Çifti i njohur hollywoodian, George dhe Amal Clooney, të cilët janë prindër të binjakëve 2-vjeçar, Alexander dhe Ella, e kanë dhënë një kontribut domethënës prej 1 milion dollarësh për gjashtë organizata të ndryshme anembanë botës, transmeton KultPlus.
Fondacionet “The Motion Picture & Television Fund”, “SAG-AFTRA Fund” dhe “Mayor’s Fund for Los Angeles”, do t’i pranojnë nga 250 mijë dollarë secila, derisa ylli i filmit “Burn After Reading” dhe bashkëshortja e tij avokate, i kanë dhuruar edhe 300 mijë dollarë për organizatat “NHS” në Britani të Madhe, “Lebanese Food Bank” dhe “Lombardo Italy Region” e cila i mbështet spitalet në Itali.
Një numër i madh i të famshmëve janë kujdesur ta ofrojnë ndihmën e tyre për gjithë personat në nevojë, gjatë kësaj pandemie globale.
Në mesin e tyre janë edhe aktori, Leonardo DiCaprio, i cili i ka dhuruar 12 milion dollarë për fondacionin “America’s Food Fund”, Lady Gaga po punon me politikan, biznesmen dhe të famshëm të tjerë për t’i mbledhur 35 milionë dollarë për organizatën “World Health Organisation”, Ryan Reynolds dhe Blake Lively, ia kanë dhuruar 1 milion dollarë fondacioneve “Feeding America” dhe “Food Banks Canada”, Rihanna ka bërë të ditur javën e kaluar se ajo dhe Jay-Z i kanë dhuruar nga 1 milion dollar secili, për t’i ndihmuar punëtorët pa dokumente, të burgosurit, të moshuarit dhe të pastrehët në Los Angeles dhe New York, si dhe familja e Paris Hiltonit dhe Nicky Hilton-Rothschildit, i ka dhuruar 10 milionë dollarë për të gjithë njerëzit jeta e së cilëve është ndikuar nga pandemia e koronavirusit. / KultPlus.com
Katër filma të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të shfaqen sonte nga ora 20:00 në Gjirafa video.
Sonte do ti kenë premierat dy filmat e shkurtë artistik ‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj dhe ‘Tisa’ nga Valter Lucaj; filmi i gjatë asrtistik ‘Një Tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha, dhe filmi dokumentar ‘Rojtari i Bjeshkëve’ nga Antoneta Kastrati.
‘Gardhi’ Disa gra të gjeneratave të ndryshme të së njëjtës familje me zë të lartë përballen me njëra-tjetrën për pikëpamjet e tyre për jetën, dashurinë, dëshirat dhe patriarkatin. Mbledhja e familjes shndërrohet në kaos, ndërsa i më i riu prej tyre – djali i vetëm – kërkon një dalje. Në rolet kryesore: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Xhejlane Godanci, Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Rozafa Çelaj, Alketa Sylaj, Adriana Matoshi, Edita Doli, dhe Arta Selimi.
‘Tisa’ Beni është një i ri “cool” që është i mirë në futboll, është i lumtur në trekëndëshin e tij shoqëror me mikun e tij Gezim i cili gjithashtu luan futboll dhe të dashurën e tij Ema që të dy djemve u pëlqen. Jeta e Benit bëhet dramatike kur ai merr një ftesë për një provë në një ekip francez të futbollit. Kjo ftesë është një mrekulli për të por në të njëjtën kohë shtrëngon trekëndëshin e tij shoqëror. Udhëtimi për ta bërë mrekullinë e tij bëhet i komplikuar kur Ambasada refuzon vizën për të dhe babai i tij vendos ta dërgojë djalin e tij në provat e futbollit në Francë përmes rrugëve të paligjshme të imigracionit.
‘Një tregim Prishtine’ ‘Një tregim Prishtine’ është dramë familjare që flet për një familje të shtresës së mesme, e cila përballet me sëmundjen e vajzës së tyre me leukemin akute dhe mënyrën se si ata i sigurojnë mjetet për shërimin e vajzës. Skenari ndjekë dy linja dramatike që janë drama familjare dhe drama korruptive. Në rolet kryesore luajnë Donat Qosja dhe Teuta Krasniqi.
“Rojtari i Bjeshkëve” Dokumentari tregon ngjarjen e malësorit, Fatos Lajçit, dhe luftën e tij për të shpëtuar pyjet e Malit të Rugovës nga mbingarkesa dhe shkatërrimi i mjedisit. Ndërsa mësojmë historitë e rinisë së tij, duke u rritur në ato male me vëllanë e tij, fillojmë të kuptojmë historinë prapa zhgënjimit të Fatosit me politikën e pasluftës, ndjenjën e tij të strehimit në male dhe në fund të fundit, lidhjen dhe përkushtimin e tij shpirtëror për ruajtjen e tyre.
Këta filma shafqen në kuadër të transmetimeve që po ofrohen përshkak të rrethanave të krijuara nga pandemia dhe në pamundësi të shkuarjes nëpër Kinema.
