RrGK-ja pas lirimit të burrit nga Mitrovica që dyshohet se dhunoi vajzën e tij: Kërkojmë masë mbrojtëse për 17-vjeçaren

Pas rastit të 17-vjeçares që dyshohet se u dhunua nga babai i saj, Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat.

E për këtë ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, ku në një komunikatë për media duke kërkuar masa mbrojtëse për 17-vjeçaren.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat. Arsyeja kryesore për lirimin e tij, edhe pse kishte prova bindëse, përfshirë këtu edhe deklaratën e 17 vjeçares, ishte se prokuroria kishte dështuar të ofronte dëshmi të mjaftueshme për ta bindur trupin gjykues për fajësinë e tij. Kjo ka bërë prokurorinë ta përdorë të drejtën e ankimimit duke e dërguar rastin në Gjykatën e Apelit”, thuhet në reagimin e tyre.

“Trajtimi i incestit vazhdon të mbetet tabu, si nga shoqëria ashtu edhe nga institucionet. Sa seriozisht trajtohet incesti na e dëshmon më së miri edhe ky rast. 

Madje, vite më parë nëna e viktimës kishte raportuar dhunën që po e përjetonte nga bashkëshorti i saj, i dyshuar për dhunimin seksual të vajzës. I njëjti, vite më parë ia kishte ndaluar të miturës shkollimin. Po ashtu, raportimet e nënës së viktimës për përjetimet e dhunës në familje, të drejtuara në stacionin policor, kishin hasur në vesh të shurdhër. Po të trajtoheshin sipas kornizës ligjore fillimisht këto raportime, do të parandalohej edhe përjetimi më i tmerrshëm i të miturës, përjetim ky që do të lerë pasoja gjatë në shëndetin mendor të saj. Për ta vështirësuar edhe më shumë situatën, pasi që u shpall i pafajshëm, i dyshuari u rikthye sërish të jetojë në shtëpinë e njejtë me viktimat e tij, gruan ndaj të cilës për vite me radhë po ushtronte dhunë në familje dhe vajza e cila ishte dhunuar seksualisht nga ai. Qendra për Punë Sociale, si organ përgjegjës për kujdesin e të miturve ishte distancuar nga çdo përgjegjësi duke u arsyetuar se nuk kishin çfarë tjetër të bënin”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave të Kosovës.

RrGK-ja ka kërkuar që babai i 17-vjeçares të mos jetojë në liri si dhe po presin nga prokuriria që të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën. RrGK-ja ka kërkuar që babai i 17-vjeçares të mos jetojë në liri si dhe po presin nga prokuroria që të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën.

“RrGK ngrit shqetësimin se të jetuarit në të njëjtin ambient me ushtruesin e dhunës, përveç që dëmton mirëqenien psikologjike të saj, mund të ndikojë edhe në frikësim dhe kërcënim për të raportuar sërish, tani që rasti është në rigjykim. I bëjmë thirrje Qendrës për Punë Sociale ta trajtojë rastin me seriozitet, duke i kërkuar që të ketë edhe bashkëpunim me strehimoret për të mitur në mënyrë që të miturës t’i ofrohet strehim në rast se ajo ka nevojë, si edhe ndihmë psikologjike. Ne i bëjmë thirrje edhe Policisë së Kosovës, që të përgjigjet konform obligimeve ligjore në rastet e raportimeve të dhunës. Presim që edhe Mbrojtësit e Viktimave ta asistojnë prokurorinë që të sjellin drejtësinë.

Incesti sado që është temë tabu, ndodh në çdo shoqëri, përfshirë edhe shoqërinë tonë, andaj ne kërkojmë drejtësi dhe trajtim të duhur për viktimat e incestit.

Gjithashtu ju njoftojmë se RrGK do ta monitorojë trajtimin e këtij rasti si dhe do të jemi në gatishmëri për të ndihmuar që drejtësia të triumfojë”, thuhet në reagimin e tyre.

Të premten që lamë pas, në emisionin “Udhëve” të RTK-së, u bë publik rasti i së miturës 17 vjeçare e cila ishte përdhunuar seksualisht nga babai i saj, në rajonin e Mitrovicës. /Express/ KultPlus.com

Mozaiku i Theofanisë një pasuri historike në Horën e Arbëreshëve

Mozaiku i Theofanisë u krijua nga mjeshtri Spiridione Marino për t’u integruar në pasurinë historike të tre kanolive që ndodhen në sheshin kryesor të Horës së Arbëreshëve.

Në fakt, ky mozaik nuk është futur asnjëherë në listën e veprave që duhet të ruhen me kujdes dhe më pas është ekspozuar në hyrje të Muzeut Barbato. Është ndërtuar në një strukturë hekuri mbi të cilën ishin vendosur të dy panelet. Me kalimin e viteve, pesha e paneleve filloi të ndryshojë qëndrueshmërinë e strukturës e cila filloi të dëmtojë panelet e mozaikut.

Vetëm në vitin 2017, nën drejtimin e Salvatore Vasotti, në bashkëpunim të ngushtë me Zëvendës Kryetarin e Bashkisë Giorgio Stassi, u miratua vendosja e dy paneleve në murin e djathtë në lidhje me hyrjen e muzeut.

Ishte një operacion shumë kompleks i bërë i mundur vetëm falë ekspertizës së Giorgio Lo Greco dhe ndihmës së vullnetarëve si Nicola Cutrono. Mbështetja e stafit të kujdestarisë së muzeut ishte vendimtare, e cila lehtësoi këtë ndërhyrje në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Falë kësaj iniciative, sot ju mund të shijoni bukurinë e kësaj vepre me shpresën se një ditë do të vendoset në shatërvanin ku është projektuar./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Paul Mescal do të nderohet me çmim special nga revista “GQ”

Ylli irlandez, Paul Mescal, do të pranojë çmimin “Hugo Boss Breakthrough Actor Of The Year” në ceremoninë e ardhshme të ndarjes së shpërblimeve, “GQ Men Of The Year Awards”.

Aktori 24-vjeçar është përzgjedhur ta pranojë këtë trofe, për ta nderuar performancën e tij të jashtëzakonshme në serinë, “Normal People”, e cila i rrëmbeu zemrat e njerëzve me t’u lansuar gjatë periudhës së parë të karantinës, transmeton Koha.

Gjatë një interviste për revistën “GQ”, aktori e ka pranuar se e ka pasur të vështirë ta marrë vendimin rreth karrierës të cilën dëshiron ta ndjekë, sepse nuk ka dashur të përfundojë me një profesion nga i cili do të mërzitej shpejtë.

Aktori irlandez po ashtu ka treguar për një lëndim të madh të cilin e kishte pësuar, që ka bërë që ai të mos luante më futboll dhe kështu ka përfunduar duke e kthyer fokusin drejt aktrimit.

Paul Mescal së fundmi ka pasur rastin ta shikoj serinë “Normal People”, bashkë me kolegen e tij në film, Daisy Edgar-Jones. Kjo ishte hera e parë që dy protagonistët e kanë shikuar produktin final të punës së tyre në këtë seri.

Ceremonia “GQ Men Of The Year Awards 2020” e cila organizohet në bashkëpunim me kompaninë “Hugo Boss”, do të transmetohet në kanalin e revistës “GQ” në YouTube, të enjten më 26 nëntor.

