Autoritetet turke po përgatiten të përmbytin qytetin 12.000 vjeçar, Hasankeyf, në juglindje të vendit, për të ndërtuar një digë.
Hasankeyf mendohet të jetë një prej vendbanimeve më të vjetra që vazhdojnë të jenë të banueshme në Tokë; ai ka me mijëra shpella, kisha e varre të hershme.
Banorët kanë protestuar me forcë duke e quajtur këtë vendim “një barbari”, por thirrjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
Por ky margaritar i historisë njerëzore shumë shpejt mund të zhduket; pjesa dërrmuese e tij do të mbulohet nga uji me nisjen e projektit të shumë diskutuar Ilisu.
“Puna për ndërtimin e digës dhe hidrocentralit të saj nisi në 2006-tën dhe Hasankeyf tani është vetëm disa javë larg shkatërrimit. Ekzekutivi turk i ka dhënë kohë banorëve deri në 8 tetor për tu larguar prej andej.
Ozoglu këmbëngul se qyteti mund të japë shumë përgjigje në lidhje me të kaluarën, duke e cilësuar atë “një dëshmi të së shkuarës njerëzore, që duhet mbrojtur me çdo kusht”.
Hasankeyf ka qenë vërtet pjesë e shumë kulturave të ndryshme në historinë e tij të gjatë, përfshirë atë tw Mesopotamisw, atë Bizantine, perandoritë Arabe dhe Osmane, por Hakan Ozoglu, profesor historie në Florida, thotë se vendbanimet e gjetura atje i paraprijnë të gjithë këto civilizime. /KultPlus.com
Edhe 4 dite kanë mbetur kohë për të aplikuar për njëren nga 10 BURSA të plota për 10 studentë në Prishtinë dhe Gjakovë që ofrohen nga Kolegji Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company.
Bursat vlejnë për studime në programin Bachelor dhe Master. Apliko tani https://bit.ly/2HuFzbg
Studentët përfitojnë FINANCIM të plotë të studimeve dhe PUNËSIM në “Albina Dyla Company” në Menaxhim të Shitjes, Menaxhim të Prodhimit, Menaxhim të Rrjeteve Sociale, Menaxhim të Burimeve Njerëzore dhe IT. Projekt ky i Kolegjit Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company për ndërlidhje të Akademisë dhe Industrisë. Aplikuesit do t’i nënshtrohen testit vlerësues dhe intervistes te cilat do të caktohen pas dates 15 Shtator. Regjistrohu këtu https://bit.ly/2HuFzbg për pjesëmarrje në test vlerësues.
Thënie nga Ibrahim Rugova, shkrimtar dhe politikan.
1 “Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e saj për vete,”
2. “…kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.”
3. “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”
4. “Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë”
5. “…pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.”
6. “Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.
7. “Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.” /KultPlus.com
Një video e përqafimit të dy fëmijëve dyvjeçarë ka pushtuar internetin. Brenda pak orëve, video është parë me mijëra herë në internet, ndërsa edhe shpërndarjet kanë qenë të shumta.
Dy djemtë Maxwell dhe Finnegan, janë shokë prej një viti dhe ata nuk mund të qëndrojnë të ndarë për asnjë moment.
Ditët e fundit, ata qëndruan larg njëri-tjetrit vetëm për dy ditë dhe përqafimi ishte i veçantë, i cili pushtoi zemrat e mijëra njerëzve në internet. /KultPlus.com
Shqiptarët me uniforma të ushtrisë zvicerane, pas vendosjes së simboleve shqiptare, kanë zënë përsëri vend në titujt e mediave zvicerane.
Kësaj radhe, bëhet fjalë për një video në të cilën ata shihen duke kënduar me shumë përkushtim këngën “Xhamadani vija vija”, e cila, siç shkruan mediumi zviceran “20 minuten” konsiderohet himni jozyrtar i “Shqipërisë së Madhe”.
Gjatë një udhëtimi me makinë, disa ushtarë zviceranë këndojnë këngën e famshme shqipe “Xhamadani vija vija”.
