Ka shpëtuar deri më tani dy gra, një fëmijë dhe një burrë. I ka nxjerrë nga rrënojat edhe pse nuk ka asnjë lidhje me ta. Astrit Kolë Vlashi nga Kurbini nuk ka asnjë familjar në pallatet në Thumanë ku janë shënuar viktima të shumta si pasojë e shembjes së tre 5 katëshve.
Në një prej këtyre pallateve jeton shoku i tij me familjen por edhe pse ka marrë lajmin se ai është shëndoshë e mirë dhe ka shpëtuar, Astriti ka zgjedhur të shërbejë për të ndihmuar forcat e policisë dhe ato të ushtrisë në operacionet e vështira të shpëtimit të personave nënë rrënoja.
Në ngjarje të tilla tragjike, janë pikërisht këto ndenja humane që na duhen për të përballuar sadopak dhimbjen dhe përjetimet e një ditë që Shqipëria nuk e kishte ndër dekada. /KultPlus.com
Tërmeti në Shqipëri me disa viktimave ka sjellë solidarizim nga shumë personalitet dhe kryetarë shtetesh, e së fundmi ka reaguar edhe Vittorio Sgarbi, një emër i njohur i skenës italiane, televizionit dhe komenteve.
Ai ka cituar një thënie shqiptare, duke shprehur solidaritet. “Tërmeti në Shqipëri: Një proverb në vend thotë: “Supet e maleve dhe supet e shqiptarëve nuk janë kërrusur kurrë”. Që do të thotë: Mund ta rrëzosh një shqiptar aq sa mund të rrëzosh një mal”. Jam idealisht afër popullit shqiptar”, shkruan Sgarbi. /KultPlus.com
Cili është tërmeti më i tmerrshëm i njohur ndonjëherë?
Tërmeti që ka shkaktuar më shumë viktima ka rënë në vitin 1557 në Kinën qendrore. Goditi një krahinë ku pjesa më e madhe e njerëzve jetonin në shpella prej shkëmbi të butë. Strehëzat u shembën, duke vrarë më shumë se 830 mijë njerëz. Një vitin 1976, një tjetër tërmet goditi Tangshanin, Kinë. Më shumë se 250 mijë persona humbën jetën.
Cili ka qenë tërmeti më i fortë në kohët e sotme?
Në vitin 1960 në Kili ra një tërmet pranë bregdetit me një magnitudë prej 9.6 ballësh dhe shkaktoi një rrëshqitje 1600 kilometra të gjatë. Një tërmet i tillë nën një qytet të madh do të sfidonte dhe teknikat më të mira të ndërtimit.
Ku ndodh pjesa më e madhe e tërmeteve dhe shpërthimeve vullkanike në Tokë?
Pjesa më e madhe ndodh përgjatë kufijve të qindrave plateve të mëdha që pluskojnë në sipërfaqen e Tokës. Një prej plateve më aktiv ku tërmetet dhe shpërthimet janë të zakonshme është përreth platesë masive të Paqësorit, e njohur si “rrethi i zjarrit në Paqësor”. Shkundet e lëkundet nga Japonia në Alaskë dhe në Amerikën e Jugut.
A shkakton tërmeti një tsunam?
Nëse tërmeti lind nën oqean, atëherë po. Pranë epiqendrës së tërmetit, niveli i detit rritet dhe bie, duke e shtyrë të gjithë ujin mbi të lart e poshtë. Kjo lëvizje krijon një valë që udhëton nga jashtë në të gjitha drejtimet. Një tsunami mund të jetë masive, por mbetet e ulët në lartësi kur uji është i thellë. Kur afrohet pranë bregut, forcohet dhe arrin lartësinë e ndërtesave të larta. Një e tillë u nxit në vitin 1964 dhe mbuloi qytetin e vogël kalifornian, Crescent City, gjatë së cilës makinat lëviznin me metra të tëra dhe shumë njerëz humbën jetën. Edhe asteroidet shkaktojnë tsunami.
Në çfarë thellësie ndodhin tërmetet?
Pjesa më e madhe e tyre ndodh në më pak se 80 kilometra nga sipërfaqja e Tokës. Tërmetet më të cekëta shkaktojnë dëme më të rënda, por forca shkatërruese e një tërmeti varet nga kushtet e shkëmbit dhe dheut, si dhe në metodat e ndërtimit të banesave.
