MKRS plotësohet me zëvendësministrin e dytë, Yll Rugova

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëhet me zëvendësministrin e dytë. Ministrja Vlora Dumoshi, e ka pritur zyrtarisht zëvendësministrin Yll Rugova, në marrjen e detyrës.

Gjatë këtij takimi formal, Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova për programin dhe synimet që pritet të realizohen prej MKRS-së gjatë këtij mandati e veçanërisht për aktivitetet e punët që synohen që të arrihen gjatë këtij viti.

Ministrja Dumoshi tha se është një fat për ministrinë që ka ardhur në pozitën e zëvendësministrit një person si z. Rugova i cili i njeh fushat me të cilat merret MKRS-ja, pasi që ka qenë drejtor për kulturë, rini dhe sport në Komunën e Prishtinës.

Dumoshi e Rugova biseduan për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkërendimin e punëve që ka përpara udhëheqja e ministrisë, nën frymën e një bashkëpunimi konkret dhe efikas.

Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova edhe me sfidat që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon dhe se pret që bashkërisht t’i zgjidhin ato në kuadër të përmbushjes së objektivave të ministrisë.

Ndërkaq, zëvendësministri Rugova e falënderoi ministren për pritjen dhe u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të plotësuar nevojat dhe arritur pritshmëritë që janë vënë si synim në avancimin e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë. /KultPlus.com

Arilena Ara lanson versionin anglisht të këngës përfaqësuese në “Eurovision”

Para pak orësh u lansua versioni zyrtarë në gjuhën angleze i këngës së Arilena Arës, me të cilën do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovisionin” e 2020-s, transmeton Koha.

Me titull “Fall From The Sky”, kënga e cila i fitoi zemrat e publikut shqiptarë anembanë botës për emocionin që e transmetonte përmes zërit të fuqishëm të Arës, vazhdon të tingëllojë bukur edhe në gjuhën angleze. 

Këngëtarja e re në moshë por me një karrierë të suksesshme në skenën muzikore, e kishte fituar Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe kështu ishte përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e sivjetmë të “Eurovisionit”, që do të mbahet në Rotterdam të Holandës.

Kënga fituese e zhanrit baladë titullohej “Shaj”, dhe erdhi me tekst të Lindon Berishës ndërsa për muzikën ishin përkujdesur, Darko Dimitrov e Lazar Cvetkovski.

Edicioni i 65-të i “Eurovisionit” do të mbahet nga 12 maji deri më 16 maj, ku Arilena Ara performon në pjesën e dytë të gjysmëfinales së dytë të festivalit. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=p-E-kIFPrsY&feature=emb_title

Fragment nga romani “Qyteti i fundit” i Petro Markos

Dhe as ajo nuk e kuptoi dot pse u bë dy Ana-Maria!

Njëra ngulte këmbë e thoshte:

-Do të vijë se më pëlqen. Ai është njeri i vërtetë. E ka kuptuar se këtë jetë nuk e bëra ngaqë më pëlqente, po më zvarritën.Ai më do se dhe unë e dua. Do të vijë, se, kur është pranë meje ëndërron, çlodhet, bëhet trim kundër atyre që tallen dhe shkulin lulet e dashurisë. Do të vijë patjetër, patjetër. Kështu ma thotë zemra. E në ardhtë, ç’do t’i them? Nuk do t’i them asgje. Vetëm të jetë pranë meje. Është nata e fundit… Ah, sikur të kishte të tillë rojë dashuria…

Tjetra ia priste:

-Nuk ka për të ardhur, jo. Nuk vjen. Ç’më do mua? Ai e dëgjoi historinë e jetës sime. Ca më shumë shtoi dhe ai katili që deshi të më merrte shpirtin. Pse të vijë këtu? Të flejë me mua? Ai s’eshtë nga ata! Të më premtojë? Ai nuk premton! Të më pushtojë, se është nata e fundit? Të më mbajë? Jam, a s’jam në vete?! Ai është officer…Ai ka rrugën e tij. Ç’më do mua? Të tallen shokët e tij me të? Pse t’i bëhem ferrë! Ai është kaq i mire! Më dha dritë jete… Më bëri të kuptoj se në këtë botë paska edhe njerëz të vërtetë! Po ku janë këta njerëz të vërtetë? Vetëm një, vetëm Leka…Leka. Sa ia di për nder! Ndaj nuk vjen… Nuk do që unë të vuaj më… Nuk vjen,se ai s’di të tallet… Nuk vjen… Nuk vjen…

-Do të vijë patjetër…

-Nuk vjen! Kot e pres. E në ardhtë, ç’kuptova? Nesër unë iki…iki.

-Jo, unë e pres… dhe s’dua të iki. Ku do të vete? Kush më pret mua? Ë. Kush më pret mua?

-Unë e pres, se e dua, apo e pres, se shpresoj mos më mbani këtu? Këtu… se atje më pret fundi…fundi! Ah, tani që njoha dashurinë…

Luftë mendimesh!

Dhe, ndërsa nata, me këngën e saj të yjeve dhe të valëve përpiqej ta qetësonte, ajo vlonte nga një ankth që e lëndonte, e mundonte… Lotët që rridhnin lehtë, zor e kishin ta ngushëllonin, ta lehtësonin! /KultPlus.com

Ibrahim Madhi, virtuozi i violinës shqiptare

Ibrahim Madhi, gjatë rrugëtimit të tij artistik u bë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të vendit, si Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe të Institutit të Lartë të Arteve duke qenë mbamëndje e pashlyeshme e memories së tyne, si një virtuoz që ka rrëmbyer ovacionet dhe afrinë e publikut, shqiptar dhe atij të huaj, duke qenë njëheras dhe ambasadori i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat konceptore n vende të ndryshme të votës.

Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje frenetike. Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.a

Ibrahim Madhi është nderuar në vite me çmime dhe Mirënjohje të veçanta, si dhe i janë akorduar çmimet: Artist i Merituar në vitin 1976 dhe Artist i Popullit në vitin 1990.

Mungesa e tij ka pesë vite në mes. Por kurrsesi nuk ka të fundit kurrçka tjetër që e lidh me atë; violinist virtuoz, njeri të mirë, bashkëshort të dashur, prind të përkushtuar, profesor korrekt dhe mik të pashoq. /Albert Vataj /KultPlus.com

Julie Ward: Falë punës së Alketës është thyer heshtja për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dje u dëgjuan dy zëra të fuqishëm që pesë vitet e fundit nuk janë ndalur së luftuari për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në Kuvendin e Kosovës, Vasfije Krasniqi -Goodman foli para deputetëve të Kuvendit, e në anën tjetër artistja Alketa Xhafa Mripa në Parlamentin britanik në Londër mbajti një fjalim për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës para shfaqjes së dokumentarit mbi veprën artistike “Mendoj për ty” e realizuar pesë vite më parë në Prishtinë. Të dyja kanë thirrur për drejtësi duke adresuar luftën ndaj stigmatizimit të viktimave dhe duke theksuar që krimet e luftës duhet të merren seriozisht, shkruan KultPlus.

Artistja Alketa Xhafa Mripa e cila ka shkuar në Londër si një refugjatë pasi që ishte larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit, ka treguar çdoherë se përmes artit të saj përpiqet që të vë në pah çështjet si emigracioni, refugjatët, dhunimet gjatë luftës e të tjera. Ajo vazhdon të mos qëndroj indiferente ndaj padrejtësive, duke i vënë synim vetes që të vë sa më shumë në pah këto çështje përmes artit.

Kështu veproi edhe ditën e djeshme, Xhafa- Mripa ku përvec fjalimit ajo foli edhe përmes dokumentarit “Mendoj për ty”. Përmes kësaj vepre, Xhafa-Mripa ngriti vëmendjen për drejtësi, luftën ndaj stigmatizimit të viktimave si dhe bëri thirrje që krimet e luftës të trajtohen më me seriozitet dhe urgjencë.

Të pranishëm në këtë prezantim në Parlamentin Britanik ishin deputet, shoqëri civile, aktivist të ndryshëm të çështjes së gruas, miq të Kosovës si dhe Liridona Hertica, si përfaqësuese nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër.

Alketa Xhafa Mripa ka thënë për KultPlus se dëshmia e fuqishme e Vasfije Krasniqi – Goodman dje para deputetëve në Kuvendin e Kosovës bëri që historia të përsëritet e përsëritet. Por, gjithashtu ajo shprehet e lumtur për gratë prezentë dje në Parlamentin britanik.

“Ishte një kënaqësi të shihje Julie Ward një poete dhe politikane e cila ishte e motivuar të dilte për zgjedhjet në Parlamentin Evropian për shkak të mashtrimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel global. Ajo bëri fushatën me One Billion Rising dhe u bashkua me Komitetin për të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore dhe delegacionin për marrëdhëniet me Kosovën. Gjithashtu takim personal me Margaret Oëen, një avokat për të drejtat e njeriut. Ajo themeloi organizatat e para ndërkombëtare që adresojnë çështjet e të drejtave të njeriut, dhe tani është drejtoresha e WPD, Widows for Peace via Democracy”.

Por, pas përfundimit të kësaj ngjarje, instalacioni “Mendoj për ty” e inspiroi Julie Ward për të shkruar një analizë të thuktë. Në këtë analizë, Ward e vlerëson artisten kosovare si shumë të kujdesshme në punën e saj dhe pohon që dhuna seksuale në konflikt vazhdon, por falë punës së Alketës është thyer heshtja.

KultPlus ju sjell analizën e plotë të Julie Ward për instalacionin “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa Mripa:

“Këto akte të papërshkrueshme të dhunës janë kryer në kohë lufte, në formë përdhunimi seksual të viktimave para anëtarëve të familjes, duke përfshirë burrat dhe fëmijët.

Fatkeqësisht dhuna seksuale është pjesë e vazhdimit të dhunës në baza gjinore nga burrat, dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndalohet.

Gjatë luftës në ish-Jugosllavi ishin rreth 50.000 gra dhe vajza që u dhunuan nga policia serbe. Dekada më vonë, ky komunitet po lufton me stigmën e turpit ndërsa dhunuesit janë ende të pa dënuar nga drejtësia.

Artistja kosovare Alketa Xhafa-Mripa u shqetësua pasi që e pa një intervistë televizive me një të mbijetuar anonime. Dhe ajo vendosi që në vitin 2015 ta krijojë një instalacion arti si mjet ndërgjegjësimi dhe solidariteti me viktimat.

