“CSIRO”, agjencia kombëtare australiane e shkencës, ka njoftuar të martën se teleskopi i saj i ri ka krijuar “një atlas të ri të universit” brenda një kohë rekorde, duke shpërfaqur një detaj të paparë, shkruan BBC.
Ky teleskop ka krijuar kësisoj një hartë me gjithsej tre milionë galaktika, duke përdorur fotografi që shpalosën hollësi dyfish më të konkretizuara sesa ato të ekspertizave të mëparshme, thuhet në studim.
Astronomët shpresojnë se fotografitë do të hedhin dritë drejt zbulimeve të reja rreth universit.
“CSIRO” ka bërë të ditur se vënia në hartë ka marrë gjithsej vetëm 300 orë kohë, përderisa të gjitha ekspertizat qiellore të mëhershme kishin kërkuar vite të tëra punë. Përderisa publikimi i të dhënave tanimë është në dispozicion, shkencëtarët përreth botës do të kenë mundësi të studiojnë “gjithçka, që nga formimi i yjeve deri te mënyra se si galaktikat dhe vrima e madhe e zezë evoluojnë dhe ndërveprojnë”, ka thënë autori kryesor i studimit, David McConnell.
“Presim që të gjejmë dhjetëra miliona galaktika të reja gjatë ekspertizave të ardhshme”, ka shtuar ai. Rezultatet fillestare ishin publikuar të martën në Publikimet e Shoqërisë Astronomike të Australisë.
Çfarë është teleskopi ASKAP?
“The Australian Square Kilometre Array Pathfinder” apo ASKAP është një koleksion i 36 antenave satelitore që punojnë bashkërisht për të kapur panorama të qiellit.
Sistemi është i vendosur në hemisferën jugore në Australinë Perëndimore. Shtrihet përreth një zone prej 6 kilometrash në observatorin Murchison të CSIRO-s, rreth 700 kilometra në veri të Perthit.
Duke i kombinuar sinjalet nga satelitët më të vegjël, teleskopi krijon imazhe të nivelit të lartë në një fraksion që kushton sa një antenë satelitore shumë e madhe, ka njoftuar CSIRO.
Sasia e madhe e të dhënave – të gjeneruara në një shkallë më të shpejtë sesa tërë trafiku i internetit të Australisë – më vonë dërgohet në objektin e llogaritjes së procesimit në Perth për t’i krijuar imazhet.
Çfarë në fakt është zbuluar?
“ASKAP” ka kryer ekspertizën e parë të tij këtë vit, duke mbuluar 83 për qind të qiellit dhe duke përfshirë edhe tri milionë galaktika.
Harta është përpiluar tërësishëm, duke i përdorur vetëm 903 fotografi tepër të detajuara. Për një gjë të tillë, hulumtimet e mëhershme kishin nevojë për dhjetëra e mijëra imazhe të këtilla, në mënyrë që të formësohet një fotografi e plotë e qiellit.
Astronomët kanë thënë se thellësia dhe shkalla e precizitetit ishin emocionuese, për shkak se duke bërë katalog të miliona galaktikave përtej Rrugës së Qumështit, do të mund të përpiloheshin edhe analizat statistikore. Këto mund të ndikojnë që edhe të kuptohet se si universi ka evoluar dhe është strukturuar.
Teleskopi ASKAP-it është një nga shenjat paralajmëruese për një projekt ndërkombëtar drejt ndërtimit të një radioteleskopi më të madh në botë – “Square Kilometre Array”, i cili do të vendoset në Afrikën Jugore dhe në Australi./KultPlus.com
Banorët e Krushës së Madhe dhe të Vogël, por edhe fshatrat përreth nesër do ta mbajnë një protestë para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.
Kjo protestë sipas organizatorëve vjen me thirrjen “Duam Drejtësi”, në shenjë revolte të uljes së dënimit ndaj kriminelit serb Darko Tasiq.
“Kjo, për arsye të uljes përgjysmë të dënimit ndaj kriminelit serb Darko Tasiq njëri nga kriminelët e luftës, përgjegjës për vrasjen, djegien dhe hedhjen në lumin Drini i Dardhë të familjarëve tanë të cilët ishin mbledhur nëpër fshat dhe me kamion ishin dërguar tek lumi Dri në Krushë të Vogël”, thuhet në njoftim.
Nisja do të bëhet në ora 09:00 tek rrethi me autobus dhe me makina private.
Muaji i festave hapet me duon e shumënjohur maqedonëse DadoK & Mamli.
Kjo duo u krijua nga miqësia në vitin 2017.
Ata janë të njihur me setet e tyre melodike:progressive house, afro dhe melodic techno sound.
Në dy vitet e fundit ata ndanë skenën me dj dhe producenta të njohur si Adriatique, Magdalena, Marko Nastic, Space Motion, Andrew Meller, Kristijan Molnar dhe shumë të tjerë.
Duo perfekte ka përgaditur një set më ndryshe se herave tjera, e krejt çka duheni me bo ju është të na ndiqni këtë të dielë në faqen zyrtare në facebook.
Rri n’shpi e degjo muzikë të mirë që Rave çdo të diel sjell për ju!/ KultPlus.com
Doja Cat, Roddy Ricch dhe Ava Max janë në mesin e yjeve të përfshirë në listën e përvitshme, “30 nën 30 vjeç”, të përpiluar nga revista “Forbes”.
Çdo vit kjo listë ka për qëllim t’i nderojë sukseset financiare të 600 personalitete të reja, në 20 kategori të ndryshme derisa këtë vit përfshihen edhe emra të tillë si: Lil Baby, Lana Condor, Sabrina Carpenter, Kaitlyn Dever, Ramy Youssef dhe të tjerë.
Mosha mesatare e personaliteteve të nderuara sivjet është 27 vjeç, ndërsa 20 për qind prej tyre janë imigrant nga 62 shtete të ndryshme të botës.
Në 20 kategoritë që i nderojnë këta persona për suksesin dhe arritjet e tyre, përfshihen fusha të ndryshme si: arti dhe stili, teknologjia, edukimi, energjia, financat, ushqimi dhe pija, lojërat, shëndetësia, showbizi, prodhimtaria, marketing, mediat, muzika, shkenca, rrjetet sociale, sporti dhe të tjerë.
Në të kaluarën revista “Forbes” i ka nderuar edhe tri këngëtare tjera me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Rita Ora, derisa këtë vit në listën “30 nën 30 vjeç” debuton ylli i njohur i muzikës, Ava Max.
