Pas shumë kohësh Jennifer Lopez nominohet në “Golden Globe”

Këngëtarja dhe aktorja e njohur Jennifer Lopez është nominuar për çmimin “Golden Globe”, për rolin e saj si Ramona në filmin “Hustlers”.

Ky është nominimi i parë për Golden Globe pas 20 vitesh për artisten. Ajo ka publikuar një video në Instagramin e saj ku shprehet mjaft e emocionuar për këtë nominim.

“Jam shumë e entuziazmuar dhe po aq e emocionuar që kam arritur ta njoh këtë rol,” – tha Lopez.

Artistja e njohur u nominua për herë të fundit në Golden Globe në vitin 1997 për rolin e saj në filmin “Selena”. /KultPlus.com

Dhjetë mësime të mrekullueshme nga ‘Alkimisti’

“Alkimisti” i Paulo Koelhos ëstë një nga librat më të shitur të historisë. Historia e Santiagos, bariut që udhëton për ta realizuar “Legjendën vetjake” ka frymëzuar njerëz nga e mbarë bota që t’i jetojnë ëndrrat e tyre.

Më poshtë lexojini pjesët më të njohura që duhet t’i aplikoni në jetën tuaj:

1. FRIKA ËSHTË PENGESË MË E MADHE SE VETË PENGESA
Thuaji zemrës tënde se frika nga vuajtja është më e keqe se vetë vuajtja. Dhe se asnjëherë zemër nuk ka vuajtur ndonjëherë kur është nisur në kërkim të ëndrrave të saj, sepse çdo sekondë e kërkimit është një sekondë i takimit me Zotin dhe përjetësinë. Secili kërkim i ri kërkon të hysh në toka të pashkelura – kjo është e frikshme. Por me çdo rrezik të madh vjen shpërblim i madh. Përvojat që fiton duke ndjekur ëndrrën tënde do t’i japin vlerë gjithë kësaj.

2. AJO QË ËSHTË “E VËRTETË” ÇDOHERË DO TË MBETET
Nëse ajo që dikush e gjen është e bërë nga materia e dëlirë, nuk do të prishet asnjëherë. Dhe mund të kthehesh çdoherë tek ajo. Nëse ajo çfarë ke gjetur qe veç një moment drite, si shpërthimi i një ylli, kur të kthehesh nuk do të gjeje asgjë. E vërteta nuk mund të mbulohet me tym – ajo çdoherë do të qëndrojë e sigurtë. Kur e kërkon vendimin “e duhur”, ky do të jetë ai vendim që i reziston testit të kohës dhe peshës së shqyrtimit.

3. THYEJE MONOTONINË
Kur secila ditë është e njejtë me tjetrën, kjo është sepse njerëzit dështojnë në njohjen e gjërave të mira që ndodhin në jetët e tyre çdo ditë që dielli lind. Falënderimi është praktika e gjetjes së të mirës në secilën ditë. Jeta lehtë mund të bëhet e ndenjur, e zakonshme dhe monotone, por kjo ndryshon varësisht nga ajo që ne zgjedhim të shohim. Ka çdoherë një anë të mirë, nëse e kërkon.

4. PËRQAFOJE TË TASHMEN
Sepse unë nuk jetoj as në të kaluarën as në të ardhmen. Më intereson vetëm e tashmja. Nëse mund të koncentrohesh çdoherë në të ardhmen, do të jesh i lumtur. Nuk ka asnjë domethënie të jetosh në të ardhmen dhe ta lejosh atë të të definojë, as të humbesh dhe të jesh anksioz për të. Por në çastin e tanishëm, ti je në fushën e mundësisë – mënyra se si të ndërvepron me të tashmen do ta drejtojë jetën tënde.

5. SUKSESI YT ËSHTË ME EFEKT VALËZIMI
Kjo është çfarë bëjnë alkimistët. Ata na e shfaqin se, kur përpiqemi të bëhemi më të mirë nga sa jemi, çdo gjë përreth nesh bëhet më e mirë gjithashtu. Rritja, ndryshimi dhe evolucioni janë të thurrura në pëlhurën e realitetit. Duke u bërë version më i mirë i vetes, krijohet një efekt valëzimi që i bën mirë gjithçkaje rreth teje: mënyrës së jetesës, familjes, miqve dhe komunitetit.

6. MERRE VENDIMIN
Kur dikush merr një vendim, zhytet në një rrymë të fuqishme që do ta dërgojë në vende për të cilat asnjëherë nuk ka ëndërruar kur në fillim e ka marrë vendimin. Është e lehtë të hutohesh nga e panjohura dhe detajet e imëta të ëndrrave tua. Veprat do të rrjedhin nga vetëbesimi i vendimit tënd, qëndrimi ulur nuk do të të çojë askund.

7. JI JOREAL
Unë e shoh botën në terma të asaj që do t’më pëlqente to ndodhë, jo të asaj që ndodh në fakt. Disa nga shpikjet më të mëdha nuk do të kishin ndodhur nëse njerëzit do ta kishin pranuar botën ashtu siç është. Arritjet dhe inovacionet e mëdha fillojnë me një mendësi që injoron të pamundurën.

8. VAZHDO TË NGRITESH PËRSËRI
Sekreti i jetës, është të rrëzohesh shtatë herë e të ngritesh tetë. Disa nga romanet më të mëdha të historisë janë botuar pas qindra rrefuzimeve. Shyqyr që ata shkrimtarë nuk janë dorëzuar.

9. PËRQËNDROHU NË UDHËTIMIN TËND
Nëse dikush nuk është çfarë të tjerët presin, ata mllefosen me të. Duket sikur gjithsecili ka një ide të qartë se si duhet të tjerët të jetojnë, por askush nuk di si ta jetojë jetën e vet. Është e lehtë të ndikohemi nga të tjerët, por do të jemi të mjerë nëse përfundojmë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Nuk asgjë të gabuar në marrjen e këshillave dhe të mësuarit nga të tjerët, por sigurohu që kjo përputhet me dëshirat dhe ëndrrat e tua.

10. ÇDOHERË VEPRO
Ka vetëm një mënyrë për të mësuar. Kjo është veprimi. Mund të studiosh, të lexosh, të dëgjosh por përvoja e plotë është atëherë kur vepron. Kur të përfundosh me shënjestrimin, tërhiqe këmbëzën./supergrate/ KultPlus.com

Fotografitë mahnitëse të Ushtrisë së Kosovës gjatë detyrës

Ushtria e Kosovës kohët e fundit na ka bërë shumë krenarë, duke treguar se edhe pse një shtet i ri e me një ushtri të re, nuk posedon asgjë më pak se ushtritë e shteteve tjera, shkruan KultPlus.

Pjesëtarët e FSK’së, gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore, ashtu që jeta, figura dhe dinjitetit i pjesëtarit dhe familjes janë të paprekshme.

Detyrat e përgjithshme të Ushtrisë së Kosovës janë: Mbrojtja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, Mbrojtja e qytetarëve dhe komuniteteve të Republikës së Kosovës, Mbështetja ushtarake autoriteteve civile si dhe Pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare.

