Ekspozitë për 6 mijë të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri, Manja: Të hapen dosjet

Vendvarrimet e 6 mijë të ekzekutuarve pa gjyq në periudhën komuniste vazhdojnë të mbeten të paditura.

Përmes një ekspozite të veçantë Autoriteti i Dosjeve ka kërkuar të sensibilizojë autoritetet për zbulimin e tyre.

“E di se trupat nuk u ktheheshin familjeve për të mos u kthyer në pelegrinazh të nderimit.Është akoma një krim ia pashlyer.

Për kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, është e nevojshme hapja e dosjeve.

“Duhet të hapen arkivat të gjithë, nuk ka person të zhdukur. Ka mungesë vullneti për të bashkëpunuar për ti gjetur këta persona”.

Hamza Kazazi prej vitesh është në kërkim të eshtrave të 7 anëtarëve të familjes së tij.

“Kërkoj të varros babain tim. I drejtohem shtetit shqiptar, presidentit, kryeministrit”.

Në ekspozitë u paraqitën shifra dhe të dhënat mbi viktimat e periudhës së diktaturës.

Ndër dokumentet e shfaqura veçohet ai i kampit të Tepelenës ku mendohet se kanë humbur jetën 300 fëmijë.

Në ceremoni, përfaqësuesit e të dënuarve politik, duke përfituar edhe nga pjesëmarrja e kryeprokurorit të ri Olsian Çela, kërkuan më shumë bashkëpunim për hetimin e ngjarjeve. Ora News.tv / KultPlus.com

Dikur ikonë e demokracisë, sot në gjyq për gjenocid

Dikur u pa si mbështetëse e zëshme e të drejtave universale të njeriut – e gatshme për të hequr dorë nga liria e saj, për t’iu rezistuar gjeneralëve të pamëshirshëm, që sunduan Mianmarin për dekada me radhë.

Aung San Suu Kyi, në vitin 1991, u shpërblye edhe me Çmimin Nobel për Paqe dhe kryetari i Komitetit të Nobelit në atë kohë e përshkroi si “shembull të shquar të fuqisë së të pafuqishmëve”.

Sot, tre vjet pasi u bë udhëheqëse de facto e Mianmarit, ajo është në qendër të kritikave nga të njëjtit udhëheqës dhe aktivistë ndërkombëtarë, që dikur e mbështetën.

Qindra-mijëra myslimanë Rohingya janë detyruar të zhvendosen nga Mianmari në Bangladesh, për shkak të sulmeve të ushtrisë. Dhe, Suu Kyi akuzohet se nuk ka bërë asgjë për të ndalur përdhunimet, vrasjet dhe gjenocidin e mundshëm. Ajo ka refuzuar të dënojë ushtrinë apo të pranojë mizoritë e kryera.

Mbështetësit e saj të paktë ndërkombëtarë thonë se ajo është politikane pragmatike, që përpiqet të qeverisë një vend multietnik, me një histori komplekse dhe me një shumicë budiste, që pëlqehet pak nga Rohingyat.

Ata po ashtu thonë se ushtria në Mianmar ende mban fuqi serioze politike.

Por, për kritikët, ajo e ka humbur qëndrimin moral dhe me siguri reputacionin e fuqishëm si dikush që është i gatshëm të ngrihet për të drejtat e njeriut, pavarësisht kostos personale.

Rruga drejt pushtetit

Suu Kyi, tani 73 vjeçe, e kaloi pjesën më të madhe të kohës nga viti 1989 deri më 2010 në një formë të paraburgimit, për shkak të përpjekjeve të saj për të sjellë demokraci në Mianmarin e udhëhequr nga ushtria. Ky fakt e bëri atë simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore kundrejt shtypjes.

Ajo udhëhoqi Lidhjen Kombëtare për Demokraci drejt fitores më 2015, në zgjedhjet e para të hapura në Mianmar pas 25 vjetësh.

Fitorja erdhi pesë vjet pasi u lirua nga arresti shtëpiak.

Edhe pse Kushtetuta e Mianmarit nuk e lejoi atë të bëhej presidente, sepse ka fëmijë që janë shtetas të huaj, Suu Kyi shihet gjerësisht si udhëheqëse de fakto.

Titulli i saj zyrtar është këshilltare e shtetit. Presidenti Win Myint është një ndihmës i saj i afërt.

Prejardhja politike

Aung San Suu Kyi është vajza e heroit të pavarësisë së Mianmarit – që ndryshe njihet edhe si Birmani – gjeneralit Aung San.

Ai u vra gjatë periudhës së tranzicionit, në korrik të vitit 1947, vetëm gjashtë muaj para pavarësisë dhe kur Suu Kyi ishte dy vjeçe.

Më 1960, ajo shkoi në Indi me nënën e saj, Daw Khin Kyi, e cila u emërua ambasadore e Mianmarit në Delhi.

Katër vjet më vonë, shkoi në Universitetin Oksford në Mbretërinë e Bashkuar, ku studioi filozofonë, politikën dhe ekonominë. Atje takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, akademikun Michael Aris.

Pas jetës dhe punës në Japoni dhe Butan, ajo u vendos në Mbretërinë e Bashkuar për të rritur fëmijët e saj, Alexander dhe Kim.

Kur u kthye në Mianmar, më 1988, për t’u kujdesur për nënën e saj të sëmurë, Mianmari ishte në mes të trazirave të mëdha politike.

Mijëra studentë, punonjës zyrash dhe murgj dolën në rrugë, duke kërkuar reforma demokratike.

“Si vajza e babait tim, nuk mund të qëndroja indiferente ndaj gjithçkaje që po ndodhte”, tha ajo në një fjalim në qytetin Rangon, më 26 gusht të vitit 1988, dhe mori përsipër udhëheqjen e revoltës kundër diktatorit të atëhershëm, gjeneralit Ne Win.

