk është mundësuar gjetja e emrit të fotografit.

Sidoqoftë, fotoja tek e cila qëndroja më gjatë ishte ajo ku paraqiteshin disa burra të veshur mirë duke mbajtur dy arkëmorte. Habinë dhe pyetjen e vetvetishme si fëmijë e shkaktonte numri dy i atyre që do përcilleshin për në vendprehjen përfundimtare. Përvoja e paktë fëminore më kishte njohur deri atëherë me funerale vetëm me një arkëmort. Më vonë nga shpjegime brenda familjes mësova se bëhej fjalë për një Nderim që qyteti i Beratit i u bënte dy atdhetarëve, luftëtarit të njohur, Çerçiz Topulli dhe publicistit Muço Qulli, me rastin e çvendosjes së eshtrave të tyre nga Shkodra në qytetet e tyre (Gjirokastër dhe Leskovik). Ata ishin vrarë nga shovinistët malazezë në vitin 1915 në rrethinat e qytetit verior, por deri nga korriku i vitit 1936, nuk ishte përcaktuar vendi i varrimit të tyre. Në anën e pasme të fotos ishte vula e njomë me formë vezake dhe ngjyrë vjollcë “Ilia Xhimitiku-Fotograf-Berat” dhe një numur, 1936, pra viti kur ishte realizuar fotoja.

Disa vite pasi u mësua shkaku (historiku) i fotos, ajo u përfshi në albumin në fund të librit tim “150 vjet Fotografi Shqiptare”(2009), që me shumë gjasa ishte hera e parë e publikimit të saj. Tre vite më vonë, 2012 fotoja shoqëroi artikullin “Ilia Xhimitiku-fotografi simbol i Beratit” (Gazeta Tirana Observer, 19.8.2012), të cilin e ribotuan (bashkë me foton) edhe 2-3 organe të tjera shtypi, si edhe disa portale. Kështu, fotoja nisi të popullarizohej, por edhe të nxiste pyetje të shumta nga shikuesit e saj. Ndërkohë, më 2013, fotoja u paraqit edhe në albumin me foto të zgjedhura shqiptare brenda “Fjalor i Fotografisë”(2013) dhe kishte dalë tashmë në rrugë të madhe, por duhej plotësuar historiku i saj.

Për fat, ceremonia që pasqyron fotoja ndodhi në mes të shtatorit (rregullisht data 15), koha ishta me diell dhe mjaft e përshtatshme për fotografim. Përfytyrohet disi fotograf Xhimitiku, atëherë plotë energji, ende pa mbushur 30 vjet, duke fotografuar gjindjen, por edhe duke shkëmbyer fjalë me bashkëqytetarët e tij, që pothuaj të gjithë e njihnin. Herë pas here, ai do të këtë ndaluar disa çaste për të rregulluar parametrat teknikë të aparatit që mbante të varur në qafë…. Shumë foto të asaj dite kanë përngrirë brenda tyre edhe mjaft qytetarë beratas, e sa prej këtyre ndoshta ndodhen edhe sot nër familjet e vjetra të qytetit, fatkeqësisht pa ju a ditur vlerën dhe rëndësinë për historinë e qytetit, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Nga Shkodra, ku kishte shkuar edhe një dërgatë e posaçme nga Gjirokastra, arkëmortet u përcollën me një ceremoni të madhe të organizuar nga Bashkia e qytetit në datën 14 shtator 1936. Aty u mbajtën fjalime të ngrohta për dëshmorët nga personalitete të njohura të qytetit, midis tyre, At Anton Harapi, Ernest Koliqi etj.

Me shumë mundësi, udhëtimi për në jug e gjeti kortezhin e makinave në të ngrysur në Berat e atje kanë ndaluar. Autoritet vendore me të marrë njoftim, ka të ngjarë të kenë vendosur që të nesërmen, figurave të shquara t’u bëhej nderimi i merituar edhe nga populli i Beratit. Kështu arkëmortet u vendosën në Bashki, dhe njerëzit e shumtë me kënaqësi përuleshin me respekt të thellë para tyre.

Nga një letër (email, dt.9.1.2019) e dërguar nga Nju Jorku, z. Luan Leka (dt.1930), atëherë nxënës i shkollës fillore, mësohet së para Bashkisë, përveç qytetarëve, ishin rreshtuar edhe shkollarët e qytetit me mësuesit e tyre. Mandej, pas ceremonive të rastit, të gjithë e shoqëruan kortezhin deri te Ura e Goricës, njerëzit me arkëmortin e Çerçiz Topulli e kaluan urën dhe vijuan për në Gjirokastër, ndërsa pjesa tjetër e mbajti arkëmortin e Muço Qullit deri te Çikrikët për të vazhduar rrugën për në Korçë e mandej në Leskovik (Letër e z.Parashqevi Sahatçiut, 23.1.2019). Në një foto tjetër po të Xhimitikut, shkrepur disa minuta më pas asaj ceremoniale, vërehet se kortezhin e drejtuar për në jug e printe një ushtarak, e po ashtu anash shoqërohej nga ushtarakë të tjerë, çka tregon për një protokoll të studiuar nga organet administrative. Gjithsesi, edhe ky version i dytë nuk ja ul fare vlerën e nderimit qytetar të banorëve të Beratit për dy Dëshmorët e Kombit, se Homazhet mund të kryheshin edhe në qytete të tjera gjatë rrugëtimit nga Shkodra drejt vendlindjeve të Fatosave, psh, në Tiranë, Durrës, Kavajë.

Vetvetiu, lind pyetja : pse do të sillej arkëmorti i Muço Qullit deri në Berat, mandej ta kthenin sërish deri në Rrogozhinë e prej andej në Korçë dhe Leskovik ? Më e udhës do ishte qe rrugën nga Shkodra deri në Rrogozhinë të dy arkëmortet të ishin bashkë, aty njeri të vazhdonte drejtë Beratit, ndërsa tjetri, të kthehej majtas për në Elbasan, Korçë dhe Leskovik. A mos ishte gjithçka e organizuar nga organet shtetërore, për të zhvilluar nje ceremoni nderimi në qytetin e Beratit? Po ashtu, pjesëmarrja në Homazhe nga autoritet kryesore të qytetit, ndërprerja e punës në administratë dhe e mësimeve në shkolla, flet për një veprimtari të parapërgatitur me kujdes, ndoshta prej një urdhëri nga Tirana. Kështu, mund të ketë ndodhur që ndalesa për homazhe në Berat, siç u përmend sëpari, nuk ishte rutinë, por gjithçka e organizuar me protokoll shtetëror të dërguar nga Tirana.

