Kryeministri grek kërkon falje për katastrofën e zjarrit

Kryeministri i Greqisë ka kërkuar falje për dështimin në trajtimin e zjarreve në të gjithë vendin.

Qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret e mëdha që kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe kanë shkatërruar dhjetëra prona.

“Ne mund të kemi bërë atë që ishte e mundur nga ana njerëzore, por në shumë raste nuk ishte e mjaftueshme,” tha Kyriakos Mitsotakis, transmeton KultPlus.

Tymi i dendur ende po derdhet nga ishulli Evia, në verilindje të Athinës, i cili është ndezur para njw jave.

Dhjetëra shtëpi dhe hektarë pyje janë djegur tashmë në Evia, në periferi të kryeqytetit dhe në pjesë të tjera të Greqisë.

Qindra banorë janë urdhëruar të largohen nga ishulli për t’i shpëtuar zjarreve, megjithëse disa ishin të vendosur të qëndronin për të mbrojtur pronat e tyre.

“Unë e kuptoj plotësisht dhimbjen e bashkëqytetarëve tanë që panë shtëpitë ose pronën e tyre të digjeshin,” tha Kryeministri Mitsotakis në një fjalim televiziv.

Por ai tha se vendi “po përballet me një fatkeqësi natyrore të përmasave të pashembullt”.

Zemërimi i publikut është rritur me vonesat dhe prishjet në përgjigjen e qeverisë, duke përfshirë një mungesë të dukshme të avionëve që lëshojnë ujë.

Mitsokasis tha se “çdo dështim do të identifikohet”, por këmbënguli se zjarrfikësit ishin në një betejë me “fuqitë e mbinatyrshme që shpesh tejkalojnë forcën e tyre”./KultPlus.com

Këngëtarja malajziane vdes nga Covid pak ditë pas lindjes

Një këngëtare e njohur malajziane ka vdekur nga Covid -19, vetëm disa ditë pasi lindi një djalë, fëmijën e saj të katërt.

Shtatzëna tetë muajshe Siti Sarah Raisuddin, e cila kishte përjetuar nivele të ulëta të oksigjenit, u vu në një gjendje kome në mënyrë që foshnja e saj të lindte përmes operacionit, transmeton KultPlus.

Foshnja u shpëtua, megjithëse ajo kurrë nuk arriti ta mbante atë.

Burri i saj tha se kur ai i bëri video-thirrjen e fundit, asaj i ranë lotët në faqe.

“Është sikur ajo e kuptoi atë që ne po i thonim asaj,” u tha komediani Shuib Sepahtu gazetarëve vendas. “Vetëm se do të jetë vërtet sfiduese për mua t’i bëj të ditur lajmin tre fëmijëve të mi për vdekjen e nënës së tyre.”

Përveç të porsalindurit, çifti ka tre fëmijë më të mëdhenj të moshës gjashtë deri në 10 vjeç./KultPlus.com

Meta: Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt

Pas zjarrit tanimë tuneli i Kalimashit është plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt. Kështu ka bërë të ditur Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai ka treguar se në orët e hershme të mëngjesit të së martës pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës.

“Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt. Falenderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës. Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat  e Shëmrisë”, ka shkruar Meta.

Pas shpërthimit të zjarrit në Kukës,  Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) shkuan për t’i dalë në ndihmë autoriteteve shqiptare në luftimin e zjarreve të shumta që shpërthyen.

Autoriteteve shqiptare në ndihmë iu dolën edhe zjarrfikësit nga Kosova./Kultplus.com

Zbulohen detaje të reja nga takimi sekret mes Princeshë Dianës dhe John F. Kennedy


Në vitin 1995, princeshë Diana dhe John F. Kenedy Jr. u takuan fshehurazi në një hotel në New York.

Thuhet se ata kaluan 1 orë e gjysmë së bashku, pasi ia dolën të hynin në hotel duke i shpëtuar syrit të paparacëve.

Së fundmi, “People” i është rikthyer këtij takimi dhe shkruan se qëllimi i tij ishte se J.F.K., Jr. donte që Diana të pozonte për kopertinën e revistës së tij politike, “George”.

Diana u shpreh e gatshme që të dëgjonte kërkesën e tij, por për ta bërë këtë duhet të uleshin të flisnin. Duhej një plan i detajuar për një takim në një suitë në hotelin “Carlyle” në Upper East Side.

Ata hynë nga dera e përparme dhe takimi zgjati një orë e gjysmë, por nuk pati rezultat. Lady D në fakt nuk pozoi asnjëherë për revistën George.

Megjithatë ai takim ka mbetur thellë në memorie dhe stafi i J.F.K. Jr. e kujton edhe sot.

“E mbaj mend që më tha: Ajo është vërtet e gjatë! Ai më tha edhe se ajo ishte shumë e ndrojtur.

Ai ishte i befasuar se sa e duruar ishte ajo. Unë mendoj se ata të dy ishin takuar me Nënë Terezën, kështu që ata folën gjatë për të. Dhe ai i tha se ishte shumë e bukur”, thotë asistentja e tij në atë kohë, RoseMarie Terenzio.

Ndërkohë, Matt Berman, ish-drejtori krijues i George, e kujton Lady D. kështu:

“Ajo kishte këmbë të mrekullueshme”./KultPlus.com

‘Kjo dorë që tundi djepin, gjithë botën e sundon’ (VIDEO)

Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.

Simaku njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu arti i saj të frymojë ndryshe.

Ajo sot më së miri kujtohet më këngën “E duam lumturinë”, shkruan KultPlus.

Kënga “E duam lumturinë” është një këngë e kompozuar nga Pirro Çako. Këngëtarja Parashqevi Simaku, me po këtë këngë në vitin 1988 fitoi çmimin e parë te Festivali i 27-të i Këngës në RTSH. Kjo këngë për shkak të tekstit e interpretimit të fuqishëm është bërë një himn i dashurisë dhe sakrificave të nënave për fëmijët.

