“Mbi origjinën e specieve” e Charles Darwin, triumfi i botëkuptimit iluminist

Bota po hynte në një erë të re. Ngado ziente. Njeriu, gjithnjë dyshues duhej të përqafonte forcën e atij vullneti për të ndryshuar pozitat e tij mbi realitetin, mbi atë gjithësi dukurishë dhe fenomenesh ende të mbërthyera në pikëpyetjet e mëdha. Mendimi i mëhershëm dhe i asokohshëm po kërkonte vijimsisht caqe të reja dhe po i jepej pandalim ngulmeve për të tjera kapacitete. Kambanat e kushtrimit gjëmonin në botën që kishte nisur të shkundej nga pluhuri dhe të zhvishej nga myku. Ishte padyshim një luftë e vërtetë. Një botë që i kundërvihej një tjetre, një reale e pretenduar dhe e argumentuar përmes dëshmishë novatore dhe fakteve, që kacafytej me një rele të mbetur e skalitur mbi memuarin e historisë.

Kuraja e mendimit dhe sfida e ballafaqimit të nevojës për një botëkuptim të ri, ambicia dhe pasioni u shndërruan në synimet e një vullneti uragan të të riut anglez, Charles Darwin, i cili do të ngrihej mbi gjithë atë ngrehinë hijerëndë dhe të plotpushtetshme të religjonit, për të ofruar ndoshta jo dhe aq një shembje të teorisë së krijuesit, se sa një mundësi novatore, një ngulm të njeriut për të shtytur kufijtë e zotërimit të dijes dhe përmes saj të mposhtjes së dilemave dhe mëdyshjeve që mundonin atë.  

Më 24 nëntor 1859 pa dritën e botimit një prej kryeveprave të mendimit iluminist. Botohet libri “Mbi Origjinën e Specieve”. Ai është libri që tronditi nga themelet botkuptimin e njeriut për prejardhjen. Një prej dilemave më jetëgjata që ka ngërthyer ëndjen dijetuese të njeriut u gjend para një kërcënimi shpërbërës. Më shumë se një shëmbie e mitit, ishte një guxim për të orjentuar njeriun përnga zgjidhja e enigmës së ekzistimit. Kurajon e tij pakkush do të guxonte ta përballte me një botë profane dhe e mbarsur nga paranoja, sa ai, Charles Darwin.

U hodh në zjarrin e anatemës, kundërshtive dhe ndalimit si një gladiator në arenën e luanëve. Ai dëshmoi vullnesën e një iluministi dhe u kacafyt me XVIII shekuj terr. Ai hodhi themelet e pikëpamjeve mbi krijimin dhe evolucionin, drita që përshkënditi prej andej e hodhi njerëzimin në krahët e një përqafim botëkuptimi të ri.

U rrek të vërtetonte shkencërisht prejardhjen e njeriut duke e bazuar atë mbi faktet e mbledhura, fosilet dhe evoluimin e species në raporte kohore, varjueshëm me kushtet e habitatit. Pikërisht më 24 nëntor 1859 Charles Darwin publikon “Mbi Origjinën e Specieve”, përvjetori i këtij libri është quajtur “Dita e Evolucionit”.

Thonë se Darwini ka qenë një njeri tepër i mbyllur në vetvete, i lumtur me fletoret dhe mikroskopin e tij. Ai iu shmang gjithnjë syrit të publikut. Kritikat, debatet dhe kontradiktat hamenden të ishin shkaku që ai u përball me sfidën e shëndetit. Ky vëzhgues i shkëlqyer i natyrës e mbajti idenë e tij më origjinale dhe revolucionare të fshehtë për dekada. Megjithatë, sot, pothuajse të gjithë e dinë emrin e tij, çfarë bëri,dhe pse vlerësohet kaq shumë. Duke respektuar natyrën në të gjitha format e saj – Darwin pa se të gjitha qeniet janë të lidhura. Çdo gjë e gjallë ndan një prejardhje, dhe arriti në përfundimin se, shumëllojshmëria e jetës në Tokë rezulton nga proceset në punë gjatë miliona vjetëve, dhe ende në punë sot. Shpjegimi i Darvinit për këtë shpalosje kaq të gjerë të jetës në kohë – teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionimit natyror – transformoi të kuptuarit e botës së gjallë – ashtu si idetë e shkencëtarëve Galileo, Newton, dhe Ajnshtajn ndryshuan të kuptuarit e universit fizik. E thjeshtë por njëkohësisht e diskutueshme, keqkuptuar, keqpërdorur për qëllime sociale, thonë studiuesit, teoria e Darwinit mbetet e pakundërshtueshme si koncepti qendror i biologjisë, duke ndihmuar mikrobiologë e gjenetistë të panumërt.

Nga jeta dhe vepra

Charles Robert Darvin  u lind më 12 Shkurt 1809, në Shrewsbury dhe vdiq më 19 Prill 1882, në Downe. Ai ishte një natyralist anglez, pjesëtar i Royal Society, që themeloi teorinë e evolucionit sipas së cilës të gjitha krijesat zhvillohen me kalimin e kohës e publikuar në librat e tij. Sipas tij zhvillimi i krijesave të gjalla që ndanin midis tyre të njëjtin paraardhës, ishte rrjedhojë e një procesi të quajtur Seleksionimi natyror (përzgjedhja natyrore). Evolucioni dhe seleksionimi natyror ishin një ide shumë përparimtare për kohën dhe pavarësisht nga kritikat dhe debatet e shumta mbi të, shumë shkencëtarë dhe njerëz të thjeshtë të kohës e pranuan atë si fakt. Megjithatë vetëm me themelimin e Sintezës Moderne Evolucioniste nga vitet 1930 deri më 1950, u pranua se selektimi natyror ishte mekanizimi bazë i evolucionit. E thënë ndryshe, zbulimi shkencor i Darvinit është teoria bashkuese e shkencës natyrore duke shpjeguar diversitetin (larminë) e gjallesave.

Në Universitetin e Edinburgut, Darvini i neglizhoi studimet mjekësore dhe ndihmoi në hetimin e gjallesave jo vertebrore ujore. Udhëtimi i tij 5-vjeçar me anijen Beagle e bëri atë zyrtarisht një gjeolog të kualifikuar, studimet dhe teoritë e të cilit mbështesnin idetë e uniformiste të Charles Lyell.

Publikimi i ditarit të tij të mbajtur gjatë udhëtimit me Beagle i dhanë atij famë të madhe. Duke studiuar larminë e gjallesave në vende të ndryshme të botës dhe fosilet e mbledhura gjatë udhëtimit të tij, Darvini thelloi studimet e tij mbi transmutacionin e llojeve dhe formuloi teorinë mbi përzgjedhjen natyror në vitin 1838.

Edhe pse ai shpesh e diskutonte teorinë e tij me natyralistë të tjerë, atij ju desh kohë që të përfundonte me sukses shpjegimin e teorisë ndërkohë që objektivi i tij primar vazhdonte të ishte puna si gjeolog. Ai ishte akoma duke përpunuar teorinë e tij në vitin 1858 kur Alfred Russel Vallace i dërgoi esenë e hartuar prej tij, në të cilën përshkruhej e njëjta ide, duke bërë kështu që të dyja esetë të publikoheshin si një e vetme.

Libri i tij publikuar në 1859 “Mbi origjinën e llojeve” (origjinali: “On the Origin of Species”) themeloi evolucionin si shpjegimi më i saktë shkencor mbi diversitetin në natyrë të jetës. Ai ekzaminoi evolucionin njerëzor dhe selektimin/përzgjedhjen seksual/e në librin e tij “Mbi prejardhjen e njeriut dhe selektimi në lidhje me seksin” (origjinali: “The Descent of Man, dhe Selection in Relation to Sex), libër i ndjekur nga libri tjetër “Shprehja e emocioneve tek njerëzit dhe kafshët.” (origjinali: The Expression of the Emotions in Man and Animals”). Kërkimet e tij të mëtejshme mbi bimët u publikua në një seri librash të ndryshëm, ndërsa libri i tij i fundit bënte fjalë për krimbat e tokës dhe efektet e tyre mbi tokën bujqësore.

Charles Darvin ishte një nga pesë personat pa prejardhje mbretërore të cilit iu krye një shërbim funebër nga shteti në shekullin e XIX. Ai u varros në Uestminister Abbey, pranë varreve të John Herschel dhe Isaac Newton. /Albert Vataj /KultPlus.com

Pse shqiptarët thonë “pi” dhe jo “tymos” duhan: shpjegon Faik Konica

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Prill 2020

Revista “Mélusine” ka botuar, më 1900, në faqen n° 83, shpjegimin e Faik Konicës se përse shqiptarët thonë “pi dhe jo tymos duhan”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Me rastin e hulumtimit tonë, Albania e Brukselit (e cila, thuhet se, herë pas here, boton dokumente folklorike) (1)  shkruante në një botim të fundit :

“Kjo veçanti ekziston edhe në shqip. Ne themi: Piva ñe cingaré; A pi duhan ? Kjo do të thotë : J’ai bu une cigarette, Bois-tu le tabac ?”