Kjo video po qarkullon në rrjetë sociale ku edhe ka reagime të ndryshme.
Për rastin ka shkruar dhe gazeta “Blick”.
“Një video tregon se si burrat këndojnë me zell të madh himnin e madh shqiptar “Xhamadani vija vija”. Kënga kjo e cila ka të bëjë me unitetin midis Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan Blick.
Pamjet janë në rrjetin social TikTok, një platformë për klipe të shkurtra. Aksioni i ushtarëve ka marrë tashmë 850 pëlqime.
“Kjo është formë joformale në një makinë të mbyllur dhe neve nuk na shqetëson”, thotë zëdhënësi i ushtrisë Daniel Reist për ” 20 minuta “. /KultPlus.com
Qyteti i dashurisë dhe karnavaleve prej 118 ishuj të ndarë me kanale, Venecia është një nga destinacionet më atraktive në botë.
Bukuritë natyrore, arkitektura, kanalet, urat dhe trashëgimia kulturore-historike e bëjnë Venecian një nga vendet më të vizituara turistike në botë në të cilin ka lindur edhe artisti i njohur Antonio Vivaldi.
Çdo cep i Venecias përshkruan të kaluarën, më saktë kohën e karnavaleve. Venecia është një nga qytetet më të bukura në botë dhe gjendet në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Disa nga vendet më atraktive veneciane turistike janë edhe kanali Grande, ura Ponto Rialto dhe Bazilika Shën Mari. /KultPlus.com
Në Zvicër është mbajtur ekspozita e piktorit shqiptar Arsim Berisha. Berisha ka paraqitur disa lloje stilesh që për motiv kanë pasur vendin dhe kombin e tij të lindjes, shkruan KultPlus.com
“Ekspozitë e piktorit shqiptar Arsim Berisha nga Kosova në Efrentikon të Zyrihut. Autori paraqitet me një larmi motivesh e stilesh, por i mbështetur fort në motivin e tij kryesor: Atdheun, kombin dhe historinë e tij”, ka njoftuar Qendra e Botimeve për Diasporën.
Kitaristi i “Guns N’ Roses”, Slash, tha se nuk ishin të vërteta thashethemet se bendi kishte regjistruar këngë të re për filmin e ri “Terminator”.
Një grup fansash publikuan kohët e fundit sugjerimin se po punohej në një këngë për filmin “Terminator: Dark Fate”, në të cilin Arnold Schwarzenegger, Linda Hamilton dhe Edward Furlong i përsërisin rolet e tyre origjinale, shkruan KOHA Ditore. Kënga e bendit nga viti 1991 “You Could Be Mine” u shfaq në kolonën zanore për “Terminator 2: Judgment Day”, dhe përsëri në vazhdimin e vitit 2009 “Terminator Salvation”.
“Vetëm do ta bëjmë një miniturne në Shtetet e Bashkuara dhe disa koncerte në Meksikë, nga fundi i këtij muaji deri në nëntor,” tha Slash për “Trunk Nation të Eddie Trunk”. “Dhe mendoj se do të kemi diçka në mars për sa i përket turneut. Por, pa dyshim, të gjithë e dinë që ne po punojmë në material të ri, gjë që është emocionuese, kështu që kryesisht në këtë është fokusi.”
“Nuk ka asgjë për filmin “Terminator”, meqë ra fjala. Këto thashetheme disi lansohen dhe më pas bëhen të mëdha dhe nuk mund t’i ndaloni dot. Ato thjesht qarkullojnë. Sidoqoftë… nuk ka asgjë sa i përket kësaj”, shtoi tutje ai. /KultPlus.com
Në prag të zgjedhjeve në Kosovë, KultPlus ju sjell këtë këngë të Gilit, këngë e cila është realizuar gjatë viteve të 90-ta.
