Shënime nga biseda sekrete e Stalinit me Enver Hoxhën

Çfarë interesimi shprehte Stalini mbi situatën në Shqipëri dhe si i interpretonte tendencat jugosllave? Kush mori pjesë në bisedime dhe çfarë tha Enver Hoxha? Pse Enver Hoxha i ankohej Stalinit për presionin jugosllav? Punimin nga dokumentet arkivore të historianit Agim Zogaj.

Moskë, 23 mars 1949, ora 22:00.

SEKRET

pranishëm:

Nga pala sovjetike: A. J. Vishinskij, i dërguari i BRSS në Shqipëri, D. S. Çuvakin dhe V.I. Erofejev (përkthyes);

Nga pala shqiptare: Spiro Koleka, kryetarii Komisionit të Planit të Shtetit të Shqipërisë Spiro dhe i dërguari shqiptar në BRSS M. Prifti

Pas këmbimit të përshëndetjeve të ndërsjella, shoku Stalin pyet nëse delegacioni shqiptar arriti mirë në Moskë. Hoxha thotë se delegacioni shqiptar mbërriti shumë mirë, duke shtuar se është ngarkuar, para së gjithash, që t’i transmetojë shokut Stalin, në emër të partisë dhe të popullit të Shqipërisë, ndjenjat më të thella të dashurisë dhe të mirënjohjes për gjithçka që është bërë dhe po bëhet për Shqipërinë.

Shoku Stalin e falënderon Hoxhën dhe pyet nëse ka realizuar në Shqipëri çdo gjë që është premtuar. Hoxha përgjigjet me pohim.

INTRIGAT BRENDA PARTISË SHQIPTARE!

Shoku Stalin pyet se çfarë ka për të thënë Hoxha. Hoxha përgjigjet se ai, para së gjithash, do të dëshironte të bëjë një panoramë të gjendjes së krijuar në vend e në parti, pastaj të kalojë në parashtrimin e disa kërkesave të karakterit ekonomik, si dhe të flasë për ushtrinë shqiptare dhe për nevojat e saj. Përveç kësaj, ai do të donte të shtronte disa pyetje, për të cilat shokët shqiptarë do të dëshironin të merrnin sqarime nga shoku Stalin. Në përfundim, Hoxha do të donte të paraqiste shkurtimisht gjendjen në kufijtë e Shqipërisë.

Shoku Stalin thotë se Hoxha mund të shtrojë çfarëdo pyetje, pa kufizim.

Hoxha thotë se letrat e partisë bolshevike, drejtuar KQ të Partisë Komuniste Jugosllave dhe Rezoluta e Byrosë Informative e shpëtuan Shqipërinë nga katastrofa e pashmangshme. Shoku Stalin pyet se a mund të ndodhte kjo katastrofë. Hoxha përgjigjet se nacionalistët jugosllavë ndiqnin qëllime të caktuara, që drejtoheshin kundër BRSS-së, kundër kampit demokratik antiimperialist, kundër vetë Shqipërisë.

Shoku Stalin shton: “Edhe kundër myslimanëve”. Hoxha bie dakord me këtë.

Hoxha deklaron se nacionalistët jugosllavë, të grupit të Titos, e kanë zhvilluar veprimtarinë e vet minuese në Shqipëri që nga çasti i çlirimit të vendit.

Komunistët shqiptarë nuk mund të mos shihnin se marrëdhëniet ekonomike dhe marrëdhëniet tjera midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë zhvilloheshin në mënyrë të pakënaqshme. Mirëpo, vigjilenca revolucionare e partisë shqiptare ishte jo sa duhet e mprehtë. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi të, mbi Enver Hoxhën. Njëfarë roli luajti edhe fakti që shqiptarët ishin mësuar që në kohën e luftës t’u besonin marrëdhënieve miqësore të jugosllavëve. Të gjitha këto, të marra së bashku, bënë që udhëheqësit shqiptarë nuk vunë re që, siç thotë populli, se peshku ishte qelbur nga koka. Trockistët jugosllavë merreshin me gjithfarë intrigash brenda partisë shqiptare, duke u përpjekur që ta përçanin atë.

JUGOSLLAVËT SYNONIN PËRMBYSJEN E RENDIT NË SHQIPËRI!

Në këtë veprimtari minuese ata mbështeteshin në përkrahjen e partizanëve të tyre, të përfaqësuar nga Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj.

Shoku Stalin pyet nëse personat e përmendur janë sllavë. Hoxha përgjigjet pozitivisht, duke thënë se Koçi Xoxe është nga Maqedonia, kurse Pandi Kristo nga Korça. Shoku Stalin pyet se çfarë feje kanë këta njerëz. Hoxha përgjigjet se këta janë ortodoksë.

Hoxha deklaron se letrat e KQ të PK (b) të BS-së, demaskuan qëndrimin armiqësor të trockistëve jugosllavë. Sikur të mos ishin këto letra, komunistët e ndershëm shqiptarë do të duhej, herët apo vonë, të dilnin përsëri maleve për të bërë një luftë të re. Duke analizuar punën e saj, partia shqiptare erdhi në përfundimin se gjithçka që thuhet në letrat e KQ të PK (b) të BS-së i takon plotësisht edhe asaj, me përjashtim vetëm të faktit se komunistët shqiptarë kurrë nuk i kanë humbur ndjenjat e dashurisë dhe të besnikërisë ndaj popullit sovjetik, ndaj partisë bolshevike dhe ndaj shokut Stalin.

Shoku Stalin thotë se në këto letra nuk janë ndriçuar të gjitha çështjet, sepse ne në atë kohë nuk i dinim të gjitha. Ne më vonë morëm vesh, për shembull, se kur jugosllavët donin ta dërgonin në Shqipëri një divizion të tyre, ata kishin jo atë qëllim për të cilin flisnin, jo qëllimin e mbrotjes së Shqipërisë nga një agresion grek, por një tjetër qëllim: të përmbysnin rendin që ekziston në Shqipëri. Këtë ne e morëm vesh pastaj. Shoku Stalin thotë se jo vetëm shqptarët nuk qenë mjaft vigjilentë, por edhe ne nuk kuptonim gjithçka.

PSE STALINI INTERESOHEJ PËR PËRBËRJEN ETNIKE NË SHQIPËRI?

Hoxha thotë se shqiptarët kanë qenë në lidhje të ngushta me jugosllavët dhe ishin ata që duhej të kuptonin të parët qëndrimin e jugosllavëve. Hoxha shton se kur mori vesh për planet e jugosllavëve për të dërguar në Shqipëri divizionin e tyre, mendoi se këtë çështje jugosllavët e kishin koordinuar me qeverinë sovjetike.

Shoku Stalin përgjigjet se jugosllavët përgatiteshin ta dërgonin divizionin e vet fshehtas nga ne, por ka shumë të ngjarë që ata t’u kenë dhënë të kuptojnë shqiptarëve që kjo është bërë me pëlqimin e BRSS-së. Ne morëm vesh për planin jugosllav vetëm rastësisht nga njoftimi i Hoxhës. Kur ne i shamë jugosllavët, ata kërkuan ndjesë dhe thanë se ky qe një gabim.

Shoku Stalin pyet se çfarë përqindje zënë në përbërjen kombëtare të Shqipërisë joshqiptarët. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri jetojnë grekët dhe hebrej, por ata janë të pakët. Përveç kësaj, në Shqipëri ka rreth 6-7 mijë maqedonas. Ata banojnë në kufirin më jugor të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet se a ka shumë shqiptarë në Maqedoni. Hoxha përgjigjet se në Jugosllavi jetojnë afro 1 milion shqiptarë. Shoku Stalin pyet se çfarë shqiptarësh janë këta, nga pikëpamja e fesë. Hoxha përgjigjet se këta në tërësi janë myslimanë dhe pjesërisht katolikë në rrethet veriore të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet se a ka në Shqipëri shumë ortodoksë. Hoxha përgjigjet se ortodoksët në Shqipëri zënë 30-35 për qind të popullatës, kurse katolikët 10-15 për qind. Katolikët në përgjithësi jetojnë në veri të vendit, ortodoksët në rrethet qendrore dhe pjesërisht në ato jugore, kurse myslimanët kryesisht në jug. Shoku Stalin pyet se ç’gjuhë flasin ortodoksët dhe katolikët në Shqipëri. Hoxha përgjigjet se të gjithë ata flasin gjuhën shqipe.

KRITIKA KUNDËR ELEMENTËVE PRO-JUGOSLLAVË!

