Britney Spears kritikon dokumentarët që bëhen për jetën e saj

Këngëtarja me famë botërore Britney Spears ka postuar një mesazh të gjatë në rrjetin social Instagram, me ç’rast ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me dokumentarët e shumtë që bëhen për jetën e saj e në veçanti kur bëhet fjalë për procesin gjyqësor, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

29 milionë ndjekës patën rastin që të shohin postimin e saj ku Spears është shprehur duke shkruar pjesërisht, “Kaq shumë dokumentarë për mua këtë vit me përshtypjet e njerëzve të tjerë në jetën time. Këta dokumentarë janë kaq hipokritë, ata kritikojnë mediat dhe pastaj bëj të njëjtën gjë?????”.

Ajo tutje ka shkruar se është e kënaqur që po i kujton të gjithëve se pavarësisht periudhave të vështira në jetën e saj, ajo ka pasur edhe kohë të mahnitshme. Kurse, sipas saj, bota është fokusuar më shumë në negativitet.

Pas betejës gjyqësore midis saj dhe babit, Jamie Spears për pasurinë e saj prej 60 milion dollarësh, Spears është hapur për interesin e ri në jetën e saj.

Po ashtu, këngëtarja ka thënë se menjëherë pas publikimit të ‘’Framing Britney Spears’’ nga The New York Times, ajo qau për dy javë pavarësisht se nuk e ka shikuar atë.

Tani, BBC ka lëshuar dokumentarin e tyre të titulluar “The Battle For Britney”. Ndërsa, është bërë e ditur se seanca tjetër në lidhje me procesin gjyqësor të saj do të zhvillohet në LA më 23 Qershor dhe Spears pritet të flasë për herë të parë. / KultPlus.com

Mbi një muaj ‘luftë’ me COVID, vdes aktori i njohur Guljelm Radoja

COVID-19 ka marrë një tjetër jetë në radhët e artistëve në vend. Aktori Guljelm Radoja nuk ia doli që të fitonte betejën me koronavirusin ku sot mbylli sytë përgjithmonë.

Prej gati një muaj ai ishte infektuar me COVID, ku gjendja e tij u përkeqësua dhe për pasojë ditën e djeshme u shtrua te spital, por nuk ka mundur ta luftojë këtë virus të pabesë.

Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, pianisti Red Radoja, teksa shkruan edhe disa fjalë të ndjera për babanë e tij që nuk jeton më.

“Pushofsh në paqe bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël”, shkruan ai.

Kolegët e tij bën apel për ta dërguar për kurim jashtë shtetit, por gjendja e tij shëndetësore nuk ia lejonte. Radoja “do të bashkohet” me artistët e tjerë që COVID-i i mori jetën si Muharrem Fejzo, Arben Bajo, Koço Devole apo edhe Kujtim Prodani.

Artisti Guljelm Radoja (1945, Shkodër) ka luajtur në të gjitha skenat teatrore në  vend. Në kinematografi është angazhuar në shumë rreth 30 role, ku ndër më të rëndësishmit është ai i Petro Nini Luarasit te filmi “Kush vdes në këmbë” apo edhe te , “Gjurma”, “Mësonjëtorja”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Kolonel Bunker” etj. Ai ishte  nderuar me titullin “Artist i Merituar”. / KultPlus.com

Botohet “Sërbia Tjetër’, përfshinë mendime të Bogdanović ku i kundërshton krimet e serbëve në Kosovë

I titulluar ‘Sërbia Tjetër’, vëllimi në tri gjuhë (shqip, sërbisht e anglisht), është botuar nga ADMOVERE e me mbështetje nga KFOS-i, e ku janë përfshi fragmentet nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual serb, arkitektit Bogdan Bogdanović [1922–2010], në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90, përcjellë KultPlus.

Veç këtyre, me rëndësi të veçantë është parë përfshirja e fragmenteve në të cilat Bogdanović shpalos mendime mbi pavarësinë e Kosovës dhe raportet e saj me Serbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.

Ky vëllim në tri gjuhë ofron modelin e intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’ të vet, si dhe nderon intelektualin i cili shpesh e ka vënë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim mahnitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, humanisti Bogdan Bogdanović te populli serb është parë si tradhtar, ndërkaq te populli shqiptar është shpërfillë.

Sipas ADMOVERE, Kosova duhet ta ketë një rrugë, shesh apo shkollë me emrin e humanistit Bogdan Bogdanović.

“Kosova e pasluftës s’e ka një rrugë, shesh apo shkollë me emrin e arkitektit e humanistit Bogdan Bogdanović, ndonëse ai ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual serb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi serb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj. Prandaj, le të jetë ky publikim në tri gjuhë, një mirënjohje modeste për kontributin e madh të këtij intelektuali të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Librin mund ta gjeni në libraritë ‘Dukagjini’, ‘Buzuku’ e ‘Artini’ në Prishtinë. / KultPlus.com

Fotografia: Atdhe Mulla

Me qëllim bamirës, kapërcejnë Oqeanin Atlantik me një varkë të vetme

Udhëtimi i quajtur ‘The Atlantic Dash’, është zhvilluar nga një ekip prej katër personash të cilët kanë kapërcyer Oqeanin Atlantik me një varkë të vetme.