Ne jemi të ndarë edhe pse u deshtëm të keqën me sy e pamë nuk patëm forcë e heshtëm
këto ndarje e përçarje po na sjellin lot na kane ndarë me kufi, me fe me parti e me ide… o Zot
refreni:
Le të puthen, le të puthen demokratët, socialistët Le të puthen, le të puthen militarët e pacifistët le të puthen të gjitha fetë le të largohen retë ndarje mos të ketë./KultPlus.com
Në parkun arkeologjik të Orikut vijojnë gërmimet arkeologjike të projektit shqiptaro-zviceran të Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës së Zvicrës, të cilat po kryhen në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë.
Gërmimet e këtij viti janë fokusuar në pjesën veriore të fontanës monumentale, gërmimin dhe gjurmimin e fortifikimit antik, si dhe zbulimin tërësor të kishës mesjetare.
Gjatë muajit shtator vizitorët në parkun arkeologjik të Orikut kanë mundësinë të ndjekin nga afër punën e arkeologëve dhe zbulimet e reja arkeologjike.
Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.
Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.
Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore. /KultPlus.com
Ja, ra mbrëmja. Ti s’je më. Ku ke shkuar? Unë s’e di. Ne u prishëm për hiçgjë, edhe gjatë do mbajmë mëri.
Do harrohen telefonat, nëpër pellgje sytë do na thahen. Si prelud do bjerë nga qielli, një dëborë… kristal i bardhë.
Dhe kështu, gjersa një ditë, të na thotë jeta ne: Harro! Do të mbesim anonimë, do të jemi ne përemra, Unë “Ai” dhe ti “Ajo”.
Mbi ne ra ndarja si një dëborë, mbuloi gjithçka: puthjet dhe fjalët. Dhe vitet shkuan dalngadalë, ujrat u ndotët, lumejtë u thanë.
Por, qaramanë, jo, s’do të bëhemi, se na u thye ëndrra ty dhe mua. Ndonjë ditë nëpër botë, sytë tanë kur të takohen, s’do të ketë urrejtje brenda/ KultPlus.com
Rock grupi unik në Kosovë, Troja, vite më parë kishte lansuar këngë “Demokraci”, një kritikë bërë demokracisë në vend dhe jo vetëm. Kjo këngë u shëndrrua në një hit dhe vazhdon ende të jetë shumë e dëgjuar edhe në ditët e sotme, shkruan KultPlus.
Ky grup është i njohur edhe për këngët tjera të cilat karakterizohen me një gjuhë herë ironike herë të drejtëpërdrejt, duke kritikuar fenomene të ndryshme në shoqërinë kosovare.
“Demokraci” mbetet një ndër këngët më eminente të frymës së këtij grupi muzikor të cilën e kanë shoqëruar me një spot të veçantë që fton për rebelim shoqëror.
Këtu keni tekstin e plotë të këngës:
Qysh thirret sistemi ku njerzt s’guxojnë me thanë atë që po menojnë? Demokraci! Demokraci! Qysh thirret sistemi ku gazetartë s’guxojnë me kallxu ç’ka po ndodhë? Demokraci! Demokraci! Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty? Demokraci! Demokraci! Qysh thirret sistemi ku nuk ka hiq Demokraci? Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni? Demokraci! Demokraci! Qysh thirret sistemi ku n’modë janë xhipat me xhama t’zi? Demokraci! Demokraci! Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë? Demokraci! Demokraci! Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë qu “te dajtë”?
O na shkoj jeta tu u ankue. E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa. O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde”. E ketë here fajin kujt me ia lanë? Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole. Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj. Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s’ ta vjedh. Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k’si kangë nuk knojnë.
O na shkoj jeta tu u ankue. E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa. O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë”. E këtë herë fajin kujt me ia lanë?
Dua Lipa do të jetë imazhi i ri i revistës “The Face”. Këngëtarja publikoi një video, në të cilën u shfaq e veshur me fustan të zi dhe çorape të verdha.
Dua thotë në video se muzika në vitin 2019 ka të bëjë me gratë, të duan, të shpërndajnë dashuri dhe të dashurohen. “The Face Magazine” është revistë mujore, e cila ka të bëjë me muzikën, modën dhe kulturën. /KultPlus.com
Ende pa dalë akoma në kinema, filmi “Hustlers” me aktore kryesore Jennifer Lopez është padyshim projekti më i ri kinematografik, i preferuar nga të gjithë. Në premieren në Toronto, duartrokitjet nga fansat kanë qenë të shumta, aq sa kanë nisur dhe aludimet se “Hustlers” është një ndër pretendentet për të marrë çmimin “Oscar”.