Hoxha deklaron se pas letrave të partisë bolshevike dhe rezolutës së Informbyrosë, komunistët shqiptarë kanë marrë masa të vendosura kundër nacionalizmit jugosllav, si brenda partisë, ashtu edhe në fushën e jetës ekonomike. Ishte e vështirë të bëhej menjëherë një analizë e plotë e punëve në parti e në vend. Kjo shpjegohej me faktin që njëri nga partizanët kryesorë të trockistëve jugosllavë, Koçi Xoxe, bëri një qëndresë të madhe dhe fshehu shumë gjëra nga partia. Duhej një kohë e konsiderueshme për të sqaruar se çfarë punë të madhe për sabotimin e ekonomisë popullore të vendit dhe çfarë veprimtarie minuese brenda partisë kishin bërë trockistët juosllavë dhe sahanlëpirësit e tyre në Shqipëri. Vendi erdhi në kongresin e partisë duke pasur tashti një ide për veprimtarinë e trockistëve jugosllavë në Shqipëri dhe intrigat e tyre brenda aprtisë. Në parti qenë bërë shumë gabime serioze.

Demokracia e brendshme në parti pothuajse nuk ekzistonte. Struktura organizative e partisë, e kopjuar tërësisht nga jugosllavët, ishte difektoze. Partia ndodhej nën kontrollin e plotë të organeve të sigurimit të shtetit. Ligjet dhe dispozitat për problemet ekonomike në vend nuk zbatoheshin. Reagimi në Shqipëri lidhur me tradhtinë e klikës së Titos ishte shumë i madh. Lufta kundër trockistëve jugosllavë dhe përkrahësve të tyre doli jashtë kuadrit të partisë dhe i gjithë populli në këtë luftë u bashkua rreth partisë. Hoxha thekson se ndjenjat e popullit shqiptar ndaj popullit jugosllav nga gjithë këto nuk u dobësuan. Por, për këtë u kujdes partia. Kongresi i partisë tregoi se në luftën kundër trockistëve jugosllavë partia u shërua dhe u bë edhe më e fortë. Kongresi tregoi gjithashtu se partia, ndonëse e re, disponon forca të mëdha dhe energji në luftën për vijë të drejtë. Kritika e ashpër kundër veprimtarisë së elementëve pro-jugosllavë u bë para syve të të gjithë popullit shqiptar. U njohën gabimet e bëra nga partia dhe u treguan rrugët për kapërcimin e tyre.

RASTI I KOÇI XOXES DHE KRISTO THEMELKOS!

Partia nuk përdori masa represive në shkallë të gjerë dhe veproi në këtë drejtim me kujdes të madh, duke u nisur nga fakti që shumë shokë, duke ecur në rrugë të shtrëmbër, besonin se vija e sugjeruar nga jugosllavët ishte e drejtë. Prandaj, shokëve që i njohën dhe i kritikuan gabimet e veta, iu dha mundësia të ndreqen. U arrestuan vetëm Koçi Xoxe, Pandi Kristo dhe tre të tjerë. Kristo Themelkua, njëri nga njerëzit më përgjegjës për zbatimin e vijës së dëmshme jugosllave dhe që me se një herë ka shprehur qëndrim jodashamirës kundrejt BRSS-së dhe shokëve sovjetikë që punonin në Shqipëri, nuk u arrestua. Kristo Themelkua paraqiti në mbledhjen e Byrosë të gjitha faktet që kishin të bënin me veprimtarinë e tij dhe ai bëri një autokritikë të ashpër lidhur me qëndrimin e vet. Autokritika u vlerësua si mjaft e ndershme dhe objektive.

Shoku Stalin pyet se çfarë posti zinte Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ka qenë gjeneral dhe zinte postin e drejtorit politik të ushtrisë. Shoku Stalin pyet se ku ndodhet dhe me se merret tashti Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ndodhet në Tiranë, se është mënjanuar nga punët dhe se në këtë çast nuk merret me asgjë. Shoku Stalin pyet se çfarë kombësie ka Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua është sllav. Hoxha shton se në kohën e vet Qeveria shqiptare i është drejtuar Qeverisë sovjetike me kërkesën që të lejojë Kristo Themelkon të vijë në Moskë për studime në akademinë ushtarake “Lenin”. Shoku Stalin pyet se a morën përgjigje shqiptarët lidhur me këtë kërkesë. Hoxha thotë se në fillim përgjigjja ishte pozitive, por pastaj çështja ngeci. Shoku Stalin pyet: a nuk duan shqiptarët, me dërgimin e Kristo Themelkos në Moskë, që ta heqin qafe atë? Hoxha përgjigjet se ata do të donin ta dërgonin Kristo Themelkon për studime në BRSS, me shpresë se ai do të mund ta rehabilitojë veten.

ZGJEDHJET NË ORGANIZATAT – BAZË TË PARTISË!

Hoxha thotë se partia vazhdon të shpresojë se Kristo Themelkua do të mund të përmirësohet, porse besim të plotë politik tek ai nuk mund të ketë. Shoku Stalin thotë se Kristo Themelkua tashti nuk u duhet shqiptarëve. Hoxha përgjigjet pozitivisht. Shoku Stalin deklaron se Kristo Themelkua nuk u nevojitet shqiptarëve, por ai as neve nuk na nevojitet. Shoku Stalin pyet: Mos, vallë, shqiptarët duan ta dërgojnë Kristo Themelkon në BRSS për konsiderata të sigurisë së vet? Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua gjithmonë ka dashur të shkojë për studime në Akademinë Ushtarake të BRSS. Shoku Stalin deklaron që nëse shqiptarët dëshirojnë, ne do ta pranojmë Kristo Themelkon në BRSS.

Hoxha thotë se pas kongresit u morën masa për pastrimin e partisë. Një grup shokësh, që e patën kompromentuar veten me lidhjet me trockistët jugosllavë, u hoqën nga postet drejtuese në parti dhe në ushtri. U morën masa për forcimin e demokracisë së brendshme të partisë, u anuluan të gjitha dispozitat dhe udhëzimet e bëra nën influencën e jugosllavëve etj. Në kongres u zgjodh një KQ, në përbërje të të cilit u futën shokë të rinj, shokë besnikë. Përveç kësaj, u morën masa lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në të cilën qenë lejuar shtrembërime e padrejtësi e qenë bërë shumë punë të fëlliqura. Në këtë ministri tashti janë futur forca të freskëta. Tashti po zhvillohen zgjedhjet në organizatat – bazë të partisë në qytete dhe në gjithë vendin, si edhe në komitetet e partisë të rretheve. Si rezultat i këtyre zgjedhjeve, në drejtimin e organizatave – bazë të partisë vijnë shokë të sprovuar dhe besnikë. Në ndreqjen e gabimeve të lejuara në ekonominë e vendit, një ndihmë shumë të mirë dhanë shokët sovjetikë që punojnë në Shqipëri.

KRIZA NË EKONOMINË SHQIPTARE!

Hoxha vë në dukje se ngjarjet që ndodhën patën edhe një ndikim negativ në gjendjen brenda partisë. Në një sërë organizatash partie vihet re një rënie e disiplinës. Midis elementëve të dobët shfaqet prirja për anarki. Veç kësaj, në momentin e tashëm, kur është ashpërsuar lufta e klasave, janë bërë më të dukshme prirjet oportuniste te disa anëtarë partie. Hoxha thotë se në periudhën kur partia bënte punë në luftën kundër nacionalizmit jugosllav dhe përkrahësve të tij brenda partisë, ajo deri diku u tërhoq në çështjen e luftës kundër elementëve kulakë në fshat. Kjo tërheqje u bë me qëllim që të mos ndërlikohej së tepërmi situata në vend. Mirëpo, kjo bëri që shteti, për shkak të veprimtarisë së kulakërisë, nuk mundi të marrë në fshat sasinë e mjaftueshme të drithit. Në vend u krijuan vështirësi serioze ekonomike.

