Vajza me këmbë të prera shkëlqen në pasarelën e Parisit

Daisy May Demetre është një vajzë britanike, që i humbi të dyja këmbët e saj kur ishte vetëm 18 muajshe, kurse tani sfiloi në Javën e Modës në Paris.

Sipas BBC, vajza  lindi me hemimelinë fibulare, ku një pjesë ose e gjithë kocka e fibulës në këmbë mungon dhe kjo sillte paaftësi në ecje, transmeton KultPlus

9-vjeçarja nga Birminghami sfiloi për një markë luksoze veshjesh për fëmijë franceze, në pasarelën e ngritur në Kullën Eiffel dhe tha se eksperienca, e kishte bërë të ndjehej shumë speciale.

“Ajo humbi të dyja këmbët dhe ishte një proces i gjatë ta bënim atë të ecte. Por, Daisy ishte një luftëtare e vogël dhe arriti të bënte të gjitha gjërat që mjekët nuk mendonin se do të mund ti bënte”– tha babai i vajzës.

“Çdo qëllim që ajo i vendos vetes ia del ta arrijë, gjithçka që ajo zgjedh ta bëjë, e bën. Kjo është diçka e madhe dhe më bën të ndjehem mirë si prind”,  vijoi i ati.

Për babain e saj nuk ka dyshime. Ajo mund të bëjë gjithçka që ajo ka dëshirë  të bëjë dhe kjo është diçka e mrekullueshme.

Dhe ky është një mësim i vlefshëm për të gjithë, veçanërisht për komunitetin e njerëzve me aftësi të kufizuara.

Ajo filloi të modelojë rreth 18 muaj më parë dhe ka punuar për marka të famshme si  Matalan dhe Nike./KultPlus.com

Tri artistet nga Kosova apelojnë për trashëgiminë kulturore

Ekspozita që tërheq vëmendjen për të hedhur shikimin nga e kaluara dhe historia, me kurator Arsim Sinanin, prezantohet këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar.

“Mozaiku i jetës”, i artisteve të artit pamor nga Kosova: Shkurte Ramushi, Leoneta Abdyli edhe Besjana Kryeziu, sjell artin e tyre frymëzuar nga natyra.

Tri artiste nga Kosova, teksa flasin për veprat e tyre, që e gjen frymëzimin vetëm në natyrë, ndalin në rëndësinë dhe vëmendjen që shqiptarët duhet t’u kushtojnë vlerave të trashëgimisë jomateriale.

Besjana Kryeziu, me artin e saj sjell trashëgiminë arkitekturore të jetës, dritaret e shtëpive edhe të historisë shqiptare, që sipas saj, duhet ruajtur më me shumë kujdes nga brezat e rinj, në mënyrë që të mos humbasim kujtesën historike.

“Ekspozita ‘Mozaiku i jetës” përfaqëson jetën. Unë jam përqendruar në dritaret e shtëpive të vjetra, për të ndalur më shumë në dukurinë e ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore. Elementet që unë sjell, janë marrë nga jeta reale. Kam gjetur shumë dritare të vjetra, që pasi janë pikturuar edhe janë rrënuar. Por është e vështirë, sepse është diçka që nuk mbrohet nga shteti. Do të doja shumë, që të merrnin shembull nga ju. Një qytet pa trashëgimi kulturore është i vdekur, prandaj mendoj se, kultivimi duhet të fillojë nga shtëpia”, – shprehet piktorja Besjana Kryeziu.

Ndërsa, Leoneta Abdyli, prezanton peizazhin, rrugët dhe mallin e vendlindjes. Piktorja Shkurte Ramushi, sjell magjinë e natyrës.

“Mozaiku i jetës’ e kemi quajtur, se të trija sjellim fusha të ndryshme të jetës, ku secila ka perceptimin e saj, ndërsa ngjyrat janë të përbashkëta. Është natyra, ajo që na frymëzon. Nuk është kaq e bukur sa duket, por unë kam shumë dëshirë të shohim vetëm anën pozitive të gjërave. Nëse nuk punojmë edhe nuk e ndërtojmë vendin, nuk di çfarë të them për parajsën tjetër, nëse ekziton”, – shprehet piktorja, Shkurte Ramushi./konica.al/KultPlus.com

“Realitete të Zgjeruara”, vjen në Prishtinë për të shpalosur të vërteta përmes artit

Një artist i madh njëherë pat thënë se arti është një gënjeshtër që na ndihmon për të zbuluar të vërtetën. Të vërtetat tona dallojnë shumë nga të vërtetat e të tjerëve, por në fund të ditës ato mbesin të vërteta personale, që zor kush i konteston apo i vë në dyshim.

“Realitete të Zgjeruara”, quhej ekspozita e artistes nga Gjermania, Monika Kropshofer. Monika, këtë ekspozitë po e hap për herë të parë në Kosovë, ku përveç Prishtinës do ta prezantojë edhe në qytete tjera të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ekspozita ishte e mbushur me dashamirës të artit, të cilët vazhdimisht shpreheshin të kënaqur me punën e artistes dhe shfaqnin adhurimin e tyre për secilën vepër të artit, që zinte vend në muret e ekspozitës

Në kompozimet e veprave të saj artistike, të cilat ishin një kombinim mes fotografisë dhe pikturës, vërehej saktësia dhe shperbërja që gërshetoheshin lehtazi në kompozimet e saj

Arkitektura dhe elementet që e përbëjnë atë – fasadat, dritaret, shkallët por edhe gjërat laike janë objekti dhe fusha estetike e eksperimentimit të artistes Monika Kropshofer.

Artistja për KultPlus, pohoi se kjo ishte hera e saj e parë në Kosovë dhe se Prishtinën e konsideron si një vend mjaft inspirues për artin e saj.

”Secilën ekspozitë e realizoj duke ia përshtatur vendit në të cilin kam për ta shfaqur, këto vepra arti i shkojnë Kosovës. Kjo ekspozitë do të mbetet vetëm në Kosovë”, potencoi artistja për KultPlus.

Artistja jo rastësisht kishtë zgjedhur ”Galerinë Qahili” si vend të përkohshëm për artin e saj, ajo tha se kuratores së saj dy vite më parë i kishte pëlqyer shumë si vend për ekspozimin e punës së artistes, ku kishin vendosur që ekspozitën e radhes ta realizonin aty.

Duke filluar nga sot, ekspozita do të jetë e hapur deri më 12 tetor të këtij vitit./KultPlus.com

“Dora Maar” e dashura dhe muza e Pikasos

“Portreti i Dora Maar”, pikturë e vitit 1938, e njohur edhe si “Busti i gruas (Dora Maar)” përfaqëson një nga të dashurat dhe muzat e piktorit të famshëm spanjoll.

Dora Maar, ndryshe njihet edhe si muza e Pablo Picassos. Piktori për shumicën e pikturave, ishte i inspiruar nga ajo, duke e bërë atë protagoniste kyqe në artin e tij, shkruan KultPlus

Tabloja, që ka qenë pjesë e koleksionit privat të piktorit deri në momentin e vdekjes së tij, u grabit në vitin 1999, në jahtin e një sheiku saudit, që ishte ankoruar pranë Kanës.

Pas dy dekadave kërkimesh të pasuksesshme, vëzhguesit dhe koleksionistët e artit nuk kishin më shpresa për të rënë në gjurmët e kësaj kryevepre, – sipas BW.

Kjo, gjerkur Arthur Brand, i njohur ndryshe si Indiana Jones, për zbulimet e kryeveprave të artit, e gjeti atë pas një pune të gjatë kërkuese prej katër vjetësh.

Tashmë, “Busti i gruas“ e Pablo Pikasos, i është dorëzuar një kompanie sigurimi./konica.al/KultPlus.com

‘Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka’

Poezi nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com

Kam mësuar se njerëzit që me të vërtetë interesohen për ne, e tregojnë këtë përditë!

Në vend që të kërkojmë praninë e një personi, ne duhet të kujdesemi për veten, të përpiqemi të jemi të lumtur dhe ne vazhdojmë pjesën tonë, vetëm me ata që me të vërtetë kujdesen për ne.

Të gjithë duam të ndërtojmë lidhje të shëndosha me njerëzit në jetën tonë.

Nuk ka asgjë më të mirë se të dish se mund të mbështeteni te dikush, dhe se personi tjetër është i gatshëm të bëjë për gjithçka. Megjithatë, sado e lumtur që është një marrëdhënie, nuk është gjithmonë e destinuar të zgjasë. Jo të gjithë njerëzit që vijnë në jetën tonë do të jenë aty përgjithmonë.

Ndoshta e keni përjetuar një situatë të ngjashme.

Keni qenë të magjepsur nga një person, qoftë anëtar i familjes, një mik apo një partner romantik, dhe ju keni kushtuar gjithë kohën dhe energjinë tuaj, për të qenë me atë person, duke e bërë atë të lumtur. Por personi në fjalë kurrë nuk ka bërë të njëjtat gjëra për ju. Ka qenë shumë i zënë me jetën e vet dhe gjithmonë ju ka lënë mënjanë, gjë që ju ka pikëlluar, sepse gjithçka që dëshironit ishte të tregonit dashurinë tuaj.

Situata të tilla na bëjnë të mendojmë se sa e vështirë është të përpiqemi të jemi pjesë e jetës së dikujt, të përpiqemi të na pëlqejë dhe të na pranojë.

Nuk kemi nevojë, jeta është shumë e shkurtër për të luftuar për dikë që nuk dëshiron të jetë me ne. Në vend që të lutemi për praninë e një personi, ne duhet të kujdesemi për veten, të përpiqemi të jemi të lumtur dhe të mbajmë në anën tonë, vetëm ata që me të vërtetë kujdesen për ne.

Sado që e dëshirojmë, jo të gjithë duhet të jenë në jetën tonë. Disa njerëz janë të destinuar të kalojnë kohë me ne vetëm për të na dhënë leksione që do t’i lehtësojnë udhëtimet tona. Ata na mësojnë të vendosim kufij, të duam së pari veten, të kujdesemi për mendjen dhe trupin tonë, dhe jo për të investuar gjithçka në marrëdhënie toksike.

Po mësoj se njerëzit që me të vërtetë interesohen për ne, e tregojnë këtë përditë, nëpërmjet qëndrimeve të tyre, një telefonate pas një dite të vështirë, një mesazhi ngushëllimi, një përqafimi të fortë që qetëson zemrën.

Sidoqoftë, duhet ta kuptojmë edhe kur njerëzit duhet të shkojnë. Ata nuk largohen gjithmonë sepse nuk na pëlqen apo sepse nuk duan të jenë në anën tonë. Është thjesht jeta që duhet të shkojë ashtu.

Duhet të hapim sytë për ata që janë në anën tonë dhe të shijojmë jetën në maksimum me ta, duke gjetur kuptim në gjithçka që ekziston rreth nesh.

Jeta merr vlerë kur jeton si duhet çdo moment./lexo.al/KultPlus.com

Në shitje, këpucë për bebe, t’pambathura

Kur Ernest Hemingway ka qenë i ri është gjendur në shoqërinë e kolegëve shkrimtarë, dhe ka deklaruar se si ai mundet të shkruaj tregim me gjashtë fjalë.

Shkrimtarët e tjerë nuk i kanë besuar dhe kanë vendosur që situatën ta bëjnë edhe më interesante, duke vënë bast me nga 10 dollarë, që është e pamundur.

Ernest Hemingway ka marrë një pecetë nga tavolina dhe ka filluar ti shkruaj gjashtë fjalët.
Nuk ka pasur dëshirë ti lexoj me zë por pecetën ia ka dhënë koleges së parë në krah, dhe ashtu e kanë përcjellë deri te i fundit dhe kanë vërtetuar që gjashtë fjalë janë të mjaftueshme të shkruash një tregim.
Normal, tregimi ka mundur të ketë më shumë fjalë, por ky tregim na lejon neve të kuptojmë, po edhe të mund të shtojmë ndonjë gjë.

