‘Tri gjëra nuk mund të kthehen kurrë mbrapsht: fjala e thënë, shgjeta e lëshuar dhe e kaluara’

Ata kanë patur një peshë të madhe në historinë e botës, ata vazhdojnë të jenë një prej kombeve më të zhvilluar dhe shtëpi e shumë mendimtarëve të mëdhenj. Të sigurtë se nga urtësia e britanikëve kemi shumë për të marrë, ne kemi mbledhur një koleksion me thënit të cilat do t’i mbani mend gjatë.

Si gjithmonë, mos harroni të na thoni cilën pëlqyet më së shumti.

Sa më i vjetër violinisti, aq më i ëmbël roni (që nxjerr violina e tij).

Sëmundja vjen dhe vrap dhe ikën me hap.

Tri gjëra nuk mund të kthehen kurrë mbrapsht: fjala e thënë, shgjeta e lëshuar dhe e kaluara.

Sinqeriteti është politika më e mirë.

Suksesi ka shumë baballarë, ndërsa dështimi është jetim.

Rasti i volitshëm krijon hanin.

Rregullat janë për të tjerët, përjashtimet për mua.

Rruga që çon në zemrën e burrit kalon nëpër stomakune tij.

Pa mund u fitua, lehtë u shpenzua.

Parandjenja është një dritë në zemër.

Njerëzit pushojnë së menduari, kur pushojnë së lexuari.

Njerëzit që duan të të fusin frikën janë më frikacakët.

Njerëzit që lehtësisht nuk i besojnë njëri-tjetrit, nuk i besojnë vetes.

Një orë gjumë para mesnate vlen sa dy pas mesnate.

Nëse 100 vetë të thërrasin i mençur, edhe budallë të jesh, i beson.

NËse nuk mendoni për të ardhmen do mbeteni pa të.

Ngul këmbë me duar të sigurta.

Njerëzit e mençur mësojnë nga gabimet e huaja, të marrët nga të vetat.

Ndize qiriun e atij tjetrit, por mos e fik tëndin.

Në errësirë duhet dritë, në fatkeqësi mend.

Nëse e do dikënd, lëre të shkojë; nëse kthehet është i yti, nëse s’kthehet, kurrë s’ka qenë i yti.

Morali i popujve varet nga respekti që kanë për gratë.

Mëkatet e vjetra lëshojnë hije të gjata.

Më mirë darkë me zarzavate – aty ku ka dashuri, se sa mish demi të pjekur – aty ku ka urrejtje.

Kush nuk ka avizituar Italinë, është gjithnjë koshient për inferioritetin e tij.

Kush thotë se ka mjaft kohë, vonohet.

Lypi një pupël skifterit e do të thotë: “S’kam veç ato që më duhen për fluturim.”

Mali nuk ka nevojë për mal, por njeriu për njeri.

Kur mjekët kanë mendime të ndryshme të sëmurët vdesin.

Kur perënditë duan të na dënojnë, na i plotësojnë të gjithë dëshirat.

Kur s’do ilaçin, duro dhimbjen..

Kush di pak, por atë pak që di, e di mirë, ai di shumë.

Kush do të grindet, e gjen rastin për çdo shteg.

Kush jeton në shtëpi me xhama, të mos gjuajë me gurë.

Kujdesu gjithmonë që pasqyra në të cilën shihesh mos të të bëjë të skuqesh.

Kur çekani është krejt çka ke, çdo gjë të ngjason em gozhdë.

Kur je i sëmurë ther kaun, kur je i shëndoshë të vjen keq edhe për vezën.

Kur krenari dëgjon të lavdërohet dikush tjetër, ndjehet i fyer.

Jeta duhet të jetë si matematika, ku gëzimet duhet të mblidhen dhe të shumëzohen, ndërsa hidhërimet të zbriten dhe të pjesëtohen.

Historia, tejet e shkëlqyeshme, ka jo pak pavërtetësi.

Histori mund të krijojë kushdo, por për ta shkruajtur e shkruan vetëm historiani i madh.

Inati të plak e qeshura të rinon.

Gënjeshtrat janë shumë pjellore, nga një lindin dhjetëra.

Gëzimi i tepruar dhe pikëllimi i tepruar kufizohen me çmenduritë.

Gruan, qenin dhe drurin e arrës, sa më shumë që t’i rrahësh, aq më të mirë bëhen.

Gjashtë orë gjumë – për burrin, shtatë – për gruan, tetë – për të marrin.

Gjithë tiranët dhe të ngjashmit kanë besuar në lirinë, por për vete.

Francezët janë më të mençur se ç ‘duken, spanjollët – e kundërta.

Gabimet e mjekëve mbulohen me dhe, kurse ato të njerëzve të pasur me para.

Edhe arsyet e mira duhet t’u hapin rrugë arsyeve më të mira.

Është e parëndësishme çfarë besimi-feje është njeriu i keq.

Dashurinë falja gruas, besimin falja nënës.

Dituria të bën të qeshësh, kurse pasuria të bën të vallëzosh.

Durimi është aftësia që të dëgjohet deri në fund njeriu i cili ka një mendim tjetër për të njëjtën çështje.

Ç’vlerë ka të nxitosh kur je në rrugë të shtrembër.

Artin e kanë kërcënuar dy përbindësha: artisti që nuk është mjeshtër, dhe mjeshtri – që nuk është artist./shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Konica: Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin

Se Faik Konica ishte intelektual i papërsëritshëm shqiptar, dëshmi janë edhe thëniet e mëposhtme, që u mblodhën, u përkthyen dhe u përgatitën për botim nga Fotaq Andrea.

1. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).

2. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897).

3. Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).

4. E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).

5. Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).

6. Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).

7. Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).

8. Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).

9. Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).

10. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).

11. Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).

12. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).

13. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).

14. Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).

15. Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).

16. Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

17. Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

18. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

19. Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).

20. Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

21. Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

22. Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).

23. Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).

24. Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).

25. Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).

26. Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).

27. Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

28. Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).

29. Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).

30. Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).

31. Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901).

32. Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit (Albania, 15 shtator 1901).

33. E sa ia vlen të vazhdosh një diskutim të rëndomtë përpara një qëndrimi kokëfortë? (Albania, 15 tetor 1901).

34. Është krim të trazosh lumturinë e budallait (Albania, 9janar 1902 f. 24 G).

35. Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi (Albania, prill-maj 1902, G, f. 113).

36. Popujt e Ballkanit janë të gjithë me mentalitet të kufizuar (Albania, shkurt 1903).

37. Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar (Albania 2, 1904).

38. Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti (Albania, nr.2, 1902).

39. Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre. (Albania 1, 1909).

40. Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja, e ashtu u prishet më shpejt organizmi (Albania 5, 1899).

41. Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë (Albania 2, 1899).

42. Kur e nget një njeri, s’ke të drejtë t’i thuash pse më nget (Albania 2, 1899).

43. Frika të bën të thuash broçkulla (Albania 4, 25 qershor 1897).

44. Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë (Albania 3, 1904).

45. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë (Albania, 4 prill 1904).

46. Atje ku nuk ka as forcë të brendshme në lëvizje, as interesa të jashtme në lojë, thashethemet e disa gazetarëve të huaj nuk mund ta çojnë përpara as edhe një jota zgjidhjen e një problemi politik (Albania 5, 1905).

47. Frikacaku i ka tërë karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët (Albania 5, 1905).

48. Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).

49. Padurimi shoqërohet gjithnjë nga dështimi (Albania 5, 1905).

50. Më mirë shtrëngo rripin denjësisht, se sa të pëllasësh nga uria (Albania 5, 1905).

51. Kur tinzarinë e përdor si diplomaci, poshtërsinë si shkathtësi, harbutërinë si forcë, domosdo të duket vetja i papërballueshëm. Por betohem për kamxhikun e Skënderbeut se në rastin më të parë do të bëj të ndërrosh mendim! (Albania 5, 1905).

52. Rrallë mund të jesh profet i keq po qe se parathua vetëm gjëra me shumë gjasa (Albania 6, 1905).

53. Gjërat tepër qesharake zbavitin edhe më budallain (Albania 6, 1905).

54. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive (Albania 6, 1905).

55. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, mosinteresimi dhe butësia (Albana 4, 1906).

56. Besimi është aritmetika e idealistëve, që i bën të besojnë se gjashtë egoizma të forta janë baras me një bujari të plotë (Albana 4, 1906).

57. Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër (Albania 11,1907).

58. Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston (Albania 11, 1907).

59. Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen (Albania 5, 1907).

60.Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve (Albania 5, 1907).

61. Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime (Albania 5, 1907).

62. Koncepti i turqve për qytetërimin kufizohet thjesht në përdorim pomadash dhe në spërdredhje çupëlinash (Albania 12, 1909).

63. Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë (Albania 12, 1909).

64. Fjala e urtë e njohur : “gjithkush sipas shijes së vet”, mbetet përjetësisht e vërtetë (Albania 7, 1905).

65. “Patriotët” e aty-këtushëm janë duke e bërë qesharak patriotizmin me lloj-lloj maskarallëqesh e lloj-lloj teprimesh të shpëlara (Albania 1, 1905).

66. Botëkuptimi i një patrioti të vërtetë : të ngjallësh tek kombit tënd – me shijen e mendimit intelektual dhe me ndjenjë të fuqishme dinjiteti kombëtar – dëshirën e zjarrtë për përparimin e shoqërisë në kuptimin e plotë të fjalës. Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës (Albania 1, 1905).

67. Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).

68. Përsosuria absolute nuk ekziston në një gjuhë që vetëm flitet; u takon shkrimtarëve për ta përpunuar (Albania 5, 1905).