Armatimet që ka të drejtë t’i zotërojë do të jenë të gjitha armatimet që janë anti blind duke përfshirë edhe topat deri në 105 mm, ndërkaq do të ketë akses të plotë në gjitha llojet e armëve kundërairore.

Ministria e Mbrojtjes, kakompetencë mbikëqyrjen dhe menaxhimin e të gjitha veprimtarive të inteligjencës dhe informacioneve të klasifikuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në vijim mund të shikoni disa fotografi që paraqesin Ushtarët e Kosovës, gjatë detyrës së tyre. / KultPlus.com

Fehmi Shaqiri dekorohet me titullin “Mjeshtër i Merituar”

Me titullin “Mjeshtër i Merituar” është dekoruar sot Fehmi Shaqiri, duke u vlerësuar për kontributin e tij në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtar, shkruan KultPlus.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes llogarisë së tij sociale Facebook ka njoftuar për këtë gjë, ku është shprehur se Shaqiri i ka dhënë shumë kulturës sonë.

“Me çmimin “Mjeshtër i Merituar”, sot e dekorova Fehmi Shaqirin, i cili me dekada të tëra ka kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Ai i ka dhënë shumë kulturës sonë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në diasporën shqiptare. Familja Shaqiri në vazhdimësi ishte e angazhuar për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar”, ka shkruar Thaçi. / KultPlus.com

Artistët shqiptarë organizojnë mbrëmje koncertale bamirësie në Teatrin Oda

“Në gjirin tim kam hapur varr, Që t´i jap shpresë – edhe t´ja marr”, me këto vargje të Lasgush Poradecit, artistët shqiptarë kanë bërë ftesë për të gjithë adhuruesit e muzikës e poezisë, të marrin pjesë në mbrëmjen koncertale të bamirësisë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja koncertale e datës 18 dhjetor, do të mbledhë në Teatrin Oda, artdashës të muzikës dhe poezisë për një mbrëmje të veçantë, jo vetëm për nga muzika e interpretuar, përjetimet personale të artistëve, poezitë por edhe për nga qëllimi i aktivitetit të organizuar.

Koncerti i përvitshëm “Udhëtim dimëror” – Jazz dhe Poezi; me muzikantë e aktorë, vendas e të huaj, këtë herë realizohet për të kontribuar drejtpërdrejtë në ndihmë të vëllezërve, motrave dhe familjet e prekura nga tërmetet e fundit në Shqipëri.

Artistët që do të marrin pjesë në këtë mbrëmje janë: Ilir Bajri, Eda Zari, Elina Duni, Visar Kuçi, Armend Xhaferi, Fatlume Bunjaku, Tavitjan Brothers, Gent Rushi dhe Shpat Deda.

Të ardhurat e këtij koncerti do të shkojnë, direkt për familjet e dëmtuara nga tërmeti, atyre me pasoja traumatike, me një bilanc të frikshëm humbjesh gjithëpërfshirëse.

Iniciatorë dhe organizatorë janë artistët dhe Teatri ODA.

Hyrja është 12 Euro. Të gjithë mund të kontribuojnë sipas mundësive në Teatrin ODA, në kutinë e vendosur për këtë qëllim natën e koncertit, e cila do ketë pranë një Formular të Protokolluar, mbajtur me emrat e secilit nga pjesëmarrësit. / KultPlus.com

‘Eurodram’ bën thirrje të hapur për drama në gjuhën shqipe

Komiteti Shqiptar i EURODRAM, publikon këtë thirrje të hapur për drama në gjuhën shqipe, për vitin 2019-2020.

Për këtë sezonë, 2019- 20, komiteti shqiptar është i ngarkuar që të përzgjedhë drama nga autorët shqiptar, të shkruara në këto 5 vitet e fundit.

Dramat, jo domosdoshmërisht duhet të kenë qenë të inskenuara apo botuara më përpara. Përjashtohen dramat të cilat kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme të EURODRAM-it
Dramat mund të dorëzohen nga autorët, botuesit, agjentët etj. në këtë e-mail adresë më poshtë, me titullin: EURODRAM 2019 në [email protected]

Propozimet duhet të përfshijnë dramën e plotë, një përmbledhje të shkurtër të dramës (synopsis), një biografi të shkurt të dramaturgut/es, një faqe faktesh (data dhe vendi i shkrimit, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim dhe produksionet eventuale të mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme.
Përzgjedhjet e tri dramava më të mira nuk nënkuptojnë ndonjë shpërblim me pagesë.
Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit e ndryshëm lokal e ndërkombëtar për ta vënë në skenë apo botuar dramën e propozuar

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 30 dhjetor 2019./KultPlus.com

Tryezë shkencore për Ymer Jakën, u konsiderua model i atdhetarit dhe studiuesit

Xhemile Hysenaj

Nuk ka shumë ditë që janë bërë plot 10 vite që kur profesori dhe studiuesi i mirënjohur, Ymer Jaka është ndarë nga jeta, shkruan KultPlus.

Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, Dega e Letërsisë në kuadër të Institutit Albanologjik ka organizuar një tryezë shkencore, ku u trajtua veprimtaria shkencore dhe intelektuale e Ymer Jakës.

Për të nderuar figurën e Jakës, nga Tirana kishte ardhur Tefta Cami, e cila në vitet 76-78′ ishte ministre e arsimit dhe kulturës në Shqipëri, duke bërë kështu që të kishte marrëdhënie të mira me të ndjerin Ymer Jakën, dhe jo vetëm, ajo tregoi se ata ishin bashkëpunëtore në disa projekte që kishin qëllim çështjen kombëtare. ”E kam parë e vlerësuar të ndjerin, profesorin Ymer Jaka, të cilin e kam quajtur mik, vëlla, shok e bashkëluftëtar. Unë kam qenë me fat që si ministre e arsimit dhe e kulturës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të isha pjesë e projektit të madh kombëtar të Shqipërisë, për afrimin e shqiptarëve këtej Drinit, me atdheun amë”, shprehej ajo para të pranishmëve.

Ndër të tjerash, ajo tha se Ymer Jakën e konsideronte si model të atdhetarit dhe studiuesit, për të cilin pohonte të kishte pasur një strategji të qartë në punën e tij të cilat ishin në interes të të gjithë shqiptarëve që përfshihen në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke përfshirë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të zi si dhe të Luginës së Preshevës e të Bujanocit.

”Ymer Jaka rrezatonte modelin e atdhetarit dhe të studiuesit skrupuloz që zgjodhi e trajtoi temën kombëtare, këtë e orientonte dhe e kërkonte edhe nga elita shkencore e studiuesve në Kosovë”, vazhdoi tutje ajo.

E për të nderuar kujtimin dhe veprën e Ymer Jakës, i pranishëm ishte edhe ish drejtori i Institutit Albanologjik, Fazli Syla. Ai tregonte se si bashkë me Jakën kishin punuar në një periudhë mjaft të errët të vendit tonë, duke mos harruar të fliste me adhurimin më të madh për veprimtarinë e tij. ”Si gjeneratë na ka takuar që të jetojmë e të veprojmë në kohë mjaft të errëta për kombin tonë, prandaj politika ishte pjesë e pandashme e jetës dhe punës sonë. Edhe në këto rrethana, profesor Jaka, studiues i dalluar, shquhej për punë të vazhdueshme e shumë të guximshme në reagimet e duhura ndaj çdo situate apo provokimi që sillte politika e kohës”, potencoi ai.