Më kthjellët e më ndryshe për këtë ngjarje shkruhet në librin studimor “Topullarët e Gjirokastrës-Bajo e Çerçiz”. Aty ndër të tjera thuhet se :”Përcjellja plot madhështi dhe emocion e Shkodrës do pasohej me pritje e përcjellje spontane e po aq emocionuese edhe nga populli i Beratit dhe Këlcyrës” (Bajo Topulli-Topullarët e Gjirokastrës-Bajo e Çerçiz-Albin, Tiranë, 2008, f.335). Pra, homazhet dhe përcjellja me ceremoni e arkëmortevve të dy martirëve ishin spontane, dmth, jo të urdhëruara (nga të dhënat e deritanishme) nga qeveria, po të organizuara nga autoritetet e qytetit dhe populli i tij, çka ja shton vlerën morale ceremonisë së Beratit. Për më tepër, si Çerçiz Topulli ashtu dhe Muço Qulli, mesa dihet, nuk kishin ndonjë lidhje farefisnore a miqësore të veçantë me beratasit.

Si shenjë vlerësimi për nderimet ndaj dy dëshmorëve, Bashkia e Gjirokastërs u dërgoi më vonë telegrame falenderimi bashkive të Shkodrës, Beratit dhe Këlcyrës për veprimtaritë dhe homazhet nderuese për ta.(Gazeta “Demokratia”, 3 tetor 1936).

Dy nga të pranishmit në foto, mendohet se do kenë vendosur nderimin për dy atdhetarët, kryetari i Bashkisë Kolë Rrodhe dhe Prefekti Qazim Bodinaku. Krahas këtyre, në rreshtin e parë, përpos letrës së z.Leka, edhe me ndihmën e historianit nga Berati Ahmet Kondo (disa vite më parë) , saktësohen emrat e dy juristëve institucional të Beratit, Prokurorit të Shtetit, av.Rakip Leka (I ati i z.Leka të letrës) dhe Kryetarit të Gjykatës, Av.Avni Koka. Përveç tyre, dallohen pjesëmarrës si Selami Qulli, i vëllai i Muço Qullit, farmacisti Vangjel Haxhistasa, av. Andrea Sahatçi, ekonomisti Jakub Vrioni, av.Hasan Dosti, av.Xhevdet Mehqemeja, Milto Tutulani. Thuajse të gjithë pjesëmarrësit ne ceremoni, në shenjë respekti të thellë, kanë hequar kapelet nga kokat.

Natyrisht, në veprimtari të tilla, ishte i pranishëm dhe mjaft aktiv edhe fotokronikani i njohur i Beratit, Ilia Xhimitiku. Ai, sipas letrës së z.Leka, fotografonte atë ditë pjesëmarrësit në homazhe nga pika të ndryshme, për t’u përcjellë brezave që do vinin, ceremoninë e veçantë sa më të saktë dhe emocionuese. Historia ka përherë nevojë për foto të tilla dokumentare, të cilat me kalimin e viteve marrin edhe vlera shumë të mëdha historike.

Gjithsesi, nga sa është krehur historia e qytetit të një mbi një dritareve, nderimi për Çerçiz Topullin dhe Muço Qullin përbënte ngjarje madhore shoqërore, në mos më e shquara, me frymë kombëtare të atij viti në Berat, prandaj mendohet se titulli “Berat, 1936” i qëndron fare mirë kësaj fotoje të njohur të Ilia Xhimitikut.

Çerziz Topulli dhe Muço Qulli qëndruan vetëm disa orë në Berat, por ata do mbesin përjetësisht në një vend të nderuar kujtesën historike të qytetit edhe nëpërmjet kësaj fotoje dokumentare të Ilia Xhimitikut të vitit 1936. /KultPlus.com

Dua krenare me rrënjët e saj, publikon hartën e Ilirisë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është shprehur gjithmonë krenare për rrënjët e saj.

Në pak javë, ajo do të vijë sërish në Kosovë, për të shijuar nga afër festivalin “Sunny Hill” të organizuar nga i ati i saj, Dukagjini.

Dua ndërkohë patriotizmin e saj nuk heziton që ta tregojë edhe përmes rrjeteve sociale, ndërsa një gjë të tillë e ka bërë së fundmi.

Ajo ka publikuar një video të shkurtër në InstaStory, ku ka shfaqur hartën e dikurshme të Ilirisë.

Në hartën në fjalë shihej edhe Dardania e dikurshme, ndërsa prejardhja ilire duket të jetë një prej krenarive më të mëdha të artistes shqiptare.

Dua përndryshe u lind në Londër, gjersa për një kohë të gjatë ka jetuar edhe në Prishtinë.

Familja e saj është me prejardhje nga Peja, gjersa talentin për muzikë, Lipa e ka trashëguar nga babai i saj, Dukagjini, i cili gjithashtu ka qenë këngëtar i njohru i muzikës’ rock’. /Telegrafi/ KultPlus.com

Aktori tragjik

Tregim nga: Anton Chekhov
Përktheu: Edizano Gjini

Ishte nata e përfitimeve për Fenogenovin, aktorin tragjik. Ata po aktronin “Princin Serebren”. Tragjediani vet po luante Viazemskin; Limonadov, menaxheri skenës, po luante Morozovin; Zonja Beobahtov, Elenën. Perfomanca ishte sukses madhështor. Tragjediani me të vërtetë arrinte mrekulli. Kur ai po mbante Elenën, e ngriti mbi kokë vetëm me një dorë kur depërtoi përmes skenës. Ai bërtiti, psherëtiu, përplasi këmbët, shqeu pallton në gjoksin e tij. Kur refuzoi të luftonte Morozovin, u dridh ashtu si askush nuk ishte dridhur në realitet më parë, dhe gulçoi zhurmshëm.

