Grupi “Oda”, një prej bendeve më të pëlqyera kosovare, është formuar në vitin 1994 në Londër dhe është një rock band shqiptar i viteve ’90. Që nga viti 1998 kur edhe u publikua albumi i fundit, i titulluar po me këtë emër “1998”, grupi u shpërnda në të katër anët e botës, duke lënë pas vete hitet e pavdekshme të cilat i shoqëruan adhuruesit e tyre deri më sot.
Një ndër këngët e tyre të pavdekshme, është kënga “Beso në diell” e cila edhe sot dëgjohet me shumë nostalgji.
Anëtarët e Grupit “Oda” kanë qenë pothuajse të gjithë ish-anëtar të grupeve të njohura gjatë viteve të 80-ta në rock skenën kosovare si: Dukagjin Lipa, Labinot Krasniqi, Besim Hajdini, Asdren Rrahmani, Petrit Riza, Florent Boshnjaku, Besim Gashi-Babuka, Valon Gashi, Marcus McIrneney.
Në vitin 1995, Oda publikojnë albumin “Rrugë E Mbarë”. Ndërsa në vitin 1998, ata publikuan albumin “1998”.
Grupi Oda kanë qenë edhe pjesë e Top Fest 3 dhe 4
Në vitin 2010, 12 vite më vonë, formacioni i dikurshëm bashkon përsëri forcat, duke iu rikthyer skenës me këngën më të dëgjuar dhe më e kërkuar në radiot kosovare ‘Era’.
KultPlus më poshtë ju sjell këngën “Beso në diell”. /KultPlus.com
Edhe kultura iu është përshtatur mjeteve të reja të teknologjisë, që në momente si këto, të përhapjes së koronavirusit të ri, vijnë më shumë se kurrë në shërbim të qytetarëve. Kështu, Kultura vjen pranë jush nëpërmjet teknologjisë.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi ndodhet në Shkodër, por të gjithë qytetarët mund ta vizitojmë atë nga shtëpitë e tyre përmes tureve virtuale të Ministrisë së Kulturës.
Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton nga një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Më 9 maj 2016, muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” u përurua së bashku me koleksionin e Bibliotekës së Fotografive. Muzeu i ri është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare. /Atsh /KultPlus.com
vodka e tani ca rum qaj që të mos nis harresën nëpër gjumë një portokall e kam çarë për mua dhe dhomën time xhamat me avull jashtë puthen me akull hunda e ftohtë do rrisë fluturat e engjëjve natën do ulen aty në cilën nga ato netëditë pa zotër diskutimet u bënë me ëndrra të ngjyrosura fjalë nëpër tokë po kërcej me lisharëse te mustaqet e bubut shiu rritet vetëm bie në strehën e dritës reflektor dje është njësoj me sot sepse është e paknjohura rrjedh nga brenda mësoja në kishë bëja detyrat e shtëpisë kur e ndjen se sa të shohin nga sipër dërgon sytë në vendin tënd nuk e besoj më detyrojnë të shoh atë që vëzhgoj atë që më japin aureolën e dritës me diell duhet të jetë ora rreth dymbëdhjetë sipër për mua diçka lëviz drita vjen ujëvarë me një katror dritareje të çarë hhahahaaa shenjtorët paskan hipur në biçikleta nuk janë më ikonat që i kisha frikë nga kujtimet e fëmijërisë janë fytyrat me majë të zotët e shtëpisë lule vogëlushësh që luajnë me aeroplan prej letre veshët lëvizin me libra statistikorë macet në të poshtmen e pallatit janë qeshje-qarje me bebet nëpër mjaullima çiftime stinësh mos më pyet çfarë mendimi kam për formën për një datë fillimi po vishem me faljen nga sytë e gjyshes sime kjo më fal është njësoj me fëmjët që nuk luajnë më në park për të shkuar në një katror ose muze besimi i dalë prej dhomës bëj veprimet e mia në shtatë të mëngjesit i dehur se edhe asgjëja mezi mjafton për sot mbiemri më kërkon të festojmë pashkët dy qirinj mbjellë shtrënguar në një dorë të rastësishme thonë pa zhurma delirante se dashuria është ngjarja më e madhe shtetërore botërore ujore dua ta shkruaj në fasada pallatesh dua ta ngjis në reklamat e qytetit pa dritare pas së sotmes u bë kohë pa u hapur në një dashuri të kam të shumtat mbaj në sy jam me njërën nga dy kokat e mia nga nesër dhe sot njerëzit vdesin ikin pse nuk thonë ca sekrete pse i lënë të thahen të lagura jashtë po bën pis kambanat këndojnë të eksituara hoxha jehon me një këndez lufte bektashiu rrit mjekrën dhe ha lule mishi me raki unë po u flas që prej mëngjesit për në rrugët e lodhura jam fëmijët që përshëndesin të parët fjala nga ata është vetëm në sy edhe rruga në përsëri nuk do të flasë jo prej njerëzve por nga rutina ato janë të lumtura vetëm nga dritat dhe hijet ecje nga shtëpia në punë shkel pa i bërë pis anash kërcime kërcash në katrorët e pllakave trotuare për t’u shkelur në rregull pa prekur vijat anës anëve ditë e lagësht dua të bëj dashuri poshtë tulipanëve me pak joshje në tavolina në aspak tek ecejaket e hapave me jaka qivaçi mbeti vetëm nejse bëhet që tani përpjekje për nesër nejse është edhe pasnesër njollat e urta të figurave në vizën e murit shuhen natën e dalin pasditeve jam vetëm pa gënjeshtra ato m’i morën shokët me pushime vere nisa të kujtoj lëkurën e këmbëve të tua nuk ka meteorolog që t’i njohë ato më mirë se unë lakuriq me atin tim i ardhur në adriatik m’ka marrë malli të lahem etjes së detit ikje për në verën 1994 sepse edhe babain e ka lindur mamaja ime jemi dy çunat e saj kur baba me të birin lahen në det lëkurëjashtë venitet bota mbi rrota e veshur me rroba që prej fundit të kësaj dite prej motoçikletës era më qëndisi faqet edhe buzëqeshjet me quka bufalaqe kur nuk shkruaj thërrmoj ditët thaj netët ende vizatoj fjalët kur ikën ti nga mendimet vjen dhe paguan vetmia në cepin e kepit tim se edhe zoti këtu paguan gjithmonë fshij pluhurin ku njerëzit vdesin më thonë ca sekrete pa imitim erdhi dita dashuritë më kanë lënë një çmim çka pllaq-plluq në dhomë mbahet qetësia unë nuk mendoj asgjë moj e përditshme thatoshe gjyshërit ikin kur nuk takohen shpesh
E zhdukur prej disa kohësh por sot fansat e saj u sqaruanme një mesazh dramatik të aktores së njohur italiane Giuliana De Sio, që me një mesazh në profilin e saj Facebook deklaroi se tashmë ka dy javë që është shtruar në spitalin infektiv të Romës Spallanzani si e infektuar nga COVID-19.
