Parada ‘RETRO’ e mjeteve të koleksionit historik shqiptar pushtoi rrugët e Durrësit (FOTO)

Parada e makinave retro është zhvendosur në Durrës, duke dhuruar spektakël në shesh dhe rrugët e qytetit bregdetar. Automjete të vjetra të viteve ’40-’80 kanë parakaluar nën tingujt e muzikës, transmeton KultPlus.

Rrallë ndodh që të shohësh në rrugë automjete që kanë shënjuar historinë. Durrësakët e kanë pasur këtë mundësi pasditen e së premtes kur parakaluan para shtëpive të tyre makinat e viteve ’40-’80. Për nostalgjikët dhe jo vetëm, kjo është një feste e veçantë.

Parada Retro solli në Durrës 48 automjete të ruajtja e mirëmbajtura nga koleksionistët të mbarë vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit si dhe me “Heminguei fan club Albania” menduan të krijojnë pak gjallëri në këtë sezon të zymtë për qytetin më të madh bregdetar.

Automjetet fillimisht u vendosën në shesh kryesor të qytetit,  ku u vizituan nga qindra qytetarë por edhe turistë që i ruajtën këto momente në foto.

Janë automobil të markave Ford, Benz, Chevrolete, Fiat, Roll Roys të viteve ’40-80.

Mbretëresha e këtij eventi u cilësua skoda, prodhim i vitit ’80 në pronësi të kuksianit Rrahim Meçka. Ky lloj automjeti ka mbajtur peshën kryesore të transportit në vend përgjatë viteve ’80. Ndaj u zgjodh për të kryesuar paradën në rrugët e Durrësit.

“I biri i shoferit të këtij automjeti e ka marrë në gjendje thuajse të shkatërruar e ka rindërtuar siç e mbante i ati në kohën kur bënte rrugën e Qafë Malit para viteve ’90”, tha koleksionisti Rrahim Meçka

Ina Haveri tha se ky event organizohet për herë të parë në Durrës fill pas Tiranës për ti dhënë gjallëri qytetit të goditur rëndë nga tërmeti i 29 nëntorit 2019.

“Eventi është konceptuar me paradën që e drejton skoda dhe ndiqet nga makinat e tjera retro”, tha Ina Haveri, zëdhënëse e Drejtorisë së Transportit.

Ndërsa përfaqësuesi i bashkisë, Adrian Gurra tha se po mendojmë aktivitete pa grumbullime masive për tu ruajtur nga covid 19.

Më pas automjetet udhëtuan së bashku në rrugët e Durrësit deri në plepa. Muzika cantry e përzgjedhur nga anëtarët e Hemingueit shoqëroi Paradën Retro. /shqiptarja/ KultPlus.com

Gratë nuk i mbrojmë nga dhuna duke shkruar në rrjete sociale

Nga Marigona Jahaj

Gratë nuk mund t’i mbrojmë nga dhu-na ose vde-kja duke shkruar në rrjete sociale, duke marrë pjesë në sfida në Instagram ose duke bërë zhurmë disa ditë pas një vra-sje-je.

Gratë i mbrojmë kur në familje e ndryshojmë të menduarit, dhe i mësojmë fëmijët që jeta e vajzave dhe grave vlen njëlloj si ajo e djemve dhe burrave.

Pra, të dashur prindër: Rritini dhe edukojini vajzat aq të forta, që të bahen të pavarura.

Në vend që t’i thuash «shuj, ti je çikë s’ban me folë», mësoje që zëri saj është i rëndësishëm dhe që fjala e lirë vlen për vajzat ashtu si për djemtë.

Në vend që ta mësoni vajzën «m’i ba punt e shpisë se do t’shkon te burri», fiksoja në kokë që shkollimi dhe karriera është me rëndësi për mos me qenë e varur nga dikush.

Mos i thuaj vajzës që «është e derës huj», por mësoje që ajo është një pjesë e familjes, që ajo ta dijë se gjithmonë e ka një mbështetje dhe një vend të sigurt në shtëpinë tuaj. Mësoje që familja do të luf-tojë bashkë me të nëse dikush nuk e respekton, e bën të ndihet pa vlerë ose ia kufizon lirinë.

Mos i thuaj vajzës që nuk i takon trashëgimia, por mësoje që nuk i mohoet e drejta e pronës – që ajo të ketë pavarësi dhe siguri ekonomike edhe nëse shteti nuk i ofron ndihmë.

Kështu i rrisim vajzat të forta dhe me plot vetëbesim dhe siguri. Kështu i mbrojmë ato! / KultPlus.com

Miss Sllovakia 2020 shpallet vajza me origjinë shqiptare

Në finalen e mbajtur të Miss Slovakisë, më datën 14 gusht, Leona Novobërdaliu u kurorëzua si mbretëresha e re e bukurisë.

22 vjeçarja me origjinë shqiptare, por e lindur në Bratislava, dha një performancë të shkëlqyer gjatë konkurrencës me 11 finaliste të tjera.

Leona është ekonomiste e diplomuar në Kings College në Londër. Ajo do të prezentojë Slovakinë në konkursin Miss Bota 2020.

Ajo aktualisht punon në një institucion financiar që merret me investime. Ajo hyri në konkursin “Miss Sllovakia” sepse ishte ëndrra e saj që në moshë të re, të cilën dëshironte ta realizonte.