Tafilaj letër kryeministrit, kërkon që Kosova t’i kundërpërgjigjet propagandës serbe me librin “Kosova” të Buxhovit

Ramiz Tafilaj, kreu i kompanisë Progressive Chemical Technologies në Houston dhe pronar i shtëpisë botuese Jalifat Publishing, ka botuar historinë disavëllimëshe “Kosova” të Jusuf Buxhovi në shqip dhe anglisht dhe kujdeset vazhdimisht që ky libër të zërë vendin e duhur.

Sot, ai është kujdesur që nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hotit, të kërkojë që në këtë kohë kur shteti serb po bën propagandë të madhe në SHBA dhe gjithandej në botë kundër qenies historike dhe kulturore të shtetit të Kosovës me anën e lirave të shumta, është e udhës që shteti i Kosovës të shfrytëzojë veprat “Kosova” të Buxhovit që t’i kundërpërgjigjet kësaj propagande.

Kjo është letra e plotë e Tafilat për kryeministrin Hoti:

Letra që po ua dërgojmë̈ Juve, zoti Kryeministër, ka për qëllim që t’iu njoftojë̈ me veprimtarinë̈ tonë në këtë drejtim, por edhe të merrni masa që kjo veprimtari të bëhet pjesë e propagandës shkencore e shtetit të Kosovës. Tash, kur shteti serb po bën propagandë të madhe në SHBA dhe gjithandej në botë kundër qenies historike dhe kulturore të shtetit të Kosovës me anën e librave të shumta, siç janë ato për Kishat Ortodokse serbe në Kosovë dhe “Gjenocidi i shqiptarëve në Kosovës në shekullin XX” në pesë vëllime nga Kisha Ortodokse Serbe, është e udhës, që shteti i Kosovës, të shfrytëzojë̈ ato vepra që ka në gjuhën angleze që t’i kundërpërgjigjet kësaj propagande. Meqë Botuesi “Jalifat Publishing” nga Hustoni para katër vitesh ka përkthyer dhe botuar “Kosovën” e J. Buxhovit në tre vëllime në anglisht dhe se ky libër tashmë është futur në universitetet amerikane si literaturë alternative për Europën Juglindore, e shohim të udhës, që Qeveria e Kosovës, të marrë përsipër që libri “Kosova” nga ana e Qeverisë së Kosovës, nëpërmes ambasadave tona në botë, veçmas në SHBA, të shpërndahet në qarqet diplomatike, politike, kulturoret dhe shkencore. PO ashtu, Qeveria e Kosovës duhet t’i detyrojë, institucionet shkencore dhe akademike, të krijojnë një plan për botimin dhe përkthimin e veprave historiografike që do të shpërndahen në botë. Shtëpia botuese “Jaliffat Publishing” do të përkthejë autorët e këtyre veprave dhe do t’i shpërndajë ato. Por që kjo punë të jetë sa më e organizuar, kërkon edhe përfshirjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që për fat të keq deri më tash ka munguar. / KultPlus.com

U nënshkrua memorandumi për Atashetë Kulturorë të Kosovës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për Atashetë Kulturorë – misionet diplomatike të Republikës së Kosovës duke u bazuar në synimin e përbashkët për fuqizimin e diplomacisë kulturore dhe sportive, shkruan KultPlus.

Me anë të kësaj marrëveshje mundësohet emërimi i Atasheve Kulturorë të cilët do të promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.

Atashe Kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Ne mendojmë që me emërimin e Atasheve Kulturorë do të arrijmë që ta promovojmë kulturën tonë duke shkëmbyer përvojat me shtetet respektive dhe njëkohësisht do t’i paraqesim të arriturat tonë në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Unë si ministre mbes e përkushtuar që t’i kryej të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje në mënyrë që vendi ynë dhe kultura e vendit tonë të jetë prezente në vendet ku do të akreditohen Atashetë Kulturor”, ka thënë Dumoshi. / KultPlus.com

Brooklyni stoliset me flamuj kuq e zi me rastin e Ditës së Flamurit

Një nga lagjet më të mëdha të New Yorkut, Brooklyn, e cila është edhe një nga pesë ndarjet kryesore të New York-ut, i është bashkuar me rastin e festës kombëtare të shqiptarëve, festës së Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit, për herë të pestë, në stolisjen e shtyllave të rrugëve me flamuj kuqezi.

Edhe këtë vit në Brooklyn, flamujt kuq e zi me shqiponjën e zezë dykrenore janë vendosur me iniciativën dhe kontributin e dy vuthjanëve në Nju-Jork, Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj, në një nga rrugët kryesore të qytetit Brooklyn, dy anët e rrugës në bulevardin Bay Parkway, ku jetojnë shumë familje shqiptare, nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare.

Zbukurimet për nder të festës së flamurit, janë bërë pothuajse traditë tashmë. Të gjitha shtëpitë, klubet, e lokalet e shqiptarëve, makinat e tyre, po edhe në disa prej rrugëve e shesheve ku shqiptarët banojnë me shumicë, Bronx, Staten Island, Queens, Brooklyn, e të tjerë, marrin pamjen kuq e zi në nëntor.

Përkrah këtyre flamujve, në shenjë falënderimi ndaj SHBA-së për kontributin e saj për Kosovën e çështjen shqiptare, valëviten edhe flamujt amerikanë, në çdo shtyllë.

“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur për të parë këta flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një falënderim për atë çfarë kanë bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Këshilltari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.

Sipas Gjonaj, jozyrtarisht në zonën e Tri-Shtetëshit, mendohet se janë mbi 250.000 shqiptarë dhe afërsisht 100,000 jetojnë në lagjet Bronx, Kuins, Bruklin dhe Staten Island në Nju-Jork.

“Është e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre”, ka deklaruar Gjonaj. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

BKK shënon 76 vjetorin e themelimit me ceremoninë festive ‘Dita e Bibliotekës’

Me rastin e 76-vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ceremoninë festive ‘Dita e Bibliotekës’, shkruan KultPlus.

Fjalën hapëse do ta bëjë drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ndërsa një fjalë rasti ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Ndër të tjera do të flasin edhe Naser Sahiti – Rektor i Universitetit Prishtinës “Hasan Prishtina” si edhe Osman Gashi – Kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe një fjalë online do ta mbajë Mark Dahl – Drejtor i Bibliotekës Watzek në Kolegjin Luis dhe Clark në Portland të Oregonit të ShBA-së.

Gjatë kësaj ditë do të bëhet edhe shpërndarja e mirënjohjeve me rastin e 76-të vjetorit të BKK-së.

Gjithashtu në ora 12:40 do të bëhet hapja e ekspozitës “Anton Çetta: 100 Vjetori i lindjes” si dhe ekspozita e fotografisë: “Anton Çetta: 30-Vjetori i pajtimit të gjaqeve”.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 25 nëntor 2020 në orën 12:00.​ / KultPlus.com

71 vite nga themelimi i Teatrit ” Migjeni”



Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” u krijua me 24 nëntor 1949, në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave të asaj kohe.

71 vjetorin e trupës së teatrit “Migjeni” po e kujtojmë duke e vënë fokusin në disa statistika.