Profesori i nderuar, kishte shumë miq e dashamirë, ndër ta edhe Giuseppe Chiaramonte, i cili nga Palermo kishte dërguar kumtesën që i dedikohej Ymer Jakës, kumtesë kjo të cilën do ta lexonte drejtori aktual i institutit Albanologjik, Hysen Matoshi.

Ymer Jaka ishte njëri nga intelektualët më të afirmuar shqiptar. Ai ishte profesor dhe studiues i mirënjohur si dhe përkthyes i afirmuar që prezantoi Skënderbeun para audiencës franceze, ai poashtu ishte edhe njëri prej shqipëruesve më të veçantë si dhe njëri prej veprimtarëve më të përkushtuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Shumë artikuj e studime të Ymer Jakës, i gjejmë të botuara në revista e gazeta brena dhe jashtë vendit.

Me letrën që kishte ardhur nga Palermo u përmbyllë kjo tryezë shkencore e cila vuri edhe njëherë në pah veprimtarinë shumë të çmuar të profesorit Ymer Jaka. / KultPlus.com

Ambasada e Francës promovon djathin e Sharrit, një prodhimi bujqësor unik

Marie-Christine Butel, ambasadorja e Francës në Kosovë, organizon nesër në Rezidencën e Francës një pritje e cila si qëllim ka promovimin e djathit të Sharrit, përcjellë KultPlus.

Ky aktivitet organizohet në vazhdën e mbështetjes së Francës për krijimin e një treguesi të parë gjeografik në Kosovë. Për disa vite me radhë, ekspertë francezë kanë mbështetur institucionet kosovare dhe prodhuesit e djathit të Sharrit në mënyrë që të sigurojnë njohjen e këtij djathi si një tregues gjeografik-emërtim origjine, domethënë një prodhimi bujqësor unik, cilësia e të cilit është e lidhur me zonën në të cilën prodhohet dhe me njohuri të veçantë në përgatitje.

Me këtë rast, Shefi i kuzhinës franceze Christophe Dovergne do të prezantojë receta bashkëkohore dhe kreative, duke nënvizuar lidhjet ndërmjet kuzhinës franceze dhe asaj kosovare. Anëtar i Akademisë së Kulinarisë të Francës dhe Euro-Toques, Christophe Dovergne është profesor gatimi dhe bashkëthemelues i faqes 750 gram. Ai ndan kohën e tij midis transmetimit të njohurive dhe përgatitjes së librave të gatimit.

Pritja do të bëhet ditën e premte, më 13 dhjetor, në orën 17:30, në Rezidencën e Francës. / KultPlus.com

U hap ekspozita që synon rritjen e vetëdijes shoqërore për vlerën e trashëgimisë kulturore jomateriale

E bartur nga brezi në brez dhe e mbrojtur nga koha dhe teknologjia moderne, trashëgimia e gjallë kulturore është një faktor kyç i diversitetit kulturor, shkruan KultPlus.

Përmes gjuhës dhe traditës gojore shprehen artet performuese, praktikat shoqërore, ritualet dhe festat, krijueshmëria, dija, aftësitë dhe shpirti i popullit nga i cili rrjedhin. Duke ushqyer dhe bartur këtë “trashëgimi të gjallë kulturore” ruhen kultura, historia dhe tradita, të cilat si rrjedhojë nxisin ndjenjën e identitetit dhe vazhdimësisë brenda një grupi njerëzish.
Sot në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita artistike “Trashëgimia kulturore e gjallë e Kosovës: Festimi i trashëgimisë së paprekshme”.

Për të kuptuar dhe paraqitur më mirë këtë fushë kulturore, por edhe për të rritur vetëdijen shoqërore për vlerën dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përkrahur financiarisht projektin “Trashëgimia Kulturore Boshnjake” të implementuar nga Seila Redzepagic.

“Përmes manifestimeve, zejeve të vjetra, ritualeve dhe artit kjo trashëgimi ruhet sot e kësaj dite në Kosovë, megjithëse në masë të vogël. Promovimi dhe prezantimi i pamjaftueshëm, kushtet e dobëta të punës si dhe interesimi i ulët i njerëzve e kanë shtyrë trashëgiminë kulturore jomateriale kohëve të fundit në margjinat e shoqërisë”, është shprehur Seila Redzepagic për KultPlus.

Në ekspozitë ishin të vendosura edhe pikturat e artisteve Binela Karadolami dhe Aida Redzepagic.

Të gjitha punimet e ekspozuara gjithashtu ishin në shitje për vizitoret që duan të kenë diçka nga kjo ekspozitë.

Projekti përfshiu gjithashtu një workshop të titulluar “Fija që na bashkon”, i cili bëri bashkë 12 vajza të reja nga komunitete të ndryshme të Kosovës, të cilat nën udhëheqjen e dy mësueseve, arritën të mësojnë bazat e qëndisjes, thurjes me grep dhe thurjes me dorë, si dhe riciklimin e materialeve të punuara me dorë për përdorim në të ardhmen.

Kjo ekspozitë është pjesë e projektit “Trashëgimia Kulturore Boshnjake” i cili është një grant individual nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe zbatohet nga Šeila Redžepagić.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në orën 16:00. / KultPlus.com

Isopolifonia mblodhi në Vlorë dhjetëra artistë, çmimin “Haxhi Dalipi” e merr grupi i Gramshit

Dhjetëra artistë nga zona të ndryshme të vendit u mblodhën në Vlorë për edicionin e XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso – Polifonisë.

Pjesëmarrës ishin artistë të të gjitha moshave që interpretuan me grupet e polifonisë labe dhe toske nga Gramshi, Belshi dhe Shpati, Tërbaçi, Mallakastra, Gjirokastra, Skrapari, Vranishti, Livadhja dhe Finiqi dhe natyrisht Vlora.

Juria ndau disa çmime për kontribut të gjatë dhe interpretim me nivel të lartë artistik.

Çmimin Special “Haxhi Dalipi”  e fitoi Neki Zhupani nga Gramshi, ndërsa Çmimin e Parë “Neço Muko” e mori ansambli folklorik i qarkut Elbasan, të dytin e mori grupi polifonik Miks “Shën Dëlli” dhe “Gjergj Arianiti” nga Bashkia Mallakastër.

Iso-Polifonia vokale shqiptare është shpallur nga UNESCO “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” dhe mbrohet po prej saj.

Ndërsa Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike ndau tre çmime mirënjohje për rapsodin Hamdi Pulo (pas vdekjes), si dhe këngëtarët Sinan Gjoleka e Piro Latifi.

Ky festival zhvillohet çdo vit për mbrojtjen, ruajtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipërinë e pas viteve ‘90.