Kjo këngë fillon me një interpretim të këndshëm nga një kor që përbëhet nga fëmijët për të vazhduar më pas me interpretimin e këngëtares Parashqevi Simaku.

KultPlus ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge.

Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë
duam krahë si ata të fluturojmë
zemra jonë tik e tak kur troket
me zemrat flet

Në çdo stinë kudo janë pranverojnë
dhe në sy ata mbajnë jetën tonë
dashurinë, lumturinë e pafund
me ëndrra shumë

Kanë një botë me ëndrra
janë të vegjël shumë
mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos iu prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thotë
se nëna e lind njerinë.

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë botën e sundon oooooooooo ooooooo oooooo

Mos ja u prishni ëndrrat
janë të vegjël shumë
Mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos ja u prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thonë
se nëna e lind njerin

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë boten e gëzon. / KultPlus.com

Fshati spanjoll kërkon statusin e trashëgimisë botërore në UNESCO për biseda para shtëpive

Është një ritual veror i natës në pjesën më të madhe të Spanjës: ndërsa nxehtësia përvëluese e ditës zbutet, karriget nxirren në rrugë për një bisedë alfresko. Tani një fshat në Spanjën jugore po kërkon që tradita të njihet nga Kombet e Bashkuara si një thesar kulturor.

Qëllimi është që të mbrohet zakoni shekullor nga kërcënimi i dhunshëm i mediave sociale dhe televizionit, tha José Carlos Sánchez, kryebashkiaku i Algar, një qytet me rreth 1,400 njerëz. “Është e kundërta e mediave sociale,” i tha ai për Guardian, transmeton KultPlus. “Kjo ka të bëjë me bisedat ballë për ballë.”

Sánchez kohët e fundit aplikoi për të shtuar zakonin në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të Unesco, duke shpresuar se do të jetë në gjendje të fitojë një vend në një katalog që shkon nga arti i prodhimit të picave napolitane në kulturën e saunës në Finlandë dhe një garë të kositjes së barit në Bosnjë dhe Hercegovina.

Sánchez, i cili rregullisht kalon mbrëmje të këndshme verore në pragun e shtëpisë së nënës së tij 82-vjeçare, është i shpejtë të listojë përfitimet e shumta të asaj që njihet si charlas al fresco, nga kursimet e energjisë të marra nga fikja e ajrit të kondicionuar për disa orë deri te ndjenja e komunitetit me fqinjët që ndajnë thashethemet e ditës ose komentojnë lajmet e fundit.

Bisedat e natës gjithashtu ofrojnë një lloj lirimi psikologjik, duke e mbajtur vetminë larg, në një kohë kur shqetësimet rreth shëndetit mendor janë shtuar, argumentoi ai. “Banorët dalin në rrugë dhe në vend që të ndiejnë se janë vetëm, ajo që marrin është një seancë terapie,” tha 38-vjeçari. “Ata ndajnë historitë e tyre ose problemet që po kalojnë dhe fqinjët përpiqen të ndihmojnë.”

Banorët në fshatin e vogël kanë reaguar ngrohtësisht ndaj ofertës së tij për statusin e trashëgimisë botërore, tha ai. “Deri më tani nuk kam marrë asnjë kritikë, ka qenë shumë pozitive. / KultPlus.com

Gërmimet në Tiranë po nxjerrin në dritë vilën romake të kryeqytetit shqiptar

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti bëri të ditur sot se po del në dritë e plotë vila romake e Tiranës, apo e njohur ndryshe si Mozaiku i Tiranës.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës dhe Universitetin e Tiranës kanë rinisur gërmimet në këtë zonë, e cila është zbuluar në vitet ’70 gjatë punimeve për ndërtimin e disa blloqe pallatesh, në lagjen “21 Dhjetori”.

Ministrja thekson se ky projekt, që ka për qëllim jo vetëm zbulimin e plotë të vilës, që daton në shek. II-III pas Krishtit, por edhe promovimin e saj si një nga hapësirat më tërheqëse për turistët vendës e të huaj, po ndjek rrugën e mjeshtrave të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore si prof. Skënder Anamali, prof. Aleksandër Meksi e prof. Skënder Muçaj.

Studentët pjesëmarrës do të pajisen me një certifikatë trajnimi dhe kualifikimi për gërmimin arkeologjik.

Mozaiku i Tiranës është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit.

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës.

Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh. /atsh/ KultPlus.com

Pamje të frikshme, del jashtë kontrollit zjarri mbi tunelin e Kalimashit (VIDEO)

Zjarri mbi tunelin e Kalimashit ka dalë jashtë kontrollit. Sikurse duket edhe nga pamjet e siguruara nga Top Channel zjarri ka pushtuar të gjithë hapësirën e malit, transmeton KultPlus.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe dy mjete zjarrfikëse, por terreni i vështirë e bën thuajse të pamundur ndërhyrjen nga toka.

Ndërsa sa i përket situatës së zjarreve në Bashkinë Mirditë, zjarri në malin e Munellës ka marrë përmasa më të mëdha, i favorizuar edhe nga erërat e forta.

Mësohet se zjarri është duke zbritur në fshatrat Domgjon dhe Munellë, duke u kthyer në kërcënim serioz për ta. Në fshatin Thirrë zjarri është aktiv, ku në lagjen Gështenjë është afruar në distancën 700 m.

Në lagjen Karaq është afruar në distancën 1000 m. Në terren janë 55 forca të ushtrisë, 10 zjarrfikësa, 4 të shërbimit  pyjor.

Nga këto forca po bëhet e pa mundura  për  frenimin e vatrës, por është shumë e vështirë izolimi. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi për koncertin e Bregoviqit: Kur në Kosovë serbët kryenin spastrim etnik, Bregoviq bënte thirrje të mos ndalej gjenocidi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman ka reaguar për koncertin që Goran Bregoviq pritet ta mbaj në Korçë, reagim ky të cilin KultPlus e sjell më poshtë.