Një eksperiencë që sipas vetë fjalëve të saj e ka lodhur dhe traumatizuar aktoren që publiku ka filluar të njohë qysh nga vitet ’80, dhe më së fundi në seriale si “Il bello delle donne” dhe “Il sangue e l’onore”.
”Vetmia e tmerrshme dhe dhembja fizike dhe mendore e kësaj situate kanë qenë prova më fortë me të cilën jam përballur në jetën time”. De Sio shtoi se tashmë ky makth për të po kalon, teksa ishte në tamponin e saj të tretë negativ pas sëmundjes dhe se mezi priste të kthehej në shtëpi. /KultPlus.com
Edhe pse të paktë në numër, shqiptaria pati dhe ka të atillë që me punën e vyer shkencore, po lënë rezultate të lakmueshme në fushën e historiografisë shqiptare, sidomos në lëmin e studimeve nga periudha osmane te shqiptarët, ndërsa njëri nga ta është edhe historiani, prof. dr. Skender Rizaj. Edhe përkundër moshës, ende mundohet të japë kontributin e tij në shkencë.
“Pra, kombit shqiptar, më shumë se kurdoherë, i duhet: ‘Një poet si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, si Mehmet Akifi e jo poeti pansllavist; një shkrimtar si De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Fan S. Noli, e jo shkrimtari pansllavist; një diplomat si Abdyl Frashëri e Ismail Qemali, e jo diplomati pansllavist; një gjuhëtar si Kristoforidhi, si Sami Frashëri, si Eqrem Çabej, e jo gjuhëtari pansllavist; një hoxhë si myfti Ymer Prizreni e Mulla Haxhi Zeka, e jo hoxha pansllavist; një prift si Fan S. Noli e Gjergj Fishta, e jo si prifti pansllavist; një historian si Marin Barleti, e jo historiani pansllavist; një flijimtar si Haxhi Zeka dhe Hasan Prishtina, të cilët flijuan edhe pasurinë për çështje kombëtare, e jo flijimtari pansllaviste, i cili i flijon interesat kombëtare për hir të interesave vetjake; një mbrojtës i kalave shqiptare si Hasan Riza Pasha, e jo si Esat Pashë Toptani pansllavist; një deputet i Parlamentit si Nexhip Draga, e jo deputeti pansllavist; një burrështeti si Skënderbeu, i cili qe ilir i fundit dhe shqiptar i parë, e jo burrështeti pansllavist’”. ( Giuseppe Catapano, Nermin VloraFalaschi-Skender Rizaj, Shqiptarëtpopull i ndarë,(Libri i parë), Pejë, 1996, f. 190-191).
Këto janë vetëm disa parashikime të historianit të periudhës osmane te shqiptarët, prof. dr. Skender Rizajt, të shkruara në vitet ‘90, në njërin nga librat e tij si bashkautor. Po që se vështrohen me vëmendje këta rreshta, mund të thuhet se në njëfarë forme tingëllojnë aktuale edhe sot.
Por, kur jemi te studimet osmane, veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Mit’hat Frashëri, qysh në dekadat e para të shekullit XX, ka ngritur shqetësimin e tij rreth mungesës së studimeve dhe kuadrit të osmanistikës te shqiptarët. Ky shqetësim i tij, edhe pse i ngritur para shumë viteve, edhe sot mund të jetë aktual, ngase përgjithësisht në trojet shqiptare numri i studiuesve që merren me dokumente osmane vazhdon të jetë i vogël, edhe pse albanologjia ka nevoja të shumta për studime të mirëfillta nga kjo periudhë historike.
Jo se kanë munguar studiuesit tanë nga kjo lëmi, por ky konstatim del nga krahasimi i përpjekjeve të gjertanishme me dorëshkrimet dhe dokumentet e shumta orientale që gjenden në qendrat e ndryshme botërore, si në: Stamboll, Ankara, Sofje, Sarajevë, Tiranë, Shkup e të tjera, e të cilat presin dorën e studiuesit. /Koha.net /KultPlus.com
Albert Ajnshtajn lindi në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.
Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Einstein shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.
Në vazhdim mund të lexoni 10 fakte interesante për jetën e Albert Einstein.
Einstein hoqi dorë nga nënshtetësia gjermane kur ishte në moshën 16 vjeçare.
Në një moshë të hershme, Alber Einstein, ka hequr dorë nga nënshtetësia gjermane duke konsideruar më të preferueshme të jetë “qytetar i botës”. Ai më vonë, në vitin 1901 u bë nënshtetas i Zvicrës.
Ai u martua me studenten e vetme femër në klasën e tij të fizikës
Mileva Maric ishte studentja e parë femër në seksionin e Albert Einsteinit në Polytechnic në Cyrih. Ajo ishte shumë e dhënë pas matematikës dhe shkencës, por ajo hoqi dorë nga këto ambicie kur u martua me Einsteinin dhe u bë nënë, shkruan National Geographic.
Ai kishte dosje në FBI me 1, 427 faqe
Në vitin 1933, FBI filloi të mbante dosje për Albert Einstein, pas udhëtimit të tij të tretë në SHBA. Kjo dosje u rrit në 1.427 faqe duke u bazuar në veprimtarinë e tij me pacifistët dhe organizatat socialiste. J. Edgar Hoover kishte rekomanduar që Einstein të mbahet jashtë Amerikës.
Ai kishte një fëmijë të jashtëligjshëm
Mileva kishte lindur një fëmijë jashtëmartesor, një vajzë në vitin 1902 gjatë kohës sa kishte qëndruar me familjen e saj në Serbi. Vajza ishte quajtur Lieserl, dhe siç besohet nga historianët ai ka vdekur nga fruthi ose është dhënë për adoptim. Gjatë gjithë jetës, Einstein nuk e ka parë asnjëherë vajzën e tij. Ekzistenca e Lieserlit nuk u bë e ditur deri në vitin 1987, derisa disa letra të Einsteint u bënë publike, transmeton Koha.
Ai pagoi gruan e tij të parë me paratë e çmimit Nobel për shkurorëzim
Pasi fitoi çmimin Nobel, Einstein ofroi të gjitha paratë e çmimit për gruan e tij të parë Mileva Maric, që ajo të pajtohej për shkurorëzim. Çmimi ishte 32.250 dollarë, gjë që ishte 10 herë më e madhe se rroga e një profesori në atë kohë.
