Majko: Pas lehtësimit në maj, në Shqipëri do të vihet për të bërë turizëm

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi në një nga mediet e vendit se në muajin maj do të hapen kufijtë e Shqipërisë, megjithatë liberalizimi i lëvizjes do të funksionojë mbi bazën e disa rregullave të caktuara, për mbrojtjen nga infektimi i koronavirusit.

“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por, dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Rregulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, u shpreh Majko.

Majko dha edhe detaje lidhur me telefonatën që pati sot kryeministri Rama me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.

“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë çështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të veçantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, tha ai.

Ministri sqaroi se flesibiliteti në lëvizje do të shpëtojë këtë vit turizmin.

“Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh diçka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e vuri poshtë atë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shtoi ministri Pandeli Majko. / atsh/ KultPlus.com

Për 20 vjet terr, më 27 prill ndalen dritat për 2 minuta për personat e pagjetur nga lufta në Kosovë

Me 27 prill 2020, në ora 20:00 ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 2 minuta, për të shënuar ditën kombëtare të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

‘Me 2 minuta errësirë në familjet tonat, ne do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilën ndodhen familjarët e 1.644 personave ende te pagjetur për tash e 20 vjet.’, thuhet në komunikatën për media nga Integra.

Që 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Që 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vërtetën por edhe për drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.

Që 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë.
Do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona.

Qeverisë së Kosovës do të vazhdojmë t’i kërkojmë përgjegjësinë ligjore dhe morale që ka për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësinë kolektive që ka për të mos harruar asnjëherë.

Kjo ngjarje organizohet nga Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Laë Center Kosovo dhe forumZFD – Kosovo Program / KultPlus.com

Sot Dita Ndërkombëtare e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.

Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Cervantes në Spanjë.

I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë “Don Kishoti”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. / KultPlus.com

Stacks of books

Shpend Ahmeti tregon se kur mund të hapen kafenetë e restorantet

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se tash është koha që institucionet të flasin për fazën e rihapjes pas përballjes me pandeminë edhe në vendin tonë.

Ai ka thënë se gastronomia (kafetë, restorantet) do të jenë të fundit që do të hapen.

‘’Është koha të diskutojmë për fazën e rihapjes. Jo të relaksohemi, por duhet ta diskutojmë se kur i vjen fundi kësaj pune. Nëse i përcjellim shtetet e tjera, kanë hapur dyqanet e vogla, pastaj butiqet e tekstilit deri në 100 metra katrorë. Hapi i parafundit, qendrat tregtare, hapi i fundit gastronomia’’, ka thënë ai në Rubikon. / KultPlus.com

Prindërit thonë se Kosova duhet të marrë shembull Shqipërinë për përmbylljen e vitit shkollor

Derisa ka mbetur edhe rreth 1 muaj deri në përfundimin e vitit shkollor 2019/2020, ende nuk ka një vendim të Ministrisë së Arsimit se si do të përmbyllet ky vit.

MASHTI ka bërë të ditur për KOHËN se brenda pak ditëve do ta publikojë një vendim që e rregullon aspektin ligjor të përfundimit të vitit shkollor, si dhe do të nxjerrë udhëzim për vlerësimin e nxënësve.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, MASHTI ka njoftuar se është krijuar një grup i gjerë profesional i përbërë nga ekspertët e Kosovës dhe rajonit. Vendimi për këtë çështje pritet të merret nga MASHTI në bashkëpunim me drejtoritë komunale të Arsimit, raporton KOHA.

“Zgjidhja e MASHTI-t merr parasysh zgjidhjet që janë bërë në vende të rajonit (Kroaci) dhe në vendet e avancuara (si për shembull Kanada), që karakterizohen nga një qasje njerëzore dhe profesionale. Sipas kësaj, nxënësi nuk mund të vlerësohet më pak se nota e fundit më 11 mars 2020, kur është ndërprerë mësimi për shkak të COVID-19. Po ashtu, zgjidhja jonë merr parasysh dispozitat ligjore të Kosovës, si për shembull gjetjen e zgjidhjeve konkrete në rastet kur një nxënës nuk është i kënaqur më notën përfundimtare. Pos kësaj, udhëzuesi parasheh një qasje e cila rregullon saktë raportet mësimdhënës – prindër – nxënës duke shmangur tejngarkimin dhe presionin në këtë relacion”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Ministrisë së Arsimit.

Ministria e Arsimit në Shqipëri ua ka lënë prindërve dhe nxënësve të vendosin vetë nëse duan përsëritje të vitit pa u penalizuar në dëftesat e tyre apo nëse duan ta përmbyllin vitin duke kaluar në klasën tjetër.

Sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, një ide të tillë duhet ta praktikojë edhe Ministria e Arsimit në Kosovë.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, vlerëson se procesi mësimor në distancë është duke u realizuar me sukses dhe nuk duhet të mendohet përsëritja e vitit.

Në Kosovë, mësimi në shkolla është pezulluar më 11 mars për shkak të pandemisë Covid-19. Nga 23 marsi mësimi ka nisur të zhvillohet në distancë fillimisht për nivelin e ulët dhe arsimin e lartë e më pas edhe për shkollat e mesme. Koha.net / KultPlus.com

Tregimet e Peterburgut

Shkruan: Liridon Ismajli

Libri Tregimet e Peterburgut eshte nje veper me tregime te shkurtera nga shkrimtari rus Nikollai Gogol.

Fillimisht dy fjale per botimin ne shqip i cili eshte shume vecante per dy arsye: e para sepse eshte perkthyer nga i madhi Mitrush Kuteli, me c’rast u botua per here te pare ne vitin 1952; arsyeja e dyte eshte qe botimit te dyte pastaj iu shtuan edhe ilustrimet fantastike te Anastas Konstadinit. Sic mund te vihet re edhe nga titulli, ngjarjet ne keto tregime zhvillohen ne Peterburg, kryesisht ne fillim te shekullit XIX. Permes ketyre tregimeve Gogoli ne menyre fantastike e pershkruan Rusine e asaj kohe, si ne aspekin politik ashtu edhe shoqeror. Me nje satire te shkelqyeshme dhe me doza te absurdit keto tregime te mbajne te lidhur pas tyre deri ne momentetet e fundit.

Sic dihet Rusia e asaj kohe, e sunduar nga regjimi carist e ndante shoqerine ne klasa e individet brenda saj identifikoheshin me grada. Kete e ve ne pah Gogoli ne te gjitha keto tregime, vecanarisht ne tregimin Nevski Prospekt, Hunda e po ashtu ne tregimin fantastik Portreti. E vecante e ketyre tregimeve eshte se pervec permbajtes mjaft interesnate, ne njeren ane ne to gjene nje humor elegant nderkohe qe ne anen tjeter personazhet kryesore te tyre kane perfundime tragjike.

Ne tregimin me te cilin edhe hapet ky liber, Nevski Prosepkt, fillimisht autori e glorifikon sheshin kryesor te Peterburgut te asaj kohe, ne te cilin njerezit dalin – sic thote autori – jo per te kryer ndonje pune te mire apo te mbrapsht por vetem per shetetije e takime te perezermeta. Por ky shesh eshte pikenisje e avanturave per dy personazhet e ketij tregimi, te cilet pavaresisht profesioneve te ndryshme jane miq te mire. Njeri eshte kolonel e tjetri artist. Ata te dy gjate nje shetitje ne Nevski Prospekt takojne e dy vajza te cilat ua marin mendt dhe qe te dy hidhen qe t’i bejne per vete. Per t’i rene shkurte, artisti i zhegenjyer qe nuk arriti ta bente per vete vajzen e bukur perfundon duke vrare veten nderkohe qe koloneli pati nje perfundit jo aq tragjik sa i pari por u prek ne seder pasi qe u rrah gati per vdekje nga i shoqi i vajzes se ciles iu vu nga pas per nje kohe te gjate.