Dhe redaktori i kësaj reviste, Z. Spiro Beg (pseudonimi i Faik Konicës), më shkruajti :

“Një nga bashkëpunëtorët tanë mendon se kjo shprehje vjen nga nargjileja e cila, sipas tij, i parapriu përdorimit të cigares. Dhe është diçka e natyrshme të krahasosh nargjilen me një pije.”

Ky asimilim ka mundur të konfirmojë dhe justifikojë në Lindje shprehjen “pi” në vend të “tymos”; por meqë në Perëndim nuk e njohim nargjilen, pra ky mund të jetë shpjegimi fillestar.

Natyrisht, ne i lexuam këto dokumente folklorike te Albania në gjuhën frënge. Tre çerekët e kësaj reviste shkruhen në shqip dhe një në frëngjisht; qëllimi i saj është të punojë për rilindjen politike, sociale dhe letrare të Shqipërisë.

— Numri i fundit i Albania-s i 30 Marsit 1900 përmban pikërisht një shënim bibliografik, në të cilin pretendojnë përdorimin e gjuhëve ndërkombëtare për atë që ka interes ndërkombëtar :

“ Z. X… boton sot një libër mbi paskajoren rumune duke e krahasuar me paskajoret e gjuhëve të tjera ballkanike, dhe në veçanti shqipen. Meqë ky studim ishte i shkruar në danisht, për fat të keq ne nuk qemë në gjendje ta shfrytëzonim atë.”

Zotërinjtë danezë, çekë, hungarezë dhe të tjerë mund të thonë çfarë të duan, por ne nuk do t’i mësojmë gjuhët e tyre që të lexojmë disa revista dhe libra. Kauza e tyre është simpatike për ne në nivelin politik dhe kombëtar, por simpatia nuk na jep aftësinë e gjuhëve. Dhe nëse, me qëllim, ata bojkotojnë gjuhët ndërkombëtare, ne do t’i injorojmë domosdoshmërisht shkrimet e tyre. H.G. /KultPlus.com

Epic Games shtyn datën e lëshimit të sezonit të ri të lojës ‘Fortnite’

Epic Games kanë shtyrë datën e lëshimit të sezonit të ri deri në Qershor.

Kapitulli i dytë, i sezonit të tretë të Fortnite është dashur të lansohet në dy javët e ardhshme, mirëpo kompania e cila merret me lansimin e kësaj loje, tha se do ta shtyjë datën e lansimit.

Fortnite është një nga lojërat më të famshme në botë, duke tërhequr me miliona lojtarë dhe shikues, raporton BBC news, transmeton Koha.

Lojërat epike nuk treguan se pse ka ndodhur shtyrja e datës së lansimit, apo a ka qenë e lidhur me ndalesat e koronavirusit që i kanë shtyrë zhvilluesit e lojës që të punojnë nga shtëpia.

Kjo nuk është hera e parë që Fortnite ka shtyrë datën e lansimit të sezonit të ri.

Çdo sezonë është më e përditësuar se tjetra në mënyrë që t’i mbajë lojtarët të interesuar.

Qëllimi i Fortnite, sikur të gjitha betejat mbretërore, është të jetë lojtari i fundit në këmbë.

Në një post të një blogu duke treguar për shtyrjen e datës së lansimit të sazonit të tretë, ekipa e Fortnite tha se do të shtojnë karakteristika të reja në sezonin e tretë.

‘’Ne kemi shumë përditësime të lojës të gatshme, që do të jenë të mbushura me sfida të reja, me pikë të eksperiencës, dhe disa surpriza të tjera”, tha kompania.

Sezoni i dytë e kapitullit të dytë, u lansua në tetor të vitit 2019, ku vonesa e lansimit të kapitullit të dytë zgjati disa muaj.

Pa marrë parasysh përditësimet e ngadalshme të Fortnite, kjo lojë është ende e famshme.

Sikur çdo sport tjetër dhe lojë online, ka parë rritjen e numrave të lojtarëve të rritet gjatë karantinës së koronavirusit.

Zhvilluesit e lojërave mund të punojnë nga shtëpia, por ka limite në punën që mund të bëjnë.

Shumica e tyre nuk i kanë grafikat e njëjta në kompjuterët e tyre në shtëpi.

Shumë kompani i shtyjnë zhvilluesit e lojërave të ndjekin udhëzime strikte në mënyrë që t’i mbajnë lojërat sekret, gjë e cila mund të pengojë disa përditësime të implementohen jashtë zyrave të kompanisë.

Epic Games nuk ka dashur të komentojë për BBC për arsyen e kësaj vonese. /KultPlus.com
 

Jeta qenka ëndërr

Poezi nga Sali Bashota

Jeta qenka ëndërr
Si shtatë palë qiej
Në besimin e njeriut
Jeta qenka ëndërr
Si hija e gjarprit
Nën gurët e çarë
Jeta qenka ëndërr
Si uji i burimit të ftohtë
Në shtegun e përmallimit
Jeta qenka ëndërr
Si fluturimi i zogjve
Mbi drunjtë e fatit
Jeta qenka ëndërr
Si zjarri i puthjes
Në buzët e përflakura
Jeta qenka ëndërr
Si malli i humbur
Në botën e trazuar
Jeta qenka ëndërr
Si këmisha e bardhë
Në trupin e dashurisë
Jeta qenka ëndërr
Si vetmia e qiellit
Kur fiket në mbrëmje
Jeta qenka ëndërr
Si valët e detit
Në krahët e pulëbardhave
Jeta qenka ëndërr
Si frika e dehur
Në derën e nostalgjisë
Jeta qenka ëndërr
Si pritja e ëmbël
Në Kopshtin e Edenit
Jeta qenka ëndërr
Si sytë e shkruar
Që flasin me vetveten
Jeta qenka ëndërr
Si loja e pakryer
Në fundin e lumturisë
Jeta qenka ëndërr
Si e panjohura e vdekjes
Në pëshpëritjen e agonisë

Ende shumë pyetje të hapura një vit pas djegies së katedrales Notre-Dame

Më 15 prill 2019 u dogj katedralja me famë botërore e Parisit Notre-Dame. Prej atëhere ekspertët po merren intensivisht me planet për rindërtimin. Por se kur do të fillojë ai nuk është ende e qartë.

Djegia e simbolit të Parisit, katedrales Notre-Dame dhe përpjekjet e zjarrfikësve për të shpëtuar ç’qe e mundur, janë ende në kujtesën e shumë njerëzve. Menjëherë pas djegies Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në një fjalim në televizion: “Ne do ta rindërtojmë një Notre-Dame edhe më të bukur. Dhe dua që ajo të jetë gati për pesë vjet”. Prej atëhere arkitektë, inxhinierë, arkeologë dhe historianë artit po merren me qëmtimin e dëmeve që ka shkaktuar zjarri në katedralen 850-vjeçare.

Ende asnjë bilanc përfundimtar i dëmeve

Gjeologu Jean-Didier Mertz dhe ekipi i tij i “Laboratoire de recherche des monument historiques” (LRMH), një nga laboratorët më të njohur kërkimorë për monumentet historike në Francë, bëjnë pjesë në grupin e këshillarëve për rindërtimin e katedrales Notre-Dame. Ekspertët merren me elemente të ndryshme që lidhen me monumetet historike si: llojet e gurëve, llojet e druri, të betonit, të metaleve apo të tekstileve, dhe japin rekomandime për restaurimin më të mirë të mundshëm të një ndërtese.

Frankreich Paris | Kathedrale Notre-Dame de Paris (picture-alliance/abaca/B. Florent)

Në LRMH që gjendet në Champs-sur-Marne, rreth 50 kilometra larg Parisit, ata po analizojnë tani gjendjen blloqeve të gurëve të mbetura pas djegies së katedrales. Qëllimi i analizave është jo vetëm të përcaktojë nëse këta gurë mund të ripërdoren, por edhe për të gjetur materiale identike që nevojiten për rindërtimin. Po ashtu Mertz do të dijë më shumë rreth llaçit që është përdorur në atë kohë. “Ne duam të zbulojmë se me çfarë e kanë bërë dikur llaçin e katedrales, e cila ka mbijetuar për shekuj, në mënyrë që ta riprodhojmë atë në të njëjtën mënyrë si para 850 vjesh.” – thotë Jean-Didier Mertz – që shton se ekspertët ende nuk mund t’i japin rezultatet përfundimtare.

Paris Ein Jahr nach Brand Notre-Dame (DW/Sabine Oelze)

Materiale ndërtim me peshë të rëndë

Një problem vërtet të madh për rindërtimin paraqesin panelet pesëmilimetërshe prej plumbi të çatisë, të cilat u shkrinë gjatë zjarrit dhe peshojnë më shumë se dyqind ton.