Ai u martua me kushërirën e tij të parë
Elsa, gruaja e dytë e Einsteinit, ishte vajza e tezës së tij, duke e bërë kështu kushërirën e tij të parë. Ata ishin edhe kushëri nga ana e babait, pasi babai i Elsës dhe Albertit ishin kushërinj.
Ai ishte aktivist i të drejtave të njeriut
Einstein ishte një mbështetës i fuqishëm i të drejtave të njeriut dhe fjalës së lirë.
Djali i tij ishte i diagnostikuar me skizofreni dhe i mbyllur shumicën e kohës
Djali i dytë i Albertit, Eduardi, të cilin e thërrisnin “Tete” ishte i diagnostikuar me skizofreni dhe i njëjti ishte i institucionalizuar shumicën e kohës. Eduardi ishte i dhënë pas psikoanalizës dhe adhurues i madh i Frojdit. Ashtu siç u mësua nga letrat e Einsteinit, ai nuk e ka kurrë më djalin e tij, pasi emigroi në SHBA në vitin 1933. Eduardi vdiq në moshën 55 vjeçare në klinikën psikiatrike.
Ai kishte një miqësi të mirë me “babanë e betejës së kimikaleve”
Fritz Haber ishte një kimist gjerman i cili e ndihmoi rekrutimin e Einsteinit në Berlin, i cili pastaj bëhet një nga shokët më të mirë të tij. Haber ishte çifut por i konvertuar në katolik. Haber ndonjëherë quhej “babai i betejës së kimikaleve”.
Ai kishte një aferë me një spiune të dyshuar ruse
Në vitin 1935, thjeshtra e tij Margot e njoftoi me Margarita Konenkova të cilët më pas u lidhën. Në vitin 1998 u zbuluan nëntë letra të shkruara mes viteve 1945 dhe 1946 mes Einsteinit dhe Konenkovas. Duke u bazuar në një libër të shkruar nga një shef i spiunimit rus, Konenkova ishte një agjente ruse, por historianët nuk e kanë vërtetuar këtë dyshim. /KultPlus.com
“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na,… mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve./ KultPlus.com
Ndër vite ka pasur shkrimtarë që nuk kanë dashur të ekspozohen në publik dhe t’i lënë krijimet e tyre të flasin. Bruno Traven është një nga ta. Emri dhe vendlindja e vërtetë nuk dihen. E gjithë biografia e tij është objekt diskutimi.
Romani “Anija fantazmë” është kryevepra e tij por kush ishte në të vërtetë Bruno Traven? Traven ishte vetëm njëri nga pseudonimet e shumta që përdorte ky autor misterioz, që ishte aventurier dhe revolucionar. Biografia e tij është shumë interesante. Ajo ka ngjallur dhe ngjallë vazhdimisht debate ndër historianë e studiues të cilët janë përpjekur ta zbulojnë sekretin që qëndron prapa identitetit të tij. Por, shumica pajtohen se Traven ishte Ret Marut, aktori dhe anarkisti i larguar nga Evropa.
Traven ishte tip që vazhdimisht
ikte nga ekspozimi, preferonte ta linte punën e tij, gjegjësisht romanet që të
flisnin dhe t’i shfaqnin idetë e tij. Dëshira e madhe që ai kishte për të
ruajtur privatësinë dhe anonimitetin dëshmohet edhe nga pseudonimet e shumta që
përdorte për ta maskuar identitetin. Disa nga to ishin: Ret Marut, Traven,
Torsvan e Hal Croves. Ret Marut që mishërohet me Travenin, ishte aktor gjerman
që më vonë do të përfshihet në politikat anarkiste, duke redaktuar po ashtu
revistën anarkiste “Der Ziegelbrenner”.
Disa thonë se vendlindja e tij është në qytetin Schwiebus në Poloninë e sotme. Bruno Traven është autor i dymbëdhjetë romaneve dhe disa tregimeve të shkurtra me subjekte aventureske dhe gjithmonë me qëndrimin kritik ndaj kapitalizmit.
Maruti mori pjesë aktive në
kryengritjen bavareze të vitit 1919 si censor i shtypit borgjez. Pas shkatërrimit
të Lëvizjes së Këshillit, Marut do të rishfaqet më vonë në Meksikë në fillim të
viteve ’20 ku me emrin Traven do të shkroi romanin “Anija fantazmë” i cili pa
asnjë dyshim është një ndër romanet më të mira që është shkruar ndonjëherë.
Libri u botua në vitin 1926 dhe u bë bestseller
ndërkombëtar, kurse më 1934 i botua edhe në versionin anglisht. Romanet e tij u
bënë të njohura edhe për shkak të biografisë së tij misterioze, dhe instinktit
të tij për të mbetur anonim. Një anarkist që iku nga situata politike në Evropë
dhe u vendos në Meksikë ku shkroi romanet e tij. Traven e konsideronte Marksin
radikal dhe përçmonte izolimin e sindikatave të punës. Sikurse viti i lindjes,
ashtu edhe ai i vdekjes nuk është i saktë. Disa thonë se Traven ka lindur më 23
shkurt të vitit 1882, disa të tjerë më 3 maj të vitit 1890, ndërsa vdekja e tij
mendohet të ketë ndodhur në vitin 1969 kur ai ishte 87-vjeç në Meksiko Siti.
Te romani “Anija fantazmë”, marinarit amerikan i duhet të përballet me zyrtarët, policët e konsujt që nuk kujdesen për punëtorët pa dokumente. Ai dëbohet vazhdimisht pa u marrë parasysh, dhe flaket tej si i padëshiruar.
“Historia më e mirë moderne e detit
që kam lexuar. Ishte e tmerrshme, fantastike dhe e vërtetë” shprehet shkrimtari
James Hanley, kurse Lincoln Colcord nga “New York Herald Tribune” thotë se “ky
libër nuk është vetëm histori deti, por është një sfidë në botën moderne”.
“Anijen fantazmë”, kritikët e vlerësojnë për fuqinë hipnotike, universalitetin dhe origjinalitetin e saj. Ata e krahasojnë letërsinë e Travenit edhe me Gorkin. Traven u botua dhe u lexua me entuziazëm e madje edhe u nominua për çmimin “Nobel” por anonimiteti i tij ishte gjithmonë problem, edhe pas vdekjes së tij. Si rrëfimtar, Traven është shumë i talentuar. Pikëpamjet e tij janë radikale, ai ishte anarkist, antikapitalist dhe antikomunist. Letërsia e tij hynë tek ato letërsi që nuk vdesin kurrë. Siç thotë historiani dhe gazetari Bruce Catton “romani i Travenit është befasues, paraqet tmerret që mund t’i ndodhin një burri në botën e pasluftës në Evropë… në një botë që është çmendur”.
