Bruno Shllaku, aktori i mirënjohur shqiptar feston 63 vjetorin e lindjes

Bruno Shllaku, aktori i cili kinematografisë dhe teatrit shqiptar i ka dhënë shumë nga arti i tij skenik, ka lindur në vitin 1956 në qytetin e Shkodrës, shkruan KultPlus.

Fillimet e tij artistike do të gjemë që në moshë të vogël, kur ai ishte vetëm 11 vjeç, me trupën e Teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit në të cilën punonte si regjisor babai i tij, Artisti i Popullit Laec Shllaku, në dramën ruse “Trumbetjerja”.

Në vitin 1982 për vlerat e tij artistike do të emërohet si aktor pranë Teatrit profesionist “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Roli i tij i parë do të jetë ai në dramën “Gjaku i Arbërit” e Fadil Krajës me regji të Artistit të Popullit, Serafin Fanku.

Më tej do të vazhdonin role të tjera si në dramat “Çështja e Blertës”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hetimi” etj. Në vitin 1992 do të largohet nga atdheu së bashku me bashkëshorten e tij, artisten tjetër të mirënjohur të Teatrit “Migjeni”, Paskualina Shllaku (Gruda) për në Greqi ku do të formojë një Teatër për fëmijë në gjuhën greke. Rikthehet në Shqipëri në vitin 2004 dhe rifillon punën në Teatrin “Migjeni” si aktor dhe regjisor. Me pjesën “Mirandolina” të Goldonit do të marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2005” të zhvilluar në qytetin e Fierit në vitin 2005.

Të shumta janë dhe rolet që Bruno Shllaku ka interpretuar në kinematografi. Interpretimi i tij mjeshtëror në filmin “Busulla” me regji të Bujar Alimanit do të bëj që ky film të marrë shumë çmime në disa Festivale Ndërkombëtarë. Interpretimi i tij më i fundit do të jetë në rolin e Rrokut në filmin “Gjallë” në vitin 2009.

Figura e tij më e realizuar në teatër është ajo e Palit në dramën ‘Gjaku i Arbërit’ të Fadil Krajës, ku ai u veçua për fuqinë, temperamentin dhe tonet dramatike e tragjike në trajtimin që i dha kësaj shëmbëlltyre baladeske. / KultPlus.com

Katër vite pa kolosin e letrave shqipe, Veliaj: Shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze

Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, ku ka theksuar se Dritëroi ynë i madh, dritëron për jetë në çdo varg e libër që na la trashëgim të gjithëve.

‘Me rrënjët e thella në popull, shprehës i fuqishëm i shpirtit të shqiptarit të thjeshtë, të ndershëm, punëtor e patriot, Dritëroi do të jetë gjithmonë pranë nesh me idetë e tij të vyera në letërsi, art dhe politikë. Shumë mall për ty mik i shtrenjtë, që na mungon kaq shumë’, është shprehur tutje Meta.

Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme.

“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, u shpreh Veliaj.

Edhe vajza e tij, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.

“Më 28 Janar 1974 përmes këtij Autorizimi , babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës ( quajtur atëherë Rruga Bajram Curri) . Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament . Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shprehet Elona Agolli. / KultPlus.com

Istrefi: Kinematografia e Kosovës është duke përparuar me hapa të mëdhenj, këtë e dëshmoi përfundimisht “Zgjoi”

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.

Aktori i njohur Shkumbin Istrefi lumturinë e tij për këtë sukses e ka shprehur me fjalë të mëdha.

Ai është shprehur se kinematografia e Kosovës është duke përparuar më hapa të mëdhenj dhe këtë e dëshmoi përfundimisht filmi “Zgjoi”.

“Kjo eshte arritur me perkushtim tejet te madh, profesionalizem dhe art, perkunder mbeshtetjes simbolike financiare qe projektet kinematografike marrin nga shteti. “Topi” eshte te shteti, i cili duhet ta shumefishoje perkrahjen financiare. Kemi cka tregojme dhe dijme ta tregojme ne menyren qe bota e pranon dhe e vlerëson”, ka shkruar Istrefi.

Ai tutje tregon që ky lajm e ka gëzuar tej mase në këtë kohë debatesh të kota duke shtuar tutje se buxheti vjetor i mbështetjes për kinematografi që i ndahet Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk kalon 700.000 Euro, prej të cilave rreth 600.000 Euro i ndahen projekteve. Që i bie mesatarisht nga 120.000 Euro për 3 projekte të metrazhit të gjatë dhe të tjerat për kategori të tjera. Kjo sipas Istrefit është shumë shumë pak. Tepër pak!

“Shpesh producentet, regjisoret e skenaristet mbesin pa u paguar, dhe aktoret me pagesat simbolike sepse honoraret e veta i japin per te mbuluar shpenzimet e filmit. Nje film i metrazhit te gjate i merr mesatarisht 3 vjet kohe per t’u perfunduar. Eshte pune e madhe, e mundimshme dhe me shume shpenzime vetanake te prodhohet nje film. Ndersa kultures dhe shtetit i sjell me shume promovim se kushedi sa aktivitete politike e diplomatike.