Por të paktën dritaret e katedrales kanë mbetur në gjendje të mirë dhe mund të rivendosen sërish, thotë Claudine Loisel, eksperte kimiste në LRMH. Megjithatë edhe dritaret përmbajnë plumb. Dhe shtresa e zezë e plumbit mbi xham është aq helmuese sa Claudine Loisel duhet të veshë një kostum mbrojtës dhe të mbajë maskë për fytyrën dhe syze mbrojtëse kur kryen ekzaminimet e saj.

E paqartë është për ekspertët deri tani se sa është dëmtuar prej djegies statika e katedrales, sa mbajnë ende muret e saj dhe ç’masa përforcuese duhet të merren për muret, soletat dhe elementet e tjera.

Ide të dalldisura për rindërtimin e Notre Dame

Pas premtimit të presidentit Macron për ta bërë Notre Dame më të bukur se ç’ishte më parë një sërë arkitektë të famshëm prezantuan idetë e tyre: Notre Dame me një çati prej xhami, Notre Dame me një pishinë në çati, Notre Dame me një kopsht urbane në çati.

Frankreich Paris | Kathedrale Notre-Dame de Paris (Reuters/G. Fuentes)

Por asnjë nga këto sugjerime nuk do të zbatohet kurrë. Konkursi për rindërtimin do të shpallet në qershor të këtij viti – nëse kriza e Coronës nuk bën që të shtyhet kjo datë.

“Njerëzit nuk ka nevojë të shqetësohen se mbi katedrale do të ndërtohet ndonjë pishinë, teatër veror, apo që Notre Dame do të ketë një çati transparente ose diçka të ngjashme. Unë besoj se katedrales Notre-Dame do t’i jepet një pamje e re duke respektuar shumë rëndësinë dhe historinë e saj.” – thotë Aline Magnien, drejtore e LRMH.

Rindërtimi i katedrales është planifikuar të fillojë në vitin 2021. Për këtë janë vënë në dispozicion dhe premtuar thuajse një miliardë euro nga rreth 320,000 donatorë. Por sot askush nuk mund të thotë me saktësi se kur do të fillojnë punimet. /KultPlus.com

Deputeti suedez ia dhuron Kosovës 200 euro për ta luftuar koronavirusin

Magnus Jacobsson deputet në parlamentin suedez, ka dhuruar 200 euro për Kosovën për ta luftuar koronavirusin Covid-19.

Në një njoftim në Facebook, ai ka njoftuar se i është përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Kosova.

“Kam shumë shoqëri që vijnë nga Ballkani. Fatkeqësisht, janë të prekur me koronavirusin. Republika e Kosovës, një ndër vendet e prekura, bëri thirrje publike për ndihmë financiare gjatë kësaj krize. Vendosa t’ju ndihmoj me 200 euro”, ka njoftuar ai.

KOHA e ka konfirmuar edhe përmes vet atij.

Në një përgjigje për Kohën, Jacobsson tha se shuma prej 200 euro shpreson që sado pak të kontribuojë në situatën aktuale me pandemi në Kosovë.

“Shpresoj ta menaxhoni situatën dhe sa më shumë njerëz t’ju ndihmojnë. Kam shumë shoqëri në Kosovë, desha edhe unë të ndihmoj disi”, tha ai.

Duket se tashmë veç kanë nisur ndihmat nga diaspora për Kosovën, pas thirrjes së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht në kohën kur po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Po ky deputet suedez, Magnus Jacobsson gjatë 2019-s pati njoftuar se kishte dorëzuar kërkesë për interpelancë në parlament, ku do të diskutohej çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. /KultPlus.com

Greta Garbo, jeta sekrete e aktores biseksuale

Fytyra e Hollivudit në vitet ’30, aktorja suedeze është përfolur për marrëdhëniet e saj të dashurisë sidomos me gra të njohura të kohës. Biseksualizmi i saj dhe letrat e dashurisë që kanë ardhur deri më sot…

Me zë të thellë, e pamartuar kurrë, Greta Garbo kishte një arsye t’i thoshte botës: “Dua të jem vetëm”. Por, historitë e saj të shumta të dashurisë dëshmojnë të kundërtën: ajo e vuante vetminë dhe nuk donte të ishte vetëm. Larg vëmendjes së shtypit, të të tjerëve, pa dashur të ekspozohet kurrë në shfaqje, mbrëmje apo konferenca shtypi, Garbo zgjidhte të ishte vetëm pasi fshihte jetën e saj sekrete, sepse siç shprehen biografë të saj, “ajo ishte lezbike”. Rrethi i saj shoqëror e dinte këtë fakt, megjithatë kurrë nuk e bënë të ditur. Miqtë e saj e thërrisnin atë “Harry” në mënyrë private. Ajo dinte të donte fuqishëm dhe ishte një grua dominuese.
Greta Garbo (Greta Lovisa Gustafsson), e lindur më 18 shtator 1905, ishte një aktore suedeze, e cila u bë më pas një yll ndërkombëtar dhe ikonë e Hollivudit në periudhën e tij klasike dhe të filmave pa zë. Garbo u nominua tri herë për “Academy Award” si aktorja më e mirë dhe u nderua më 1954 për “interpretimin e saj në ekran të ndritshëm dhe të paharrueshëm” etj. Garbo nuk u martua kurrë, nuk pati fëmijë dhe jetoi vetëm. Për një kohë të gjatë zërat brenda në Hollivud vazhdonin të thoshin se një nga dashnoret e Garbos ishte Salka Viertel, e cila shkroi pesë nga filmat e saj, duke përfshirë “Queen Christina”. Për shumë vite ato shpenzuan verat e tyre së bashku në Zvicër, ku Salka jetonte. Të tjera mikesha të afërt për Garbon ishin Tallulah Bankhead, Gertrude Stein dhe Alice B. Toklas, të gjitha të njohura si lezbike. Në 1927, Garbo u njoh me aktoren Lilyan Tashman dhe të dhënat tregojnë se filluan një marrëdhënie dashurie. Po ashtu ajo pati një marrëdhënie të shkurtër dashurore edhe me Louise Brooks, sipas pohimeve të kësaj të fundit. Por, ajo ka pasur histori dashurie edhe me Mercedes de Acosta. Ato ranë në dashuri me njëra-tjetrën me shikim të parë në 1931 dhe De Acosta shkruan për Gretën në autobiografinë e saj, “Here lies the heart”. Marrëdhënia e dashurisë dhe e miqësisë së ngushtë zgjati për më shumë se 30 vjet. Gjatë kësaj periudhe ajo i shkroi De Acostës 181 letra, kartolina dhe telegrame, të cilat gjenden në “Rosenbach Museum & Library” në Philadelphia. Familja e Garbos ka bërë të mundur që publiku të mund të shohë vetëm 87 prej tyre.
Romancat e përfolura me meshkuj
Romanca e saj më e famshme me një mashkull ishte me aktorin John Gilbert, me të cilin ajo jetoi në intervale jo të rregullta në 1926 dhe 1927. Me të ajo kishte interpretuar në “Flesh and the devil”, “Love” (1927) dhe “A woman of affairs” (1928). Mendohet se Gilbert i propozoi asaj për martesë disa herë. Në 1937, ajo takoi dirigjentin Leopold Stokowski me të cilin u fol se pati romancë ndërsa udhëtonin në Europë. Në ditarin e tij, Erich Maria Remarque diskuton një lidhje dashurie me Garbon në 1941 dhe në kujtimet e tij, Cecil Beaton flet po ashtu për një marrëdhënie dashurie me të në 1947 dhe 1948. Por biografët e viteve të fundit dhe jo vetëm ata, besojnë se Garbo ishte biseksuale dhe se ka pasur marrëdhënie intime me gra, ashtu si dhe me burra.
Martesa sekrete
Kohë më pas, Garbo e la ndriçimin e Hollivudit. Në fillim të viteve 1980, ajo u përfshi thellësisht në marrëdhënie dashurie me një grua europiane. Një verë ato vizituan ishullin e Mesdheut dhe në perëndimin e diellit patën ceremoninë e martesës. Dasma pati vetëm pak miq të pranishëm, u organizua nën dritën e qirinjve dhe me shumë lule. Edward Lozzi e intervistoi Garbon tri herë më 1981 dhe sjell ndërmend: “Njëherë e pyeta znj. Garbo se cilat ishin preferencat e saj seksuale dhe ajo refuzoi të përgjigjej. Por ajo pranoi se miqtë e saj më të ngushtë ishin shumica gra”. Vetë aktorja i tha një miku në vitet e fundit të jetës së saj: “Gratë ishin miqtë e mi të vërtetë, të vetmet që mund të besoj dhe të vetmet që mund të dua. Nëse kjo më bën ‘gay’ apo lezbike, atëherë kështu jam! Gratë janë më të ndjeshme se burrat”. /Panorama.al /KultPlus.com

Festivali i Filmit në Kanë, mund të mos mbahet fare këtë vit

Festivali i Filmit në Kanë nuk do të zhvillohet “në formën e tij origjinale” këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Organizatorët e kanë shtyrë festivalin muajin e kaluar, duke thënë se synojnë ta organizojnë atë në qershor ose korrik të këtij viti.