“Anija fantazmë” ka një ambient të
mërzitshëm, ku servohet ushqim i varfër dhe ku Traven me humorin e tij të zymtë
përshkruan në detaje shqetësimet e marinarit amerikan. Secili në anije u bindet
rregullave të ashpra. Por, si u katandis marinari amerikan në këtë anije të
frikshme me emrin “Jorik”, e cila kishte origjinë të dyshimtë dhe pronarët e vërtetë
të saj mbeteshin të fshehur prapa certifikatave dhe provave false?
Marinari nga Orleansi i Ri që ka ardhur në Belgjikë me anijen “Tuskaluza” që bartte pambuk, ku punonte, mbetet në qytetin Anversë, pasi që kishte shëtitur qytetin dhe ishte futur në një pijetore ku e kishte zënë gjumi. Kalvari i tij fillon kur anija e tij niset pa të, dhe ai mbetet fillikat pa asnjë dokument. Megjithëse në fillim mendon se do t’ia dalë të futet në ndonjë anije tjetër dhe të kthehet në shtëpi, ai do të ndodhet para një xhandari belg i cili ia kërkon dokumentet. Këtu fillon rrugëtimi i vështirë i marinarit amerikan, i cili vërtitet sa në njërin shtet në tjetrin, duke u maltretuar e shfrytëzuar nga shoqëria kapitaliste, kundër së cilës ishte vendosmërisht Traveni. Përmes tragjedisë së këtij amerikani, në sfond shfaqet historia e mijëra punëtorëve që punonin në marinë dhe që shfrytëzoheshin egërsisht, midis asaj periudhe mes dy luftërave, duke u mashtruar dhe grabitur.
Nga Belgjika, marinari do të
rropatet në Francë, Gjermani, Holandë e Spanjë me rrezikun për ta burgosur çdoherë
afër, meqë ishte njeri pa dokumente, pa identitet. Për të shpëtuar ai do të
marr emra dhe kombësi të ndryshme. Ndërkohë kërkon të gjejë një punë për të
mbijetuar, dhe këtë e gjen te anija “Jorik”, kapiteni i së cilës i ofroi punë.
Nga marinar, ai bëhet kaldajist. Dhe këtu fillon tmerri i vërtet për të.
“Joriku” është anije e padëshiruar.
Ajo përbëhet nga makineritë e dështuara, nga ndryshku dhe ekuipazhi i saj është
çdoherë në zvogëlim sepse punëtorët e hidhen në det kur nuk mund ta përballojnë
më skllavërinë, ata nuk kanë dokumente, rrjedhimisht s’mund të gjejnë punë tjetër
kund sepse s’mund të dalin më nga “Joriku”. Pronarët nuk investojnë pothuajse
asgjë, megjithëse dikur kjo anije ishte krenare për produktet e rëndësishme që
bartte, tashmë ajo lundron për në brigjet e Lindjes së Mesme duke shkarkuar dhe
ngarkuar municione të paligjshme.
Vetëm penda e Travenit di t’i përshkruajë
aq detajisht vuajtjet dhe shfrytëzimin që u bëhej punëtorëve aty, dhe mes tyre
edhe marinarit i cili tashmë mban emrin e rremë Pipip. Pipipi do ta gjejë një
mik me të cilin do t’i ndajë vuajtjet bashkë, ai është Stanislavi nga Polonia.
Gjersa e shfletojmë librin dhe shohim apatinë e kapitenit të “Jorikut” i cili
s’i sheh si njerëz punëtorët e tij, rritet urrejtja ndaj personave të tillë dhe
shfrytëzimeve.
Fare lehtë vërehet edhe urrejtja e madhe e autorit ndaj kapitalizmit, të cilin e sheh si Qezarin modern. Përmes ironisë së tij të hollë ai shfaq haptas urrejtjen e tij kundër gjakpirësve kapitalistë.
“Gladiatorët e kohës së sotme po të përshëndesin, o Qezar, o kapitalizëm! Ne vdesim mu në mes të zhulit, aq të rraskapitur, sa nuk jemi në gjendje t’i hedhim as dhe një grusht ujë fytyrës. Ne ngordhim për bukë, sepse shoqëria duhet të kursejë për t’i bërë ballë konkurrencës. Vdesim në heshtje e në mjerim për ty, o Qezar. Ne s’jemi askush, po ama jemi më besnikët e tu, ata që ti s’ke nevojë t’u paguash pension”, shkruan Traven. /KultPlus.com
Emisoni “Hipokrati” iu bën thirrje të gjithë familjeve tiranase që në orën 17 e 30 të dalin në ballkonet e tyre për t’i përshëndetur për 15 minuta mjekët dhe infermierët.
Kjo bëhet për t’i nderuar ata dhe për t’jua vlerësuar punën që bëjnë për t’i ardhur në ndihmë shoqërisë. /KultPlus.com
“Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha dhe mënyra e kremtimit. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia, atëherë kur njerëzit besonin tek Dielli, Hana, tek Planetët etj. dhe atyre i faleshin e i luteshin, që të sillnin shiun për të mbjellat, diellin që të piqeshin gruri, misri frutat e tj.
Ja si shkruante me stilin e vet elegant, gati 100 vjet më parë, Faik Konica.
“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet.
Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.
Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “. /KultPlus.com
Anita Take lindi më 2 prill 1934. Ajo spikati që në moshë të re për vokalin e saj të veçantë. Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1951, u emërua si këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në Estradën e Shtetit. Në këtë institucion, Anita Take ka zhvilluar për plot 20 vjet aktivitetin më të rëndësishëm të karrierës së saj.
Duke u përballur për çdo natë me publikun në interpretimin kryesisht të këngës shqiptare, Take u afirmua si një interpretuese cilësore dhe krijoi personalitetin e saj artistik. Kësaj periudhe i përkasin shumë debutime të saj, në të gjitha skajet e Shqipërisë, duke filluar nga Tropoja e deri në Bilisht apo Konispol, duke fituar zemrat e një mase të gjerë të publikut shqiptar. Gjatë 20 viteve të punës në Estradën e Tiranës, Anita Take është dekoruar me Medalje Pune “Naim Frashëri”, të klasit të II-të dhe të III-të. Zëri i Takes ka jehuar edhe në skenat e huaja, duke bërë një prezantim dinjitoz të këngës shqiptare, në koncertet e dhëna në Rusi, e Rumani gjatë vitit 1957, në Bullgari e Hungari me 1958, si dhe Kinë, Vietnam e Kore më 1961.
