Më dhuro një lule Anemone

Nga: Shpresa Komani-Frrokaj

Nesër është 8 Marsi dhe nuk është si çdo ditë tjetër për mua, për motrën, për gruan dhe për nënën dhe vajzën tënde.

Këtë herë e kam zgjedhur lulen që preferoj të ma bësh dhuratë, “ANEMONE”quhet. Nëse e ke të vështirë t’a gjesh, të ndihmoj unë…e gjen në Gjakovë në qytetin e luleve të bukura, aty diku tek Kroi i Pangjallës, afër lumit KRENA, tek më i bukuri vend.

Nëse në Gjakovë nuk mund të vish nesër, lule mund të gjesh edhe në Prishtinë, sepse këtë herë më është krijuar një mundësi më shumë. Këtë 8 Mars ka plot lule afër Pallatit të Rinisë, të Rinisë sime… në Monumentin e NEWBORN-it që këtë herë më erdhi si dhuratë me 17 Shkurt, në ditën e të gëzuarës Pavarësi.

Nesër, e pres një buqetë ndryshe, një buqetë shumë të madhe se jemi shumë, e më duhet t’a shpërndaj. Një buqetë e cila nuk ka diskriminim e as paragjykim. Një buqetë që më thotë të mos kem frikë që lufta do të vjen prapë…

Një buqetë me plot lule ngjyrë të verdhë dhe vjollcë, si lulja ime.

8 Mars është nesër, e unë kërkoj të më pranosh që nuk desha të e kisha këtë fat, të më besosh që nuk munda të ikë nga duart e tyre, të më dëgjosh kur të tregoj rrëfimin tim, të më ndihmosh mua dhe shumë grave e vajzave që ishim bashkë…dua të më duash ashtu siç jam, e jo të më mohosh, siç e bëre tash e 20 vjet.

8 Mars është nesër, unë nuk pranoj të më urosh pa njohur dhimbjen time, nuk pranoj të më shkruash “URIME” nëse me dorën dhe mendjen tënde më ke mohuar, dhe vazhdon.

Nesër, unë do të festoj, vetëm nëse goja jote nuk shpreh mohim e paragjykim dhe vetëm nëse në dorën tënde e mbanë buqetën me lule ANEMONE dhe vjen drejt meje.

Kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Me zemër! /KultPlus.com

Çitaku do të prezantojë rolin e grave në proceset shtetndërtuese, në Universitetin e Harvardit

Vlora Çitaku do të marrë pjesë në një panel të organizuar nga Universiteti i Harvardit, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka dhënë vetë Çitaku përmes rrjetit të saj social Facebook.

Ajo do të marrë pjesë duke e prezantuar rolin e grave në proceset shtetndërtuese në kuadër të European Conference, Thw World is Watching.

Postimi i plotë i Çitakut:

Kënaqësi e veçantë të jem e ftuar nga Universiteti i Harvardit për të prezentuar në një panel të veçantë për rolin e grave në proceset shtetndërtuese në kuadër të European Conference, The World is Watching.
Dua posaçërisht ta falenderoj studenten nga Kosova, znj Zoja Surroi, falë angazhimit të së cilës unë sot do të kem mundësi të ndajë përballë një audience të zgjedhur rrëfimet e grave nga Kosova. /KultPlus.com

“Ti e shpërblen mësuesin keq nëse mbetesh përjetë nxënës”

“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”

“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.

“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?

“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.

“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.

“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.

“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.

“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.

“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”

“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.

“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.

“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.

“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet” /KultPlus.com

Artisti Genti Tavanxhiu sjellë në Prishtinë ekspozitën “Ëndrrat e Mes-Dheut”

Artisti i njohur Genti Tavanxhiu do të ketë ekspozitën e tij personale “Ëndrrat e Mes-Dheut” në Prishtinë. Një aktivitet i vlerësuar ndërkombëtar, ku ka qenë i pranishëm edhe në Shqipëri, këto ditë të muajit mars artisti do të jetë me veprat e tij në galerinë “Da Vinci”, në Prishtinë. 

Genti Tavanxhiu lindi në 1973 në Shkodër (Shqipëri). Ai themeloi atelier e tij të skulpturave personale në Itali që nga viti 1993. Ai është Themeluesi i MSE-ARTE (Skulptura Monumentale në Evropë, organizata Art Event) Ai është menaxher i AIESM (Shoqata Ndërkombëtare për Ngjarje Monumentale Skulpture) në Shqipëri dhe agjent në Itali, si dhe një anëtar i ISSA (International Sculpture Symposium Alliance) në Tongling, Kinë, shkruan KultPlus.

Për dy dekadat e fundit ka qenë pjesë e ekspozitave të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u dhënë disa çmime. Tavanxhiu organizoi, koordinoi dhe drejtoi dhjetë Simpoziume Ndërkombëtare të Skulpturës në Korçë (Shqipëri), një në Elbasan (Shqipëri) dhe tre simpoziume, në Spinetoli (Itali), dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë organizoi Simpoziumin e Arkitekturës, etj. projekti është miratuar nga Qeveria Shqiptare, Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 2018 ai ishte pjesë e ekipit që prezantoi “The Pavilion Albania” në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës të Venecias (Itali). Skulpturat e tij monumentale janë të pranishme në shumë vende publike dhe koleksione private në SHBA, Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Portugali, Zvicër, Itali, Francë, Rumani, Mali të Zi, Qipro, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Japonia, Egjipt, Siri, Iran , Izrael, Luksemburg dhe Tajvan. /KultPlus.com

Lepurushi

Poezi nga Rexhep Hoxha

Deshi lepurushi
të bëjë një mrekulli:
të vishej me tesha
po sikur njeri.

