Zbulohen poezitë shqip të shkruara me alfabet arab

Gjuha shqipe është shkruar me alfabete të ndryshme që kanë qenë në përdorim në rajon. Në periudhën Osmane gjuhën shqipe e gjejmë të shkruar edhe me alfabet arab.

Klerikët shqiptar shpesh herë na kanë sjellë tekse dhe shkrime me përmbajtje fetare në gjuhën shqipe. Në këto dy fletë kemi pjesë ilahi në turqishten e vjetër dhe në shqip. Karakteristikë është mënyra e të shkruarit shqip.

Duke qenë me përmbajtje fetare, në shkrim kemi edhe fjalë me terminologji arabe. Tek një nga poezitë: “Hadha ilahi arnavuça” – “Kjo është ilahi shqip” kaligrafia e përdorur është nesih. Teksti është ndarë në katër kolona. Ndarja e kolonave është bërë me një shenjë luleje me ngjyrë të kuqe. Vargjet janë të shkruara në dy rreshta.

Ashtu si në gjuhën arabe janë shkruar vetëm bashkëtingëlloret, kurse zanoret vendosen sipas shqiptimit. Si lexohet: Jam ni vaiz ipa yxhret le t’vijë për thevap t’vet e kush t’do t’shejtit për her t’bin salavat Kush t’do t’me nigjue se s’due me mpague se me ditë kijamet jardëm iban arasat. 

Kortezi e Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave / KultPlus.com

Një jetë kushtuar shkrimit të periudhës osmane te shqiptarët

Edhe pse të paktë në numër, shqiptaria pati dhe ka të atillë që me punën e vyer shkencore, po lënë rezultate të lakmueshme në fushën e historiografisë shqiptare, sidomos në lëmin e studimeve nga periudha osmane te shqiptarët, ndërsa njëri nga ta është edhe historiani, prof. dr. Skender Rizaj. Edhe përkundër moshës, ende mundohet të japë kontributin e tij në shkencë.

“Pra, kombit shqiptar, më shumë se kurdoherë, i duhet: ‘Një poet si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, si Mehmet Akifi e jo poeti pansllavist; një shkrimtar si De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Fan S. Noli, e jo shkrimtari pansllavist; një diplomat si Abdyl Frashëri e Ismail Qemali, e jo diplomati pansllavist; një gjuhëtar si Kristoforidhi, si Sami Frashëri, si Eqrem Çabej, e jo gjuhëtari pansllavist; një hoxhë si myfti Ymer Prizreni e Mulla Haxhi Zeka, e jo hoxha pansllavist; një prift si Fan S. Noli e Gjergj Fishta, e jo si prifti pansllavist; një historian si Marin Barleti, e jo historiani pansllavist; një flijimtar si Haxhi Zeka dhe Hasan Prishtina, të cilët flijuan edhe pasurinë për çështje kombëtare, e jo flijimtari pansllaviste, i cili i flijon interesat kombëtare për hir të interesave vetjake; një mbrojtës i kalave shqiptare si Hasan Riza Pasha, e jo si Esat Pashë Toptani pansllavist; një deputet i Parlamentit si Nexhip Draga, e jo deputeti pansllavist; një burrështeti si Skënderbeu, i cili qe ilir i fundit dhe shqiptar i parë, e jo burrështeti pansllavist’”. ( Giuseppe Catapano, Nermin VloraFalaschi-Skender Rizaj, Shqiptarëtpopull i ndarë,(Libri i parë), Pejë, 1996, f. 190-191).

Këto janë vetëm disa parashikime të historianit të periudhës osmane te shqiptarët, prof. dr. Skender Rizajt, të shkruara në vitet ‘90, në njërin nga librat e tij si bashkautor. Po që se vështrohen me vëmendje këta rreshta, mund të thuhet se në njëfarë forme tingëllojnë aktuale edhe sot.

Por, kur jemi te studimet osmane, veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Mit’hat Frashëri, qysh në dekadat e para të shekullit XX, ka ngritur shqetësimin e tij rreth mungesës së studimeve dhe kuadrit të osmanistikës te shqiptarët. Ky shqetësim i tij, edhe pse i ngritur para shumë viteve, edhe sot mund të jetë aktual, ngase përgjithësisht në trojet shqiptare numri i studiuesve që merren me dokumente osmane vazhdon të jetë i vogël, edhe pse albanologjia ka nevoja të shumta për studime të mirëfillta nga kjo periudhë historike.

Jo se kanë munguar studiuesit tanë nga kjo lëmi, por ky konstatim del nga krahasimi i përpjekjeve të gjertanishme me dorëshkrimet dhe dokumentet e shumta orientale që gjenden në qendrat e ndryshme botërore, si në: Stamboll, Ankara, Sofje, Sarajevë, Tiranë, Shkup e të tjera, e të cilat presin dorën e studiuesit. /Koha.net /KultPlus.com