‘O ti zemër njerëzore, pa dëgjoje zërin tim, fal se jeta është e shkurtër’

Se dikur teksti kishte shumë rëndësi për një këngë dhe i jepte asaj jetë e mesazh, e dëshmon edhe kënga “Fal” e kënduar nga Ledina Çelo.

Një këngëtare me vokal të mahnitshëm, Ledina e solli para shumë vitesh këtë këngë me një videoklip.

Alqi Boshnjaku e ka shkruar këngën ndërsa muzikën e ka bërë Luan Zhegu.

https://www.youtube.com/watch?v=FDgBttYaXxE

‘Fal’ i përket historisë së muzikës së lehtë shqiptare ndërsa nuk ka vokal tjetër që ta mbulonte këngën kaq mirë sa Ledina.

Po e sjellim sonte këngën dhe tekstin e këngës, duke përçuar mesazhin e faljes njerëzore. / KultPlus.com

*

Iken jeta shpejt vrapon
dhe nje muaj duket çast
e si mundem te gezojme
jo te ndare, por vec se bashke

Sa e shkurter eshte kjo jete
themi shpesh tek bisedojme
por dikush ne sa na prek
ne çast e harrojme

Per nje fjale ashtu kot
prishet befas nje miqesi
dhe askush nuk i del zot
falja zhduket ne meri

Refreni :

O ti zemer njerezore
pa degjoje zerin tim
fal se jeta eshte e shkurter
se jeton dhe nje pendim
ndan dy njerez padrejtesisht
nje kapriço xhelozi
dhe pse duhen çmendurisht
falja ndalet ne kufi.

Telefonat e mençur po ‘zhdukin’ librin

Kemi dëgjuar shumë shpesh se libri është miku më i mirë, sepse kur të gjithë ikin dhe ndodhesh vetëm brenda katër mureve, shoqëria e një libri të mirë, të bën të harrosh vetminë, shkruan KultPlus.

Charles Eliot njëherë ka thënë se librat janë miqtë më të qetë dhe miqtë e përhershëm, këshilltarët më të mençur dhe mësuesit më të durueshëm. E ne nuk kemi si të mos pajtohemi me të, pasiqë një libër i mirë na mëson shumë, na edukon si intelekt dhe na formon si karakter.

Mirëpo, ajo cka është më shqetësuese gjatë dy dekadave të fundit, është teknologjia që ka zëvendësuar për të mos thënë e ka lënë në fund librin.

Më parë njerëzit në tren apo autobusë, shiheshin tek mbanin në dorë gazeta, revista e romane të ndryshme. Ndërsa sot ato janë zëvendësuar me pajisje elektronike.

Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë dukuri, duke filluar prej jetesës e cila është bërë më dinamike, sistemet e ndryshme të lidhura vetëm me teknologji, lehtësia e madhe me të cilën vepron teknologjia etj.

“Kaq shumë libra, kaq pak kohë”, është thënë vazhdimisht nga shumë njerëz të mëdhenj.

Koha është ajo që mbizotëron mbi të gjitha. Faktori kohë si një stuhi e madhe dëbore, merr pas vetes shumë gjëra.

E rëndësishme është që librin në thelb të tij, nuk do e zëvendësoj asnjë teknologji dhe ata, dashamirësitë e librit, do jenë gjithmonë në kërkim të librit fizik dhe jo atij që shfletohet në ekranin e pajisjeve elektronike. / KultPlus.com

James Cook, studenti që bën art me makinë shkrimi

Paleta e tij e ngjyrave është e kufizuar në të zezë dhe të kuqe, stili i tij është më shumë i fuqishëm dhe për të realizuar një nga këto vepra atij i nevojtiten afërsisht 30 orë punë.

Por, megjithë ndryshimin e pazakontë në qasjen në krijimin e artit të marrë nga James Cook, askush nuk mund të mohojë talentin e tij e aftësitë e jashtëzakonshme krijuese.

Studenti 23-vjeçar i arkitekturës po e rishkruan idenë e njerëzve për artin, duke prodhuar fotografi të jashtëzakonshme dhe duke përdorur vetëm makina shkrimi.

James filloi atë që ai e quan ‘mënyra e tij e çuditshme e argëtimit’ pesë vjet më parë, I frymëzuar nga artisti i vonë i shkrimit të makinave amerikane, Paul Smith, i cili nuk mund të përdorte lapsa ose furça sepse vuante nga paraliza cerebrale. 

James tani merr porosi e paguhet për punën e tij nga e gjithë bota.

‘Unë përdor karaktere dhe shkronja specifike për të bërë punë të caktuara. Për shembull, ndalesat e plota, nënvizimet dhe shkurtimet përpara janë të mira për linjat e drejta, dhe kllapat, apo dhe zerot që janë të mira për kthesat’, deklaroi ai për Daily Mail. / KultPlus.com

15-vjeçarja nga Kosova botoi romanin e saj të parë në Gjermani

Nxënësja 15-vjeçare nga Landau ka shkruar një roman prej 336 faqesh, i cili është botuar më në fund, në fillim të janarit të këtij viti. Romani titullohet “Coldhearted Mafia Boss” që përkthyer në shqip i bie ‘Bosi pandjenja i mafias’, transmeton KultPlus.

Gerta Miftari është një nxënëse e klasës së 10 në gjimnazin e qytetit gjerman, Landau. 15-vjeçarja me prejardhje kosovare, është shumë punëtore ambicioze dhe e angazhuar. Ajo është gjithashtu shumë e lidhur me Kosovën, nga vijnë prindërit e saj, shkruan “Landauer Zeitung”.

Përveç notave të mira në shkollë, Gerta tani ka botuar librin e saj të parë, të cilin e prezanton në bisedë me gazetën në fjalë. E veçanta për këtë libër është se ai është shkruar në anglisht dhe se nuk mbaron siç do të dëshironin lexuesit.

Në libër bëhet fjalë për një grua që, ashtu si Gerta, ka rrënjë kosovare. Protagonistja është rritur në Amerikë dhe është detyruar të martohej nga prindërit e saj me një shef të pasur të një kompanie…

E pyetur nga gazeta se për çfarë bën fjalë libri, Gerta thotë se aty “bëhet fjalë për një vajzë, e cila është martuar me dhunë me një burrë, i cili është shef mafioz. Kjo gjë zbulohet shpejt kur ta lexoni librin. Pas martesës, dashuria në të vërtetë lind nga detyrimi. Pra, martesa e detyruar nuk është problemi më i madh që ka personazhi kryesor, por gënjeshtrat që ajo do të përjetojë në jetën e saj. Në rrethana të tilla ajo mëson shumë për veten e saj”, përcjell KultPlus.

Gerta ka porositur një kuti me dhjetë kopje të librit t`ia dërgojnë në shtëpi. “Për miqtë dhe familjen time”, thotë Gerta Miftari. Duhet të kemi parasysh se nxënësja 15-vjeçare nga Landau ka shkruar një roman prej 336 faqesh, i cili është botuar më në fund, në fillim të janarit të këtij viti. 0

“Ende nuk mund ta besoj. Është diçka e mahnitshme të jem në gjendje ta mbaj librin në duart e mia”, thotë Gerta.

Për shkak se libri në të vërtetë ka përfunduar para më shumë se gjysmë viti, fillimisht Gerta e pati publikuar atë në formë digjitale në platformën online Wattpad. Megjithatë, për një kohë të gjatë, ajo nuk kishte mundur të gjente një botues që dëshironte ta shtypte dhe shpërndante librin, përcjell albinfo.ch. Disa prej tyre i kanë shkruar asaj, ndërsa shumica nuk i janë përgjigjur fare, thotë Gerta.

Heyne-Verlag gjithashtu kishte hedhur poshtë librin e saj, por të paktën i kishte dhënë asaj sugjerimin që ta “vetë-botonte” në platformën vetë-botuese Tëentysix. Dhe kjo doli me sukses: Që nga 7 janari, libri është prezantuar në faqen e internetit të botuesit, ku mund të porositet si libër i shtypur ose të shkarkohet si një libër elektronik. /albinfo/ KultPlus.com

Kur vdiq Gjergj Kastrioti

Kur vdiq Gjergj Kastrioti, Sulltani tha: “Tashti Europa dhe Azia janë të mijat! Mjer’ Europa, se i humbi shpata dhe mburoja!”

Në shtratin e vdekjes Ai korri fitoren e Tij të fundit pa kenë aty. Një ushtri turke, që kishte pushtue krahinen e Shkodres në kohë dimni, u shpartallue prej ushtrisë Kastriotit pa Skenderbeun, sepse Ai nuk mujte me u ngritë nga shtrati me i hypë kalit..

Fryma e Kastriotit jetoi per shumë kohë në Popullin Shqiptar, ndonse Ai vetë kje zhdukë.