NË SHITJE, KËPUCË PËR BEBE, T’PAMBATHURA.
Ernest Hemingway është padyshim një ndër personat më interesant në historinë e njerëzimit.
Se sa i rëndësishëm është Hemingway për njerëzimin e dëshmojnë edhe garat të cilat zhvillohen çdo vit në Florida në qytetin Key West për “kopjen” e tij./KultPlus.com

Jon Bon Jovi hap restaurant, “Të gjithë janë të mirëseardhur në tryezën tonë”

Jon Bon Jovi është një njeri i cili merret me shumë aktivitete: Ai është një nga reklamuesit më me ndikim në industrinë e muzikës, dhe ai ka qenë një aktor në shfaqjet e famshme televizive si Ally McBeal.

Ai gjithashtu është zgjedhur disa herë si një nga artistët më tërheqës dhe është gjithashtu një aktiv politik i vendosur gjithashtu, transmeton KultPlus.

Sidoqoftë, ai përmendet më pak për punën e tij në bamirësi, edhe pse qëndron i shquar në këtë çështje në mesin e shumë të famshëm. Ai zotëron dy restorante ku njerëzit  të cilët janë të pastrehë dhe nuk mund ti përballojnë shpenzimet e ushqimeve mund të shijojnë ushqimin pa paguar.

Soul Kitchen është emri i organizatës jofitimprurëse e menaxhuar nga Fondacioni JBJ, një institucion që drejtohet nga artisti dhe mban inicialet e tij. Sipas faqes së internetit të restorantit, 51% e ushqimit që ata kanë shërbyer deri më sot janë paguar nga donacionet. 49% e mbetur ishin të mbuluara nga puna vullnetare e njerëzve pa burime financiare.

Kjo është arsyeja pse motoja e restorantit është: “Të gjithë janë të mirëseardhur në tryezën tonë”.

Përveç këtyre dy restoranteve, Fondacioni JBJ ka ndërtuar shtëpi në qytetin e Filadelfias për të pastrehët, përfshirë të rinjtë dhe veteranët e luftës.

Ky fondacion financoi gjithashtu ndërtimin e një qendre e cila ndihmon nënat adoleshente dhe foshnjat e tyre dhe financoi një strehë për të siguruar shtretër dhe kujdes mjekësor për të pastrehët./gazetametro.net/KultPlus.com

Beyonce dhe Adele, divat e muzikës po vijnë me një super bashkëpunim

Përderisa fansat e dy këngëtarëve më të mëdha të kohës sonë, po prisnin që ato të publikonin këngët e tyre ndaras, dyshja po vijnë me një këngë së bashku.

Tekstshkruesi dhe producenti i ”OneRepublic”, Ryan Tedder, një intervistë të realizuar tash së fundi në Neë York City, deklaroi se dy fituesit e Grammy nuk kanë regjistruar vetëm një këngë së bashku por, ato e kanë bërë një këngë që do të shfaqet në vazhdimin e plotë nga grupi pop, shkruan KultPlus.

Ai poashtu tha se kjo është këngë e grupit ‘One Republic’, në të cilën merr pjesë edhe Chris Martin i ‘Coldplay’ me piano.

Ryan Tedder, pohoi se kjo ndoshta edhe mund të jetë njëra ndër hitet më të mëdha të kohës./KultPlus.com

Linku i intervistës së plotë:

Ansambli ”Shota”, fituese e çmimit të dytë në Festivalin e Koresë së Jugut

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve ”Shota”, u shpall fitues i vendit të dytë në festivalin ”Cheonean Folkore and Dance Festival”, festival ky që mbahet në Korenë e Jugut.

Festivali “Cheonean Folklore and Dance Festival”, ka pasur pjesëmarrës nga shumë vende të ndryshme të botës, ndërsa Ansambli ”Shota”, ishte i vetmi Ansambël shqipta që ishte në garë me 17-të shtetet pjesëmarrëse, shkruan KultPlus.

Lajmin e bëri të ditur Ylber Asllanaj, udhëheqësi artistik i këtij institucioni, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook.

Statusi i plotë:
Akkv “SHOTA” nderohet me VENDIN E DYTË
Urime të gjithë atyre që e dhanë edhe pikën e fundit të djersës dhe nuk kursyen asgjë që, atdheut tonë, ti rrisin namin edhe në këtë pjesë të largët të botës!

Festivali i cili përveç garës kryesore të përformancës së përgjithshme, përfshinte edhe kategori tjera garuese në: defile në rrugë dhe përformanca individuale, që ishte edhe një mundësi e shkëlqyeshme qe bota të njihej me kulturën shqiptare përmes “Shotës”./KultPlus.com

Përurohet në Split libri i Naser Ferrit, “Mitologjia e gjallë”

Profesori nga Kosova, Naser Ferri, ka botuar librin “Živa mitologija” (Mitologjia e gjallë) në Entin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë (HAZU) në Split.

Botimi i librit në gjuhën kroate që u mbështet financiarisht nga Qeveria e këtij vendi, u bë në kuadër të manifestimit kulturor “Knjiga Mediterana”.

Librin e prezantuan akademik Nenad Cambi, doktor Marija Buzov, profesor Kristina Xhin (Džin) dhe doktor Vesna Llallosheviq (Lalošević).

Në këtë përurim ishte prezent edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

Në këtë simpozium ndërkombëtar, Ferri më 24 shtator e ka prezantuar edhe kumtesën në gjuhë italiane me titull: I membri dell esercito romano nella Dardania romana originari da Sslona” (Pjesëtarët e ushtrisë romake me origjinë nga Salona në Dardani romake). / KultPlus.com

“Stacioni” shpallë artistët që kanë aplikuar për çmimin “Artistët e së nesërmes”

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallë artistët e rinj që kanë aplikuar në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019, përcjellë KultPlus.

Artistët që kanë aplikuar në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Melos Gashi, Fatbardha Goga, Shkamb Jaka, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Enkela Maxhuni, Brilant Milazimi, Butrint Morina, Shkurte Ramushi, Vernona Rrustemi, Sadie Tadi Suhodolli, Jetullah Sylejmani, Somer Şpat, Valdrin Thaqi, Yll Xhaferi dhe Dion Zeqiri.

Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të shpallen më së voni deri më 4 tetor 2019. 

Anëtarët e jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Sezgin Boynik, Qëndresa Deda, Charles Esche, Adam Kleinman dhe Jelena Vesić.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë në ekspozitën e përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të përzgjedhen nga juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 duke marrë për bazë shqyrtimin e portfolios artistike, arritjet profesionale, ekspozitat e mëparshme dhe potencialin e demonstruar të artistëve aplikues.

Tre finalistët e zgjedhur të çmimit do të shfaqin veprat e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, që hapet me 6 nëntor 2019, në Klubin e Boksit në Prishtinë. 

Juria do të shpallë fituesin/en në mbylljen e ekspozitës të tre finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, që do të mbahet me 6 dhjetor 2019, në Klubin e Boksit në Prishtinë. Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.

Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmes” 2019 janë: Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. / KultPlus.com

Menduan se njëri nga ta kishte vdekur gjatë Holokaustit, takohen pas 75 vitesh

Një video prekëse e cila tregon momentin kur Morris Sana, 87 vjeç dhe Simon Mairowitz, 85 vjeç, u takuan  në Tel Aviv, Izrael, pas dekadash duke besuar për njërin tjetrin se u vranë në kampet e përqendrimit

Ata u ribashkuan të enjten e kaluar pasi të afërmit e tyre kuptuan se miqtë e fëmijërisë ishin akoma gjallë pasi i gjetën në Facebook.

Kushërirët po qanin dhe thanë se ishin të lumtur ta shihnin njëri-tjetrin 75 vjet më vonë, por ishte vetëm Morris që njohu në fillim anëtarin e tij të vjetër të familjes.

Morris, i cili jeton në Izrael dhe Simon nga Britania e Madhe, u ndanë pasi shpëtuan nga Rumania në vitet 1940 me familjet e tyre kur qeveria u rrëzua dhe vendi u detyrua të bëhej aleat me Gjermaninë naziste.

Morris dhe Simon janë dy nga mijëra të cilët nuk e kishin idenë se çfarë u ndodhi të dashurve në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com


Kruja dhe Gjirokastra shpalosin vlerat e folklorit, etnografisë dhe artizanatit

Folklori, etnografia dhe artizanati i Gjirokastrës dhe Krujës, një ansambël i jashtëzakonshëm i traditës së këtyre dy qyteteve, sollën vlerat e Shqipërisë së mesme dhe jugut për vizitorët e shumtë që kishin mbushur Krujën, shkruan ATSH, përcjellë KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Turizmit, Zona për Zhvillimin e Turizmit Kruja ( TID) Kruja mirëpriti eventin “Kruja dhe Gjirokastra – Traditë dhe Histori”.

Në bashkëpunim me TID Gjirokastra, (Zona për Zhvillimin e Turizmit) Qendrën Kulturore të Fëmijëve Krujë, bashkinë Krujë dhe Gjiroart, artizanati, tradita, historia, arti dhe muzika e këtyre dy qyteteve u bënë bashkë në zonën TID.

Artizanë të qytetit të Gjirokastrës shpalosën punimet e tyre, ndërkohë që atmosfera u ndez nga këngët e grupit Pleqtë e Krujës, si dhe vallja e kënga polifonike e Grupit Lunxhëria.

Të rinjtë e qytetit të Krujës sfiluan me veshjet popullore të të dy qyteteve, si dhe performuan vallet e të dy krahinave. Vallja e përbashkët e krutanëve dhe gjirokastritëve i la sërish vëmendjen artizanëve dhe punimeve të tyre.

Eventi ngalli kureshtjen e turistëve vendas e të huaj, të cilët iu bashkuan këtij aktiviteti.

Ky event u mbështet financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (The AADF) dhe zbatohet nga TID Kruja.

Petrit Çeku emërohet profesor në Universitetit prestigjioz të Graz- it

Kitaristi Petrit Çeku i cili me tingujt e tij që burojnë nga kitara e ndërtuesit Ross Gutmeier, ka mahnitur publikun në secilën performancë të tij, tashmë mjeshtërinë e tij do ta ketë mundësinë t’ua përcjellë edhe gjeneratave të reja, kësaj radhe në cilësinë e profesorit në Universitetin prestigjioz të Graz-it, shkruan KultPlus.

Për këtë lajm ka njoftuar vetë Çeku përmes një statusi në Facebook, ku është shprehur jashtëzakonisht i lumtur për titullin që i është dhënë dhe për mundësinë që të punoj dhe të ndajë përvojën e tij me muzikantët e rinj.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të ju njoftoj se më është dhënë titulli i profesorit në Universitetin prestigjioz të Graz-it dhe se do të filloj të jap ligjërata në muzikë këtë vit. Është një privilegj i madh që të bashkohem në këtë fakultet të mrekullueshëm dhe veçanërisht në departamentin e shquar të kitarës, i cili përfshin të mëdhenjtë Paolo Pegoraro dhe Lukasz Kuropaczeëski dhe me të vërtetë mezi pres të punoj dhe të ndaj përvojën time me muzikantë të rinj të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Çeku.

https://relaunch.kug.ac.at/news/news-detail/news/von-kammermusik-fuer-gitarre-bis-zu-ppcm-vokal-neue-studien-an-der-kug/?tx_news_pi1%5Bcontroller%5D=News&tx_news_pi1%5Baction%5D=detail&cHash=76bb3b52defb894bf21127ab177e7463&fbclid=IwAR1P5yEWuGOKNhZ4O7Wer2pTVfNiTj2Q2ufD4ktzwe_jjL_xOVLtP07-S4o

Lindur në Prizren, Kosovë, Çeku u frymëzua të luante kitarë nga babai i tij që në moshën gjashtë vjeç. Ai ndoqi shkollën e muzikës Lorenc Antoni nga mosha 9 deri në 17 vjeç, ku mori mësime në kitarë klasike nga Luan Sapunxhiu. Në 2002, Çeku ishte i ftuar nga Xhevdet Sahatxhija për të studiuar në Zagreb, Kroaci, në shkollën e muzikës Pavao Markovac. Në vitin 2008, Çeku u diplomua në Akademinë e Muzikës në Zagreb në klasën e njohur të Darko Petrinjak. Nga viti 2009–13 ai vazhdoi të studiojë me Manuel Barrueco në Konservatorin Peabody në Baltimore, SHBA.

Çeku ka interpretuar shumë recitale në të gjithë Evropën dhe Amerikën dhe ka qenë një solist me orkestra të tilla si Baltimore Symphony, Filharmonic of Chamber of Czech, Orkestra shtetërore e Hermitasit të Shën Petersburg dhe Filarmonia e Zagrebit. Ai gjithashtu paraqitet rregullisht me Solistët e famshëm të Zagrebit dhe është anëtar themelues i Guitar Trio Elogio.