Sigurisht që një faktor kyç për ketë sukses ka qenë dhe pjesëmarrja e aktoreve femrave, duke treguar edhe njëherë fuqinë e tyre. Constance Wu, Keke Palmer dhe Lili Reinhart, u shprehën se kanë qenë shumë të emocionuar për pjesëmarrjen në film, por për shkak të historisë të trajton, por sepse do të kishin fatin të luanin përkrah Jennfer Lopez.
Aktorët theksuan se J.Lo ishte si nënë për të gjithë gjatë xhirimeve të filmit, duke përcjellë energji pozitive dhe vullnetin për punë. Filmi “Hustlers” u frymëzua nga një artikull i “New York Magazine” nga viti 2016. Bën fjalë për ekipin e ish-stripereve që bashkohen dhe i mashtrojnë klientët e pasur të Wall Streetit. Filmi do tw shfaqet në kinema më 13 shtator. /KultPlus.com
Në kuadër të panairit njëditor të librit në Zvicër “Diaspora 2019“, që organizohet nga Shoqata Kulturore “Bashkimi“ në Uster (Zürich), Shoqata “Mëmëdheu” nga St. Gallen, në bashkëpunim me Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, prezenton librin më të ri të politologut Bardhyl Mahmuti: “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, shkruan KultPlus.com
Libri ka për synim të ndihmojë në harmonizimin dhe përdorimin e saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të duhur.
Ky libër është botuar në gusht të këtij viti dhe lexuesit shqiptarë do t’i shpërndahet falas.
Në këtë prezantim do të jetë i pranishëm edhe autori i librit Bardhyl Mahmuti.
Prezentimi mbahet më 15 shtator 2019, ditë e diel, dhe fillon në ora 16.00.
Leila Tequila është një vajzë e lindur në një familje konservatore në Turqinë lindore, e cila arrin të shpëtojë nga të afërmit e saj, për të humbur në lagjet e prostitucionit në Stamboll: dhe ajo është protagonistja e librit të ri nga Elif Shafak, “10 minutat e 38 sekondat e mia të fundit në këtë botë të çuditshme”. Një roman kushtuar grave në Stamboll, i cili gërsheton kontrastet e Turqisë bashkëkohore me temat e pabarazisë gjinore dhe dhunës seksuale: por që i ka kushtuar autores, javët e fundit, një vërshim abuzimesh në internet nga trolle dhe llogari automatike prapa të cilave mund të shihet dora e regjimit të Erdoganit.
“Ky nivel histerie është i ri,” thotë Elif Shafak, shkrimtarja turke që fitoi famë botërore me “Bastarden e Stambollit” dhe që jeton në Londër prej 15 vjetësh, ku mori nënshtetësinë britanike. “Eshtë një ndërthurje e ligjeve antidemokratike dhe anës së errët të mediave sociale. Ajo që shkrimtarët si unë vuajnë sot është një linçim shoqëror”.
Por nuk është e gjitha. Sepse magjistratura turke ka vendosur që të hetojë romanet e saj të mëparshme, të dyshuar për imoralitet dhe paturpësi sepse flasin për dhunën ndaj grave: “Në Turqi”, komenton shkrimtarja, “kemi një nivel alarmant abuzimesh seksuale dhe dhune gjinore. Qeveria autoritare e Erdoganit sapo ka miratuar një ligj të ri, quajtur ‘martesa myfti’, që e bën më të kollajtë për familjet që të japin nuse vajzat e reja në ceremoni islamike. Në vend të ndryshojnë ligjet patriarkale, vënë në shënjestër shkrimtarët që guxojnë të flasin për këto tema. Eshtë e trishtë”.
Cila duhet të jetë qasja e intelektualëve përballë këtyre sulmeve?