69. Guximi i tepruar shkon gjer në krim (Albania 6, 1905).

70. Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle (Albania 6, 1905).

71. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë (Albania 6, 1905).

72. Nëse shfaqem se mbaj ndonjë rezervë, do thosha se të mbash rezerva në disa raste, do të thotë gjithashtu edhe të lëvdosh. Ndaj një shkrimtari me nivel intelektual dhe talent, paanshmëria është një formë epërsie e nderimit (Albania 4, 1906).

73. Për mungese kulture, besimet, ashtu si dhe idetë, vdesin(Albania 4, 1906).

74. Respekti ndaj pronës private është një virtyt i vështirë, zbatimi i të cilit gjithmonë ka kërkuar ndërhyrjen dhe ndihmën e mirëmbajtësit të rregullit (Albania 4, 1906).

75. Turqit janë një popull oriental e teokratik, nomadë dhe pushtues. Brenda këtij karakteri të katërfishtë ndodhet çelësi i krejt historisë së tyre (Albania 4, 1906).

76. Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori (Albania 4, 1906).

77. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia (Albania 4, 1906).

78. Të lehtësosh mjerimin e kundërshtarëve tanë është një veprim i meritueshëm. Të mbështetësh pretendimet e tyre politike është të bëhesh bashkëfajtor i një pabarazie. Të nxitësh lëvizjen tonë është të ndihmosh për një vepër nga më fisniket: çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër (Albania, vëll XI, 1907).

79. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar (Albania 4, 1907).

80. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm (Albania 2, 1907).

81. Çdo aleancë duhet të bëhet mbi bazën e parimit do ut des (më jep, të të jap) (Albania 2, 1907).

82. Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë (Albania 12, 1909).

83. Shkenca e edukimit është shkenca e së ardhmes, e para nga të gjitha, duke qenë se është motori i krejt të tjerave (Ese për edukimin hyrje ).

84. Individë të dënuar me sëmundje të pashërueshme, të çfarëdo natyre qofshin, nuk ka si ta shohin veten të zhveshur nga një epsh që ndez instinkti (Ese për edukimin).

85. Fëmija qan dhe bërtet për dy arsye: herë ngaqë ka gjumë a vuan, dhe vihet re kollaj duke përdorur këtë apo atë ilaç që i përshtatet, herë ngaqë nuk bën gjë tjetër – falë një instinkti të mrekullueshëm – veçse ushtron zërin e tij. Dhe në këtë rast të fundit duhet lënë të vazhdojë në punë të vet.

86. Një nga detyrat më të vështira të edukimit ka të bëjë me atë që unë do ta quaja pa frikë kundër-trashëgimia. Ashtu sikurse ka kundërhelme, ka në fakt edhe një trajtim psikik për të zbutur apo zhdukur – sipas shkallës së qëndresës që shfaqin– të metat, pasionet apo veset e trashëguara. (Ese për edukimin).

87. Mendimi i lirë nuk i nënshtrohet asnjë sektarizmi; pasioni antifetar, më shumë nga ateizëm, nuk është veçse një devotshmëri zvetënuese. Ateizmi është asnjanësia. (Ese për edukimin).

88. Zotërimi i shumë gjuhëve është për një të njeri të shkretë një armë e mirë dhe municion shumë i mirë… Gjuha njihet vetëm kur mund të mendohet nëpërmjet saj. (Ese mbi edukimin).

89. Edukimi është shkencë, shkenca e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit njerëzor. (Ese për edukimin).

90. Qartësia apo paqartësia, saktësia apo pasaktësia e ideve dhe e mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varen shpesh nga metoda e mirë apo e keqe e të menduarit, ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s’është gjë tjetër veçse si t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore. (Ese për edukimin).

91. Qeni tund bishtin, kurse njeriu duartroket. Është, si tek njëri dhe tek tjetri, një mënyrë për ta bërë të dukshme kënaqësinë që ndjejnë. (Skice metode për t’u duartrokitur).

92. Moda, sot, është drejt artificiales. (Ese për gjuhët artificiale).

93. Gjuha përfaqëson, me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e tij të zakontë për të përcjellë idetë. (Ese për gjuhët artificiale).

94. Tek harrojnë të djeshmen, tek përbuzin të ardhmen, bohemët jetojnë të përditshmen dhe vetëm e tashmja u intereson. (Ese për gjuhët artificiale).

95. Jeta e njeriut nuk është veçse një vijimësi mendimesh dhe veprimesh, të drejtuara qoftë mendimet, qoftë veprimet në një mënyrë të caktuar. (Ese për gjuhët artificiale).

96. Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli… sa më shumë përgjithësohen tek një popull mirësjellja, takti dhe ai qëndrim i përmbajtur për të respektuar rregullat e vendosura në një shoqëri të zhvilluar, aq më shumë pasthirrmat priren drejt zhdukjes. Si të tilla, tek formonin fjalorin e njeriut të egër primitiv, teksa i shohim në përdorim aq të dendur midis popullatave të Afrikës moderne, teksa ende çmohen në letërsinë e racave të ngrohta dhe komunikuese të Jugut, pasthirrmat nuk janë më veç një kujtim disi qesharak ndër shkrimtarët gjithë elegancë të shumicës së vendeve të Veriut. (Ese për gjuhët artificiale).

97. Detyra parësore, detyra e vetme e përkthyesit është të ketë një dije dhe një ndjeshmëri të tillë sa të mund të shohë e të ndjejë krejt mprehtësitë dhe ngjyrimet e tekstit origjinal, të shohë e të ndjejë idenë e autorit, as më lart e as më poshtë, si dhe ta japë përkthimin në mënyrë të tillë që të veprojë në trurin dhe nervat e lexuesit në masë të njëtrajtshme. (Ese për gjuhët artificiale).

98. Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit është stili. (Ese për gjuhët artificiale).

99. Ironia, kjo bimë me aromë të këndshme e të lehtë. (Ese për gjuhët artificiale).

100. Ritmi ndihmon më shumë se gjithçka për t’i dhënë stilit shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Është qarkullimi i gjakut dhe rrahja e zemrës. Andaj dhe është karakteristika më vendimtare e shkrimtarit të vërtetë. / KultPlus.com

Nga e mërkura, qytetarët do të kenë të drejtë lëvizjeje vetëm 90 minuta në ditë

Qytetarët e Kosovës mbi moshën 16-vjeçare, nga e mërkura, (6:00 mëngjes), do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. Se kur do të jetë koha e tyre e daljes jashtë shtëpive do të përcaktohet në bazë të numrave të parafundit të letërnjoftimeve.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media sonte.

Ai si kryesues i grupit punues për menaxhimin e krizës së pandemisë, ku janë edhe tre ministra të Qeverisë në detyrë, ka falënderuar qytetarët për respektimin e vendimeve të deritashme për kufizim të lëvizjes, por ka shtuar se këto, tash kur është rritur numri i të infektuarve, nuk janë të mjaftueshme.

Sipas vendimit të fundit, dalja jashtë shtëpive duhet të bëhet vetëm me arsye, për të kryer ndonjë shërbim apo për furnizim.

Për personat e moshës nën 16-vjeç, po ashtu lejohet dalja për një orë e gjysmë, sipas kriterit të njëjtë, por duhet të jenë të shoqëruar nga një anëtar i familjes së ngushtë.

Për të huajt, do të vlejë e njëjta masë dhe lëvizja e tyre do të përcaktohet në bazë të numrave të parafundit të pasaportave që kanë.

Gjatë qarkullimit me veturë, shoferit nuk i lejohet të bartë më shumë se një pasagjer.

Ministria Vitia ka lutur personat mbi moshën 65 vjeç të mos dalin nga shtëpitë.

“Masat mund të duken rigoroze, por përvoja nga shtetet tjera na ka mësuar se nesër mund të jetë vonë dhe prap do të jemi të detyruar t’i marrim këto masa. Këto javë do të na testojnë durimin jashtë mase, numri i rasteve të rritet dukshëm para se të bjerë në mënyrë graduale, por të vazhdueshme”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, të gjitha vendimet e deritashme që bien në kundërshtim me këto të fundit, do të shduqizohen.

Në konferencë ishin edhe ministrat në detyrë, Rozeta Hajdari e Emilija Rexhepi si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit, Xhelal Sveçla.

Deri më tash, pa të dhënat e sotme, në Kosovë janë 362 të infektuar dhe tetë të vdekur.

Vendimet e tërësishme:

I. Prej datës 15 prill 2020, në orën 17:00, ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komuna, përveç rasteve në vijim:

Për personat fizikë mbi moshën 16 vjeçare lejohet qarkullimi për furnizim me mallra të domosdoshme (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë dhe produkte higjienike) dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare (pagesat, punët bankare), për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar ditor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Për shtetasit e huaj që nuk posedojnë numrin personal të Republikës së Kosovës, orari i lejuar i daljes përcaktohet bazuar në shifrën e parafundit të numrit të pasaportës.

Gjatë qarkullimit të personave fizikë për furnizim me mallra të domosdoshme, nuk lejohet shoqërim nga asnjë person tjetër, përveç në dy raste:

personat me aftësi të kufizuara, të cilët mund të shoqërohen vetëm nga një anëtar tjetër i së njëjtës bashkësi familjare, apo nga një asistent i posaçëm mjekësor dhe

personat nën moshën 16 vjeçare, me kusht që të jenë të shoqëruar nga një anëtar i së njëjtës bashkësisë familjare me të njëjtin shtëpive/banesave.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të COVID-19 ndaj personave në moshë rekomandohen personat mbi moshën 65 vjeçare që të mos dalin nga shtëpia/banesa përveç në raste urgjente dhe të domosdoshme.

