Rrëfimi i infermieres italiane: Maska m’u mbush me lot, për çfarë m’u lut 42 vjeçari në reanimacion …

Italia është prekur më shumë se çdo vend tjetër i Europës nga koronavirusi.

Bilanci i vdekjeve dhe infektimeve atje shtohet dita-ditës, e pavarësisht përpjekjeve të tyre të lavdërueshme dhe vetëmohimit, mjekë e infermierë shpeshherë e gjejnë veten në situatën e dëshpëruar që nuk arrijnë dot t`i ndihmojnë ashtu siç do të donin pacientët e goditur prej koronavirusit.

Një ilustrim të qartë të gjendjes e bëri infermierja Maria Cristina Settembrese, e cila punon prej më shumë se një dekade në spitalin San Paolo të Milanos. Që prej shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, ajo ka qenë në krye të detyrës. Maria tregon episodin e dhimbshëm që nuk i shkulet nga mendja.

“Dërguam në reanimacion një 42 vjecar. Ndërsa më shtrëngonte dorën, më lutej,”Më thoni që do të zgjohem përsëri, kam dy vajza të vogla në shtëpi”. Maska ime u mbush me lot”, rrëfeu infermierja.

Ajo tregoi më tej sesi 15 shtretërit me ventilim të spitalit janë zënë të gjithë nga pacientë me koronavirus. Moshat e tyre nisin nga 48 vjeç e lart.

“Në 30 vjet punë, nuk jam ndeshur kurrë me një situatë të tillë”, shprehet ajo.

“Pak herë kam qarë gjatë punës time, por tani më ndodh përditë sidomos kur shoh të shkruar: JKR – Jo Kandidat për Reanimacion! Kur të përfundojë e gjithë kjo, dua të shkoj në Marsa Alam, pranë detit të harroj gjithçka”, thotë infermierja.

Në Bergamo, vdiq nga koronavirusi një 46 vjecar, Diego Bianco, i cili ishte punonjës teknik i shërbimit të urgjencës. Edhe punonjës të tjerë kishin ndjerë shqetësime e kanë qëndruar në shtëpi. Tch / KultPlus.com

“Aty ku është dashuria, aty është jeta”

Nga Nikolin MIRIA

Për dashurinë janë shkruar shumë libra, poezi, ese, janë thurur shumë vargje, por ajo nuk kërkohet të mbetet vetëm në të shkruar apo në fjalë, por të dhurohet e të praktikohet. Dashuria, është një nga ato virtyte për të cilat çdo njeri do të dijë, të flasë e të shkruaj. Një ndjenjë që çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme. Por, a janë të gjithë të aftë të dhurojnë dashuri? Kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia drejtojë vetes dhe t’i përgjigjet. Këtu nuk flitet për një dashuri të shkruar ose të shprehur me fjalë, por për një dashuri të vërtet dhe që dhurohet për tjetrin. Sepse, ajo është pjesë e eksperiencës njerëzore, është ajo që jetohet. Është virtyti që i jep jetës kuptim. E nga kjo arrihet të kuptohet se dashuria është një nevojë për secilin njeri, pa dallim moshe.

Ta përkufizosh dashurinë është e vështirë, sepse dashuria është një eksperiencë njerëzore e nuk ka fjalë që e përkufizon atë.

Por ajo që mund të thuhet mbi dashurinë e që përmbledh gjithçka, është fjala JETË. Mahatma Gandhi thotë: Aty ku është dashuria, aty është jeta. Kurse Tolstoi thotë: Ku është dashuria, aty është edhe Zoti. Kështu që nuk mund të kuptohet një jetë pa dashuri dhe një dashuri pa jetë, e nuk mund të kuptohet një Zot pa dashuri dhe një dashuri pa Zot. Këto janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe nuk mund të shihen e nuk mund të ndjehen të ndara, Zoti, Dashuria dhe Jeta. Pra, dashuria është jetë, e jeta është dhuratë e Zotit. Është ajo që kërkohet të jetohet, dhurohet, e përjetohet çdo ditë sot e tani, e jo të presim nesër. Sepse, ajo i përket të tashmes vetëm në të tashmen është e vërtetë.

Dashuria, më shumë se një zgjedhje, është një nevojë të cilën secili njeri e ndjen në jetë. Qysh në fëmijëri shfaqet kjo nevojë e vazhdon deri sa njeriu të jetojë. Dashuria, është vullneti që nxit zhvillimin tonë shpirtëror për të arritur pjekurinë ose plotësimin e vetvetes dhe të tjerëve.

Dashuria është një nevojë që kërkohet plotësuar ashtu si gjitha nevojat tjera. Është një zbrazësi në të cilën dashuria duhet derdhur. Nevoja për dashuri, është ashtu sikur nevoja për uri, etje për kripëra apo vitamina. Ashtu sikurse njeriu nuk mund të jetojë e nuk mund të zhvillohet pa ushqim, ashtu ndodh edhe në aspektin e brendshëm që njeriu nuk mund të jetojë e të zhvillohet shpirtërisht pa dashuri. Pa dashuri, njeriu nuk mund të jetë i pasur, i shëndetshëm, i shquar, sepse ai nuk di asgjë për vlerat e brendshme. Dashuria është një nevojë shëruese. Është ajo që shëron shumë plagë.

Dashuria, është fuqia më e madhe shëruese në jetë. Ata që e lënë t’u ikë mbeten të zbrazët, sepse ajo nuk është një fenomen, mbi të cilin duhet të reflektojmë, por një nevojë e një realitet që kërkohet të jetohet. Mos të harrojmë çdo moshë ka nevojë për dashuri. Nuk u takon vetëm dy të rinjve apo dy të dashuruarve por secilit individ. Dashuria nuk i mohohet askujt, sepse secili njeri e ndjen nevojën për të qenë i dashur dhe që të dojë. Ai, nuk është gjithmonë në gjendje vetëm të dhurojë dashuri por kërkon edhe të marrë dashuri. E njeriu që do, është ai njeri që di ta dojë vetveten dhe është në gjendje të dojë edhe të tjerët.

Dashuria, është motori i formimit dhe i edukimit. Është ai motor që mban gjallë çdo marrëdhënie. Nënë Tëreza thotë: Në këtë botë ka më shumë nevojë për dashuri sesa për bukë.

Dashuria është një funksion i natyrshëm, ashtu si frymëmarrja. Shprehja e dashurisë është e nevojshme për shëndetin në çdo fazë të zhvillimit. Njeriu, pa dashuri, është pa krahë. Bota ka nevojë të pushtohet nga dashuria, e kjo varet nga çdo njeri e kërkohet nga secili prej nesh. Kur themi nga secili, kuptohet se fillon nga UNË.

Dashuria është e çmuar në vetvete, sepse nuk ka synime. Ajo ka vlerë të madhe, është gëzimi i madh është hareja në vetvete. Pa dashuri nuk ka gëzim, pa dashuri nuk ka jetë, pa dashuri njeriu lakmon diçka të panjohur, diçka të paplotësuar, diçka të zbrazët. Ajo, nuk dëshmohet më numrin e dhuratave e me fjalë të bukura, por me gjeste të mira e dhurimi të cilat flasin shumë më tepër.

Dashuria, është e çmuar sepse është një element që ndryshon sjelljen. Është ajo që e bën një transformim në mënyrë të menjëhershme. Ajo, nuk është pronë që të grumbullohet, por është rrezatim aromë që ndahet. Është ajo që jep krahë për të fluturuar si shqiponjë drejt diellit. Dashuria, është vetëm e një lloji, ajo është dashuri, e cila formohet mbi besimin e respektin reciprok. Është ajo që di të presë, është e durueshme, është vepruese. Ajo, jeton në të tashmen sot dhe tani. Ta jetojmë dashurinë do të thotë të matemi me njërën prej detyrave më të larta e të ndritura të jetës: të dhurosh veten për të mirën e tjetrit. Dashuria kërkon që të heqësh dorë nga vetja. Të lirohesh nga egoja. Ajo, është e çmuar sepse të çliron nga gjërat dhe nga vetvetja dhe të bën të lirë.

Dashuria reciproke, rrjedh nga ata individë që janë të çliruar nga vetvetja, por nëse njeriu, është i mbushur nga Ego-ja dashuria nuk qëndron, ajo zhduket, sepse dashuria dhe ego-ja nuk mund të bashkëjetojnë. Dashuria, është ajo që kërkon për t’u bërë një me tjetrin dhe me të mirën e tij. Dashuria nuk pret kthim të dashurisë. Është përvojë e përhershme e ngritjes së personalitetit të njeriut. Ajo është plotësim dhe e zmadhon qenien e njeriut sepse e mbush atë, e pasuron, nuk e zbrazë dhe nuk e varfëron. Dashuria, është shumë e shtrenjtë dhe ata që janë të aftë ta ofrojnë atë, e dinë shumë mirë se ajo duhet orientuar drejt produktivitetit me anë të vetëdisiplinimit.

William Shekspeare thotë: Dashuria është ajo kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë. Kjo është dashuria për të cilën ka nevojë secili prej nesh. Dashuri do të thotë, tani.

Dun Lush Gjergji: Koha e Coronavirusit të na mësojë ta duam jetën dhe njëri-tjetrin

Ky virus, për mendimin dhe vlerësimin tim, e ka “zhveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës”  dhe arrogancës, nga besëtytnitë që njeriu i sotëm, di dhe mund shumëçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit  të vetë njeriut. Ndoshta, kjo na bënë mirë të gjithëve, dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domosdoshëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të varur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri – tjetrit.

Një intervistë e Don Lush Gjergjit dhënë Linda Karadakut, Tiranë

Çfarë ka ndodhur me familjen tuaj? Si u infektuan?