– Trupa përbëhej nga një regjisor ( Andre Skanjeti).
– Tetë aktorë profesionist. (Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi).
– Dymbëdhjetë aktorë amatorë.
( Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa, Zef Jubani, Lin Gjoni, Enrik Prendushi, Gjovalin Çarkashija, Halim Kali, Kolec Tarfuku, Çesk Vuksani, Muhamet Ulqinaku).
– Një sufler. ( Palok Kurti)
– Një skenograf ( Pjetër Deda)
– Dy marangoz ( Lec Prendi, Kin Marashi)
– Një rekuizitjer ( Ndoc Bazhdari.
– Një rrobaqepës ( Ejll Gjushi)
– Një llogaritar ( Zef Jubani).

– Premiera e parë u shfaq, më 26 Maj 1950.
– Gjatë 71 viteve, kjo trupë ka realizuar 220 premiera, me një mesatare prej 3.01 në vit. Nga këto 220 premiera ishin 133 drama, 64 komedi, 6 teatër poetik, 4 monodrama, 10 drama dhe 1 komedi për fëmijë.
– Në 71 vite kanë interpretuar 92 aktorë profesionist ( nga ke këto 33 aktore femra), dhe 282 aktor amator.
– Në 220 premierat kanë kontribuar 70 dramaturg shqiptar ( nga këto 1 grua).
– 43 regjisor ( nga këto 5 regjisore)
– 45 skenograf ( nga këto 2 skenografe)
– 5 koreograf
– 9 kostumograf (nga këto 7 kostumografe). Ky numër është më i madh në realitet, por, para viteve 90 kostumet i kanë dizajnuar skenografët dhe nuk janë shënuar në posterat e shfaqjeve.

Këto statistika po paraqiten në sintezë, marrë nga studimi i realizuar nga arkivisti i teatrit dhe i mbështetur në dokumentet origjinal të arkivës ekzistuese të teatrit “Migjeni”. / KultPlus.com

Mësuesja shqiptare nominohet për çmimin prestigjioz në Çikago

Aurora Ajdini jeton prej vitesh në Ilinois të SHBA-së, ku punon si mësues matematike.

Së fundmi ajo është nominuar për çmimin “Master Teacher Award” nga Shoqata e mësuesve të matematikës në Çikago. Lajmi bëhet i ditur nga shoqata shqiptaro-amerikane e Grave në Çikago.

Aurora është mësuese matematike në shkollën e mesme katolike “Leo”. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

“Ura”, si simbolikë për luftën mes jetës dhe vdekjes

Medina Pasoma

Shtigjet mes jetës dhe vdekjes e çështjet e luftës dhe pasluftës u paraqitën mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nëpërmjet roleve të aktorëve në shfaqjen premierë “Ura” të regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Skena e errët u ndriçua dhe filloi të krijohej një “lojë” dritash, aktorët filluan të thellohen në personazhet të cilat e përbënin rrëfimin, ndërkaq audienca priste me padurim çdo pjesë të dramës.

Aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj kishin marrë vendet e tyre, për të shfaqur personazhe krejtësisht të kundërta, mirëpo që kanë tejet shumë pika të përafërta. “Ura” nuk mbeti vetëm emërtim shfaqjeje por, ajo u kthye në simbolikë të personazheve, tentim vrasje dhe rikthim shprese por, mbi të gjitha në gjetjen e kuptueshmërisë së jetës.

Shfaqja, skenarin e së cilës e shkroi profesoresha Seadet Beqiri, trajtoj tema të ndryshme. Individi portretizohej si mjet përfaqësues i shoqërisë dhe si qenie ndryshimi. Doni, një luftëtar i lirisë së Kosovës, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i kishte shpëtuar vdekjes dy herë radhazi nga okupatori. Mirëpo, paslufta do të ishte ajo që do ta bënte shpirtin e tij “të vdiste”, kur humb gruan dhe vajzën.

Në anën tjetër, Rroni i cili kishte gjithçka në dorë, i ngrit duart kundër jetës, mirëpo duket se dikush tjetër ia ndërroi rrjedhën vendimit të tij.

Për shfaqjen ku dy protagonistë takohen te ura dhe thellohen në idenë nëse jeta ka kuptim apo jo, na foli regjisori Astrit Bytyqi, i cili për KultPlus theksoi se për të kishte qenë kënaqësi regjisura e tekstit të ish-profesoreshës së tij, Seadet Beqirit.

“Momentin që jam ballafaquar me tekstin kam parë se ai trajton shumë çështje, ngjarje dhe tema brenda vetes. Mirëpo e gjitha ajo që unë kam dashur ta krijoj ka qenë një koncept, që u pa nga publiku përmes aktorëve dhe punës së tyre”, nisi regjisori rrëfimin e tij.

“Ura” kishte pasur një periudhë provash prej 2 muajsh me të gjitha vështirësitë, të mirat dhe sfidat që i kanë dal përballë gjatë rrugëtimit.

“Si vepër kur e kam marrë kam dashur mbi të gjitha ta vlerësoj luftën, mënyrën se si kanë luftuar të parët tanë dhe se si na kanë sjell në këtë ditë që ne të jemi të lirë, të punojmë e të veprojmë. Gjithë fokusin e shfaqjes e kam dërguar në atë kahje që ta shohim edhe anën tjetër, të gjithë ata që kanë luftuar dhe vepruar në vendin tonë e kanë pasur një arsye të caktuar, e ajo ka qenë liria jonë”, shprehet Astrit Bytyqi.

Kjo shfaqje kishte mesazhe të shumta dhe të papritura, të cilat bënin që të shfaqeshin kthesa emocionale përbrenda saj. Mirëpo ajo që veçon Bytyqi në këtë rast është ballafaqimi i ushtarit me luftën dhe shpëtimi nga vdekja, ndërkohë që pasluftës ai humb të dashurit e tij.

‘’Vjen një moment kur ushtari humb vajzën edhe gruan e tij, e gjitha kjo bëhet bashkë me dhimbjen e tij, që e shtynë të ndërroj lokacion, të lë shtëpinë e të gjej strehim te një urë. Aty ballafaqohet me personazhin tjetër, e që ushtari ia jap vetes një mision, që çdokush që vjen aty t’iu bëhet mbështetës, ta rikthej kuptimin e jetës për të”, tha regjisori Bytyqi.

Aktori Avni Dalipi, në këtë shfaqje ka luajtur një rol jo të lehtë, atë të ushtarit. Ai shprehet se personazhi që i dha jetë, Doni, nuk kishte guxim të rikthehej në jetën e tij të dikurshme, andaj ia caktoi vetes një mision të veçantë.

“Qëllimi i tij ishte që t’i largoj nga rruga e gabuar të tjerët, t’i tregoj të gjithë njerëzve se sado që je i ngarkuar, të ballafaqohesh me realitetin është më mirë sesa të largohesh nga ai”, shpjegoi Dalipi.

Avniu tutje sqaron se jo vetëm si aktor por edhe si njeri, ky rol ka qenë më emotiv dhe se shpesh në jetën e përditshme na ndodh të jemi një “Don” dhe të bëhemi një urë mes vdekjes e jetës, duke i ndihmuar njerëzve të kalojnë nga e zeza në të bardhën.

“Brenda neve, në zemrat e shpirtrat tanë kemi vragë të natyrave të ndryshme nëpër këto periudha që kemi kaluar. Ditëve të fundit po ballafaqohemi me gjykimin në Hagë, dashtë e pa dashtë kjo na kthen në kujtimet e mëhershme dhe përjetimet që kemi pasur, e që kjo mund të na lëndojnë shumë në jetë”, ndërlidh Dalipi shfaqjen me aktualitetin.