Veshi pantallona,
këpucë e jelek,
n’Zvicër porositi
sahat me qostek.

Mirëpo të ngratit
i shkoi puna huq,
sepse veshët e gjatë
s’i ndenjën n’kapuç.

Hapet ekspozita për Mësonjëtoren e parë shqipe

“Korça, Zemra e Shqiptarisë” është ekspozita që u hap këtë 7 mars në qytetin e Korçës me dokumente dhe fotografi mbi Mesonjetoren e pare shqipe gjate Rilindjes Kombetare. Drejtoria e përgjithshme e arkivës në bashkëpunim me bashkinë Korçë, zgjodhën këtë ditë për të realizuar ekspozitën që dëshmon përpjekjet për themelimin, hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe dhe librat më të cilat mësohej në këtë shkollë.

Drejtori i Arkivës së Shtetit, Ardit Bida tha se në Arkiva ka ende dokumenta të tjera të ruajtura që tregojnë jo vetëm për Mësonjëtoren por edhe veprimtarinë e personaliteteve të cilët mundësuan çeljën e shkollës së parë shqipe.

Në këtë ekspozitë u pa nga afër edhe Leja e posaçme perandorake dhënë Nuçi Naçit, drejtor i Mësonjëtores, për çeljen e shkollës fillore në gjuhën shqipe e njohur si Mësonjëtorja e Korçës, Abetaren e Naum Veqilharxhit si dhe dorëshkrimet ku bën thirrje për mësimin e gjuhës shqipe. /KultPlus.com

E vërteta për zanafillën e arsimit shqip

Arsimi shqip, 7 marsin e njeh si ditëlindje të veten, datë kjo që i referohet Mësonjëtores së Korçës së vitit 1887.

Por e vërteta për zanafillën e arsimit shqip, sipas shumë shpjegimeve dhe të dhënave historiografike, mund të jetë më ndryshe. Megjithatë, kjo datë ka rëndësinë e vet të madhe historike.
Studiues të ndryshëm thonë se themelet e arsimit shqip, duhet kërkuar me thellë në histori. Përshembull, studiuesi arbëresh, Francesko Altimari, në një ligjëratë që mbajti para disa vitesh në Prishtinë, kërkoi që zanafillën e arsimit shqip ta kërkojmë shumë më herët, duke përmendë këtu edhe shkollat te arbëreshët e Italisë. Ndër të tjera, ai tha se shkolla shqipe, ka më shumë se një shekull histori para shkollës së 7 marsit 1887. Nëse mendimin e Altimarit e analizojmë në përkim me historinë e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai ka plotësisht të drejtë.

Po ashtu, At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Drites” më 1935, flet për një sërë shkollash që ekzistonin përgjatë shek. XVII në Shqipërinë Veriore, Mirditë e Shkodër.
Sidoqoftë, të dhënat historiografike tregojnë se arsimi shqip, ka kaluar nëpër peripeci e sfida të jashtëzakonshme, dhe rruga e tij, ka qenë një rrugë kalvari: e hidhur, me ndalesa, përndjekje, persekutime, arrestime dhe vrasje.
Të kujtojmë vetëm faktin trishtues: Perandoria Osmane, në krye me sulltan Abdyl Hamitin, me 1779, lëshoi një dekret, me të cilin qe ndaluar dhe penguar gjuha, kultura dhe shkollimi shqip. Histori të tilla të reprezaljes dhe terrorit ndaj arsimit shqip, kemi pasë gjatë gjithë sundimit osman, por edhe në shekullin XX, sidomos në fund të këtij shekulli, kur Serbia hegjemoniste, dëboi shqiptarët nga objektet e tyre shkollore. Kjo periudhë, ka lanë plagë të thella në Kosovë.

Sot, kur kremtojmë këtë evidencë domethënëse- për ne dhe kulturën tonë – më shumë se kurrë kemi nevojë ta rikthejmë besimin te arsimi, si e vetmja armë që mund t’ na shpie përpara, si dritë që na ndihmon ta largojmë errësirën e madhe të padijes që mbizotëron mes nesh. Ashtu siç vepronin pishtarët e arsimit shqip, në Shkodër, Korçë, Stubëll, e gjetiu hapësirave shqiptare.

Pa dyshim, ne kemi nevojë për një shkollë të re të jetës- një shkollë të dashurisë dhe të kulturës së respektit për shtetin e kombin, për vlerat dhe civilizimin. Dhe, këtë, më së miri e ngjizim në shkollë. Te nxënësit. Me libra të mirë dhe kulturë jete e dashurie. Duhet të jemi të vetëdijshëm: pa arsimin të shëndoshë, nuk ka shoqërisë të shëndoshë. Sepse, arsimi është fizionomia e një vendi, dhe, burimi themelor prej ku formohet shoqëria humane. Prandaj, duhet të këndellemi, por pa e luajtë rolin e qaramanëve dhe as të atyre që bëjnë shfajësime banale.