Përvec tyre sonte nga ora 20:00 ne Gjirafa do të shfaqen edhe filmat Kosovar: “Zgjedhe një emër”, “Dasmat dhe Pampersat”, “Zonjusha”, “Zibidi”, “Ndeshja e fundit”, “E dashur Nita” dhe “Memory”. / KultPlus.com
Paniku përfshiu pasagjerët e një trageti që po ankorohej në Maumere të Indonezisë, pas shpërndarjes së një thashethëmi se në bord kishte persona të infektuar me koronavirus, pandemia e re me origjinë nga Kina që iu ka marrë jetën mijëra personave.
Menjëherë shumë prej tyre, të përfshirë nga frika, morën vendimin të hidhen nga trageti në ujë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga kjo ngjarje edhe pse doku ku do të ankorohej anija ishte shumë pranë.
Pasagjerët ia arritën të dalin në breg dhe autoritetet vendosën bllokimin e mjetit lundrues dhe kontrolluan të gjithë personat e tjerë në bord për raste të dyshuarish me koronavirus. Pas kësaj ata u vendosën në karantinë dhe po kontrollohen nga policia.
Në momentin e kësaj ngjarje në traget udhëtonin 255 pasagjerë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë që ktheheshin nga Malajzia./koha/ KultPlus.com
” E ke dashtë, apo jo ? Ai mori frymë thellë, “Si me tu përgjigjë? Ajo ishte e çmendun”. Kaloi dorën ndër flokë. “Një Zot e di sa e çmendun ishte, çdo ditë ishte grue tjetër. Herë ishte iniciatore e herë zvarritëse, herë jepej e tana e tjera herë ishte e turpshme. E pasigurtë dhe e vendosun. E amël dhe arrogante. Ishte njëmijë gra , por parfumi i saj ishte gjithmonë i njëjti, i pangatërrueshëm. Ajo ishte e vjetmja siguri e jemja, më buzëqeshte, e dite që ma hidhte me atë buzëqeshje. kur më buzëqeshte nuk kuptoja ma asgja. Nuk dija as me folë as me mendu ma, asgja, zero. Papritë ishte veç ajo. Ishte e çmendun krejt e çmendun. Nganjiherë qante. Thonë se në ato çaste gratë duen veç një përqafim. Ajo, jo. Ajo nervozohej. Nuk e di ku gjindet tash, por vë bast që asht ende në kërkim të andrrave. Ishte e marrë, krejt e marrë. Por unë e kam dashtë si i çmendun./ KultPlus.com
Për herë të parë Shkolla Finlandeze organizon Konferencën Virtuale “Si të regjistroheni në universitetet më të mira në botë” e hapur për të gjithë nxënësit në Kosovë.
Kjo konferencë do të sjellë përfaqësues nga universitetet më prestigjioze nga mbarë bota, duke përfshirë këtu nga Evropa, SHBA-ja, Azia, dhe Australia ku ekspertët do të prezantojnë programet e tyre universitare për nxënës ndërkombëtarë dhe mundësitë e shkëlqyera të studimeve të ofruara nga ta. Linku për regjistrim: https://bit.ly/2JMMzRu
Përfaqësuesit do të vijnë nga universitetet si University of Cambridge, New York University, Ohio Northern University, University of Texas at San Antonio, ONCAMPUS, University of Wollongong, Savonia University of Applied Sciences, dhe EU Business School. Pas prezantimit të mundësive në secilin universitet, nxënësit do të kenë mundësinë të parashtrojnë pyetjet e tyre rreth pranimit në këto universitete si dhe kriteret të cilat duhet të përmbushen për t’u regjistruar.
Na u bashkoni më 9 prill 2020 (e enjte) në ora 14:00 në këtë konferencë virtuale dhe merrni informata të rëndësishme se si mund të regjistroheni në universitetet më të mira në botë. Vetëm 100 pjesëmarrës do të mund të ndjekin konferencën në Google Meet prandaj sigurohuni të regjistroheni më herët për të vijuar këtë mundësi të mrekullueshme.
Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësuesit më të mirë në botë, ata finlandez; me teknologjinë më të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët tanë, Shkolla Finlandeze në Kosovë po shihet si një revolucion në sistemin arsimor të Kosovës. Shkolla posedon kampusin inovativ tek rrethi i QMI-së, ndërsa për më shumë informata mund të kontaktoni në 045 235 650, www.kosovo.finnish.school apo në Facebook: www.facebook.com/ShkollaFinlandeze.
Një veturë e vjetër e markës Ford Popular, është zbuluar nën dhe në Yorkshire të Anglisë.
John Brayshaw, pronari i një shtëpie në këtë qytet, gjatë karantinimit doli të punonte në oborrin e tij. Aty, gjatë punëve që bënte, hasi në diçka të pazakontë, shkruan BBC.
