At Zef Pllumi: Andrra ime

At Zef Pllumi

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:
sa pamje shpartalle, skelete pa brumë. 
Flluska sapuni me shkumbë. 
Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite, 
që t’hedhin n’mendime vite me vite. 
Nji send un e dij:
se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

Mbarë token e due, si fushen, si malet
livadh të qëndisun me lulet e lajlet, 
ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë
nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;
ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje
që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull, 
ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:
ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë
pa ju versulë flakurim ndoj skifter. 
Due njerzit, due popujt bashkuemun unji
Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

Ket andërr ka pa shumëkush para meje
n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje. 
Dhe prap un e dij:
Se u vunë vulën e zezë: utopi!…

Arsyeja dhe zemra njerzore, 
që n’kohnat e lashta antike, 
andrruene për nji:
“Republikë platonike”.
-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore
mbiemnin ja vunë edhe ksaj:
utopike!

E s’voni n’epokat e reja, pa pra
n’shkreti shungulloi persritun nji za:
“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!
Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”
Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar, 
Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë, 
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele, 
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele, 
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna, 
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.

Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir, 
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës, 
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës, 
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore, 
Zemra e Dashunija!

Hulumtuesi i dinozaurëve që donte të bëhej mbret i shqiptarëve

E lyente fytyrën me gjethe të vyshkura nga pemët e arrave, në mënyrë që – siç qe i maskuar si bari – të dukej mjaftueshëm i nxirë nga dielli. Shkruante në letër deklarata spiunazhi me limontos dhe i dërgonte në Vjenë. Tallej me zyrtarët e lartë të Perandorisë, të cilët ankoheshin se rostoja e viçit “à la Eszterházy”, servirur në pjatë argjendi, duhet të ishte më e butë. U angazhua për pavarësinë e Shqipërisë. Donte të bëhej mbret i Shqipërisë. Transportonte djathë kontrabandë nga Rumania në Hungari. Në Luftën e Parë Botërore krijoi një trupë vullnetarësh në Shqipëri. Baroni ndoshta nuk e dinte as vetë, sa shumë rrëzëllinte.

Baron Franz Nopcsa von Felső-Szilvás u lind në 1877 në Rumaninë e sotme dhe u shkollua në Akademinë Tereziane në Vjenë. Që në vitin 1895 zbuloi në atdheun e tij, në Hungarinë e atëhershme, mbetje fosile të një dinozauri. Pas kësaj, Nopcsa studioi paleontologji në Vjenë dhe shumë shpejt u bë i njohur si shkencëtar. Më 2007, dinozauri Nopcsaspondylus u mbiquajt kështu në nder të tij (më shumë se njëqind vjet më parë, e kishte përshkruar me hollësi këtë dinozaur).

Por, Nopcsa nuk ishte vetëm paleontolog, por edhe gjeolog, etnolog dhe albanolog. Kishte kontakte me dijetarë të tjerë në të gjithë Evropën dhe ishte ftuar në klubet më me emër të Londrës. Shkroi 186 libra – shumë prej tyre mbi veriun e Shqipërisë, jetën e fiseve, të drejtën zakonore, kanunin. Bazuar mbi shënimet në ditarët e tij midis viteve 1897 dhe 1917, në vitin 1929 bëri librin “Udhëtime nëpër Ballkan”.

Nopcsa snob

Kujtimet e tij ai i shoqëron me snobizëm dhe humor të hollë. Ja si tregon Nopcsa për një kalërim mbi një kalë “gjoja të mir딓Kali kishte disa disavantazhe të vogla. 1) i merrej shumë fryma, 2) nuk merrte dot hov për të rendur me gallop, 3) rrëshqiste dhe pengohej me këmbët e prapme dhe 4) kur ecte, zvarritej si kërmill. Përveç këtyre, ishte mjaft i mirë. Kishte dy sy dhe katër këmbë, një bisht dhe gjithçka i duhet një kali.”

Por, Nopcsa nuk dinte të ishte vetëm argëtues, por edhe i pakëndshëm, antisemit, mendjemadh, egoist dhe i keq. Sëmurej shpesh, luftonte me gjendje psikike të forta dhe mbruhej nga një gjen i fortë e i habitshëm prej aventurieri. Thoshte se në udhëtimet e tij në Perandorinë Osmane u kishte shpëtuar sulmeve, gjatë të cilave plumbat kishin kaluar mespërmes kapelës së tij e kishin bërë vrimë. Institucionet osmane dërgonin 300 ushtarë për të kapur Nopcsan, gjë që u shkonte huq.

“Por, trupat turke morën peng tre persona në vendin tim dhe shpresonin se kështu do të detyronin fiset e Kelmendasve dhe Shkrelëve të më dorëzonin mua”, shkruan ai.

Peng për atë që vdiste të bëhej bimbash

Nopcsa argëtohej tejmase duke inatosur institucionet osmane dhe kërkonte t’i bindte ato me anë të lojërave të ndryshme për epërsinë e tij. Libri i tij gjithashtu informon, sesi shkërmoqej qeverisja e tyre në periferi: “Ushtarët kishin uniforma, por u mungonin disa kopsa. Midis Shkodrës dhe Pukës kishte një linjë telegrafike, por izoluesit ishin thyer”, shkroi ai lidhur me gjendjen e shpërbërjes.

Edhe sesa i zakontë ishte korrupsioni dhe forma të tjera të vetëpasurimit, mësojmë nga Nopcsa kur ai raporton sesi u kap nga cubi dibran Mustaf Lita, “jo për të më bërë dëm mua, por për inat të sulltanit që nuk e kishte emëruar bimbash.”

Bimbashi ishte një major osman. Dhe, Nopcsa shërbente si peng për t’u emëruar bimbash.

Kush lexon Nopcsan, mund të mësojë shumë mbi politikën e osmanëve, por edhe mbi monarkinë. Kështu e citon ai kryeministrin e Cisleitanisë, Eduard Graf Taafte (1833-1895): “Austro-Hungaria s’është veçse një konglomerat, që vazhdon të ecë së prapthi.”

Armatosja e fiseve të veriut

Pas aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës, ai i ofroi shefit të shtabit të përgjithshëm Franz Xaver Josef Conrad von Hötzendorf, shërbimin e tij. Nopsca u përpoq të armatoste fiset në Shqipërinë e veriut – për t’i përgatitur për luftë kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Shqipëria ishte asokohe pjesë e Perandorisë Osmane dhe kontrabanda e armëve duhej bërë nga Adriatiku – armët duhet të zbarkonin në bregun verior të Shqipërisë.

“Erdha në 13 janar, kisha fshehur në trup 600 fishekë, që peshonin 25 kile, dhe i solla në Shkodër”, shkruan ai.

Por, kjo sipërmarrje e guximshme dështoi, sepse në Vjenë kishin frikë se kjo kontrabandë do të zbulohej dhe Rusia nuk do të reagonte mirë.

“U vërtetua, se njerëzit në Ballhausplatz nuk ishin kontrabandistë të zotë”, shkruan Nopcsa me mllef. Edhe më ashpër formulon më tej: “I gjithë ky aksion tregoi që atëherë se Ballhausplatz ishte tërësisht i pafuqishëm e madje edhe aspak konsekuent dhe i trashë.”

Kjo antipati nuk ishte e njëanshme. Edhe Ministria e Jashtme austriake e refuzonte Nopcsan intrigant. Zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm, Rudolf Langer, i tha: “Baron, mund t’ju siguroj se qoftë vetëm tingulli i emrit tuaj duket si një shami e kuqe në Ballhausplatz.”

Kumar në bursë në Ballhausplatz

Së fundi marrëdhëniet u prishën midis Nopcsas dhe Alois Lexa von Aehrenthal, i cili drejtonte Ministrinë e Jashtme 1906-1912. Madje Nopcsa, në dimrin e viteve 1912-13, i kishte akuzuar zyrtarët e Ministrisë së Jashtme për kumar në tregun e aksioneve. Sipas Nopcsas, përmes politikave informative të bëra me dashje, ata, me anë procesesh politike, e kanë lënë bursën me kast për katërmbëdhjetë ditë me radhë të rritet pa arsye, me qëllimin për ta përmbysur një ditë të bukur.

“Duket se edhe shefi i Departamentit të Shtypit, i cili jetonte në Vjenë, shumë më i krimbur në para sa ç’do t’ia lejonte prona e tij e vogël prej 100 pendësh në Hungari, ishte i kompromentuar, sepse më vonë këtë e degdisën në Meksikë me gjithë metodat e njohura austriake të fshehjeve e dredhive. Por fajtorët e tjerë ende jetojnë me nder”, shkruan Nopcsa. Madje edhe pasuesi i fronit Franz Ferdinandi duhet të ketë bërë kumar në tregun e aksioneve.

Mbret i Shqipërisë

Politikisht, Nopcsa ishte më shumë në anën e Franz Ferdinandit dhe mbështeste një betejë mundësisht sa më shpejt me Serbinë dhe Rusinë. Ai që herët kërkoi një Shqipëri të pavarur – “sa më shpejt dhe sa më të madhe të jetë e mundur” – “në mënyrë që me rënien e pashmangshme të Turqisë, ajo të bëhej automatikisht shtet i pavarur”.

Atij i interesonte edhe të siguronte sferën e ndikimit të Austro-Hungarisë ndaj Italisë. Me ndihmën e Austrisë, më 1912 shteti shqiptar u bë realitet.

Në vitin 1913 po kërkohej një mbret për Shqipërinë, dhe Nopcsa hodhi fjalën për veten e tij.

“I pari që merrej në konsideratë ishte asokohe konti Urach von Württemberg, pastaj vinte një princ egjiptian, Ahmed Fuad, e madje edhe biri i markezit Castriota nga Napoli. Në të tilla rrethana, vendosa të ndërmerrja një hap që mund të më bënte disi qesharak dhe të hidhte baltë mbi gjithë punën time albanofile të deritanishme, por që unë, duke marrë parasysh rrethanat, vendosa ta hidhja. E informova me gojë Shkëlqesinë e Tij, Conradin, se edhe unë, në rast se mbështetem nga Ballhausplatz, do të isha i gatshëm të bëja pjesë tek numri i kandidatëve për fron (…) Nëse qeverisja si princ evropian, do ta kisha fare të lehtë t’i gjeja paratë e nevojshme nëpërmjet një martese, që në fakt për mua është tejet antipatike, me një amerikane të pasur, që aspiron titullin e princeshës”, shkroi ai në letrën drejtuar Conrad von Hötzendorf, shokut të tij.

Me barinjtë në Rumani

E megjithatë, as vullneti për vetëflijim i dijetarit homoseksual, nuk vlejti asgjë – plani i Nopcsas dështoi. Në Vjenë tundnin kokat, sepse gjithkush e dinte që Nopcsa nuk kishte asnjë mundësi, pasi Italia nuk do ta kishte dhënë kurrë aprovimin e saj. Në vitin 1914, në fronin e Shqipërisë u ngjit Princi gjerman Wilhelm Friedrich Heinrich zu Wied. Nopcsa u zhgënjye dhe u praps. Vari edhe njëherë peliçen e deles, vuri një kësulë me gëzof qengji dhe u nis për në malet rumune te barinjtë. Kaloi javë të tëra me barinjtë.

Nga njëra anë, ai e idealizonte këtë jetë: “Pas një të tillë shëtitjeje, mblidhemi prapë bashkë, njëri tregon, tjetri luan flaut, ose unë mbyll sytë dhe ëndërroj për ekzistencën time.”

Nga ana tjetër, ai e përshkruan kështu brutalitetin e barinjve: “Që ata rrihen me kopaçet e tyre, e kuptoj. Por ndodh, edhe që hajdutët e deleve varen prej këmbësh mbi zjarr dhe tymosen, deri sa humbin ndjenjat.”

Dashuria për Ballkanin dhe Bajazidin

Nopcsa ishte vërtet një aristokrat arrogant, por nuk ishte aspak një evropiano-qendror i llastuar, përkundrazi. Ai e dashuronte Ballkanin për shkak të shtigjeve të tij të vështira, të surprizave. Kështu ai nxehej me kushtet që gjenin turistët në Alpet e Zvicrës.

“Një mijë herë më shumë më pëlqen Shqipëria me rreziqet dhe aventurat e saj, me ngjyrat e saj të mrekullta dhe efektet e pazakonta të ndriçimit, e pastaj edhe njerëzit e saj sa hokatarë, aq primitivë, por për këtë arsye edhe interesantë, me gjithë mungesën e luksit dhe rrugëve të mira”, shkruan ai.

Me siguri, ai donte t’u largohej disa konvencioneve.

Nopcsa e shfaqte hapur homoseksualitetin e tij. Nuk e quante si shokun e tij të jetës, por e trajtonte si të tillë shqiptarin Bajazid. Për partnerin e dashur shkruante: “Më 20 nëntor, u njoha në Bukuresht me Bajazid Elmasin. Që prej asaj kohe, ai qëndroi me mua, dhe pas vdekjes së Louis Draskovit, ai ishte i vetmi njeri që më kishte vërtet qejf. Prandaj, pata besim të plotë tek ai, pa u druajtur asnjë çast se ai do ta keqpërdorte këtë. Edhe ai kishte të metat e tij, por ia pranoja me kënaqësi, duke i marrë parasysh cilësitë. Nga urrejtja kundrejt gjithçkaje që është austro-hungareze, dhe meqë unë veproj në Shqipëri, nga urrejtja kundrejt meje, serbët vranë babain dhe vëllain e Bajazidit në Stirovicë në 1913.”

Kaçurreli në kokë

Nopcsa u afrua shumë me fiset shqiptare dhe mendësinë e tyre gjatë udhëtimeve të tij. “Në sytë e malësorëve është burrë vetëm ai, që di të përdorë armën e tij”, shkruan ai.