Teatri u shkund me duartrokitje. Kishte të thirrura pafund. Fenogenovi u prezantua me një kuti cigaresh të argjendtë dhe një buqetë të lidhur me shirita të gjatë. Zonjat tundnin shamitë e tyre dhe nxisnin burrat që të duartrokisnin. Shumë derdhën lot…

Por, më entuziaste ishte Masha, vajza e Sidoretskit, kapiten i policisë. Ajo ishte e ulur në rreshtin e parë pas babait të saj; ishte e mahnitur dhe nuk mund të shqiste sytë nga skena, madje as ndërmjet akteve. Duart e saj të vogla delikate dhe këmbët po dridheshin, sytë e saj ishin të mbushur me lot, faqet e saj po çeleshin gjithnjë e më shumë. Nuk është çudi – ajo ishte në teatër për herë të parë në jetën e saj.

“Sa bukur aktrojnë! Sa të mrekullueshëm”, i tha babait të saj, kapitenit të policisë, sa herë që ulej perdja. “Sa i mirë është Fenogenov”!

Nëse babai saj do ishte i aftë të lexonte fytyrat, ai do ta kishte lexuar në shprehinë e çelët të vajzës së tij një magjepsje që ishte pothuajse ankth. Ajo ishte ngazëllyer nga aktrimi, nga shfaqja, nga mjedisi. Kur regjimenti bandës fillonte të luante ndërmjet akteve, ajo mbyllte sytë, e lodhur.

“Baba”, i tha ajo kapitenit të policisë, gjatë intervalit të fundit. “Shko pas skenës dhe pyeti të gjithë për darkë, nesër”.

Kapiteni policisë shkoi pas skenës, i lavdëroi të gjithë për aktrimin e mirë dhe komplementoi zonjën Beobahtov.

“Fytyra jote e dashur meriton një pikturë dhe unë vetëm do dëshiroja të tundja furçën”.

Me vështirësi, menjëherë ftoi grupin për darkë.

“Gjithçka përveç seksit të drejtë”, pëshpëriti ai. “Nuk i dua aktoret, pasi kam një vajzë”.

Ditën tjetër aktorët darkuan tek kapiteni policisë. Vetëm tre u shfaqën: menaxheri Limonadov, tragjediani Fenogenov dhe komiku Vodolazov; të tjerët dërguan shfajësime. Darka ishte një punë e mërzitshme. Limonadov vazhdonte t’i tregonte kapitenit të policisë se sa e respektonte dhe se çfarë mendimi të lartë kishte për personat me autoritet; Vodolazov tallej me tregtarët e dehur dhe armenët; e Fenogenov (në pasaportën e tij emri i tij ishte Knish), i gjatë, ukrainas i ashpër, me sy të zi dhe vetull vrenjtur, deklamoi “Tek portat e të lartit” dhe “Të jesh apo të mos jesh”. Limonadov me lot në sy përshkroi intervistën e tij me ish-guvernatorin, gjeneralin Kanitçin. Kapiteni policisë dëgjonte, ishte mërzitur dhe buzëqeshte miqësisht. Ai ishte i kënaqur, megjithëse Limonadov mbante erë pendësh të djegura dhe Fenogenov kishte veshur një kostum me qera dhe këpucë të shkelura në thembër. Ata e kënaqën vajzën e tij dhe e gjallëruan, e kjo ishte e mjaftueshme për të. Masha nuk i hoqi asnjëherë sytë nga aktorët. Ajo asnjëherë më parë nuk kishte shikuar njerëz kaq të zgjuar e të veçantë!

Në mbrëmje, kapiteni policisë dhe Masha ishin sërish tek teatri. Një javë më vonë aktorët darkuan sërish tek kapiteni policisë dhe pas kësaj vinte pothuajse çdo ditë për darkë ose drekë. Masha u bë gjithnjë e më shumë e përkushtuar pas teatrit dhe shkonte atje çdo mbrëmje.

Ajo ra në dashuri me aktorin tragjik. Një mëngjes të këndshëm, kur kapiteni policisë kishte shkuar të takonte peshkopin, Masha u largua me trupën e Limonadovit dhe u martua me heroin e saj gjatë rrugës. Pasi festuan martesën, aktorët kompozuan një letër të gjatë dhe prekëse dhe ia dërguan kapitenit të policisë.

Ishte punë e përpjekjeve të tyre të kombinuara.

“Nxirr në pah motivin, motivin”, vazhdonte të thoshte Limonadov, ndërkohë që i diktonte komikut. “Mbështetu tek respekti… këtyre zyrtarëve u pëlqen. Shto diçka të llojit… për të nxjerrë lot”.

Përgjigja ndaj letrës ishte zhgënjeyese. Kapiteni i policisë e mohoi vajzën e tij meqë u martua me, siç tha, “një budalla, një ukrainas pa shtëpi ose profesion stabil”.

Ditën pasi ishte marrë kjo përgjigje, Masha i shkruante babait të saj.

“Baba, ai më rreh! Na fal”!

Ai e kishte rrahur atë, rrahur pas skenës, në prezencë të Limonadovit, pastrueses dhe dy burrave ndriçues. Ai e mbajti mend se si katër ditë para dasmës, ishte i ulur në tavernën “London” me të gjithë shoqërinë, dhe flisnin për Mashën. Shoqëria po e këshillonte atë “ta provonte” dhe Limonadov, me lotë në sy nxiste: “Do ishte budallallëk dhe irracionale që të lësh një mundësi të tillë që të ikë! Pse, për një shumë të tille dikush do të shkonte në Siberi, lëre pastaj që të martohej! Kur të martohesh dhe të kesh teatrin tënd, më merr në trupën tënde. Atëherë nuk do jem unë mjeshtri, ti do jesh mjeshtri”.

Fenogenovo e mbajti mend dhe mërmëriste me grushta të shtrënguar:

“Nëse ai nuk i dërgon paratë do ta copëtoj fare! Nuk do e lë veten të bëhem për budalla, mallkuar qoftë shpirti im”!

Në një qytet provincial trupa u mundua të largohej nga Masha, por Masha e zbuloi, vrapoi te stacioni dhe arriti atje kur kishte rënë zilja e dyte dhe të gjithë aktorët kishin zënë vendet e tyre.