E frymëzuar nga fushatat jo të dhunshme të udhëheqësit të të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King, dhe nga Mahatma Gandhi i Indisë, ajo organizoi tubime dhe udhëtoi anembanë vendit, duke bërë thirrje për reforma demokratike paqësore dhe zgjedhje të lira.

Por, demonstratat u shtypën brutalisht nga ushtria, e cila mori pushtetin me anë të një puçi, më 18 shtator, 1988. Suu Kyi u vendos në arrest shtëpiak vitin pasues.

Qeveria ushtarake i organizoi zgjedhjet kombëtare në maj të vitit 1990, në të cilat Lidhja Kombëtare për Demokraci e Suu Kyisë fitoi bindshëm, por ushtria nuk pranoi ta dorëzonte kontrollin.

Arresti shtëpiak

Suu Kyi mbeti në arrest shtëpiak në Rangon për gjashtë vjet, derisa u la e lirë në korrik të 1995-ës.

Ajo u dërgua sërish në arrest shtëpiak në shtator të vitit 2000, pasi u përpoq të udhëtonte në qytetin Mandalaj, në kundërshtim me kufizimet e udhëtimit.

Ajo u la e lirë pa kushte në maj të vitit 2002, por pak më shumë se një vit më vonë u burgos, për shkak të një përplasjeje midis mbështetësve të saj dhe një turme të mbështetur nga qeveria.

Më vonë u lejua të kthehej në shtëpi, por përsëri nën arrest shtëpiak.

Disa herë iu mundësua të takonte zyrtarë të partisë së saj dhe diplomatë të përzgjedhur, por ajo nuk u lejua t’i shihte dy djemtë e saj apo burrin, i cili vdiq nga kanceri në mars, 1999.

Autoritetet ushtarake e lejuan të udhëtonte në Mbretërinë e Bashkuar kur ai ishte shumë i sëmurë, por ajo u detyrua të refuzonte nga frika se nuk do të lejohej të kthehej më në Birmani.

Rikthimi në politikë

Suu Kyi nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 nëntorit, 2010, të parat në Mianmar pas dy dekadash, por ajo u lirua nga arresti shtëpiak gjashtë ditë më vonë.

Djali i saj, Kim Aris, u lejua ta vizitonte për herë të parë pas dhjetë vjetësh.

Pasi qeveria e re filloi një proces reformimi, Suu Kyi dhe partia e saj iu ribashkuan procesit politik.

Kur zgjedhjet plotësuese u mbajtën në prill të vitit 2012, ajo dhe partia e saj fituan 43 nga 45 vendet në garë dhe ajo u betua si deputete dhe udhëheqëse e opozitës.

Në muajin maj të atij viti, Suu Kyi udhëtoi jashtë Mianmarit për herë të parë në 24 vjet.

“Tepër optimiste”

Megjithatë, ajo u irritua me ritmin e zhvillimit demokratik.

Në nëntor të vitit 2014, ajo tha se Mianmari nuk ka bërë ndonjë reformë të vërtetë dhe se Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë hequr pjesën më të madhe të sanksioneve kundër Mianmarit më 2012, kanë qenë “shumë optimiste” në të kaluarën.

Dhe në qershor të 2015-ës, Parlamenti i Mianmarit nuk arriti të heqë veton e ushtrisë për ndryshimet kushtetuese.

Katër muaj më vonë, më 8 nëntor, 2015, Mianmari mbajti zgjedhjet e para të hapura në 25 vjet. Lidhja Kombëtare për Demokraci shënoi fitore bindëse.

Edhe pse nuk u lejua të bëhej presidente për shkak të një kufizimi kushtetues, Suu Kyi u bë udhëheqëse de fakto në vitin 2016.

Që atëherë, udhëheqja e saj është përcaktuar nga kriza me Rohingyat.

Pas sulmeve vdekjeprurëse në stacionet e policisë në shtetin Rakhine, në gusht të vitit 2017, ushtria e Mianmarit filloi sulme brutale ndaj pakicës etnike, duke detyruar qindra mijëra të iknin përtej kufirit në Bangladesh.

Kritikët thonë se Suu Kyi nuk bëri sa duhet për të dënuar ushtrinë.

Ajo dhe Mianmari tani përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qendër në Hagë, dhe Suu Kyi udhëtoi këtë javë drejt Holandës, ku do t’i luftojë akuzat për gjenocid kundër vendit të saj.

Që nga marrja e pushtetit, Suu Kyi dhe qeveria e saj janë përballur me kritika edhe për ndjekjen penale të gazetarëve dhe aktivistëve, duke përdorur ligje të epokës koloniale.

Përparim është bërë në disa fusha, por ushtria vazhdon të mbajë një të katërtën e vendeve në parlament dhe kontrollin e ministrive kryesore – përfshirë atë të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe të Çështjeve Kufitare.

Driant Zeneli, ‘N’përpjekje për me u çue’ në Prishtinë

Me 19 dhjetor në Prishtinë do të hapet ekspozita ‘N’përpjekje për me u çue’ e artistit Driant Zeneli.

Kjo do të jetë ekspozita e parë solo e artistit në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Me anë të filmit, instalacioneve në video dhe performancës, Zeneli investigon nocionet e tentimit, dështimit, ëndrrës dhe utopisë si elemente që sjellin perspektiva alternative, shkruan KultPlus.

Titulluar ‘No wise fish would escape without flying’, filmi i Zenelit fillon me një përfaqësim fiksional të peshkut, peshkut fluturues, pasuar me të gjitha efektet dhe mundësitë që i sjellë. Projekti i Zenelit hulumton lidhjen tonë me njohurinë dhe me procesin e mësimit nëpër gjenerata e nëpër periudha të ndryshme historike.

Artisti i lindur në Shkodër në vitin 1983, jeton sot mes Tiranës e Milanos.

