Shpallen nominimet për Golden Globes

Nominimet për edicionin e 77-të të Golden Globes u shpallën sot. 

“Marriage Story,” saga zemërthyese e Netflix kryeson në nominimet për Golden Globes, me gjashtë të tilla, përfshirë dramën më të mirë, në atë që konsiderohet si pararendësja e oskarëve.

“The Irishman”, një tjetër film i Netflix dhe “Once Upon a time in Hollywood” i Quentin Tarantinos, kanë secili nga pesë nominime. “The Crown”, “Chernobyl” dhe trilleri amerikan “Unbelievable”, kryesojnë për sa i takon serive televizive, me nga katër nominime secili. Në garën për filmin më të mirë, përveç “Marriage Story” dhe “The Irishman” të Martin Scorceses janë edhe “Jocker” dhe “Dy papët”.

Filmi i Tarantinos ndërkohë është në garë për muzikën ose komedinë më të mirë, bashkë me satirikun “Jojo Rabbit”, trillerin “Knives Out” dhe “Rocketman”, biografinë e Elton John. Ndërsa në garë për titullin e regjisorit më të mirë janë Scorsese, Mendes, Tarantino dhe Todd Phillips.

Yjet britanike dominojnë në nominimet e këtij viti me Taron Egerton të Rocketman dhe Phoebe Waller Bridge, si pretendentë për çmime. Për sa i takon titullit si aktori më i mirë, në një film dramë, në garë janë Christian Bale për rolin në Ford kundër Ferrarit, Antonio Banderas, Joaquin Phoenix etj. Ndërsa Daniel Craig është nominuar në kategorinë e aktorit më të mirë në një film komedi, bashkë me Leonardo di Caprion dhe Eddie Murphyn.

Ky edicion do të mbahet më 5 janar. / KultPlus.com

Kroacia i bashkohet Kosovës dhe Shqipërisë, bojkoton ceremoninë e Nobelit

Kroacia është shteti i radhës që konfirmon se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsinë. Nesër pritet t’i jepet çmimit austriakut Peter Handke, por Zagrebi thekson se do të bojkotojë për shkak të mbështetjes që shkrimtari i ka dhënë Sllobodan Milloesheviçit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka vendosur që ambasadori i Kroacisë të mos marrë pjesë në ndarjen e çmimit Nobel në Stokholm, për shkak të ndarjes së çmimit për personat e angazhuar politikisht në mbështetjen e politikës së madhe serbe të Sllobodan Millosheviçit në vitet e 90’ta të shekullit të kaluar”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Jashtme të Kroacisë.

Kosova ishte shteti i parë që konfirmoi se do të bojkotonte ceremoninë e Nobelit, duke marrë mbështetjen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Turqia dhe Afganistani janë dy shtete të tjera që kanë njoftuar gjithashtu bojkotin e ceremonisë.

Përzgjedhja e Handke-s si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjërë.

Handke i cili ishte një admirues i madh i Millosheviçit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”.

Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.

Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Millosheviçin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.

Handke poashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviçit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur se “Këtu gjendem për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviçin”. /tch/ KultPlus.com

Çdo grua e ka një të shkuar e nëse ia mban dorën, do të mahnitesh se ç’forcë vazhdon të ketë ajo

Çdo grua e ka një të shkuar…
Ndonjëra mund të jetë abuzuar fizikisht, e një tjetër mund të ketë pasur prindër abu|zues. Ndonjëra mund të ketë pasur probleme të mëdha në adoleshencë, e një tjetër mund të jetë dhunuar seksualisht. Ndonjëra mund të ketë pasur histori të trishtë dashurie, një histori që i ka shkaktuar vuajtje të shumta.

Një tjetre mund t’i jetë inponuar intimiteti në emër të dashurisë. Ndonjëra mund të jetë kër|cënuar nga ish-burri a ish i dashuri, e ndonjë tjetër mund të ketë pasur një lidhje toksike. Ndonjëra mund të jetë rritur në familje të shkatërruar, e ndonjë tjetër mund ta ketë jetuar vetë divorcin. Ndonjëra mund të ketë pasur probleme me peshën, e ndonjë tjetër me vetëbesimin. Ndonjëra mund të ketë kaluar probleme të rënda ekonomike, e një tjetër mund ta ketë menduar disa herë vetëvra|sjen.

Nëse takon një grua që ka kaluar ndonjërën prej gjendjeve të mësipërme, por që tashmë i ka fshirë lotët dhe e ka maskuar dhimbjen me një buzëqeshje hyjnore, mos ia përplas në fytyrë të shkuarën!

Nëse takon një grua që ka qenë në ferrin e gjendjeve të mësipërme, por që është ngritur sërish në këmbë, me shpresën tek e ardhmja, mos e vrit për së dyti duke e sëmbuar me të shkuarën! Mos e bëj të jetojë më të njëjtin ferr, por hapja udhën dhe ec përkrah saj.

Nëse ia mban dorën për pak, do ta kuptosh se ç’shpirt të bukur dhe ç’shpresa të ëmbla mban brenda saj. Do të mahnitesh se ç’forcë vazhdon të ketë ende, edhe pse e shkuara ia ka shterrur energjitë.
Kjo grua për të cilën po flas, s’ka pse të jetë medoemos ‘ajo’, ‘tjetra’, një grua e huaj. Një grua larg teje, jashtë shtëpisë e familjes tënde. Jo. Ajo mund të jetë mikesha, motra, e dashura, gruaja… mund të jetë nëna jote.
Mos e gjyko atë prej të shkuarës, por dhuroji të ardhmen që meriton…Mbaja dorën fort dhe mbroje nga bota. Mbroje nga bota e ndyrë, e cila di veç të gjykojë e të përflasë.

Duaje… fali asaj dashurinë që ka kërkuar përherë.

(Përshtatur nga Klodi Smajlaj) / KultPlus.com

Ndriçohet Tirana, Rama e Veliaj ndezin dritat festive

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndezën sot dritat e pemës së madhe për Festat e Fundvitit, në sheshin “Skënderbej”.

Atmosfera filloi me një koncert të korit të fëmijëve nën drejtimin e artistes Suzana Turku që ishin kujdesur për të krijuar një atmosferë festive duke përzgjedhur një repertor të pasur, transmeton KultPlus.

“Dua vetëm t’ju uroj të gjithëve një vit të ri të gëzuar, si këto drita që do të ndizen dhe dua po ashtu t’i suiguroj të gjithë për një gjë, çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Dhe ne sot jemi të gjithë sëbashku më të fortë. Shqipëria sot është më e fortë, shqiptarët sot kudo ku janë dhe ngado ku ku shohin janë më të fortë. Të gjithëve gëzuar dhe kalamaja shumë faleminderit për muzikën e ëmbël, qofshi gjithmonë kështu si muzika që kënduar. Gëzuar dhe prindërve”, theksoi Rama.

Erion Veliaj theksoi se pavarësisht se ky fundvit pati edhe një ngjarje sikurse ishte tërmeti, Tirana ndezi dritat e shpresës. “Ky ka qenë një vit shumë i vështirë, ëshë viti i 99-të i Tiranës si kryeqytet. Ne mbushim 100 vjeç vitin tjetër dhe le ta pranojmë, nuk e mbyllëm shumë kollaj këtë shekull. Ishte një shekull që në fund fare na rezervoi një nga fatkeqësitë më të mëdha ta vendit tonë. Jo vetëm në Durrës, në Thumanë, por edhe këtu në Tiranë, ndjemë shumë dhimbje, ndjemë shumë trishtim. Patëm shumë fëmijë që u mërzitën, por e di çfarë? Kur po pyesja xhaxhi Edin, që na ka ardhur sot të na nderojë me prezencën e tij, çfarë do bëjmë në këtë situatë, vendimi ishte jo vetëm për Tiranën, por për gjithë kryetarët e bashkive që ne duhet t’i ndezim dritat, ne duhet të sjellim shpresën, duhet të ketë gëzim në qytet, duhet që energjia pozitive të na kaplojë. Patjetër do respektojmë të gjitha ato ngjarje, patjetër që do trajtojmë me shumë dinjitet të gjitha vështirësitë, por mbi të gjitha do t’i kujtojmë secilit që jeta vazhdon”, tha Veliaj.