Ai rregullisht performon në festivale muzikore si Festivali i Gjeneratës Tjetër, Samobor Festival, Panama Guitar Panama, Guitar Virtuosi në Moskë dhe Festivali Remusica i Prishtinës. Ai gjithashtu jep mësime rregullisht në Akademinë Polake të Kitarës dhe Festivalin e Mjeshtërve të Rinj Samobor. Petrit Çeku luan në një kitarë të bërë nga Ross Gutmeier. / KultPlus.com

Mediat ndërkombëtare për “Zanën” nga Kosova: një Oscar për traumat e luftës

Filmi kosovar “Zana” i cili po garon për “Best International Feature” në kuadër të çmimeve Oscar të vitit tjetër, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Euronews, në kronikën për kinematografi, e përshkruan filmin “Zana si “inspirues dhe goditës”, meritë që sigurisht i takon edhe  regjisores Antoneta Kastrati.

Kastrati thotë se i përdori kujtimet e saj të luftës së viteve 1998-1999 si bazë të filmit të saj.

“Është një frymëzim nga një ngjarje e vërtetë”, thotë Kastrati. “Është fiction, por baza e saj rrjedh nga përvojat e mia gjatë luftës. Unë isha adoleshente kur m’u vranë nëna dhe motra.

“Bëra shumë që hulumtoj rreth simptomave të mia personale të përjetimit të stresit post-traumatik, i cili zgjon çrregullime dhe ankth”, shtoi ajo.

Filmi flet për Lumen (Adriana Matoshi), një grua që jeton me bashkëshortin Ilirin (Astrit Kabashi) dhe vjehrrën Remzijen (Fatmire Sahiti).

Pasi ka humbur në luftë fëmijën e saj të vetëm, Lumja përballet me ankthe në gjumë dhe si pasojë e ka të pamundur të mbetet shtatzënë.

Të dëshpëruar dhe të shqetësuar, familja e saj kërkojnë që ajo të drejtohet te “shëruesit me magji” për të trajtuar infertilitetin. Kur Lumja i reziston kërkesës, familja e burrit e kërcënojnë me një grua të re, kandidate  për t’u bërë gruaja e dytë e Ilirit.

Nën kërcënimin e zëvendësimit, Lumja heq dorë nga mjekësia moderne dhe pajtohet të eksplorojë praktikat ekzorciste.

Për “Zanën” e saj, regjisorja Kastrati udhëtoi në shumë fshatra duke intervistuar gratë lidhur me më të dashurit që i kishin humbur gjatë luftës. Shumë thanë se ende ndjeheshin të përhumbura, edhe pas dy dekadash.

“Unë mendoj se ka një pjesë të vetvetes që nuk do të shërohet kurrë”, thotë Kastrati. /KultPlus.com

Promovohet sonte ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ nga Arbër Selmani

Sonte në Europe House – Shtëpia e Evropës në Prishtinë do të promovohet ‘Kosova në 14 tregime kulturore’, shkruan KultPlus.

“Kosova në 14 tregime kulturore” është një përmbledhje e teksteve gazetareske shkruar nga Arbër Selmani, nga muaji mars 2019 deri në gusht 2019. Tekstet janë realizuar në gjuhën shqipe dhe angleze, në këtë libër do t’i gjeni vetëm ato në gjuhën shqipe.

Libri u realizua si pjesë e projektit/grantit “Kontribut në forcimin e gazetarisë së pavarur, hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe në lirinë e shprehjes në Kosovë”, projekt i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga BIRN – Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese dhe AGK – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Si një prej përfituesve të grantit, gazetari Arbër Selmani ka depërtuar në tregime të ndryshme kulturore, prej Anton Çettës e deri te Hamami i Prizrenit, prej Istref Begollit e deri te Muzeu Etnologjik në Prishtinë, prej Armend Rexhepagiqit e deri te Ali Podrimja. Këto katërmbëdhjetë tregime dhe rrëfime përmbajnë njerëz të fateve të ndryshme, që shënuan dhe ende shënojnë kulturën dhe artin shqiptar. / KultPlus.com

Mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar në qendrën e kulturës franceze, Parisin

Bisedë me Tomorr Plangarica, profesor i disiplinave gjuhësore dhe letrare në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris.

Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) është një institucion me një traditë mëse dyqind e njëzet vjeçare në sistemin e arsimit të lartë në Francë, ku mësohen dhe jepen njohuri për më shumë se 100 gjuhë. Në këtë institucion edhe mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar ka përvijuar tashmë një përvojë gati njëqindvjeçare, duke mbajtur gjallë atë traditë që ishte përvijuar edhe më parë në Francë për njohjen e studimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë së këtij populli, në një cikël shkollimi në tri nivele: formim bazë trevjeçar (studime bazike), master dhe doktoratë… Por, le të kujtojmë kalimthi se Shqipëria, historia dhe kultura e saj, heronjtë dhe bëmat e tyre kanë qenë të pranishme edhe në penat e klasikëve francezë, për shembull, te Ronsari (Pierre de Ronsard) dhe Lamartini (Alphonse de Lamartine) apo në veprat e konsujve a udhëtarëve francezë të shekujve të kaluar (Tomorr Plangarica).

Bisedën e realizoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Plangarica, ju jeni nga studiuesit e rrallë që keni kryer studimet doktorale në fushën e psikolinguistikës; gjithsesi ju keni ligjëruar edhe në disa fusha të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, nga fonetika, stilistika, analiza e tekstit deri te pragmatika e analiza e diskurseve. Sa janë në funksion të njëra-tjetrës të gjitha këto disiplina?

Tomorr Plangarica: Përgjithësisht angazhimi në një fushë a në fusha të caktuara studimi kushtëzohet nga ndikimi i një morie faktorësh, sa të natyrës subjektive, që kanë të bëjnë me parapëlqimet, interesimet e veçanta, joshjet dhe kureshtitë, po aq edhe të natyrës objektive, që kanë të bëjnë me nevojat e shfaqura në kontekste a lëminj të caktuar studimorë në një hapësirë a çast të caktuar. Unë i përkas atij brezi mësimdhënësish universitarë e studiuesish, që pati shansin t’u përkushtohet me më shumë lehtësi disa fushave të mendimit gjuhësor të cilat “prisnin”, prej kaq kohësh, trajtime të thelluara, por që në kushtet e para viteve 1990 në Shqipëri nuk ishte shumë e mundur të lëvroheshin, si pasojë e mungesës së kontaktit më të gjerë me literaturën e huaj, mungesës së njohjes sa duhet të përvojave perëndimore apo paragjykimeve të natyrës ideologjike a metodologjike. Ndryshimet e thella politike dhe shoqërore në vitet 1990 mundësuan t’i qasemi me më shumë zell dhe kompetencë edhe dukurive e problemeve që shqetësonin mendimin gjuhësor në të ashtuquajturën “gjuhësi e jashtme”, që parakuptonte shqyrtimin e dukurive gjuhësore përtej njësive të sistemit. Në fakt, joshja për shqyrtime më të thelluara në këto fusha studimi lind natyrshëm edhe ndërsa studiuesi kërkon t’i krijojë një bazë sa më të qëndrueshme teorike edhe vetë shqyrtimit të njësive të sistemit, ndërsa thellohet në shqyrtimin e përvetësimin e njohurive që përpunohen në hapësirën e gjuhësisë teorike dhe filozofisë së ligjërimit, shkollave e kahjeve teorike që priren t’i shqyrtojnë në mënyrë sistemore dukuritë gjuhësore, në rrafshin e regjistrave të ndryshëm ligjërimorë të shfaqjes së tyre, në sfera e nivele të ndryshme moshore të përdorimit të gjuhës etj. Kontakti me përvojat europiane, shumë më i mundshëm dhe më i lehtë pas vitit 1990, krijoi mundësinë që kjo problematikë të zinte vend shkallë-shkallë edhe në studimet tona: bëhet fjalë për përfshirje në një “gjuhësi të re”, pra për një hapësirë shqyrtimi ku objekti i studimit, metodologjitë, konceptet dhe terminologjia janë shfaqur e po përvijohen këto 3-4 dhjetëvjeçarët e fundit edhe në shkollat më në zë të gjuhësisë, në atë anglo-saksone, në atë latine (kryesisht në përvojat shqyrtuese franceze) dhe në atë gjermanike. Është fjala, pra, për atë gjuhësi që po njihet gjithnjë e më shumë si gjuhësi jo e sistemit, por si gjuhësi përtejfrazore, si gjuhësi që do të diferenconte llojet e diskursit në komunikim, një gjuhësi që do të kishte një përgjigje për vetjet a thënësit (énonciateur) në komunikim dhe mënyrën e adresimit të mesazheve, një gjuhësi që të shihte përtej dikotomisë “i shenjuar/shenjues”, që me dallimin edhe të referentit e procesit të referencës, të 68 shqyrtonte situatën e të thënit, që ta konsideronte kuptimin e mesazhit jo thjesht domethënie të bartur te fjala e fjalia, por të ndërtuar në procesin e të dëgjuarit/lexuarit në bashkëmarrëdhënie me bashkëfolësin a bashkëthënësin…, një gjuhësi, pra, e rendit të tretë (pas asaj të fjalës – Sosyri, dhe asaj të fjalisë – Çomski), që të sillte interpretime përtej domethënieve të atyre njësive.; e po ashtu, bëhet fjalë për disiplina, autonomia e të cilave vishet me një mantel të veçantë; madje flitet më së tepërmi për marrëdhënie ndërdisiplinore sesa për kufij ndarës, autonomi a përkatësi të dijeve në një hapësirë të caktuar; prej nga, më së shumti, në shkollën franceze flitet më shumë për shqyrtime në kuadër të shkencave të ligjërimit. Nga ana tjetër, realiteti përdorimor i shqipes në vitet ’90 të shekullit të kaluar po njihte zhvillime të dukshme, të cilat po parashtronin kërkesa të ngutshme për studimin e tyre.

Pjesë përbërëse e atij realiteti përdorimor të shqipes ishte edhe kompetenca gjuhësore e nxënësit e grupmoshave shkollore të caktuara. Për më tepër, reformimi i mësimdhënies së shqipes, që në sistemin arsimor në Shqipëri kishte filluar qysh në fund të viteve 1970, kërkonte tashmë mbështetje më të qëndrueshme teorike dhe analiza më të drejtpërdrejta të dukurive gjuhësore që shfaqeshin në ato grupmosha dhe interpretime të atyre dukurive nga këndvështrimet e teorive gjuhësore të përpunara kryesisht në fushën e psikolinguistikës, por edhe më gjerë nga disiplinat e ndryshme të shkencave të ligjërimit. Në këtë kuadër mund ta përfshij angazhimin tim fillestar në këtë fushë, në studimin e veçantive të formimit gjuhësor në grupmoshat shkollore. Është një punë të cilën jam munduar ta zgjeroj e shtrij në vitet e mëpastajme, duke qenë i 69 bindur se kompetencën gjuhësore të çdo individi shqipfolës s’mund ta drejtojmë në nivelin e duhur pa i kushtuar vëmendje të veçantë formimit gjuhësor në shkollë, formim që do të jetë më i plotë nëse i tërë procesi i arsimimit do të përfitojë edhe nga prurjet e sotme të shkencave të ligjërimit; kam parasysh këtu edhe zhvillimet në didaktikën e gjuhës e të letërsisë, të teorive të të lexuarit (atij letrar në veçanti), të semiotikës, pragmatikës, etj. , etj. Bëhen përpjekje jo të pakta sot në Shqipëri e Kosovë, por prurjet nuk janë sistemore, dija në këto fusha mbetet ende fragmentare. Por, duke qenë mësimdhënës në universitet, pranë departamentit të gjuhësisë të UE “A. Xhuvani”, periudha e ndyshimeve në Shqipëri na nxiti, na angazhoi dhe na vuri para detyrimit intelektual që në programet universitare të studimeve të gjuhës dhe letërsisë të përfshinim edhe njohuritë që mungonin, por që ishin të domosdoshme nga fusha e kësaj gjuhësie. Ndaj u angazhova në përgatitjen e ligjëratave në fushën e psikolinguistikës, filozofisë së ligjërimit, analizës së tekstit, analizës së diskursit, pragmatikës, krahas stilistikës, etj. , çka sillte dobi për studentët, por edhe për mua, sepse mundësonte thellim në dije, pa të cilat formimi i studiuesit do të ishte gjithsesi i gjymtë. Sigurisht që ishte një “endje” në një hapësirë tejet të gjerë, që mund të pengonte disi thellimin në një fushë më të ngushtë, por ishte e domosdoshme dhe e vlefshme. Vërej me kënaqësi që kahje të tillë ka pasur puna edhe e shumë kolegëve të mi në Shqipëri dhe në Kosovë dhe mund të pohoj që tashmë interesimi për problemet e studimit të ligjërimit janë të pranishme në tavolinat e studiuesve po aq sa edhe ato të sistemit të gjuhës shqipe, të dukurive të natyrës fonetike, morfologjike a sintaksore.

