“Në kërkim të Venerës” filmi debutues i Norika Sefës shpërblehet me çmimin special të Jurisë (Special Jury Award) gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve të Festivalit të Roterdamit, përcjell KultPlus.
“Ky film mori 5 vite të jetës sime, jo pak!! Jom shumë e lumtur që e kam pasë fatin me punu me secilin që qëndron prapa këtij filmi, krejt, ama krejt, ata që i kanë dhënë kuptim edhe shumë nuanca kësaj përvoje.”
“Ky çmim është shumë I rëndësishëm për filmin, por gjithashtu një shenjë prestigji sepse festivale si IFFR pëlqejnë të inkurajojë sfidat narrative dhe inovacionin në gjuhën e filmit. Ky është një motiv i madh për mënyrën qysh unë punoj”.
“Unë personalisht falenderoj Besnikun, bashkëpuntori më i afërt, dikush që më ka besu, shtytë e inkuraju, por edhe Luis Armando Arteaga, – duke e ditë që ky film ka pasë për qëllim me sfidu anën vizuale, unë kujtoj sa kohë energji e motivim është dashtë për me ardh deri këtu!” u shpreh regjisorja Norika Sefa përmes një video mesazhi gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.
“Dua ta falenderoj Noriken fillimisht për idenë, skenarin dhe pastaj për rezultatin që ka sjellë në ekran me aq përkushtim e insistim deri në detajet më të vogla të mundshme. Jam i lumtur që bashkë arritem me perfundu një projekt me sukses.
I falenderoj aktoret dhe ekipin e mrekullueshëm, pa përjashtim.” “Falenderim të veçantë për Qendren Kinematografike të Kosovës që ka besu te ne”, “Agjensionin e Filmit të Maqedonisë së Veriut, dhe qytetarët e Kaçanikut për një pritje, përkushtim e ndihmë të pafund gjatë xhirimit” u shpreh producenti Besnik Krapi me rastin pranimit të çmimit.
Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Me drejtor të fotografisë – Luis Armando Arteaga, montazhë – Stefan Stabenow, skenografi – Arben Shala, zërim – Risto Alchinov, kostumografi – Desantila Lika, dhe grim – Lidona Berisha.
“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Saranda shumë shpejt do të ketë një muze të ri Arkeologjik, si pjesë të paketës turistike të qytetit.
Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Sarandës u shpreh se, përveç Butrintit, paketa turistike kulturore e Sarandës do të ketë një muze arkeologjik dhe është menduar të ndërtohet tek godina ku ka qenë materniteti i qytetit.
“Kemi rënë dakord, t’i japim Sarandës një muze arkeologjik. Butrinti është aty, një aset kulturor botëror, por jo të gjithë kur vijnë në Sarandë shkojnë deri në Butrint. Ata që vijnë në Sarandë, të huajt apo shqiptarët, nuk kanë pse mos ta kenë një muze arkeologjik dhe ish-materniteti është një vend ideal për të patur një muze arkeologjik. Pastaj mund të bashkëpunohet edhe me parkun e Butrintit për të pasur dhe zonat, seksione të caktuara të këtij muzeu të dedikuara të parkut të Butrintit dhe pastaj kush do të shkoj në Butrint le të shkoj dhe atje”,- tha Rama.
“Kisha e 40-shenjtorëve lart duhet kthyer në një aset të fortë të paketës turistike. Rruga ka shkuar deri atje, nuk është e standardeve më të larta, jam dakord që duhet ndriçimi më i mirë i Kishës dhe besoj se kryetari i Bashkisë për këtë po mban shënime”,- tha Rama. /a.a/ KultPlus.com
Biblioteka e re në qytetin e Korçës ofron tashmë për lexuesit libra në fond të hapur dhe pajisje me skaner e sistem kërkimi dixhital që e bën këtë bibliotekë modelin e parë të modernizimit të bibliotekave në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video nga Biblioteka e re e Korçës, e cila tashmë ka për miqtë e librit një infrastrukturë modern si dhe pajisje të dedikuara IT.
“Biblioteka e Re e Korçës do të jetë jo vetëm qendra e miqve korçarë të Librit, po edhe një inkubator i biznesit digjital, ku të rinjtë do të kenë kurse të dedikuara IT me trajnerë të kualifikuar jashtë dhe kushte optimale për të zhvilluar aplikacione e kryer shërbime për tregun global online”,- shprehet Rama.
“Biblioteka e Korçës, është vendi ku trashëgimia kulturore bashkëjeton me teknologjinë”,- shprehet një frekuentuese e bibliotekës të Korçës. “Pas shumë orë studimesh, duke studiuar, e ndjej të nevojshme të relaksohem”, tha një tjetër frekuentuese.
Biblioteka e re e qytetit të Korçës ofron më shumë hapësira sociale dhe kulturore për qytetarët. /ata/ KultPlus.com
Kastriot Sadës, drejtor i Shkollës së Muzikës ‘Prenk Jakova’ në Gjakovë, i është vazhduar pozita si Koordinator i Kosovës në European Association for Music in Schools, shkruan KultPlus.
Sada në këtë pozitë fillimisht ishte zgjedhur në vitin 2015 në Rostock të Gjermanisë̈, ndërkaq tashmë kjo pozitë i është vazhduar deri në vitin 2022.
Vlen të theksohet se në këtë asocacion Kosova përfaqësohet me të drejta të plota krahas 35 shteteve evropiane./ KultPlus.com
Fotografi të realizuara me dron tregojnë gjendjen në portin e Bejurit në Liban, gjashtë muaj pas shpërthimit që tronditi vendin dhe që shkaktoi të paktën 200 viktima, ndërsa më shumë se 6000 persona mbetën të plagosur.