Sa tërmete ndodhin në vit?
Ndodhin rreth 500.000 tërmete në vit në mbarë botën, siç zbulohet nga instrumentet e ndjeshme. Rreth 100,000 prej tyre mund të ndihen, dhe rreth 100 shkaktojë dëme çdo vit. Çdo vit zona jugore e Kalifornisë përjeton rreth 10.000 tërmete, por shumica e tyre nuk ndihet nga njerëzit.
A ka “mot të tërmetit?
Nuk ka gjë të tillë si “moti i tërmetit.” Statistikisht, ka një shpërndarje të barabartë të tërmeteve në mot të ftohtë, mot të nxehtë, mot me shi, dhe kështu me radhë, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Shkencëtarët thonë se nuk ka asnjë mënyrë fizike që moti të mund të ndikojë në forcat disa milje nën sipërfaqen e tokës, ku e ka origjinën tërmeti. Ndryshimet në presionin barometrik në atmosferë janë shumë të vogla në krahasim me forcat në koren e Tokës, dhe efekti i presionit barometrik nuk arrin nën tokë.
Tërmete nga njëra anë e Tokës mund të shkundin anën tjetër
Sizmologët studiuan tërmetin e vitit 2004 që shkaktoi cunamin vrasës përgjatë Oqeanit Indian, dhe gjetën se tërmeti kishte dobësuar të paktën një pjesë të ndarjes San Andrea të Kalifornisë. Tërmeti kilian i 1960 tronditi të gjithë tokën për shumë ditë. Ai u pikas nga stacionet sizmike rreth planetit. /KultPlus.com
Grupi i tifozëve “Plisat” nga Prishtina sot kanë nisur një aksion për të mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Ky grup tani është duke mbledhur ndihma në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku ju bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të sjellin ushqime, batanije e veshmbathje për ti dërguar drejt Shqipërisë, transmeton Koha.net.
“Plisat” kanë bërë të ditur se tashmë kanë gjetur një autobus për të dërguar gjësendet në Shqipëri, ndërsa bëjnë thirrje ndaj agjencive turistike që kanë mundësi ti ndihmojnë me transport, pasi nuk mjafton një autobus.
“Plisat” do të nisen drejt Shqipërisë sot në orën 15:00./KultPlus.com
Ekipi i Milanit me anë të një postimi në “twitter” është solidarizuar me tragjedinë që ka prekur Shqipërinë. Në postimin e tyre shkruhet:
“Në këtë moment tragjik, mendimet tona shkojnë me vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri që janë goditur nga një tërmet katastrofik. qëndroni të fortë”. Statusi shoqërohet me ngjyrat kuq e zi. /KultPlus.com
Një fotografi e një qeni që po pret pronarin e tij, e po dyshohet të ketë qenë në Shqipëri, po qarkullon në rrjetin social ‘Facebook’. Por, një informacion i tillë ka rezultuar të jetë një lajm i rremë.
Me një të kërkuar në motorin e kërkimit ‘Google’, Lajmi.net ka arritur të kuptojë se fotografia është marrë nga arkiva e kësaj të fundit.
Siç shihet edhe në detajet që ofrohen poshtë fotos, mund të vërehet se fotografia është ngarkuar më 2 janar të këtij viti.
Sido që të jetë, Shqipëria është goditur sot nga një termet destruktiv, prej 6,4 ballësh, duke shkaktuar 15 viktima dhe dhjetëra të lënduar.
Po ashtu, pak minuta më parë, rajoni ka përjetuar edhe një termet tjetër, përkatësisht në orën 14:05, por që ende nuk është raportuar për ndonjë lëndim. / KultPlus.com
Në breg pulëbardhat çajnë fluturim si kënga jonë plot mall. Këndojmë nga larg me dashuri, moj Arbëri.
Të parët tanë me brengë të lanë, sa kohë më nuk të panë? por sot si lule më je ti, moj Shqipëri.
(refreni) Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri.
Këtej ne degë, ti rrënjë matanë, N`mes deti me stuhi. Shkuan kaq mote e degët s’u thanë, moj Arbëri!