Degradimi i arsimit, në kushte te sotme, kur jemi të lirë plotësisht, është përgjegjësi vetëm e jona, dhe për këtë, do t’na gjykojë historia. Për çdo ditë, duhet të mendojmë te parimi i mirënjohur: çka të mbjellim sot, korrim nesër. Unë, sot dhe përgjithmonë, ndihem krenar që i përkas Stubllës, vendit ku u legalizua Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë, e vitit 1905; shkollë kjo që, sipas shumë të dhënave dhe dëshmive, ka ekzistuar edhe më parë.

Si fëmijë dhe i ri, jam rritë me rrëfime të shumta për këtë shkollë dhe historinë e saj. Dhe, këto rrëfime, secili në mënyrën e vet, kanë ngjallë në mua ndjenja krenarie e përgjegjësie, dhe kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në formimin tim.

/Marrë nga Ndue Ukaj /KultPlus.com

Mësuesja Naxhije Buçinca kontribuoi në arsimimin e 938 vajzave

Në borë e në shi, trokitën në dyert e shtëpive të fshatrave të ndryshme.

Naxhije Buçinca, së bashku me bashkëshortin Fahri Buçinca, ia kishin vënë vetes një mision të veçantë.

Çifti nga Vushtrria kishte udhëtuar në 68 fshatra gjatë viteve ’90, në luftë kundër analfabetizimit te vajzat, raporton Koha.

Gjatë kësaj kohe ata kishin identifikuar një numër të madh vajzash që e kishin braktisur shkollimin. Puna e tyre shumëvjeçare në këtë drejtim ua realizoi ëndrrën për shkollimin e 938 vajzave.

Buçinca, e lindur në Ulqin në vitin 1935, këtë mision e filloi para rreth gjashtë dekadash në vendin e lindjes, për ta vazhduar më pas kontributin edhe në Kosovë.

Në vitin 2013, çifti themeloi fondin “Buçinca”, që vazhdon edhe sot të kontribojë në shkollimin e vajzave. Sot, ata trokasin nëpër universitet private për të kërkuar ndihmën e donatorëve.

Shkollimin e tyre ata e vlerësojnë si bazë të fortë për pozicionimin e grave në familje, shoqëri dhe institucione vendimmarrëse.

Gjatë punës së tyre në teren, ata kishin identifikuar faktorët që i linin vajzat jashtë bankave shkollore.

Këtë kontribut e vazhduan edhe pas luftës, por që tashmë vajzave ua siguronin shkollimin universitar. Disa prej tyre tashmë zotërojnë profesionet në fusha të ndryshme.

Rrugëtimin e tyre, Naxhije e Fahri Buçinca e kanë ndërmend ta dokumentojnë edhe në libër. /KTV /KultPlus.com

“Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”

Mësuesit kanë detyrën fisnike të frymëzojnë nxënësit e tyre. Por kjo ngre një pyetje shumë të rëndësishme: kush do t’i frymëzojë vetë mësuesit?

Pas një jave të lodhshme ju do të donit një frymëzim të vogël në fundjavë për t’ju ndihmuar që të bini përsëri në dashuri me mësimin dhe të mos harroni përse e keni filluar këtë profesion.

Ja disa thënie frymëzuese që e ngrejnë lart figurën e mësuesit, për t’u lexuar edhe nga prindërit dhe fëmijët, që ta vlerësojnë edhe më shumë.

1. Mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me njohjen e lëndës suaj …

“Ata që dinë diçka, e bëjnë. Ata që kuptojnë “japin mësim”. – Aristoteli

Kjo është gjithashtu përgjigja e përsosur kur ju bëjnë të ndiheni inferiorë.

2. Për ato ditë që ju harroni pse po e bëni këtë punë.

“Një libër, një laps, një fëmi dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”. – Malala Yousafzai

Ju do të ndikoni gjithmonë në jetën e dikujt duke bërë atë që bëni. Dhe, kjo është ajo që e bën që t’ia vlejëe gjithë puna që bëni.

3. Arsimi është një themel për një të ardhme më të mirë

“Mësoni fëmijët që të mos mësoni të rriturit” – Abraham Linkoln

Mësimdhënia e vetëdijes emocionale, menaxhimi i konfliktit dhe përgjegjësia sociale i nxit nxënësit të bëhen qenie njerëzore më të mira.

4. Të gjithë dështojnë, pregatituni për dështimin.

“Edukimi është pashaporta për të ardhmen, e tashmja u përket mësuesve që po e pregatisin sot” – Malcom X

Dhe ju jeni përgjegjës për atë përgatitje.

5. Shtrirja e vërtetë e mësimeve tuaja

“Një mësues ndikon në çdo kohë, ai nuk mund ta thotë kur mbaron influenca e tij.” – Henry Adams

Mësimet e tua sot mund të kalohen për breza. Ju nuk jeni vetëm duke i mësuar nxënësit tuaj të tanishëm, por të gjithë njerëzit që do të mësojnë dhe ndërveprojnë me të.