Duhet theksuar se shumica e qytetarëve do të kenë vetëm këtë mundësi të dalin nga shtëpia, një herë në ditë, për 1 orë e gjysmë, për të kryer furnizimin me mallra te domosdoshme, si dhe detyrat dhe nevojat financiare.

Megjithatë, për te ruajtur funksionimin e administratës shtetërore dhe veprimtari esenciale të ekonomisë, jemi pajtuar të bëjmë disa përjashtime.

Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë, mundësohet:

  • (1) qarkullimi i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucionet të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I i këtij vendim. Kjo do të bëhet publike dhe do të njoftohen të gjithë ata operatorë ekonomik që ju lejohet një gjë e tillë.
  • (2) transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në pro­dhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpër­ndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim.

Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, lejohet qarkullimi i lirë për “stafin esencial” të institucioneve shtetërore.

Vetëm për të kryer detyrat zyrtare, lejohet qarkullimi i lirë i institucioneve në listën e bashkëngjitur si Aneksi II i këtij vendimi.

Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet dalja nga shtëpia/banesa për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor.

Lejohet qarkullimi për personat fizikë në raste ku është rreptësishtë i domosdoshëm për t’u kujdesur për një ose më shumë të sëmurë, ose për një ose më shumë persona me aftësi të kufizuara.

Ndalimi i qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre nuk zbatohet në raste të viktimave të dhunës familjare. Viktimave të dhunës familjare u lejohet të dalin nga shtëpive/banesave të tyre për të kërkuar strehim në një lokacion alternativ.

Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpitë/banesat për çfarëdo arsye tjetër përveç për arsyet e lartcekura, duke përfshirë takime shoqërore, vizita familjare, etj.

II. Për Komunat që janë në karantinë apo që do të vendosen në të ardhmen bazuar në rekomandimet e IKSHP-së, do të ndalohet hyrje-dalja nga Komunat përveç në këto raste:

Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer transportin e mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në pro­dhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpër­ndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim. Përveç për kryerjen e transportit të mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, hyrje-dalja nga Komuna e nuk u lejohet operatorëve ekonomikë, as punëtorëve të tyre.

Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore, për “stafin esencial” të këtyre institucioneve.

III. Gjatë qarkullimit të lejueshëm sipas përjashtimeve të parashikuara me pikat I dhe II më lart, personat fizikë obligohen:

të mbajnë të mbuluara gojën dhe hundën, përmes maskës, shallit, apo ndonjë mbulese tjetër;

në çdo kohë, të ruajnë distancë prej dy metrash nga persona të tjerë.

IV. Prej datës 14 prill, ndalohet qarkullimi i automjeteve në Komuna përveçse ne disa raste te rralla:

Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomik, mundësohet:

  • (1) qarkullimi i automjeteve për operatorët ekonomik dhe institucionet të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I i këtij vendim.
  • (2) transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në pro­dhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpër­ndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim.

Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore, lejohet qarkullimi i lirë i automjeteve për stafin esencial.

Lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneks këtij vendimi.

Lejohet qarkullimi i automjeteve për personat me aftësi të kufizuara.

Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet lëvizja me automjet për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor.

Përveç në raste emergjente dhe për personat me aftësi të kufizuara nuk lejohet më shumë se një (1) pasagjer në automjet.

Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpia/banesa për çfarëdo arsyeje tjetër përveç për arsyet e lartcekura.

Mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2.000 Euro gjobë për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8.000 Euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro gjobë deri me 1,500 Euro.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe i njëjti vlen deri më 4 maj 2020. Me hyrjen në fuqi të këtij Vendimi, shfuqizohet çdo dispozitë e mëparshme që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij Vendimi.

Ky vendim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë do të rishqyrtohet në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertët dhe ministritë e tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe për të vendosur për vazhdimin ose jo të masave përkatëse.

Ne do të ri-analizojë situatën epidemiologjike çdo ditë dhe në lidhje me secilën pikë dhe, pas konsultave paraprake, mund të ndryshojë, plotësojë apo shfuqizojë masat e përcaktuara.

Ja si do të llogaritet koha e daljes. Shih foton.

Kur Mekuli i shkruante gruas: Ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës

Perdja e robnisë nga Esad Mekuli

Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht.
Jo, as rob, as djall nuk je!
Ti nuk je mallkim për njerëzimin.

Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë…
Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!

Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore,
për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve,
mbarë njerëzimit!

Esad Mekuli
Prishtinë
1949
/ KultPlus.com

Erich Fromm: Mërzia është vuajtja e vërtetë

“Njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun.

Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim?

Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije.

Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë.

Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.”

– Erich Fromm

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Një mijë diej vezullues

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Për sonte, KultPlus ka zgjedhur një roman tashmë të njohur për publikun, mirëpo që vlen të lexohet e rilexohet qindra herë, për arsye të ndryshme të cilat do të përmenden në vijim.

Khaled Hosseini, debutoi fuqishëm në botën e letërsisë me romanin e tij ‘Gjuetari i balonave’, për të vazhduar më pas me romanin ‘Një mijë diej vezullues’ që bashkë me ‘Gjuetarin e balonave’, lanë gjurmë të mëdha në botën e letërsisë dhe jo vetëm.

‘Një miej diej vezullues’, vë fokusin më të madh në botën e gruas, në një botë ku ajo shkelet e diskriminohet, për t’u ndjekur pothuajse gjatë gjithë jetës nga një fat tragjik.

Mariami, që është edhe protagonistja kyqe në roman, është fëmijë jashtëmartesor dhe vuan edhe si fëmijë duke u rritur në një barakë të një fshati të largët, por edhe nga abuzimet e vazhdueshme pas martesës. Laila, e lindur një gjeneratë më pas, është relativisht e privilegjuar në rini, derisa fatet e tyre ndërlidhen kur ajo detyrohet ta pranojë propozimin për martesë që ia bën Rashidi, burri i Mariamit.

Ndër të tjera ngjarjet e këtij romani ndodhin në një periudhë prej 30-të vitesh, ku shpaloset edhe historia e Afganistanit, duke u trajtuar fati i një familjeje, i një miqësie e një besimi që gjen forcë e jetoëson me dashurinë dhe njerëzoren.

‘Shumë nga ne mësuan dhe shijuan mjaft nga “Gjuetari i balonave”. Ka edhe më shumë për të mësuar e shijuar nga “Një mijë diej vezullues”. I fuqishëm, i shkëlqyer, tronditës.’, thuhej në kritikën e The Washington Post Book World

‘Një mijë diej vezullues’ na mëson shumë mbi jetën, mbi vlerën e gjërave më të rëndësishme të jetës si dashuria, besimi dhe miqësia.

Një roman tek i cili është e pamundur të mos gjejmë një pjesë të vetvetes, apo të mos njohim vetveten më mirë pas përfundimit të tij. Një roman që nuk duhet humbur asesi. / KultPlus.com

Apple ofron disa seri televizive falas për karantinë

Kompania Apple ka vendosur të vërë në dispozicion të përdoruesve, pa pagesë, disa përmbajtje audiovizuale që përbëjnë ofertën e saj të programeve me pagesë, Apple TV Plus.

”Këta filma dhe seri TV janë për të shoqëruar njerëzit gjatë karantinës”, theksoi kompania.

Katër seritë televizive në aplikacionin Apple TV, pa pagesë do të jenë “Little America”, “Servant”, “For All Mankind” e “Dickinson”.

Apple nuk është kompania e parë që bën abonime falas. Amazon ka zgjatur periudhën e provës së shërbimit Muzik nga një në tre muaj (si Apple Music), ndërsa Google ofron dy muaj falas në shërbimin e lojërave video Stadia. /atsh

Psikanalizë e romanit ‘Hoteli i bardhë’ nga D. M. Thomas.

Nga Albanikë Ymeri

Me fillimin e shekullit XX, në fushën e psikologjisë klinike, do të krijohet një teori e re, që do të quhet psikanalizë. Kjo teori do të ndërtohet mbi veprat e mjekut vjenez, Zigmund Freud, i cili do të theksojë rolin e fuqishëm të nënvetëdijes dhe kënaqësisë seksuale.

Shumë shpejt, psikanaliza do të zgjojë vëmendje si brenda, ashtu edhe jashtë komunitetit psikanalitik, e sidomos në fushën e artit letrar.  Kjo sepse, Frojdi e shihte letërsinë si shprehje analoge e të pavetëdijshmes, pjesa ku ruhen ndjenjat e ndrydhura të secilit njeri, dhe në rastin e krijuesit letrar, ato dalin në pah përmes veprës së tij.  Andaj, karakteri letrar trajtohej sikur të ishte një qenie jetësore brenda fantazisë, me një kompleks të vetin.

Në anën tjetër, njësoj si letërsia edhe psikanaliza, gjallon përmes aktivitetit gjuhësor, madje që të dyja në rrëfimet e tyre përdorin gjuhë figurative, ligjërim të cilin autori e ringjall vazhdimisht, kurse i sëmuri neurotik është një simbolist pedant i pashembullt.
Prandaj, nuk jemi jashtë fushës së letërsisë, atëherë kur flasim për marrëdhëniet e ngushta të saj me psikanalizën. Madje, ky bashkësundim ndriçon kompleksivitetin e shkrimit letrar, ironinë mes të shkuarës dhe të tashmes, përballjen e realitetit me përpikëri, dhe në fund fare, ndriçon hije-dritat, dëshirat e fshehura të krijuesit letrar.