Anita Take e vazhdoi aktivitetin e saj artistik edhe pas daljes në pension më 1972, duke qëndruar në skenën e Estradës së Tiranës dhe në skenat e rretheve si recitaliste. I përket pikërisht kësaj periudhe edhe një nga kulmet e karrierës së Anida Takes: dhënia e të parit recital në historinë e skenave shqiptare, në vitin 1983, gjatë të cilit këngëtarja 50 vjeçare interpretoi plot 25 këngë. Recitali u prit me shumë sukses dhe vijoi të shfaqej deri në vitin 1989 në shumë qytete të Shqipërisë, si Durrës, Berat, Sarandë, Delvinë, Pogradec e Korçë. Që prej vitit 1991, Take u vendos në Austri, ku nuk e ndaloi aktivitetin e saj artistik. Që nga ai vit e deri në vitin 2001, ajo ka kënduar në aktivitete të ndryshme, përpara një publiku shqiptar e austriak. E gjithë kjo e ka ndihmuar këngëtaren e njohur të ruajë edhe sot një freski vokale dhe ëmbëlsi interpretative, gjithmonë me një profesionalizëm të spikatur. Ajo u rishfaq në skenat e Tiranës, duke kënduar në Festivalin “Kënga Magjike” të vitit 1999, ku edhe u dekorua nga Presidenti i Republikës, z. Rexhep Meidani, me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, për kontribut të shquar dhe cilësi të lartë në interpretimin e këngës shqiptare, për talentin e saj të spikatur, që e vuri në shërbim të kombit të vetë. Në Festivalin e 40-të të Këngës në RTSH në vitin 2001, i është dhënë trofeu “Mjeshtër i Punës”. Gjatë karrierës së saj mbi gjysëmshekullore, Anita Take ka intepretuar një repertor prej 750 këngësh.
Fatkeqësisht, disa prej perlave të interpretuara prej saj nuk ekzistojnë më në Fondin Shqiptar të Muzikës. Në emër të rigjetjes së tyre dhe risjelljes në vendin që u takon, Anida Take është angazhuar në moshën 69 vjeçare të interpretojë disa prej këngëve më të spikatura të krijuara nga bashkëshorti i saj, i paharruari Agim Prodani, por edhe autorë të tjerë të spikatur të pentagrameve të lehta, duke iu kujtuar brezave rrugën, nëpër të cilën ka ecur kënga e lehtë shqiptare, në etapat kryesore të së cilës, gjendet zëri i saj. Janë 16 këngë, që iu servirën publikut shqiptar të rinovuara dhe në një konceptim të ri orkestral, me ndihmën e djalit të saj. Zonja Anita Take u shqua si një artiste që këndoi deri në fund të jetës së saj artistike, duke qenë e pranishme dhe e duartrokitur fort e me dashuri në shumë skena të rëndësishme të artit muzikor shqiptar. U nda nga jeta më 12 janar 2017.
Më poshtë po sjellim këngën e saj të njohur “Kënga e mjekut” /KultPlus.com
Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjithkund në botë.
Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.
– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!
– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.
– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.
– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.
– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.
– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.
– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.
– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com
Një lexim i detyruar për të gjithë ata të cilët kanë tradhtuar, janë tradhtuar apo thjesht kanë nevojë për një strukturë të re mendore dhe emocionale me të cilën të kuptojnë lidhjet.
Haruki Murakami – “Burrat pa Gra”
Burrat pa Gra është një koleksion i tregimeve të shkurtra të vitit 2014 nga autori japonez Haruki Murakami, i përkthyer dhe botuar në anglisht në vitin 2017. Tregimet kanë të bëjnë me burrat që kanë humbur gratë në jetën e tyre, zakonisht te burrat e tjerë ose vdekja.
R.J Palacio – “Mrekullia”
Një novelë për fëmijë që përshkruan jetën e një djaloshi i cili ka lindur me deformitete në fytyrë. Ai nuk shkon në shkollë deri në një moshë të caktuar, por gjithçka ndryshon kur prindërit e dërgojnë në një shkollë private.
Frymëzimi për ta shkruar librin vjen nga një histori personale e autores me të birin. Novela ka marrë pëlqimin e lexuesve nga e mbarë bota dhe vlerësimi ka qenë pothuajse maksimal.
Jonathan Franzen – “Korrigjimet”
Amerikani Franzen shkruan për një familje pothuajse tradicionale amerikane – për Lambertët.
Në librin “Korrigjimet”, botuar në vitin 2001, fëmijët e familjes Lambert largohen nga shtëpia dhe secili vazhdon jetën e re në lindje të vendit.
Shkrimtari është cilësuar si njëri ndër autorët më të mirë amerikanë që e përshkruan shumë bukur konstruktin shoqëror në Amerikë.
Ismail Kadare – “Kukulla”
Libri i fundit i autorit Ismail Kadare është “Kukulla”. Kushtuar tërësisht nënës së tij, ky libër i Kadaresë është përkthyer edhe në frëngjisht. Ai flet për marrëdhënien e tij të brishtë me nënën, me të cilën s’është kuptuar asnjëherë plotësisht.
Titulli “Kukulla” simbolizon figurës e së ëmën së tij, figurën e së cilës e përshkruan si fjalëpake dhe pothuaj të padukshme.
Daniel Kahneman – “Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë”
Psikologu izraelito-amerikan, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi, sjell një vepër që u shndërrua në bestseller që nga viti 2001.
“Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë” është një libër i shkruar pas disa dekadash hulumtimi nga autori.
Charles Duhigg – “Fuqia e shprehisë”
Libri më i ri nga reporteri i gazetës New York Times vjen në shqip dhe sjell eksplorimin e shkencës se si i krijojmë shprehitë dhe si manovrojmë me to si njerëz. Ai tregon nëse shprehitë mund t’i ndryshojmë dhe çka ndodh me individin kur ai arrin t’i ndryshojë ato.
JoJo Moyes – “Vajza që le pas”
Një histori dashurie. Në ngjarjen që zhvillohet në Francë në vitin 1916, artisti Edouard Lefevre lë prapa gruan e tij të re Sophie për të luftuar në frontin kundër gjermanëve.
Kur qyteti i tyre pushtohet nga gjermanët, portreti që Edouard i ka bërë asaj i bie në sy Komandantit i cili e do pikturën me çdo kusht. Më pas zbulohet se vlera e pikturës është shumë e madhe dhe aty fillon beteja.
Khalil Gibran – “Profeti”
Poeti libanez Khalil Gibran tashmë është përkthyer në 40 gjuhë e padyshim vepra e tij më e njohur është “Profeti”.
Libri është i konstruktuar në 26 proza poetike që flasin për çështjet kryesore të jetës së njeriut: Punën, Dashurinë, Martesën, Veshjen, Tregtinë, Kohën, Harenë, Dhimbjen, e të tjera.