Këngëtarja ka reaguar ndaj lajmit të mirë duke e postuar një mesazh në Twitter ku shkruhej: “Faleminderit për këtë nderim revista ‘Forbes’. “30 nen 30”!!! Wow, ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe ne sapo kemi filluar…”/ KultPlus.com
Dua Lipa është një prej disa këngëtarëve me renome që janë bërë pre e një hakeri. Faqja në Spotify e Dua Ligas është hakuar, dhe hakeri ka postuar mesazhe për Donald Trumpin dhe Taylor Swiftin, raporton BBC.
Të mërkurën, pos Dua Lipas i është hakuar edhe faqja e Lana Del Reyt, ndërsa hakeri u ka zëvendësuar biografitë.
Hakeri e ka quajtur veten Daniel dhe i ka zëvendësuar fotot e yjeve me një të veten.
Ky veprim do të jetë turpërim për tentimet e platformës për të ofruar siguri. Është aplikacioni më i popullarizuar i llojit të tij.
Sulmuesi po ashtu i ka kërkuar njerëzve që të pranojnë në Snapchat, dhe ka shtuar fjalët “Trump 2020”.
Ai ka përmendur edhe Taylor Swiftin, që e ka quajtur mbretëreshë.
Spotify shpejt ka vepruar, dhe faqja e Dua Lipas dhe yjeve tjera janë kthyer në normalitet./ KultPlus.com
Ikona e Shën Gjergjit e ekspozuar në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë vjen nga kisha e Vithkuqit dhe paraqitet në variantin e ikonës së gdhendur në dru.
Skena e realizuar nga mjeshtri Gjergji nga Ternovo në vitin 1986, është realizuar në mënyrën tradicionale, ku Shën Gjergji paraqitet mbi kalë duke vrarë dragoin. Figura e shënjtorit si dhe e kalit është masive dhe zë sipërfaqen më të madhe të panelit drusor.
Prapa shënjtorit kryesor, mjeshtri ka gdhendur një figurë në miniaturë i cili mban një enë me ujë. Ai është duke mbajtur ujin e pagëzimit i cili definizon natyrën martire të Shën Gjergjit. Shën Gjergji përveçse shënjtor ishte dhe martir i Kristianiznit.
Në pjesën e sipërme të ikonës kemi të gdhendura dy figura ëngjëjsh të cilët janë duke afruar kurorën e shenjtë.
Firma e mjeshtrit është e gdhendur në një medalion “punuar me dorën e Gjergjit nga Ternovo” në fund të panelit drusor midis dy lulesh rozetë./k.s/ KultPlus.com
Varrimi i Presidentit të Austrisë ishte bërë më 10 Korrik të vitit 2004. Në këto fotografi është ish-Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me aktorin austriako-amerikan dhe politikanin Arnold Schwarzenegger të cilët në vitin 2004 kanë marrë pjesë në varrimin e Presidentit të Austrisë Thomas Klestil.
Varrimi i Presidentit të Austrisë ishte bërë më 10 Korrik të vitit 2004,Aty kishin marrë pjesë 28 shefa të shteteve./ KultPlus.com
Përgatita listën e mysafirëve, Ua çova ftesën, Caktova edhe vendin ku kush do të ulet Lartë, më të vjetrit E tu ardh te poshtë, më të rinjtë. Ia jap fjalën atij që dëshiron ta marr, Nëse do dikush ta marr. E nëse dikush më dëgjon kur ia bëj pyetjen. Përgatita një çaj, se do t’i shikoj nga karrikja duke hyrë në odë, Mysafirët e “Meet-it”./ KultPlus.com
Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerr një foto me një mesazh që tregon se përdorimi i internetit sjell edhe rreziqe sa i përket sigurisë.
Këtë postim të MPB-së e ka shpërndarë në Facabook edhe koordinatori nacional për siguri kibernetike, Zafir Berisha.
Në postimin e shpërndarë jepen tri këshilla themelore: si “Mos prano ftesa nga njerëz të panjohur”; “Mos e ndaj fjalëkalimin me të tjerët; dhe “Mos ndaj të dhëna personale”.
Zafir Berisha është edhe zv.ministër i Punëve të Brendshme./koha.net/KultPlus.com
U deshën më shumë se një dekadë dhe rreth 700 milionë dollarë për krijimin e saj, por kamera dixhitale më e madhe në botë realizoi fotografinë e saj të parë.
Kamera që është projekt i përbashkët i dy agjencive qeveritare të Shteteve të Bashkuara, është krijuar për regjistrimin e imazheve të universit për dhjetë vitet e ardhshme.
Projekti më i madh filmik i të gjitha kohërave po ndërtohet në një qendër vrojtimi në Kili.
Misioni i tij? Asgjë më pak se regjistrimi i imazheve të asaj që është e dukshme në univers.
“E dinim se kishim nevojë për një kamera shumë të madhe. Ajo që ne kërkonim ishe më e madhe sesa çdo aparat i krijuar më parë“, tha Dr. Steven Kahn i qendrës vrojtuese “Vera C. Rubin.
Steven Kahn po udhëheq punimet për ndërtimin e kamerës me rezolucion prej 3 miliardë pikselë që ofron fotografi 300 herë më të qarta sesa një telefon inteligjent dhe që do të filmojë qiellin gjatë natës për 10 vitet e ardhshme.
“Nëse e bëjmë këtë vazhdimisht për dhjetë vite, atëherë do të kemi mijëra imazhe të çdo pjese të qiellit. Duke krahasuar fotografitë, do të shohim dallimin në qiell dhe gjithçka që lëviz në të“, thotë Dr. Kahn.
Të dhënat që mblidhen për herë të parë nga kamera e financuar nga qeveria amerikane, do të ndihmojnë në zbardhjen e dy mistereve shkencore: errësirës dhe energjisë së saj.
Por studiuesit zgjodhën diçka më të zakonshme për provën e parë të kamerës: një copë brokoli.
“Fotografimi i saj ishte interesant sepse ndërsa e zmadhoje shihje më shumë gjëra”,shtoi zoti Khan.
Shfaqja e fotografisë së brokolit do të kërkonte një ekran me cilësi tejet të lartë.
Shkencëtarët por edhe qytetarët e interesuar do të analizojnë të dhënat e siguruara nga kamera.
Zoti Kahn thotë se ka mjaftueshëm galaktika për secilën klasë në botë, duke u mundësuar studentëve zbulimin e një supernove.
“Nxënësit e shkollave mund të jenë njerëzit e parë që do të shohin një supernovë.”