“Jam trajtuar në mënyrë të turpshme nga babai yt”, tha tragjediani. “Gjithçka ka përfunduar mes nesh”!

Megjithëse karroca ishte plot me njerëz, ajo u ul në gjunjë, zgjati përpara duart e saj, duke ju lutur atij:

“Të dua! Mos më largo Kondrati Ivanoviq. Nuk mund të jetoj pa ty”!

Ata dëgjonin lutjet e saj dhe pasi u konsultuan bashkë, e morën në trupë si “konteshë” – emër që e përdornin për aktoret e ulëta që zakonisht ishin në skenë si pjesë turmash ose pjesë të kota. Për të filluar, Masha luante shërbëtoret dhe fletët, por kur Zonja Beobahtov, lulja e trupës Limonadov u arratis, ata e bënë ingénue (naive). Ajo aktronte keq, ngecte dhe ishte nervoze. Shumë shpejt u mësua me atë, megjithatë filloi të pëlqehej nga audienca. Fenogenovo ishte i pakënaqur.

“Të quash atë një aktore”, thoshte ai. “Ajo nuk ka paraqitje, posturë, asgjë tjetër veç marrëzi”.

Në një qytet provincial, trupa aktroi “Hajdutët” e Schillerit. Fenogenovi luajti Francin, Masha, Amalinë. Tragjediani bërtiste dhe dridhej. Masha përsëriste pjesën e saj si një mësim të mësuar mirë, dhe shfaqja do të anulohej, siç bënin zakonisht nëse nuk do kishte qënë për një ndodhi të prapët. Tragjediani bërtiste, psherëtinte, dridhej dhe shtrëngonte Mashën në përqafimin e tij të hekurt. Masha, në vend që ta largonte atë duke bërtitur “Tutje”, dridhej në krahët e tij si një zog dhe nuk lëvizte… dukej e tmerruar.

“Ki mëshirë për mua!” i pëshpëriti ajo në vesh. “Oh, ki mëshirë për mua! Jam kaq e mjerë”!

“Ti nuk e di pjesën tënde! Dëgjo suflerin!”, psherëtiu tragjediani dhe e futi shpatën në dorën e saj.

Pas performancës, Limonadovi dhe Fenogenovi ishin të ulur tek bileteria të përfshirë në një bashkëbisedim.

“Gruaja jote nuk e mëson pjesën e saj, për këtë ke të drejtë”, thoshte menaxheri.

“Ajo nuk e di rreshtin e saj… Të gjithë kanë rreshtin e tij…por ajo nuk e di të sajin…”!

Fenogenov dëgjonte, psherëtinte dhe ngrysej e ngrysej.

Mëngjesin tjetër, Masha ishte ulur në një dyqan të vogël duke shkruar:

“Baba, ai më rreh! Na fal! Na dërgo disa para”! /KultPlus.com


Përlotet këngëtarja Merita Halili duke rrëfyer për fillimet e jetës në ShBA

Këngëtarja e njohur, Merita Halili, ka qenë e ftuar së fundmi në emisionin “Rreze Dielli”, ku ka folur për jetën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sakrificat që i është dashur që të bëjë për të rritur 3 vajzat e saj.

Duke rrëfyer për ditët e para në Amerikë, këngëtarja e njohur shprehet se ka sakrifikuar shumë si nënë pasi nuk i ka dërguar vajzat në çerdhe dhe kopshte, se donte t’i rriste vetë.

“Unë kam sakrifikuar shumë si nënë, unë jam marrë shumë me vajzat, sepse Raifi në fillimet e para bënte 3 punë sepse unë i kisha të vogla vajzat dhe nuk kisha dëshirë ti çoja nëpër çerdhe, kopshte, e thashë se është më mirë ti rris vetë. Kur kisha aktivitetet i kam lënë me gra shumë të mira që ishin nga Shqipëria. Ka patur edhe momente që i kam marrë me vete, që i kam vendosur pambuk te veshët për shkak të zhurmave. Këto kanë qenë sakrificat e para të miat dhe nuk ka qenë e lehtë, i kam rritur me edukatë”, ka rrëfyer Merita e përlotur.

Por edhe pse ka vite që është larguar Shqipëria, Merita Halili nuk ka hequr dorë nga muzika. Këngëtarja herë pas here jep shfaqje në skenat më prestigjioze në Amerikë, ku njihet dhe vlerësohet muzika e Ballkanit/Panorama.

Ndërkohë që të qëndrojë sa më pranë me fansat e saj shqiptarë, Merita ka vendosur që të hapë një llogari në rrjetin social “Instagram”, ku publikon fotografi të saj dhe të familjes.

Beyonce publikon ‘Spirit’, pjesë e videoklipit edhe vajza e saj (VIDEO)

Mbretëresha e muzikës Beyonce edhe këtë radhë pa paralajmërim, publikoi projektin e ri muzikor të titulluar “Spirit”, shkruan KultPlus.

Në videoklip, Beyonce shfaqet e mrekullueshme si gjithmonë, mirëpo befasia e vërtetë e këtij videoklipi ishte paraqitja e vajzës së saj, Blue Ivy.

Blue Ivy shfaqet në minutën e fundit e veshur si nëna e saj, Beyonce. ‘Spirit’ është pjesë e albumit Lion King. / KultPlus.com

Autobiografia e Maya Angelou, historia prekëse e nënës dhe bijës

Nga Fatmira Nikolli

Mami, unë dhe mami është historia prekëse e një ndarjeje dhe e një bashkimi, si dhe portreti optimist i mëmësisë. Me gjithë traumat e rrëfyera këtu, dashuria e nënës ndaj bijës mund të përmblidhej në një rresht: “Shpirt, e kam menduar gjatë dhe tani jam e sigurt. Ti je gruaja më e shkëlqyer që kam njohur në jetë.” The Indipendent

Të jap fjalën se nuk do të të lë më kurrë. Nëse iki, kur të iki, kudo që të shkoj, do të vish edhe ti me mua, përndryshe nuk kam për të ikur”.