Të shtunën në mbrëmje, kjo ëndërr u realizua dhe Leona u bë mbretëresha e re e bukurisë për vitin 2020 në Sllovaki./tch/ KultPlus.com

Bucketlistly: Vizitoni Beratin e arkitekturave të panumërta

Berati, ose siç njihet ndryshe ”qyteti i një mbi një dritareve”, është një qytet simpatik i UNESCO-s, plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum, shkruan faqja e njohur turistike, bucketlistly.blog.

Berati është një qytet që nuk duhet ta humbisni kur vizitoni Shqipërinë.

Eksploroni Kalanë e Beratit

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit. Kalaja është më e madhe se sa duket nga qyteti. Mund të kaloni disa orë duke zbuluar të gjitha kishat bizantine dhe xhamitë osmane brenda kështjellës. Rruga deri në kështjellë nga qyteti është mjaft e pjerrët dhe në mes të nxehtit të verës së Shqipërisë mund të jetë mjaft e padurueshme të ngjitesh në kështjellë gjatë ditës, kështu që shkoni më mirë pasdite atje. Duke parë peizazhin përreth, do të vini re dy male në të dy anët e lumit Osum. Ata janë Tomori dhe Shpiragu. Legjenda thotë ka se këto dy male ishin dikur gjigantët që luftuan me njëri-tjetrin për të fituar zemrën e një gruaje në Berat.

Admironi Kishën e Trinisë së Shenjtë

Brenda mureve të kalasë së Beratit, ndodhet një kishë e jashtëzakonshme, Kisha e Trinisë së Shenjtë. Kjo kishë është një vizitë e domosdoshme nëse jeni të interesuar të shihni një shembull të shkëlqyeshëm të ndikimit të madh të Perandorisë Bizantine të lënë në këtë zonë. Kjo kishë bizantine mesjetare u ndërtua diku midis shekullit XIII dhe XIV.

Vizitoni xhamitë dhe kishat e tjera në Berat

Shumë civilizime kanë arritur të bashkëjetojnë në Berat për shekuj dhe ju mund ta shihni atë nga të gjitha xhamitë dhe kishat që do të gjeni atje. Ka edhe disa kisha dhe katedrale të tjera që duhet t’i shikoni. Aty ndodhen Kisha e Shën Teodorit dhe Kisha e Shën Mërisë si edhe Katedralja e Shën Dhimitrit, e vendosur në skajin lindor të bulevardit ”Republika”. Për xhamitë, ju do të gjeni Xhaminë e Plumbit jo shumë larg nga Katedralja e Shën Dhimitrit si edhe Xhaminë Mbret.

Shëtisni natën në bulevardin ”Republika” dhe përjetoni një xhiro fantastike

Pas perëndimit të diellit, sigurohuni që të shëtisni përgjatë bulevardit ”Republika” dhe të provoni ”xhiron”, një traditë shqiptare pasi bie dielli, ku i gjithë qyteti do të mblidhet së bashku në një bulevard dhe do të ecë lart e poshtë rrugës duke u shoqëruar me njëri-tjetrin. Me njerëz jashtë, duke luajtur shah në natyrë, duke folur me njëri-tjetrin ndërsa ecin lart e poshtë, na duhet të themi se nuk kemi parë kurrë një traditë si kjo. Ajo që jo shumë njerëz e dinë është se bulevardi ”Republika” është gjithashtu vendi më i mirë për të bërë një foto të Beratit.

Vizitoni Muzeun Etnografik

Muzeu Etnografik është një vend i shkëlqyeshëm për të vizituar nëse dëshiron të mësosh për historinë e Beratit dhe kulturën shqiptare. Pamja është gjithashtu e mahnitshme nga ballkoni i muzeut, me pamje nga qyteti. Është një vend i shkëlqyeshëm për të ndaluar për një orë pasi të keni zbritur nga kështjella.

Kanionet e Osumit

Nëse keni një ditë tjetër për të pushuar, ju rekomandojmë ta kaloni atë ditë në natyrë dhe të eksploroni peizazhin përreth të Beratit. Kanioni i Osumit është kanioni më i madh në Shqipëri. Është gjithashtu një shans për ju që të pushoni dhe të notoni në kanion. /atsh/ KultPlus.com

”Omonimia”, filmi që sjell rrëfimin e lidhjes shpirtërore me të kaluarën

Suada Qorraj

Kineatisti italian, Massimo Benvegnù, përmes ujrave të Detit Adriatik arrin në Shqipëri. Gjatë luftës së dytë boterore gjyshi i tij, Antonio vdiq në një fushbetejë në një kënd të largët të Evropës Lindore, në fshatin që qëndron mes maleve e legjendave, aty ku dhe historia mbanë një peshë të madhe, Mezhgoranin e Teplenës, vendin ku edhe sot eshtrat e tij gjejnë prehjen.

“Omonimia”, filmi i shkurtër i regjisorit Mentor Selmani, dokumnton rrugëtimit personal të Massimos si dhe rrëfimin për paraardhësit e tij.

Që në fillim të filmit Massimo tregon se mënyra e vetme për të mësuar nga e kaluara dhe njerëzit që ajo mbante është që të ecësh në shtegun ku të parët e tu kanë udhëtuar, të përpiqesh të jetosh dhimbjen e të qeshurën e tyre. Është hera e parë që ai gjendet në Tiranë, jo në kërkim të historive të huaja, por me fatin që e shtyen ta jetësoj historinë e tij.