6. Mësuesi Modern

Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën – C.S, Lewis

Mundësia që keni për të edukuar nxënësit dhe për t’u mundësuar atyre që të ndezin flakën brenda tyre për të mësuar është një aspekt thelbësor i mësimdhënies.

7. Sepse mësimi nuk është vetëm një profesion …

“Kuptimi i jetës është të gjesh dhuntinë tënde, qëllimi i jetës është ta ndash atë me të tjerët”. – Pablo Picasso

Ju kërkohet që, çdo ditë, të jepni pjesë të vetes për nxënësit tuaj. Dhe kjo është një dhuratë e vërtetë në vetvete.

8. Nuk janë vetëm studentët tuaj të cilët janë atje për të mësuar

“Pasi të mësoni vetë ju do të jepni mësim, dhe pasi të jepni mësim ju do të mësoni akoma më shumë” – Phil Cholins

Në çdo mësim jepni vetes mundësinë për të mësuar nga klasa, në të njëjtën mënyrë që ata mësojnë prej jush.

9. Mos e harroni këtë herën tjetër që ndjeheni keq për nxitjen e një nxënësi për të punuar vetë

“Fëmijëve mund t’u thuash çfarë të mesojnë, por jo si të mendojnë – Margaret Mead”

Ju nuk do të jeni atje për t’i ndihmuar ata gjatë gjithë kohës; ata duhet të kuptojnë procesin e të mësuarit për veten e tyre.

10. Për shkak se ndodhin ditë të këqija

“Nëse u rrëzove dje, ngrihu sot”-  H.G Wells

Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët.

11. Një mënyrë e re për të parë punën tuaj

“Unë nuk jam mësues, unë jam një njeri i zgjuar” – Robert Frost

Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj, ose për të mësuar, te nxënësit.

12. Mendoni për këtë herën tjetër që do të inatoseni nga një pyetje

“Mos i mësoni fëmijët vetëm të lëxojnë mësimin, mësoni ata të bëjnë pyetje për atë që lexojnë. Mësoni të pyesin për çdo gjë”. – George Carlin

Pyetjet çojnë në: shpikje, zbulime, ndryshime dhe gjithçka në mes. Ndihmoni nxënësit tuaj që të mos pranojnë gjithçka që dëgjojnë ose shohin, si fakt.

13. Dhurata që vazhdon të japë

“E bukura e të mësuarit është që, asnjeri nuk mund ta marrë atë prej teje” – B.B.King

Mësimi i gjërave të reja sigurisht që është emocionuese dhe e frikshme në të njëjtën kohë, por gjithmonë duhet të inkurajohet. Sepse, nëse kjo ishte një përvojë e mirë apo e keqe, një mësim i jetës zgjat përgjithmonë.

14. Për atëherë kur ndiheni sikur nuk ju kupton njeri

“Ne nuk e dimë jetën e kujt do të ifluencojmë, kur dhe si” – Stephen King

Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë.

Ju do të ndikoni dikë më mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë.

Ju kurrë nuk mund t’i shihni ata duke e hapur dhuratën, por ata po, dhe a ka ngushëllim më të madh se ky. /KultPlus.com

Shkollat e para shqipe

Ese nga Neki Lulaj

Shkollat e para shqipe datojnë nga shek. XVl -XVll të paktën nga viti 1632 ose 225 vjet me herët se Mësonjëtorja e Korçës. Ato janë;shkolla e Stubllës se Karadakut 1584-të ku  fillon tradita e mësimit shqip pastaj  shkolla e Velës e hapur nga ipeshkvi i Lezhës ,shkolla e Kurbinit e cila u themelua në vitin 1632 afër Krujës, shkolla e Pllonës dhe e Bilishtit 1638 nga Pater Karli i Miradoles,shkolla e Himarës 1628 shkolle shqipe me germa latine shkolla e Shkodrës 1638 shkolla e Blinishtit te Zadrimës e hapur ne vitin 1639 nga Frat Kerubini, shkolla e Shna Premtës se Kurbinit ne Gallat u hap nga ipeshkvi i Gjon Kalesi dhe vazhdon deri në vitin 1650 kur ipeshkvi i pasardhësit të Arbnise Mark Skura tanime ishte mplakur dhe nuk mundte ti përballonte dhe ti  mbronte sulmet barbare osmane të asaj kohe të cilët nuk donin që të përhapet shkollimi në gjuhën shqipe. Shkolla e Oroshit 1657 shkolla e Janjeves 1671. Shkollat e Pejës,Jakovës,Prizrenit ,Durrësit  dhe shumë të tjera te hapura nga franceskanët.

Shkollat e para fuqizohën nga Kuvendi i Arbrit që mbahet në Merqi te Lezhes ne kishën e Shen Kollit me 14 dhe 15 kalnor te vitit 1703 me bekimin e Papo Klimentit  Xl me origjinë shqiptare përkunder asimilimit otoman e deri në Lidhjën e Prizrenit 1878 në Durrës  Shkoder Kosovë kishte 21 shkolla fillore. Fakti dokumentar i Kuvendit te Arbnit u botuan ne latinisht si në shqip 300 vjet më parë dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata kishin vijuar mësimet dhe ishin shkolluar.

Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehët aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjës ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.

Mësonjëtorja e Korçës kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë  të veçantë përgatitore. Lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Shkolla të tjera u hapën sipas këtij shembulli në mbarë trojet shqiptare. Tekstet e përdorura në shkollë si; abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. si vepra të rilindësve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike.

Vetë Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjës shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Hapja e shkollës së parë shqipe, 7 Mars 1887  Dita e mësuesit në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit  dhe kulturës në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllazërit Sami e Naim Frashëri. Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi. Mësonjëtorja e Korçës u hap në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë  historike është sot muzeu kombëtar i arsimit. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfëra  e të pasura.

Andaj Mësonjëtorja shqipe e Korçës  dhe data e 7 marsit të vitit 1887   është  periudha e fundme të perandorisë Osmane dhe mbetet si Dita  shenjët e mësuesit. /KultPlus.com

Arilena Ara xhiron klipin për Eurovizion

Arilena Ara fitoi mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por kjo s’do të thotë që sfidat e saj kanë mbaruar.

Ajo ndodhet momentalisht në Holandë, ku po xhiron dhe klipin e këngës së saj “Shaj”. Ai pritet të publikohet së shpejti.

Moti në Holandë ama nuk ka qënë në anën e saj, pasi sipas këngëtares është shumë ftohtë.

Kur e pyesin nëse ka ftohtë, Arilena u është përgjigjur “Jo mi çne”. /KultPlus.com

Korça

Hapja e shkollës së parë shqipe, ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare, të cilës edhe Naim Frashëri i ka shkruar.

Korça

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.

Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’sht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.

Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.

S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët’emër nderr’e kemi.

Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë. / KultPlus.com

Letra e Kamysë për mësuesin: Pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmije të varfër, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto

Albert Camus shkroi këtë letër falënderimi për mësuesin e shkollës fillore, Louis Germain, menjëherë pas marrjes së Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Një gjest i rëndësishëm ishte ai i shkrimtarit francez që tregon se si mësuesit e shkollave fillore mund të kenë një rëndësi të madhe për edukimin dhe formimin e individëve

Albert Camus

“I nderuar z. Germain,

Kam pritur të shuhet rrëmuja që më ka rrethuar këto ditë para se të vij t’ju flas me gjithë zemër. Më kanë bërë një nderim shumë të madh (dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi N.d.R.) të cilin as nuk e kërkova, as nuk e kujtova. Por, kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas mendimit për nënën time, ishte për ju. Pa juve, pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmijës së varfër, që ai isha unë, pa mësimin dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto. Unë nuk e mbivlerësoj këtë lloj nderi, por kjo është, të paktën, një mundësi për t’ju treguar se çfarë ishit dhe vazhdoni të jeni për mua dhe për t’ju siguruar se përpjekjet e juaja, puna juaj dhe bujaria që ju keni mbjellë, janë gjithmonë të gjalla në një nga nxënësit tuaj i cili, pavarësisht prej moshës, nuk ka pushuar së qeni nxënësi juaj mirënjohës.

Ju përqafoj me gjithë forcën time./KultPlus.com

‘Gabimi i një doktori varroset në tokë kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë’

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

-Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë.

-Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet.

-Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë.

-Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin.

-Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti.

-U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë.

-Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit.

-Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi.

-Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti.

-E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!

-Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?. / KultPlus.com

125 vjet nga vdekja e Konstandin Kristoforidhit, studiuesit të shquar të gjuhës shqipe

Kristoforidhi lindi në Elbasan, ishte përkthyes i Biblës, studiues i gjuhës shqipe dhe njëri ndër personat më me ndikim në periudhën e Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.

Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe me 11.675 leksema, i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë.

Ky fjalor është fryt i një pune njëzetvjeçare. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht e orientalizmave dhe greqizmave dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve.

Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër.

Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhiata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Bleni i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla e Isaisë (toskërisht 1884).

Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës.

U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. Në vitin 1884 u vendos në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq. / KultPlus.com

Paraqitje e mrekullueshme e ‘Big Band Prishtina’ në mbyllje të ‘Prishtina Jazz Week”

Qendrim Badalli

Me nga një shishe verë apo ndonjë birrë në dorë, një numër i madh i adhuruesve të Jazz-it në Kosovë, po prisnin në hollin e Kino Armatës, për të hyrë në sallë e dëgjuar koncertin nga Big Band Prishtina, i cili do ta përfundonte edhe edicionin e sivjetëm të këtij festivali në vend, shkruan KultPlus.

Kur gjithçka ishte gati, në skenë po dilnin anëtarët e bendit të njohur kosovar të cilët për më shumë se një orë ofruan një koncert fantastik. Duartrokitjet nuk mungonin nga publiku që kishte stërmbushur hapësirën e Kino Armatës.

Më 2 mars filloi ky edicion me formacionin nga Hungaria, Nikoletta Szoke Quartet feat Kristof Bacso, me tre mars vazhdoi mbrëmja me formacionin nga Turqia, Elif Caglar Quartet, me 4 mars vazhdoi tutje me formacionin nga SHBA, Marcos Varela, me 5 mars po ashtu me një formacion tjetër nga ShBA me Broken Circles ft Joel Ross dhe krejt në fund me 6 mars me mbrëmjen e djeshme me Prishtina Big Band.