M.: Tani jeni profesor albanologjie në seksionin e gjuhës shqipe të Departamentit të Gjuhëve të Europës Juglindore në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris, ku në mes gjuhëve të tjera, studiohet edhe gjuha shqipe. A mund të na shpjegoni më shumë për këtë institucion dhe si janë të strukturuara progamet nëpër nivele të ndryshme të arsimit të lartë atje?

T.P.: Interesimi për gjuhën shqipe, kulturën dhe artin shqiptar, trashëgiminë, traditën dhe bashkëkohësinë janë pjesë e interesimeve shkencore të studiuesve francezë në universitete e departamente të ndryshme, në institucione universitare në qytete të ndryshme të Francës. Por nëse prurjet në këtë fushë janë përgjithësisht produkte të punës individuale shkencore të studiuesve a profesorëve të caktuar, INALCOja është i vetmi institucion në të cilin në mënyrë të organizuar jepet mësim në fushën e albanologjisë, jepen njohuri për gjuhën dhe qytetërimin shqiptar në një cikël shkollimi në tri nivele: formim bazë trevjeçar (licence), master dhe doktoratë. Në fakt INALCO-ja është një institucion me një traditë mëse dyqind e njëzetvjeçare në sistemin e arsimit të lartë në Francë, ku mësohen dhe jepen njohuri për më shumë se 100 gjuhë dhe kontekstet kulturore, letrare e qytetëruese në të cilat ato gjuhë janë zhvilluar; krahas mësimdhënies së këtyre gjuhëve bëhen njëherazi kërkime shkencore mbi gjuhët e Europës Qendrore e Lindore, të Afrikës, të Lindjes së Mesme, të Azisë, të Oqeanisë dhe popullsive vendëse të Amerikës përmes disiplinave të tilla si gjeografia, historia, antropologjia, shkencat politike, ekonomike e sociale, të mbështetura nga ekipe profesorësh të këtij institucioni ose në bashkëpunim me qendrat a institutet kërkimore shkencore. Në këtë institucion edhe mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar ka përvijuar tashmë një përvojë gati njëqindvjeçare, duke mbajtur gjallë atë traditë që ishte përvijuar edhe më parë në Francë për njohjen e studimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë së këtij populli; për më tepër, përmes një profesorati cilësor që u angazhua në studime në fushën e albanologjisë dhe dha produkte konkrete. Në botime të ndryshme të këtij institucioni, në revistat e tij shkencore dhe botime të tjera janë të pranishme këto kontribute. Një vështrim përmbledhës është bërë edhe në botimin e bërë me rastin e 200-vjetorit të këtij institucioni (1995). Le të kujtojmë kalimthi se Shqipëria, historia dhe kultura e saj, heronjtë dhe bëmat e tyre kanë qenë të pranishme edhe në penat e klasikëve francezë, për shembull, te Ronsari (Pierre de Ronsard) dhe Lamartini (Alphonse de Lamartine) apo në veprat e konsujve a udhëtarëve francezë të shekujve të kaluar. Në emrat më të njohur të kësaj trashëgimie, në suazën e kontributeve të studiuesve francezë për albanologjinë, spikatin emra të shquar si Lui Lysiën Bonoparti (Louis-Lucien Bonaparte), Ogyst Dozoni (Auguste Dozon), Lui Benlëvi (Louis Benloeë), Lui Pod’horski (Louis Podhorszky), Mario Roku (Mario Roques), Gabriel Anceu (Gabriel Ancey), Robert d’Anzhëli (Robert d’Angely), Hanri Buasëni (Henri Boissin), Kristian Gyti (Christian Gut), Zhorzhë Dretasi (Georges Drettas), Kristianë Montekoja (Christiane Montecot), Odilë Danieli (Odile Daniel), Zhan-Lui Dysheja (Jean-Louis Duchet), Odetë Marké (Odette Marquet)etj. Për një rastësi të lumtur, por jo vetëm për rastësi, mes tyre ka figura të rëndësishme me prurje të konsiderueshme edhe për kulturën dhe studimet europiane. Gjithsesi, në mjedisin francez Mario Roku konsiderohet si pionier i kërkimeve gjuhësore franceze të albanologjisë, kontribute të dhëna në kuadër të interesimeve që nxiteshin në lidhje me shqipen në Shkollën e Gjuhëve të Lindjes, sot INALCO. Romanist në zë, ishte ai që filloi mësimdhënien e shqipes në këtë institucion qysh më 1927-ën dhe që botoi po ashtu në një koleksion të Bibliothèque de l’Ecole dy vepra mbi tekstet e vjetra shqipe: Fjalori shqip i 1635-ës i Frang Bardhit, me një hyrje dhe tregues, në vitin 1932 dhe Kërkime mbi tekstet e vjetra shqipe, më 1934-ën. Pas tij mësimdhënia e shqipes dhe qytetërimit shqiptar pati të tjera personalitete me kontribute edhe në fushën e albanologjisë, si H. Buaswnin, K. Gytin, O. Danielin etj. H. Buaswni(ww), specialist i gjuhëve sllave, e dha mësim shqipen në këtë institucion për gati 25 vjet dhe hartoi gjithashtu edhe një “Gramatikë të gjuhës shqipe”, shumë artikuj gjuhësorë dhe përktheu edhe shumë krijime të epikës shqiptare. K. Gyti, student dhe më tej vijues i punës së Buasënit, drejtues për disa vjet edhe i Departamentit të Gjuhëve të Europës Juglindore përveç mësimdhënies u angazhua në mënyrë intensive në studimin e kulturës dhe historisë së Shqipërisë, botoi studime me natyrë historike, kulturore e gjuhësore, përktheu në frëngjisht vepra të autorëve shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, botoi një monografi për Pashko Vasën dhe përktheu në frëngjisht edhe Kanunin e L. Dukagjinit, që nga specialistët konsiderohet ndër përkthimet më të mira të këtij kodi zakonor. Po ashtu edhe Odile Daniel, pas një periudhe të gjatë të mësimdhënies së shqipes dhe drejtimit të Departamentit të Gjuhëve të Europës Juglindore, kontribuoi njëherazi në fushën e albanologjisë me studime për kulturën shqiptare, gjuhën shqipe dhe dialektet e saj dhe përktheu në frëngjisht shkrimtarë shqiptarë, mes të cilëve edhe veprën e at Zef Pllumit Rrno për me tregue. Duhet theksuar që pjesë e ekipit mësimdhënës të shqipes në këtë institucion kanë qenë në vijimësi edhe profesorë shqiptarë; deri në vitet 1970, profesorë shqiptarë që gjendeshin në Francë, si Petraq Pepoja, Nuçi Kota, Milto Noçka; dhe më tej gjuhëtarë në zë, të dërguar nga Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, si R. Përnaska, Menella Totoni, Enver Hysa, Bahri Beci, etj. , apo njohës e studiues shumëprofilësh të letërsisë e kulturës shqiptare, si Mihal Hanxhari, Aurel Plasari, Ardian Marashi etj. Duhet theksuar gjithashtu që mjedisi në këtë institucion, jeta kërkimore-shkencore dhe njohja më e thelluar e zhvillimeve të gjuhësisë në Francë ka mundësuar edhe një ndikim të tërthortë në albanologji përmes veprës së këtyre personaliteteve, duke sjellë interpretime të dukurive të shqipes edhe mbi baza teorike të mendimit të përvijuar tashmë në Francë.

M.: Sa janë të interesuar studentët e huaj për të ndjekur studimet e albanologjisë në këtë institucion?

T.P.: Aktualisht mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe e qytetërimit shqiptar në këtë institucion bëhet në të tria ciklet e shkollimit universitar, me diplomime në formimin bazë trevjeçar (licence), master dhe doktoratë. Epoka në të cilën jetojmë, ndërkaq ka krijuar një status, disi më të ndryshëm në lidhje me përkatësinë e studentëve. Tashmë, me bashkëpunimet mes institucioneve nga vende të ndryshme, lëvizja e studentëve përmes programeve universitare, kurset e mësimdhënies me studentë francezë vijnë e zgjerohen edhe me studentë të ardhur nga vende të tjera; për shembull, në vite të ndryshme pjesë e këtyre kurseve ka qenë edhe pjesëmarrja e studentëve nga vende të tjera, për shembull, nga Polonia, Finlanda, Çekia; madje edhe studentë nga Australia dhe Kina.

M.: Po shqiparët?

T.P.: Vërehet sërish një veçanti që lidhet me epokën në të cilën jetojmë. Nëse më parë, kur njohja e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar përthithte interesime intelektuale të francezëve për t’iu përkushtuar fushave të tilla si ajo e kulturologjisë, diplomacisë e sidomos të përkthimit, dhe njohjes së kësaj gjuhe për nevoja të shtetit francez dhe institucioneve të tij, tani këto nevoja mund t’i përmbushë edhe një brez i ri studentësh francezë, me origjinë shqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut a Mali i Zi), të lindur ose të rritur në Francë, të cilët nisin e i përkushtohen jo thjesht mësimit të gjuhës, por sidomos njohjes së thelluar të saj dhe kulturës shqiptare, për të konkuruar më tej në tregun francez të punës. Ndaj tani, pjesë e studentëve, janë edhe këta të rinj. Presim tashmë, që përkthimet në frëngjisht të shkrimtarëve apo studiuesve shqiptarë të jenë edhe me nënshkrimin e këtij brezi.

M.: Studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë janë të lidhur me kulturën letrare franceze, nëpërmjet studimeve apo krijimtarisë letrare që zhvilluan në këtë qendër të kulturës dhe civilizimit europian e botëror, po lexuesi francez sa mendoni se e njeh letërsinë shqipe?

T.P.: Ka gjithnjë një publik të interesuar për letërsinë dhe kulturën e një vendi, qoftë edhe ky një vend i vogël apo me gjuhë të veçantë. Për më tepër, në kohën e sotme, kur qarkullimi i vlerave kulturore, mundësohet nga një teknologji tejet e efektshme dhe forma organizimi më intensive (panairet e librit, konferencat, informacionet përmes masmedias etj.) edhe letërsia e kultura shqiptare në Francë ka të interesuarit e vet. Por në mjedisin francez kemi edhe një shans të madh: hapësirën e gjerë të ndriçuar në lidhje me këtë letërsi, histori e kulturë nga I. Kadareja, hapësirë që lehtëson gjithsesi të vihen në dukje dhe të përthithet interesim edhe për vlerat e tjera të krijuara nga shkrimtarët shqiptarë, që po ashtu janë përkthyer e vijojnë të përkthehen në frëngjisht. Për më tepër, qendër e njohjes së këtyre vlerave tashmë nuk është vetëm Parisi, por edhe qytete të tjera të Francës ku jetojnë e kryejnë veprimtarinë kërkimore jo vetëm studiues e krijues francezë, por edhe studiues e krijues shqiptarë, si Strasburgu, Lila, Puatjeja, Lioni, Marseja etj. (dikush më i informuar se unë mund të shtojë me siguri edhe qytete të tjera, madje edhe më gjerë, në vendet e tjera frëngjishtfolëse, si Belgjika a Zvicra).

M.: Amund të na thoni cilët autorë shqiptarë janë më të kërkuar dhe cilët mund të gjenden në raftet e librarive franceze me veprat e tyre të përkthyera në frëngjisht?