Kjo ndodh, sepse, autori, njësoj sikurse pacienti, është i angazhuar në një akt interpretimi, që përfshin vlerësimin e përvojës së kaluar.
Pra, interpretimi subjektiv i subkoshiencës, është një epiqendër rreth së cilës sillen ligjërimet e të dyja fushave, dhe kjo gjë vetëm se e forcon lidhjen mes tyre.

Në romanin “ Hoteli i bardhë” prania e së shkuarjes, është nyja që lidhë tërë shenjat diskursive, njëherësh është njëra ndër postulatet kryesore të psikanalizës. Ky pluralizëm diskursiv na e shfaqë të sotmen, qoftë individuale apo kolektive, si trashëgimi e së kaluarës. Por çfarë qëndron në mes këtyre dy periudhave kohore?!

Në qendër të kësaj lidhjeje të së shkuarës me të përjetuarën është kujtesa. Dhe, pikërisht përmes nocionit të kujtesës, ne futemi brenda botës të psikanalizës.
Psikanaliza, si metodë terapeutike, zhvillohet përmes dialogut që bëhet në mes mjekut dhe pacientit. Figura madhore e Frojdit, analizon pacienten tonë, Frau Anën, e cila  vuan nga një sërë simptomash histerike: nga astma, nga dhimbjet misterioze në gjoks dhe në vezoren e majtë, halucinacione të katastrofës, zjarrit dhe përmbytjes.

Vetë shënjimi i saj, si histerike, arsyeton shikimin në retrospektivë. Prandaj Ana, gjurmon në hirin e vdekur të jetës së saj, dhe zbret deri tek kujtimet më të largëta të fëmijërisë, sepse çrregullimet histerike duhen kërkuar në intimitetin e jetës psikoseksuale të pacientëve, dhe se simptomat histerike janë shprehje e dëshirave të tyre me të fshehta dhe të larguara..

Fillimisht, analiza drejtohet rreth historisë familjare të Anës, me ç’rast kuptojmë mungesën e prindërve gjatë fëmijërisë së saj. Babai një biznesmen, i dhënë shumë pas punës, harron dashurinë edhe ndaj gruas edhe ndaj familjes. Nëna, një e krishterë, egoiste, e cila mendon vetëm për përmbushjen e epsheve, dhe tradhton bashkëshortin, me burrin e motrës binjake.

Prandaj, simptomat e zjarrit dhe ankthit, që paraqiten tek Ana, lidhen me këtë fakt të turpshëm të nënës. Sepse, ajo vdiq, si pasojë e zjarrit që kaploi hotelin, në të cilin ndodhej bashkë me dashnorin e saj.

Por, gjurmimi në të fshehtat e të pavetëdijshmes tregonte diçka tjetër. Zjarri, ndoshta, kishte të bënte më shumë me xhelozinë e pavetëdijshme të Anës, që nëna e saj ishte në gjendje të ndërmerrte çdo hap për të realizuar dëshirat seksuale, por edhe për të sakrifikuar çdo gjë për dashurinë e saj. Një dëshirë dhe sakrificë, që Ana pareshtur ia ka mohuar vetes.

Moslumturia në familje, që e përcollën Anën, edhe pas vdekjes së nënës dhe mospërmbushja e saj në aspektin  profesional, e sidomos në atë seksual, ndikoi që ajo të kishte çrregullime në sferën psikike, sepse, cilido që të jetë rasti apo simptoma që zgjedhim si pikënisjeje, më në fund hyjmë pashmangshmërisht në fushën e përvojës seksuale.

Një traumë të madhe, Ana e kishte pësuar, atëherë kur ishte fare e vogël. Kjo kishte të bëjë me skenën e shtëpisë verore, ku kishte parë nënën, tezen dhe burrin e saj, që të tre bashkë, në një marrëdhënie intime. Si e vogël që ishte, arriti që ta largonte këtë pamje, përmes lojës.
Ndërsa përvoja e parë seksuale, që Ana e kishte përjetuar kur ishte 15 vjeçe, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e saj. Ajo e kishte përjetuar këtë akt, kur ishte “zënë rob” nga marinarët: “Më detyruan forcërisht të beja seks oral me ta duke thënë se, si një çifute e ndyrë, vetëm për këtë gjë isha e mirë, për..”

Por, sipas teorisë frojdiste, rrënjët e histerisë së Anës, qëndronin në ndrydhjen e ndjenjave të homoseksualitetit. Zgjedhje seksuale kjo, në të cilën kishte ndikuar prania e shumë femrave në jetën e saj, pas vdekjes së nënës.

Mirëpo, çdoherë gjatë marrëdhënieve seksuale, Anës i kujtohej përvoja e saj e parë, dhe ofendimet e tyre rreth përkatësisë fetare. Prandaj, ajo, assesi nuk mundej të jepej plotësisht pas qejfit, ngaqë e dinte që ka njerëz që vuajnë” në anën tjetër të kodrës.”

Dhe, ai që do të vuante, mbas kodrës, do të ishte fëmija i saj pikërisht, sepse në venat e tij do të kishte gjak hebreu. Kjo shpjegon, se dhimbjet e Anës, të cilat i ndiente në vezoren e organit riprodhues, vinin nga frika se do të mbetej me barrë.

Ndërsa dhimbjet, në gjirin e majtë, simbolizonin mungesën e nënës, dashurisë së parë dhe të vërtetë të fëmijës, pasi gjiri është objekti i parë i dashurisë, që fëmija ka ndaj nënës.  Andaj, për të ikur nga ky realitet i brishtë, Ana gjeti strehim tek sëmundja, si një ngushëllim për fatkeqësitë që i kishin ndodhur.
Në anën tjetër Liza, përveç që është krijuar si karakter histerik nën emrin e Anës, është krijuar edhe si subjekt gjinor, por edhe historik.
Të ndalemi, fillimisht tek shënjimi i Lizës si femër. Nëse këtij shënjimi, i qasemi përmes poetikes së postmodernizmit, kuptojmë se autori është fokusuar në eks-centriken, pra në një subjekt lokal, i cili konteston qendërzimin. Kjo do të thotë, se femra është sjellë në qendër, dhe qendra në skaje.

Prandaj, për tu paraqitur si e tillë, si femër në qendër, ajo duhet të mposhte praninë dhe mbisundimin mashkullor. Andaj në kapitullin Qendra e kurimit, ndodh shpalosja e  “tradhtisë” së femrës përballë mashkullit, e Lizës përballë Frojdit. Ky deshifrim i të gjithë atyre interpretimeve të gabuara nga ana e Frojdit, nuk është realisht një kërkim falje ndaj tij, por bëhet për të lënë gjurmë në shijimin e subjektivitetit vetjak.

Mirëpo, në formimin e Lizës, përveç nxitjeve biologjike, kanë ndikuar edhe rrethanat sociale, pasi që interpretimet e tyre (Lisës dhe Frojdit) janë të ndryshme, sepse tashmë socialistë janë të formuar si mashkull dhe femër..
Prandaj ajo, pikë së pari, është portretizuar si paciente e Frojdit, sepse ndrydhja dhe turpi nga ndjenjat seksuale, është patologji tipike femërore. Fantazitë dhe dëshirat seksuale, të një femre, atëherë kur ajo braktis ombrellën e moralit, dhe lëshon veten drejt përmbushjes së erotikës, paraqiten në dy kapitujt e parë të veprës.

Nga kjo që u tha, del që, Liza zbërthen tërë termat teorik, si feminizëm, femërore dhe feminist, sepse edhe tekstualisht ajo është produkt i leximit femëror. Një lexim i tillë, na dërgon te përkufizimi i gjinisë femërore, si gjini me impulse të fuqishme të kundërthënies.
Dhe, a nuk është, përgjithësisht, Liza, një karakteri i tillë?!…

Brenda këtij huazimi të diskurseve, na ka mbetur edhe ai i historisë, sepse, ky roman tregon për mënyrën se si ne prodhojmë kuptimin në fiksion dhe histori.
Por çfarë është tamam historia?, Cilat janë raportet e saj me realitetin dhe fiksionin?

Në këtë kontekst, e kaluara shpaloset si trashëgimi historike, por kjo nuk është rikthim nostalgjik i së shkuarës, është më tepër rivizitim kritik mbi historinë dhe dijet historike, që në postmodernizëm quhen metafiksione historiografike.
Pra, nga historia private kalojmë në historinë e shoqërisë, barrë e cila i është dhënë përsëri Lizës, protagonistes kryesore.
Kjo ndodh, për shkakun se, Liza, është çifute, pjesëtare e një populli të persekutuar historikisht, andaj ngjarjet, në këtë rrafsh diskursi, lidhen me Holokaustin.

Një pjesë e referencave, të përdorura në roman, me të vërtetë janë historike, siç janë disa skena (kreu i pestë i veprës), të lidhura drejtpërdrejt me Baby Yar-in, urdhri për t’u mbledhur të gjitha çifutet, prania e Dina Proniçeva, si e mbijetuara e vetme e asaj tragjedie.
Vagoni i fjetjes, përshkruan gjumin e përjetshëm të Lizës, dhe sprovat e saj për të shpëtuar nga vdekja.  Ajo nuk mund t’i shpëtonte fatit të trashëgimtarëve të saj, ajo ishte vetëm një, nga gjysmë milioni i hoteleve të bardha në Baby Yar. 