Por, përmes një deklarate të përditësuar, ata thanë se ky plan “nuk është më opsion”, pasi Franca i ka zgjatur këtë javë masat e izolimit deri më 11 maj.

Organizatorët nuk sqaruan se cilat mund të jenë alternativat, por thanë se shpresojnë “t’i bëjnë publike shpejt”.

“Është vështirë të supozohet se Festivali i Kanës mund të mbahet këtë vit në formën e tij origjinale”, thanë ata.

Festivali prestigjoz i Kanës fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej nga data 12 deri më 23 maj. /KultPlus.com

“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen, është ta krijosh atë”

Thënie nga Abraham Linkoln

Storia e Presidentit Linkoln me të vërtetë që duhet për tu mbajtur në mend. Ai i udhëhoqi popullin e tij në luftën civile, lufta më e kushtueshme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai luftoi për të drejta të barabarta, liri dhe demokraci.

Nga një njeri i madh me një zemër të madhe, ja ku janë 15 thënie për tu bërë një person më i mirë!

1. “Shqetësimi im nuk është nëse Zoti është në anën tonë; shqetësimi im më i madh është se si të jemi në anën e Zotit; sepse Zoti gjithmonë është i drejtë. “

2. “Unë jam një sukses sot sepse kisha një shok që besoi në mua, dhe unë nuk pata zemër ta dëshpëroj atë.”

3. “Kur bëj mirë, ndihem mirë. Kur bëj keq, ndihem keq.”

4. “Unë ec ngadalë drejt të ardhmes time, por kurr nuk kthehem mrapa.”

5.“Ata që kërkojnë të keqen tek një person, do ta gjejnë atë.”

6. “Kur arrini fundin e litarit, lidhni një nyje dhe mbajuni për të.”

7. “Sigurohuni që keni vënë këmbët mirë, pastaj qëndroni të fortë.”

8. “Më mirë të jem askushi, se të jem një njeri i keq.”

9. “Karakteri është si një pemë, dhe reputacioni është hija e saj. Hija është ajo që mendojmë që është, por pema është ajo e vërteta.”

10. “Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen, është ta krijosh atë.”

11. “Unë do të përgatitem, dhe një ditë shansa ime do të vijë.”

12. “Gjërat mund të vijnë tek ata që presin, mirëpo vetëm gjërat që janë lënë nga ata që lëvizin.”

13. “Më jepni 6 orë për të prerë një pemë, dhe unë do të kaloj 4 orët e para duke prehur sëpatën.”

14. “Jam pro të drejtave të kafshëve, dhe të njerëzve. Kjo është mënyra e duhur njerëzore.”

15. “Unë mundohem të bëj më të mirën që di, deri në fund.” /KultPlus.com

Leonardo da Vinçi, titani i Rilindjes së Artë

Leonardo da Vinçi, i cili lindi më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit dhe u shua në moshë 67-vjeçare, më 2 maj 1519 në Kështjellën e Kluks të Ambuazit. E ç’nuk ishte ai; piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Krejtkund ai shkëlqeu duke mbetur në mbamendjen Rilindjes italiane si i paarritshëm. Bashkë me Mikelanxhelon dhe Raffaelin përbën trininë e shenjtë të Rilindjes së Artë, periudhë e cila solli një shkëputje të hovshme cilësore të mjeteve shprehës, forcës së kumtimit, finesës dhe tonit koloristik.

Gjenialiteti i tij është i pakrahasueshëm, atëditë e sot. Historia e artit nuk ka mundur të na e mëkojë një rast të dytë të atij titani që derdhej në njeriun e kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese. Leonardo është konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pa shembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor. Ndër veprat e tij, “Mona Liza” është portreti më i famshëm; “Darka e Fundit”, piktura më e riprodhuar dhe më debatuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi “Njeriu Vitruvian” konsiderohet si ikonë kulturale. Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Konsiderohet si një nga njerëzit më të talentuar që kanë jetuar, dhe metodat e tij janë të pazakonshme për kohën kur jetoi. Për bashkëkohësit e tij mund të servirje vlerësime të ndryshme, gjeni, të mëdhenj, virtuozë, por Leonardo da Vinçi ishte një mjeshtër. /KultPlus.com

Më 15 prill 1980, u nda nga jeta Jean-Paul Sartre, filozof francez ekzistencialist, dramaturg, romancier

Jean-Paul Charles Aymard Sartre (21 qershor 1905 – 15 prill 1980), i njohur si Jean-Paul Sartre (lexo: Zhan-Pol Sartri), ishte filozof francez ekzistencialist, dramaturg, romancier, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik letrar. Ai ishte ndër figurat më të rëndësishme të Filozofisë franceze të shekullit XX.

Biografia
Jeta e hershme dhe mendimi

Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Nëna e tij ishte me origjinë Alsasiane, dhe kushërirja e parë e laureatit të Çmimit Nobel Albert Schweitzer. (Babai i saj, Charles Schweitzer, 1844-1935, ishte vëllai i madh i babait të Albert Schweitzerit, Louis Théophile, 1846-1925).

Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje. Anne-Marie e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtës, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re.

Si adoleshent në vitet 1920ta, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi Essay on the Immediate Data of Consciousness nga Henri Bergson. Ai studio dhe doktoroi në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që ishte alma mater për disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë. Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Më 1929 tek École Normale, ai takoi Simone de Beauvoir, e cila studionte Sorbonne-nën dhe më vonë u bë filozofe, shkrimtare, dhe feministe e njohur. Të dy u bënë të pandashëm dhe partnerë jete, duke filluar një marrëdhënie romantike,[5] megjithëse nuk ishin monogamikë. Sartri krey shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931 dhe më vonë më 1959 tha se secili person francez ishte përgjegjës për krimet kolektive gjatë Luftës algjeriane për pavarësi.

Sartri dhe Lufta e Dytë Botërore

Më 1939 Sartri ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog. Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte— në Nancy dhe më vonë në Stalag 12D, Trier, ku shkroi pjesën e parë teatrale, Barionà, fils du tonnerre, një dramë lidhur me Krishtlindjet. Gjatë kësaj periudhe ngujimi Sartri lexoi Sein und Zeit nga Heidegger, që më vonë bëhet ndikim kryesor në esenë e tij mbi Ontologjinë fenomenologjike. Për shkak të shëndetit të dobët (ai pretendonte se shikimi i dobët ia ndikonte ekuilibrin) Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.

Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Në gusht, Sartri dhe Beauvoir shkuan në Rivierën franceze për të kërkuar përkrahjen e André Gide dhe André Malraux. Sidoqoftë, si Gide ashtu edhe Malraux ishin të pavendosur, dhe ky mund të kishte qenë shkaku i zhgënjimit dhe humbjës së kurajës së Sartrit. Socialisme et liberté më vonë u shpërbë dhe Sartri vendosi të shkruajë, në vend që të përfshihej në rezistencën aktive. Ai shkruajti Qenia dhe Hiçi, Mizat dhe S’ka Dalje, asnjë nga të cilat nuk u cenzuruan nga gjermantë, dhe kontribuoi gjithashtu në revistat letrare legale dhe ilegale.

Pas gushtit 1944 dhe Çlirimit të Parisit, ai shkroi Anti-Semite and Jew (Anti-Semit dhe Hebre). Në këtë libër përpiqet të shpjegojë etiologjinë e urrejtjes duke analizuar urrejtjen ani-semite. Sartri ishte kontribues aktiv te Combat, një gazetë e krijuar gjatë periudhës klandestine nga Albert Camus, një filozof dhe autor i cili kishte besime të ngjajshme. Sartri dhe Beauvoir mbajtën shoqërinë me Camusin derisa ai u largua nga komunizmi, një “schism” që eventualisht i ndau më 1951, pas publikimit të Rebelit. Më vonë, ndërsa Sartri konsiderohej nga disa autorë si pjesë e rezistencëz, filozofi francez, gjithashtu pjesë e rezistencës, Vladimir Jankelevitch kritikoi mospërfshirjen e Sartrit në politikë gjatë okupimit gjerman, dhe interpretoi mundimet e tij të mëvonshme për liri si një përpjekje për ta shfajësuar vetveten. Sipas Camusit, Sartri ishte shkrimtar që rezistonte, jo rezistant që shkruante.

Kur lufta përfundoi Sartri themeloi Les Temps Modernes (Kohët Moderne), një analizë mujore letrare dhe politike, dhe filloi të shkruajë vazhdimisht si dhe të vazhdojë aktivizmin e tij politik. Ai përdori përvojat e tija nga lufta për novelat e tij të famshme, Les Chemins de la Liberté (Rrugët e Lirisë) (1945–1949).