Një pjesë e familjes time, si dhe shumë familje shqiptare nga Kosova, por edhe nga viset e ndryshme shqiptare, janë në punë dhe në jetë në botën e jashtme. Familjarët e mi janë vite të tëra kryesisht në Bergamo dhe në rrethinë. Atje tashmë janë ambientuar si në jetë, ashtu edhe në punë, edhe pse ëndrrat dhe zemra e tyre është gjithnjë në Kosovë. Ata, si dhe të tjerë, me një anë nuk pajtohen me këtë realitet të ri, por hetojnë dhe konstatojnë që tash për tash zgjidhje tjetër nuk ka. Gjithnjë më thonë: na mbyti pagjumësia dhe malli! Tash janë të rrezikuar edhe nga koronavirusi më së tepërmi atje. Për t’i ikur kësaj vatre tejet të rrezikshme të infektimeve, por edhe për t’u shmall dhe pushuar në vendlindje, me pranverë shumë “dallëndyshe” kthehen në çerdhet e tyre stërgjyshore. Kështu bëri edhe vëllai im Mihilli, me gruan e tij, Dranën, erdhën në Kosovë me fluturim Verona – Prishtina, më 5 mars 2020. Çdo gjë ishte rregull me kontrollime mjekësore, si në Verona, po ashtu edhe në Prishtinë. Si duket, së paku kështu thonë ekspertët, virusi ishte në fazën e inkubacionit, dhe pasi një javë dite, ishte tejet agresiv dhe aktiv. Vëllai pati kollitje, shtrëngim në gjoks, plogështi. Pas kontrollimeve fillestare, “amatoreske” në Viti dhe në Gjilani, pa fajin e tyre, qe dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë, ku gjendet edhe tash, së bashku me të birin Robertin, dhe me shoqen e tij, Suzanën, në terapi. Mjekët thojnë se gjendja e tyre tash për tash është stabile. Lusim Zotin jo vetëm për familjarët e mi, por edhe për të gjitha ata që janë të kërcënuar dhe të rrezikuar nga kjo sëmundje ngjitëse, e cila, fatkeqësisht na ka gjetur neve, por edhe mbarë botën, të papërgatitur. Bota po e paguna ndoshta tepër shtrenjtë vetëbesimin e tepruar,  nënçmimin e këtij rreziku, mos të them prepotencën dhe arrogancën…

Si jeni ju vete?

Unë të dielën e kaluar, më 8 mars 2020, isha në Stubëll, në vendlindje, dhe si çdo herë u shmalla dhe u kënaqa me takime, Meshë dhe shumë çka tjetër. Kuptohet, me vëllain Mihillin, si dhe me familjen e tij në Kosovë, patëm edhe darkën, së bashku me famullitarin e vendit, Don Jeton Thaqin. Të ejtën e kaluar, më 12 mars, kuptova që im vëlla Mihilli, ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë. Fill, për përgjegjësi ndaj vetes, edhe më shumë ndaj bashkëpunëtorëve, por edhe publikut, iu nënshtrova testimit të premten në mbrëmje, 13 mars 2020, diku rreth orës 19. 00.

Çfarë shenjash kishin familjarët tuaj?

Temperaturë, plogështi, kollitje, shtrëngim në fyt dhe në gjoks, shenja karateristike të këtij virusi, si duket, mjaft agresiv dhe për disa, sidomos për të moshuar dhe njerëz me sëmundje kronike, edhe i rrezikshëm.

Si ndjeheshit ndërkohë që prisnit rezultatin e analizës?

Eh, ta them të vërtetën, të “rrëfehem” botërisht, pritja edhe për mua ishte mjaft e gjatë dhe jo e lehtë, diku 24 orë, edhe pse më kishin thënë që do të bëhej më shpejtë. E kuptoj “vonesën”, nëse kështu mund të them, sepse tashmë “Kosova”, sidomos vendlindja ime, Stublla, por edhe Klina, janë vatra e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Ditën e kalova në uratë, aty-këtu shkrim dhe lexim, në pritje të “gjatë”, por gjithsesi me fe dhe shpresë…

Çfarë këshille do t’u jepnit njerëzve ne Kosove dhe kudo tjetër?

Së pari të jemi sa më të përgjegjshëm për shëndetin tonë, si dhe të të afërmve, familjarëve tanë, dhe t’iu përmbahemi përpikërisht udhëzimeve nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ndoshta kemi harruar tashmë të jetojmë së bashku në rrethin apo ambientin familjar, duke jetuar dhe punuar me një lloj “vrapimi” dhe frenezie që po na merr “frymën”, shpirtin, vlerat tona tradicionale, përkujdesjen për fëmijë dhe për pleq dhe plaka. Më kujtohen dy thëne tejet të qëlluara, tash edhe shumë aktuale: “Mjerë ajo shtëpi së s’ka pleq dhe fëmijë” dhe “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, vlera këto që na kanë mbajtur nëpër shekuj dhe e kanë ruajtur vitalitein tonë. Është bllokuar thuaj gjithçka, shkolla, puna, udhëtimi, prodhimi, një botë e mbështetur vetëm në materializëm, konsumizëm, hedonizëm, relativizëm dhe ateizëm praktik, është në rrezik dhe çrregullim të tërësishëm…

Ky virus, për mendimin dhe vlerësimin tim, e ka “zhveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës”  dhe arrogancës, nga besëtytnitë që njeriu i sotëm, di dhe mund shumëçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit  të vetë njeriut.

Ndoshta, kjo na bënë mirë të gjithëve, dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domosdoshëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të varur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri – tjetrit. Virusi nuk njeh kufij, “viza Shengen”, ndalime, kontrollime…

Sa bukur do të ishte që bota jonë të jetë e tillë, me përgjegjësi, liri, paqe, demokraci, vëllazëri, e mbështetur me vlera dhe virtyte gjithënjerëzore dhe të krishtera. Lusim Zotin dhe shpresojmë për një botë më të mirë, më njerëzore, jo vetëm ekonomike, komerciale, ku paraja mbiçmohet, jemi të robëruar nga “zoti – para”, ndërsa Zoti dhe njeriu nënçmohet dhe anashkalohet…  Populli thotë mirë: çdo e keqe sjell ndonjë të mirë!

A duhet të na shërbejë kjo pandemi për te qenë me njerëzor, t’u kthehemi vlerave dhe te duam me shume jetën dhe njeri-tjetrin?

Kjo do të ishte edhe porosia më e bukur, mirësi, afërsi, bujari, vëllazëri me çdo njeri, sepse jeta është tepër e shkurtë, dhe ne atë nuk mund ta jetojmë sido, me egoizëm, egocentrizëm, bajraktarizëm, “partitizëm”, me ndarje dhe përçarje të pakuptimta dhe vetëvrasëse dhe vëllavrasëse…

T’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, kjo është ftesa ime për çdo shqiptarë apo shqiptare, por edhe më gjerë, sepse “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”, “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën” dhe “veprat e dashursië janë vepra të paqes” do të na porosiste Shën Nëna jonë Tereze.

Besojmë, shpresojmë dhe dashurojmë Zotin, njëri-tjetrin, në krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë.

Veçanërisht a duhet të kemi me shumë kujdes për të moshuarit? Dhe një sistem më të mirë shëndetësor?

Sistemi shëndetësore në nivelin global, evropian dhe botëror, është treguar shumë I dobët, pa ndonjë përgatitje të mirëfilltë njerëzore dhe profesionale, pa struktura adekuate… E te ne, e dimë që është edhe më keq. Na ruajt Zoti prej çdo të keqeje dhe rreziku!

Të vdekurve nga koronavirusi, ta gëzojnë pushim e pasosur, të sëmurëve shërim sa më të shpejtë dhe të mirë, atyre që janë për ngushëllime, së pari Zoti i ngushëlloftë, pastaj afërsia dhe pjesëmarrja jonë dhe  e tjerëve, në këto dhembje dhe pikëllime, u qoftë mbështetje dhe përkrahje!/drita.info /KultPlus.com

Buxhovi: Përballje me sëmundjen në vend të fshehjes së saj

Shkruan: Jusuf Buxhovi

PËRBALLJE ME SËMUNDJEN, NË VEND TË FSHEHJES PREJ SAJ…

Lam Mula erdhi i brengosur. U ul te mani i vjetër dhe po shikonte në drejtim të majës së Pashtrikut, sikur të kërkonte ndonjë përgjigje nga bardhësia e borës në majat e saj, që shkrepnin rrezatim vezullues gjithandej hapësirës deri te Bjeshkët e Nemuna.
E dija se kishte hallin e sëmundjen që tashmë përhapej me të madhe në gjithë vendin, ndërkohë që ne kishin filluar fshehtas mbrojtjen me anën e grrithjës, që kryenin plakat e malësisë te plemet e Lamit në Orize.
“Mos po e përhapim më shumë?”, tha gjithë dyshim.
“Po bëjmë diçka, vëlla… Edhe nëse nuk del ashtu si presim, së paku nuk mund të qahemi se kemi bërë sehir apo jemi fshehur prej saj për t’u kthyer në pjesë të turmës së frikësuar deri në palcë, që nëpërmes mbylljes, humb shpresën për jetën…”
Si rëndom, për t’ia hequr dyshimet që na mundonin të gjithëve në ato rrethana tepër të rënda, zura t’i flas për epidemitë që vinin e shkonin, por nuk ia kishin dalë të shfarosnin njerëzimin ngaqë ilaç kishte paraqitur përballja e hapur me to dhe jo ikja prej tyre me arsyetime të ndryshme që nuk paraqesin tjetër pos nënshtrim ndaj saj… Thashë se kjo ka edhe çmimin e vet, që nuk mund t’i iket, por jetës ia ruan vazhdimësinë…

(Shkëputje nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)

Bajrami: Po punohet intensivisht për ta bërë mësimin online pas situatës së krijuar shkaku i koronavirusit

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se janë duke u përgatitur që ta bëjnë mësimin online, pas situatës së krijuar shkaku i koronavirusit.

Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka thënë po bëjnë gjithçka që është e mundur ta tejkalojmë dhe menaxhojmë situatën pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19.

Postimi i plotë i Bajramit:

Qytetarë të nderuar,

Të dashur nxënës dhe mësimdhënës,

Së pari dhe mbi të gjitha është shëndeti. Duhet t’i respektojmë thirrjet për kujdes dhe të mos ketë panik.

Në këtë drejtim po bëjmë gjithçka që është e mundur ta tejkalojmë dhe menaxhojmë situatën pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19.

Ne në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po punojmë instensivisht për të përgatitur mësimin online duke pasur parasysh faktin se askush s’e di sa do të zgjasë kjo situatë e rëndë.

Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse asnjëherë me parë nuk është punuar në këtë drejtim POR kemi ndihmë nga shumë operatorë privatë dhe profesionistë të fushës, të cilët në këtë kohë kanë ofruar ekspertizën e tyre pa asnjë kompensim.

Ministrisë i duhet edhe kontributi i shumë mësuesve dhe arsimtarëve për të krijuar përmbajtjen.

Për çdo gjë do të informoheni me kohë. Klan Kosova / KultPlus.com

‘Hapni dritaret dhe lëreni muzikën të hyjë në shtëpinë tuaj’, dhjetra instrumentistë i bashkohen kësaj nisme (VIDEO)

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka publikuar rastet e shumta të të rinjëve dhe jo vetëm, që i janë bashkuar nismës “Hapni dritaret dhe lëreni muzikën të hyjë në shtëpinë tuaj”.