Dhunimi i Lizës, me bajonetë në prag të vdekjes, e shpërfaq triumfin patriarkal, të mashkullit ndaj femrës, luftën mes erosit që krijon jetën dhe tanatosit, që e shkatërron atë.Por, romani Hoteli i bardhë, lejon edhe një tjetër lexim, i cili përmbys çdolloj besimi, sipas të cilit racionaliteti  patriarkal dhe kujtimi i së shkuarës janë çelësa të të kuptuarit: na duhet dija mbi të ardhmen.

Dhe, si shpaloset kjo e ardhme tek romani “ Hoteli i bardhë”. Shpalose përmes një sinkronimi kompleks te metaforave.
“Hoteli i bardhë” ndjek një formë krijuese, e cila i nënshtrohet statusit të ironisë, dhe prek kufijtë e parodisë. Në këtë lojë figurash, sigurisht që ka vend edhe për metaforën. Ajo është vendosur që në titullin e romanit, si një paraftesë për të hyrë në botën metaforike të psikanalizës, dhe jo vetëm.

Të fillojmë që nga struktura e romanit. Ajo qëndron në një përputhje të brendshme me përmbysjen strukturore të rendit kronologjik, e cila i përgjigjet fantazisë së një neurotiku. Të gjashtë kapitujt, duke anashkaluar këtu pjesën e Prologut (e cila përmban shkëmbime të letrave mes personaliteteve të psikanalizës), nuk përfillin një organizim kronologjik. Këtë e dëshmon edhe kapitulli i fundit i veprës, i cili vë në dukje përfundimin arbitrar të romanit tradicional.

Ndërsa narracioni, pothuajse gjatë tërë veprës, e sidomos në 4 – kapitujt e parë, është i tejmbushur me nuanca metaforike, duke përcjellë kështu një tekst të fuqishëm psikanalitik.
Në fillim të veprës, na shfaqen dëshirat dhe fantazitë seksuale të Anës, përshkruar me një të folur metaforik të neurotikut, janë pjesë të cilat, e parashikojnë tërë strukturën tjetër të veprës.

Kështu, “Hoteli i bardhë” është metaforë e organit gjenital të femrës gjatë aktit seksual, zjarri dhe përmbytjet, metafore e frikës nga vdekja, ndërsa treni simbol i rrugëtimit drejt saj, yjet dhe liqeni, metaforë e gëzimeve, bukurive të jetës, që Anës, iu mohuan, pasi ishte çifute. Ky çrregullim në sferën e seksualitetit, bën që Ana, çdo person të jetës së saj, ta zbërthen përmes prizmit të erotikës, duke mos anashkaluar as personalitetin e vet, të cilin e she si një karakter të dyfishtë, dhe portretizohet si prostitutë pensioniste.

Prandaj mund të themi që në këtë sinkroni metaforash (herë letrare dhe herë psikoanalitike) trajtohet ekzistenca e njeriut brenda dy ekstremeve, brenda lindjes dhe vdekjes, brenda luftës mes Erosit dhe Tanatosit.
Me zhvillimin e terapisë, vazhdon deshifrimi dhe thellimi përmbajtjesor i metaforave. Sepse, tashmë Hoteli i bardhë, nuk paraqet vetëm një akt seksual, por do të simbolizojë mitrën e nënës, strehën e siguritë të Anës:
“Dëshmia e Frau Anës shprehte dëshirën e saj për t’u kthyer te streha e sigurisë, te Hoteli i bardhë – ne të gjithë kemi ndenjur aty – në mitrën e nënës.”

Dhe ja, histeria fillonte pikërisht këtu, nga vetëdija e Anës, se ajo nuk do të mund të ishte një strehë për fëmijën e saj të ardhshëm. Prandaj simptomat histerike të Anës, ishin të lidhura me frikën e mbetjes me barrë, e rrjedhimisht edhe nga e ardhmja, sepse fëmija është simbol i së ardhmes:
“… shkaku i dhimbjes që ajo ndien si qenie njerëzore nuk qëndron në të shkuarën e saj individuale (por universale) psikologjike, por më parë në ardhmërinë kolektive të saj, si hebre në momentet e caktuara të historisë.” 

Prandaj, vetëm kur gjendet përballë me vdekjen, në fushën e Babi Yar-it, ajo arrin të kuptojë se pse s’ka dashur të ketë kurrë fëmijë, ndonëse kishte një instinkt të fortë amësie.

Kësisoj, kuptojmë se historia e saj ishte e lidhur, me të ardhmen dhe jo me përvojat e së kaluarës, siç pretendon metoda e psikanalizës.
Por, leximi metaforik vazhdon edhe në kapitullin e fundit, që risjell peizazhe të koduara dhe ndërtohet sipas logjikes së ëndrrave.
A është ky kapitull, një metaforë e jetës brenda mitrës së nënës, ku gjithsecili nga ne është në pajtim të plotë me të tjerët?! Është parajsa apo purgatori?! Apo ndoshta, ky kapitull hedh dritën përfundimtare, mbi histerinë e Anës, dëshirën e saj për të mos lindur as si vajzë dhe as si çifute?!  –

“Por krah për krah me këtë dëshirë, ishte një tjetër dëshirë që jo vetëm nuk ishte me kontradikte, por e forconte më shumë mendimin tragjik që ajo të mos kishte lindur kurrë as si vajzë e as si Ana.”
E rëndësishme është se këtu, asgjë nuk mund të përcaktosh me saktësi: as Metaforën, as Kohën dhe as Vendin. Sepse një përfundim i tillë postmodernist, hedh poshtë çdo përfundim!
Prandaj, natyrshëm lind pyetja: Kush ishte në kërkim të heroinës, gjatë gjithë kësaj kohe?

Nëse, vepra letrare është parë si analoge e fantazisë dhe, në këtë mënyrë, është trajtuar si pasqyrë e një shkrimtari të caktuar, atëherë në kërkim të heroinës nuk është Liza, por vetë autori.
Liza, është vetëm një pasqyrë, në të cilën është reflektuar gjithë bota e pavetëdijshme e autorit, prandaj në vend të “ishte Liza”, të e lexojmë “ishte Thomasi”. Kjo analogji e brendshme, personazh – autor, mundëson zbërthimin e individualitetit real të Thomasit, tashmë jo si krijues por, si individ.

Pra, rasti i histerisë, ishte vetëm një maskim i Thomasit, që siç duket ai e shfrytëzoi, për të zbritur në kujtimet e fëmijërisë. Gjithë ky udhëtim, për të gjetur strehën e vërtetë të jetës, e ka rikthyer gjithmonë tek heroina e parë e tij, tek nëna.

Kjo shpërfaqë, atë që e njohim si kompleksi i Edipit, kur fëmija, djali dashuron seksin e kundërt brenda familjes, nënën. Dashuria e madhe e tij ndaj nënës, dhe humbja e heroinës kryesore, ka ndikuar në tejhuazim të ndjenjave ndaj seksit femëror.
Prandaj, ndjenjat e homoseksualitetit që i vishën Lizës (sipas teorisë së Frodjit), nuk tregon asgjë tjetër, përveç lakmisë së tij, për të pasur nënpushtet, sa më shumë hotele të bardha. Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe vdekjen e Lizës. Mashkulli mbisundon mbi femrën, jo vetëm nga dëshirat erotike të tij, por edhe nga nxitjet egoiste dhe ambicioze.

Por, nëse depërtojmë edhe më thellë, shohim se ai flet gjithmonë, me zërin e femrës, që është heroina e tij. Kjo do të thotë, se në personalitetin e tij, femra është ana tjetër, është zëri kumbues i kundërshtive shpirtërore, ndoshta edhe i kundërshtive transgjinore! Sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe, gjithë këto përpjekjeje për të menduar dhe folur si femër, për t’u futur në botën e saj!  Dhe këtë ai, nuk e konsideronte aspak të vështirë, sepse tashmë uni i tij, e kishte çelësin e kësaj bote, të fshehur pikërisht në nënvetëdije.

Kjo tregon shumë qartë se prania e femrës, si në jetën psikike dhe jashtë saj, është e domosdoshme për Thomasin, si individ. Kjo domosdoshmëri tregon vetën e dytë të tij, e që është femërorja. / KultPlus.com

Jürgen Habermas: Kura e vetme është solidariteti

Intervista e filozofit gjerman Jürgen Habermas, i është dhënë Nicolas Truong për Le Monde

Jürgen Habermas, çfarë zbulon kjo krizë shëndetësore globale, nga pikëpamja etike, filozofike dhe politike?

Nga pikëpamja filozofike, më bën shumë përshtypje fakti që pandemia po i detyron të gjithë drejt një reflektimi që më parë e bënin vetëm ekspertët. Sot të gjithë qytetarët po mësojnë se si qeveritë e tyre duhet të marrin vendime, duke i ditur mirë limitet e dijeve të vetë virologëve me të cilët konsultohen. Rrallëherë, terreni i veprimit në kushte pasigurie, ka qenë ndriçuar në mënyrë kaq të fortë. Ndoshta kjo eksperiencë e pazakontë do të lërë shenjë në ndërgjegjen e jetës publike.

Po cilat janë sfidat etike?