Sikur edhe në punët tjera, edhe në këtë ekspozitë Zeneli merret me aspektin kolektiv. Kësisoj ai dëshiron të hulumtojë faktin se si takimet mes njerëzve sfidojnë dhe ndryshojnë përceptimet e dëshirat e limitet tona.

Vitin e kaluar Drianti e përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Në vitin 2017 e fitoi çmimin MOROSO dhe në vitin 2009 the Young European Artist Award Trieste Contemporanea.

Ekspozita në Prishtinë ka për kuratore Claudia Buizza, një kuratore e pavarur nga Parisi, dhe Alicia Knock, kuratore nga Centre Pompidou në Paris.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 31 janar 2020 ndërsa me 25 janar në Kino Armata do të ketë një bisedë me artistin. / KultPlus.com

Martesa nuk është një shtëpi e as edhe një tendë

Vendbanim
Margaret Atwood

Martesa nuk është

Një shtëpi e as edhe një tendë
është para kësaj, dhe më e ftohtë:
buza e malit, skaji i shkretëtirës
shkallët e papikturuara

në prapavijë aty ku ulemi.

Jashtë, duke ngrënë kokoshka
skaji i akullnajës që po shkrihet
ku frikshmërisht dhe mrekullueshëm

kemi shpëtuar
e kemi arritur kaq larg
mësuam ta bënim zjarrin.

Përktheu A,S

Gazmend Pallaska dhe Kosovski Božuri këndojnë shqip

Një incizim fantastik është ai i viteve 70-të, asokohe ish Jugosllavi.

Gazmend Pallaska e këndon një këngë shqipe në këtë incizim, ku instrumentistë janë edhe Tomor Berisha, Riza Dolaku, Uka Brizani e të tjerë muzikantë të kësaj kohe.

Në këngë ka marrë pjesë edhe formacioni Kosovski Bozhuri.

Formacioni, por edhe këngëtari i njohur kosovar, kanë marrë pjesë disa herë në Opatija – festivalin e njohur muzikor në Opati. Kosovski Bozhuri ka bashkëpunuar edhe me Milica Milisavljevic.

Gazmend Pallaska në Opati ka marrë pjesë me këngën ‘O rreze e artë’, ‘Sytë e zi’, ‘Dielli i kuqrremtë’, e të tjera, shkruan KultPlus.com

Pallaska debutoi në vitin 1970 si këngëtar i shansoneve dhe shllagerëve. Katër herë mori pjesë në Jugovizion(Jugovizija) (garën parakualifikuese jugosllave për në Evrovizion). Ai ishte një nga këngëtarët e rrallë shqiptarë që njiheshin edhe jashtë trojeve shqipfolëse të Jugosllavisë. / KultPlus.com

Pas 100 viteve Gjermania vendos rabinë në armatë

Qeveria gjermane sot ka marrë vendim për të kthyer rabinët në shërbim ushtarak pas më shumë se 100 viteve, siç ishte propozuar më herët nga Këshilli Qendror i hebrenjve.

“Sot kemi dhënë shembull të rëndësishëm për ushtarët tanë hebrenj”, shkroi ministrja e Mbrojtjes, Anegret Kramp Karnbauer në Tviter. Ajo shtoi se vendosja e rabinëve në shërbim ushtarak është një angazhim i qartë për jetën hebraike në Gjermani.

Armata gjermane nuk e dokumenton përkatësinë hebraike të pjesëtarëve të saj, megjithatë, rreth 300 hebrenjë, 1.400 myslimanë dhe 94.000 krishterë janë në forcat e armatosura të Bundestagut. /KultPlus.com

Studim: Burrat “piqen” vetëm kur mbushin 54 vjeç

Studiuesit në Shtetet e Bashkuara prezantuan një studim në të cilin ata konkludojnë se burrat mund të konsiderohen të rritur, vetëm kur mbushin 54 vjeç.

Për të përfunduar projektin, u ndoqën 1000 burra, duke marrë parasysh stilin e jetës, zakonet dhe jetën e tyre profesionale.

Zbulimi, botuar nga gazeta Telegraph, tregoi se vetëm në moshën 54 vjeç burrat ndjehen plotësisht të sigurt dhe të realizuar mirë, për të shijuar jetën si “të rritur të vërtetë”.

Studimi sugjeron që kjo ndodh me njeriun e sotëm, i cili kërkon më shumë kohë për të arritur këtë fazë, dhe kjo ndodh për shkak të presioneve të jetës moderne, të tilla si një situatë financiare dhe shtyrja e atësisë në kohë shkruan meb.al . Sipas gjetjeve pasiguritë që lidhen me pamjen fizike, gjendjen financiare dhe problemet e veçanta, pengojnë pjekurinë e shumë burrave, të cilët nuk adresojnë drejtpërdrejt problemet e tyre, dhe vazhdojnë të sillen si adoleshentë.

Burrat kanë theksuar se frika se mos nuk sigurojnë një shtëpi të vetën, humbja e flokëve dhe i gjithë procesi i plakjes e frikësojnë pjesën më të madhe të tyre.

Diaspora shqiptare në Shtutgart, 28 mijë euro për të prekurit nga tërmeti

Diaspora shqiptare ka treguar solidaritet të madh, duke dhënë kontribut për rindërtimin e ndërtesave të prekura nga tërmeti si dhe ndihma të shumta për banorët e Shqipërisë.

Së fundi, në Shtutgart të Gjermanisë, në Landit Baden-Würtemberg, u organizua një aktivitet solidariteti për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit nga Qendra e Kulturës Shqiptare në këtë qytet, shkruan albinfo.ch.

Sipas informacioneve, thuhet se nga kontributet e komunitetit shqiptar, anëtarë të kësaj Qendre, janë mbledhur mbi 28 mijë euro si ndihmë për këtë tragjedi.