Një veturë që daton nga viti 1950, e zbuloi “të varrosur” në oborrin e tij.
“Nuk është diçka që e gjen çdo ditë, me një fjalë, është mu në mes të oborrit tim”, u shpreh Brayshaw.
Brayshaw thotë se “është thjesht e çuditshme se si përfundoi këtu”, transmeton Koha.
Ai ka bërë thirrje që kushdo që mund të ketë ndonjë informacion për këtë rast, të shkojë ta takojë atë. Tha se vetura, me ngjyrë hiri, ishte thuajse e paprekur fare madje kishte edhe targën e regjistrimit.
“Do të doja ta nxirrja jashtë këtë veturë por nuk e di se sa është e përdorshme tash”, u shpreh ai.
Flitet, se mund të ketë qenë veturë ushtarake.
Një veturë e tillë e tipit Ford Pop është krijuar në Angli midis viteve 1953-1962.
Në kohën e tyre, kjo veturë shihej rrugëve pothuajse çdo ditë. / KultPlus.com
Sipas të gjitha gjasave, koronavirusi vjen nga kafshët që tregtohen në tregjet e kafshëve të egra në Kinë. Tani qyteti i parë kinez, ndalon tregtinë e mishit të qenit dhe maces, duke thyer traditën.
Një vizitor nga Kina tregon me entuziazëm pas kthimit nga Gjermania se sa e madhe është “oferta për mish qeni dhe macesh” në supermarketet gjermane. Ai nuk e kishte vënë re se kishte përfunduar në departamentin e ushqimit të kafshëve shtëpiake. Këtë shaka e dëgjon shpesh në shkëmbimin ndërkulturor midis Kinës dhe Gjermanisë. Ajo konfirmon një nga paragjykimet e shumta që kanë gjermanët për kinezët: në Mbretërinë e Mesit qentë i hanë.
Kjo përshtypje nuk është plotësisht e gabuar, por mishi i qenve nuk është në meny në të gjithë vendin dhe në asnjë mënyrë në të gjitha restorantet. Katërkëmbëshit, të cilët shumicën e herëve i rrisin posaçërisht për t’i therrur, janë kryesisht pjesë e kuzhinës rajonale.
Por që kur qentë dhe macet janë bërë gjithnjë e më popullorë si kafshë shtëpiake në familjet kineze, kritikat se të pranishmit po hanë “mikun më të mirë” janë bërë më të forta. Për shembull në Yulin, në një qytet në Kinën Jugperëndimore. Që nga viti 2009 atje zhvillohej një “festival i mishit të qenve” çdo vit në verë. Kjo zemëronte aktivistët e të drejtave të kafshëve. Në vitin 2017, këshilli i qytetit Yulin e ndaloi shitjen e mishit të qenve. Sidoqoftë, shoqatat e mbrojtjes së kafshëve vazhdojnë të regjistrojnë tregti dhe konsum të këtij mishi. Kjo flet për problemin: ligjet janë një gjë, zbatimi është një tjetër.
Ndalimi i tregtisë së kafshëve të egra
Pas shpërthimit të pandemisë së virusit Corona në provincën qendrore kineze Hubei, qeveria qendrore kineze miratoi me shpejtësi në fund të shkurtit një ndalim të gjuetisë, transportit, tregtisë dhe konsumit të kafshëve të egra. Kjo nuk vlen për “speciet e kafshëve të konsoliduara”, siç janë pëllumbat dhe lepujt. Në atë kohë, shkencëtarët dyshuan se lakuriqët e natës janë origjina e virusit Corona, i cili është përhapur në të gjithë botën.
Fakti që viruset po përhapen gjithnjë e më shumë nga kafshët e egra te njerëzit nuk është asgjë e re, as diçka posaçërisht kineze. Qysh në vitin 2008, virologu gjerman Christian Drosten zbuloi pas epidemisë SARS në një projekt studimor që viruset Corona ndodhen edhe tek lakuriqët gjermanë të natës.
Problemi është kontakti midis kafshëve të egra dhe njerëzve, i cili po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për shkak të konsumit ose shkatërrimit të habitateve. Elizabeth Maruma Mrema, Sekretare e Përgjithshme e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Shumëllojshmërinë Biologjike kërkoi në gazetën angleze “The Guardian” që komuniteti botëror të insistojë që tregjet e kafshëve të egra të mbyllen për të “parandaluar pandemitë e ardhshme”. Kina nuk është shembulli i vetëm i rreziqeve. Ebola në Afrikën Perëndimore ose virusi Nipah në Malajzi gjithashtu kaluan nga kafshët e egra te njerëzit.
Kundër traditës
Por masa të tilla janë në kundërshtim me traditën kineze. Ne e dimë që kafshët e egra janë përbërës të preferuar në kuzhinën kineze që nga filozofi Mengzi. Pasardhësi i rëndësishëm i Konfucit jetoi në shekullin e tretë para Krishtit. Në shkrimet e tij filozofike ai meditoi për vështirësinë për të vendosur: “Unë i dua peshqit dhe gjithashtu dua putrat e ariut. Kur nuk mund t’i kombinoj të dyja, i lë peshqit dhe mbetem te putrat e ariut. Unë e dua jetën, dhe e dua edhe detyrën. Kur nuk mund të pajtoj të dyja, atëherë unë heq dorë nga jeta dhe i përmbahem detyrës “.