Një tjetër shkak i këtyre vështirësive ishte kjo që, kur jugosllavët po përgatisnin atentatin e tyre kundër Shqipërisë, ata gjatë 8 muajve nuk i dhanë asgjë Shqipërisë. Në tregun shqiptar lindi kaosi ekonomik. Fshatarët pushuan së hedhuri mallrat e tyre në treg, gjë që i ngriti në mënyrë të theksuar çmimet. Vetëm ndihma nga ana e BRSS-së bëri të mundur të fillohej nga lehtësimi i gjendjes së krijuar. Hoxha deklaron se me gjithë vëshitrësitë, populli shqiptar ka besim të plotë në udhëheqjen e vet shtetërore. Populli shqiptar ka vuajtur kurdoherë, i kanë rënë shumë fatkeqësi mbi shpinë, por ai nuk u trembet vështirësive. /Telegrafi/KultPlus.com

“Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër”

Atdhetari i shquar shqiptar Mulla Idriz Gjilani (1901-1949), lindi në Veleknicë, ku mësimet fillestare i ndoqi në mejtepin e Cërnicës të Gjilanit, pastaj për të vazhduar në studimet e mesme në medresenë “Atik”, po në Gjilan. Në moshën 25 vjeçare diplomon dhe merr titullin “Mulla”, ku shërbeu në detyrën e imamit në Karadak e në Hogosht. Më pas në postin e bashkë- ligjëruesit të Kuvendit fetar-arsimor të Vakëfit të Shkupit. Mulla Idriz Gjilani u nis nga disa parime të konturave brenda religjionit islam, që përcaktonin vlerat e arsimit, të kulturës dhe të edukatës “Pa shkollim – thotë ai, – nuk ka as fe të mirëfilltë”, dhe nxënësit tanë nuk duhet të mësojnë më vetëm për leximin e Kur’anit, por edhe për njohjen e mjeshtërisë së shkrimit. Ata duhet t’i nisim në rrugën për ta njohur islamin dhe jo për ta prezantuar si diçka statike”, “S’ka fe pa atdhe” , “Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër”, “Pa një atdhe të lirë feja nuk mund të mbahet kurrë, nuk mund të ushtrohet. Lexoni veprat e të diturve dhe të urtëve sa e mirë, për tu bindur sa e kuptueshme është feja islame, kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët”.

Gjatë kohës si hoxhë dhe bashkë-ligjërues zhvilloi një veprimtari intensive në fushën e edukimit fetar me frymë atdhetare. Hapi mejtepin e Pidicit për mësimin e djemve dhe të vajzave, organizoi ilegalisht mësimin e shkrim-leximit me alfabetin e gjuhës shqipe, futi mësimin shqip në medresenë “Atik”, ushqeu mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazëror me bazë kombëtare shqiptare në popullsinë myslimane-katolike të zonës së Karadakut. Kur qe mësimdhënës në tre mejtepe njëkohësisht, shfrytëzoi sistemin monitor: përgatiti nxënësit më të mirë dhe me moshë më të madhe për ta zëvendësuar kur ai mungonte.

Në prill të vitit 1937, në kushte ilegaliteti, themeloi në Arllat të Drenicës Organizatën e Rinisë Përparimtare “Drita” të Kosovës. Aktivitetet e tij fetare nuk dalloheshin nga ato atdhetare e humane. Kudo, kurdo e me këdo ato ishin të pranishme. Mulla Idrizi ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Në funksion të kësaj bindjeje atdhetare e humane ai programonte në xhami, në oda e në kuvende, deri edhe në ceremonitë e vdekjes. Në formë kushtrimi ai thërriste: “Jemi përgjegjës për varret e prindërve tanë para Zotit dhe para kombit. Nuk guxojmë të heqim dorë prej tyre t’i lëmë të shkreta për t’i lëvruar derrat e naçalnikëve sllavë! Jo vetëm në Turqi, por as në Shqipëri nuk bën të shkojmë. Zoti në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin dhe kombin!” Mulla Idrizi printe në aksionet për ndërtimin e urave, rrugëve, krojeve, mejtepeve, xhamive, mirëmbajtjes së varrezave, të cilat i shikonte si mjete dëshmuese të bashkimit të popullsisë shqiptare. Uniforma e ndihmoi për të maskuar aktivitetin e tij patriotik.

Mulla Idriz Gjilani ishte një “rilindës” në kuptimin e vërtetë të fjalës në kushtet që kalonte Kosova. Në kohën kur Mulla Idriz Gjilani ushtronte detyrën e ligjëruesit numri i nxënësve të “Atik medresesë” të Gjilanit arriti në 734, nga të cilët 326 ishin femra. Po ashtu i organizoi shkollat lëvizëse me mësues shëtitës. Vetëm në zonën e Gjilanit u hapën 39 shkolla të tilla fetare, që zgjuan te brezi i ri ndjenjat fetare dhe ndërgjegjen kombëtare. Veprimtaria Ushtarake për çlirim dhe bashkim kombëtar. Nga prilli 1941 Mulla Idriz Velekinca iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Si hoxhë me forcën e Zotit, si mësues me forcën e fjalës, si luftëtar me forcën e armës, si komandant me besnikërinë e ushtarit, ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar, kundër komunizmit.

Në qershor të 1944 -ës drejtoi betejën e Kikës, ku shqiptarët e udhëhequr prej tij dolën fitimtarë kundër ushtrisë sllavo-komuniste. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 dhe kallja e tij në zjarr më datën e 25-26 nëntorit 1949. Ishte intelektual i kohës, i cili zotëronte shumë gjuhë orientale, gjë që e mundësoi të njihet me arritjet shkencore të kohës, në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë, astronomisë, etj. Botoi punimet fetare “Lindja e pejgamberit”, dhe “Vëllazëria Islame’, të cilat përshkoheshin nga mesazhi i paqes, vëllazërimi, bashkimit kombëtar, etj. Mulla Idriz Gjilani: “Liria e vatanit nuk fitohet me parti e me tarafe, me të pafe e me shkije të veshur si shqiptarë”. Si komandant i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare në Nënprefekturën e Gjilanit, rojeve të kufirit në viset Prapashticë–Bujanoc-Preshevë-Kumanovë u la amanet se “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet jeta… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”. Ishte njeri i penës dhe i pushkës, i cili dijen dhe guximin për veprim e pati në proporcion të barabartë. Luftën për komunizëm e cilësonte tradhti dhe mashtrim. Shikuar nga aspekti i mënyrës së martirizimit, Mulla Idris Gjilani e mbylli jetën në mënyrën që ia preferonte vetes dhe bashkëluftëtarëve, i pamposhtur për lirinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Pas sulmit në Gjilan, që u bë pa pëlqimin e Mulla Idrisit, ai strehohet në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec. Aty qëndroi pesë vjet me popullin dhe në kontakt të përhershëm me Lëvizjen e Rezistencës. Një ditë, pas shumë kërkimesh, zbulohet dhe arrestohet. Djali i tij, Isa i kishte vetëm shtatë vjet, kur babanë e tij e sollën të prangosur në burgun e Gjilanit, natën e 22-23 nëntorit 1949. Lajmi për arrestimin e Mulla Idrizit u përhap me shpejtësi. Nuk dinim se çka do të sillte e nesërmja. Shkuam ta vizitojmë, por nuk u lejuam ta shohim, thotë Isa. Pas tri ditësh, më 26 nëntor familjes ia kumtojnë lajmin për vdekjen e Mulla Idrizit. Gjatë kohës së kaluar në hetuesi, Mulla Idrizi përjetoi torturat më të tmerrshme, por s`u dorëzua. Trupin e tij, pas mesnatës së datës 26 nëntor 1949 e nxjerrin nga burgu dhe e dërgojnë në periferi të Gjilanit, në vendin e quajtur ”Gllamë”, ku e ndezin. Eshtrat që janë gjetur sivjet në këtë lokacion, nga një kompani që po kryente punime rrugësh, dyshohet të jenë të Mulla Idris Gjilanit.

( Dr. Muhamet Pirraku, nga libri: “ Mulla Idriz Gjilani dhe Lëvizja Kombëtare e Kosovës Lindore”). / KultPlus.com

Rrëfejnë astronautët që shkelën në Hënë

Ndërkohë që bota feston 50 vjetorin e misionit historik për të dërguar njerëz në Hënë, gjithashtu kjo përmbledhje ju sjell reflektimet mbi këtë arritje monumentale përmes syve të astronautëve të NASA-s.

Në një përmbledhje të citimeve nga intervista me astronautët e misionit Apollo mbi rrugëtimin drejt Hënës dhe destinacionet që e presin njerëzimin në të ardhmen:

“Në 1957 isha student me një bursë Fullbright në Norvegji. Kisha dalë në terren për të mbledhur të dhëna gjeologjike. I vetmi kanal që kapte radioja ishte Zëri i Amerikës nga një stacion në Algjer. Po dëgjoja një nga emisionet muzikore të Willis Conover mbi xhazin amerikan, kur u ndërpre transmetimi për të njoftuar se Bashkimi Sovjetik kishte hedhur satelitin e parë, Spitnik Një në orbitë rreth Tokës. Në atë moment e kuptova që duhet të filloja t’i kushtoja vëmendje hapësirës,” thotë në një intervistë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 11.