Ky udhëtim është konsideruar si njëri nga udhëtimet më të vështira që blogeri i udhëtimeve me origjinë nga Kilkeel ka ndërmarrë, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

Blogeri Johnny Ward, së bashku me shokët e ekuipazhit si: Billy Taylor, Martin Heseltine dhe shefi i kuzhinës së BBC TV ‘Dirty Vegan’, Matt Pritchard, kanë marrë përsipër këtë sfidë për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me shëndetin mendor.

Vija e finishit është kaluar më 2 maj nga këta katër burra të cilët kanë përfunduar udhëtimin 3,200 milje nga Ishujt Kanarie deri në Antigua. Ata fillimisht janë nisur nga Lanzarote më 6 mars, por udhëtimi duhej të rifillonte nga Fuerteventura, një javë më vonë për shkak të problemeve të sediljes. Iniciativa e tyre ishte grumbullimi i parave për ‘Dean Farm Trust’ dhe për bamirësinë e shëndetit mendor të burrave ‘Humen’. / KultPlus.com

Me çmim marramendës, del në ankand një pjesë e ADN-së së Napoleon Bonapartës

Koleksionistët privatë do të kenë një mundësi të rrallë javën e ardhshme për të blerë një pjesë të ADN-së së Napoleon Bonapartës, pasi një leckë e vendosur mbi trupin e tij gjatë autopsisë do të dalë në ankand në 200-vjetorin e vdekjes së tij.

Shtëpia e ankandeve Osenat do të shesë gjithsej rreth 360 sende më 5 maj, së bashku me sende të tjera të shquara, duke përfshirë një palë çorape mëndafshi të Napoleonit dhe një bluzë me mëngë të gjata të qëndisura me fije të kuqe.

Vlerësohet se një leckë e ndotur me gjak vlen deri në 15,000 euro.

Ajo vjen me një shënim të shkruar te Duka i Basana në 1875, të cilit i ishte fashuar babai i tij, Marquis Montolon, një gjeneral ushtarak që ndoqi Napoleonin në përndjekjen e Shën Helenës dhe qëndroi atje deri në vdekjen e perandorit.

Koleksioni përfshin gjithashtu një pjatë të zbukuruar që Napoleoni përdori për drekë dhe një gotë kristali, si dhe sende tjera.

Ish perandori francez vdiq më 5 maj 1821, në moshën 51 vjeçe, në ishullin e Shën Helenës në Oqeanin Atlantik Jugor, ku u dëbua nga Britanikët pas disfatës në 1815 në Betejën e Waterloo. / KultPlus.com

The Weeknd vazhdon ta bojkotojë ceremoninë “Grammy”

Këngëtari i njohur kanadez, The Weeknd, është betuar se do të vazhdojë ta bojkotojë ceremoninë “Grammy”, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që janë bërë në rregullat e nominimit për shpërblimin prestigjioz. 

Pasi u bë i ditur lajmi se Akademia e Regjistrimeve do të ndalojë së shfrytëzuari komitetet sekrete për të zgjedhur të nominuarit, fituesi i trefishtë i çmimit “Grammy” vazhdon të insistojë që ende nuk mund t’iu besojë atyre.

Për “Variety”, The Weeknd ka deklaruar: “Besimi ndërmjet organizatorëve të ceremonisë ‘Grammy’ dhe artistëve është thyer qe një kohë të gjatë, prandaj nuk është veprim i mençur të ndihem triumfues ende”.

Ylli i hitit “Blinding Lights” e kritikoi ashpër ceremoninë e përvitshme shpërblyese, kjo pasi albumi i tij i fundit “After Hours”, i cili pranoi kritika jashtëzakonisht të mira nga publiku anembanë botës dhe shënoi suksese të mëdha në top listat muzikore, u injorua plotësisht në edicionin e fundit të kësaj ngjarjeje dhe u përjashtua nga lista e nominimeve për vitin 2021. Pas këtij veprimi zhgënjyes, këngëtari i njohur kanadez premtoi se kurrë më nuk do të konkurrojë për t’u nominuar për këtë çmim, me projektet e tij të ardhshme. 

“Për shkak të komiteteve të fshehta, unë më nuk do ta lejojë studion time incizuese që ta paraqes muzikën time te ceremonia ‘Grammy’”, kishte deklaruar The Weekend. 

Edhe fansat anembanë botës kishin mbetur të çuditur që një prej albumeve më të mira të vitit 2020, nuk kishte arritur të bëhej pjesë e listës së projekteve të nominuara për çmimin prestigjioz muzikor. 

Këngëtari, emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, e akuzoi Akademinë e Regjistrimeve dhe ceremoninë e tyre shpërblyese, se janë të korruptuar, si dhe bëri thirrje që organizata të jetë më transparente me mënyrën se si i vlerëson talentet.

Përveç artistit The Weeknd edhe ylli tjetër i muzikës, Zayn Malik, i akuzoi organizatorët e ceremonisë “Grammy” për manipulim. Ish anëtari i grupit “One Direction”, insistoi se reagimi i tij nuk ishte personal dhe nuk bazohej në faktin se albumi i tij gjithashtu ishte përjashtuar nga lista e  nominimeve për këtë shpërblim. 