Shpërthimi mendohet se u shkaktua nga një sasi prej 2750 tonë nitrat amoni të vendosur në një magazinë aty pranë. Ngjarja tragjike vetëm sa shtoi problemet te një popullsi e dërrmuar nga kriza ekonomike dhe pandemia e koronavirusit.
Komuniteti ndërkombëtar, me në krye Francën, u zotua të jepte një fond prej rreth 300 milionë dollarësh ndihma për Libanin. Bashkimi Europian, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore kanë hartuar gjithashtu një plan për të ndihmuar në ringritjen ekonomike të qytetit. Sipas vlerësimit të tyre, vetëm për vitin e parë do të duhen 426 milionë dollarë.
Madje, Banka Botërore vlerëson se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi kapin vlerën e 8,1 miliardë dollarëve. Në dhjetor, kryeministri në detyrë Hassan Diab, dhe 3 ish-ministra Ali Hassan Khalil, Ghazi Zaiter dhe Youssef Fenianos, u akuzuan se nuk reaguan pas paralajmërimeve për magazinimin e pasigurt të nitratit, që ishte sekuestruar nga një anije ruse.
Gjashtë muaj pas ngjarjes, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar nga vendi i shpërthimit, çka vë edhe më shumë në dukje punën gjigante që do të duhet për rikthimin e gjërave në normalitet./ KultPlus.com
Aktorja kryesore e filmit kosovar “Zgjoi”, Yllka Gashi, ka sqaruar për gjithë të interesuarit se kur mund ta shohin filmin në platformat dixhitale.
Gashi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se filmi “Hive-Zgjoi”, momentalisht nuk do të shfaqet në asnjë platformë online.
Ajo ka thënë se do të ketë premierë evropiane dhe rajonale, porse, data e saktë ende nuk është vendosur.
“Për të gjithë ju që po shfaqni interesim dhe po pyesni ku e kur mund ta shohim filmin “Hive-Zgjoi” një sqarim i vogël: Filmin NUK mund ta shihni online momentalisht në asnjë platformë. Filmi “Hive-Zgjoi” sapo ka filluar jetën e tij me premierën dhe sukseset që pasuan në Sundance Film Festival. Sigurisht që do të ketë edhe premierë Evropiane dhe rajonale. Për datë të sigurtë ende nuk është vendosur për shkak të situatës me pandemi. Për informata të tjera mund ta vizitoni faqen e produksionit www.ikone-studio.tv Deri atëherë falemnderit për mirëkuptim e për përkrahjen e dashamirësinë!”, ka shkruar Gashi.
Filmi artistik “Zgjoi” ka bërë historinë duke fituar tre çmime në festivalin Sundance: Filmit më të mirë, regjsores më të mirë dhe çmimin e publikut.
Zgjoi paraqet historinë e vërtetë të Fahrijes nga Krusha e Madhe, të cilën e luan Yllka Gashi, e cila kërkon burrin e humbur gjatë luftës në Kosovë teksa përballet edhe me vështirësitë e të qenurit grua./ KultPlus.com
Shtëpia më e ngushtë në Londër, vetëm 1,7 metra e gjerë, është në shitje për më shumë se një milion euro.
E bllokuar në mes të një salloni parukerie dhe studios së një mjeku të përgjithshëm, pothuajse nuk mund ta shohësh, aq shumë e ngushtë është ajo.
Kjo rezidencë interesante me pesë kate në Shepherd’s Bush ishte fillimisht një dyqan kapelesh viktoriane, me depo për të ruajtur mallra dhe me banesa në katet e sipërme.
Një dremitje e së kaluarës së saj, shtëpia ka ruajtur dritaren e saj të vogël, të zbukuruar me një llambë në formën e një kapele.
Prona e çuditshme, fasada e së cilës formon një shirit të vogël blu të errët shumë diskrete në rrugë, sapo ka dalë në shitje dhe është vlerësuar në 950 000 stërlina (1,1 milionë euro).
Për David Myers, menaxher i shitjeve në agjencinë përgjegjëse të pronës, ky çmim shpjegohet me faktin se shtëpia, e ndërtuar në fund të shekullit të XIX ose në fillim të shekullit të XX, përbën një pjesë unike të historisë së Londrës.
“Ajo është paksa magjia e Londrës”, tha ai./atsh/ KultPlus.com
Porti i Kopenhagës do të bëhet edhe më tërheqës duke iu falënderuar një projekti që parasheh ndërtimin e një serie të ishujve artificial lundrues.
Projekti i dizajnuar nga studio daneze Fokstrot dhe arkitekti australian Marshall Blecher parasheh një numër të parqeve të vogla të cilat do të vendosen në port, si përgjigje ndaj zhvillimit të madh urban rreth bregdetit.
Të quajtur zyrtarisht “Ishujt e Kopenhagës”, secili modul është krijuar me program fleksibil publik në mënyrë që të mbushen disa hapësira të hapura të cilat kanë mbetur “të humbura” si pasojë e rritjes së urbanizmit, shkruan My Modern Met.
Përfaqësues nga studio Fokstrot thonë se këto parqe lundruese do tu mundësojnë banorëve të Kopenhagës që të bëjnë lundrim, të notojnë, të bëjnë piknik e shumë ngjarje të tjera./ KultPlus.com
81-vjeçari Carlos Soria pretyqë të ndjejë ajrin e pastër të Himalajeve edhe një herë këtë pranverë, ku planifikon që të ngjitet në malin Dhaulagiri në Nepal.
Më pas, në vjeshtë, ai shpreson që të arrijë majat Shishapandma në Tibet. Nëse arrin t’i bëjë të dyja ngjitjet, ai do të jetë personi më i vjetër në botë që arrin në 14 majat më të larta – që kalojnë 8,000m.