Kjo kënga jonë, për ty përherë na djeg si zjarr në gji. Tek zjarri yt ne jemi përjetë, moj Shqipëri!
(refreni) Valët e detit shkumojnë plot dallgë, bashkë me shokët në breg kemi dalë. Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri. Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, o moj e bukur Shqipëri./KultPlus.com
Tërmeti në Shqipëri ka prekur të gjithë njerëzit, ata po mundohen të solidarizohen me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.
Këngëtaret shqiptare të
njohura botërisht si Dua Lipa e Rita Ora nuk kanë qëndruar indiferente për këtë
tragjedi të vendit të tyre.
Rita Ora përmes një postimi
në InstaStory ku ka shpërndarë një fotografi të flamurit shqiptar ka shkruar se
bashkëndjen dhimbjen me gjithë të prekurit nga tërmeti.
“Zemra dhe mendimet e mia sot janë me ata qe janë prekur nga tërmeti”, ka shkruar Rita. / KultPlus.com
Në shenjë solidariteti me viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe familjet e tyre, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka anuluar të gjitha aktivitetet festive të parapara të mbahen të martën dhe të mërkurën, në kuadër të shënimit të 28 nëntorit.
“Askush më shumë se
gjilanasit nuk e bashkëndjejnë tragjedinë nga tërmeti i sotëm në Shqipëri.
Lutemi për viktimat dhe familjet e tyre. Të lënduarve iu urojmë shërim të
shpejtë. Gjilani dhe Kosova sot është me Shqipërinë. Në shenjë solidariteti me
viktimat dhe familjet e tyre, i kam anuluar të gjitha aktivitetet dy ditore
festive”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Komuna e Gjilanit do t’i mbaj aktivitetet e parapara vetëm të enjten, më 28 nëntor./KultPlus.com
“E shkatërruar nga lajmet e këqija. Zemra dhe lutjet e mia janë me shqiptarët. I dërgoj gjithë dashurinë time në këtë kohë të vështirë,”- kështu shkruan Dua Lipa, në një foto të flamurit shqiptar, postuar në rrjetet sociale, në shenjë solidaritet me zonat e prekura.
Shumë personazhe të tjerë të famshëm janë solidarizuar me situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi ynë. /KultPlus.com
“Free Jazz Explosion” është festival dyditor i cili feston energjinë e jazz muzikës të lëshuar prej kufizimeve të mainstream-it, përcjellë KultPlus.
Gjatë programit dyditor, mund të dëgjoni improvizuesin legjendar të free jazz Dror Feiler, free form duon Jooklo Duo, dhe muzikën improvizuese nga Brunberg.
Koncertet e artistëve ndërkombëtar do të përkrahen nga ligjëratat mbi historinë shoqërore të free jazz muzikës me Sezgin Boynik, Taneli Viitahuhta, dhe Dror Feiler, si dhe shfaqja e kult filmit mbi free jazz të Ron Mann “Imagine the Sound” (1981). Festivali do të nis më datë 29 nëntor dhe do të zgjasë deri më 30 nëntor.
PROGRAMI
E premte, 29 nëntor 19:00h “Imagine the Sound” (1981), regj. Ron Mann 21:00h Dror Feiler (SE) Ligjëratë / Koncert Agitatorum / The Brutal Sentimental Concept Nr. 13
E shtunë, 30 nëntor 19:00h Prezentim / Sezgin Boynik (KS/FI), Taneli Viitahuhta (FI) Libri “Free Jazz Communism” (Rab-Rab Press, 2019) 21:00h Koncert / Brunberg (FI) 22:00h Koncert / Jooklo Duo (IT)
Free Jazz Explosion 2019 përkrahet nga Komuna e Prishtinës, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe programi Culture for Change i financuar nga Bashkimi Evropian. / KultPlus.com
Tërmet. Tërmet. Tërmet. Po ai lind, vjen në jetë. Qan. Duar e këmbë lëviz. I lidhin kërthizën. E lajnë. Pastaj ndër shpërgënjtë e ngrohtë e mbështjellin e ndjehet mirë. Tërmet. Po ai klith, do sisë./KultPlus.com
Më 6 dhjetor në Hamburg hapet ekspozita personale e radhës e Shuk Oranit. “EIDOS21” mban titullin kjo ekspozitë e artistit të shquar dhe shumë aktiv nga Kosova me qëndrim në Hamburg të Gjermanisë, përcjellë KultPlus.