“Omonimia” sjellë një nga ato historitë që përjetohen nga shumë, e që rrëfen shumë rrallë, dashurinë e madhe, por të pajetuar të Antonios, gjyshit dhe Antonias, nënës së Massimos, omoniminë e jetës së tyre.

Regjisori për KultPlus ka treguar se filmi është xhiruar në tetor të vitit të kaluar, kryesisht zë vend në zonën e Përmtit dhe Tiranës, por edhe në Durrës, Tepelenë e Fier. Ai poashtu ka treguar se xhirimet kanë shkuar mjaft mirë duke pasur parasysh situatën intenzive që përfshinte rrrugëtimin nga një qytet në tjetrin për të kapur momentin që atij i duhej, xhirim ky që kqa zgjatur pesë ditë, ndërkaq deri në finalizim i janë dashur tre muaj.

”Unë mendoj se njeriu është i prirur për të arritur maksimumin e tij gjatë rrugëtimit të jetës, por kjo është e pamundur të ndodhë nëqoftëse ne nuk arrijmë të njohim të shkuarën tonë. Mua më pëlqen që të tregoj copëza ngjarjes në përjetimin e një personazhi të caktuar”, deklaron regjisori për KultPlus.

Sigurisht se secili projekt ka vështirësitë e veta, edhe realizimi i ”Omonimia”, siç tregon regjisori, nuk ka qenë i lehtë, sipas tij një ndër vështirësitë më të mëdha ka qenë gjetja e vendnodhjes ku është zhvilluar lufta italo-greke, në mes të maleve, pasiqë mbërritja në atë lokacion ishte pothuajse e pamundur. Mirëpo, rrugëtimi i ”Omonimia”, sipas tij ka qenë mjaft inspirues.

”Të interpretosh një histori kaq personale nuk është e thjeshtë. Massimo donte të ndjente vërtet rrugëtimin e gjyshit të tij dhe u mundua me çdo kusht të më jepte çdo gjë që më nevojitej. Ai më la të kuptoj që historia është e rëndësishme”, potencon tutje Selmani

Për Selmanin, si regjisor, është hera e parë që merr pjesë ne Festivalin e Dokufestit, gjë që për të është tejet e rëndësishme, ndërkaq për ‘Omonimia’, kjo është premiera e parë kombëtare, ku sipas regjisorit fakti se kjo premierë po ipet në Dokufest e bën atë shumë të lumtur, pasiqë siç tregon ai, lidhjen me këtë festival e ka shumë të ngushtë.

”Për mua është shumë e rëndësishme që arrita të marrë pjesë. Unë jam regjisor i ri, për mua është filmi i parë. Dëshira ime është që ky film të shihet nga sa më shumë njerëz, dhe ku më mirë se në Dokufest”, shprehet regjisori për KultPlus.

Pandemia ka qenë shkaktari kryesor që ky edicion i Dokufestit është mbajtur në platformën online, duke bërë kështu që të krijojë edhe frikën për mospjesëmarrje të kënaqshme të audiencës, apo vështirësi të tjera gjatë rrugëtimit një javor të këtij festivali. Selmani potencon se sigurisht që ndjesia do të ishte më e mirë ne kinema sesa online, dhe se patjetër që emocioni do të ishte më i madh, mirëpo sipas tij platforma e Dokufestit ishte e realizuar shumë mirë teknikisht dhe kjo gjë nuk do të ndikonte negativisht në përcjelljen e ndjesisë së filmit nga ana e spektatorëve.

I pyetur për mesazhin që filmi tenton të përcjellë tek masa, regjisori është përgjigjur se: Lufta është diçka e pavlerë dhe është dashuria shpirtërore ajo që e mban të lidhur njeriun me historinë e tij.

Krahas Dokufestit filmi i regjisorit Selman, “Omonimia” do të marrë pjesë edhe në International Human Rights Film Festival Albania që mbahet në Tiranë, Around International Film që mbahet në Barcelonë dhe në festivalin First – Time Filmmaker Session. / KultPlus.com

Komuna Islamike e Vushtrrisë!

Nga Gani Mehmetaj

Si ka nis të shpërfytyrohet qyteti mesjetar i Pjetër Spanit dhe Vicianumi i dikurshem?

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, në kohën e pandemisë u drejtohet qytetarëve përmes ezanit të xhamisë, mu si në mesjetën e hershme shkretinore. Kurrë nuk ka ndodh në territoret shqiptare që zyrtari i shtetit t’u drejtohet qytetarëve përmes ezanit e xhamisë.

Nuk e di ai ç’është radioja e televizioni, nuk e di as ç’është komunikata zyrtare.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë e financon Bashkësinë Islame të qytetit duke ia paguar çdo varrim dhe ritualet fetare me para të shtetit.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë është angazhuar për ndërtimin e Qendrës Islamike, duke e shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pati shumë reagime të qytetarëve ndaj këtij angazhimi islamik, sepse Vushtrria ka aq shumë prioritete të tjera, ka papunësi të madhe, varfëri të skajshme, mjerim të pafund sa të ndërtosh qendër islamike për të rinj, në kohën kur të rinjtë po ikin në Perëndim.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka bërë vepër penale, ka shkelur kushtetutën e Kosovës dhe ligjet për neutralitetin e shtetit ndaj feve.
Prandaj me të drejtë pritet reagimi i shtetit të Dardanisë dhe reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse ai ishte kandidat i kësaj partie. / KultPlus.com

30 vjetori i lidhjes së miqësisë me SHBA-të (VIDEO)

Me ftesën e Këshillit për të drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan dhe nën organizimin e Lidhjes shqiptaro-amerikane, nga 4 – 28 qershor 1990, delegacioni i partive politike të Kosovës dhe shoqatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut , të prira nga “Lidhja Demokratike e Kosovës”, e ku morën pjesë edhe intelektualë të shumtë shqiptarë nga viset e ish jugosllavisë, qendroi në një vizitë në SHBA.