Vishte kostume tradicionale. I rruante flokët si perçe, një xhufkë në majë të kokës. Kur malaziasit ofruan shpërblim për kapjen e tij, ai vishej herë me rroba evropiane, herë si malësor, herë si shkodran e herë si Krasniq me kokë të qethur tullë dhe me një kaçurrel madhështor në majë.

“Në vend të këpucëve, në shumicën e rasteve vishja opinga që më shkonin me kostumin. Në Shkodër isha vetëm disa ditë, se normalisht jetoja si shqiptar mes shqiptarësh dhe relativisht pak mes priftërinjsh.”

Duke qenë se atë shumë shpejt nisën ta mbanin për vendas, i tregonin edhe përralla.

“Që në Shqipëri mësova të lexoj fatin nga shpatullat e dhive dhe deleve të therura, kjo është e vetëkuptueshme”, shkruan ai. “‘Tamam shqiptar’, kjo është lëvdata më e lartë që mund të të japin”, shkruan ai. Dhe Nopcsa vërtet ishte “tamam shqiptar”.

“Dehje ngjyrash”

Ky burrë thatanik e blinte reputacionin e tij duke shpërndarë para në Shqipërinë e Veriut.

“Kështu, dalëngadalë fitova prestigj dhe ky është, në marrëdhëniet personale, të paktën në Orient, e mira më e madhe”, shpjegon ai.

Ishte më shumë se thjesht simpati për rajonin: Nopcsa iu dha Ballkanit, mësoi dialektet, u identifikua me njerëzit dhe natyrën.

“Malet Dolomite të Nemanjës ndrinin të kuq prush dhe përtej Qafës së Boshit dukej topi i prushtë i diellit që zhytej në detin verbues portokalli. Ishte një dehje ngjyrash”, shkroi ai.

Ishte si i ngjitur me këto vende, një Karl May më i vërtetë se vetë Karl May. Për shembull mësoi si bëhej vëlla gjaku: “Në prani të kushëririt të Qerim Sokolit, Deli Nou, si dëshmitar, lidhëm gishtin e vogël të dorës së djathtë, nxorëm prej tij me gjilpërë nga një pikë gjaku, me to njomëm dy copa sheqeri, të cilat ia dhamë njëri-tjetrit për t’i ngrënë, pastaj u përqafuam dy herë duke thirrur ‘për hair’.”

Ai u bë nun, kumbar për një fëmijë, kështu quhet në Ballkan, dhe zgjidhte konflikte gjakmarrjeje, të cilat pa të do të kishin përfunduar tragjikisht.

Ngatërresa rreth sekretares Kistner

Vizatimet e baronit janë dëshmi të kohës, për shembull mbi spiunazhin që bëhej asokohe në Austro-Hungari. Kështu, ai dërgonte në Vjenë disa telegrame në ditë dhe i shkruante ato zyrtarisht si letra dashurie për sekretaren që quhej Anna Kistner, të gazetës së përjavshme të asaj kohe “Die Zeit”. Në të vërtetë ato i drejtoheshin kryeredaktorit të atëhershëm Heinrich Kanner – këto informacione vërtet të rëndësishme bazoheshin në një kodim, për të cilin ishte rënë dakord më parë.

Kjo sipërmarrje e guximshme shkoi mirë, “derisa njëri prej telegrameve të mia më të ndiera, , mbërriti në redaksinë e gazetës në Vjenë të dielën paradite në një orar, kur zonja Kistner nuk ishte në zyrë dhe një punëtor i zellshëm i redaksisë pati mendimin planprishës, që t’ia dërgonte këtë telegram asaj në shtëpi”, e përshkruan Nopcsa këtë rast.

Krizë martesore për shkak të Nopcsas

Kjo histori përfundoi gati tragjikisht.

“Telegrami ra në dorë të bashkëshortit të ligjshëm të zonjës Kistner i cili fatkeqësisht nuk ishte në dijeni të këtij pakti. Ai – horribile dictu – e lexoi dhe e nënkuptoi atë si provë flagrante të shkeljes së besnikërisë bashkëshortore nën mburojën e adresës së redaksisë. E mbytur në lot, zonja Kistner iu përgjërua të shoqit, që mos ta besonte këtë gjë, dhe i sqaroi gjithçka.”

Por, kjo çështje, sipas Nopcsas, nuk mbaroi me kaq: “Ai nuk bindej që nuk bindej dhe meqë të dielën pasdite as Dr. Kanner, i vetmi që mund të sqaronte, nuk ishte në redaksinë e gazetës “Die Zeit”, dy bashkëshortët kaluan orë të tmerrshme deri të hënën paradite. Pastaj, z. Kistner e mori zvarrë për flokësh të shoqen dhe e çoi te Dr. Kanner, e natyrisht kjo punë mbaroi për bukuri. Tragjedia martesore ishte paraprakisht i vetmi rezultat i prekshëm i udhëtimit tim në Shqipëri.”

Me humor e ka përshkruar Nopcsa edhe ipeshkvin e atëhershëm të Shkodrës katolike, Lazër Mjedën. Ky i fundit protestoi në mënyrë teatrale kundër atyre burrave në bashki të cilët kishin konkubina.

“Pas meshës festive të Pashkëve ai u çlirua coram publico nga petkat e tij të meshës, papritur hodhi përtokë mitrën dhe kërrabën e peshkopit dhe në vend që të jepte bekimin, ai mallkoi publikisht familjet që ushtronin konkubinat”, raporton baroni.

Kjo skenë mund të përfytyrohet fare mirë.

Aspekti sociokritik

Disa nga ato gjëra që gjenden në librin e Nopcsas, gjenden ende sot e kësaj dite në Ballkan, si për shembull premtimet për reforma, të cilat shpesh bien ndesh me realitetin. Për Inspektorin e Përgjithshëm të Maqedonisë Nopcsa shkroi, se ai i kishte reformuar qëllimet e sulltanit, sipas urdhrave të tij, për vite me radhë sa për t’u dukur.

Baroni kishte edhe një anë sociokritike: “Nëse nuk ke qenë vetë bari delesh, nuk e kupton, se sa thjesht dhe me drojë duhet të paraqitet një fshatar para zotërinjve të kamur, dhe se si gjithkush që mban rroba evropiane i afrohet me kapadaillëk dikujt që nuk është zotëri i kamur”, shkruan ai. “Unë kam jetuar gjysmë viti si bari dhe do të doja, që shumë zotërinj të tjerë të rëndë të ndjekin shembullin tim. Kështu mëson e kupton më shumë se nga një mijë libra.” Nopcsa shihte në “pajtimin midis klasave, qoftë ky edhe i detyruar, të vetmen mundësi për të shpëtuar kulturën e përbashkët”.

Barbarë që mbaheshin me të madh

Kjo mund të bëhej vetëm në kurriz të tepër të pasurve ose të të huajve, analizonte ai dhe mesa duket diçka parashikonte. E kritikonte hapur nacionalizmin: “Për francezët, gjithçka e lashtë në Evropë është gale, për gjermanët gjithçka gjermanike, për çekët gjithçka sllave. Italianët lëvdojnë racën e vogël mesdhetare dolikoqefale. Ja që ne evropianët jemi ende barbarë të papjekur, që teknikisht qëndrojmë shumë lart dhe mbahemi me të madh.”

Megjithëse ai kishte zemëruar shumë njerëz, qoftë në Austro-Hungari, qoftë në Perandorinë Osmane, kishte marrë ndalim kalimi në këto shtete dhe pothuajse askush nuk donte më të bashkëpunonte me të, ai ndihmoi gjatë Luftës së Parë Botërore komandon e lartë perandorake të ngrinte çeta shqiptare. Ai mblodhi në vitin 1916 rreth 2000 mirditorë, por më pas iu desh ta ndërpriste këtë sipërmarrje të tij për shkak të drejtimit kaotik. “Ndërsa neve në front na duheshin urgjent armë dhe municion, ai kafsha (ai quante kështu një kapiten) e kishte mendjen të pajiste me armë njerëzit në Shkodër dhe t’u mësonte atyre kalamallëqe si dy hapa djathtas para marrsh, dy hapa majtas para marrsh dhe hapin ushtarak.”

400 okë misër, dy qilima, dhjetë pula

Nopcsa ishte me të drejtë i zhgënjyer nga trupat austriake.

“Nëse mirditorët e mi, sipas këndvështrimit të oficerëve të perandorisë, ishin kusarë, atëherë trupat perandorake, siç u binda shumë shpejt, ishin më shumë se kusarë.”

Nopcsa përshkruan, se si ata vidhnin paturpësisht gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shkrumbonin objekte fetare islame.

“U shkatërrua xhamia e Haxhi Bajramit, pastaj xhamia e Karasait, xhamia e madhe e Medresesë, dërrasat e dyshemesë së të cilës u përdorën kot më kot për të ndezur zjarr.”

Ushtarët e perandorisë, edhe nëpër fshatra vepronin, si të ishin në shtëpitë e tyre.

“Vat Nikës i morën 400 okë misër, 300 okë tërshërë, 200 okë kashtë misri, 200 okë sanë, dy qilima dhe dhjetë pula.”

Nopcsa raportoi gjithçka në Vjenë: “Një vello të vjedhur nuseje me shumë vlerë e pashë vetë në duart e një oficeri rrugës nga Castellnuovo, përmes Sarajevës, për në Brod.”

Nopcsa nuk u kthye më kurrë në Shqipëri, megjithëse ky vend nuk e la të ikte. Me përfundimin e luftës më 1918, familja e tij në Hungari duhet të dorëzonte gjithçka.

“Meqenëse e doja me gjithë shpirt atë kështjellë, e vërteta për mua ishte e pakonceptueshme. Më dukej, sikur bota dhe e shkuara ime po fundoseshin”, shkruan ai lidhur me ditët e fundit në atdheun e tij transilvan. Edhe periudha midis dy luftërave botërore ishte për të si fundi i një kavalieri të vallëzimit popullor hungarez Csárdás.

Sistem i rrënuar nervor

Ai punoi në institutin gjeologjik në Budapest, derisa u zu me të gjithë atje. Udhëtoi me motor mespërmes Italisë, vizitoi klubet më të rëndësishme të Londrës. Por, Nopcsa kishte gjithnjë e më shumë probleme parash; ai donte madje të shiste edhe bibliotekën e tij.

Në 26 prill 1933, Nopcsa u vetëvra në rrugën Singerstrase në Vjenë. 55-vjeçari qëlloi sekretarin e tij prej shumë vitesh, shqiptarin 45-vjeçar Bajazid Elmas Doda dhe më pas vrau veten duke qëlluar njëherë me armë në gojë, në dhomën e tij të punës, para skrivanisë. Kështu shkruan “Neue Freie Presse”. Ai vetë shkruan lidhur me arsyet e vetëvrasjes: “Shkaku i vetëvrasjes sime është sistemi i rrënuar nervor. Arsyeja pse qëllova edhe shokun dhe sekretarin tim prej shumë vitesh, z. Bajazid Elmas Doda në gjumë dhe pa u nuhatur fare nga ana e tij, është, se nuk doja ta lija të sëmurë, mes dhembjesh dhe pa para në këtë botë, pasi ai do të kishte vuajtur shumë. Dëshiroj, që trupi im të digjet.”

Më kot lëshojmë pallavra për vlerat absolute

Në fillim të shënimeve të tij, Nopcsa zbuloi me një ton thuajse volterian, se pse kishte hedhur në letër kaq shumë gjëra, pavarësisht gjithçkaje: “Shihja gjithandej, si njeriu lufton me bindje të plotë në mënyra të ndryshme, kudo shihja, si mbijnë dhe vyshken gjethet, dhe arrita në përfundimin, që ne më kot lëshojmë pallavra për vlerat absolute. Gjithmonë është analizuesi ai që vendos për vlerën e diçkaje, por në një të tillë këndvështrim nuk ka vend për pesimizmin apo optimizmin. Nëse duam medoemos të ndjekim një parim që është përherë i vlefshëm, ky mund të jetë vetëm vanitas vanitatum.”./Telegrafi/ KultPlus.com

Robotët, ”shokët” e rinj të njeriut

Robotët po përgatiten të bëhen ”shokë” të njeriut dhe të ndikojnë në jetën e tij, me revolucionin e katërt industrial që po vjen.

Kjo epokë e re është në qendër të librit ”Roboti e noi” (”Robotët dhe ne”) i Maria Chiara Carrozzas, ish-ministrja italiane e Arsimit, e cila jep leksione në biorobotikë në universitetin ”Sant’Anna” të Pizës.

Libri është gjithashtu “një lloj fletoreje udhëtimi në botën e robotikës, nga revolucioni industrial deri në të tashmen”, thotë Carrozza.

”Askush nuk mund të blejë ende një kompani që përgatit robotë, pasi për të arritur këtë duhet të kalohen shumë sfida. Që nga siguria deri te marrja e të dhënave të njerëzve. Ne duhet t’i stërvitim robotët për të bashkëvepruar me njeriun”, shtoi ajo.

”Nuk ka më fantashkencë, por ka shumë aplikime në mjekësi. Nga karrigia robotike që lejon paraplegjikët të ngrihen deri te dora e njeriut”, thekson Carrozza.

Këto aplikacione janë vetëm një anë e shijes se si do të ndryshojë jeta e njeriut me revolucionin e katërt industrial që, sipas ekspertes, është duke u përgatitur për të transformuar njerëzimin./ATSH/KultPlus.com

Ndahet nga jeta shkrimtari dhe gazetari shqiptar, Maku Pone

Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare, Maku Pone, i cilësuar nga kritika letrare edhe si ”ambasadori” i letrave të qytetit të Fierit. Maku Pone lindi në Fier më 1 Mars 1939, në një familje të njohur për kontributin në lëvizjen patriotike, arsimore dhe kulturore.