“Thinking about you”, përfshinë bashkimin e rreth 5.000 fustaneve të shtrirë në fushën e stadiumit të futbollit në Prishtinë. Këto veshje u dhanë nga gra dhe vajza kosovare, si dhe nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga dhe ylli i popit Rita Ora.

Pesë vjet më vonë, unë dhe Alketa me grupin e komunitetit të rinisë shqiptare kundër dhunës me qendër në Londër, shikuam dokumentarin e Fitim Shalës. Ne jemi një grup në kuadër të së cilit kemi artistë, politikanë, akademikë, avokatë, gazetarë, aktivistë të komunitetit, një ish-oficer policie dhe anëtarë të diasporës kosovare.

I njoh disa gra në këtë film, i kam takuar gjatë vizitave të mia në Kosovë si anëtare e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Kosovën. Ato veshje janë zgjedhur me shumë kujdes, dhe janë veshje që kanë një histori për pronarët e tyre, si fjala vjen, ato janë veshur për ndonjë ditëlindje apo ndonjë ditë tjetër të veçantë. Këto veshje u bënë trupat e grave, të lakuara, të shtruara në tavolina mes lotësh mirënjohjeje.

Në këtë vepër arti, artistja është shumë e kujdesshme. Procesi i këtyre veshjeve që filloi 5 vjet më parë kishte qëllim shërimin kolektiv përmes angazhimit publik me objekte simbolike.

Viktimat e përdhunimit të luftës së fundit në Kosovë tashmë flasin edhe përtej kufijve të vendit të tyre. Dhuna seksuale në konflikt vazhdon, por falë punës së Alketës është thyer heshtja.” / KultPlus.com

“Në gjunjë zotërinj përpara një gruaje”

Për të gjithë dhunën e ushtruar mbi të, për të gjitha ofendimet që ka pësuar, për trupin e saj që keni shfrytëzuar, për inteligjencën që i keni përdhosur, për injorancën në të cilën e keni lënë, për lirinë që i keni mohuar, për gojën që i keni taposur, për flatrat që i keni prerë, për të gjitha këto:

Në gjunjë zotërinj përpara një gruaje! /KultPlus.com

19 vjet nga ikja në amshim e piktorit të shquar, Fatmir Haxhiu

Fatmir Haxhiu është njëri ndër piktorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

Ai lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku piktori do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.

Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.

Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Haxhiu është aktiv me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”, po ashtu krijon shumë ilustrime me emocion dramatik.

Gjatë karrierës së tij të pasur, Haxhiu, nderohet me shumë cmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin e Republikës së shkallës së parë dhe të tretë. Gjithashtu atij iu ndanë titujt e lartë “Piktor i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”

E, veprat e tij u bënë popullore pasi që ai i botoi ato nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera. /KultPlus.com

Koronavirusi zhduk “Murtajën” nga libraritë

Kërcënimi global i Covid-19, po i dërgon lexuesit drejt romaneve, që kanë i subjekt epidemitë. Botuesit në mbarë botën bëjnë me dije, se janë rritur ndjeshëm shitjet e tre librave: “Murtaja” e Albert Kamysë, “The Eyes of Darkness” e Dean Koontz dhe “The Stand” e Stephen King, sipas “The Guardian”.

“Murtaja” është në “Top 10”-en e librave më të shitur në Itali, sipas raportimit të revistës letrare “ActuaLitté”. Ndonëse përgjithësisht është konsideruar si një alegori e përvojës së popullit francez gjatë pushtimit nazist, vepra ka ngjallur interes së fundmi.

“Murtaja” e Kamysë, i vendos ngjarjet në një qytet në Algjeri, Orani. Dr. Bernard Rieux vë re gjithnjë e më tepër, minj të ngordhur. Pas tyre, shtohen vdekjet e njerëzve dhe krejt papritur, Orani e gjen veten të izoluar nga bota.

“The Stand” imagjinon një botë të dekompozuar nga një grip i rrezikshëm, i njohur si “Captain Trips”. Edhe shitjet e romanit “The Stand” janë rritur ndjeshëm së fundmi.

“The Eyes of Darkness” fitoi popullaritet pas teorisë që u përhap në internet, ku thuhej se Dean Koontz, parashikoi koronavirusin. Thashethemi nisi të përhapej sepse virusi i librit quhet “Wuhan-400.” Është e vërtetë që Koontz, shkruajti për një virus fiktiv në romanin e tij, me emrin “Wuhan-400″ i referohet qytetit kinez ku pati origjinën koronavirusi i 2019-ës (COVID-19), por sëmundja e librit nuk ka të përbashkëta me sëmundjen reale. /KultPlus.com

Shpella e Haxhi Aliut, mrekullia turistike dhe mistike në gadishullin e Karaburunit

Gadishulli i Karaburunit është kthyer gjatë viteve të fundit një ndër atraksionet turistike më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe vendas për shkak të bukurive natyrore dhe të vendeve mjaft të veçanta që ofron.

Një ndër vendet më të bukura në këtë gadishull ku përveç historisë të mahnit dhe me pamje e e saj mistike është shpella e Haxhi Aliut. Kjo shpellë duket si një pikturë e vendosur nën bukurinë dhe madhështinë e ujërave të kristalta që e rrethojnë.

Shpella e Haxhi Aliut nëpërmjet disa fotove të bëra me kamera 360 gradë duket si një parajsë tokësore e cila fton turistët e huaj dhe vendas ta eksplorojnë.