Cheryl Strayed – “Shpirti i Egër”
Përshkruan krejt rrugëtimin e saj deri te shërimi. Libri autobiografik i amerikanes Cheryl Strayed vjen në shqip me tregimin për udhëtimin e gjatë 1500 kilometërsh nëpër rrugët e Amerikës për të gjetur paqe me veten dhe për ta harruar dhimbjen. Libri tashmë është bërë edhe film, kurse aktorja që luan rolin kryesor, Reese Witherspoon, në vitin 2015 ishte nominuar për çmimin Oscar për rolin kryesor. /klankosova/ KultPlus.com
Padyshim se është njëra prej këngëtareve më të njohura në botë. Bëhet fjalë për këngëtaren kolumbiane Shakira.
Ajo së fundmi ka një lajm të mirë për të gjithë fansat e saj. Këngëtarja kolumbiane ka njoftuar rreth 45 milionë ndjekësit e saj në “Twitter” se më 26 maj do të nxjerrë albumin e ri të saj, “El Dorado”.
Ky është albumi i njëmbëdhjetë i këngëtares 40-vjeçare, që njëherësh është njëra prej artisteve latine që ka shitur më shumë disqe. Titulli i këtij albumi të ri i referohet qytetit mitik, që eksploruesit e parë spanjollë tentuan ta zbulonin shekuj më parë, në vendlindjen e saj në Kolumbi. Përpara publikimit të këtij albumi, Shakira nxori një nga këngët që i përkasin këtij albumi “Chantaje”, një duet me këngëtarin kolumbian Maluma.
Klipi i kësaj kënge ka arritur 100 milionë shikime në Vevo. Muajin e shkruar, ajo lansoi edhe një këngë tjetër “Me Enamore”, ku ajo flet për lidhjen e saj me futbollistin spanjoll Gerard Piqué, me të cilin ka dy fëmijë. Albumi i saj i fundit është publikuar më 2014. Ai titullohet “Shakira” dhe flet për mëmësinë e saj. Shakira dhe Pique ishin takuar gjatë turneut për xhirimin e videos së këngës “Waka Waka”, kënga zyrtare e Kupës Botërore të Futbollit në Afrikën e Jugut më 2010, e fituar nga ekipi i Spanjës, ku bënte pjesë edhe Piqué. /koha/ KultPlus.com
Të gjithë kalojmë nëpër faza ku duket se gjithçka që mund të shkojë keq po shkon mirë dhe anasjelltas. M’u desh shumë kohë për të kuptuar se gjithçka që më teston ka për qëllim të më mësojë diçka.
Mu desh edhe më gjatë të kuptoja se çdo gjë e vetme që duhet të kisha mësuar është më e rëndësishme sesa testimi. Shikoni, testet janë thjesht të vështira, të çrregullta dhe natyrisht stresuese.
Por çfarë po na mëson? Kjo është mënyra se si e gjeni lumturinë tuaj dhe si ta keni atë pavarësisht gjithçkaje, provat nuk janë të projektuara për t’ju bërë të rrini duarkryq, për një pyetje për të cilën nuk e dini përgjigjen, me orë ose ditë, derisa të qani dhe dëshironi të hiqni dorë.
Provat kanë për qëllim vetëm t’ju tregojnë saktësisht atë që ju nevojitet për t’ju mësuar të jetoni jetën tuaj në mënyrën më të mirë. Provat kanë për qëllim t’ju bëjnë të ditur atë që ju duhet të dini për t’u ndjerë mjaft të sigurt, për të kaluar testet e ardhshme, madje edhe më të vështira.
Mos lejoni që gjërat që ju vënë në provë, t’ju bëjnë të mos lëvizni, t’ju stresojnë aq shumë sa të humbni arsyen dhe të mos jeni mirë me veten. Qëndroni të palëkundur ndërsa prisni të vijnë përgjigjet. Eshtë diçka më e madhe se ajo që ju duhet të dini.
Tani për tani thjesht ju jepet gjithçka që ju nevojitet për të udhëtuar në mënyrë të sigurt në një vend që ju bën të ndiheni mirë. Gjithçka që ju vë në provë është vetëm një pjesë e shtegut që do t’ju çojë në vendin që është krijuar vërtet për ju. /meb.al/ KultPlus.com
Testimet e para në njerëz të vaksinës së koronavirusit pritet të bëhen brenda disa ditëve, kanë bërë të ditur shkencëtarët.
Vullnetarëve në SHBA do t’u jepet gjenerata e re e “hiles gjenetike” pasi u anashkalua testimi standard te kafshët, si pjesë e një procesi të përshpejtuar.
Nëse ilaçi është i sigurt në këta kandidatë, atëherë ajo do të provohet në grupe më të mëdha të pacientëve të infektuar me Covid-19, për të testuar efektivitetin e saj, raporton “The Telegraph”.
Liderët e industrisë farmaceutike shpresojnë se mund të jenë miliona doza të gatshme brenda 12-18 muajve të ardhshme, por pranojnë se një gjë e tillë “është aspiruese”.
Të premten, Sir Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë britanike, paralajmëroi se koronavirusi mund të jetë një “infeksion vjetor sezonal”.
Ndërkohë ekspertët kanë thënë se imuniteti natyral mund të mos jetë i përhershëm, që do të thotë se edhe ata që kanë përjetuar Covid-19 do të përfitonin nga një vaksinë.
Vaksina, e zhvilluar nga Moderna, një kompani me bazë në Massachusetts, është një shmangie nga modeli tradicional, me anë të të cilit injektohet një patogjen ose proteinë e dobësuar nga sipërfaqja e një patogjeni, në mënyrë që trupi të mësohet të luftojë kundër infeksioneve të ardhshme, transmeton Koha.net.
Ilaçi bazohet në një molekulë të quajtur RNA, ose mRNA, e programuar që të provokojë qelizat njerëzore për të prodhuar proteina të ngjashme me koronavirusin, të cilat sistemi imunitar do të mund të mësonte më pas si t’i bllokonte.
Qasja sintetike ka avantazhin e shpejtësisë, megjithatë është shumë e pazakontë që testimet të fillojnë në njerëz, pa e bërë paraprakisht një testim te kafshët, zakonisht në minj.
Dr Melanie Saville, nga Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI), e cila po financon testimin e vaksinës nga Moderna, ka thënë se kjo është një mënyrë për të blerë kohë.