Arsimin 7 vjeçar e kreu në Pogradec dhe Tiranë, të mesmin në qytetin e Shkodrës, ndërsa studimet e larta i kreu në Moskë për inxhinieri nafte.
Maku Pone e nisi rrugën e letërsisë në fushën e poezisë, ku vjershat e para ai nisi t’i botojë qysh në fillim të viteve 1950 në gazetat dhe revistat për pionier e të rinj. Vëllimin e parë poetik të titulluar: “Kur buzëqeshin shokët” e botoi në vitin 1969. Pas tij erdhën të tjerë libra si: “Yje mbi bar” 1973, “Në brazdat e kësaj toke” 1975, “Lulëzim” 1982.

Gjithashtu në këto vite ai botoi edhe librat e letërsisë për fëmijë si: “Na thërret trumbeta”, “Postieri ynë”, “Ne jemi gjeologe”, “Pushimet dimërore”, “Naftëtarët e vegjël”, të cilët u pritën mirë nga kritika dhe lexuesit e vegjël. Po në këtë periudhë Pone provon edhe sfida të tjera në fushën e letërsisë siç ishin: proza e gjatë dhe dramaturgjia. Këtyre gjinive ai i kushtoi novelën “Shtëpia midis mollëve” dhe romanin “Trëndafilat e mesnatës”.

Pas një periudhë dhjetëvjeçare pune në naftë në vitin 1971. Maku Pone, do të shkëputet për të punuar ne fushën e arsimit dhe kulturës. Fillimisht si drejtor i shkollës së mesme të bashkuar në Patos, dhe më pas në vitet 1974-1975 si kryeredaktor në gazetën lokale “Drapër dhe Çekan”, ku u dallua për stilin e tij origjinal në reportazhe, analiza, fejtone, poezi, tregime, etj. Më pas në vitet 1983-1992 Pone nisi punën si libretist në Teatrin Bylis, ku shkroi dhe vuri në skenë dhjetë drama. Të tilla ishin “Shpërthimi”, “Fundi i sinoreve”, “Asgjë nuk harrohet”, “Atje në Ebro”, “Natë e pagjumë”, “Udhë e mbarë”, “Shokë e vite”, “Dosja 63”, “Shqetësimet e një mjeku”, “Një vajze e fyer”. Disa prej këtyre veprave skenike u vunë në skene nga Teatri Kombëtar i Tiranës, teatro të tjera të vendit, si dhe u radio dramatizuan në Radio Tirana.

Letërsinë e vijoi edhe me ndërrimin e sistemeve në vitet 90, ku u shfaq sërish përpara publikut me disa vëllime poetike si: “Në portat e erërave”, “Gjaku i verdhë”, “Lulediellit”, “Dëbora e Orientit”, që u pritën mirë nga lexuesi, kritika dhe media.

Në vitet 2000 Maku Ponen e gjejmë si gazetar në median elektronike, në ekranin e televizionit rajonal Apolon, duke dhënë përsëri kontributin e tij njerëzor dhe intelektual..
Ndërkohë që me forcën e pasionin dhe këmbënguljen që e karakterizonte, shkroi edhe një sërë veprash. Të tilla ishin librat me poezi: ”Trilogji poetike” “Qiparisat e muzgut”, “Muzikë dimri”, “Një kafe me gurin”, Në kërkim të fytyrës, “Dritësi e terr”, “Zjarr i hidhur”, si dhe romanin “Motër e vëlla” e vëllimin me tregime “Balona me bedena”
Maku Pone ka lënë një trashëgimi letrare të konsiderueshme duke botuar 14 libra me poezi, 10 drama, 4 romane dhe 6 libra për fëmijë. /KultPlus.com

A duhet djegur Kafka?

Nga Georges Bataille

Pak kohë pas përfundimit të luftës, një e përjavshme komuniste, “Action”, hapi një kërkim lidhur me një çështje të çuditshme. Tema ishte: “A duhet djegur Kafka?” Për më tepër, kjo pyetje tingëllonte e pakuptimtë, pasi më parë nuk ishin shtruar të tilla pyetje që t’i paraprinin asaj, si, fjala vjen: “A duhen djegur librat?” ose, në përgjithësi, “Cilët lloj librash duhen djegur?”

Sidoqoftë, zgjedhja e redaktorit ishte finoke. Është e tepërt të kujtojmë këtu që autori i “Procesit” është, siç thuhet, “njëri nga gjenitë e epokës tonë”. Por numri i shumtë i përgjigjeve tregoi se guximi nuk vajti dëm. Për më tepër, shumë kohë para se të formulohej, kërkimi e kishte marrë një përgjigje, që revista s’mori mundimin ta botojë; që autori jetoi ose, të paktën, vdiq i sfilitur nga dëshira për t’i djegur librat e tij. Sipas meje, Kafka, deri në fund, nuk doli nga qerthulli i pavendosmërisë. Në radhë të parë, ai i shkroi këto libra dhe duhet marrë me mend që ka kaluar kohë nga dita kur i shkroi dhe kur vendosi t’i digjte. Gjithsesi, vendimi i Kafkës ishte i dyshimtë, pasi ia besoi ekzekutimin e dorëshkrimeve njërit prej miqve të tij (Max Brod), i cili e kishte paralajmëruar që nuk e merrte përsipër një barrë të tillë. Pak para se të vdiste, gjithsesi shprehu një vullnet të tillë, në dukje të formës së prerë; gjithçka që kishte lënë, duhej ta përpinin flakët. Sidoqoftë, ideja për të djegur Kafkën, edhe pse ishte një provokacion, ishte logjikë për shpirtin e komunistëve. Këto flakë të përfytyruara ndihmojnë, madje, t’i kuptosh më mirë veprat e tij; janë libra të destinuar të përpihen nga flakët, objekte të cilave u mungon, në të vërtetë, djegia nga flaka.

Kafka, toka e premtuar dhe shoqëria revolucionare

Ndoshta Kafka ka qenë më finoku ndër të gjithë shkrimtarët: të paktën ai nuk u zu në grackë! Pikësëpari, në dallim nga modernët e tjerë, të qenët shkrimtar ishte pikërisht ajo që ai dëshironte. E kuptoj që letërsia ia mohonte kënaqësinë e pritur dhe ai pikërisht këtë donte, por s’reshti së shkruari. Madje do të ishte e pamundur të thuash se mbeti i zhgënjyer nga letërsia. Gjithsesi ajo nuk e zhgënjeu, krahasuar me qëllime të tjera të mundshme. Duhet pranuar se për të, letërsia ishte siç ishte Toka e Premtuar për Moisiun. Ja ç’thotë Kafka për Moisiun: “…fakti që ai arriti ta shihte Tokën e Premtuar vetëm në prag të vdekjes nuk është i besueshëm. Ky vlerësim i madhërishëm ka një kahe të vetme, atë që deri në ç’pikë jeta njerëzore është një çast i përkryer; i pakryer pasi kjo lloj jete (pritja e Tokës së Premtuar), mund të zgjasë pafundësisht, pa arritur kurrë diçka më shumë sesa thjesht një çast. Moisiu nuk e arriti kurrë Kananin, jo sepse jeta e tij ishte shumë e shkurtër, por sepse ishte jetë njerëzore.” Nuk është vetëm denoncimi i kotësisë së një të mire të caktuar, por gjithë qëllimeve, pa përjashtim, pa kurrfarë kuptimi; një qëllim është gjithnjë i pashpresë në kohë si peshku në ujë, një pikë e çfarëdoshme në lëvizjen e universit; meqë bëhet fjalë për një jetë njerëzore. A ka diçka që t’i kundërvihet më shumë se kjo qëndrimit të komunistëve? Mund të themi se komunizmi është veprim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është veprim që ndryshon botën. Tek ai, qëllimi, pra ndryshimi i botës, i vendosur në kohë, në kohën e ardhme, nënrendit qenien, veprimtarinë e tashme që nuk ka kuptim jashtë qëllimit të paracaktuar; kjo botë që duhet të ndryshojë. Për realizimin e një qëllimi të tillë komunizmi, në parim, nuk nxjerr asnjë lloj pengese. I gjithë njerëzimi është i gatshëm t’ia përkushtojë të tashmen një qëllimi të gjithëpushtetshëm. Dhe askush nuk vë në dyshim vlerën e veprimit, askush nuk mund t’i mohojë veprimit autoritetin vendimtar. Por e parë hollë, ekziston një rezervë e papërfillshme; ne pranojmë se veprimi nuk na ka penguar kurrë të jetojmë… Kështu bota e veprimit s’ka shqetësim tjetër përveç qëllimit të paracaktuar. Qëllimet ndryshojnë në varësi të dëshirës, por ndryshueshmëria e tyre, ose më mirë kundërshtia e tyre, ka ruajtur përherë një mundësi për bashkëjetese individuale. Vetëm një mendje e lajthitur, thuajse e çmendur, heq dorë nga një qëllim, pa gjetur një tjetër më të vlefshëm. Vetë Kafka lë të kuptojë që, nëse u tallën me Moisiun, kjo ndodhi për faktin se, sipas profecisë, ai duhej të vdiste në çastin kur realizoi qëllimin. Por, logjikisht, shton se arsyeja e dështimit të tij ishte “jeta e tij njerëzore”. Qëllimi është shtyrë në kohë dhe koha është e kufizuar; kjo i mjafton Kafkës që ta vlerësojë qëllimin në vetvete si një iluzion. Kjo është kaq paradoksale dhe kaq e kundërt me qëndrimin komunist (qëndrimi i Kafkës nuk bie ndesh vetëm me shqetësimin politik, për të cilin asgjë s’ka rëndësi përveç kryerjes së revolucionit), sa duhet të mendohemi mirë lidhur më këtë gjë.

Naiviteti i përkryer fëminor i Kafkës

Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kafka e shprehte gjithnjë mendimin e tij, kur dëshironte t’i thoshte gjërat haptas (në ditar apo në faqet e reflektimeve), duke e shndërruar çdo fjalë në grackë (ndërtonte ngrehina të rrezikshme ku fjalët nuk renditen sipas një logjike të caktuar, por qorrollepsen njëra mbi tjetrën, sikur duan vetëm të të çudisin, të të fusin në qorrsokak, sikur janë shkruar vetëm për autorin, që duket sikur s’lodhet as së kaluari nga çudia në përhumbje).

Pa dyshim ishte krejt e kotë t’u japësh një kuptim shkrimeve të mirëfillta letrare, në të cilat shpesh shihet ajo që s’ekziston dhe në rastet më të mira shihen ato që, pas gdhendjes, mbeten nga pohimi interpretativ më i mefshtë.

Pikësëpari, duhet t’i shprehim këto rezerva. Gjithsesi, ne, si në një labirint, ndjekim kuptimin e përgjithshëm të ecurisë së gjërave që, pa dyshim, mund të kapet vetëm në çastin kur dalim nga ky labirint; dhe atëherë, sipas meje, thjesht mund të themi se vepra e Kafkës në tërësinë e saj është dëshmi e një sjelljeje krejt fëminore.

Unë mendoj se pika e dobët e rrjedhës sonë logjike qëndron në vlerësimin e naivitetit si një sferë më vete, e cila në një lloj mënyre nuk na tingëllon e huaj, por që qëndron jashtë nesh dhe si e tillë nuk mund të përbëjë dhe as të shprehë të vërtetën e mirëfilltë, atë që ekziston në të vërtetë. Në mënyrë të ngjashme, përgjithësisht, askush nuk e sheh gabimin si pjesë të së vërtetës…

“Është fëminore” apo “joserioze”, kjo është e njëjta gjë. Por, fillimisht, të gjithë jemi absolutisht fëminorë, madje në mënyrën më të çuditshme, duhet shtuar: dhe pikërisht nëpërmjet këtij naiviteti fëminor, njerëzimi në zanafillën e vet shpreh thelbin e tij. Për të qenë më i saktë, kafsha nuk është kurrë fëminore, por qeniet e reja njerëzore, me pasionin e tyre, e ndryshojnë drejtimin që u këshillon i rrituri, i cili, nga ana e tij, nuk merr kurrfarë drejtimi. E tillë është bota së cilës i përkisnim dhe që herët e para na dehte deri në kënaqësi me pafajësinë e saj: gjithçka tek ajo, për një çast, shpërfillte arisen e qenies që e kishte bërë diçka (në ingranazhin e kuptimeve sipas të cilave ecën i rrituri).

Nga vetja e tij Kafka la atë që redaktori Klossowski e quajti “Skica e një autobiografie”. Fragmenti ka të bëjë vetëm me fëmijërinë, madje me një aspekt të veçantë të saj. “Kurrë nuk mund t’i mbushësh mendjen, fjala vjen, një djaloshi i cili, në mbrëmje, është zhytur në leximin e një historie tërheqëse, pra s’mund t’ia mbushësh mendjen me diçka që i drejtohet vetëm atij, që të ndërpresë leximin dhe të shkojë të flejë”.

Ja ç’thotë Kafka më tej: “…Në të gjithë këtë, e rëndësishme është që dënimin që më jepej për shkak të faktit që lexoja gjatë, unë e shtrija edhe në cilësinë time të fshehtë për të lënë pas dore detyrat dhe rrjedhimisht, pasojat ishin edhe më të rënda.” Autori në moshë të pjekur këmbëngul në faktin që dënimi kishte të bënte me shijet që përbënin “veçantinë e djaloshit”: shtrëngimi e bënte ose “të urrente atë që e detyronte” ose t’i vlerësonte si të papërfillshme gjërat e veçanta që i ndaloheshin… “Nëse unë mbaja fshehur, – shkruan, – njërën prej veçorive të mia, për pasojë urreja vetveten dhe fatin tim, duke u vetëcilësuar i lig ose i dënuar”.