Me 16 Qershor 1478 qyteti i Lezhës u dorzue nga shpartallimi prej urisë, ndonse sulltani i kishte premtue që mos të prekej jeta e mbrojtësve trima të kështjellës. Fan Noli shkruen:

“Mehmeti II dha urdhër t’i thernin burrat pa mëshirë dhe t’i skllavronin gratë e fëmijët. Një vit më vonë (1479) ra dhe Shkodra, pas një rrethimi të gjatë të udhëhequr prej vetë Mehmetit II. Historia e mbrojtjes së saj heroike tregohet prej Marin Barletit, që ka qenë aty dëshmitar dhe ka parë predhat prej guri që shperthenin brenda në qytet çdo ditë…

Kështu, njeri pas tjetrit, gjithë qytetet u shkatërruan dhe u kthyen në katunde të mjera.

Qytetet e lulëzuara të bregdetit u zhdukën, dhe mjerimi i plotë zuri vendin e tyre.., për të treguar historinë e tyre në gjuhen e Viktor Hugoit: “Turqit kaluan andej, çdo gjë u bë gërmadhë e zi.” (F. Noli: Historia Gjergj Kastrioti Skenderbeu – fq. 151).

Marin Barleti shkruen tek “Rrethimi i Shkodres” (fq. 47): “Tashti a mund të besohet se nji shpirt kaq mizor e i ndytë të shporret në pleqni prej të gjitha këtyne të zezave që prej natyre lindin në gjak qysh në moshen ma të njomë? Edhe askujt s’ i shkon mendja me thanë se ai me drejtësi asht ba zot i çdo gjaje, kur të merret parasysh se mbrenda nji kohe aq të shkurtën ai ka krijue nji perandori kaq të madhe. Dhe me të vertetë ai çdo gja pervetsoi në mënyrë të padrejtë e të palejueshme e me perbuzje flliqi çdo gja hyjnore e njerzore, gjithmonë veproi me dredhi, me të pabesë e me epsh të keq. Çfarë poshtërsish s’ ka ba ai njeri: Çdo flligshti; ai ka shnderue, ai ka thye kunorë. Ai ka dhunue Kishë, ka heqë të gjithë meshtarët, ka ngatrrue urdhna, ka perlye mbretni e gjithnji asht orvatë të ngatrrojë e të shuejë çdo gja religjoze, të madhnueshme e të ndershme, a ligjët a kanunet e jetës, a zakone a besë e nder apo çdo disiplinë të drejtë. Qe pra, kjo asht arsyeja per të cilën duhet të hapim sytë e të ruhemi mirë nga pusitë e këtij farë tirani… Duhet të shtijmë në punë të gjitha armët tona, që mos të mbesë gjallë asnji Shkodranë…”

Porosi që vazhdoi të persëritet nga Enver Hoxha e deri sot nga “Rilindja” e Edi Ramës!

Melbourne, 16 Janar 2020. /Fritz Radovani /KultPlus.com

Letra e një nëne: Mund të kisha liri, por zgjedha të kem fëmijë

E paramendoj ndonjëherë se si do dukesha unë po të mos kisha fëmijë? Do të nxitoja për punë dhe ti kryej të gjitha detyrimet. Do shkoja në drekë me miqtë pa u shqetësuar për asgjë.

Ky lloj i grave mund të ketë fëmijë një ditë, por tani mendja e saj nuk e paramendon se si do dukej mëmësia në jetën e saj. Unë akoma mund të isha ajo grua pa fëmijë. Por në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë – edhe ato 3 fëmijë në 5 vjet.

Mund të kisha një mëngjes të qetë dhe të pi një filxhan kafe rehat deri sa përgatitem.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha fundjava ku do flija gjumë deri vonë.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha më shumë para në bankë.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha një makinë të lezetshme.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të udhëtoja në botë dhe të shihja Parisin, Londrën, Pekinin, Stambollin.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha mbrëmje romantike me të dashurin tim.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha flokë të stiluara në mënyrë të përsosur dhe veshje elegante.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha një shtëpi të dizajnuar bukur me mobile luksoze.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund t’i kaloja vitet e fundit duke u përpjekur për karrierë, duke qëndruar vonë në zyrë pa u shqetësuar për asgjë, përveç afateve dhe qëllimeve.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Mund të kisha një stomak të sheshtë, pa shenja strijesh.

Në vend të kësaj, unë zgjodha të kem fëmijë.

Unë mund të isha e lirë të bëja gjithçka që dua, sa herë që dua.

Në vend të kësaj, unë kam fëmijë. / KultPlus.com

“Shqiptarët ishin gjithmonë luftëtarë të mëdhenj që nuk i janë frikësuar vdekjes”

Gerard de Nerval është padyshim njëri nga poetët më të mëdhenj francez, i cili ka lindur më 22 maj të vitit 1808 dhe ka vdekur më 26 janar të 1855’ës, shkruan KultPlus.

Nerval ishte poet, novelist, dhe përkthyes i shquar, i cili konsiderohet si figura kyce e romantizmit francez.

Puna e tij lidhet kryesisht me poezinë dhe novelën, ndërsa theksi bie te lidhjet e tij me shqipëtarët, gjegjësisht pashain shqiptar të Akrës.

Nervali solli në gjuhën frënge, shkrimtarët më të mëdhenj gjerman të kohës, derisa u shqua edhe për punën e tij në gazetari.

Nga krijimtaria e tij u ndikua më vonë edhe Marsel Prusti, si dhe shumë artistë tjerë të mëvonshëm.

Më poshtë, po sjellim thënien e tij të famshme për shqiptarët:

“Shqiptarët ngado që ishin kanë qenë luftëtar të mëdhenj që nuk i janë frikësuar vdekjes” /KultPlus.com

Erza Muqolli në muajin mars me performancë në Prishtinë

Koncertin e parë në Kosovë Erza Muqolli e mbajti në muajin korrik të vitit të kaluar në kuadër të eventit “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus.

Por, mbresat që Erza la në atë mbrëmje kanë bërë që ky të mos jetë koncerti i saj i vetëm në Kosovë.

Kësaj radhe, këngëtarja e njohur shqiptare e cila karrierën e saj po e zhvillon në Francë, do të performojë në muajin mars në Prishtinë në kuadër të Muajit të Frankofonisë.

Babai i saj, Mehmet Muqolli ka konfirmuar për KultPlus duke treguar që pas koncertit të parë në bashkëpunim me KultPlus, kjo ishte një tjetër ftesë të cilën ata e mirëpritën me kënaqësi.

Hapja e Muajit të Frankofonisë do të bëhet me këngëtaren franko-kosovare Erza Muqollin, koncerti i secilës do të mbahet më datë 5 mars.

Erza Muqolli është duke mahnitur me suksesin e saj. Pas publikimit të albumit të parë, ajo është duke zhvilluar një tur. Kujtojmë që në këtë album Erza këndon edhe në gjuhën shqipe. / KultPlus.com

Kur poezia e Jeronim de Radës prezantohej me romantizmin europian

Nga: Dorian Koçi

Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës.

Këngët e Milosaos, si tekst letrar, kanë si motiv kryesor dashurinë e Milosaos me Rinën, bijën e Kalogresë. Gjithandej ndihet atmosfera e dashurisë së tyre, si në takimet në vende të ndryshme në fshat, që mund të quhet një fejesë apo dhe më vonë në martesën e tyre. Kangjelet duket sikur janë ilustrim i ndjenjës së tyre. Motivi që vë De Rada në bazë të kësaj vepre ashtë dashuria fatkeqe e dy të rinjve, që i pengon mjedisi. Përzgjedhja e një të dashure dhe rrethanat që të jenë të lumtur, është shfrytëzuar dhe në letërsinë romantike sentimentale, por poeti i ka dhënë një freski e origjinalitet të jashtëzakonshëm. Poema nuk pati sukses vetëm mes kolonisë arbëreshe në Itali. Duke qenë se vetë De Rada dëshironte të njihej në qarqet letrare të kohës, shpesh herë ndërmerrte takime, u dërgonte librat e vet apo mbante korrespodenca me njerëz të shquar të letrave në Francë, Itali e Gjermani. Dhe kështu u njoh në disa qarqe europiane letrare. Një takim i paharruar për të ka qenë me shkrimtarin e madh romantik francez Alfonse De Lamartine, në shtator të vitit 1844. De Rada në kujtimet e veta shkruan se:

“Ai ishte në kulm të karrierës së vet të shkëlqyer e të brohoritur. I shtyrë nga padurimi për të ditur (për të kuptuar) se nëse ndjenja krenare që kisha për veten ngrihej mbi ndonjë bazë të shëndoshë, kur Ai (Lamartine) kaloi nga Iskia, i dërgova, me anë të një marinari, një kopje të “Milosaos” me “Këngët e Serafinës”.