Duhet theksuar se ndihma e mbledhur financiare është hedhur në një nr. llogarie të Caritas-it gjerman, i cili nga ana e tij do t’ia përcjellë Caritas-it në Shqipëri. /Albinfo.ch. /KultPlus.com

Rikthehen në Shqipëri të gjithë të prekurit nga tërmeti që ishin në Parkun Inovativ

Ramush Haradinaj, kryeministri në detyrë, ka thënë se sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në Shqipëri edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren.

“Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike. Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Ja postimi i plotë:

Edhe njëherë ju falenderoj secilit nga Ju, për çdo kontribut dhe angazhim që dhatë, për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve tanë nga Shqipëria, pas tërmetit me pasoja tragjike qe goditi këtë vend.

Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren.

Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike.

Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend.

Edhe njëherë falenderoj Institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pandalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falenderoj, Institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet Komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision.

Ne do vazhdojmë të jemi të gatshëm, për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm, që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë. /KultPlus.com

SBASHK-u fillon me greva dy orëshe në shkolla dhe çerdhe

Në çerdhet publike,në  shkollat fillore, në shkollat të mesme të ulëta dhe të larta, të premten nuk do të mbahet mësimi në dy orët e para, pasi sot Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka votuar për këtë vendim.

Rrahman Jashari, kryetari i SBASHK-ut tha se nesër prap do të dalin me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë vendim. Klan Kosova / KultPlus.com

Instituti Albanologjik organizon tryezë shkencore për veprimtarinë e Ymer Jakës

Instituti Albanologjik i Kosovës do të organizojë një aktivitet të rëndësishëm me datën 12 dhjetor, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për Tryezën shkencore me titull “Veprimtaria shkençore dhe intelektuale e Ymer Jakës”.

Ymer Jaka është padyshim njëri nga intelektualët më të afirmuar shqiptar. Ai ishte profesor dhe studiues i mirënjohur, si dhe përkthyes i afirmuar që prezantoi Skënderbeun para audiencës franceze.

Ky aktivitet do të mbahet më 12 dhjetor duke filluar nga ora 11 në sallën e Institutit Albanologjik, me ç’rast do të prezantohen kumtesa në lidhje me veprimtarinë e Jakës. /KultPlus.com

Agron Tufa zbulon letrën e Visar Zhitit nga azili: Jeta jonë prapë mbeti e vështirë

Ish-drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit, Agron Tufa ka publikuar një letër të shkrimtarit të njohur Visar Zhiti drejtuar atij pas largimit familjarisht nga Shqipëria drejt Zvicrës.

Zhiti shprehet i shqetësuar për largimin e tij dhe vlerëson punën e tij si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, siç thotë ai “plot me nxjerrje dëshmish tronditëse nga jeta, nga antijeta jonë infernale në burgje, ku me ne ishte dhe ati juaj, në kampet shfarosëse aushviciane”.

LETRA E PLOTË
Letër nga shkrimtari Visar Zhiti
I dashur Agron,
Së pari, Ju dëshirojmë të jeni mirë, kudo qofshi, bashkë me Elvanën dhe fëmijët, që meritojnë çdo sakrificë dhe gëzime pa fund.
Edhe pse jemi shumë larg, përtej oqeanit, në SHBA, Eda dhe unë jemi vendosur afër Chicago-s, në një vend të heshtur dhe të veçuar, pa shumë lajme, ku dimri tashmë ka ardhur, me temperaturat minus – dhe jo vetëm ato janë minus për ne, – bashkë me dimrin, pra, na erdhi dhe lajmi i ikjes Tuaj familjarisht nga atdheu.
Edhe pse mua më dukej se pritej një ndodhi kësisoj, pa na befasuar dhe aq, se kështu është realiteti ynë, dramatik dhe i pabesë, gjithsesi na ka shqetësuar, shqetësim i natyrshëm për Ju, fëmijët dhe vendin.

Ikja sigurisht që pati një shkak dhe lutemi që pasojat të jenë për mirë.
Puna Juaj e madhe si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit mbetet e rëndësishme, plot me nxjerrje dëshmish tronditëse nga jeta, nga antijeta jonë infernale në burgje, ku me ne ishte dhe ati juaj, në kampet shfarosëse aushviciane, etj., nga epoka e diktaturës më të egër në Europë dhe e gjitha kjo u shndërrua dhe në një akuzë të hapur, vazhdim i duhur i ofshamave dhe akuzave tona ndaj sundimtarëve, krimi shtetëror i të cilëve kishte nisur që gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku fitimtarët, nga çlirimtarë të vendit, u shndërruan menjëherë në pushtues të tij, u çlirua Shqipëria dhe shqiptarët u robëruan më keq se kurrë. Më parë se universitetet ata hapën burgjet dhe institucionalizuan dhunën duke mos e ndërprerë persekutimin, duke iu ngazëllyer si sadistë atij, duke e shitur me gjakun tonë si fitore të përgjithshme.
Të rrëfyerit e kësaj, me një polifoni të dhimbshme sot, një kor më tragjik se ai i antikitetit kështu, kjo hata e madhe nuk mund të durohej dot as si libër në shekullin XXI në Shqipërinë tonë të vogël nga ata që e bënë apo i shërbyen asaj diktature dhe nga bijtë e tyre, deputetë, ministra, gazetë, televizion, pedagogë, antilibra, opinion klanor, presidentë, grupe të kamufluara terrori, etj., të pasuruar të gjithë, ndoca pas emigrimit të fshehtë duke u bërë dhe qytetarë të Europës e më tej, etj., etj., kur ne duhej ta duronim diktaturën e tyre si vuajtje reale në jetë dhe pas saj, si të braktisur dhe të harruar deri në nëpërkëmbje në postdiktaturë, kur Shqipëria jonë është, si të thuash, në sistemin demokratik që ëndërruan ish-të përndjekurit, ish-të burgosurit, por, për paradoks, pa i dashur ata vetë, gjithandej, me mosdashuri edhe mes nesh. Idetë dhe dëshirat dhe aleatët idealë të ish-të persekutuarve, BE-ja dhe SHBA-ja po, i duan, por jo neve, ish-të persekutuarit dhe mbi vuajtjen tonë vazhduan, pa asnjë ndjesë a dënim moral, ndryshimin e të dikurshmes në shpëtim dhe dobi të vetes:
e kam thënë, ne kemi një demokraci me kundërshtarët mizorë të demokracisë, një kapitalizëm me armiqtë e kapitalizmit, të cilët nga ithtarë të rremë ose jo të pronës sociale, të përbashkët dhe të askujt, u bënë pronarë të ethshëm, të dyshimtë, oligarkë të Shqipërisë.
Jeta jonë prapë mbeti e vështirë, në fund të fundit si e të shumtëve, por shpesh më e pa durueshme, pa drejtësi dhe pa përgjegjës, pa kujtesë dhe të vërtetat, me moral të rrëzuar. Të mbetur në vetmitë tona që shqetësojmë dhe vetëm me pranitë, mjafton që jemi dhe shndërrohemi në akuza të gjalla…
I dashur Agron,