Lexuesit e “Procesit” apo të “Kështjellës” s’e kanë të vështirë të shquajnë atmosferën që karakterizon krijimet romaneske të Kafkës. Fajin e të lexuarit e pasoi, në moshë të rritur, faji i të shkruarit. Kur në skenë doli letërsia, qëndrimi i familjes dhe sidomos ai i të atit, u karakterizua nga i njëjti mospëlqim me të cilin shihej leximi. Dëshpërimi i Kafkës qe po aq i madh. Me të drejtë, Michel Carrouges ka thënë lidhur me këtë: “Ajo që e ndrydhte tmerrësisht ishte sidomos trajtimi sipërfaqësor që u bëhej gjërave që atë e shqetësonin më shumë…” Duke folur për një rast kur përbuzja e të afërmve të tij u shpalos e pamëshirshme, Kafka shprehet: “Qëndrova ulur dhe u përkula mbi atë fletë që s’kishte pikë vlere… por, në të vërtetë, papritur isha dëbuar nga shoqëria…”

Ruajtja e gjendjes fëminore

Në karakterin e Kafkës të bën përshtypje dëshira e tij e papërmbajtur që i ati ta kuptonte dhe ta pranonte veprimtarinë e tij “fëminore”, leximin dhe më vonë letërsinë; që babai të mos e zbonte nga shoqëria e të rriturve, e vetmja gjë që mund të mbetej pa u shkatërruar; që në fëmijëri këtë ai e ngatërroi me thelbin, me veçoritë e qenies së tij. Babai ishte për të njeriu me autoritet, interesat e të cilit shkonin deri te vlera e veprimeve të efektshme. Babai përfaqësonte përparësinë e një qëllimi nga varej jeta reale, qëllim të cilit i përmbahet pjesa dërrmuese e të rriturve. Në mënyrë fëminore Kafka jetonte, si çdo shkrimtar i mirëfilltë, nën përparësinë e kundërt të dëshirës aktuale. Është e vërtetë se ai iu nënshtrua zgjedhës së punës së zyrës, e pranoi zemërthyer, pa iu ankuar njerëzve që e detyruan të bënte një punë të tillë, por duke u qarë për fatin e tij të keq. Gjithnjë e ndjeu veten të përjashtuar nga shoqëria, që e përdorte, por e trajtonte sikur të mos kishte kurrfarë vlere – si një lloj krijese fëminore – pra, ashtu siç ai sillej plot pasion të zjarrtë në thellësinë e qenies së tij. I ati i përgjigjej me indiferencën e akullt të njerëzve të regjur në punë. Më 1919-n, Franc Kafka i shkroi të atit, por që fatmirësisht nuk ia dërgoi letrën, pjesë të së cilës i kemi bërë të njohura. “Isha, – thotë, – një djalë i mbytur në ankth dhe njëkohësisht kokëngjeshur, si gjithë djemtë dhe pa dyshim edhe mamaja m’i plotësonte tekat; sidoqoftë, nuk mund të besoj që kam qenë tip kaq i vështirë, s’mund të mendoj se me një fjalë të ngrohtë, me një mënyrë të qetë për të më “marrë për dore”, me një vështrim të ëmbël mund të arrijë ç’të dojë (…). Ti je i zoti ta trajtosh një djalë vetëm sipas natyrës tënde, plot forcë, bujë e zemëratë (…). Ishe ngritur aq lart me fuqinë tënde, prandaj dhe kishe një besim të verbër në vetvete (…). Para teje, s’mund të bëja tjetër veçse të belbëzoja dhe të flisja si një gagaç… Para teje e kisha humbur besimin në vetvete dhe më kaplonte një ndjenjë faji pa fund e pa krye. Pikërisht duke sjellë ndër mend karakterin e pamatë të kësaj ndjesie, ja ç’shkrova një ditë për dikë: ‘Ai trembej se mos turpi e pushtonte të gjithin.’ Gjithçka që shkruaja, bënte fjalë për ty; e ç’kuptim tjetër mund të kishte kjo përveçse rrëkesë së lotëve mbi gjoksin tënd? Në këtë mënyrë, unë merrja prej teje një leje të stërzgjatur enkas…”

Të gjithë veprën e tij Kafka do të donte ta titullonte “Përpjekje për t’u arratisur nga qerthulli atëror”. Por nuk duhet të gënjehemi në këtë pikë; në të vërtetë, Kafka as që donte të arratisej. Ai donte të jetonte brenda qerthullit, si një i dëbuar. Që në fillim ishte i vetëdijshëm për këtë. Nuk mund të thuash që e kishin përjashtuar të tjerët, por gjithashtu nuk mund të thuash se ishte vetëpërjashtues. Thjesht sillej në një mënyrë të tillë që të bëhej i padurueshëm për mjedisin e veprimtarisë dobiprurëse, industriale dhe tregtare, donte të përkundej në naivitetin e ëndrrës. Kjo lloj arratisje ndryshon thelbësisht nga ajo që trajtohet në veprat letrare; është një arratisje e dështuar. Më tepër një arratisje që duhet, që kërkon të dështojë. Ajo që i mungon arratisjes së zakonshme, e cila mjaftohet me një formë kompromisi dhe “mburrjeje”, është ndjenja e thellë e fajit, e dhunimit të një ligji të pashkatërrueshëm, është kthjelltësia e ndërgjegjes së pamëshirshme ndaj vetvetes. “I arratisuri” i veprave letrare është një fillestar i kënaqur nga dëfrimet; ai ende nuk është i lirë, nuk është i tillë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sipas së cilës liria është sublime. Për të qenë i lirë duhet të njihesh si i tillë nga shoqëria sunduese.

Por në botën e mykur të feudalizmit austriak, e vetmja shoqëri që mund ta pranonte djaloshin izraelit, ishte mjedisi atëror i afaristëve, që s’ishte prekur nga shtirja e snobistëve meraklinj pas letërsisë. Mjedisi ku fuqia e babait të Francit shpalosej haptas, s’ka vend dhe në fëmijëri e pranon një lloj naiviteti, që ajo vetë e lejon në kufij të caktuar, por e dënon parimisht. Tani duhet saktësuar qëndrimi i Kafkës dhe të shpalosim karakterin e tij ekstremist. Ai duhej të pranohej jo vetëm nga autoritetet më pak të afta për ta bërë një gjë të tillë (meqë – e kishte vendosur pa pikë ngurrimi – ai nuk do të tërhiqej), por kurrë nuk i shkoi nëpër mend t’i godiste autoritetet në fjalë, madje as t’u kundërvihej. Ai nuk donte t’i kundërvihej këtij babai që i hiqte mundësinë për të jetuar dhe nga ana e tij, nuk donte të rritej si të ishte baba.

Zhvilloi, sipas mënyrës së vet, një luftë të pashoqe për të hyrë në shoqërinë e të atit me gjithë të drejtat që i takonin, por do të kishte pranuar vetëm me një kusht; të mbetej ai vocërraku i papërgjegjshëm që ishte. S’reshti së luftuari, deri në frymën e fundit, në një betejë të dëshpëruar. Kurrë nuk pati shpresë: e vetmja mundësi për të hyrë në botën e të atit mbetej vdekja, atëherë kur dhe do të humbte veçoritë e veta (naivitetin, tekat). Këtë zgjidhje e parashtroi në 1917-ën, që u shfaq pastaj e shumëfishuar në romanet e tij. “Pra, më duhet t’i besoj vdekjes”, – deklaron në “Mbeturinë e një besimi. Kthim te babai. Dija e madhe e pajtimit”. E vetmja mënyrë, të paktën për të, për të kryer një akt prej babai ishte martesa. Dhe, pavarësisht nga dëshira, hoqi dorë për arsye tejet të forta; dy herë e prishi fejesën. Jetonte “i veçuar nga brezat e mëparshëm” dhe “s’arriti… të bëhet fillesë e një brezi të ri”. “Pengesa kryesore për t’u martuar, – shprehet në “Letër babait”, – qëndron në bindjen time të thellë se për të siguruar ekzistencën e një familjeje dhe sidomos për të drejtuar mbarëvajtjen e saj nevojiten doemos gjithë cilësitë që ti zotëron. Pra, le ta themi, duhet qenë ashtu siç je ti dhe të braktisësh atë që jam unë”.

Kafka pati ç’të zgjedhë mes skandaleve – naive, të arsyeshme – tekave, humorit të gjithëpushtetshëm, që nuk synojnë asgjë, që nuk shpien në lumturinë e premtuar, dhe kërkimit të lumturisë që të jep veprimtaria dobiprurëse dhe autoriteti mashkullor. Pra, provoi të zgjedhë; diti, të paktën, të gjejë rrugën në mënyrë të vetëdijshme, edhe pse u përfshi në ingranazhet e një pune që s’i sillte kurrfarë kënaqësie. Zgjodhi tekat pambarim të heronjve të tij, naivitetin e tyre, shkujdesjen e tyre të ankthshme, sjelljen e tyre të pacipë dhe falsitetin e qëndrimit të tyre. Me një fjalë, dëshiron që ekzistenca e një bote irracionale, domethëniet e së cilës nuk janë të renditura, të mbetej një ekzistencë e gjithëpushtetshme, e cila përmbushet vetëm në çastin kur na thërret vdekja. Ai nuk kërkon rrugëdalje, nuk e pranon dobësinë, pa i dhënë kurrfarë shprese vlerës sublime të zgjedhjes së tij, shpresë që do ta detyronte të shtirej. Kurrë nuk ndoqi rrugë të tërthorta, duke kërkuar privilegjin e seriozitetit për atë çka është sublime. E ç’janë tekat që të mundëson pushteti dhe ligji përveçse shfaqje nga ato të kopshtit zoologjik? Ai e ndjeu se e vërteta, origjinaliteti i tekave, kërkonte sëmundjen, tjetërsimin deri në vdekje. E drejta, siç pohon Maurice Blanchot kur flet për të dhe pikërisht për veprimin, “arti (teka) krahasuar me veprimin, nuk gëzon të drejta”. Botën e gëzojnë ata të cilëve u është dhënë një tokë e premtuar dhe që, nëse e shohin të nevojshme, punojnë e luftojnë së bashku për ta arritur. Forca e heshtur dhe e dëshpëruar e Kafkës qëndron në moskundërshtimin e autoritetit që i mohonte mundësinë për të jetuar, qëndron në largimin nga gabimi i përgjithshëm që autoritetit i kundërvë lojën e rivalitetit. Nëse ai që s’pranon të nënshtrohet, më në fund, del fitimtar, vetë ai, para të tjerëve dhe vetes, ngjason me ata kundër të cilëve ka luftuar, me ata që ushtrojnë autoritet. Jeta fëminore, tekat e shpenguara të gjithëpushtetshme, nuk mund t’i bëjnë ballë triumfit të tyre. Pavarësia e ka çmimin e vet; i mungon ushtrimi i pushtetit, që do të thotë veprim, epërsi e së ardhmes mbi të tashmen, epërsi e tokës së premtuar. S’ka dyshim që është e tmerrshme të mos luftosh për të shkatërruar një kundërshtar të egër, që do të thotë t’i qasesh vdekjes. Për të përballuar këtë tradhti ndaj vetvetes, duhet luftuar ethshëm, plot ashpërsi e pa ngurrim: është e vetmja mënyrë për të ruajtur këtë dëlirësi delirante, që s’ka kurrfarë lidhjeje me pikësynimin logjik, që më kot rreket të mbështetet në ingranazhet e veprimit, ajo dëlirësi që zhyt në batakun e fajësisë gjithnjë në rritje, të gjithë heronjtë e saj. Askush s’është më i dëlirë dhe kontradiktor se K. i “Kështjellës” dhe Jozef K. i “Procesit”. Ky personazh i dyfishtë, “i njëjti në të dy librat, tinëzisht agresiv, pa ndonjë shkak apo përfitim, është mbërthyer nga një tekë rravguese, nga një kryeneçësi e verbër. Ai pret gjithçka nga dashamirësia e autoriteteve të pamëshirshme, sillet si një tip paturpësisht i shthurur mu në mes të bujtinës (bujtina e funksionarëve), mu në mes të shkollës, me avokatin e tij… në sallën e gjyqit të Pallatit të Drejtësisë”. Babai, në veprën “Dënimi”, vihet në lojë deri në tallje nga i biri, por ekziston siguria e hakmarrjes për shkatërrimin e thellë, fatal, të pavullnetshëm të autoritetit të qëllimeve të tij; por ai që i prin shkatërrimit, duke zgjidhur qentë pa gjetur më parë një vetëmbrojtje, i përhumbur në terr, vetë ai do të jetë viktima e parë. Pa dyshim ky është fataliteti i gjithë asaj që është e pavarur nga pikëpamja njerëzore; pavarësia nuk mund të ekzistojë përveçse në mohimin e vetvetes (mjafton edhe llogaria më e vogël dhe gjithçka shkatërrohet, s’mbetet veçse skllavëria, epërsia e qëllimit dhe e llogaritjes bazuar në të tashmen) ose në çastin e zgjatur të vdekjes. Vdekja është i vetmi mjet për të shmangur gjithëpushtetin e abdikimit. Vdekja e përjashton skllavërinë; te vdekja s’ka më kurrfarë gjëje.

Përktheu Agim Doksani.

Marrë nga libri “Letër babait”, pasthënie, Phoenix 2000.

Avullimi i 10.000 eurove, replikë mes Alda Bardhylit dhe Ardian Vehbiut

Alda Bardhyli, koordinatore e çmimit “Kadare”, në një replikë të zhvilluar me Ardian Vehbiun, “me këtë çmim fitojnë të gjithë”, ky titull i Ardian Vehbiut shoqëronte një shkrim mbi çmimin “Kadare”, në “Peizazhe të fjalës”, marrë shkas nga një status publik i profesorit Agron Gashi, ku fliste për “avullim” të shumës prej 10 mijë eurosh, që duhet të kishte shkuar në llogarinë e fituesit të edicionit të tretë të këtij çmimi, shkrimtarit Musa Ramadani.