Tregim tjeter mjaft interesant eshte edhe Portreti, ku permes ketij tregimi Gogoli i bene kritike artisteve te asaj kohe, te cilet artin e tyre filluan ta kultivojne ‘sipas modes’ dhe te motivuar financiarisht. Kesaj nuk mund t’i shmanget as personazhi kryesor i ketij tregimi Andrei Çartkov i cili pavaresisht talentit dhe potencialit premtues shndrrohet ne nje piktor mode, qe behet i famshem duke pikturuar portrete te zonjave e zotrinjeve te shtreses se larte te Peterburgut e qe me kalimin e kohes puna e tij shnderrohet ne pune mekanike, pa ndonje vlere artistike. Por Çartkov ndergjegjesohet vetem ne momentin kur e ftojne per vleresimin e nje vepre te nje artisti te madh i cili me talentin e tij kishe mahnitur publikun me vepren e tij madheshtore. Vetem atehere Çartkov e kuptoi se ç’eshte vepra e vertete e artit dhe ne cfare gjendje ishte katandisur ai me ‘artin’ e tij. Pas kesaj ngjarje, Çartkovit fillojne t’i shfaqen probleme mendore e shendetere te cilat shume shpejt triumfojne mbi te dhe vdes.

Libri mbyllet me tregimin fantastik Shenimet e nje te cmenduri, ku ne menyre mjeshterore rrefehet perditshmeria e nje te cmenduri i cili ishte nepunes shtetor.

Ky tregim eshte nje komedi brilante permes se ciles pershkruhet burokracia e larte ne institucionet shteterore dhe orvatjet e ‘te cmendurit’ per ta bere per vete vazjen e drejtorit te tij.

Sabri Fejzullahu të shtunën mban koncert në Prishtinë

Duke pasur parasysh se Prishtina është futur në karantinë, komuna ka vendosur që t’i argëtoj qytetarët me një koncert.

Në sheshin e Prishtinës, do të këndojë këngëtari i njohur shqiptar, Sabri Fejzullahu.

Ky koncert do të mbahet të shtunën dhe qytetarët do të kenë mundësi ta dëgjojnë zërin e tij nëpërmjet ballkoneve por edhe transmetimeve direkte. Insajderi / KultPlus.com

Erich Fromm: “Mërzia është vuajtja e vërtetë”

“Njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun.

Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim?

Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije.

Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë.

Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.”

– Erich Fromm

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Lufta dhe Paqja

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë librin “Lufta dhe Paqja” të autorit rus Leo Tolstoy.

Lufta dhe Paqja, është një novelë historike, në përkthimin shqip e ndarë në katër libra, flet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftërave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Leon Tolstoi shkroi librin e tij në vitet 1860, libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjete vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara.

Tregimi pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.

Filozofi gjerman David Richard Precht: “Në përditshmëri kemi harruar se jemi qenie biologjike, nuk i kemi kushërinj telefonat mobilë”

David Richard Precht, njëri prej filozofëve më popullorë në Gjermani, mbi pandeminë dhe retorikën luftarake: “Koronavirusi po na shtyn të mendojmë për qenien tonë si njerëz. Në përditshmëri në pjesën më të madhe kemi harruar se jemi qenie biologjike. Te të rinjtë përherë e kam përshtypjen se ata besojnë se janë kushërinj me telefonat e mençur dhe jo me kafshët apo bimët. Tani po e vërejmë: si pjesë e species njeri jemi krijesa shumë të ndjeshme, të thyeshme, në pjesën më të madhe të varura nga mjedisi. Do të ishte mirë nëse e shohim veten më shumë si pjesë të natyrës, të cilën e eksploatojmë pafrenueshëm”.

David Richard Precht, i lindur më 1964, është filozof dhe autor gjerman. Ai ligjëron në “Leuphana Universität Lüneburg”. Në opinionin e gjerë gjerman Precht është bërë i njohur me librin “Kush jam unë – dhe nëse jam, sa shumë jam?” Së fundi ai ka botuar librat: “Gjahtarë, barinj, kritikë. Një utopi për shoqërinë digjitale” dhe “Të jesh vetvetja. Një histori e filozofisë 3.”

Në një intervistë dhënë gazetës “Frankfurter Rundschau” Precht ka folur mbi pandeminë dhe pasojat e saj në jetën e përditshme. Filozofi deklaroi se më shumë i pëlqen formulimi i ministrit gjerman të Shëndetësisë se koronaviruesi është i “kontrollueshëm”.

“Nga ana tjetër fjalimet siç po i mbajnë ende Trumpi dhe Macroni janë të tmerrshme. Nëse në këtë krizë diçka nuk është e saktë, atëherë janë metaforat e luftës. Nuk është e vërtetë se ne po hidhemi në një luftë heroike kundër virusit – përballë ‘kundërshtarit’ që kemi ky do të ishte një përfytyrim idiotik! Ne nuk po kundërpërgjigjemi, përkundrazi: ne po tërhiqemi. Po përpiqemi që sa është e mundur t’i shmangemi nga rruga. Sipas të gjitha rregullave të artit kjo është e kundërta e luftës”, shtoi Precht.

David Richard Precht thekson se nuk është demonstrim force nëse përdoren fjalë luftarake kundër pandemisë. “Veç kësaj, kjo retorikë ka një histori të ndyrë. Ajo është përdorur në fund të shekullit të 19-të kur u shfaqën epidemi dhe as dy gjenerata më vonë retorika u aplikua kundër njerëzve: parazitë, mikrobe të popullit – kjo gjuhë ilustruese e antinjeriut ka qenë, në njëfarë mënyrë, e parapërgatitur”.

Për dallim nga publicistë, politologë dhe ekspertë të tjerë, të cilët në këtë krizë shohin edhe shanse, Precht është skeptik. Ai përmend krizën financiare të viteve 2008/2009, e shkaktuar nga sistemi i shfrenuar spekulativ. Që nga atëherë, sipas Precht, kriza nuk është zhdukur. “Jo, krejt sistemi i prishur po kalbet. Pse? Sepse gjatë krizës kemi bërtitur: ‘Ka shpërthyer zjarri, ka shpërthyer zjarri! Duhet ta fikim dhe nuk mund të mendojmë se si mund ta ndërtojmë shtëpinë’. Pas krizës edhe zelli për rindërtim u zhduk shpejt”.

Si problem të shekullit 21 Precht e sheh diktatin e rritjes ekonomike. “Nëse shkëputemi nga ky diktat i rritjes ekonomike, atëherë prodhojmë të papunë – me krejt pasojat sociale dhe ekonomike. Por nëse nuk shkëputemi nga ky shtrëngim ekonomik, ne asgjësojmë bazat e natyrshme të ekzistencës të këtij planeti”, tha Precht. Si të dilet nga kjo dilemë? Precht e sheh daljen vetëm duke riorganizuar ekonominë sociale të tregut në një ekonomi të qëndrueshme tregu. Ky është një proces i vështirë dhe i ndërlikuar. Por, thotë Precht, tani kemi shansin për ndryshime, të cilat janë të rëndësishme për mbijetesën tonë, siç thonë hulumtuesit e klimës.

Precht kërkon që shteti në të ardhmen tatimet t’i marrë më pak nga të ardhurat që burojnë nga puna dhe më shumë nga paratë që barten andej-këndej në tregjet e financave dhe kapitalit. “Një pjesë e madhe e këtyre bizneseve, të cilat do të mund të taksoheshin, nuk janë gjë tjetër përveçse bixhoz”, thotë Precht.