Duke risjellë në kujtesë këtë marrëdhënie të koklavitur, autorja zbërthen për herë të parë rrugëtimin nënë-bijë drejt pajtimit, lidhjes së fortë dhe ndihmës… sipas Booklist, Maya Angelou portretizon gjallërisht një grua me shpirt të fortë. Një kronikë e mrekullueshme dhe thellësisht domethënëse e dhembshurisë dhe e ripërtëritjes.

Një prej librave më të njderë të një prej autoreve më të njohura në botë, vjen në shqip nën siglën e Botimeve Pegi me përkthim të Jerina Dushkut. Dhe flet për dashurinë. Atë lloj dashurie që të shëron dhe të çliron, që të jep forcën dhe kurajon për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura. Në këtë libër autobiografik, autorja e njohur rrëfen marrëdhënien më kuptimplotë të jetës së saj: atë me të ëmën. Për herë të parë, Angelou zbulon vështirësitë dhe gëzimet e të qenit bija e Vivian Baxter-it, një shpirt i paepur në një trup të vogël. Trup imcak, që maskon praninë gjithëpërfshirëse, por të munguar, të nënës gjatë fëmijërisë së shkrimtares. Kur martesa e saj filloi të shkërmoqej, Vivian Baxter-i i dërgoi dy fëmijët (djalin e madh dhe Maya-n trevjeçare) tek e vjehrra, në Arkansas. Ndjenja e braktisjes, pasojë e kësaj ndarjeje të dhimbshme, do ta shoqëronte gjatë Angelou-n. Dhjetë vjet më vonë, bashkimi i tyre do të shënonte pikënisjen e një historie të parrëfyer më parë. Sikur të mos mjaftonte ajo traumë e parë, jeta e saj do të karakterizohej nga një luhatje e atillë fatesh, sa të paktë do të ishin ata që do të kishin arritur të mbijetonin, e akoma më të rrallë ata që do të gjenin suksesin dhe famën ndërkombëtare. Në këtë rrëfim të fundit, të botuar vetëm një vit para se të ndërronte jetë, Angelou na paraqet një ndër marrëdhëniet më të gjalla, shpërblyese dhe të ndërlikuara të jetës së saj. “Mami, unë dhe mami” zbulon shërimin e plotë, të bazuar në dashuri, kohë dhe energji, por që në fund i dha autores forcën dhe kurajën për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura.

“Dashuria të shëron. Të shëron dhe të çliron. Them ‘dashuri’ jo në kuptimin sentimental të fjalës, por për atë gjendje aq të fortë, sa mund të jetë bash ajo që i mban yjet të fiksuar atje lart në qiell dhe e bën gjakun të rrjedhë rregullisht ndër vena”, thotë autorja në libër.

AUTORJA

Maya Angelou (lindur Marguerite Annie Johnson, 4 prill 1928 – 28 maj 2014), ishte poete, këngëtare, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Me më shumë se 50 vjet veprimtari krijuese mbi shpinë, ajo është autore e shtatë librave autobiografikë, tri përmbledhjeve me ese, disa përmbledhjeve me poezi dhe e një sërë veprash teatrale, filmash dhe programesh televizive. Ka marrë dhjetëra çmime e mbi 50 diploma honoris causa. Ajo njihet kryesisht për shtatë autobiografitë, të cilat rrëfejnë fëmijërinë dhe adoleshencën e saj. Romani i parë, ‘I know why the caged bird sings’ (1969), është ndoshta ai që i dha edhe famë ndërkombëtare; ky libër do të vijë së shpejti në shqip nga ‘Botimet Pegi’. Me botimin e kësaj autobiografie, Angelou shfaqi publikisht një sërë aspektesh tejet personale të jetës së saj. Me kalimin e kohës, ajo u bë zëdhënëse e njerëzve me ngjyrë dhe e grave në ShBA. Ndonëse janë bërë përpjekje të herëpashershme për të bllokuar qarkullimin e librave të saj në librari dhe biblioteka, veprat e saj studiohen gjerësisht në shkolla dhe në universitete, në të gjithë botën. Në lidhje me kategorizimin e prozës së saj, kritikët letrarë kanë mendime të ndryshme; disa e quajnë autobiografi të mirëfilltë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë krijimtari letrare, që ka marrë shkas nga jeta e saj personale. Në fakt, veprat e saj duket se përfaqësojnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të sfiduar strukturën e zakonshme të autobiografive, duke e kritikuar, ndryshuar dhe zgjeruar këtë zhanër. /KultPlus.com

Kushtrim Hoxha nderohet nga ‘PriFest’ me çmimin e përvitshëm për arritje në kinematografi

Festivali më i rëndësishëm i filmit në Kosovë ‘PriFest’, mbrëmë nisi rrugëtimin e tij një javorë ku pritet të shpalosën plot 70 filma, shkruan KultPlus.

Për të njëmbëdhjetin vit me radhë, ky festival ka sjell premiera të filmave si dhe emra të njohur të kinematografisë botërore në Kosovë.

Në hapjen e këtij festivali në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës e cila ishte mbushur plot dashamirë të filmit u tha që kjo jave do të jetë javë e shoqërisë, shoqërimit dhe e bashkëpunimit.

Mysafir special i kësaj hapje ishte aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili kishte qenë një ndër vullnetmirët e festivalit që në fillimet e tij dhe më pas kishte shkuar në Amerikë ku ka ndërtuar  një karrierë të suksesshme duke qenë kështu pjesë e serialeve të njohura.

Në PriFest çdo vit, natën e fundit të festivalit ndahen edhe çmimet, por kësaj radhe agjenda ishte ndryshuar paksa. Aktorit Kushtrim Hoxha mbrëmë iu bë një surprizë shumë e këndshme meqë ai sot udhëton për në Amerikë. Gjatë mbrëmjes hapëse atij ju nda Çmimi i përvitshëm për arritje për një artist nga Kosova.

I lumtur për këtë fakt, Hoxha u ngjit në skenë për të marrë çmimin ku edhe u shpreh i nderuar për këtë vlerësim.

‘Jam i lumtur që kam nisë në këtë festival si vullnetar para shumë vitesh ndërsa tani po kthehem në këtë festival që është bërë i suksesshëm dhe tradicional. Ndihem i nderuar me çmimin’, u shpreh Hoxha gjatë pranimit të çmimit.