I lindur në Madrid, Carlos është ngjitur majave gjatë tërë jetës. Por, në dy dekadat e fundit, nxitja për të thyer rekorde, e ka bërë atë unik, shkruan BBC.
Ai është ngjitur në 11 nga 14 majat më të larta në botë që kur shënoi 60-vjeç. Ai është bërë personi më i vjetër në botë që ka ngjitur majën e Everestit, në moshën 62-vjeç./ KultPlus.com
Mos më thuaj që nuk të kam dashur, o lule e livadhit të virgjër! Thuamë që është shuar dielli, thuamë që toka është në flakë, thuamë që hëna është ngjethur, thuamë që qielli është në gjëmë, thuamë që s’ka më agshole, por mos më thuaj që nuk të kam dashur…
O NËNË
Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet, o nënë. Ku je fshehur? Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde, sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje, që asnjëherë nuk lodheshin së ndjekuri ecjen time të pasigurt. Ishe gjithçka për mua. Fytyra jote: më e bukura mes muzave. Dhe flokët e tu të gjatë e të zinj mbulonin faqet e gëzueshme, kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë nëpër venat fëminore. Tani ku je fshehur? E freskët në kujtesën time, rikthehu, o nënë, të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.
( Sot është ërvjetori i vdekjes te piktorit Ibrahim Kodra. Ka pirë uiski me Heminguein, ka ndejtur me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel” si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze. Pak veta e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita… )/ KultPlus.com
Kënga e famshme “Baresha” vulë e përhershme e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, është këngë perlë shqiptare që po i reziston kohës, shkruan KultPlus.
Edhe pse kanë provuar shumë talent ta risjellin këtë këngë të fuqishme, interpretimi i vet Nexhmije Pagarushës konsiderohet të jetë më i fuqishmi.
Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar shkrimtari i njohur për fëmijë Rifat Kukaj, kurse kompozimi i kësaj këngë është rezultat i kompozitorit të mirënjohur Rexho Mulliqi.
Njerëzit që largohen nga vendlindja do të marrin patjetër diçka me vete, dikush kujtimet, dikur një send te vyer, por shpesh edhe gjëra të jetës së përditshme të cilat mund tu shërbenin në atdheun e ri.
Në fillim të viteve 1900, atëherë kur nisi edhe vala e parë migratore e shqiptarëve drejt Amerikës një pjesë e tyre zgjodhi te vendosej në Boston. Kohët e para shumë prej tyre kishin një jetë të vështirë duke jetuar në ndërtesa të vjetra dhe bodrume në mënyrë që të përballonin jetesën, duke punuar në fusha nga më të ndryshmet dhe duke përdorur qoftë shtretërit apo veshjet e njeri tjetrit.
Për të kursyer para për familjet e tyre këta të rinj shpenzuan shumë pak për veten e tyre. Punuan punë të rënda në fabrika në kushte të vështira të strehimit dhe ushqimit të pamjaftueshëm që më vonë ndikuan në shëndetin e burrave dhe djemve emigrantë.
Disa prej tyre humbën jetën në rrethana tragjike. Sëmundja e tuberkulozit filloi të prekë disa nga emigrantët që jetonin në këto bodrume në zonën e Bostonit. Ky fakt ishte një nga shqetësimet që Faik Konica solli në vëmendjen e bashkisë së qytetit.
Ai i ushtroi presion Guvernatorit që t’i akomodonte shqiptarët nga bodrumet dhe t’u jepte një vendstrehim dhe nëse ishte e nevojshme, ai vete do ti përcillte kauzat e tyre në vëmendjen e shtypit. Konica vizitoi vendet ku ata jetonin për të folur dhe në disa raste i këshillonte të ktheheshin në vendin e tyre për te pushuar dhe per tu kuruar.
Vite më vonë, emigrantët shqiptarë u bashkuan me familjet e tyre dhe së bashku me ta erdhën edhe traditat dhe zakonet e tyre. Në bisedat me shqiptaro-amerikanë të moshuar u mësua se gratë emigrante sollën me vete rrënjë dhe farëra të bimëve mjekësore, të tilla si salep, çaj mali, kamomil, rigon të kuq dhe të bardhë etj. Ato i kultivuan këto bimë në vazo dhe kopshte, dhe i përdorën si ilaçe alternative sipas zakoneve të tyre. Gjithashtu, kishte raki, pije alkoolike e bërë nga rrushi në shtëpitë e tyre, e përdorur jo vetëm për ngjarje festive, por edhe si “ilaçe” kundër të ftohtit ose gripit. Po aq vlen të përmendet edhe nëna e patriotit shqiptar Anton Athanasi, e cila kishte marrë nga Shqipëria tharme kosi për të cilat u kujdes që të mos prisheshin për gajtë gjithë udëtimit dy javor.
Në komunitetin shqiptaro-amerikan, kishte një numër të madh të grave që praktikonin mjekësi alternative dhe që kuronin shqiptarë që vuanin nga reumatizma, dhimbja e mesit, fraktura, sëmundje të zorrëve, probleme të frymëmarrjes, etj. Ato përdorën “masazhe” dhe “kombinim të çajrave të ndryshëm me bimë mjekësore”. Për infeksionet e lëkurës atao përdornin të verdhën e vezës. Midis tyre kishte edhe njerëz që ndihmuan me “magji”, përfshirë Kolevica, zonjën e mrekullueshme shqiptare nga Lynn dhe Massachusetts e cila përdori magjinë e saj me qymyr.)
Znj. Gloria Hill, shqiptaro-amerikanja e lindur në Boston nga prindër shqiptarë, kujton shërimin me “filxhanë” për ata që vuanin nga pneumonia. Gratë me përvojë përdornin gota qelqi me një qiri të vogël brenda, të cilat i vendosnin një nga një në pjesën e kurrizit për të sëmurët. Ajo gjithashtu kujton metodën tradicionale të “masazhimit” për dhimbjen e shpinës. Metoda të ngjashme të mjekësisë alternative tradicionale u përdorën nga Arbëreshët e Massachusetts, si dhe emigrantë të tjerë shqiptarë.