Në pyetjen nëse pandemia që shpërtheu në Vuhan të Kinës mund të lëkund botëkuptimet për shekullin 21 siç bëri tërmeti në Lisbonë më 1755, Precht u përgjigj: “Një skenar atraktiv! Me tërmetin në Lisbonë vërtet u rrëzua përfytyrimi filozofik dhe teologjik për zotin e mirë, i cili ka krijuar më të mirën botë. Në botën më të mirë nuk ka kuptim që katastrofat natyrore të bien mbi njerëz dhe të kushtojnë kaq shumë jetë njerëzish. Po të dëshiroja të bëja një krahasim me të tashmen, atëherë ai do të ishte ky: koronavirusi po na shtyn të mendojmë për qenien tonë si njerëz. Në përditshmëri në pjesën më të madhe kemi harruar se jemi qenie biologjike. Te të rinjtë përherë e kam përshtypjen se ata besojnë se janë kushërinj me telefonat e mençur dhe jo me kafshët apo bimët. Tani po e vërejmë: si pjesë e species njeri jemi krijesa shumë të ndjeshme, të thyeshme, në pjesën më të madhe të varura nga mjedisi. Do të ishte mirë nëse e shohim veten më shumë si pjesë të natyrës, të cilën e eksploatojmë pafrenueshëm”.

Sa i përket kufizimit të të drejtave të njeriut në kohën e pandemisë, Precht thotë se ato janë adekuate dhe qytetarët mund të shpresojnë se demokracia liberale gjermane, e cila respekton Kushtetutën, këto të drejta do t’i rivendosë. “Në Hungari nuk do të kisha një besim të tillë”, tha Precht.

Filozofi i njohur gjerman ka propozuar që për të përballuar krizën të aplikohet një tatim për shërbimet online. Sipas tij përfitues të mëdhenj të krizës së koronës janë Amazon dhe viganë të tjerë të shërbimeve online. Nëse qarkullimi i tyre taksohet me 25 për qind, do të krijohej një fond gjigant, nga i cili do të mund të përkraheshin dyqanet dhe restorantet.

“Unë edhe para koronës kam qenë për një tatim të tillë për të ruajtur biodiversitetin e tregut dhe për të penguar shkretimin e plotë të qyteteve të vogla dhe të mesme. Qyteti im i lindjes, Solingeni, është shembull i një stepe totale. Në vitet 70-të atje ka ekzistuar një tregti që lulëzonte me zejtari që i drejtonin pronarët. Sot praktikisht s’ka mbetur asgjë. Tani është me rëndësi të merren masa kundër kësaj, në mënyrë që të mos shkatërrohen edhe ato copëza që kanë mbetur. Hapësira gjallëruese urbane është truall i frytshëm për kulturë, bashkëjetesë sociale, demokraci vepruese. Kjo duhet të ruhet”. /Përktheu Enver Robelli për Koha.net / KultPlus.com

Perëndimi i egër i filmave me superheronjë

Nga Lum Radoniqi.

Historia e pop-kulturës është e mbushur me referenca nga filmat western dhe ata me superheronjë. Ndikimi që keto filma kanë pasur tek njerëzit ka qenë i madh. Ndërlidhja e kohëve të ndryshme kur kanë qenë të popullarizuara kanë frymëzuar dhe prekur audienca te gjeneratave të ndryshme, aq sa disa prej atyre që ishin rritur me filma western, më vonë bën filma me superheronjë.

Fjalën western shumica prej nesh mund ta kemi dëgjuar kalimthi nga bisedat e gjeneratave më të vjetra. Duket periudhë e lavdishme, që ndërthurë në vetvete kujtime te paharueshme në kinema dhe televizion, por që papritur i erdhi fundi. Në fakt filmat western prodhohen edhe sot, të menduar dhe trajtuar ndryshe nga ata të mëhershmit. Revizionizmi i tyre në fakt është temë më vete e një evoluimi të suksesshëm të një zhanri kaq te njohur. Por sot, filmat western e përjetojnë një “kthim në të ardhmen”. Ato janë të lidhura paralelisht për nga ndikimi dhe zhvillimi me një zhanër tepër të njohur sot: atë të filmave me superheronjë. Me siguri që nuk mund ta krahasojmë John Wayne-in me Robert Downey Jr, e as peisazhet e Kolorados tek “The Searchers” me pafundesinë hapësinore tek “Guardians of the Galaxy”,  ama të përbashkëtat që kanë janë të tejdukshme, te ngulitura thellë në strukturën e tregimit dhe ndikimin që kanë keto filma në pop-kulturën tonë.

Zhanri western pushtoi ekranet e kinemave dhe ato televizive që nga koha kur filluan te prodhoheshin me të madhe. Në to filloi ti jipej formë heroit amerikan, një “template” që përdoret edhe në filma të tjerë të prodhuar në Hollywood. Sekuenca me aksion, performanca te shkëlqyera, muzikë dhe shumëçka tjetër. Këto filma shiheshin si argëtimi kryesor në kinema.  Por pas një rrugëtimi të gjatë disadekadësh, ndikimi dhe prodhimi i tyre filloi të bie ndjeshëm, sidomos rreth mesit te viteve 70-të. Filmat fantastiko-shkencor dhe autorët e Hollywood-it të Ri erdhën si eklips që ia morrën shkëlqimin western-it. Arsyeja pse i përmenda keto fakte kanë të bëjnë me një deklaratë goxha interesante të regjisorit  Steven Spielberg, i cili tha: “Filmat me superheronjë do të përfundojnë si filmat western”. Një deklaratë e tillë ngjalli shumë reagime nga komuniteti i filmbërësve të këtyre filmave, sidomos kur e merr parasysh se keto filma janë më të shikuarit, filma që thyejnë rekorde të shitjeve të biletave një muaj para se të dalin në kinema. Duket që parafytyrimi se një ditë këtyre filmave mund të ju vie fundi është i papranueshëm, keto filma janë në një maratonë ku po fitojnë dhe nuk kanë kundërshtarë  fare. Por edhe filmat western të tillë ishin, e sot për ta flitet si të ishin pjesë e historisë.

Zhanri western shërbente  si pasqyrim i zhvillimeve shoqërore në Amerikë, përgjatë dekadave. Duke qenë se zhanri western konsiderohet zhanri i parë në film dhe se që nga fillimi i prodhimeve të filmave amerikan, westerni ka qenë i spikatur, atëhere ka arritur që ti pasqyrojë me përpikmëri zhvillimet e brendshme sociale ne Amerikë. Ne fillim te shek. 20-të indianët paraqiteshin si njerëz të egër, njerëz pa etikë morale dhe të pacivilizuar, “savages” është fjala që nuk po i gjej përkthim adekuat. Kjo paraqitet në filma si “The Iron Horse” dhe plot filma të tjerë më pak të famshëm. Kjo ndihmoi ne krijimin e stereotipeve të indianëve në Amerikë. Aq më shumë kur këto filma ishin jashtëzakonisht të popullarizuar. Fast-forward në mesin e shekullit të 20-të, vitet e 50-ta filloi një ndryshim në pikëpamje. Filmat western filluan ti shfaqnin indianët më me simpatizëm, filmi “Broken Arrow” është shebulli më i njohur, ndërsa në televizor seriali “The Lone Ranger” paraqiste indianët dhe kaubojët si partnerë në luftimin e krimit.