Mbrëmë, në natën e parë të Festivalit u dha premiera kombëtare e filmit ‘Fusha e Mëllenjave’ e Arzana Kraja.

Ketë edicion do të shfaqen 70 filma në katër lokacione në Prishtinë me 5 kategori garuese si dhe me 8 juri ndërkombëtare dhe kombëtare. Po ashtu do të jenë disa ekspertë të cilët do të vlerësojnë filmat kosovarë dhe kështu do ta kenë mundësinë që të tejkalojnë qarqet e kufijve. /KultPlus.com

Veseli: Buxhovi, një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për vrasjet e pasluftës

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e Jusuf Buxhovit, njërit prej themeluesve të LDK-së, e dhënë në Rubikon të KTV-së, ka ngjallur reagime të shumta.

Së fundmi ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se “personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe”, duke iu referuar Buxhovit, “është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, para disa ditësh, historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë, tha ai, ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të LDK-së. Çfarë po bëjnë institucionet për të ndriçuar këto vrasje? Është një problem shqetësues në Kosovë.

Veseli: Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës …

Zëri i Amerikës: Ai ka thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…

Veseli: …pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, nga personi. Për të folur në këtë pjesën, në shtet ligjor. I pamëshirshëm do të jem ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime, qoftë gjatë lufte, qoftë pas lufte. Por në të njëjtën kohë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje ato kur të dojë.

‘Game of Thrones’ i nominuar për 32 kategori të ndryshme në Emmy Award

Sezoni i fundit i serialit më të famshëm në botë “Game of Thrones” ka pranuar kritika të ndryshme, disa prej tyre jo edhe aq të mira, mirëpo televizioni amerikan e ka vendosur në top listën e serialeve më të mirë edhe këtë vit.

Kjo nuk është hera e parë që “Game of Thrones” i dominon çmimet Emmy. Vitin e kaluar GOT ishte nominuar 22 herë për kategori të ndryshme, 9 prej të cilave i fitoi, përfshirë këtu edhe çmimin për dramën më të mirë.  /KultPlus.com

Hapet panairi i librit “Prizreni 2019”

Sonte hapet edicioni i 11-të i panairit të librit “Prizreni 2019”.

Në këtë edicion marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia dhe Turqia.

Mbrëmjeve do të ketë programe letrare në ambient të hapur në qendër të qytetit ku do të ftohen autorë të ndryshëm.

Panairi i librit “Prizreni 2019” hapet sonte zyrtarisht prej orës 20:30 dhe do të qëndrojë i hapur deri të dielën. / KultPlus.com

Kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?

Ndue Ukaj 

Ne një vend normal, sa herë që bëhen debate të ndjeshme, që lidhen me arsimin, universitetin, institucionet e dijes, kulturën, librin e fushat e tjera esenciale, ministrat dhe kryeministrat, zakonisht pëlqejnë të heshtin, shfaqen në publik të përmbajtur dhe këto çështje ua lënë në duar profesionistëve. Por te ne ndodh krejt e kundërta.

Ministra dhe kryeministra çohen peshë dhe nuk lënë gjë pa komentuar, ndonëse kapacitetet e tyre në këto fusha janë të mjera. Kjo mund të jetë edhe pasojë e profesionistëve gjysmakë që kanë vërshuar në jetën publike, si dhe shprishjes së rendit të vlerave në shoqërinë tonë.

Sidoqoftë, problemi i edukimit është shumë më i thellë dhe shumë më esencial sesa që duket.

E pyetja e pashmangshme që shtrohet është: Kujt i shërben një shoqëri me edukim gjysmak?

Dhe përgjigjja është e qartë: një elite politike gjysmake, të shkretë në punët e dijes dhe të kulturës, me plot hendeqe, i duhet një shoqëri me edukim gjysmak, ndaj edhe bën çmos që ta mbajë universitetin dhe dijen nën kthetra politike.

Vendimi për mbylljen e tri universiteteve, ndonëse është i një rëndësie të posaçme dhe prioritare, përshkohet nga turfullima dhe gulçima publike. Pa dashur të gjykoj rreth vendimit, për mua të habitshme janë reagimet. Në këtë aspekt, ajo që më bëri përshtypje më shumë se turfullimat e tjera, ishte një deklaratë çoroditëse e kryeministrit rreth vendimit për t’i mbyllur tre universitete, një deklaratë që do të duhej ta shtangte çdo njeri normal. Sepse, ajo deklaratë tregon qartë sa të ndërlikuara janë problemet e shoqërisë sonë dhe sa pak vullnet ka për t’i rregulluar ato.

Dihet, asnjë shoqëri deri me sot nuk është zhvilluar pa arsimim, pa libra dhe pa edukim të njëmend. Te kjo forcë emancipuese janë shpresat e fundit – krejt të fundit – prej ku mund të pritet, një ditë, mëkëmbje shpirtërore dhe ekonomike e Kosovës së dërrmuar ndaj, të mbash shkolla dosido, më shumë i bën dëm sesa dobi shoqërisë.

Duke i futur duart kaq thellë në universitet, duke kontrolluar çdo gjë, duke punësuar gra e burra, militantë, vëllezër e motra dhe çka jo tjetër, universitet tona janë kthyer, siç thotë një mik imi, në ente sociale, të ngjashme me entet sociale që trajtojnë papunësinë në Perëndim.

Përgjatë këtyre dy dekadave prej kur jemi të lirë, para syve tanë janë shfaqur gjithfarë anomalish dhe marrish të pashembullta që brumin e kanë pasur tek universiteti. Dhe universitetet, në vend se të prodhojnë lajme të mira dritëdhënëse, kanë prodhuar tensione dhe lajme të këqija. Dhe kjo ka bërë që dija të deinstitucionalizohet dhe padija të institucionalizohet. Sepse, universiteti, si koncept, ka humbur forcën morale për të çuar përpara kauza diturore, të emancipimit dhe kulturimit. Përkundrazi, universitet tona janë kthyer në çerdhe militantësh e të paditurish, ku është certifikuar dhe vazhdon të certifikohet mediokriteti, me letra të quajtura diploma e tituj të pafund.