Vangjo Llaci, kishte studiuar dhe punuar si mjek në New York që nga fillimi i shekullit të kaluar. Thuhet se Dr. Llaci shpesh thirrej për konsulta mjekësore në shtëpinë e bardhë. Mjekë të tjerë të respektuar të përmendur ishin Dr. Andreë Elia dhe gruaja e tij Dr. Dimetra Tsina-Elia. Të dy ata ishin në praktikë mjekësore në Boston. Dr Andrew Elia ishte kryetari i Shoqatës “Vatra” si dhe një publicist i njohur. Elias njiheshe si aktivist i nderuar i komunitetit shqiptaro-amerikan. Një mjek tjetër i respektuar dhe me reputacion i cili praktikoi në Boston dhe në qytete të tjera më të vogla ishte Dr. Nicholas Prift. Ai ishte një mjek i përgjithshëm, i cili shpesh thirrej nga prindërit shqiptarë për të vizituar fëmijët e tyre të sëmurë. Ata kishin besim të plotë tek ai për shkak të aftësive të tij profesionale si dhe kujdesit dhe përkushtimit të tij. Dr Gaqi Qano praktikoi stomatologji në Filadelfia.
Disa vite më vonë ai u kthye në Shqipëri dhe punoi si stomatolog deri në fund të jetës së tij. Do të mbahet mend për mbështetjen e tij të fortë në formimin e një grupi stomatologësh. Një emër tjetër i njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan në Ëorcester ishte aktivisti shqiptar Dr. John Nasse, me origjinë nga Berati. Gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, Dr. Nasse ofroi mbështetjen dhe kontributin e tij në sistemin mjekësor të vendit të tij të lindjes. Në komunitetin arbëresh të Milford, afër Bostonit, Dr Nikolla Capece, ishte një tjetër praktikuese mjekësore që përmendet me shumë respekt. Dr. Capece ishte një studiues dhe aktivist i njohur. Ai dha kontribute të konsiderueshme drejt afrimit të komuniteteve arbëreshe dhe shqiptaro-amerikane.
Pas Luftës së Dytë Botërore, dhe deri në 1990, mjekët, dentistët dhe farmacistët me origjinë shqiptare në Amerikë ishin kryesisht fëmijë të lindur nga emigrantë shqiptarë të brezit të parë, të cilët ishin larguar nga territori shqiptar brenda dhe jashtë juridiksionit të Shqipërisë. Për t’u përmendur gjithashtu janë Dr. Ferid Murad, fitues i Çmimit Nobel dhe Kryetar i Nderuar i Shoqërisë Mjekësore Shqiptaro Amerikane, Dr. Vasil Popa, Dr. Agim Leka, Dr. Peter Pochi, Dr. Faton Gashi, Dr. Ramazan Turdiu, Dr. Hamdi Oruci, Dr. Daut Gjoni, Dr. Nedzat Kaliqi, Dr. Filip Çaushaj, dy vëllezërit dentistë Xhelo dhe Mazar Shuaipaj, Dr. Zife Krosi, Dr. Dila Vuksanaj dhe të tjerë.
Materiali kortezi e shoqates ALBANIAN AMERICAN MEDICAL SOCIETY/ KultPlus.com
Nexhmije Pagarusha ishte dhe do të mbetet një ndër këngëtaret më të njohura shqiptare. Veç kësaj, ajo ka qenë edhe një aktore e suksesshme, si në film ashtu dhe në teatër, shkruan KultPlus.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar si soliste në Radio Prishtinë.
KultPlus sot ju sjellë një fotografi nga karriera e saj si aktore, në një skenë të filmit “E kafoshja terrin”, të realizuar në vitin 1977. Po ashtu më poshtë mund të ndiqni edhe një pjesë nga ky film.
“E kafshoja terrin” është një film televiziv prodhim i RTP TV Prishtina i vitit 1977, me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut. Filmi ishte pjesëmarrës në festivalin “Prix Italia 1978” në Milano të Italisë. / KultPlus.com
“La Patrie” ka botuar, të hënën e 8 korrikut 1901, në ballinë, një shkrim në lidhje me reagimin e Faik Konicës (Thrank Spirobeg) ndaj qëllimeve italiane asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Italia dhe Shqipëria
Intrigat u zbuluan. – Përgjigje nga patriotët shqiptarë.
(Shërbimi special i La Patrie)
Vjenë, 7 korrik. – Trazira e nxitur në Shqipëri nga emisarët italianë për të krijuar një lëvizje opinioni në favor të aneksimit nga Italia ka marrë një goditje fatale. Nëse italianët ende imagjinojnë që shqiptarët kanë dëshira të zjarrta për t’u bërë nënshtetas të mbretit Viktor Emanuel, kjo është për vetëkënaqësinë e tyre.
Botimi i fundit i Albania-s, organi i komiteteve revolucionare shqiptare, i cili botohet në Bruksel, përmban një artikull të nënshkruar nga Z. Thrank Spirobeg mbi çështjen e propagandës italiane në Shqipëri.Kujtojmë që Z. Spirobeg është udhëheqësi i njohur i Partisë Nacionaliste Shqiptare dhe se ai u internua nga qeveria Osmane për pjesëmarrjen e tij aktive në një fushatë trazirash që synonte ta bënte Shqipërinë të pavarur nga Turqia.
Z. Spirobeg nuk heziton t’i vë flakën barutit.Ai deklaron kategorikisht se përkëdheljet italiane janë të dyshimta për nacionalistët shqiptarë.