Politika

Periudha e parë e karierës së Sartrit, e përshkruar kryesisht nga Being and Nothingness (1943), i hapi rrugë një periudhe të dytë si aktivist i angazhuar politik dhe intelektual. Punimi i tij i vitit 1948 Les Mains Sales (Duar të Pista) veçanërisht eksploroi problemin e të qenit intelektual dhe “i angazhuar” politikisht në të njëjtën kohë. Ai përkrahu komunizmin, mohoi spastrimet e Stalinit, pati marrëdhënie me një agjent të KGB-së[10] dhe mbrojti ekzistencialicmin, megjithëse asnjëherë nuk iu bashkua Partisë Komuniste, dhe mori një rol publik në lëvizjen kundër Sundimit Francez në Algjeri. Ai ishte ndoshta përkrahësi më i dalluar i Frontit Nacional Çlirimtar Algjerian në Luftën Algjeriane dhe ishte një nga nënshkruesit e Manifeste des 121. Përveç kësaj, ai kishte një dashnore algjeriane, Arlette Elkaïm, e cila u bë vajza e tij e adoptuar më 1965. Ai kundërshtonte Luftën e Vietnamit dhe, së bashku me Bertrand Russell dhe të tjerë, organizoi një gjyq, me qëllim të zbulonte krimet e luftës të SHBAve, i cili u bë i njohur si Tribunali Russell më 1967. Efekti i të cilit ishte i limituar.

Si simpatizant, Sartri kaloi pjesën më të madhe të jetë së mbetur duke provuar të lidhte idetë e tij ekzistencialiste rreth vullnetit të lirë me principet komuniste, që thoshnin se forcat social-ekonomike përtej kontrrollit tonë individual të menjëhershëm luajnë një rol kritikt në jetën tonë. Punimi kryesor i tij në këtë periudhë, Critique de la raison dialectique (Kritikë ndaj Arsyes Dialektike) u shfaq më 1960. Në Critique, Sartri donte ti jepte Marksizmit një mbrojte më vigoroze intelektuale se që kishte pasur deri atëherë; ai përfundoi duke thënë se nocioni i Marksit i “klasave” si një entitet objektiv ishte i rremë. Theksimi i vlerave humaniste në punimet e hershme të Marksit nga ana e Sartrit çuan te një mosmarrëveshje me intelektualin komunist kryesor në Francë në vitet 1960, Louis Althusser, i cili pretendonte se idetë e Marksit të ri ishin tejkaluar vendosmërisht nga sistemi “shkencor” i Marksit të moshuar.

Sartri shkoi në Kubë në vitet e 60ta për të takuar Fidel Castron dhe foli me Ernesto “Che” Guevaran. Pas vdekjes së Guevarës, Sartri e shpalli atë “jo vetëm intelektual por edhe personin më të plotë të kohës sonë” dhe “njeriun më të përkryer të epokës.” Sartri gjithashtu komplimentoi Che Guevarën duke thënë se “ai jetoi fjalët e tij, foli veprimet e veta dhe historia e tij dhe historia e botës ecën pararelisht.”

Duke pasuar masakrën e Mynihut në të cilë humbë jetën njëmbëdhjetë izraelitë të Olimpiadës për shkak të organizatës palestine shtatori i Zi në Mynih më 1972, Sartri tha se terrorizmi “është një armë e tmershme por të varfërit e shtypur nuk kanë tjetër.” Sartri gjithashtu e konsideronte “skandaloz faktin që sulmi i Mynihut duhet të vlerësohej nga shtypi dhe një pjesë e opinionit publik si një skandal i patolerueshëm.”Sidoqoftë, Sartri ishte në përgjithësi përkrahës i Izraelit dhe Zionizmit.

Gjatë një greve urie kolektive më 1974, Sartri vizitoi udhëheqësin e grupimit të Ushtrisë së Kuqe Andreas Baaderin në Burgun Stammheim dhe kritikoi kushtet e rënda të burgimit.[16]
Jeta e vonshme dhe vdekja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1964, Sartri hoqi dorë nga literatura me një përmbledhje të mençur të dhjetë viteve të para të jetës së tij, Les mots (Fjalë). Libri në fjalë është një kundërvënie ironike ndaj Marcel Proust, reputacioni i të cilit kishte mbuluar papritur atë të André Gide (i cili kishte ofruar modelin e littérature engagée për gjeneratën e Sartrit). Literatura, përfundon Sartri, funksiononte ultimatikisht si zëvendësim borgjez për përkushtimin e vërtetë në botë. Ai ishte Laureati i parë që refuzoi Çmimin Nobel, dhe më parë kishte refuzuar çmimin Légion d’honneur, më 1945. Çmimi u shpall më 1964 22 tetor; më 14 tetor, Sartri i kishte shkruar një letër Institutit Nobel, duke kërkuar që të hiqej nga lista e të nominuarve, dhe duke shtuar se nuk do ta pranonte çmimin edhe po ta fitonte, por kjo letër nuk u lexua; më 23 tetor, Le Figaro publikoi një deklaratë nga Sartri ku shpjegohej refuzimi i tij.

Sidoqoftë, Lars Gyllensten, anëtar i hershëm i Komitetit Nobel ka pretenduar në autobiografinë e tij se Sartri kishte provuar më vonë të merrte paratë e çmimit, por kjo nuk i ishte lejuar. Gjoja se filozofi francez i kishte shkruar një letër Komitetit Nobel më 1975 duke i thënë se kishte ndrruar mendje për çmimin, të paktën sa i përket parave. Thuhet se në këtë pikë komiteti e kishte refuzuar kërkesën, duke deklaruar se paratë ishin ri-investuar në Institutin Nobel.

Megjithëse emri i tij u bë i famshëm (si “ekzistencializmi” gjatë viteve 1960), Sartri mbeti njeri i thjeshtë me pasuri të vogël, i përkushtuar aktivisht në çështje globale deri në fundin e jetës së tij, siç ishin grevat revolucionare studentore në Paris gjatë verës së vitit 1968, gjatë të cilave ai u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle intervenoi dhe e liroi atë, duke thënë se “nuk mund ta arrestosh Volterin.”

Më 1975, kur u pyet se në ç’mënyrë do të dëshironte të mbahej mend, Sartri u përgjigj:

“Do të doja që [populli] të kujtonte Nausea, S’ka Dalje dhe Djalli dhe Zoti i Mirë, dhe pastaj dy punimet e mija filozofike, veçanërisht të dytën, Kritikë ndaj Arsyes Dialektike. Pastaj esenë time mbi Genetin, Shën Geneti…Nëse këto kujtohen, do të ishte një arritje e lartë, dhe nuk kërkoj më tepër. Si njeri, nëse një Jean-Paul Sartre kujtohet, do të doja që njerëzit të kujtonin edhe rrethanat e situatës historike në të cilën jetova,…si jetova në të, nga aspekti i të gjitha aspiratave që u përpoqa t’i mbledh brenda vetes.”

Gjendja fizike e Sartrit u përkeqësua, pjesërisht për shkak të ritmit të pamëshirshëm me të cilin punonte (dhe përdorimit të drogës për këtë arsye, p.sh, amfetamina) gjatë shkrimit të Critique dhe një biografie analitike masive të Gustave Flaubert (Idioti Familjar). Asnjëra nuk u përfundua.

Ai vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri.

Sartri prehet në Cimetière de Montparnasse në Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë Marshit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000. /KultPlus.com

Anija ‘Titanik’ dhe sekreti 100 vjeçar me të mbyturit

Titaniku u mbyt rreth 107 vjet më parë, por detajet e kësaj tragjedie detare nuk janë sqaruar plotësisht.

Anija u mbyt më 15 prill 1912, rreth 740 kilometra nga vendi më i afërt, dhe anija e parë për ndihmë arriti një orë e gjysmë pas fundosjes, shumë kohë pasi viktima e fundit u mbyt në det.

Temperatura e ujit ishte 2.2 gradë Celsius, ku mbijetesa njerëzore është vetëm 15 minuta. Nga fundosja e Titanikut, humbën jetën 517 njerëz, ndërsa shanset më të larta për mbijetesë patën udhëtarët e klasës së parë, pasi u shpëtuan 63 për qind e tyre.

Në Titanik ishin 20 barka shpëtimi, të cilat mund të mbanin vetëm 1100 pasagjerë, gjysma e atyre që ndodheshin në bord , por kjo ishte në përputhje me rregullat ligjore të asaj kohe dhe u konsiderua e mjaftueshme.

Pavarësisht nga kjo, vetëm 700 pasagjerë mundën të hynin në barkat e shpëtimit, shumica e tyre ishin gjysmë të zbrazura dhe në pothuajse secilën prej tyre kishte ende vende të lira.

Por çfarë ndodhi me kufomat?

E vërteta në lidhje me këtë është fshehur dhe ata që ishin në dijeni nuk dëshironin të tregonin.