Veliaj u kërkoi të gjithë fëmijëve të kryeqytetit që të bëjnë nga një dhuratë për fëmijët në zonat e prekura nga tërmeti. “Kemi një operacion që quhet operacioni ‘’kutia’’, secili prej jush do të marri një kuti bosh këpucësh dhe do ta mbushi me lodra, me lapsa, me stilolapsa, me fletore me gjëra që do të donte t’ia bënte dhuratë një çuni apo një goce në Durrës, në Thumanë, në Krujë, në Laç apo në Vlorë. Nëse siç po merret qeveria dhe të gjithë të tjerët që po të punojnë për shtëpitë edhe për të gjithë sistemimet e tjera, nëse dhe ju do të na ndihmoni që të bëjmë nga një dhuratë për të gjithë kalamajtë që janë në zonat e prekura ky do të jetë realisht Viti i Ri më i bukur në botë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj. / KultPlus.com

Stella McCartney hyn në histori si stilistja e parë që paraqitet në kopertinën e “Vogue”

Stella Mccartney ka hyrë në historinë e modës duke u bërë stilistja e parë e cila e zbukuron kopertinën e edicionit amerikan të “Vogue”.

Mbretëresha e stilit paraqitet në kopertinën e edicionit të janarit 2020 të revistës me katër fëmijët e saj, Miller (14), Bailey (12), Becket (11) dhe Reiley (9).

Disenjatorja, e cila është e famshme për veshjet e saj eko-miqësore, postoi në Instagram për ta bërë të ditur lajmin historik, duke shpjeguar se pse qëndrueshmëria është kaq e rëndësishme për etiketat e saj, shkruan Koha Ditore, transmeton KultPlus.

“2020 – ja ku po vijmë! Jam shumë e nderuar që jam stilistja e parë e modës në kopertinën e @VogueMagazine”, shkroi ajo në titullin e bashkangjitur fotos së kopertinës. “Po e festoj me ekipin tim të jashtëzakonshëm pasi që kjo ka lindur nga angazhimi që e kemi mbajtur në zemrat tona nga dita e parë në Stella, duke u kujdesur dhe duke e dhënë maksimumin që të jemi të ndërgjegjshëm në biznesin tonë për ta mbrojtur nënën Tokë dhe të gjitha krijesat e saj”. / KultPlus.com

Busti i Skënderbeut vendoset në Parma të Italisë

Busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është vendosur në Parma të Italisë nga komuniteti shqiptar atje.

Si pjesë e edicionit të 13-të të muajit të Kulturës Shqiptare i organizuar nga shoqata “Scanderbeg” në Parma, në parkun “Eunice Kennedy” u vendos një monument kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Nisma, e promovuar dhe mbështetur nga shoqata “Skënderberg”, u mbështet nga kryetari Federico Pizzarotti, drejtoresha e Kulturës në Bashkinë e Parmës Nicoletta Paci, Këshilltari për Pjesëmarrje dhe Këshilltari i Bashkisë së Parmës – Marion Gajda.

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, i shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës Adrian Andreja në Milano dhe nga Anila Pojani, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano falenderuan administratën dhe qytetin për iniciativën.

Kur Gjergj Kastrioti bindi princat shqiptarë të pajtohen

Një nga ndodhitë më të rëndësishme në kohën kur Skënderbeu erdhi në Arbëri ka qenë edhe Beslidhja e Lezhës, aty ku u kërkua që Arbëria të bashkohej dhe mos të luftohej më kundur njëri- tjetrit, po kundër një armiku të përbashkët, Perandorisë Osmane.

Thirrësi dhe drejtuesi i këtij kuvendi ishte padyshim Gjergj Kastrioti, biri i vogël i Gjon Kastrtiotit, që ishte larguar nga oborri i Perandorisë Osmane për të ardhur e për të çliruar trojet e tij, dheun e të parëve.

2 marsi i 1444 është njëra prej datave më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, pa dyshim se është edhe Besëlidhja e Lezhës, e njohur edhe si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, Kuvendi i Lezhës, apo Liga e Princërve Shqiptarë.

Besëlidhja e Lezhës u mblodh më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë. Organizatorë të kuvendit ishin prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë principatave të vendeve të Ballkanit e më gjerë të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit.

Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin këta: Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernojeviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

Krijimi i një Besëlidhje mbarëshqiptare ishte bërë mbi principe të gjuhës, dokeve dhe traditave të veçanta, në krye me Skënderbeun. Besëlidhja parashihte formimin një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si Kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe Garda personale e Skënderbeut.

Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtarë, ushqime dhe para, me qëllim për t’u mbrojtur kundër Sulltan Muratit të Dytë. Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të principatave.

Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake e cila bazohej në vendimet me shumicë nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do ti zgjidhte.

Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit i cili ato sipas marrëveshjes do të i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Mbi parimet e Lidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë ishte themeluar edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë. /konica.al/ KultPlus.com

181 poezi kanë ardhur në adresën e konkursit mbarëkombëtar ‘KultStrofa’

Ka disa ditë që ka përfunduar konkurimi për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’.

Në edicionin e tij të radhës, konkursi mbarëkombëtar ka arritur të grumbullojë 181 poezi nga 181 autorë dhe të interesuar.

Konkursi ka qenë i hapur disa javë ndërsa së shpejti do të informoheni në KultPlus për të rejat e ngjarjes finale, mbrëmjes finale dhe poetike kur edhe do të lexohen poezitë më të mira dhe do të shpërblehen tri vendet e para fituese.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë KultPlus, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

181 poezitë po shqyrtohen nga juria e cila së shpejti do të dalë me vendimin e saj.

Për informacione tjera në lidhje me konkursin ju lutem përcillni faqen tonë www.kultplus.com dhe KultPlus në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Dhurata Dora dhe Maitre Gims sjellin ‘Te Quiero’

Këngëtarja e njohur shqiptare, Dhurata Dora, pas suksesit të jashtëzakonshëm të këngës “Zemër”, që e ka sjellë në prill të këtij viti me reperin algjerian Soolking, ka gati një tjetër bashkëpunim me një artist të njohur ndërkombëtarisht.

Fjala është për artistin Maitre Gims, i cili njihet për hitet e shumta përfshirë, “Est-qu tu m’aimes”, “J’me tire”, “Ego”, “Corazon”, etj.

Tani kënga ‘Te quiero’ është publikuar në versionin audio dhe bashkëpuntor i dyshes është edhe Dj Assad. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=qLMlDOLC8Ds&feature=emb_logo

Rihapen muzetë dhe kalaja e Krujës për vizitorët, dëmtimet nuk rrezikojnë turistët

Kruja i hapi sot muzetë e saj dhe portat e Kalasë, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Drini Masha, përgjegjës i turizmit në bashkinë e Krujës, tha për ATSH-në se “Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë u vizituan nga profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokyo-s, Japoni, e cila tha se dëmtimet nuk e rrezikojnë vizitorin që do të shohë Krujën”.

Masha i fton të gjithë vizitorët vendas, por edhe të huaj të vizitojnë Krujën, të bëjnë shëtitije në Kala, të vizitojnë muzetë e këtij qyteti historik, si dhe Pazarin e vjetër.