“Ne të gjithë duhet të angazhohemi në hapësirën publike dhe civile, të angazhohemi në politikë. Eshtë indiferenca që lejon të ndodhin gjëra të këqia: shkrimtarët duhet të ngrenë zërin”.
Në fakt në këto vite ju jeni bërë një zë i fortë në debatin jo vetëm për Turqinë, por për tërë Evropën dhe të ardhmen e demokracive.
“Po, sepse edhe në Evropë kemi arritur në një pikë ku nuk mund të heshtim më. Unë e di, nga ajo që ndodhi në Turqi, se demokracia mund të vdesë: dhe këtu ne përballemi me një rrezik të madh autoritar. Më parë mendohej se vendet perëndimore ishin imune: por askush nuk është imun. Jemi përballë një lufte kulturore dhe përgjigja duhet të vijë nga kultura, e cila na kujton humanitetin tonë të përbashkët dhe na lidh me njëri-tjetrin. Sepse ne e dimë se çfarë ndodh kur humbasim empatinë dhe të tjerët, për shembull emigrantët, bëhen thjesht numra”.
E keni fjalën për përparimin e të djathtave populiste në Evropë dhe retorikës së tyre ksenofobe?
“Po, sepse ato tashmë kanë një ndikim, po dëmtojnë besimin në demokracinë parlamentare, në institucione dhe në media. Dhe unë nga shembulli i vendit tim e di se nëse humbet median, nëse i dorëzohesh retorikës sipas të cilës të gjithë gënjejnë, atëherë humbet edhe demokracinë”.
Megjithatë, qëllimi kryesor i populistëve duket se është ta vënë Evropën nën kontroll.
“Dhe ata tashmë po dëmtojnë idenë e Evropës si një entitet i bazuar në diversitet. Kjo është edhe arsyeja pse e vendosën gjithë atë theks në familjet tradicionale: shiko për shembull festivalin që u organizua kohët e fundit në Itali”.
Në çfarë kuptimi?
“Në kuptimin që ata janë të shqetësuar për uljen e popullsisë, gjë e cila do të sillte nevojën për më shumë emigrantë: por ata nuk duan, dhe pastaj përgjigjen duke stimuluar lindjet. Që do të thotë të shtyjnë gratë që të jenë thjesht në rolin e nënave dhe asgjë tjetër. Edhe një herë beteja zhvillohet mbi gratë”.
Po cila është mënyra më e mirë për të përballuar këtë sfidë?
“Populistët ofrojnë përgjigje të gabuara për problemet reale: dhe nëse nuk japim përgjigje, do të shohim një rritje të mëtejshme të atyre lëvizjeve. Ne nuk mund të mashtrohemi kollaj, sepse një krizë e re ekonomike ose financiare do t’i rikthente ato me forcë edhe më të madhe. Ne duhet të të bëjmë një dallim midis populistëve dhe njerëzve, por pa i ndjekur ata në terrenin e tyre. Në të vërtetë, ne duhet të jemi në gjendje të zhdukim helmin nga gjuha e tyre. Dhe ne kemi nevojë për një inteligjencë të re emocionale. Populistët përdorin emocione shumë më mirë sesa liberalët: por nëse faktet janë të rëndësishme, të tilla do të jenë edhe emocionet”.
Një kundër-lëvizje mund të shihet në suksesin e të Gjelbërve në të gjithë Evropën, në zgjedhjet e fundit, këtu në Britaninë e Madhe por mbi të gjitha në Gjermani dhe gjithashtu në Francë.
“Po, është inkurajuese, po lind një narrativë e re progresiste. Sepse e majta e vjetër nuk ka më përgjigje për të dhënë”.
Dhe në fakt këtu në Britaninë e Madhe, Laburistët janë në krizë: por shumica duket se joshen nga sirenat nacional-populiste të Farage.