Kamera pritet të nisë grumbullimin e imazheve në vitin 2023. / KultPlus.com
Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 është një regjistër kadastral osman i cili i përket gjysmës së parë të shek. XV dhe mbart të dhëna shumë të rëndësishme për toponiminë, demografinë, ekonominë dhe elementin shoqëror të një pjese të rëndësishme të hapësirës shqiptare gjatë kësaj periudhe.
Por, rëndësia e tij e tejkalon historinë e shqiptarëve duke u cilësuar si regjistri më i hershëm i të gjithë hapësirës osmane i zbuluar deri më sot dhe për shumë dekada ka qenë një burim i dorës së parë për të gjithë historianët dhe osmanologët në mbarë botën. Regjistri në fjalë është gjetur nën titullin “Arvanya Sancağının hâs defteri” në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Kryeministrisë në Stamboll për tu përgatitur për botim me titullin “Sûret-i defter-i sancak-i Arvanid” nga osmanologu Halil Inalcik në vitin 1954.
Në aspektin fizik, versioni origjinal i këtij defteri ka përmasat 11:29 cm dhe përbëhet nga 151 fletë, prej të cilave 9 janë boshe. Data e përpilimit të këtij defteri i përket vitit 835 të kalendarit Hixhri i cili përkon me vitet 1431-32. Shënimet që gjenden në cepat e fletëve deri në atë të 45-tën janë dëmtuar e kanë humbur. Përveç këtyre, pjesa tjetër është e lexueshme. Pjesët e dëmtuara në përgatitjen që kemi bërë për botim i kemi treguar si (…). Në anën e mesit të fletës ku fillonte çdo njësi administrative ishin vendosur penj të ngjyrave të ndryshme të cilat mundësonin përdorimin me lehtësi të defterit. (në fletën 23 vërehet pjesa e perit që mbetet brenda fletës). Letra e përdorur është letër filigrani europiane që mbart shenjën e gërshërës dhe kurorës. Për shkrim është përdorur bojë e zezë. Është shkruar me llojin e shkrimit kaligrafik tevki, shkrim me të cilin sipas Inalcik janë përpiluar thuajse të gjithë defterët e shek. XV.
Cilat ishin shkaqet që e bënin të nevojshëm një regjistrim të përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 1431?
E dimë se një pushtim i ri bënte të nevojshëm edhe një regjistrim, gjithashtu. Nga ana tjetër, regjistrimet e kryera herë pas here janë të formës së një inspektimi i të ardhurave të shtetit dhe të gjendjes së atyre që i posedonin këto timare. Nisur nga shënimet dhe hyrjet e defterëve, shkaqet e përpilimit të një defteri të ri mund të përmblidhen në këto pika: ardhja në fron e një Sulltani të ri, ndryshimet e përgjithshme që ndodhnin me kalimin e kohës, evidentimi i shtimit ose pakësimit të taksave, rregullime apo ndryshime, dhe më e rëndësishmja, regjistrimi i atyre të ardhurave që kishin mbetur jashtë defterit. Regjistrimet mund të ishin të pjesshme dhe për një zonë të caktuar, ashtu siç mund të ishin edhe të përgjithshme e të përfshinin të gjithë vendin.
Si kryhej regjistrimi? Regjistrimi bëhej nga një inspektor i dërguar prej qendrës me kompetenca të plota për të cilin përdorej termi Emin. Emini së bashku me funksionarët e tjerë të zonës ku do të kryente regjistrimin shëtiste në terren duke i inspektuar dhe regjistruar në vend të gjitha të ardhurat e njerëzit e zonës apo timarit në fjalë. Në përfundim të inspektimit ai i jepte çdo timarliu një vërtetim që i njihte pronën dhe rajatë që kishte në timarin e tij. Çdo posedues timari merrte nga Emini një shkresë e cila tregonte timarin e ri dhe me këtë shkresë të Eminit ai shkonte në qendër për të marrë një Berât të ri nga Sulltani.
Defteri i përmbledhur hidhet në letër të pastër dhe kështu i paraqitet Sulltanit i cili e aprovon atë me hatt-i humayun dhe pasi vuloset paraqitet në defterhane për t’u ruajtur. Kështu, kjo shkresë mbetej në fuqi deri në një regjistrim të ri. Sipas këtij defteri themeltar, kopjet që i jepen bejlerbeut ose kryellogarisë përmenden si suret-i defter. Në këtë kontekst, defteri i Arvanidit që kemi në dorë është një suret ose kopje i defterit të përmbledhur. Në hyrjen e defterit është shënuar se defteri është një “suret”. Nga shënimet anësore dallohet se ky defter ishte ajo që gjendej pranë bejlerbeut të Rumelisë.
Hapësira gjeografike që përfshihet në këtë regjistin e Arvanidit nis nga Kruja për të vijuar në Jug deri në Thesproti dhe në qendër ka Gjirokastrën ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut. Në defter, për Gjirokastrën vërejmë se është përdorur edhe emri vilâyet-i Zenebiş, emërtim që lidhej me praktikën osmane sipas të cilës ato e emërtonin një vend me emrin e zotëruesve të asaj zone. Pra, të Zenebishëve. Njësitë administrative të marra në regjistrim përfshijnë Gjirokastrën, Sopotin, Këlcyrën, Kaninën, Beratin, Tomorricën, Skraparin, Pavlo Kurtikun, Çartallosin dhe Krujën. Parë nga ky aspekt, regjistri na jep të dhëna interesante lidhur me këto vendbanime, emrat e fshatrave dhe popullsinë e tyre gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, në regjistër vërehen fshatrat e zbrazura apo të shkatërruara, zona të reja që popullohen rishtas apo edhe zona që kanë qenë të rrënuara por që me kalimin e kohës janë gjallëruar. Madje, nga numri i shtëpive që janë regjistruar është e mundur të jepet edhe një numër i përafërt i popullsisë së këtyre zonave ku duhet thënë se edhe në këtë drejtim ka patur studime të vyera nga studiues të ndryshëm ku mund të veçohet bizantinologu austriak Johanes Koder i cili duke u nisur nga të dhënat që jep regjistri është munduar të paraqesë një numër të përafërt të popullsisë së këtij sanxhaku të kësaj kohe.