S’e di pse u zgjata, nga nevoja për të përsëritur shqetësimet e paqetësuara, ngaqë e ndjej ikjen Tuaj duke kërkuar azil politik në Zvicër, i sulmuar banalshëm dhe i kërcënuar deri dhe me jetë, që s’je i vetëm, i bindur që e ndjeni shumë dhe fatin tonë, të ne që jemi, si të thuash, “lënda e parë” e Institutit që drejtonit me dinjitet dhe guxim, i pësimit dhe dëshmive të rënda tonat.
Kur detyrohen të ikin studiuesit e persekutimit nga Shqipëria, ç’duhet të bëjnë të persekutuarit e mbetur gjallë, që ende u dhembin kockat nga prangat?
Agron,
Kujto atin, kujto të ikur e mëdhenj të mëparshëm, kujto persekutimin e tejmë dhe merr forcë, na kujtoni ne, nëpërkëmbjen që na bëjnë dhe sulmet e herëpashershme, edhe mua kujtomë, Mik i dashur, kur më sulmuan me të padrejtë Presidenti i Republikës, ish-oficeri me armë i diktaturës apo ish-shefi i ikur i policisë së burgut, shtypësi me hekur dhe gjak i revoltës tonë në burg e të tjerë barbarë me klanin e tyre e censorët e dikurshëm të poezive tona e deri te vrasja më e fundit afër shtëpisë së bashkëvuajtësit tonë, që e kishte të shkruar mbi lëkurën e vet dëshminë dhe akuzën kundër krimit shtetëror, etj., etj. Ne u ndjemë sërish të hedhur në arenë si gladiatorët mes bishave.
Ne e kujtojmë që pas sulmit, Ju u ngritët në mbrojtjen tonë, akuzuat si ne duke rrezikuar.
Prandaj keni dhe mirënjohjen.
Shembujt janë të shumtë.
Kujto prapë revoltat e reja të ish të burgosurve në posdiktaturë, grevat e reja të urisë, vetëdjegiet martirizuese, heshtjen e tyre të madhërishme, ikjet e tyre të mëpastajme drejt lirive të tjera dhe merr forcë si Anteu.
Kujto dhe tërmetin e tanishëm, të vrarët dhe gërmadhat e tij që na dhembin, dimrin jashtë, fëmijët e trembur, njerëzit që bashkohen, mundin e rimëkëmbjes, botën që s’na lë vetëm në pikëllimin dhe mynxyrën tonë. Kujtohu që është e pamundur të jesh vetëm, qoftë për mirë, qoftë dhe për keq.
Bota është bërë e vogël, themi shpesh, por të bëhet i madh njeriu, shtoj unë.
Agron,
Ju sërish ngritët një alarm të ri tani duke ikur, të rëndësishëm dhe të duhur dhe, për fat, të shumtë janë mbështetësit dhe bashkëluftëtarët e kauzës së përbashkët.
I bindur që do të vazhdoni betejën, si shkrimtar dhe qytetar i lirë në një botë të lirë, veprimtar i palodhur i të vërtetës dhe i të drejtës, i përulur para dhimbjes njerëzore, krah për krah me të vuajturit dhe të persekutuarit siç ishe dhe vetë nga burgu i atit Tuaj, për ta treguar me kurajo e kulturën e duhur të keqen tonë që ajo të njihet nga të gjithë për të mos u përsëritur ndër të tjerë, te askush në askund.
SHBA tani ka shtuar dhe Ditën e Kujtesës Botërore, 7 Nëntorin, në nderim të 100 milionë viktimave të komunizmit, ku janë dhe martirët tanë, që kundërshtuan heroikisht.
Edhe kujtesa jonë duhet t’i shërbejë përvojës dhe përpjekjes për pajtimin e drejtë dhe paqen e drejtë me historinë dhe veten. Është ende e vështirë. Mjafton të kujtojmë ceremoninë e rivarrimit të një patrioti të madh dhe intekektuali të madh, bir i Frashërllinjve që ribënë Kombin, se si u hodhën egërshane mbetjet e diktaturës, që as vdekja nuk i qetëson. Por nuk duhet sprapsur. Përpara për të afruar një të ardhme më të mirë se tonën te fëmijët.
Është detyrë ruajtja e tyre, rritja dhe edukimi me dashuri; “Mësomë të dua” lutej Shenjtja jonë Nënë Terezë dhe Ju bëtë një detyrë ndaj fëmijëve Tuaj, me përkushtimin dhe sakrificën prindërore. Askush nuk ka të drejtë të qortojë kërkesën Tuaj për azil, ndërkaq meritoni mbështetjen tonë dhe të të gjithëve.
Ne Ju urojmë mbarësi dhe forcë, durim dhe gëzime bashkë me gëzimet e fëmijëve, punë dhe art dhe dhimbje që së bashku të bëjmë më të mirën tonë për vendin…
Siç Ju thashë unë jam larg, edhe nga jeta tani, edhe nga bota, siç e dini, jam vetëm dhimbje, që e ndjen dhimbjen nëpërkudo…
Përqafime vëllazërore,
Visar Zhiti / KultPlus.com

Revista ‘Time’ zgjedh Greta Thunberg ‘Person të Vitit’

Revista e famshme amerikane, Time, ka vendosur që aktivisten e re nga Suedia, Greta Thunberg, ta zgjedhë si “Personin e Vitit 2019”.