Putrat e ariut bëjnë pjesë në “tetë thesaret” në traditën kineze. Kafshët dhe bimët e “Tetë Thesareve”, shikohen si medikamente edhe në Mjekësinë Tradicionale Kineze (TCM) që prej mijëra vjetëve. Efekti bazohet në përvojat. Vetëm në disa barishte mjekësore dhe në disa produkte shtazore ka mundur të vërtetojë efekte mjekësia zyrtare.
Gjuetarët dhe uria
Që kafshët e egra u pranuan në shoqëri, kjo ka nisur që në dinastinë e fundit perandorake të Qing (1644-1919). Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në 1949, vendi u godit fillimisht nga një thatësirë tre vjeçare. Pastaj pasuan vendime fatale politike nën Mao Ce Dunin, të cilat rezultuan në 45 milionë të vdekur nga uria. Në hallin e tyre, njerëzit hëngrën gjithçka që mund të gjenin.
Fundi i mungesës
Varfëria në Kinë është zhdukur vetëm në 30 vitet e fundit si rezultat i rritjes së vrullshme ekonomike. Por me rritjen e mirëqënies, konsumohet gjithnjë e më shumë mish kafshësh të egra. Kjo është simbol i statusit. Ndërkoha ka elementë të fuqishëm të tregut, që e nxisin në mënyrë komerciale tregtinë e kafshëve të egra.
Për shembull, kur Zona Speciale e Shenzhenit shpalli se do të ndalonte konsumin e mishit të maceve dhe qenve në 1 maj të vitit 2020, në rrjetet sociale u lexuan edhe kritika, kryesisht nga prodhuesit e mishit të qenve. Një nga argumentet e tyre: qyteti i Shenzhenit heq dorë kështu nga një pjesë e qenësishme e kulturës ushqimore kineze./konica/ KultPlus.com
Chinese animal rights activists stage a march with posters calling for people to refrain from eating cats and dogs, in Wuhan, central China’s Hubei province on January 23, 2010. Dog and cat meat — age-old delicacies in China — could be off the menu in the food-loving nation under its first law against animal abuse, as people who eat either animal, both of which are viewed as promoting bodily warmth, would face fines of up to 5,000 yuan (730 USD) and up to 15 days in jail if the law is passed. CHINA OUT AFP PHOTO (Photo credit should read STR/AFP via Getty Images)
Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Për këtë ditë, përmes një statusi në Facebook ka shkruar edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili thekson se Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.
Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit. / KultPlus.com
Sipas kryeredaktorit, kjo kujton krizën e vitit 1929, ku rrobat u kthyen të bardha, një ngjyrë e zgjedhur për tshprehur pastërti në të tashmen dhe shpresë për të ardhmen.
Revista e modës, “Vogue Italia” ka reaguar ndaj pandemisë së koronavirusit me një botim të veçantë, duke paraqitur për herë të parë në historinë e revistës, një kopertinë krejtësisht të bardhë.
“E bardha është para së gjithash respekti. E bardha është rilindja, drita pas errësirës, bashkimi i të gjitha ngjyrave. E bardha është uniforma e atyre që kanë shpëtuar jetë ndërsa rrezikojnë vetë.
Është koha dhe hapësira për të menduar, dhe për të heshtur gjithashtu. E bardha është për njerëzit që po e mbushin këtë kohë dhe hapësirë me ide, mendime, histori, vargje, muzikë dhe dashamirësi ndaj të tjerëve”, tha kryeredaktori i “Vogue Italia”, Emanuele Farneti.
Sipas tij kujton krizën e vitit 1929, ku rrobat u kthyen të bardha, një ngjyrë e zgjedhur për tshprehur pastërti në të tashmen dhe shpresë për të ardhmen.
“Mbi të gjitha, e bardha nuk dorëzohet; është një faqe e zbrazët për t’u mbushur, pjesa kryesore e një historie të re që do të fillojë”, tha Farneti. /shqiptarja/ KultPlus.com
Ylli i hitit “How To Be Lonely”, Rita Ora, kishte shkuar për të jetuar në Britani të Madhe nga Kosova, kur ajo ishte ende foshnje. Prindërit e saj ishin detyruar të largohen nga vendlindja në fillim të viteve 90-të, për shkak të persekutimit serb.
Edhe pse Ora është rritur në Londër, ajo sërish ishte ballafaquar me paragjykime të shumta nga fëmijët në shkollë, të cilët për ta nënçmuar atë e quanin refugjate, transmeton KultPlus.