Nëse nuk do të shkonim më tej tekstit të Vehbiut, titulli do të dukej i justifikuar për një çmim që, më shumë se për autorët që janë kurorëzuar në këto vite, ka fituar letërsia shqipe. 

Nuk është hera e parë që Vehbiu kërkon ta shohë këtë konkurs të letrave shqipe, i cili është kthyer në këto vite në projektin më të rëndësishëm kulturor në hapësirat shqiptare, jo në vlerën që mbart si iniciativë dhe si një shërbim ndaj autorëve dhe letërsisë, por për grantin (ashtu siç e quan në një shkrim të vitit 2017) që mbart. (Dua vetëm të vërej se ky çmim vjen kaq fort në vëmendjen e publikut ngaqë lidhet me emrin e Kadaresë, por edhe për shkak të honorarit relativisht të majmë [10 000 euro] që merr fituesi, shkruan Vehbiu në shkrimin “Çmimi i përfolur”, dy vite më parë.) 

Për një studiues të letërsisë e shkrimtar si Vehbiu, analiza mbi bilance financiare e jo mbi analiza mbi prurjet e këtij çmimi, pasi janë 5 romane të botuara në këto vite nga ky konkurs, thjesht konfirmojnë qëndrimet e tij të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë. 

Çmimi “Kadare”, iniciativë e Institutit Europian “Pashko”, mbylli këtë vit edicionin jubile (edicionin e pestë), duke shpallur fitues shkrimtarin e ri Loer Kume. Përgjatë këtyre viteve, në një hapësirë letrare, ku duket se nuk ndodh asgjë, ky çmim ka pasur meritën jo vetëm në krijimin e një gare motivuese për më shumë se 300 autorë, por dhe në nxitjen e një debati mbi letërsinë. Marrëdhëniet tona me autorët fitues të këtij çmimi kanë qenë korrekte jo vetëm sipas një kontrate të nënshkruar, por dhe sipas parimeve të pashkruara që njerëzit e letrave ndërtojnë. Përgjatë një periudhë 18 – 24-mujore, autorët kanë obligim ta promovojnë këtë iniciativë e në të njëjtën kohë veprat e tyre sipas modaliteteve të shkruara në statusin e çmimit “Kadare” në evente e takime të ndryshme. Ky proces ka përfunduar plotësisht me fituesin e edicionit të parë, Rudolf Marku. Është në përfundim e sipër me Shkëlqim Çelën dhe Musa Ramadanin, përkatësisht fituesit e edicionit të dytë dhe të tretë, por për shkak të largësisë gjeografike, pasi Çela jeton në SHBA, apo për shkak të gjendjes shëndetësore të mjeshtrit Ramadani, disa elemente të procesit të promovimit të veprës, çmimi dhe institucioneve që e akordojnë, kanë mbetur më pas. Kurse për Virgjil Muçin dhe fituesin më të fundit, Loer Kume, eventet janë në vazhdim. Për shembull, Loer Kume zhvilloi një bisedë brilante me lexues të rinj së fundi, në Muzeun Studio Kadare në Tiranë. Të gjitha këto janë detaje që mes palësh vazhdojnë, sepse çmimi “Kadare” nuk është thjesht një mandatpagese, është një projekt kulturor që synon të gjallërojë, të nxisë dhe të ruajë një debat kulturor për letërsinë bashkëkohore shqipe. Kaq për detajet teknike, që janë proces rutinë për autorin dhe Institutin Europian “Pashko”.

Nisur nga shkrimi i detraktorit të vjetër të Ismail Kadaresë dhe tanimë dhe i çmimit “Kadare”, Ardian Vehbiu, ndoshta është rasti për të bërë një bilanc jo vetëm financiar të këtij çmimi.

Së pari: I krijuar në vitin 2015, çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, qendra e studimeve shqipe “Kadare”, klubi letrar “Kadare”, Ditët Letrare të Razmës, suplementi letrar “Leteratura”, që çdo të hënë del bashkë me gazetën “Liberale”, kolona “Leteratura” pranë botimeve UET PRESS kushtuar botimit të letërsisë shqipe, bursat “Kadare” për humanitetet në UET. Të gjitha këto iniciativa me një histori të tyren kanë treguar se kanë pjesë të filozofisë së tyre mbështetjen e kulturës shqipe. Si të tilla, ato janë kontributoret e rëndësishme, që edhe pse vijnë nga një ent privat, misioni i tyre është publik.

Së dyti: Çmimi “Kadare” synon të kthehet në një traditë me një kontribut të përhershëm letrar. Duke parë mënyrën sesi çmimet letrare janë shfaqur e zhdukur këto vite në jetën publike, qëllimi i këtij çmimi, që në krijimin e tij është vazhdimësia. Ai ka mbushur tashmë 5 vjeç dhe kjo nuk është pak.

Së treti: Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. Juritë tona në këto vite janë kryesuar nga emra të njohur në hapësirat letrare shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën (Mehmet Kraja), Maqedoninë (Kim Mehmeti), apo shkrimtarë si Bashkim Shehu, Preç Zogaj etj., e në përbërje të jurisë kanë qenë profesorë, shkrimtarë apo studiues të letërsisë. Serioziteti me të cilin është trajtuar gjykimi i dorëshkrimeve (pasi ky është një konkurs për dorëshkrime), duke ua besuar leximin dhe gjykimin autoriteteve të fushës, rrit kredencialet dhe besueshmërinë e këtij çmimi. Këtë e ka treguar dhe numri i autorëve në rritje që nga viti në vit i bashkohen këtij konkursi.

Së katërti: Në një kohë kur skena letrare prej vitesh e ka humbur atë që më parë e zotëronte më së miri, tablonë e plotë të asaj çfarë ndodhte me letërsinë, ky çmim prej pesë vitesh ka rikthyer tablonë letrare në vend. Përmes këtij konkursi ne shohim jo vetëm prurjet e një viti, por dhe nivelin e letërsisë që shkruhet sot, autorët në rritje, e sidomos të rinjtë. 

Së pesti: Një nga meritat e këtij çmimi është motivimi i autorëve të rinj. Përgjatë këtyre viteve kanë dalë në sipërfaqe emra që përmes konkurrimit në këtë çmim, kanë arritur të evidentohen, motivohen e të vijnë me librat e tyre të parë. Shpesh niveli i të rinjve ka qenë befasues, këtë e tregoi dhe edicioni i këtij viti, i cili shkoi për një përfaqësues të një gjenerate të re. 

Së gjashti: Për herë të parë një konkurs i dedikuar dorëshkrimeve, pasuron letërsinë e një vendi çdo vit me një vepër të re të botuar. Përgjatë pesë viteve janë botuar pesë romane, që janë pjesë e qenësishme e letërsisë bashkëkohore shqipe. Pasi vepra fituese e këtij konkursi botohet nën kolonën “Leteratura”, botimet UET PRESS.

Për një çmim letrar që ka vetëm pesë vite jetë, jo vetëm gjashtë pikat që përmenda më lart, por dhe një sërë kontributesh të tjera që ky çmim jep në jetën e çdo autori që i është bashkuar këtij konkursi, mbart një vlerë të çmuar për botën kulturore në vend. E më shumë se si një mandatpagese, ky çmim, që i ka dhënë kaq shumë letërsisë shqipe dhe vazhdon të frymëzojë çdo autor shqiptar, duhet parë në atë çfarë i sjell një kulture, përkundër filozofisë së vjetër të delegjitimimit të Ismail Kadaresë, apo të çdo gjëje që lidhet me emrin e tij. Në këtë rast edhe të çmimit “Kadare”.

Duke u mjaftuar vetëm nën “larjen e duarve” se lajmi qarkullon në media, apo thashetheme, komenti pas gjoja lajmit nuk ka asnjë rresht për vlerën letrare të çmimit në fjalë, për librat fitues apo autorët pjesëmarrës, duke e injoruar siç thotë vetë. Në fakt, nëse do ta injoronte, i bie që të mos merrej edhe me mandatpagesat, kalendarin e kryerjes së tyre etj., etj., si këto. Detraktorët nuk heqin dorë kurrë me sa duket!/NewsBomb/ KultPlus.com

Vajza e dëshmorit që mban emrin Republikë: Krenare që bart këtë emër dhe që ëndrra e babait është realizuar

Jeta Zymberi

Si popull, kosovarët në vitet e 90’ të gjithë kishin një dëshirë, Kosovën Republikë. Kjo dëshirë shumë prej tyre ju kushtoi me jetë, por kjo nuk kishte rëndësi përpara realizimit të qëllimit dhe dashurisë së madhe për atdheun, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999). Në këto rrethana të okupimit serb, qytetarët ishin të mobilizuar dhe më të gatshëm se kurrë që të luftojnë për të drejtat e tyre në secilën mënyrë.

Po atë vit kur Kosova u shpall republikë, lindi edhe një vajzë në familjen Tahiri, këtë gëzim familjar, babai i saj Abdullah Tahiri, vendosi ta pagëzoj me emrin Republikë.

Ndonëse në rrethana të rënda dhe duke rrezikuar jetën ai nuk hoqi dorë nga vendimi i tij dhe përkundër mundësisë së madhe që të ndëshkohej me jetë nga regjimi serb gjë që nuk vonoi dhe ndodhi.

Siç tregon edhe Republika, tashmë 28 vjeçare,  në atë kohë nëse vetëm inicialet KR (Kosova Republikë) i përdorte dikush, mund të dënohej deri më 20 vite burg, por babi i saj rrezikoi dhe i vendosi një emër të tillë vajzës.

“Emri Republikë më bënë shumë krenare, më zgjon emocione për faktin që babi im më la këtë emër në një kohë kur populli shqiptar i Kosovës e shpalli Kosovën Republikë të pavarur nga Serbia. Këtë akt e kundërshtoi fuqishëm Serbia dhe mbar Jugosllavia që ndërmorën një fushatë të egër të burgosjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve”, thotë Republika për KultPlus.

“Përkundër kundërshtimit të zyrtarëve shtetëror që të mos më regjistrojnë me këtë emër, babai im mori guximin dhe i vuri ata para aktit të kryer që të më regjistrojnë si Republikë. Baba im Abdullahu, ishte i bindur që Kosova do të bëhet Republikë sepse ai me shokët kishin punuar gjatë dhe ishin përgatitur edhe ushtarakisht që Kosovën ta çlirojnë nga Jugosllavia dhe Serbia si dhe ta bëjnë shtet të pavarur ashtu siç edhe u bë shumë shpejt”, thotë tutje ajo.

Në vitet në vazhdim shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan dhe po mbaheshin në burgun e Dubravës, në mesin e tyre edhe Abdullah Tahiri. Aty, paramilitarët serb provuan të gjitha format e torturave çnjerëzore. Të burgosurit, ekzekutoheshin, torturoheshin në forma të ndryshme të lidhur me pranga dhe kjo masakër konsiderohet nga më të mëdhatë në Kosovë nga regjimi serb.

Më datë 19 maj u bënë plot 20 vite nga masakra në Burgun e Dubravës, aty ku janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Në këtë masakër e cila zgjati deri më 24 maj, në mesin e të vrarëve ishte edhe Abdullah Tahiri, babai i vajzës që sot bart emrin Republikë.

Ai vdiq, por dëshira e tij jetësore të cilën e ‘skaliti’ edhe në vajzën e tij, u realizua disa vite më vonë dhe Republika sot ndihet krenare që bart këtë emër dhe që ëndrra e babait të saj është realizuar.

Republika, vajza e cila sot jeton në Malishevë të Gjilanit dhe studion psikologji, vazhdon të ketë emocione kur flet për emrin e saj të cilin thotë që e bart me shumë përgjegjësi e respekt.

Një respekt të veçantë ajo ka pasur edhe në shkollë.

“Kur e kam filluar shkollën shokët dhe shoqet më kanë pranuar shumë mirë me këtë emër dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Përkundrazi jam ndie mirë dhe krenare që bart këtë emër domethënës që është synim i popullit për liri dhe pavarësi. Të gjitha zhvillimet në atë kohë kanë qenë në favor të emrit tim Republikë. Dalëngadalë erdhi dita kur edhe me luftë të armatosur Kosova u çlirua nga Serbia dhe u bë definitivisht Republikë e pavarur dhe sovrane me 27 shkurt 2008. Kështu u vërtetua praktikisht vizioni i babait tim Abdullahut që më la këtë emër për çka jam shumë e lumtur dhe e barti me krenari të veçantë”, thotë Republika për KultPlus.

Në vendin tonë ndodhë shpesh që emrat të shkurtohen apo të vendosin pseudonime, por tek Republika, përkundër emrit të gjatë, kjo nuk ka ndodhur. Të gjithë e thërrasin me emrin e plotë.

Një tjetër emocion për Republikën ishte edhe data 17 shkurt 2008 kur edhe u shpall Kosova e pavarur, me këtë rast u plotësua edhe ëndrra e të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë ditë.

“Dita e shpalljes së pavarësisë është festë e të gjithë shqiptarëve por për mua festë e veçantë. Atë ditë e kam edhe ditëlindjen e gjyshes sime që përputhet me shpalljen e pavarësisë. Kjo ditë është realizim i ëndrrave tona për shtet të pavarur dhe sovran të cilin e arritëm me shumë përpjekje sakrifica dhe me gjakun e dëshmorëve”, u shpreh krejt për fund Republika. /KultPlus.com

Familja dhe ndikimi i saj tek fëmijët dhe shoqëria!

Nga Batjar HALILI (psikolog)

Në realitetin familjar të ditëve të sotme që po kalojmë ngrihen shumë pyetje të natyrës: Pse fëmija im sillet keq? Pse po ka korrupsion shoqëror? Pse ka rënë cilësia e arsimit? Si dhe shumë pse-he të tjera të cilave pasojat ua shohim po shkakun nuk e dimë dhe e kërkojmë. Dhe vërtetë ka shumë arsye që ndikojnë në këto procese jetësore. Por ajo nëtë cilën duhet të fokusohemi për parandalimin e të gjitha dukurive negative është familja, aty ku individi rritet dhe zhvillohet.