“Ajo i simbolizon agoninë, frustrimin, dëshpërimin, zemërimin dhe, deri diku, shpresën e shumë të rinjve, të cilët ende nuk do ta kenë arritur moshën për të pasur të drejtë vote kur e ardhmja e tyre të jetë shkatërruar”, shkruan kjo revistë.

Momenti i saj vjen në kohën kur realiteti urgjent shkencor përplaset me paqartësitë politike globale. Secilin vit, ne hedhim më shumë karbon në atmosferë, planeti ynë i afrohet pikës pa kthim, kur jeta në tokë do të ndërrojë një herë e përgjithmonë.

Shkencërisht, planeti nuk mund ta përballojë një hap tjetër prapa. Politikisht, kjo mund të jetë mundësia jonë më e mirë për ta bërë ndryshimin e madh para se të jetë shumë vonë.

Greta ndoshta është 1.5 metra e gjatë dhe mund të duket edhe më e vogël kur e vesh xhaketën e madhe kundër shiut. Fundi i nëntorit nuk është koha më e mirë për ta kaluar Oqeanin Atlantik. Uji është i trazuar, erërat janë të forta dhe ajo e ka një barkë të vogël.

Megjithatë, Greta, në mënyrën e saj të qetë, ishte e patrembur. Ajo i kaloi shumicën e pasditeve të gjata brenda kabinës.

Ajo u është qasur problemeve të botës me peshën e një personi të rritur, por ende është fëmijë. Asaj i pëlqejnë kuajt dhe i mungojnë dy qentë që i ka lënë në Suedi, Moses dhe Roxy.

Në gusht të vitit 2018, ajo filloi të dilte para kuvendit suedez për të protestuar. Në ditën e parë ishte e vetme. Në ditën e dytë iu bashkua një person i panjohur. “Ky ishte një hap i madh, nga një në dy”, thotë ajo.

Në shtator të këtij viti, protestat për mbrojtjen e klimës u përhapën përtej kufijve të vendit të saj. Në Nju Jork protestuan 250 mijë persona, në Londër 100 mijë, ndërsa në tërë Gjermaninë rreth 1.4 milion, shkruan “Time”, transmeton Gazeta Express. / KultPlus.com

Kosova e shpall persona non grata Handken

Pasi Sarajeva e shpalli persona non grata fituesin e Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, një gjë të tillë sot e bëri edhe Kosova.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, këtë e bëri të ditur në një postim në facebook.

“Sot kam vendosur të shpalli Peter Handke si jo të mirëpritur në Kosovë”, shkruan ai.

“Ai është një person non-grata nga sot. Mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm”, përfundon Pacolli. / KultPlus.com

Këngëtari Ed Sheeran shpallet ‘Artisti i Dekadës’ në Britani

Ed Sheeran sapo ka arritur një sukses tjetër në karrierën e tij.

Këngëtari është shpallur këngëtari më i mirë i dekadës në Britani nga “Official Charts Company”.

Këngët e tij kanë qëndruar për javë të tëra në krye të klasifikimeve dhe mbajnë rekorde klikimesh.

Tre prej projekteve të tij muzikore janë shpallur këngët e dekadës duke përfshirë “Shape Of You”, “Thinking Out Loud” dhe “Perfect”.

Ed Sheeran është artisti që ka numrin më të madh të këngëve single dhe albumeve që kanë zënë vendin e parë në tabelat britanike, 12 në total.

Këngët e tij dëgjohen masivisht në të gjithë botën dhe kjo e ka bërë që ai të jetë pjesë e listës së këngëtarëve më të paguar për vitin 2019.

Rok grupi i njohur “AC/DC” planifikon albumin e ri

“AC/DC” është duke punuar në një album të ri që përmban këngë të Malcolm Young të regjistruara para vdekjes së tij në vitin 2017, sipas yllit të “Twisted Sister”, Dee Snider.

Rokeri i “We’re Not Gonna Take It” është pyetur nëse di ndonjë gjë në lidhje me planet e regjistrimit të “AC/DC” gjatë një bisede me fansat në Twitter dhe zbuloi se në albumin e ardhshëm të bendit do të jenë “të katër anëtarët e mbijetuar”.

Duke iu referuar një takimi të kohëve të fundit me Brian Johnson, i cili u detyrua të pauzojë për pjesën më të madhe të turneut më të fundit botëror të bendit për shkak të problemeve të dëgjimit, Dee tweetoi: “RIP Malcolm Young. Por të katër anëtarët e mbijetuar janë ribashkuar me këngë të regjistruara nga Malcolm derisa ai ishte akoma gjallë.

“Nipi i Malcolm Stevie Young po e zëvendëson atë (ai e ka bërë këtë disa herë më parë). Është shumë afër bendit origjinal”.

Ai shtoi: “Sapo e pashë Brianin… ai është mirë.”

Që nga vdekja e vëllait të tij dhe largimi i Johnsonit, Angus Young është anëtari i vetëm origjinal i bendit.

Në vitin 2016, pas largimit së Malcolm nga bendi, Angus iu tha fansave se nuk ishte i sigurt nëse bendi do të vazhdonte pas turneut “Rock or Bust”. /KultPlus.com

Aldi me Sindromën Down punësohet në Trafikun Urban në Prishtinë

Komuna e Prishtinës përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se në Trafikun Urban është punësuar një anëtar i Shoqatës Down Syndrome.