Duke folur për vendimin e prindërve të saj për t’u larguar nga Kosova, në një intervistë të fundit këngëtarja citohet të jetë thënë: “Nëna ime ishte psikiatre ndërsa babai një ekonomist. Ata e lanë pas gjithë jetën e tyre dhe u desh ta nisnin gjithçka nga fillimi, me të arritur në Londër si refugjat. Por, mbrojtja e fëmijëve të tyre ishte prioritet për ta, dhe unë ndihem e bekuar çdo ditë për sakrificat e tyre dhe punën e jashtëzakonshme që e kanë bërë në të mirë të familjes. Ata e kanë mësuar një gjuhë të re, kanë studiuar nga fillimi si dhe na kanë rritur mua, motrën dhe vëllain në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata na kanë mësuar të luftojmë për atë që duam ta bëjmë në jetë, të punojnë shumë dhe të mos dorëzohemi kurrë, pavarësisht rrethanave.”
Këngëtarja 29-vjeçare, ndër të tjera ka treguar se e ka pasur një fëmijëri të vështirë pikërisht për faktin se vinte nga një shtet tjetër, dhe shpesh ishte detyruar të shoqërohet me fëmijë të tjerë të huaj, për shkak se kishin diçka të përbashkët.
Rita Ora gjithashtu ka treguar se herë pas here e viziton Kosovën, dhe se është tejet krenare për prejardhjen e saj.
“Kosova do të jetë përgjithmonë vendlindja ime dhe gjithnjë do të jem krenare ta quaj veten kosovare. Jam shumë e nderuar që tani kam mundësi të kontribuoj në vendlindje, si ambasadore nderi e shtetet të Kosovës. Sa herë që kam mundësi, unë i vizitoj familjarët e mi. e adhuroj çdo gjë nga kultura kosovare, sepse është shumë më ndryshe. Veshjet kombëtare të Kosovës janë shumë të bukura dhe ushqimi është shumë i shijshëm. Bakllava është ëmbëlsira ime e preferuar. Unë gjithmonë do të jem kosovare në zemër. Asnjëherë nuk do të harrojë ku i kam rrënjët dhe do të ndihem gjithmonë krenare për prejardhjen time,” ka deklaruar Ora në intervistën e realizuar për revistën “Vogue Arabia”. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton të gjithë artdashësit që Filharmonia e Kosovës, prej sot nisë transmetimin e serisë së koncerteve në facebook.
Nga sot, më 9 prill, me fillim nga ora 20:00, Filharmonia do të transmetojë koncerte dy herë në javë (çdo të enjte dhe të diel), derisa situata të kthehet në gjendje normale dhe institucioni më i lartë i muzikës në vend t’i kthehet punës.
Sot, me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Filharmonia do të sjellë interpretimin e Simfonisë së 9-të të gjeniut të muzikës klasike Ludwig van Beethoven, që sjell mesazhin e paqes mes popujve dhe që vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman. Koncerti qe mbajtur në Prishtinë më 26.06.2019 në shënim të 20 vjetorit të çlirimit të vendit dhe ky do të jetë transmetim premierë për publikun.
Në këtë interpretim, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës drejtohen nga japonezi Toshio Yanagisawa ndërsa në rolin e solistëve paraqiten Arta Jashari – soprano, Vikena Kamenica – mexosoprano, Liridon Sadriu – tenor dhe Armando Likaj – bariton.
Koncerti i dytë në serinë e transmetimeve ‘online’, do të jetë të dielën më 12 prill. Filharmonia sjell interpretimin e veprave të kompozitorëve kosovarë, Valton Beqiri e Baki Jashari dhe veprën madhështore “Requiem” nga Mozarti, poashtu nën dirigjimin e Toshio Yanagisawas. Më këtë program Filharmonia qe prezantuar para publikut japonez në korrik të 2010-s në sallën “Canora” në Suva të Japonisë.
Koncertet mund t’i ndiqni në linkun e mëposhtëm. / KultPlus.com
Këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, e cila para pak javësh e lansoi albumin e ri muzikor me titull, “Future Nostalgia”, e ka pasur një eksperiencë shumë më ndryshe të promovimit të këtij incizimi krahasuar me albumin e saj debutues. Kjo për shkak se “Future Nostalgia” vjen për publikun mbarëbotëror, në kohë të pandemisë së koronavirusit.
Kjo gjë ia ka vështirësuar Lipës promovimin e këtij projekti në formën tradicionale, por kjo nuk do të thotë se këngëtarja nuk ka gjetur mënyra tjera kreative për ta promovuar albumin te adhuruesit e saj.
Se fundmi, yllin e muzikës pop e kemi parë duke realizuar lidhje direkte në rrjetet sociale si dhe paraqitje online në emisione të famshme amerikane, transmeton Koha.
Paraqitja e saj e fundit ishte në emisionin, “The Tonight Show: At Home Edition”, ku Lipa bashkëbisedoi me prezantuesin e këtij shou, Jimmy Fallon, rreth lansimit të parakohshëm të albumit, pritjes që publiku ia ka bërë këtij incizimi në këtë kohë të vetizolimit si dhe përkushtimin e saj në fushën e bamirësisë.
