Kjo është deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shpallur para 13 vitesh

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. / KultPlus.com

Unë, bija jote Kosovë

Nga Vlora Konushevci

Unë, bija jote Kosovë t’i njoh tokat djerrë,
t’i njoh shtëpitë e zbrazuna, shpresat shtjerrë,
t’i njoh britmat e krimbat që dheun kalb ta kanë,
t’i njoh gratë që shpirtin gjallë ta mbajnë;
ta di lemerinë e nanave që errësu e ka diellin,
dhimtat që rrafshu e kanë bregun,
varret ku lulëkuqet çelin
ma mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë bija jote. / KultPlus.com

Fjalimi i Ibrahim Rugovës në Parlamentin Evropian që ngriti të gjithë në këmbë (VIDEO)

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, përkujtohet në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në data të rëndësishme për vendin.

Presidenti historik, pa reshtur luftoi për bërjen shtet të Kosovës, e këtë e bënte me vizionin e tij largpamës, duke kërkuar gjithnjë paqe para miqve ndërkombëtarë.

Ndër të tjera Rugova flet për Pavarësinë e Kosovës, ku thotë:

Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.

Në vazhdim mund ta ndiqni fjalimin e ish-presidentit, i cili i ngriti në këmbë deputetët e Parlamentit Evropian. / KultPlus.com

Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit: Ishte çmenduri serbe

Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.

Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

55 vjeçari, polic në pension, rrëfen për pjesëmarrjen e tij në sulmin e shtetit serb në tre ditë marsi të 1998 mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari, jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.

”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.

”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.

Urdhrin nga Beogradi për masakrën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.

Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.

”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit.”

Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.

Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.

”I kemi  mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.

Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve, dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.

”Urdhri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi  mbledhur trupat  e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.

Goluboviq , mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.

Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.

”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.

”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”.

Ai i akuzon udhëheqësit e sotëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi./Klankosova / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës e jashtëzakonshme mbrëmë, shpalosi rrugëtimin e Kosovës ndër shekuj

Xhemile Hysenaj

Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.

Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.

‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.

Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.

Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.

“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.

Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.

“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.

E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.

“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.

Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com

Me flamuj kombëtar stoliset ura pranë Grykës së Kaçanikut

Kosova sot shënon 13 vjetorin e pavarësisë së saj. Atmosferë festive ndihet në çdo qytet, ndërsa dekorime nuk mungojnë askund.

Njësoj ndodh edhe në Kaçanik. Ai është mbuluar i tërë me flamujt kombëtar.

Njëri ndër atraksionet më të mëdha të këtij qyteti ura pranë Grykës së Kaçanikut është mbushur me flamujt Kuq e Zi./ KultPlus.com

Ndjenja krenarie e patriotike në koncertin e “Shotës” për 13 vjetorin e Pavarësisë

Xhemile Hysenaj

Sot Kosova shënon 13-vjetorin e Pavarësisë, e për të nderuar këtë ditë të madhe për popullin tonë, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ erdhi me një koncert festiv, duke rikujtuar kështu edhe njëherë sakrificën e madhe të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti nuk kishte si të fillonte ndryshe përveçse me Himnin e Kosovës, ky qysh në fillim publiku u emocionua e festa u ndez në brendësi të tyre.

Vallja instrumentale për çifteli dhe orkestër nën ekzekutimin dhe autorësinë e Gent Hoxhës ishte pika tjetër që po mbante ritmin e koncertit e publiku vetëm sa entuziazmohej më shumë.

Krejt kjo, i la vend Ansamblit ‘Shota’ që erdhi me këngë e valle shqiptare, të cilat ngjallën ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm e të cilët nuk i kursyen duartrokitjet pas secilës performancë. Vallja e parë ishte ajo e Tiranës, për të vazhduar kështu me këngë të interpretuara nga Majlinda Cakiqi, Sokol Latifi, Myrvete Bajrami, Ismet Bugujevci, Riza Bytyqi e Violetë Kuaj, këngë këto që i këndoheshin Shqipërisë, Kosovës, vëllezërve Gërvalla, familjes së Jasharëve e mbarë historisë së popullit shqiptar.