Shfaqja e institucionit familjar përkon me historinë e njerëzimit. Megjithëse familja ka pësuar ndryshime strukturore përgjatë historisë, ajo ka mbijetuar deri në ditët e sotme.Edhe pse familja ndryshon në strukturë, ajo kryen funksione të ngjashme për të gjitha shoqëritë. Nëse ky institucion i përmbush pritjet e tij, do të dalë një shoqëri miqësore, kulturore, ekonomike dhe morale. Janë prindërit ata që formojnë themelin e institucionit familjar. Për këtë arsye, nëse roli prindëror është i rregullt, kjo është shumë e rëndësishme sepse ajo familje do të jetë paqësore dhe e lumtur që nga momenti që u krijuan dhe do t’i shërbejnë shoqërisë me dinjitet.

Edhe pse familja është blloku më i vogël i shoqërisë, apo thënë ndryshe siç e ka konceptuar Honore de Balzak, bërthama e shoqërisë, ajo rrjedhimisht ka një vend të rëndësishëm, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë jetën e individit.

Individi ka nevojë për një mjedis familjar, jo vetëm gjatë fëmijërisë dhe foshnjërisë, por në çdo fazë të jetës së tij. Sepse ai ka nevojë për një fole familjare ku do të gjejë paqe dhe ku ai mund t’i eliminojë streset dhe problemet. Njerëzit që rriten pa familje, në komunitet ose që nuk marrin mbështetje të mjaftueshme financiare, morale dhe edukative nga familjet e tyre ndjejnë thellë mungesën e mbështetjes familjare gjatë gjithë jetës së tyre dhe mungesa e një familje pa nivel reflektohet edhe në shumë fusha të tjera jetëesore.

Sa i përket shoqërisë, dhe kombeve të qytetëruar, ndodh shpesh që ne të pyesim pse kanë përparuar?! Kjo nënkupton që ata popuj, ato kombe kanë përparuar sepse përbëhen nga individë të arsimuar mirë në familje dhe me tradita edukimi. Sepse kombet janë të përbërë nga shumë bashkime familjare. Nëse struktura më e vogël që përbën bërthamën e shoqërisë është e shëndetshme, ajo shoqëri ka mundësi të shikojë me besim në të ardhmen. Individët e arsimuar që edukohen nga familje të sigurta, të lumtura dhe paqësore mund të japin një kontribut material dhe moral për familjen, mjedisin, kombin dhe shtetin e tyre.Ekzistenca e njerëzve dhe mbijetesa e shteteve mund të jetë e mundur vetëm nëse familjet e përmbushin këtë detyrë në një mënyrë të shëndetshme. Prandaj, zhvillimi i vetëbesimit të fëmijës varet nga marrëdhënia e shëndoshë dhe ndërveprimi midis fëmijës dhe prindërve.

Portrait Of Happy Family In Garden

Familja është institucioni më i rëndësishëm dhe i parë arsimor pasi edukatori dhe mësuesi i parë i fëmijës konsiderohen si prindërit e tij. Gjetjet e bazuara në përvojat personale dhe vëzhgimet e kontrolluara, tregojnë se foshnjat fillojnë të fitojnë zakone që nga ditët e para. Sipas teorisë së të mësuarit social, të mësuarit njerëzor realizohet, duke shikuar dhe duke dëgjuar më shumë. Kur e zbatojmë atë në teorinë e të mësuarit shoqëror në fëmijërinë e hershme, zbulojmë se mësimi, jo vetëm që përjetohet nga fëmija, por edhe nga vëzhgimi ose dëgjimi i asaj që po ndodh rreth tij. Është një rezultat i pranueshëm që fëmijët të arrijnë modelet më të shpejta të të nxënit duke imituar ose duke vëzhguar atë që po ndodh rreth tyre. Kjo do të thotë që fëmijët mësojnëshpejt që nga momenti që i hapin sytë në botë. Kjo situatë zbulon se koncepti se “një fëmije nuk kupton asgjë” është gabim.

Në këtë kontekst, mjedisi familjar ku fëmijët i hapin sytë jetës, është shumë e rëndësishme. Sepse familja është vendi ku hidhen themelet e zhvillimit kognitiv, afektiv, psiko – motorik dhe socio – kulturor të fëmijëve. Hulumtimet kanë treguar se shumica e sjelljeve të fituara në fëmijëri formojnë strukturën e personalitetit, zakonet, besimet dhe vlerat e individit në moshë madhore. Për këtë arsyenga familja e tij, fëmija mund të mësojë shumë njohuri, shkathtësi, sjellje dhe aftësi që nuk mund t’i mësojë në shkollë.

Nësë kundrojmë gjithë këto aspekte të thëna mbi zhvillimin e familjes atëherë kuptojmë që çdo aspekt ku kjo shoqëri është duke çaluar tregon që hallka e parë dhe më e rënësishmjaështë familja, e veçanarisht, mosgadishmëria e prindërve për të marrë përgjegjësitë qëju takojnë dhë kjo quhet kriza e prindërimit, që është determinues i të gjitha funksioneve që pasojnë në shoqërinë tonë./KultPlus.com

Në Festivalin ‘Anibar’ do të shfaqen rreth 300 filma të animuar

Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të Festivalit ‘Anibar”, që mbahet në Pejë nga 15-21 korrik.

Kështu bënë të ditur zyrtarë të Anibar International Animation Festival, i cili fillon më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 21 korrik.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, tha se ka qenë shumë e rëndësishme që në këtë edicion të kenë laramani.

Ai bëri të ditur se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.

“Tema e këtij edicioni flet për shpresat dhe frikët. Kemi pasur një mijë aplikime, prej tyre janë përzgjedhur 300 filma. Edhe këtë vit kemi vazhduar t’i angazhojmë studentët nga Kosova në mënyrë që të rrisim kritikën e tyre”, tha ai.

Leonora Aliu, koordinatore për media, tha se edhe kësaj radhe janë përqendruar për një program sa më të pasur.

“Në edicionin e 10 të festivalit do të kemi 300 filma të animuar, 15 programe speciale, 4 workshope për te rinj, 3 masterklasa dhe mysafirë specialë, regjisorët e serialit ‘Rick and Morty'”, tha ajo. / KultPlus.com

Ansambli i Gjilanit triumfon në festivalin “Këngë Jeho” në Strugë

Ansambli Gjilani pas paraqitjeve dhe sukseseve të njëpasnjëshme të kohëve të fundit, mori pjesë në natën finale në Festivalin e Këngës dhe Valles shqipe “Këngë Jeho 2019” në Strugë.

Ansambli është paraqitur me valle burimore nga treva shqiptare dhe kolazh vallesh kosovare nga grupi i valltarëve ne krye me valltarin e mirënjohur Rifat Idrizi, me këngë te përzgjedhura nga mjeshtri Murat Ismajli e aranzhimet e Burhan Azizi dhe orkestrës profesioniste, ku interpretuan këngëtarët me një bagazh te jashtëzakonshëm si Qemajl Musliu, Remzi Leka, Nazim Gagica, Adnan Leka, Diana Toska, Besiana Shkodra, Eronitë Qerimi, Meti Maloku dhe Nehat Ferati.

Në mesin e shumë ansambleve dhe grupeve artistike nga të gjithë trevat shqiptare, Ansambli Gjilani triumfoi duke ju falënderuar profesionalizmit dhe angazhimit maksimal te anëtarëve te cilët po bëjnë çdo gjë për ta ruajtur dhe avancuar traditën dhe vlerat kulturore ne përgjithësi.

Shpallja e Pavarësisë, si u ngritën flamujt në Shqipërinë etnike

Pavarësia nisi të shpallej nga Gjakova, në Plavë e Guci; nga Peja në Ohër dhe Strugë; nga Tetova në Prizren, Mitrovicë e Çamëri, si dhe në kolonitë shqiptare.

Trevat që u shpallën të pavarura u përfaqësuan me delegatë në Vlorë më 28 nëntor 1912, shkruan Jano Brahaj në gazetën “Shqiptarja”.

Nga Kuvendi Kombëtar i 28 nëntorit 1912 u proklamua Pavarësia e tokave Shqiptare, që deri në atë datë ishin nën pushtimin e Perandorisë Otomane dhe u ngrit flamuri Kombëtar Shqiptar. Ky Kuvend, është një akt historik për kombin shqiptar, sepse aty me mandatin e popullit ishin delegatët nga Gjakova, Plava, Gucia, nga Peja, Ohri dhe Struga, nga Tetova, Çamëria, nga Mitrovica dhe sipas disa të dhënave, në këtë Kuvend kishte delegatë dhe nga pakicat kombëtare, që jetonin në trojet shqiptare. Delegatë kishin ardhur dhe nga kolonitë shqiptare, pa përmendur delegatët, që morën pjesë në këtë Kuvend nga viset e Shtetit Shqiptar të pas vitit 1913. Pjesëmarrja e delegatëve nga mbarë trojet shqiptare në Kuvendin Historik të vitit 1912, e saktësoi zyrtarisht vazhdimësinë e Flamurit Kombëtar Shqiptar, ashtu siç ishte pranuar po ky flamur, në Kuvendin e Lezhës me 2 mars 1444, me vendimin që mori për krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës me kryekapedan Skënderbeun dhe me flamur prijës të ushtrisë arbërore, flamurin e derës së Kastriotëve. Çdo shtet ka të përcaktuar territorin e tij në të cilin shtrihet juridiksioni i tij.

Kuvendi i Vlorës e formoi shtetin e tij me vullnetin shqiptar, të shprehur nga delegatët dhe me përfshirje të mbarë territoret etnike shqiptare të pushtuara nga Turqia dhe nuk kishte asnjë pretendim për territoret e përfshira në shtetet ballkanike, që ishin formuar para shtetit shqiptar në fillim të shekullit XIX. Kjo ishte e drejtë legjitime e popullit dhe e qeverisë shqiptare. Dihet se administrata dhe forca e pushtetit të qeverisë së Vlorës nuk arriti të shtrihej në pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Por solidarizimi dhe mbështetja e mbarë popullit shqiptar është e shfaqur hapur, duke treguar se shpallja e pavarësisë ishte aspiratë dhe vepër e mbarë shqiptarëve. Konka e ngjarjeve në njohjen dhe mbështetjen e Qeverisë së Vlorës është e pasqyruar në dokumente e kronika të kohës.

Bashkimi rreth Flamurit Kombëtar Shqiptar

Siç jemi njohur, edhe para 28 nëntorit 1912, flamuri kombëtar shqiptar ishte lartësuar e praktikuar, por deri më këtë datë ai ishte vetëm shenjë e simbol dallues kombëtar, kurse që nga Kuvendi i Vlorës, ai është simbol kombëtar dhe shtetëror. Lajmi i gëzuar i shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur, u përhap menjëherë në të gjitha krahinat e trojeve shqiptare dhe u prit më gëzim e entuziazëm. Megjithëse tokat shqiptare në pjesën më të madhe ishin të pushtuara nga serbët, malazezët e grekët, shqiptarët u mblodhën në kuvende krahinore, për të përshëndetur vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, dhe këto kuvende morën vendime për të pranuar qeverisjen nga Qeveria Provizore Kombëtare e Vlorës.

Kruja

Nga Kruja u lajmërua Ismail Qemali se është afruar ushtria serbe, dhe armiku kishte dërguar 16 kalorës, që t’u thoshin krutanëve të dorëzohen pa luftë. Krutanët ishin për shpalljen e pavarësisë dhe kishin nisur edhe delegatin e tyre, Mustafa Asim Krujën. Ata ngritën flamurin dhe dërguan një delegacion me flamurin shqiptar në dorë dhe u thanë serbëve: “Zotërinj, luftoni me Turqinë, por edhe ne kemi luftuar dhe po luftojmë kundër Turqisë. Ky flamur që kemi ngritur është i Shqipërisë”. Ata (pararoja serbe), i uruan krutanët dhe ju lutën, që t’ju japin bukë. Të nesërmen, kur erdhën forcat ushtarake serbe, nuk e njohën flamurin e Shqipërisë dhe bënë masakra.”

Durrësi

Në Durrës Hamit Toptani, organizoi kuvendin dhe sipas porosisë së Ismail Qemalit, kur pa se po afrohej ushtria serbe, më 26 nëntor ngriti flamurin.

Shkupi

Megjithëse i pushtuar qyteti i Shkupit, një grup shqiptarësh mblidhen dhe me një ceremoni të organizuar, i drejtojnë një telegram përshëndetjeje dhe solidarizimi Qeverisë Shqiptare të Vlorës, në mesin e dhjetorit 1913. Këtë njoftim e kemi nga gazeta “Shqypnija e Re”, 22 qershor 1913.

Tirana

Tirana e shpalli vetëqeverimin, që me datën 27 nëntor, duke ngritur me një ceremoni flamurin kombëtar. HIMARA Sipas raportit të konsullit austriak Lejhanec në Vlorë, më 28 nëntor 1912, flamuri kombëtar shqiptar u ngrit dhe në Himarë, ku kishte shkuar posaçërisht për këtë qëllim, përfaqësuesi i zgjedhur nga Vlora, Eqrem Bej Vlora. Po sipas këtij konsulli: “Grekët në Himarë… me të parë flamurin shqiptarë e kishin pushuar menjëherë zjarrin e luftës…”. Por, kjo ka ndodhur vetëm përkohësisht, sepse më vonë vazhduan luftimet për mbrojtjen e kësaj zone nga shqiptarët.