Sipas tij, turizmi në Krujë, nuk njeh sezon turistik, pasi ka një turizëm gjithëvjetor dhe është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Mbi 100 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti./atsh/ KultPlus.com

Fotografitë e bukura, por Prishtina nuk po shihet prej ajrit të ndotur

Ajri në Prishtinë momentalisht është në vlerën afër 150, që nënkuptohet ajër i pashëndetshëm.

Plot sëmundje jo vetëm të kanaleve respiratore, por edhe të tilla që lidhen me shëndetin mental, me mushkëritë, me zemrën, me kancerin, po kalojnë në trupin e atyre që jetojnë në Prishtinë këto ditë të ndotura.

Për dikë me fokus fantastik të aparatit, krejt kjo situatë i përngjanë një Chernobili të kohëve moderne, një mundësi për të realizuar fotografi.

Keq që Netflix nuk është në Kosovë momentalisht, për të xhiruar një sagë tjetër njerëzore.

Marjan Komani ka realizuar këto fotografi që tregojnë për tmerrin e ajrit të ndotur në Prishtinë, që fillon kësisoj në dhjetor dhe vazhdon deri në muajin shkurt a mars.

Degradimi i ajrit zakonisht është rezultat i kombinimit të një kokteji ndotës i cili përbëhet nga grimcat (organike ose inorganike), apo substanca të tjera që përfshijnë ndër të tjera edhe gazet (si dioksidi i karbonit, monoksidi i karbonit, dioksidi i sulfurit, oksidet e nitratit, metani dhe klorfluorkarboni) tek të cilat shkalla e përqendrimit dhe zgjatja e pranisë është e mjaftueshme për të prodhuar një efekt toksik apo ekotoksik. / KultPlus.com

Ambasada e Zvicrës: Në fshatin Reçak u kryen mizori masive ndaj shqiptarëve, krimet duhen të dënohen e jo të mohohen

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, së fundi ka mohuar të jetë bërë krim në fshatin e Reçakut gjatë luftës, deklaratë kjo që ka ngjallur shumë reagime, shkruan KultPlus.

Ambasada e Zvicrës ka reagur duke thënë se është thelbësore që krimet e bëra të dënohen.

Në vijim mund të lexoni deklaratën e plotë të ambasadës.

”Në shoqëritë pas konfliktit është thelbësore të pajtohen me të kaluarën. Një pjesë e rëndësishme e saj është njohja e viktimave dhe dënimi i krimeve. Vendosja e fakteve dhe zbulimi i fakteve për ngjarjet e kaluara janë parakusht për një pajtim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm.

Çdo deklaratë në prag të konfliktit duhet të bazohet në fakte dhe të tregojë respekt për viktimat dhe familjet e tyre. Revizionizmi dhe mohimi i krimeve të luftës duhet të përballen, veçanërisht kur vjen nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore

Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Qendra për të Drejtat Humanitare në Kosovë mbështesin dënimet e forta dhe pa ekuivoke të deklaratës së Presidentit Vuçiq i cili ka mohuar mizoritë në raport. Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak u kryen mizori masive ndaj shqiptarëve, shumica prej tyre ishin civilë të paarmatosur.” / KultPlus.com

“Rrëfenja me ndërkombëtarë” e shkrimtarit Ylljet Aliçka botohet në Iran

Romani “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka sapo qarkulloi në gjuhën persiane nga shtëpia botuese iraniane Degarandishan Publishing House, përkthyer nga Sadaf Abedian, studiuese në Qendrën e Edukimit dhe Përkthimit, në Danimarkë. 

“Rrëfenjë me ndërkombëtarë” më parë është përkthyer edhe në Francë, Norvegji e Itali, shkruan KultPlus.

Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve’90, për të futur vendin në rrugën e mbarë të përparimit, pas brezash të humbur nën regjime diktatoriale. Po si mund të ndihmohet një vend ku kamerierët e trupit diplomatik janë të pashpirt, dhe ku për larjen e rrobave shpenzohen shumë detergjent, apo në një humbëtirë ku vendasit nuk respektojnë qentë, ndërsa kuajt janë të pastërvitur, fundja si të zotët?!

Bëhet fjalë për një ironi që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, me të cilën autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri.

Arrivizmi për të ngjitur shkallët e karrierës është prioriteti absolut i stafit ndërkombëtar apo i dikujt që ia del të zërë butësisht dhe si pa u vënë re një vend pranë ambasadorit në veturën e tij diplomatike.

Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë… Teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekura të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendasve”. Kurse për disa të tjerë, oraret e mërzitshme të ditës nëpër zyra mjaftojnë për hartimin e qarkoreve me kërkesa të rrepta për temperaturën e letrave mbi fotokopjuese….!!

“Rrëfenjat me ndërkombëtarë” qarkulloi në shqip nga Botimet Toena më 2009. / KultPlus.com

Nënë Tereza, me gjakun e shqiptares e me nënshtetësi indiane, në shërbim të gjithë botës

Nënë Tereza, gruaja që tashmë njihet si sinonim i humanitetit dhe zemërgjerësisë, e lindur në Shqipëri, mirëpo pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Indi, ku u vë në shërbim të njerëzve pa kursyer veten asnjëherë, shkruan KultPlus.

Në vijim mund të lexoni disa fakte për Nënën e gjithë botës, vepra e së cilës do jetojë gjithmonë me njerëzimin.

Nënë Tereza është një sinonim i veprave të mira, por shumë njerëz nuk dinë më shumë përtej ”një gruaje që ndihmoi të varfërit”.
Këto janë disa nga faktet e panjohura rreth Nënës Terezë

1.Agnes Gonxhe Bojaxhiu lindi me 26 gusht 1910, në Maqedoni, në një familje shqiptare me kushte të mira financiarre, ata zotëronin dy shtëpi. Babai i saj vdiq kur ajo ishte 8 vjeç, duke mbetur kështu pa një burim të sigurimit financiar, ajo dhe familja e saj.

2. Gonxhja ishte e magjepsur nga misionarët që në moshë të vogël, dhe kur ishte 12 vjeç ajo e dinte që do të angazhohej në fusha fetare.

3. Kur ishte 18 vjeç, ajo u largua nga shtëpia dhe u bashkua me Motrat e Loreto në Rathfarnham, Irlandë.

4. Megjithëse jetoi deri në moshën 87 vjeçare, ajo kurrë nuk i pa nënën ose motrën e saj pas ditës që u nis për në Irladë

5. Ajo bëri premtimet e saj si murgeshë në 1931, duke zgjedhur emrin Teresa për të nderuar shenjtorët Therese të Lisieux dhe Terezën e Avila.

6. Viti i parë i Terezës në lagjet e varfëra, ishte shumë i vështirë. Ajo ishte mësuar me një jetë më të rehatshme, dhe tani ajo nuk kishe të ardhura dhe asnjë mënyrë për të siguruar ushqimin.

7. Një nga projektet e saj të para ishte të mësonte fëmijët e të varfërve, duke u mbështetur në përvojën e saj me mësimin e fëmijëve të pasur. Ajo nuk kishte pajisje por i mësoi atë të lexojnë dhe të shkruajnë, në mënyra të ndryshme.

8. Përveç shkrim-leximit, Tereza u mësoi fëmijëve higjienën bazë. Ajo vizitoi familjet e tyre, duke i pyetur për nevojat e tyre dhe duke iu ndihmuar në sigurimin e tyre kur të mundej.