“Kemi vendosur të shkojmë në Hënë dhe të realizojmë arritje të tjera në këtë dekadë, jo sepse janë objektiva të lehta, por sepse janë të vështira,” pat thënë Presidenti John Kennedy.

“Kur Presidenti Kennedy e bëri njoftimin se po përpiqeshim të dërgonim njeriun në Hënë brenda dekadës, nuk më besohej. Mendoja që po e thoshte thjesht për të na dhënë vetëbesim, por nuk e mendoja të realizueshme,” thotë Jim Lovell, astronaut në misionet Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Asnjë vend që synon të jetë udhëheqës mes vendeve të tjera nuk mund të mendojë se mund të rrijë pas në garën e hapësirës,” tha Presidenti Kennedy.

“Një ambicje e pashembullt: synimi për të qenë i pari në hapësirë. Synimi për të qenë në krye. Çdo gjë tjetër është e papranueshme për njerëzit e këtij vendi,” thotë Eugene Cerman, astronaut në misionet Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Është një pasqyrim shumë dramatik i asaj që mund të arrish duke bashkuar njerëzit më të aftë, me përparimet më të mëdha, nën udhëheqjen e duhur. Me këtë kombinim mund të bësh mrekullira,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Ishte një arritje që shërben si shembull i organizimit të mirë brenda një agjencie qeveritare. Shembuj të tillë në ditët tona janë të rrallë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Investuam shumë kohë, energji e përpjekje njerëzore për të dalë në krye me misionet Apollo,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11.

“Programi i hapësirës pati ndikimi pozitiv pasi u dha njerëzve frymëzim dhe shpresë për misionet që kishte ndërmarrë vendi,” thotë Jim Lovell, astronat i misioneve Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Misioni Apollo 13 tregon se çfarë mund të realizojë një ekip i përgatitur,” thotë Gerry Griffin, , drejtor fluturimi i misionit Apollo 13.

“Ekipi që ishte përgatitur për të reaguar në situata emergjente e bëri detyrën në mënyrë që meriton lavdërime,” thotë astronauti Buzz Aldrin.

“Isha drejtor i fluturimeve për misionin Apollo 17 kur Gene Cerman dhe Jack Schmitt u lëshuan në hapësirë. Lexuam një mesazh të presidentit që me pak fjalë thoshte se ky mund të ishte udhëtimi i fundit i Apollos për këtë shekull. Ishte një moment sa triumfi aq edhe keqardhjeje, pasi ne si komb po hiqnim dorë nga ambicja si ekspolues të hapësirës,” thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve për programin Apollo.

“Do të rikthehemi në Hënë,” thotë Eugene Cerman, Astronaut i misioneve Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Miku im, Neil Armstrong mendonte se rikthimi në Hënë ishte hapi i duhur dhe i nevojshëm që do t’i paraprinte eksplorimit të Marsit,” thotë Michael Collins, astronaut i Misionit Apollo 11.

“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të kalonin 50-60 vjet para se amerikanët të shkonin përsëri në Hënë,” thotë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 17.

“Kur më kujtohet si mendonim në atë kohë, më çudit fakti që ende nuk kemi shkuar në Mars,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Jam marsian. Mendoj se Marsi është destinacioni tjetër që duhet të arrijmë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Mirëpres 50-vjetorin e atij momenti historik, pasi është dhe duhet të jetë një riafirmim i rrugës që duhet të ndjekim,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11./ Koha.net/ KultPlus.com

Rihanna në Harper’s Bazaar, kritikohet për “papërshtatshmëri kulturore”

Sulm ndaj Rihannës. Derisa disa foto apo momente nga xhirimet për kalendarin e “Harper’s Bazaar” janë publikuar, në rrjetet sociale fansat kanë kritikuar 31-vjeçaren për papërshtatshmëri kulturore.

Seti fotografik është realizuar në Kinë dhe këngëtarja ka zgjedhur disa veshje karakteristike nga kultura kineze.

Disa i kanë vlerësuar fotot, duke shkruar se janë të pranueshme falë ekipit kreativ kinez, që është marrë me realizimin e tyre. Por fansat në Twitter kanë lëshuar një lumë kritikash, duke ndarë kulturën amerikane me atë kineze, transmeton rtk.

Edhe mediat në Kinë, ditët e fundit kanë shkaktuar debat me komentet dhe kritikat për linjën më të re të Kim Kardashian, të quajtur kimono.

Rihanna është përzgjedhur për kopertinën e “Harper’s Bazaar” për muajin gusht.

Sonte nis PriFest, për 6 ditë shfaqen mbi 70 filma

Festivali Ndërkombëtar i Filmit-PriFest , tashmë është gati për të nisur edicionin e 11-të.

Me 6 ditë festive, me mbi 70 filma, prej tyre 7 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare, 1 premierë evropiane, 19 rajonale dhe 32 premiera kosovare, sot nis festivali ndërkombëtar i filmit PriFest.

Ndërsa filmi debutues i regjisores Arzana Kraja, “Fusha e Mëllenjave” do të jetë filmi që do të shënojë hapjen zyrtare të edicionit të sivjetshëm të PriFest, në natën solemne në ora 21:30 në Teatrin Kombëtar dhe në Kino ABC në ora 22:00.

Gjithashtu në ora 20:00, në kinemanë e hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të shfaqet filmi “Mjaltë nga Shkëmbi”, dedikuar pikërisht për heroin tone kombëtar Zahir Pajaziti.

Përveç shfaqjes së filmave, në kuadër të PriFest, do të organizohen edhe shumë aktivitete, punëtori, e mbrëmje festive të muzikës “live” dhe DJ, artistë të huaj. / KultPlus.com

Ukaj: Tash e njëzet vite flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës

Ndue Ukaj

Duke mos ditur ose duke mos dashur të flasim për vlerat e lirisë, tash e njëzet vite flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës. Dhe kemi “harruar” se lufta bëhet për të fituar lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe vlerë sublime për të cilën luftohet. 

Duke e orientuar debatin drejt vlerave të luftës, kemi “harruar” të flasim për vlerat e jashtëzakonshme dhe frytdhënëse të lirisë, vlera këto që të japin krah për t’u zhvilluar dhe emancipuar si kombet e përparuara. 
Duke orientuar debatin kah vlerat e luftës, ne nuk kemi ndikuar dhe ndihmuar për ta kuptuar të kaluarën, por e kemi ndihmuar hegjemoninë e politike dhe diskursin e mjerë politik, që te lufta ka gjetë lopën patriotike për ta mjelë dhe për të udhëheqë në emër të saj. 


Për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, kjo lopë patriotike ende nuk është shterp, sepse, në momentin që do të mbetet shterp, atëherë do të fillojë një epokë e re, ku politika do të përkthehet me terma zhvillimorë dhe atmosfera publike do të dominohet nga vlerat e lirisë, që janë përparimi, dija, paqja dhe mirëqenia. 


Përsa kohë nuk flasim për vlerat e lirisë, do të jemi peng të luftës dhe narracionit rreth saj. Vetëm atëherë kur t’i kuptojmë vlerat e lirisë, vlerat e luftës do t’i kemi të qarta dhe nuk do të zihemi përditë si gjelat. /KultPlus.com

Gratë e kryeministrave shqiptarë në Samitin e Grave në Londër (VIDEO)

Anita Haradinaj dhe Linda Rama kanë marë pjesë në Samitin e Grave në Londër, shkruan KultPlus.

Në këtë Samit kanë marë pjesë shumë gra nga vende të ndryshme të botës të cilat kanë treguar për sfidat e tyre, kurse në këtë Samit janë prezantuar edhe gratë e dy kryeministrave shqiptarë, Anita Haradinaj dhe Linda Rama.