Duhet theksuar fakti se thelbi i regjistrimit në fjalë mbetet karakteri ekonomik, pra ishte formuluar për të ndarë në formë timaresh zonat e pushtuara dhe përllogariste shumën e taksave që vilej nga secili timar. Në këtë kontekst, e gjithë hapësira e këtij sanxhaku të marrë në regjistrim rezulton të jetë e ndarë në një numër të përgjithshëm prej 335 timaresh. Sigurisht që timaret më të mëdha u përkisnin shtresave drejtuese. Për shembull subashi i Beratit, Adllu Beu vërejmë se zotëronte një timar të madh me të ardhura që i kalonin 50 mijë akçe. Për këtë arsye edhe radhitja e timarëve të shënuara në regjistër fillonte nga ai që kishte timarin me të ardhura më të mëdha, pra sanxhakbeu. Më pas vijnë subashi e seraskeri. Këto ndiqen nga timarlinjtë ku në krye janë shënuar ata me timaret më të mëdha. Më poshtë vijnë myselemët dhe vojnukët. Nga të dhënat e pasqyruara në timaret e regjistrit, studiuesi e ka të lehtë të përfytyrojë gjendjen ekonomike të viseve shqiptare në fillim të shek. XV, fill pas pushtimit osman, mënyrën nga vinin të ardhurat e timareve si dhe taksat që vileshin në këtë periudhë.
Në aspektin ekonomik, nga regjistri vërejmë se të ardhurat kryesore të timareve të këtij sanxhakut kryesisht vinin nga bujqësia. Kjo vërtetohet edhe nga taksat e shumta që vileshin siç ishin ato të baxhit, (otlak) kullotave, dimërimit, e derrave dhe shumë të tjera që lidheshin në mënyrë të drejpërdrejtë me bujqësinë. Po ashtu, çmimet e bagëtive por edhe të prodhimeve bujqësore pasqyrohen bashkë me çmimet e tyre në këtë regjistër. Këto të dhëna i japin studiuesit mundësinë e krahasimit me indekset e çmimeve të po të njëjtave produkte në vende të tjera prej të cilave mund të përftohen të rezultate të rëndësishme sa i përket historisë ekonomike të kësaj hapësire gjatë gjysmës së parë të shek. XV.
Përveç të dhënave teknike që na paraqet regjistri i Arvanidit, ato çka tërheqin vëmendjen janë të dhënat historike, gjeografike e etnografike. Përmes faqeve të tij, studiuesi mund të konsultojë toponiminë dhe vazhdimësinë e shumë vendbanimeve gjeografike, shtrirjen e territoriale që zinte sanxhaku shqiptar por edhe ngjarje të rëndësishme historike të gjysmës së parë të shek. XV. Për shembull, historiani Inalcik aludon se pikërisht ky regjistrim ishte prej shkaqeve kryesore të kryengritjes së Gjergj Aranitit gjatë viteve 30 të këtij shekulli. Duke u mbështetur edhe Chalkokondyles i cili thotë se Araniti qe varfëruar shumë nga mësymjet turke, Inalcik mendon se Araniti u hodh në kryengritje vetëm pas regjistrimit i cili ia pakësonte pronat që ai kishte patur më herët.
Regjistri në fjalë mbart të dhëna të rëndësishme edhe për vetë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun. Siç mësojmë nga shënimet e timareve nr. 314 dhe nr. 335 konstatojmë se shkresat apo ndarja e tokës të fshatrave e zonave të përmendura është kryer me urdhër të tij. Parë nga ky aspekt, të dhënat e këtij regjistri janë një burim i dorës së parë për studimin më në gjerësi të jetës dhe aktivitetit së Skënderbeut po të kemi parasysh faktin se pjesa më e madhe e jetës së tij para vitit 1443 mbetet ende me shumë të panjohura.
Regjistri në fjalë mbart rëndësi të veçantë edhe për aspekte të popullsisë dhe kulturës së zonave të përmendura në të ku veç të tjerash dëshmojmë edhe vazhdimësinë e shumë emrave njerëzish prej periudhës arbërore deri në ditët tona. Parë nga ky aspekt, kjo vepër e botuar tërheq edhe vëmendjen e gjuhëtarëve. Për shembull timari nr. 211 flet për timarin e Bardhit, i cili ishte i biri i Fatmirit. Në këtë kontekst, ekzistenca e një emri të përbërë siç është emri Fatmir tërheq vëmendje dhe kërkon studim si për vazhdimësinë e emrave të tillë por nxjerr në pah edhe zhvillimin e gjuhës shqipe në shek. XV.
Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 është një burim i rëndësishëm edhe për historinë e qyteteve shqiptare të shek. XV. Duhet thënë se historiografia shqiptare paraqet mungesë studimesh për qytetin shqiptar si gjatë periudhës së Mesjetës ashtu edhe në kohët e mëvonshme. Defteri na jep të dhëna të sakta për këto qytete ku vërejmë se në vitin 1431 popullsia e këtyre qyteteve e kasabave bashkë me gjendjen e tyre ekonomike ishte shumë e kufizuar. Në qytetin e Gjirokastrës ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut vërejmë kishte 121 shtëpi, Himara 117, Sopoti 60, Klisura 100, Berati 175 shtëpi dhe secili thuajse kishte pamjen e një fshati të madh (fshati Labovë është 400 shtëpi).
Lidhur me përgatitjen për botim të këtij vëllimi lind nevoja të sqarohen disa elementë. Së pari, përkthimi i defterit nuk është bërë nga origjinali që është osmanisht por nga botimi që ka përgatitur studiuesi H. Inalcik. Teksti i regjistrit është përkthyer prej orientalistit të ndjerë Mykerem Janina në fund të viteve 60’./Shqiptarja.com/ KultPlus.com
Sot, në shenjë të datëlindjes së presidentit historik të Kosovës, në vendlindjen e tij është përuruar shtatorja e Ibrahim Rugovës, por në të njëjtën kohë është përuruar edhe “Memoriali Ibrahim Rugova”, që konsiderohet të jetë një memorial nacional, shkruan KultPlus.
Arkitekti i këtij projekti Esat Bytyqi në një intervistë për KultPlus ka treguar për këtë memorial të rëndësishëm kulturor, i cili ka treguar edhe për specifikat e këtij projekti që tashmë ka marë formë dhe është i qasshëm për qytetarët e Istogut dhe më gjerë.
“Qëllimi i ndërtimit të këtij memoriali është që të kujtojmë të kaluarën dhe të nderojmë dhe respektojmë arkitektin e shtetit të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova”, ka thënë Bytyqi për KultPlus, i cili ka shtuar se ky memorial tash e tutje duhet të vlerësohet si pika kryesore ku edhe do të kujtohet presidenti Rugova.
“Për herë të parë, qyteti i Istogut do të ketë një muze dhe një shesh qendror, ku si pikëlidhje ka të kaluarën, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë ai.