Në një artikull kushtuar ‘Prishtina Jazz Week’, gazetari i KultPlus-it, Bujar Meholli, tregon për natyrën e muzikës Jazz:

“Xhazi si zhanër muzikor, përpos që është instiktiv, ka lindur si një largim apo ikje nga realiteti. Pra, kur sheh disa muzikantë teksa performojnë xhaz, ata thjeshtë ikin nga racionalja dhe nisen drejt spontanitetit , drejt shpërfaqjes së shpirtit të lirë, pa shpjegime, përmes tingujve”.

Në një intervistë ekspluzive për KultPlus, pianisti i Big Band Prishtina, Ilir Bajri, shprehu përshtypjet e tij si dhe falënderimet për mbrëmjen e djeshme:

“Ky është koncerti jonë i dytë, jam kënaq pak ma shumë, më ka pëlqyer atmosfera. Jemi ndje më të sigurt edhe si grup edhe rasti ke më i mirë, pra e patëm mbylljen e festivalit. Më duhet ta përgëzoj edhe Nesim Maxhunin edhe Komunën për këtë organizim”.

Tutje Maxhuni tregoi edhe për rendësin që ka organizimi i ‘Prishtina Jazz Week’:

“Rëndësia më e madhe është që njerëz të vijnë dhe të ndihen mirë, me pasë një jetë pak më urbane, me pasë eksperienca të reja. Mendoj se kemi pasur një organizimi dhe realizim mjaft të mirë”.

Në një intervistë për KultPlus, njëri nga organizatorët e këtij festivali, Shpat Deda, ka folur për organizimin në të gjitha netët e kësaj jave:

“Unë për vete jam kënaq shumë edhe pse jemi lodh shumë. Kemi pasur vështirësitë tona si cdo organizim, por përfundimisht mendoj që kemi arrit me organnizu bashkë me Nesimin dhe Ardianin dicka të rrallë dhe fantastike për qytetin. Kemi pasur bende shumë shumë të mira prej krejt botës që na kanë inspiru edhe mu si muzikant më kanë inspiru shumë”.

Ai vlerësoi edhe mbrëmjen e djeshme, për të cilën tha që ‘e mbylli më së miri këtë edicion’:
“Sonte jam tepër tepër krenar që e përfunduam këtë edicion me Prishtina Big Band. Të gjitha ata që kanë qenë sonte këtu besoj që pajtohen me mu që ka qenë mënyra më e mirë se si të përfundohet ky edicion”.

Veçantia e çdo edicioni është rritja e interesimit nga ana e publikut:

“Secili edicion është i veçantë në vetvete por për çdo edicion që po e mbajmë po vërejmë interesim më të madh dhe gjithashtu me cdo mysafir që po na vie nga jashtë neve na rriten kontaktet”.

Edicioni i sivjetëm “Prishtina Big Band” ka filluar nga 2 marsi dhe ka përfunduar mbrëmë, ku të gjitha mbrëmjet janë mbajtur në Kino Armata. / KultPlus.com

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’

Sot shënohet 133 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Arsimi është arma më e fuqishme dhe e vetmja rrugë drejt zhvillimit të shoqërisë

Sot për nder të ditës së mësuesit, KultPlus ju sjell thënien e njohur të shkrimtarit të njohur francez, Viktor Hygo.

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’ / KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi nga Agim Vinca

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. / KultPlus.com

Mësuesja e quajti të sëmurë mendor, nëna e quajti gjeni, lexojeni këtë rrëfim për të kuptuar fuqinë e fjalës

Tomas Edison u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë. “Nënë këtë letër ma ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”

Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë:
“Biri yt është një gjeni, dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”.

Shumë vite më vonë, nëna e tij vdiq dhe Tomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e të ëmës, në një cep të sirtarit të tavolinës së saj të punës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë!”

Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Tomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”

Fjalët e një nëne kanë fuqi të paimagjinueshme. Ato burojnë nga një zemër që e sheh fëmijën e saj me sy ndryshe. Të tjerët mund ta shohin fëmijën tonë si më pak të talentuar, pa vlerë, pa asgjë të vecantë që mund të kontriubojnë për këtë shoqëri. Ajo që ka rëndësi është si i shohim ne si nëna fëmijët tanë. Cfarë shikojmë ne tek ata: potencialin brenda tyre apo portretin e pashpresë që të tjerët mund të na paraqesin për ta.

Le të bëjmë një pakt me veten për të mos u dorëzuar, por për t’i dhënë krahë potencialit të fëmijëve tanë ashtu si nëna e Tomas Edisonit. Le të flasim fjalë bekimi dhe jo mallkimi mbi fëmijët tanë, le t’u themi: t’i mundesh, në vend që ti nuk di të bësh asgjë. Le t’i themi ti vlen, në vend që t’i tregojmë se shoku apo shoqja e klasës janë më të mirë, më të aftë, më të zgjuar se ata. Le t’u flasim fjalë jete dhe shprese, sepse kështu bën Perëndia me ne.