9. Ajo hapi një bujtinë përrr të varfërit, një shtëpi për të sëmurët, jetimët dhe të rinjtë e pastrehë.

10. Ajo u nderua me shumë çmime gjatë gjithë jetës së saj nga Padma Shri Indiane në 1962, deri në themimin përurues të Papës Gjon XXIII, dhe më e njohura Çmimi Nobel për Paqe në 1979.

11. Ajo refuzoi banketin tradicional të Nobel, dhe në vend të kësaj kërkoj që paratë të jepen për të ndihmuar të varfërit, dikur rreth 192,000 dollarë.

12. Tereza njihet si humanitarja më e madhe e shekullit 20, megjithë numrin e kritikave të ngritura drejt saj. Ish presidenti i SHBA, Ronald Reagan, tha në vitin 1985 se: ”Shumica prej nesh flasim për mirësi dhe dhembshuri, por Nënë Tereza e jeton atë”. / KultPlus.com

Rita Ora, në përkrahje të Dj-it nga Ferizaji

Në një koncert të organizuar për nder të Dj-it të ndjerë, Avicii, ka marrë pjesë edhe Dj nga Ferizaji, Dardan Aliu, i njohur me emrin artistik ”DJ Regard”, shkruan KultPlus.

Në po këtë koncert, ka marrë pjesë edhe këngëtarja shqiptare Rita Ora, e cila ka qenë edhe shoqe mjaft e mirë më Aviciin.

Ndërsa, në një postim në llogarinë e saj në Instagram, Rita Ora ka shprehur përkrahjen e saj për Dj-in nga Ferizaji, duke thënë se ndjehet shumë e lumtur për të gjitha sukseset e tij.

“Kosova po ngrihet. Faleminderit që erdhe të më shohësh… Jam shumë e lumtur për ty DJ Regard për të gjitha sukseset e tua! Sa më shumë nga ne aq më mirë! Vazhdo të fitosh dhe të shkëlqesh si një yll siç je!”, ka shkruar Rita Ora në Instagram. / KultPlus.com

Autorët shqiptarë në letërsinë austriake

                       

Bisedë me Anton Markun, poet dhe veprimtar për promovimin e letërsisë shqipe në Austri 

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana:  Marrëdhëniet letrare shqiptaro-austriake prej themelimit janë zhvilluar pa shkëputje. Meritë për këtë vazhdimësi janë padyshim shtetasit austriakë, por edhe ata shqiptarë, që kontribuan për promovimin dhe pasurimin e vlerave letrare të letërsisë shqipe, në këtë vend. Kjo trashëgimi e gjerë po vazhdon edhe me punën tuaj, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, si dhe i klubeve letrare shqiptare dhe austriake, pëmes të cilave keni arritur të përktheni për lexuesin austriak një numër të konsiderueshëm të veprave letrare shqipe. A mund të na flisni për trendet dhe binarët e përkthimit të letrave shqipe, prej kohës kur jeni pjesë e kësaj fushe? 

Anton Marku: Të shkruash do të thotë të mendosh, të dialogosh me vetveten, të hysh në thellësi të botës tënde, të komunikosh me të tjerët, të shprehesh për realitetin objektiv dhe atë fiktiv në mënyrë artistike. Personalisht, përpos disa sprovave, ende nuk kam filluar që aktivisht të merrem me përkthime letrare nga gjuha shqipe në atë gjermane dhe anasjelltas. Deri para dy viteve, krijimet e mia, qoftë në prozë apo në poezi, kam tentuar t’i përkthej dhe për shtatë vetë, ndërsa korrigjimet ia kam besuar një autori gjermanofolës, sidomos Peter Paul Wiplinger-it, njërit ndër shkrimtarët më të njohur austriakë, mik i shqiptarëve dhe anëtar nderi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ (LShKShA). Në dy vitet e fundit kam filluar që të shkruaj direkt në gjuhën gjermane dhe ato shkrime të ndryshme t’i lexoj po në këtë gjuhë para publikut austriak. Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e autorëve shqiptarë në Austri në dhjetë vitet e kaluara kanë përkthyer librat e tyre në gjuhën gjermane dhe atë proces e ka bërë të mundur, kryesisht nga Dr. Kurt Gostentschnigg, përkthyes, albanolog, poet dhe njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. Një përkthyese tjetër, shumë e mirë në Austri, është edhe Adrea Grill.

M.: Në takimet e ndryshme letrare ku ju jeni pjesë, anëtarët e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, të PEN Klubit të Austrisë dhe pjesëmarrës të tjerë prej komunitetit letrar nga vendet e ndryshme (pra në takimet e zakonshme me përfaqësim shumëkombësh dhe shumëkulturor), si vlerësohet letërsia shqipe krahas letërsive të vendeve tjera europiane, çfarë e përafron dhe e dallon?

A.M.: Në njëfarë mënyre autorët shqiptarë kanë sjellë risi në letërsinë austriake, si për nga temat që trajtojnë, stili i shkrimit apo qasja ndaj fjalës së shkruar, si shenjëzim estetik. Kjo dhe është një ndër arsyet kryesore që letërsia shqipe, jo dhe aq e njohur në këtë shtet, po vlerësohet çdo ditë e më shumë, si vlerë e shtuar.Me letërsinë e vendeve tjera europiane atë po e përafrojnë harmonia mes mendimeve, larmia e narracionit, meditimi reflektiv apo mesazhi artistik, por edhe pasuria e figurave stilistike, si metafora, simboli, krahasimi, etj.  Dallimet, kryesisht kanë të bëjnë me faktin se letërsia shqipe që krijohet në diasporë është në një masë të madhe patriotike, politike e me tone melankolike, e cila shumë rrallë ia ka dalë të lirohet nga historia, temat e luftës dhe nostalgjia për ‘‘kohërat e vjetra’’. Ajo ende po ka vështirësi që të transformohet, reformohet dhe përshtatet me trendet dhe kahjet ligjërimore, që sot po ndodhin në letërsinë bashkëkohore, e cila sot shkruhet shkurt, qartë; është më dinamike, më reale, precize, shumëdimensionale, universale, më e hapur, më përparimtare dhe më avangardiste.

M.: Bazuar në përvojën tuaj disavjeçare në funksion të njohjes dhe promovimit të letërsisë shqipe në shtetin austriak, cilët janë autorët shqiptarë më të lexuar?

A.M.: Për fat jo të mirë, jo shumë shkrimtarë shqiptarë janë të përkthyer në gjuhën gjermane dhe të njohur në Austri. Përjashtim bëjnë emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Martin Camaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Kasëm Trebeshina, Kim Mehmeti, etj. Nga brezi më i ri njihen veprat e Lindita Arapit, Beqë Cufajt, Shaip Beqiri, Jeton Neziraj, Ilir Ferrës, Anila Ëilms, Jeton Kelmendit, etj.  M.: Si qëndrojnë marrëdhëniet tuaja me qendrat e mëdha shqiptare, sa bashkëpunoni me organizatat simotra: institucionet nga Kosova dhe Shqipëria? A.M.: LShKShA është bashkëthemeluese e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKShM), e cila u krijua në vitin 2013 dhe në kuvendin konstituiv, të së cilës  morën pjesë autorë shqiptarë nga 13 shtete të botës. Që nga ajo kohë ne takohemi së paku dy herë në vit: një herë në Gjermani, ku gjendet dhe selia e LKShM dhe gjatë muajit gusht në Kosovë dhe Shqipëri, përgjatë ‘‘Muajit të Mërgatës’’. Deri më tani kemi mbajtur disa orë letrare, përurime librash, konkurse letrare, si dhe kemi botuar disa antologji, ndër të cilat vlen të veçohen ato për Shën Terezën dhe Gjergj KastriotinSkënderbeun. Po ashtu, edhe pse rastësisht, e jo shumë i strukturuar, nuk mungon  bashkëpunimi me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe PEN Klubin e Shqipërisë.