Tutje ai deklaroi se artistët dhe fansat kanë nevojë për transparencë në procesin e nominimeve, dhe ndalimin e favorizimit të individëve të caktuar, racizmit dhe lejimit të ndikimit të politikave të ndryshme në procesin e votimit. / KultPlus.com

Sot, kujtojmë 5 majin, Ditën e Dëshmorëve

Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar. / KultPlus.com

27-vjeçari që krijoi një monedhë virtuale, sot është miliarder

Vitalik Buterin është një 27-vjeçar me origjinë ruso-kanadeze. Ai është një programues dhe ka krijuar monedhën virtuale Ethereum në vitin 2013, kur ishte 19 vjeç.

Kriptomonedha nisi të funksiononte në vitin 2015 dhe sot 27-vjeçari është një miliarder. Pasuria e tij e krijuar nga rritja e vlerës së kriptomonedhës Ethereum është më shumë se 1.1 miliardë Dollarë. Buterin është edhe bashkëthemelues i revistës Bitcoin, që mbulon me artikuj lajmet për këtë monedhë virtuale dhe kriptovaluta të tjera.

27-vjeçari nuk është shumë aktiv në rrjetet sociale, edhe pse në Twitter ka më shumë se 1.4 milionë ndjekës. Monedha virtuale Ethereum u rrit 4-fish ditët e fundit duke kapur një vlerë prej 3482 Dollarë. Ethereum është monedha më e fuqishme virtuale pas Bitcoinit.

Ekspertët financiarë parashikojnë që vlera e kësaj kriptovalute do të rritet akoma më shumë në një të ardhme të afërt. Mbështetësit e kriptomonedhave kanë insistuar prej vitesh që Ethereum, Bitcoin dhe monedha të tjera virtuale mund të revolucionarizojnë botën e financave. / KultPlus.com

‘Aty ku ka dashuri, ka edhe jetë’

Emri i tij i vёrtetё ёshtё Mohandas Karamchand Gandhi. Lindi nё Indinё Perёndimore (Porbandar) dhe vdiq nё vitin 1948, nё Nju Delhi. Ishte njё personalitet i madh politik i Indisë, qё shprehte besimet e tij tё thella filozofike nё veprimin e tij politik.

Dedikoi tё gjithё jetёn e tij qёllimeve mё tё larta: pavarësisё sё Indisё, barazisё sё tё drejtave tё shtresave tё ultëta tё popullit, paqes midis induistëve dhe myslimanёve.

Indianёt qё kanё njё koncept shumё tё ndryshёm nga bota perёndimore, sa u pёrket shenjtorёve, e vendosin Gandin midis shenjtorёve tё tyre dhe pёr kёtё arsye e quajnё Mahatma( Maha Atma- shpirt i madh) dhe madje akoma kur jetonte.

Gandi konsiderohet si njëri nga personalitetet e rralla në historinë e humanizmit dhe politikës botërore. Ai ka lënë shumë mesazhe të fuqishme për njerëzimin, para se të vdiste.

Ju bëheni ajo që mendoni.

Aty ku ka dashuri, ka edhe jetë.

Mëso sikur do të jetosh përgjithmonë.

Shëndeti është pasuria jote e vërtetë.

Ruaj gjithmonë sensin e humorit.

Jeta jote është mesazhi yt.

Veprimet që bën, tregojnë prioritetet e tua.

Madhështia jonë qëndron në faktin, se jemi në gjendje të ndryshojmë/përmirësojmë vetveten.

Duhet të jesh gjithmonë në shërbim të të tjerëve.

Bëhu ndryshimi që dëshironi të shihni në botë./ KultPlus.com

“Historia e shqiptarëve”, Akademia e Shkencave nis punën për hartimin dhe botimin e kësaj vepre madhore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka lidhur sot më 4 prill 2021 kontratën për realizimin e nismës shkencore për hartimin dhe botimin e veprës madhore “Historia e shqiptarëve”, ku drejtues të tekstit janë akademik Pëllumb Xhufi dhe Neritan Ceka.

Kontrata u nënshkrua nga përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Encikopedike, prof. Irakli Koçollari.

Pas nënshkrimit të kontratës grupi i punës bëri një takim me mediet, ku akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, përshëndeti grupin e punës dhe tha se kjo vepër hartohet në kuadrin e nismës për tri veprat madhore albanologjike: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Historia e shqiptarëve”.

“Për veprën “Historia e shqiptarëve” do të mobilizohen institutet, qendrat kërkimore shkencore dhe përfaqësues të botës akademike”, – theksoi Gjinushi.

Drejtues i tekstit akad. Pëllumb Xhufi u shpreh se “rishkruhet një vepër me vlerë kombëtare dhe “Historia e shqiptarëve” do të jetë e dimesioneve të tilla ku përshihen edhe shqiptarët jashtë kufijve, dhe jo vetëm që zgjerohet harta demografike, por vepra do të jetë me një natyrë specifike shkencore. Për të do të të punojë pjesa më elitare e studiuesve të antikitetit e deri në ditët e sotme”.

“Historia e shqiptarëve” do të realizohet duke shfrytëzuar një numër të madh autorësh dhe burimesh të rralla dhe vëllimet arkivore, ku do të ketë vlerësime, analiza, konfortime burimesh dhe autorësh për çështje me interes të veçantë apo të debatueshme historiko- shkencore.