Bytyqi, krenarë për punën që i është besuar, ka kujtuar se presidenti Rugova, me një të kaluar si shkrimtar dhe studiues, afër dy dekada të jetës së tij, punoi për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe që nga ajo kohë përcaktonte hapur pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet te pavarur.
“Jeta dhe vepra e presidentit Rugova paraqitet në tërësi në memorial. Jo vetëm vitet ku shërbeu si udhëheqës i popullit të Kosovës por edhe pjesa tjetër e jetës së tij si shkrimtar dhe studiues”, ka thënë Bytyqi, i cili ka njoftuar se sipas këtij projekti, edhe Ministria e Kulturës do të ndajë një buxhet shtesë për artefakte që lidhen me figurën e Rugovës, e që do të vendosen në këtë memorial.
Bytyqi më pas ka treguar se memoriali ndahet në dy pjese funksionale: pjesa e lartë e hapur ku përfshihet parku dhe sheshi, dhe pjesa e poshtme e mbyllur ku përfshihet muzeu.
“Pjesa e lartë, rreth 1000m2, është një shesh modern me ulëse dhe hapësira që shfrytëzohen nga qytetaret. Me një fjale do të bëhet një park funksional, atraktiv dhe do te jete pikë kryesore e qytetit. Memoriali ofron një hapësirë modeste, e cila mund të shfrytëzohet si hapësirë publike në formë sheshi-parku si edhe për rekreacione të ndryshme si: organizimin e koncerteve, ceremonive të ndryshme, pushimore dhe vendtakim për qytetaret”, ka thënë Bytyqi, i cili shpjegon në detaje se në këtë memorial, përmes xhamave në formë elipse, të cilët janë të vendosur në pjesën e lartë të memorialit, mund të shihet pjesa e poshtme e mbyllur.
“Lidhja me pjesën e poshtme bëhet përmes shkallëve dhe poashtu i tërë kompleksi ka qasje edhe për persona me aftësi të kufizuara”, ka thënë Bytyqi.
Kurse për pjesën e muzeut, arkitekti Bytyqi ka thënë se një pjesë e këtij muzeu është e rezervuar për historinë e qytetit të Istogut, ndërsa pjesa tjetër për jetën dhe veprën e presidentit Rugova, si dhe një hapësirë për ekspozita të ndryshme që paraqiten kohë pas kohe.
Ky memorial i cili është përuruar në praninë e figurave të rëndësishme të Kosovës, duke përfshirë edhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe vajzën e presidentit Rugova, Teuta Rugova, po konsiderohet si një ndër projektet që do të zhvillojë turizmin në Komunën e Istogut, dhe si i tillë është në harmoni me planin urbanistik të këtij qyteti. /KultPlus.com
Pasi tejkaloi lartësinë e Kullës Eiffel, Ura e Çanakkalasë e vitit 1915, në Turqinë veriperëndimore, është në rrugën e duhur për t’u bërë ura pezull më e gjatë në botë nëpërmjet harkut të saj të mesëm.
E ndërtuar për të lidhur Evropën dhe Azinë, arkitektura e urës është unike me ngjyrat, figurat dhe kullat e saj të përfunduara, që ngrihen mbi 300 metra, në të dy brigjet e Dardaneleve, një ngushticë në provincën e Çanakkalasë midis Deti Egje në jug dhe Detit të Marmarasë në veri.
Me një formë për të simbolizuar një predhë artilerie, në nder të betejës legjendare të Luftës së Parë Botërore të Galipolit, harqet do të jenë 318 metra të larta, me harkun e mesit prej 2 023 metrash, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.
Në nderim të flamurit turk, kullat do të jenë të kuqe dhe të bardha, ndërsa gjatësia totale e saj do të arrijë 4.608 metra.
Kur të mbarojë ura do të jetë një nga kryqëzimet më të rëndësishme në botë, me një hapje madhështore të planifikuar për 18 mars të vitit 2022./Atsh/ KultPlus.com
Ceremonia e inagurimit të Kompleksit Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”
Në ditëlindjen e presidentit Ibrahim Rugova është zbuluar shtatorja e tij në qendrën e Istogut.
Atë e zbuloi vajza e tij Teuta Rugova, kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetari i Istogut Haki Rugova, njofton Klan Kosova.
Skulptor i shtatores së Rugovës është Gëzim Muriqi.
Ndërkaq, Haki Rugova në fjalën e tij ka thënë se është një ditë tepër e rëndësishme e tij që ka arritur ta bëjnë zbulimin e shtatores së tij dhe Kompleksin Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kënga e mirëpritur tani më është publikuar në YouTube me titullin “Kënga e Dorës” nga kompozitori Agron Elezi.
Përndryshe ky kompozitor, ne vitin 2018 është klasifikuar si kompozitor elitar dhe finalist ne konkurrencën botërore të konkursit internacional “Creative Composer” të organizuar nga Italia dhe Spanja me kompozimet “Ikja e Vashës Kosovare” dhe “1468”.
Shkruan: Bekim Rexhepaj
Kuptimi i këngës & analiza e lirikës
Këtu kemi të bëjmë me një këngë të gjallë, harmonike, sublime dhe të kapshme, si karakteristikë e kompozitorëve te pastër dhe plotë madhështi të aftësive muzikore. Teksti, që n’dukje është i thjeshtë, duke evokuar mesazhin fisnik shqiptar të trashëguar nga rilindësit, por, në të njëjtën kohë ka thellësi të veçantë, sepse përkon me kahjet humanitare revolucionare të botës moderne.
Kënga fillon në frymën rilindase me vargjet e Naim Frashërit për gjuhën tonë të ëmbël, e që janë familjare për çdo shkollar shqiptar, si të vogël si të madh. Pastaj vazhdon me mesazhin e prejardhjes dhe stërgjyshërve tanë, e që gjithashtu ka qenë temë e vazhdueshme artistike e poetit tone të madh Naimit – në rizgjimin, rikultivimin, mbajtjen gjallë, dhe kujtimin e vendeve tona, dhe heronjve kyç tanë ndër më të ndritshmit, për zgjimin e dinjitetit dhe forcës, mu në kohën e formësimit të shteteve në baza nacionale, kur tokat dhe populli ynë sakatosej nga interesat dhe planet e superfuqive të Evropës në marrëveshje me armiqtë sllav, fqinjë tanë.