Tomas Edison shpiku llampen inkadeshente, sistemin energjitik, telegrafin, mikrofonin etj. Ai i dha hov revolucionit industrial. / KultPlus.com

Fjalët e fuqishme të mësuesit që motivuan studentët e tij

Dikur një mësues la takim me disa nga nxënësit e tij të mëparshëm për të mësuar se si po ia çonin ata me jetën e tyre, ai kishte kohë pa i takuar ata dhe mendoi se duhet t’i takonte për të folur mbi jetën.

I pari tha se nuk po ia çonte dhe aq mirë, sepse po haste nëpër vështirësi për t’u ngritur në pozitë në punën që bënte.
I dyti tha se një miku i tij kishte blerë një makinë të mirë, ndërsa ai ndihej keq që nuk kishte të ardhura të blinte edhe vetë një makinë të tillë.
Ndërsa në karrigen tjetër ishte ulur një vajzë, e cila u shpreh se dëshironte të ndiqte një master shkencor në administrim biznesi në mënyrë që njerëzit ta merrnin më seriozisht kur kërkonte punë, por nuk ia kishte dalë dot mbanë.

Pastaj profesori ia ktheu: “Dukeni të gjithë të stresuar. Si thoni sikur të bëjmë pak pushim, të marrim disa kafe dhe ta vazhdojmë diskutimin tonë?”.

Nxënësit e tij ranë dakord dhe ai solli në tavolinë kafenë dhe disa filxhanë çaji. Disa ishin të thjeshtë, ndërsa disa të tjerë më të bukur.

Nxënësit zgjodhën tri filxhanët e mëdhenj dhe të bukur.

Mësuesi e vuri re këtë gjë dhe u tha: “Ju të tre zgjodhët filxhanët më të bukur dhe më të shtrenjtë, duke i lënë mënjanë filxhanët e thjeshtë.

Është normale për ju të kërkoni më të mirën për veten tuaj, si dhe zgjidhjen më të mirë për problemet dhe streset tuaja.

Mirëpo, duhet të kuptonit diçka.
Ju dëshironit kafenë, jo bukurinë e filxhanit dhe një filxhan i bukur nuk ia shton gjë shijen kafesë.
Por vëmendja juaj u drejtua drejt bukurisë së jashtme, në vend të kuptimit të brendshëm.

Jeta është si një kafe. Puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri përfaqësohen nga filxhanët. Këto janë thjesht përbërës, tek të cilët ne bazohemi për të jetuar jetën tonë.

Mirëpo cilësia e filxhanit nuk e ndryshon dhe as e përcakton cilësinë e jetës që ne jetojmë. Ndonjëherë ne përqendrohemi kaq shumë tek puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri, saqë harrojmë se çfarë ka më tepër rëndësi: Harrojmë esencën, kafenë. Pra, harrojmë të jetojmë jetën.

Duhet të mbajmë në mendje gjithmonë se njerëzit e suksesshëm jo gjithmonë janë të lumtur, por njerëzit e lumtur janë gjithmonë të suksesshëm. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Mësueset e para të gjuhës shqipe

Në vitin 1891, Korça qyteti më elitar shqiptar, qyteti i dijeve dhe i mësonjëtores së parë shqipe do të shënonte dhe hapjen e një shkolle për vashat. Ishte një hap i madh për kohën. Ndoshta më moderni. Në një kohë kur prej pesëqind vjetësh sundonin osmanët, të cilët e kishin mbajtur në obskurantizëm popullin shqiptar dhe veçanërisht femrën, hapja e një shkolle për vashat do të ishte një kthesë vendimtare drejt emancipimit.

Të ishe mësues në atë kohë për meshkujt ishte e vështirë sepse të rrezikohej jeta në çdo moment nga turqit, dhe qarqet shoviniste greke, të cilët dënonin çdo përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe. Janë jo të rralla rastet kur ata që predikonin shqip dhe mësuesit e parë vdiqën në mënyrë të llahtarshme e të mistershme.

Por brezi i shqiptarëve që rritej në atë kohë do ishte me të vërtetë brezi i artë i kombit shqiptar. Ata e adhuronin kombin, ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte një frymë mahnitëse shqiptare.

Motrat Qiriazi do të ishin pjesë e kësaj fryme, pjesë e këtij ideali me emrin komb. Dhe do realizonin diçka që deri në atë kohë as nuk ishte menduar e jo më të bëhej realitet. Do ishin mësueset e para shqiptare në shkollën e vashave dhe vite më pas do bëheshin drejtueset e saj. Sa guxim, sa ngjadhnjim, sa forcë!

Të bën përshtypje karriera e tyre në një kohë obskurantizmi. Por ia dolën. Të dyja bashkë në udhëtimin e arsimit shqip, aq sa më të drejtë mund të cilësohen si binjaket e shqipes së çmuar.

“Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”.

Për Sevastinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.

Dhe në fakt të dyja do shkëlqenin në karrierën e tyre në një vend të vështirë si Shqipëria duke dhënë kontribute të çmuara jo vetëm në arsim por dhe në emancipimin e gruas shqiptare.

Ishin të pandara në veprimtarinë e tyre derisa vdekja i ndau. Së bashku do ishin mësueset e para të shkollës së vashave, më pas do shkonin në Rumani dhe në Amerikë ku do jepnin një kontribut të padiskutueshëm dhe në revistën “Ylli i mëngjesit” në Amerikë.