Filmat me superheronjë janë të konstruktuar për të argëtuar masat. Ata janë të programuar me një formulë për shkarkim dopamine (hormon i kenaqësisë). Përgjatë filmit kemi ndertim tensioni, momente komike për ulje të tensionit, momente të trishta dhe momente muzikore të vëna me qëllim për të krijuar referenca pop-kulture  që më vonë mund të monetarizohen përmes mallit që shitet si pjesë e filmit. Në fillim të këtyre filmave zakonisht antagonisti e kryen një krim të pashoq, ndoshta edhe e vret ndonjërin nga heronjtë, kjo na krijon pakënaqësi dhe dëshirë për hakmarrje, kah akti i tretë i filmit heronjtë ribashkohen dhe e mundin antagonistin duke e përmbushur dëshirën e audiencës. Krejt kjo është  një formë manipulimi që kreatorët e këtyre filmave e bëjnë me audiencën. Një  sërë emocionesh që ndërlidhen dhe japin rezultate të caktuara, që të gjitha të dirigjuara me kujdes nga regjisori i filmit.

Kjo na sjellë tek një e vërtetë tjetër; keto dy zhanre kanë shumë të përbashkëta. Janë më të popullarizuarit e kohës së vet. Thyejnë rekorde në kinema dhe ka seriale pafund me superheronjë në platforma televizive (The Punisher, Arrow, Daredevil, Gotham etj), njejtë sikur që kishte seriale western (Bonanza, Gunsmoke, Wagon Train etj). Dhe që të gjitha e kanë një “fanbase” besnik, në fakt ne SHBA ka panaire për adhuruesit e revistave komike, ku njerëzit vishen si personazhet dhe madje i takojnë edhe aktorët  qe i sjellin këto personazhe në jetë. Si mund të paramendohet perëndimi i filmave me superheronjë? A janë fjalët e Spielberg-ut profetizëm? Një gjë është e sigurt, se ky fenomen e ka bazën e vet argumentuese.

E vërteta është se njerëzit pëlqejnë gjërat “ndryshe”. Kjo vlen edhe për arte tjera. Audiencës i pëlqen idea që të përfshihen në diçka që është risi, avant-garde. Ky është një fenomen sociologjik, ku koha luan një rol elementar në ndryshime të tilla strukturore. Dhe për më tepër, gjërat “ndryshe” marrin popullaritet të menjëhershëm.  Gjëja më interesante në fakt është që ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta ringjallur zhanrin western në vitet e 90-ta. Clint Eastwood me filmin “Unforgiven” dhe Kevin Costner me “Dancing with the Wolves” janë shembujt më eklatant, por që nuk arritën sukses komercial përkundër suksesit me kritikët.  Si ka mundësi që një zhanër, dikur kaq i popullarizuar, papritmas humbet ndikimin dhe nuk ka kush e zgjon nga koma në të cilën ka rënë?

Një betejë të tillë për përfaqësim në ekran e shohim edhe te filmat me superheronjë,” Wonder Woman” është filmi i parë ku personazh kryesor e ka një heroinë femër, e cila në një mënyrë e përfaqëson gruan e fortë, të pavarur dhe besnike. E njëjta vlen edhe për “Black Panther”, i cili është përfaqësimi më direkt i të gjithë afrikano-amerikanëve të cilët krenohen me trashëgiminë dhe historinë  e vet. Ky hero e personifikon lavdinë dhe krenarinë e këtyre njerëzve. Historinë e popujve afrikanë që nuk e patën kurrë.

Njerëzit shohin ambiciet e veta të parealizuara në këto filma, heronjë që i duan të gjithë, aventura pa fund, dashuri pa kushte. Për sa kohë që jetojmë në shoqëri ku ka deficit të këtyre vlerave, atëher njerëzit do të përpiqen që ti gjejnë këto vlera gjetkë, shembull në atë kohë kanë qenë heronjtë e filmave western, ndërsa sot janë filmat me superheronjë. Në shumë mënyra këta personazhe i ngjajnë idoleve që adhuroheshin në mijëvjeçarin e parë. Njerëzit ia kontribuojnë fuqitë e veta këtyre idhujve dhe më pas e vendosin veten ne shërbim të tyre. Këta personazhe adhurohen pikërisht sepse njerëzit mund të bashkëndjejnë me ta. Deadpool është superhero me një sens humori por ka kancer, Iron Man është një gjeni me shumë para, por nuk ka familje, Batman poashtu njejtë, Logan është mutant por  i shkatëruar nga jeta etj. Në shumë mënyra ne e shohim vetëveten te këto personazhe, e kjo është një themel që keto filma e kanë marrur nga western-ët.

Një gjë tjetër që këto dy zhanre kanë janë “elasticiteti” në trajtimin e temave. Kemi filma western si “The Dollar Triology” të Sergio Leone dhe “The Searchers” të John Ford. Të dyja western por ndryshe nga njëra-tjetra. Në anën tjetër kemi filma me superheronjë si “The Avengers” dhe “Joker”, poashtu të njëjta për nga lloji por ndryshe për nga përmbajtja.

Trashëgiminë e këtyre filmave e dimë të gjithë. Por nuk kemi se si ta parashikojmë kohën kur përfundon një cikël dhe fillon një i ri. Ajo çka na mbetet është që ta lëmë kohën ta bëjë punën e vet, ndërsa ne këto filma, ti shikojmë dhe shijojmë.

Tregim: Mëkati dhe pendimi i arsyeshëm

Shkruan: Ibrahim Berisha

Mëkati dhe pendimi i arsyeshëm

Ndodhi Iblisi të mashtrojë, joshi të bëjë mëkat Hava, por mëkati i saj krijoi botën humane, bota a është mëkat, njeriu nga mëkati është krijuar, disa kemi me pak e më të mëdha e disa më shumë e më të vogla; mëkati mësoi për t’u penduar, njeriu dhe mëkati u bënë bashkë, në fillim nuk kishte mëkat, Perëndia i krijoi të gjitha, njeriun e krijoi në fund, e krijoi Iblisin-djallin nga zjarri, vendosi të krijojë edhe një krijesë nga balta së cilës të gjithë iu përkulen, të gjithë e pranuan, djalli refuzoi përkuljen, ky si mbret refuzoi-unë nga zjarri jam s’i përkulem atij nga balta, i pari djalli bëri mëkat te perëndia, refuzoi të përkulet, Iblisi armik i hapur i njeriut, pastaj hakmarrja ishte e pamëshirshme, më jep kohë mu’ – i thotë Perëndisë – deri në ditën e fundit a në ditën e kiametit, i bëj për vete – i thotë Perëndisë, – me ty nuk do të mbesë as një njeri, Perëndia i thotë – të gjitha çka i bënë për vete do t’i do t’i marrësh, si djalli dinak Iblisi filloi nga Ademi dhe Hava, kanë qenë vetëm ata dy njerëz në botë të botëve, po Ademi nuk ishte lodër e lehtë, Ibilisi iu qas pastaj Havës, e gjora, djalli e mashtroi, ajo kafshoi e hëngër një nga pemët e ndaluara (Bibba e përcakton mollë, Kur’ani frut), mollën e ndaluar, mëkati fillon jo nga fruti por nga kafshimi, krejt jeta është mëkat mbas ngrënies së një kokrre, mëkati armiqësia dhe ndëshkimi vërshojnë si shiu si bora si zjarri, burri dënohet të punojë krejt jetën e tij për një kafshatë goje, gruaja të mbajë fryt në bark nëntë muaj pasi e hëngri frutin e ndaluar-shtatzënë, po mos ta kish hëngër a kish me pas mëkat, a kisha me qenë unë a kishe me qenë ti, po t’mos ishte mëkati në këtë botë do t’ kishin mbet bashkë përherë vetëm Ademi dhe Hava, do t’

jetonin në paqe jo si burrë e grua e bashkëshortë, por si mashkull dhe femër pa u ndjerë, pa mëkat dhe pendim, pa gjykim dhe ndëshkim.