Ne filmin “Zgjoi”, Krusha me tregimin e saj eshte degjuar boterisht dhe ne formen me te mire.

Faleminderit  Blerta Basholli dhe ekipi i filmit dhe suksese me tutje. Shpresoj qe te shijoni me se miri kete sukses.

Ne anen tjeter 2.1 milion vidhen dhe kushedi a kthehen. Dhe nuk behet nami”, përfundon Istrefi. / KultPlus.com

Atifete Jahjaga për suksesin e filmit “Zgjoi”: Krenare sa më s’ka!

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.

E lumtur dhe krenare për këtë arritje të filmit shqiptar është shprehur edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

“Jo një, as dy, por tri çmime të fituara në festivalin e filmit “Sundance”! Urime regjisores Blerta Basholli dhe krejt ekipit të filmit “Zgjoi”. Një falënderim të madh edhe për Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës- jeni motiv i forcës dhe kurajos së gruas shqiptare! Diplomacia kulturore e Kosovës frymon kur atë e bëjnë artistët tanë thjesht duke shpërfaqur talentin e tyre dhe duke shndërruar dashurinë që kanë për artin në kryevepra! Krenare sa më s’ka!”, ka shkruar Jahjaga. / KultPlus.com

Kështu dukeshin 11 udhëtarët e Titanikut në jetën reale (FOTO)

Fundosja e Titanikut ishte një tragjedi dhe vetëm 700 njerëz nga 2.200 mbijetuan.

Ka pasur disa filma për këtë tragjedi, por më i paharrueshmi është Titaniku i James Cameron, i publikuar në vitin 1997. Ka efekte vërtetë mahnitëse, një histori të mrekullueshme romantike, dhe, natyrisht, karaktere komplekse dhe interesante.

Në këtë artikull zbulojmë se si dukeshin në jetën reale udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit të Titanikut. / KultPlus.com

Captain Edward Smith

Joseph Bruce Ismay

Thomas Andrews

William Murdoch

Frederick Fleet

Charles Lightoller

Archibald Gracie IV

John “Jack” Phillips

Ida and Isidor Straus

Wallace Hartley

Margaret Brown

‘Kur të jesh mërzitur shumë’, recituar nga vetë Dritëro Agolli (VIDEO)

Sot bëhen katër vite pa poetin e shkrimtarin e madh shqiptar Dritëro Agolli. Prania e tij artistike vjen pothuajse çdo ditë mes vargjeve e letrave që la ai.

Agolli ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Që nga viti 1973 ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.

Agolli iku nga kjo botë më 3 shkurt të vitit 2017, ndërsa po atë ditë u rikujtua më së shumti përmes poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”, pasi që vet poezia ishte një udhëzim se ku duhet kërkuar autori kur të mos jetë më.

Kjo poezi e vendosur edhe në vargje këngësh, është interpretuar mjaft shumë nga artistë e interpretues.

KultPlus sot ju sjell këtë video me interpretimin e vet autorit Dritëro Agolli.

Këtu s’ do të jem, do jem larguar;
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe, kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje… / KultPlus.com

Shpërthen rrjeti social me emrin e filmit shqiptar që fitoi në “Sundance”


Rrjeti social me emrin “Hive” është trendi më i ri në internet. Platforma teknologjike, që ngjan me Instagramin, ka shpërthyer të mërkurën, pak pasi filmi shqiptar “Zgjoi” – në anglisht “Hive” – mori tre çmime të rëndësishme në festivalin prestigjioz “Sundance Film”.

Aplikacioni s’është i ri. Ai funksionon nga viti 2019, por në llogaritë e tij në rrjetet tjera sociale “shpërthimin” e përjetoi pasi filmi shqiptar shijoi triumfet historike. Të mërkurën, rrjeti social njoftoi në Twitter se i shtoi 130 mijë përdorues për vetëm pak orë. Krejt kjo ndodhi pasi filmi shqiptar “Zgjoi” – anglisht “Hive” – fitoi Çmimin e Jurisë, atë të Regjisë më të mirë dhe të Audiencës.

“Hive” përngjan me Instagramin. Aty njerëzit mund të ndjekin njëri-tjetrin dhe të ndjekin përmbajtjet bazuar në interesat e tyre. Mund të zgjidhen edhe këngët për profilin e tyre.

Sipas “Life&Style”, “Hive” ishte krijuar dhe menaxhohet nga një grua, me emrin Kassandra.

“‘Hive’ është një vend ku të gjithë janë të mirëpritur, andaj duam të kemi njerëz nga të gjitha komunitetet – nga personat e thjeshtë deri në blogerë për ushqim, udhëtim, bukuri, vetura etj. Pavarësisht interesave tuaj ju duhet t’i përmbaheni rregullave të ‘Hivet’”, ka thënë Kassandra në përshkrimin e këtij rrjeti social. / KultPlus.com

Katër vite pa Dritëro Agollin

Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli, ndërroi jetë më 3 shkurt të 2017, në moshën 85-vjeçare.

Agolli vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, ndërsa nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga dora.

Veprat e autorit të madh shqiptar, që u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja.