“Qasja në të vërtetë është që të blejmë kohë në kontekstin e shtrirjes që i jep sistemit të kujdesit shëndetësor – gjithashtu blen kohë që vaksinat të zhvillohen. Nuk e dimë se si pandemia do të evoluojë, qoftë, për shembull në valë të ndryshme. Që mund të jetë rasti këtu”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se procesi i zhvillimit është “shumë i përshpejtuar”.
“Ende ka shumë gjëra për virusin të cilat nuk i dimë”, ka thënë ajo.
CEPI është duke financuar pesë programe të tjera – njëra prej tyre që udhëhiqet nga “Imperial College London”, të cilët shpresojnë që të kenë pacientë vullnetarë për t’i testuar deri në fund të vitit.
Këtij hulumtimi të paktën i duhen edhe 750 milionë dollarë për gjashtë muajt e ardhshëm. /koha/ KultPlus.com
Në këtë kohë mjaft të vështirë për mbarë botën, KultPlus ju sjell një thënie nga Papa Françesku, i cili bën thirrje për lutje e për kujdes të shtuar.
“Le të vijojmë të lutemi për të sëmurët, të afërmit e tyre, për prindërit me fëmijë në shtëpi, por kryesisht do t’ju kërkoja të luteshit për autoritetet. Ata duhet të marrin vendime dhe masa që njerëzit mund të mos i pëlqejnë, por kjo është për të mirën tonë.” / KultPlus.com
‘Green Pharmacy’ është kompania që do të shpërndajë maska falas për qytetarët në situatën e krijuar me koronavirusin.
Maskat mbrojtëse po blihen me vështirësi të madhe këto ditë për shkak të mungesës së madhe të tyre janë rritur edhe çmimet, transmeton KultPlus.
“Green Pharmacy”, ka vendosur t’iu dalë në ndihmë qytetarëve duke dhuruar 20 mijë copë maska mbrojtëse. Kjo është bërë e ditur nga vet faqja e farmacisë në Instagram. / KultPlus.com
Gazeta britanike “DailyMail” i ka kushtuar një artikull të shkurtër historisë së largimit të familjes Sahatçiu, familja e këngëtares shqiptare Rita Ora, nga Prishtina në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton KultPlus.
Rita Ora është një nga këngëtaret më të suksesshme, aktore, dizajnere mode dhe një nga yjet me më shumë lidhje dhe ndikim në botë. Tashmë do të jetë pjesë e jurisë së X Factor në Britani. Derisa vazhdon të tërheqë vëmendjen e medias britanike, Daily Mail i ka kushtuar një reportazh historisë së jetës së saj.
Sipas gazetës, ajo suksesin ua dedikon edhe katër anëtarëve të familjes së saj, mamasë Vera, babait Besnik, vëllait Don dhe motrës Elena.
Vëllai i saj lindi në vitin 1998 dhe familja u zhvendos në Kensal Rise, ku babai bleu një pub të quajtur Queen’s Arms.
Nëna e saj, Vera, studionte mjekësi gjatë ditës dhe natën punonte si kamariere. Tani ajo punon si psikiatre.
Rita më vonë ndoqi shkollën e njohur “Sylvia Young Theatre School”. Hapat e parë në muzikë i nisi kur këndonte në pub-in e babait. Në atë kohë, kur ishte 15 vjeçe, mamaja u prek nga kanceri në gji. Rita e la shkollën për t’u kujdesur për nënën, e cila e mori veten plotësisht.
Pas disa provave, shansi i doli. Kjo falë një ylli të muzikës hip hop, Jay Z. Menaxherja e saj, Sarah Stennet, që ka çuar përpara karrierën e Ellie Goulding, Jessie J dhe Conor Maynard, e prezantoi me këngëtarin.
Brenda 48 orësh ajo nënshkroi një kontratë me shtëpinë e tij diskografike. Rita u ‘fsheh’ në një studio dhe regjistroi këngën e saj të parë, hitin R.I.P me Tinie Tempah, që menjëherë u bë numër një.
Motra e saj është pjesa e Team Ora dhe e ndjek nga pas në turnetë botërore. Rita është besnike edhe ndaj mamasë, të cilën e mori edhe në Glamour Woman Of The Year.
Perandoria e saj zgjerohet vazhdimisht dhe tani ajo është një yll edhe në botën e modës. Aktualisht ka shtëpi në Britani, SHBA dhe në Kosovë.
Babai i Rita Orës u transferua në Londër më 1991, kur Rita ishte fëmijë, kjo për shkak të përndjekjes së serbëve ndaj shqiptarve pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kjo familje kaloi në disa vështirësi, por tani njihet me ikonën e muzikës që i bënë krenarë jo vetëm, shqiptarët dhe britanikët, por gjithë botën, me pamjen dhe ngjyrat e zërit të saj./albinfo/ KultPlus.com
Prej stinës marsit bien hyje të verdha. Bash si rruza zgidhuna nga tirja hanë. Pluhnaja qiellore e dimrit, ma shumë i trûm prej vedit, ngarkohet me frymë reje.
Tash janë bâ si pamuklie, nazelijet. S’bezdisin ma as shiun, që ju turret kajherë si i xhindosun. Ata dinë me fal. Kristale bore pranveres kadife zhbahesh, lule mimozë, kur i rrî përkashi diellit. I ngjan pak. Kështu rrëfehesh ndër mite.
Bile Paridi ka vjedhë vargje tek lira (arpa) para Helenes, për ty, ateherë kur amfiteatri i Menelaut kishte fjetë. E duhet me besue, sidomos kur i shëtit rrugicat kryq e tërthorë e ta ndalë hovin fëminia.
Ehhh cikrat rrahje, sa herë i ke lanë peng mbas gurve të ngujuem, por lule fieri ka sajue diçka, një shllungë tërtili për kërmillin. E ai ban sikur nxehet tek avullia, megjithëse hala s’ka kurdisë pranvera petalin e parë.
Qysh kur hardhuca ia pat lujt synin, s’duket andejpari i shkreti.
Andaj, të falem o tatuazh i ngallnuem gemi, sepse pi, tanë stinen, dehjen tande prekse me fund deri në midjen e barit ngimë.
Jam debulesë, jam tunduese, më thue, sa herë shtrihem e hapi krahët në qylymin e tokës jeshiltë, deri aty ku s’ban mâ. Të kundroj prej poshtë kunorë bukurie sa dhe syve m’ju jep vezullim në tjerakahje. Rrehem tue më xan andrra, hije mbas hije.
Nën shtatë qiejtë rrotullohet beli i vajzave. E tue dashtë me të pasë ndër buzë njomzueme, ta këpusin verdhnin, por një dekik, ju çohet pak kotulla e fresknia përshkon anë e përtej ngazëdhimin. Ju kuqet mollza e turpit në odë.