Por, pas kaq shumë vitesh del në shesh e vërteta e hidhur se kapiteni i një prej barkave shpëtuese, Mackay-Bennet, donte të tërhiqte të gjitha trupat nga deti.

Por shpejt e kuptoi se barka e tij ishte shumë e vogël për 334 trupa të gjetur.

Atëherë u mor vendimi që ata do të hidhnin kufomat e udhëtarëve më të varfër, atyre të klasës së tretë, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për ata që janë në klasën e parë dhe të dytë.

Domethënë, mendimi i ekuipazhit ishte se ata kishin të drejta më të mëdha për një varrim dinjitoz. Nga 334 trupat e gjetura, më shumë se njëqind u hodhën jashtë anijes dhe nuk u gjetën kurrë në Oqeanin Atlantik.

E vërteta për atë që ndodhi ishte fshehja e telegrameve sekrete, të cilat më vonë u morën nga historianët nga arkivat e fshehtë. /KultPlus.com

Pjesë nga fjalimi i famshëm i Gandit “To the women of India”

“Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje; është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli.

Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli. A nuk ka ajo intuitë më të madhe? A nuk është ajo më vet-sakrifikuese? A nuk ka ajo forcë më të madhe të rezistencës? A nuk ka ajo guxim më të madh?

Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?

Mahatma Gandhi, pjesë e shkëputur nga fjalimi “To the Women of India”, d4 tetor, 1930

‘Qeshni pak me mua’, Rama publikon vjershë për koronavirusin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sonte ka publikuar një vjershë kushtuar koronavirusit duke e relaksuar paksa një situatë të tensionuar që ka shkaktuar ky virus, shkruan KultPlus

“Pak humor, po jo dhe aq”, ka shkruar Rama në Facebook.

Këtu keni statusin e plotë:

“Pak humor, po jo dhe aq!

Kjo punë vajti tamam kështu, luftë për të shmangur një tragjedi dhe kur tragjedia nis e shmanget, fillon komedia e fajësimit të njëri-tjetrit! E natyrisht çdo ditë e më mirë larg tragjedisë, çdo ditë e më shumë ankesa e kërkesa, ju për mua e unë për ju!

Do kalojë edhe kjo, qeshni pak me mua duke lexuar këtë meme-vjershë, që sapo më erdhi.”

Rumi: Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet

1. “Ndonëse rruga s’merr kurrë fund, bëj një hap përpara dhe vazhdo të ecësh, mos ke frik nga largësia. Në këtë rrugëtim, lëre zemrën të jetë udhërrëfyesja jote kur trupi ngurron dhe është mbytur nga frika.”

2. “Ti erdhe papritur dhe vodhe prej meje tri gjëra. Durimin nga zemra, ngjyrën nga fytyra dhe gjumin nga sytë.”

3. “Jo vetëm ata që flasin të njëjtën gjuhë, por edhe ata që ndajnë të njëjtat ndjenja e kuptojnë njëri-tjetrin.”

4. “I thashë natës, “Nëse je e dashuruar me hënën, kjo sepse kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye dhe më tha, “Nuk është faji im. Kurrë nuk e shoh diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”

5. “Ji i çmendur dhe i dehur me dashuri, nëse je shumë i kujdesshëm, dashuria nuk do të të gjejë.”

6. “Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet.”

7. “Lerë heshtjen të të çojë në bërthamën e jetës.”

8. “Duhet të hesht. Të hesht. Dhe ta lë dashurinë të përshkruajë vetveten: nën një përshkrim të lumtur, të gëzuar që s’merr
fund kurrë.”

9. “Kurrë mos e humb shpresën, zemra ime, mrekullitë burojnë nga e padukshmja.”

10. “Mjaft me fjalë! Hap dritaren në qendër të kraharorit… Lëri shpirtrat të hyjnë dhe të dalin.”

11. “Mund të mësosh të dashurosh vetëm duke dashuruar.”

12. “Nëse fjalët dalin nga zemra, ato do të hyjnë në zemër.”

13. “Duke bërë si më thanë të tjerët, u verbova. Duke shkuar kur të tjerët më kërkonin, humba. Më pas u largova prej të gjithëve, edhe prej vetes. Kështu i gjeta të gjithë, edhe veten.”

14. “Unë nuk jam këto flokë, nuk jam kjo lëkurë, jam shpirti që jeton brenda tyre.”

15. “Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës.”

16. “Bëhu si lulja që ia jep aromën edhe dorës që e këput.”

17. “Detyra jote nuk është të kërkosh dashuri, por të kërkosh dhe të gjesh të gjitha pengesat që vetja jote ka ndërtuar kundër dashurisë.”

18. “Nuk kam fe. Feja ime është dashuria. Çdo zemër është tempulli im.”

19. “Unë buzëqesh si një lule, jo vetëm me buzë, por me tërë qenien.”

20. “Mos u gënje nga bukuria ime, drita që më sheh në fytyrë vjen nga qiriu i shpirtit tim.”

21. “Kur bota të gjunjëzon, je në pozicionin e duhur për t’u lutur.”

22. “Përse po troket në çdo derë? Jepi, trokit në derën e zemrës tënde!”

23. “Ai që vë intelektin mbi dëshirat është më i lartësuar se engjëjt, ai që vë dëshirat mbi intelektin, është më pak se një kafshë.”

– Rumi

MASHT informon shtëpitë botuese rreth lëvizjes

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton shtëpitë botuese të cilat kanë aplikuar në konkursin e MAShTI-t për dorëzimin e dorëshkrimeve për tekste shkollore, se afati për dorëzimin e tyre është data 17 prill 2020.

“Duke marrë parasysh vendimin e fundit të institucioneve të Kosovës për kufizimin e lëvizjes me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID – 19, MAShTI njofton shtëpitë botuese se do t’i asistojë ato në marrjen e lejeve njëditore të qarkullimit me qëllim që ta bëjë të mundur pranim-dorëzimin zyrtar të dorëshkrimeve në përputhje me konditat e konkursit” thuhet në komunikatën e MASHT, njofton Klan Kosova

Me këtë rast, MAShTI kërkon nga shtëpitë botuese që t’i dërgojnë në MAShTI emrat e personave të autorizuar (1 deri në 3 persona për secilën shtëpi botuese) në mënyrë Ministria të kërkojë leje qarkullimi një ditore për këta persona nga MPBAP.

Boksierja pezullon karrierën për t’iu kthyer punës si infermiere

Kim Clavel ka hequr dorezat e boksit përkohësisht, për t’iu bashkuar luftës kundër koronavirusit.

29-vjeçarja po punon si infermiere në Kanada, ndërkohë që përhapja e koronavirusit nëpër botë po vazhdon.

Boksierja e lindur në Montreal ka thënë se nuk është frikësuar t’i bashkohet vijës së parë të frontit dhe se ka vendosur kështu për të “bërë dallimin”.

Clavel ka folur për “Montreal Gazette”. Ajo është pa humbje në 11 përballjet në boksin profesionist dhe kampione në Federatën e Boksit të Amerikës së Veriut, në kategorinë mizë.

“Në aspektin psikologjik është vërtetë e vështirë. Të moshuarit po ndihen të vetmuar. Ata janë të pikëlluar. Disa prej tyre nuk e kuptojnë situatën me Covid – 19. Kështu që ata nuk duan të rrinë në dhomat e tyre. Është vërtetë vështirë. Ne duhet të punojmë si infermiere dhe si psikologe në të njëjtën kohë”, ka thënë boksierja e suksesshme.

“Unë nuk jam e frikësuar. E di që kjo punë ka rrezik. E di këtë, por nuk frikësohem. Dua të ndihmojë njerëzit sa më shumë dhe shpesh harroj veten. Unë gjithsesi i ndjek rregullat dhe e mbroj veten. Kështu i mbroj edhe të tjerët”, ka shtuar Kim Clavel.

Ajo ulet në veturë dhe dëgjon muzikë për t’u relaksuar pas turneve me shumë ngarkesë. Por ajo vlerëson se ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Më është dashur të zgjedh. Kam mundur të qëndroj në shtëpi,të mos bëjë asgjë dhe të pres paratë e qeverisë. Por jo. Kisha lejen për të ndihmuar, më është dashur të ndihmojë dhe po e bëjë këtë. Ndiej se mund të bëj dallimin”.

Shumë prej pacientëve të Clavelit janë të frikësuar dhe ndihen të vetmuar. Kjo e shtynë boksieren të hamendësojë nëse Covid – 19 apo ndjenja e vetmisë është rreziku më i madh për ta.

Dua Lipa mendon se fati i mirë ka luajtur rol kyç në suksesin e karrierës së saj

Këngëtarja 24-vjeçare, Dua Lipa, ishte zhvendosur nga Kosova për në Londër kur ishte e vogël, dhe tani e pranon se kjo shpërngulje kishte qenë një vendim i cili ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.