Në mes të përpjekjeve jetë-vdekje, ekziston një mes, në të cilën aktorët gjallërohen duke e kënduar këngën “Sytë e zi”. Deri në atë moment, Avniu thotë se shfaqja ka pamjen e një klinike psikologjike, ku njëri e këshillon tjetrin duke e ngacmuar.

“Një nga momentet që përbëjnë kthesën emocionale është kur Doni i thotë Rronit ‘’këmbën tjetër, e jo atë’’ dhe ky e sheh që dikush po e pengon poshtë dhe në atë moment kur personi që dëshiron të bën vetëvrasje e sheh tjetrin, tërhiqet”, thotë aktori Dalipi.

Pjesa e këngës përveç që do të mbetet në mendjen e shikuesve, ajo ka lënë një vend të veçantë edhe te aktori Avni Dalipi. Kjo pjesë për të vlerësohet si ndërruese e rrjedhës së ngjarjeve, ku pas këndimit të përbashkët, personazhi të cilin e luajti ai fillon të mos jetë vetëm dëgjues i ndodhive të tjetrit, por edhe rrëfyes për jetën e tij.

“Përmes kësaj shfaqje kemi tentuar t’iu themi njerëzve që pavarësisht këtyre gjërave ne duhet të tentojmë që problemet t’i shndërrojmë në mundësi, e jo në shkatërrime e mbyllje për ne, sa të na humbasin edhe kuptimin e jetës”, tha për fund aktori Dalipi.

Shfaqja artistike “Ura” u duartrokit fuqishëm nga audienca dhe zuri vend në historinë dhe aktualitetin kosovar. / KultPlus.com

Bëhen gati për UNESCO kërcimi i Tropojës, rituali i shtegtimit, xhubleta dhe Eposi i Kreshnikëve

Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim AADF nënshkruan sot në Razmë, Shkodër, memorandumin e mirëkuptimit për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jo-materiale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të UNESCO-s.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “kemi rrugë të vështirë përpara, por të bindur t’ia dalim me sukses, lidhur ngushtë me komunitetin lokal”.

“Rrethuar nga natyra e mrekullueshme, në Razëm, nënshkruam sot Memorandumin e mirëkuptimit për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jomateriale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të UNESCO-s. Bëhet fjalë për katër pasuri të jashtëzakonshmë shqiptare, me të cilat ne krenohemi e fëmijët tanë nuk do të na e falnin nëse nuk do t’ua trashëgonim. E jo vetëm kaq, por ta ndanim edhe me botën”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se këto pasuri janë “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, pasuri e folklorit koreografik, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, ritual shumë i vjetër, që zhvillohet nga Veriu në Jug të Shqipërisë, “Xhubleta”, kjo veshje e rrallë, e mrekullueshme, si teknologji dhe ribërje artizanale unikale dhe të formave të përdorimit të saj dhe “Eposi i Kreshnikëve”, i kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jo materiale shqiptare”/ATSH/ KultPlus.com

Kylie Minogue i bashkohet Dua Lipës në koncertin “Studio 2054”

Në mëngjesin e së martes, Dua Lipa i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta bërë të ditur lajmin se këngëtarja e famshme australiane, Kylie Minogue, do t’i bashkohet asaj në koncertin virtual, “Studio 2054”.

Sipas të përditshmes “The Sun”, Minogue do të performojë në duet me Lipën gjatë shout, i cili transmetohet live nga një depo në Londër, transmeton Koha.

“Jam më se e lumtur ta zbuloj se këngëtarja legjendare, Kylie Minogue, do të performojë me mua. Ajo është një nga heroinat e mia të fëmijërisë dhe ndër artistet e preferuara, dhe ideja e bashkëpunimit me të është ëndërr e shndërruar në realitet. E kam adhuruar performancën e saj në festivalin ‘Glastonbury’ dhe mezi pres të na bashkohet në koncertin ‘Studio 2054’. Jam shumë e emocionuar”, ka shkruar Lipa në mesazhin e saj paralajmërues.

View this post on Instagram

A post shared by DUA LIPA (@dualipa)

Lajmi për pjesëmarrjen e Kyliet në koncertin e Duas vjen një ditë pasi pop ikona australiane, e emëroi Lipën si një prej këngëtareve të reja me të cilën do të dëshironte të bashkëpunonte në të ardhmen.

Minogue u bashkohet yjeve të tjerë të paralajmëruar si mysafir special në koncertin “Studio 2054”, përfshirë këtu FKA Twigs, Angele, Bad Bunny dhe J Balvin.

Dua Lipa pritet t’i ndërrojë disa kostume dhe skenat ku ajo interpreton do të ndryshojnë nga njëra-tjetra. Gjatë performancave ajo po ashtu do të shoqërohet nga disa muzikantë, valltarë, akrobat të ndryshëm dhe mysafirët special.

Sa i përket këngëve që do të interpretohen në koncert, besohet se Lipa do t’i kthehet edhe hiteve të saja të mëparshme dhe natyrisht, për herë të parë do t’i performojë live disa prej këngëve të albumeve, “Future Nostalgia” dhe “Club Future Nostalgia”.

Kjo ishte një javë e madhe për yllin e muzikës pop. Të dielën mbrëma ajo e dha një performancë mahnitëse të hitit “Levitating” në kuadër të ceremonisë “American Music Awards”, ku edhe u shpërblye me një çmim. Ndërkaq të premten e kaluar, Lipa e lansoi bashkëpunimin e shumëpritur me mikeshën e saj, Miley Cyrus, me titull “Prisoner”. Kënga është pritur jashtëzakonisht mirë nga adhuruesit e këngëtareve, të cilat kishin kohë të gjatë që po e prisnin momentin dhe këngën e duhur për të performuar së bashku. Ylli amerikan i muzikës, Miley Cyrus, duke se është shumë e afërt me këngëtaren britaniko-kosovare. Ajo madje pati pranuar të performoj në Prishtinë në vitin 2019, në skenën e festivalit të organizuar nga Dua Lipa, “Sunny Hill Festival”. / Kultplus.com

Në prag të 28 nëntorit “bashkohen” arkivat, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave hap sallë studimi në Kosovë

Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë që ka prani fizike në Kosovë, duke çelur dyert e Këndit Arkivor Prishtinë, si sallë studimi në mjediset e Arkivit të Kosovës.

Çdo studiues dhe qytetar që është i interesuar për të konsultuar dhe shfrytëzuar dokumente që ruhen në Arkivin Qendor Shtetëror, prej kësaj fillimjave, do të ketë mundësi të aksesojë dokumentet prej Prishtinës, njësoj sikur të ishte në Tiranë.

Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, theksoi rëndësinë e unifikimit kulturor të shqiptarëve, larg folklorizmave e përmes integrimit institucional.