U fol në rrethin e miqve të mi për këtë guxim (thuhej se kishte pritur letrarët e Napolit me mirësjelljen e një njeriu që nuk i njeh) dhe shumë nga familjarët e mi prisnin që mendjemadhësia ime të merrte dënimin e merituar. Unë kisha zënë shtratin nga dhimbjet e shpirtit, kur pas pesë ditësh, marinari u kthye me këtë letër:

“Zotni,
Jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërie politike mes jush dhe meje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe aty duhet të kthehet. Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse e kam parandjerë dhe që kam shprehur dëshirat e para për rilindjen dhe ringjalljen e Shqipërisë. Ju më shpërblyet së tepërmi. Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh, dhe ju lutem të pranoni falënderimet dhe përgëzimet e mia.”
Lamartine
Iskia, 8 shtator 1844

Më andej, De Rada vazhdon me kujtimet kur u kthye nga Iskia: “I bëra një vizitë në Hotelin e të Huajve në bregdetin e Kiarias. Më tha fjalë që do të ngjallnin një farë krenarie në zemrën e cilitdo. Pastaj, disa ditë më vonë, ndërsa po largohesha nga vila bashkë me dy miq të mi, na kaloi pranë me familjen e Kontit Le Fevre, në karrocë. Hoqa kapelën dhe e përshëndeta. Ndërsa karroca ngjitej në të përpjetën e rrugës, vura re se zonjushat Le Fevre u ngritën në karrocë, kthyen kokat nga unë e më panë, duke m’i ngulur sytë. Gëzimi i madh ma dehte shpirtin.”

Korrespodenca, takimi dhe vlerësimi i poezisë së De Radës nga Lamartine, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, nuk mund të shënohen në analet e kohës si rastësi të bukura mes dy njerëzve të letrave, por si një afinitet poetik i bekuar, që bënte të mundur prezantimin e vlerave të një vendi të panjohur në momentet më vendimtare të tij, kur po përpiqej të ringjallej. De Rada, ashtu si pothuajse gjithë shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj shqiptarë, ka pasur fatin e mirë (apo të keq) që të mos përfaqësojë vetëm veten, por edhe fatin e trishtë të vendit të tij. Bota mesjetare arbëreshe kish trokitur kështu në kujtesën e vjetër të kontinentit, kur trekëndëshi Greqi-Itali-Shqipëri me qytetërimet e tyre të vjetra kishin shërbyer si mëndesha të qytetërimit europian.

Shënim: Kjo ese është botuar fillimisht me disa ndryshime në titull dhe text në blogun e autorit. /KultPlus.com

Profesori i psikologjisë: Pse shqiptarët shajnë kaq shumë në rrjetet sociale

Profesori i Psikologjisë Edmond Dragoti shpjegon se përse shqiptarët janë kaq agresivë në rrjete sociale, shajnë e fyejnë të tjerët dhe komentojnë në dritë negative pothuajse çdo gjë.

Profesori e shpjegoi këtë me disa fenomene sociale tipike shqiptare dhe ja se cilat janë arsyet se përse inati, mllefi, urrejtja dominojnë emocionet në rrjetet tona sociale, shqiptare.
Pse jemi kaq të inatosur dhe të ngarkuar me gjendje negative emocionale?
1. Sepse kemi shumë nevoja bazë të paplotësuara dhe për një kohë të gjatë;
2. Kemi inferioritet kulturor, jemi të pakënaqur me statusin e grupit tonë shoqëror dhe e mohojmë atë për t’iu referuar grupeve me status më të lartë;
3. Jemi në stadin adoleshent të zhvillimit shoqëror, që krijojmë identitetin tonë social duke iu kundërvënë të tjerëve, siç bën adoleshenti kur iu kundërvihet prindërve pa argumenta!
Prandaj kemi aq pak përgjegjësi sociale për ato që themi dhe ato që bëjmë…
Shkaqet janë edhe më tepër, mjafton që secili të shikojë veten dhe ta kuptojë atë… / KultPlus.com

Familja Sala hyjnë në shtëpinë e re, e cila u rindërtua nga Rita Ora (VIDEO)

Nëntori i kaluar do të duhej të ishte muaji festiv, që bashkon çdo vit shqiptarët për festat kombëtare, por tërmeti i 26 nëntorit i bëri të gjithë bashkë në ndihmë të njëri-tjetrit. Ato ditë të vështira, shumë prej emrave të njohur iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të adoptuar një banesë të dëmtuar rëndë nga tërmeti apo duke dhuruar ndihma për familjet në nevojë. E njëra prej tyre ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila vendosi të rindërtonte nga e para shtëpinë e familjes Sala në fshatin Pinar.
 
Sot 6 anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, çelësat e së cilës ua dorëzoi kryebashkiaku Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia. “Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha ai, duke kujtuar bisedën që pati me këngëtaren shqiptare ditët e para pas tërmetit.
 
Familja Sala falënderuan kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora për shtëpinë e re. E emocionuar, Edlira Sala tha se nuk kishte menduar që do të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë. “S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falënderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time. Unë kam mbi 20 vite martesë, nuk arrita të bëj diçka”, u shpreh ajo.
 
Kryebashkiaku Veliaj tha se koha ka treguar që sa herë shqiptarët lënë pas sherret dhe bëhen bashkë, mund të bëjnë punë të mira. “Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore, ti po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka. Nëse Zoti do na japë një çikë mend për t’u bërë pak më të mirë, pak më të dashur me njëri-tjetrin, mund të bëjmë më shumë punë. Por, kur vëmë pengesa e shkaktojmë sherre, s’kemi të ardhme”, tha Veliaj.
 
Lajmin se kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala, Rita Ora e dha në ditën e Flamurit, kur në mediat sociale shkroi: “Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë”./ Shqiptarja.com /KultPlus.com

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”

Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”…

Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar.
Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne.

Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë.

Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer.

Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës.

Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës.

Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore.

Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.

Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor.

Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790.

Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse.

Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant.

Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël.

Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.

Në vijim, supershendeti.com ju sjell 21 aforizma nga Immanuel Kant…

25 thënie nga Imannuel Kant

1. “Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.

2. “Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.

3. “Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.

4. “Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër”.

5. “Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.

6. “Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia”.

7. “Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar”.

8. “Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.

9. “Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.

10. “Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.

11. “Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.

12. “Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën”.

13. “Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.

14. “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.

15. “Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?

16. “Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.

17. “Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet”.

18. “Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.

19. “Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.

20. “Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.

21. “Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.

22. “Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.

23. “Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.

24. “Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”.

25. “Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”. /KultPlus.com

Këto janë 10 verërat më të famshme italiane

➊ Piemonte. Giacomo Conterno Barolo Riserva DOKG “Monfortino” 2001. Thjesht një “must” për të gjithë dashamirët e verës së kuqe më të famshme Piemonteze. Monfortino është emri i të vetmit vresht nga vjen rrushi.

➋ Lombardia. Ca ‘del Bosco, Franciacorta DOCG Dosaggio Zero i “Annamaria Clementi” 2009. Annamaria Clementi është një nga spumantet më të mira italiane. Shumë ekspertë e krahasojnë atë me shampanjat më të mira franceze. Fatkeqësisht, edhe çmimi i saj është gjithçka, përveçse popullor.

➌ Veneto. Quintarelli, Amarone della Valpolicella Classico Riserva DOCG 1995. Për shumë dashamirës të Amarones, Giuseppe Quinarelli konsiderohet një mesia i vërtetë. Prodhimi i tij është shumë i vogël, në përpjesëtim të zhdrejtë me çmimin e shisheve të tij.

➍ Trentino. Ferrari, Trento DOC “Giulio Ferrari Riserva del Fondatore” 1993. Për tifozët është thjesht “Il Giulio”. Dedikuar krijuesit të Trento DOC, kjo spumante konsiderohet një nga verërat më të mira në botë.

➎ Toscana. Tenuta San Guido, Bolgheri Sassicaia DOC 2016. Ju nuk mund të mendoni për verën italiane pa menduar Sassicaia-n. Një nga të paktat DOC, e cila mund të prodhohet nga një kompani e vetme. Nëse edhe kjo nuk është ekskluzive …

➏ Toscana. Biondi Santi, Brunello di Montalcino Riserva DOCG 1995. Biondi Santi është një nga baballarët e verës më të famshme toskane në botë: Brunello di Montalcino. Eshtë një nga verërat më të shtrenjta në Itali. Në SHBA vlerësohet si një yll i Hollivudit.

➐ Umbria. Caprai, Montefalco Sagrantino DOCG “25 vjet” 2005. Një verë e shkëlqyer e kuqe e aftë të vjetërohet për dekada në kantinë. Arnaldo Caprai ka ri-lançuar imazhin e saj në botë.

➑ Umbria. IGT e Bardhë “Muffato della Sala” 2013 – Castello della Sala. Prodhuar nga familja Antinori, është një verë e mrekullueshme për ëmbëlsirë.