Aspak më mirë nuk është gjendja në shkollat private, të cilat, ashtu sikurse të gjitha universitetet që janë mbjellë nga politika dhe për interesa politike, duhet të mbyllen. Atyre ndonjëherë mjafton t’ua lexosh shpalljet me plot gabime logjike dhe drejtshkrimore për t’i kuptuar krejt të metat e tjera.

Derisa po lexoja nëpër botën e hallakatur të internetit për çështjen e mbylljes së universiteteve, m’u kujtua shkrimtari meksikan David Toscana që shkruan për edukimin gjysmak dhe rrezikun që i vjen një shoqërie nga fenomeni i tillë, sidomos kur shkollat kthehen në fabrika që prodhojnë punëtorë. Ai më tej shton: “Ne e dimë se librat u japin njerëzve ambicie, shpresa dhe dinjitet”.

Natyrisht, një qeveri që udhëheq me koncepte primitive, ku vlerat janë të shpërfytyruara, nuk mund të ndihet komode në një vend ku njerëzit kanë ambicie, shpresa dhe dinjitet, dhe ku leximi është kryetema e shoqërisë, ndaj pushtetarët tentojnë t’i kontrollojnë këto fusha me rëndësi vitale për shoqërinë. Në këtë mënyrë ata konsolidojnë pushtetin e tyre dhe tek universiteti shohin zgjatimin e jetës së tyre.

Ata që e kanë lexuar “Don Kishotin” e Servantesit, këtë vepër kapitale të njerëzimit, e dinë mirë se heroi i kësaj vepre besonte se po ndreqte prapështitë e botës, duke luftuar me mullinjtë e erës. Fan Noli thoshte se librat Don Kishotit ia kishin shtrembëruar mendjen.

Pa dyshim, shkollat e këqija njerëzve ua shtrembërojnë mendjen. Sepse, dihet, një shkollë e keqe i deformon njerëzit dhe ne kemi plot shkolla të këqija.

Lidhur me këtë temë, ja çfarë shkruante Atë Paulin Margjokaj në librin “Kush janë anmiqtë e Shqipnisë”: “…A krijoi shteti shqiptar shkolla qi me e prue lumninë Shqiptarëvet? Njerëzve të shtetit tonë nuk u ra kurrkund nder mend se perparimin nuk mund e japë nji shkollë çfaretdo: ka shkolla qi bijnë shkatërrim e qi bijnë ma fort dam se dobi. Shteti shqiptar nuk çeli shkollat qi do të kishin mujtë me i pru lumninë popullit e qi përkojshin me gjendjen e vendit”.

Ne tanimë e kemi provuar se shkollat, dosido, më shumë bëjnë shkatërrim sesa dobi.

Ndaj, nëse duam të jemi të sinqertë me vetveten, sidomos me breznitë që do të vijnë, e të cilat do të na gjykojnë, duhet ta pohojmë me zë të lartë se universitetet e hapura pas luftës në Kosovë nuk janë hapur për qëllime diturore e as pse ka pasur nevojë për to. Ato janë hapur për interesa krejtësisht politike, për të rehatuar militantë e servilë të partive dhe, si të tilla, duhet të mbyllen.

Dhe kjo duhet të bëhet për një qëllim të lartë, sublim: të mos ua shtrembërojmë mendjen të rinjve tanë dhe të mos krijojmë mediokritet me diploma. Sepse, askush më lehtë se shkollat dhe universitet e këqija nuk mund ta betonojnë të keqen në një shoqëri.

Sot për sot, fuqitë tona diturore, krijuese, shkencore dhe edukuese janë të pakta dhe kjo gjë nuk mund të fshihet për aq sa nuk mund të fshihet dielli me shoshë.

Duke humbur betejën për arsim cilësor, dije e librin, ne kemi humbur forcën kryesore drejtpeshuese në shoqëri, pa të cilën shoqëria mbetet më pak humane dhe lehtësisht bëhet instrument i politikës.

Prandaj, sot për sot, shërbim më të mirë vendit tonë mund t’ia sjellim duke e kthyer arsimin në binarë normalë. Në këtë drejtim, për mua, më shumë ka vlerë taksa ndaj injorancës sesa ndaj Serbisë. Sepse, duke fituar betejën me injorancën dhe edukimin gjysmak, ne i garantojmë Kosovës prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Frymëzuese e krimeve në Kosovë, RTSH trasnsmeton këngët e këngëtares serbe Ceca

Autoriteti i Media Audiovizive (AMA), i ka tërhequr vërejtje Radio Televizionit Publik Shqiptar, për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe, Ceca.

Sipas AMA-s, këngëtarja Serbe i është bashkuar disa herë, publikisht, zërave antishqiptarë për Kosovë, ndërsa shton se në këngët e deklaratat e saj të hershme, Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnje dhe në Kosovë.

Ama thekson se programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën.

“Ditën e shtunë në kanalin RTSH 2 gjatë orarit të transmetimit me muzikë në gjuhën e pakicave u transmetuan këngë të këngëtares serbe Ceca, e cila i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Kosovën.

Autoritetit të Medias Audiovizive i janë drejtuar një sërë ankesash lidhur me këtë transmetim, dhe pas vlerësimit të rastit RTSH-së i është tërhequr vëmendja për evitimin e rasteve të tilla që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik.

Në këngët e deklaratat e saj të hershme Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnje dhe në Kosovë, ka qenë suport për veprimet çnjerëzor të ish bashkëshortit të saj, kriminelit të luftës, Arkanit, dhe grupeve miliatare e paramilitare serbe që ka udhëhequr.

Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Për AMA, programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën”, thuhet në reagimin e AMA-s.

Në Gjirokastër mbahet festivali ‘Brumi i Jetës’

Sezona e verës sjellë edhe festivale të ndryshme, por në qytetin e Gjirokastrës, është mbajtur një festival më i veçantë.

“Brumi i Jetës” është festivali që ka mbledhur grupe të ndryshme nga qytetet e Shqipërisë, të cilët përveç gatimeve, kanë sjellur edhe këngë e valle.

Në Gjirokastër po mbahet ky festival që sjellë ritet dhe motivet nga Veriu në Jug. “Brumi i Jetës” ka mbledhur artistë popullorë që kanë prezantuar traditat e vendeve nga vinë.