Në vazhdim, teksti i historianes gjermane të artit, Julia Eckhardt lidhur
me këtë ekspozitë.
Vetëkonceptet, të cilat i japin formë rrugës jetësore, si pasojë e
zhvillimeve nga jashtë, ngatërrohen me lëndët. Personaliteti në ndryshim të
vazhdueshëm i zë rrugën vullnetit për qartësi. Nga mimika e pasur me modele të
ndryshme e gjallesave tjera, shfaqja jonë përpara vetes sonë dallohet për
synimin e saj të pangjyrë drejt llogarive. Por idetë e llojeve të ndryshme të
tonaliteteve ushtrojnë fuqi tërheqëse mbi ne. Sot këto, nesër të tjerat. A po
bëhemi më të pasigurt? Apo shfrytëzohet kjo? A përfiton para dikush nga kjo?
Edhe po të jetë kjo e paparashikueshme, ia vlen që thjesht, të zhytemi në
zhurmërimën e botës.
Në ekspozitën e re të Shuk Oranit, format njerëzore shpërfaqen të
shumëfishuara në lojën e ngjyrave të sipërfaqes së pikturës. Konturet e tyre
“ngrejnë kokën” nga shtresat e pikturës, shfaqen të tejdukshme ose trashen në
penelatat vargore përgjatë gjymtyrëve.
Imazhet e tij të trupave nuk mund të qëndrojnë vetë, thotë artisti, sepse
ata vetëm në shpërfaqjet e tyre të dyfishta e të trefishta janë në lartësinë e
ndryshimit të vazhdueshëm të identitetit të tyre.
(Teksti: Julia Eckhardt M.A. History of Art). Nga gjermanishtja në shqip përktheu dhe përshtati Blerim Shabani – Gazetar.
Qeveria e Kosovës do t’i ndajë sot 500 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net, nga Lulzim Rafuna, këshilltar i Ministrit të Financave Bedri Hamzës
Rafuna ka thënë se Qeveria e Kosovës ka në planë t’i ndajë sot 500 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë që do të mbahet do të merret vendimi që t’i ndajmë 500 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë”, ka thënë ai./lajmi.net/KultPlus.com
Fluks i madh i studentëve këto ditë në Kolegjin Universum, të cilët po aplikojnë për transferim të studimeve nga institucionet tjera publike dhe private. Një ndër ta edhe Gresa Ejupi studente nga një institucion privat në Kosovë, vendosi që studimet të ja besoj Kolegjit Universum.
Gresa transferoi studimet në vitin e dytë në Dept. Biznes dhe
Menaxhment në Universum, dhe për përvojën e saj në Universum ajo thotë “Universum
na ofron mundësi për angazhim në aktivitete jashtë kurrikulare. Gjatë vitit
organizojmë ligjërata me mysafirë të ndryshëm nga sektori i biznesit, trajnime
me profesorë ndërkombëtar, dhe angazhohemi në projekte të ndryshme. Ku përveç,
rrjetëzimit dhe shkëmbimit të njohurive, po mësojmë saktë se cilat shkathtësi
na duhen që të përgatitemi për tregun e punës”.
A dëshironi edhe ju ti TRANSFERONI studimet dhe të merrni
diplomë të njohur ndërkombëtarisht. APLIKO këtu https://bit.ly/2HuMame
Për të aplikuar, ju lutem klikoni direkt këtu, për më shumë informata ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Amazon e ka publikuar fragmentin e plotë për serialin e ri triler, në të cilin mund ta shohim legjendën e madhe Al Pacino duke e mbledhur grupin e njerëzve, i cili do t’i përndjekë nazistët.
Ngjarja e serisë është vendosur në vitin 1977 dhe bën fjalë për ekipin eklektik anëtarët e të cilit e quajnë veten “Hunters”, të cilët sapo zbuluan se në Shtetet e Bashkuara ndodhen rreth njëqind ish-nazistë të rangut të lartë të cilët po përgatiten ta formojnë Rajhun e Katërt, shkruan KOHA Ditore. Ekipi e fillon një mision të përgjakshëm për t’i sjellë nazistët para drejtësisë dhe për t’i penguar planet e tyre për një gjenocid të ri.