“Çdo studiues shqiptar nëse do të studiojë historinë e Shqipërisë nuk mund ta studiojë nëse nuk akseson arkivat e Republikës së Shqipërisë dhe arkivat e Republikës së Kosovës, sepse kur vjen fjala për historinë ne jemi një, një histori kemi të përbashkët, aq më tepër që dokumentacioni deri në vitin 45 nuk gjendet në arkivë ne Kosovës, mbi Kosovën, gjendet në arkivin shtetëror në Shqipëri. Në këtë kuptim mesazhi i parë që dua të jap është ky, ne kemi mundësinë që të unikojmë, larg nacionalizmave dhe folklorizmave dhe larg gjithë formave të tjera ashtu siç duhet të bëjnë institucionet serioze, duke hapur një kënd arkivor në rastin konkret të Arkivit Shqiptar në Republikën e Kosovës” – tha Bido.

 Bedri Zyberaj, Kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës theksoi se duke e hapur këndin shqiptar në arkivin e Kosovës, po arrihet njësimi i shërbimeve që arkivat u ofrojnë në këtë rast hulumtuesve dhe studiuesve.

 “Ne po u krijojmë mundësi që ata të kursejnë kohë, të kursejnë mjete dhe për shkak se dy arkivat tona ua kanë sjellë studiuesve, e sidomos hulumtuesve nga Kosova, më afër shërbimin për gjithë dokumentacionin e shumtë që gjendet në arkivin e shtetit shqiptar. Hulumtuesit nga sot e tutje nga Kosova do ta kenë të njëjtën mundësi për të bërë hulumtim, për të marrë dokumentet që ju duhen, që konsiderojnë se janë në interes, taman si të ishin në mjediset e arkivit të Tiranës” – nënvizoi Zyberaj.

 Procedura e regjistrimit në sallën e studimit në ato qytete ku janë hapur, mund të kryhet edhe nga kompjuteri personal, jashtë sallës në adresën: katalogu.arkivat.gov.al.

Pas aprovimit që kryhet brenda 1 dite pune, aplikanti përmes postës elektornike do të pajiset me një fjalëkalim për të hyrë në Këndin Arkivor në qytetin e tij.

Pas kryerjes së regjistrimit, studiuesi apo qytetari mund të porosisë nga kompjuterat e sallës dosjet apo dokumentet që i nevojiten. Dosjet e porositura do t’i shërbehen në ditën e përzgjedhur prej tij në system dhe do t’i ketë në dispozicion për 5 ditë pune, ditë gjatë të cilave mund të punojë me to.

Këndi Arkivor Prishtinë hapet pas këndeve në Gjirokastër dhe në Shkup. DPA-ja synon të çelë salla studimi në 100 qytete, kudo ku frymon shqiptaria./atsh/ KultPlus.com

Letra me pullën historike të 1859-s shitet për 430 000 euro

Një letër, që mbante një nga pullat e hershme të qytetit të Luebeck-ut, nga viti 1859 dhe që u paraqit në ankand të shtunën, në qytetin Wiesbaden, Gjermani, u shit për 430 000 euro (510 000 dollarë).

Sipas shtëpisë së ankandeve “Heinrich Koehler”, që pretendon se është shtëpia më e vjetër e ankandeve të pullave në Gjermani, oferta fillestare për letrën ishte vetëm 80 000 euro.

Një ofrues anonim e bleu letrën historike pas daljes në ankand të pjesëve të koleksionit të pullave të ish-shefit të grupit të supermarketeve “Tengelmann”, Erivan Haub.

“Heinrich Koehler tha, gjithashtu, se një tjetër letër e ashtuquajtur Baden, e vitit1856, që hyri në garë për 100 000 euro, solli 320 000 euro.

Ajo i përkiste dikur mbretit Carol II të Rumanisë, një koleksionist i pasionuar pas pullave.

Kur ai u arratis në megrim, në 1940, mori me vete edhe koleksionin e tij./ atsh/ KultPlus.com

Kosova pa spital për COVID-19, propozohet që si spitale të përdoren hotelet e konviktet

Spitalet e vendit janë mbushur me të prekur me COVID-19. Pavarësisht se ishte premtuar ndërtimi i një spitali ku do të trajtoheshin të infektuarit me koronavirus, deri tani nuk ka asgjë në këtë drejtim. Ndërkohë, janë përmendur disa objekte të tjera të cilat do të mund të shfrytëzohen për këtë qëllim. Por, për cilat objekte bëhet fjalë?

Fillimisht ishte propozuar që për këtë qëllim të shfrytëzoheshin hotelet e vendit.

Një ide të tillë e ka dhënë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.

“Në shtete të tjera po selektohen edhe hotelet për të shërbyer si spitale të përkohshme. Pse kjo të mos aplikohet edhe në Kosovë. Mendoj se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal që të bëjë përzgjedhjen e këtyre hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të strehohem ose të vendosen personat e infektuar”, ka deklaruar ditë më parë Nushi.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, për të marrë informacione nëse pronarët do të pranonin t’i lëshonin hotelet e tyre që të përdoren si spitale.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva, i ka thënë Gazetës Express se një propozim të tillë, ata e kanë dhënë menjëherë pas rritjes së rasteve.

Sipas tij, pronarët janë pajtuar për këtë çështje, por edhe kanë kërkuar kompensim.

“Ishalla s’ndodh, por nëse ndodh rritja e numrit të të infektuarve edhe s’ka vend nëpër spitale, nga ana humane, pronarët janë në gjendje me i lëshu hotelet e veta, sallat e konferencave, sallat e dasmave me e kry këtë anën humane. Është normale që kur e lëshon, shteti ma ia pagu se ai nuk është klient po pacient. Hiç kurgjë nëse s’paguan, së paku me miratu ligjin edhe me ua qit paret që ua kanë premtu”, ka thënë Sogojeva.

Por, deri tash kjo çështje ka mbetur vetëm si ide, meqenëse as nuk e kanë diskutuar me kryeministrin Avdullah Hoti e as Ministrin e Shëndetësië, Armend Zemaj.

“Ne se kemi diskutuar këtë ide me kryeminsitrin e as ministrin, por e kemi propozuar para 4-5 muajve, kur ke vala e madhe e rasteve. Anëtarësia pati propozu që më i lëshu, paguan s’paguajnë nuk është më rëndësi. Më pastaj erdh edhe propozimi i komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Sogojeva për Express.

Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësië nuk kanë pranuar që të komentojnë një propozim të tillë.

Si objeke të tjera ku mund të trajtohen pacientët e prekur me COVID-19, po përmenden edhe konviktet e studentëve.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka thënë se deri tash nuk është biseduar për këtë çështje. Por, thotë se çfarëdo vendimi që merr Qeveria janë të obliguar që ta implimentojnë.

“Ne nuk e kemi këtë informacion, dhe nuk ka biseduar askush me neve, ne jemi një institucion i cili i përgjigjet Ministrisë së Arsimit dhe varësisht se çfarë vendimi merr Qeveria e Kosovën, ne jemi të obliguar ta implimentojmë dhe ta realizojmë”, ka thënë Sfishta./Gazeta Express /KultPlus.com

“Kjo dashnia kjoft mallkue, që s’po m’len me ndej rehat” (VIDEO)

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte KultPlus ju sjell “Kjo dashnia kjoft mallku”, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit.

https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=QQq771BoPsM&list=PLXyDMQu3ICt5Djh9xHk4wiAxVEK-pZoxa&index=19&t=0s

Kjo dashnia kjoft mallkue
Qi s’po m’len me ndej rehat.
Ty moj lule pa t’i shkrue,
S’paku dy tri fjalë.
Ty moj lule pa t’i shkrue,
S’paku dy tri fjalë.