I paharrueshëm është edhe romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit u bë subjekt filmash dhe këngësh.

Vepra e fundit e tij ishte libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadies.

Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politikë, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste. / KultPlus.com

Arritje historike: “Zgjoi” nga Blerta Basholli fiton tri çmimet kryesore në ‘Sundance’

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne” u shpreh Blerta përmes një video mesazhi me rastin pranimit të çmimit Regjisorja më e mirë, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.

“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet”; “Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës.” u shpreh Yll Uka, producenti i filmit me rastin e pranimit të çmimit të Publikut dhe çmimit Filmi më i mirë (Grand Jury Prize).

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com

Dy vogëlushët rikrijuan fotografi të çiftit Obama gjatë inaugurimit të Presidentit Joe Biden

Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, në një postim në Instagram ka shpërndarë disa foto të dy fëmijëve.

Nga postimi i saj që u bë, bëri nam të madh në rrjetet sociale.

Fëmijët Ryleigh dhe Zayden të cilët kanë rikrijuar veshjet dhe fotografinë e çiftit Obama gjatë inaugurimit të Joe Biden si President i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një gjë e tillë e ka emocionuar ish-Zonjën e Parë e cila ka shpërndarë fotografinë e tyre edhe në Twitter.

Michell, në postimin e saj në Twitter ka shkruar: “Ryleigh & Zayden, e keni realizuar mrekullueshëm”, ku edhe ka bashkangjitur fotografitë fort të lezetshme të këtyre dy vogëlushëve./KultPlus.com

https://twitter.com/MichelleObama/status/1356272393849888768?ref_src=twsrc%5Etfw&ref_url=https%3A%2F%2Findeksonline.net%2Fdy-vogelushet-rikrijuan-fotografi-te-ciftit-obama-gjate-inaugurimit-te-presidentit-joe-biden%2F

Federata panshqiptare e Amerikës ‘Vatra’ përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Izraelit

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, përshëndet dhe mbështet fuqishëm marrëveshjen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit për njohjen dhe vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe rritjen e bashkëpunimin në shumë fusha. Izraeli bëhet shteti i 117-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Në këtë ditë historike të forcimit dhe më tej të miqësisë mes SHBA-së, Kosovës dhe tashmë  edhe Izraelit, i shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerson Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin dhe rolin e veçantë për këtë arritje e kësaj marrveshje historike-politike-diplomatike.  Njohja e shtetit të Kosovës prej Izraelit është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës gjatë vitit diplomatik dhe mbi të gjitha forcim i mëtejshëm i miqësisë me aleatin më të madh të Kosovës, SHBA.

Akti historik i njohjes së shtetit të Kosovës nga Izraeli, forcon më tej pozicionin e Kosovës, imazhin, institucionet dhe diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe është një hap përpara drejtë realizimit të aspiratës euroatlantike të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës. Në këtë proces të vështirë historik, VATRA falenderon Kryeministrin e Kosovës, z.Avdullah Hoti dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, për punën e bërë dhe suksesin e lartë që është një garanci e mëtejshme në fushën e diplomacisë së Kosovës, integrimit dhe forcimit të institucioneve. Marrëveshja Kosovë – Izrael, është një gur themeli i fortë në miqësinë mes popullit shqiptar, izraelit dhe popullit mik amerikan. Mbështetja nga Shtetet e Bashkuara, miqësia e re dhe e fortë më Izraelin e bëjnë Kosovën më të fortë, forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara hedhin jë hap të fuqishëm diplomatik që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë proces kompleks VATRA ishte prezente dhe u angazhua pandërprerë nëpërmjet komunikimeve dhe takimeve të vazhdueshme ku delegacioni i VATRËS në Uashington, loboi fuqishëm me miqtë e tanë në Shtëpinë e Bardhë, duke shfrytëzuar njohjet personale dhe institucionale në takimet me Ambasadorin Granell dhe përfaqësues të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë gjithë këtij procesi i qëndruam afër duke i shoqëruar e këshilluar delegacionin e shtetit të Kosovës në Uashington.

Përgjatë vitit 2020, po ashtu VATRA forcoi edhe më tej lidhjet e saj me diplomacinë në Uashington, me diplomacinë e Kosovës duke nënshkruar memorandum me Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla dhe jemi në përgatitjen përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes me diplomacinë e Tiranës zyrtare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. VATRA do ta luajë kurdoherë rolin e saj atdhetar e diplomatik sa herë që shtrohet për diskutim fati i shteteve amë Shqipërisë e Kosovës. VATRA do të jetë prezente duke lobuar me miqtë në Uashington sa herë që të merren vendime për fatet e popullit, shtetit e kombit shqiptar./ KultPlus.com

Istrefi për shqiponjën e bërë në Rusi: E kam ndjerë obligim në shenjë falenderimi për përkrahjen që më është dhënë

Era Istrefi ka bashkëbiseduar në një live video në Instagram me Vjosa Osmanin. Këngëtarja diskutoi për karrierën e saj dhe për pauzën e bërë deri më tani ku dhe zbuloi edhe arsyen se pse nuk ka ardhur me ndonjë projekt të ri, shkruan KultPlus.