Në Uashington, përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhanë dëshmi në Komisionin e Kongresit Amerikan për të Drejtat edhe Liritë e Njeriut, me ç’rast u pritën edhe nga një grup kongresmenësh dhe senatorësh nën drejtimin e Robert Dolit, kongresmen dhe nënkryetar i Partisë Republikane.

Përfaqësuesit shqiptarë, në Uashington, u pritën edhe në Departamentin e shtetit dhe në disa institucione të tjera qeveritare amerikane.

Më 28 qershor, në hotelin Sheraton, në Nju Jork, u mbajt mbrëmja e përbashkët me shqiptaro-amerkanët e organizuar nga Lidhja shqiptaro-amerikane e drejtuar nga Diogardi dhe peronalitete të njohura shqiptare në SHBA (H.Bajraktari, Xh. Xhema, O. Hoxha, F. Gashi , S. Repishti, e të tjerë), që ishin angazhuar me të madhe në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe në përgjithësi në procesin e transizionit pas rrënimit të Murit të Berlinit, që edhe shqiptarët t’i bashkoheshin lëvizjeve antikomuniste për ta rrënuar diktaturën komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Në Darkën madhështore të Sheratonit, ku ishin të pranishëm senatorët Tom Lentosh, Igelberger, e të tjerë, para dy mijë e sa mysafirëve, folën dr. Ibrahim Rugova, akademik Idriz Ajeti, akademik Rexhep Qosja, kolonel Tomë Berisha, Jusuf Buxhovi, Luljeta Pula-Beqiri, Veton Surroi, Hivzi Islami, Halil Matoshi, Shkëlzen Maliqi, Anton Kolaj dhe të tjerë. U theksua përcaktimi për liri, demokraci dhe pavarësi si dhe përkatësia perëndimore.

Ishin këto deponime historike të intelektualëve shqiptarë me të cilat u vu miqësia me SHBA-të, që i dha shtysën kryesore dhe vendimtare lëvizjes kombëtare nëpër të cilkën kaloi rezistenca insitucionale dhe e armatosur që solli shtetin e Kosovës dhe pavarësinë. / KultPlus.com

Lumi i Shalës, ‘Parajsa e Vogël’ mes madhështisë së Alpeve Shqiptare

I cilësuar si një “parajsë e vogël”, lumi i Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare për turistët vendas e të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, thekson se fotot e këtij lumi nuk arrijnë në asnjë moment të tregojnë realisht bukuritë mes Alpeve Shqiptare.

“Mund t’ju kenë folur me shumë entuziazëm për Lumin e Shalës dhe t’ju kenë treguar mjaft foto panoramike . Asgjë nuk është e mbivlerësuar dhe fotot nuk arrijnë ta mbërthejnë realisht të gjithë bukurinë që ka për t’ju ofruar. Nëse ende nuk e keni vizituar, çfarë prisni?“,- shprehet Klosi duke bërë kështu dhe një ftesë për vizitorët që lumin e Shalës ta shtojnë në axhendën e tyre turistike të këtij sezoni veror.

Lumi i Shalë buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 kilometra prej burimit në majën e Radohinës e deri në Koman. Lumi i Shalës është një destinacion turistik si për të turistët e huaj dhe pushuesit vendas, ku shumica prej tyre e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com

Saimir Pirgu, pjesëmarrës në 100 vjetorin e Festivalit të Salzburgut në Austri

Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, sëfundi ka qenë pjesëmarrës në 100 vjetorin e Festivalit të Salzburgut në Austri, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë tenori, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjerash e ka konsideruar këtë pjesëmarrje si një emocion të papërshkrueshëm.

”Një nder për mua të jem prezent në 100-vjetorin e Festivalit të Salzburgut në Austri me Vienna Philharmonic / Wiener Philharmoniker dhe maestro #RiccardoMuti e gjithashtu me kolegët e mi të mrekullueshëm . Emocione të papërshkueshme”, thuhet në postimin e Pirgut. / KultPlus.com

Dua Lipa kujton kohën si refugjate: Prindërit e mi gjithmonë ëndërronin të ktheheshin në Kosovë

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, së fundmi ka pushtuar kopertinën e revistës së famshme, W Magazine.

Ajo ka dhënë një intervistë për këtë revistë, duke treguar detaje nga karriera dhe jeta e saj.

Mes shumë sukseseve që po shijon këtë vit, nisur nga albumi i saj “Future Nostalgia” që doli në shitje në mars, revista i ka kushtuar Duas edhe një shkrim mbi periudhën kur ajo ishte një refugjate në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ajo vjen nga një familje “shumë liberale” e muzikantësh (babai i saj ishte këngëtar i grupit ODA, një grup kosovar i muzikës ‘rock’) dhe akademikë (gjyshi i saj ishte një historian), dhe u rrit kryesisht në Londër, por gjuha e saj e parë është shqipja, dhe ajo është vajzë e refugjatëve”, shkruan W Magazine për artisten shqiptare.