Oh, malli yt s’më len derman,
aman!
Oh, malli yt s’më len derman,
aman!

Të kisha krah un’ i mjeri
Të vijsha në prehnin tand!
Të kisha krah un’ i mjeri
Të vijsha në prehnin tand!

Ty moj lule njiherë t’zgjodha
E në zemër të mbaj ndry’.
Ndonse larg prej teje ndodha
Mendjen e kam n’ty!
Ndonse larg prej teje ndodha
Mendjen e kam n’ty!

Oh t’shkretën zemër
Ç’ma ke therrë, aman!
Oh t’shkretën zemër
Ç’ma ke therrë, aman!

Drue po vdes i mjeri,
Pa të marr un’ erë!
Drue po vdes i mjeri,
Pa të marr un’ erë!

Sytë prej lot’ve rrinë pa u terun
Loti i jem’ n’ty pikoftë!
Çka t’i tham kësaj zemre t’therrun
Kurr hallall mos t’kjoftë!

Oh n’andërr m’vjen
E më trazon, aman!
Oh n’andërr m’vjen
E më trazon, aman!
Zemrën teme të ngratën
N’vaj përher m’a çon!
Zemrën teme të ngratën
N’vaj përher m’a çon!/ KultPlus.com

Zëvendëskryeministri Tahiri: I kërkoj falje Saranda Bogujevcit

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, i ka kërkuar falje deputetes Saranda Bogujevci pas zhvillimeve të fundit ndërsa për një faqe me emër të LDK-së që ka postuar një foto fyese të saj me Ivica Dacici ka thënë se “nuk janë në tokë të bukës”

“I kërkoj falje për pozitën që kom. Si familje ne jemi rritur në familjen e Bogujevcëve. Aty jam rritur. Shprehu keqardhjen në tokë e qiell. I lsuë me sinqeritetin më të madh. Kemi kohë me u shty si parti si pozitë e opozitë. Për këto tema dem baba dem. Historia pas historie kanë me na përcjellë. Një lutje kisha për partitë politike. Mos mi përzi vuajtjet me agjenda politike. Vëlluan nuk e mbrojë kur e ka gabim. Një kërkimfalje e meriton Saranda dhe të gjithë ata të prekurit. I thërrasë edhe të gjitha partitë politike. Me pas kujdes. Të mos i fusim dhimbjet”, ka thënë ai.

“Saranda Bogujevci të kërkojmë falje të gjithë udhëheqësit nëse të kemi shkaktuar dhimbje”, shtoi ai/ KultPlus.com

Kajtazi kritikon Hotin: A ka masa anti Covid për yjet që po masakrojnë kulturën e vendit

Mosrespektimi i masave të qeverisë për mbrojtjen nga virusi korona, nga një numër i madh i fytyrave publike ka ngjallur reagime të shumta, shkruan KultPlus.

Një prej tyre është edhe sopranoja e mirënjohur shqiptare Elbenita Kajtazi e cila nëpërmjet një postimi në Facebook ka pyetur kryeministrin e Kosovës si dhe Ministrin e Shëndetësisë se a duhet të respektohen masat anti covid edhe nga yjet e estradës, të cilët inqizimet për vitin e ri i kanë bërë pa asnjë masë mbrojtëse.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Një pyetje për Ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj si dhe kryeministrin Avdullah Hoti, a ka masa anti Covid për “yjet” e estradës që po bëjnë inqizimet e vitit të ri 2021 ? Ske pse hyn në YouTube prej videove të financuara për klikime! Nga kurreshtja u futa dhe shikova disa, çka me pa, nga 20 veta në “skenë” pa asnjë masë mbrojtëse…

Por ndoshta po gabohem unë se ata nuk i prek virusi, janë “ yje “ pra, prej atyre “yjeve” që po masakrojn kulturën e vendit! 🤮

Natën e mirë!/ KultPlus.com

Shqipëria e shekullit të XIX sipas piktorëve të huaj

Piktorët shqiptarë vazhduan të pikturonin motive fetare sipas kanoneve të artit post-bizantin deri në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ata pothuajse nuk arritën të krijonin as një imazh të botës reale, të jetës së përditshme, ose një peizazhi të natyrës së vendit. Kjo mungesë thelbësore e historisë dhe kulturës shqiptare u plotësua nga piktorë të huaj.

Gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë, pikërisht kur populli shqiptar u gjend në syrin e stuhisë, dhe së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit atyre iu desh të luftonin kundër osmanëve. Kjo rriti vëmendjen e piktorëve të huaj ndaj Shqipërisë. Lufta, rezistenca, emigrimi gjatë pushtimit osman, ishin temat e shumicës së pikturave në ato vite. Më të vjetrat janë portrete të Skënderbeut, të tilla si piktura, Rrethimi i Skutarit nga Paolo Veronese (1528-1588) e cila ruhet në Pallatin e Doges në Venecia. Mendohet se Gentile Bellini (1429-1507) bëri portretin e parë gjatë periudhës në të cilën Skënderbeu ishte në Itali për të ndihmuar Ferdinandin e Napolit.

Piktorët e huaj ishin të magjepsur nga rrobat shumëngjyrëshe, peisazhet, dhe gjithashtu nga krenaria e shqiptarëve. Disa piktorë të njohur janë Camille Corot (1796-1875) me Vajze shqiptare, Eugene Delacroix (1796-1863) me pikturën Çift shqiptaresh, Leon Gerome (1824-1904) i cili bëri rreth 30 piktura me tema shqiptare.

Pikturat e Gerome janë ndër më të bukurat nga të gjitha ato që kanë të bëjnë me Shqipërinë, midis të gjithë piktorëve të huaj. Edward Lear anglez, gjatë dy udhëtimeve të tij në Shqipëri midis 1848-1849, pikturoi rreth 100 fotografi. Midis pikturave të ndryshme nga Lear me temë shqiptare, litografia Gjirokastra dhe akuareli Ura e Bahçallekut, janë të rëndësishme jo vetëm për vlerat artistike, por edhe sepse përshkruajnë dy monumente të kulturës shqiptare me shumë vlera që nuk ekzistojnë më sot: Ujësjellësi i Gjirokastrës dhe ura mbi Drinin, afër Shkodrës. Puna e Lear-it është dëshmia e vetme e këtyre monumenteve të rëndësishme.

Lear ishte shumë i magjepsur nga Shqipëria, nga njerëzit dhe veshjet popullore. Në pikturat e tij ne kemi përfaqësuar peisazhet e mrekullueshme shqiptare dhe pothuajse gjithmonë ka njerëz të veshur me rroba tradicionale.

Të gjithë këta piktorë të huaj ndihmuan në sjelljen e një jete nga ajo periudhë pasi nuk ka mbetur as një pikturë nga periudha realiste nga piktorët shqiptarë./Mario Bellizzi/ KultPlus.com

Kur Adem Istrefi i shkruante Hasan Prishtinës: Kur ia vranë kryengritjes bacën, thanë ia shuan lirisë gacën…”

Pasditen e sotme bota e artit dhe letërsisë ka humbur edhe një nga emrat e tij të shquar, shkrimtarin Adem Istrefi, shkruan KultPlus.

Më poshtë ju sjellim një nga poezitë e tij dedikuar Hasan Prishtinës.