A ia ndigjon gazin? E si mos me perendue, masadej, gjithçka, njashtu siç janë kendue fishkëllimat lule kaçe mbas arkapiet. Kyçi andrren me çilsin rinore. S’baj za, se me bërtet muza. Po ti s’pranë tue çilë, o danashore. Pusho njëherë!
Ç’ka kam me të thanë mâ…më thuej? Ndër dekolte aurora sajon celebrimin Mon Cheri. Anekand hapërdahet levanda Vivaldeske e tufa puthjesh këputen një e nga një nga boja lule vjollcë. I pret një tjetër saksi…lumturohen, sepse e dinë ku kanë mu ujitë. Shpërthe, lule mimozë, shpërthe!
Je Grue…Grue e tanë qiejve, që Zeusi krijoi mbi tokë. Ia shungullon, ia shtyllzon andshëm gjinjtë mes engjujve, që mëkatojnë vetem kur janë bri teje…gjithçka zdeshet ngeshëm. Por, s’arrijnë, kajherë, edhe me të strukë njashtu si Zoti i pât mesue. Ani…ti, prap dî mu rrëfye, se je Grue…Grue e dalun nga derë e madhe. Andaj të due, Mimoza-Grue!
Vath varesh kudo. Tek kanistra e duerve bilurë, gur xhevahiri, gjendesh. Tek sofrabezi, që i keka shkepë njeni kind e hala nana s’ka vû terezin me ia qep palen. Tek çarçafat bojë panë, sapo pirajka ia mori me të mirë azhuret.
Tek teli i teshave, sapo kapsat krenohen, se zoja e shtëpisë asht maraklie. Bajam marramendës i prushit ftue në diten e lindjes, kur molla ia msyn shtëpinë. E të dyja pjekin shartimin tue ia shkundë thakët pudrosjes sheqerosun…edhe aty je.
A e din ça thojnë, për ty? Tanë dynjaja ka marrë erë! Pikë-pikë sundoni bujshëm, bashkë. Rrokadoras bulzoni, freskoni unin e rrjedhshëm në kaskaden e përmbytjes, kanavacë liqeni.
Piktorët s’hezitojnë asgja me bâ, sepse nën këmishën e qendisun punëkryq, veshun në naten e parë të marteses, peneli zbulon të tjera tinguj bojnash. Andaj s’bzâ, shpeshherë, sepse kam ndërmend një “dhimbje”…”dhimbje” përballë çdo të brendshme.
E kështu, ti shtojzavalle, flokënjatë prahrohesh ndejshëm tek gjoli prenduem, tue pâ vedin në pasqyren hanë. S’bahet xheloze, se ti je ma e bukur. Por, diçka i ka mbetun pishman, si s’të pati një herë në bujtinen e saj.
Nga penda lakmuese e poeteve, dirigjohesh e avash tanë gurët pushojnë psherëtimen.
Shtegtojnë pulëbardhat shtegtojnë. Bashkë me dallendyshet rikthehet muzgu. Stivoj bojnat. Bojnat çelin syth. Sythi asht ti. Në liqe ke harrue shumë gjana. Sytë, buzët, flokët, trupin.
Sikur puhiza t’i rahatonte tek malli, s’di ça do kisha ba, n’ty!
Njashtu të due sonatë hyjnore. Të due, sepse mes dy dashnive, je Grue…Grue e çilun lule Mimoza. / KultPlus.com
“Në të dalë te Çarshisë së Madhe, te vija e ujit që shkonte në drejtim të lumit, veshi ma kapi zërin e Selamiut, që e njihja nga vargjet e ëmbla që i lidhte me këngë… E gjeta të shkallmuar skaj një kaçube.
“Kush të solli në këtë gjendje, vëlla”, i thashë edhe pse e dija se e kishte nga ata që i merrnin për të rrezikshme vargjet dhe këngët e tij nëpër Çarshi në atë kohë të murtajës, kur i madh e i vogël duhej t’i nënshtroheshin atmosferës së saj dhe të mendonin për vdekjen që thuhej se e kishim hak…”
“Pse më pyet, vëlla, kur e din…” E mora ngryk dhe po e shtrëngoja si fëmijën jetim… Mbas pak më tha se kishte një vjershë për detin, edhe pse nuk e kishte parë kurrë. “Poetët shohin me shpirt”, i thashë.
“Ç’e do që po na vrasin edhe shpirtin, vëlla…Kërkojnë të vajtojmë, të lutemi për mëshirë e çmos që njeriun e kthen në gjësend të pavlerë, në numër…”
“Shpirti nuk vritet…” “Fjalë koti,vëlla, në kohë murtaje njerëzit bëhen të paqenë… Kjo po kërkohet sot…”!
Desha t’i thosha se vargjet e tij dëshmonin se qyteti ynë, edhe në këtë kohë vdekjeje, nxirrte impulse jete dhe shprese, por ai, ashtu mundimshëm, u largua në drejtim të lumit.
Mbas la vargjet e këngës rreth detit, ujit të njelmët dhe tallazeve, që po mbyteshin nga thirrjet e telallxhinijve që, sikur me mburrje, përhapnin lajmin për shpërthimin e sëmundjes në disa pjesë të qytetit.
(Shkëputje nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com
‘Dita e Verës’ e këtij viti në Shqipëri, do të mbahet mend gjatë, pasiqë kjo festë e gjen Shqipërinë me diell dhe nën masa ekstreme për parandalimin e përhapjes së virusit, shkruan KultPlus.
Deri tani në Shqipëri janë shënuar 38 raste pozitive, ndërsa pritet që rastet të shtohen.
Përveç Tiranës dhe Durrësit të cilat janë në shtetrrethim prej të premtes në mëngjes, sot janë zgjuar në shtetrrethim edhe Fierin. Vlorën, Lushnjën, Shkodrën. Elbasanin.
KultPlus ju sjell historinë e kësaj feste që daton qysh nga kohët antike.
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa ne disa vende te tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi.
Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan por edhe ne vendet e tjera. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të “Ditës së Verës” njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as institucionet klerikale nuk futnin hundët në kremtime të ashtuquajtura pagane.
Përshkrimin e parë e kemi nga i madhi Faik Konica,Ç’është Dita e Verës? / Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve.Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë.
Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira.Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.(Faik Bej Konica, Botuar më 1911)[1], i cili gati 100 vjet më parë, në kohën e sundimit osman, shkruante me atë stilin e vet elegant. Pershkrimi i dyte u shkruajt nga i madhi Naim Frasheri qe sipas atyre koheve ai shkruante sipas stilit te vet jo elegant por serioz. / KultPlus.com
Albert Ajnshtajn u lind në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.
Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.
Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndihej si i burgosur.
Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.
Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.
Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.
Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com