M.: Duke qenë se jeni poet dhe deri tani keni publikuar disa libra me poezi, si dhe jeni përfaqësuar në disa antologji në gjuhën gjermane, si e vlerësoni procesin e përkthimit të poezisë shqipe në gjermanisht; sa është e vështirë dhe e mundur që të ruhet origjinaliteti i poezisë shqipe gjatë përkthimit në gjuhën gjermane?

 A.M.: Procesi i përkthimit në cilëndo gjuhë është sa specifik aq dhe kompleks. Përkthyesi duhet të jetë njohës shumë i mirë i të dy gjuhëve, mundësisht të jetë edhe vet krijues, t’i mbetet besnik sa më shumë që është e mundur orgjinalit, por dhe t’i japë vetes lirinë që të përdorë nuanca dhe variante alternative gjuhësore, që do ta pasuronin veprën, gjithnjë pa rrezikuar që të humbet kuptimi i saj. Konsideroj se një ndër të tillët ishte dhe tashmë i ndjeri Hans-Joachim Lanksch, që ka realizuar përkthime në gjermanisht të shumë autorëve të poezisë shqipe. Ajo çfarë në asnjë rast nuk do të duhej të ndodhte është përkthimi i drejtëpërdrejtë, fjalë për fjalë, i një teksti nga një gjuhë në tjetrën. Edhe mua më ndodh, që të kem përshtypjen se ndonjë nga poezitë e mia të shkruara në gjuhën amtare nuk e kanë fuqinë e njëjtë të shprehjes, estetikën, ngjyrën, tingullin dhe elegancën e njëjtë në gjuhën gjermane. Ajo, që në këto raste bëj është të lëviz apo zhvendos ndonjë fjalë, të shkurtoj apo zgjas ndonjë varg, apo dhe të përdor ndonjë sinonim, në mënyrë që në gjuhën tjetër krijimi të jetë sa më i kuptueshëm për lexuesin.

M.: Meqë janë disa vite që jetoni dhe veproni në Austri, si i vlerësoni marrëdhëniet shiptaro-austriake nga fusha e Albanologjisë dhe Filologjisë? Cilat janë ngjarjet dhe emrat më të spikatur austriakë, që gjatë historisë kontribuan në këto dy fusha për ndërtimin e urave në mes dy kulturave?

A.M.: Albanologët gjermanofolës, sidomos ata nga Austria ishin prijetarë të shkencës së albanologjisë, filluar nga Johannes Georg von Han, Gustav Mayer, Norbert Jokli, Franz Nopsca, Maximilian Lambertz, etj. Që në vitet e hershme të shk XVIII, ata treguan interes të jashtëzakonshëm, për gjuhën dhe kulturën shqipe, duke botuar studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes; kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Po ashtu, një numër i madh i albanologëve të shquar shqiptarë, po ashtu studiuan në Austri. Ndër ta, si më të shquarit, dallohen: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Pekmezi, etj. Në lidhje me këtë temë, përmes hulumtimeve dhe shkrimeve të paraqitura në disa të përditshme tona, kontribut të madh është duke dhënë publicisti Hazir Mehmeti, i cili ka vite që jeton në Vjenë.

 M.: A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht  në funksion të njohjes së letërsisë shqipe nga lexuesi austriak? 

A.M.: Me themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, në vitin 2011, krijuesit shqiptarë në Austri, më në fund arritën të kenë: një adresë të tyre, një emër, një shenjë dalluese, një ‘‘kulm mbi kokë’’, qoftë ai dhe virtual. Lidhja u vu në jetë nga entuziazmi i themeluesve të saj dhe për një periudhë të shkurtër kohore arriti që të identifikojë, anëtarësojë mbi 30 krijues/e nga të gjitha rajonet e Austrisë. Në dy vitet e para të veprimtarisë së saj u organizuan më se 20 orë letrare në gjuhën shqipe, jo vetëm në Vjenë, por dhe në qytetet të tjera, si Linz, Graz, Salzburg, Wiener Neustadt, Baden, Kapfenberg, Knittelfeld, etj. Nga viti 2013 orët letrare, tashmë mbahen në të dy gjuhët, atë shqipe dhe gjermane. Që nga ajo kohë, anëtarët e Lidhjes kanë botuar mbi 40 libra individualë, ndërsa u publikuan edhe dy antologji të përbashkëta, po ashtu në të dy gjuhët ‘‘Illyrcum 1’’ dhe ‘‘Illyricum 2’’. Në anën tjetër u vendosën, u thelluan kontaktet dhe bashkëpunimi me shtëpi botuese, institucione shtetërore, organizata joqveritare, etj. LShKShA qëllim parësor ka promovimiin e kulturës, e sidomos artit dhe letërsisë shqiptare në Austri, si dhe krijimin e urave të miqësisë me autorë vendas dhe të huaj që jetojnë në këtë vend.   Që nga viti 2013 marrim pjesë në manifestimet ‘‘Javët e Integrimit në Vjenë’’ dhe në ‘‘Muajt e Kulturës Shqiptare në Austri’’, madje duke organizuar orë letrare në gjuhën gjermane, e në të cilat ftojmë autorë gjermanofolës dhe me prejardhje të huaj, të cilët jetojnë në këtë shtet mik.

Anton MARKU, u lind më 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore, të mesme dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe, e mbaroi në Gjakovë. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike.  Jeton dhe punon në Austri, ku është anëtar i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Ëords and Ëorlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IËA Bogdani etj. Ka botuar libra me poezi në gjuhën shqipe, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune./KultPlus.com

Mimoza Çaça, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Mimoza Çaça është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Mimoza Çaça, administratore e kompanisë Mireli , është një histori e vërtetë suksesi në prodhimin e bulmetit të shijshëm e shumë cilësor . Aktiviteti i cili ka 27 vite në treg, përfshin të gjithë  ciklin nga  grumbullimi i qumështit, konservimi dhe përpunimi, stazhionimi dhe tregtimi i nënprodukteve finale.

Grumbullimi i qumështit bëhet tek 1500 fermerë të ndarë në disa komuna te vendit Mireli ka mbushur 27 vite, plot sakrifica , vështirësi   dhe suksese.

Janë suksese që se Mimoza i lidh ngushtë me familjen dhe përkushtimin që të gjithë  kanë patur  për të shërbyer dhe për ta rritur biznesin çdo  ditë

Tanimë gjërat kanë ndryshuar shumë në të mirë të të gjithë familjes  Çaça! Investimet cilësore  e kanë bërë punën e tyre shumë  më të thjeshtë  dhe prodhimet shumë  më cilësore.

Konsolidimi i biznesit ka kaluar përmes  hapave të vazhdueshëm  investuese në ambientet e zhvillimit të aktivitetit, në  makineri, pajisje dhe linja të tjera prodhimi duke siguruar kapacitete të larta përpunuese dhe produkte të standarteve të larta. Aktiviteti përfshin të gjithë ciklin nga grumbullimi i qumështit, konservimi dhe përounimi, stazhionimi dhe tregtimi i nënprodukteve finale./ KultPlus.com

Nesër “Ofshamë” në Teatrin e Gjilanit

Në Ditën Ndërkombëtare të Të Drejtave të Njeriut, mw 10 dhjetor, me fillim nga ora 20:00 vjen një shfaqje “Ofshamë” me koncept dhe regji nga Burim Baftiu dhe Erson Zymberi, në Teatrin e Gjilanit.

Shfaqja është prodhim i Organizatës Joqeveritare “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes” – ANP – Gjilan.