Ulqini

Ulqinakët e traditave mijëravjeçare te detarisë, që ishin nën pushtetin e Malit të Zi, gjetën një mënyre origjinale për të shprehur entuziazmin e lajmit të shpalljes se Pavarësisë. Anijet dhe varkat e ulqinakeve ngritën flamurin me shqiponjën dykrenore. Kapiteni i anijes ulqinake Ymer Fasllija, e shpuri anijen e tij me Flamurin Kombëtar Shqiptar ne portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë.

Peja

Në Pejë u kremtua Shpallja e Pavarësisë në fillim të janarit 1913. Një dëshmi e viteve më vonë dëshmon, se ky flamur i vizatuar nga një dorë e pastërvitur, ruhej deri në vitin 1941, si një relike e çmueshme e frymëzues për beteja e përpjekje për liri. Ky flamur u ngrit prapë në vitin 1941 dhe për mbrojtjen që të mos rrëzohej u vranë 5 veta vetëm për pak minuta. Peja, nën pushtuesin serb, lajmin e shpalljes së pavarësisë e priti me gëzim. Kjo krahinë në kuvendin historik kishte nisur përfaqësuesit e saj.

Prizreni

Në Zym (Prizren), në ditët e para të vitit 1913, sapo u larguan ushtritë serbe e malazeze, popullsia, e mbledhur dhe nga fshatrat përreth, me një solemnitet që e drejtoi Pater Pashk Prelaj, ngriti flamurin kombëtar, duke përshëndetur Qeverinë e Vlorës e duke e njohur si të vetmen qeveri të ligjshme të të gjitha tokave shqiptare.

Gjakova

Sipas një dokumenti në Arkivin Qendror të Shtetit Tiranë (F. 71, dok. Nr.11753) njihemi se “Pas luftimesh të rrepta, Gjakova u çlirua nga shqiptarët dhe Prizreni është rrethuar sot…”. PUKA Ngritja e flamurit kombëtar në Pukë u bë në kushtet e pushtimit serb. Me nismën e prifti të ri Gasper Thaçi, malësorët dhe paria e krahinës së Pukës, vendosën, që të mblidhen në kuvend në fshatin Qelëz dhe të shpallin njohjen dhe bashkimin me Qeverinë Shqiptare të Vlorës, dhe ngritën flamurin kombëtar me ceremoni. Ata dërguan një delegacion në komandën ushtarake serbe në Pukë, duke e njoftuar, se nuk i njohin asnjë lloj pushteti, prandaj të largohet.

Mitrovica

Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, njoftimin e parë e kemi nga rrethinat e Mitrovicës. Ky lajm flet, se flamuri, që u a kishte dhënë shumë më përpara malësorëve Hasan Prishtina, ata kur dëgjuan se është shpallur pavarësia shqiptare, megjithëse në luftë me pushtuesit sllavë, ato ditë të dhjetorit 1912, flamurin shqiptar e ngritën në majën e Veskovsit, që gjendet midis Shalës e Llapit. OHRI Më 27 shtator 1913 marrim vesh se në Ohër është ngritur qeveria shqiptare (administrata krahinore) dhe valon flamuri kombëtar shqiptar, (Shqipnija e Re, 28 shtator 1913). Po kjo gazetë lajmëron me datë 5 tetor 1913, se në Ohër është ngritur flamuri shqiptar dhe veprohet sipas administratës shqiptare.

Shkodra

Ismail Qemali, më 2 janar 1913 i dërgoi telegram Esat Pashë Toptanit, ku i kërkon ngritjen e flamurit kombëtar në Shkodrën e rrethuar. “…Meqenëse, në fakt, aspirata e fundit e malësoret është pavarësia e Shqipnisë, duke e parë të ngritur flamurin e kombit, shpëtimi i kombit tonë dhe jeta e tij e amshuar do të jenë të siguruara…”. Revista “Hylli i Dritës” në vitin 1937, na njofton se Hasan Riza Pasha kishte kontaktuar me parinë e Shkodrës dhe kishte rënë dakord, që edhe garnizoni turk të ngrinte flamurin shqiptar. Këtë fakt na e përmend edhe Mithat Frashëri, në shkrimin: “Javët e fundit të sundimit turk në Shqipëri”, që e ka botuar në revistën “Dituria”, Tiranë, 1927, nr. 3, f. 81-85. “Hasan Rizaja mendoi të qitëte flamurin e Shqipërisë indipedente në mënyrë, që malësorët… të drejtojnë fuqinë e tyre drejt mbrojtjes së qytetit.” “Esad Toptani, komandant i redifëve në këtë qytet për rrjedhjen e punës dhe Hasan Rizaj do vritesh pak ditë më vonë, prej një njeriu të Esadit, duke dalë nga shtëpia e tij. Kështu, një veprim që ishte filluar, po ndalesh në mes me një krismë pushke dhe mbaronte krejt me dorëzimin e Shkodrës”. Në Shkodër flamuri kombëtar u ngrit në maj 1913, sipas njoftimit të gazetës “Besa Shqiptare” e dt. 22 maj.

Dibra

Qytetit të Dibrës në ato ditë të pragshpalljes së Pavarësisë po i afrohej ushtria serbe. Për t’i dalë përpara kësaj murtaje, dibranët u mblodhën dhe pleqëruan dhe vendosen e ngritën flamurin kombëtar, por ato, dibranët kishin një flamur të përmasave të vogla për këtë ngjarje. Dërguan dy kalorës deri në Elbasan. Në Elbasan “rrëmbyen” flamurin e tyre dhe u thanë elbasanësve të bëjnë një tjetër, se këtyre po ju afroheshin serbët.

Vau i dejës (Shkoder)

Me nismën e Shtjefën Gjeçovit dhe të Nikoll Sheldisë, megjithëse Shkodra ishte e rrethuar, në vendin historik, tek Kisha e Shën Markut, u ngrit flamuri i kombit me një kuvend e besëlidhje të mbarë krahinës. Ceremonia e ngritjes së flamurit u bë në mbrëmje, ku u shkrehën pushkë e u ndezën zjarre. Nga trashëgimia e Gjeçovit, që ruhet në AQSH, kemi dhe një letër që ky i dërgon Kryetarit të Qeverisë Shqiptare në Vlorë.

Kthella, (Mirditë)

Me të marrë telegramin nga Nikoll Kaçorri, Pal Doda nga Rubiku lajmëron Bajram Currin, i cili këto ditë kishte mbetur i bllokuar në Kthellë. Bajram Curri së bashku me Mikel Lezhjën, më 8 dhjetor, vendosën ta shpallin me një besëlidhje vullnetin e malësore dhe gatishmërinë për t’u bashkuar me Qeverinë e Vlorës. Kuvendi dhe ceremonia u kryen në kishë, nga se moti ishte shumë i ftohtë.

Rubik, Mirditë

Më 2 dhjetor 1912, Pal Doda mori telegramin e shpalljes së pavarësisë nga Vlora. Aty për aty, u zhvillua një ceremoni, ku foli Pal Doda e u shkrehën shumë pushkë. Pas disa ditësh u njoftua gjithë Mirdita dhe u besatuan, për bashkimin me Qeverinë e Vlorës

Arbëreshët e Italisë

Në Siçili me të marrë vesh arbëreshët se u shpall Pavarësia e atdheut mëmë, nga të gjitha fshatrat u mblodhën në Palermo dhe përshëndetën Qeverinë Shqiptare të Vlorës me një telegram vëllazëror: “Përfaqësuesit shqiptarë të kolonive të Siçilisë të mbledhur në Kolegjin Shqiptar të Palermos vërtetojë të drejtat e Shenjta të kombësisë shqiptare dhe i dërgojnë përshëndetje vëllazërore Ismail Qemal Beut”

Mbledhja e Lezhës

Më 4 maji 1913, sipas dokumenteve arkivore, u mblodhën në Lezhë përfaqësuesit e Matit, Pukës, të Malësisë së Madhe (Shkodër), të Kurbinit, të Zadrimës, të Dukagjinit dhe u lidh besa me e njoftë dhe përkrahë pavarësinë e Shqipërisë e përshëndetën flamurin kombëtar shqiptar.

“Qeleshet e bardha u shtrenjtuan në Vlorë”

Në Kuvendin e Junikut, nuk u pranuan të merrnin pjesë ata që mbajnë kësula turke, prandaj ata që mbanin të tilla u detyruan t’i flakin e të marrin qeleshe tradicionale shqiptare. Në një bashkëbisedim telefonik nga Vlora me Elbasanin, më 29 nëntor 1912, Lef Nosi lajmëronte Elbasanin: “Qeleshet e bardha këtu u shtrenjtuan shumë”. Janë këto dy dëshmi, për të treguar se, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare shqiptare ishte një hop në vetëndërgjegjësimin popullor e të krenarisë kombëtare/Shqiptarja. / KultPlus.com

Bukuritë e rralla të faunës së Kosovës, prezantohen në një ekspozitë në Tiranë

Bukuritë e rralla të faunës së Kosovës u prezantuan mbrëmjen e djeshme në ekspozitën e Wildlife Albanian Photographers, të çelur në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë.

“Ekspozita e jetës së egër shqiptare” u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Po ashtu ky aktivitet u mbështet edhe nga kompanitë “Stone Castle’ “Birra Peja”, Bibaj Group, si dhe miq të Ambasadës, Deiton Musolli dhe Fatos Mustafa.

Kjo ekspozitë në 30 fotografitë e paraqitura prezanton bukuritë e rralla të faunës së Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare të realizuara nga fotografë shqiptarë. Po ashtu këto fotografi kanë për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e faunës në trevat shqiptare përmes fotografisë.

Ekspozita e parë e llojit të tillë në Tiranë e organizuar nga Ambasada, Ministria e Kulturës dhe Wildlife Albanian photographers ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e faunës në trojet Shqiptare.

Në këtë ekspozitë u paraqitën specie që janë të rrezikuara disa prej tyre për zhdukje dhe ka nga ato foto që janë shkrepur për herë të parë në Kosovë.

Pjesë e ekspozitës ishin fotografitë e realizuara nga fotografët Arian Mavriqi, Granit Hyseni,  Jetmir Troshani, Besnik Hyseni, Aurora Piroviç, Qendrim Saqipi, Lulzim Demaj, Sefer Aliqkaj, Vangjel Jorgo, Edmond Kaceli, Lutfi Muharremi, Meriton Dajakaj, Eno Gaqe, Lufti Ibrahimi, Fatos Lajçi, Ridvan Sokoli, Blerdi Malushi, Ramadan Abdiu, Preurat Kastrati, Besnik Hallaqi.

Ekspozita të ngjashme do të vazhdojnë të organizohen nga Ambasadat e Kosovës nëpër botë, ekspozita e radhës do të jetë në Londër në shtator të këtij viti/ATSH/KultPlus.com

‘Destino’, filmi surealist nga Salvador Dali (VIDEO)

Filmi i metrazhit të shkurtër Destino, një bashkëpunim mes Salvador Dali dhe Walt Disney, i përfunduar në vitin 2003, nga Baker Bloodworth dhe nipi i Walt Disney-it Roy E. Disney.

Walt Disnye & Salvador Dali

Me motive nga ditari personal i Gala Dali, bashkëshortja e S. Dalit, përfshinë imazhe surrealiste me figura të çuditshme që fluturojnë dhe që ecin përreth.

Ai bazohet në këngën e tekstshkruesit meksikan Armando Dominguez me të njëjtin titull. Kur Disney u pajtua me Dalin për prodhimin e filmit në 1946, ata nuk ishin plotësisht të përgatitur. Për tetë muaj, ata punuan vazhdimisht, derisa filluan të kenë probleme financiar. Sidoqoftë, ai përfundoi 48 vjet më vonë dhe u shfaq nëpër festivale të ndryshme të filmit. Filmi përfshin punën e Dalit në bashkëveprim me karakteret e animuara të Disney-it.

Dali kompletoi vetëm një film në jetën e tij, Impressions of Upper Mongolia, 1975, ku ai tregon një ngjarje për ekspeditën në kërkim të kërpudhës gjigante. Imazhet u bazuan në njollat mikroskopike të urinës në brezin e një stilolapsi ku Dali kishte urinuar për disa javë./KultPlus.com

Drenasi gati për “Muajin e Mërgatës”

Sezona e Verës, është koha kur në Kosovë vijnë më të dashurit tanë dhe padyshim se kjo periudhë është ndër periudhat më të mira gjatë tërë vitit.

Për të mos harruar se mërgimtarët kontribuuan shumë në vendin tonë, vitet e fundit gjatë muajit korrik dhe gusht po organizohen aktivitete të shumta kulturore përmes të cilave mundohemi që bashkatdhetarëve tonë t’ua bëjmë pushimin edhe më të bukur dhe të njëjtën kohë më të veçantë.

Drenasi është njëra prej komunave, e cila çdo vit mendon për mërgimtarët, për herë të tretë ky qytet organizon festivalin “Muajin e mërgatës”, në shenjë falënderimi për të mirat që gjithë kosovarët kanë bërë para, gjatë dhe pasluftës për vendin tonë.

“Muaji i mërgatës” në Drenas fillon më 15 korrik dhe përfundon më 15 gusht. Targeti kryesor i festivalit është argëtimi me muzikë, pritet të performojnë emra të njohur të estradës sonë. Jo më kaq, gjatë tërë muajit do të ketë  performanca të DJ-ve, do të ketë ekspozita në qendrën tregtare të qytetit, panair të grave me punime dore e ushqime tradicionale, po ashtu do të ketë edhe filma të cilët do të shfaqen një një kinema të improvizuar.