Kjo shpellë ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Aliut është vendi më i bukur i Parkut Kombëtar Detar “Karaburun- Sazan”.

Përveçse një atraksion turistik, kjo shpellë ka një pamje të mahnitshme, si dhe vlera gjeologjike pasi në të gjenden formacione stalaktitesh që janë krijuar gjatë viteve e shekujve. Mënyra më efikase për të vizituar këtë vend janë mjetet detares si anije dhe varka. / atsh / KultPlus.com


Masat ndaj koronavirusit, Shqipëria anulon aktivitetet kulturore në salla të mbyllura

Pas identifikimit të dy rasteve të para të koronavirusit, në Shqipëri, Qeveria ka vënë në lëvizje masat e planifikuara, sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në kuadrin e këtyre masave, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi se të gjitha aktivitetet kulturore, që parashikojnë mbledhjen në salla të mbyllura të një numri të madh spektatorësh, si koncerte, shfaqje teatrale, opera apo balet, do të anulohen.
“Do të monitorohen të gjitha institucionet dhe do të merren të gjitha masat për të mos krijuar grumbullime njerëzish, si në salla muzesh, ekspozita etj”, tha ajo.

Minisrja apeloi qytetarët të mos kenë panic dhe të respektojnë dhe ndjekin të gjitha këshillat, që jep OBSH, nëpërmjet Ministrisë sonë të Shëndetësisë për të ruajtur kështu shëndetin e tyre dhe të familjes e të të afërmve.

Margariti prezantoi edhe 5 mënyra për të mbrojtur familjen nga COVID-19:

1-nëse jeni të sëmurë, qëndroni në shtëpi për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
2- mbuloni hundën dhe gojën gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
3 -shmangni prekjen e fytyrës dhe lani duart sa më shpesh me ujë të ngrohtë dhe sapun.
4- mbani distancë nga njerëzit që kolliten apo teshtijnë.
5- lexoni të gjithë informacionet zyrtare lidhur me COVID-19./a.gjonaj/ Atsh /KultPlus.com

Ministri i Kulturës në Francë preket nga koronavirusi

Ministri i Kulturës në Francë, Frank Riester, është infektuar me koronavirus.

Ai është shtruar në spital, ndërsa mediat franceze raportojnë se gjendja e tij është e stabilizuar.

Në Francë janë 19 persona që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Ndërkohë që numri i të prekurve nga sëmundja është 1209.

Autoritetet vazhdojnë që të monitorojnë me vëmendje situatën, ndërsa kanë marrë masat e nevojshme që të shmangin përhapjen në vend. KultPlus.com

Konsullja e Shqipërisë në Milano konfirmon viktimën e parë shqiptare nga koronavirusi në Itali

Konsullja Shqiptare në Milano Anila Pojani në një lidhje të drejtpërdrejtë me Skype për emisionin “Real Story” në “News 24” ka konfirmuar faktin se në Itali ka ndërruar jetë edhe një shqiptare me origjinë nga Durrësi.

Pojani jep edhe detaje për këtë rast të rëndë, duke u shprehur se edhe familjarët e së ndjerës janë për momentin në karantinë.

“Kemi konstatuar se qytetarja nga Durrësi ka ndërruar jetë për shkak të një arresti kardiak dhe ka rezultuar pozitive me koronavirus. Dokumentacioni zonjës ka mbërritur sot në Konsullatë. Djali, vajza dhe bashkëshorti i të ndjerës janë të gjithë në karantinë. Ceremonia mortore është pezulluar, për shkak të situatës. Të gjithë viktimat janë në morget përkatëse. Ky virus u përhap shpejt dhe ishte i panjohur. Masat parandaluese këtu në Shqipëri u morën shumë shpejt, u pezulluan aktivitetet sportive, kulturore, u mbyllën muzetë, teatrot etj”, tha Pojani.

Anila Pojani deklaroi më pas se situata nga virusi në shtetin italian paraqitet e rëndë, duke vlerësuar se në vendin fqinj janë mbi 8000 persona të prekur nga koronavirusi dhe ka rreth 450 viktima deri në këto momente.

“Nga të dhënat e Drejtorisë të Emergjencave Civile flitet se në Itali janë mbi 8000 të prekur, nga të cilët rreth 800 janë të shëruar dhe rreth 450 kanë ndërruar jetë, të gjithë në moshë të thyer dhe me probleme të mëhershme. Nuk jepen të dhënat për kombësinë ndaj personit dhe jo tepër të dhënat, pasi bëhet fjalë për rast ku nuk mund të thuhet se është problem kombësie. Zona e Kuqe janë zona ku ka më shumë të prekur. Në momentin që flasim, gjithë zona e Lombardisë, por edhe në Rimini etj ka rreth 200 mijë shqiptarë. Rreth 92 mijë shqiptarë janë në Lombardia dhe nuk ka të dhënë për shqiptarët e prekur, pasi nuk jepen të dhëna. Shqiptarë të raportuar të prekur nga koronavirusi nuk ka”, tha Pojani. Express / KultPlus.com

Yll Rugova emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Yll Rugovën zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Në njoftimin e qeverisë, thuhet se Yll Rugova, u lind më 1984 në Prishtinë, ai ka mbaruar studimet bazike dhe ato të masterit për Dizajn Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës.