“Në vitin 1992, tre vjet para lindjes së saj, familja e saj u dëbua nga qyteti i lindjes së tyre, Prishtinë, nga forcat nën drejtimin e presidentit serb Slobodan Milosevic. Në kohën kur familja Lipa u rikthye në vendlindje në vitin 2006, kur Dua ishte 11 vjeçare, Kosova kishte duruar një luftë që rezultoi me mijëra vdekje civile, shpërngulje masive të popullësisë dhe krime lufte, për të cilat u akuzuan më vonë një numër zyrtarësh, përfshirë Millosheviqin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, vazhdon më tej shkrimin W Magazine.

“Prindërit e mi gjithmonë ëndërronin të ktheheshin në Kosovë”, ka thënë Dua Lipa për revistën në fjalë.

“Unë mendoj se një gjë që njerëzit nuk e kuptojnë, veçanërisht me situatën e refugjatëve për momentin, është se thjeshtë askush nuk largohet nga vendlindja, përveç nëse dëshiron të kujdeset për familjen e tyre ose janë në kohë krize”, ka thënë më tej këngëtarja kosovare.

Deklaratat politike janë të rrezikshme për yjet e muzikës pop, dhe Lipa nuk bën përjashtim. Në Instagram, që është platforma e saj e preferuar e rrjeteve, ajo tregoi mbështetjen për Bernie Sanders në ShBA dhe Partinë e Punës në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell Telegrafi.

“Është një shuplakë e tillë në fytyrë kur lexoj komentet nën postimet e mia”, thotë Dua. “Pavarësisht nëse bëhet fjalë për të drejtat e abortit ose për të drejtat e grave, komentet gjithmonë kanë tendencë të jenë e kundërta e plotë e asaj që thashë, dhe jam çuditur, si psh, Pse këta njerëz më ndjekin nëse nuk e dinë se për çfarë unë kërkoj? Të gjithë e meritojnë mendimin e tyre, por thjesht mendoj se detyra ime është të flas për gjërat që janë me të vërtetë të rëndësishme për një botë më të drejtë. Unë dua një hapësirë ​​të sigurt për të gjithë fansat dhe dëgjuesit e mi dhe për njerëzit në mbarë botën. Ne thjesht duam të jemi më të hapur dhe jo të gjykueshëm, dhe kështu mund të shohim një të ardhme më të ndritshme. Unë vërtet besoj në këtë”, ka thënë Dua Lipa përgjatë intervistës për W Magazine. / KultPlus.com

Poeti Lasgush Poradeci përlotet duke folur për Kosovën (VIDEO)

Poeti i madh Lasgush Poradeci ka pasur një ndjenjë të veçantë për Kosovën.

Në videon e mëposhtme, Poradeci rrëfen ndjenjat e tij patriotike për Kosovën.

Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë. /KultPlus.com

https://www.facebook.com/Gjergj.Kastrioti.Skenderbeu.Official/videos/10156173431811468/

“Ty të kisha yll rinie, një dhuratë prej perëndie”(VIDEO)

Naser Berisha është njëri nga zërat që kishte qenë prezent intenzivisht në skenën muzikore kohë më parë, veçmas në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.com

Një numër i madh i baladave dhe këngëve tjera të tij janë shëndrruar në hite të pavdekshme të tij.

“A me kujton” është njëra nga këngët e tij, e cila njësoj si të tjerat është ripërpunuar disa herë nga artistë të ndryshëm. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge.

“Koha iku, na harroi
Mbeti veç kujtimi letër,
Si ngahera, të kërkoj
Me gitarë poemë e vjetër
Para shkollës, si dikur
Unë të pres, e ti nuk vije
Dhe pyes vetën, si i marrë
Ndonjëherë në mend do t´bije

Ref: 2
Ku më mbete bjondina ime
Që më ngjall prapë këto kujtime
Ndonjëherë të lutem a me kujton!
Ty të kisha yll rinie
Një dhuratë prej përendie
Dashuri e vjetër të kërkoj…

Gjumë nuk kam, bie shi
Në fotografi ti vetëm mbete
Jeta të mori, larg të çoi
Y
Nuk e di se ku më trete
Jam i vetëm, si atëherë
Fati mua nuk më priu
Lumturinë që ne e kishim
fatkeqësia e përbiu…

Ref : 3
Ku më mbete bjondina ime
Që më ngjall prapë këto kujtime
Ndonjëherë të lutem a më kujton
Ty të kisha yll rinie
Një dhurat prej përendie
Dashuri e vjetër të kërkoj…

https://www.youtube.com/watch?v=D3vWYY7Fk5U&feature=emb_title

Hesse: Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet i shkretë

Hermann Hesse lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime, shkruan KultPlus.

Hermann Hesse ishte djali i një pastori (prifti) dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar.

Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqiat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturen angleze. Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrinë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Sonte po e sjellim këtë thënie të vlefshme nga ky autor gjerman:

“Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet i shkretë” /KultPlus.com

Artisti “zbulon” fontet e logove të famshme

Një dizajner nga Italia, i quajtur Emanuele Abrate, ka “zbuluar” fontet e disa prej logove më të famshme në botë.

S’ka dyshime se logotipet janë shumë të rëndësishme për kompanitë. Kjo është arsyeja pse emrat e disa prej logove më të famshme në botë janë menduar mirë para se të krijohen, edhe pse mund të duken të thjeshta.

Shpesh, thjeshtësia është thelbësore.