Në një video nga kjo ngjarje shihet duke u prezantuar Anita Haradinaj e cila ka folë për punën e saj si gazetare, por duke treguar edhe atë se ajo është gruaja e kryeministrit të Kosovës./KultPlus.com

Shprehje mbi dashurinë, artin, njeriun, jetën e vdekjen

  •  “Arti e pastron nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme.”– Pablo Picasso
  •  “Gjithmonë bëje atë që ke frikë ta bësh.” – Ralph Waldo Emerson
  • “I dua ata që mund të qeshin në vështirësi.” – Leonardo Da Vinçi
  • “Mos jeto me frikën e vdekjes, por jeto me gëzimin që ke jetuar.”– Jim Morrison
  • “Paragjykimet janë ato që budallenjtë i përdorin në vend të arsyes.” – Voltaire
  • “Secila zemër e këndon një këngë, të paplotë, deri sa një zemër tjetër ia kthen me pëshpëritje. Ata që duan të këndojnë, gjithmonë e gjejnë një këngë. Nga prekja e dashurisë, të gjithë bëhen poetë.”– Platoni
  • “Është goxha hap të fillosh të dashurosh. Ju duhet të keni energji, zemërgjerësi dhe verbëri. Ekziston madje një moment që në fillim kur ju duhet të hidheni mbi një humnerë: nëse filloni të mendoheni rreth saj, ju nuk e bëni.”– Jean Paul Sartre
  • “Të gjitha njohjet tona fillojnë me shqisat, vazhdojnë pastaj me kuptueshmërinë dhe përfundojnë me arsyen. Nuk ekziston asgjë më e lartë se arsyeja.”– Immanuel Kant
  • “Individi duhet gjithmonë të luftojë për të mos u pushtuar nga turma. Nëse e provoni këtë ju shpeshherë do të jeni i vetmuar dhe ndonjeherë edhe i frikësuar. Megjithatë, asnjë çmim nuk është i lartë për tu paguar, për privilegjin e posedimit të vetvetes.”– Friedrich Nietzsche
  • “Pse të keni frikë nga vdekja zotërinj… ? nuk është asgjë tjetër veç se ta shohësh veten më të mençur se sa në të vërtetë je, të mendosh se e di edhe atë që në të vërtetë nuk e di. Askush nuk e di nëse vdekja mund të jetë më e madhja ndër bekimet njerëzore, përderisa njeriu i frikësohet asaj sepse mendon se ajo është e keqja më e madhe.”–Sokrati

Shtatë fakte mahnitëse mbi legjendën Charlie Chaplin

-Charlie Chaplin një pjesë të jetës së tij e kaloi në jetimore

Kur shëndeti i nënës së tij u përkeqësua, bashkë me të u përkeqësuan edhe të ardhurat e familjes. Si rrjedhojë e kësaj Chaplin u dërgua në jetimore ku qendroi për 18 muaj. Aty mësoi shkrim e lexim, mirëpo pësoi edhe shumë vuajtje gjatë kësaj kohe.

 -Chaplini në shumicën e filmave të tij luajti të njëjtin rol

Para se të dilte filmi i tij i dytë, Chaplin ishte veshur një ditë me veshjen e tij të çuditshme, tashmë i njohur përmes saj: pantallona të gjerë, pallto të ngushtë, këpucë të mëdha, kapele të madhe dhe mustaqe fallto, ai u bë i njohur mbarë botës. Filloi të bënte lëvizjet e tij qesharake dhe ekipës i pëlqeu shumë saqë nuk munden t’i ndalnin të qeshurat. Kreu i Keystone, kompanisë filmike, i tha që të njëjtën gjë ta bënte edhe para kamerave. Ky karakter morri emrin “Little Trump”, dhe menjëhere u bë i famshëm në kinematografinë amerikane.

-Chaplin shumë shpejt u bë milioner.

Në kontratën që nënshkruajti për Mutual “Film Corporation” për 670.000$, në vit, u pajtua të luante në tetë komedi në vit për më shumë se 1 milion dollar.

Një astronom rus emëroi një planet sipas Chaplin-it

Në vitin 1981, astronomi rus Lydumila Georgievna Karachkina në zbulim e tij të 100 planeteve të vogla, njërit prej tyre i vuri emrin e Charlie Chaplinit

Chaplini ishte perfeksionist

Ekzistonte një arsye pse Chaplin-i, pothuajse të gjitha punët i kryente vetë. Në filmin e tij City Lightsaktroja që ishte pjesë e filmit tha së për dy fjalë Floëer, sir”, Chaplini e detyroi të përsëriste aktin 342 herë

Ai e kompozi muzikën për shumicën e filmave të tij

Kënga e tij “Smile” e përdoru në “Modern Times”, u bë  një klasik. Në vitin 1954, versioni i Nat King Cole-së tani me tekste – arriti në numrin 10 në tabelat e Billboard. Chaplin fitoi Oscar-in e tij të parë dhe të vetëm në vitin 1973 për kompozimin e tij të filmit “Limelight”

Ai e pranoi Oscar-in personalisht

Në vitin 1952 për shkak të politikave komuniste, Chaplin-it iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, kur Akademia e çmimeve Oscar e nderoi atë me këtë çmim, Chaplini ishte i pranishëm.  Kur më fund ai foli, tha: “Falemnderit që më nderuat me ftesën e juaj. Jeni njerëz të mrekullueshëm dhe të këndshëm”./KultPlus.com

Miliona njerëz jetojnë dhe vdesin në mes monotonisë e mërzitjes

“Ju jetoni kështu, i strehuar, në një botë delikate, dhe besoni se jeni duke jetuar. Pastaj e lexoni një libër… ose shkoni në një udhëtim… dhe e zbuloni se ju nuk jeni duke jetuar. Ju vetëm po preheni.

Simptomat e prehjes janë lehtësisht të dallueshme; fillimisht, nervoza. Simptoma e dytë (kur prehja bëhet e rrezikshme dhe mund të degjenerojë në vdekje) është mungesa e kënaqësisë. Kjo është e gjitha. Ajo shfaqet si një sëmundje e padëmshme.

Monotonia, mërzitja, vdekja. Miliona njerëz jetojnë kështu (ose vdesin kështu) pa e ditur këtë. Ata punojnë nëpër zyre. Vozisin vetura. Ata shkojnë në piknik me familjet e tyre. I rrisin fëmijët e tyre.

Dhe pastaj diçka i godet, një libër, një person, një këngë, i zgjon dhe i shpëton ata nga vdekja. Disa nuk zgjohen kurrë.”

– Anaïs Nin“The Diary of Anaïs Nin, Vol. 1”

Libri “Blloku”, një kontribut i shtuar për historinë e Shqipërisë

Presidenti i Republikës e ka cilësuar librin “Blloku” të profesor Isuf Kalo si një kontribut të shtuar për historinë e Shqipërisë.

“I lumtur të takoja sot Profesor Isuf Kalon dhe ta përgëzoja për librin e tij të jashtëzakonshëm “Blloku”, një surprizë për mua në të gjitha aspektet. Një libër i shkruar me mjaft kulturë, bazuar mbi eksperienca dhe fakte të një dëshmitari të pazakontë, i cili nuk vinte në Bllok nga Blloku, por që njihte Europën dhe botën, për shkak të studimeve dhe specializimeve të tij”, ka theksuar Meta.

“Një libër mjaft i vështirë për t’u shkruar në planin personal, për shkak të marrëdhënieve njerëzore me shumë nga personazhet që përshkruhen, si dhe një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të kuptuar historinë tonë të 50 viteve që u dominua nga Blloku, por sidomos për të nxjerrë mësime për të ardhmen”, ka shtuar Meta.1 nga 2  

“Një libër, që më ka detyruar të mbaj shumë shënime, por një prej tyre po e ndaj sot me ju: “Më vonë jam ndërgjegjësuar se shtyllat kryesore ku mbështetej pushteti i atëhershëm nuk ishin, siç thuhej nëpër plenume e në kongrese, industria, bujqësia apo ushtria. Realisht shtyllat e tij ishin propaganda dhe hetuesia. Isuf Kalo – ‘Blloku’ faqe 75”, ka theksuar Meta.

‘Duke diskutuar sot me Doktorin në mënyrë miqësore për shumë detaje mbi librin e tij, e pyeta pse sipas tij këto ishin dy shtyllat e atij regjimi. Ai m’u përgjigj shumë thjesht: “Propaganda për ata që donin apo pranonin të gënjeheshin, dhe hetuesia për të shtypur dhe shantazhuar të gjithë ata që nuk pranonin të gënjeheshin”, ka thënë Meta.

Natyrisht, ka vijuar Presidenti, “në këtë bisedë nuk munguan dhe të falat e mia më të sinqerta për familjen Kalo, edhe për arsyen se me djalin e tij, Ilirin, kemi qenë shokë klase në gjimnazin “Sami Frashëri”, i cili është një shembull dhe sot një mjek shumë i suksesshëm në Danimarkë”.