Në video-storien nga VOA, mund të ndiqini disa pjesë gjatë këtij festivali.

Për një javë Prishtina do të shndërrohet në një qytet filmi

PriFest është një ndër festivalet më të rëndësishëm të filmit në Kosovë, i cili për njëmbëdhjetë vjet me radhë ka sjellur premiera të filmave si dhe emra të njohur të kinematografisë botërore, shkruan KultPlus.

Ketë edicion do të shfaqen 70 filma në katër lokacione në Prishtinë me 5 kategori garuese si dhe me 8 juri ndërkombëtare dhe kombëtare. Po ashtu do të jenë disa ekspertë të cilët do të vlersojnë filmat kosovarë dhe kështu do ta kenë mundësinë që të tejkalojnë qarqet e kufijve.

Sot është bërë hapja e festivalit, salla e Teatrit Kombëtar ishte e mbushur plotë si kurrë më parë. Udhëheqjen e hapjes e bëri aktorja nga Shqipëria Jonida Vokshi si dhe aktori nga Kosovar Eshref Durmishi, të cilët bënë një lojë atraktive skenike midis moderimit dhe aktrimit.

Drejtoresha e këtij festivali zonja Vjosa Berisha u shpreh shumë e kënaqur dhe mjaft falënderuese për të gjithë ata që ishin present dhe të gjithë ata që e përkrahen PriFestin.

 ‘Mirëse keni ardhë, jam shumë e lumtur që të shoh kaq shumë dashamirë të artit që në ditën e parë të Festivalit. Kosova ka pasur vetëm një kinema, ndërsa tash ne jemi të gatshëm të sjellim 70 filma dhe t’i shfaqim ato brenda një jave. Tani kemi më shumë kinema dhe jemi krenar për ketë. Kjo jave do të jetë javë e shoqërisë, shoqërimit dhe te bashkëpunimit’, u shpreh Berisha.

I pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili përshendeti realizuesit e festivalit dhe të gjithë artistët.

 ‘Si kryeministër i Republikës së Kosovës jam shumë i lumtur që jam këtu dhe jam i lumtur për t’i mbështetur njerëzit që kanë punuar shumë për ketë event dhe të gjithë komunitetin e kinematografisë. Jam i lumtur aq sa jeni ju artistët. ‘Fusha e mëllenjave’, filmi që do të shfaqet sonte paraqet jetën e vështirë që kemi pasur ne kosovarët dhe më të vërtetë kënaqësia që përjetojmë tani është reale’, tha Kryeministri Haradinaj.

Mbështetësi kryesor i PriFestit që nga fillimet e fesitvalit është Raiffeisen Bank ku shefi ekzekutiv i kësaj banke, zotëri Robert Ëright premtoi se do të vazhdoj ta mbështesë edhe në vazdhen e tij.

 ‘Jam i lumtur që për njëmbëdhjetë vjet me radhë e mbështesë ketë festival, i cili është I përmasave botërore dhe ka fituar famë botërore. Jam shumë krenar për suksesin që ka pasur dhe do të vazhdoj ta mbështesë për shumë vjet me radhë’, u shprej Robert Ëright në fjalimin e tij të hapjes.

Mysafir special i kësaj hapje ishte aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili kishte qenë një ndër vullnetmirët e festivalit që në fillimet e tij dhe më pas kishte shkuar në Amerikë. Atje luan në seriale të njohura ku ka prezantuar Kosovën në mënyren më të mirë të mundshme.

 ‘Është kënaqësi që jam sonte këtu edhe pse kam qëlluar krejt rastësisht meqe edhe sonte jam këtu. Kur kemi filluar me Vjosen ketë festival, kam qenë si lloj vullnetari dhe e kam dit që ky festival do të arrijë shumë lartë. Jam i lumtur që ky festival sot shënon 11 vjetorin’, theksoi Hoxha.

Në natën e parë të Festivalit do të jepet premiera kombëtare e filmit ‘Fusha e Mëllenjave’ e Arzana Kraja./KultPlus.com

‘Është më mirë të jesh i heshtur dhe të mendojnë se je budalla, se sa të flasësh dhe ti largosh të gjitha dyshimet’

– André Gide

“Njeriu nuk mund t’i zbulojë oqeanet e reja, nëse ka frika ta humb pamjen e bregut.”

“Besoju atyre që janë duke e kërkuar të vërtetën. Dysho tek ata që e kanë gjetur atë.”

“Ai që e dëshiron trëndafilin, duhet t’i respektoj edhe gjembat e tij.”

“Guxo të jesh vetja.”

“Është më mirë të jesh i heshtur dhe të mendojnë se je budalla, se sa të flasësh dhe ti largosh të gjitha dyshimet.”

“Zotërimi i vërtetë vërtetohet duke dhënë. Juve ju zotëron ajo që nuk jeni në gjendje ta jepni.”

Lasgush Poradeci: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën

Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.

Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:

Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com

Eksplorimi i shoqërisë përmes artit

Sot, në kuadër të Festivalit HAPU, u mbajt “Arti i fshehur” ku si protagoniste kryesore kishte artisten Fitore Alisdottir Berisha, shkruan KultPlus.

“Arti i fshehur” u zhvillua përmes një loje, ku pjesëmarrësit ishin të të gjitha moshave por kryesisht dominohej nga fëmijet.

Me udhëheqje të vetë artistes, ata me një hartë të prezantuar në fillim të lojës, duhej të gjenin pikturat e fshehura nga artistja. Rregullat ishin të thjeshta, ai që gjente pikturën fitonte një medalion dhe ai që mbledhte më shumë medaliona shpallej fituesi i kësaj gare.

 Fituesit e tre vendeve të parë shpërbleheshin me njërën prej punimeve artistike të piktores Fitore Berisha. Loja u zhvillua në një mënyrë mjaft atraktive për pjesëmarrësit pasi që pikturat ishin të fshehura në vende aspak të zakonshme, mirëpo mesa dukej për fëmijët pjesëmarrës nuk ishte aspak e vështirë gjetja e tyre.

 Fitore Berisha është një artiste, pikturat e të cilës kryesisht bartin një frymë abstrakte./KultPlus.com