“Italia, vazhdon ai, i ka dhënë vetes misionin pak a shumë të mprehtë të provokimit të konflikteve të armatosura në Ballkan dhe të përfitimit nga çrregullimi që një luftë do të shkaktonte për të aneksuar Shqipërinë ose për ta nënshtruar atë në protektoratin e saj.
Shqiptarët nuk janë më shumë një racë latine sesa japonezët;ata nuk kanë asgjë të përbashkët me popullin italian, as gjuhën, as traditat, as fatet.Nëse ne kërkojmë autonominë tonë, është pikërisht për të forcuar dhe zhvilluar një kombësi të pavarur.Por ne do të kundërshtojmë me forcë planet e Italisë, e cila dëshiron të bëjë me Shqipërinë atë që bëri Austria me Bosnjën dhe Hercegovinën.Më mirë të qëndrojmë turq sesa të bëhemi italianë!”
Nëse kjo gjuhë e qartë nuk dëgjohet në Romë, kjo është për shkak se ministrat italianë kanë një vesh të shurdhur!/darsiani/ KultPlus.com
Futbollistja shqiptare Kosovare Asllani vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Real Madridit.
Ditën e djeshme Asllani ka realizuar tre gola në ndeshjen që Real Madridi e fitoi 3-1 kundër Valencias.
Ajo kompletoi tripletën brenda tre minutave, duke shënuar gol në minutën e 67’, 68’ dhe 80’.
Goli i parë nga gjuajtja e lirë ishte si dikur kur shënonte Cristiano Ronaldo, teksa goli i dytë ishte gjithashtu i bukur, ku realizoi me parabolë./ KultPlus.com
Më 7 shkurt 2006 u nda nga jeta piktori shqiptar me famë botërore, Ibrahim Kodra, shkruan KultPlus.
Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetėm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.
Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso.
Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me njė bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai largohet nga Roma dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës.
Ai ka ekspozuar në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, Kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik./ KultPlus.com
Është bërë një vit që nga vdekja e bilbili të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha,por vitet do të mbeten të mangëta për të numëruar jetëgjatësinë e artit të saj, shkruan KultPlus
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu atje kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Betovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit. /KultPlus.com
Kovaçi i vjetër “është zanat i rëndë, duart bëhen me qymyr, por lahen prapë, nuk është turp. Po kur ha bukë e fut paratë në xhep, është turp?” sinkron Shahin Kurti.
Me këtë shprehje të babait të tij u rrit Aurel Kurti dhe që në moshën 13 vjeçare do të niste të punonte pranë babait të tij kovaç. Sot ai është në përfundim të shkollës profesionale për mekanik dhe synon që më vonë të krijojë një punishte më të madhe se ajo e babait.
“Hekuri rrihet sa është i nxehtë” dhe kjo nuk është thjesht një shprehje në kuptimin e figurshëm të saj, por një proces i vështirë pune që dikur ishte baza e prodhimit të vegla bujqësore.
Tashmë që industria është zhvilluar, kovaçët janë të rrallë, por familja Kurti nuk heq dorë nga puna me të cilët ka jetuar me dinjitet.
Me duart e copëtuara, por me ndërgjegjen e qetë, Shahini dhe djali i tij, jo vetëm që e bëjnë me dëshirë punën, por janë të kënaqur që garantojnë të ardhmen e familjes./tch/ KultPlus.com
“Dëshiroj që gjyshes t’i kthejë buzëqeshjen e humbur!” Kjo ka qenë dëshira e Deslit, 13-vjeçar, që përloti gjithë familjarët e tij.
Gjyshe Remzia, humbi bashkëshortin para një viti dhe që prej asaj kohe nuk dilte më nga shtëpia, dëgjonte vetëm lajmet dhe nuk buzëqeshte si më parë.
Surpriza e kërkuar nga Desli emocionoi jo vetëm gjyshe Remzien, por edhe pjestarët e tjerë të familjes të cilët ishin në dijeni të dëshirës dhe u bënë bashkëpunëtorë me stafin e programit “Më thuaj një dëshirë”.
Në shtëpinë e gjyshes u instaluan disa kamera të fshehta dhe në ekranin e televizorit nisi të shfaqej një edicion i ‘jashtëzakonshëm’ informativ, ku nga studioja e lajmeve, Ilir Paço, bëri të ditur dëshirën e Deslit për gjyshen e tij.
Kaq mjaftoi që gjithë familja të shpërthente në lot dhe gjyshe Remzia mos të kontrollonte dot emocionet e forta.
Dëshira e Deslit u realizua plotësisht kur gjyshja doli nga shtëpia pas shumë kohësh dhe shkoi në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, ku një grup muzikantësh mes të cilëve Desli, e emocionuan me sonatën e saj të preferuar./tch/ KultPlus.com
“Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit… 11 ditë nuk hëngrëm, as pimë… por ata na çuan në birucat e izolimit…”
Nurie Koculi është një ndër vajzat e para shqiptare që njohu agresionin komunist nëpër qelitë e errëta të diktaturës komuniste. Ishte vetëm 24 vjeç, kur u dënua me burg, si “armike e popullit”. Ishte mikeshë me Musine Kokalarin, dhe kjo do të ishte edhe një ndër akuzat për të cilat do të dënohej me pesë vite burg. E kishte njohur Musinenë në vitin 1943, tek libraria. Nuria mbante korespondencë edhe me Isuf Luzajn, një ndër emrat e shquar shqiptar në fushën e filozofisë, gjithashtu i shpallur si “armik i popullit”. Nurija do të dënohej edhe si lexuese dhe shpërndarëse e gazetës “Zëri i Lirisë”. Kur e arrestuan, në vitin 1946, Nuria gjeti në qeli të tjera vajza e gra intelektuale të shquara si Musine Kokalari, Merita Sokoli Tezha, Erifili Bezhani, Rita Koçi, Diti Biçaku, Frida Sadedini e të tjera.