Era tha se si pasojë e mos-lejimit të këndoi në gjuhën shqipe nuk e ka vazhduar kontratën me kompaninë në të cilën ka qenë dhe shumë shpejt do nënshkruaj kontratën e re ku do i lejohet kjo gjë.

Era më pas është pyetur për një nga momentet më të rëndësishme e më të suksesshme në jetë, paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror në Rusi

“Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, kanë qenë dy milionë shikues në stadiumin e Rusisë me Will dhe Nicky Jam. Will më ka lënë përshtypje shumë të mirë është interesuar shumë për Kosovën, më ka bërë pyetje të shumta se si kemi munduar t’ia dalim nga një vend i vogël, është interesuar për shumë gjëra. Çfarë e ka bërë më të veçantë është publiku shqiptar, është si asnjë publik tjetër një ndjenjë shumë e veçantë”. shtoi ajo.

Istrefi theksoi se e ka ndjerë si obligim ndaj shqiptarëve të bënte shqiponjën, edhe pse është kritikuar as këtij veprimi.

“E kam ndjerë obligim shpirtëror që të bëjë shqiponjën si lloj falënderimi për gjithë përkrahjen që më është bërë, më kanë qortuar pak por u kam treguar se ka qenë shumë spontante, e kam ndjerë. Në fund të ditës suksesin tim ia atribuoj shqiptarëve”, pohoi ajo.

Po ashtu, u.d. presidente Vjosa Osmani bashkë me Erën diskutuan edhe mundësinë depërtimit të artistëve shqiptar në skenat ndërkombëtare.

Kujtojmë  se Vjosa Osmani ka shpeshtuar lidhjet direkte live me artistët e estradës kohët e fundit./ KultPlus.com

Publikohet logoja e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Më 17 shkurt, Kosova shënon 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Tashmë është zbuluar logo e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e punuar nga studentët e dizajnit grafik në Innovation Centre Kosovo (ICK).

“Ju prezantojmë logon e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , të qëndisur nga studentët e dizajnit grafik në ICK, nën kujdesin e mjeshtrit Abdullah Hasani Honedon. Ju ftojmë ta përdorni dhe shpërndani me #Kosova13 ❤️”, thuhet në njoftimin e ICK-së.

Ndryshe, pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi.

Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj. / KultPlus.com

Ju prezantojmë logon e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës 🇽🇰, të qendisur nga studentët e dizajnit grafik në ICK, nën…

Posted by Innovation Centre Kosovo on Tuesday, February 2, 2021

Një vit pa dalë nga shtëpia prej frikës nga koronavirusi, 91-vjeçari infektohet gjatë vaksinimit

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Angli, ku një 91-vjeçar kishte një vit që nuk dilte nga shtëpia prej frikës nga COVID-19 dhe mori virusin ndërsa po vaksinohej.

Familjarët e tij thonë se ai po lufton me koronavirusin në spital, pasi u infektua derisa po vaksinohej.

Sipas mediave të huaja, një inxhinier në pension nuk ishte larguar nga shtëpia e tij në Bloxwich, Walsall që nga shkurti i vitit 2020 para se ta merrte vaksinën e Pfizer-BioNTech në Bloxwich Active Living Center më 13 janar, percjell Metro.

Djali i tij e çoi të moshuarin në qendër të qytetit dhe i tha familjes së tij se gjithçka që prekte Shorti ishte dezinfektuar para se ta përdorte, me përjashtim të një stilolapsi që ai përdori për të mbushur një formular.

Short u sëmurë vetëm disa ditë më vonë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Walsall Manor më 16 janar, ku rezultoi pozitiv me koronavirus.

Mbesa e tij Emma Loundes, 36 vjeç, tha se familja tani beson se ai duhet të jetë infektuar derisa po vaksinohej. Ajo u shpreh se 91-vjeçari ishte “krejtësisht i shëndetshëm” para se të shkonte për t’u injektuar./ KultPlus.com

Zbulohen mumiet antike 2 mijë vjeçare në Egjipt, kishin të vendosur ari brenda gojës së tyre

Arkeologët kanë zbuluar mumiet 2,000 vjeçare me gjuhë të artë të vendosura brenda gojave të tyre.

Këto mumie janë zbuluar në Egjiptin verior, ka thënë ministria e antikave, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Një ekip egjiptian-dominikan që punonin në tempullin “Taposiris Magna” të Aleksandrisë, kanë zbuluar 16 varrime në varret e prera në shkëmb të njohura në epokën greke dhe romake.

Arkeologët kishin parë brenda se mumiet nuk ishin ruajtur mirë e ishin të dobëta.

Mendohet se të vdekurve iu dhanë amuleta me fletë ari, të formuara si gjuhë, në mënyrë që ata të mund të flisnin para oborrit të perëndisë Osiris në jetën e përtejme.

Egjiptianët e lashtë besonin se Osiris ishte zot i botës së krimit dhe gjykatës i të vdekurve.