“Hapja dhe ofrimi i mundësive, si dhe gjithëpërfshirja e kategorive të ndryshme në shoqëri, kontribon në emancipimin e shoqërisë në përgjithësi. Aldi, 23 vjeçar, është anëtar i Shoqatës Down Syndrome”, thuhet në njoftim.

Komuna thotë se ai ka filluar punën në ndërmarrjen “Trafiku Urban” ku e mban evidencën në hyrje-dalje të ndërmarrjes gjatë orarit të rregullt prej 08:00 -16:00.

“Përgëzojmë ndërmarrjen “Trafiku Urban” për mundësinë e ofruar dhe Aldit i urojmë suksese e punë të mbarë!”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com

Ishte zhdukur 22 vjet më parë, kryevepra 60 milionë euro gjendet prapa një muri

Pas 22 vitesh, me shumë gjasa është zgjidhur një nga misteret më të mëdha të artit bashkëkohor, zhdukja e një prej veprave më domethënëse të mjeshtrit austriak Gustav Klimt, “Portreti i një zonje”.

Piktura, vlera e të cilës kalon 60 milionë euro, ishte zhdukur në mënyrë të mistershme në vitin 1997 në Piacenza të Italisë, në Galerinë e Artit Modern, përcjell A2CNN.

Autoritetet në atë kohë kishin deklaruar vjedhjen e pikturës, edhe pse mënyra sesi autorët ia kishin dalë mbanë nga një godinë e mbrojtur me sisteme të sofistikuara për kohën.

Misteri u zbulua krejt rastësisht disa ditë më parë, kur një punëtor që po punonte në një nga muret e jashtme të muzeut gjeti një thes të zi me një kuti, dhe për një moment mendoi ta hidhte, nga sasia e pluhurit. Një pluhur 22-vjeçar, nga momenti që pakoja kishte brenda pikërisht atë që mendohet të jetë piktura e shtrenjtë. Hajdutët e kishin fshehur aty, ndoshta duke menduar ta merrnin kur vëmendja e opinionit publik të harronte kryeveprën.

Edhe pse verifikimet paraprake të ekspertëve janë pozitive, analiza të mëtejshme po kryen, edhe pse vepra e pikturuar në periudhën e fundit të jetës së Klimt (1916-18), ishte realizuar mbi një tjetër portret, konturat e të cilit ende duhet të duken me mjete të përshtatshme.

Gustav Klimt (1862-1918), është një nga figurat më të rëndësishme të shkollës simboliste, dhe pikturat e tij, përgjithësisht portrete femërore, si “Puthja”, “Përqafimi”, “Judith me kokën e Holofernit”, “Tre epokat e Grave” janë shndërruar në simbol të bukurisë femërore.

Një pikturë e tij, Adele Bloch-Bauer, u shit në 2006 për shifrën rekord e 135 milionë dollarë në Nju Jork. / KultPlus.com

Peter Handke shpallet persona non grata në Sarajevë

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, është shpallur sot persona non grata në Kantonin e Sarajevës.

Ky vendim, i iniciuar nga deputetët e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), u miratua njëzëri në seancën e sotme nga Asambleja e Kantonit të Sarajevës.

Deklarata dënon dhënien e Çmimit Nobel për mohuesin e gjenocidit të Srebrenicës, ku serbët vranë e masakruan tetë mijë burra myslimanë.

Në deklaratë thuhet se faza përfundimtare e gjenocidit është pikërisht mohimi i gjenocidit, dhe se fituesi i çmimit Nobel në letërsi gjatë agresionit të tij në Bosnjë mbështeti publikisht regjimin serbomadh, me në krye kriminelin e luftës Slobodan Millosheviq, përcjell kp.

“Handke nuk ndryshon pikëpamjet e tij sot, por shkon një hap më tej, duke njoftuar ardhjen e tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe vizitën e tij te nënat nga Kravica në afërsi të Srebrenicës”, vazhdon deklarata.

Anëtarët e Asamblesë së Kantonit të Sarajevës e përshkruan dhënien e Çmimit Nobel për Handke si një ofendim të ri për viktimat, me vlerësimin se vizita e tij në BeH dhe Sarajevë do të shkaktonte poshtërim shtesë për viktimat e agresionit serbomadh. / KultPlus.com

Kolegji Universum dhe Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, me program master të përbashkët të financuar nga Bashkimi Evropian

Sot në Sarajevë ka filluar takimi i katërt i menaxhmentit të projektit STEPS, project me buxhet prej 1 milion eurosh i financuar nga programi Erasmus+ Capacity Building i Bashkimit Evropian dhe i përbër nga një konsorcium i universiteteve evropiane dhe rajonale duke përfshirë Universitetin Bujqësor të Pragës, Universitetin Bujqësor të Bukureshtit dhe Universitetin Bujqësor të Atinës nga vendet e BE-së, ndërsa partner regjional përvec Kolegjit Universum dhe Universitetit Haxhi Zeka, janë Universiteti Politeknik i Tiranës (kordinator i projektit) dhe Universiteti Europian i Tiranës nga Shqipëria si dhe Universiteti i Sarajevës dhe Universiteti i Bihacit nga Bosna dhe Hercegovina.

Qëllimi i projektit STEPS është zhvillimi dhe implementimi i një programi modern Master i Shkencave në “Sisteme të qëndrueshme të prodhimit të ushqimit”, në linjë me deklaratën e Bolonjës. Programi është zhvilluar në bashkëpunim nga të gjithë universitetet partnere në konsorcium dhe paraqet programin më të rëndësishëm të kësaj fushe në Kosovë dhe rajon, i cili do ti ndihmoj industrisë së ushqimit në Kosovë të rris kapacitetet njerëzore dhe të fuqizoj prodhimin vendor.