Paralelisht, vargjet e para të këngës nxjerrin në pah edhe një kuptim më të avancuar bashkëkohorë. Të kujtosh Naimin dhe vargjet e tij, është sikur të rikujtosh pastërtinë e gjuhës sonë dhe origjinalitetin e shpirtit tonë. Ne ditët e sotme, kur industritë e huaja muzikore të fuqishme ndikojnë me të madhe në rininë tonë dhe kahjet e tyre artistike, ky mesazh ndjell shpresë dhe fuqi në rimëkëmbjen e artit tonë, origjinalitetit tonë që ka për bazë mbijetesën dhe rrënjët e tona të fuqishme historike.
Kujtoj poetin Naim Dhe Pirron bashkë me Skënderbenë Këndoj me plot mallëngjim Epirin me Morenë
Nëse kanë patur guxim dhe vullnet që Pirroja dhe Skënderbeu ynë t’i kundërvihen superfuqive dhe ndikimit të tyre pushtues në ato kohëra, jemi edhe ne, stërnipërit e tyre, që munden të nxjerrin në pah origjinalitetin e tyre artistik përkundër pushtimit dhe ndikimit të superfuqive industriale të artit. Pra kujtoni ata, stërgjyshërit e guximshëm – Pirron dhe Skënderbenë.
Strofat e tjera si më poshtë vazhdojnë të japin mesazhin e prejardhjes sonë fisnike, dhe përkujton të kundërtën e asaj që pushtuesit vazhdimisht janë mundu: të na poshtërojnë dhe shuajnë lavdinë dhe krenarinë tonë, si krijues te zotnave dhe luftëtarë të shquar që nga Akili e deri te Adem Demaçi, duke abuzue me emrat e heronjve tanë në baza fetare, duke cenzurue çdo vlerë shqiptare dhe duke vjedhur historinë tone të pasur, e që fatkeqësisht ka mbet zyrtarisht akoma e shtrembëruar. Aq më shumë, jo vetëm që historia e vërtetë do të dëshmon se luftëtarët më të shquar të historisë njerëzore i takojnë flakës dhe tymit të madhështimit të popullit tonë, por në anën tjetër, mu ky popull ka falur edhe simbolin më të madh të mëshirimit human, Gonxhe Bojaxhiun, Nënën Terezë – qiriun e mishërimit njerëzor. Pra të dy ekstremet e madhështive të karakterit njerëzorë rrjedhin mu nga ky popull, e që sot quhemi populli shqiptar.
S’jem t’pashpirtë as barbarë As t’mjerë shkatërrimtarë Jem hiri i Perëndisë Oh! Bijat dhe bijtë e Arbërisë S’jem djallëzorë as hileqarë Përtacë as nepsqarë Jem qirinj t’mishërimit Hej! Flaka dhe tymi i madhështimit
Klimaksi dhe tejkalimi i mesazheve të lartpërmendura në një mesazh universal human arrihet në rreshtat:
Kem kodin tonë bujar Për një botë t’bashkuar dhe të mbarë
Ajo që e dallon popullin shqiptar përkundër përpjekjeve të armiqve në mjegullimin dhe turbullimin e historisë, është kodi mijëvjeçarë i jonë me vlera të larta njerëzore – Kanuni i Lekës. Dhe mu ky popull me traditë për kod dhe civilizim, në kohën kur popujt e tjerë të Evropës shquheshin si barbarë, është më se i gatshëm dhe më së lehti do t’pranojë një botë t’bashkuar dhe të mbarë me ligje të unifikuara. Pra, këtu mesazhi i then barrierat nacionale dhe merr kahjen e mrekullueshme të një mesazhi revolucionar të botës humane moderne. Poashtu me strofën e fundit, autori kalon nga reflektimi nacional në atë universal me një thellësi të filozofisë poetike:
S’jem laikë as t’përçarë Por unik dhe krenarë Jem’ brumi i njerëzimit Oh.. pluh’ri i yj’ve dhe amshimit
Është një fakt ende i gjallë qe shqiptarët janë fetarë të besimeve të ndryshme. Pra ka musliman, katolikë dhe ortodoks, si pasojë e vendit të tyre mu në portën e Perëndimit dhe Lindjes, në vatrën e luftërave fetare dhe racore. Aq më shumë shqiptarët, krijuesit e zotërave si Zeusi, Afërdita etj, nuk mund ti quajmë laik. Mirëpo, përkundër dallimeve fetare, ata mbeten unik me gjuhë, me kod, me plis të bardhë dhe me flamur.
Që nga antikuiteti, e deri në ditët e tona të shekullit 21, influenca e eposit të Homerit ishte jashtëzakonisht i madh. Iliada dhe Odhiseu shprehin arketipet e madhnishme të heronjve të popullit më të vjetër në Ballkan, mu nga fiset tona, ku inspiruan dhe evokuan një mori të panumërt të veprave t’famshme në literaturë, muzikë, art dhe film. Pra, brumi i njerëzimit ngërthen mesazhin e arketipit, gjenezës, pluhurin e yjeve dhe amshimit, apo prototipet pas të cilit vazhdon cikli i pakufishëm i kopjeve njerëzore rrespektivisht heronjve.
Refreni i këngës shprehë vlerat e rëndësisë se mençurisë të njeriut modern.
Rroftë e qoftë mençuria Dhe shkenca e arti i jonë Rroftë e qoftë fisnikëria Me paqe dhe dashni përgjithmonë
Mençuria diplomatike sjell lehtësim dhe komoditet për shtetin tonë. Njeriu jo i duhur, jo i prirur dhe i mençur në krye te çfarëdo detyre, e sidomos të atyre udhëheqëse shtetërore sjell pakënaqësi, zhgënjim, dëme dhe në fund, mjerim. Zhvillimi i shkencës, ekonomisë dhe artit sjell jo vetëm fuqi dhe stabilitet shtetëror, por lumturi dhe mirëqenje të gjithëmbarshme. Pra, mesazhi i refrenit është mjaftë i fuqishëm për kohën tonë aktuale: Kemi nevojë t’a shprehim mençurinë, e jo përçamjen, fanatizmin dhe kështu naivitetin. Dhe ajo mund të arrihet kur i kemi njerëzit e duhur në pozitat e tyre të duhura, e jo anasjelltas. Në anën tjetër, fisnikëria shqiptare është e gdhendur në kodin tonë të kamotshëm. Mu kjo fisnikëri do t’mbahet gjallë dhe do t’rimëkëmbet aq me shumë, sa më shumë të fitojë mençuria dhe pastërtia jonë. Dhe në fund, aty ku sundon mençuria dhe fisnikëria, aty sigurisht që do t’ketë paqe dhe dashuri.