Shqipëria ndodhet në karantinë pas masave të marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, të njohur ndryshe si COVID-19.

Në këtë kontekst, ministrja Margariti prezantojë nismën, ku i bënte thirrje të gjithë të apasionuarve dhe profesionistëve të muzikës, instrumentistëve që mesditën e të dielës të përdorin muzikën e tyre duke ja përçuar fqinjëve dhe zonës ku jetojnë.

“Le ta kthejmë qëndrimin në shtëpi në një mundësi për të qenë më të mirë, të bashkuar dhe të vlerësojmë lirinë që na ofron muzika”,- shprehet Margariti.

Kështu, nismës së Margaritit i janë bashkangjitur studentë nga Shkodra dhe dhjetra insturmentistë të tjerë.
“Qëndro Në Shtëpi. Trego Kulturën Tënde. Muzikë në Dritare “,- tha Margariti. /atsh/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/828711524283310/

Apel i IKSHPK për bashkadhetarët që kanë ardhur në Kosovë: Rrini në shtëpi, ky është patriotizëm

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) përmes një apeli iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe bashkatdhetarëve tanë duke kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin rekomandimet e institucioneve, për ta përballuar me më pak pasoja situatën epidemiologjike në të cilën gjendet vendi, pas shfaqjes së rasteve me coronavirus.

IKSHPK veçmas kërkon nga bashkadhetarët tanë, të cilët këtyre ditëve kanë ardhur në Kosovë, që të qëndrojnë në familjet e tyre dhe se e kanë obligim të detyruar të qëndrojnë 14 ditë të vetë-karantinuar.

“Nëse keni ardhur tashmë në Atdhe, ju lutem qëndroni në vetë-karantinë dhe bëni gjestin patriotik: përmbajuni rregullave të vetë-karantinës!” thuhet në apelin e IKSHPK.

Apeli i plotë i IKSHPK:

“Të nderuar Qytetarë të Republikës së Kosovës!
Shumë mesazhe mbështetjeje e falënderimi po marrim këto ditë nga ju! Ju faleminderit nga stafi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës!

E ne ju duam shumë, shumë duke ju lutur nga shpirti:

QËNDRONI NË SHTËPI pranë të afërmve tuaj dhe ndiqni rekomandimet tona sa më shumë që të keni mundësi!

Bashkatdhetarë të nderuar që keni ardhur në atdhe! E di që keni mall për atdhe dhe keni ardhur të vizitoni familjen dhe të dashurit tuaj!

Kësaj radhe na ndihmoni duke qëndruar në shtëpi pranë të afërmve tuaj.

QË TË TREGONI ATDHEDASHURI DHE PATRIOTIZËM:
PA SHTRËNGIM DUARSH!
PA PËRQAFIME!
QËNDRONI NË DISTANCË NGA NJËRI TJETRI SË PAKU 2 METRA LARG!
Për bashkatdhetarët që akoma nuk kanë ardhur në Kosovë:
JU LUTEMI QË TA SHTYENI VIZITËN NË ATDHE DERI NË KALIMIN E KËSAJ SITUATE!

KËSAJ RADHE DO TË NA NDIHMONI NËSE QËNDRONI ATJE KU JENI!

Nëse keni vendosur patjetër të vini në Atdhe keni obligim të detyruar të qëndroni 14 ditë të vetëkarantinuar!

Nëse keni ardhur tashmë në Atdhe, ju lutem qëndroni në vetëkarantinë dhe bëni gjestin patriotik: përmbajuni rregullave të vetëkarantinës!

Nëse keni shenja dhe simptoma të dyshimta në lidhje me COVID-19 na thirrni në qendrën e thirrjeve 03820080800 për informata të nevojshme!”, thuhet në apelin e IKSHPK. / KultPlus.com

Ronaldo i shndërron në spitale të gjitha hotelet e tij, për të prekurit nga koronavirusi

Cristiano Ronaldo është i madh në fushë pa pikë dyshimi, por ajo që bënë jashtë fushave është e jashtëzakonshme.

Sulmuesi portugez shpeshherë është përfshirë në disa ngjarje që kanë të bëjnë me bamirësi, ku nuk ka munguar ndihma e tij e madhe.

Ylli i Juventusit aktualisht po ndodhet i izoluar në Portugali, pasi kishte udhëtuar për ta festuar ditëlindjen e motrës së tij, por me tu futur e gjithë Italia në Karantinë, atëherë Ronaldo me leje të klubit ka vazhduar izolimin vullnetar në shtëpinë e tij në shtetin portugez.

Dy ditë më parë Ronaldo iu drejtua të gjithëve me një mesazh emocionues pas shpërthimit të pandemisë coronavirus, transmeton KultPlus.

Pestana CR7 në Madeira

Ndërsa tani pesë herë fituesi i Topit të Artë ka marrë një veprim për tu duartrokitur në shtetin e tij Portugali.

35-vjeçari ka në pronësi dy hotele ‘Pestana CR7’ në Portugali dhe ka marrë vendim që ata t’i shndërrojë përkohësisht në spitale.

Marca ka raportuar se portugezi ka vendosur që t’i shndërrojë këto hotele në spitale falas për të gjithë të prekurit nga pandemia coronavirus COVID-19.

Pestana CR7 në Lisbonë

“Të gjitha hotelet ‘Pestana CR7’ që janë në pronësi të Cristianos nga ditët e ardhshme do të shndërrohen në spitale falas për pacientët e prekur nga coronavirus”, shkruan Marca.

E përditshmja spanjolle raporton se Ronaldo do t’i paguajë edhe mjekët dhe infermierët që të kujdesën për pacientët që të kenë një mjekim sa më të mirë.

“Ronaldo gjithashtu do t’i paguajë mjekët e infermierët si dhe gjithë punëtorët e hotelit. Këto hotele do të shndërrohen në spitale deri sa të kalojë pandemia coronavirus me të vetmin qëllim që shteti i tij Portugalia ta përballojë sa më lehtë këtë moment të vështirë”, thuhet në artikullin e Marcas.

Ky gjest i Cristiano Ronaldos është vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga mediat botërore, por edhe nga tifozët e futbollit.

Dy hotelet në pronvsi të Ronaldos ‘Pestana CR7’ janë në kryeqytetin portugez Lisbonë dhe në qytetin e tij të lindjes Madeira. /telegrafi/ KultPlus.com

Armenia ka zgjedhur këngën përfaqësuese në Eurovision (VIDEO)

Armenia në Eurovisionin e këtij viti, do të përfaqësohet me këngën ‘Chains on you’, të interpretuar nga Athena Manoukian, shkruan KultPlus.

Deri në muajin prill do të dihen gati shumica e këngëve pjesëmarrëse në Eurovizion dhe garat pritet si zakonisht të jetë e fortë.

Kujtojmë që përfaqësuesja shqiptare në Eurovizionin e vitit 2020 është Arilena Ara me këngën “Shaj”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=XpQHGMM8c5U&list=PLmWYEDTNOGUL69D2wj9m2onBKV2s3uT5Y&fbclid=IwAR0d2UyLsB35EG0xeh7WVmcg1Nt89S7EaC_IZ5JLxcvp0eq2OCWLFx5vXRw

Pejanët nuk i ndalon as koronavirusi për të marrë nuse

Situata e krijuar nga koronavirusi ka bërë që shumë banorë të vet-izolohen nëpër shtëpitë e tyre dhe të marin masa mbrojtëse në mënyrë që qytetarët të mos preken nga ky virus.

Madje, Kryeministri i Kosovës ka dhënë urdhër që të mbyllen të gjitha lokalet, kafiterit e mos të mbahet asnjë aheng familjarë, për shkak se aty ku qëndrojnë njerëz më shumë ka gjasa që të preken nga ky virus, transmeton KultPlus.

Mirëpo, këtë urdhër, nuk e kanë respektuar të gjithë. Një familje nga Peja ka bërë dasmë. Në foto shihen duke vallëzuar të gëzuar, pa u merakosur për virusin që tashmë ka arritur edhe në vendin tonë. / KultPlus.com

Prej shtëpisë keni mundësi të vizitoni Muzeun më rrëqethës të Tiranës, klikoni në link dhe jeni brenda Muzeut

Në vitin 2017, ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’, u kthye në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve, i cili tashmë konsiderohet si një ndër muzetë më të veçantë që përpiqet t’u rrëfejë vizitorëve të tij një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Pasiqë tash janë mbyllur të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato kulturore, ‘Muzeu Kombëtar i Përgjimeve’, tashmë mund të vizitohet edhe përmes platformës onlinë në 3D. / KultPlus.com

https://kultura.gov.al/3dsite/?lang=en

Ndërlidhja e jetës dhe vdekjes në veprën “Fenomenologjia e vdekjes” të Anton Berishajt

Recension nga Rajmonda Kitaj

Vdekja është përfundim i një tregimi dhe fillim i një tjetri.
Gjatë ekzistencës së njeriut, ka momente të cilat e veçojnë prej vijës së mesme dhe që i quajmë si momente të jetës. Ekzistojnë të tjera momente të cilat qëndrojnë poshtë horizontit dhe që i quajmë vdekje. Në të vërtetë si njëra, ashtu edhe tjetra anë e vijës ndarëse, shënon ekzistencë.

Libri me poezi “Fenomenologjia e vdekjes” i poetit Anton Berishaj, rrjedhimisht titullohet “Libri i madh i antipoezisë 1980-1985” që është në një farë forme, është ribotim i librit me titullin “Lule mëngjesi”, i botuar në vitin 1986.
Me këtë përmbledhje poezish, poeti ynë i jep një drejtim të vetin filozofik poezisë shqipe.
 Bazat e letërsisë janë ato të realitetit ku jetojmë, mirëpo loja që bëhet me ato baza, me ato mjete, me atë lëndë, udhëhiqet nga të tjera ligje, nga ligjet e imagjinatës dhe intuitës.
Prandaj, qysh në shfletimin e parë, lexuesi fiton përshtypjen që ky libër është shkruar me një dashuri të madhe, një shpirt artistik dhe mendim të thellë filozofik, kryesisht për jetën-vdekjen dhe dashurinë në raport me njëra-tjetrën.

Thirrja e vdekjes është thirrje dashurie.  Vdekja mund të jetë e ëmbël,  nëse i përgjigjemi me pohim, nëse e pranojmë si një nga format më të mëdha të përhershme të jetës dhe transformimit (Hermann Hesse, shkëputje nga një letër, 1950).