Fyelli, tupani, defi e çiftelia kumbuan në secilën skutë të Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga arti skenik i jashtëzakonshëm i trupës së Ansamblit ‘Shota’, të cilët më shumë se publikut, dukej sikur i vallëzonin historisë sonë të lavdishme.

Pas një viti tejet të vështirë, ‘Shota’ kishte filluar me përgatitje për këtë koncert, pasi pandemia, si në shumë fusha tjera të artit edhe tek ansambli pati ndikimin e vet jo të mirë. Duke i vështirësuar e shpesh edhe pamundësuar përgatitjet e përbashkëta të kësaj trupe.

“Këtë vit e kemi filluar me kapacitet të plotë, por prapë kemi pasur pengesa gjatë rrugëtimi pikërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq, për këtë koncert që u organizua për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë vështirësitë, trupa është munduar të bëjë maksimumin”, ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus.

Ndër performancat më emocionuese ishte ajo e Majlinda Cakiqit, e cila para publikut erdhi me këngën ‘Mora fjalë’. Një performancë kjo për të cilën Cakiqi ka treguar se është përgatitur shumë moti.

“Jam përgatitur qysh moti, ndërkaq dy javët e fundit kemi pasur prova intensive. Kur këndon live është gjithmonë një emocion i veçantë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur Cakiqi për KultPlus.

Koncerti përfundoi, por për të pranishmit do të mbetet gjatë në mendje. Emocionet dhe ndjenjat patriotike që u ngjallën mbrëmë nuk harrohen lehtë, kjo padyshim vërehej në fytyrat e gjithsecilit.

Krejt për fund, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefet Gjocaj kishte edhe një ankesë kundrejt Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se ‘Shota’ do të bëhet institucion në vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Për këtë gjë, Gjocaj konsideron se si një hap i parë drejt pavarësimit të institucioneve qendrore të kulturës siç është kodi buxhetor i cili edhe pse është miratuar, ‘Shota’ vazhdon ende të jetë varur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë ekstreme.

“Fakti që ne kemi mungesa në trupë dhe nuk mund të hapim konkurse, nuk kemi mundësi të planifikojmë asgjë pa miratimin e MKRS. Për pavarësi të institucionit as që bëhet fjalë, është punë e mirë ajo që ka nisur Dumoshi sepse kodi buxhetor është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo nuk do të thotë pavarësi e institucionit, pasi kjo pavarësi vie kur ‘Shota’ ka njësinë e burimeve njerëzore, zyrën e financave, kur ne e planifikojmë buxhetin etj”, ka deklaruar Gjocaj. / KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Ambasadori gjerman uron 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka uruar shtetin e Kosovës për 13 vejtorin e pavarësisë, shkruan KultPlus.

“Urime të gjithë qytetarëve kosovarë për 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës! Flamuri i Kosovës Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Urime Dita e Pavarësisë! Srećan dan nezavisnosti!”, ka shkruar Rohde në një postim në Twitter.

https://twitter.com/GermanAmbKOS/status/1361955526054195201

Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.

Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli./ KultPlus.com 

Dua Lipa emocionuese në urimin e saj për Pavarësinë e Kosovës: Jam krenare ta shoh sa larg kemi arritur

Këngëtarja shqiptare që ka shkelur majat botërore, Dua Lipa, sot në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk ka harruar që përmes një mesazhi emocionues ta uroj popullin e saj për këtë ditë të madhe, shkruan KultPlus.