Çmimet në Edicionin e XIII-të të Festivalit Kombëtar të Iso-polifonisë:

-Çmimi Special “Haxhi Dalipi” – fitues Neki Zhupani, Gramsh

-Çmimi i parë “Neko Muço” – fitues Ansambli Folklorik i Qarkut Elbasan

-Çmimi i dytë “Demir Zyko” – fitues grupi polifonik “Shëndëlli” dhe “Gjergj Arianiti”, Mallakastër

-Çmimi i dytë “Xhevat Avdalli” -fitues grupet polifonike Qarku Gjirokastër

-Çmimi i tretë “Arap Çeloleskaj” – fitues, Ansambli folklorik i Bashkisë Skrapar

-Çmimi i tretë “Dhimitër Varfi” – fitues, Grupi polifonik i Dukatit

-Çmimi Marrësi më i mirë – fitues Robert Prifti, Vlorë

-Çmimi Marrësja më e mirë- fituese Shpresa Kapaj, Tërbaç, Vlorë

-Çmimi i karrierës – grupi polifonik “Bilbili”, Vlorë

-Çmimi i 75 Vjetorit të Çlirimi – fitues grupi polifonik Çipini. / atsh. KultPlus.com


Nesër grevë dyorëshe në shkollat e Kosovës

Kryetari i SBASHK-ut së bashku me kryesinë, në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë, nesër i nisin bashkërisht veprimet sindikale.

Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.

Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30.
Greva në Universitete fillon në orën 8 deri në orën 10.
Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.

Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale. / KultPlus.com

Ariana Grande e kryeson listën e Billboard për albumet e vitit

Albumi i Ariana Grande “Thank U, Next”, e kryeson listën vjetore të albumeve në Billboard.

Albumi, i cili i përmban hitet “Thank U, Next” dhe “Break Up With Your Girlfriend, I’m Bored”, e ka mposhtur këngën e Billie Eilish, “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?” dhe “Lover” nga Taylor Swift për t’u vendosur në pozitën numër një, shkruan KOHA Ditore.

Top-pesëshja femërore përfshin gjithashtu “Cuz I Love You” të Lizzos dhe “Heard It in a Past Life” të Maggie Rogers, ndërsa top 10-ja e përmban “Norman F**ing Rockwell” të Lana Del Rey, “IGOR” nga Tyler the Creator, dhe “Kirk” nga DaBaby. / KultPlus.com

Frymëzuar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit hapet ekspozita “Mos”, sfidon rendet patriarkale në shoqëri

Qendrim Badalli

“Çika e nanës, amanet për s’gjalli, runa ftyrën, nderin e derën”, ishte një pjesë që ishte shkruar në njërën nga punimet në ekspozitën “Mos” nga Ardhmerie Bregovina dhe Nora Potera dhe me kuratore Blerta Hoçia, ekspozitë kjo që është hapur dje në Galerinë e Arteve në Prishtinë dhe që ka për synim sfidimin e normave patriarkale në vendin tonë, shkruan KultPlus.com

Të rijnë të shumtë që kishin mbushur hapësirën e galerisë formuan një rreth para të cilit dolën dy autoret e kësaj ekspozite, të cilat nën fotografitë dhe duartrokitjet e vazhdueshme të të pranishmëve, me shumë emocione shprehën falënderimet për ata që kanë kontribuar për këtë organizim si dhe qëllimin e kësaj ekspozite.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Ardhmerie Bregovina, fillimisht ka folur për tematikat që trajton kjo ekspozitë.

“Mos” vjen si revoltë nga femrat për femrat, faktikisht kjo ka nisë si frymëzim nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kemi trajtuar vepra të ndryshme, kemi trajtuar këngë që iu këndohen çikave në ditët e dasmës, kemi trajtuar atë piramidën e famshme, mashkulli lartë kurse femra poshtë, gjithashtu kemi trajtuar edhe pjesën e traumave të femrave nga këto tema”.

Tutje, Bregovina ka thënë se objektivi i kësaj ekspozite është që të lënë gjurmë në këtë shoqëri por se duhet pritur për rezultatet.

“Pikënisja dhe synimi jonë është që të kemi impakt në shoqëri përmes kësaj ekspozite, tash na duhet të presim çfarë po rezulton”.

Në një intervistë për KultPlus, Nora Potera, ka bërë një falënderim për të gjithë ata që i kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Kisha dashur ta bëj një falënderim për organizatën CEL sepse e gjitha kjo ekspozitë vjen në fakt si rrjedhojë e mbështetjes nga kjo organizatë dhe po ashtu i jemi falënderues edhe të gjithë të tjerëve që na kanë ndihmuar, dhe siç thuhet tek ne “ju kthefshim për të mirë”.

Edhe Potera ka thënë se shtylla kryesore e ekspozitës ka qenë pozita e grave dhe vajzave në vend.

“Bazamenti i ekspozitës gjendet tek roli dhe pozita e grave dhe çikave në Kosovë. Kemi marrë disa elemente të ndryshme të kulturës tonë, duke filluar nga Kanuni dhe këngët popullore dhe të disa gjërave tjera që përbëjnë kulturën tonë. Jemi munduar që me pak punë me fol shumë”.

Ekspozita që është hapur dje do të jetë e hapur për publikun deri më 15 dhjetor. / KultPlus.com

Ava Max në listë për këngët më të mira të vitit 2019 nga “The New York Times”

“The New York Times” ka publikuar listën e këngëve më të mira të vitit 2019, shkruan KultPlus.

Këngëtarja me origjinë shqiptare Ava Max hyn në listën e këngëve më të mira të vitit.

Lizzo, Ava Max dhe Post Malone kanë bërë këngët më të mira këtë vit.

Ava Max në llogarinë e saj në Instagram ka reaguar dhe është shprehur shumë e lumtur.

“Faleminderit #Nytimes! Më duket e pabesueshme të jem në një listë me dy prej artistëve të mi të preferuar dhe të cilët unë i admiroj. Fillova dhe i dhashë vetes kohë 15 vite, e me pas kurrë nuk u dorëzova. Rruga deri këtu ka qenë e vështir dhe vazhdon të jetë. Por, unë vetëm sa kam filluar. Po ju paralajmëroj, unë ende nuk e kam publikuar albumin tim!”, ka shkruar Max.

Amanda Ava Koci e njohur profesionalisht me emrin Ava Max, është një këngëtare amerikane dhe kompozitore. Sa i përket etnicitetit të saj, Ava Max është shprehur se është 100% shqiptare. Ajo mori famë me këngën “Sëeet but Psycho”, këngë e cila qëndroi në krye të toplistave në 17 shtete të botës.

Ava Max është rritur duke dëgjuar muzikën e këngëtarëve si Mariah Carey dhe Ëhitney Houston. Ajo ka cituar Madonnën, Gëen Stefan, Fergie, Britney Spears dhe Christina Aguilera si disa prej influencave të saj.

Kënga “Sweet but Psycho”, u publikua në 17 gusht 2018. Kjo këngë, me producent Cirkut, u shndërrua në hit, duke u listuar në krye të toplistave në dhjetëra vende përfshirë këtu Suedia, Finlanda dhe Norvegjia. Max u bë pjesë e albumit “7” të David Guetta, konkretisht në këngën me titull “Let It Be Me”. / KultPlus.com

Distria Krasniqi kualifikohet në finale të Mastersit të Kinës

Medalistja e bronztë botërore në xhudo, Distria Krasniqi, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj.