Ps. Molla ndalohet pasi është pema e sherrit, pasi me kafshimin e saj fillon zbulimi i çdo gjëje, Iblisi shërbehet me ato trillimet e tij, provon te Ademi po ai i vendosur dhe i bindur me fjalën që ia kish dhënë Perëndisë e sheh se nuk po bindet, atëherë fillon me gruan dhe ajo e gjora luhatet, Zoti na ruajt nga mashtrimet, – i thotë Havës, – nëse han nga kjo pemë ti do bëhesh udhëheqëse e do ta mposhtesh Perëndinë, dëshira e madhe të udhëheqë dhe të bëhet e mençur, e zbret në mëkat, me frytin zihet shtatzënia, mollën e sherrit, mbasi e ha vet Hava, i thotë Ademit provoje, ai djalë i urtë e kafshon mollën; Ademi kërkon falje, Perëndia e fali por nuk e fali krejt, Ademi nuk ka bë mëkat edhe pse gaboi, e dëgjoi Havën, po Perëndia i ndëshkoi të dy, bashkëshortë – i solli në tokë dhe u tha se këtu do jetoni për një kohë, do të hani shumë mollë; kështu edhe vdekja që ne e bartim me vete që nga dita e lindjes erdhi bashkë me ata, ajo e fundme vjen dhe na merrë bashkë me mëkatin dhe pendimin tonë të arsyeshëm; edhe kështu ndodh përsëritja e ardhshme.

Yjet e serisë “Friends” u ofrojnë mundësi fansave të bëhet pjesë e ribashkimit të tyre

Ekipi i serisë “Friends” po iu ofron fansave mundësinë t’iu bashkëngjiten në xhirimet e episodit special të ribashkimit të tyre, në shkëmbim të donacionit për bamirësi.

Jennifer Aniston e bëri të ditur përmes rrjeteve sociale se një fitues fatlum do të jetë mundësi t’i bashkohet asaj dhe aktorëve, Courteney Cox, David Schwimmer, Lisa Kudrow, Matthew Perry dhe Matt LeBlanc, kur ata t’i fillojnë xhirimet e speciales për kanalin “HBO Max”.

“Jemi të lumtur t’i bashkohemi sfidës ‘ALL IN’ për t’i ndihmuar njerëzit të jenë të shëndetshëm dhe të ushqehen gjatë kësaj pandemie… Ju ftojmë juve dhe pesë miqtë tuaj që të na bashkoheni ne të gjashtëve në studion ‘Stage 24’. Bëhuni mysafirët tanë special në publik gjatë xhirimeve të episodit ribashkues në kanalin @HBOMAX, ku së bashku mund ta rikujtojmë serinë dhe ta festojmë kohën e mirë që e kemi kaluar bashkë. Kështu, keni mundësi ta përjetoni eksperiencën ‘Friends VIP’ në studiot e kompanisë ‘Warner Bros’. Shpresojmë kjo mundësi iu ofron pak gëzim dhe entuziazëm në këtë kohë të çuditshme. Klikoni në ‘AllInChallenge.com’ dhe dhuroni sado që keni mundësi, sepse çdo dollarë luan rol të rëndësishëm. 100 për qind të të ardhurave të mbledhura do të dhurohen për fondacionet @nokidhungry, @mealsonëheelsamerica dhe #AmericasFoodFund. Mezi pres t’iu takojë dhe përqafoj, kur të përfundon kjo pandemi,” shkruhej në mesazhin e Anistonit.

Ndërkohë, kriza e fundit shëndetësore i ka shtyrë xhirimet e episodit special, i cili për herë të parë i ribashkon në ekran yjet e serisë hit, 16 vjet pas përfundimit të saj, transmeton Koha. Xhirimet ishin planifikuar të fillojnë gjatë këtij muaji por disa burime e kanë konfirmuar lajmin se ato janë shtyrë deri në kohë të pacaktuar.

Aktorja e njohur hollywoodiane, Jennifer Aniston, gjithashtu i ka nxitur fansat të qëndrojnë në kontakt me të dashurit e tyre, në këtë periudhë të vetizolimit.

Si pjesë e sfidës “All In challenge”, Leonardo DiCaprio, i ka ofruar fansave mundësinë për të luajtur në filmin e tij të ardhshëm, “Killer Of The Fllower Moon”, në të cilin luan krahas Robert De Niros dhe regjinë e së cilit do ta bëjë Martin Scorsese. / KultPlus.com

Aktivizohet linja e ndihmës psikologjike – 038 200 80 890

Nga sot, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion linjën e ndihmës psikologjike.

Përmes kësaj linje të gjithë ata që kanë nevojë për të folur me psikologun mund ta bëjnë këtë, ka njoftuar ministria.

Numri ku mund të kontaktoni me psikologët është 038 200 80 890.

Kjo linjë që është rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Departamentit të Psikologjisëm, do të jetë në shërbim të qytetarëve të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë Covid-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të perjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit.

Publicisti i njohur shqiptar Dervish Hima u arrestua sepse gjatë një fjalimi tha se shqiptarët dhe turqit janë dy popuj të ndryshëm

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Prill 2020

“Le Soir” ka botuar, të enjten e 24 shtatorit 1908, në ballinë, një shkrim në lidhje me arrestimin e Dervish Himës, patriotit dhe publicistit të njohur shqiptar, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Arrestimi i Dervish Himës, kryeredaktorit të gazetës shqiptare “L’Albanie” ka shkaktuar kudo një përshtypje të hidhur.

Ky arrestim konsiderohet si një lëvizje e gabuar që vështirë se mund të dakordohet me liritë kushtetuese për të cilat partia xhonturke pretendon se është pionere.

Dervish Hima u arrestua për mbajtjen e një fjalimi, me rastin e një banketi të shtruar për nder të tij, në të cilin tha se shqiptarët dhe turqit janë dy popuj të ndryshëm.

Këto fjalë dhe disa pasazhe në një broshurë të botuar nga ai, ku u kërkonte shqiptarëve të zgjoheshin për një jetë të re kombëtare, janë cilësuar si tradhti e lartë.

Arrestimi i autorit u urdhërua me nxitjen e komitetit lokal xhonturk në Shkodër, por dyshojmë se komiteti qendror është i gatshëm ta dënojë.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-soir-1908-publicisti-i-njohur-shqiptar-dervish-hima-u-arrestua-sepse-gjate-nje-fjalimi-tha-se-shqiptaret-dhe-turqit-jane-dy-popuj-te-ndryshem/.

Dua Lipa nuk e kishte vënë re ngjashmërinë mes këngës “Break My Heart” dhe hitit të dikurshëm “Need You Tonight”

Këngëtarja 24-vjeçare, Dua Lipa, e kishte kuptuar se kënga “Break My Heart” nga albumi “Future Nostalgia”, kishte ngjashmëri me hitin e grupit “INXS” me titull “Need You Tonight”, vetëm pas realizimit të saj.

Kështu, Lipa ka vendosur t’i jap merita grupit të njohur Australian në albumin e saj, ngase nuk ka dashur të paditet për plagjiaturë, transmeton Koha.

Ajo gjithashtu ka thënë se ngjashmëria mes melodisë së këngëve nuk ka qenë e qëllimshme.

E pyetur nëse këngëtarja i ka dhënë merita grupit në albumin e saj, Lipa tha: “Kur ishin në studio duke incizuar nuk kemi vënë ngjashmëri të melodisë së ‘Break My Hart’ me ndonjë këngë tjetër. Thjeshtë na pëlqyen ata tinguj, dhe duke qenë se ndiheshim tejet të entuziazmuar ishim fokusuar vetëm në punën tonë dhe realizmin e këngës. Por, pasi e dëgjuam atë e vërejtëm një ngjashmëri me dy këngëve. Njerëzit të cilët e mbikëqyrin muzikën e grupit ‘INXS’ ishin shumë të sjellshëm, dhe atyre iu pëlqeu shumë kënga jonë kështu që arritëm lehtë marrëveshje për t’i ndarë merita bendit në këtë projekt. Gjithashtu nuk donim të paditeshim për plagjiaturë. Por në të njëjtën kohë, tingujt e ‘Break My Heart’ të sjellin një lloj nostalgjie për muzikën e së kaluarës, dhe ky ka qenë qëllimi ynë nga fillimi.”