Sipas tyre “Zoti” ishte gjithashtu në foto me dekorime të praruara në kartonë (një material i bërë nga shtresa suvaje, liri dhe ngjitës), që mbështeste pjesërisht një nga mumiet, arkeologu kryesor Kathleen Martinez i Universitetit të Santo Domingo u citua nga ministria e antikave.

Dekoratat e praruara në kartonë rreth kokës së një mumie të dytë përshkruajnë një kurorë, brirë dhe një gjarpër kobre, shtoi ajo.

Në gjoks, dekorimet përshkruanin një gjerdan nga i cili varej koka e një skifteri – simboli i perëndisë Horus.

Khaled Abo El Hamd, drejtori i përgjithshëm i autoritetit të antikave në Aleksandri, tha se misioni arkeologjik në Taposiris Magna kishte zbuluar gjithashtu maskën e varrimit të një gruaje, tetë thekë të artë të një kurore të artë dhe tetë maska mermeri që datojnë në Greqisht dhe Romak epoka

Ministria e antikave tha se një numër monedhash që mbanin emrin dhe portretin e Mbretëreshës Kleopatra VII ishin gjetur më parë brenda tempullit.

“Kleopatra VII” ishte mbretëresha e fundit e dinastisë Ptolemaike greqishtfolëse, duke sunduar Egjiptin nga 51-30 para Krishtit. Pas vdekjes së saj, Egjipti ra nën sundimin romak./KultPlus.com

Vdes ‘Kapiten Tom’, veterani hero i pandemisë

Thomas Moore, ‘Kapiten Tomi’ për tërë britanikët, një veteran 100-vjeçar i Luftës së Dytë Botërore, i cili u bë një simbol i betejës kundër pandemisë në Britaninë e Madhe, vdiq sot në spitalin ku ndodhej i shtruar që nga e diela, për shkak të COVID-19.

Ai frymëzoi një mbledhje rekord fondesh pranverën e kaluar, që tejkaluan të gjitha pritshmëritë duke shkuar në më shumë se 30 milionë stërlina dhe që iu dorëzuan Shëndetit Publik britanik për të luftuar kundër pandemisë së COVID-19 .

Angazhimi i tij u njoh nga Mbretëresha Elizabeth II, që i dha titullin kalorës dhe sër./atsh/KultPlus.com

Homazh At Zef Pllumit, që rrojti për të kujtuar

Ministria e Kulturës së Shqipërisë bën të ditur se muaji shkurt do të jetë edhe “Muaji i Kujtesës”.

Pikërisht kështu është emëruar, pasi ky muaj do t’i kushtohet viktimave të sistemit komunist në vendin tonë, i cili veç të tjerëve, nuk kurseu as intelektualët që i kanë shërbyer Shqipërisë duke i sakrifikuar ata “Në emër të popullit”.

“E kemi pagëzuar “Muajin e kujtesës”, një vijim i natyrshëm i një dite ndërkombëtare, kushtuar viktimave të Holokaustit. Gjatë këtij muaji do të kujtojmë martirët tanë, viktimat e një sistemi vrastar, që u sakrifikuan për mendimin, fjalën e lirë dhe besimin në Zot. Do të mbeten përherë të përjetshëm dhe shembuj frymëzimi”, shprehet Ministria e Kulturës.

Këtë muaj, Ministria e Kulturës e nis me At Zef Pllumin, duke i vendosur theksin e rëndësisë së veprës së tij. “Homazh At Zef Pllumit, që rrojti për të kujtuar terrorin komunist. Vepra e tij është dëshmia më e gjallë dhe mësim për brezat e rinj, që e shkuara të mos përsëritet”.

Zef Pllumi lindi në Bogë, më 28 gusht 1924 dhe ndërroi jetë më 26 shtator, 2007 në Romë. At Zef Pllumi ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Nga viti 1967 deri më 1989 burgoset dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë për 23 vjet.

Dëshmia dhe vepra e tij, vepra “Rrno vetëm për me tregue” u përkthye në anglisht më 2008 nën titullin “Live to tell”. Më 6 mars të vitit 2014 u përkthye edhe në gjuhën italiane me titullin “Il Sangue di Abele – Vivi per testimoniare”. Në vitin 2006 At Zef Pllumi dekorohet me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. At Zef Pllumi ka marrë çmimin letrar “Penda e Artë” në vitin 2006 për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”, çmim ky i akorduar nga Ministria e Kulturës. /ATSH-Bledi Naska/ KultPlus.com

Ministria e Kulturës shpallë thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare në projektet kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe Individ për vitin 2021, shkruan KultPlus.

Në thirrjen e bërë nga ministria tregohet se mund të aplikojnë organizatat e regjistruara si OJQ, si dhe individ.

Tutje në thirrjen publike tregohet se OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë me projektet apo programet e tyre që synojnë promovimin e kulturës në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, aktivitete letrare dhe bibliotekari.

Shuma që ofrohet në kuadër të mbështetjes së projekteve është maksimum deri në 5,000.00 Euro. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 30 ditë kalendarike nga data e publikimit të thirrjes dhe përfundon me datën 4 Mars 2021, në ora 16:00.

Në vegzën e mëposhtme mund të gjeni detajet e tjera rreth kësaj thirrjeje.