“Falënderoj Doktor Isuf Kalo dhe botuesin e tij, Henri Çili për këtë botim të ri, që natyrisht do të sjellë kritika dhe vlerësime të ndryshme. Ky libër është padyshim një kontribut i shtuar për historinë e Shqipërisë”, ëhstë shprehur Presidenti Meta

“Verginità Rapite” romani që u flet italianëve për gruan shqiptare

“Verginità Rapite” (Virgjëri të vjedhura) quhet romani të cilin Ismete Selmanaj Leba e ka botuar për lexuesit italian. Po të njëjtin në Shqipëri e solli në vitin 2013 me titullin “Gjembi dhe trëndafilat”. Këtë roman zonja Ismete e quan “himn kundër dhunës në të gjitha format e saj”.

Ismete Selmanaj ka lindur në vitin 1966 në Durrës. Një vit pas diplomimit në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në vitin 1992, bashkë me familjen ajo shpërngulet në Itali. Edhe pse inxhiniere e diplomuar, pasionin e saj të hershëm për letërsinë e nuk e la anash. Znj. Ismete shkruante edhe gjatë viteve të studimeve, ndonëse ishte në një degë që s’kishte lidhje me artin e fjalës – por siç thotë edhe ajo vetë “pasioni mbetet pasion”.

Pas ikjes në Itali ajo vazhdoi shkrimet letrare. Pas romanit “Gjembi dhe trëndafilat”, në vitin 2014 botoi librin “Koka e dy lejlekëve të purpurt” të cilin aktualisht është duke e përkthyer në italisht. Ismete Selmanaj Leba tanimë ka 25 vite që jeton në Itali, në krahinën Messiana. Është e martuar dhe ka tre djem.

Ajo me shumë dëshirë pranoi të fliste për lexuesit e shqipress.net mbi romanin e saj “Virgjëri të vjedhura” dhe për të treguar më shumë se ç’mesazh ka dashur të përcjell me të.

Znj. Ismete, së fundmi, më saktësisht më 18 prill ju keni botuar në Itali librin “Virgjëri të vjedhura”, të cilin në shqip na e kishit sjellë në nëntor të 2013-tës. A mund të na thoni shkurtimisht se çfarë mesazhi keni dashur të përcillni nëpërmjet këtij romani?

Libri “Virgjëri të vjedhura”, i publikuar nga Bonfirraro Editore është versioni në italisht i librit “Gjembi dhe trëndafilat” të cilin e kam përkthyer personalisht në gjuhën italiane. Mesazhi kryesor që kam dashur të përcjell tek ky roman, është një himn kundër dhunës në të gjitha format e saj; kundër gruas, kundër lirisë së fjalës, kundër gjenocidit, kundër luftës… Edhe titulli në shumës “Virgjëri të vjedhura”, ka dashur të tregojë pikërisht këtë mesazh; virgjëria e shpirtit – e mohuar për pothuajse 50 vjet, e një populli.

Si është pritur “Verginità Rapite” nga lexuesit italian?

Promovimi i parë u bë në datën 18 prill në Bibliotekën Bashkiake të Capo d’Orlando-s.  Organizuesit e këtij  promovimi  që kishin lexuar librin, pothuajse nuk arrinin të besonin që kaq afër Italisë, në një vend fqinjë me ta, të kishin ndodhur tmerre të tilla. Lexues  të tjerë më kanë lënë përshtypjet e tyre në sitin  votemybook.com dhe kur i lexoj emocionohem pa masë.

Na treguat se “Verginità Rapite” është futur në listën e librave që studentët e Universitetit të Palermos duhet t’i lexojnë në temën ‘mbi kushtet e gruas në Shqipëri’. Çfarë do të mësojnë studentët italian për gruan shqiptare? Si ua keni paraqitur atyre femrën shqiptare?

Gruaja shqiptare në librin “Verginità Rapite”  nuk përshkruhet vetëm si viktimë e burrave, e sistemit të vjetër, e mentalitetit  që e ka parë si një “shtojcë”  të burrit që duhet të ulë kokën e të bindet…

Gruaja shqiptare është ajo , që me gjithë vështirësitë e sapo përmendura  që i kanë kushtëzuar jetën dhe rolin e saj të rëndësishëm në shoqëri, nuk ka reshtur së luftuari. Gruaja shqiptare është me mijëra e mijëra Mira, personazhi kryesor i librit, që u ngrit nga balta ku e futi sistemi dhe mentaliteti maskilist  dhe jo vetëm  gjeti rrugën e lumturisë personale por u bë mbështetje dhe ndihmë për shumë gra të tjera.  Gruaja shqiptare është ajo që me një natyralizëm dhe thjeshtësi të pashoqe shpëtoi jetën e qindra ushtarëve italianë të mbetur në Shqipëri pas kapitullimit te Italisë fashiste. Gruaja shqiptare është Nuria, kosovare, që pasi i vranë të gjithë familjarët para syve dhe e përdhunuan barbarisht, rrit fëmijët jetimë të Kosovës martire.

Këto gra dhe shumë të tjera jam përpjekur t’i paraqes lexuesit shqiptar  dhe atij italian.

Sipas jush, pse gruas shqiptare “i është rrëmbyer virgjëria”?

E thash edhe më sipër, titulli në shumës ka një kuptim më të gjerë dhe filozofik. Nuk ka të bëjë vetëm me dhunën fizike që pëson Mira në moshën 15 vjeçare nga sekretari  i Partisë së shkollës. Është  një “virgjëri” e rrëmbyer e përditshme, përderisa nuk mund të akuzosh abuzuesin, nuk mund t’i thuash të zezës, e zezë, nuk mund të flasësh as në familje në emër të “luftës së klasave”.

Si e shihni ju gruan shqiptare, dje dhe sot?

Mendoj se hapa përpara janë bërë. Por  “mburoja e fortë” e mentalitetit maskilist, siç e quan edhe profesor Matteo Mandalà  që ka përgatitur parathënien e librit për publikun italian, është e fortë, e hekurt…

Jeni duke punuar mbi ndonjë libër të ri? Nëse po, mund të dimë më saktësisht se mbi çfarë teme do të na flisni në botimin tuaj të radhës?

Tani po merrem  me përkthimin në italisht të librit “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që trajton një aspekt tjetër  të shoqërisë shqiptare. Atë të pasojave shkatërruese që ka lënë tek dy fëmijë të vegjël gjakmarrja që u zgjua nga gjumi letargjik  ku e vuri diktatura komuniste për gjysmë shekulli.  Por ky libër trajton edhe “të rejat” e huazuara nga  bota perëndimore që për shoqërinë e kulturën shqiptare kanë qenë të panjohura; atë të pedofilisë.

Për sa i përket botimit të ri të radhës, jam në faqet e para. Mund të them vetëm që e kam trajtuar në vetën e parë për të qenë më intime dhe më afër me lexuesin edhe pse s’ka asgjë personale në të.

Teatri i Prizrenit prezanton shfaqjen mbi jetën e Abdulhamitit të Dytë

Në mbikqyrje të Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) në Prizren është mbajtur shfaqja teatrale “Usta” nga regjisori turk Ahmet Yenilmez, e cila me temë ka jetën e Abdulhamitit të Dytë.

Në shfaqjen teatrale të organizuar në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” nga Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB), morën pjesë kryetari i delegacionit turk në Misionin e Forcave Paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, koloneli Numan Baş, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran dhe shumë të ftuar të tjerë.

Shfaqja kishte temë jetesën e Abdulhamitit të Dytë duke filluar nga vitet e rinisë së tij e deri në ditët e fundit. Shfaqja kohë pas kohe shkaktoi emocione tek publiku dhe u ndoq me vëmendje.

Artisti Rıdvan Dağlar, u tha gazetarëve se kanë dalur në rrugëtim për të pasqyruar një ngjarje historike që ka ndodhur para 100 viteve.

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi në Kosovë”, tha ai.

Shfaqja teatrale e regjisorit turk Ahmet Yenilmez, më 26 qershor ditën e mërkurë, gjithashtu do të takohet me artdashësit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup./AA

Dhjetë librat që duhet t’i lexoni mbi luftën

Të lexosh libra, nënkupton ta pasurosh mendjen me njohuri të reja për çështje të ndryshme.

Lufta është diçka në të cilën çdo vend është përfshirë. Disa për të mbrojtur atë që ju takon, e disa të tjerë për të marr diçka nga dikush.

Ekziston një thënie “Historia që harrohet përsëritet”, prandaj duhet lexuar shumë libra mbi luftën që të mos lejohet përsëritja e historisë.