Nurie Koculi ka ndërruar jetë prej disa vitesh, por kujtimet e saj vijnë në kujto.al falë kontributit të së bijës, Almira Myzyri. Më poshtë, botohet e plotë dëshmia e sjellë në kujto.al nga Almira, siç i ka rrëfyer e ëma, Nurie Koculi. Në pak rreshta, vijnë disa momente pikante të jetës së vështirë të së ëmës, bashkë me dosjen e diktaturës, ku shënohen arsyet e dënimit të Nurie Koculit.
Almira Myzyri: Ç’më rrëfeu nëna ime për qelitë e diktaturës
“Na nxorën nga shtëpia tek Shallvaret dhe morëm një dhomë në Tiranë të Re. Mbas ca ditësh, e arrestuan vëllanë tim Kujtimin e mbetëm ne të dyja vetëm, unë dhe mamaja.
Në dhjetor të ’46-ës, më arrestuan dhe mua. Mbeti mëma vetëm. Atë e lajmëruan të ikë nga Tirana. Ku të vente ajo e shkreta? Vajti në fshat, por shtëpinë e kishin bërë zyra. Mëmën e futën bashkë me bagëtitë në një stallë, i dhanë 20 rrënjë ullinj, nga ata që ju ishin sekuestruar. Kur mundej, vinte të na shihte në burg. Kujtimi ishte në Kampet e Korçës në Maliq e unë në Tiranë, në burgun e vjetër.
Burgu i vjetër
Ishin 4 dhoma: në dy prej tyre, rrinin ordinerët, në dy të tjerat, rrinim ne gratë e arrestuara për politikë. Të gjitha bashkë në atë vend të ngushtë, ku secila kishte vetëm 30 cm hapësirë.
Çdo muaj vinte një kontroll për ne, na shqepnin dyshekët, na merrnin librat, letrat, lapsat, e ç’tu mbushej mendja. Na izolonin: na mbyllnin derën dhe vetëm në mëngjes e në mbrëmje, shkonim në banjë e mbushnim ujë, në një çezëm në oborr, për t’u larë e për të pirë. Dy herë në ditë, na binin një kazan me supë, ujë me dy kokrra oriz ose makarona dhe një copë bukë, herë misri, herë gruri. Ne nuk hapnim gojën, se spiunët na raportonin se flisnim për politikë.
Në grevë urie për Musine Kokalarin
Kur morën Musinenë për në Burrel, unë, Qefsere Bega dhe Merita Sokoli bëmë grevën e urisë. 11 ditë, as bukë, as ujë. Na mbyllën në dhomën e vogël. Të 11 ditët, na çuan në birucat e burgut. Mua me ra të fikët, pastaj na kthyen në burg si më parë. Qefseres i vinte familja. Mua me vinin motrat e Osman Kazazit. Me sillnin ndonjë triko dhe ndonjë lek.
Abaja (Refija) ishte në Kocul, por kur vinte, sillte ushqime. Më erdhën një herë, dhe Drita Koculi e Shyqyrit me të shoqin, Sybiun. Sa ishin martuar. Veledini vinte, por i thashë mos hajde, nuk është mirë për ty të vish në burg. Motrat e Osmanit vinin, në çdo takim. Mëma, ku të shkonte më parë. Dolëm të gjallë, por çdo të bënim pa punë.
Kujtimin e futën prapë në burg, e dënuan 10 vjet, sepse nuk kishte denoncuar. Avokati në gjyq tha: Për këtë akuzë, në Rusi, maksimumi dënojnë 3 vjet. Prokurori tha: Është i biri i Qazim Koculit dhe ka qenë edhe një herë tjetër ne burg”.
PRETENCA
E pandehura, Nurije Koculi, gjatë okupacionit gjerman në lidhje me Partinë Social Demokrate duke marrë udhëzime nga krimineli i luftës, Isuf Luzaj dhe Musine Kokalari. Gjatë asaj kohe, ka propaganduar kundër lëvizjes nacional-çlirimtare dhe ka ndihmuar okupatorin. Ka shpërndarë gazetën Zëri i Lirisë – organ i Partinë Social Demokrate, e cila villte vrer kundër rezistencës së popullit shqiptar. Një pjesë e gazetave të asaj kohe, ju gjetën të fshehura në shtëpi, në një shishe. Kjo vërteton akoma më shumë qenien e saj në Partinë Social Demokrate dhe aktivitetin e saj dhe bindjen e saj ndaj asaj partie.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, është munduar të mbajë gjallë frymën e Partisë Social Demokrate në rrethet e saj të ngushta, në lidhje përsëri me Musine Kokalarin. Ka propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit me elemente si Reshat Beqiri, Reshat Aga e të tjerë, ku ka pasur dijeni për grupet klandestine, që kishin si objektiv rrëzimin e pushtetit me violencë. Gjatë zhvillimit të gjyqit, ka thënë se do të dalë në opozitë dhe interesimi i saj mbi qëndrimin e Gjergj Kokoshit gjatë seancave të ndryshme të Asemblesë, dalin qartë lidhjet e ngushta që ka pasur pas çlirimit me Musine Kokalarin dhe me të burgosurin Reshat Beqiri.
Ka organizuar mbledhje të ndryshme, me gra me karakter kundra pushtetit popullor, duke paraqitur situatën se “shpejt do të ndryshonte nga një ndërhyrje e jashtme”, parulla të cilat i organizonte me Reshat Agën dhe Musine Kokalarin e shokë. Këtë e tregon edhe takimi me Vake Kreshpanin, të cilën edhe se nuk e njihte, i ishte drejtuar të pandehurës me rekomandim nga Vlora, ku e pandehura ka dhënë udhëzime për të punuar me gratë reaksionare të Vlorës.