Historia e trazuar e jetës së Billie Holiday sigurisht është treguar më shpesh, dhe në më shumë mënyra, sesa ajo e çdo këngëtareje tjetër të xhazit.
Libra, filma, drama, artikuj – orteku kishte filluar shumë para vdekjes së saj, në 1959, në moshën 44-vjeçare.
Kombinimi i artit dhe tregimit dramatik (abuzim me drogën, krim, burgime dhe më shumë) kurrë nuk duket se e humbet fuqinë e tij të tërheqjes.
Megjithatë “Billie”, shkruar dhe drejtuar nga James Erskine, na çon më thellë dhe më të vendosur se shumica e të tjerëve në cepat e errët të jetës së Holiday.
Filmi gjithashtu ofron një qasje më të pazakontë dhe më tërheqëse, duke ndërthurur përrallën epike të Holiday me një më të vogël, por po aq shqetësuese: jeta dhe vdekja e një shkrimtari në malin e intervistave të të cilit është mbështetur filmi.
“Në orët e para të 6 shkurtit 1978, trupi i një reportereje të re u zbulua në një rrugë në Washington, D.C.”, lexohet një nëntitull në fillim të dokumentarit.
Emri i saj ishte Linda Lipnack Kuehl.
Për 10 vitet e fundit, ajo ia kishte kushtuar jetën zbulimit të historisë së vërtetë të këngëtares legjendare, Billie Holiday. /atsh/ KultPlus.com
Në Strasburg, më 16 dhjetor 1998, në selinë e Parlamentin Evropian në Strasburg, Ibrahim Rugovës, në një ceremoni madhështore iu dorëzua Çmimi Saharov nga kryetari i Parlamentit Evropian, Hoze Maria Robles Delgado.
Kryetari i Republikës Kosovës Ibrahim Rugova, duke u falënderuar për këtë mirënjohje të lartë të Parlamentit Evropian, tha:
Gjendja ne Kosovë mbetet serioze dhe e rrezikshme. Ne shpresojmë qe misioni i SHBA-së dhe ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara do të sjellë rivendosjen e paqes në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit. Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.
Për të ardhmen unë do të doja instalimin e protektoratit ndërkombëtarë për një periudhë kalimtare. Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit ne këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.
Pavarësia e Kosovës do të përbëjë një faktor stabilizues në rajon. Për momentin ne jemi duke punuar në një marrëveshje të përkohshme për Kosovën e cila do të hapë rrugë për rivendosjen e paqes në rajon.
Zotëri President, kam kënaqësi të madhe në marrjen e çmimi Saharov në 10 vjetorin e krijimit të saj.
Këtë vit në jemi duke e festuar 50 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e cila ka ngritur botën nga vetëdija çështjeve të të drejtave të njeriut.
Faleminderit edhe njëherë deputetëve evropianë. Shpresoj dhe uroj që Kosova një ditë do të ketë një vend në këtë institucion të nderuar të parlamentit evropian, siç thoshte mësuesi im i dashur Roland Barthes “Politika fillon me një dëshirë dhe pastaj atë dëshirë duhet ta ktheni në veprim”.
Zotëri President më lejoni të përfundojë fjalën time me një proverb nga Shqipëria, si një nga qytetërimet më të vjetra të Evropës, “Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm”. /BS/
Sot është datëlindja 76-të e intelektualit e politikanit, ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ibrahim Rugova udhëhoqi popullin e Kosovës në momentet e rënda para dhe pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.
Gjatë studimeve postdiplomike në Francë, ka qenë student i një prej filozofëve më të mëdhenj të shekullit XX, Roland Barthes.
Shquhej jo vetëm për rezistencën paqësore kundër Serbisë po edhe për diskurs paqësor politik.
Pas vetes Rugova la shumë thënie, ku shumica prej tyre qëndrojnë edhe sot.
Më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tij:
– Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.
– Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.
– Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.
– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.
– Nuk mund të merrem me letërsi, kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.
– Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të.
– Unë dua të theksoj faktin se pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet.
– Kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.
– Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”
– Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70 për qind të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.
– Ministritë e ndryshme duhet të punojnë më shumë në promovimin e vendit, për të ndërtuar imazhin publik të Kosovës. Projekte konkrete duhet të shpalosen, në mënyrë që të aktivizoni biznesmenët tanë të kenë më shumë kontakte. Ne na duhet të krijojmë një imazh pozitiv për veten.
– Vizioni im është që vendi të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Është gjithashtu detyra jonë për ta bërë këtë, nëse dëshirojmë të krijojmë një tregti dhe një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni për të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj në të ardhmen.
– Kishim ndihmë ndërkombëtare sidomos nga BE dhe SHBA-t[, të cilat na ndihmuan të dilnim nga kjo fazë e emergjencës, për t’i dhënë dinamizëm Kosovës.
– Problemet politike lidhen ngushtë me problemet ekonomike. Me ndihmën e politikës, ne do të hapim rrugën për ekonominë. / KultPlus.com
Në Prizren, për nder të 28 Nëntorit iu është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit. Kjo shtatore e punuar nga Sinan Aliaj, ka nxitur debate të shumta.
Madje është kërkuar edhe formimi i një komisioni për vlerësimin e shtatores, që të shihen mundësitë e rimodelimit.
Analisti i njohur Edison Ypi, përmes një statusi në Facebook, këtë shtatore e ka cilësuar si një kryevepër në interes të Serbisë.
“Koka si mi haleje, trupi si lakuriq nate. Serbin që e ka mballos kët’ monstër hiç se paska pengu “Zambaku i Prizrenit” që për me u këndu si duhet lyp tremijë violina, dhe as vet’ Prizreni që ësht’ aq i magjishëm sa vetëm po t’i afrohesh të del zemra nga gjoksi. Serbi ka bo çka i duhet. Një kryevepër në interes të vet”, shkruan Ypi. / KultPlus.com
Pop këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, ishte fituese e madhe në edicionin e sivjetmë të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, “Attitude Awards 2020”.
Ylli i hitit “Don’t Start Now” tha se viti 2020 ishte i pabesueshëm për të, teksa e pranoi çmimin “Music Award” në ceremoninë e përvitshme, e cila sivjet u mbajt në formë virtuale për shkak të pandemisë.