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Thirrja-2021.zip

Thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe Individ për…

Posted by Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit on Tuesday, February 2, 2021

Dua Lipa paralajmëron këngë të re

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa po vjen me këngë të re, shkruan KultPlus.

Ndonëse pandemia që kaploi botën i anuloi Dua Lipës turneun botëror, ajo prap se prap solli albumin e saj të ri.

Një prej këngëve më të suksesshme të këtij albumi është “Levitating”, e cila deri tani ka marrë 101 milionë klikime në YouTube.

Po ashtu, kënga ka arritur të hyjë në top-5 në SHBA, sukses të cilit iu gëzua tejmase Dua, e cila njoftoi fansat që shumë shpejt vjen me këngë të re.

Mbetet të shihet se çfarë po përgatit këtë herë Dua Lipa, e cila aktualisht po shijon suksesin e këngëve të “Future Nostalgia”. /KultPlus.com

Të rinjtë Nigerian që po mahnitin botën, po krijojnë filma të shkurtër “sci-fi” me telefonat e tyre

Disa të rinj Nigerian kanë rënë në sy të mediave të mëdha botërore me prodhimtarinë e tyre në fushën e filmit.

Nëpër një peizazh shkëmbor, dy vajza të reja e gjejnë veten duke vrapuar për t’u fshehur ndërsa anijet kozmike gjuajnë me armë me lazer në fushë.

Për të mbijetuar, të dy vajzat, të veshura me të gjitha të zeza, përveç çizmeve rozë, në fund të fundit janë të detyruara të përfshihen në luftime me një pamje të ngjashme me Darth Vader, duke përdorur dritat e tyre rozë dhe blu – armë si shpata nga filmi “Star Wars”.

Duke filluar nga mosha nga 7 në 27 vjeç, Kritikët janë bërë sensacione të mediave sociale në vendin e Afrikës Perëndimore duke përdorur telefonat e tyre celularë për të krijuar filma të shkurtër me efekte vizuale, ose VFX.

Filmat e trillimeve shkencore zakonisht krijohen me softuer të sofistikuar dhe pajisje të teknologjisë së lartë.

Por këta aktor të rinj – shumica e të cilëve janë vëllezër e motra – kushërinj – vërtetojnë se më pak është më shumë, duke përdorur sendet e përditshme në dispozicion për të xhiruar filma të shkurtër./ KultPlus.com

Shpikja e paoksidueshme e Dimitri Mendelejevit

Ç’është tabela e Mendelejevit? Si u hartua klasifikimi i elementeve periodikë? Si përdoret sot? A është e plotë, tabela e Mendelejevit? Çfarë ndryshojnë katër elementet shtuar së fundmi?

Më 17 shkurt 1869, kimisti rus Dimitri Mendelejev shënoi simbolet për elementet kimike natyrorë, duke i vendosur të renditur sipas peshës atomike dhe duke krijuar tabelën periodike. Renditja u shënua në mënyrë të atillë, që i gruponte në faqe sipas rregullsive ose njohjes së “periodiciteteve” të sjelljes. Ky qe ndoshta, zbulimi më i madh në historinë e kimisë.

Idetë e Mendelejevit, që u mbështetën në punën e mëparshme të kimistit francez Antoine Lavoisier në shekullin e kaluar, ndryshuan plotësisht mënyrën sesi e shihnin kimistët disiplinën e tyre. Tani çdo element kimik kishte numrin dhe pozicionin e tij të fiksuar në tabelë, prej nga u bë e mundur të parashikohej sjellja e tij: si do të reagonte me elementët e tjerë, çfarë lloj përbërësish do të formonte dhe ç’lloj vetie fizike do të kishte.

152 vjet më parë, Dimitri Mendelejev bëri klasifikimin e elementeve nisur nga masa atomike, që do të revolucionarizonte konceptimin e materies dhe vetitë e saj fiziko-kimike. Si çdo arritje e jashtëzakonshme konceptuale, tabela periodike e elementeve nuk është vetëm përshkruese, por edhe parashikuese, madje mund të plotësohet, pak nga pak, me elementë jonatyrorë, të prodhuara në laboratorë, katër të fundit u vërtetuan vetëm para tre vitesh. Studiuesit janë vazhdimisht në kërkim të elementeve të reja, gjithnjë e më të rënda, disa prej të cilave madje mund të jenë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Një shekull e gjysmë më parë, Dimitri Mendelejev bëri hapin vendimtar në kërkimin e renditjes së elementeve, duke botuar draftin e parë të tabelës periodike. Në vitin 2019, komuniteti i kimistëve në mbarë botën festoi përvjetorin.