Shoh mbi të gjitha dy raste të mundshme që shkelin paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor, që Kushtetuta gjermane e garanton në preambulën e saj dhe e shpall në nenin e dytë ku thuhet që “Çdo person ka të drejtën e jetës dhe të integritetit fizik”. I pari ka të bëjë me të ashtuquajturin triazh, tjetri me zgjedhjen e momentit të duhur për ndërprerjen e distancimit social. Rreziku i mbingarkesës së reparteve të terapisë intensive në spitale, që u vu re në Itali dhe të cilit i tremben në vendin tim, të kujton skenarët e mjekësisë në katastrofat që zakonisht ndodhin vetëm gjatë luftërave. Nëse numri i pacientëve të shtruar është më i lartë se sa ai i strukturave të kujdesit shëndetësor të disponueshme në repartet e terapisë intensive, mjekët do të duhet që pashmangshmërisht të marrin një vendim tragjik, sepse është në çdo rast imoral. Prej ku lind tundimi për të hequr dorë nga parimi i barazisë së trajtimit të çdo qytetari, pavarësisht nga statusi, origjina, mosha e të tjera, dhe në rastin tonë, për të favorizuar të rinjtë kundrejt të moshuarve. Kjo gjë mund të kërkohet nga vetë të moshuarit, në një akt altruizmi moralisht të admirueshëm. Po cili mjek do të “peshonte” “vlerën” e një njeriu përballë “vlerës” së një tjetri, duke u bërë kështu zot i jetës dhe vdekjes?

Gjuha e vlerave nxjerrë nga ekonomia shtyn drejt “kuantifikimit objektivizues” që varet nga perspektiva e vëzhguesit. Por kjo perspektivë nuk mund të jetë mënyra për të trajtuar autonominë e njerëzve: kur i drejtohem një personi të dytë (ti, ju), vetëvendosja e tjetrit ose duhet të respektohet, ose të mohohet, domethënë ose të pranohet ose të injorohet. Etika profesionale mjekësore është në përputhje me Kushtetutën dhe ndjek parimin sipas të cilit një jetë njerëzore nuk mund të vihet përballë një tjetre. Në fakt, parashikon që, në rastet kur detyrohet të marrë vendime tragjike, mjeku duhet të gjykohet ekskluzivisht nga dispozitat shëndetësore që lidhen me shanset më të mëdha për sukses të trajtimit klinik.

Dhe rasti tjetër?

Vendimi për momentin e duhur kur duhet përfunduar izolimi – një masë e kërkuar moralisht dhe ligjërisht për mbrojtjen e jetës – mund të bjerë ndesh, për shembull, me vlerat e përfitimeve. Politikanët duhet t’i rezistojnë “tundimit utilitarist” për të peshuar dëmet ekonomike apo sociale nga njëra anë, dhe vdekjet që mund të shmangen, nga ana tjetër. Duhet të pranohet risku i mbingarkimit të sistemimt shëndetësor, dhe si pasojë të rritet përqindja e vdekshmërisë, për të rivënë sa më shpejt në lëvizje ekonominë dhe reduktuar kështu, edhe mjerimin social që shkaktohtet prej krizës ekonomike? Në këtë pikë, rekomandimi specifik i Këshillit gjerman të etikës ka mbetur fatalisht i paqartë. Të drejtat themelore u ndalojnë organeve shtetëore që të marrin çfarëdolloj vendimi, që të pranojë mundësinë e vdekjes qoftë edhe të një njeriu të vetëm.

A nuk ekziston rreziku që kjo gjendje e emergjencës të transformohet në një rregull “demokratik”?

Natyrisht, kufizimi i një numri të madh të lirive të rëndësishme duhet të mbetet një përjashtim rreptësisht i izoluar. Por ky përjashtim është në vetvete, siç e thashë, i kërkuar nga e drejta parësore për mbrojtjen e jetës dhe integritetit fizik. Në Francë dhe në Gjermani nuk ka arsye për të vënë në dyshim besnikërinë ndaj Kushtetutës, nga ana e atyre që qeverisin. Nëse Viktor Orban e rrok krizën e Covid19 si një shans për t’i mbyllur përfundimisht gojën opozitës, kjo duhet të shpjegohet me një rrugëtim të gjatë autoritar të regjimit hungarez, që Këshilli Evropian dhe mbi të gjitha kristian demokratët evropianë e kanë parë me përkëdheli.

Për çfarë duhet BE, nëse në kohën e Koronavirusit, nuk demonstron që evropianët janë bashkë dhe luftojnë për një të ardhme të përbashkët? Kështu keni shkruar në një apel kolektiv në Die Zeit, në 2 prill.

Unë dhe miqtë e mi e ngritëm këtë pyetje për qeverinë tonë: ia drejtuam Kancelares dhe ministrit të Financave të SPD. Të dy më kanë lënë të shastisur. Vazhdojnë me kokëfortësi t’i përmbahen menaxhimit që i kanë bërë krizës në favor të Gjermanisë dhe vendeve veriore, pa e vrarë mendjen për kritikat e vendeve jugore. Pjesa më e madhe e politikanëve gjermanë i druhet reagimit të zemëruar të zgjedhësve gjermanë, në rast se dorëzohen. Ekzistojnë të dhëna empirike që tregojnë se si qeveria jonë, me këtë nacionalizëm “i ka kërkuar shumë pak” popullsisë së vet. Nëse Macron ka bërë një gabim në marrëdhëniet e veta me Gjermaninë ka qenë nënvlerësimi, qysh në krye të herës, i ngurtësisë së prirjeve nacionaliste të Angela Merkelit, e cila ka cilësi të tjera.

Kina ka qenë epiqendra e pandemisë dhe duket se tani kjo epidemi favorizon fuqinë e saj në Evropë dhe në botë. Bëhet fjalë për një zhvillim gjeopolitik, një rilançim i supremacisë së saj politike dhe ekonomike?

Kjo tendencë po ndodh prej kohësh dhe është duke përshpejtuar një ndarje të Perëndimit, që nisi me presidentin e luftës Bush. Ndaj do të ishte edhe më e rëndësishme, sikur Evropa të shihte tek tronditja e koronavirusit, një shans të fundit dhe të mobilizohej për të vepruar në mënyrë solidare.

Kjo krizë shëndetësore globale rrezikon të rrisë ndikimin e forcave nacional-populiste, të cilat që tani e kërcënojnë Evropën. Si mund t’u rezistojmë këtyre forcave?

Kjo pyetje nuk varet nga situata aktuale e emergjencës dhe duhet të gjejë një përgjigje të ndryshme në çdo shtet. Në Gjermani, e kaluara naziste na ka afruar me më shumë forcë kundër rishfaqjes së mendimit ekstremist të djathtë. Për këtë arsye parti dhe qeveri mundën që, nën antikomunizmin dominues, të mbyllnin një vesh ndaj të djathtës. Që nga kohët e Adenauerit – dhe ribashkimit me Gjermaninë Lindore – ky antikomunizëm fasadë u ka mundësuar aytre që të fshehin komponentët fatalë të të kaluarës së tyre politike. Ndërsa në Francë, ekstremizmi i djathtë ishte i organizuar prej kohësh, por me rrënjë ideologjike të ndryshme nga tonat: nuk është etno-nacionalist, por statalist. Tani edhe një pjesë e të majtës franceze, që në origjinë është universaliste, po zhytet në urrejtjen ndaj BE.

Çfarë narrative të re duhet të krijojnë evropianët për të ringritur në fluturim një bashkim evropian që nuk  e deshën dhe nuk u koordinua kurrë?

Kundër pakënaqësisë nuk vlejnë argumentat dhe fjalët e bukura. Duhet vetëm aftësia për të përballuar dhe zgjidhur së bashku problemet, nga ana e bërthamës së fortë të kontinentit, që është Gjermania dhe Franca. Vetëm në një “ring” të tillë do të bëhej realiste të luftoje për shtypjen e një politike botërore të dominuar nga neoliberizmi. Sot po e kuptojmë që, kur shfaqet nevoja, vetëm shteti mund të na ndihmojë./bota.al/ KultPlus.com

“Ka filluar t’më sosen nervat, të marrë fund ky pak durim”

Poezi nga Sinan Kajtazi

Si kafshë në dry u mbylla,
Në kopshtin tim, zoologjik.
Nga dritarja më vjen pak dritë,
Pak rreze dielli, mbi janxhik.

Rrobat njësoj më duken,
I vesh e i zhvesh, pa nxitim.
Ka filluar t’më sosen nervat,
Të marrë fund ky pak durim.

Tek sa shof diku në lajme,
Se të gjithë po kërkojnë një kurë.
Vizita e përqafime m’u ndaluan,
Tek të dashurit që i kam sëmurë.

Akrepat lëvizin ngadalë,
Aty dikun tek një orë dore.
Rruga më e gjatë që bëj këto ditë,
Është në market a barnatore.

Në rrugën përballë meje,
Ka shumë pemë që gjelbërojnë.
Njerëz pak, më tepër makina,
Që nuk e di, ku në dreq shkojnë.

Shpesh i shoh e i përcjell,
Si dikur kur isha fëmijë.
Nga oborri i tim eti,
I numëroja me saktësi.

Sa e çuditshme u bë kjo kohë,
Asnjeri nuk e merr vesh.
Një gjë më duket e kam të qartë,
Që kemi ikur të gjithë për lesh…

114 vjet nga lindja e Becket, ai që e çliroi teatrin nga konvencionet

Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.

Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin rroku të hyjshmen e krijimit me pasionin e ngulmëtarit. Erdhi në letërsi dhe njiherash në artin e dramës, ashtu ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese. U ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.

***

Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.

Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.

Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.

Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.

E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.

***

Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.

Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.

***

Më 13 prill 1906 u lind ai, Samuel Beckett, novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.

Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.

Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.

Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.

Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.

***

Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta,  më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.

Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.

Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.

Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.

Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.

Nëpërmjet dramës “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.

Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi. /Albert Vataj /KultPlus.com

Maska kundër COVID-19 nga të mbijetuarat e dhunës seksuale

Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë filluar të prodhojnë maska për fytyrë, të cilat ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Prishtinë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Përballë vështirësive financiare, të mbijetuariat e dhunës seksuale në Kosovës nga Drenasi, zakonisht fitojnë për jetesën e tyre duke shitur vepra artizanale. Sot, përmes Qendrës së Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës ata po bëjnë maska të fytyrës, 100 për qind pambuk, për të ndihmuar në mposhtjen e COVID-19”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Disney rikthen filmin e preferuar të fëmijërisë

Filmi i famshëm i animuar i Disney-t, i vitit 1973, “Robin Hood”, do të rikthehet sërish, por këtë herë si një film live jo i animuar nga Disney Plus, transmeton KultPlus.

Versioni i ri do të prodhohet me grafika kompjuterike si xhirimet e dy filmave të tjerë të njohur, “Dumbo” dhe “Jungle Book”.

Në versionin origjinal, Brian Bedford luante zërin e Robin Hood, i cili ishte një dhelpër dhe Peter Ustinov zërin e Princit John.

Sipas Variety, Carlos Lopez Estrada, një regjisor meksikano-amerikan është vendosur si regjisor i filmit të ri dhe Kari Granlund, si shkrimtar.

Kontrata ishte lidhur para pandemisë së koronavirusit. Thuhet se “Disney Plus” do të rikthejë sa më shumë filma klasikë të publikuar para vitit 1990, dhe të ripërpunuar me grafika e teknologjinë e re./ KultPlus.com

UNICEF sjell edhe 1.5 ton pajisje mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë

Sot, ka mbërritur në Prishtinë dërgesa e dytë me furnizime e UNICEF-it përfshirë 1.5 ton pajisje profesionale mbrojtëse (8,900 mantele kirurgjike) për ta mbështetur reagimin e sistemeve shëndetësore ndaj pandemisë së koronavirusit.

Që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit, UNICEF-i ka ofruar 36,200 dorëza, 33,600 maska ​​kirurgjike, 2,700 maska ​​me mbushje tëdendur, 1000 kominoshe për mbrojtje, 17,860mantele, 2,800 përparëse mbrojtëse si dhe 81 termometer infra red kliniksi mbështetje për reagimin e Kosovës ndaj pandemisë, njofton Klan Kosova.

Dhjetë përqind e këtyre furnizimeve janë dorëzuar në Spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe në atë në Graçanicë.

Mbështetja e sotme është mundësuar si pjesë e programit të UNICEF-it për Vizitat në Shtëpiqë financohet nga Qeveria e Luksemburgut.

Gjatë katër viteve të kaluara, ky program e ka mbështetur shtrirjen e sistemeve shëndetësore tek më shumë se 35,000 fëmijë dhe 15,000 gra shtatzëna.

Si reagim ndaj COVID-19, Zyra e Luksemburgut në partneritet me UNICEF-in do të vazhdojë të ofrojë pajisje personale mbrojtëse shtesë për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë. Dërgesat tjera në kuadër të kësaj linje përfshijnë (40 koncentrues oksigjeni, etj).

Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se “Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19. Ne e dimë se fëmijët dhe të rinjtë vuajnë në mënyrë disproporcionale nga COVID-19. Gjersa vazhdojmë të ofrojmë furnizime që shpëtojnë jetë përmes mbështetjes bujare të donatorëve tanë përfshirë këtu Qeverinë e Luksemburgut, ne do t’i përmirësojmë programet në mënyrë që çdo fëmijë dhe i ri të ndihmohet me planet e reagimit dhe rikuperimit ndaj COVID-19”.

Kolegji Universum organizon konferencë online me Ish Kryeministrin e Estonisë

Kolegji Universum organizon konferencën online me ish-kryeministrin e Estonisë, shkruan KultPlus.com

“Në këto ditë izolimi, Kolegji Universum vazhdon të ofroj konferenca dhe debate me tema me interes për qytetarët”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Në këto ditë izolimi, Kolegji Universum vazhdon të ofroj konferenca dhe debate me tema me interes për qytetarët. Konferenca e radhës organizohet me Z. Taavi Roivas, Ish Kryeminister i Estonisë me temen “ID-ja dixhitale, Blockchain dhe Siguria Kibernetike, pas pandemise Covid19“. 
Konferenca do të mbahet me 17 Prill nga ora 18:00 online përmes Google Meet për këtë regjistrimi për pjesëmarrje është i obliguar https://bit.ly/3beIxNy


Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.   


Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;”.

Pitbull e ka lansuar një këngë shprese në këtë kohë pandemie

Reperi 39-vjeçar, Pitbull, e ka publikuar këngën e re me titull “I Believe That We Will Win”, ku ai i këndon shpresës se gjithçka do të bëhet mirë pas kësaj pandemie globale të koronavirusit.

Teksi i këngës i referohet anëve negative që i sjell frika, shpresës që gjithçka do të bëhet mirë dhe besimit në fuqinë e njerëzve, për t’u përballur me këtë sëmundje vdekjeprurëse, transmeton Koha.

Pitbull, po ashtu ka bërë të ditur se dëshiron që fansat e tij ta xhirojnë veten duke vallëzuar me këtë këngë, të cilat më pas do t’i përfshijë në videoklip.

“Ne besojmë se do ta tejkalojmë këtë situatë. Po u bëjmë thirrje të gjithë studentëve, punëtorëve shëndetësor, prindërve, gjyshërve dhe gjithë njerëzve anembanë botës, që të bëheni pjesë e videoklipit të himnit më të ri nga Pitbull. Të gjitha të ardhurat e fituara nga ky projekt, shkojnë për organizata të ndryshme bamirëse,” shkruhej në një komunikatë zyrtare të publikuar në rrjetet sociale.

Pitbull gjithashtu do të jetë pjesë e festivalit virtual, “Triller Fest”, i cili ka për qëllim të mbledh fonde dedikuar betejës me koronavirusin.

Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jenë edhe yje të tjerë të muzikës si: Snoop Dogg, Wyclef Jean, Don Diablo, Ruby Rose, Paris Hilton dhe 100 artistë të tjerë të cilët i janë bashkuar kësaj iniciative, që ka për qëllim të mbledh të holla për organizatat, “Music Cares”, “No Kid Hungry” dhe të tjerë.

Evropa “merr frymë sërish”, fillojnë masat lehtësuese

Shumë shtete evropiane fillojnë me masa më lehtësuese pas bllokimit total nga muaji i kaluar.

Pas dy javësh bllokim të plotë, pas pikut dramatik nga epidemia e koronavirusit, Spanja po përpiqet të rinisë jetën.

Disa aktivitete, të tilla si zyra, ndërtimi dhe industria do të rihapen, edhe pse nën masa strikte të higjenës dhe sigurisë.

Në vend të kësaj, shkollat, kinematë dhe teatrot, restorantet dhe baret vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Rihapja e pjesshme, e vendosur nga një dekret i qeverisë Sanchez më 29 mars, parashikon masa strikte në vendet e punës, distancë, përdorimin e dezinfektantëve dhe maskave, kontrolle në rrugë, shpërndarjen falas të 10 milionë maskave në transportin publik për ata që nuk mun të shkojnë në punë me automjete private.

Italia

Atë që kemi arritur deri tani nuk duhet ta humbin, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili ka urdhëruar zgjatjen e bllokimit kombëtar deri më 3 maj.

Megjithatë, një pjesë e vogël e bizneseve, që janë mbyllur që nga 12 marsi, do të lejohen të rihapen sot.

Conte përmendi posaçërisht hapjen e librarive dhe dyqaneve të veshjeve për fëmijë, por raportet e mediave sugjerojnë se mund të përfshihen edhe lavanderi apo shërbime të tjera, përcjell albinfo.ch.

Austria

Nga 14 prilli (nesër), në Austri do të rinis rekuperimi i ngadaltë prej infeksionit nga koronavirusi. Do të rinisin punën dyqanet e vogla me sipërfaqe më pak se 400 metra katrorë, ato të vetë-shërbimit si dhe do rihapen çerdhet.

Qeveria ka parashikuar që nga data 1 maj mund të rihapen aktivitete të tjera tregtare dhe parukieritë kurse nga mesi i muajit maj priten të rifillojnë nga puna baret dhe restorantet.

Çekia

Republika e Çekisë ishte ndër vendet e para evropiane që lëvizi përkundrejt masave lehtësuese. Nga sot lejohen aktivitetet në natyrë, duke respektuar gjithmonë distancat e sigurisë. Disa dyqane tashmë janë rihapur, ndërsa nga muaji maj do rifillojnë punën aktivitetet prodhuese.

Norvegjia

Të mërkurën nis faza e dytë në Norvegji ku do të rihapen kopshtet dhe shkollat ​​fillore. Aktivitetet e prodhimit ende do të qëndrojnë të mbyllura, të paktën deri në muajin maj. Po deri në maj do rifillojnë punë edhe aktivitetet tregtare si edhe restorantet dhe baret.

Gjermania

Tani për tani, kufizimet në Gjermani mbeten në fuqi deri më 19 prill. Por diskutimi ka filluar për të lehtësuar kufizimet. Në Belgjikë dhe Finlandë, nga ana tjetër, ekspertët shkencorë po mendojnë për të hequr masat e karantinës por pa shpallur ende ndonjë datë.

A view of Drottninggatan- Queens Street in Stockholm, Sweden, Wednesday April 1, 2020. The coronavirus is not keeping people in Sweden at home even while citizens in many parts of the world are sheltering in place. (Fredrik Sandberg/TT News Agency via AP)

Evidentimi i trashëgimisë dhe traditave në projektin “Hamleti”, hapet konkursi për shkrimtarët e rinj

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi shpalljen e konkursit për zgjedhjen e 10 shkrimtarëve të rinj, për evidentimin e vlerave të territorit përmes tregimeve të shkurtra.