Këta janë disa nga librat më të lexuar dhe më të preferuarit për luftën, të cilët jua rekomandojmë t`i lexoni.

“Asgjë të re nga fronti I perëndimit” – Erih Maria Remark

“Hajdutja e librave” – Markus Zusak

“Lufta dhe paqja” – Leo Tolstoy

“Gjuetari I balonave” – Khalid Hosseini

“Njëmijë diej vezullues” – Khalid Hosseini

“Kur fryn era” – Raymond Brigs

“Ditari i Anna Frank”

“Arti i Luftës” – Sun Tzu

“Gjeneralët vdesin ne shtrat” – Çarles Yale Harrison

“Iliada” – Homeri

Letra prekëse e Markesit kur mori vesh se ishte me kancer

Shkrimtari Gabriel Garcia Marquez pasi diagnostifikohet me kancer, vendos t’u drejtohet për herë të fundit miqve dhe lexuesve të tij përes një letre të hapur. Letra jepet e plotë:

“Miqtë e mi lamtumirë!

Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jetë, mbase nuk do të thoja të gjitha ato që po mendoja, por, sigurisht, do të mendoja të gjitha ato që po them. Do ti jepja rëndësi gjerave, por jo vetëm nga vlera e tyre, por për domethënien që kanë.

Do të flija pak, e do të ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë, humbasim 60 sekonda dritë. Do të vazhdoja kur të tjerët të ndalonin, do të zgjohesha kur të tjerët të flinin… dhe do të shijoja një akullore me çokollatë!!!

Nëse Zoti do të më jepte një copë jetë, do të vishesha thjeshtë, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetem trupin tim, por edhe shpirtin. Zoti im, nëse do të mundja do të shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do të prisja sa të dilte dielli.

Do të pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do të recitoja një poezi të Bernardit, dhe një kengë e Shtradus do të ishte serenata që do t’i dhuroja hënës. Do të ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjëmbat e tyre, dhe puthjen ngjyrëkuqe nga fletët e tyre.

Ah, Zoti im, sikur të kisha një copë jetë, nuk do të lija të kalonte as edhe një ditë pa u thënë njerëzve që i dashuroj. Do të bëja çdo burrë e çdo grua të besonte se i dashuroj, dhe do të dashurohesha me dashurinë.
Njerëzve do t’u tregoja se sa gabim bëjnë kur mendojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa e kuptuar se plakemi kur pushojmë së dashuruari.

Fëmijës do t’i jepja pendë, por do e lija të mësonte vetë se si të fluturonte. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”. Mësova kaq gjëra nga ju njerëzit…
Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit” pa e kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën sesi e zbret “faqen e pjerrët”.

Mësova gjithashtu, se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël për hërë të parë gishti që i zgjatet nga babai i tij, e robëron atë përjetë.

Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet të ndihmojë atë të ngrihet.
Janë kaq shumë gjëra që mesova prej jush, por në të vërtetë nuk do të më hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe, fatkeqësisht do të kem vdekur.

Të thuash atë që ndjen dhe të bësh gjithnjë atë që mendon, sepse askush nuk do të të mbaj mend për mendimet e tua të fshehta. Nëse do të dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort…fort.., dhe do t’i lutesha Zotit të bëhesha roje e shpirtit tënd. Nëse do të dija se sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të perqafoja dhe do të të jepja një puthje, dhe do të të thërrisja përsëri të të jepja të tjera…”

Për shkak të mërgimtarëve, “Hardh Fest-i” mbahet në gusht

Me sloganin “Një got’ për mot!” këtë vit nga 16 deri 18 gusht mbahet edicioni i 5-të i festivalit tradicional Hardh Fest n’Konak të Rahovecit (tek Shtëpia e Verës).

Në konferencën për media në kuadër të PRE Hardh Fest Party, drejtori i Bordit të Hardh Fest, Agron Sokoli si dhe drejtori kreativ, Agi Haxhimurati, shpalosën sloganin e Hardh Fest 2019, “Një got’ për mot!” si dhe programin e festivalit.

Përveç idesë prapa sloganit dhe aktiviteteve tradicionale, në konferencë u prezantuan edhe disa aktivitete të reja që do të mbahen sivjet, siç janë, veç tjerash “Be Hardh Fest”, “Hardh Eks”.

Drejtori i Bordit të Hardh Fest, Agron Sokoli theksoi se këtë vit festivali do të mbahet jo në shtator si vite më parë, por më 16, 17 dhe 18 gusht.

Mbajtja e festivalit në verë, ka qenë kërkesë e madhe e mërgatës nga Kosova, ndërsa, sipas Sokolit në festivalin e sivjetshëm do të marrin pjesë edhe turistë të huaj nga Japonia, Amerika dhe Zvicra.

“Aktivitet janë tradicionale të Hardh Fest-it. Risi sivjet janë dy aktivitete që do të jenë ‘Be Hardh Fest’, ku do të marrin pjesë ndërkombëtarët, të cilët mund të përjetojnë një ditë duke vjelë rrush, po ashtu është ‘Hardh Eks’ ku do të ketë gara për pirjen e rakisë në gotën 003, do të jetë një atraktivitet më shumë se sa garë”, theksoi Sokoli.

Drejtori Kreativ, Agi Haxhimurati, shpalosi sloganin e Hardh Fest 2019, “Një got’ për mot!” si dhe programin e festivalit, sipas të cilit për sukseset e Hardh Fest njihen edhe ndërkombëtarët.

“Sivjet në pesë vjetorin e festivalit e lansojmë me sloganin ‘Një got’ për mot!’, një gotë për shumë shëndet, për të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe për të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e festivalit. ‘Një got’ për mot!’, për gjithë suksesin që ka përjetuar festivali që tashmë njihet edhe nga ndërkombëtarët”, deklaroi Haxhimurati.

Sipas Haxhimuratit në këtë 5 vjetor, Hardh Fest sjell një nga eksperiencat më të bukura jetësore për të gjithë ata që e vizitojnë festivalin, duke nisur nga mikpritja rahoveciane deri te Hardh Camp, e më pas ka aktivitete, të cilat synojnë promovimin e prodhimeve të rrushit. Festivali organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës.

Profesori Hamiti: PDK fajtore për mbylljen e universiteteve publike

Profesori universitar, Muhamet Hamiti, ka reaguar pas vendimit të Këshilli Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin institucional të Universitetit publik të Mitrovicës, Universitetit të Pejës dhe Universitetit të Prizrenit.

Ai ka thënë që iniciativa për hapjen e këtyre universiteteve që në fillim ka qenë politike.

“Një sërë universitetesh politike janë ngjizur në Kosovë si skema politike, në stinë elektorale, në radhë të parë nga PDK-ja, partia pushtetare e ‘Dekadës sē vjetër’ që po e synon edhe ‘Dekadën e re’. Premtohej hapja e tyre siç premtohet në fushatë asfaltimi i një rruge fshati. U bënë për vota”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij një politizim i tillë ka ndikuar që sot këtu universitete të mos i plotësojnë standardet europiane.

“Militantët partiakë u bënë profesorë, dekanë e rektorë, siç u pa edhe në këto ditë vere. Tash  u bë e qartë për këdo – se profesionistët me dinjitet e kanë ditur prej fillimi- se këto skema politike-arsimore nuk i përballojnë standardet elementare akademike ndërkombëtare”, ka shkruar tutje ai.

Tutje Hamiti ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen në kolegjet private.

“Një pjesë e konsiderueshme e bartësve privatë të arsimit të lartë në Kosovë mbajnë parashenja të qarta të skemave piramidale. (Pagesa është kusht, por jo provimi pranues për t’u regjistruar në këto ente, ta zëmë.) Edhe rënia e tyre është e paevitueshme. Është kohë e fundit që të vihet rend në arsimin e Kosovës, që është qeverisur e po qeveriset keq tash e një dekadë”, ka theksuar ai.

Sipas tij duhet të ndëshkohen me votë të gjithë ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

“Duhet të bjerë Qeveria, ndërsa promovuesit e skemave të ndyra politike-piramidale në arsim të ndëshkohen me votë. Këta që janë në pushtet tash e kanë katandisur Kosovën keq në të gjitha fushat”, ka theksuar ai.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.

Hapet mozaiku i Bazilikës së Linit

Këtë vit turizmi kulturor ka marr më shumë përparësi pasi turistët e huaj nuk po vizitojnë më vetëm bregdetin por dhe sitet arkeologjike si një atraksion historik dhe kulturor.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, realizuan hapjen e mozaikut që ndodhet në bazilikën e Linit.