Libri ndahet në dymbëdhjetë pjesë. Secila pjesë e librit ngërthen në vete poezi me impuls sa personal, por edhe impersonal, ndërsa në secilën poezi ndjehet një përplasje në mes të jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe urrejtjes, lumturisë dhe vuajtjes.

Në çdo poezi të këtij libri, duket sikur poeti po kërkon me ngulm qëllimin e jetës, por për arsye ende të pa njohura e gjen veten të rrethuar në të gjitha anët me praninë e vdekjes.
E kemi të vështirë zbulimin e misterit të jetës dhe të vdekjes, nëse vdekja është diçka që për shkak të paditurisë sonë na shokon, atëherë jeta dhe arsyeja pse erdhëm në jetë nuk kanë pushuar kurrë së qeni një problematikë e pazgjidhëshme për mendësinë njerëzore.

Bota po shkatërrohet dhe gjithçkaje po i vjen fundi. Jeta e sotme është sipërfaqësore: vlerat e vërteta kanë humbur dhe bota po bëhet gjithnjë e më pak “njerëzore”.  Jeta e sotme është një gënjeshtër dhe kjo gënjeshtër institucionalizohet në formën e edukimit kombëtar, një propagandë e gjerë në shkallë univerzale, e cila tenton të përgatisë të ardhmen e brezit të ri, i cili e pranon botën e imponuar.

Rrena, hajnia, terri po mbizotërojnë gjithkund dhe siç na thotë ai tek poezia “Loja pa vetveten”:

“Njerëzit nuk jetojnë si kanë jetuar ndoshta dikur,
me fytyrë në shkëmb dhe me duar të djegura për yje.”

Çdo gjë brenda poezive të këtij libri, është e menduar mirë.
Ai shpesh në mënyrë figurative i drejtohet edhe vetes me pyetje retorike:

“Ti nuk je, as unë nuk jam.
Prej nga e gjithë kjo dashuri?”
(Madrigal I)

A ekziston Ai? A ekziston Ajo? A ekziston dashuria? Apo është thjeshtë një iluzion i krijuar brenda autorit? Të gjitha këto pyetje na vijnë përnjëherë në mendje, në momentin që dëshirojmë të futemi në thellësinë e poezisë së tij.

Dashuria zë vend në shumë prej poezive,  por jo një dashuri si ato të zakonshmet me të cilat jemi mësuar.  Dashuria është bipolar dhe ajo nuk vjen gjithmonë me gaz e lumturi, prandaj dashuria ka vuajtje, ka brenga me rrjedhën e vrullshme që sjell.
 Tek poezitë e këtij libri na vjen një dashuri ndryshe, një dashuri që mundohet të luftojë për triumph, edhe në mes të këqijash:

“Mbi detin Jon do çojmë dashuri,
si dy shpirtëra të këqij…”

(Deti Jon)

“Vdekja e poetit”, është një tjetër poezi e shkruar në vargje të renditura njëra pas tjetrës, që ndryshe quhet edhe astrofike (njëkolonëshe), ku poeti shkruan për një fund të botës. Ajo që duket e ndjehet në këtë poezi është parandjenja e shfaqur për poetin si lajmëtar i fundit të botës:

“Ai flet për fundin e botës.
Njerëzit atë e duan, atë e adhurojnë,
dhe i vënë kurora të arta mbi kokë,
për arsye se ai flet për fundin e botës.”

Vargu i parë i përsëritur në vargun e fundit  e bën edhe më të fuqishme dhe më emocionale atë që poeti ka dashur ta thotë.

Poezia “Akacjet” fillon me një varg fillestar  që mund të quhet epitekst, nëse do t’i referoheshim termave të Zherar Zhenetit: “njeriut që s’e donte vdekjen”. Është poezi meditative si shumica e poezive të këtij libri, në të cilën poeti shpreh raportin e tij të thellë me temat delikate të vdekjes. Në poezi kemi rimë të ndërprerë, sepse nuk kemi një skemë të qëndrueshme të saj.
Figurat poetike të përdorura në këtë poezi, janë të shumta. E kemi figurën e epitetit (plak i gërmuqur, qepallat e ngrira), krahasimit (si fluturat nëpër borë), metafora (rri dhe mejton vdekjen atje nuk arrin drita) e të tjera.
Shembuj nga poezia janë rastet kur përsëritet tog fjalëshi i ndërtuar sipas skemës folje+emër si “mejton vdekjen” në fund të vargjeve.

“Terrakotat e Dyrrahut”, është një poezi tjetër,  e ndërtuar sipas skemës së vargjeve 5-2-5.  Pra,  në këtë poezi kemi  dy penastikë dhe një distik. Nuk kemi skemë të qëndrueshme të rimës. Poezia ka në qendër, sidomos figurat e diksionit, me theks të veçantë figurat e përsëritjes si anadiplozën, figurë e përsëritjes ku përsëriten fjalët e fundit të një vargu në vargun vijues:

“Dalin përballë detit,
detin duke frikësuar”

Po ashtu, ka edhe figurën e alegorisë, ku figura e gomarit është dhënë në kuptim të tërthortë:

“Udhëtojnë gomari para njeriut,
njeriu pas gomarit”

Jeta që njeriut i duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Kështu që vitet rrjedhin si uji dhe njeriu as që e kupton. Por,  ja që hëna rrotullohet, vitet kalojnë, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe çdo gjë bën punën që i është caktuar.

Stili dhe gjuha e këtij libri janë të mrekullueshme, përkundër faktit që autori na flet për fenomenologjinë e vdekjes, ankthin, humbjen, etj., sepse thellë brenda vargjeve të çdo poezie e gjejmë poetin dhe veten në kërkim të jetës,  duke mos u dorëzuar asnjëherë.  

Pra, njeriu duhet të përgatitet që ta pranojë dhimbjen si pjesë përbërëse të jetës, përndryshe kurrë nuk do të marrë guximin që të dashurojë, të gëzohet apo të shpresojë përsëri. /KultPlus.com

(Punim i është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në nivelin e studimeve master në Degën e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë)

Pesë filma shqiptarë që mund t’i shihni gjatë qëndrimit në shtëpi

Kinematografia shqiptare është shumë e pasur, duke ngërthyer në vete filma që trajtonin tema të ndryshme si ato të heronjve tanë kombëtar, tema të dashurisë, të sistemit e të tjera, shkruan KultPlus.

Në këtë kohë izolimi nga pandemia që ka kapluar pothuajse gjithë botën, qëndrimi në shtëpi bëhet i vështirë nga mungesa e aktiviteteve të cilat kanë qenë pjesë e jetës së secilit.

Prandaj KultPlus ju sjell një listë të pesë filmave të njohur shqiptarë, të cilët mund t’i shikoni gjatë qëndrimit në shtëpi.

Dy krisma në Paris

https://www.youtube.com/watch?v=JVP9yt8ttQA

Tana

https://www.youtube.com/watch?v=I6TfcXC8zps

Udha e shkronjave

https://www.youtube.com/watch?v=ZLAaqnuQuYU

Taulanti kërkon një motër

https://www.youtube.com/watch?v=nidbqDDk6fc

Beni ecën vetë

https://www.youtube.com/watch?v=pbeyYorTMoU

/ KultPlus.com

Leximi, mënyra e vetme për të kaluar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhemi

Izolimi nëpër shtëpi din të kalojë në një monotoni të pashoq, kryesisht në mungesë të aktiviteteve të ndryshme.

Kjo gjendje më së miri mund të kalohet duke lexuar libra e duke parë filma të ndryshëm.

Në vijim, KultPlus ju sjell pesë libra në të cilët trajtohet kryesisht tema e epidemive të ndryshme.

1.Dekameroni nga Xhovani Bokaçio

2.Vrasjet në rrugën Morg nga nga Edgar Alan Poe

3.Shënimet e Gjon Nikollë Kazazait nga Jusuf Buxhovi

4.Murtaja nga Albert Kamy

5.Dashuria në kohërat e kolerës nga Gabriel Garsia Markes. / KultPlus.com

‘Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit, shko në shtëpi dhe duaje familjen’

Në këto kohë jo të lehta për mbarë botën, e rëndësishme është që të ndjekim rregullat e parapara nga institucionet e shëndetësisë, por edhe të mendojmë pozitivisht.

KultPlus ju sjell disa thënie të humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, që flasin për jetën, dashurinë e kujdesin ndaj njëri tjetrit.

-Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

-Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

-Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.

-Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

-Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

-Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.

-Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

-Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

-Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

-Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.

-Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.

-Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.

-Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.

-Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.

-Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.

-Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

-Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.

-Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.

-Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri. / KultPlus.com

Koronavirusi, një ftesë për t’u rikthyer te vlerat familjare

Nga Arli Minga

Dy sfida të mëdha i dolën Shqipërisë njëra pas tjetrës. Po ndërsa e para, ajo e tërmetit, na dhembi për hir të dëmeve që bëri edhe pse krejt e lokalizuar, kjo e dyta na ka vendosur në front të një lufte, e cila nuk është vetëm e jona, por e gjithë botës.

Përleshja jonë sot, me virusin që erdhi nga Kina, që një djall e di se ku u ngjiz e një dreq ndoshta dikur do ta marrë vesh se si u përhap, nuk është vetëm për familjen, por për vendin dhe botën.

Mund të duket hiperbolë, e me të drejtë, por do të shpjegoj modestisht, mrekullinë e vogël në mes të kësaj flame të madhe.

Kjo nuk është luftë llogoresh, nuk është nga ato kacafytjet, nga të cilat bota ka parë mënxyra të lloji e soji, që kanë lënë pas miliona viktima; kjo nuk është nga ato kacafytje ku ti e di se atje jashtë është një “armik” e mjafton të gjesh çastin për ta goditur; kjo është nga ato kacafytje kur lufta bëhet në “llogoret” e vogla të quajtura familje, ku armiku mund të jetë kudo përveçse aty, e çdo familje duhet të fitojë betejën e saj përballë koronavirusit të ri, COVID-19.

Po, po! Na duhet të qëndrojmë në shtëpi, për të parandaluar një gjëmë të madhe, për të mos marrë virusin e për ta sjellë në odën tonë të qetë, e një tjetër akoma më të madhe, për të mos vendosur vendin e ca më keq akoma, botën, përballë provës së ekzistencës.

E ku ka më mirë se kaq, të luftosh krah për krah me njerëzit e dashur. Ndoshta, kjo është me të vërtetë mrekullia e vogël, që ka provokuar përhapja e koronavirusit të ri.

Rikthimi i besimit se mund të jemi të prekshëm, rikthen dashurinë e pakushtëzuar për jetën, për ekzistencën. Në vorbullën e përditshmërisë, të ambicieve të vogla e të mëdha, shumëkush e humbet sensin e realitetit e ngrihet në delirin e të qenit i paprekshëm dhe vetidentifikohet vetëm si viktimë ose sukses i përkthyer në pozita e arritje financiare.