Shfaqja është një zë, një thirrje a një reflektim i shoqërisë tonë mbi rrugën, vështirësitë dhe gjendjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe fatin e njerëzve të pagjetur. Një ëndërr e tyre. Një ankth bashkë me një ofshamë në fund. Një dashuri e humbur. Një e vërtetë dhe një dhimbje e madhe. Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Albina Azemi, Albina Murtezi, Antigona Murtezi, Arlind Mustafi, Armend Dushica, Aurora Ismajli, Bekim Sopi dhe Ipek Mustafa. /KultPlus.com

“Netflix” publikon listën e filmave që duhet t’i shikoni këtë fundvit

Pushimet janë pothuajse këtu dhe kjo do të thotë kakao e nxehtë dhe filma të Krishtlindjeve, që na ndihmojnë të kalojmë kaosin dhe motin e ftohtë të sezonës. “Netflix” ka zgjidhjen për të gjithë adhuruesit e filmave duke përfshirë këtu fëmijët (Klaus), adoleshentët (Let it Snow), romantikët (The Knight Before Christmas) e deri tek fanatikët mbretërorë (A Christmas Prince: The Royal Baby). Këta janë disa prej filmave që kjo platformë na sugjeron, përcjellë KultPlus.

1. “A Christmas Prince: The Royal Baby” (2019)

“Netflix”- ka përfunduar trilogjinë e tij të parë me ardhjen e filmit të tretë “A Christmas Prince”. Në këtë pjesë të re të filmit do të kthehen të gjitha fytyrat e rregullta për një shëtitje tjetër të Krishtlindjes, por më e rëndësishmja, një fytyrë e re është duke iu bashkuar.

Ja çfarë mund të prisni te filmi i tretë: Është koha e krishtlindjeve në Aldovia dhe një fëmijë mbretëror është rrugës që t’i bashkohet familjes. Amber dhe Richard presin mbretëreshën nga një mbretëri larg për të rinovuar një armëpushim të lashtë, por kur traktati i paçmuar 600-vjeçar zhduket paqja vihet në rrezik dhe një mallkim i lashtë kërcënon familjen e tyre.

2. “A Cinderella Story: Christmas Wish

Skenari i Hirushes është përdorur në shumë formate gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe klasikun e mirënjohur të animuar “Disney” dhe gjithashtu adaptimin e Hillary Duffit 2004.

Ky film është i drejtuar nga Michelle Johnston dhe interpretojnë Laura Marano e Gregg Sulkin. Në këtë film tregohet historia e një këngëtareje, e cila pavarësisht njerkës së saj të kotë dhe motrave të liga punon si një elf në një pemë të Krishtlindjes dhe gjen mrekullinë e saj të festave.

3. “Holiday Rush

Me regji të Leslie Smallit, kjo komedi romantike sheh një DJ të radios, i cili përjashtohet nga puna gjatë sezonit të festave dhe punon me fëmijët e tij për t’u rikthyer në radio. Në mesin e kastit të aktorëve janë: Deon Cole, binjaket Selena-Marie Alphonse dhe Andrea-Marie Alphonse, La La Anthony, Tamala Jones dhe Charlton Lamar.

4. “Super Monsters Save Christmas” & “True: Winter Wishes

Dy filma specialë u shtuan te titujt e fëmijëve në “Netflix”. “Super Monsters Save Christmas” është një speciale që sheh pëlqimet e Werewolfit, Frankensteinit dhe të tjerët bashkohen. Është festa e Krishtlindjes në Pitchfork Pines dhe Super Monsters po bashkojnë forcat për të mbuluar sallat, ta gjejnë renë e zhdukur të Santës dhe për të shpëtuar festën. Kurse te “True: Winter Wishes” e shohim Truen duke u përpjekur për të shpëtuar “Wishfest”-in. Një kristal akulli nga një mbretëri e ngrirë po ngrin gjithçka në mbretërinë Ylber, edhe qytetarët e saj. Filmi tregon se a mundet True të shpëtojë “Wishfest”-in dhe miqtë e saj.

5. “The Knight Before Chrismas

Vanessa Hudgens kthehet për filmin e saj të dytë në “Netflix”, në kohën e Krishtlindjeve sikurse me “The Princess Switch”, që ishte publikuar në një kohë të ngjashme vitin e kaluar. Aventura e re e komedisë romantike e sheh një kalorës anglez të teleportuar në kohën e sotme moderne, i cili bie në dashuri me një mësuese të shkollës së mesme.

6. “Klaus

Filmi i animuar i “Netflix”-it vjen nga Spanja me një ekip të talentuar, që punon në vizualitete. Filmi flet për një miqësi të goditur mes Klausit dhe Jesperit, një postier i përulur që ka pasur një rivalitet për vite me radhë. Ndër zërat e zgjedhur në kastin e aktorëve për “Klaus”-in janë: Rashida Jones, Joan Cusack, J.K. Simmons, dhe Jason Schwartzman.

7. “Let It Snow

Ky film tregon për dramën e Krishtlindjes në shkollën e mesme rreth një stuhie dëbore, që goditi një qytet të vogël, duke detyruar të moshuarit e shkollës së mesme të shkaktojnë kërdi në prag të Krishtlindjeve. Është një dramë e adoleshentëve dhe nëse e pëlqeni “Riverdale”-in do të ndiheni sikur jeni në shtëpi. Filmi ka marrë vlerësime të përziera, por ekipi i aktorëve ju mban të fiksuar. Ka mjaft fytyra të njohura në këtë film si: Kiernan Shipka (Chilling Adventures of Sabrina), Liv Hewson (Santa Clarita Diet), Isabela Mercer dhe Odeya Rush. Filmi është shkruar nga Laura Solon, Victoria Strouse dhe Kay Cannon. Ai bazohet në librin me të njëjtin emër.

8. “A Holiday Engagement

Ky është një film i Krishtlindjeve në Hallmark, që “Netflix”-i ka zgjedhur për sezonin e festave 2019. Sezoni i festave ka mbërritur, por Hillary ka pësuar një tronditje, pasi që i dashuri i saj e ka braktisur. Për të shmangur sikletin ajo punëson një aktor për të luajtur rolin e të fejuarit të saj gjatë fundjavës së falënderimeve. Në këtë film luajnë aktorët: Bonnie Somerville, Shelley Long, Jordan Bridges dhe drejtohet nga Jim Fall. / KultPlus.com

“Unë jam Anemone”, aktorët rrëfejnë mes lotësh përjetimet e të dhunuarve

Qendrim Badalli

Një lule anemone ka qenë simboli që gratë dhe pothuajse të gjithë të pranishmit i kishin vendosur në bluzat e tyre. Aktorë të përzgjedhur, dolën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku nën lotë rrëfyen përjetime të ndryshme të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, rrëfime këto të përmbledhura në librin “Unë jam Anemone”, libër ky në bashkë-autorësi nga organizata Medical Gjakova dhe Salie Gajtani Osmankaq, shkruan KultPlus.com

Aktiviteti i mbajtur sot po përcillej nga një publik mjaftë i ri në moshë si dhe nga një numër shumë i madh i grave dhe vajzave në sallë që kishin ardhur për të dëgjuar rrëfimet tronditëse, rrëfime këto që u dhanë nën një heshtje të plotë, e që shoqëroheshin me shumë keqardhje të shprehur haptas në fytyrën e secilit, dhe me shumë emocione nga Rebeka Qena, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Anisa Ismaili, Albulena Kryeziu si dhe Shengyl Ismaili.

Pasi përfunduan rrëfimet, aktiviteti vazhdoi tutje me një panel diskutimi ku të ftuara ishin: Drejtoresha e Organizatës ‘Medical Gjakova’ – Mirlinda Sada, sociologia – Linda Gusia si dhe psikologja – Xhevahire Balaj, panel ky që edhe më shumë kuptimësoi këtë aktivitet.