Dimitri u rrit në Siberi, në një skaj të largët të civilizimit perëndimor. Shtëpia e tij, Tobolsk, ishte 1000 km më afër Pekinit, sesa Parisit dhe rrugëtimi drejt famës shkencore ishte vërtet i vështirë. Ishte më i vogli i 14 vëllezërve e motrave Mendelejev dhe menjëherë pas lindjes së tij, në 1834, shëndeti i keq e detyroi të atin, Ivanin, mësues i shkollës së mesme, të dilte në pension. U diplomua në 1855 dhe disertacioni i tij – mbi izomorfizmin dhe marrëdhëniet e tjera mes formës fizike dhe përbërjes kimike, u botua në një gazetë punime mineralesh. Pasuan artikuj të tjerë për revistat shkencore dhe teknike, por ai nuk kishte të ardhura të sigurta. Në atë kohë, nëna dhe motra i kishin vdekur, vetë vuante nga tuberkulozi. Sidoqoftë, një vit mësimdhënie në klimën e Krimesë ia përmirësoi ndjeshëm shëndetin, madje një mjek i ri e hodhi poshtë diagnozën e mëparshme. Pas kthimit në Shën Petërburg, në 1861, Mendelejev rifilloi mësimin në universitet, po ashtu mbante leksione në Institutin Teknologjik të qytetit. Thuajse gjysmë shekulli pas vdekjes së tij në 1907, Mendelejev u bashkua me një klub edhe më ekskluziv. Në vitin 1955 fizikantët në kampusin e Universitetit të Kalifornisë në Berkeley bombarduan elementin 99 (einsteinium) me grimca alfa për të prodhuar gjurmët e elementit 101. I konfirmuar zyrtarisht si “mendelevium”, ky element skaliti emrin e tij në ikonën që ai kishte krijuar. Asokohe paraqitja e tablelës po bëhej e shpjegueshme sa i përket strukturave nënatomike dhe shkëmbimeve të energjisë kuantike, në atë nivel që Mendelejev nuk e kishte parashikuar. Gjithsesi, diçka e tillë nuk ia zvetënoi reputacionin e arritjeve. /Po ashtu, Mendelejev po parashikonte vetitë e tri elementeve: galium, skandium dhe germanium, ende të pazbuluara. Aq i bindur ishte ai për qëndrueshmërinë e ligjit të tij periodik, saqë la hapësirat boshe në tabelë për këto elemente. Elementet u gjetën në një hapësirë kohore 20-vjeçare, vetitë e të cilave konfirmuan saktësisht parashikimet e tij. Edhe vetë Mendelejevi u befasua me shpejtësinë e konfirmimit të ideve të tij. Gjatë një leksioni në Institucionin Mbretëror në Londër, në 1889, ai pranoi se nuk mendonte se do jetonte aq gjatë sa “të përmendte zbulimin e tyre në Shoqërinë Kimike të Britanisë së Madhe, si një konfirmim të saktësisë dhe përgjithësisë së ligjit periodik”. Teksa lajmet për arritjet e tij të jashtëzakonshme filluan të përhapeshin, Mendelejev u shndërrua në një lloj heroi dhe interesi për sistemin periodik filloi të rritej. Shpikja i rezistoi kohës, duke iu përshtatur përparimeve në fizikë dhe kimi. Afishohet në klasa, printohet në postera, lojrat me enigma ose tasa cilindrikë… Mësohet përmendsh nga nxënësit… “Ajo” është tabela e famshme periodike e elementeve kimike, që rendit 118 atomet e njohura dhe ndihmon kimistin për t’u lokalizuar në këtë shkapërderdhje me anë të një organizimi strikt dhe estetik.

Në tërësi, Mendelejevi parashikoi 10 elemente të reja. Më pas, propozoi se pozicionet e disa çifteve të elementeve ngjitur të ndryshojnë për t’i bërë vetitë e tyre të përshtaten në modelin periodik. Ai sugjeroi shkëmbimin e kobaltit me nikel dhe argon me kalium, duke besuar se ishin vendosur gabimisht, sepse peshat e vërteta atomike ndryshonin nga vlerat që kishin përcaktuar kimistët. U desh deri në vitin 1913, rreth gjashtë vjet pasi kishte vdekur Mendelejev, për të qartësuar këtë paqartësi. Në atë kohë, kimistët kishin marrë një kuptim shumë më të mirë të atomit dhe po atë vit fizikanti Henry Moseley, duke punuar në Mançester, tregoi se pozicioni i një elementi në tablelë nuk drejtohet nga pesha e tij atomike, por nga numri i tij atomik. Vlen të përmendet se tabela periodike e Mendelejevit u hartua në mënyrë empirike, bazuar në ngjashmëritë e vëzhguara kimike të elementeve të caktuara. Vetëm në fillim të shekullit të 20-të, pasi struktura e atomit ishte vendosur dhe pas zhvillimit të teorisë kuantike, do të dilte kuptimi teorik i strukturës së tij.

Me gjithë arritjet, Mendelejevi nuk e fitoi kurrë çmimin “Nobel” në Kimi. Sidoqoftë, ai u nderua me medaljen prestigjioze “Davy” (1882) dhe “ForMemRS” (1892). Tabela periodike nuk u pranua në gjirin e kimistëve, derisa u provuan të sakta parashikimet e Mendelejevit për elementet e reja. Pasi galiumi u zbulua në 1879 dhe germaniumi në 1886, ishte e qartë që tabela ishte jashtëzakonisht e saktë. Kur vdiq Mendelejevi, Tabela Periodike e Elementeve u njoh ndërkombëtarisht, si një nga mënyrat më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë, për studimin e kimisë./ KultPlus.com

Njihuni me patinazhisten 80-vjeçare nga Rusia

Një gjyshe ruse, e cila jeton e vetme buzë liqenit Baikal në Siberi, e ka ruajtur për dekada me radhë pasionin e saj për patinazhin, edhe pse është thuajse 80 vjeç.