Drejtues i tekstit prof. Neritan Ceka, arkeolog, e quajti risi përfshirjen e historisë së antikitetit, me të cilën fillon “Historia e shqiptarëve” e kryesisht të periudhës ilire si një zanafillë ku ka nisur edhe të formësohet identiteti ynë kombëtar.

Në tekstin “Historia e shqiptarëve” do të përfshihen veç historisë së mesjetës edhe prurjet në lëmin e arkeologjisë, studimet dhe vepra të autorëve të shquar të antiketit si Hasan Ceka, Skënder Anamali, e të të tjerë.

Prof. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë foli për rëndësinë e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave për “Historinë e shqiptarëve”, ku për herë të parë bashkohet puna kërkimore dhe studimore e shqiptarëve të të gjitha trevave. Ai tha se kërkimet dhe studimet shkencore në treva të Kosovës, tashmë do të përfshihen në një histori të përbashkët

Janë 20 autorë pjesëmarrës në hartimin e veprës: akad. Pëllumb Xhufi, prof. Skënder Muçaj, prof. Neritan Ceka, prof. Gjon Berisha (Kosovë), prof. Sabit Syla (Kosovë), akad. Myzafer Korkuti, prof. Saimir Shpuza, prof. Luan Përzhita, prof. Ferit Duka, prof. Adem Bunguri; prof. Apollon Baçe, prof. Paskal Milo, akad. Beqir Meta, prof. Sonila Boçi, prof. Ledia Dushku e të tjerë autorë kontribues që do të punojnë për hartimin e një vepre me 1500-2000 faqe, me tre vëllime dhe me një shtrirje kohore të lëndës që nga antkiteti deri në kohët moderne. Projekti do të finalizohet në vitin 2023./atsh/ KultPlus.com

Rryma e re muzikore që po hetohet nga policia

Në Brazil po korr sukses një rrymë e re muzikore, që quhet “trap de cria”. Bëhet fjalë për një lloj të ri hip hopi që tregon jetën e vështirë nëpër “favela”, aty ku “lulëzon” krimi.

Edhe pse kjo muzikë është e panjohur jashtë Rio de Zhaneiros, videoklipet marrin miliona klikime në YouTube. Gjithashtu, ndryshe nga vendet e tjera, artistët e kësaj rryme nuk janë gangsterë dhe armët që përdorin nëpër videoklipe nuk janë të vërteta. Madje, as bizhuteritë.

Por, pavarësisht kësaj, policia e Rios ka nisur një hetim për këto videoklipe, duke i konsideruar si pamje që nxisin krimin dhe lidhjet me trafikantët e drogës.

“Liria e shprehjes ka një kufi dhe kufiri është kur ndodh një krim. Ne nuk mund të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë idhuj njerëz që mbajnë armë dhe kryejnë krime”, thotë policia.

Por, vetë artistët mbrohen duke theksuar se ata vetëm portretizojnë atë që përjetojnë nëpër lagjet e tyre./ KultPlus.com

‘Mora harçe dola në bahçe çorapet mej thur, prej merzis’ permbi çorape plasa tuj lotu’ (VIDEO)

Nazmie Hoxha është një nga zërat e rrallë që u dëgjua mjaft shumë në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar.

Muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektivë dhe i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë “Si dukat i vogël” je dhe “Oj zogo dhe disa të tjera”. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 ndërsa u varros në Prishtinë.

Ky zë ka sjellë edhe një nga këngët më të njohura shqiptare “Kur e përcolla ylberin”. KultPlus ju sjellë sot interpretimin e mahnitshëm të kësaj kënge.

Kur e përcolla ylberin
Ktheva hyra n ‘odë
Kur ia pash manxerren varun
Ia lava me lot

REF
Mos e laj me lot oj zano
Mos e laj me lot
Se shkoi viti parë oj zano
Porsi dita sot (2x)

II
Shkuan muaj shkuan vite
Zemra mu dogj flak’
S’na lan’ hallet s’na lan’ dertet
Me jetue bashkë

REF
O ylberi dadës o
A thu m’ke harru
Ditët e gurbetit ylber
Qofshin të mallkum (2x)

III
Mora harçe dola ne bahçe
Çorapet mej thur
Prej merzis’ permbi çorape
Plasa tuj lotu

REF
O ylberi dadës o
Athu m’ke harru
Ditet e kurbetit ylber
Qofshin te mallkum (2x) / KultPlus.com

Themeluesi i Shopify: Këto janë librat që më bënë miliarder

Disa miliarderë e arritën suksesin e tyre falë hijeshisë së tyre personale, aftësisë së tyre për biznes dhe komunikimit. Të tjerët ishin “nerds” të qetë, të rezervuar, të cilët  arritën të krijonin një produkt të suksesshëm.

Bashkëthemeluesi i Shopify, Tobias Lütke renditet në grupin e dytë. Si një programues, Lütke nuk kishte ndërmend të kishte ndonjë lidhje me anën tregtare të Shopify, kompania kanadeze që ai bashkë-themeloi dhe që prej atëherë është bërë një kompani lider në tregtinë elektronike. Por më pas, siç shpjegoi ai në podcast-in e Tim Ferriss, rrethanat ndryshuan dhe ai e gjeti veten që kishte nevojë të shndërrohej në një drejtues, i aftë të rriste shpejt kompaninë e tij.