Dy javë nuk janë pak, për të përtërirë sadopak dhembsurinë, dashurinë ndaj familjes, ringritjen e vlerave mbi perveristetin banal, që na ka pushtuar pa mëshirë ndaj njëri-tjetrit, fund e krye, të gjithë.

Përçudnimi i vlerave, i dashurisë, i mirënjohjes, i mirësjelljes, kulturës, etikës, ndershmërisë, ka pjellë njerëz të ftohtë, të mbushur me inat në rastin më të mirë, e me urrjetje në më të keqin; mosmirënjohës që ngulin thika pas shpine apo tradhëtojnë ata që u kanë dhënë një dorë për t’u ngritur; qytetarë të paedukuar, të neveritshëm nga mënyra si trajtojnë qoftë edhe marrëdhëniet më të vogla; njerëz që nuk përshëndesin as mirëmëngjes e as mirëmbrëma; makineri moderne që punojnë për të prishur e shkatërruar thelbin e së mirës, të tradhëtojnë çdo vlerë për t’ju dorëzuar të denatyruar luftës në anarkinë e egove.

Po qoftë edhe të ripërtërijë aty ku ka humbur, e të krijojë aty ku ka munguar, qytetarinë tek shqiptarët. Të bëhen të përgjegjshëm, të ndërgjegjësohen për rolin në komunitet, t’u kalisë durimin, t’u mësojë të mbajnë radhën, t’u pushojë pak portofolet e për dy javë të mendojnë se kjo jetë ka ca vlera e dashuri të gjithkohshme, që kurrsesi nuk mund të zëvendësohen nga gjëra të përkohshme. Prindërit të mos përleshen pa menduar se dhe të tjerët janë prindër, e fëmijët të kujtohen ndonjëherë për prindërit. Dhe ky moment, është i duhuri, sepse në fakt, nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër.

Biseda me babin, përkëdheljet e mamit, zënkat pa qeder me motrën e vëllanë, e dashuria e pamatë e gjyshërve. Janë ilaçi më i mirë për ta kuruar këtë flamë të madhe, e vaksina më e fortë për ta zhdukur kërcënimin e saj.

Me shpresë, le të jenë këto ditë fillimi i një katarsisi shoqëror, i cili nuk mund të nisë ndryshe, veçse nga pastrimi e fisnikërimi i shpirtit. “Dashnia n’shpirt fisnik, që hyn aq letë” e nis Dante Aligeri një nga tercinat e tij. Ai shënjoi fillimin e Rilindjes, vepra e tij u bë pararojë e zhvillimit, të atij zhvillimi që vijoi pastaj me shtetin modern, që pasoi me ngritjen e vlerave njerëzore në piedestal. Le të fisnikërohemi dhe ne nga pak, sepse përndritja e shpirtit, bëhet mirëseardhje për të gjitha vlerat e tjera dhe dëbon veset e perversitetin vrastar të kapitalizmit që llogarit edhe ndjenjat, që i vë edhe ato në peshore.

Ndoshta, koronavirusi i ri nuk është një e keqe aq e madhe. Me pak mund, ndoshta e kthejmë në një të mirë, që do ta bekojmë për tërë jetën, për ne, për brezat. / KultPlus.com

Faik Konica për shqiptarët: Egërsira dhe kafshë, armiq të vetvetes

Konica mbetet një mendje e papërsëritshme edhe në ditët e sotme, një shkrimtar që pasuroi mendimin letrar shqiptar, shkruan KultPlus.

Sot në ditëlindjen e 144 të Konicës, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të tij.

-Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: ‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.’

-Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.

-Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.

-Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

-Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

-Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston.

-Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen.

-Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.

-Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

-Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirëinformuar. Në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

-Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori.

-Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

-Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme.

-Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë.

-Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme.

-Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij.

-Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia.

-Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!

-Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.

-Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia.

-Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë.

-Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.

-Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.

-Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi.

-Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.

-Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

-Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon.

-Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.

-Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

-Nuk mundena me pushue së foluni kundra loinive (politikave) qi duen me e tretë e me e përpi kët komb të dashtun.

-Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dalaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh. / KultPlus.com

Jeta nën koronavirus dhe pa kontakte sociale

Gati katër javë avantazh ka Gjermania kundrejt Italisë në luftën kundër virusit Corona, thonë virologët. Por ky avantazh kohor po rrezikohet. Jeta publike duhet të kufizohet edhe më tej. A po bën Gjermania sa duhet?Nga Oliver Pieper, DW

Tabelë e vendosur në bankën Sparkasse, Dortmund: “Nisur nga situata aktuale u dhurojmë të gjithëve një buzëqeshje, por nuk ju japim dorën.”

Një e-mail pason tjetrin pa rreshtur. Punëdhënësi: i ka anuluar për javën e ardhëshme të gjitha konferencat. Organizatorët e koncerteve njoftojnë se artisti i preferuar nuk do të performojë në fundjavë. Gjyshërit do t’i shtyjnë vizitat tek nipërit. Gjithçka nisur nga frika dhe për të kontribuuar në pengimin e përhapjes së virusit Corona.

E-maila apo mesazhe në celular me përmbajtje të ngjashme marrin këto ditë shumë gjermanë. Gradualisht jeta publike në Gjermani ka nisur rrugën drejt pezullimit. Nisur që nga bankinat e zbrazura të Bundesligës, sheshet e lojërave bosh, trenat e mensat, zakonisht të tejmbushura gjatë këtyre ditëve kanë vende të lira me bollëk. Duket se ndërkohë është vetëm një çështje kohe, derisa të mbyllen të gjitha shkollat, universitetet, restaurantet e kinematë ashtu si në Itali.

Kontaktet sociale: të padëshiruara

“Ne e dimë ndërkohë saktë, që në fazën aktuale të pandemisë praktikisht duhet t’i ndalojmë të gjitha kontaktet sociale, që të  kemi edhe një shans ta mbajmë sa më të ulët numrin  e infeksioneve”, thotë Patrick Larscheid. Mjeku i bashkisë në Berlin-Reinickendorf i ka kërkuar senatit të Berlinit të marrë disa hapa vendimtare për ndalimin e përhapjes së virusit Corona. Jeta publike duhet të kufizohet sa më shumë në mbrojtje të popullsisë.

Patrick Larscheid: “Pritja mund të kushtojë jetë njerëzitsh”

Vendimi për ndalimin e aktiviteteve me mbi 1000 vizitorë, është pak. Gjithçka, ku mblidhen njerëz, duhet të mbyllet. “Në rast të kundërt ne nuk do të mund ta konrollojmë dot më situatën”, këshillon Larscheid. Kontakti social tek e fundit nuk është vetëm baza e të qenit të lumtur – Afërsia mund edhe të të sëmurë, nëse viruset qarkullojnë nga njeri prreson tek tjetri.

Italia ka reguar, por me vonesë

A rrezikon pra që në Gjermani të krijohen situata si në Itali? Si masë kundër përhapjes së virusit në Itali janë mbyllur të gjitha dyqanet me përjashtim të farmacive dhe supermarketeve. Madje edhe baret, restaurantet dhe parukeritë gjithashtu janë mbyllur.

“Para pak ditësh ju luta që të ndryshoni zakonet tuaja e të qendroni në shtëpi”, tha kryeministri Giuseppe Conte në një mesazh me video: “Unë isha i vetëdijshëm që ky ishte hapi i parë dhe nuk do të ishte i fundit. Eshtë koha të bëjmë hapin tjetër.” Kësisoj jeta publike në Itali është paralizuar tërësisht.

Edhe në Gjermani nuk jemi larg hapit pasues. Kur virologu Alexander Kekulé para dhejtë ditësh bëri thirrje për vendosjen e pushimeve dy javë për të gjithë për shkak të virusit Corona në Gjermani, për ta ndërprerë zinxhirin e infeksionit të epidemisë në fazën fillestare, shumë studiues nuk e morën seriozisht atë.

Ministri i Shëndetësisë në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë Karl-Josef Laumann u përgjigj atëherë, se politika nuk duhet të marrë masa, “që janë disproporcionale dhe shkaktojnë histeri”. Ndeshja e Bundesligës mes Borussia Mönchengladbach dhe Borussia Dortmund, vetëm 40 km larg qytetit më të prekur prej infeksionit Heinsberg, u zhvillua edhe në fundjavë para 50.000 spektatorëve.

Realiteti me virusin ndryshon çdo ditë

Vetëm pak ditë më vonë situata ndryshoi tërësisht dhe eventet sportive me publik janë tani të paimagjinueshme. Askush nuk flet më tani për disproporcionalitet: madje po në Mönchengladbach u zhvillua e para ndeshje pa tifozë me ekipin e 1.FC Këln, Liga gjermane e Hokey-t në akull e mbylli para kohe sezonin.

Në shumë kinema gjermane ndërkohë vendet midis spektatorëve janë të zbrazura, shumë gjermanë u shmangen kinemave edhe nga frika prej ngjitjes së virusit. Landet vendosën mbylljen e shkollave nisur nga e hëna (16.03), landi Baden-Vyrtemberg e ka shtyrë fillimin e semestrit të verës në universitete. Veprimtaritë kulturore si festivali tradicional i Beethovenit në Bon, po ashtu si edhe shumë panaire janë anuluar. Jeta publike gradualisht po zbehet, por ende me ritme të ngadalta.

A ka angazhim të mjaftueshëm?

Numri i pasagjerëve në aeroportin e Frankfurtit që nga java e fundit e shkurtit ka rënë me 14,5 përqind. Dega e taksive njofton për humbje deri në 40 përqind, dhe propozon, që të gjithë ata që posedojnë abone për shërbimin urban mund të përdorin taksitë tani me gjysmën e çmimit të zakonshëm. Kush hipën në autobus në Berlin duhet të hipë vetëm nga dera e pasme për të mos rrezikuar shoferin. Trenat e distnacave të largëta pastrohen tani në intervalin brenda dy orëve, punë kjo që normalisht bëhet çdo katër orë.  Dyert, dorezat e dyerve dhe vendet e bagazheve desinfektohen rregullisht.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, kritikoi shumë vende se nuk po marrin sa duhet masa për ta kufizuar pandeminë e virusit Corona. “Jemi shumë të shqetësuar, që disa vende nuk po i përgjigjen me angazhimin e duhur politik këtij kërcënimi, në mënyrë që të jetë nën kontroll situata”, dekalroi ai në Gjenevë. Se cilat vende kishte ai parasysh, kjo mbeti e paqartë. Ndoshta kjo kritikë ka qenë edhe në adresë të Gjermanisë./syri/ KultPlus.com

114 vjet nga lindja e intelektualit të shquar shqiptar, Faik Konica

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike./ KultPlus.com

Et’hem Haxhiademi, klasicisti i letërsisë shqipe

Nga Anton Cefa

Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plotgojë që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Et’hem Haxhiademi është përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).