Ajo që do ndriste pak më shumë nga këto veprimtare patriote dhe ndër më të kulturuarat në jetën shqiptare do ishte Parashqevia. Rezultatet e saj do ishin shkëlqyese.

Parashqevi Qiriazi lindi më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir. Shkollën e parë fillore dhe të mesme e kreu në vendin e saj të lindjes. Më pas vazhdoi studimet në kolegjin e Stambollit për vajza në degën e letërsisë dhe do të shquhej për veprimtaritë e saj studentore.

Ëndrra e saj e madhe ishte të kontribuonte për Atdheun. Në një kohë të artë ku veprimtaria patriotike ishte në kulmin e saj njerëzit më të ndritur të kombit shqiptar iu përkushtuan ideve kombëtare dhe veçanërisht çështjes së gjuhës shqipe. Kështu ajo do bëhet mësuese dhe pak muaj më vonë drejtuese në Shkollën shqipe të Vashave në Korçë.

Parashqevia do të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit ku u hartua alfabeti shqip dhe ajo do të përpilonte këngën e Famshme të alfabetit.

Në 16 janar të vitit 1909 Parashqevia do të hartojë në bazë të alfabetit të ri të vendosur nga Kongresi i Manastirit abetaren shqipe që është teksti i parë i hartuar me alfabetin e ri.

Në vitin 1912 ajo do regjistrohet në studimet pauniversitare për pedagogji në Kolegjin e Oberlinit në Ohaio, SHBA. Dhe aty ajo do shkëlqente me temën e saj të doktoraturës që ishte: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.”

Në Amerikë ajo hartoi dhe programin mësimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit.

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914 do të largohet nga Shqipëria. Gjatë fundit të vitit mori pjesë në krijimin e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në Sofje ku do të jetë sekretare.

Gjatë viteve 1917-1920 ajo do qëndrojë në SHBA ku do të hapë një revistë shumë të njohur me emrin “Ylli i mëngjesit”. Në vitin 1913 ajo emërohet drejtoreshë e shkollës së Vashave në Korçë e cila më pas do hapet në Tiranë.

Në vitet e pushtimit nazifashist do të arrestohet dhe do të internohet në kampet e përqëndrimit. Pas çlirimit do t’i shtetëzohet Instituti Qiriazi. Dhe do ta ngrysë jetën si Mësuese patriote. / KultPlus.com

Kur s’je

Poezi nga Bes Camaj

Kur s’je

prapë ke me qenë

gjethmbulues i varrit tim
lëvore ngjitur trupit
fije floku harruar supit

kopsë republike ke me qenë
që humbet n’çlirim
puhizë gjinjësh valë
shenjëdrite e vendit tim

ti faqepikalotësh
bukuri e papërsosur
druajtjen ma ke tret
në t’parin sytakim

athua
kur t’mbarojnë vitet
a ke me i pa më ata sy
që t’kanë kqyrë pandalë
kur s’ke qenë aty

avullinave n’lundrim
a kam me t’pa ma
varkëtare që merr valë
e kurrë s’di me u ndalë

a do t’marrë tjetër ngjyrë
fustani yt i grisur
telave matanë

oh sa dyshas
ky agdrite më vjen
paske ikë me trenin e mbramë
që paska mbetë n’binarë
e s’po të shoh gjëkundi

veçse
në pluhurin e tim ashti
fort po ndihet hapi yt i fundosur

tash s’po di ku je
a si je
veç mba mend
kam me t’dashtë si varrin e trupit

edhe kur s’je
prapë ke me qenë
shenjëdrite e ma t’mirit vend. / KultPlus.com

‘Një mësues i mirë është si një qiri, konsumon vetveten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve’

Sot në 133 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, KultPlus ju sjell disa thënie për rëndësinë e mësuesit dhe mësimeve.

-Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

-Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij.

-Ëndrra fillon me një mësues i cili beson në ju, i cili ju shtyn dhe ju shpie në një plato tjetër, nganjëherë ju ngacmon me një shkop të mprehtë të quajtur ‘e vërteta‘.

-Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj.

-Ai njeri që i bënë të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi.

-Mësuesi është përhapësi i dritës.

-Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i cmuar, më i dobishëm për bashkësinë dhe ka ndikim më të madh në lumturinë e përbashkët.

-Secila fjalë që flet mësuesi duhet të jetë mësim; secili hap që bën ai duhet të jetë shembull i mirë – Jean-Baptiste de La Salle.

-Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri

-Kush guxon të japë mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari.

-Mësuesi është ai që të hap derën, në të cilën ti duhet të hysh vet. / KultPlus.com

Marie Tuçi, mësuesja që vdiq nga torturat e tmerrshme në burg

Marie Tuçi, mësuesja 22-vjeçare që vdiq nga torturat e tmerrshme në kohën e sistemit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja grua që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të kishës katolike shqiptare, shkruan KultPlus.

Atë e mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.

Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950.

Historisë së saj të dhimbshme, poeti Meti Fidani ia kushtoi edhe një poezi:

Po vdes nanë, sot po vdes

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan futur në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfushë
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nanë, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes. / KultPlus.com