➒ Campania. Mastroberardino, Taurasi Riserva DOKG “Radici” 2012. Kur vera e Campanias nuk kishte arritur akoma të gdhendte emrin e vet në mesin e më të mëdhenjve të botës, Mastroberardino krijoi Radicin dhe u vlerësua nga kritikët më të rëndësishëm të enologjisë.

➓ Siçili. Donnafugata, Passito di Pantelleria DOC “Ben Ryé” 2016. Ishulli i Pantellerias, me vreshtat e tij, është një nga vendet më interesante në Itali. Dhe Ben Ryé është një nga verërat më të njohura në ishull (dhe e mirë) në botë. / bota.al /KultPlus.com

Dëshmitarët e Holokaustit sjellin tmerrin në vepra arti

Michael Morris, kurator në Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në New York, në përpjekje për të përmbushur një kërkesë të zakonshme, zbuloi një thesar të përshkrimeve të dëshmitarëve okularë të Holokaustit, të vizatuara me laps, ngjyrë dhe shkumës. “Ishte një moment shndritjeje”, ka thënë Morrisi, i cili hapi ekspozitë arti të krijuar nga rreth 6 milionë hebrenj të vrarë nga regjimi nazist. 

“Rendering Witness: HolocaustEra Art as Testimony” (“Përkthimi i dëshmitarit: arti i epokës së Holokaustit si dëshmi”), ekspozitë e cila hapet këtë javë në muzeun në Manhatanin e Poshtëm, vjen në kohën kur krimet e urrejtjes antisemite janë rritur dhe kujtimet për tmerret e Holokaustit po zbehen, shkruan sot Koha Ditore.

“Kjo ekspozitë del kundër dhe edukon mbi rreziqet e antisemitizmit, racizmit, fanatizmit të çdo lloji”, ka thënë Morrisi, duke përshkruar 21 vizatimet e fuqishme të Holokaustit, kryesisht nga të burgosurit hebrenj. Gjithçka nisi me kërkesën e një institucioni tjetër për të huazuar disa vepra të koleksionit të muzeut. Teksa Morrisi po rishikonte me dhjetëra punime në dhomat e muzeut, ai tha më vete menjëherë se është koha e duhur që muzeu të ketë një ekspozitë të veten.  

“Prapa statistikave dhe prapa numrave e prapa skenave ku ne shohim me qindra mijëra njerëz në kampet e përqendrimit, këta janë njerëz të vërtetë që kanë jetuar jetë shumëdimensionale”, ka thënë Morrisi. 

Në mesin e tyre ishte edhe një vajzë 12-vjeçare, Helga Weissova, e cila kishte marrë me vete veprat e artit kur u dërgua në geton Terezin dhe në kampin e përqendrimit, 48 kilometra në veri të Pragës, në Republikën Çeke, nëntorin e vitit 1944. Para se Weissova të deportohej nga Terezini në Auschwitz, kampi i tmerrshëm i skllevërve në Poloninë Jugore, ajo ia dha vizatimet axhës së saj, edhe ky i burgosur, të cilat i fshehu prapa një muri. 

Ekspozita përmban veprën e saj të vitit 1943 të punuar me laps me ngjyrë në letër, “Transport Leaving Terezin” (“Transporti që largohet nga Terezini”) që shfaq roja të armatosura që drejtojnë një grup të burgosurish që bartin valixhe. 

Weissova tani është në të ‘90-tat dhe jeton në Pragë, por shumë prej artistëve nuk ia dolën të mbijetonin nga kampet e vdekjes. Para se Peter Loewenstein i Çekosllovakisë të deportohej në vitin 1941 në Terezin dhe më pas më 1944 në kampin e tmerrshëm të Auschwitzit, ai ia dha 70 punime nënës së tij. 

Por edhe nëna e tij dhe motra shumë shpejt u deportuan në Auschwitz, por jo para se t’i dorëzonin veprat artistike tek një mik i familjes. Motra e tij, e vetmja anëtare e familjes që i mbijetoi kampit, gjeti dosjen pas luftës, përfshirë “Eight Men in Coats with Stars” (“Tetë burra në pallto me yje”) një vizatim i vitit 1944 që i paraqet hebrenjtë të detyruar të bartin shenja identifikuese. 

Po kaq e fuqishme është edhe vepra me ngjyra uji e punuar nga Marvin Halye, anëtar i Divizionit të 104-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së SHBA-së, i cili e çliroi kampin e përqendrimit Nordhausen në Gjermani më 1945. 

Pasi pa disa nga të burgosurit e mbijetuar mbi mijëra trupa të pajetë, si me shpejtësi shkroi “Çlirimi i Nordhausenit, civilët që mbulojnë kufomat”. Shfaqja, e cila hapet më 16 janar dhe do të qëndrojë e hapur deri më 5 korrik, po hapet në kohën kur në SHBA, dhe veçanërisht në qytetin e New Yorkut, vendi me komunitetin më të madh hebraik pas Izraelit, krimi i urrejtjes antisemite ka shënuar rritje. Krimet e urrejtjes kundër hebrenjve në New York më 2019 ishin në nivelin më të lartë në 28 vjetët e fundit, sipas profesorit Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në universitetin shtetëror të Kalifornisë, “San Bernardino”. 

Në sulmin më të fundit, një person plagosi me hanxhar pesë persona të mbledhur muajin e kaluar për kremtimet “Hanukkah” në shtëpinë e një rabini në lagjen e New Yorkut, Monsey. 

Disa javë më parë, nga të shtënat në një supermarket në Jersey City, New Jersey, mbetën të vdekur dy hebrenj hasidikë. 

Krimet e urrejtjes po përshkallë zohen në kohën kur shumë të rinj amerikanë kanë mungesë njohurish bazike për Holokaustin. Zbrazëtitë më të mëdha në të kuptuar janë në mesin e amerikanëve në të 20-tat dhe të 30-tat. 

Dy të tretat e tyre nuk e dinë çfarë është Auschwitzi, sipas një studimi të fundit të kryer nga Konferenca mbi pretendimet materiale hebraike kundër Gjermanisë. / KultPlus.com

Në 99% të institucioneve në Maqedoninë e Veriut nuk zbatohet Ligji për gjuhën shqipe

Nga pyetësorët anketues të dërguar në 641 institucione, 99 për qind e përgjigjeve thonë se dygjuhësia nuk zbatohet siç përcaktohet në ligj.

Kjo bëhet e njohur nga dhënat e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, ku theksohet se rezistenca paraqitet edhe tek institucionet ku ka udhëheqës maqedonas edhe tek ata me udhëheqës shqiptarë. Sipas udhëheqësit në sektorin për planifikim dhe koordinim, Marjan Patlixhankovski vullneti për zbatimin e ligjit diku ekziston dhe diku jo, ndërsa sa i përket fazës së parë të zbatimit, ku përfshihet ndryshimi i vulave, llogove, memorandumeve dhe të ngjashme, deri diku janë zbatuar, por sipas tij, ka akoma institucione ku akoma nuk ka filluar zbatimi i kësaj pjese. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka obligim ligjor që deri më 31 mars, të dorëzojë raportin e plotë me përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe më pas e njëjta do të publikohet në ueb faqen e tyre. Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela thotë se kanë reaguar lidhur me moszbatimin, megjithatë thotë se nuk është kompetencë e tyre që të bëjnë dënime. Sela tha se Inspektorati tanimë ka drejtor të ri dhe pasi ta formojmë ekipin do të dalin në terren, të shohin ankesat që arrijnë dhe më pas të procedojnë ato çështje. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve publikoi broshurën “Informacione mbi të drejtat gjuhësore të qytetarëve në RMV” dhe udhëzuesin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve./Shenja.tv / KultPlus.com

“Takimet Ndërkombëtare letrare Azem Shkeli” hap konkurs për poezinë më të mirё

Drejtorati për kulturë, rini dhe sport -Sektori i Kulturës i komunës sё Pejës me rastin e Manifestimit tradicional, “Takimet Ndërkombëtare letrare Azem Shkeli” i cili organizohet në Pejë mё 23 e 24 maj tё këtij viti, shpall konkurs për poezinë mё tё mirё tё lexuar gjatё manifestimit letrar, e cila do të shpërblehet nga juria e propozuar nga Këshilli organizativ dhe aprovuar nga DKRS. Tё gjithë të interesuarit, poezinё e tyre duhet ta dërgojnë deri mё 31 mars 2020, nё adresën elektronike: [email protected]

Poezia duhet tё jetё e pabotuar, tё mos jetё mё e gjatё se dy faqe kompjuterike si dhe me emër dhe mbiemër.

Poezitё e përzgjedhura do të publikohen.