“Ka qenë Drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në fillim të legjislaturës së fundit. Themelues i hapësirës ekspozuese për artet pamore “Motrat” në Prishtinë, ndërkohë që ka ushtruar veprimtarinë profesionale kreative edhe përmes grupit të dizajnit “Tembelat”. Shquhet si aktivist i shoqërisë civile, i angazhuar në protesta dhe aktivitetet tjera politike”, thuhet ndër të tjera në njoftim./ KultPlus.com

Këngëtari më me ndikim në histori, shtatë gjëra që nuk i keni ditur për Freddie Mercury-n

Freddie Mercury do të mbahet mend për gjurmët e mëdha që la në historinë e muzikës botërore, për vokalin e tij të fuqishëm dhe për energjinë e tij të mrekullueshme që shpaloste në skenë, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni disa fakte jo shumë të njohura për këngëtarin.

Bohemiian Rapsody- Një histori e shekullit rreth traumave të Freddie-t

Freddie e shkruajti këtë këngë në 1975 dhe në atë kohë “Bohemiian Rapsody” u konsiderua kënga më e gjatë e regjistruar ndonjëherë. Kënga zuri vend në albumin e katërt të grupit, A Night at the Opera. Mediat e huaja shkruanin në atë kohë që kënga në të vërtetë fliste për traumat që këngëtari kishte përjetuar në fëmijëri.

Festat deri në mëngjes me Princeshën Diana

Thuhej se princeshë Diana takohej me Freddien dhe ekipin e tij gjatë kohës kur kishte probleme martesore me princin Charles. Duke parë atë të trishtuar, Freddie i kishte thënë Dianës: “Eja e dashur, dil dhe argëtohu pak”. Pasi ishte e pamundur që Diana të vizitonte klubet e natës, Freddie ishte ai që i kishte sugjeruar që princesha të maskohej si burrë dhe të dilte në klubet për personat gay. Diana e pranoi idenë me entuziazëm, dhe u gëzua veçanërisht me “lirinë” që fitoi ngase mund të argëtohej si çdo person i zakonshëm.

Pse nuk donte të dihej varri i tij?

Në testamentin e tij, Freddie në vullnetin e tij të fundit e detyroi ish-të fejuarën e tij Mary Austin që të kujdesej për hirin dhe kurrë të mos tregonte publikisht atë që kishte bërë me urnë. Në fillim të këtij viti, një pllakë u zbulua në Varrezat e ëest London: “Në kujtim të Farok Balsar. Unë gjithmonë do të jem me ju me dashurinë time. M”. Ende, askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht se urna e muzikantit legjendar ndodhet poshtë pllakës.

Freddie nuk ka asnjë përmendore në Londër

Ndikimi i tij vihet ende në diskutim në publikun britanik. Konservatorët mohojnë rëndësinë e tij, kryesisht për shkak të zgjedhjeve private dhe mënyrës së jetesës. Edhe pse adhuruesit e tij janë përpjekur të ngrenë një monument në Londër për vite me radhë, kjo ende nuk ka ndodhur. Busti i tij përkujtimor ndodhet në Zvicër, në qytetin Montreux, i cili është bërë një vend pelegrinazhi për tifozët e Freddie dhe grupin Queen.

Koncerti për Guinness

Gjysmë viti pas vdekjes së Freddie, grupi organizoi një koncert në stadiumin ëembley të Londrës. Të gjitha të ardhurat shkuan për bamirësi për një organizatë në luftën kundër AIDS, Fondi “Mercury Phoenix”. Koncerti është në Librin e Rekordeve Guinness dhe konsiderohet të jetë koncerti më i madh bamirës rock ndonjëherë.

Ai ishte tejet i turpshëm

Edhe pse ai ishte i njohur për performancën e tij të egër dhe “skandaloze”, shumë njerëz që e njihnin Merkurin personalisht thonë që ai ishte shumë i turpshëm, kjo është një nga arsyet që ai rrallë paraqitej në intervista.

Para se të bëhej yll rocku, punonte në aeroport

Shumë kohë para se të bëhej një nga këngëtarët më ikonikë në historinë e muzikës, Freddie nxirrte jetesën duke punuar në aeroportin Heathroë të Londrës. / KultPlus.com

Fotografia e vitit: Mjeku me pacientin me Coronavirus shijojnë perëndimin e diellit

Tashmë Coronavirusi është shndërruar në shqetësim mbarë botëror, duke rrezikuar shëndetin e mijëra njerëzve, shkruan KultPlus.

Së fundi, është publikuar një fotografi ku shihet një mjek dhe pacient i tij i infektuar nga Coronavirusi, teksa vëzhgojnë perëndimin e diellit.

Fotografia është realizuar në qytetin e Wuhan-it të Kinës. / KultPlus.com

Zyra e Albert Einstein, e fotografuar menjëherë pas vdekjes së tij (FOTO)

Einstein vdiq në Prill të vitit 1995, në Princeton.

Fotografi i njohur Ralph Morse, i cili në atë kohë punonte për revistën e mirënjohur ‘Life’, sapo u informua për vdekjen e gjeniut, u nis për në Princeton, ku hasi në shumë gazetarë e foto-reporterë dhe duke mos mundur të deportojë përmes turmës, u nis drejt Institutit të Studimeve të avancuara, aty ku edhe ishte zyra e Einstein-it.

Më vonë fotografi ka treguar për mediat amerikane se të hynte në zyrën e Einstein-it nuk kishte qenë edhe aq e vështirë, ai kishte korruptuar sigurimin me një shishe pije alkoolike.