Lyubov Morekhodova, emri i së cilës në rusisht do të thotë “Dashuri”, i përdor çdo ditë patinat, të cilat kanë pak a shumë moshën e saj. Ato ia ka dhuruar babai, Nikolai Morekhodov, kur ishte fëmijë.

“I përdor për shumë gjëra patinat, për punë dhe argëtim. Me to kujdesem edhe për lopët”, thotë Morekhodova.

Familja e saj ka jetuar gjithmonë buzë liqenit, që është më i madhi në botë me ujë të ëmbël. Kur ishte fëmijë ajo shkonte në shkollë me patina, ndërsa sot i përdor ende. Gjithë jetën ajo ka punuar në një fabrikë të prodhimit të makinerive të rënda. Edhe tani ajo vijon të bëjë një jetë të thjeshtë, bashkë me lopët, pulat dhe qentë e saj.

“E dua jetën, natyrën dhe njerëzit”, thotë Morekhodova, teksa tregon aftësitë e saj si patinazhiste mbi ujin e ngrirë të Baikalit./A2news/ KultPlus.com

Jeton Neziraj vlerësohet edhe në Amerikë, fiton çmimin në ‘International Theatermakers Awards’

Dramaturgu Jeton Neziraj është fituesi i ‘Çmimit të Kulturës në Evropë 2020’ në kuadër të ‘International Theatermakers Awards From The Playwrights Realm’, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Neziraj nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetin social Facebook.

International Theatermakers Awards From The Playwrights Realm Announced Lighting designer Alexandra Vásquez Dheming,…

Posted by Jeton Neziraj on Tuesday, February 2, 2021

Ndërkaq në faqen zyrtare të ‘The Playwrights Realm’ tregohet se Neziraj bënë pjesë në mesin e regjisorëve të shumtë, por edhe persona të tjerë të rëndësishëm për artin që kanë dhënë kontributin kritik të tyre në teatrin amerikan.

Krahas Neziraj me çmime janë shpërblyer edhe dizenjatorja e ndriçimit Alexandra Vásquez Dheming, regjisori Danilo Gambini, projektuesi i ndriçimit Omar Madkour, dhe dizajneri i ndriçimit Cha See.

Jeton Neziraj është drejtori i Qendra Multimedia, pasi shërbeu si drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ai ka shkruar mbi 20 drama që janë vënë në skenë në Evropë dhe në SHBA dhe janë përkthyer në më shumë se 15 gjuhë. Si dramaturg, ai ka punuar me teatro dhe kompani, përfshirë Volksbühne Berlin, La MaMa në NY, Piccolo Teatro di Milano, Volkstheater Vjenë, City Garage Theatre në LA, Teatri Kombëtar Turk, etj. Revista gjermane e teatrit Theater der Zeit dhe Radio Gjermane Deutschlandfunk Kultur e ka përshkruar atë si ‘Kafka të Ballkanit’, ndërsa Los Angeles Times e quajti atë “një dramaturg i klasit botëror që sfidon vetëkënaqësinë tonë në çdo kthesë”./ KultPlus.com

https://playwrightsrealm.org/ita?fbclid=IwAR12xAXusvXsx92sG5iwXuET8cs2IxqMlsr3wADUPr_wV_RoEZ3z24g6Cao

Dhënia e titujve të nderit për artistët, Doçi: Kemi aq shumë tituj nderi sa s’kemi më komb

Shkrimtari dhe autori i këngëve Agim Doçi ironizon mënyrës si po ndahen titujt e nderit në Shqipëri.

Janë dhënë aq shumë tituj “Nderi i Kombit”,  sa s’kemi më komb. Kush do t’i japë titujt njëherë.  E vetmja ministre kulture që ka propozuar tituj kulture ka qenë Arta Dade.

Pastaj, ç’më duhet titulli kur interpretuesit  e veprave të mia e kanë marrë atë 7-8 vjet para meje?!”, tha artisti në një intervistë për “Shqipëria live”.

Titujt “Nder i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh” ndahen nga presidenti i Republikës. Së fundmi ka pasur shumë kritika për faktin se shumë artistë i kanë marrë këto tituj, përfshirë këtu edhe këngëtarin e muzikës popullore, Ylli Baka. Ashtu si Agim Doçi dhe të tjerë mendojnë se janë dhënë tituj të pamerituar. Aktorja Zamira Kita thotë se “këto tituj janë bërë aq baltë sa nuk kanë më vlerë”.

Doçi thotë se titullin “Nder i Kombit” nuk duhet të mbetet brenda territorit të Shqipërisë, kur kombi shqiptar është më shumë se kaq. “Kombi është dhe në Mal të Zi, dhe në Kosovë, Çamëri, pse nuk ndajnë tituj edhe për artistët atje”./tch/KultPlus.com