Konkurs për çmimin “Bulëzat”

Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport nё Pejë, shpall konkurs për çmimin “ Bulëzat” i cili për çdo vit ndahet për krijuesit e rinj në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar “Takimet e Azem Shkreli” i cili mbahet mё 23 dhe 24 maj 2020 në Pejë.

Të gjithë krijuesit e rinj, duhet të mos jenë mbi njëzet vjeç dhe të kenë një libër me poezi të botuar pas edicionit tё TNL 2019. Çmimi “Bulëzat” ka për qëllim pyetjen dhe motivimin krijues. Të gjithё të interesuarit mund të konkurrojnë deri mё 30 prill 2020, duke i dërguar krijimet e tyre në këtë adresë: [email protected]

Autorët të cilët dëshirojnë ti promovojnë librat në kuadër të këtij manifestimi, duhet të dërgojnë kërkesat me shkrim, në adresën elektronike: [email protected]. / KultPlus.com

Ernest Koliqi, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30

I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij, prof.  Ernest Koliqi, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë, si sot, më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës). Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, shkruan VatikanNews.

Duke shfletuar kalendarin historik, më 15 janar, kujtojmë prof. Ernest Koliqin në përvjetorin e vdekjes. Poet, prozator, dramaturg e studiues i madh i letërsisë shqipe. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve”. Bashkëpunoi me revistat më të rëndësishme të kohës, e themeloi njërën ndër revistat më interesante të letërsisë shqipe “Shkëndija” të Tiranës.

Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”. Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës. Pra, nga viti 1939 qe profesor Ordinar i Gjuhës e letërsisë shqipe pikërisht pranë këtij universiteti romak.

I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij, prof. Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë, si sot, më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. U varros në Romë. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen “Gjuhadol”. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik.

Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, prof. Ernest Koliqi njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe

Një jetë tejet e begatë me ngjarje e vepra, treguar me pak data:

Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903.
1921 – Perfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano, Itali, dhe u kthye në Shqipëri, ku dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve”.
1924 – Hyri në Shoqërine patriotike “Bashkimi”, krijuar nga Avni Rustemi. Për shkak te lidhjeve të reja politike, u detyrua të emigrojë pesë vjet në Jugosllavi, për t’i shpëtuar forcave zogiste, pas revolucionit të dështuar te Nolit.
1929-36 – U kthye në Shqipëri. Punoi si mësues në Vlorë e në Shkodër. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash, Koliqi bëhet i njohur si shkrimtar i talentuar i letërsisë shqiptare.
1937 – U diplomua në Universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”.
1939-41 – U emërua ministër i arsimit gjatë pushtimit fashist.
1944 – U largua në Itali, i dënuar nga qeveria e re komuniste, si bashkëpunëtor i fashizmit.
1957 – U emërua drejtues i Institutit te Studimeve shqiptare, të posakrijuar në këtë vit, si pasues i katedrës se Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Në këtë vit, nisi të botohet edhe revista letrare e Koliqit “Shejzat” në gjuhen shqipe.
Më 15 janar 1975 vdiq në shtëpinë e tij romake, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.

Vjershat e para i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studentore”Noi giovani”, në Bergamo; gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbeut” me përmbajtje patriotike. Më pas “Hija e maleve” e “Tregtar flamujsh”, kryevepra të tij e të novelës në gjuhën shqipe.
Me vlerë të madhe janë edhe përkthimet: “Poetët e mëdhaj të Italisë”.

Vijoi botimet duke nxjerrë në dritë më 1959 “Kangjellat e Rilindjes”; më 1960 romanin “Shija e bukës së mbrume”, ku ndjehet fuqimisht dashuria e mërgimtarit për tokën e vet. Në poezi Koliqi na la edhe vëllimin “Gjurmë stinësh” (1933), “Symfonia e shqipeve”, e “Pasqyrat e Narçizit”, me shtatë poemtha në prozë.

Sot njihet si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Mjaftojnë dy përmbledhjet me tregime “Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior, tjetri, i rrëfimit jugor. Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi.

Sipas mendimit kritik, Konica cilësohet “nismëtar i prozës moderne shqipe”, ndërsa Koliqi, “themelues i prozës moderne shqipe”.
Studiuesi Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.

Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të shkollës letrare të Shkodrës, pasi u ushqye me kulturën poetike klasike dhe moderne e asimiloi kulturën poetike arbëreshe. I dëbuar nga Atdheu, i marrë nëpër gojë për pikëpamjet e tij politike, i mohuar deri si artist, i djegur nga malli për t’u rikthyer fizikisht në Atdhe, vijon të presë në varrezën romake ‘Prima Porta’, nën një rrasë mermeri të kuq, i rrethuar nga njerëz të huaj, i mbuluar me dhe të huaj, nën një qiell të huaj – rikthimin në Atdhe – ndërsa vepra e tij, nuk u largua kurrë prej Shqipnie e sidomos, prej Shkodre…

***

Ernest Koliqi – Shkodra në mëngjes

Këndojn’ sbashku n’mëngjes pes’ kumbonare,
këndojn’ n’ajrí mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqê sýnin e qetë.

Përhap’ lajmin e zgjimit rrezja e parë e
t’parat përshndetje dridhen n’heshtí t’letë,
e shpejt n’at lavdí dielli, qi e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zâne, zhurmë e jetë

E ai diell prendvere i ri shprazet n’shtëpija
udha e lulishta, tur ngjall’ ngjyra e shkndija
tu mbshtjell’ gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skâj në skâj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’syt e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tynë kur shkojn’ n’shkollë. /KultPlus.com

Universiteti i Harvardit liston Kuranin si librin më të mirë për drejtësi

Fakulteti Juridik i Harvardit është një ndër institucionet më të respektuara të SHBA-së. Ai mban bibliotekën më të madhe të drejtësisë në botë. Barack Obama kishte studiuar këtu për tri vite dhe në vitin 1991 ai u diplomua në Doktoratën e tij me një vlerësim te përgjithshëm magna cun laude. Përveç kësaj, politikanë të tjerë me ndikim, gazetarë, autorë, sipërmarrës dhe atletë e stolisin listën e të diplomuarve të këtij fakulteti akademik të Universitetit të Harvardit.

Kohët e fundit Biblioteka e Fakultetit të Drejtësisë në Harvard, ka emëruar shprehjet më të mëdha të drejtësisë në historinë njerëzore. Në hyrje u vendos një ekspozitë në të cilën ishte shënuar ajeti 136 i suresë En-Nisa, në të cilin thuhet:

Sipas webfaqes zyrtare të këtij fakulteti http://library.law.harvard.edu/justicequotes/, ekspozita “Fjalët e drejtësisë” është një dëshmi për kërkimin e vazhdueshëm për drejtësi dhe dinjitet me anë të ligjit. “Fjalët në këto mure e ripohojnë fuqinë dhe pathyeshmërinë e idesë për drejtësi” thuhet atje. Sipas Fakultetit Juridik të Harvardit, citatet ilustrojnë universalitetin e konceptit të drejtësisë, pavarësisht nga koha dhe kultura. / KultPlus.com

Unë dhe ti

Poezi nga Serafina Lajçi

Unë dhe ti
Jemi piktura e një qielli t’kaltër
e poezia që grish amshimin
Unë dhe ti jemi skaji i Moirave
që na lënë si darkën e fundit
Unë dhe ti jemi fryma e vetme
e dy palë buzëve që mbretërinë e kanë t’bashkuar
Unë dhe ti jemi përrallat e vërteta
t’paramenduara veç si prehje fëmijesh
Unë dhe ti jemi shpirti i lirë
i valëvitur erë n’kërkim t’tjetrit
Unë dhe ti jemi magjepsja
kur qesh skaj i buzës
e syri kaplohet n’shkëlqim
Unë dhe ti jemi flaka
që shuhet veç kur duam ne
Unë dhe ti jemi malli
kur merr hov si meteor
Unë dhe ti jemi yjet
sa herë ndeshen shikimet tona
e përflaket galaksia
Unë dhe ti jemi Uni(versi)
Gjithçkaja e mëhershme e pyetjeve
Unë dhe ti jemi eklipse përqafimesh
që shkrihen mallshëm
E bëhen NJË

Botohet në Francë libri “Në tokën e skiptarëve”

Nga Gëzim Llojdia

1.

Shtëpia botuese Spinelle ka botuar :” Në tokën e skiptarëve” (Shqipëria në imagjinatën evropiane të shekullit të 16-19) në 10 janar 2020 një vëllim prej 310 faqe me autore Dr Olympia Gargano studiuese italiane. Spinelle Edicion është aktualisht në botimet frëngjisht, shtëpia botuese Spinelle është e specializuar në botimin dhe shpërndarjen e librave, si bashkëkohorë ashtu edhe klasikë. Është një hapësirë ​​e hapur për të gjitha fushat letrare dhe për autorët e të gjitha origjinave. Në faqen e saj Spinelle ka botuar një vështrim të shkurtër të librit. Me këtë studim të autores italiane O.Gargano,mundësohet njohja e kulturës,artit,traditave dhe riteve të lashta e një prej vendeve të panjohur të Ballkanit në këta shekuj.Ky është libri tretë i studiueses italiane O.Gargano veçanërisht përmes veprave të Edith Durham (Shqipëria e Lartë, 1909), dhe Ugo Ojetti :”LAlbania 1902.