Ai vendosi të gjente materiale për të lexuar, që do ti jepnin atij aftësitë për të cilat ai kishte nevojë. Procesi i kërkimit të materialeve i ofroi atij dy tituj librash. Lütke tregon se ato i mësuan atij aftësitë për të ndërtuar një biznes me vlerë prej miliarda dollarësh.

  1. Ndikimi nga Robert Cialdini

Sipas Lütke, Ndikimi ishte libri më tërheqës që mund të imagjinoni, sepse në thelb ju mëson të gjitha mënyrat se si njerëzit mund të gabojnë dhe se si ato ndikohen nga të tjerët dhe gjërat e kota, dhe se pasi ti bëni gjërat për njerëzit, ju duhet ti shpjegoni ato.

Një bestseller ndërkombëtar, kur u botua për herë të parë në 1984, Ndikimi mbetet një material themelor në shkencën e bindjes, kështu që Lütke nuk është mendja e vetme brilante që është ndihmuar nga Cialdini.

  1. Menaxhimi i nivelit të lartë të prodhimit nga Andrew Grove

Sipas Lütke, një nga librat më të mirë ndonjëherë. Ky klasik nga ish-CEO i Intel, përshkruan menaxhimin nivelit të lartë të prodhimit si “një manual udhëzimi që zbërthen botën e biznesit në parimet e para të saj. Duke e shpjeguar ndërtimin e një biznesi si një ushtrim inxhinierik, libri i Grove e bëri gjithë sfidën shumë më pak të frikshme. Por, ai nuk është sipërmarrësi i vetëm brilant që ka përfituar nga ky libër. Mark Zuckerberg gjithashtu pretendon se “libri luajti një rol të madh në formimin e stilit tim të menaxhimit”.

Nëse edhe ju frikësoheni nga aspektet më pak teknike të ndërtimit të një biznesi, mund të jetë me vlerë të lexoni këto libra. Kush e di? Ato madje mund t’ju ndihmojnë të krijoni një kompani miliarda dollarësh./ KultPlus.com

Për një shkronjë

Poezi nga Odhise Grillo

Me rrëmujë detyrat,
i bëri Besniku.
E la fletoren hapur,
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo ç’të lexoj!
Në ç’do fjalë të shkruar,
mungonte ndonjë shkronjë!

Atë ditë Besnikun,
e hoqa nga loja.
“Sot,” i thashë, “je ngopur
duke ngrënë shkronja!”

“Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!”

“Nuk bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një shkronjë,
që ti s’e vë,
fjala derë,
bëhet erë,
dhe shtëpia ngel pa derë.

Për një M,
që ti s’e vë,
fjala mik,
bëhet ik.
Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?

Shih, pa shih,
ka dhe më keq!
Për një B,
që ti e heq,
fjala bujk,
bëhet ujk.”

Sytë e Nikut,
mbushen me lot,
do të flasë,
por ç’farë të thotë? / KultPlus.com

Meghan Markle ka gati librin e parë

Dukesha e Sussexit, Meghan Markle ka njoftuar ditën e sotme se ka shkruar një libër për fëmijë, e frymëzuar nga Princ Harry dhe djali i saj.

Libri mban titullin “The Bench” dhe Meghan ka thënë se libri ka lindur nga një poemë që kishte shkruar për Harr-n pas lindjes së djalit të tyre dhe eksploron lidhjen e veçantë mes babait dhe djalit, që shihet nga sytë e nënës.

Ky libër pritet të publikohet në datën 8 qershor dhe do të ilustrohet nga artisti Christian Robinson.

“The Bench nisi si një poezi që shkrova për burrin tim në Ditën e Baballarëve, muajin pas lindjes së Archie. Kjo poezi u bë kjo histori”, thuhet në deklaratën e saj.

Ndërkohë, popullariteti i dukeshës dhe Harryt ka rënë në nivelet më të ulëta ditët e fundit, sidomos pas funeralit të Princit Philip.

Sipas një sondazhi nga “YouGov” Princi Edward dhe Charles patën një rritje më të madhe në popullaritet, pas ndarjes nga jeta të babait të tyre.

Sipas këtyre sondazheve 2 nga 5 britanikë e pëlqejnë princin Harry, ndërsa gjysma nuk e pëlqejnë.

Këto shifra në fakt janë disi të ngjashme me muajin mars për Harryn. Ndërsa sa i përket Meghan Markle, 3 në 10 njerëz e pëlqejnë Meghan, kurse 3 në 5 njerëz nuk e pëlqejnë.

Meghan dhe Harry humbën popullaritetin e tyre pas intervistës së dhënë për Oprah Winfrey, ku akuzuan familjen mbretërore për racizëm.

Që nga ajo kohë ata nuk kanë rifituar favor me publikun britanik, pasi popullariteti i Princ Harryt ra me tre pikë të tjera pas funeralit të Dukës së Edinburgut më 17 Prill. Ndërkohë dhe Meghan, e cila nuk mori pjesë në funeral humbi popullaritetin prej pesë pikësh, tregojnë shifrat./ KultPlus.com

Arrijnë vaksinat e Pfizerit në Kosovë

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik sapo kanë arritur afër pesë mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Deri më tani nuk është prononcuar askush rreth pranimit të këtyre vaksinave, përveç se aty është parë Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, njofton Klan Kosova, përcjell KultPlus.