Përse Korça ime!?

Dhëmbja jonë shkon përtej asaj që ne e vlerësojmë kombetare- nacionale primitive apo civilizuese, tek e fundit dhembja nuk i njeh këto emërtime, ajo shkaktohet nga dikush mbi dikend, së paku me qëllimin e shfryerjes së epsheve shtazarake e barbare e pastaj të tjera me radhë…

Korça ime, derisa në Kosovë forcat serbe po kryenin spastrim etnik, duke e përcjellur forma të ndryshme të keyerjes së krimeve, ishte pikërisht Goran Bregoviq i cili nuk bënte thirrje që të ndalej gjenocidi, por që të ndaleshin sulemt e NATO-së e pastaj ata (serbët) të mos ndalonin ndoshta deri tek Korça juaj-ime, sepse, kështu kishte ndodhur në të kaluaren, por që ne nuk e kemi harruar, jo pse unë-ne e përjetuam tani, por ata u kujdesen që ne të mos e harronim kurr.

Korça ime, çdo gjë ndoshta edhe mund të kompenzohet, thuhet se edhe jeta rilind bashk me kohën, por NDERI që humbet kurr nuk të kthehet, nder me të tillët nuk ka.

Bota demokratike nuk pranon njerëz me bindje të tilla, së paku ju mos e bëni nga dëshira, sepse, mjaft jemi duke bërë në për paqen.

Vasfije Krasniqi. / KultPlus.com

Pamje të frikshme, Kalimashi kaplohet nga zjarri (FOTO)

Shqipëria tash e disa ditë është duke u përballur me vatra të shumta zjarri nga veriu e deri në jug.

Në disa pamje malet mbi tunelin e Kalimashit shihen se janë kapuar nga flakët, transmeton KultPlus.

Kujtojmë se për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në shuarjen e zjarreve nga Kosova janë nisur trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikës. / KultPlus.com

Kosova dërgon trupat e FSK-së në Shqipëri, Mehaj: Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e trupave të FSK-së për të ndihmuar në situatën me zjarret për shkak se ato nuk po arrin të mbahen nën kontroll.

Ndërkaq, pak minuta më parë, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj ka publikuar disa fotografi të FSK-së, ku ka njoftuar se tashmë veçs janë nisur trupat e FSK-së në mbështetje të Shqipërisë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Mehajt.

I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë.

Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë.

Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.

Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë.

Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona! / KultPlus.com

198 vjetori i vdekjes së atdhetarit të shquar, Marko Boçari

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ka përkujtuar sot 198 vjetorin e vdekjes së atdhetarit Marko Boçari.

“Heronjve u kujtohet ditëlindja si fillim i veprës së tyre dhe datëvdekja si fillimi i lavdisë së tyre. Por ca heronjve lavdia u fillon që në gjallje. Të tillë mund të quajmë edhe Marko Boçarin, i cili lindi në Sul të Çamërisë më 1788 dhe ra në betejë më 9 gusht 1823”, ka theksuar DPA.

“Ishte një nga djemtë e Kiço Boçarit, prijës i krahinës së Sulit. Bashkë me familjen dhe gjithë suljotët u largua 1803 drejt Korfuzit, nën presionin e Ali Pashë Tepelenës, që kërkonte të kontrollonte gjithë zonën rreth Janinës. Aty ai ishte pjesë aktive e Regjimentit Shqiptar (Regiment Albanais) të Ushtrisë Franceze. Marko Boçari u shqua, veçanërisht, për kurajën dhe fitoret në beteja të ndryshme, fillimisht duke luftuar krahas ushtrisë osmane kundër Ali Pashës më 1820”, shton DPA, transmeton KultPlus.

“Më pas, me premtimin se suljotëve do t’u riktheheshin trojet e tyre amtare, u hodh krah Aliut kundër osmanëve. Kulmin e aftësive të tij luftarake e tregoi me fillimin e kryengritjes greke kundër osmanëve, më 1821 e më pas, ku morën pjesë edhe mijra shqiptarë të tjerë nga të dyja anët e luftës. Ai luajti rol të rëndësishëm në rrethimin e parë të Mesolongjit, që ishte kthyer në simbol rezistence”, thekson DPA.

“Më 9 gusht 1823, Boçari në krye të 350 suljotëve u hodh në sulm kundër trupave osmane. Suljotët u shkaktuan dëme të mëdha trupave osmane, por Boçari ra në betejë. Për të nderuar kujtimin e tij, e varrosën në Mesolongj. Varri iu shkatërrua, pas rënies së Mesolongjit, nga trupat osmane që pushtuan qytetin”, nënvizon DPA.

“Marko Boçari ka një kontribut të veçantë edhe në fushën kulturore, duke na dhënë një prej teksteve më të vjetra në dialektin e shqiptarëve të Çamërisë, teksa sa ishte në Korfuz, hartoi dhe botoi fjalorin shqip-greqisht, ku shqipja i përkiste atij dialekti. Emri dhe imazhi i tij, që kishin marrë famë që në gjallje, vijuan udhën e legjendës edhe pas vdekjes”, thekson DPA.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një skicë të Marko Boçarit, nga Fototeka e AQSH, dhe një këngë folklorike mbledhur në Vuno të Himarës nga Kol Kamsi. / KultPlus.com

Viti 1923, kur në New York inçizohej ‘Muaj i majit’ (VIDEO)

Është një këngë e vjetër, me tekst e muzikë nga Mihal Grameno. Një prej këngëve më të bukura shqiptare, trashëguar ndër breza, “Muaji i majit”, për herë të parë u regjistrua para 96 vjetësh.

Ishte patrioti, artisti dhe muzikanti korçar, Spiridon Ilo, i cili regjistroi në disk këngën “Muaji i majit”, në kompaninë e tij “Albanian Phonograph Record”.