Organizatorët e këtij festivali gjithashtu janë kujdesur edhe për të vegjëlit ku kanë përgatitur koncerte dhe aktivitete skenike, përgjatë orëve 18:00- 19:30.   Qytetarët do të mund të shërbehen edhe me pije freskuese në njërën prej 20 këmbështëpizave që do të vendosen në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Vitin e kaluar në këtë festival kanë marrë pjesë rreth 160.000 persona përgjatë një muaji aktivitet. /21Media/KultPlus.com 

“Mural Fest”, promotor i nismave të ndryshme përmes artit

Me datë 10 korrik, në qytetin e Ferizajit do të filloj Festivali Ndërkombëtar i Muraleve “Mural Fest”, ku hapja solemne e këtij edicioni të katërt do të bëhet nga ora 19:00,  në ambientet e Restaurant Cotto, përcjell KultPlus

Festivali do të zgjasë nga data 10 korrik deri më datë 17 korrik, në qytetin e Ferizajit. Festivali Mural  Fest synon të jetë promotor i nismave të ndryshme që kanë për qëllim shprehjen artistike rreth problemeve të shoqërisë përmes artit./KultPlus.com

Kjo është gjendja e oborrit të QKUK-së, aty ku pacientët do të duhej të pushonin

Oborri i QKUK-së duket në gjendje të rëndë në këtë fotografi që e publikoi basketbollisti Fikret Shatri sot në rrjetet sociale.

Mbeturinat kanë mbuluar tokën, dhe për këtë s’është përkujdesur askush që t’i largojë ato.

Qytetarët shprehen të indinjuar me këtë situatë. Ata thonë se njeriu i sëmurë, në këtë gjendje, mund të marrë edhe sëmundje tjera. /KultPlus.com

Kuratori i “Gjon Milit” mbajti ligjëratë në GKK mbi influencën e teknologjisë në jetët tona

“Imagjinojeni sikur jeni në një dhomë, dritat ndalen për disa sekonda, kur dritat të jenë ndezur njëri nga të pranishmit është i vdekur. Pasi e thërrasim policinë ata vendosin që t’i konfiskojnë të gjithë telefonat celularë të pranishmëve. A mendoni që përmes telefonave tuaj, policët, mund ta zgjidhin çështjen?”

Në këtë mënyrë, shkrimtari dhe kuratori João Ribas, kuratori i edicionit e 16-të të Bienalit të fotografisë “Gjon Milit”, e ka filluar ligjëratën e tij mbi influencën e teknologjisë në jetët tona, që u mbajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Përballë kolegëve dhe studentëve João Ribas ka treguar se si teknologjia, në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar drejtpërdrejtë në jetët tona, që nga mënyra se si ecim, si rrimë dhe si flasim me njerëzit.

“Lidhja e teknologjisë me jetën e tanishme është shumë interesante sepse e ka ndryshuar komplet dinamikën e jetës sonë”, ka thënë Ribas.

“Ashtu si natyra, teknologjia na ka detyruar t’i adaptohemi asaj. Në një anë na ka ndihmuar që të krijojmë imazhe dhe gjëra që kanë ekzistuar vetëm në imagjinatën tonë, por nga ana tjetër duhet të paguajmë një çmim të mirë për këtë”, ka shtuar Ribas.

Pjesa më interesante e kësaj ligjërate ka qenë debati se si ndikon teknologjia në ligjbërje.

“Pse rrini para semaforit për ditën jeshile, pse nuk ecni në mes të rrugës, edhe kur nuk ka makina në rrugë. Të gjitha këtë janë prova që teknologjia ka ndikuar prej vitesh në jetën tonë, dhe më e rëndësishmja, në bërjen e ligjeve”, ka shpjeguar ai.

Duke cituar nga një studim i tij, i titulluar “Etika rreth teknologjisë”, Ribas ka treguar se me kohë imazhet ose kujtimet janë shndërruar vetëm në një “Swipe”.

“Sipas statistikave njerëzit rrinë para pikturës së Da Vinçit apo Mona Lizës, vetëm për 15 sekonda, por nuk e kanë problem të rrinë me orë të tëra në telefonat e tyre. Sipas ligjit as fotot që i vë online nuk janë më pronë komplet e jotja pasi i përkasin një publiku më të gjerë që mund të bëjë gjithçka me to.

Shumë shpesh kemi parë që njerëzit bëhen shikues të shfaqjes të tyre online, dhe mund t’ua siguroj që të gjithë në telefonat tonë kemi prova për një krim të kryer. Pavarësisht i çfarë nivelit është ky krim”, ka shpjeguar Ribas në fund të debatit.

João Ribas është shkrimtar dhe kurator bazuar në Porto. Ai më parë ishte drejtor i Muzeut të Arteve Bashkëkohore Serralves, Porto, ku gjithashtu mbajti postin e zëvendësdrejtorit dhe kuratorit të lartë (2014-2018). Gjithashtu ishte kurator i MIT List Visual Arts Center (2009-13) dhe i Qendrës së Vizatimeve, New York (2007-09). Ribas fitoi katër çmime të njëpasnjëshme AICA për ekspozitën më të mirë (2008-2011) dhe Emmy Hall Awards Tremaine Exhibition (2010). Shkrimet i tij janë botuar në publikime të shumta, si Artforum, Afterall, Artnews, Art in America, Frieze, Mousse, The Exhibitionist, Spike dhe The Guardian.  / Rrona Jaka / KultPlus.com

Pas amputimit të këmbës, blogeres Cax ia kishin dhënë tri javë jetë

Mama Cax (29) është blogere mode dhe lifestyle prapa së cilës fshihet një rrëfim tejet inspirues. Kjo vajzë ishte diagnostikuar me kancer kur ishte vetëm 14-vjeçare dhe atëbotë mjekët i kishin parashikuar vetëm edhe tri javë jetë.

Cax kishte mbijetuar, por për shkak të sëmundjes ia kishin amputuar këmbën e djathtë. Nuk kishte lejuar që kjo ta gjunjëzonte. Kishte ngelur pozitive dhe mirënjohëse që kishte mbijetuar.

“E shoh se sa me fat jam dhe se shumë të tjerë nuk mund ta përballojnë shërimin”, thotë Mama për portalin Bored Panda.

Blogerja thekson diskriminimin si problem të madh.

“Në pothuajse të gjitha pjesët e botës ka njerëz që janë të përjashtuar, qoftë në mënyrë politike apo shoqërore. Ndiej që jam në pozitë që mund të ndryshojë diçka dhe që një ditë të mbroj personat me invaliditet”, thotë Mama.

Kështu që Cax ka filluar me një bllok dhe ka profilin në Instagram ku rregullisht shkruan postime të cila shpesh janë inspirim për personat që përballen me çfarëdo vështirësie, shkruan KOHA Ditore.

“Kur kam parë gjithë mirësinë në votë dhe nga njerëzit që më kanë përkrahur në rrugëtimin tim, kjo më ka dhënë fuqi që të mos heq dorë”, thotë Cax, e cila tani dëshiron që t’u ndihmojë të tjerëve.

Atë në Instagram e përcjellin më shumë se 170 mijë persona, dhe përveç që është modele, ka përfunduar edhe fakultetin në New York. Tregon se duhet dashur veten ashtu siç jeni dhe promovoni pozitivitetin.

Sensin e saj për modë e thekson përmes protezës për këmbë, të cilën e ndërron varësisht nga outfiti që vesh. / KultPlus.com

“Një derr dhe një zog nuk ulen kurrë bashkë për të ngrënë”

Kur Nelson Mandela ishte student, një profesor me mbiemrin Peters nuk e kishte fare qejf. Një ditë, Z. Peters po hante drekë në mensë, kur Mandela erdhi me tabakanë e tij dhe u ul ngjitur me profesorin, ai i tha: “Z. Mandela, ju nuk e kuptoni, një derr dhe një zog nuk ulen kurrë bashkë për të ngrënë.”

Mandela iu përgjigj me qetësi: “Mos u shqetësoni profesor, unë do të fluturoj larg,” dhe shkoi të ulem në një tavolinë tjetër.

Z. Peters i skuqur nga inati, vendosi të hakmerrej. Të nesërmen në klasë ai bëri këtë pyetje: “Z. Mandela, nëse do të ishit duke ecur në rrugë, dhe do gjenit një pako, dhe brenda saj ka një çantë më dije, dhe një tjetër me para, cilën do të zgjidhnit?”

Pa hezituar Mandela u përgjigj, “Atë me para, sigurisht”. Z. Peters, duke buzëqeshur, u përgjigj: “ Unë në vendin tënd do të kisha marrë atë me dije”.

Nelson Mandela ngriti shpatullat dhe u përgjigj: “Të gjithë marrin atë që nuk kanë”.

Z. Peters në këtë pikë e kishtë humbur toruan. Kaq i madh ishte zemërimi i tij, sa në fletën e provimit të Mandelës shkroi fjalën “IDIOT” dhe ia dha Mandelës.

Mandela mori fletën e provimit dhe u ul në bankën e tij dukë u përpjekur të ruante qetësinë, ndërsa mendonte lëvizjen e tij të radhës. Disa minuta më vonë, Nelson Mandela u ngrit, shkoi te profesori dhe i tha më një ton shumë të denjë e të sjellshëm: “Z. Peters, e keni firmosur fletën e provimit, por nuk më keni dhënë një notë”. /KultPlus.com

Skënderbeu i Prishtinës kopjohet për në New York

Për pjesën më të madhe të muajit korrik monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në kryeqytet nuk do të jetë pamja ikonike e sheshit që mban emrin e tij.

Disa skele përreth tij dhe punimet që kanë nisur prej ditësh aty nuk nxisin mërgimtarët dhe turistët e huaj që të shkrepin fotografi. Krejt kjo pasi autoritetet komunale i kanë dhënë dritën jeshile projektit për kopjimin e monumentit kryesor në Prishtinë. Gjithçka kishte filluar muaj më parë, kur përfaqësues të komunitetit shqiptar në New York kishin shfaqur interesim që monumentin e Skënderbeut ta kishin në qytetin e tyre.

Komuna e Prishtinës ka lejuar që në afat brenda njëzet ditësh të merren kallëpet nga monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Këtë e ka pranuar edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së komunitetit shqiptar në Amerikë.

Artisti Albert Heta ka kritikuar këtë veprim, duke thënë se po lejohet kopjimi i një vepre që ka një pronar të caktuar.

Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga Mustafë Halili, i cili ka thënë se “Këshilli Organizativ ka kontaktuar me trashëgimtarin legjitim të autorit, djalin e tij, Kliti Paço dhe jemi dakorduar për kompensimin e të drejtës së autorit”. /Koha.net/ KultPlus.com

Ambasada amerikane në Beograd kërkon ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Ambasada amerikane në Beograd, tha të hënën nëpërmjet një komunikate se ndriçimi i vrasjes së tre shtetasve amerikanë 20 vjet më parë është përparësi në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

“Sot shënojmë një përvjetor të zymtë. Njëzet vjet më parë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u morën nga një stacion policisë dhe u dërguan në njësinë e posaçme të policisë. Dy vjet më pas, trupat këtyre tre shtetasve amerikanë u gjetën në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë nën komandën e Goran Radosavleviqit. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë”, shkruan në komunikatën e ambasadës.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet. “vrasjet ende nuk janë hetuar në mënyrë të duhur dhe plotësisht. Vdekjen e tyre nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë”, thuhet në komunikate në të cilën theksohet se “vendosja e drejtësisë për vëllezërit Bytyçi, mbetet përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve serbe, që janë zotuar të ndihmojnë për këtë rast për shumë vjet, ta zgjidhin atë”, thuhet në komunikatë.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe për të cilin siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanë, në vitin 1999.

Goran Radosavleviq, i njohur si Guri, është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë në partinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë shtruar vazhdimisht trysni mbi Beogradin që të ndriçojë këtë rast ndërsa një grup ligjvënësish amerikanë kishte kërkuar që përparimi në këtë çështje të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë/VOA. / KultPlus.com

Pre Hardh Fest me poezi nga Xhevdet Bajraj e muzikë “live”

Këtë të diel, më 14 korrik, duke filluar nga ora 18:00, në Shtëpinë e Verës, do të mbahet PRE Hardh Fest Party.

Siç bëhet me dije në një komunikatë për media, aty do të zbulohet slogani dhe programi i Hardh Fest 2019, e më pas do të mbahet Ora Poetike dhe muzikë “live”.

Në Orën Poetike do të interpretohen poezitë e autorit Xhevdet Bajraj nga librat “Kur qajnë hardhitë” dhe “Vitet që nuk e sollën pranverën”, ndërsa Florent Abrashi & Funky Guru, do të përkujdeset për atmosferën me muzikë LIVE. Warm up, DJ Fisnik Kuqi.

Ndryshe, Xhevdet Bajraj është poet i njohur ndërkombëtar i lindur në Kosovë, që jeton dhe vepron në Meksikë. Hardh Fest sivjet mbahet më 16, 17 dhe 18 gusht.

Kush jam?

Poezi nga: Aldo Palazzeschi
Përktheu: Faslli Haliti

A jam vallë poet?
Jo, sigurisht.
Pena e shpirtit tim
nuk shkruan, veçse një fjalë të çuditshme,
“çmenduri”

A jam, pra, piktor?
S’ bëhet fjalë.
S’ka veçse një ngjyrë
tavoloca e shpirtit tim:
“melankolinë”.

Muzikant, atëherë?
Aspak.
S’ka veçse një notë
në tastierën e shpirtit tim:
“nostalgjia”.

Jam pra… ç’jam ?
Unë vë një lente
para zemrës sime
për ta parë njerëzit.

Kush jam?
Akrobat i shpirtit tim.

Cricket sjell remiksin e këngës “Më fal” të Elita 5 (VIDEO)

Kënga e Elita 5, “Më fal” është ripërpunuar në një version remx, vite pas publikimit, shkruan KultPlus.

Kënga ka marrë nuanca të reja duke u bërë relevante për kohën e tanishme.

Tingujve të bukur të Elita 5, i janë shtuar edhe elemente interesante në këtë versionin e ri.

Kënga është ripërpunuar nga producenti i njohur Cricket i cili kohëve të fundit ka arritur të marr dashurinë e publikut me krijimet e tij të veçanta. /KultPlus.com