Ka qenë Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e cila dy ditë më parë ka njoftuar se në Kosovë do të vijnë pesë mijë doza të vaksinës Pfizer.

Ato sipas burimeve thuhet se kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut në Aeroportin e Prishtinës dhe deri në IKSHPK janë sjell nga një kompani e kontraktuar./klankosova/KultPlus.com

Neser mbyllet aplikimi për Trajnimin FALAS për Dizajn të Modes

Kolegji Universum organizon – Trajnim në Dizajn Mode FALAS për të gjithë maturantët e shkollave të mesme të Republikës së Kosovës. Trajnimi do të mbahet me 6-7-10 Maj 2021 në Kampusin e Kolegjit Universum në Prishtinë dhe Ferizaj.

Edhe 1 dite ka mbetur afat për aplikim, kliko këtu https://tinyurl.com/3zr2ra45 

Pjesëmarrësit të udhëhequr nga profesor të dizajnit të modës do të mësojnë të gjithë procesin nga skicimi në finalizim të një veshje që ata duan të krijojnë. Gjashtë veshjet më të mira të realizuara në trajnim do jenë pjesë e PRISHTINA FASHION NIGHT e cila do të mbahet në 14 Maj 2021.

Aplikoni tani https://tinyurl.com/3zr2ra45. Aplikimi mbyllet neser me 5 Maj 2021. Orari do të ju dërgohet pasi të mbyllet aplikimi.

Mësoni nga profesionistët si të realizoni një veshje dhe bëhuni kandidat për pjesëmarrje në PRISHTINA FASHION NIGHT!  

Informohu më shumë duke kontaktuar në [email protected], na ndiqni në facebook apo instagram, kontaktoni në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Alban Ukaj: Nëse nuk flasim për vitet e 90 – ta frikësohem se historia do të përsëritet

Alban Ukaj e ka filluar karrieren e aktrimit në hapësirat e zyrave të minatorëve në Prishtinë. Aty gjendej Akademia pas luftës në Kosovë.

Disa vite më vonë shkoi për herë të parë në Sarajevë. Ai nuk e dinte gjuhën, por kishte vendosur të shpërngulej dhe vazhdonte studimet në Sarajevë.

Nga ajo kohë kanë kaluar 20 vite. Albani thotë se ka menduar se do të shkonte diku tjetër, apo do të kthehej në Prishtinë. Por vitin e tretë të studimeve nisi të punonte dhe nga ajo kohë jeton aty.

“Në njëfarë mënyrë kam ndërtuar një familje timen në Sarajevë dhe kur më pyet dikush pse Sarajeva, i kam disa personazhe që i përmend. E kam marrë edhe një vullnet më të madh që të bëj një vazhdimësi të asaj që kanë bërë ata gjatë luftës e shfaqje pasi kanë pasur mbi 120 e ca premiera gjatë atyre katër viteve të luftës këtu dhe jam emocionalisht disi i lidhur me qytetin.” – thotë Albani.

Aktori me origjinë nga Kosova ka punuar në shumë teatro të rajonit. Ai është i punësuar në teatrin që nisi punën në kohën e shtetërrethimit të Sarajevës SARTR, por ka dhënë shfaqje edhe në Teatrin Kombëtar.

Ukaj është zë aktiv i shoqërisë në Bosnje dhe kritik i ashpër i fenomeneve në shoqëri. Është marrë me temën e luftës dhe është një nga artistët e angazhuar, kritik i nacionalizmit dhe debaton në vazhdimësi për të shkuarën.

Në filmin boshnjak “Quo vadis, Aida?” që u nominua për Oscar në kategorinë e filmave të huaj, por që ndonëse favorit nuk fitoi, Albani luan rolin e njërit prej të punësuarve në bazën e atëhershme të OKB-së ku u vranë mbi 8 mijë myslimanë. Filmi tregon historinë e masakrës së Srebrenicëspërmes përkthyesve dhe paraqet fatin e Aidës, që nuk e shpëtoi dot familjen e saj.

“Që të mos përsëritet diҫka e ngjashmë prapë, duhet ndoshta me qenë radikal në aspektin, të përmendet ajo periudhë, të bashkëjetohet me problemet që janë bërë dhe krimet që janë bërë gjatë viteve të ’90 në ish-Jugosllavi për ta pasur një lloj pastrimi personal secili prej nesh në këto shtetet që janë formuar pas shpartallimit të ish-Jugosllavisë.” – thotë aktori.

Ai tregon se ka njëfarë frike që brezat e rinj që po vijnë, sidomos në kryeqendrat e ish-Jugosllavisë “po bëhen më nacionalistë dhe më radikalë nga sa kanë qenë gjeneratat tona të viteve ’90.