Ajo u kualifikua në finale (-48 kg) të njërës prej garave më të forta në xhudo, Mastersit të Qingdaos së Kinës.

Xhudistja kaloi rrethin e parë pa luftë, më pas mposhti Katharina Menz të Gjermanisë, ndërsa në çerekfinale mundi Orgintsetseg Galbadrakh të Kazakistanit.

Në gjysmëfinale kaloi pengesën Urantsetseg Munkhbat të Mongolisë, ndërsa në finale do të përballet me një tjetër mongoleze, Narantsetseg Ganbaatar. Blloku final fillon pas një ore.

Sot garoi edhe Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, por që kampionia dhe nënkampionia e Evropës u ndalë në luftën e parë nga Jisu Kim e Koresë së Jugut. / KultPlus.com

Çatia e vjetër

Poezi nga Dritëro Agolli

Ky dimër do ketë shira dhe erëra shumë,
Këtë e ndiej se kockat më dhëmbin ;
Do të ketë breshër , dëborë e furtunë,
Të gjitha këto do na çmëndin !

Ndaj mendja më shkon në shtëpinë,
Strehën e nënës së ngratë;
S’ia ndreqa dot në verë çatinë,
S’më dilnin paratë.

Tani çatia e vjetër do rrjedhë
Dhe trualli do bëhet lara-lara nga pellgjet ;
Nëna supit batanien e grisur do hedhë
Dhe si guriçkë në qoshen e thatë do dergjet .

Megjithatë nga andej s’do t’i iket,
Le ta mërzisin pikat në truallin e lagur;
Si një kandil gjer në vajin e fundit do digjet
Nën strehën që bashkë me të është plakur. / KultPlus.com

“Me tana” e Elvana Gjatës thyen rekord, mbi 1 milion shikime në YouTube për pak ditë

Këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës në RTSH janë publikuar para disa ditësh dhe menjëherë pas publikimit publiku ka vërshuar që t’i dëgjoj ato. Por, kënga e Elvana Gjatës ka thyer rekord të klikimeve, shkruan KultPlus.

“Me tana”, ka marr mbi 1 milion shikime në YouTube për pak ditë, diçka që deri tani nuk ka ndodhur me asnjë këngë pjesëmarrëse në këtë festival para pjesëmarrjes në Eurovision.

Tekstin dhe muzikën e kësaj kënge Elvana i ka krijuar vetë.

Fituesi i këtij festivali shkon automatikisht në Eurovizion.

Në këtë festival po marrin pjesë edhe artistë të shquar si: Tiri Gjoci, Arilena Ara, Eli Fara, Era Rusi, Bojken Lako e të tjerë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=wPIX3jhXxsE

Ish-diplomatja, promovuese e kulturës shqiptare, tani finaliste për çmimin e përkthimit në Francë

Ish-diplomatja shqiptarëdashëse, Evelyne Noygues e cila njihet si promovuese e kulturës shqiptare në Francë dhe përkthyese, tani është ndër katër finalistët për çmimin kryesor të përkthimit “Pierre-François Caillé”  për librin “Bala i Vogël” të autorit Ridvan Dibra, shkruan albinfo.ch.

Kujtojmë se përkthyesja, Evelyne Noygues shkoi në Shqipëri në vitin 1988 për studimet e saj dhe banoi atje nga viti 1991 deri në vitin 1994 për të punuar në frëngjisht dhe shqip. Tani ajo kthehet rregullisht në Shqipëri për projekte letrare dhe artistike. / KultPlus.com

Kosova bëhet me shtëpi botuese muzikore, sot promovohet botimi i parë

Kompozitori, Liburn Jupolli, ka bërë të ditur se në Kosovë është hapur shtëpia botuese muzikore “Magmus”.

“Kjo është një shtëpi botuese e re për botim të muzikës partiturave, veprave muzikore, studimeve muzikore ku ka nota”.

“Magmus vjen si një lloj ëndrre dhe dëshirë, po ashtu edhe nevojë e skenës muzikore në Kosovë për të dokumentuar muzikën klasike në Kosovë, sidomos atë te kompozitorëve”.

Jupolli tha se vepra e parë që ata kanë botuar është “MOVING LANDSCAPES” nga kompozitori dhe profesori Drinor Zymberi.

“Ky kompozim është njëri nga më të mirët në tre vitet e fundit, po ashtu ka luajtur edhe një rol të madh brenda kulturës muzikore. Kjo është vepër që Kosovës i ka sjell një njohje shumë të lartë”.

“Gjithashtu, për botim kam edhe kompozime të tjera të kompozitorëve të ndryshëm. Po ashtu do të fillojmë edhe me arkivimin e veprave të kompozitorëve”, tha Jupolli në Klan Kosova.

Sot gjithashtu do të promovohet nga ora 18:00 vepra e parë e botuar “MOVING LANDSCAPES”. / KultPlus.com

29-vjetori i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë sot shënon 29-vjetorin e themelimit. Kjo lidhje e arsimtarëve ishte themeluar me qëllim që të kërkonte të drejtat në arsim, duke kundërshtuar planet diskriminuese që Serbia kishte bërë ndaj arsimit në Kosovë.

Njëri nga themeluesit, Rexhep Osmani kishte deklaruar kohë më parë se qëllimi Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ishte që të bllokonte synimin e Serbisë për ta shkatërruar arsimin në Kosovë.

“Serbia pretendonte që të gjitha kompetencat e sistemit arsimor të Kosovës t’i bartë në Serbi, synonte t’i impononte plan-programet në Kosovë. Po ashtu, filloi t’i emëronte drejtorët e shkollave dhe inspektorët që i sillte nga Serbia, por falë bashkimit në një rezistencë, ne filluam të bënim plan-programet, zgjedhjen e drejtorëve dhe të tjera. Me këtë rast filloi terrori i Serbisë mbi arsimin në Kosovë, ku së pari janë ndalur pagat, pastaj filloi t’i mbyllë shkollat, deri në shtator të vitit 1991 ku mbylli të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Disa shkolla u bënë edhe kazerma të ushtrisë serbe, kurse ne e rifilluam mësimin në shtëpitë private”, kishte deklaruar ai.

Lidhja ishte themeluar më 12.12.1990, ku kishin marrë pjesë 250 delegatë. LASH-i kishte përcaktuar frymën e një rezistence masovike kundër planeve diskriminuese serbe ndaj arsimit shqiptar në Kosovë. /21media/ KultPlus.com

166 milionë fëmijë në botë nuk janë të regjistruar

Në botë janë ende 166 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç, që nuk janë të regjistruar.

Sipas të dhënave nga UNICEF-i një në katër fëmijë nuk janë regjistruar, apo 20 përqind në nivel botëror.

Hapa të mëdha janë bërë sidomos në Bangladesh, Indi dhe Nepal, ndërsa në fund për përparimet e bëra janë Etiopia, Zambia dhe Çadi.