Spiridon Ilo ishte një prej firmëtarëve e aktit të pavarësisë, më 1912, po ashtu ndër patriotët që kanë kontribuar me të ardhura, për formimin e shtetit shqiptar.

Patriotizmi i tij, vjen i qashtër mes nesh, me regjistrimin e kësaj kënge, krijimi brilant i Mihal Gramenos. “Muaj i majit”, kjo serenatë kaq e njohur dhe e dashur, do të këndohet me krenari, brez pas brezi.

Këtë regjistrim e ka shpërndarë për publikun Niko Kotherja, drejtor pranë Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, i cili shkruan:

‘Para 96 vitesh, në kompaninë e tij “Albanian Phonograph Record”, patrioti, artisti dhe muzikanti korçar Spiridon Ilo regjistroi këtë disk me këngën “Muaj i majit”, një krijim brilant me tekst dhe muzike të Mihal Gramenos.

Një serenatë aq e njohur dhe e dashur, e kënduar në breza dhe dekada, përcillet këtu në regjistrimin e parë, i kryer në Nju Jork, në vitin e largët 1923.

Nuk kishte kitare korçare që të mos e njihte këtë serenate!..’ / KultPlus.com

‘Gra, nuk jeni një qendër rehabilitimi për burrat e rritur keq’

Aktorja Julia Fiona Roberts është një aktore dhe producente amerikane. Ajo u vendos si një zonjë kryesore në Hollywood pasi kryesoi filmin komed romantik Pretty Woman (1990), i cili fitoi 464 milion dollarë në të gjithë botën.

Ajo ka fituar tre Çmime Golden Globe, nga tetë nominime, dhe është nominuar për katër Çmime Oskar për aktrimin e saj të filmit, duke fituar Çmimin e Akademisë për Aktoren më të Mirë për interpretimin e saj në Erin Brockovich.

KultPlus sonte ju sjell një ndër shprehjet më të njohura të aktores amerikane.

Gra, nuk jeni një qendër rehabilitimi për burrat e rritur keq. S’është detyra juaj t’i ndreqni, t’i ndryshoni, t’u bëheni prindër apo t’i rrisni.  Ju kërkoni një partner, jo një projekt.KultPlus.com

‘Shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë’

Fragment nga ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.

Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikës së shqiptarit.

-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht që ka qef edhe ta përdorë. Po përse mund të përdoret më mirë pushka?
-Për të vrarë njerëz. -tha gjenerali.

-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë. Ata në luftë i shtynë instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre.

Në paqe ata trullosen si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe të bëjnë dëm më shumë seç duhet./ KultPlus.com

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem. The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

Nga Gjermania, Çekia e Maroku, Mali i Tomorit bëhet destinacioni i turistëve të aventurës

Parku Kombëtar Mali i Tomorit, 20-30 km në lindje të qytetit të Beratit, me një sipërfaqe rreth 4000 ha, mbetet ndër destinacionet më të frekuentuara nga vizitorë vendas dhe të huaj për kampingje, pelegrinazhe, tracking etj.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat bën të ditur se turistë të shumtë nga Çekia, Holanda, Kroacia Sllovakia, Gjermania deri edhe nga vendet e Lindjes së largët, kryesisht Japonia e zgjedhin Malin e Tomorit mes destinacioneve të tyre.

Së fundmi një grup motoristash nga Çekia vizituan Parkun Kombëtar Mali i Tomorit.

Bukuritë e rralla që ofron peizazhi, majat e larta, honet, lugina dhe gjelbërimi i pamasë që e bën Malin e Tomorit një nga destinacionet unike të turizmit malor, u vizitua dhe nga një çift marokenësh dhe turistë gjermanë.

Po gjatë këtyre ditëve të nxehta edhe një grup me turistë nga Danimarka, të shoqëruara nga operatorët turistikë lokale vizituan këtë park kombëtar me majën më të lartë 2416 metra.

Ndërkaq rruga drejt Malit të Tomorit po merr formë dita-ditës, për të shkurtuar kohën e lehtësuar udhëtimin e vizitorëve të panumërt të Majës së Shenjtë, por edhe për t’i hapur një perspektivë të re turizmit të kësaj zone. /atsh/ KultPlus.com

Rita Ora fotografohet nga Bryan Adams për kalendarin e famshëm ‘Pirelli’

Bryan Adams e ka fotografuar Rita Orën të zhveshur duke pozuar në një vaskë, në fotosesionin e krijuar për kalendarin e vitit 2022 të markës “Pirelli”.

Rok ylli kanadez i njohur edhe si fotograf, është angazhuar t’i fotografojë disa emra të njohur të showbizit, si Cher, Rita Ora, Grimes, Jennifer Hudson, Iggy Pop, Normani, Saweetie, Bohan Phoenix, Kali Uchis dhe St. Vincent, për edicionin e ardhshëm të kalendarit ikonik të titulluar, “On The Road”.

Dhe për ta zbuluar lajmin e realizimit të këtij fotosesioni dhe emrave të yjeve që do të jenë pjesë e kalendarit të ardhshëm, “Pirelli”, Adams e postoi një fotografi intime bardh e zi ku shihet këngëtarja 30-vjeçare, Rita Ora, e shtrirë në një vaskë hoteli, transmeton KultPlus.

Muzikanti 61-vjeçar, Bryan Adams, përmes një komunikate për media ka deklaruar: “Në rrugë është vendi ku i kam kaluar 45 vjetët e fundit, sepse jeta e një muzikanti përbëhet nga rrugët, udhëtimet, pritja nëpër hotele dhe orët e tëra në prapaskenë”.

Adams, fotografitë i ka realizuar për dy ditë në Los Angeles gjatë qershorit të këtij viti, dhe një ditë në Capri në muajin korrik.