Baca i kryengritjes

(Ndryshe si mund të quhej Hasan Prishtina)

Kur ia vranë kryengritjes bacën
Thanë ia shuan lirisë gacën…

Mbi shtratin e një topi po vjen
i mbështjellë me flamur rrethu me dashuri
Nga një cep Jugu në një cep në Veri

Mbi shtratin e një topi
e në shpirtin e një kombi

Po hyn i gjallë
Po vjen me u çmallë…

S’dimë ku të të pushojmë
S’dimë ku të të mbajmë
Çdo pëllëmbë shqiptare ta ka borxh një varr

Se në atë dhe të huaj të ftohtë e të zi
Një fije bar a një gjethe në degë
S’ta tundnin erërat mbi varr

E s’vinte Shqipëria me nëna e bij
Të të mbillte lule e këngë përmbi…
(Nga vëllimi ” Pasha këtë dhe”,Tiranë,1982)/ KultPlus.com

Vdes shkrimtari Adem Istrefi

Pasditen e sotme bota e artit dhe letërsisë ka humbur edhe një nga emrat e tij të shquar, shkrimtarin Adem Istrefi, shkruan KultPlus.

Varrimi i tij do të behët nesër në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë.

Adem Istrefi, lindi me 14 mars 1942 në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit. Në moshën 14-vjeçare u largua nga vendlindja për në Shqipëri(1956). Studimet e larta i kreu ne Universitetin e Tiranës (dega Gjuhë e Letërsi shqipe). Ndër të tjera ka punuar edhe si redaktor në revistën “Nëntori “.

Ishte ndër poetët më të shquar shqiptarë. Publikimin e vëllimeve të tij poetike e nis që në vitin 1967 me “Net Kosovare” për të vazhduar më tej: “Mëngjesi i së nesërmes” (1969), “Dritaret e fjalës” (1972), “Gjerdan lirie”, (1977), “Pasha këte dhe” (1982), “Në shuplakë të ditëve shkrova” (1986), “Një zog midis meje e diellit” (1989), “Pa therra në fyt” (1995) “Arti i vdekjes bukur” (2004)

Kurse në prozë është paraqitur me romanet “Lëshoma hisen e diellit” (1984), “Lemeria” (1992), “Kallukanxha” (2001), “Nganjëherë bëja me sy vdekjes” (2004), “Askundia” (2004) dhe më përmbledhjen e tregimeve me titull “S’mund t’i lija pa folë” (1989)./ KultPlus.com

Ese për mediokër

Azem Shkreli

Për kulturën e një populli, jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve. Jo pse ata sjellin e krijojnë kohën e ligë, sado që i ndihmojnë të krijohet, por se me shfaqjen dhe praninë e tyre tregojnë sa është ora në një kulturë e shoqëri. Shfaqja e mediokërve bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese. Ajo nxjerr krye në tregun e lëkundur të vlerave dhe merr misionin përmbysës të këtij tregu. Interesi i mediokërve është pikërisht lëkundja, zhvendosja, dhe përmbysja. Mediokrit janë në mënyrë latente, të armiqësuar me hierarkinë e vlerave. Ata janë të interesuar ta shkonstituojnë dhe ta shpërbëjnë përherë rregullin civilizues të kësaj hierarkie. Jo për të përsosur dhe ngritur shkallat dhe pikët kulmore të saj, të cilat s’i arrijnë dhe s’i prekin dot, po për t’i rrafshuar ato, për t’i shpallur të gabuara, joekzistente, dhe të padrejta ndaj tyre, sipas kaçikut të tyre të cilin e cilësojnë pikërisht hapat e imtë e të vocërr, mundësitë e kufizuara krijuese e vepruese. Mediokrët kanë një epërsi të pakontestueshme. Ata përherë bëjnë shumicën. Ky raport i favorit të tyre është i përhershëm. Kjo ndodh për shkak të një fakti përherë të pandryshueshëm dhe, për fat të mirë, të pamëshirë: Asnjë kulturë, asnjë fushëveprim i rëndësishëm, në asnjë kohë dhe në asnjë histori nuk ka patur fatin që shumicën ta bëjnë më të mirët krijues e veprimtarë, më të mirat vlera. Atë përherë e kanë bërë dhe do ta bëjnë ata që ndodhen përfundi tyre dhe nga masa e të tillëve rekrutohet përherë armata e madhe e mediokërve.

Duke qenë shumicë, mediokrit rreshtohen e organizohen shpejt dhe pa mosmarrëveshje të mëdha. Si rreth njerëzish të cilët i afron dhe i lidh fat i njëjtë, domethënë i horizonteve, i prirjeve e i mundësive të kufizuara, ata krijojnë shpejt rrjetin e tyre, duke pushtuar sa më shumë hapësirë, rreth vetes i rreshtojnë e i afrojnë të vetët, domethënë ata të cilët i dinë si veten, sepse mes të njëjtëve e të barabartë për nga mundësitë, jo por për nga pamundësitë, konkurenca nuk është as e drojshme as e vështirë. Ajo u jep të gjithëve gjasë të barabartë të duken e të dallohen sado pak apo të mos dallohet asnjëri më shumë seç e konsiderojnë ata të lejueshme. Ndaj as lufta për të zënë e mbajtur kryet e karvanit, kur bëhet mes tyre, nuk është aq e ashpër. E vërteta, ata të gjithë bëjnë një karvan pa krye. Ata regjenerojnë, dhe shumëzojnë vetëveten. Pushteti i tyre, si pushteti i shumicës, përmes këtij lloji të barazimit të hansavet, që është një barazim të paaftësh, mund të zgjasë me pasoja të shumëanshme dhe të shumëfishta.

Mbretëria e mediokërve shtrihet me agresivitet të posaçëm në kulturë, në art, në shkencë, në të gjitha fushat e ndjeshme e të rëndësishëm të jetës shoqërore. Ata nxitohen të marrin në duart e veta pikat kyçe të vlerësimit, të gjykimit, të vendosjes. Ata pushtojnë forumet, institucionet, mjetet e informimit publik, redaksitë, botimet, duke krijuar gjithandej dhe me shpejtësi të madhe mekanizma mbrojtës e refuzues ndaj shfaqjes, afrimit dhe depërtimit të kujtdo që mund t’ua kërcënojë shansën e madhe. Dhe rrethi i tyre mbyllet. Nga ky rreth që ka prirja për zgjerim e shtrirje epidemike imitohen zëra të rremë të forumeve, të institucioneve, të kulturës, të shkencës, zëra të rremë të mediumeve, të opinionit dhe, qoftë larg, të popullit, të kombit. Imitohen, pra, zëra të “shumicës”. Mediokrët bëhen pozitë, sepse përfaqësojnë pozitën e shumicës. Të tjerët, ata që nuk i përkasin këtij rrethi të tyre, këtij lloji të shumicës, ata të cilëve u është përcaktuar fati të bëjnë përherë pakicën, janë opozitë. Radha e peshës dhe e shkallëve të vlerave çrregullohet. Promovohet anarkia e kompetencës së mendimit e të gjykimit kritik.