Fotografia e shkrepur u publikua në revistë një ditë pas vdekjes së Einstein-it, ku vërehen dokumentet dhe gjërat personale ashtu siç edhe i kishte lënë ky i fundit. / KultPlus.com

Ruso: Fyerjet janë argumentet e atij që është gabim

Një numër i madh i autorëve të ndryshëm në epokën teknologjike, ndikimin e tyre po e rrisin edhe përmes thënieve të ndryshme të shkëputura nga veprimtaria e ndryshme profesionale, shkruan KultPlus.com

KultPlus ka përzgjedhur disa nga thëniet më të njohura të autorëve të famshëm:

“Detyra e parë e një revolucionari është të edukohet.”
– Ernesto Che Guevara

“Gratë janë bërë për tu dashuruar, jo për tu kuptuar.”
– Oscar Wilde

“Rruga më e mirë për të humbur një grua, ishte që t’i tregoje asaj një jetë, të cilën mund të i’a siguroje vetëm për ca ditë. Ajo do të përpiqej pastaj ta rifitonte atë jetë – por me dikë tjetër, i cili do të ishte i zoti të i’a siguronte vazhdimisht…”
– Erich Maria Remarchue

“Forca e një kombi buron nga ndershmëria e familjës.”
– Confucious

“Shpirti njerëzor duhet të mbizotërojë mbi teknologjinë.”
– Alber Einstein

“Dashuria është përgjërimi për gjysmën e vetes tonë të cilën e kemi humbur.”
– Milan Kundera

“Është detyra e njerëzve të mençur të mos jenë në anën e ekzekutorëve”.
– Albert Camus

“Vetëm në kohët e vështira njerëzit e kuptojnë se sa e vështirë është të jesh mjeshtër i ndjenjave dhe i mendimeve tua.”
– Anton Chekhov

“Lumturia e jetës tuaj varet nga cilësia e mendimeve tuaja.”
– Marcus Aurelius

“Atëherë kur bëhet e barabartë më mashkullin, femra bëhet më superiore.”
– Sokrati

“Nuk besoj që ekziston ndonjë kualitet më esencial për çdo lloj suksesi se sa këmbëngulja. Ajo tejkalon pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën.”
– John D. Rockfeller

“Secila fjalë i ka pasojat e veta. Secila heshtje gjithashtu.”
– Jean-Paul Sartre

“Fyerjet janë argumentet e atij që është gabim.”
– Jean Jacques Rousseau

“Mirëkuptimi i përbashkët i grave vjen nga fakti se ato e identifikojnë veten me njëra tjetrën; por për arsyen e njejtë ato janë edhe kundër njëra tjetrës.”
– Simone de Beauvoir

“Vetëm shëruesi që ka qenë i plagosur mundet vërtetë të shërojë.”
– Irvin D. Yalom

‘Baba i vërtetë nuk është ai që paguan faturat, por ai që e kupton se familja vjen para gjithçkaje’

Çdo burrë mund të bëhet baba. Çdo burrë mund të gjenerojë një fëmijë. Megjithatë, veç një person i veçantë mund ta ushqejë, formësojë dhe ta dojë atë fëmijë.

Një baba i vërtetë nuk është ai i cili fiton mjaftueshëm para për t’u blerë dhurata të shtrenjta bashkëshortes dhe fëmijëve, apo t’i çojë në pushime 10 ditëshe dy herë në vit.

Një baba i vërtetë nuk ai i cili fiton mjaftueshëm para për t’i dërguar fëmijët e tij në shkolla elitare, apo për t’i paguar faturat.

Një baba i vërtetë është ai i cili e kupton se familja vjen para gjithçkaje tjetër.

Një baba i vërtetë është çdoherë i pranishëm për familjen e tij. Ai nuk e braktisë familjen në momentin që gjërat vështirësohen. Ai i cili nuk e lë familjen të merren vetë me problemet e tyre. Ai i cili nuk heq dorë nga familja duke thënë se nuk mund të bënte më shumë.

Baba i vërtetë është ai i cili ka vullnet të investojë kohë e mund në familjen e tij edhe atëherë kur ndihet i lodhur dhe kur ndihet se nuk është në zonën e tij të rehatisë.

Një baba i vërtetë, i përkushtuar është ai i cili është i gatshëm të bëjë kompromise dhe t’i sakrifikojë nevojat dhe dëshirat e tij, për hir të familjes. Ai i cili u mëson fëmijëve dashurinë dhe përkrahjen e pakushttë.

Një baba i vërtetë, i mirë, është ai që bëhet shembull se si duhet të trajtohet një grua. Ai i cili e trajton gruan me respekt, butësi, zemërgjërësi dhe dinjitet.

Një baba i vërtetë, i dashur, është i cili ua mëson fëmijëve rëndësinë e virtyteve të mirësjelljes, durimit, sinqeritetit dhe besnikërisë. Ai i cili nuk e gënjen as manipulon familjen e tij, apo dikë tjetër. Ai i cili i mëson fëmijët të ndërtojnë marrëdhënie të bazuara në besim dhe respekt.

Një baba i vërtetë është ai i cili ua mëson fëmijëve domethënien e sjelljes së dinjitetshme. Ai i cili asjëherë nuk u drejtohet fëmijëve të tij me shprehje përçmuese. Ai i cili asnjëherë nuk i lejon vetes ta humbë kontrollin në mënyrë që mund ta bënte familjen e tij të ndihej e kërc ënuar.