Përzgjedhja e tipit të logove dhe fontit të duhur është thelbësore dhe duhet mirë për t’u kombinuar edhe me ngjyrën.

Disa prej markave më të famshme në botë, kanë përdorur fontet e njohura si Helvetica, Arial, dhe Gotham, ndërsa të tjerët krijojnë modelet e tyre të zakonshme, shpesh të bazuara ose të frymëzuara nga fontet klasike.

Dizajneri grafik italian, Abrate, ka publikuar fontet që kanë përdorur Adidasi, Twitteri, The North Face, Zara, Microsoft, TikTok, Instagram e shumë të tjera. /KultPlus.com

Ndahen çmimet e festivalit të mirënjohur DokuFest, këta janë filmat fitues

Sonte është mbajtur edicioni i 19-të i festivalit të njohur DokuFest, i cili këtë herë është mbajtur në formë virtuale, ku dhe janë shpallur fituesit, shkruan KultPlus.

Juria e Ballkanit është shprehur e lumtur me pjesëmarrjen në këtë edicion. Në mesin e shumë filmave cilësorë që kanë ardhur në këtë festival të këtij edicioni, gjithsej 90 filma nga 51 vende që garuan për 8 kategoritë konkurruese e që u vlerësuan online nga juria.

Lisa e plotë e fituesve të këtij edicioni është si vijon:

Filmi i Murat Zherkës “65 roses” është shpallur fitues i çmimit për distribuimin në garën kombëtare.

Minutat e këtij filmi sjellin rrëfimi e detajuar të jetës së Yllkës, që nga ëndrrat, dëshirat madje edhe pengesat që ajo kalon ditë pas dite. Vera e vitit që lam pas shënoi edhe xhirimet e para të këtij dokumentari, përgjatë dy muajve ekipi nga Shkupi që tashmë ishte vendosur në Prishtinë, përcolli Yllkën dhe historinë e jetës së saj.

Filmi i Aulona Fetahaj, “She asked me where i was from” ka arritur të shpallet fitues i në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë.

Në kategorinë, Gara e Ballkanit filmi fitues u shpall “Once Upon a youth.

Në garën Truth, cmimi për filmin më të mirë shkon për filmin “Collective” nga Alexander Nanau.

Çmimi për filmin më të mirë në garën ndërkombëtare të shkurtë “Sun dog” nga Dorian Jespers.

Çmimi kryesor për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar e fitoi filmi ”Tender” nga Isabel Paglai.

Ndërsa në kategorinë e dokumentarëve ndërkombëtar çmimin e parë e fitoi “The metamorphosis of birds” nga Catarina Vasconcelos.

Tutje, filmi më i mirë për të drejtat e njeriut shkon për ”The earth is blue as an orange” nga Iryna Tsylik.

Edicioni i sivjetmë ishte ndryshe nga ata paraprak. Shkaku i pandemisë edicioni i 19-të u mbajt në formën online, pa krijuar atmosferën fantastike që e karakterizon këtë festival.

Megjithatë edhe këtë vit, interesimi ishte i madh për këta filma që u ekspozuan në DokuFestin e 2020-ës. /KultPlus.com

‘She Asked Me Where I Was From’ nga Aulona Fetahaj, fitues në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë

Në festivalin DokuFest, filmi i Aulona Fetahaj, “She asked me where i was from” ka arritur të shpallet fitues i në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë.

Fotografitë që shpalosin kujtime, periudha të ndryshme kohore, nga njëri vend në tjetrin, vende sa të huaja, aq edhe të vogla, por mjaftueshëm sa për të krijuar një të kaluar që do mbetet vetëm suvenir në kohë. Kjo është përmbajtja e filmit “She asked me where I came from”, që sjell historinë personale të regjisores Aulona Fetahaj, që filloi të ndihej e huaj në vendin ku jetonte, sepse një nga pesë njerëz nuk pëlqenin refugjatët si ajo, shkruan KultPlus.

Filmi kishte filluar të realizohej si një ide për temën e bachellorit, si dëshirë e  regjisores që tash e sa kohë jetonte në Belgjikë, për të krijuar diçka për vendin e saj, Kosovën. Ajo në një intervistë për KultPlus tregon se nga pamundësia për të udhëtuar për në Kosovë asaj i lindi ideja që të krijoj një film të tillë nga prapa ekranit të saj.

“Nuk kam mundur të shkoj në Kosovë për të filmuar, kështu që u detyrova me mendu se si mund të krijoja diçka për Kosovën nga Belgjika. Si një e huaj në Belgjikë, ishte një pozicion që automatikisht përcaktoi përmbajtjen e filmit. Duke qenë e tillë, mendoj se këtu është formuar edhe forma e narracioni i filmit, nga një distancë (nga prapa ekranit tim) duke parë botën e jashtme ishte në gjendje të reflektoja më mirë për të”, ka deklaruar ajo. /KultPlus.com

“Once Upon A Youth” nga Ivan Ramlajk fitues i çmimit kryesor në kategorinë e Balcan Doc në Dokufest

Sonte, me përfundimin e këtij festivali të filmit, po ipen edhe çmimet për filmat më të mirë.