T.P.: Duke iu shmangur listimit të emrave të shumtë të shkrimtarëve shqiptarë që janë tashmë në frëngjisht, për të mos bartur pengun e mospërmendjes së ndonjë autori, mund të pohoj se shkrimtarët më në zë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova janë tashmë në raftet e librarive a bibliotekave në frëngjisht. Pothuaj çdo vit bëhen përurime të veprave të autorëve shqiptarë bashkëkohës a të traditës në frëngjisht. Në bibliotekën e INALCO-së është i pasuruar fondi i librit me vepra të autorëve shqiptarë në gjuhën frënge jo vetëm i veprave letrare, por edhe i fushave të tjera të shkencave shoqërore, sidomos të veprave me natyrë gjuhësore, letrare, historike, antropologjike, kulturore etj. Por në këto raste asnjëherë arritja nuk mund tëquhet e mjaftueshme.

M.: Gjuha shqipe, në mesin e pak miqve të saj, ka të renditur edhe albanologë të shquar francezë, si Christian Gut, që nuk jeton më mes nesh, apo Odette Marquet, e cila ende kontribuon për promovimin dhe njohjen e vlerave të letërsisë shqipe. Ch. Gut, gjatë jetës së tij, pa reshtur, promovoi letërsinë shqiptare për lexuesin francez, nëpërmjet studimeve, përkthimeve të veprës së shkrimtarëve modernë si dhe punës si profesor në INALCO dhe Sorbonë. Ndërsa, albanologia O. Marquet, kthehet te letërsia filobiblike duke nxjerrë një vepër të re për autorin dhe atdhetarin e madh shqiptar, Pjetër Bogdani. A mund të na thoni sa ishin dhe sa janë të zhvilluara bashkëpunimet tuaja me albanologët e njohur francezë, përfshirë edhe dy emrat e njohur që përmendëm?

T.P.: Është gjithnjë relativ përcaktimi i përllogaritjes së miqve ndaj një gjuhe a kulture të caktuar. E rëndësishme është që gjuha shqipe dhe kultura shqiptare është e pranishme në interesimet shkencore e kulturore të studiuesve francezë. Unë kam pasur rastin të vëzhgoj nga fare pranë pasionin dhe dashurinë me të cilën Kristian Gyti përkthente Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe hartonte monografinë për Pashko Vasën. Kam ndjekur ligjëratat e tij në Ecole des Hautes Etudes dhe kam parë se si integrohej natyrshëm një vlerë kulturore e kodit zakonor shqiptar në mjedisin francez e më gjerë. Kam mbetur i mrekulluar nga përkujdesja, dashuria dhe kureshtja e pandalshme e Kristian Montekosë për të njohur ndërkohë vlerat që përftoheshin në Shqipëri, sidomos interesimi që tregonte ndaj shkrimtarëve bashkëkohës shqiptarë dhe përkushtimi i saj për t’i sjellë ata në frëngjisht. Një shpirt që iu përkushtua pa rezerva kulturës e letërsisë shqiptare dhe që e pati të pranishme në interesimet e saj deri në vdekje. Po ashtu kam parë nga afër entusiazmin e përkthyeses dhe profesoreshës Odilë Daniel ndaj vlerave e mesazheve të gjithëkohshme që përçon vepra e at Zef Pllumit. E vlertë po ashtu mbetet edhe puna e motrës Odetë Marké për Bogdanin, por edhe kontributet e tjera të saj për kulturën arbëreshe apo në fushën e përkthimit. Pasionet e mëdha ndaj kulturës nxiten nga universe kulturore që përftohen edhe në gjuhë që kanë shtrirje a përdorues jo të shumtë në numër. Gjuha shqipe ka provuar që e meriton respektin dhe miqësinë, që sa më shumë bëhet e njohur përmes këtyre produkteve, aq më shumë zgjeron edhe rrethin e miqësive.

M.: Si e vlerësoni komunikimin ndërkluturor dhe ndërdisiplinor në mes qendrave shqiptare të mësimdhënies në vende të ndryshme europiane?

T.P.: Qendra të mësimdhënies së shqipes ekzistojnë në vende të ndryshme të Europës, por edhe përtej saj, deri në Kinë apo SHBA. Është koha të vendosen bashkëpunime të drejtpërdrejta mes tyre, për të disiplinuar energjitë e shpenzuara në funksion të studimeve e po kaq për të mundësuar qasje edhe më komplekse dhe të thelluara në shqyrtimet e profileve të ndryshme të albanologjisë.

M.: Ndër lexuesit shqiptarë, Franca kujtohet edhe si vendi që vlerësoi lart krijimtarinë letrare të shkrimtarit më të njohur shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadare. Sipas perspektivës suaj, sa është e vështirë që një i huaj të arrijë majat e vlerësimit nga lexuesi, botuesi dhe kritika letrare franceze?

T.P.: Shembulli i Kadaresë është tejet domethënës për të kuptuar se vlerat e përftuara i tejkalojnë kufijtë e ngushtë të një vendi a të një hapësire, të një gjuhe a kulture të një vendi sado i vogël qoftë ai. Angazhimi i studiuesve të ndryshëm francezë për shqyrtimin e veprës së Kadaresë nuk resht; temat studimore, doktoratat, monografitë për aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tij apo vështrime për ta vendosur atë në piedestalin e shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohës në Europë e më gjerë janë të shumta. Para disa vjetësh, nga dy qendra të rëndësishme studimore të universiteteve në Francës u organizua një konferencë shkencore me pjesëmarrje të mbi 50 studiuesve nga universitete të ndryshme të botës, jo vetëm në Europë, por edhe me studiues nga SHBA-të dhe Australia, në të cilën u analizua pikërisht ky status i merituar që Kadareja ka përvijuar tashmë në letërsinë bashkëkohore, aktet e së cilës u botuan në vitin 2011 nën titullin Lectures d’Ismail Kadaré nga profesoret e studiueset e letërsisë V. Gely dhe A. Eissen. Herë pas here vetë Kadareja është i pranishëm me intervista në shtypin francez a në stacione të ndryshme televizive franceze; për më tepër, vepra e tij është e rekomanduar në programet e shkollave të mesme franceze, ndër shkrimtarët e studiuar në atë cikël studimi; veçse para disa muajsh, një tjetër monografi prej qindra faqesh u botua nga J. P. Shampseja (Jean-Paul Champseix), një studiues i mirinformuar që mes të tjerëve i ka kushtuar vite të shumta pune studimit të veprës së Kadaresë. Dhe kur vlerat e përftuara nga një shkrimtar i vendit tënd fitojnë këtë përmasë, nuk ndien thjesht krenari e 79 kënaqësi, por ato bëhen nxitëse për ridimensionim të përpjekjeve për njohjen dhe propagandimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në përmasa më të gjera të saj. Ndaj theksova pak më parë që e kemi tashmë një hapësirë të ndriçuar qartë në kontekstin e kulturës franceze, në të cilën autorë të tjerë sjellin kontribute për t’i zgjeruar përmasat.

M.: A mund të na thoni se çfarë jeni duke punuar momentalisht në fushën e albanologjisë dhe shkencave të ligjërimit?

T.P.: Dy studime kam tashmë në proces pune: Njëri,që rreket të trajtojë një problematikë, që do ta përmblidhja në këtë mënyrë: Analiza diskursive e tekstit si sfidë teorike dhe mundësi për interpretim e ri-ndërtim më të efektshëm të mesazheve tekstore/diskursive. Është një kahje studimi ku ngërthehen një mori treguesish dhe një problematikë e natyrës teorike tejet e pranishme sot në mendimin gjuhësor europian e më gjerë, ku duhet të integrohen natyrshëm shqyrtimet e tipave të ndryshëm të teksteve në gjuhën shqipe. Në përvojat tona studimore ende nuk janë bërë paraqitje të disiplinuara dijesh të kësaj problematike, e aq më pak sinteza e përgjithësime njohurish. Është një punë që kërkon gjithsesi përkujdesje të veçantë për të bërë përqokjet e duhura e sa më funksionale në konteksin e një pasurie të konsiderueshme teorish të ndryshme tejet të suksesshme e në modë në ditët tona, me nisma në teoritë e ndryshme semantike (të frazës a të tekstit) e deri në ato pragmatike (të tekstit e diskursit); e përtej tyre, në fushën e filozofisë, psikologjisë, sociologjisë, antropologjisë, inteligjencës artificiale etj.. 80 Sigurisht që orientimi në një hapësirë të tillë, tejet të gjerë, parakupton shtrimin dhe trajtimin, më së pari, të problematikës që do të lidhet me teorinë e tekstit, gjuhësinë tekstore, teorinë e diskursit, e po ashtu edhe me analizën tekstore e atë diskursive. Në këtë rast, ndërdisiplinariteti nuk do të jetë një prirje spontane për të zgjeruar kufijtë e hapësirës së shqyrtimit, por do të jetë parakusht detyrues metodologjik për vështrime e interpretime të suksesshme. Pjesën më të rëndësishme dhe më angazhuese të kërkimit, do ta përbëjnë analizat e drejtpërdrejta të teksteve a diskurseve në gjuhën shqipe, analiza që do të synojnë jo thjesht përvijimin e modeleve analizuese në këtë fushë, por sidomos nxjerrjen në pah të dukurive të ndryshme të natyrës tekstore e diskursive që shfaqin e bartin veçanti në gjuhën shqipe (kohësia, aspektualiteti, situata thënësore, etj.etj.). Studimi i dytë ka të bëjë me një synim më të hershëm për të përvijuar një historik të kontributeve të

INALCO-së në albanologji, për vlerat që përmenda më lart në kuadër të kësaj interviste, që mund ta përmbledhim në këtë mënyrë: Mësimdhënia e shqipes për të huajt në INALCO, Paris – përvojë e traditë e vyer. Duke menduar se institucionet e mësimdhënies së shqipes si gjuhë e huaj jashtë Shqipërisë janë pjesë e historisë së studimit, kultivimit e mësimit të shqipes në tërësi, dhe produktet studimore në ato institucione janë kontribute edhe për albanologjinë, e konsideroj të rëndësishëm studimin e përvojës së grumbulluar në ato vatra të studimit e mësimdhënies së shqipes, si dhe bashkëpunimin me studiuesit e interesuar të atyre institucioneve për të përvijuar jo thjesht një histori përvoje, por edhe vendin e mësimdhënies së shqipes mes gjuhëve të tjera që po ashtu mësohen atje si gjuhë e huaj. Për më tepër, ky interesim na duket edhe më i motivueshëm kur bëhet fjalë për shqipen në institucione me përvojë mbi dyqindvjeçare në mësimdhënien e studimin e gjuhëve të huaja, siç është Instituti i Gjuhëve e Qytetërimeve Lindore (INALCO) në Paris, ku edhe mësimdhënia e studimi i shqipes ka një përvojë gati njëqindvjeçare. Puna në vijimësi për hartimin e këtyre dy studimeve shkon paralelisht edhe me angazhimet e tjera shkencore që nxiten nga përditshmëria dhe detyrimet e tjera të një mësimdhënësi dhe studiuesi.

Tomorr Plangarica, është mësimdhënës për një kohë të gjatë i disiplinave gjuhësore, si Fonetika e gjuhës shqipe, Stilistika, Pragmatika, Psikolinguistika, Gjuhësia e tekstit, Analiza e tekstit, Analiza e diskursit etj. Nga viti 2003, vit në të cilin ai filloi mësimdhënien si lektor pranë Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris, ai ka ndarë kohën mes mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në Paris, duke e konsideruar përvojën në atë institucion si mundësi për të njohur më nga afër një përvojë e mendim shkencor që në fushën e shkencave të ligjërimit qëndron gjithnjë në kuotat më të larta të zhvillimit të mendimit gjuhësor europian e më gjerë, dhe vijimit të bashkëpunimit e mësimdhënies universitare në Shqipëri. Nga viti 2017, ndërsa vijon mësimdhënien si profesor i jashtëm (chargé de cours) pranë INALCO-së dhe punon për realizimin e dy projekteve në fushën e shkencave të ligjërimit. Ai është angazhuar me punë në Departamentin e Leksikologjisë, Terminologjisë e Gjuhësisë së zbatuar të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Intervista është shkëputur nga libri i autores Mimoza Hasani Pllana, “Shtegtimi i shqipes në Europë”, botuar nga OLYMP me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Raporti sekret i Sigurimit të Shqipërisë: Bekim Fehmiu e do Kosovën, njerëzit dhe kulturën e saj

Memorie.al publikon raportin sekret të Sigurimit të Shtetit i realizuar nëpërmjet Drejtorisë së Zbulimit, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (Drejtoria e V-të) i cili mban datën 15 maj 1972, ku agjentët e shërbimit të fshehtë survejuan, përgjuan dhe incizuan (me teknikë operative) të gjitha bisedat e aktorit të famshëm shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, gjatë periudhës trejavore që ai qëndroi në Shqipëri.