Një baba i vërtetë, i përkushtuar është ai i cili e vendos familjen në vendin më të rëndësishëm të jetës së tij. Ai i cili e di se nuk ka problem, diskutim apo tundim më të rëndësishëm se familja e tij. Ai që e di se nuk ka dashuri më të madhe e më të fuqishme se dashuria që ndjehet për familjen.

Një baba i vërtetë, i përkushtuar, është ai i cili shërben si model dhe frymëzim për familjen e tij. Ai i cili i inkurajon fëmijët e tij të punojnë me veten dhe të rriten si personalitete dhe profesionalisht. Ai i cili i mëson fëmijët të bëhen versioni më i miri i vetes.

Një baba i vërtetë është ai i cili i mëson familjes si ndihet lumturia dhe gëzimi i vërtetë. Ai i cili ndihet më i kënaquri kur fëmijët e tij janë të lumtur.

Një baba i vërtetë, i dashur, është ai i cili i di gjërat e preferuara të fëmijëve të tij. Ai që i di preferencat, gjërat që nuk iu pëlqejnë, ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve të tij.

Një baba i vërtetë, i kujdesshëm, është ai i cili asnjëherë nuk lejon që problemet ta vjedhin lumturinë e fëmijëve të tij. Ai i cili, pavarësisht se sa i pakënaqur është nga jeta e tij, asnjëherë nuk lejon që fëmijët e tij të ndihen njësoj.

Një baba i vërtetë është ai për të cilin fëmijët me krenari mund të thonë: “Ai është modeli im, shoku më i mirë, mentori im. Ai është babai im.”

Vërtet, të kesh një baba të këtillë është bekim./supergrate.net/ KultPlus.com

Shkollat e para në gjuhën shqipe të hapura nga austriakët në Kosovë (FOTO)

Shkollat shqipe në Kosovë për herë të parë janë hapur nga asutriakë në vitin 1915, dhe u mbyllën nga serbët në vitin 1919.

Deri në vitin 1915 nuk kishte asjë shkollë shqip sepse ato nuk i lejonte Perandoria Osmane, pastaj kur Kosova riposhtua nga Serbia në vitin 1912, hapja e shkollave në gjuhën shqip ishte e pamundur.

Më çlirimin e Kosovës nga Austro-hungaria në vitin 1915 dhe dëbimin e okupatorit serb, në çdo qytet të Kosovës u hapën shkollat në gjuhën shqipe.

Për fat të keq Austro-Hungaria humbi Luftën e Parë Botërore, dhe shkollat shqipe u mbylllën për 22 vite nga serbët, dhe u rihapën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shkolla e parë ushtarake e hapur nga austriakët në Mitrovicë, 1916

Shkolla fillore “SKENDERBEU” në Gjakovë, 1916

Shkolla shqipe në Podgoricë, 1916

Austriakët për herë të parë hapin Shkollën në Gjuhën Shqipe në Mitrovicë, pas ndalimit nga turqit dhe serbët me shekuj.

Shkolla shqipe në Pejë, 1916

Shkolla shqipe në Gjakovë, 1917 /medial.mk/ KultPlus.com

‘Grueja shqyptare fare trashigimit s’ka te prindja, kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi’

Kanuni i Lekë Dukagjinit ka një rol tejet të rëndësishëm në kulturën e kombit shqiptar, kanun ky që ka qenë si një lloj ‘kushtetute’, ku me rregullat dhe ligjet e të cilit është zhvilluar jetera në viset shqiptare, shkruan KultPlus.

Mirëpo, ka akoma shumë debate për figurën dhe trajtimin e gruas sipas kanunit: Disa prej studiuesëve e kritikëve thonë se duke pasur parasysh kohën në të cilën ka ekzistuar dhe është aplikuar kanuni, ka qenë e drejt trajtimi i tillë, ndërsa ka prej atyre që e konsiderojn si dicka jo njerëzore mënyrën se si është trajtuar gruaja sipas Kanunit.

Në kanun flitet për martesën e gruas, si duhet të sillet në martesë e si duhet të martohet, flitet për hisen e gruas, e të tjera gjëra që sipas kanunit i takojnë dhe nuk i takojnë një gruaje.

Ajo për të cilën debatohet më së shumti, është e drejta e gruas për trashëgimi, duke u thënë se gruaja shqiptare nuk gëzon të drejtën për një të tillë.

‘Grueja shqyptare fare trashigimit s’ka te prindja , as në shpi ,as në plang –kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon per pajë as per kurnji send per vajzë të vet : qi e xen do t’i a baje kujdesin. Prindja e djalit , qi e xun vajzën do të mendojn per gjith shka duhet per martesë të saj’, thuhet më saktësisht në kanun. / KultPlus.com

Pas koronavirusit, rritet shitja për këto libra

Kërcënimi global i Covid-19 po i dërgon lexuesit drejt romaneve, të cilët kanë në qendër epidemitë. Botuesit në mbarë botën (via The Guardian) bëjnë me dije se janë rritur ndjeshëm shitjet e tri librave: “Murtaja” e Albert Kamysë, “The Eyes of Darkness” e Dean Koontz dhe “The Stand” e Stephen King.