“Once Upon A Youth” nga Ivan Ramlajk u shpall fitues i çmimit kryesor në kategorinë e Garës së Ballkanit në Dokufest

Juria besonte se çdo film që ka marrë pjesë në këtë kategori është fitues në këtë festival me famë. Sidoqoftë, sipas tyre ekziston një film që qëndron si një zë i pavarur për çmimin e këtij viti, një zë i pavarur që jep frymëzim për secilin për të krijuar një vepër me një pasion për të ndarë një histori të një shoku që ndikoi në të gjithë ata që ishin rreth tij. / KultPlus.com

“The Metamorphosis of Birds” fitues në kategorinë e Dokumentarëve Ndërkombëtar

Për rindërtimin e saj elegant të një historie të përjetshme dhe universale dhe për ndjeshmërinë e saj ndaj mundësive krijuese të ofruara nga kinemaja jo fiction, juria vendosi të shpërblejë një film të parë mbresëlënës, duke konfirmuar gjallërinë e kinemasë bashkëkohore portugeze”, ishin këto komentet e jurisë së kategorisë për dokumentarin ndërkombëtar, fituese kryesore e të cilit ishte Catarina Vasconcelos me “The metamorphosis of birds”

Në film trajtohet ngjarja e Beatriz dhe Henrique të cilët u martuan në ditën kur ajo u mbush 21 vjeç. Henrique, një oficer detar, kaloi periudha të gjata në det. Në tokë, Beatriz, e cila mësoi gjithçka nga vertikaliteti i bimëve, u kujdes për rrënjët e gjashtë fëmijëve të saj. / KultPlus.com

‘The Earth is blue as an orange’, fitues i çmimit Filmi Më i Mirë Për të Drejtat e Njeriut

Sonte, me përfundimin e këtij festivali të filmit, po ipen edhe çmimet për filmat më të mirë.

Në kategorinë ‘Green Docs’, ku konkuronin filmat mbi të Drejtat e Njeriut, çmimi për filmin më të mirë shkoi për ‘The Earth is blue as an orange’

Juria e Kategorisë për Dokumentarin mbi të Drejtat e njeriut, dokumentarin ‘The Earht is blue as an Orange’ e konsideronte si një portret delikat, intim të një familje matriarkale gjatë kohës së luftës dhe vullneti që krijohet në periudhë të tillë. Sipas tyre, filmi ofron më shumë sesa një vështrim në këmbëngulje; ai na jep një shije të rezistencës. / KultPlus.com

’65 Roses’ nga Murat Zherka, fitues i Çmimit për Distribuim në Garën Kombëtare në Dokufest

Sonte, me përfundimin e këtij festivali të filmit, po ipen edhe çmimet për filmat më të mirë.

Ndërkaq, filmi i Murat Zherkës është shpallur fitues i çmimit për distribuimin në garën kombëtare

Minutat e këtij filmi sjellin rrëfimi e detajuar të jetës së Yllkës, që nga ëndrrat, dëshirat madje edhe pengesat që ajo kalon ditë pas dite. Vera e vitit që lam pas shënoi edhe xhirimet e para të këtij dokumentari, përgjatë dy muajve ekipi nga Shkupi që tashmë ishte vendosur në Prishtinë, përcolli Yllkën dhe historinë e jetës së saj.

Regjisori i këtij dokumentari Murat Zherka në një intervistë për KultPlus ka treguar se që nga hera e parë kur e kishte dëgjuar historinë e Yllkës ai kishte qenë kureshtar që ta zhvillonte tregimin e saj edhe më tutje. / KultPlus.com

Porosia që Akademik Stavileci u kishte lënë studentëve para pensionimit të tij

Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”.

Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen!
Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal!

Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!

Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë.

Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.

Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.

Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”.

Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë!

Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”.

Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë!

Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”.

Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë!

Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta.

Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit.

Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!

Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step!

Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë.

Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”.

Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa.

Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar?

Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja!

Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë.

Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.

Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!”.

Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet!

Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos e bën hapin, përpara se ta bësh hapin! Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!

Mundimi më i madh është “mundimi me fjalët”. Të flasësh apo të heshtësh? Asjnëherë mos hesht, kur duhet të flasësh; përherë hesht kur nuk e ke fjalën!

Njerëzit flasin shumë, sepse “fjalët i kanë falas!”. Prandaj, flis tamam!

Prej njeriut qe flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”.

Aftësinë nuk mund ta fshehësh, si “diellin pas kodrës”.Por, në mungesë kujdesi, “mund ta ndotësh”.

Alarmuese: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës” kur majmunët mund të kontestojnë se ata e kanë prejardhjen prej tyre!
Shoqërohuni me më “të vjetrit”, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shisni mend” me të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj!

“Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”.

Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punë time ta përshkojë ndershmëria: “punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë”.

Ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë!

Në jetë nuk duhet të lejosh që të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po ik përpara se “të shurdhohem!”.

Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetveten”. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe.

Kujdes: asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë.

Asgjë nuk kam mësuar të tjerët, përpara se ta mësojë veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.

Në jetë kam pëlqyer që të mos prishëm me të tjerët, pa ju ndalua të tjerëve që “të prishën me mua”. Eshtë nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.

Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!”.

Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Eshtë politikan i mirë vetëm ai që “bën gjumë të rahatshëm!”.

Profesion më të mirë kam konsideruar atë që “të mësosh të tjerët” atë që ke “mësuar për veten”.

Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe më shumë.

Kam parapëlqyer “përgjigjet figurative”.

Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që “po paraqitet”; më i vështirë se që “po mendohet” dhe më i gjatë se që “po parashikohet”.

Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vra mendjen se “më mirë se me duart e huaja ndërtohet me duart tua!”.

Kemi hedhur hapin, pa fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Pastaj, jemi lëshuar në vrap, pa pyetur se ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar.

Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci , përgjigjesha me këngën e Ardit Gjebresë: “Ja ku jam!”.

Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha : “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzës, Jo nuk ndahet Mitrovica!”.

Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha:

“Nuk vendoset karroca para kalit”.

Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej: që “drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar”.

Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:”nesër”.

E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!.

Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha!”.

Mos harro se ora nuk është vetëm “për ta mbajtur”, por edhe “për t’iu përmbajtur!”.

Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë!
Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më herët e dikush më vonë!

Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësi.

Më kanë thënë pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë.

Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.

Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardhë fytyrën drejtësisë”: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, po sikurse që e lanë fytyrën”.

Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.

Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin, mos ua falë besimin!”.

Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh.

Në një fjalë të urtë thuhet se “ai që ia di rendin heshtjes, duhet ‘ia mësojë rendin edhe fjalës”.

Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. I vetmi njeri që mund të ndryshojë mendjen është ai që ka një mendje! I vetmi njeri që e mban fjalën është ai që nuk e jep!

Fjalën publike e kam mbështetur në argumente. Argumenti është sikur bora: “sa më butë që bie, aq më shumë zë vend”.

Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet pesimist.

Cili është dallimi midis optimistit dhe pesimistit?

Përherë kam pasur një përgjigje: optimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat!

Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën.

Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?

Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”.

Kam tërhequr vërejtjen se shteti “nuk është mallë që shitet në treg”.

Kam porositur:

(1)Në një vend ku qeveriset pa demokraci, “luhet me legjitimitet”.

(2)Zgjedhjet vendosin se “kush do të qeverisë”, e jo “çfarë do të jetë qeverisja”.

(3)Nuk janë zgjedhje ato kur “ata që do të zgjidhen, i zgjedhin ata që do të zgjidhen”.

(4)Vetem qeverisja e mirë, e bën “demokracinë të mundshme”.

Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatisë këtë ligjeratë?

Shkurt: tërë jetën!

Mbani në mend: “të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”.

Po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!

Prishtinë. Fakulteti Juridik 8 tetor 2010. /KultPlus.com

Bileta online me çmime simbolike për turistët, vizita në 10 muze e parqe arkeologjike dhe informacion në 6 gjuhë

Ministrja e Kulturës, Eva Margariti u ka bërë thirrje shqiptarëve të vizitojnë këtë verë muzetë dhe parqet arkeologjike të vendit tonë duke blerë biletën nga shtëpia.

Ministrja Margariti gjithashtu ka rikujtuar dhe “Paketën Covid”, që ofron çmime të reduktuara për hyrjen e vizitorëve në muzetë dhe parqet arkeologjike, deri më 31 gusht.

“Këtë situatë të vështirë pandemike, mund ta shfrytëzojmë për të njohur më shumë Shqipërinë. Përmes “Paketës Covid”, deri në 31 gusht mund të përfitoni nga oferta e çmimeve të biletave, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike me çmime simbolike”,- thekson Margariti.

“Çmimet janë edhe më të ulëta nëse do të zgjidhni ta prisni biletën tuaj online, në faqen www.cultureticketalbania.al. Kjo ofertë vlen për 10 muze e parqe arkeologjike, informacioni për të cilat është i mundshëm në 6 gjuhë të ndryshme. Bli biletën tënde nga shtëpia! www.cultureticketalbania.al”- shprehet Margariti. /Atsh /KultPlus.com

Akademikja shqiptare merr postin e rendësishëm në universitetin e Hjustonit

Akademikja shqiptare, Lindita Camaj, është emëruar “Director of Graduate Studies” pranë Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Houston-it.

Ajo njëkohësisht është lektore në të njëjtin Faktultet. Camaj përfundoi me sukses doktoraturën në Indiana University dhe zhvillon hulumtime në fushën e lirisë së shtypit.

Më shumë rreth Camaj-t.

Lindita Camaj është asistent profesor në Shkollën e Komunikimit “Jack J. Valenti”, në Universitetin e Hjustonit. Interesat e fushës së saj të studimit përfshijnë rolin e mediave gjatë fushatave elektorale, efektet e përcaktimit të axhendës, legjislacionin e Lirisë së Informacionit (FOIa) dhe marrëdhëniet shtet-shtyp në Evropën Lindore.

Si një studiuese me shumë metoda e bazuar në rendin e ditës për ndërtimin e axhendës, hulumtimi i saj eksploron faktorë individualë dhe shoqërorë që përcaktojnë ndikimin e mediave masive në mënyrën se si ne e perceptojmë dhe përfshihemi me botën politike.

Puna e saj studimore është vlerësuar nga Shoqata për Edukim në Gazetari dhe Komunikim Masiv (AEJMC) dhe është botuar në revista të shumta me ndikim të lartë në kryqëzimin e mediave masive, teknologjisë, politikës, studimit ndërkombëtar dhe gazetarisë.

Para se të hynte në akademi, ajo ka punuar si gazetare profesioniste në Ballkan, duke mbuluar punët publike dhe zgjedhjet për median lokale dhe ndërkombëtare. /KultPlus.com

Gabriel Garcia Marquez: Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet

“Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja ato që po them. Do i jepja rëndësi gjërave jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë. Do vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja kur të tjerët do flisnin, dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!

Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim.

Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa i thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë. Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.

Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.

Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë.

Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet….Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon…

Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd.

Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri…

Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.

Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër.

Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.

Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…” /KultPlus.com