Një nga producentët ekzekutivë është Jordan Peele (Get Out), skenari është shkruar nga David Weil (Moonfall), ndërsa pilot-episodi do të bëhet me regji të Alfonso Gomez-Rejon (American Horror Story). Në rolin kryesor shfaqet Al Pacino, si udhëheqës i ekipit të gjahtarëve, ndërsa në role të tjera shfaqen: Logan Lerman, Jerrika Hinton, Josh Radnor, Kate Mulvany, Tiffany Boone, Greg Austin, Louis Ozawa Changchien, Carol Kane,
Saul Rubinek, Dylan Baker dhe Lena Olin.
Serinë “Hunters” e presim në Amazon gjatë vitit 2020, ndërsa data e saktë nuk dihet ende. /KultPlus.com
Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.
Ushtria e Kosovës janë nisur menjëherë drejt Shqipërisë për të ju dalë në ndihmë. I gjithë vendi është mobilizuar që t’i ndihmojnë qytetarët në çfarëdo forme, madje shumë prej tyre kanë deklaruar që dyert e shtëpisë janë të hapura për të gjithë të lënduarit, viktimat apo ata që kanë mbetur pa shtëpi.
Poeti Liridon Mulaj ka reaguar në Facebook pasi ka par fotografinë e Ushtrisë së Kosovës teksa niset drejt Shqipërisë. Kjo fotografi e ka emocionuar shumë poetin i cili është shprehur se po ndihet si një i varfër që i del dikush në krah.
“Une du vetem me kjajt
si femija kur shoh kete foto se me duket sikur s’jena vetem. Si ai i vorfni qe
i del dikush krah”, ka shkruar Mulaj.
Kujtojmë që në Thumanë, aty ku
paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu
nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët, në prehrin e
saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.
Në
Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për
të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e
madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga
rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në
Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për
t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai
humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër
person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u
përplasur për vdekje.
Në hotel Lubjana në Durrës i cili u prek nga tërmeti është vënë gjendja e alarmit jo vetëm për pasojat ndaj lëkundjeve të fuqishme sizmike, por për shkak të alarmit që ka ngritur pronari i këtij hoteli. Në bodrumin e tij ndodhet një bombol gazi 250 litra, e cila mund të rrezikojë të shpërthejë duke marrë parasysh që me lëkundjen 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit, nuk janë ndalur pasgoditjes. Policia ka vënë perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. / KultPlus.com
Në 106 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko, Ilir Demalia teksa risjell në kujtesë poezitë e tij, thotë se në vend që të kujtohet ai, do jenë “tam-tamet e prostitucionit politik, muzikor, kulturor, intelektual-letrar” ato që do dëgjohen.
Një jetë në pëplasje rebeli Dhermiut.
Sot 106 vjet më parë lindi shkrimtari dhe poeti Petro Marko. Petro, luftëtari Spanjës ku u njoft dhe u miqësua me shkrimtarin botëror Ernest Hemingway . U burgos nga fashistët, nga komunistë 1947 deri 1950, ju hoq e drejta e shkrimit në 1973, i burgosën djalin Jamarbërin në 1975-1979, libri “Re dhe gurë” është libër i mrekullueshëm autobigrafik i Petro Markos me thjeshtësinë e një kalibri të një njeriu nobel.
U largua nga kjo jetë në 27 dhjetor 1991 duke lenë me amanet që mos ti bëhej ceremoni mortore dhe eshtrat e tij të preheshin në kodrat e Dhermiu buzë detit Jon.
Sot do ta mbulojë përsëri heshtja dhe tam-tamet e prostitucionit politik, muzikor, kulturor, intelektual-letrar do të mbushin faqet e gazetave dhe programet e TV-ve.
Jetën e tij Petro Marko e ka përmbledhur në këto fjalë në librin “Nje emër në katër rrugë”:
Rroftë jeta! jeta mbi gurë, jeta në dallgët e detit, jeta kur ishe zor të jetoje, zor të ëndërroje dhe zor të vdisje. Ata që kanë frikë nga jeta nuk kanë gjak dashurie.