Përmes një fotografie të punuar me flamurin e Kosovës, Dua përcjellë urimet e saj në rrjetin e saj social Instagram.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!!! XKXKXKXK 13 VJET!! Nuk do ta harrojë kurrë momentin kur e shikoja këtë ngjarje në TV, derisa isha duke jetuar në Prishtinë. Shumë emocione nga energjia e qytetit tim. Kujtim i paharruar… Jam krenare ta shoh sa larg kemi arritur dhe sa larg do të shkojmë në të ardhmen”, ka shkruar Dua në urimin e saj. / KultPlus.com

Në 13-vjetorin e Pavarësisë, SHBA-ja: Raporti me Kosovën i palëkundshëm

Në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy shteteve mbesin të palëkundshme.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada amerikane ka thënë se mbështet popullin e Kosovës në krijimin e një vendi paqësor e më të zhvilluar për qytetarët e saj.

“Teksa festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës, partneriteti SHBA-Kosovë mbetet i palëkundshëm. Ne qëndrojmë në krah të popullit të Kosovës teksa ju ndërtoni një shtëpi të drejtë, paqësore e prosperuese për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në urimin e SHBA-së. / KultPlus.com

Kurti e Osmani bëjnë homazhe te varri i Rugovës: Nderojmë figurat historike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 13-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Të dy janë shprehur se në këtë ditë nderojnë figurat historike të shtetit të Kosovës.

“E nderuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi e sovranitet. Njeriun i cili hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet e kumbojë kudo”, ka thënë me këtë rast Osmani.

Në anën tjetër, Kurti, që në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi bindshëm, ka thënë se shpreson e beson që viti i ardhshëm të gjejë Kosovën me drejtësi, demokratizim e zhvillim.

“Sot kujtojmë personalitetet politike kombëtare, historike, që kontribuan në faza e mënyra të ndryshme. Vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës, Ibrahim Rugova që ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Në veçanti falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditë kaq të rëndësishme”, ka thënë ai. / Koha.net / KultPlus.com

Dita e Pavarësisë, flamuri shtetëror ngrihet para Qeverisë së Kosovës

Në rastin e 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës para Qeverisë është bërë ngritja e flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë u.d e presidentit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Gjatë ditës janë paraparë disa aktivitete për rastin e pavarësisë./ KultPlus.com

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës festohet me pamje spektakolare përmbi Badovc

Nesër shënohet 13 vjetori i pavarësisë së Kosovës. Ky përvjetor është festuar me një pamje të rrallë spektakolare mbi liqenin e Badovcit.

“myprishtina” ka nxjerrë në instagam disa pamje të një gruaje ku shihet duke dhuruar një shfaqje të rrallë mbi Badovc.

Në mbishkrim thuhet se s’ka mënyrë më të mirë që të niset festa se me pak aerbobik në ajër mbi liqenin e Badovcit.

“Para se me thirrë najkush RTK-në me bo edhe ni reportazh për ni objekt t’panjofshëm tu fluturu n’qiell , po del që n’fakt veç perfomanca osht jashtëtokësore. Përndryshe, kjo goca osht bijë e jona, tu i sfidu naltësitë për me shënu përvjetorin e 13 t’pavarësisë . S’ka mënyrë ma t’mirë me nisë festën se me pak aerobik n’ajër përmi liqenin e Badovcit”, thuhet në mbishkrim./ KultPlus.com

Enca i propozon Bebes bashkëpunim, një këngë me ritme shqiptare

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka biseduar për disa minuta në një live video në Instagram me Encën, shkruan KultPlus.

Ishte Bebe Rexha, ajo e cila hyri live në Instagram dhe pastaj këngëtarja Enca iu bashkua dhe kështu realizuan një bisedë të shkurtër në këtë platformë sociale.

Enca e falënderoi artisten e njohur me famë botërore e cila ndihmoi një familje në Shqipëri duke  i ndërtuar një shtëpi pas tërmetit dhe e falënderoi që ka shkuar për vizite pas kësaj katastrofe: “Je dashuri dhe të gjithë ne Shqipëri e kanë pritur shumë mirë”, tha Enca.