2.

Çfarë përmbledh ky libër: Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga vendet më të anashkaluara në Evropë. Në sytë e të huajve, kjo cep i vogël i Ballkanit, i cili që nga fundi i shekullit XV, kishte ngelur për gati pesëqind vjet nën sundimin otoman ishte një post misterioz i Islamit në zemrën e Evropës. Ky libër “gjurmon shtigjet” në imagjinatën letrare dhe artistike që formësuan përfaqësimin e Shqipërisë në kulturën evropiane.

Udhëtimi shtrihet nga shekulli i 16-të, kur gjestet e Lordit George Castriota Skënderbeu, duke luftuar kundër ekspansionizmit turk në Ballkan, ishin objekt i veprave teatrale , deri në fillimin e shekullit të 20-të, duke kaluar përmes përfaqësime të panumërta letrare dhe figurative, që e bënë atë një tokë aventureske, të gjallëruara nga kostumet madhështore për të cilat shqiptarët admiroheshin në të gjithë Mesdheun.
Titulli i këtij udhëtimit :”Në vendin e Skipetarëve” riprodhon një term të përdorur nga Alexandre Dumas, një nga shkrimtarët e shumtë që tërhoqi “materialin e Shqipërisë” – siç mund ta quajmë repertori i gjerë i subjekteve shqiptare, i cili pasuroi krijimin krijues artistiko-letrar.

Rreth 40 faqet e para i kushtohen krijimeve nga autorw tw ndryshwm heroit tonw kombëtar, Skwnderbeut .

Olimpia Gargano, e lindur në Ravello, në Bregun e Amalfi, është një doktor në Letërsi Krahasuese dhe studiuese e asociuar në CTEL, Universiteti i Nice Sophia Antipolis. Hulumtimi i saj përqendrohet në imazhin e Shqipërisë në kulturën moderne dhe bashkëkohore evropiane. Ajo është mësuese e gjuhës dhe letërsisë italiane dhe latine në Lycée Aprosio në Ventimiglia, dhe përkthyese letrare nga frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja. /KultPlus.com

Isa Boletini, fati i trishtë i familjes dhe pasardhësve së tij

Nga: Dashnor Kaloçi

Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.

Pas kësaj si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjënd nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemëve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarëve nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në 1981 kur u inagurua monumenti i gjyshit tim Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është 67-vjeçari Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit? Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, na njeh rrëfimi i nipit të tij Isa Boletinit të ri, i cili e ka ndjerë vetë mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

GENOCIDI MBI BOLETINËT

Po si qëndron e vërteta ndaj vrasjes së djalit të Isa Boletinit nga komunistët shkodranë në 1944-ën dhe cili ishte qëndrimi që mbajti regjimi komunist ndaj kësaj familje pas mbarimit të Luftës? Lidhur me këtë Isa Boletini i ri dëshmon: “Vrasja e babait tim nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunuistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri, si shenjë hakmarrje ndaj gjyshit tim Isa Boletinit i cili luftoi për vite me rradhë ndaj serbo-malazezëve. Në atë kohë vrasja e Ademit, u prit me indinjatë të madhe nga gjithë populli i Shkodrës që e dënoi atë akt barbar, sepse Adem Boletini shërbente si ushtarak dhe nuk ishte përzier asnjëherë në politikë. Ndonëse unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë varrimin madhështor, që i bëri populli i Shkodrës babait tim Ademit, ku edhe rinia Antifashiste e qytetit u detyrua dhe solli kurorën e saj. Që nga ajo kohë, për të mbulaur atë krim dhe indinjatën e madhe të popullit të Shkodrës, komunistë hapën fjalë se gjoja Adem Boletini ishte vrarë pa dashje dhe shënjestra e atentatit kishte qenë major Ndrec Prenga, Qarkomandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës. Po kjo gjë u hodh poshtë po prej tyre nga dy traktet që ata hodhën menjëherë pas asaj vrasje. Nga ato dy trakte, më kujtohet si tani vetëm i pari që ne mundëm ta gjenim, ku për vrasjen e babait flitej vetëm në dy rreshtat e fundit. Aty thuhej: “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikeshëm”, kujton Isa Boletini rreth vrasjes së babait të tij Ademit, që ishte dhe djali i tretë i Isa Boletinit.

KALVARI I BOLETINËVE NË SHQIPËRI

Qëndrimi që mbajti regjimi komunist i Tiranës pas vitit 1944 ndaj familjes së djalit të Adem Boletinit, tregoi më së miri se vrasja e Adem Boletinit kishte qenë e paramenduar prejt tyre dhe jo gabimisht ashtu si u përpoqën ta paraqesnin ata. Lidhur me këtë hedh dritë dëshmia e Isa Boletinit i cili shprehet: “Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet në 1944, i nxitur nga politika zyrtare e Beogradit vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqia mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë deri sa vdiq. Burgosja e nënës sime nga komunistët erdhi si pasojë edhe e faktit se motra e saj ishte bashkëshortja e Jup Kazazit, njërit prej antikomunistëve më të njohur i cili në 1947 organizoi dhe revoltën e armatosur që kishte si synim përmbysjen e regjimit komunist. Pas dënimit të nënës sonë, gjykata dha vendimin edhe për sekuestrimin e pasurisë, ndonëse ne nuk kishim asnjëlloj pasurie dhe në Shkodër banonim tek shtëpia e dajës, mjekut të njohur Dr. Selaudin Bekteshit. Deri aty nga fillimi i viteve 60-të, për ne si familje u nxorrën tre vendime që të largoheshim nga Tirana. Herën e tretë ne qëndruam të fshehur për një muaj dhe u desh ndërhyrja e dajës sonë Dr. Bekteshit që të kthehej urdhëri që ishte dhënë për dëbimin tonë nga Tirana. Edhe pas kësaj, qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ka qenë elastik në varësi të konjiukturave politike. Kështu kishte shumë raste që mua më largonin nga Arsimi dhe më dërgonin të punoja si puntor. Po kështu dhe vëllai Enisi i cili mezi mundi të diplomohej si mjek (nën kujdesin e dajës Dr. Bekteshit) pasi dy vjet shkollë i bëri natën, ndonëse ishte mjek i njohur tre herë e kanë pushuar nga puna dhe e dërgonin në morg. Qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ndryshoi vetëm pas vendosjes së monumentit madhështor të Isa Boletinit në qytetin e Shkodrës në vitin 1981, ku në inagurimin e tij familjen tonë nuk e thirrën duke na thënë se kishin harruar. Po kështu gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist deri në vitin 1990, familja jonë u thërrit vetëm njëherë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarsisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të ne nuk na kanë thërritur asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij Isa Boletini duke shtuar se vlersimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë në Kosovë, ku me inisiativën e vetë Presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetra studime rreth figurës së tij.

TE VRARE NGA SERBET

Halil Boletini 1833
Mujë Boletini 1892
Ahmet Boletini 1894
Isa Boletini 1916
Halil Boletini 1916
Seid Boletini 1916
Jonuz Boletini 1916
Halit Boletini 1916
Musa Boletini 1944
Skënder Boletini 1944
Asllan Boletini 1945
Faik Boletini 1947
Isuf Boletini 1947
Rasim Dajçi (nip) 1945
Hysni Rudi (nip) 1945

TE BURGOSUR NE JUGOSLLAVI
Mujë Boletini 3 vjet
Kapllan Boletini 20 vjet
Ali Boletini arrtisur nga burgu
Tafil Boletini burgosur në 1945
Ikbale Boletini burgosur në 1945
Kumrie Boletini burgosur në 1945

TE VRARE DHE TE BURGOSUR NE SHQIPERI

Adem Boletini vrarë në 1943
Tafil Boletini burgosur në 1945
Adile Boletini burgosur në 1947
Ismet Boletini burgosur në Spaç
Enver Dajçi (nip) burgosur në Spaç