Duke folur për revistën “NME”, bukuroshja kosovare e cila shquhet si një prej artistëve më të suksesshme në botë, tha: “Jam shumë fatlume. Supozoj kam qenë me fat dhe pa fat, për faktin se prindërit e mi ishin detyruar të zhvendoseshin në Londër nga Prishtina, duke më lejuar të rritem këtu dhe ta ndjekë karrierën time muzikore, të cilën gjithnjë e kisha ëndërruar. Mendoj së më shumë fëmijë të botës duhet të kenë mundësi të këtilla në jetë.”

Pop ylli që vazhdon t’i dominonë toplistat muzikore në botë, në të kaluarën kishte deklaruar se shumë pak prej artistëve të cilët e kanë inspiruar në jetë, e vizitonin Kosovën kur ajo ishte fëmijë.

Ylli i hitit “Break My Heart”, shpjegoi: “Do të dëshiroja shumë që kur isha e vogël dhe jetoja në Kosovë, të kisha mundësi t’i ndiqja koncertet e disa prej artisteve të mia të preferuara si, Pink dhe Nelly Furtado… Por, atëkohë artistë të këtillë nuk vinin në Kosovë.”

Sidoqoftë, me qëllim të ndryshimit të këtij fakti, Dua Lipa dhe babai i saj e kanë krijuar festivalin muzikor, “Sunny Hill”, i cili e mundëson sjelljen e muzikantëve të njohur në Prishtinë, të tillë si: Miley Cyrus, Martin Garrix, Action Bronson, Gashi dhe vet Dua Lipa, transmeton Koha. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Dashuritë e virgjëreshës Madalenë

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Sonte, KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur të shkrimtarit shqiptar Ridvan Dibra, një vepër që trajton fatin e trishtë me plot peripeti të një femre.

Ridvan Dibra është njëri nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, i cili me veprat e tij si ‘Nudo’, ‘Prostitua e virgjër’, ‘Stina e ujkut’ etj, la gjurmë të mëdha tek lexuesit, duke u bërë kështu njëri ndër shkrimtarët më të veçantë shqiptarë.

‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’ mban titullin kjo vepër, e cila fatin e protagonistes e përqendron në tri periudha të rëndësishme jetësorë, në moshat 15, 25 dhe 40 vjeçe. Ku secila periudhë i mëson asaj gjëra të trishta, duke e ballafaquar atë pothuajse gjithmonë me zhgënjim.

Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15- vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tij më të mira na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi.

Ridvan Dibra përplas një femër shqiptare para mendësisë patriarkate, para një shoqërie të keqe e plot dëme dhe para një fati të tmerrshëm që shoqëron protagonisten e kësaj vepre.

Një vepër që vlen të lexohet nga secili. Një vepër që hedh dritë mbi një realitet të hidhur tek shqiptarët. / KultPlus.com

Lansohet “Edukimi në distancë” edhe për moshat 0-6 vjeç

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Save the Children, ka lansuar sot platformën e parë online në Kosovë “Edukimi në distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç.”

Ministrja në detyrë Hykmete Bajrami, me këtë rast tha se MAShTI, pas fillimit të mësimit në distancë për klasat 1-9, menjëherë ka menduar për fëmijët e moshës 0-6 vjeç dhe bashkë me partnerët ka përgatitur këtë platformë që u lansua sot, njofton Klan Kosova

Bajrami theksoi se kjo është mosha më e ndjeshme, të cilën Ministria, do ta ketë në vëmendje të veçantë, sepse duke investuar në vitet e para të jetës së individit, ky investim, do t’i koontribuoj të gjitha niveleve formale të arsimit.

Ministrja theksoi se kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore/javore me fëmijët në kushte shtëpie, ndërsa tha se përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë Platformë, stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore në varësi të moshës së tyre. Prandaj, ministrja Bajrami iu bëri thirrje prindërve dhe edukatorëve që sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi MASHTI-n për punën që po bën në këtë periudhë, dhe tha se kontributi i përbashkët është i nevojshëm në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të mirëfillta të të mësuarit për të evituar pasojat negative të COVID-19.

Ndërsa, Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children në Kosovë, theksoi se si partner i përhershëm i MASHTI-t dhe të gjitha institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, Save the Children iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të lehtësuar edukimin në fëmijërinë e hershme për kategorinë më të ndjeshme, pra të vegjëlit tanë.

Linku i platformës është: edukimihershem-rks.net në të cilin link mund të qaseni.

Titaniku dhe sekretet mbi aksidentin e bujshëm

Njëqind e tetë vjet më parë, ndodhi një nga katastrofat më të famshme dhe më vdekjeprurëse të kohëve moderne.

Në orën 02:20 të mëngjesit të 15 prillit 1912, ajo që vlerësohej si një nga anijet më luksoze dhe të sigurta të ndërtuara ndonjëherë, u përplas me një ajsberg dhe u mbyt në brigjet e Njufaundlendit, duke i marrë jetën më shumë se 1.500 njerëzve.

Anija më e madhe e pasagjerëve në botë deri në atë kohë, ishte në udhëtimin e saj të parë zyrtar, duke udhëtuar nga porti anglez i Sauthemptonit për në Nju Jork të SHBA-së. Reliket e saj do të zbuloheshin pas 73 vjetësh, më 1 shtator 1985 nga Robert Balard dhe Zhan-Lui Mishel. Ndërsa tragjedia ka frymëzuar shumë filma, libra dhe artikuj, anija dhe pasagjerët e saj, bartin ende mbajnë sekrete dhe fakte pak të njohura, që mund t’ju habisin. Ja cilat janë disa prej tyre:

Aktorja amerikane e filmave pa zë Doroti Gibson, ishte një nga afro 700 të mbijetuarit e aksidentit. Ajo luajti në një film të quajtur “E mbijetuara nga Titaniku”, që u shfaq në kinema vetëm 1 muaj pas tragjedisë. Xhirimet për filmin nisën menjëherë pasi ajo mbërriti në Nju Jork. Në film, Gibson mbante veshur të njëjtat rroba, që kishte gjatë fundosjes së Titanikut.

700 pasagjerët e klasës së tretë, duhej të ndanin dy banjo gjithsej. Kjo u pasqyrua me vërtetësi edhe në filmin “Titanik” të vitit 1997 me regjinë e Xhejms Kameron.

Një nga muzikantët e anijes, Rozhe Briku, ishte vetëm 21-vjeç kur vdiq në atë tragjedi. Por ai nuk u shpall zyrtarisht i vdekur deri në vitin 2000. Madje ushtria franceze e quajti atë një dezertor, kur ai nuk u paraqit për të shërbyer në Luftën e Parë Botërore. Shoqata Franceze e Titanikut, u përpoq për vite me radhë të pastronte figurën e tij, por e ariti këtë vetëm 88 vjet pas fundosjes së Titanikut.

Pak para përplasjes, ekuipazhi i anijes ishte detyruar të vëzhgonte me sy të lirë rrugën përpara. Për këtë arsye oficerët e turnit  Frederik Flit dhe Rexhinald Li, nuk mund të shihnin shumë larg. Oficeri i dytë i anijes u zëvendësua në minutën e fundit, dhe harroi t’u dorëzonte çelësin e dollapit ku ndodheshin dylbitë. Çelësi u nxorr në ankand në vitin 2010, dhe u shit për 130 mijë dollarë.

Sipas të dhënave zyrtare të hetimit që u krye po atë vit, ekuipazhi pati vetëm 37 sekonda kohë nga identifikimi i ajsbergut, në dhënien e alarmit, dhe vendosjes së çfarë duhej bërë.

Titaniku u karakterizua që në origjinë nga tragjeditë. Tetë punëtorë vdiqën vetëm gjatë ndërtimit të anijes, por vetëm 5 prej tyre janë të njohur:Samuel Skot, Xhon Kelli, Uilliam Klark, Xhejms Dobin dhe Robert Mërfi. Një pllakatë përkujtimore, u zbulua në ndërtim të tyre në Belfast në vitin 2012.

Njeriu më i pasur në bordin e Titanikut ishte Xhon Astor IV, që besohej gjerësisht se ishte njeriu më i pasur në botë në kohën e vdekjes. Pasuria e tij ishte rreth 150 milionë dollarë, ose 3.5 miliardë dollarë me kursin e sotëm. Ai po kthehej nga muaji i mjaltit me gruan e tij të re, Madlein Fors, 28 vjeçe më e vogël se ai. Trupi i Astor, ishte një nga të paktët që u gjet në ujërat e oqeanit Atlantik. Me vete iu gjetën 2.440 dollarë, ose afro 60 mijë dollarë më kursin e sotëm.

Thuhet se disa burra u maskuan si gra, për të gjetur një vend në varkat e shpëtimit, të cilat ishin vetëm për gratë dhe fëmijët. Madje këto zëra shkaktuan divorcin mes Dikinson dhe Helen Bishop në vitin 1916, që të 2 të mbijetuar nga Titaniku. Edhe të mbijetuarit J.Brus Ismei, Uilliam Karter dhe Uilliam T.Sloper, u përndoqën gjatë gjithë jetës nga të njëjtat aludime.