Si ambasadore e UNICEF-it për çështjet e refugjatëve, Lipa ka zgjedhur që në këtë kohë pandemie, fokusin ta drejtoj tek refugjatët të cilët janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga koronavirusi, për shkak të kushteve në të cilat jetojnë. Ajo tregoi se përkrahjen e refugjatëve e ka shumë për zemër për shkak të historisë personale të prindërve të saj, Dukagjini dhe Anesa, të cilët kishin jetuar si refugjat për një kohë në Londër.
Ndër të tjera në këtë intervistë, Jimmy Fallon e informoi Lipën për një sukses të radhës që ajo e ka arritur, duke u bërë këngëtarja e parë britanike me tri këngë të pozicionuara në top dhjetëshen e toplistave muzikore në Britani të Madhe, që nga viti 1955.
Por vëmendjen më të madhe në këtë emision të realizuar online, e mori performanca e pop yllit e cila e interpretoi live hitin e saj të fundit, “Break My Heart”.
Edhe një herë, Dua Lipa, e vërtetoi se është një artiste me një zë të fuqishëm dhe talent të jashtëzakonshëm. / KultPlus.com
Presidenti Ibrahim Rugova konsiderohej “armik” në regjimi enverist.
Kështu thotë Kastriot Dervishi, i cili ka zbuluar një dokument të rrallë të vitit 1980.
Sipas Dervishit, Rugova u ndoq si objekti “Zdrukthi”.
Ja shkrimi i plotë nga Kastriot Dervishi:
Ky është formulari i kërkesës për vizë hyrje në Shqipëri, i plotësuar nga Ibrahim Rugova në vitin 1980. Ai kishte zhvilluar në Shqipëri, dy vizita të mëparshme:
-24 maj deri 4 qershor 1971
-26 maj 1974 deri 7 korrik 1974
Herën e parë ai kish ardhur së bashku me Rexhep Ismaijlin, duke qenë student i vitit të katërt dhe redaktor i revistës “Bota e re”. Herën e dytë u ftua nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë. Herën e tretë u ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve.
Hyri në Shqipëri më 15 mars 1980 nga Qafa e Thanës dhe u largua më 13 prill 1980 nga Hani i Hotit. Pikërisht kjo vizitë shënoi edhe armiqësimin me regjimin komunist. Bashkëpunëtorë të regjimit si “Dragoi”, raportonin se ai fliste keq për Shqipërinë socialiste.
Rugova u ndoq si objekti “Zdrukthi”. Citohej të kish thënë: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijuese. Shkrimtarët janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë ku ata punojnë”. “Ndaj letërsisë së realizmit socialist flet me përçmim e përbuzje”.
Në mars 1981, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, u urdhërua përpunimi i tij (ndjekja) duke e konsideruar “armik”. / KultPlus.com
Për herë të parë pas 30 vjetësh malet Himalaje janë të dukshme që nga disa pjesë të Indisë, pas rënies së ndotjes së ajrit prej kufizimeve të epipdemisë së koronavirusit.
Rënia e niveleve të ndotjes së ajrit prej kufizimit të aktivitetit ka bërë që banorët e krahinës Punjab të Indisë rreth 200 km larg Himalajeve, të mbushin mediat sociale me pamje të maleve legjendare, me maja të mbuluara me dëborë.
India ka një popullatë prej 1.4 miliardë njerëz dhe vjet ka qenë në krye të listës botërore te ndotjes për qytetet e mëdha.
Por bllokada tashmë prej 21-ditësh në vend ka reduktuar automjetet dhe bizneset aktive, duke reduktuar ndjeshëm nivelet e ndotjes./koha/ KultPlus.com
Poeti i njohur francez, Charles Baudelaire, lindi më datë 9 prill të vitit 1821 në Paris.
E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.
Në vitin 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zëmëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.
Në vitin 1842, njohu poetët Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim të Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se cfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.
Në vitin 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.
Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.
Bodleri ra në depresion të thellë. Në vitin 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge. / KultPlus.com
Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli.
Ishte data 8 tetor e vitit të largët 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhet Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta marr kështu emrin Mbreti Zog.
Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.
Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.
Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecare.
Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.
Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.
Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.
Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.
Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com
Bordi i ChopinPianoFEST Prishtina 2020 përmes një postimi ka njoftuar se për shkak të Coronavirusit ky manifestim muzikor është shtyrë për në Nëntor të 2020.
Postimi i plotë:
ChopinPianoFEST Prishtina 2020 ishte planifikuar të fillojë që nga dje, më 8 prill e deri më 29 prill 2020, me një listë pianistësh e muziktarësh të shquar nga bota, rajoni dhe vendi, me një program të pasur me kryeveprat e repertoarit pianistik solo, kamertal dhe orkestral.