Familja e madhe e Isa Boletinit nga Mitrovica e Kosovës

Origjina e herëshme e familjes së Boletinëve prej nga rrjedh i famëshmi Isa Boletini, është nga fshati Isniq. Në atë fshat që përpara periudhës së Skënderbeut thuhet të ketë ka banuar i pari i tyre që quhej Lekë, i cili ka pasur tre djem: Nika, Cana dhe Preka. Nga këta tre vëllezër që jetuan në fshatin Isniq, rrodhën dhe u krijuan tre lagje, që morën emrat: Niklekaj, Canalekaj dhe Preklekaj të cila u shumuan dhe arritën deri në 500 shtëpi. Si shumë familje të mëdha patriakale të asaj periudhe, edhe familja e Lekës e ata që erdhën pas tij deri në pesë breza, të detyruar nga presionet e pushtimet osmane dhe për t‘ju shpëtuar pagimit të taksave dhe detyrimeve ndaj Turqisë, iu vunë fëmijëve të tyre emra të ndryshëm si Mujë, Demë, Hajdar dhe Myrsel. Kështu nga barku i familjes së Hajdarit dhe vëllait tij Halitit, rrodhi dhe u krijua lagjia Zhazhë, kurse nga barku i vëllait tjetër Ahmetit, rrodhi dhe u krijua lagjia Muslije. Nga barku i Adem Myrselit rrodhi shtëpia e Ahmet dhe Isa Boletinit. Më pas duke u shtuar numri i tyre, rreth 180 shtëpi u shpërngulën nga fshati Isniq dhe u vendosën rreth e rreth Istogut ku formuan katundet Tomoe, Muzhevinë, Prekallë, Rudicë,

Zabllac, Trubuhovcë, Boletin e Zharcë. Po kështu në atë kohë nga Isniqi janë shpërngulur edhe më shumë se 50-60 shtëpi të tjera të cilat u vendosën nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës. Sipas një studimi të Prof. Skënder Luarasit, thuhet se të parët e kësaj familje të detyruar nga depërtimet e pushtuesëve osmanë, kanë zbritur nga viset veriore ku banonin në atë kohë dhe janë vendosur në fshatin Boletin aty rreth vitit 1529, ku morën dhe mbiemrin Boletini. Ky fshat i cili është dhe vëndlindja e Isa Boletinit, ndodhet jo shumë larg qytetit të Mitrovicës (në veri të saj) i cili duket si një qytezë e vogël i vendosur mbi faqen e një shkëmbi të madh, përbri një shpati që vëndasit e quajnë Sokolaj. Aty nga viti 1750, kullat e Boletinëve u dogjën për herë të parë nga taborret e ushtrisë turke, kur këta marshuan në drejtim të asaj krahine për të kapur Hajdarin e Demë Mujë Nikës dhe vëllezërve të tij Halilit e Ahmetit. Duke qenë si fisi i Boletinëve nuk u pajtua asnjëherë me politikën e Portës së Lartë të Stambollit dhe ishte gjithmonë në gjëndje lufte me ta, kullat e tyre në fshatin Boletin u dogjën përsëri në vitet 1830-1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur Adem Boletinin. Po kështu në vitin 1892 ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftrat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia e familjes Boletini vazhdon me Isa Boletinin (u lind në fshatin Boletin në 15 janar 1864) i cili vazhdoi luftrat kundër turqëve dhe si rezultat i saj, zjarri mbi kullat e Boletinëve u vu përsëri nga Hafëz Pasha i cili i dogji ato në vitin 1895. Pas kësaj kullat e Boletinëve u dogjën edhe dy herë rradhazi nga xhonturqit në vitet 1908 dhe 1914, në luftrat që ata bënë kundër Isa Adem Boletinit. Isa Boletini pati nëntë djem dhe pesë vajza, të cilat quheshin: Halil, Zahid, Mujë, Adem, Musë, Bajazit, Asllan, Faik, Kapllan, Azize, Havize, Shehdije, Ajete dhe Feride. Isa Boletini pasi u bë një nga prijsit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës në luftrat e tyre kundër pushtimit osman, një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës ku Ismail Qemali shpalli Pavarsinë e Shqipërisë. Isa Boletini u vra nga forcat serbo-malzeze të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribinicës në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjestarë nga familja e tij, duke filluar nga djali i tij i madh Halili (24 vjeç), djali tjetër Zahidi (18 vjeç) që në atë kohë ishte student në Vjenë, dy nipat Jonuzi (26 vjeç) dhe Halili (24 vjeç) si dhe tre kushërijtë e tyre të quajtur Hajdar Selim Radisheva, Misin Niman Bala dhe Idriz Bislimi. Pas vrasjes së Isa Boletinit, në vitin 1916, që përkon edhe me largimin e ushtrisë osmane nga Shqipëria, familja e madhe e Boletinëve që jetonin në fshatin me të njëjtën emër në afërsi të Mitrovicës, u muar me administrimin e pronave të tyre. Përveç këtyre pronave të cilat konsistonin në toka bujqësore, blegtori me mijra kokë dele dhe kullota që shtriheshin në të gjithë fshatin Boletin, familja Boletini ka qenë e njohur dhe për prodhimin e gurëve të Mademit për mullijtë e blojës, të cilat shiteshin deri në Hungari. Në vitin 1944 me ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Titos, familja Boletini iu nënshtrua një persekucioni të egër dhe barbar, duke bërë që djemtë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit të ndiqeshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën tjetër të familjes së Isa Boletinit që ndodhej në Shqipëri, ku që në 1943 u vra me atentat djali i Isës, nënkolonel Adem Boletini dhe më pas disa nga nipat e kësaj familje vuajtën nëpër burgje dhe internime. Si rezultat i kësaj politike që u ndoq nga regjimet e Beogradit dhe Tiranës në harkun kohorë të 80 vjetëve, nga familja e Isa Boletinit janë vrarë apo ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën me vite të tëra në burgje dhe internime. Regjimi komunist i Tiranës duke ndjekur dhe mbajtur ndaj familjes Boletini të njëjtin qëndrim si ai i Beogradit, nuk ia dha Isa Boletinit vëndin që i takonte në Historinë e Shqipërisë. Si rezultat i këtij qëndrimi, deri në vitin 1962 ai mbante vetëm urdhërin “Skënderbeu” dhe në atë vit, në kuadrin e 50-Vjetorit të Pavarsisë, iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit”. Pas kësaj rreth 20 vjet më vonë në vitin 1981, atij iu ngrit një monument madhështor në qytetin e Shkodrës dhe në inagurimin e tij nuk u thërritën dy nipat e Isa Boletinit, Enisi dhe Isai që jetonin në Tiranë. /KultPlus.com

“Mësoni të doni veten, para se të doni të tjerët”

Osho Rajneesh (Indi, 1931-1990) ishte, para se të bëhej një mësues shpirtëror mbarëbotëror, një profesor i filozofisë.

Qysh në moshë të re ai ishte i njohur për inteligjencën e tij akute dhe natyrën e tij rebele dhe provokative: ai hodhi poshtë fetë që i mbanin njerëzit në një gjendje nënshtrimi me frikën e dënimit të përjetshëm; kjo ishte arsyeja pse ai ishte “i ftuar” për të lënë karrierën e tij akademike: ajo u konsiderua shumë reaksionare dhe për këtë arsye e dëmshme për mendjet e nxënësve të tij.

Për Oshon, dogmat dhe fetë ishin të dëmshme dhe i pengonin individët të evoluonin, të zgjoheshin frymësisht dhe të jetonin një jetë të plotë në harmoni me botën. Reflektimet e tij ishin të njohura për të nxitur lirinë personale, gëzimin, vullnetin e lirë dhe lumturinë dhe kritikojnë ashpër doktrinat dhe fuqitë që vendosnin sakrificë, varfëri, nënshtrim dhe censurë.

Kishte, megjithatë, një temë, mes të gjithave, që ishte veçanërisht afër zemrës së tij dhe në të cilën mund të fliste për orë të tëra: dashuria.

“Dashuria eshte fitimi i vetem, diviniteti I vetem, misteri i  vetem per  te jetuar dhe  te  perfshire. Duke e kuptuar dashurinë, do të kuptoni të gjitha provimet dhe mistikat e botës “.

Ne perëndimorët kishim edukuar në dashuri për të tjerët, por askush nuk na kishte shpjeguar se është e rëndësishme ta duash veten para se të doni të tjerët. “Duaje të afërmin tënd si veten” thuaj shkrimet e shenjta; por në garën tonë të çmendur drejt “së mirës më të madhe” kemi humbur një fjalë të rëndësishme: “si”.

Dhe përveç kësaj “si”, ne kemi humbur edhe veten.

Kjo është arsyeja pse reflektimi i Osho, me titull «Të bjerë në dashuri», që unë propozoj më poshtë, ka meritën e vënies së pikave në “i”: para se të doni të tjerët, duhet të mësoni ta doni veten, përndryshe si mund të jeni të sigurt çfarë ju jepni të tjerëve?

“Bie në dashuri me dashurinë”: para se të doni të tjerët, mësoni të doni veten

“Duke qenë egoist do të gjeni të gjithë altruizmin që keni kërkuar dhe kërkuar, pa e gjetur kurrë atë; sepse i gjithë konteksti u përmbys: juve ju është thënë të doni të afërmin tuaj, por kurrë nuk e keni dashur veten! Dhe një person që nuk e ka dashur veten, si mund ta dojë të afërmin e tij?