“Nëse vazhdojmë me përzgjedh fryma të djathta në qeveri, e kam një frikë që nëse mundohemi ta shtypim brenda atë frustrimin që e kemi prej viteve ’90 dhe nuk e lejojmë të dalë jashtë, nuk bisedojmë për atë punë, nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë gabimet tona, nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë krimet tona – atëherë frikësohem se do na përsëriten gjërat e asaj periudhe” – thotë  Alban Ukaj, transmeton DW./ dw/ KultPlus.com

‘Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret’

Nga Mitrush Kutelit

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3 (…)

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…)

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti, Dhimitraq

11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)/ KultPlus.com

54 vite nga vdekja e Mitrush Kutelit, themeluesit të prozës moderne shqiptare

Mitrush Kuteli është padyshim një nga shkrimtarët, intelektualët, mendimtarët dhe shpërblestarët më të ndritur të nënës Shqipëri. Kuteli ndërroi jetë më 4 maj 1967, duke lënë pas admirimin dhe mirënjohjen për fuqinë e penës dhe forcën e shembullit përmes së cilave i fali letërsisë shqipe të shek. XX një grumbull xhevahiresh të mrekullueshme.

Ekonomist e specialist i sistemit bankar dhe i prirur për studimin e këtyre disiplinave, ai gjeti tek letërsia një dashuri hyjnore, të cilës i fali pa kursim vlerat e shpirtit të tij.

Autor që dha kontribut në çdo lëmë letrare, ai ka lënë mbi të gjitha një “ligjërim mbi etikën” e mendimtarit aty ku Descartes e la një të tillë për metodën. Cilësia dhe serioziteti i kritikes letrare të Dhimitrit arriti në atë pikë katarsisi sa iu përvesh vetë krijimtarisë së Mitrushit, si në rastin e përshtatjes në shqip të veprës së Emineskut.

Në përmbledhjen pak të njohur “Shënime letrare”, kritika e tij ngriti një problemi të madh shqiptar.

“Është fort e rëndë të thuash se në këtë kuadër shqiptar kaq të vrazhdët, qoftë edhe në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë bote!) ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht”, ose, të paktën, të rri me kokë me nj’anë, sepse nuk e lavdërove sa desh ay vetë. Në këtë kuadër të vrazhdët, them, ku je i detyruar të pranosh – duke heshtur! – që një thes me kashte të quhet poet klasik ose filozof e një bostan-tavasi, poet, sociolog a s’di ç’tjetër batërdi”./ KultPlus.com

Televizioni italian me reportazh për Horën e Arbëreshëve

Televizioni Italian “Rai 3” nëpërmjet një reportazhi sjell në kujtesë historinë qindra vjeçare të arbëreshëve që jetojnë në jug të Italisë.

“Duke udhëtuar në jug të Italisë, ndeshemi me një terren ku na pret një melodi ndryshe, sepse jemi pikërisht në Horën e Arbëreshëve. Për një moment mund të duket sikur jeni në Tiranë, ose Durrës. Jemi në fakt në Horën e Arbëreshëve, një nga komunitetet më të mëdha arbëreshe në Itali për nga historia, kultura dhe tradita. Sapo mbërrijmë menjëherë shikimi të mbetet tek flamuri shqiptar në sheshin qendror dhe tabelat sinjalizuese, të cilat kudo i gjejmë në dy gjuhë, italisht dhe shqip. Ende sot këtu flitet një dialekt shumë i ngjashëm me gjuhën e të parëve, e njëjta me shqiptarët që u transferuan shekuj për parë, duke ikur nga sundimi Osman. Në Horën e Arbëreshëve sot mësohet ende gjuha arbëreshe. Ky vend është një atraksion turistik për të gjithë ata që vizitojnë Sicilinë dhe duan të zbulojnë një vend që mbart në vete shumë histori.

Graciano dhe Giorgo janë dy vëllezër banorë në Horën e Arbëreshëve. Prej vitesh çojnë përpara një traditë të vjetër familjare në krijimin e bizhuterive. Ata krijojnë bizhu që ruajnë tradicionalen dhe ndërthuren në të njëjtën kohë me modernen. Bizhuterinë janë vërtet objekte arti, dhe sot artizanët po përgatisin një bizhu që do të përdoret në veshjet tradicionale arbëreshe. Me durim dhe pasion dy vëllezërit kujdesen për çdo detaj gjatë procesit punës. Veshjet arbëreshe kanë një elegancë që nuk njeh kohë. Janë veshje që ende sot përdoren në ceremoni të veçanta. Me këtë veshje prezantohet historia e gjatë e këtij populli që ruan me fanatizëm traditat e origjinës.

Hora e Arbëreshëve është shumë mikpritëse për vizitorët. Për të qenë sa më të ëmbël, ata i ofrojnë ëmbëlsirën tipike, Kanoli. Luca di mirë se sit ë përgatisë një ëmbëlsirë kaq të shijshme, tradicionale e arbëreshëve.

Historia e përcjell përmes artit është shumë e rëndësishme në këtë komunitet, Giusepe i ka kushtuar jetën e tij artit të ikonave mitike. Afreskot e kishës të mahnisin dhe nuk mungon as shqiponja dy krenare. “Ne jemi shumë të lidhur me ritin tonë dhe ritet tona fetare nuk ndryshojnë nga ortodosket”, tregon prifti.