“Eshtë e vërtetë, kur mbërrita në Britaninë e Madhe kishte një vend plot besim, ndërsa sot ne jemi në një situatë të re. Dhe ajo që po vjen me Brexit është një zhgënjim që ka zier nën sipërfaqe, për një kohë të gjatë: Farage shfrytëzon këtë klimë, por nuk është një fenomen kalimtar dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Edhe për Trumpin, në fillim ata menduan se ai ishte thjesht një klloun …”.
Një tjetër shënjestër e populistëve të krahut të djathtë është Islami. Ju nuk jeni besimtare, por jeni rritur në kulturën muslimane: si e gjykoni rritjen e islamofobisë?
“Theshtë përplasja e dy ekstremizmave: nga njëra anë racistët dhe islamofobët, nga ana tjetër fondamentalistët muslimanë që përhapin dhunën. Ajo që na duhet janë zërat muslimanë përparimtarë”.
Ka nga ata që thonë se një tani po lind Islam Evropian, i integruar në vlerat perëndimore.
“Unë ende nuk shoh një Islam Evropian, por padyshim që ka një lëvizje progresive brenda tij. Frika ime është se ekstremi i njërit thërret të kundërtën: dhe kështu ata ushqejnë njëri-tjetrin”.Bota.al/KultPlus.com
Edhe këtë vit Universiteti i Oksfordit është renditur i pari në listën ndërkombëtare të universiteteve më të mira për të katërtin vit me radhë pas vlerësimeve vjetore të realizuara nga revista, “Times Higher Education”.
Vendin e dytë e zë Instituti i Kalifonisë për teknologji teksa vendin e tretë e ka Universiteti i Kembrixhit.
Mirëpo kësaj here është paralajmëruar se universitetet në Britani janë “duke pasur vështirësi për të ruajtur vendin e tyre” kundrejt rivalëve globalë, transmeton rel.
Sipas përpiluesve të listës, Gjermania ka mundësi që të tejkalojë Mbretërinë e Bashkuar, sa u përket universiteteve më të mira në Evropë.
Universitetet amerikane vazhdojnë të dominojnë në renditje botërore pasi shtatë prej tyre gjenden në listën e 10 institucioneve të më të mira.
Sipas revistës, universitetet e Iranit kanë qenë në mesin e institucioneve që janë ngjitur lart më të shpejti në listën e këtij viti. /KultPlus.com
Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”,nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit Shkruan:
Aleksandar ZOTO Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa keto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.
Është e pamundur,gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyreve, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin,nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim. Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman. Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“:atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi. Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani,ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane. Nga ana tjetër,si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri,ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.
Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën,hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“,që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe,së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.
Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme,të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti,që murgu i Buxhovit,po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.
Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë,pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikishte e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu:ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë:figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi,lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë. Pra,të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij;ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.
Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm,së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara. Në fakt,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë.Së pari, e rithemi,sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik,a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konisderatat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një avanturë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi;pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta.Po ashtu,megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë,me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht.Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht,së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.
Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cialve ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimitsh, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte,siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore:cilat mund të jenë, në një vështrim absolut,sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër,e,më përgjithësisht,përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?
Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive,por mbetet,siç e theksmuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi,pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi,ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë:ajo përbën për dje,por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël,për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.
Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta,një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë,për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij. Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane. Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit.(Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realietet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane,i quajtur Osman Inxhi Karaogllu,sipas rrëfimit të Gjon Nikollës.E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar,sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj:mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman,njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë? Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.
Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut,i jetës dhe i vdekjes,e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale,që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka. Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme,e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.
Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik;ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij:me vëllezërit e tij, me tokën,gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“,që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt,kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi,e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh,që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndjieje që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër:kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur,kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës,këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.
Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve,zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare,që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë,si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.Së fundit,duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujetesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar,saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë,pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur,në fund të fundit,kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.
Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“.Madje, herë-herë,ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes;së pari,sepse kjo vdekje e lavdishme,e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta,për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë,mposhtje e gjunjëzimit.Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë,në mos të përligjë për këtë,zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi,bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun,sa autori i mohon shugurimin e tokës,duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar:askush s´është në gjendje të thotë nga vjen,nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare. Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike:nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet,qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella,dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe,po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë,përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme,e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare,ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“,“murtajë“, në shqip,është sinonim i vdekjes. Ndaj,edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë,për të ruajtur identitetin e vet.
Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë,u shtohen,për lexuesin perëndimor,shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu,vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist,që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare). Shtjellimet që paraprijnë,sidoqoftë,e vërtetojnë mjaftueshëm:ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese,një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron,e mendimeve që ai ushqen,e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë,edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. …… / KultPlus.com
Këngëtari i njohur britanik është tërhequr për pak kohë nga skena, por tani po e bën një rikthim të madh me paralajmërimin e studio albumit të tij të gjashtë “Once Upon a Mind”. James Blunt ka premtuar se albumi i shumëpritur do të jetë më i sinqerti në karrierën e tij deri më tani, ndërsa e paralajmëroi atë me baladën emocionale “Cold”, e cila tani u prezantua me një videoklip interesant.
Momenti déjà vu i cili shfaqet duke e shikuar klipin e ri të regjisorit Calum Macdiarmid buron nga fakti se videoja e re e pasqyron tekstualisht historinë e mirënjohur të hitit të njohur muzikor dhe këngës së parë debutuese të Blunt, “You’re Beautiful”, të publikuar në vitin 2004. Pesëmbëdhjetë vjet pas këtij kërcimi të guximshëm, tashmë James Blunti më i pjekur dhe më i zgjuar ndodhet në të njëjtin bregdet, me të njëjtën veshje dhe fillon ndërmarrje të reja dramatike të ngjitjes në shkëmb pa kaskader, për nder të videoklipit të famshëm me shumë detaje të fshehura që do të njihen nga të gjithë fansat e tij besnikë.
“Shumë kohë më parë u hodha nga një shkëmb. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë kemi ardhur në një kapitull të ri”, u tall James Blunt në stilin e tij.
Singli paralajmërues sipas Blunt është metaforë për gjithçka që këngëtari e ka përjetuar në jetën e tij. Në të njëjtin ton do të jenë edhe këngë të tjera në album, të cilat do të dalin më 25 tetor nga Atlantic Records. Në albumin e ri, James Blunt ka bashkëpunuar me producentë të shumtë, duke përfshirë Steve Robson, Jimmy Hogarth dhe ekipin e TMS, të cilët njëmbëdhjetë këngë klasike dashurie i sollën me një freski të re.
“Secila këngë në albumin e ri paraqet diçka që po e kaloj aktualisht ose e kam përjetuar kohët e fundit. Këto janë çështje shumë personale dhe jam krenar që mund t’i ndaj me audiencën”, shtoi Blunt.
Ai do t’i prezantojë këngët e reja në turneun evropian ndërsa datat e sakta të koncerteve mund t’i gjeni në uebfaqen zyrtare: https://www.jamesblunt.com/
Albumi debutues i James Blunt “Back To Bedlam” është një nga klasikët e muzikës, siç dëshmohet edhe nga fakti se albumi e ka arritur një edicion të dhjetëfishtë platini në Britani të Madhe. Albumi u publikua në vitin 2004, ndërsa pasi që vitin [pasues singli “You’re Beautiful” e pushtoi botën, këngëtari britanik u bë një nga interpretuesit më të kërkuar dhe brenda një kohe të shkurtër i shiti mbi 23 milionë albume. James Blunt ka shërbyer si ushtar i Britanisë së Madhe dhe edhe në Kosovë, ku para disa kohësh në një emision në radio kishte thënë se e kishte parandaluar luftën e tretë botërore pasi kishte refuzuar një urdhër nga një gjeneral amerikan për të sulmuar forcat ruse që ishin futur në Aeroportin e Prishtinës. /KultPlus.com
Futbolli i Kosovës ka qenë temë diskutimi në mbarë mediat evropiane gjatë javës së fundit. Dardanët luajtën kundër Anglisë, ku edhe pse u mposhtën treguan lojë shumë të bukur dhe karakter të lartë në fushë.