Ka lajmëruar armikun e popullit, Napoleon Tasi, që të ruhej, se survejohej se kishte parë dy civile rrugës. Kjo vërteton se lidhjet që ka e pandehura se ka treguar interesim që të ruhesh e të mos kapesh me dokumente në flagrancë. Domethënë që e pandehura ka pasur dijeni dhe lidhje… që kryente kundër pushtetit.
Ka pasur lidhje me Sanie Dokon, ku bashkë me këtë, kanë propaganduar me axhitacion kundër pushtetit popullor dhe Reformave Ekonomike dhe ka nxitur gratë e tjera, për t’u larguar nga fronti dhe për të treguar urrejtje ndaj pushtetit, duke i këshilluar të mos shkojnë në konferenca e në punë vullnetare. Ka marrë trakte nga Sanie Doko, e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit. Në lidhje me të dënuarit, ku bashkë me ta, edhe i vëllai i dënuar për veprimtari kundër pushtetit, të cilës ju gjetën të fshehura në një shishe 5 kopje të gazetës Zëri i Lirisë të Partise Social Demokrate. Pretendimi i të pandehurës, se i mbante si koleksion, është krejt absurd, sepse në rast të tillë nuk do t ‘i mbante në shishe, po në bibliotekë ose vend të dukshëm. Kjo forcon akoma më shumë bindjen dhe besimin që ka pasur e pandehura ndaj Partisë Social Demokrate. Mbasi fajësia e saj parashikohet prej nenit 3 paragrafi 4 dhe nenit 8 te ligjit 372 te 12.XII. 946. Kërkoj të vendoset dënimi i të pandehurës në bazë të nenit 4 dhe nenit 8 paragrafi i parë 5 vjet provim lirie dhe punë të detyrueshme, baraz me periudhën e ndëshkimit.
Tirane 24 IV 947
ND. PROKURORI USHTARAK
KAPITEN FAIK MINAROLLI.
Gjykata
Pasi studioi proces-verbalin e ardhur nga sektori i Sigurimit të shtetit Tiranë;
pasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve; pasi dëgjoi pretencën e prokurorit që për arsyet e treguara, i kërkon të pandehurit të deklarohen fajtorë të neneve 4 dhe 8, të ligjit nr 3712 dhe 14 të ligjit nr. 382 kërkoi dënimin e Nurije Koculi, me 5 vjet mohim lirie.
Pasi dëgjoi mbrojtimin e asistuesit të mbrojtjes z Aristidh Totozani, që kërkoi që përfaqësuesja e tij të ndëshkohet me një dënim kondicionel; pasi dëgjoi fjalën e fundit të së pandehurve që “trupi gjykues të tregohej i mëshirshëm ndaj ndëshkimit të tyre”;
pasi studjoi gjithë aktet e dosjes e procesverbalit e rrjedhimin e gjykimit
OBSERVON
Se e pandehura Nurije Koculi:
Merr pjesë në mbledhje, shpërndan trakte dhe broshura ku villet vrer kundër lëvizjes NC-CL dhe ndihmohet okupatori në vendin tonë. E pandehura, duke qenë armike e betuar e lëvizjes Nacional Çlirimtare, gjatë okupacionit, fillon aktivitetin kundër Pushtetit Popullor edhe mbas çlirimit te Shqipërisë, në bashkëpunim me armiqtë e popullit bashkëpunëtorë gjatë okupacionit Musine Kokalarin, Reshat Beqiri, Reshat Aga , etj duke propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit popullor dhe reformave ekonomike.
Merr pjesë së bashku me Musine Kokalarin, në organizatën social demokrate kundër pushtetit popullor, në bashkëpunim me kriminelët e arratisur dhe armiqtë e popullit dhe nga një ndërhyrje nga jashtë.
Bën një sërë takimesh dhe mbledhjesh kundër pushtetit popullor, duke shtuar në këtë mënyrë aktivitetin e saj kundër pushtetit. Duke qenë mike e ngushtë e armikut të dënuar Napoleon Tasit, i cili për aktivitetin e tij kundër pushtetit po survejohesh, e pandehura e këshillon të ruhej nga organet e sigurimit.
Së bashku me Vake Kreshtani, e cila ishte rekomanduar tek e pandehura për të ndërlidhur Grupet e grave kundërshtare të pushtetit të popullor të Vlorës e Tiranës, diskutojnë së bashku, mbi aktivitetin që kanë treguar këto në Vlorë dhe në Tiranë, udhëzon Vake Kreshtanin për punën që duhet të kryente në Vlorë, kundër pushtetit popullor.
Mban korrespondencën me të arrestuarin Reshat Beqiri sa ky ishte në hetuesi me anën e Rustem Gaçit dhe letra të tjera të nxjerra nga burgu, ku i dënuari njofton të pandehurën mbi hetimet dhe pyetjet që i bëhen në këtë mënyrë njofton të për të mbrojtur bashkëpunëtoret që akoma ndodheshin pa arrestuar dhe qëndrimi që duhesh mbajtur karshi organeve të sigurimit.
Mban të fshehur gazetat qe vjedhshin vrer kundër lëvizjes NCLÇ e gjatë okupacionit Zëri i Lirisë dhe si për tu siguruar nga mo gjetja dhe për tu ruajtur, sic tha vetë e pandehura, i futi në një shishe. Ka marrë trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit.
Diskuton me familjet e kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit si Reshat Agën kundër pushtetit popullor duke propaganduar dhe axhituar lajmet e radiove të huaja në favor të reaksionit të jashtëm dhe ndrrimin e situatës në bashkëpunim me kriminelët e arratisur nga një ndërhyrje jashtë vendit tonë.