Kur vjen puna te përzgjedhja e këngëve që do t’i përfshinte në albumin e dytë muzikor, Dua Lipa, ka thënë se i ka zgjedhur këngët të cilat ka mundur ta imagjinojë veten duke i performuar live, nëpër koncerte dhe festivale të ndryshme.

Zhan La Fonten, poeti dhe fabulisti i shquar francez

Budallallëqet e gjeniut

Vizitë në shtëpinë e mikut të vdekur
* La Fonteni si njeri i hutuar që ishte, tetë ditë pasi varrosi një mik vajti tek shtëpia e tij për darkë siç bënte shpesh herë.
– Por, – u përgjigj i hutuar kamarieri kur ai pyeti për shokun e tij, – zotnia im dhe miku juaj shkoi në varreza tetë ditë më parë.
-Nuk e dini?
– Ah, po nuk ma mori mendja se ai do të rrinte kaq gjatë.

Debati me të birin
* La Fonteni ishte njëherë në shtëpinë e Dupinit, doktor i shkencave në Sorbonë, bashkë me të birin e vet. Ky në fjalë e sipër bëri disa vërejtje për të atin. Kur djali u largua, La Fonteni, që e kishte përshëndetur me respekt të madh, u drejtua nga i zoti i shtëpisë dhe e pyeti se kush ishte ai djalë që iku. Tjetri e shikoi i habitur dhe thirri:
– Si, po a nuk ishte yt bir ai?
– Po, po – u përgjigj La Fonteni, – tashmë po më duket se e kam parë
edhe herë të tjera atë njeri dhe pamja e tij nuk m’u duk e re.

Bullalëqet e komedianit
Kur La Fonteni u sëmur rëndë, prifti i rrinte shumë rreth e qark për t’i bërë shërbimet e shëlbimit të shenjtë. Infermierja që i shërbente të sëmurit i tha priftit:
O atë! Lëreni të qetë e mos e mundoni shumë, se ai në jetë bëri më shumë budallallëqe se mëkate, dhe Zoti nuk do të ketë kurrë guximin që ta dënojë.

Epitafi për varrin e tij
* La Fonteni e kishte bërë vetë epitafin ku thuhej: “Këtu shtrihet ai që iku ashtu sikurse kishte ardhur. Hëngri trashëgiminë dhe kapiti duke besuar se pasuritë janë gjëra fare të panevojshme. Kur arriti të gjente kohë të mirë, atë e ndau në dy pjesë, njërën e përdori për të jetuar dhe tjetrën për të mos bërë asgjë”. /KultPlus.com

Shkruan nobelistja: Druaj se virusi po na rikthen edhe një frikë tjetër të vjetër: pabarazinë

Shkrimtarja e çmimit Nobel, Olga Tokarczuk, reflekton për gjendjen që ka kapluar mbarë botën. Një shkrim, sa optimist, aq edhe goditës, i cili prek plagë të hershme të njerëzimit, të cilat, me sa duket, në kohë të tilla, evidentohen edhe më shumë. Koncepti i “tjetrit, të huajit, pabarazia, shovinizmi, krizat në familje, paaftësia e BE-së”, krijojnë mozaikun e një krize të madhe, me të cilën duhet të përballemi. Por, si gjithmonë, paradoksi është aty. Kjo kohë po na ndihmon t’i kthehemi së brendshmes, UNIT tonë. Ndoshta prej kohësh e kishim braktisur veten dhe karantinimi mund të na ndihmojë të rindërtojmë veten, pa u ndikuar nga të tjerët.

“Nga dritarja ime, unë mund të shoh një dru mani të bardhë dhe një pemë, me të cilën jam magjepsur. Këto janë arsyet pse vendosa të jetoj këtu. Përmes manit, dhjetëra familje shpendësh, përfitojnë frutat e ëmbla e të shëndetshme, gjatë periudhës së pranverës dhe verës. Momentalisht druri i saj është pa gjethe, kështu që më bie në sy një rrugë e qetë, e cila rrallë përshkohet nga njerëzit, të cilët duan të shkojnë në park. Moti në Vroclav është pothuajse veror, me një diell verbues, qiellin blu, ajrin e pastër. Sot, teksa isha duke nxjerrë shëtitje qenin tim, një buf më nguli sytë. Me sa duket, kafshët ashtu si njerëzit, presin me padurim të shohin atë se çfarë do të ndodhë më tutje.

Për një kohë të gjatë kam ndier se përtej dritares sime ka kaq shumë jetë, kaq shumë botë. Një botë e madhe, e shpejtë, e zhurmshme. Ndaj nuk po përjetoj asnjë traumë nga izolimi. Nuk e kam aspak të vështirë të mos shikoj njerëz. Nuk më vjen keq që kinematë janë mbyllur. Po ashtu, jam plotësisht indiferente ndaj qendrave tregtare të mbyllura. Sigurisht, më vjen keq për ata njerëz që kanë humbur punën e tyre. Kur më duhej të përballesha në fillim me karantinimin, ndjeva një lehtësim. Shumë njerëz janë ndier njëlloj, edhe pse kanë turp ta pranojnë. Natyra ime e mbyllur, introverte, po ndihej e mbytur dhe e abuzuar nga ekstrovertët hiperaktivë dhe kështu e kish braktisur veten e saj, duke u tjetërsuar.

Vëzhgoj fqinjin tim nga dritarja, një avokat i mbingarkuar me punë, të cilin pak ditë më parë e pashë duke shkuar për në punë veshur me mantelin e sallës së gjyqit. Por, tashmë, i veshur me rroba krejt të thjeshta shtëpie, punon kopshtin e tij. Duket se po vendos gjërat në rregull. Shikoj disa të rinj që nxjerrin shëtitje një qen të vjetër, i cili qysh nga dimri i shkuar, ecën me vështirësi. Ata e shoqërojnë qenin me një ritëm të ngadaltë. Shikoj kamionin që mbledh mbeturinat. Ai po thyen rekord me shpejtësinë e mbledhjes së tyre.

Jeta vazhdon, veçse me një ritëm tjetër. Rregullova raftin, duke nxjerrë gazetat e lexuara për t’i futur në koshin e riciklimit. Vendosa lule. Mora biçikletën nga dyqani i riparimit të biçikletave. Kam shijuar procesin e të gatuarit.

Kujtimet nga fëmijëria rikthehen tek unë. Kishte kaq shumë kohë të lirë atëherë, sa mund ta shpenzoje pa kriter, mund ta vrisje duke qëndruar me orë të tëra në dritare, duke vrojtuar milingonat, ose thjesht shtrirë nën një tavolinë, duke imagjinuar se ishe brenda një arke. Sigurisht, edhe duke lexuar enciklopedi.

A nuk tregon ky karantinim që ne i jemi rikthyer ritmit tonë normal të jetës? Nuk është e vërtetë që virusi ka prishur ritmin dhe normën, por anasjelltas. A nuk ju duket anormale bota para se të vinte virusi?

Në fund të fundit, virusi na ka kujtuar ato gjëra që ne ia kemi mohuar vetes: faktin që jemi krijesa delikate, të përbëra nga një material shumë i brishtë. Që jemi të vdekshëm, të përkohshëm. Që nuk jemi të ndarë nga pjesa tjetër e botës, nuk jemi të përjashtuar, por që bota është një lloj rrjeti, në të cilin të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin, përmes fillit të padukshëm të varësisë dhe ndikimit. Pa marrë parasysh sa larg janë vendet nga kemi origjinën, cilën gjuhë flasim, apo çfarë ngjyre ka lëkura jonë, ne po përballemi me të njëjtën sëmundje, me të njëjtat frikëra, po vdesim nga e njëjta sëmundje.