Pasi u larguan shtresat e rërës, u realizua pastrimi me kujdes i sipërfaqes. Gjendja e tij do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pastrimi i tij do të bëhet në mënyrë periodike.

Mozaiku shumëngjyrësh ka zbukurime kafshësh, bimore e gjeometrike, ku mbizotërojnë simbolet e kultit. 

115 vite nga vdekja e Anton Çehovit

Sot, 15 korrik 2019, shënohen 115 vite nga vdekja e Anton Çehovit, shkrimtar dhe dramaturg i njohur rus i cili konsiderohet edhe si njëri prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur bota.

Anton Pavlloviç Çehovi lindi më 29 janar 1860 e vdiq me 15 korrik 1904.

Ishte fizikan, dramaturg dhe autor rus i cili konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër klasike dhe tregimet e tij të shkurtra më të mirat janë mbajtur në vlerësim të lartë nga shkrimtarët dhe kritikët. Çehovi kreu praktikën për doktor medicinal jashtë karrierës së tijː “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ka thënë ai, “dhe letërsia është e dashura ime”.Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.

Çehovi hoqi dorë nga teatri pas çastit të marrjes së shkatërrimit të veprës “The Seagull” në vitin 1896, por vepra u gjallërua për të bërë bujë në vitin 1898 nga Teatri i Moskës “Constantin Stanislavski,” e cila më pas prodhoi edhe veprën tjetër të Çehovit “Uncle Vanya” dhe dha premierë dy dramat e tij të fundit “Three Sisters” dhe “The Cherry Orchard”. Këto katër vepra paraqesin një sfidë për aktorët ashtu edhe për audiencën, sepse në vend të veprimeve konvencionale Çehovi ofron një “teatër të humorit” dhe “një përmbytje të jetës në tekst”.

Çehovi e pati tregimin e tij të parë vetëm për përfitime financiare, por me rritjen e ambicies artistike, ai bëri inovacione formale të cilat kanë ndikuar në evolucionin e tregimeve të shkurtra moderne. Ai nuk kërkoi falje për vështirësitë që paraqiste për lexuesit, duke insistuar se roli i një artisti ishte të bënte pyetje, jo të jepte përgjigjje! / KultPlus.com

Në Soma u hap sot Pazari i objekteve të pazakonta

Në Prishtinë, në Soma Book Station, sot ka nisur dita e parë e Pazarit të Objekteve të Pazakonta.

Gjëra antike, orë të ndryshme, libra nga Libraria Dukagjini, fotografi të printuara të realizuara nga Alban Nuhiu, çanta, figura të ndryshme dekoruese për shtëpinë tuaj, qafore e shumë gjëra të tjera mund t’i gjeni në këtë pazar, i cili u hap sot.

“Pazari do të mbahet sot, të martën e të mërkurën, prej orës 12:00 deri në orën 20:00. Ideja është që të përkrahen këta artistë, pasi ne u japim vetëm hapësirën dhe të gjitha fitimet nga shitjet shkojnë për vetë artistët” tregon për KultPlus Nol Shala prej Soma Book Station.

Hapësira në oborrin e Soma është mbushur me plot objekte të pazakonta, objekte të bukura ku secili prej nesh mund ta gjejë veten dhe shijen personale.

Pazari do të mbahet edhe gjatë muajit gusht, në tri data gjatë fundit të këtij muaji.

“Është në interesin tonë që skena kulturore dhe artistike në vend ta ketë një stimulim dhe arsye më shumë për punë” tregon Noli.

Është Gresa Lahu ajo e cila është një prej artisteve që po e ekspozon punën e saj këtu, nën emrin “Clay for the soul”.

“Këtu i kam në zbritje disa prej punimeve që i realizoj vetë, janë punime punëdore nga qeramika dhe të personalizuara, me ngjyra e motive të ndryshme. Janë dy lloje të qeramikës, ajo që pjeket është me dhe të Skenderajit. Unë e përpunoj vetë mellën dhe i jap forma të ndryshme. Çmimet janë prej 3-5 euro” tregon Gresa.

Pazari i Objekteve të Pazakonta vazhdon të jetë i hapur me çmime modeste, për ata të cilët duan të blejnë objekte të ndryshme, të bukura, më të vjetra por funksionale dhe të cilat meritojnë vendin në hapësirat tuaja të preferuara. / KultPlus.com

Peja, Prizreni dhe Mitrovica mbeten pa Universitete Publike

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që ta miratojë raportin e ekspertëve ndërkombëtar, në të cilin rekomandohet që Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’i tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, përsëri me gjashtë vota pro u votua raporti i ekspertëve, në të cilin gjithashtu rekomandohet që të tërhiqet akreditimi institucional për këtë vit akademik.

Ndaj vendimeve të KShC-së të tri Universitetet Publike të cilave iu tërhoq akreditimi kanë të drejtën e ankesës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Edhe për Universitetin e Prizrenit me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së votoi raportin negativ të ekspertëve, në të cilin është rekomanduar që t’i tërhiqet akreditimi institucional. / Kallxo.com

Berat, kthim në identitet i një tjetër banese monument kulture

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe restaurimit të banesave në qytetin e Beratit,  ku së fundmi ka nisur ndërhyrja restauruese në banesën e Vasil Shytit, në lagjen Goricë.

Specialistët e DRKK Berat në bashkëpunim me CHWB-Albania kanë nisur ndërhyrjen restauruese në banesën e Vasil Shyti monument kulture kat e II në lagjen Goricë. Ndërhyrja konsiston në restaurimin e fasadës, duke ruajtur vlerën dhe mënyrën tradicionale të ndërtimit.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar “Nën Brazat e Kohës”

Së fundi u mbajt edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të artit “Nën braza të kohës“, në Strellc të Deçanit. Edhe ky edicion u përqendrua rreth objektit ”Kulla tradicionale”, që shërbeu si subjekt dhe objekt i festivalit, përcjell KultPlus.

Artistë, dramaturgë, arkitektë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të tjera nga bota akademike u mbledhën në këtë manifestim ndërkombëtar. Ky event përmblodhi një seri me aktivitete paralele e të ndërlidhura të teatrit, arteve pamore, artit konceptual e muzikës. Risia në këtë eveniment ishte pjesëmarrja aktive e studentëve dhe profesorëve të arkitekturës.

Sajë tyre, kulla tradicionale shqiptare u zhbirua nga ana profesionale me skica, vizatime, video, dizajn, të cilat u inkuadruan në performancën artistike.

Edhe në këtë edicion shtrati etno-kulturor, përzierja e pjesës folklorike me mizanskenën konceptuale morën rëndësi. Të gjitha shfaqjet u kryen brenda ose para kullës, për t`i dhënë një dimension sa më fizik e popullor qasjes teatrore. I veçantë kësaj here ishte edhe pelegrinazhi “Happening” në rrugën Strellc-Isniq.

Artistë ndërkombëtarë kryen aktivitete në raport me gjeografinë dhe banorët vendas duke arritur një interaksion tepër impresionues. Ky shtegtim në peizazhin etno-grafik lokal lidhej ngushtë me studimin antropologjik të autores së mirënjohur Berit Backer. Kjo studiuese ka hulumtuar thellë doket dhe sociologjinë e familjes shqiptare, sidomos aktivitetin njerëzor brenda hapësirës së kullës në Isniq përgjatë viteve 70-të. Ky studim u përdor si inspirim fillestar i agjendës së aktivitetit, që përmbante një program interdisiplinar. Edhe në këtë edicion krijimi i një interaksioni, raporti funksional midis performancave ishte prioritar. Artistët vendas dhe ndërkombëtarë arritën një bashkëpunim sa gjuhësor dhe fizik, duke shkrirë dhe tejkaluar kufinjt kulturorë.

Materia tekstuale e përdorur në këtë edicion: Medea, arti i ekzilit The Living Theatre – People`s Project Peisazhe me argonautët, Medeamaterial, Loja e Medeas – Kthimi në brazë – Nita – Odisea, Kënga e 17-të – Uliksi, kap. 18-të – Poezi, ninulla e këngë tradicionale shqiptare – Ekspozita/Aksione/Instalacione nga: Studentë dhe profesorët të Studio 3 të Universitetit të Insbruckit, Akademisë së arteve pamore – Vjenë (Akademie der Bildenden Künste – Wien) dhe të UBT-së – Prishtinë. / KultPlus.com