Ku mund të merrni dashuri nga?

Së pari ju duhet ta keni atë.

Ju e doni të afërmin tuaj, pa ditur asgjë për dashurinë, sepse kurrë nuk e keni dashur veten. Fqinjët ju duan, pa dashur kurrë veten: një çmenduri tronditëse po shpërthen në botë. Njerëzit e duan njëri-tjetrin, pa ditur asgjë për dashurinë: është sikur disa lypës kërkonin lëmoshë mes tyre, duke menduar se tjetra është një perandor.

Të dy mendojnë të njëjtën gjë: tjetri është një perandor. Por të dy janë lypës, herët a vonë realiteti do të shfaqet dhe pastaj do të ketë pakënaqësi dhe vuajtje. Atëherë do të mendoni se jeni mashtruar: “Ky lypës u përpoq të kalojë si një perandor!”, Por kjo është një absurditet i vërtetë.

Ishte ti që mendove për të si një perandor; dhe situata është identike edhe në anën tjetër: tjetra mendon se ju e keni mashtruar atë, duke u paraqitur si një perandor, ndërsa ju jeni vetëm një lypës.

Kur të dy lypësit zbulojnë se ata janë vetëm lypës, ata mund të bëjnë gjithçka, por të jenë të zemëruar, të shpërthejnë me zemërim, të sulmojnë njëri-tjetrin, të urrejnë veten deri në vdekje!

Dhe dashuri? Nuk ishte: ata nuk e dinë se çfarë është dashuria. Të dish diçka, duhet të fillosh nga vetja. ”

“Njeriu është tamam si një pus”.

Për të dhënë ujë, pusi duhet të jetë i plotë, duhet të ketë ujë brenda dhe kështu edhe qenia njerëzore mund të japë vetëm atë që ai ka brenda vetes, atë që ai me të vërtetë ndjen: aq më shumë ai do të jetë në gjendje të dojë vetveten dhe më shumë ai do të jetë në gjendje të japë dashurinë e vërtetë, sepse ai do ta ketë ndjerë atë në lëkurën e tij (dhe jo vetëm për të dhënë idenë se dikush e bën dashurinë), aq më shumë ai do të jetë në gjendje të mirëpresë brenda vetes bukurinë e botës, çudinë, gëzimin dhe më shumë ndajnë këtë bollëk me botën; atëherë ajo do të jetë pjesë e rrjedhës së jetës.

Dhe në rrjedhën nuk ka mungesë, nuk ka frikë, ka një dhënie dhe pranim të vazhdueshëm, ka një transformim të vazhdueshëm: si burimi që rrjedh drejt detit dhe më pas bëhet një re, shi, borë dhe përsëri burim.

Pra, mendoni për ta bërë veten të lumtur dhe lumturia juaj do të jetë si uji: do të rrjedhë dhe do ta bëjë botën një vend më të mirë.bota.al. /KultPlus.com

Pashko Vasa, një nga figurat kryesore në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare

Shkruar nga Albert Vataj

Një zë dhe një zemër, një personalitet dhe një gurthemel, një vullnesë e hovshme atdhetarie dhe një ngulm i pashterrshëm kushtrimi që vazhdon të kumbojë atëditë e sot, vazhdon të gjëmojë në gjokse e hove zjarrmtare, si një flakadan i gjakuar në të epërmin amanet shqiptarie.

Pashko Vasa, ishte dhe mbeti, erdhi dhe u amëshua në zërin dhe zemrën e gjithë asaj dëshmueseje shqiptare, si një emër, me të cilin na lidh historia dhe atdhetaria, pushteti dhe kushtimi krijues, pena e tij shgjetare.

Më 29 qershor të vitit 1892, larg, shumë larg, atje në Beirut të Libanit, ndali jeta e Vaso Pashë Shkodranit. U shua asodite një prej veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare; poet, shkrimtar dhe guvernator deri në të mbramë të frymës. Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 17 shtator 1825. I ati quhej Mhill Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja, e motra do ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite, duke u zhvendosur në djepin ku lindi dhe përkundi veç korifej, në Shkodër, n’atë shtëpí ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.

Pashko Vasa (1825, Shkodër-1892, Beirut, Lebanon) also known as Vaso Pasha,
Wasa Pasha or Vaso Pashë Shkodrani, as a Governor of Lebanon (1882-1892).
Pashko Vasa Shkodrani si guvernator i përgjithshëm i Libanit,(1882-1892).
Images Credit: Wikimedia Creative Commons

Rrugtimi i tij është i gjatë dhe i mbushur përplot me ngulme dhe sfida, të cilat morën prej tij dhe na dhanë ne, shqiptarëve dhe krejt shqiptarisë, një kolos, një krenari, një atdhetar, një penë dhe një zemër të prushur atdhetari.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për lirí. Ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorsís Qytetare. I frymëzuem nga atdhetarët e shquem italian, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për kët qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse t’atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Nderkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për n’Ankona. Atje austriakët e kapen dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, t’ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë n’aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorís Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme që me lanë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët diten me i përdorë postet në dobí të çeshtjes shqiptare. Nga disa të dhena që nxirren prej përmbledhjes me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trendafila e gjemba”, botue në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me nje shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se P. Vasa ka shërbye disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkoder. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshire Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqiperine të Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të perpjekjeve për themelimin e nje shoqerie kulturore dhe të nje alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e nje shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënje në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen per krijimin e nje organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Pashko Vasa ishte dhe mbeti një ndër figurat më komplekse në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Ai ishte intelektuali, historiani, publicisti, romansieri, diplomati dhe atdhetari i shquar i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut. Kombi ynë për herë do të mburrët për fatin e mirë që në gjirin e vet mbanë me xhelozi figurat markante si Vaso Pashë Shkodranin. Jeta dhe vepra e Pashkos, janë bërë pjesë e pandashme e historisë dhe e letërsisë së popullit shqiptar./KultPlus.com

“Sa më shumë që një gjë priret të jetë e përhershme, aq më shumë tenton të jetë e pajetë”

Fjalitë e Alan Watts janë në gjendje të trondisin konceptimin tonë për botën, jetën dhe marrëdhëniet, duke na futur në humnerën e frytshme të qenies sonë, shkruan KultPlus.com

“Një person që mendon vazhdimisht se nuk ka asgjë tjetër për të menduar, përveç mendimeve të veta, e humbet kështu kontaktin me realitetin dhe jeton në një botë iluzionesh”.

“Fjalët mund të shprehin vetëm një fragment të vogël të njohurive njerëzore, sepse ajo që mund të themi dhe mendojmë është gjithmonë shumë më pak se ajo që ndiejmë”.

“Qëllimi dhe kuptimi i vallëzimit është vallja. Ashtu si muzika, edhe vallëzimi zhvillohet në çdo moment të rrugës së vet. Një sonatë nuk është realizuar për të arritur akordin final, dhe nëse kuptimi i gjërave qëndron vetëm në fundin e tyre, kompozitorët do të shkruanin vetëm përfundime”.

“Pra, nëse vetëdija ime për të kaluarën dhe të ardhmen më bën më pak të vetëdijshëm për të tashmen, duhet të filloj të pyes nëse po jetoj vërtet në botën e vërtetë”.

“Shkëputje do të thotë të mos kesh keqardhje për të kaluarën ose frikë për të ardhmen, të lësh jetën të marrë rrugën e saj, pa ndërhyrë në lëvizjet dhe ndryshimet e saj, të mos përpiqesh të zgjasësh përhershmërinë e gjërave të këndshme ose të shpejtosh largimin e gjërave të pakëndshme. Ta bësh këtë do të thotë të lëvizësh në kohë me jetën, të jesh në harmoni të përsosur me muzikën e saj që ndryshon. E gjithë kjo quhet Iluminim”.

“Sa më shumë që një gjë priret të jetë e përhershme, aq më shumë tenton të jetë e pajetë”.

“Eshtë krejtësisht e padobishme të themi se nuk duhet të duam të jemi të sigurt. Ajo që duhet të zbulojmë është se nuk ka siguri, se kërkimi i saj është i dhimbshëm dhe që, kur mendojmë se e kemi gjetur, nuk na pëlqen. Gjëja e parë për të kuptuar është se nuk ka shpëtim ose siguri”.

“Çdo person është një shfaqje unike e të tërës, ashtu si çdo degë është një zgjatje e pemës.”

Fjalitë e Alan Watts janë një trashëgimi e çmuar nga e cila duhet të reflektohet dhe të rritet ndërgjegjësimi ynë. Ato na ftojnë të zgjerojmë spektrin tonë pamor dhe mendor për të shkuar më tej. Një koleksion pilulash mençurie për të mbajtur në mend rrugën e evolucionit personal. bota.al. /KultPlus.com