“Një fëmijë që nuk regjistrohet, kur lindet, është ‘i padukshëm’, nuk ekziston për qeverinë ose ligjin. Pa prova që vërtetojnë identitetin, shpesh fëmijët përjashtohen nga shkollimi, kujdesi mjekësor apo shërbime të tjera jetësore dhe janë më të prekshëm nga shfrytëzimi dhe abuzimi”, deklaroi Henrietta Fore, drejtoresha e UNICEF. /KultPlus.com

Akademiku shqiptar: Tërmeti zbuloi një shtet prej kartoni

Akademiku i mirënjohur Moikom Zeqo foli sot për tërmetin e 26 nëntorit, pasojat dhe gjithçka ndodhi pas fatkeqësisë natyrore.

Zeqo u shpreh se tërmeti zbuloi një shtet prej kartoni, ndërsa ka shtuar se fatkeqësisht në vend mungojnë specialistët. Ai deklaroi se është pesimist për ringritjen e monumenteve të kulturës.

“Dëmet nga tërmeti kanë qenë të shumta. Dëmtimet ishin të shumta në Durrës e Thumanë. Ka dy elementë të gabimit njerëzor, e para ndërtimet në zona Kënetore në Durrës dhe gabimi i dytë njerëzor është se disa banesa që ishin shpallur të pabanueshme, u banuan. Pushteti vendor gaboi, por nuk kam dëgjuar që kryebashkiakët të kërkojnë falje. Një analizë e thellë do të nxirrte përgjegjësitë. Duhet një mea culpa e pushtetit vendor. Më 26 nëntor 2019 kishim një shtet prej kartoni.

Vështirë të ringrihen monumentet e kulturës që janë dëmtuar nga ky tërmet. Kjo sepse mungojnë specialistët. Unë kam kritikuar edhe Ministrinë e Kulturës. Nuk kishim një shtet të emergjencës. Kjo administratë nuk ka specialistë, por ka njerëz të komanduar në punë. Administrata është e papërshtatshme, Kryesisht vënë njerëz me njohje e nuk ka specialist. Unë kam ngritur zërin që Ministria e Kulturës të restaurojë ata ndërtesa historike që u shkatërruan. Ne nuk kemi specialistë për të bërë rikonstruksione. Nuk e kuptoj sesi ne heshtim përballë kësaj kasaphane. Nuk ishte pabesi, natyra ka punët e saj. Durrësi ka pësuar tre tërmete, edhe dy më herët në shekullin e parë dhe të katërt. Vdekja e 51 persona është bilanc i rëndë për vendin. Edhe dëmi ekonomik ishte i madh”, tha Zeqo në News 24.

Moikom Zeqo theksoi se ky tërmet ka bërë që te njerëzit të ketë panik, ndoshta si kurrë më herët.

“Tërmeti i 2019 është tërmeti më i madh i këtij shekulli. Por ka pasur edhe tëmet të fuqishëm Shqipëria më 1979. Tërmeti i 1979 ka qenë më i tmerrshëm. Ka pasur epiqendrën në Mal të Zi dhe më së shumti ka goditur veriun, Shkodrën, Dibrën dhe shumë zona veriore. Mirëpo tërmeti i 2019 ka qenë shumë i kushtueshëm dhe tepër i ndjeshëm. Hera e parë konstatova elementin e panikut. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjëherë këtë lloj paniku si më herët. Dy vëllezërit e mi që jetojnë në Durrës ikën nga shtëpia për 3 javë. Ky element i panikut është në natyrën njerëzore, por këtë herë ishte më i theksuar, pasi 40 për qind e banorëve të Durrësit ikën dhe sigurisht janë kthyer”, tha Zeqo.

Studiuesi Moikom Zeqo foli edhe për tërmetin e vitit 1979, duke thënë se në atë kohë kishte më tepër solidaritet njerëzor. Zeqo kritikoi qeveritarët e sotëm për faktin se nuk kanë ndihmuar sa duhet, ndërsa nënvizoi se media ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këto ditë fatkeqësie.

“Shteti ndihmoi në tërmetin e 1979, kishte shembull të solidaritetit popullor. Mirëpo, ishte edhe fryma se ne bëjmë gjithçka vetë, ekzistonte kjo frymë. Në vitin 29179 kishte dashamirësi, kishte njezërllëk, solidaritet. Ne kemi pushtetarë të pasur, por nuk kam dëgjuar që politikanët tanë të japin shumë. Unë mendoj se media e tanishme është më e fuqishme se në atë kohë. Kjo media e sotme ka bërë një detyrë të jashtëzakonshme historike. Pra, është marrë me këtë dukuri mirë. Kjo medie nuk mund të kritikohet kaq rëndë. Kudo ka eksese, por roli i gazetarëve ka qenë i madh jashtëzakonisht”, u shpreh Zeqo. Ora News / KultPlus.com

Studentët e Universitetit ‘Kadri Zeka’ kërkojnë të mos ulen kriteret për bursa

Studentët në Gjilan nuk janë duke u pajtuar me vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” i cili ka zbutur kriteret e bursave për vitin akademik 2019-2020.

Studentët kërkojnë që si kriter për përfitimin e bursës të jetë nota mesatare 8.5 dhe 9, i cili kriter është i drejtë për një student i cili është i dalluar përgjatë një viti akademik.

Sipas tyre, kjo zbutje e kritereve nuk është e drejtë ngase në këtë mënyrë përfitojnë studentët që s’janë të dalluar, raporton Koha.net.

Studentët pakënaqësinë e tyre e kanë shprehur brenda hapësirave të Universitetit duke kërkuar nga Këshilli Drejtues që të merren parasysh ankesat e tyre.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Dritor Mehmeti, deklaron se kriteret për bursat nuk duhet të ndryshohen nga vit në vit meqë nuk është në të mirën e studentëve dhe të ngritjes së cilësisë. Ai thotë se Universiteti ka fond të mjaftueshëm për ndarjen e bursave të cilat duhet të jenë të dinjitetshme dhe me kritere.

“Këshilli Drejtues ka marrë vendim që si kriter për bursë të jetë nota mesatare 8.0 në fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe në fakultetin e Edukimit, kurse 8.5 në fakultetin Juridik dhe Ekonomik. Kjo për ne është e papranueshme dhe kërkojmë që kriteret të jenë ashtu siç janë në Universitetet e tjera publike. Edhe në Universitetin tonë kërkojmë që kriter për bursa të jetë nota mesatare 9.0 në fakultetin e Edukimit, Juridik, Ekonomik kurse 8.5 të jetë në fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Për çdo vit ka ndërrim të kritereve dhe shuma asnjëherë nuk ka qenë stabile”, ka thënë ai.

Edhe studentët pajtohen se nuk duhet të ketë ulje të kritereve sa i përket përfitimit të bursave.

“Mendoj se është bërë një lëshim sepse ulja e notës mesatare do të paraqet rritje të numrit të bursisteve. Kurse ne po kërkojmë që të respektohen kriteret dhe të kemi një bursë të dinjitetshme për studentët e dalluar”, ka thënë studenti Jasmin Aliti.