Të 25 inxhinierët e anijes u mbytën, teksa u përpoqën që të mbanin sa më gjatë anijen mbi ujë. Ata arritën të garantonin funksionimin e energjisë elektrike dhe pompave të shkarkimit, deri kur anija u fundos. Falë tyre, anija transmetoi sinjalin SOS përmes radios deri disa minuta para fundosjes së anijes.

Vëllezërit Edmond dhe Mishel Navratil, ishin 2 dhe 4 vjeç kur u fundos Titaniku. Ata ndodheshin në anije me të atin e tyre, Mishel Sr., që i kishte rrëmbyer nga e ëma. Ai vendosi t’i çonte në Amerikë, me shpresën që gruaja e tij do ta ndiqte, dhe ata mund të nisnin në SHBA një jetë të re.

Babai i tyre, i hipi të miturit në një varkë shpëtimi, dhe nuk u pa më i gjallë. Asnjeri nga fëmijët nuk fliste anglisht. Ata u ndihmuan nga francezja e mbijetuar, Margaret Heis, derisa autoritetet e gjetën nënën e tyre 1 muaj pas katastrofës, falë fotot së tyre të botuar në të gjithë gazetat e botës.

Të paktën 15 dëshmitarë, u betuan se e kishin parë Titanikun të ndahej më dysh, para se të fundosej. Por pretendimi u injorua, dhe hetimi zyrtar nga autoritetet amerikane, arriti në përfundimin se anija u mbyt si një e tërë. Në fakt 73 vjet më vonë kur u gjetën rënojat, u vërtetua se dëshimtarët kishin patur të drejtë:anija ishte e ndarë më dysh.

Shkencëtarët, mendojnë se për shkak të baktereve që e rrethojnë, reliket e anijes mund të zhduken tërësisht brenda vitit 2030.

Njëri nga kuzhinierët e anijes, Çarls Xhauglin, mbijetoi shumë më gjatë në ujë të ftohtë se të tjerët, për shkak të sasive të mëdha të uiskit që kishte pirë. Raportohet se ai i mbijetoi ujërave të akullta të Atlantikut të Veriut për të paktën 2 orë, ndërsa shumica vdiqën nga hipotermia brenda 15 minutave.

Nga mbi 1.500 njerëz që vdiqën, vetëm 4 prej tyre ishin gra nga klasi i parë. Njëra prej tyre ishte Ana Isham, e cila vdiq pasi nuk pranoi ta braktiste qenin e saj. Thuhet se ajo u hodh nga një varkë shpëtimi, kur e kuptoi se nuk mund të merrte më vete qenin e saj. Më pas u spekulua se një grua u gjet e pajetë në ujë duke shtërnguar qenin e saj, edhe pse është e pamundur të dihet me siguri nëse ishte pikërisht ajo.

Nga mbi 1500 viktimat, u gjetën vetëm trupat e 300 prej tyre. Një nga trupat e gjetur u quajt “fëmija i panjohur”. Ai u identifikua gati 100 vjet më vonë si Sidnej Guduin.

Një nga të mbijetuarat më të famshme ishte Molli Braun. Ajo kandidoi më vonë për në Senatin e SHBA, edhe pse nuk fitoi. Braun ishte një aktiviste e të drejtës së grave për të votuar, dhe punoi me Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.

Katastrofës i shpëtuan jo pak njerëz të famshëm. Ata kishin blerë biletat e udhëtimit, por për arsye të ndryshme nuk hipën në të. Mes tyre ishin biznesmenët e njohur Milton Hershej, J.P Morgan, dhe shpikësi italian i radios Gulielmo Markoni.

“Titaniku” i Xhejms Kameron, nuk është filmi i vetëm në lidhje me këtë ngjarje. Nazistët realizuan në vitet 1930 një film propagandistik, që i përshkruan ngjarjet nga një “këndvështrim” gjerman. Filmi u përpoq të fajësojë britanikët për fundosjen e Titanikut. Pretendohej se ata e nxitën anijen të udhëtonte me shpejtësi të plotë, pavarësisht nga paralajmërimet e një zyrtari (imagjinar) gjerman, që gjoja ishte i vetmi person në bord që u shqetësua për jetën e njerëzve.

Skandali i prapaskenave të këtij filmi, është gati i pabesueshëm. Pak para se të vritej në burg se kishte folur kundër regjimit nazist, regjisori i atij filmi kërkoi nga autoritetet një anije me madhësinë e Titanikut, që të mund ta xhironte filmin. Nazistët i siguruan transoqeanikun luksoz gjerman SS Cap Arcona. Por kjo anije u përdorur më vonë si një kamp përqendrimi lundrues, dhe u fundos nga aleatët, duke shkaktuar 2.750 të vdekur./bota/ KultPlus.com

Rita Ora do të performojë në “One World: Together at home, nderohen mjekët në gjithë botën

Artistë të ndryshëm kanë nisur iniciativa të ndryshme për të ndihmuar në luftën kundër virusit që ka kapluar pothuajse gjithë botën, shkruan KultPlus.

Rita Ora, e cila ka qenë mjaft aktive dhe ka ndihmuar shumë në luftën kundër Covid19, sot ka lajmëruar se do t’i bashkangjitet edhe një nisme tjetër për të përkrahur shëndetësinë e të gjithë ata që luftojnë me këtë virus.

‘One World: Together at home. Jam e nderuar të lajmëroj që do t’i bashkohem One World: Together at home, këtë të diele më 18 prill, për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Global Citizen. Së bashku ne do të performojmë për të përkrahur punonjësit e shëndetësisë në gjithë botën, në luftë me Covid-19. Ju lutem rrini në shtëpi”, është shprehur këngëtarja shqiptare në statusin e saj në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

‘S’dua të dëgjoj më ankesa nga njerëz që janë izoluar në vila me pishina’

Ricky Gervais ka kritikuar ata personazhe të famshme që ankohen se janë karantinuar në shtëpinë e tyre me pishinë, në një kohë që stafi shëndetësor i NHS rrezikon jetën për të luftuar me COVID-19.

Gervais, 58 vjeç, tha që pasi të përfundojë kriza e koronavirusit, nuk dëshiron të dëgjojë më njerëzit që ankohen për gjendjen e mirëqenies ose infermierët, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për punonjësit e kujdesit shëndetësor mbrëmjen e së enjtes.

“Bluzat e bardha po punojnë nga 14 orë në ditë dhe nuk po ankohen. Po rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjeve në mënyrë vetëmohuese. Por pastaj sheh ndonjë që ankohet se përse është izoluar në një vilë luksoze me pishinë. Dhe, sinqerisht, nuk dua të dëgjoj më nga këto”, u shpreh aktori.

Komentet e hidhura të komedianit vijnë pas një reagimi të këngëtarit Sam Smith, 27 vjeç, i cili kishte shpërthyer në lot në një foto të publikuar në Instagram, nga izolimi në shtëpinë e tij që kushton 12 milionë pafund. Sam dukej se nuk po e përballonte mirë qëndrimin brenda shtëpisë në mes të pandemisë së koronavirusit. / KultPlus.com

‘Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht’

Nga Rozafa Shpuza

I dashtun ditar,

Nuk e di çfarë ditët asht sot. Shpija e vjetër ka kohë që ia ka mohue vedit luksin e të mbajtunit kalendar, anipse gozhda pret te i njati vend, si dashnorët e vonuem që kanë humbë orën e takimit. Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht. Herë-herë, dal në ballkon me shpresë se orgjitë e qejve të rrugës po shprishin caqet e liridaljeve dhe tellallët, që s’prajnë tue m’përditësue me fatalitetin e kësaj pranvere të mrrolun, po lajmërojnë fundin e çmendunisë.

Shkretia e rrugëve më krijon ankth dhe ma cytë kujtesën me bubrrue ndër përjetime thuejse të fashituna nga kujtesa…

Kujtoj kohen kur fillova punë si mësuese… Kaq e humbun mes malesh ishte shkolla ku nepja mësim, sa frika se edhe mue po vijshin me m’i pre u flokët si mësueses te nji film i kahershem bardhezi, më kishte kaplue e imagjinata jeme endte skenarë nga ma surrealët. Imagjinoja se gogolët po vijshin natën me gërshana të ndryshkuna…, ose po ia behnin në derë të klasës me dritare të kristalizueme prej acarit…, ose po shfaqeshin prej mbas gardhit të mpleksun me nji kod mitik, kur hapëzoja mbi borën e ngrime…

Si me dashtë me davaritë këto vegime të rrejshme, sot mora gërshanën dhe i lash dorë të lirë fantazisë…
I dashtun ditar,
Tash, fytyra tej pasqyrës buzëqesh, e unë nuk di me i diftue pse m’u desht me pritë kaq gjatë… / KultPlus.com