Dëshpërim
Tërë brenga bredhërin shpirt-këputur nëpër rruga, zër’ i tij më s’psherëtin se në syt ku dergjet muga lot i heshtur, lot i ngrohtë rrokulliset me përtim mes fytyrës djersë – ftohtë duke shkruar: dëshpërim!
Apologjia e jetës
…Marrëzi, turp turp dhe mëkate për jetën e tërbuar se kur më ndal, o gjeneratë, që vuan rrugës ndonjë natë, më merr për të dënuar dhe, me një zë që vret, ngahera më pyet: -Ku linde, o i ri? -O jetë, linda në shkreti! -Ku rron dhe ku vete, ne ç’dhera e në ç’dete?! -Çudi! Ç’kërkon prej meje ti dhe si, o jetë, pyet, kurse në varfëri më hodhe kur më gjete të lindur nga skelete pa dritë, pa liri? -Njeri! Nga vete, as më thua? -S’e di! Jo, Nuk e di! Po lermë, o jete, ç’ke me mua? -Dua ta di, po dua! -Atëherë, jetë e krisur, për mua mos pyet se qysh në n’agim kam nisur të shkel si skllav i shkretë mbi gjurma shprese drite… . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . -O mëkatar, as faliu ligjes sime, bindu i çmendur ëndërrtar, s’jeton me shqetësime!… -Mu thell’ në brendësirë ku ndjenja rron e lirë, ku dhembja dhemb e prekur nga ligja jote e fuqiplote, në gjirin tim si hekur, si hekur e çelik, qëllo, qëllo, o me kamxhik; pa frik’ e pa mëshirë e pa pendim, se mu në thellësirë të shpirtit, në një kënd, lindi një shqetësim që çeli varrin tënd… /KultPlus.com
Vijnë raportime negative edhe nga monumentet e kulturës dhe siç shihet në
foto është kalaja e Durrësit.
Ka jetuar në shekuj, nuk e ka gjetur gjë. Por pati disa momente që nuk
jetoi dot: një prej tyre ishte betonimi i qytetit, tjetri ishte tërmeti i fuqishëm
i mëngjesit të sotëm.
Muri rrethues i kalasë është shembur thuajse në tërësinë e vet. Në foton që
shohim është veç një pamje, por duket se rrënimi është thuajse nga të gjitha
anët.
Kalaja e Durrësit u ndërtua nga Perandori i Perandorisë Bizantine Anastasi, në shekullin e V-të, që e ka origjinën nga Durrësi. Riparimet e mureve janë kryer që nga tërmeti shkatërrimtar i 1273. / KultPlus.com
Arti i Fitore Berishës, tashmë është i njohur si një art që përpiqet të shpalos emocionet më të fuqishme që burojnë nga brendësia e secilit prej nesh, shkruan KultPlus.
Arti i saj, siç ka treguar edhe vetë artistja, ka për qëllim të shpalos
ndjenjat më të fuqishme që jetojnë në brendësinë e secilit, ato të pikëllimit,
mallit, mërzisë, gëzimit e dëshpërimit.
Për t’i përcjellë këto ndjenja përsëri tek artdashësit, Fitore Berisha,
kësaj radhe erdhi me ekspozitën e saj të radhës që mbante titullin ‘’Black in White’’,
që në shqip do të thotë “E Zeza mbi të Bardhën”. Ekspozita kishte zënë një hapësirë
të vogël e modeste në Tillt Radio, ku pikturat përpos se shkonin shumë mirë me hapësirën
e Radios, dukej se ishin punuar pikërisht për muret e asaj hapësire.
“Më pëlqejnë shumë këto dy ngjyra, janë të sofistikuara. Këto punime nuk
kanë vetëm ngjyrë të bardhë dhe të zezë, ideja është se ekziston një lojë
ngjyrash në mes të këtyre dy kryesoreve”, potencoi ajo për KultPlus.
Fitore Berisha poashtu tregoi se fytyrat e pikturave të saj ishin shpesh
edhe ajo, vetja e saj.
“Ajo jam edhe unë, aty gjenden edhe emocionet e ndjenjat e mia”, shprehet
ajo më tutje.
Në punimet që vareshin në muret e ekspozitës, paraqiteshin përvojat jetësore
të secilit individ, e sigurisht se secili mund të gjente veten aty.