Et’hem Haxhiademi është përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).

Kushtet politike dhe shoqërore të vendit tonë janë bërë gjithnjë pengesë që jehona e zhvillimeve letrare të Europës të dëgjohet në kohën e vet. Kështu ndodhi edhe me klasicizmin. Ardhja e kësaj rryme letrare në letrat shqipe përmes penës së Haxhiademit qe tejet e vonuar. Kjo rrymë letrare që lindi, u zhvillua dhe lulëzoi në Europë, fillimisht dhe kryesisht në Francë, në shekujt XVII-XVIII, tek ne lindi, u zhvillua, lulëzoi dhe përfundoi në dekadën e katërt të shekullit të kaluar, me veprat që përmendëm. Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plotgojë që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Nëse Naimi është “pjellë e vonë e romantizmit”, siç e ka cilësuar Çabej, Haxhiademi është pjellë tepër e vonë e klasicizmit. Ashtu si përfaqësuesit e mëdhenj të klasicizmit europian, Rasini, Kornej, Bualo, La Fonteni, Molieri, etj., i lidhen veprat e tyre me problemet e kohës, edhe Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla ose nga historia jonë e hershme dhe mesjetare, trajtoi probleme aktuale shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare. Kështu që veprat e tij kanë karakter të theksuar edukativ dhe didaktik. Edhe në pikëpamje të formës, veprat e tij i kanë qëndruar me besnikëri tragjedisë klasike; ato janë shkruar në poezi, në vargje 12-rrokëshe.

Në vitet ’30 të shek. të kaluar, kur u botuan dhe u shfaqen në skenë, tragjeditë e Haxhiademit patën jehonë në mendimin kritik letrar, pozitiv e negativ, ndër gazetat e revistat e kohës si në gazetat “Arbënia” dhe “Drita”, në revistat “Minerva”, “Perpjekja shqiptare”, etj. U prit jashtëzakonisht mirë dhe u shoqërua me një entuziazëm të papërshkruar popullor drama “Skënderbeu”, që u shfaq në Tiranë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, etj. Më vjen mbarë të bie këtu një vlerësim të njërit prej yjeve më të shkëlqyer të gazetarisë sonë të viteve ’30, Branko Merxhanit, për këtë vepër: “Libri i fundit dhe ma i bukur i dramaturgut t’onë Etem Haxhiademit asht “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fëtyra e çuditçme e fatozit t’onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik, të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragedinë ma të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së populit shqiptar. Vepra e Haxhiademit, që zë një vend të posaçëm nëpër botime letrare të vitit të kaluar, asht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatozi i ynë kombëtar, ky burrë i math me origjinën e tij shqiptare, me edukatën bizantino-islamike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe ‘par excenllence’, produkt gjigand i mythit primitiv të Malsisë s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejt dënimit të fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mun në pragun e historisë. Njerz që rrojnë jetën si nji tragjedi, kanë vdekjen e nji heroit…”Branko Merxhani (1894-1981)

Në vitet e diktaturës, veprat e Haxhiademit u hoqën nga qarkullimi dhe shkrimtari atdhetar që vuante në Burgun e Burrelit si “Armik i Popullit” u mohua plotësisht. As studentët që kryen fakultetin e letërsisë shqipe gjatë atyre 50 viteve të çmendura nuk mësuan se letërsia shqipe ka pasur edhe rrymë klasiciste dhe një përfaqësues të saj. Në tekstet e historisë së letërsisë sonë u kritikuan ashpër shkrimtarë si Fishta, Konica, Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, gazetarët e shquar të viteve ’30 si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, etj., po emri i tij nuk u përmend asnjëherë. Haxhiademi fatkeqësisht vdiq në burgun e Burrelit. Ish të burgosur kanë folur edhe për dy vepra të shkruara në burg: “Jeta e njeriut” (roman) dhe “Koha e premtueme” (dramë), të cilat nuk i njohim. Mbetet detyrë e dorës së parë po aq letrare sa edhe patriotike, që historia e letërsisë dhe kritika letrare të pasqyrojnë e të analizojnë veprimtarinë letrare të shkrimtarit Etëhem Haxhiademi, që ky të jetojë në letërsinë dhe në kujtesën e popullit tonë për të cilin punoi dhe vdiq.

ETHEM HAXHIADEMI

Pak rreshta për “Lyrën” dhe Haxhiademin

Nga Jozef Radi

“Lyra” e Et’hem Haxhiademit, e botueme në vitin 1939, asht pa as ma të voglin diskutim nji prej monumenteve të poezisë shqipe… E shkrueme në nji kohë të vështirë, kur ende poezia shqipe ishte në nji fazë ngjizjesh dhe kërkimesh, kur Bota, me të edhe vetë Shqipnia, po i futesh nji tragjizmi dhe nji kasaphane të papame, Et’hem Haxhiademi botoi “Lyrën” e tij. Nji libër poezish që ndoshta as nuk u lexue, as u kuptue dhe as u respektue si dhe si duhet, mbasi menjiherë mbas botimit do të vinte pushtimi dhe bashkë me të edhe kriza ma e madhe morale e shoqnisë shqiptare., kështu që kjo vepër nuk mori jo mirnjoftjen e kohës kur ajo u shfaq, po as të krejt kohnave që erdhën ma pas. Praktikisht kjo vepër sot e kësaj dite asht e palexueme, e pakuptueme, e pavlersueme… ende e pangulun në kujtesë kolektive jo veç të lexuesve, po as të elitave (po i quejmë të tilla) që e kanë pasë ma së pakut detyrë të merren me përhapjen dhe zbërthimin e saj. Kështu pra, “Lyra” mund të konsiderohet ende vepër e pambrritun dhe e pavumere ndër shqiptarë! Ajo ka gjithsej vetëm 11 poezi… as ma shumë e as ma pak. Asnji libër poetik s’ka pasë kaq pak poezi, dhe asnji libër poetik nuk të jep ma shumë mundsi me u shprehë se “Lyra”. Edhe pse dy – tri prej poezive mund t’i quejmë edhe poema, si fjala vjen “Nymfat e Shkuminit”, “Elegji për Naim Frashërin” apo “Nata e zezë”, prap se prapë për poezinë e Haxhiademit duhet hapë nji kapitull i ri njohjeje, dashnie, vlersimi dhe interpretimi… përndryshe ne nuk bajmë asgja tjetër veçse i mbyllim sytë përpara nji vepre të madhe që s’mund të kapërcehet ma me heshtje, prej atyne që tash ju duhet me ju uluritë në birë të veshit për çka kanë ba…Po kjo punë mendoj se asht në rrugë e sipër, dhe s’ma merr mendja se flamurtarët e heshtjes kanë me pasë po at sukses të dikurshëm në “lavdinë” e tyne…Haxhiademi asht poet elitar, sqimatar, kokfortë, solemn dhe njerzor… e shpesh teksa lexon vargjet e tij, krijon përshtypjen se Ai jeton në nji realitet të përtejmë, të duket sikur asht ngjitë maje nji piedestali dhe na e reciton kumbueshëm magjinë e vargjeve te veta me shpirtin e nji gjuhe që ai e beson hyjnore… Edhe pse ndjehet i lanun mbasdore, ai rri midis atij sheshi të madh ku s’guxon me u afrue askush… dhe sheh mirë se rreth tij s’janë veç do ziliqarë e do salierve diku në skaje që i gëzohen atij sheshi të mbetun bosh dhe atij njeriu të mbetun vetëm… e megjithatë, në kangën e vet, Ai asht i bindun se jehu i saj, në mos sot, nesër; në mos nesër… dikur ka me u ndje si duhet… e sigurisht ka me u ndje fuqishëm. Si duket, Haxhiademi ka dalë me koshiencë të plotë jashtë kohës së vet, dhe ka zgjedhë Poezinë si armë hyjnore komunikimi, pse atij i ka ra për hise me ndërtue at tempull të rrënuem prej nga ku i jep hov fjalës shqip, duke dëshmue se Gjuha e tij, s’i len asgja mangut Kangëve të Lashtësisë Ballkanase, bile asht ma se i bindun se ajo asht bartsja ma e denjë e asaj Kange.Gjuha e Haxhiademit, po edhe poezia e tij, (më pëlqen ta theksoj kët gja), asht e Mesmja e Artë midis Fishtës, Koliqit dhe Camajt në njenën anë dhe Frashërit, Poradecit dhe Kutelit në anën tjetër… veç me nji mision shumë ma ta madh, ma largpamës, ma hyjnor: përbashkimin dhe njehsimin sa ma të natyrshëm të gjuhës së letrave shqipe!

I jam në gjunjë misionit të këtij Njeriu të Madh, që edhe sot vërtet mundet me u lexue si jashtë kohe, po… i sigurt se ka me mbetë i të gjitha kohnave…!

Qershor-Shtator 2015

LYRA

Lyra – Poezi – (1939)

Parathanëje

Në nji kohë si kjo e jona, me u marrë njeriu me poezí a me ç’do art t’jetër të bukur, asht nji punë e kotë e nji mundim i pafrytshëm. Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi t’i banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji “punë qi ep bukë”, si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës.

Me fjalë të t’jera të banjë nji sakrificë dhe nji sakrificë të madhe. Të rrijë pa dëfrime jete, të rrijë pa prehje e qetsi, të rrinjë ma në funt edhe pa gjumë, për të krijue diçka të bukur dhe artistike.

Epoka e jonë materiale të tillë njerëz i quën të sëmundë. Dhe deri diku asht e drejtë. Mundimi i vazhdueshëm duhet të pjelli në funt frytin e shpërblimit. Pse me u mundue me mjellun në kopshtin e jetës pemë qi nxjerrin gjithmonë lule dhe nuk lidhin kurrë as ndonji kokërr të vogël?