Për shkak të pandemisë COVID19, jemi detyruar të shtyjmë festivalin për një kohë më të përshtatshme., në nëntor 2020 (9-30 nëntor). Por, kemi vendosur po ashtu që në datat origjinale të planifikuara të festivalit, t’ju paraqesim artistët pjesëmarrës me paraqitjet e tyre muzikore online, youtube livestream e mënyra të tjera. Deri në kohën kur artistët do të jenë fizikisht në Prishtinë, për të na ofruar kënaqësinë e koncertimit live, para publikut tonë entuziast, urojmë të kënaqeni me prezantimin e pjesshë të programit të edicionit 2020, – thuhet në njoftimin e bordit të këtij manifestimi muzikor. / KultPlus.com
Grupi më i famshëm irlandez në botë i muzikës rock, U2, dhuroi 10 milion euro për të ndihmuar luftën kundër koronavirusit në Irlandë.
Paratë do të përdoren për të mbështetur punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe për të blerë pajisje mbrojtëse personale (PPE) për stafin e vijës së parë.
”Disa nga pajisjet mjekësore të financuara nga grupi, i udhëhequr nga këngëtari Bono tashmë kanë mbërritur në aeroportin e Dublinit”, njoftoi televizioni irlandez RTE.
Kryeministri irlandez, Leo Varadkar vlerësoi përpjekjet e tyre duke thënë se këtë ndihmë qeveria e tij mund ta realizonte për 13 vite.
”Po ashtu, të gjitha ndihmat nga sektori privat dhe publiku i gjerë janë të mirëseardhura”, tha ai në Twitter.
Ky grup muzikor ka qenë i përfshirë në një numër projektesh sociale dhe politike për vite me radhë.
Sipas shifrave zyrtare nga mbrëmja e së mërkurës, pothuajse 6 000 njerëz në Irlandë janë infektuar me koronavirusin e ri, ndërsa 235 kanë vdekur si një rezultat i ndërlikimeve. / dpa/ KultPlus.com
Rrezarta Bojaxhiu është pjesë e garës “The Voice Kids” në Gjermani, ajo ka performuar me këngën “Who wants to live forever”, nga Queen. Rrezarta njihet gjithashtu për performancën e saj në “X-Factor” në Islandë dhe këngën në gjuhën shqipe të titulluar “Nëna”, transmeton KultPlus.
Është mbajtur episodi 7 i sezonit të ri “The Voice Kids” Gjermania, i ndjekur nga miliona shikues gjermanë (Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë dhe BE). Në “Betejën e gjigantëve” u kualifikua Rrezarta Bojaxhiu, e cila në Gjermani njihet si Reza. Ajo është me origjinë shqiptare nga Kosova, nga Pllava, Opoja e Dragashit.
Trajnerët e televizionit kombëtar gjerman “Sat 1” ishin në kërkim të talenteve të rinj, më të mirë të Gjermanisë për këtë vit. Kandidatët këngëtarë ishin trajnuar nga artistë të njohur të muzikës gjermane. Këtë vit pjesë e edicionit janë trajnerët e mirënjohur: Lena Meyer-Landrut, Sasha, Max Giesinger dhe dy anëtarët e grupit “Meine Freunde”.
Trajnerja Lena Meyer-Landrut dje në betejë i dërgoi tre talentet e saj më të fortë, që ishin: Vladi, Reza (Rrezarta Bojaxhiu) dhe Luca. Talentet u sfiduan duke performuar me këngën “Who wants to live forever” të Queen. Reza (Rrezarta Bojaxhiu), Vladi dhe Luca ishin të tre kandidatët më të fortë për finalen e “The Voice Kids” 2020. Trajnerja Lena nuk e humbi rastin që kandidatët e saj të garojnë kundër njëri-tjetrit në “Battle der Giganten” Po ashtu përzgjedhja e këngës së trajnerës Lena ishte mbretërore. Duke synuar që Reza (Rrezarta Bojaxhiu), Vladi dhe Luca të shkonin në betejë me këngën “Who wants to live forever” të Queen.
Luca, i cili në shfaqjen e tij performoi me këngën e Freddie Mercury-t, natyrshëm luajti në kartat e përzgjedhjes së këngës nga trajnerja Lena. Por, rivalët e tij, Reza (Rrezarta Bojaxhiu) dhe Vladi, gjithashtu dukeshin se do të rrëmbenin titullin e “Queen”.
Kjo ishte vërtet madhështore! Vështirë se dikush e vërejti se në skenë ishin tre fëmijë. Të rriturit nuk mund ta kishin kënduar më mirë. Për të tre talentet publiku u ngrit në këmbë dhe bëri një ovacion të madh.