“Murtaja” është në Top 10 e librave më të shitur në Itali sipas raportimit të revistës letrare ActuaLitté. Ndonëse përgjithësisht është konsideruar si një alegori e përvojës së popullit francez gjatë pushtimit nazist, vepra ka ngjallur interes së fundmi.

“Murtaja” e Kamysë i vendos ngjarjet në një qytet në Algjeri, Orani. Dr. Bernard Rieux vë re gjithnjë e më tepër minj të ngordhur. Pas tyre, shtohen vdekjet e njerëzve dhe krejt papritur, Orani e gjen veten të izoluar nga bota.

“The Stand” imagjinon një botë të dekompozuar nga një grip i rrezikshëm i njohur si “Captain Trips”. Edhe shitjet e “The Stand” janë rritur ndjeshëm së fundmi.


“The Eyes of Darkness” fitoi popullaritet pas teorisë që u përhap në internet, ku thuhej se Dean Koontz parashikoi koronavirusin. Thashethemi nisi të përhapej sepse virusi i librit quhet “Wuhan-400.” Është e vërtetë që Koontz shkruajti për një virus fiktiv në romanin e tij dhe që emri i tij, “Wuhan-400″ i referohet qytetit kinez ku pati origjinën koronavirusi i 2019-s (COVID-19), por sëmundja e librit nuk ka të përbashkëta me sëmundjen reale./anabel/

Shqiptarja nderohet me çmimin “Inspiration Woman Award 2020” në Kanada

Tashmë një numër i madh i grave dhe vajzave kudo në botë po korrin suksese në sfera të ndryshme, Viola Kaloutsi, është e radhës. Ajo ka marrë çmimin “Inspiration woman award 2020” nga Fondi “RH Scholarship”, shkruan KultPlus.com

Ministria e Shtetit për Diasporën në Shqipëri përmes një njoftimi në Facebook e ka bërë të ditur këtë lajm, teksa e njejta grua profesionale është vlerësuar me çmime të ndryshme edhe më parë.

“Viola Kaloutsi, drejtuesja shqiptare e një zyre ligjore në Kanada dhe njëkohësisht anëtare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, është vlerësuar me çmimin “Insperation woman award 2020” nga Fondi ”RH Scholarship” në Kanada. Më parë, znj. Kalotusi është vlerësuar edhe me çmime të tjera në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në çështjet e Diasporës shqiptare”, thuhet në llogarinë e Ministrisë në Facebook. KultPlus.com

‘Kur e përcolla ylberin ktheva hyna n’odë, kur ia pashë manzerën varun ia lava me lot’ (VIDEO)

KultPlus ju sjell këngën ‘Kur e përcolla Ylberin’, nën intepretimin e mrekullueshëm të Liri Rasha.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

https://www.youtube.com/watch?v=ZRXIX9DbyQI

Kur e përcolla ylberin
Ktheva hyra n’odë
Kur ia pash manzerrën varun
Ja lava me lot.

Mos e laj me lot, oj zano,
Mos e laj me lot,
Se shkoi viti parë, oj zano,
Porsi dita sot…

Shkuan muaj, shkuan vite,
Zemra mu dogj flake,
S’na lan’ hallet s’na lan’ dertet
Me jetue bashkë.

O ylberi dadës, o,
A thu m’ke harru?
Ditet e gurbetit ylber,
Qofshin të mallkum!

Mora harqe e dola n’ bahçe
Çorapet mej thurë
Prej mërzisë përmbi çorape
Plasa tuj lotu

O ylberi dadës, o,
A thu m’ke harru?
Ditet e gurbetit ylber,
Qofshin të mallkum! / KultPlus.com

Anulohet koncerti i Malumës në Tiranë – shkak koronavirusi

Në Tiranë janë anuluar aktivitetet publike të parashikuara për Ditën e Verës dhe 100 Vjetorin e shpalljes Kryeqytet.

Në kuadër të planit të masave për përballimin e situatës me koronavirusin, kryebashkiaku Veliaj tha se ka nisur dezinfektimi në institucionet parashkollore.

“Do të vazhdojmë me dezinfektimin; kur qeveria të njoftojë hapjen e tyre, do të jemi në një gatishmëri maksimale për të bërë një dezinfektim tjetër edhe para hapjes së tyre”, tha ai.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të reduktuar disa shërbime tek zyrat e Pritjes me Qytetarët, të cilat mund t’i marrin online ose përmes një telefonate pa pagesë në numrin 0800 0888.

“Nëse ka një shqetësim, si ato që vijnë tipikisht në Bashkinë e Tiranës, një lokal që bën zhurmë poshtë pallatit, nuk ka arsye të vish tek zyra e pritjes me qytetarët. Mjafton të na njoftosh, do ia referojmë policisë. Ne duam t’i reduktojmë këto shërbime, kryesisht online ose me telefon. Vijmë ne tek njerëzit, nuk ka nevojë që dikush të vijë dhe të ekspozohet me qindra të tjerë në sallën e Pritjes me qytetarët, ndaj dua t’i theksoj faktit që kemi nr tel 0800-0888, hapur për çdo thirrje”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku lajmëroi edhe anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, tubime, koncerte, aktivitete, dëgjesa publike deri në datën 3 prill.

Kjo përfshin gjithë aktivitetet e Ditës së Verës, koncertin e këngëtarit Maluma, i cili do të zhvillohet në muajin Qershor, dhe aktivitetet e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet./TCH /KultPlus.com