Me 6 projekte Erasmus+ Capacity Building dhe mbi 78 marrëveshje Erasmus+ për shkëmbim, Kolegji Universum mbetet lider i pa diskutueshëm në Kosovë në fushën e ndërkombëtarizimit.

Për më shumë informata kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.   

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Shqiptari Gezim Gashi, nga një refugjat tashmë me ligjëratë në Universitetin prestigjioz “Harvard”

Jeta Zymberi

Duket sikur jeta e vështirë prej një refugjati është shndërruar në forcë për shumë shqiptarë që gjatë kohës së luftës në Kosovë morën rrugën në vende të ndryshme të botës për të pasur një jetë më të sigurt, shkruan KultPlus.

Shumë nga këta persona sot gëzojnë një jetë me plot suksese e madje disa edhe me një famë të madhe botërore, çka ka bërë që shqiptarët të ndihen krenarë me këta emra.

Një ndër ta është edhe djali nga Kosova, Gezim Gashi. Ai është shqiptari i parë në botë që ka hapur shkollë të artit në Amerikë. Ai është një prej emrave më të njohur shqiptar në botën e artit në Suedi dhe emër i suksesshëm në industrinë e muzikës në Los Angeles.

Por, degëzimet e suksesit për të po shtohen çdo ditë e më shumë.

Përderisa të gjithë e ëndërrojnë shkollimin në Universitetin më prestigjioz në botë “Harvard”, Gashi është ftuar për të ligjëruar para studentëve nga gjithë bota. Kjo padyshim që është një arritje e madhe për të duke pasur parasysh se si është rritur dhe sa shumë është ushqyer me ëndrra që sot po i bëhen realitet.

“Kjo është e pabesueshme për mua. Momente të tilla më kujtojnë mënyrën se si jam rritur. Kam qenë një refugjat gjatë luftës në Kosovë me ëndrra të mëdha. Bashkë me familjen time u shpërngulëm në Alvesta të Suedisë dhe tash më duhet të ndaj historinë time në universitetin më prestigjioz në botë, në “Harvard”, është shprehur Gëzim Gashi për KultPlus.

Gashi për dy vitet e fundit ka zhvilluar markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë dhe përmes punës së tij ka marr fokusin e Forbes dhe Huffington Post.

“Ndihem shumë krenar të ndaj historinë time dhe të njihem për atë që unë bëj për gjeneratën e re. Jam krenar që jam shqiptar dhe fakti që i bëj njerëzit e mi krenarë është shumë e rëndësishme për mua. Mezi po pres të marr pjesë në Harvard dhe të ligjëroj para studentëve nga e gjithë bota”, ka thënë Gashi.

Ligjërata nga Gëzim Gashi do të mbahet më datë 9 mars 2020, në Universitetin e Harvardit.  /KultPlus.com

Vlora Çitaku me veshje kombëtare në Shtëpinë e Bardhë (FOTO)

Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në SHBA shumë herë ka prezantuar veshjet shqiptare edhe në misionin diplomatik, shkruan KultPlus.

Edhe kësaj radhe, Çitaku ka përzgjedhur një veshje të tillë, dhe pikërisht për vizitën e saj në Shtëpinë e Bardhë, ku është organizuar pritja vjetore për korin diplomatik.

Për këtë veshje ka njoftuar vetë Çitaku, e cila e ka postuar edhe një fotografi.

“Në pritjen vjetore të organizuar nga Shtëpia e Bardhë për korin diplomatik, me kostumin kombëtar të qëndisur nga Tolinda Gojani Hasani”, ka shkruar Çitaku./KultPlus.com  

Ambasada ruse i kërkonte Portës së Lartë të ndëshkohet Isa Boletini

Nga: Aurenc Bebja

“Le Matin” ka botuar të shtunën e 8 nëntorit 1902, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me kërkesat e Ambasadës ruse ndaj Portës së Lartë me qëllim ndëshkimin e Isa Boletinit, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Kërkesat ruse

Kostandinopojë, 6 nëntor

Ambasada ruse ripërsëriti kërkesat e saj ndaj Portës së Lartë, duke i kërkuar asaj ndëshkimin e liderit shqiptar Isa Boletini.

Ky i fundit, i cili ishte dërguar fillimisht në Selanik, u lejua më pas të kthehej në fshatin e tij Boletin, afër Mitrovicës.

Ambasada ruse kërkon gjithashtu që të merren masa të mjaftueshme për të siguruar mbrojtjen personale të z. Stcherbin (Çerbin), konsullit rus, në Mitrovicë, i cili gjendet akoma në Kostandinopojë. /KultPlus.com

Parashikohet që “One Direction” do të ribashkohet brenda dy vjetëve

Liam Payne ka parashikuar që “One Direction” do të ribashkohet brenda dy vjetëve.

Së bashku me shokët e bendit, Harry Styles, Niall Horan dhe Louis Tomlinson, këngëtari 26-vjeçar është duke shijuar sukses solo qëkur boy-bendi u nda në janar të vitit 2016, shkruan KOHA Ditore. Dhe duke reflektuar në lidhje me ribashkimin e katër anëtarëve përsëri në të ardhmen, Liam tha se ribashkimi logjikisht nuk do të ndodhë edhe së paku dy vjet.

“Mendoj se në një moment do të kthehemi bashkë. Mendoj se me siguri do të ndodhë kjo”, tha ai gjatë një paraqitjeje në emisionin televiziv britanik Sunday Brunch të dielën. “Nuk e di kur do të ndodhë kjo ende por, e gjitha që e di është se të paktën do të marrë dy vjet ndërkohë që të gjithë sapo kanë publikuar muzikë të re, ku duhet të shkoni dhe promovoni dhe t’i bëni të gjitha.

“Janë të paktën dy vjet.”

Tutje në intervistë, Liam e pranoi se e kishte parë Harry Styles për “herë të parë në tre vjet” në Jingle Bell Ball të Capital FM të shtunën në Londër. /KultPlus.com