Trajnerja Lena pa dyshim se e kishte shumë të vështirë të përzgjidhte fitues njërin talent. Në fund, ajo vendosi për Reza (Rrezarta Bojaxhiun), e cila në shfaqjen e saj entuziazmoi me një “Opera-Arie” dhe demonstroi shkathtësitë. Ajo u kualifikua në garën e mëtutjeshme kombëtare të Gjermanisë. Tashmë është në prag të karrierës së saj si yll muzike “Pop Star”, duke ndjekur sigurt hapat yjeve shqiptare me renome botërore sikurse Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, etj. / albinfo/ KultPlus.com
Drejtori shkencor për “National Geoprahpic” në Itali, Marco Cattaneo, ka dhënë një mesazh që është bërë viral në të gjithë rrjetin.
Duke folur për epideminë në Itali, mesazhi është i vlefshëm për gjitha vendet e prekura nga COVID-19.
Mesazhi i plotë nga Marco Cattaneo: Nga sot, shihni një kurbë që nis të ndryshojë pak, nga rritja eksponenciale që ka pasur epidemia në Itali dhe veçanërisht, në Lombardi.
Kjo mundet, por, thjesht mund të jetë një shenjë e mirë. Mundet në një shikim optimist, që brenda 10 ditësh numri i të infektuarve të zvogëlohet, nëse të gjithë bëjmë pjesën tonë.
Por, ua them siqnerisht: nuk ka asgjë për të festuar, as sot dhe as pas 10 ditësh. Nuk ka asgjë, as për t’u hallakatur jashtë duke thirrur nga gëzimi, apo duke përqafuar çdo të panjohur të djersitur.
Nëse nuk më besoni, shkoni e shikoni kriteret sipas të cilave, OBSH e quan të mbyllur një epidemi.
Le t’i treferohemi ebolës, për shembull. Emergjenca merr fund kur regjistrohen dy periudha inkubacioni të plota, pa asnjë rast të infektuar. Për ebolën u deshën 42 ditë. Mund të duhen 30, për SARS CoV-2. Pas kësaj, çdo vendi i duhet të mbajë një survejancë të lartë, për 90 ditë. Pra, kur të shohim dritë në fund të tunelit, do na duhen ende disa kilometra për të dalë prej tij.
Ndaj, nga kjo eufori, mos i përqafoni fqinjët që deri dje, i urrenit. Vazhdoni të shihni punët tuaja. Qëndroni sa më shumë në shtëpi edhe më pas. Deri në momentin që epidemiologët do të na thonë, se mund të kthehemi në normalitet.
Dalë-ngadalë, do të hapen aktivietetet, do t’i flasim njëri-tjetrit nga afër, do të ktehemi në zyrë e do të shkojmë në restorante. Por, përpara se t’i këndojmë fitores, duhet të mbajmë alarmin ndezur.
Të mos budallepsemi, sepse t’i rezistosh një goditjeje të dytë, do të ishte shumë më e vështirë! /konica/ KultPlus.com
Lojtarët e Premierligës, përfshirë treshen shqiptare Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi, e kanë marrë një nismë të përbashkët duke e hapur një fond për grumbullimin e të hollave për t’i ndihmuar Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe ta luftojë koronavirusin.
Iniciativa – e quajtur #Lojtarëtsëbashku – është marrë me qëllim për t’i ndihmuar mjekët dhe infermierët në vijën e frontit kundër pandemisë koronavirus në vend, transmeton Gazeta Express.
Sekretari i NHS-së, Matt Hancock, e ka mirëpritur ngrohtësisht këtë iniciativë zemërmadhe.
Anësori i Liverpoolit Xherdan Shaqiri dhe dyshja e Arsenalit Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi ishin në mesin e më shumë se 150 yjeve të Premierligës që e kanë shpërndarë në rrjetet sociale deklaratën e përbashkët të mërkurën mbrëma.
“Gjatë javës së fundit, ne si një grup i lojtarëve të Premierligës, kemi biseduar së bashku shumë herë me synim për ta krijuar një fond i cili mund të përdorët për të shpërndarë para aty ku ka nevojë më së shumti në këtë krizë të Covid-19; për t’i ndihmuar ata që po luftojnë në vijën e frontit të NHS-së”, thuhet në deklaratën e futbollistëve.
Më shumë se 7.000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Britani të Madhe. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Forbes publikoi listën vjetore të miliarderëve në botë dhe Kylie Jenner mbetet miliarderja më e re “self-made” dhe është në moshën 22 vjeçare.
Në vitin 2019 Kylie mposhti Mark Zuckerberg, krijuesin e Facebook, si miliarderja më e re në botë në moshën 21 vjeçare. Ai ishte vetëm 23 vjeç kur bëri miliardat e tij të parë 11 vjet më parë në vitin 2008.
Kylie hyri në listën e famshme të miliarderëve në mars 2019. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo shiti 51% të markës së saj Kylie Cosmetics në markën e bukurisë Coty Inc, për 600 milionë dollarë.
Marrëveshja, e cila u mbyll në janar, do të thotë se biznesi i saj tani vlerësohet rreth 1.2 miliard dollarë. Ajo ende zotëron vetëm 49% të aksioneve. /KultPlus.com
Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.
Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot do e kanë ditë pushimi. / KultPlus.com