Kurse studentja Adelina Ajeti deklaron se studentët e dalluar nuk duhet të trajtohen në këtë mënyrë. “Jemi mbledhur si bursistë që të tregojmë që jemi kundër sepse na prek në dinjitet neve si studentë. Vitin e parë ka qenë 9.5 për marrjen e bursës ndërsa tash kushti është që nota mesatare të jetë 8.5. Është ulje e kriterit minimal për të marrë bursën. Për këtë arsye mendojmë se cilësia në këtë rast nuk është në nivelin e duhur nëse ka ulje të kritereve”, ka thënë ajo. Koha.net / KultPlus.com

Momente nga jeta e shkrimtarit Leo Tolstoy

Kur ishte në universitetin e Kazanit nuk rrinte shumë me shokët, me të cilët pothuaj nuk njihej. Rrinte gjithnjë në një nga bankat më të largëta nga profesori. Këtë e bënte se gjatë mësimit lexonte vepra letrare dhe filozofike.

* Kur poezitë në prozë të Turgenievit patën në Rusi sukses të madh, Leon Tolstoi provoi të shkruajë dhe ai në këtë gjini. Për të pasur një gjykim sa më të paanshëm për punët e tij, ia dërgoi materialin me pseudonim një revistë që drejtohej prej një miku të tij. Tolstoi atëherë ishte i famshëm dhe shkrimi i tij si do që të ishte do të botohej, prandaj nuk e përdori emrin e vet. Redaktori e ktheu dorëshkrimin si të pabotueshëm, sepse autori nuk e kishte ende përvojën në artin e të shkruarit.
Tolstoi nuk thuri më kurrë poezi në prozë.

* Tolstoi prekej shumë shpejt. Turgenievi, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh që ishte zemëruar me të, shkoi për ta takuar në Jasnaja Poljana. Gjatë ditëve që ndenji atje foli shumë për veprat e tij dhe i lavdëroi ato.
Pasi u kthye Turgenievi, Tolstoi i shkroi: “Kur dëgjoj për veprat e mia provoj një ndjenjë komplekse, ku elementi kryesor është turpi dhe dyshimi se po më tallin. Megjithëse besoj në mirësinë tuaj më duket se ju keni qeshur me veprat e mia.
Më mirë do të jetë që të mos flasim më këtej e tutje me njeri-tjetrin”.

* Tolstoi ishte supersticioz dhe shpesh thoshte se numri 28 kushtëzohej me disa gjëra të jetës së tij. Ai kishte lindur me 28 gusht 1828 dhe ishte martuar në datën 28. Më 1910 i biri i tha një ditë i shkujdesur:
– Ki kujdes baba se këtë vit t’i mbush 82 vjeç dhe numri 82 është 28-ta e përmbysur.
– Ndoshta, – u përgjigj Tolstoi, – bëre mirë që ma the. Ai vdiq atë vit.

* Një ditë kur po shëtiste me kalë me të birin humbi rrugën në mes të pyllit.
– E di se ku jemi këtu? – e pyeti djalin.
I biri i tha se Jasnaja ishte përpara tyre. Dhe Tolstoi donte të kthehej në shtëpi, duke ndjekur atë drejtim.
– Është e pamundur, – i tha i biri, – nga kjo anë ka shumë ferra që do të na i çjerrin duart.
Tolstoi nuk deshi të kthehej mbrapa dhe i tha të birit:
– Sidoqoftë le ta provojmë! Vazhdoi të ecte me kalë dhe ferrat e para nisën të gërvishin. I biri e pa krejt të gjakosur por aspak të shqetësuar.
– Vështro biri im, – i tha, – siç e sheh unë jam çjerrë gjithandej nga ferrat, por ç’rëndësi ka? Unë kërkoj në çdo gjë rrugën e drejtë, dhe në qoftë se do të çirrem ende, prapë do kërkoj rrugën e drejtë që është edhe e vërteta.

* Një ditë shkoi për ta takuar nacionalisti i famshëm Derul dë Pol, që mbronte idenë e fitores ndaj Gjermanisë.
* Leon Tolstoi që zakonisht me të huajt ishte i sjellshëm dhe shumë korrekt, këtë radhë e humbi durimin dhe iu përgjigj:
– Kufijtë duhet të përcaktohen me marrëveshjen e popujve dhe jo me hekur dhe gjak. Dhe kur të ketë njerëz që do ta kuptojnë këtë atëhere nuk do të ketë më luftëra në botë.

* Kur e mbaronte së shkruari një kapitull të romanit ia kopjonte e shoqja ose një nga të bijat. Kjo kopje i duhej shkrimtarit të madh si një skicë për të punuar mbi të. Në pak ditë e mbushte me korrigjime, prishje me laps dhe me shtesa.
– Atëhere kapitulli duhet kopjuar për së dyti. Ka disa kapituj nga romanet e tij që janë kopjuar deri edhe dhjetë herë.

* Kur Tolstoi besonte se kishte arritur qartësinë dhe përsosmërinë e dëshiruar, ua lexonte veprën e re njerëzve të tij të afërm nganjëherë dhe fshatarëve. “Pushteti i errësirës”, u lexua përpara fshatarëve, të cilët nuk e pritën mirë. Në pjesën më emocionale të dramës ata qeshën kur dëgjuan disa fjalë vulgare që përdorte në dialog Tolstoi.

* Tolstoi e donte shumë muzikën, sidomos muzikën e Bethovenit. Kur dëgjoi një pjesë të Bethovenit u emocionua shumë sa iu mbushën sytë me lot, por nga që nuk donte ta kuptonin të pranishmit, i tha së bijës:
– Më jep pak shaminë se më ka zënë rrufa.

* Në shtëpinë e Tolstoit ishin piktori i shquar Rjepin dhe aktori Andrejev. Kur po bisedonin të tre së bashku, një zonjë, e cila kishte ardhur për t’i bërë vizitë zonjës së Tolstoit, u ul në piano dhe nisi të luajë me shumë ndjenjë “Sonatën e Krajtzerit” të Betovenit.
Të gjithëve u la shumë mbresa. Atëherë Tolstoi tha:
– A duhet të bëjmë edhe ne sonatën tonë Krajtzerit? Unë do ta shkruaj, Rrjepini do të pikturojë dhe Andrejevi do ta recitojë.
Propozimi u pranua me entuziazëm, por vetëm Tolstoi e kreu detyrimin e tij.
Tolstoi i tha Gorkit:
– Po të isha mbret, do të nxirrja një ligj që do t’ia ndalonte të drejtën e të shkruarit atij shkrimtari që përdor një fjali kuptimisht të gabuar ose ai që do të bënte gabim gramatikor të fishkëllehej nga lexuesi.
– Si, – u përgjigj Gorki, – po liria e të shkruarit?
– Liria për të shkruar deri sa duhet, por jo liri për të shkruar keq.

* Pas krizës që pësoi më 1880 Tolstoi vishej shumë thjesht pothuaj fare
pa kujdes.
Një herë në Tula u dha shfaqja e një drame të Tolstoit,
Tek artisti që drejtonte shfaqjen u paraqit portieri i teatrit:
– Në hyrje, – i tha, – është një fshatar si gjysmë budalla, që kërkon me
çdo kusht të hyjë në teatër dhe të asistojë në prova. Thotë se ju njeh, po mua më duket e pamundur, sepse është fjala për një fshatar injorant dhe të pagdhendur.
Kryekomiku doli te hyrja dhe u gjend ballëpërballë me Leon Tolstoin që ishte veshur me rroba dhe këpucë të bëra vetë.