Po ashtu, artistet diskutuan edhe për një mundësi bashkëpunimi dhe Bebe Rexha e pranoj më shumë dëshirë, madje ajo shtoi se në rast se do realizohej do dëshironte që në projektin muzikor të kishte muzikë tradicionale shqipe./ KultPlus.com

Ndue Ukaj boton librin ‘Mbretëria e ëndrrave’

Është botuar libri më i ri, ‘Mbretëria e ëndrrave’, i autorit Ndue Ukaj, shkruan KultPlus.

Libri ‘Mbretëria e ëndrrave’ është mbretëri letrare ku s’ kanë pushtet të pushtetshmit e ku ëndrrat e njerëzve të lirë gjunjëzojnë edhe perandorët.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Ukaj ka thënë se kjo vepër shënon një kapitull të ri në jetën e tij letrare.

“Ky libër i ri është një kapitull i ri në jetën time letrare dhe pres me padurim  vlerësimet e lexuesve”, ka shkruar ai.

Ky libër është botuar nga shtëpia botuese Onufri dhe gjendet po tek kjo librari në qytetin e Tiranës. Ndërkaq është bërë e ditur se shumë shpejt do të jetë i qasshëm edhe në platformat tjera online./ KultPlus.com

Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë, mbahet Festivali ‘Gjilani Fest 2021’

Nën mbështetjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport dhe Ministrisë së Kulturës, nën organizimit e Ansamblit “Gjilani” dhe Qendrës së Pavarur Kulturore, në Gjilan është mbajtur Festivali “Gjilani Fest 2021” për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Deniza Limani, drejtoreshë në DKRS, ka theksuar se ky festival po mbahet në kohë pandemie, në kushte më të rënduara e nën respektimin e masave.

Ajo është shprehur e lumtur se në Gjilan gjenden ansamble të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Luginë e Preshevës. Ajo ka thënë se sivjet programi ishte më i shkurtër, shkaqet tashmë po dihen, andaj janë mbajtur tri aktivitete.

Limani ka falënderuar të gjitha ansamblet pjesëmarrëse.

Programin e ka nisur  Ansambli “Gjilani” me disa pika artistike. Ajo u paraqit me valle tradicionale e burimore me Grupin e Valltarëve, Kolazh kosovar, koreografia e Qemajl Musliut, me këngën “OJ Kosovë oj nëna ime” që e kënduan Lumturie Shabani dhe Elona Sadiku dhe Grupi i këngëtarëve me potpuri këngësh me këngët “Në Grykë të Kaçanikut” dhe “Jem Ilirë, jem Teuta”.

Më pas është paraqitur Ansambli “Afërdita” nga Tirana, me president Eshref Gjoshi dhe koreografe Arta Kastrati. Në programin e tyre artistik ata janë paraqitur me vallen “Jehona Shqiptare” nga Grupi i Valleve, pastaj Eli Qosallari me këngën “Tumankuqe”, pastaj vallja me motive dibrane dhe sërish me këngën “Xhamadani vija – vija”.

Nga Presheva është paraqitur Shoqëria Artistike “Presheva”, të cilët patën disa pika muzikore, Mefail Ibrahimi – “Shkrep moj rrufe”, Naim Aliu – “Larg teje moj nënë”, Bashkim Haliti – “Përse të rriti mamaja ty” dhe Agim Kadriu – “Ushton Gryka e Kaçanikut”.

Në këtë Festival është paraqitur edhe grupi nga Kumanova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani”. Fillimisht ata janë paraqitur me Vallen “Dasmja Kosovare”, Nuredin Fetahu – “Çka ka hasmi”, Rexhije FAzliu – “Lum Kosova për ty”, Qerim Hamiti – “Këngë për Ibrahim Rugovën” dhe Mehmet Bajrami – “Dy tupanë në derë të kullës”.

Për të gjithë pjesëmarrësit drejtoria ka ndarë mirënjohje./indeks/ KultPlus.com

Një flamur gjigant i Kosovës vendoset në zemër të Tiranës (VIDEO)

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana ka vendosur në objektin komunal një flamur gjigant të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërndarë një video ku shihet puna duke u vendosur flamuri i Kosovës.