Para se të zbulohet Grupi i Sami Qeribashit me shokë e pandehura diskuton me armiken e popullit Musine Kokalari mbi grupet e organizuara kundër pushtetit, në të cilat grupe ish si bashkëpunëtor dhe i dënuari armik i popullit Gjergj Kokoshi…
Në emër të popullit shqiptar
Gjykata ushtarake e Garnizonit të Tiranës e formuar nga
ZV KRYETAR KAPITEN NJAZI MEKA
ANETAR Z/TOGER VASIL KAPAJANI
ANTAR APIRANT VEHIP UJANIKU
Duke u ndodhur dhe Prokurori i Garnizonit te Tiranes kapiten Faik Minarolli nën asistencën e Sekretarit reshter Arqile Mihaili
VENDOSI
Fajsimin e të pandehurve dhe ndëshkimin e tyre si vijon:
Nurije Koculi me 5 vjet privim lirije punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.
Vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Të gjithë të dënuarve ju ngarkohet shpenzimet gjyqësore
Ky vendim u deklarua ne 25.IV.1947/kujto.al/ KultPlus.com
Suksesit i madh i filmit ‘Zgjoi’ nuk kaloi pa u vënë re nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Ajo në një postim në rrjetet sociale ka shprehur krenarinë e saj për këtë sukses, shkruan KultPlus
Filmi kosovar ‘Hive’(Zgjoi) ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm në festivalin prestigjioz të filmit ‘Sundance’.
“Zgjoi” ka shënuar historinë në festival, duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të këtij festivali.
Filmi ka fituar trofeun për “Filmin më të mirë”, “Regjinë më të mirë” si dhe “Çmimin e publikut”, në festivalin e SHBA-së.
Këtij suksesi iu gëzua mjaft shumë edhe ‘fenomeni’ shqiptar Dua Lipa e cila postoi në rrjete sociale për të.
Në një postim në Instagram Story Lipa shkroi fjalë të mira për filmin teksa ftoi ndjekësit e saj ta shikojnë atë.
“ZGJOI!!! Shkruar dhe drejtuar nga Blerta Basholli nga Kosova e cila ka fituar çmime në Sundance! “Filmin më të mirë”, “Regjinë më të mirë” si dhe “Çmimin e publikut”. Ndihem aq krenare!!!! Nëse keni mundësi ju lutem shikojeni”, ka shkruar ajo në një storie të postuar në Instagram.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri)./KultPlus.com
Edicioni i pestë i “Kosova Brass Fest”, vazhdon rrjedhën e tij me dy koncerte me datë 8 shkurt. Në mbrëmjen e dytë të fazës së koncerteve, do të prezantohen dy ansamble të tunxhit. “Albanian Brass Quintet & Percussion” dhe “Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e radhës e “Kosova Brass Fest” do të mbahet me fillim nga ora 16:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të interpretojnë “Albanian Brass Quintet & Percussion”, kurse në orën 16:30 do të interpretoj “Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”
Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndersa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
“Albanian Brass Quintet & Percussion”
Reinald Foçi – Trumpetë
Xhino Daja – Trumpetë
Ilir Kodhima – Korno
Dorian Llanga – Trombon
Ilir Vorpsi – Bass Trombon
Nicolas Bonçi – Perkusione
Ky ansambël është krijuar në vitit 2005 nga 6 miq si: Xhino Daja – Trumpetë, Reinald Foci – trumpetë, Ilir Kodhima – Korno, Dorian Llanga – trombon, Ilir Vorpsi – bass trombon dhe Nikolas Bonci – Perkusion. Ata janë një faktor i rëndësishëm në jetën kulturore në Shqipëri, pranë institucioneve kulturore ku ata performojonë si: Teatri Operas dhe Baletit dhe Orkestra Sinfonike e Radio Televizionit Shqiptar. Ky ansambël ka qenë pjesë e festivaleve, ceremonive dhe koncerteve të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Albanian Brass Quintet” duke qenë shumë kompakt, reflekton cilësi të lartë artistike, duke u kthyer në inspirim për artistët e rinj dhe kompozitorë të ndryshëm të cilët kanë dedikuar vepra Premiere apo risjellë vepra të shumta me një qasje krejtësisht të veçantë. Suksesi i tyre konsiston edhe në sajë të një repertori mjaft të larmishëm dhe atraktiv i cili synon të afrojë një publik sa më të gjerë me artin por edhe të promovojë vlerat tona kombëtare.
“Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”
Gridi Kraja – Dirigjent
Reinald Foçi – Trumpetë
Xhino Daja – Trumpetë
Avni Krasniqi – Trumpetë
Ardit Pira – Trumpetë
Ilir Kodhima – Korno
Bledar Bujupi – Korno
Dorian Llanga – Trombon
Betim Krasniqi – Trombon
Rejhan Rexha – Trombon
Fatbardh Dubovci – Trombon
Ilir Vorpsi – Bass Trombon
Nicolas Bonçi – Perkusione
Meriton Ferati – Tubë
“Ansambli mbarëkombëtarë i tunxhit” i formuar para 5 viteve, është formacion i ri i muzikës së dhomës. Anëtarët e këtij ansambli janë artistë të rinj, produkt i bashkëpunimit të instrumentistëve të tunxhit nga institucionet më të rëndësishme kulturore muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës. Pa llogaritur vështirësitë, sot ata kanë arritur qëllimin e tyre dhe kanë marrë këtë nismë për të ngritur një ansambël mjaft të rrallë, jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë rajonin.
Rikthimi i këtyre dy ansambleve në “Kosova Brass Festival”, ka simbolikë të veçantë sepse me këto dy ansamble është bërë dhe hapja e këtij festivali para 5 viteve. Këto formacione vazhdojnë të jenë një urë lidhëse midis artisteve tanë./ KultPlus.com