Suksesi i futbollistëve ka bërë jehonë të madhe dhe ka rrëmbyer zemrat e shumë tifozëve të vendlindjes së futbollit, Anglisë.
Televizioni anglez, ITV ka bërë një reportazh emocionues për Kombëtaren e Kosovës.
Ata kanë ndërlidhur historinë e përgjakshme, ndërhyrjen e NATO-s dhe krijimin e ekipit kombëtar.
Më poshtë mund ta ndiqni reportazhin e realizuar nga ITV. /KultPlus.com
I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogla, do të thonë se s’është gazetë, por libër.
Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prapë ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysmë gegnisht, gjysmë toskërisht, do të thonë se është “çervish”.
Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën.
Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.
Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi. /KultPlus.com
Menjëherë pasi që filmi “Once Upon a Time in Hollywood”, me regji të Quentin Tarantinos, mbërriti në kinema, filluan të qarkullojnë thashetheme se skenaristi/regjisori i njohur po mendon t’i shndërrojë pamjet e papublikuara në një miniseri për Netflixin.
Regjisori e bëri të njëjtën gjë në fillim të këtij viti, duke i publikuar kuadrot shtesë të “The Hateful Eight”. A është “Once Upon a Time in Hollywood” në radhë? Sipas Brad Pittit – po.
Pitt, i cili në film e luan një prej roleve kryesore, zbuloi në një intervistë të fundit për “New York Times” se Tarantino e kishte diskutuar tashmë këtë ide dhe se bëhej fjalë për një “ide mjaft tërheqëse”.
Ajo që e dimë për filmin është se versioni origjinal, regjisorial, është plot dy orë më i gjatë se versioni i cili përfundoi në kinema. Disa skena nga ai version i zgjeruar u gjendën në materialet promovuese dhe trilerë, të cilat nuk patëm mundësi t’i shihnim në kinema.
Ajo që e dimë se është larguar është Tim Roth në rolin e butlerit Jay Sebring, James Marsden, si Burt Reynolds dhe Danny Strong, i cili e luajti Dean Martinin. /KultPlus.com
Ishte shtatori i vitit 2000 kur në Kosovë u vra kryearkitekti i Prishtinës, Rexhep Luci.
Vrasje e njeriut për ta vrarë qytetin. Vrasjen e planifikimit urbanistik dhe hapësinor. Të rezistencës kundër mafias së ndërtimit. E jo vetëm të Prishtinës.
Rexhep Luci ishte dhe mbetet frymëzimi e modeli jonë si qeverisje e Prishtinës për luftë kundër mafias së ndërtimit, për rend e planifikim urban dhe hapësinor. /KultPlus.com
Atë e nderojmë dhe kujtojmë duke e vazhduar luftën tonë të pakompromis kundër krimit të organizuar, kudo që shtrihet dhe kurdo që shfaqet.
Përgjatë këtyre 19 viteve ka qenë e dukshme mungesa e tij. Zotohemi se do ta bëjmë të dukshëm kujtimin për të.
Artistja Edit Pulaj ka çelur ekspozitën “Metrat e fundit”, veprat e së cilës janë pjesë e koleksionit të Galerisë KALO që nga viti 2010.
Koleksioni i pikturave dhe instalacioneve tërheq vëmendjen tek hapësirat ku veprat e artit pushojnë përkohësisht. Fundi i veprave të ekspozuara, është kuruar nga vetë artistja në një punë 20 vjeçare.
Në çeljen e kësaj ekspozitë ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Në 1998, Editi pikturoi më shumë se 100 metra letër muri të vjetra, të cilat i përdori për shfaqjen përfundimtare të studimeve pasuniversitare në Shkollën e Artit dhe Dizajnit “Byam Shaw”, në Londër”, shprehet Margariti.
Margariti tha se, “pas lëvizjes në vende të shumta, çeljes e mbylljes së ekspozitave të ndryshme, “metrat e fundit” të çdo cope të ngelur do të përmbajnë një histori më vete të mbledhur në formë tubi”. /KultPlus.com