Raporti i Sigurimit të Shtetit për Bekim Fehmiun është si më poshtë:

“Dikur koleksionoja pulla poste. Isha i apasionuar. Prej tyre mësova gjeografinë, historinë. Kisha kuriozitet të mësoja mbi shtete të ndryshme. Por, edhe ishin shumë të bukura. Më pas hoqa dorë, nuk më ngjallnin më interes. Ndërkaq studiova për grafikë, u diplomova në Akademinë e Arteve dhe vijova punën time, fokusuar te grafika, por jam marrë edhe me pikturë e qeramikë. Dikush më tregoi për konkursin e hapur nga Posta Shqiptare dhe unë mora pjesë, fitova dhe kështu nisi ky rrugëtim. Ishte si një rikthim te pasioni i dikurshëm, por në një tjetër formë”, tregon Petraq Papa, që sot është zëvendësdekan në Fakultetin e Arteve Pamore.

Ai nuk di të thotë se sa është numri i pullave që ka realizuar, por e kujton atë të parën, një pullë me katër pamje mbi gjetjet më të reja arkeologjike. Ka preferuar të cekë tema nga më të ndryshmet, por edhe të përzgjedhë. Madje, ai ka realizuar imazhin e pullave të emetuara me rastin e ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri, në vitin 2014. Asokohe ishte “Papa që bëri Papën”. Përtej kënaqësisë që i jep puna, ajo vepër arti në miniaturë shërben për të lidhur njerëzit dhe kjo është një vlerë e shtuar.

Por, një sfidë më vete janë monedhat dhe kartëmonedhat. E nisi me numizmatikën dhe falë një ftese të 10 viteve më parë, provoi edhe kartëmonedhat. Me siguri e keni parasysh kartëmonedhën dy mijë lekëshe, atë ngjyrë violë, që ka për imazh portretin e Gentit, mbretit ilir. Ndryshe nga imazhi i çdo figure tjetër, ai i Gentit nuk ishte edhe aq i thjeshtë për t’u realizuar.

“Realizimi i një imazhi shoqërohet gjithnjë nga një studim paraprak. Skicimi është momenti i fundit. Nuk skicoj çfarë më vjen në mendje. Mund të mendoj shumë gjatë për të, i skicoj në kokë. Janë lexime, konsultime me studiues, historianë, arkeologë… Në rastin e Gentit nuk ishte aq e thjeshtë, pasi nuk ekziston një imazh i tij. Ndaj më duhej të studioja periudhën, mënyrën se si vishej sëra e tij, si e mbanin kapelën. Një punë që zgjati 2-3 muaj. Në ndihmë më erdhi vetëm një kopje e një monedhe shumë të vogël bronzi, që quhet mulazh, e cila, e gërryer nga koha, jepte vetëm një siluetë të zbehtë të tij. Por unë e imagjinova dhe ndërtova një imazh dhe u pëlqye”.

Petraq Papa na zbulon ca “sekrete” mbi imazhet e kartëmonedhave. Është një komision në Bankën e Shqipërisë, që merr vendimin për hedhjen në qarkullim të një monedhe apo kartëmonedhe me një vlerë të caktuar, përcakton imazhin, madje edhe ngjyrën. Për këto të fundit, sipas tij, është preferuar t’i qasen euros. Pas dy mijë lekëshit, Petraq Papa ka fituar konkursin e një tjetër prerjeje, kësaj here më të madhe. Bëhet fjalë për atë me vlerë 10 mijë lekë dhe që pritet të hidhet në qarkullim.

“Tashmë mund ta them, nuk është më sekret. Dhjetë mijë lekëshi do të dalë me imazhin e Asdrenit. Kishte kohë që diskutohej dalja e kësaj prerjeje dhe u rikthye sërish si ide dhe u zgjodh imazhi i poetit. Po ashtu kam mësuar se shumë shpejt do të hidhet në qarkullim gjithë seria e kartëmonedhave, e rifreskuar. Janë të njëjtët personazhe, por disi më e moderuar. Duke qenë se janë krijuar në periudha të ndryshme, kishte një lloj papërputhshmërie, kurse tani ato dalin më të unifikuara në prerje, dizajn”, thotë ai.

Ndoshta për shumicën e njerëzve nuk ka rëndësi se çfarë imazhesh ka leku, mjaft që t’i hyjë në punë, por Papa thotë se e ka një lidhje psikologjike me ngjyrën apo imazhin e tij. Ndaj dhe ai kujdeset që gjithçka të jetë e menduar deri në detaje, të dukshëm dhe të padukshëm. Në gjithë morinë e kartëmonedhave, vlerëson shilingën austriake, që për të ishte një perlë, lirën, dhrahminë, mbushur me elementë të kulturës dhe historisë së vendeve të ndryshme. Sa i takon kartëmonedhave të para ’90-ës, Papa thotë se “pavarësisht elementeve ideologjikë, patetizmave me kallëza gruri, aksioniste, traktorë, ka pasur edhe kartëmonedha të mira, si 10-lekëshi apo 50-lekëshi.

Por, pavarësisht propagandës, më pëlqenin se kishin unicitet dhe kualiteti i printimit ka qenë shumë i mirë. Deri sa mbanim marrëdhënie të mira me Kinën, ato prodhoheshin atje. Deri në vitet ’90 shtypeshin edhe këtu”.

Mes kartëmonedhave e pullave të postës ka edhe nga ato që nuk janë shpallur fituese, megjithatë ai i trajton si vepra arti dhe ndonjë ditë do t’i ekspozojë. Sidomos pullat e postës, do t’i mbledhë në një ekspozitë dedikuar studentëve. “Dua të bëj një ekspozitë shumë të mirë. Qëllimi im nuk është që të vlerësohet puna ime, por që ata të shohim se ka edhe një tjetër mundësi ku ata të mund të provojnë… Nuk merren fare me filateli dhe do të ishte mirë të drejtoheshin edhe aty, të merrnin pjesë nëpër konkurse. Duket sikur janë vetëm dy emra që i kanë marrë në dorë… Por nuk ka vetëm çmime të para. Nxitja nuk mungon”.

Ndër mjeshtrit e dizenjimit të pullave, për elegancën, linjën, ai vlerëson piktorin Naxhi Bakalli, mësuesin e tij, por shpreson shumë edhe te studentët, te ata që do të jenë edhe trashëgimtarët e “zanatit”. /“Sekrete mjeshtërie – ”Ministria e Kulturës e Shqipërisë/ KultPlus.com

Jugoslav actor Bekim Fehmiu playing the role of Ulisses in the TV series Odissea. 1968

Cila është dashuria e grave sipas Schopenhauerit

Filozofi i shquar gjerman, Arthur Schopenhauer, në librin e tij “Si të sillemi me gratë” ka dhënë mendimin e tij rreth dashurisë që ofrojnë gratë. Këtu kemi zgjedhur një paragraf të atij libri, shkruan KultPlus.com

“I njoh gratë.

E quajnë martesën si një institut asistence.

            Im atë, i mjerë dhe i sëmurë, i mbërthyer në karrige nga paraliza, do të kish përfunduar i braktisur, në qoftë se për të nuk do të ishte përkujdesur me dhembshuri një shërbëtor plak.

            Zonja, nëna ime, jepte pritje ndërsa ai po shuhej dalëngadalë në vetmi; dhe dëfrehej kur ai hiqte nga dhimbjet e papërshkrueshme. Kjo është dashuria e grave.”

Ismail Kadare rrëfen pse kërkoi azil në Francë pas letrave me Ramiz Alinë

Shkrimtari Ismail Kadare kohë më parë i ka dhënë një intervistë gazetës së madhe gjermane “Die Welt”, në të cilën sqaron shumë nga ato pikëpyetjet që opinioni i ka shtruar ndër vite e që lidhen me të të kaluarën e këtij shkrimtari përmasash botërore.

Intervistën e ka bërë Vjollca Hajdari me rastin e botimit nga Fischer Verlage, të romanit të tij “E penguara”, përkthyer nga Joachim Rëm.

– Zoti Kadare, ju jeni shkrimtari më i njohur shqiptar në botë. Përmes jush letërsia shqiptare zuri vend në arenën ndërkombëtare. Çfarë do të thotë kjo arritje për ju, për shqiptarët dhe në veçanti, për Shqipërinë?

I.Kadare: Më lejoni të përsëris mendimin e njohur se letërsia, si pasuria shpirtërore më e bujshme e planetit tonë, ka dy tipare themelore: është universale dhe është e përjetshme. Rrjedhimisht për të flasin të gjithë dhe në çdo kohë. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që të flasësh për të duket e lehtë, por këtu duhet shtuar se, të bësh gabime, është edhe më e lehtë. Asnjë shkrimtar nuk e krijon letërsinë për veten e vet. Aq më pak, asnjë popull. Qysh në ditën e parë të saj, ajo krijohet për të gjithë. Anglia edhe të dojë ta mbajë për vete Shekspirin e saj, nuk e ka në dorë. Ai na përket të gjithëve. Nuk ka ndonjë hartë popujsh ku letërsia mund të prodhohet, e një tjetër hartë, që kjo është e pamundur.

– Shqipëria, si një vend i vogël dhe i izoluar ishte e panjohur për botën. Si do ta prezantonit ju Shqipërinë para lexuesit të huaj dhe si do ta njihnit atë me Shqipërinë dhe shqiptarët ?

I.Kadare: Letërsia nuk krijohet për të bërë të njohur popujt. Për këtë janë të mjaftueshme atlaset, librat e historisë e të tjera si këto. Arti i letërsisë është aq i pavarur saqë në çdo gjuhë që përkthehet letërsia rilind. Këtu qëndron thelbi i magjisë së saj.

Natyrisht që njohja e vendit ose e popullit ku lind një letërsi vjen natyrshëm, por kjo s’është asnjëherë qëllim në vetvete.

Qyteti antik i Trojës është shembulli më tronditës. Qëllimi i grekërve kur e rrënuan ishte që asnjë kujtesë, asnjë gjurmë, madje as emri të mos i mbetej. Mirëpo ndodhi pikërisht e kundërta. Falë artit letrar, Troja ushqeu gati tri mijë vite, madje vazhdon të ushqejë ende sot kujtesën e njerëzimit mbarë.

Nga ky këndvështrim mund të thuhet se rasti trojan është paradoksi më madhështor i botës sonë.

– Jeni nominuar shumë herë për çmimin Nobel në letërsi. Krahas pritshmërisë së madhe të adhuruesve tuaj, ju nuk e keni marrë atë. Përse? Çfarë mendoni ju, ku qëndron problemi?

I.Kadare: Sinqerisht nuk kam ndonjë përgjigje për pyetjen tuaj. Midis zakoneve të botës sonë janë edhe pyetjet e kësaj natyre. Ka kolegë që bezdisen prej tyre. Mendoj se s’ka vend për bezdisje. Përkundrazi, më duket një zakon i bukur që, kur afron koha e këtij çmimi, ashtu siç ndodh me afrimin e Krishtlindjeve, kur bëhen pyetjet e njohura ku do t’i kaloni festat etj.,etj., shumë njerëz pyesin për këtë çmim. Mendoj se letërsia duhet t’i jetë mirënjohëse kësaj vëmendjeje, qoftë disi naive, të publikut botëror.

– Gojët e liga flasin se ju nuk e keni marrë çmimin Nobel për letërsi sepse, sipas tyre, ishit ‘në harmoni’ me sistemin e atëhershëm komunist, sa kohë që ju jeni i njohur si zëri universal kundër totalitarizmit. A nuk qëndron ky pohim në kundërshtim me qëndrimin tuaj? A ka ardhur koha që t’i hiqni qafesh përgjithmonë të tilla deklarime ?

I.Kadare: Po nis nga fundi. Ju keni të drejtë, por nuk është punë e shkrimtarëve të merren me sqarime të tilla.