Drejtoresha e organizatës, “Medicla Gjakova”, Mirlinda Sada, ka folur për arsyen se përse këtij libri i është vendosur ky titull.

“Anemone është një lule, që ne të gjithë sot e kemi të vendosur, është një lule e cila është ideuar nga regjisorja e ndjerë, Arzana Kraja dhe me të cilën simbolizojmë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

 Tutje, Sada ka rrëfyer metaforën që bartë kjo lule në raport me gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë si dhe raportin e tyre me të tjerët.

“Karakteristikat e lules Anemone është që kur asaj i afrohet ndonjë shtrëngatë atëherë kjo lule mbyll fletët dhe mbron vetveten por në momentin kur Anemones i vjen freski i pranverës, një erë e lehtë, atëherë ajo i hap petalet dhe lulëzon”.

Sociologia, Linda Gusia ka thënë se pavarësisht se bashkëndjenja me të mbijetuarat si hap i parë është arritur, tani duhet kaluar në hapin e dytë, atë të dokumentimit.

“Mendoj se heshtja rreth kësaj çështjeje deri diku është thyer falë punës së palodhshme të shumë grave që janë këtu prezente dhe punës suaj poashtu, por mendoj se krijimi i bashkëndjenjës dhe luftimi i stigmës ka qenë hapi i parë, por hapi tjetër që libri e bënë shumë mirë, është dokumentimi i asaj çfarë ka ndodhur”.

Ajo ka thënë se dhuna seksuale është përdorur si “strategji lufte”.

“Dokumentimi i rrëfimit është shumë i rëndësishëm sepse na bënë të vetëdijshëm se dhuna seksuale ka qenë një strategji lufte”.

Psikologia, Xhevahire Balaj ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë punë të realizuar.

Më lejoni t’i falënderoj të gjitha të mbijetuarat dhe të mbijetuarit që i kanë ndarë me neve rrëfimet e tyre. Tek ne çdo gjë trajtohet në baza kofidenciale, brenda katër mureve dhe për këtë zonja Sada dua ti jap falënderimit më të sinqerta juve dhe ekipit tuaj”.

Teksa, Balaj ka theksuar traumën si elementin kryesor që ky libër na ndihmon ta kuptojmë.

“Libri prek shumë dimensione. Për mua dimensioni i parë është dimensioni i traumës, përmes këtij libri kuptohet se çfarë dimensioni i madh traumatik është dhuna seksuale”.

Në njërin nga rrëfimet e dhëna aty, rrëfehet momenti kur fillimisht ndalet dhe më pas dhunohet nga forcat serbe një 20 vjeçare.

“U nisëm rrugës, unë kam qenë 20 vjeçare, motra e dytë 15, kurse e treta 10 vite. Motra e dytë dikur u lodh dhe tha unë nuk po mundem me vazhdu, unë me motrën tjetër vazhdum me ecë rrugës dhe për një moment e dëgjova motrën kur tha kuku na panë, për një moment u ndala edhe nuk kam ditë çka me vepru edhe i pamë ata serbët dhe u vërsulën drejt nesh. Filluan me mi heq rrobat prej trupit, dhe fillun me më ba gjithçka  që imagjinata e tyre ju thojke për të keq. Motrën e kisha aty edhe ishte dëshmitare e krejt asaj çka më ndodhi mu, dikur ajo filloi me bërtit, bërtiti aq shumë sa fillun mu dëgju të shtëna armësh”.

Se rrëfimi nuk i ka prekur vetëm gratë në Kosovë por edhe burrat, aty ishte aktori Ylber Bardhi, i cili shpalosi rrëfimin e një të dhunuari të Kosovës.

“Njëri ka qenë i gjatë dhe njëri ka qenë pak më i shkurtër, më i shëndosh, ia u njoh mirë fytyrat. Më kanë detyru me ecë, kam ecë deri tek njëfarë shtëpie ku më kanë thanë me u zhvesh. Kur më thanë me u zhvesh na kishim dëgju që kur i zhveshin i masakrojnë dhe ashtu mendova, gjithçka që në ato momente mendoja ishte me i pa të shpisë, me i pa fëmijët, me e pa grun. Një polic e morri një shishe dhe më ka detyru me u zhvesh, unë refuzova por ata me tyta të automatit më kanë detyru me u zhvesh pastaj kanë fillu me më pre dhe pasi më kanë shtri me dhunë kanë fillu me më dhunu”.

Pas përfundimit të debatit nga paneli aty, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi ta marrin falas librin “Unë jam Anemone”, libër ky që ballafaqon Kosovën me të kaluarën e saj si dhe që shtjellon një plagë aq të rëndë të vendit si ajo e të dhunuarve gjatë luftës nga regjimi kriminal i Serbisë. / KultPlus.com

Shqipëria bojkoton ceremoninë e Nobelit në Letërsi, Cakaj: Justifikimi i mizorive të luftës s’duhet të shpërblehet

Pas Kosovës, ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel në Suedi do të bojkotohet edhe nga Shqipëria.

Lajmi u bë me dijeni nga ministri Gent Cakaj, që ndër të tjera shkruan se justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet.

“Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken.

Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit.

Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë”, shkruan Cakaj.

Dhënia e çmimit Nobel të Letërsisë për Peter Handke-n, i njohur si adhurues i Millosheviçit solli polemika të shumta. /KultPlus.com

“Joker”, thirrje për gjithë njerëzimin që të reflektojë

Shkruan: Bujar Meholli

Gjithmonë gjërat e fshehura zgjojnë kërshërinë, sikurse ato të ndaluarat. Njeriu bën çmos që të zbulojë çfarë fshihet prapa perdeve, çfarë është ajo që s’e lënë të shihet apo që e bëjnë të ndaluar. Dhe, në momentin që e sheh atë për të cilën digjet nga kërshëria, o mund të fascinohet o mund të dëshpërohet!

Kohët e fundit i tillë është filmi “Joker” diku i ndaluar, diku i fshehur – ai ka zgjuar kërshërinë e atyre që s’e kanë parë, derisa i ka pataksur ata që e kanë parë.

Filmi “Joker” është bërë i famshëm në pothuaj pjesën më të madhe të botës. Deri më tani ai ka arritur të arkëtoi mbi 1 miliardë dollarë duke rrëzuar shumë filma tjerë nga froni. Megjithatë, nëpër disa vende të botës është anuluar me arsyetimin e autoriteteve se përmban nivel të lartë të dhunës, pra ka skena të dhunshme brenda tij që s’janë të përshtatshme, veçanërisht për adoleshentët dhe personat e ndjeshëm.

Përgjithësisht, kritika e vlerësoi si një film të suksesshëm, por megjithë vlerësimet e mira nga kritikët dhe nga publiku që mori, “Joker” vazhdon të prodhojë debat të madh, bazament i së cilit është pyetja, “a është ky film i rrezikshëm për shoqërinë?”

Para se të bëjmë përpjekje për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet theksuar se sa i përket realizimit artistik “Joker-i” qëndron në nivelin më të lartë. Gjithë puna e jashtëzakonshme vjen në saje të përkushtimit të regjisorit Todd Phillips, kastës së aktorëve, e veçanërisht aktorit kryesor Joaquin Phoenix që luan rolin e Arthur Fleck-ut, pra të “Joker-it”, i cili u vlerësua me notat më të larta për aktrimin gjenial. Madje, vlen të theksohet edhe sakrifica e tij për të dalë sa më mirë – ai humbi mjaft kilogramë si dhe studioi sëmundjen nga e cila vuan Fleck-u për të dhënë një tablo tamam të një sëmuri mental që qesh me të madhe kudo, edhe në ambiente dhe raste kur s’ka gjë për të qeshur.