Në vitin 1891 Leon Tolstoi ishte i zënë me një punë shumë të rëndësishme. Kur shpërtheu zia e bukës, ai la çdo gjë dhe iu vu punës për organizimin e ndihmave për të uriturit. Atëherë hapi mbi dyqind mensa falas.
Një herë, duke ditur që një grua e ve e varfër fshatare vetëm nuk mund ta korrte grurin, Tolstoi shkoi vetë me drapër në dorë për të ndihmuar, duke punuar përplasi gjurin pas një rrote. Pa u ankuar fare vazhdoi punën. Dhimbja iu shtua shumë. Nga ethet i hipi temperatura e lartë. lu desh të shtrihej në shtrat për disa javë, por nuk u ankua fare.

* Më 25 shkurt 1901 Leon Tolstoi u shkishërua nga Sinodhi i shenjtë. Atë ditë të gjitha kishat e Rusisë kishin lëshuar anathema kundër këtij “armiku të zotit dhe të perandorit”. Tolstoi atëherë ishte në Moskë. Atje po kalonte nëpër një rrugë kryesore. Menjëherë turma e njohu dhe e rrethoi me dashuri të madhe. Njeri prej tyre tha:
– Po ky na paska qenë djalli me fytyrë njeriu?!
Grumbulli i njerëzve e mbuloi me brohoritje dhe me thirrje: “Rroftë Tolstoi”. U desh ndërhyrja e xhandarmërisë për të shpërndarë grumbullin e madh të njerëzve.

* Ditën e shkishërimit, Tolstoi kaloi para pallatit të guvernatorit të përgjithshëm të Moskës. Kur e pa shkrimtarin grupi i ushtarëve, që bënin shërbimin e rojës para portës së guvernatorit, me një lëvizje të menjë-hershme, u vu në pozicion gatitu dhe për nder armë. Tolstoi iu kthye mikut që e shoqëronte dhe i tha duke qeshur:
– Vështro more mik se si këtu te ne në Rusi, i bëjnë nderime ushtarake një krimineli të shtetit që është shkishëruar.

* Drejtori i “Gazetës zyrtare” shkruante në ditarin e tij:
“Në Rusi tani kemi dy Carë: Nikollën II dhe Leon Tolstoin.
Ky i dyti është ndoshta më i fuqishëm se i pari, sepse ndërsa Nikolla nuk mund të bëjë gjë kundër Tolstoit, ky minon çdo ditë e më shumë autoritetin e fronit të Nikollës II në Rusi”.

* Shumë punëtorë shkonin ta takonin Tolstoin që të bindeshin nëse ai vërtetë merrej me punë krahu. Një këpucar erdhi për të parë në se këpucët që kishte bërë Tolstoi ishin të punuara mirë dhe i dha disa këshilla profesionale shumë të vlefshme. Një herë tjetër u paraqit te Tolstoi një njeri i varfër, i zbehtë në fytyrë e me lot në sy. Ai i tregoi se gruan e kishte të sëmurë shumë rëndë nga tuberkulozi. Në pranverë do të vdiste pa tjetër:
– E po, të lutem mjeshtër, të më shkruani një gisht letër dhe të më thoni a do të rrojë gjatë ime shoqe? E si të mos besojmë te Leon Tolstoi? Kështu të paktën ajo do të vdesë e qetë.
Tolstoi u emocionua shumë. Ai ishte gati që ta shkruante letrën, por i tha vizitorit se kështu ai do të bënte një gënjeshtër kurse ai ishte mbrojtësi i së vërtetës absolute.
I varfëri i kërkoi ndjesë. Kur u largua, Tolstoi psherëtiu i hidhëruar, duke menduar se nganjëherë gënjeshtra mund të ketë edhe anën e saj më të mirë.

* Tolstoi në vitet e fundit të jetës së tij ishte kundër artit për art dhe kundër metodave të mësimit të artit nëpër akademi dhe konservatorë.
* Kur po bisedonte me disa miq për këtë temë një nga bashkëbiseduesit i tha:
– E po mirë, le ta zemë se keni arsye dhe po mbyllën të gjitha institutet artistike. Po me çfarë do të zëvendësohen?
Leon Tolstoi u përgjigj: – Vërejtja juaj është njësoj si kjo që do t’ju them tani: sikur ju të kini një ënjtje në faqe nga dhëmballa, vini tek unë dhe unë ua heq dhëmballën e sëmurë. Ju nuk do të kënaqeni me mua dhe do të më thoni:
“Po kjo faqja ime që u shfry me se do të zëvendësohet?”
– Me asgjë, nuk ka nevojë të zëvendësohet, – iu përgjigj bashkëbiseduesi.

* Leon Tolstoi hyri në sallon kur e shoqja po u lexonte fëmijëve një kapitull nga “Lufta dhe Paqja”. Ndenji në këmbë te praku i derës duke dëgjuar dhe kur kapitulli mbaroi tha papritur:
– Sa i bukur që ishte!

* Leon Tolstoit i thanë se në të gjithë fshatin Jasnaja Poljana fshatarët e tij kishin vetëm tri lopata që nuk mjaftonin për punë. Ai nuk pranoi të blejë të tjera duke thënë:
– Më mirë kështu! Fshatarët do t’ia huajnë njëri- tjetrit lopatat dhe do të mësojnë të ndihmojnë dhe të duhen ndërmjet tyre.

* Tolstoi e pati të shoqen një bashkëpunëtore të çmuar…
Një mbrëmje ai i tha:
– Merre këtë letër dhe më shkruaj të gjitha fjalët që të kam thënë kur të kërkova të bëheshe gruaja ime. Shpresoj se do të kujtohesh.
E shoqja mori letrën dhe nisi të shkruante. E gjithë ajo që shkroi dhe që i shoqi e rikopjoi, ishte deklarata e fashme e dashurisë që gjendet te Ana Karenina.

* Një ditë Tolstoit i erdhi një zonjushe. Ajo kishte trashëguar një milion monedha të kushtueshme dhe kërkonte mendim se si t’i përdorte sa më mirë ato.
– Digjeni atë fond, – e këshilloi Tolstoi.
– Si thatë? Po me atë mund të ngrihet një azil për pleqtë ose një konvikt për fëmijët?
– Dhe për këtë doni t’i shpenzoni? Jo, prindërit nuk duhet t’i çojnë prindërit në azil. Digjeni, më dëgjoni mua, është gjëja më e mirë që mund te bëni.

* Tolstoi hapi një shkollë për fëmijët e fshatarëve të tij ku zbatoi një sistem të ri mësimi. Mësimi nuk duhej të jepej mekanikisht dhe me pahir. Kur te nxënësit sbihte lodhje dhe mungesë dëshire për mësim e mbyllte shkollën. Pas një ndërprerje pak a shumë të gjatë ai dëgjoi të trokitnin në portën e tij. Zërat fëminore të nxënësve i thoshnin:
– Ju lutemi hajdeni na bëni mësim, kemi dëshirë të studiojmë. / KultPlus.com