Çështja e raporteve të letërsisë me një regjim tiranik është zakonisht e ndërlikuar. Historia nuk jep ndonjë regjim që të mos ketë patur acarim me letërsinë. Regjimi, sidomos ai totalitar, përpiqet ta fshehë këtë acarim. Madje, shpesh i bën lajka letërsisë, në kohën që bën çmos ta ketë nën kontroll, ta përgjojë, t’i kujtojë burgun, madje vdekjen. Armiqësia midis letërsisë dhe tiranisë buron natyrshëm nga natyra e të dyjave. Dihet se letërsia e ka në thelbin e saj lirinë, emancipimin, demokracinë, ashtu sikurse tirania ka të kundërtën. Te rasti i shkrimtarëve të njohur, sa më e madhe të jetë njohja, aq më dramatik bëhet problemi. Një diktaturë nuk e duron dot autoritetin paralel, pa përmendur smirën, tiparin shpesh numër një të çdo sunduesi.

Një paradoks i njohur shfaqet në këtë rast: në një regjim mizor mund të zhvillohet një letërsi e klasit të parë. Regjimi përpiqet të përfitojë prej saj. Janë të njohura klishetë për letërsinë që e nderon vendin, etj., duke nënkuptuar, madje, regjimin. Letërsia nuk e ka bërë kurrë këtë. Në qoftë se është fjala për nderim, ajo ka nderuar vetveten.

Rendet diktatoriale nuk shquhen vetëm për egërsi, por edhe për dinakëri. Vite me radhë ato kanë përgatitur dosje të fshehta për shkrimtarët, sidomos për përbaltjen e tyre. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kam qenë një ndër të parët që kam kërkuar hapjen e arkivave të fshehta. Sot që po bisedojmë bashkë, pas 27 vitesh, kjo ende s’ka ndodhur. Edhe kur rastësisht është zbuluar ndonjë dokument arkival, në vend që kjo të nxiste kërkimin e mëtejshëm, është rrethuar me heshtje.

Para disa vitesh më ra në dorë, rastësisht, një raport i hetuesisë sekrete shqiptare të vitit 1982. Meqenëse raporti është botuar në shtyp dhe ribotuar më pas, po jua tregoj juve, për të krijuar një ide se çfarë janë këto dosje të fshehta, për të cilat flasin të gjithë, por s’i ka parë askush.

-Për çfarë bëhët fjalë në këtë raport?

I.Kadare: Në këtë raport kërkohet të vërtetohet se shkrimtari me të cilin ju bisedoni sot, I.K., ka qenë pjesëmarrës i një grupi komplotist, që synonte rrëzimin e shtetit. Siç e shihni, nuk flitet për vogëlsira, por për gjëra ‘serioze’, nga ato që të çonin drejt e në pushkatim.

Ju, po të keni kureshtje, mund ta gjeni lehtësisht atë raport. Eshtë teksti i marrjes në pyetje të ministrit shqiptar të Shëndetësisë, Dr. Ziçishti, vdekur nën torturë në po atë vit. Në raport janë ‘hollësitë e komplotit’, bashkë me emrin e hetuesit, i cili është ende gjallë në Shqipëri, i patrazuar nga askush. I pyetur nga një gazetare e re shqiptare, hetuesi ka pranuar origjinalitetin e tekstit.

– Çfarë ka ndodhur pastaj?

I.Kadare: Puna është mbyllur me kaq. Ato ‘gojët e liga’ që përmendët ju në këtë intervistë, (midis tyre ka edhe gazetarë të huaj), nuk treguan asnjë interes për këtë dokument, që tregon natyrën e raportit të shkrimtarit me shtetin diktatorial. Pas rënies së komunizmit, s’më ka shkuar mendja të mburrem se paskam qenë pjesëmarrës i komplotit kundër shtetit, sepse thjesht kjo s’ka qenë e vërtetë, por dosja sekrete është aty. Ajo tregon fare qartë se shteti e kishte gati arkivolin për shkrimtarin dhe nuk priste veç urdhrin për të. Gjë që kishte ndodhur në shumë raste të tjera.

– A mund ta shtjelloni më gjerësisht fenomenin, duke u nisur nga ky fakt?

I.Kadare: Shkrimtari nuk është çudibërës. Ai nuk mund të ndreqë prapësitë e një vendi që ka marrë rrokullimën, siç ka qenë rasti i Shqipërisë komuniste. Ndërkaq, shkrimtari mban përgjegjësi për letërsinë që krijon, në të gjitha rrethanat, qoftë dhe në ato që duken të pamundura. Sidomos shkrimtari i njohur. Sa më e madhe të jetë njohja, aq më e ndjeshme bëhet përgjegjësia.

Meqenëse po bisedojmë bashkë dhe meqenëse ju më bëtë pyetjen, më lejoni të përgjigjem më saktësisht për rastin tim. Jam bërë i njohur jo pas rënies së komunizmit, kur mund ta përshkruaje zymtinë e tij, pa u rrezikuar nga asgjë. Do të shtoja se nuk e kam shkruar veprën në ndonjë breg liqeni të Zvicrës, pra jashtë Shqipërisë tiranike, por brenda saj.

Ja çka ndodhur saktësisht.

Më 1960 isha një shkrimtar tepër i njohur në Shqipërinë staliniste. Ndërkaq më 1970 ndodhi diçka e rrallë: Pas përkthimit të një libri në Paris, për një kohë të shkurtër fitova njohje botërore, çka në atë kohë do të thoshte njohje perëndimore.

Tronditja nuk është e paktë në një rast të tillë. Për vetë shkrimtarin, për lexuesit e tij, për shtetin komunist, ku ai jeton. Ndërkaq, ajo që mund të jetë dukur si një ngjarje e mrekullueshme, mund të kthehet befas kundër teje. Ashtu siç ndodhi vërtet. Shkrimtari gjendet midis një dyshimi të vazhdueshëm. Në thelb të dyshimit është pyetja: përse bota perëndimore, ‘borgjezia’, armikja jonë e betuar, ndërsa urren Shqipërinë tonë heroike, bolshevike etj., ty të pëlqen kaq fort?

Nuk po zgjatem për gjendjen që u krijua. Shteti paranojak shqiptar u gjend i papërgatitur. Ndaj meje kishte heshtje dhe dosje të fshehta, ndoshta si ajo që ju tregova. Kurse haptas nuk thuhej asgjë. Me sa kam kuptuar, prisnin që unë vetë ‘t’i tregoja vendin borgjezisë’. Me fjalë të tjera, të deklaroja: ju më pëlqeni, por unë jam armiku juaj!

Asgjë e tillë s’ka ndodhur asnjëherë. Nën presionin botëror u lejua takimi i gazetarëve ‘borgjezë’ me mua. Janë dhjetëra intervista të botuara që mund të gjenden dhe unë po ju them me përgjegjësi të plotë morale se nuk ka askund, asnjë paragraf, nga ato që do të ëndërronin stalinistët shqiptarë. Kjo ishte prova e parë që e kam kapërcyer dhe ku shteti, s’kam ndrojtje ta them, e uli kokën.

-Ishte e vështirë kjo?

I.Kadare: Natyrisht. Gjithë puna është që ta kesh mbledhur mendjen që të mos shtrembërosh thelbin e së vërtetës.

Desha të nënvizoj këtu se përgjithësisht gazetarët perendimorë, duke e marrë me mend pozitën time të vështirë, kanë treguar kujdes, për të mos ma rënduar atë. Megjithatë donin apo s’donin ata, momenti i rrezikshëm vinte papritur. Sidomos kur intervistat ishin drejtpërdrejt në TV.

-Si dukej një moment i tillë?

I.Kadare: Më kujtohet një rast i tillë, pikërisht në Gjermani, në TV berlinez. Gazetari më bëri befas një pyetje që ishte, si të thuash, fatale për shkrimtarët që vinin nga Lindja. Zoti Kadare, a mund të shkruani ju kundër regjimit?

Pyetja, e bërë qoftë pa qëllim provokimi, ishte në vetvete më e bezdisshmja e të gjithave. Kisha dëgjuar se nuk ishin të paktë shkrimtarët që ishin zënë ngushtë prej saj. Përgjigjet e tipit se një gjë e tillë s’kishte pse të shtrohej përderisa shkrimtari i intervistuar nuk kishte ndonjë problem me regjimin etj.,etj., ngjanin në çdo rast të varfëra.

Në heshtjen e shkurtër që u krijua, fati më ndihmoi që të ruaja gjakftohtësinë e të përgjigjem me një ‘jo’! E fill pas kësaj, të shpjegoja arsyen: në vendin tim, ligji e ndalon një gjë të tillë.

Përgjigja dukej më e guximshme se ç’ishte në të vërtetë. Duke u kthyer me avion në Shqipëri, rrugës mendoja se si mund të mbrohesha, në rast se kjo përgjigje ishte gjykuar ‘e keqe’. Gjëja e parë që më vinte ndërmend ishin mijëra pllakatet që mbushnin Shqipërinë anekënd me fjalët: ‘Rroftë diktatura e proletariatit!’. E pra, ky vend nuk e fshihte aspak se ishte diktaturë, me fjalë të tjera, se s’lejonte asgjë që ta prekte, për të ardhur gjer te ndalimi me ligj i ‘propagandës borgjeze’, etj.,etj.

– Me veprën letrare ka qenë më lehtë apo më vështirë?

I.Kadare: Kjo varej nga rrethanat. Nga viti 1970 e gjer në rënien e komunizmit, pavarësisht nga njohja dhe pranimi në botën perëndimore, unë quhesha shkrimtar i realizmit socialist.

Këtij emërtimi nuk i jepja asnjë rëndësi, përderisa në veprën time ai nuk lozte ndonjë rol. Madje e përdorja termin aq natyrshëm saqë ndonjë nga shokët e ngushtë, gjysmë me shaka, më thoshte se, me sa dukej, quaja kështu atë që shkruaja unë vetë. Sipas tij, tani s’më mbetej veç ta quaja letërsi dekadente atë tjetrën, letërsinë dogmatike, staliniste, etj.

Ndonëse e gjitha kjo dukej për të qeshur, kishte një thelb të vërtetë. Në thellësinë time besoja se, sado paradoksale të tingëllonte, letërsitë dogmatike të kohës, si ajo shqiptare, sovjetike apo kineze, në një kuptim të thellë të fjalës, nuk ishin veçse “dekadente”.

Lidhur me letërsinë që prodhohet në një regjim totalitar, ka gjithmonë, ende sot, keqkuptime. Vetë përdorimi i termit «realizëm socialist», ndihmon në një farë kaosi. Për disa ky është një emërtim i mallkuar dhe janë gati të mohojnë çdo krijimtari, që ka lidhje me të. Për të tjerët, termi nuk ka pse të merret aq seriozisht.

Kam menduar gjithmonë se letërsia qëndron mbi paragjykimet, e sidomos mbi etiketimet. Kjo është arsyeja që jam bërë ndoshta i mërzitshëm me formulën se kam shkruar letërsi normale në një vend anormal.

Në të vërtetë vazhdoj t’i qëndroj kësaj formule. Gjatë bisedës sonë besoj se u sqarua se kam shkruar në tri kohë të ndryshme: njëzetvjeçari i parë 1950-1970, ka qenë kohë tipike e realizmit socialist, me shtet e lexues bashkë. Njëzet vjeçari i dytë 1970-1990, ka qenë përsëri shoqëri socialiste, por me lexues dy llojësh: shqiptar dhe botëror. Së fundi, koha e tretë, ajo paskomuniste, e lirisë së plotë.

Me përgjegjësi të plotë morale mund të them se vepra ime e shkruar në tri kohë të ndryshme, me rreth 40 tituj, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është e njëjtë, në përmbajtje, në formë dhe në mesazhe. Asnjë nga librat nuk është mohuar prej meje. S’kam tundur as flamurin e disidentit e as atë të konformistit.