Margaritit theksoi se “shkrimtarët do të shohin në territorin e tyre tiparet, trashëgiminë kulturore dhe traditat. Rezultatet e një thellimi të tillë do të jenë në bazë të krijimit të 10 tregimeve të shkurtra, në të cilët shkrimtarët do të nxjerrin në pah tiparet lokale të qyteteve ose fshatrave të caktuara, që ata kanë zbuluar”.

“Konkursi do të përmbyllet me një libër unik të botuar që do të përmbajë 30 tregime (nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi) dhe do të botohet për t’u shpërndarë në të gjithë zonën e Programit. Konkursi, i cili zgjat deri më 10 maj 2020, do të përfshijë për pjesëmarrës, shkrimtarë të rinj nga Shqipëria dhe në veçanti do të ofrojë një mundësi për të përsosur aftësitë e tyre duke marrë pjesë në një projekt krijues”,- thekson Margariti.

“Ajo sqaron se për aplikimin, referojuni dokumentave bashkangjitur të thirrjes dhe formularin e aplikimit në këtë link: https://kultura.gov.al/hapen-thirrjet-per-projektin-hamlet/ “-, përfundon ministrja Margariti.

Linku aplikimit: https://kultura.gov.al/wp-content/uploads/2020/04/Hamlet-Call-for-Writers.-Annex-1.pdfhttps://bit.ly/2VooNAr

MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, përmes një statusi në Facebook ka treguar që falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi.

Ajo tutje ka bërë thirrje që të rrini në shtëpi dhe të mësoni nga shtëpia.

“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi.

Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur.

Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia.

Andaj ju bëjmë thirrje: #mësoningashtëpia #rrininështëpi.”  / KultPlus.com

Dua Lipa mund të punojë rreth albumit të tretë gjatë periudhës së vetizolimit

Ylli i hitit “Don’t Start Now”, Dua Lipa, vetëm para pak javësh e ka lansuar albumin e dytë me titull, “Future Nostalgia”, por si pasojë e pandemisë së koronavirusit duket se këngëtarja do të duhet të kthehet në studio incizuese para koha.

Duke folur me prezantuesin e radios, Will Manning, në emisionin e tij “Official Big Top 40”, Lipa tha: “Për momentin nuk po mendoj rreth albumit të tretë. Planet ishin që në fund të muajit prill ta filloja turneun muzikor, i cili është shtyrë për shkak të kësaj situate të krijuar nga koronavirusi. Prandaj, gjasat janë të mëdha që do të më duhet të filloj të shkruar këngë për albumin e tretë, më herët se që e kisha menduar. Kjo ngase do të kem më shumë kohë të shkoj në studio për të incizuar.”

Ndërkohë, këngëtarja me prejardhje kosovare në të kaluarën e kishte pranuar se është ndjerë tejet e emocionuar me lansimin e albumit të ri, si dhe e ka pranuar se ka qenë një periudhë e vështirë për të për shkak se nuk ka qenë e sigurt nëse kjo ishte koha e duhur për të lansuar muzikë, marrë parasysh viktimat që koronavirusi po i shënon anembanë botës.

Megjithatë, Dua Lipa është fokusuar ta bëjë albumin “Future Nostalgia” sa më argëtues, dhe kështu e ka larguar ankthin që realizimi i albumit të dytë ia ka shkaktuar, si dhe i ka sjellë tinguj energjik dhe pozitiv të gjithë personave gjatë kësaj periudhe të vetizolimit.

Ylli i muzikës aktualisht po e shijon suksesin e albumit i cili është radhitur në vendin e parë të toplistës së albumeve më të mira në Britani të Madhe, dhe tri këngë të këtij incizimi, “Don’t Start Now”, “Physical” dhe “Break My Heart”, kanë arritur të pozicionohen në top dhjetëshen e këngëve më të mira.

Gjithashtu, “Future Nostalgia” ka marrë kritika tejet pozitive edhe nga ekspertët e muzikës, të cilët po e konsiderojnë atë një prej albumeve më të mira të vitit 2020. /Koha.net / KultPlus.com

Ministria e Arsimit së shpejti me platformën “Edukimi në Distancë” për moshën 0-6 vjeç

Në vazhdën e aktiviteteve për organizimin e procesit edukativ-mësimor për fëmijët e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe “Save the Children”, së shpejti do të bëjnë lansimin e platformës “Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç”.

Kjo platformë inovative ka për qëllim t’i mbështesë prindërit, kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore dhe javore me fëmijët në kushte shtëpie, duke ndihmuar kështu, që në kontekstin e pandemisë COVID – 19, këto grupmosha të kenë kujdesin e duhur sa i përket zhvillimit emocional dhe edukimit.

MAShTI ju bën me dije se nga sot do të lëshohet në transmetim një video informuese, e cila do t’i informojë dhe udhëzojë prindërit dhe kujdestarët për përmbajtjen dhe mënyrën e përdorimit të platformës. / KultPlus.com

Roli i artit në zhvillimin e fëmijëve

Nga Brunilda Basha

Arti është një element kryesor në zhvillimin intelektual të njeriut. Të qenit kreativ që në vegjëli ndihmon individin të ballafaqojë më lehtë situatat dhe të ketë larmishmëri zgjidhjesh së problemeve që mund të hasë në jetë. Të nxisësh krijimtarinë tek individi nuk do të thotë domosdoshmërisht të ndjekësh profesonin e artistit, e as të bëhesh artist i famshëm. Krijimtaria zhvillon nivelin mendimor, shoqëror dhe emocional. “Nëpërmjet eksplorimit të artit shumë probleme mund të kenë një numër të madh zgjidhjesh”- thotë Mary Ann F. Kohl.
Njëkohësisht pedagogë të Universitetit të Michiganit arritën në të njëjtën përfundim pas një studimi mbi lidhjen e studimit të artit nga fëmitë në moshë të vogël dhe suksesit që do kenë në jetë më vonë. Sipas tyre, fëmijët të cilët janë të ekspozuar ndaj një shumëllojshmërie të gjerë të artit dhe veprave artizanale janë më të prirë për të krijuar shpikje të veçanta në të ardhmen, më të prirur të kenë ide origjinale dhe të jenë më kritik në çdo fushë.

Si Arti ndihmon Zhvillimin e Fëmijëve

Disa nga arsyet pse artet janë të rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve janë:
1. Arti promovon kreativitetin.
2. Arti stimulon vetbesimin.
3. Arti aftëson fëmijët në zgjidhjen e problemeve.
4. Ndihmon në kuptimin e vetes dhe botës së tyre.
5. Ndihmon fëmitë të kenë ndërveprim dhe bashkëpunim me njëri tjetrin.
6. I ndihmon të jenë të përqendruar dhe të dedikuar ndaj diçkaje.
7. I ndihmon të ndërtojnë aftësinë e shkrimit.

Si të ndërtojmë një ambjent të rehatshëm për fëmijët që të mund të shpalosin idetë e tyre.

1. Mos kini frikë ta lini vendin rrëmujë. Mund të vendosni për një zonë të shtëpisë ku fëmija do jëtë i lirë ta përdorë si të dëshirojë dhe të mos ketë frikë të eksperimentojë.
2. Mundësojini të kenë mjete arti apo kinkalerie rreth e rrotull si lapsa, ngjyra, plastelinë, letra me ngjyra.
3. Ekspozojini punimet e fëmisë, komplimentojeni për çdo vizatim të tij/saj dhe mos e kritikoni duke e mësuar si të krijojë një punim perfekt. Lëreni të lirë dhe bëjeni të kuptojë se ajo ç’ka arritën ata është mjaftueshëm.
4. Dilni shëtitje nëpër vende ku manifestohet arti si muzeum, qëndra kulturore, teatër, nëpër rrugë e parqe.
5. Mundësojini libra të cilat lidhen me artin, libra me figura, me numra, më ngjitëse apo libra ngjyrosje.
6. Bashkëpuno me të gjatë proçesit të krijimit të artit. Pyete pse ka zgjedhur atë ngjyrë, atë formë apo vizatim, çfarë dëshiron të shprehë, etj./supergrate.net/ KultPlus.com

“Itali të dua”, artistët e peizazhit, ekspozitë online kushtuar Italisë

10 artistë të njohur të peizazhit, anëtarë të shoqatës “Plein Air Albania”, kanë organizuar një ekspozitë virtuale kushtuar Italisë në shenjë solidariteti pas goditjes nga pandemia Covid -19.

Ekspozita e titulluar “Itali të dua” do të sjellë online disa nga veprat e piktorëve të realizuara gjatë vizitave të të artistëve shqiptarë në Itali.

“Kushtuar Italisë sonë të dashur që sot është në situate kaq të vështirë … ‘Në këtë kohë pandemie të COVID-19 që ka pushtuar planetin, solidariteti, kultura, kujdesi janë armët më të mira për t’u përballuar’, shprehen artistët.

Ekspozita “Plein air 2020 Italia , tiamo !-Itali të dua! Organizohet me pjesëmarrjen e Agim Kadillarit, Agron Polovinës, Arsen Kurtit, Buron Kacelit, Nikolin Ivanajt, Pashk Pervathit, Sadik Kasës, Sefedin Stafës, Spiro Panaritit, Vangjo Vasilit dhe Xheneta Kadillari. / KultPlus.com