Filiali në Britani të Madhe i markës italiane të gomave “Pirelli”, e themeloi kalendarin e famshëm në vitin 1964, me drejtorin artistik Derek Forsyth dhe fotografin britanik Robert Freeman, të cilin e kishin realizuar e edicionin e parë. Përgjatë vjetëve, yje të tillë si: Cindy Crawford, Miranda Kerr, Nicole Kidman, Hilary Swank dhe Uma Thurman, e kanë hijeshuar këtë kalendar.

Numri i ardhshëm me titull, “On The Road”, do të prezantohet në muajin nëntor dhe njëherësh e shënon rikthimin e kalendarit ikonik “Pirelli”, pasi publikimi i tij ishte pezulluar vitin e kaluar si pasojë e pandemisë COVID-19. / KultPlus.com

Odhise Paskali, skulptori i madh shqiptar i Monumentit të Skënderbeut

Ai lindi në Përmet, më 22 dhjetor 1903 dhe vdiq më 13 shtator 1985. Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927.

Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.

Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa frikë si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë.

Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20.

Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja.

Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë.

Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.

Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.

Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen.

Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash.

Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. 

Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Veprat artistike:

“I urituri”,
“KETI”,
“Malësori”,
“Lufëtari Kombëtar”, në Korçë
“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;
“Ushtari i panjohur”,
“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;
“Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë;
“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;
“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”
“Isa Boletini”
“Fan Noli”
“Onufri”
“Jeronim De Rada”, në Tiranë
“Pashko Vasa”
“Zef Skiroi”
“Çerçiz Topulli”
“Naim Frashëri”
“Vojo Kushi”
“Migjeni”
“Enver Hoxha”
“Idriz Seferi”
“Ahmet Zogu”, e shumë vepra të tjera. / KultPlus.com

Fillon ‘Logu i Bjeshkëve’, promovohet turizmi dhe trashëgimia kulturore

Pas një viti ndërprerje për shkak të masave kufizuese antiCOVID, Malësia e Madhe organizoi eventin e kthyer tashmë në traditë, “Logun e Bjeshkëve”.

Ky aktivitet artistik u mbajt në natyrën e mrekullueshme të Qafes së Predelecit, në praninë e mijëra spektatorëve të ardhur nga të gjitha anët e botës, nën tingujt e instrumenteve shekullore dhe me prezencen e vajzave të bukura të Malësisë së Madhe veshur me veshjen e hijshme dhe unike, xhubletën.

Në këtë aktivitet që kulmoi me përzgjedhjen e më të bukurës së bjeshkëve, ishin të pranishëm edhe kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, prefektja Majlinda Angoni, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër Hilmi Lakti.

Spektakli, ku marrin pjesë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Kelmendit, por edhe krejt Malësisë së Madhe.

Pas aktivitetit artistik, i gërshetuar me performancën e vajzave pjesëmarrëse në “Miss Bjeshka 2021”, juria shpalli edhe më të bukurën e malësisë. Ajo ishte Luljeta Dekaj nga Hoti.

Në vendin e tretë u shpall Martina Gocaj, Kristina Marvukaj dhe Estela Pllumaj ndërsa në vendin e dytë, Sindi Preldakaj dhe Benardeta Marinaj. /atsh/ KultPlus.com

Ermonela Jaho pjesë e filmit dokumentar ‘Zjarri i shenjtë’ (VIDEO)

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho, do të jetë pjesë e filmit të zhanrit dokumentar me titull “Zjarri i shenjtë”.

Ky realizim, i cili do të shfaqet në kinema në muajin tetor 2021, paraqet tre artiste të operës: Ermonela Jaho, Barbara Hanigan dhe Asmik Grigorian.

Dokumentari, eksploron si e kalojnë ato kohën para një nate hapjeje, si duken dhomat e tyre të zhveshjes dhe çfarë ndodh para një shfaqjeje, transmeton KultPlus.

“E përulur që të jem pjesë e filmit të fundit të Jan Schmidt-Garre, Fuoco Sacro, i cili del ne kinema këtë Tetor. Filmimi ishte një eksperiencë katarktike dhe besoj se e ruan atë fuqi edhe sot. Ja kalove vetes Jan, urime për këtë kryevepër të ndjerë”, – citon Jaho. / KultPlus.com

Darka te “Mrizi i Zanave” darkë që gatuhet nga 400 familje, Prenga: Arnuam traditën me modernen

Ardianë Pajaziti

Fshati Fishtë të ofron një pamje të rrafshët e me shumë gjelbërim, përderisa përshkon rrugën dhe të sjell magjinë e fshatrave të dikurshëm, si ato të përrallave.

Shtëpitë e vogla, rrethojat prej drurit, kafshë e shpezë të paktë nëpër oborret e shtëpive e plotësojnë panoramën e këtij fshati, përderisa je në kërkim të një mrekullie që ke lexuar shumë shpesh nëpër gazeta.  Me shumë kureshtje pret se kur do të puqesh me shtëpinë e të gjithë shqiptarëve “Mrizi i Zanave”.

Shenjëzimet në rrugë, sinjalizonin se jemi afër, përderisa në makinë futet era e plehrave të kafshëve, dhe ishte shenja e fundit se je mu në zemër të Mrizit.

Disa lopë, dele, patat e shumta, një qen, një mace po formonin erën e fshatit që po hapnin mushkëritë e topitura prej betoni, dhe krejt kjo pamje të bën  të hapësh mushkëritë, si me atë përshtypjen se je tu marr frymën e fundit.

Po kërkoja Altin Prengën. Një vajzë me një përparëse me moto “Think Globaly, Eat Locally”, më bën me gisht rreth Altinit.