Me gjithë këtë, në këtë Shqipnin t’onë ka disa të pakët qi i ka kapun nji sëmundje e tillë. Dhe kur të kujtohet se këtu ke na përveç satisfakcionit material ke mrapa dhe urrejtjen e publikut për veprën qi i fale me kujdes e dhimbje shpirti, ahere gjendja e shkrimtarit shqiptar bahet sá mâ tepër tragjike.Drama e Ipsenit “Armiku i Popullit” e shpreh mjaft bukur në këtë rast botën shqiptare kundrejt puntorit të Muzavet.Dikur nëpër perioda t’errta të vendevet t’jera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cílët i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta bamirës e lidhën vehten e tyne me historín e literaturës romake e frange. Këtu tek ne ngjanë e kundërta. Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët. Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?Sigurisht jo. Ndër të tilla kushte puna e letrave asht nji heroizëm, nji idealizëm pa kufi. Dhe deri sá në kohën e soçme idealizma quhet nji marrëzi,duhet t’a këtë dhe shkrimtari fatkeq vendin në çmendinën e Vlonës.Me gjithë këto sá u tha sipèr, un prap përmblodha nji volum të vogël të vjershavet të mija dhe ja paraqis publikut shqiptar. Nji punë e pakët, por e kujdesëshme, qi besoj se do t’i vlejë mjaft literaturës s’onë të vorfën.

Et’hem Haxhiademi

*Elbasan, 14 Mars 1937

skenderbeu

Skënderbeu

Tragjedi me pesë akte

Parathanëje

Këtë rradhë këndonjësvet të ndershëm u parashtroj nji tragedi tjetër, subjekti i të cilës asht heroi i ynë kombëtar Skënderbeu; themë e marrun prej historis s’onë mâ të këthjellët. Në trageditë e mija të maparëshme mâ tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sá themat kombëtare. Me “Ulisin” e “Akilin” kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me “Aleksandrin” e “Pirron” dy tragjedi qi të kenë për protagonista dy kreshnikë të historis s’onë përpara Krishtit, ndonse për ta dyshohet vërtetësija Shqiptare.

Këtë herë, tyke e ditun se popullit t’onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin “Skënderbeu” me protagonist heron t’onë kombëtar. Landën e kësaj tragedije do t’a kallxojmë me pak fjalë: Ahere kúr Turqit kishin pushtuë gjithë siujdhesën e Ballkanit dhe i kërcnohesh rrezik i madh Shqipnis dhe kúr gjithë shpresat e Europës së Krishtenë ishin varun vetëm ke Shqipnija e ke krahu i Skënderbeut kundrejt rrezikut të Turqvet, Moisiu, kushërini i Skënderbeut dhe generali mâ i mirë i tij, tradhtoi atdhen e vet dhe iku në prehnin e Sulltanit. Shkaqet e tradhtis së Moisiut simbas dokumentavet historike ishin këto: nakari kundrejt Skënderbeut për famën qi fitonte për ditë, lakmija për t’u bâ Mbret i Shqipnis dhe kallzimet qi i fuste përditë e shoqja Zanfina, mbassi kjo e urrente Skënderbeun, për shkak se ky e ndau prej burrit të parë Karol Muzakë Topis për t’i dhanë të motrën për gruë Mamicën. Këto shkaqe pra e shtynë mâ në funt Moisin jo vetëm të tradhtojë atdhen e vet, por të vinjë mâ vonë dhe si komandant i ushtris turke për të luftuë me Skënderben. Në luftën qi u bâ afër Dibrës së poshtme ushtrija turke u thyë e u prish. Moisiu, mbassi kishte frikë të shkonte prap në Turqi dhe i munduëm prej vetëdijës, u këthyë përsëri në Shqipni dhe i ra ndër kambë Skënderbeut për t’i falë fajin e madh qi bani. Ç’do tjetër mbret kundrejt nji tradhtije të tillë do t’a dënonte pa mëshirë Moisin, por Skënderbeu tepër shpirtmadh u mallengjyë prej tij dhe e ngriti me durët e veta e e puthi në ballë tyke ja dhanë prap gradën qi pat mâ përpara. Ndërsa Moisiu luftonte kundër Skënderbeut e shoqja e tij përpiqesh gjithnji me intriga qi t’i mbushi mendjen dhe Hamzait për t’a tradhtuë t’ungjin Skënderben. Zanfina u përpoq pa pushuë për të ja arritun qëllimit, por vetëm se kur iu mbush mendja Hamzait për të trathtuë t’ungjin, burri i Zanfinës Moisiu, u këthye nga Turqija dhe erdhi i ra ndër kambë Skënderbeut. Prá Moisiu u penduë dhe Hamzai e filloi tradhtinë. Nga ky dëshprim ahere Zanfina marrohet dhe therë vehten me thikë. Kjo asht me pak fjalë landa e kësaj tragedije.

Gjinokastër, 1 Maj 1935

*Shkëputur nga Dossieri që Revista Poeteka i ka kushtuar shkrimtarit Et’hem Haxhiademi, në nr. e saj të 36-të , verë 2015

Koha e kaluëme

Lyra, 1939

IX

Shpesh her’ mallngjehem kur në mendje m’sillet,

E bukra kohë e artë e rinis s’ime

Dhe vaja ke qerpikët më mbështillet.

Ah të kallxohet asht e rand’ me shkrime,

Se sá e mallshme e kaluëmja çfaqet

Dhe sá të ban t’thellohesh në mendime.

Prandaj sá her’ mendoj m’rrëqethen faqet,

Për moshën t’ime t’vogël qi s’këthehet

Dhe me të tashmen shpirti s’më kënaqet.

Kur nis pranvera e ambël të dëftehet

Me manushaqe t’çelme nëpër ara

E kumbulla në lule të zbërthehet;

Ahere m’flururon në koh’ të para

Muë zemra dhe zbavitjet më kujtohen,

Midis kodrinash të rrethuë me mara.

As qi kujtimit t’im do t’i largohen

Të hershmit foshnje qi m’shoqnuën në lodra

Nëpër livadhe qi me garth qarkohen.

E kur së bashku ngjiteshim ndër kodra,

Për t’mbledhun lule t’laguna prej vesës,

Këndojshim porsi nand hyjneshat motra.

Por kush mendonte kushtet e jetesës,

Ahere qi veç gazi na pushtonte

Dhe fatin t’on’ të ngjom’ ja varshim shpresës?

Curritshin zoqt dhe pylli krejt gjimonte,

Nga melodit e tyne rritesh shija,

E n’orizontin dielli perëndonte.

Ahere dhe puntorët nga shtëpija

Këtheheshin prej punës tyk’ këndumun,

Ku gjithsecilin e priste fëmija.

E mbas atyneve na të vargumun,

Me tufa lulesh ecnim nëpër durët

E me fëtyr’ të çelët e t’gëzumun.

Lëviznim si maqiku në pëlhurët,

Me brohoritje t’madhe n’koh’ të vona,

Tyk’ na gufmuë prej gazit krahanurët.

Në funt këtheheshim në votrat t’ona,

Ku shpirt i lodhun dëshiron të prehet

Dhe ku mësalla priste rrethuë n’frona;

Por koh’e till’ për muë mâ nuk këthehet!

* Botuar  për herë të parë në Revistën Poeteka nr:36



Jeta është tjetërkund

Nga: Milan Kundera

JETA ËSHTË TJETËRKUND

– Pasthënie për botimet amerikane, italiane dhe gjermane të romanit –

“Jeta është tjetërkund” është një referencë e fjalisë së famshme të Rimbaud-it. André Breton-i e citon në përfundim të Manifestit të mbirealizmit. Në Paris, në maj të vitit 1968, studentët e shkruan si një parullë mbi muret e Sorbonës. Por titulli origjinal i romanit ishte Koha lirike. E ndryshova kur pashë tmerrin në fytyrën e botuesve të mi që dyshonin nëse ndokush do mund të blinte një roman me një titull kaq abstrakt.

Koha lirike është rinia. Romani im është një epope e rinisë, një analizë e asaj që unë e quaj qëndrim lirik. Qëndrimi lirik është njëra nga mundësitë e gjithkujt, njëra nga kategoritë themelore të ekzistencës njerëzore. Nëse poezia lirike, si zhanër letrar, ka ekzistuar gjithmonë, kjo ka ndodhur ngaqë gjithmonë qëndrimi lirik është tipik për njeriun. Poeti është mishërimi i qëndrimit lirik.

Poeti, duke nisur me Danten, është gjithashtu personazhi madhështor që përshkon Historinë e Evropës. Ai është simboli i identitetit kombëtar (Camoes, Goethe, Mickiewicz, Pushkin), zëdhënësi i revolucioneve (Béranger, Petëf, Majakovski, Lorca), zëri me të cilin flet Historia (Hugo, Breton), ai është një mit, objekti i një kulti pothuajse fetar (Petrarka, Bajron, Rimbaud, Rilke) dhe, mbi të gjitha, përfaqësuesi i një vlere shumë të shenjtë, emrin e së cilës ne jemi gati ta shkruajmë me germë të madhe: Poezisë.

Por, ç’ka ndodhur vallë me poetin europian në rrjedhë të gjysmës së dytë të shekullit XX? Zëri i tij mezi dëgjohet. Pa e vënë re askush, poeti e ka braktisur skenën e madhe dhe të zhurmshme të botës. Për shkak të ironisë djallëzore të Historisë, e fundmja periudhë e shkurtër ku ai luajti sërish rolin e tij të madh publik ishte epoka e revolucioneve komuniste në Evropën Qendrore, në vitet që pasuan mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.

Më duket e rëndësishme të theksoj se këto pseudorevolucione të çuditshme, të importuara nga Rusia e të kryera nën mbrojtjen e një ushtrie dhe një policie të huaj, qenë të mbushura me psikologjinë tipike për revolucionet autentikë e të jetuar nga partizanët e tyre me një patos, një entuziazëm, një engjullizëm dhe një besim eskatologjik në ardhjen e një bote krejt të re. Gjatë atyre viteve, për herë të fundit, poetët e gjetën veten në ballë të skenës. Ata kujtuan se po luanin rolin e tyre të zakontë në dramën e famshme të Evropës, pa dyshuar se drejtori i teatrit e kish ndryshuar papritmas programin dhe se ata po ndodheshin në mes të një farse të zezë.

E kam parë nga shumë afër atë epokë ku “poeti mbretëronte së bashku me xhelatin”. Kam dëgjuar atëherë poetin tim të preferuar, Paul Eluard-in, të mohonte, madhërisht e faqe botës, mikun e tij pragez që drejtësia staliniste e kish dënuar me vdekje. Ky episod (për të cilin flas te Libri i qeshjes dhe harresës) ishte për mua një tronditje e thellë: Kur një xhelat vret, kjo është, tekefundit, brenda rendit të gjërave. Por nëse poeti (për më tepër një poet i madh) bëhet psalt i kësaj vrasjeje, sistemi i vlerave, që ishte konsideruar si i paprekshëm, tronditet i tëri. Nuk ka më asnjë siguri, gjithçka bëhet problem, çështje, objekt shqyrtimi dhe dyshimesh: Progresi dhe Revolucioni. Rinia. Amësia. Por edhe Njeriu. Gjithashtu Poezia. Kam parë para vetes botën e vlerave të tronditura dhe, në mendjen time, ngadalësisht, përgjatë vitesh të tërë, si lindte personazhi i Zharomilit dhe bashkë me të nëna e tij dhe vajzat që ai dashuroi.