Paraqiteshin uljet e ngritjet që i përjetojmë gjatë jetës, mbështetja te njëri
tjetri, dashuria, humbja, gëzimi e hidhërimi.
Ndërsa, Fitore Berisha, tashmë ka krijuar stilin e saj mjaft të veçantë,
për të cilin shprehet se e ka pasur të vështirë të arrijë deri në gjetjen e
tij. “Ka qenë një proces i vështirë derisa unë kam arritur të krijoj stilin
tim, ka diçka që mua më flenë nga artistët e tjerë, por unë dua të jem unë jo
ata. Dua të jem Fitorja’’, deklaroi ajo për KultPlus.
Qëllimi i artistes në fjalë, është që përmes pikturave të saj, të arrijë të
gjejë atë që njerëzve iu pëlqen dhe iu flenë në brendësinë e tyre.
Fitore Berisha ka lindur në vitin 1971 në Prishtinë. Studioi në Akademinë e
Arteve – dega pikturë. Në vitin 2003 e themeloi organizatën Mural Art Group
(MAG) ku me ekipin e saj krijuan disa murale në qendër, poashtu projekte tjera
të financuara. Qëllimi i organizatës ka qenë të punojë me artistë të cilët janë
të inspiruar ta zbukurojnë qytetin e Prishtinës dhe të inspirojnë qytetet
tjera.
Fitore Berisha në 2006 është shpërngulur në Islandë në kryeqytetin Reykjavik ku ajo jetoi 10 vite dhe krijimtaria e saj ka vazhduar në pikturë, teatër, vallëzim. Prej disa muajsh është kthyer në vendlindje dhe ka hapur një artstudio dhe vazhdon të merret me murale, grafiti, pikturë./ KultPlus.com
Murali që paraqet një skenë erotike nga miti grek për Ledan dhe mjellmën – i zbuluar gjatë gërmimeve vitin e kaluar – është ekspozuar për herë të parë në qytetin romak të Pompeit.
Murali i ruajtur mirë i figurës së Ledas, që ishte mbarsur nga hyu romak Jupiter, i maskuar si mjellmë, është gjetur vitin e kaluar gjatë gërmimeve të Regio V, një hapësirë në parkun arkeologjik që fshihte në vete befasi të shumta.
Via del Vesuvio, rruga drejt shtëpisë së klasës së lartë, apo domus, që përmbante edhe muralin, është rihapur. Arkeologët besojnë se domusi i takonte një tregtari të kamur që dëshironte të reflektonte nivelin e tij të lartë kulturor duke e stolisur shtëpinë e tij me freska të frymëzuara prej miteve.
Imazhi ishte mjaft i shpeshtë në shtëpitë në Pompei dhe në Herculaneumin e afërt, të cilat u shkatërruan kur mali Vezuv shpërtheu në vitin 789 të erës sonë.
Leda është një figurë e rëndësishme në mitologjinë greke. Për të thuhej se mbante fëmijë të lindur nga Zeusi, version grek i Jupiterit, dhe mbretit vdekatar të Spartës. Sipas rrëfenjës, fëmijët e saj përfshinin Helenen e bukur të Trojës dhe binjakët Kastor dhe Polluks.
Po ashtu, për publikun janë hapur edhe banjat qendrore dhe Shtëpia e Kupidëve të artë, që janë restauruar.
Është e paqartë kur Regio V, një hapësirë prej 21.8 hektarësh në veri të parkut arkeologjik që është gërmuar si pjesë e “Great Pompeii Project” të financuar nga BE-ja, do të jetë i qasshëm për publikun. Gërmimi, që nisi në fillim të vitit të kaluar, ishte më i thelluari që prej viteve ’60.
Një prej zbulimeve të fundit ishte një mural që paraqiste gladiatorë luftarakë. Murali ishte gjetur nën një mur, nën një kafaz shkallësh të asaj që më gjasë ishte një tavernë e frekuentuar nga gladiatorët dhe që ofronte akomodim në katin e sipërm për të fjetur me punëtore seksi.
Janë gjetur edhe mbetje njerëzore, përfshirë skeletet e dy grave dhe tre fëmijëve të bërë bashkë në një vilë, ashtu sikundër edhe mbetjet e një kali me shalë. /The Guardian /KultPlus.com
O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë! Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë! Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar! Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar! Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar, Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar, Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë, Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë, Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë, E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë, Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua, Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua. Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë, Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë, Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija, Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija. Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar, Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar; Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë, Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti, Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë, E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë, Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem, Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them; Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë, Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.
Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur, Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur, Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë, Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë. Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas, Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas. Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë? – Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija! Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija! Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat, E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat; Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok, Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok, Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur, Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur. Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija, Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija, Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji, Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi; Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele, Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë! E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë, Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë! Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja, Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja; Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja, Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja, Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë, Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë! Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas, Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas, Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë, Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë, Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë, E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë, Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,
Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar! E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar! Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë? Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë! Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë, Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë, Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë; Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.
Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar, A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?
Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur, Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur; Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi, S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi. Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur, E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur, Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë, Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë. Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë, Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.
Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri, Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari, Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë, Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë; Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan, Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.
Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti, Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti, Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë. O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë, Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë! Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini, Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini; Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji, Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori, E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore, Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore, Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule, U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule, Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar, Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar; Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë, Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?
Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi, Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi, E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja, Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja, Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja, Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja. Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim, O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?
O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë, As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija, Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija, Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë, Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë; Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë, Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.
Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë, E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë; Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë, Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë; Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë, Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë. Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar, Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar; Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male, U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale… Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë. Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit, E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.
Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet, Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet; S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë, Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë, As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë, Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë; Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë, Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë, Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë, Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë; S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë, Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë. Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën, Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën. Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë, Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë. Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë, Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë; Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë, Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë; Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan, Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan, Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon, Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon, Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë, Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!
Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit, Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit; Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë; Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare, Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.
Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë, Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë, Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur. Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë, Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë, Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën, I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën, Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë. Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë, Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.
Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija, Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija. Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë, Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë; Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit, Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit. Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar, Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar. O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë! Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë. Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë, Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë. Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi, Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.
Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë, Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë, A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie? Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime, Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time, Q’është thier, bërë posi një pasqirë, Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë, Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë, Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë? A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje, Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?
Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti, Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji! Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën, E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën, Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën, Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën; Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë, Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.
Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut! Edhe ti Lezhë me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut! Burrat tuaj aq trima do ta lenë vall’ Ylqinë Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë? Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë, Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.
Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë, Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë, Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë, Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.
O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë, Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.
Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit, Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit! Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë, Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë; Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë, Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,
Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë, Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë, I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë, Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.
Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt! Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.
Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë, Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë! O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more! O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore? Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit, Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit? Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron, Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!
Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë, Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë! Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë, Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.
Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë, Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë; Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë, Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë… Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë, Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë; I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë, Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.
Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime, Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime, Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë, Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.
Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija, Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.
Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar, Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.
Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot, Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë, Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.
Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë, Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë, I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë, Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.
Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija, Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija! S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë; Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë! Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi, Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi, Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush, Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush; Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni, Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni, Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë, Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë, Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë, Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.
A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën, Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën, Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë, Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë. Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë, Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?
Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë! Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra, Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara, Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë, U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë, Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë, Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.
Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë, Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë, Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë, Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë, Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë, Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.
Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë, Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë. O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë! N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë. Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë, Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë; Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit, Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit, Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë, Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë, Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë, Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë. Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë, Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë. Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë, Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.
Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet, Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet, Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera, Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera: Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë, I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë; Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr, E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder, Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija, Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia, Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë, I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.
Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.
Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë, Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë; Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.
Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë, Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë, Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë, Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë — Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar, Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar; Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime, E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime. Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare, Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare, Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar, Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar; Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta, Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta. Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë, U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë, Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë, A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.
Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar, Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.
Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë, Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë, O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë! Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë, Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë! Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan, Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!
Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi, Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi; Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit, Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit, Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë, Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë; As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija, Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija. Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë, Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë! Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë, Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.
Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë, E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë, Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti, E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:
Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë, Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë, Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti, Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji. Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë, I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë, Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije, Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije, Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë, Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë. Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë, Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë, Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut, I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut, Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas; Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.
Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë, Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë. Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç, Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç, Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë, Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë. Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar, Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar; I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë, C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë. Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda, Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!
Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë, Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë, Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!
Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje, Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!
Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha, I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la. Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje, Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje! Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë, Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë; Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë, Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë, Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit, Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit, E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë, Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë; Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë, Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë; Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë, Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë. Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë, Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë, Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë, Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë, Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë, Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.