Ai kishte marr pamjen e punëtorit më të shkallmuar prej krejt punëtorëve që ishin në turin e darkës, pasi që, një dyqan në hyrje të agroturizmit, një verandë e mbuluar me rrush, dy salla të ngrënies brenda restaurantit, një pjesë tjetër e shtrirë nën hijen e pemëve, bujtina që fshihet brenda Kullës së Arrnume, hektarët me vreshta, kantinat e verës, pjesa ku përgatiten djathërat, lëngu i shegës dhe shumë copëza të tjera që rrumbullakojnë “Mrizi i Zanave” marrin nga pak energji nga Prenga, që tashmë i ka vu vulën e një vendi të rrallë për turizmin shqiptar.

Afrohet i buzëqeshur me një gotë lëng shege, lëng mirëseardhje për klientët e këtij vendi, e që shijon shumë në atë buzëmbrëmje, që po fshihte rrezet e diellit ngadalë.

“Ushqimi më i mirë vjen nga katuni, nuk vjen ndryshe, vetëm katuni e bjen”, thotë Prenga, përderisa na sjell gotën e verës, që e kultivon me shumë dashuri, dhe për asnjë moment nuk i largon sytë, duke u siguruar se shija e verës njëmend është ajo që e ka ëndërruar. 

“Kur e kam hapë restaurantin tem, pronarët e restauranteve tjera krenoheshin që nuk kanë birrë e venë shqiptare. E unë e kam thy këtë tabu, kam marr modelin italian e spanjoll, model që e kam përkthy në shqip, kam bo bashqen, kam bo vneshtat e kam bo kantinën. Tash, shumë restaurante mundohen me u furnizu nga ne”, thotë Prenga, i cili shton se në kohën kur e ka hapë restaurantin, lakrori është blerë vetëm në burektore, e Prenga është ai që e ka futë në mes të restaurantit.

“Ne jemi të lumtur, jemi krenarë për atë çka jem, pa na ardhë marre se kush jemi, pa të ardhë marre se je rritë me lakror, dhe këtë lakror e kam futë në menu para dhjetë vjete, atëherë  nuk ishte normale që lakrori të ofrohej në restaurant”, thotë Prenga, i cili kujton vitet e 90-ta të Shqipërisë, atëherë kur kishte hyrë Coca Cola, Fanta e Jeans në Shqipëri, e pikërisht Prenga riktheu popullin në perimet, pemët, verën, djathin e shumë produkte tjera që i bëjnë katundarët e Fishtës e që rriten po në tokën e Fishtës, e edhe atë të Pukës. 

Përderisa bëjmë shëtitje në vreshtë, në kantinë e në çdo cep të Mrizit të Zanave, mysafirët e tjerë po shijonin darkat e tyre, që sipas Prengës, në ato tryeza, vetëm kripa e sheqeri janë produkte që blihen, por jo edhe ushqimet e tjera që përgatiten me shumë përkushtim nga shumë punëtorë të fshatit.

“Kemi rrjet të bashkëpunimit me 400 familje të katunit, ku mbjellim perime që nuk janë normale për zonën tonë, kemi shtrirje të rrjetit, varësisht prej produktit deri në zonën e Pukës, dhe mbjellin ato perime që na mungojnë”, tregon Prenga, që prej këtyre shtëpive merr qumësht e perime, që të ofrojë aromën e kuzhinës shqiptare.

Prenga tregon se ka vetëm gjashtë lopë, e ai ka nevojë për mbi një mijë litra qumësht në ditë, dhe sjellja e qumështit tek Mrizi i Zanave është një melodi në vete, sepse, Prenga rrëfen se shumë prej fshatarëve kur sjellin qumështin, kthehen tek dyqani i vogël në hyrje të restaurantit dhe blejnë djathin e preferuar, djathi që është përgatitë pikërisht nga qumështi i lopëve të atyre fshatarëve.

Duke parë hapësira të ngjashme në Spanjë, Francë e Itali, e ku në këtë të fundit edhe ka marrë përvojën e mjeshtrit të kuzhinës, Prengës i shkëlqejnë sytë kur tregon për fillet e kësaj ëndrre të madhe, se si e imagjinonte Fishtën e tij në një tempull të kuzhinës shqiptare, në një tempull ku mund të bënte djathin tradicional, lëngun e sezonës, mishin që merret po nga zona, dhe krejt ky mund i katundarëve, më në fund të shpërblehej. Prenga shpjegon poashtu se qysh herët ka luftuar që të kultivojë kulturën se, rakia, vera e djathi duhet të blihet në lagje, e jo produkte industriale.

Dhe “Mrizi i Zanave” është “Mrizi i Zanave”, pikërisht për këto veçanti, që të hash drekën ose darkën në këtë vend, e prek jetën dhe mundin e fshatarëve me dorë, dhe se për një mund të tillë duhet të prenotosh shumë më herët. Dhe në këtë fshat, tashmë kanë zbritur shumë amerikanë, rus, francezë e italianë, por edhe në këtë pikë, Prenga mbetet Prengë. “Në radhë të parë jam krenarë kur shoh katunarët e mi duke hangër drekë ose darkë, janë katunarët e zonës tem, prapa tyre vijnë amerikanët, italianët e francezët”, thot Prenga, i cili shpjegon se nëse nuk do të ngritej ky tempull, kjo zonë do të ishte drejt braktisjes. “Nga ana patriotike, mendoj se kem sjell optimizëm, katunarët e kësaj zonë, janë heronjtë e fundit të këtij vendi”, thotë Prenga.  

Dhe “Mrizi i Zanave”, nuk do të ishte ky që është, nëse nuk do të kishte traditën e familjes. I rritur në një familje të varfër, por ruajtëse të madhe të traditave, duke përfshirë edhe stërgjyshen e Prengës, si një ruajtëse e madhe e recetave shqiptare, pastaj babain e tij si kuzhinier në kohën e diktaturës, e që Prenga e mban mend edhe kohën se si futej në kuzhinën e babait dhe i jepte pilaf me kos.