Pasi dalim nga kisha, kthehemi sërish tek Pastiçeria e Lukës për të shijuar ëmbëlsirën tradicionale, Kanoli. Pasi brumi ka qendruar për një kohë të caktuar, Luca është gati të përgatisë kanolit./ KultPlus.com

Rihapet muzeu i Aushvic-Birkenaut

Muzeu i Aushvic-Birkenau, që përkujton viktimat e shfarosjes naziste të Luftës së Dytë Botërore, do të hapet pjesërisht për vizitorët duke filluar nga 7 maj pas një ndërprerje gati shtatë javëshe nga koronavirusi, deklaroi muzeu në një deklaratë.

”Deri në një njoftim tjetër, muzeu do të jetë i hapur për vizitorët nga e premtja deri të dielën, kur kërkesa e vizitorëve është më e lartë”, lexohet në deklaratë.

Vizitorët do t’u duhet të regjistrohen në faqen e internetit të muzeut.

Masat e koronavirusit janë aktive në vend dhe grupet e vizitave nuk mund të jenë më të mëdha se 15 persona. Të gjithë vizitorëve do t’u matet temperatura.

Të mërkurën, Polonia njoftoi një relaksim gradual të kufizimeve të saj anti-Covid-19 gjatë muajit maj ndërsa numri i rasteve të reja zvogëlohet dhe fushata e vaksinimit përparon.

Muzeu, i vendosur në vendin e kampit nazist të përqendrimit dhe shfarosjes të ngritur në Poloninë e pushtuar nga Gjermania, është bërë një simbol i Holokaustit dhe mizorive të Luftës së Dytë Botërore, ku më shumë se një milion njerëz, kryesisht hebrenj, vdiqën atje./atsh/ KultPlus.com

Fermeri ndryshon aksidentalisht kufirin mes Belgjikës dhe Francës

Një fermer në Belgjikë ka ndryshuar aksidentalisht kufirin e vendit të tij me Francën. Fermeri ishte duke ecur në pyll kur guri që ndan kufirin mes dy shteteve i zuri rrugën traktorit të tij.

Kështu, ai e zhvendosi atë vetëm pak metra, duke shkaktuar një incident që mund të shkaktonte trazira ndërkombëtare, por që është pritur me buzëqeshje në të dyja anët e kufirit.

“Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është ide e mirë”, tha David Lavaux, kryetari i fshatit belg Erquelinnes, për kanalin televiziv Francez TF1.

Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t’i kërkuar atij që të kthejë gurin në vendin e tij origjinal. Nëse kjo nuk ndodh, çështja mund të përfundojë në Ministrinë e Jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision kufitar franko-belg.

Kufiri midis Francës dhe Belgjikës shtrihet në 620 km. Ai u krijua zyrtarisht nën Traktatin e Kortrijk, nënshkruar në 1820 pas disfatës së Napoleonit në Waterloo. Guri daton që nga viti 1819, kur kufiri u shënua me të për herë të parë./ KultPlus.com

Marigona Toma prezanton punimet e saj në ekspozitë në mesin e 38 artistëve nga Zvicra

Era Berisha

Marigona Toma është shqiptarja e vetme që është përzgjedhur nga Komuna Flamatt-WünneWil për shpalosjen e punës së saj në një ekspozitë ku do të marrin pjesë gjithsej 38 artistë nga Zvicra, shkruan KultPlus.

Artistja e njohur për prezantimin e saj me koleksionin e syve, kësaj radhe është identifikuar po njëlloj edhe në ekspozitën në të cilën do të jetë pjesëmarrëse. Koleksioni i saj i syve shpalos një mesazh mjaft të fortë pasi që sipas saj sytë janë pasqyrë e shpirtit dhe përmes tyre shprehen gjëra që përmes fjalëve nuk mund të shprehen.

“Sytë bartin në vete histori të ndryshme për çdo njeri, coftë ajo e gëzimit, pikëllimit apo lumturisë”, thotë Marigona për KultPlus

Artistja gjithashtu ka bërë të ditur se kjo nuk është pjesëmarrja e saj e parë në ekspozita në Zvicër por që kësaj here ajo krejt rastësisht ka dëgjuar nga një mike se do të realizohet një ekspozitë me përfshirjen e artistëve të ndryshme.

“Thjesht formova kërkesën dhe pastaj dërgova punimet ku pata rastin të marrë një përgjigje të menjëhershme dhe mjaft pozitive”, thotë Toma për KultPlus.

Bagazhi i saj përfshin numër të madh të punimeve të cilat depërtojnë thellësisht në një gërshetim të mahnitshme të ngjyrave. Ndërsa, përzgjedhja e punës së saj është realizuar nga caktimi i disa kritereve të vogla dhe koha e realizmit të pikturave që ka ndodhur brenda katër mureve të një dhome e cila ishte në dispozicion për artisten shqiptare.

Planet e mia për të ardhmen përfshijnë mjaft vizione të cilat përfshijnë një horizont të gjerë, por që për shkak të situatës pandemike disa aktivitete siç janë dy ekspozita të menduara, por që fatkeqësisht janë anuluar. Prandaj, shpresoj se kjo gjendje e vështirë të kalojë sa më shpejtë sepse edhe kjo ekspozitë është një mundësi e mirë e shprehjes së artit tim”, përfundon Toma.

Kjo ekspozitë do të realizohet në Zeughaus në Flamatt/Fribourg dhe hapet më datë 18 e deri më 27 qershor të këtij viti. / KultPlus.com