Na ka bërë të kuptojmë që nuk ka rëndësi sa të dobët e vunerabël ndihemi përballë rrezikut, sepse jemi të rrethuar nga njerëz që janë akoma më të dobët se ne, të cilët e konsiderojnë jetësore ndihmën tonë. Ky virus na ka kujtuar brishtësinë e prindërve dhe gjyshërve tanë. Sa shumë kujdes dhe nevojë kanë ata për ne. Po na bën me dije për lëvizjet tona të pakontrolluara, që po e fundosnin botën. Dhe mbi të gjitha, po na bën t’i drejtojmë vetes pyetjen, të cilën rrallë kemi pasur kurajën t’ia bëjmë: Çfarë po vazhdojmë të kërkojmë?

Frika nga të sëmurët na kujton folenë tonë, në të cilën ndihemi të sigurt. Në një situatë të tillë, edhe ata që udhëtojnë pa pushim, kërkojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Në të njëjtën kohë, të vërteta të frikshme po zbulohen. Po shikojmë sa i dobët po tregohet në praktikë Bashkimi Europian (BE). Nuk po bën gjë tjetër veçse po delegon vendime. Shovinizmi i vjetër është rikthyer, duke u kthyer edhe një herë te ndarja “e jona” dhe “e huaja”, me pak fjalë ajo për të cilën kemi luftuar dekadat e shkuara, me shpresën se nuk do t’i formatonte më kurrë mendjet tona. Frika nga virusi i ka bërë të mendojnë se “i huaji” e ka fajin, ai duhet fajësuar. Virusi është “nga një vend tjetër, përveçse nga vendi ynë”. Të gjithë ata që po kthehen në Poloni, konsiderohen të dyshuar. Virusi po na kujton se kufijtë ekzistojnë.

Druaj se virusi po na rikthen edhe një frikë tjetër të vjetër: pabarazinë. Ndërsa disa prej nesh po fluturojnë me avionë privatë drejt shtëpive në ishuj, për të kaluar karantinimin, disa të tjerë po qëndrojnë në qytete për të punuar. Akoma më keq, ata që po rrezikojnë jetën e tyre, duke punuar në farmaci, ushqimore apo spitale. Disa po bëjnë shumë para e disa të tjerë po humbasin gjithçka kanë. Kriza që do të pasojë do të minojë parimet tona. Shumë shtete nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë. Kjo do t’i detyrojë të nxjerrin urdhra të reja, siç ndodh rëndom pas krizave.

Ne po qëndrojmë në shtëpi, po lexojmë libra, po shohim televizor, por, në të vërtetë, jemi duke përgatitur veten për një betejë, për një realitet të ri që as nuk mund ta imagjinojmë, duke bindur veten se asgjë nuk do të jetë njësoj. Gjendja e karantinës së detyrueshme, e mbledhjes së familjes në shtëpi, mund të na bëjë të vetëdijshëm për gjërat që nuk kemi dëshirë t’i pranojmë: se familja jonë po na varfëron, se fijet që mbanin të lidhur martesën tonë janë shtendosur me kohë. Fëmijët tanë do të dalin nga karantina të varur nga interneti dhe shumë prej nesh do të jenë të vetëdijshëm për pakuptimësinë dhe kotësinë e rrethanave në të cilat gjendemi. Po sikur të rritet numri i vrasjeve, i vetëvrasjeve, i depresionit, i sëmundjeve mendore?

Para syve tanë, ndotja po zhduket nga paradigma e qytetërimit, që na ka shoqëruar gjatë dyqind viteve të fundit: që ne jemi mjeshtrat e krijimit, që mund të bëjmë gjithçka, që bota na përket e gjitha ne. Një kohë e re po afrohet.”

Shkrimtarja është e njohur për lexuesin shqiptar, përmes romanit “Shtërgjet”, sjellë në shqip nga “Albas”/ “Shtërgjet” përbëhet nga një mozaik karakteresh në një lëvizje të pandërprerë. Duket se bota moderne lëviz në mënyrë të çoroditur dhe kaosi duket se është i gjithëpranishëm, jo vetëm ngaqë është copëtuar itinerari i lëvizjes, por edhe ngaqë vetë subjekti i lëvizjes është copëtuar. Kështu, në këtë libër pleksen lëvizje gjithfarësh, njerëzish të njohur a të panjohur, personazhesh historike a të trilluar, njerëzish a mumiesh, trupash të shëndetshëm a trupash të gjymtuar, trupash të plotë a pjesësh të tyre. Duket sikur është shkërmoqur gjithçka e që kjo lëvizje e çoroditur të mund të ngrihet në dinjitetin e një udhëtimi, apo edhe më tej, të një pelegrinazhi, ajo duhet disiplinuar. Cila është kjo disiplinë? Sprova e autores lidhet pikërisht me gjetjen e kësaj disipline. Kjo disiplinë kërkohet duke u mbështetur në gjithfarë pandehmash, duke hulumtuar fillimisht brenda porteve dhe aeroporteve; brenda ritualeve të udhëtarëve nëpër hotele; brenda traumave të njerëzve gjatë një itinerari; duke hulumtuar brenda shkencës së psikologjisë përmes së ashtuquajturës “psikologji e udhëtimit”, a brenda shkencës së anatomisë përmes zbulimeve të saj, si për shembull zbulimi i “pejzës së Akilit”, apo metodave për konservimin e trupave. Megjithëkëtë, duket se autorja evidenton që premisa kryesore e kësaj sprove mbetet emërtimi i vendstacioneve. Kështu, ky libër, në një mënyrë tejet origjinale rrëfimi na përcjell vështirësinë e disiplinimit të lëvizjes së njeriut përmes emërtimit të vendstacioneve në rrugëtimin e tij. Vetëm kështu, lëvizja do të meritojë të quhet rrugëtim, ose më mirë akoma, pelegrinazh. Përktheu: Parajsa Shtini / KultPlus.com

Burimi: https://www.newyorker.com/books/page-turner/a-new-world-through-my-window?

A do të kemi pushime verore këtë vit?

Pushimet kësaj radhe pritet të jenë më ndryshe me masat që duhet të merren edhe në plazh.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka ndërruar retorikë sa i takon pushimeve verore.

Teksa shumë njerëz po i presin me padurim po dhe në ankth nga pandemia e koronavirusit, sipas shefes së KE-së pushuesit evropianë duhet të jenë optimistë se mund të bëjnë disa ditë pushime verore.

Von Der Leyen deklaroi për mediat portugeze se pushimet mund të bëhen realitet, por duhen gjetur disa zgjidhje të mënçura.

“Do mundohemi të gjejmë zgjidhje të mençura për këto pushime. Ndoshta do të jenë pak ndryshe, me më shumë masa higjiene apo distancimi social, por unë jam optimiste se do të gjejmë alternative”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se një javë më parë ajo iu tha miliona qytetarëve të botës që shpresonin për pushime në Evropë, të mos bënin asnjë plan për këtë verë, transmeton Scan.

Autoritetet në Itali ndërkohë po punojnë nga këndvështrimi i akteve administrative dhe rregulloreve të nevojshme për të mundësuar që këtë verë plazhet të rihapen dhe sektori i turizmit të rifillojë punën.

Por këshëria për të shkuar në plazh është aq e madhe saqë një kompani në Modena, në Itali ka projektuar vendrelaksimet e njerëzve; kuti transparente me mure Plexiglas-i dhe profile alumini 4,5 metra dhe dy metra të larta.