Në fjalimin e saj pranues online, Lipa citohet të ketë thënë: “2020 ka qenë një viti i pabesueshëm. Unë jam argëtuar jashtë mase duke performuar në ngjarjen ‘Mardi Gras’ në Sydney e cila zuri vend në fillim të vitit. Madje, tani më duket çmenduri që në një moment të këtij viti, të gjithë kemi festuar së bashku në një vend. Dhe pastaj, papritur gjithçka u shua në botë. Javët e para pas shpërthimit të pandemisë ishin vërtetë hetuese për mua. Pastaj mu desh ta merrja një vendim tejet të vështirë që ta lansoja albumin me këngë të reja, gjatë kohës kur bota ishte në karantinë, por unë vendosa ta bëjë këtë me shpresën që këto këngë do t’i bënin njerëzit të lumtur, dhe do të sillnin pak gëzim në këto kohë të vështira për të gjithë. Shpresoj me të vërtetë që e kemi arritur këtë qëllim, sepse Zoti e di sa shumë kemi pasur nevojë për diçka të tillë”.
Edhe këngëtarja amerikane Taylor Swift kishte deklaruar se është shumë falënderuese që po nderohet me shpërblimin “Attitude Icon Award”.
“Jam vërtetë shumë falënderuese për këtë çmim të mrekullueshëm. Dua t’i falënderoj të gjithë që kanë pasur rol në vendimin se unë e meritoj këtë çmim. Në veçanti dua t’i falënderoj adhuruesit e mi që ma kanë ofruar një platformë për të bërë muzikë, dhe të flas hapur për gjërat që unë mendoj se janë në rregull apo gabim. Besoj se të gjithë duhet të kenë mundësi ta jetojnë historinë e tyre të dashurisë, pa pasur frikë nga diskriminimi. Mënyra për ta arritur këtë gjë, është të vazhdojmë t’i nxisim qeveritë që të vënë rregulla për mbrojtjen e njerëzve nga komuniteti LGBTQ. Ju premtoj se gjithmonë do të luftojë për këtë çështje. Jam shumë falënderuese për këtë shpërblim të mahnitshëm. Faleminderit shumë të gjithëve”, ka deklaruar Swift.
Ndër fituesit e tjerë të kësaj ceremonie ishin, Luke Evans i cili e fitoi çmimin “Man of the Year”, Stephen Fry po ashtu u nderua me çmimin “Attitude Icon Award”, Russell Tovey e fitoi shpërblimin “The Culture Award” dhe çmimi “The Gamechanger Award” shkoi për këngëtarin, Yungblud.
Në anën tjetër, Dua Lipa e shënoi edhe një sukses të ri muzikor. Ajo ka arritur t’i ketë dy këngë të pozicionuara në dhjetëshen e toplistës muzikore në Britani të Madhe. Fjala është për hitin e saj “Levitating” dhe këngën e realizuar në bashkëpunim me yllin Mylie Cyrus, “Prisoner”. Ky videoprojekt gjithashtu është shpallur kënga më e kërkuar dhe dëgjuar në 37 radio stacione të monitoruara nga “Mediabase”.
Në vendin e dytë pas pop këngëtareve, Lipa dhe Cyrus, gjendet reperi “The Kid LAROI” me hitin “So Done”. “Save Your Tears” nga The Weeknd pozicionohet si kënga e tretë më e dëgjuar në radio, i përcjell nga Shawn Mendes & Justin Bieber me hitin e tyre të padiskutueshëm “Monster”. Ndërsa në vendin e pestë këtë javë pozicionohet rep artistja amerikane Megan Thee Stallion me këngën e fundit, “Body”.
Në lajme të tjera Lipa së shpejti vjen në ekranin e Netflixit, si pjesë e dokumentarit “Song Exploder (Volume 2)”. Platforma digjitale tashmë e ka publikuar trilerin e parë të këtij projekti, pjesë e së cilit përveç Dua Lipës janë edhe bendi “The Killers”, “Nine Inch Nails” dhe Natalia Lafourcade.
Dokumentari do ta ketë premierën në Netflix më 15 dhjetor, si dhe i sjellë rrëfimet e disa prej muzikantëve më të mëdhenj të botës, të cilët shpjegojnë në detaje mënyrën si kanë arritur t’i krijojnë këngët e tyre. I pasur me intervista intime, pamje nga arkiva dhe incizime të papërpunuara, çdo episod i dokumentarit thellohet në frymëzimin e artistëve prapa muzikës së tyre. / KultPlus.com
Miniera e diamantit “Letšeng” në Lesoto të Afrikës ka përpunuar një tjetër diamant të madh rozë.
“Gem Diamonds”, e cila operon minierën në partneritet me qeverinë e Lesotos, njoftoi në faqen e saj në internet se rikuperoi një diamant rozë tip II me 14.09 karat me cilësi të lartë.
Diamanti 14 karat është i dyti me 10 karat plus i nxjerrë nga miniera këtë vit.
I pari ishte një gur 13 karat i rikuperuar në të njëjtën hapësirë. Kompania minerare e shiti atë diamant për 40,110 dollarë për karat, ose rreth 522,000 dollarë.
Letšeng gjithashtu ka dhënë diamantë të verdhë 163 karat dhe 112 karat këtë vit si dhe 16 diamante pa ngjyrë që peshojnë më shumë se 100 karat, duke përfshirë një diamant 442 karat të rikuperuar në gusht. / KultPlus.com
Aplikon për aprovimin e produktit të saj pranë Agjencisë Evropiane të Barnave.
Firmat farmaceutike Pfizer dhe BioNTech mund të nisin shpërndarjen në Evropë të dozave të vaksinës së tyre të përbashkët anti-COVID që këtë muaj.
Firmat dërguan këtë të Martë aplikimin e tyre pranë Agjencisë Evropiane të Barnave “EMA” për aprovimin për përdorim urgjent të produktit të tyre, që renditet mes vaksinave me efektshmërinë më të lartë të zhvilluara deri tani, 95%.
Pavarësisht se këto firma e kanë kapacitetin për të kryer shpërndarjen e dozave në një kohë rekord, agjencia evropiane me qendër në Amsterdam pritet ta japë aprovimin jo më herët se fundi i këtij muaji. Sipas përllogaritjeve të DË, vlerësimin e vaksinës Pfizer dhe BioNTech, “EMA” pritet të përfundojë më 29 Dhjetor, ndërsa atë të produktit të firmës tjetër Moderna që aplikoi të Hënën pranë kësaj agjencie, më 12 Janar.
Afati përkon me parashikimet e kreut të Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali, i cili tha se fushata e vaksinimit në këtë vend do të nisë më 15 Janar të vitit të ardhshëm. Të njëjtën pritshmëri ka edhe ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn. Të parët që do t’i nënshtrohen vaksinimit janë shtresat e rrezikuara, mjekët dhe të sëmurët./ KultPlus.com