Ky veprim i bashkisë erdhi për shkak se nesër, më 17 shkurt, është 13-vjetori i pavarësisë së Kosovës.

Veliaj ka shkruar “Ja kshu bohet! Dashni nga Tirana! #Kosova13”./ KultPlus.com

https://twitter.com/erionveliaj/status/1361750941406556167?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1361750941406556167%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fnje-flamur-gjigant-i-kosoves-vendoset-ne-zemer-te-tiranes%2F

Dita e minierës së Bulqizës, ekspozitë me punimet e nxënësve

 Në bashkinë e Bulqizës është hapur një ekspozitë pikture nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare me rastin e 18 Shkurtit, ditës së minierës së Bulqizës.

Punimet në pikturë, vizatimet me laps, akuarel, pastel dhe kompozimet shpalosin punë e minatorëve në minierës, ku bie në sy gjinia e portretit, kompozimit, apo minierës dhe vagonëve të kromit.

Bashkia e Bulqizës falënderon nxënësve të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kësaj bashkie që morën pjesë në ekspozitën e pikturës “Miniera në penelin e një nxënësi“.

Talente të mrekullueshme u përfaqësuan në ekspozitë nga shkollat pjesëmarrëse, konkretisht shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda” Bulqizë, shkolla 9-vjeçare “Shefqet Tançi”  Bulqizë, Gjimnazi “Arbëria” Bulqizë, shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Daçi” Shupenzë dhe shkolla e Mesme e Bashkuar “Asllan Keta” Fushë-Bulqizë.

Kjo ekspozitë u organizua nga bashkia Bulqizë me rastin e 18 Shkurtit, ditës së minierës së Bulqizës. Tre punimet më të mira të kësaj ekspozite do të vlerësohen me çmime simbolike të cilat do të ndahen nesër./atsh/ KultPlus.com

​Franca kërkon lisa 200-vjeçar për rindërtimin e Notre Dame

Franca është në kërkim të lisave të vjetër për rindërtimin e kupolës së katedrales Notre Dame, e cila u shkatërrua në një zjarr të vitit 2019.

Është vlerësuar se rreth 1.000 pemë lisi 150-200-vjeçare do të nevojiten për rinovimin e katedrales 96 metra të lartë, transmeton Guardian.

Ndërtuesit francezë do të kombinojnë pemët e zakonshme me lisat e vjetër.

Presidenti Emmanuel Macron tha se katedralja do të rinovohet plotësisht deri në vitin 2024, por mbetet pyetja nëse kupola, e cila u shtua në vitin 1859, do të riprodhohet në një “mënyrë moderne”, siç zbuloi udhëheqësi francez./ KultPlus.com

Dua Lipa zë vendin e para në ‘Spotify’, falenderon fansat e saj

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, po vazhdon që të ketë një numër të madh të sukseseve në karrierën e saj muzikore, shkruan KultPlus.

Këngët që i ka publikuar janë bërë më të dëgjuarat në botë. Duke qenë tejet e lumtur për këtë vlerësim nga fansat e saj ajo ndau një status në Twitter, teksa i falënderoi të gjithë ndjekësit për vlerësimin e tyre.

“Woweeee cili është albumi juaj i preferuar Future Nostalgia apo The Moonlight Edition?  Nuk mund ta besoj. Numri 1 më i dëgjuar nga një artiste femër në @spotify dhe e 3 në përgjithësi … kjo është gjithçka falë juve!!!! faleminderit faleminderit një milion here” shkroi ajo./ KultPlus.com

https://twitter.com/DUALIPA/status/1361735482741321728?ref_src=twsrc%5Etfw&ref_url=https%3A%2F%2Findeksonline.net%2Fdua-lipa-e-para-ne-spotify-ka-nje-mesazh-per-fansat-e-saj%2F

Mbretëresha Elizabeth II, Steinmeier, Macron dhe Mattarella telegrame urimi për ditën e pavarësisë

U.d. Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.

Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.

Kurse presidenti gjerman Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.

Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.

“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.

Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin./ KultPlus.com