Në rastin e çadrave, ato mund të vendosen të paktën 3 m larg nga njëra tjetra kurse në restorante po mendohet që tavolinat të ndahen me xham apo dhe Plexiglas për të mënjanuar sa më shumë kontaktet mes njëri-tjetrit. /KultPlus.com

JLo paditet me 150 mijë dollarë gjobë, për postimin e fotografisë së saj në Instagram

Publikimi i një fotografie të vet, do t’i kushtojë Jennifer Lopezit me 150,000 dollarë, shkruajnë mediat e huaja.

Sipas E!News, ndaj J.Lo u paraqit një kërkesë-padi lidhur me postimin e një fotografie në Instagram. Sipas dokumenteve, fotoja është postuar më 22 qershor të vitit 2017.

Në foto, shfaqet personazhi Harlee (Jennifer) në filmin “Shades of Blue”.

Pra, e drejta e kësaj fotografie i takon Steve Sands, i cili tashmë kërkon 150,000 dollarë për shkelje të së drejtës së autorit.

Bazuar në atë se çfarë është shkruar në padi, J.Lo dhe kompania e saj e produksionit nuk kanë marrë leje për ta postuar. / KultPlus.com

Nusja nga Kosova

Poezi nga Dritëro Agolli

Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku Rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…

Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatarat e thella andej nga Kosova,
Se s’desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.

Dhurohet për të prekurit me COVID-19 ventilatori që mbajti në jetë fizikanin Stephen Hawking

Ventilatori që mbajti në jetë fizikanin Stephen Hawking i është dhuruar një spitali në Cambridge për të ndihmuar në përballimin e pandemisë. Kontribute të tilla janë të rëndësishme në këtë moment për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore.

Ventilatori që ndihmoi fizikanin Stephen Hawking gjatë momenteve të vështira me shëndetin, do t’i dhurohet spitalit “Royal Papworth Hospital” për të trajtuar pacientët e prekur nga koronovirusi.

Vajza e fizikanit, i cili vuante nga sëmundja e neuroneve motorike, siç transmeton oranews njoftimin, tha se ky dhurim vjen në shenjë falënderimi për kujdesin e veçantë që ky spital tregoi për babain e saj.

“Si një pacient i ventiluar, ky spital ka qenë tepër i rëndësishëm për babanë tim dhe e ka ndihmuar atë në disa periudha shumë të vështira. Ne e kuptuam që ai do të ishte në pararojë të epidemisë Covid-19 dhe u lidhëm me disa nga miqtë tanë të vjetër atje për të pyetur nëse mund të ndihmonim. Pasi babai ynë vdiq, ne u kthyem të gjitha pajisjet mjekësore që ai përdori që i përkisnin NHS, por kishte disa sende që ai kishte blerë vetë. Tani ne po i kalojmë ato tek Shërbimi Kombëtar i Shëndetit me shpresën se ata do të ndihmojnë në luftën kundër Covid-19”, tha ajo.

Spitali Royal Papworth është zgjeruar në ambiente me dyfishin e madhësisë së tij për shkak të rritjes së numrit të shtrimeve nga koronavirusi. Pavarësisht furnizimeve shtesë me ventilatorë, spitali shtoi pajisjen e dhuruar nga familja Hawking në flotën e tij. / KultPlus.com

Sekretet e Rikard Ljarjes, rrëfimi i mikut të fëmijërisë për yllin e kinematografisë shqiptare

Nga Albert Shala

Mirë bëre, moj bijë, që shkrove disa rreshta për shokun tim të vjetër, Rikardin. Po shoh këtu në Fb në pamundësi që të dal nga shtëpia që shumë e shumë njerëz, miq e shokë të tij, si dhe plot dashamirës, të panumërt, me plot dhembje shprehin vlerësimet e tyre për largimin e tij nga kjo bote. Dhe me të drejte. Rikardi me çfarë bëri në jetën e tij ishte kthyer në një ikone te artit shqiptar ne me shume se gjysmë shekulli.

Nëse ka ndonjë gjë që mund të shtoj me këtë rast është se ai ka qene “bir i artit”, një artist shumëdimensional. Shumëkush nuk e di qe ai ka qenë një muzikant i mrekullueshëm, i cili që në rininë e hershme ka marrë pjese si orekstrant në shfaqjen e pare të operas “Mrika”, duke luajtur ne fagot. Pak kush mund ta dije që ai me fizarmonikën e tij në krah i jepte gjallëri dasmave në vendlindjen tonë, në Shkodër. Pak kush mban mend që ai ka marrë pjesë me një këngë rinore me titullin “Riviera” në një ndër festivalet e para ne Radio Tirana. E më tëj, Rikardi ka qenë një piktor i talentuar e mjaft origjinal, që ka lënë vepra të çmuara edhe në këtë fushe E më tej se kaq, po them që ai ka lënë edhe disa libra me tregime shumë të bukura e se fundi në nëntor të vitit që shkoi, megjithëse shëndeti e kishte vënë poshtë, përfundoi e botoi romanin e tij të fundit.

Rikardi ka qenë shembull i artistit te madh shqiptar, i njeriut të talentuar në disa fusha, punëtorit të palodhur, qytetarit të ndershëm e të urte, që gjithë jetën e tij e kishte mbështetur te mirësia e puna. i qofte i lehtë dheu. Jam i bindur që arti shqiptar do ta ketë Rikard Ljarjen gjithnjë si shembull plot dritë.

*Albert Shala është miku i fëmijërisë së aktorin Rikard Ljarja, që janë lindur dhe rritur së bashku në qytetin e Shkodrës dhe e kanë ruajtur miqësinë për dekada me radhë. Shkrimi dedikuar është marrë nga rrjetet sociale nga e bija e tij. /KultPlus.com

Ahmeti: Nëse nuk kemi raste të reja me coronavirus, brenda tri ditësh dalim nga karantina

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se gjendja është nën kontroll sa i përket pandemisë COVID-19, ndërsa bëri të ditur se janë marrë 10 mostra të qytetarëve në kryeqytet dhe rezultatet priten të dalin gjatë ditës.

Kryetari i Prishtinës tha se nëse qoftë se do të vazhdohet me këtë ritëm edhe për dy-tri ditë tjera, Prishtina do të dalë nga karantina.

“Situata është në kontroll, ju e dini që dje kemi pasur një ditë me zero raste. Pardje kemi pasur një ditë ku jemi frikësuar më shumë sepse kemi pasur 66 të testuar. Prej tyre dolën gjashtë që ishin familjarë të rasteve të një dite më parë. Unë mendoj që jemi mirë njëherë por nuk do të thotë që duhet të relaksohemi. Në qoftë se vazhdojmë kështu edhe dy-tri ditë, besoj që së pari do të kemi mundësinë që të heqim karantinën, pra këtë bllokimin e jashtëm të Prishtinës, ndërsa kufizimet tjera mbesin në fuqi”, tha Ahmeti.

Ai bëri të ditur që edhe sot janë duke vazhduar me testimet e qytetarëve të Prishtinës.

“Më duket që sot në tendat tona ishin dhjetë raste. Ndërsa, ka edhe raste të tjera të Prishtinës të cilat do të testohen direkt në IKShP dhe QKUK… nuk ka kurrfarë arsyeje që edhe kojshitë që kanë dëgjuar, se po dëgjojmë shpesh që një rast në një ndërtesë një kojshi, dhe pastaj po bëhet panik në krejt lagjen dhe mëhallën. Nuk ka arsyeje për gjëra të tilla, momentin kur nuk do ta kemi në kontroll do ta ju themi panikohuni tash, por pa ju thënë mos bëni, sepse institucionet tona kanë në kontroll situatën”, shtoi Ahmeti. /Telegrafi /KultPlus.com