Mos më thoni që Zharomili është një poet i keq! Ky do ishte një shpjegim që i kushton pak rëndësi historisë së jetës së tij. Zharomili është një poet i pajisur me ndjeshmëri dhe me një përfytyrim të madh. Është një djalë fin. Është gjithashtu një monstër. Por monstruoziteti i tij është virtualisht i pranishëm brenda secilit prej nesh. Është tek unë. Është tek ju. Është te Rimbaud-i. Është te Shelley, është tek Hugo-i. Është brenda çdo djaloshi të çdo kohe e të çdo regjimi. Zharomili nuk është një produkt i komunizmit. Komunizmi ka nxjerrë në dritë vetëm aspektet e tij të fshehura, vetëm sa ka çliruar atë që, në rrethana të tjera, do kishte fjetur tek ai qetësisht.

Ndonëse historia e Zharomilit dhe e nënës së tij ndodh në një moment historik të përcaktuar, të cilin jam përpjekur ta rikthej tëpkë (pa më të voglin synim satirik), nuk kisha si qëllim përshkrimin e epokës. “Nëse ne zgjodhëm ato vite, këtë e bëmë jo sepse deshëm t’u ravijëzonim atyre portretin, por vetëm sepse ato vite na dukeshin se ishin një kurth i pakrahasueshëm i ngritur ndaj Rimbaud-it dhe Lermontovit, një kurth i pakrahasueshëm i ngritur ndaj poezisë dhe rinisë.” Ndryshe thënë: për një romancier, një situatë historike bëhet një laborator antropologjik në të cilin ai studion pyetjen e tij kryesore: ç’është ekzistenca njerëzore? Në rastin e këtij romani, me shumë pyetje vijuese: ç’është qëndrimi lirik? Ç’është rinia? Çfarë roli të fshehtë luan nëna gjatë formimit të universit lirik të një djaloshi? Dhe, nëse rinia është mosha e papjekurisë, cila është marrëdhënia midis papjekurisë dhe etjes për absoluten? Po midis etjes për absoluten dhe entuziazmit revolucionar? Dhe në ç’mënyrë qëndrimi lirik shfaqet te dashuria? A ekzistojnë “format lirike” të dashurisë? Etj., etj.

Të gjitha këtyre pyetjeve, romani, sigurisht, nuk u jep asnjë përgjigje. Përgjigjja janë vetë pyetjet; sepse, siç e ka thënë Heidegger-i, thelbi i njeriut ka karakterin e një pyetjeje.

E përktheu Alket Çani /KultPlus.com

Në Londër zbulohet vaksina kundër Koronavirusit, testohet dhe del e suksesshme

Shkencëtarët në Londër po besojnë se janë pranë zbulimit të vaksinës për covid-19.

Hulumtuesit në Imperial College London thonë se tashmë kanë rezultuar të suksesshëm me trajtimin te minjtë dhe se në qershor mund të fillojnë testimin edhe te njerëzit.

Megjithatë do të duhej një vit që vaksina të hynte në përdorim te pacientët.

“I kam marrë rezultatet një muaj pas injektimit të vaksinës te minjtë dhe ajo vërtetë ka funksionuar “, thotë Paul McKay.

Aktualisht ekipi është duke punuar me shkencëtarët në Paris që të përcaktojnë efektin e vaksinës tek majmunët.

Ndërkohë në mbarë botën që nga nëntori i vitit të kaluar kur virusi u shfaq në Kinë janë infekstuar 153.531 persona, prej tyre 72. 587 janë shërnuar derisa kanë vdekur 5.789 të tjerë. /KultPlus.com

Kritikohen vajzat e “Pussycat Dolls” për “porno të pastër”

Grupi i popit “Pussycat Dolls” ribëri një tjetër performancë të nxehtë mbrëmjen e shkuar, pavarësisht kritikave të marra për paraqitje jashtëzakonisht të ekzagjeruar në veshjet e vajzave.

Grupi i cili është ribashkuar sërish, e përbëhet nga këngëtarët Nicole Scherzinger, Ashley Roberts, Kimberly Wyatt, Carmit Bachar dhe Jessica Suttatook, u rishfaqën në skenë e sollën prapë shumë kritika nga shikuesit, të cilët janë kundër veshjeve të tilla sipas tyre jashtëzakonisht ekstravagante.

Disa njerëz e vlerësuan paraqitjen e tyre, disa të tjerë rrudhën buzët, e për disa shikues ajo çfarë vajzat bënë ishte “porno e pastër”. /KultPlus.com

Këngët e rralla të ustallarëve që ndërtuan Kalanë e Gjirokastrës

“Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë.

Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”

Kalatë apo kështjellat jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën emërtimet e tyre i marrin ose nga vendet dhe qytetet ku janë ngritur si psh: kalaja e Beratit, Krujës, Prizrenit, Kaninës, Lëkursit, Porto Palermos, Elbasanit, Kardhiqit, Libohovës etj.

Po ka edhe kala që marrin emërin e personazheve të njohur që shpesh kthehen në mite si kalaja e “Rozafës”, në Shkodër dhe “Argjiros” në Gjirokastër dhe kala që emërtohen me emrin e prijsit e mbretërve të kohës si: Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë e Janinë etj.

Në tërë historinë e tyre kalatë janë ndërtuar si fortifikime të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetet dhe njëkohësisht në pika dominante shumë të vështira për t’u pushtuar. Me këtë mision mbrojtës vjen në historinë e kalave dhe fortifikimeve në vendin tonë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve edhe kalaja e Gjirokadtrës. Këtë kala madhështore herë e quajnë si një kryqëzor gjigand që ka hedhur spirancën aty majë shkëmbit për të qëndruar përjetësisht dhe herë e quajnë si një shqiponjë që ka hapur krahët dhe është gati për fluturim, por që nuk dihet çfarë e ndalon për t’u ngritur lart në qiell dhe ngeli e ngurtësuar me krahët hapur për të mbrojtur qytetin. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit të XX kjo kala do të quhej “Kalaja e Festivalit”.

Nuk e di nëse për kalanë e Gjirokastrës para vitit 1968 kur në sheshin e saj hapi siparin Festivali i parë Folklorik Kombëtar të jetë kënduar ndonjë këngë për të, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XX-të për këtë kala populli ka kënduar shumë këngë, duke e bërë atë ndoshta të vetmen jo vetëm në rajon por shumë më gjërë. Nga ky vit e në vazhdim kalaja e Gjirokastrës për faktin se aty në çdo pesë vjet organizohej Festivali Folklorik Kombëtar ajo mori emërtimin mbarë popullor si “Kalaja e Festivalit”.

Ja çfarë thotë një nga këngët e këtij festivali: “Na buron nga zemra,/Kënga më e mirë,/Në Kalanë e Festivalit,/ Plot me misafirë./ Moj kala ç’mur të ka rënë,/Andej armë e këndej këngë“.

Dhe kënga tjetër: “Ndezi këngën Shqipëria,/Në Kalanë e Festivalit,/ Te ky shesh s’harron kurrë,/ Këngën e Xhevat Avdallit./Na vjen këtu Demir Zykoja,/Gojë mblajti nga Skrapari,/Krah për krah Hafsa Zyberi,/ Madhështor Mentor Xhemali.”

Por në se nuk dimë se çfarë këngësh i janë kushtuar kalasë së Gjirokastrës shekuj më parë mendoj se këngët e para aty janë kënduar që në kohën kur janë grumbulluar gurët e parë dhe janë hapur themelet për të ndërtuar muret e kalasë. Ustallarët kur pushonin në kohën e drekës duke qënë banorë të travave ku kultivohej polifonia me siguri ja merrnin këngës për të shprehur dertet e shpirtit.

Natyrshëm lind pyetja: Pra çfarë ishin këngët e ustallarëve në mijëvjeçarin e parë të pas Krishtit kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës?

Mendoj se këngët e tyre do të ishin me melodi të karakterit epik të rënda monostrofike, të zvargura, të thella, të përshtatura me kohën dhe vendin ku këndoheshin.  Këngët e ustallarëve që unë po i quaj “Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë, ndoshta dhe frikacakë e tradhëtarë çka i bën ato në një farë mënyre të jenë memorja e historisë.

Këngën gjithmonë e ka pasur bashkëudhëtare të jetës shqiptari. Këngë këndonte në dasma e gëzime familjare, këngë u këndonte trimave kur i përcillte në luftë dhe këngë u këndonte luftëtarëve kur binin në fushën e betejës. Të tilla i imagjinoj këngët e ustallarëve kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës.

Nisur nga ato që thotë historia se në fillim është ndërtuar kalaja dhe pastaj qyteti mendoj se këngët e ustallarëve kanë qënë këngët e para të trashëgimisë folklorike të qytetit të Gjirokastrës. Ato melodi dhe ajo strukturë tonalo-modale e këngëve të ustallarëve të kalasë në rrugëtimin e tyre, në vite e shekuj, në evolucionin që pësuan nga përpunimi që i bëri Artisti Popull janë burimi dhe origjina e këngës gjirokastrite.

Nga vitet e origjinës e deri më sot kënga gjirokastrite nuk mendoj se ka patur ndryshime rrënjësore si psh: të jetë kënduar këngë e shoqëruar me saze e sot të jetë polifoni apo e kundërta.

Nuk kemi dokumenta të shkruara të rrugëtimit të këngës gjirokastrite që të vërtetojnë origjinën e këngës së sotme të qytetit të gurtë por për veçoritë e saj, kontrastet me këngët e tjera të rajonit e më gjërë, autenticiteti i saj i paprekur nga lashtësia deri në ditët e sotme e bëjnë këngën gjirokastrite nivelin më të lartë të polifonisë shqiptare.

U ula të shkruar për Kalanë e Gjirokastrës “Kalanë e Festivalit” në këtë vit të 50 vjetorit të Festivalit Folklorik Kombëtar si manifestimi madhështor i trashëgimisë kombëtare. Panteoni ku Artisti i madh Popull shpalosi me tërë pasionin e shpirtit perla nga trashëgima folklorike si pjesë e indentiteti tonë kombëtar. /KultPlus.com