Asnjë vepër, asnjë vlerë e njëmendtët më nuk është e gjerë. Hapësira krijuese dhe verpruese në cilëndo fushë që përfshin lëngata e tillë mbushet me zbrazëri dhe amulli nëpër të cilën e kanë zor të lëvizin dhe të bëjnë shenj ide, projekte, vepra dhe vlera të njëmendëta. Nëse nuk kapërthehen nga merimanga e heshtjes dhe indeferencës lënguese, e cila mbulon përherë mykun e amullive të tilla, ato do të goditen patjetër nga injorime, mënjanime, minimizime, margjinalizime e diskualifikime gjithëfarësh. Sepse smira e mediokërve nuk duron të prishet rendi i studimit të saj. Ajo shqetësohet seriozisht nga çdo e arritur serioze e tjetrit, ajo rebelohet, xhindoset, bëhet ndëshkuese.

Gjë të re s’kemi thënë po thamë që strukturat e burokracive administrative dhe politike asnjë herë s’kanë dëshmuar vullnet e interesim të konfrontohen me regjime mediokrish dhe ky fakt nuk është i pashpjegim. Paaftësinë, mosprirjen, mosdijen dhe moskompetencën e tyre mediokrit përherë e kompensojnë me dëgjueshmëri shembullore.

Një grimëz konsideratë mbase gjendet për këtë raport brinjas mes mediokërve e krijuesve. Gjersa të parët, duke u përpjekur të nxjerrin kokën sado pak dhe në çfarëdo mënyre nga gëzhoja e trishtuese e anonimitetit, përpiqen për ekzistencë, të dytët përpiqen për më shumë se aq: ata përpiqen për rezultate që dallohen, që bëjnë shenjë, që bëjnë vlerat, për kulme që lëvizin zhvillimin. Dhe nëse në motivin e të parëve, megjithatë, ka diç njerëzore, motive i të dytëve është dyfish njerëzor dhe i domosdoshëm. Fatkeqsia e mediokërve, e kohës që i pjell dhe jona që i kemi, është se ata kurrë nuk janë të zotët ta kuptojnë këtë fakt.

Të përsërisim dhe ta përfundojmë: Për kulturën e një populli, jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve. Cila është kjo koha jonë dhe sa është ora?/ KultPlus.com

“Mos e rrit vajzën dhelpër, rrite luaneshë”

Nga Endrina Shutrak

Edukoje vajzën tënde pa nënshtrim.
Edukoje të jetë e pavarur dhe modeste.
Edukoje të jetë e lumtur.
Mësoja të lexuarit ende pa e dërguar në shkollë.
Mësoja higjienën dhe pastërtinë, mësoje të mbajë veten qysh e vogël, ta krijojë stilin e saj fëmijëror. Nesër të mos ndryshojë stil për askënd.
Mësoje te duket mirë, të veshë rroba të pastra dhe të hekurosura, të rregullojë flokët në gërsheta, të prejë thonjët, të parfumoset, t’i vendos lodrat e saj në vendet e tyre pasi të luajë me to, të largojë pjatën pasi të ketë mbaruar ushqimin.
Mësoja fjalët “të lutem”, “faleminderit”, dhe “më fal”.
Mësoje të bindet me fjalët “po” dhe “jo”.
Mësoja dashurinë për librat, përrallat dhe poezitë.
Mësoja punën në grup, që të ketë sa më shumë shokë dhe shoqe.
Nesër kur të rritet mësoja gatimin. Mësoje të gatuajë për vetveten e saj, dhe jo për një derë të huaj. Mos e bëj vajzën të ndihet se ti e ke lindur vetëm për atë derë.
Tregoji se në jetë ka njerëz të mirë që të duan pa interes, dhe mos e mëso vetëm të dojë të tjerët për hatër.
Tregoji se nuk ka nevojë një çfarëdo burri vetëm se do t’ia financojë mirë të ardhmen. Tregoji se jeta duhet të shkojë me sinqeritet dhe dashuri. Tregoji se një bashkëshort i mirë është i mirë edhe nëse nuk është i pasur.
Tregoja pavarësinë. Pavarësoje. Rrite me vizione të larta femërore. Të rritet si femër krenare. Të mos pret asgjë nga askush. Të ruajë krenarinë e saj dhe të jetojë me kokën lart.
Të mos ndryshojë për askënd. Ata që dëshirojnë ta duan, le ta duan për atë që është. Tregoji se mund të mos qeshë kur nuk i qeshet. Tregoji se duhet të jetë e drejtpërdrejtë. Mos e rrit vajzën dhelpër. Rrite luaneshë.
Kur të vijë dita të të dalë nga shtëpia mos i thuaj “Mos na turpëro”, por thuaji “Qofsh e lumtur”. Ajo nuk duhet të jetojë për fytyrën tënde, mësoje të jetojë për fytyrën e saj.
Kur t’i kesh përmbushur këto, vetëm atëherë do të jesh e lumtur si nënë.
Duhet të lumturohesh kur sheh vajzën tënde teksa ajo e krijon jetën e saj në lumturi. Teksa sheh vajzën tënde të rrethuar me njerëz që e duan për origjinalitetin e saj, dhe jo për atë vajzë të cilën e ke mësuar për vite të tëra të jetë fallco vetëm që të hyjë në zemrat e të tjerëve. Lumturohu kur sheh vajzën tënde duke qeshur atëherë kur i qesh edhe shpirti.
Jeta nuk është interes. Jeta është e bukur vetëm kur njeriu e kupton se shëndeti dhe dashuria është mbi të gjitha./supergrate/ KultPlus.com

Të premten në teatrin e Podujevës do të promovohet vepra “Qiell” dhe hapja e ekspozitës “Koka Mendimtarësh”

E premtja në teatrin e Podujevës “Avdush Hasani” do të jetë nikoqire e promovimit te veprës “Qiell” nga Naser Shatrolli dhe hapjes së ekspozitës ‘’Koka Mendimtarësh’’ të artistit Artan Hasani, shkruan KultPlus.

Teatri i Podujevës do t’i hap dyert e saja, por kësaj radhe jo për shfaqje skenike. Për frymëzimet e dramave të ardhura në një përmbledhje nga dramaturgu Naser Shatrolli nën organizimin e Drejtoratit te Kulturës së Podujevës, do të organizohet promovimi i veprës “Qiell”.

Duke filluar nga ora 15:00 me 27 nëntor, për 6 dramat nën emërtimin “Qiell” do të flasin Agron Gërguri – Dramaturg, sikundër që do të ketë refleksione të tjera nga emra të njohur të fushës si; Lutfi Lepaja etj, ndërsa, aktorët e qytetit të Podujevës – brezi i parë i këtij qyteti, do të interpretojnë pjesë të caktuara të dramave.

Një dimension tjetër i artit do të zërë vend në këtë Teatër dhe kësaj radhe me atë pamor. Frymëzimet personale te Artan Hasanit, me kurimin e Naser Shatrollit dhe me emërtimin “Koka mendimtarësh” do t’i shfaqen syve të publikut.

”Arti skulptural i Artan Hasani qëndron brenda peshës skulpturale, veprat e tij jetësojnë harmoni, flasin njëra për tjetrën, krijojnë situata dramatike, janë brenda domenit shtatorial në çasje, në stil, dhe në kontekstin filozofik”, është shprehur Shatrolli si kurator i veprimtarisë se Hasanit ne ketë ekspozite.

Te dyja këto aktivitete mbështeten nga Drejtoria e Kulturës ne kuadër te Komunës se Podujeves. / KultPlus.com