Këtu edhe mund të nis rreziku i ndikimit, sepse “Joker-i” si një njeri krejt i pafajshëm në fillim, kalon nëpër situata të pakëndshme, gjersa rrethi e përbuz dhe e nënçmon pa e kuptuar hallin e tij, pa u përpjekur t’ia kuptojë dëshirën e tij të madhe – të bëhet një kloun i njohur në qytetin e tij, Gotam. Në vazhdim të filmit, ashtu lehtazi, ai kryen një sërë krimesh duke u hakmarrë në njëfarë mënyre ndaj këtij rrethi ku ishte katranosur. Këtu ai s’e kursen madje as të ëmën e tij nga e cila dëshpërohet kur merr vesh se ajo e paskësh gënjyer. Kemi të bëjmë me shndërrimin e heroit në anti-hero; “Joker-i” është film modern që nuk përfill skemën bazike të filmave të vjetër, ku heroi kryesor duhet të jetë ai që bën vetëm gjëra të mira, është çdoherë pozitiv dhe audienca duke e parë atë merr shembull dhe përpiqet t’i përvetësojë virtytet e tij.

Në modernitet i iket kësaj; aty bëhet përmbysja strukturale, dhe nuk merret parasysh skema klasike e Aristotelit dhe katarza e tij që arrihet duke parë ngjarjet nëpër të cilat kalon heroi kryesor dhe duke parë së fundmi fatin e mirë që e përcjell atë – publiku spastrohet shpirtërisht. A ka katarzë në modernitet? Dhe, a mund të ndjenë publiku katarzë në filmin “Joker”?

Skenat e dhunshme në “Joker” përshkruhen në atë mënyrë, saqë të nguliten mirë në kokë. Kështu është krijuar një sasi e madhe ankthi dhe tmerri. Arthur Fleck-u jeton në qytetin Gotam bashkë me nënën e tij, në situatë të vështirë sepse i takojnë shtresës së ulët të shoqërisë. Ëndrra e tij madhore është të bëhet një ditë kloun i njohur. Për t’i hyrë kësaj rruge ai drejtohet tek shou-meni Murray Franklin, rolin e të cilit e luan aktori i famshëm Robert De Niro. Por sikurse nga i gjithë rrethi, ai poshtërohet e s’merret seriozisht as nga Franklini. Pasi i vuan tërë këto, Arthuri plogështohet, thyhet shpirtërisht dhe bëhet tip i dhunshëm gradualisht. Për Arthurin jeta dhe vdekja bëhen njëjtë, ai ka krijuar në shoqërinë e sëmurë, portretin e një të çmenduri. Por a është ai vërtet i tillë?

I parë nga kënde dhe interpretime të ndryshme, “Joker-i” mund të konsiderohet si film që trajton fatin e një individi që thellohet në krizë ekzistenciale; personi i Arthurit mund të shihet si distopik, një njeri që ka probleme të ambientohet në shoqëri dhe meqë s’arrin se s’arrin – bëhet i dhunshëm, del kundër saj.

“Joker-i” përgjithësisht mund të thuhet se është film i errët, i mbushur me humor të zi dhe sarkastik ndaj shoqërisë materialiste që s’i kushton vëmendje individit, madje e përbuzë. Dhe është pikërisht shoqëria që e krijon njeriun-monstrum, siç ndodh me Arthurin që gjakftohtë vret këdo që i del përpara dhe e pengon – mjafton që në duar ka një revolver.

“Joker-i” i regjisorit Phillips është triller psikologjik që glorifikon dhunën dhe ndez edhe ndjenjat më të thella të publikut sado të çuditshme qofshin ato. Sepse Arthuri zbavitet duke vrarë njerëzit rreth tij, ai në njëfarë mënyre arrin të bëhet klouni që ëndërronte të ishte – vetëm se në rrethana tjera. Ai ka në kokën e tij hakmarrjen, është i vetëdijshëm por aq i bën. Ai s’nguron t’ia vesh fytyrës ca plumba shou-menit pasi që ky ishte tallur duke lëshuar një video të tij pa e pyetur, as djelmoshave në tren që e rrahin brutalisht dhe e tallin me ta parë qeshjen e tij të pakontrolluar. (Edhe atyre u jep plumba dhe i vranë), madje s’i shpëton as tipi që i pati dhënë armën, këtë të fundit e masakron me një thikë. Pyetja që do të shtrohej në këtë rast, do të ishte: Në raste të tilla përballë padrejtësive njerëzore dhe margjinalizmit a është i pashmangshëm krimi?

Jeta është e vështirë dhe e ashpër, por a është kjo arsye e mjaftueshme që të shkohet aq larg sa për t’i dëmtuar dhe vrarë njerëzit e tjerë?

Arthuri në fillim shfaqet taman tip religjioz kur vetëm përpiqet të jetoj në mënyrën e tij pa shqetësuar askënd dhe duke u besuar plotësisht njerëzve, nënës e terapeutes së tij. Por, ai bëhet barrë për të gjithë, mandej tallet dhe rrihet qysh nga djelmoshat e këqij në skenën e parë e tutje.

“Joker-i” është thirrje për gjithë njerëzimin që të reflektojnë. Ai bën thirrje që të dëgjohet zëri i secilit njeri nga shoqëria; personazhi i Arthurit bjen ndesh me këtë psalm të Biblës ku thuhet: “Zoti është afër zemrës së thyer dhe shpëton ata që janë të shtypur”. Sepse njeriu në pamundësi për të qenë i duruar dhe për t’u përballur me problemet braktis predikimet fetare dhe merr vet punën në dorë – duke bërë zgjidhjen (me raste duke përdorur dhunën) e tyre.

Në fund kemi ardhur në përfundim se “Joker-i” nuk është bërë rastësisht kaq i famshëm dhe i përfolur në mbarë botën. Ai është një kryevepër, një realizim i përsosur artistik, me tematikë shoqërore delikate dhe mjaft aktuale. Arthuri është zëri i shumë njerëzve të persekutuar, të vetëm, të braktisur nga çdo mëshirë, të përbuzur dhe të flakur tej shtresave të larta të shoqërisë./KultPlus.com

Osmani: Përderisa Kosova kujton viktimat e gjenocidit, BE e shpërblen Serbinë

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka shkruar në ditën ndërkombëtare të viktimave të gjenocidit, se Kosova në këtë ditë kujton ata që humbën jetën si pasojë e politikave gjenocidiale të shtetit serb.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani ka kujtuar në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim.

Tutje, nënkryetarja e LDK-së, shprehet se edhe më tutje shteti serb po vazhdon që të mohojë këto krime, derisa, nuk shpreh keqardhje për viktimat e pafajshme.

“Në ditën ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën si rezultat i politikave gjenocidale të shtetit serb, dhe në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim. Edhe pas më shumë se dy dekadash, shteti serb vazhdon me politikën e mohimit të këtyre krimeve, nuk shprehë keqardhje për viktimat e pafajshme dhe tenton të rishkruaj historinë edhe pse krimet serbe ndodhën para syve të të gjithë botës”, thotë ajo.

Vjosa Osmani ka thënë se në këtë ditë, derisa në Kosovë kujtohen ata që humbën jetën në luftën e fundit, Bashkimi Evropian shpërblen Serbinë me hapjen e një kapitulli të ri në procesin e integrimit evropian.

“Përderisa ne sot kujtojmë të gjithë ata që humbëm, Bashkimi Evropian, pikërisht sot, po e shpërblen Serbinë me hapjen edhe të një kapitulli në procesin e integrimit evropian”, tha Osmani./GazetaExpress/ KultPlus.com