38 vjeçari, që pikë të dobët ka kultivimin e verës, punë për të cilën u shpërblye edhe në nivel evropian, tregon se është i lumtur që i ka funksionuar mundi, dhe ishte i bindur me arrogancë se toka dhe dielli i Fishtës do ti sillte një shije të mirë verës që kultivohet tek “Mrizi i Zanave”, e që i ka vënë edhe emër shqip si: “kuVen”, “GeG” dhe “ara e Dardhës”.

Një fshatar që zgjohet me të gdhirë e që nuk e di asnjëherë se sa orë pune i bëhen brenda 24 orëve, tregon se krejt këto produkte kanë zinxhir familjen Prenga, që ndryshe, sipas tij, nuk do të bëheshin dot.

Dhe lidhja me tokën, diellin dhe rrënjët e Fishtës,  për Prengën do të thotë shumë. Ai aktin më patriotik e quan ngulitjen e thellë të rrënjëve me tokën.

Dhe krejt këtë kulturë, këtë traditë me e sjell në kohë pa komplekse. Dhe përderisa afroheshim te Kulla e Arrnume, që është edhe e tipit të bujtinës për turistë, duket se pikërisht aty është mrizi, mrizaja e Fishtës.

Përderisa e shikon atë kullë të arrnume, që kishte gurë kushedi sa e sa vjet, Prenga tregon se është kullë e të parëve, që në të vërtetë ishte shtëpi e barinjve.

“Është “Kulla e Arrnume” ku jam rritë, në këtë kullë kam jetu për 15 vjet, deri në kohën kur edhe kam ikë për Itali. Ishte shpi çobanësh, shpi e një familje që kanë majtë bagëti” rrëfen Prenga, që sikurse kullën e fëmijërisë, edhe ushqimin, duke e ndërlidhë mes periudhave të ndryshme, bëri magjinë që ti sjell në kohë. “Pa komplekse se kush jemi, e qepëm traditën, me e harrnu me modernen, dhe e sollëm në kohë”, thot Prenga, i cili duket se nuk ka të sosur me ëndrra, sepse ëndrra e radhës është që të bëjë bashkë traditën e kuzhinës nga të gjitha viset shqiptare, duke bërë një ekspeditë në zonat e thella. Tashmë dy receta të arbëreshëve të Italisë i ka në menu, atë të makaronave, e ne përpjekje që të gjej edhe receta të tjera që aroma u vjen shqip.

Prenga që është sa në kuzhinë e sa në vreshtë, sa në kantinë e sa te përpunimi i djathit, arnimin mes traditës dhe modernes e ka bërë edhe me rrjetet sociale. Faqen e “Mrizi i Zanave” thotë se menaxhon vet, sepse, sipas tij ai ka një filozofi edhe për këtë çështje. “Edhe mjeshtëri më i madh i rrjeteve sociale nuk do të mund ta bënte punën e tij, sepse, askush nuk beson në punën time sikurse që besoj unë”, thot Prenga, i cili krejt në fund na ofron drejt tavolinës ku edhe na ishte servuar darka.

Me aromë shege, me aromë vere, me aromë të perimeve, e nën tingujt e pianos, po shijonim darkën e 400 familjeve të Fishtës.

At Gjergj Fishta në heshtje është kumbarë i këtij tempulli, që ka marr emrin nga vepra e tij “Mrizi i Zanave”, që tashmë nuk është mrizajë vetëm për fshatarët, por mrizajë e shumë shqiptarëve, dhe jo vetëm shqiptarëve./ KultPlus.com

‘Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor’ vjen me ekspozitën ‘Publishing Against the Grain’

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Independent Curators International (ICI) kanë njoftuar se sot do të bëhet hapje e ekspozitës ”Publishing Against the Grain” në Klubin e Boksit, një ekspozitë kjo unike në ndërtim, që u ofron vizitorëve një mundësi të rrallë për t’u përfshirë në një larmi bisedash nga e gjithë bota, përcjell KultPlus.

”Në kontekstin e korporatizimit dhe komodifikimit të sotëm të institucioneve kulturore, dhe në shumë situata politike ku fjala e lirë bëhet gjithnjë e më e pasigurt, botimi i pavarur ka treguar gjallëri dhe rëndësi të jashtëzakonshme si një platformë për përhapjen e pozicioneve alternative, progresive dhe autonome. Kjo inkurajon pjesëmarrjen diskursive të publikut, hulumtimit vetë-reflektues dhe fton vizitorët të zbulojnë perspektiva të reja, ndërsa lidhin sfera të ndryshme dhe analoge të artit bashkëkohor”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Ekspozita nxjerr në pah gjendjen aktuale të botimit dhe kritikës së artit siç ekziston në revista të vogla, botime eksperimentale, faqe interneti dhe radio, si dhe forma të tjera inovative. Është organizuar rreth projekteve që lidhin çështjet teorike, shoqërore, politike dhe estetike me fokus në bashkësinë, pavarësisht nëse kuptohen në lidhje me një vend të caktuar, ose përcaktohen në aspektin identitar ose diasporik. Të përfshira në ekspozitë janë revista të shtypura si Makhzin (Liban) dhe Pisegrama (Brazil), së bashku me format më eksperimentale si Fjalori Kuratorial ndërveprues i tranzit (Hungari).

Një përzgjedhje e publikimeve kryesore u mor nga rrjeti ndërkombëtar i bashkëpunëtorëve të ICI. Këta kuratorë, artistë dhe studiues të përfshirë në botime të pavarura përfaqësohen në ekspozitë përmes projekteve të tyre dhe atyre të të tjerëve që kanë ndikuar në punën dhe shkollën e tyre të mendimit. Ekspozita në Klubin e Boksit do të vazhdojë të rritet dhe të grumbullohet ndërsa vazhdon të kërkojë dhe përfshijë botime të reja. Për më tepër, vizitorët do të inkurajohen të lexojnë dhe riprodhojnë pjesë të materialeve brenda hapësirës së galerisë, dhe t’i grumbullojnë ato për të prodhuar projektet e tyre ose t’i çojnë në shtëpi për angazhim të vazhdueshëm, duke lejuar që përmbajtja e ekspozitës të ekzistojë dhe të qarkullojë përtej mureve të galeria.