Kam qenë vetëm shkrimtar. E përsëris, i njëjti në të tri kohët. Tigëllon e pabesueshme? Më lejoni t’ju them një kuriozitet: Në këtë ditë që po bisedojmë, në Londër është në zhvillim e sipër konkurrimi për Man Booker Prize, librit më të mirë të huaj të vitit, botuar në Britaninë e Madhe. Në konkurrimin e 2017 janë zgjedhur 12 vende. Midis tyre, vendi im, Shqipëria. Kurioziteti është ky: libri që përfaqëson Shqipërinë, romani im ‘Kamarja e turpit’, është shkruar rreth 40 vite më parë në Shqipëri. Më lejoni të saktësoj: në Shqipërinë staliniste, bolshevike, armiken numër një të Perëndimit, duke përfshirë edhe britaninë e Madhe!

– Dhe në këtë libër nuk ka ndryshuar asgjë, do të thotë ai është botuar në formën origjinale?

I.Kadare: Libri s’ka asnjë faqe të ndryshuar. Të shtoj se është një roman për terrorin shtetëror? Edhe kjo është e saktë.

– Në vitin 1990 keni kërkuar azil politik në Francë. A mund të na shpjegoni arsyet e ikjes? Perse zgjodhët pikërisht Francën?

I.Kadare: Franca për shqiptarët, ashtu si për gjithë ballkanasit, u bë e afërt sidomos gjatë kohës së Napoleonit, si shembull frymëzimi për t’u shkëputur nga sundimi osman. Kronikat tregojnë se në Ballkan, e sidomos në viset e Shqipërisë, pati një kohë kur «Marsejeza» u këndua si këngë patriotike vendase! Kam kërkuar azilin politik, pas një letërkëmbimi të ashpër me presidentin Alia, ku përfundimisht kuptova se asnjë shpresë nuk mund të pritej prej tij, në kohën kur shumë njerëz besonin se ai mund të bëhej si një Gorbaçov shqiptar.

Si qëndron raporti juaj me vendin amë dhe sa ka ndryshuar raporti juaj me Shqipërinë në krahasim me vitet e mëparshme ?

I.Kadare: Nuk kam pasur raporte moskuptimi me publikun e gjerë. Përkundrazi, mirëkuptimi ka qenë i plotë në të gjitha rastet. Popujt e gadishullit ballkanik, në sytë e Europës përfytyrohen zakonisht tepër të ashpër, të prirur më shumë për grindje sesa për pasione lirike. Më duhet të pranoj se ka diçka të vërtetë në këtë pohim. Ndërkaq s’mund të mos them se pikërisht këta popuj, e midis tyre shqiptarët, e duan shumë letërsinë, madje e sublimojnë atë. Është vërtet një befasim që lidhet me të tjera paradokse, si për shembull, qëndrimi ndaj femrës dhe ndaj dashurisë. Më lejoni të përsëris mendimin se vajzat dhe gratë, më shumë se në jetë, ku qëndrimi ndaj tyre s’është për t’u lakmuar, kanë patur fat në art. Rrallë ka zona në botë ku ato të trajtohen si hyjnesha. Ka gjasë që letërsia të ketë përfituar nga kjo.

– Meqë ra fjala për gratë. Çfarë roli ka luajtur – dhe luan – në jetën tuaj gruaja juaje Helena, e cila po ashtu është shkrimtare?

I.Kadare: E kam të vështirë ta përfytyroj se si do të zhvillohej krijimtaria ime letrare e përditshme pa ndihmën e saj. Mbi të gjitha, ajo ka qenë gjatë gjithë kohës së jetesës sonë të përbashkët, lexuesja ime e parë, pra mendimi i parë për veprën, çka për shumë shkrimtarë, ku bëj pjesë edhe unë, ka një rëndësi të pazëvendësueshme.

Shija e saj letrare gjithashtu është e pagabueshme. Nuk po flas për ndihmën tjetër: kalimin në duart e saj të të gjithë procesit të përgatitjes së dorëshkrimit, të shtypjes së tij në ordinator, korrekturës së parë dhe redaktimit dhe gjithfarë çështjesh teknike, për të cilat shkrimtari ka aq shumë nevojë.

– Vitin që shkoi një grua e madhe shqiptare, Nënë Tereza, Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, u shenjtërua në Vatikan. Komenti juaj?

I.Kadare: Ju e merrni me mend përgjigjen time. Ka qenë një krenari e ligjshme. Ndërkaq do të shtoja se kishte një përmasë dramatike gjatë kohës së komunizmit.

Ndërsa gjithë bota e adhuronte, ishte një periudhë kur në Shqipëri nuk flitej për të për dy arsye: e para ngaqë ajo ishte fetare dhe e dyta, ngaqë konsiderohej pjesë e botës perëndimore. Aq e fortë qe kjo trysni saqë me gjithë lutjet e saj, atë nuk e lejuan të vinte të vizitonte familjen e saj, apo thjesht të vinte një tufë me lule në varret e tyre.

– Nëse përjashtojmë kohën e komunizmit, Shqipëria është një nga vendet unike në botë për tolerancën fetare. Shqiptarët kanë një tjetër qasje ndaj fesë dhe nuk identifikohen sipas besimit fetar. Si e shpjegoni ju këtë?

I.Kadare: Kjo është e vërtetë dhe kjo, nuk e fsheh, më bën të ndihem krenar. Dua të shtoj se ne, popujt e Ballkanit, e kemi disi të lehtë mburrjen. Është një karakteristikë jo fort e lakmueshme, por në këtë rast shqiptarët kanë të drejtë të krenohen.

Shpjegimi duhet të jetë i ndërlikuar. Harmonia fetare është një nga tiparet më të rralla në historinë e popujve. Shqiptarët e kanë pasur këtë tipar në të gjitha kushtet historike: gjatë pushtimit osman, pas çlirimit prej tij, gjatë kohës së mbretërisë shqiptare, gjatë fashizmit dhe, për çudi, edhe gjatë komunizmit, atëherë kur toleranca u duk se i kishte lënë lamtumirën Shqipërisë përgjithmonë.

Do të shtoja këtu se edhe krenaria tjetër legjitime, mbrojtja e përhershme e hebrejve, sidomos gjatë Luftës Botërore, ka lidhje, me sa duket, me harmoninë që u fol më lart.

-E dini se Berlini ka një shkollë, e cila nga 2014-ta mban emrin e Refik Veselit, fotografit shqiptar, “Të drejtit ndër popuj” që kishte shpëtuar dy familje hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore?

I.Kadare: Jo, nuk e dija. Po e mësoj nga ju. Dhe natyrisht më bëhet qejfi për këtë.

-Kur e keni vizituar Gjermaninë dhe çfarë përshtypjesh keni nga shteti gjerman?

I.Kadare: Gjermania ka qenë e pranishme në Shqipëri qysh pas rikthimit të saj në Europë. Sipas një tradite, që po vendosej në Ballkan, dinastia e parë mbretërore europiano-shqiptare, ka qenë ajo gjermanike, qysh në vitin 1914, me miratimin e Fuqive të Mëdha. Për fat të keq, këtë fazë të parë të integrimit të Shqipërisë në Europë, (ëndërr që vazhdon ende sot që po bisedojmë bashkë), e prishi Lufta e Parë Botërore.

Pas një mbretërie shqiptare që u mbyll në mënyrë dramatike, Shqipëria përfundoi në një shtet fashist, i cili ra bashkë me boshtin italo-gjerman. Më pas vazhdoi historia e njohur e vendosjes së komunizmit, e miqësisë tepër pasionante me kampin komunist, e armiqësisë po aq pasionante me të, e miqësi-armiqësisë me kinezët, e izolimit të trishtuar, gjer në rënien e komunizmit.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Gjermania Perendimore ishte i vetmi shtet perendimor që, duke përfituar nga armiqësia e Shqipërisë me kampin komunist, u përpoq ta tërhiqte atë drejt Europës. Misioni i ndërmarrë prej Shtrausit ishte i pamundur ngaqë Shqipëria, duke qenë vërtet armiqësore me ish miqtë e saj komunistë, ishte ndërkaq më staliniste se ata!

Nuk ishte e lehtë të kuptohej kjo! Ndërkaq në Shqipëri u përhap një shpresë me ‘shansin gjerman’. Ishte fjala gjithmonë për Gjermaninë Perëndimore. Dy-tre udhëtime të miat, për shkak botimesh në gjermanisht, ndodhën pikërisht në këtë Gjermani «kapitaliste». Kurse në Berlin kam hyrë për herë të parë gjysmë fshehtazi!

Nuk po zgjatem me këtë histori groteske, që vazhdoi deri në kohën që Shqipëria u gjend, më në fund, bashkë me Gjermaninë e sotme, në Aleancën Atlantike.

Mund të them me bindje se pavarësisht nga paradokset e krijuara prej historisë, një ndjesi pozitive për gjermanët dhe Gjermaninë ka qenë gjithmonë e pranishme në Shqipëri. Ka gjasë që shpjegimi për këtë mund të ketë lidhje me mirënjohjen ndaj shkencëtarëve gjermanë, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe, më thellë dhe më seriozisht se të gjithë, duke përfshirë edhe vetë shqiptarët. Kjo mund të duket e tepruar në qoftë se nuk keni dijeni për adhurimin pa kufi ndaj gjuhës që, në sytë e shqiptarëve, kishte marrë ndërkaq aureolën e një martireje, sidomos pas ndalimit me dekret të saj nga shteti osman.

– Ju falenderoj për kuriozitetin që është vërtet mbresëlënës. Më lejoni ta përfundoj bisedën tonë me një pyetje: Para tre vjetësh presidenti turk Erdogan ishte në Kosovë dhe e quajti Kosovën Turqi. Ç’mendoni për këtë?

I.Kadare: Jam në dijeni për këtë deklarim të tij dhe e vetmja gjë që mund të them është se kur e kam lexuar nuk iu kam besuar syve./Shqiptarja / KultPlus.com

Shqiptari Marko Kepi në garë për Asamblenë e New York-ut

Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se Shqiptari Marko Kepi ka nisur fushatën për zgjedhje në Asamblenë e New-York-ut, shkruan KultPlus.com

I njejti shquhet për aktivitetet të ndryshme të kulturës shqiptare në SHBA.

“Foto e ditës / Shqiptari Marko Kepi nis zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e asamblesë së Nju-Jorkut. Kepi është një aktivist i njohur shqiptar në SHBA dhe organizator i “Parada shqiptare”, një manifestim i përvitshëm i kulturës shqiptare në Nju-Jork”, ka shkruar Majko në Facebook.

Sot në 108-vjetorin e lindjes së Migjenit

Nga Albert Vataj

Kur themi Migjeni nënkuptojmë poezinë, atë za qi ai zgjodhi me kushtrue dhe me gjëmue, at za qi këndoi dhe piskati kohëve të fatit të keq.
Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i zashëm i brendisë së atij shpirti kryengritës.

Megjithë se nuk reshtën së anatemuari kryeveprën e tij, zanin britës të revoltës së tij, ai asht si atmot e tash, po kaq i magjishëm me vargun e farkëtuar në shpirtin e mraztë e trupin delikat, në zemrën e Vezuvtë e shëndetin e molisun nga tuberkulozi.

Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku nër ne një grusht për me i ra malit që s’bzan.

Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve ’30. Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që përdori i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë.

(Për tu njohur me disa të vërteta të diskutueshme për Migjenin mund të lexoni materialin në likun e mëposhtëm)

http://albertvataj.com/2018/04/mbi-origjinen-etnike-biografine-ndryshimet-ne-emer-e-mbiemer-date-dhe-vitlindjen-e-migjenit/?fbclid=IwAR3JChBQ9amzPZ19bWXoI5U2fjAwFUri4h-LOv5vArJgF_LTOa_adfb2dRg

Mendime të Konicës për gjuhën shqipe, të shkëputura nga veprat e tij

Intelektuali dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Faik Konica, është i njohur për një qasje kritike dhe racionale ndaj disa karakteristikave të popullit shqiptar. Këtu kemi zgjedhur disa mendime të tij rreth gjuhës shqipe, shkruan KultPlus.com

“E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.” (Albania 1, 1897).

“Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!” (Vepra 3, f. 421-422).

“Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte.” (Albania 1, 1897).

“Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare.” (Albania 8, 1897).

“Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe e brishtë.” (Albania 12, 1898).

“Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane.”

“Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë.” (Vepra 1, f. 194-195).

“Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes.” (Vepra 1, f. 224)

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm.” (Albania 2, 1907).

“Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre.” (Albania 1, 1905).

“Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha.” (Albania 4, 1906).

“Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme.” (Vepra 1, f. 273). / KultPlus.com