Publishing Against the Grain në Klubin e Boksit është një ekspozitë e organizuar dhe prodhuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Independent Curators International (ICI), New York.

Publishing Against the Grain ishte dikur një ekspozitë udhëtuese që ofronte një hapësirë për të lexuar, menduar dhe biseduar, ku ngadalësimi mund të bëhet një formë e rezistencës intelektuale. Publishing Against the Grain në ndërtim për Shkollën Verore si Shkolla 2021 dhe instalimi i përhershëm i bibliotekës në Klubin e Boksit në Prishtinë korrespondon me synimin e Stacion – Qendrës për Art Bashkëkohor Prishtinë për të krijuar një hapësirë kritike, të pavarur për lexim, mendim, analiza dhe duke eksperimentuar

Publishing Against the Grain është një ekspozitë e organizuar dhe prodhuar nga Independent Curators International (ICI), New York, dhe inicuar nga Alaina Claire Feldman, Becky Nahom dhe Sanna Almajedi. Ekspozita u bë e mundur me mbështetjen bujare nga Fondacioni Andy Warhol për Artet Pamore, Bordi i Besuar i ICI dhe Forumi Ndërkombëtar. Prezantimi në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është organizuar nga kuratorët Albert Heta dhe Vala Osmani dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Hapja zyrtare e ekspozitës do të bëhet në ora 20:00. / KultPlus.com

Besa Llugiqi mahniti publikun në amfiteatrin antik romak ‘Avgusta Trayana’ në Stara Zagora

Besa Llugiqi mahnit publikun në amfiteatrin madhështor antik romak “Avgusta Trayana” në Stara Zagora, transmeton KultPlus.

Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, ishte mysafire speciale, fundjavën që shkoi, në galan glamuroze të operas në amfiteatrik madhështor antik romak “Avgusta Trayana” në Stara Zagora të Bullgarisë.

E parapëlqyera e publikut të Stara Zagorës, sopranoja Llugiqi dhuroi një interpretim të mahnitshëm të arieve të shumta të kompozitorëve njohur botërorë, Niccolò Paganini, Franz Lehár.

Sopranoja Besa Llugiqi thotë për mediat kosovare: “Koncerti në amfiteatrin madhështor antik romak “Avgusta Trayana” në Stara Zagora ishte një përjetim i jashtëzakonshëm për mua. Interpretimin tim publiku e mirëpriti me duartrokitje frenetike. Ishte një gala mbresëlënëse mes kolegësh artistë, regjisorë e dirigjentë të nivelit të lartë”.

Koncerti me dirigjent Dimitar Kosev e regjisor Georgi Dinev është projektuar me një vizion elegant dhe si një prej galave të viteve të njëzeta të shekullit 20.

Përkrah Llugiqit ishte çifti tërheqës i solistëve hungarezë – Szilvi Szendy dhe Károly Peller.

Në program të galas së operas u shfaqen edhe arie të zgjedhura, duete dhe ansamble të operetave të kompozitorëve të njohur botërorë të tillë si Jacques Offenbach, Richard Georg Strauss, Rudolf Emil Kálmán, të interpretuara nga solistët Elena Petrova, Valeri Turmanov, Elena Mishinova, Boris Taskov, Yanitsa Nesheva, Emiliya Dzhurova, studentë nga Akademia Shtetërore e Muzikës “Prof. Pantcho Vladigerov”, orkestra dhe kori i Operës Shtetërore Stara Zagora. Publiku pati rastin të shijojë edhe solo dhe shfaqje mbresëlënëse të baletit të Operës së Stara Zagorës. Koreografe ishte Joana Stojanova. / KultPlus.com

Kosova e 42-ta në Olimpiadë, la prapa shtete të mëdha

Falë dy medaljeve të arta, vendi ynë la pas vetes shtete të fuqishme që i kishin nga mbi 100 sportistë në Tokio.

Kosova e mbylli të dielën eksperiencën e saj të mrekullueshme në “Tokyo 2020”. Sportisti i vetëm i mbetur në Japoni, Egzon Shala parakaloi në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Olimpike, shkruan Gazeta Express.

Vendi ynë u përfaqësua në Olimpiadë me 11 garues dhe u tregua jashtëzakonisht i suksesshëm. Kosova i fitoi dy medalje të arta falë xhudisteve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Falë dy medaljeve të arta, vendi ynë la pas vetes shtete të fuqishme që i kishin nga mbi 100 sportistë në Tokio

Kosova e mbylli të dielën eksperiencën e saj të mrekullueshme në “Tokyo 2020”. Sportisti i vetëm i mbetur në Japoni, Egzon Shala parakaloi në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Olimpike.

Vendi ynë u përfaqësua në Olimpiadë me 11 garues dhe u tregua jashtëzakonisht i suksesshëm. Kosova i fitoi dy medalje të arta falë xhudisteve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Gjithashtu, i pati edhe dy vende të shtata me xhudistin Akil Gjakova dhe mundësin Egzon Shala. Me këtë rast, Kosova e mbylli aventurën e saj në Tokio në vendin e 42-të në renditjen e shteteve me medalje olimpike.

Vendi ynë me këtë rast la pas vetes shtete të fuqishme që i kishim edhe mbi 100 sportistë në “Tokyo 2020”. Kjo ishte hera e dytë që Kosova merr pjesë në Olimpiadë, pas asaj të Rios në vitin 2016. Në Brazil medalje të artë kishte fituar Majlinda Kelmendi.

E tash, Kosova në llogarinë e saj i ka tri medalje të arta. Lojërat e ardhshme Olimpike do të mbahen në vitin 2024 në Paris të Francës. Edhe aty, “Dardanët” synojnë të shkëlqejnë dhe të fitojnë medalje./KultPlus.com