Në datat 8-10 Shtator 2021, ora 18:00, në Tepelenë, Dropull, Gjirokastër organizohen Karnavalet e Polifonisë.
Gjithçka e ka një zanafillë, fryma, krijimi i botës dhe banorët e parë të saj. Madje edhe vet kujtesa priret gjithmonë rreth fillesës, atëherë kur njeriu krijoi të parat fjalë. Të ikurit kanë lënë pas hijet, rrënojat dhe zërat e tyre shkrihen bashkë me erën që rreth kreshtat e maleve. Polifonia në vetvete, nuk evokon vetëm traditën por njëkohësisht është pikëtakimi i kohëve dhe i kulturave të ndryshme.
Me anë të Karvaneve të Polifonisë do të përshkohen viset dhe njerëzit, ngrehinat e vjetra dhe udhët e ndërtuara së fundmi për të bashkuar dhe harmonizuar vlerat humane.
Kjo veprimtari organizohet nga Prefektura e Qarkut të Gjirokastrës, në kuadër të projektit Polyphonia mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit Interreg – IPA – CBC Grece Albania, realizuar nga Qendra UET, Universiteti Evropian i Tiranës, Bashkia Gjirokastër, Bashkia Tepelenë, Bashkia Dropull, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë, Bashkimi Rajonal i Komunave të Epirit dhe Bashkia e Pogonit./ KultPlus.com
Një ndër vendet më të veçanta dhe më pak të paeksploruara në Shqipëri është padyshim Lumi i Gashit. I ndodhur në Qarkun e Kukësit, Tropojë, Lumi i Gashit ka një sipërfaqe prej 3000 ha.
Në këtë zonë ndërthuren mjaft bukur pamjet e mrekullueshme, të cilat të sinkronizuara në harmoni me njëra- tjetrën, krijojnë më pas panoramën që secili turist do të dëshironte të shikonte me ardhjen e tij në Shqipëri. Pamjet mbresëlënëse që ky vend ka në të gjithë gjatësinë e tij, shoqërohen nga një larmishmëri pemësh që të shtojnë edhe më shumë dëshirën për ta vizituar dhe parë më nga afër.
Rrjedha ujore që përshkron këtë vend, ka dhënë një kontribut të vyer në botën e gjallë, e cila ka lulëzuar dhe jetuar e qetë, e pashfrytëzuar nga dora e njeriut. Bukuritë e të quajturit Lumi i Gashit janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqenet akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët vetëm sa rrisin favoret atraktive të zonës. Për të vizituar rezervën natyrore ndiqet rruga automobilistike që fillimisht kalon nga Bajram Curri në fshatrat Qerem, Torkuz, Doberdol dhe pas 45 kilometrave përshkohet rrugë këmbësore që të afron tek Lumi i Gashit. Guidat lokale mund të sugjerojnë edhe një shteg tjetër për këmbësorë i cili duhet thënë se është më shumë impenjativ.
Më datën 7 korrik 2017 Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i mbledhur në Krakov – Poloni, miratoi zgjerimin e zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetra të Ahut me dy zona nga Shqipëria, lumin e Gashit (Tropojë) dhe Rrajca (Përrenjas) duke i përfshirë ato në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. /diasporashqiptarre/ KultPlus.com
Virusi i bëri të gjithë shqiptarët mjekë, tërmeti të gjithë inxhinierë, Interneti të gjithë dijetarë, Pluralizmi të gjithë llapaqenë, Liria të gjithë spiunë. Kapitalizmi të gjithë skllevër. / KultPlus.com
“Hamalli” është quajtur drama e cila është luajtur para më shumë se pesë dekadave në Teatrin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.
Regjinë e kësaj shfaqje e kishte punuar Adem Mikullovci, i cili është shfaqur edhe në rolin kryesor duke e luajtur rolin e Hamallit të rrejshëm kurse krah tij në rol kryesor kishte luajtur Nazmije Hoxhaj- Raifi. Aktorët e tjerë të shfaqjes ishin Ami Emra Emra, Dibran Tahiri, Ali Ahmeti, Sadedin Prekazi e shumë të tjerë.
KultPlus sot ju sjellë tri fotografi nga kjo shfaqje, e prezantuar në vitin 1964 për publikun e Mitrovicës.
Shfaqja ka trajtuar kohën e Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com
Në komunën arbëreshe San Paolo Albanese do të organizohet festivali tri ditor “Rrënjët e vjetra”. Ky event do të zhvillohet në datat 24, 25 dhe 26 shtator 2021.
Ky është i tretë vit radhazi që mbahet një festival i tillë, ku ndër të tjera të rinjve u ofrohen në tri ditë kurse për mësimin e zejeve tradicionale dhe për përdorimin e instrumente tradicionale muzikore, transmeton KultPlus.
Gjithashtu është parashikuar që për pjesëmarrësit të ofrohen edhe vizita me shoqërues në Muzeun e Kulturës Arbëreshe.
Në edicionin e parë dhe të dytë të këtij festivali, u vlerësua komunikimi që ky festival realizoi mes brezave, të cilët u lidhën nga interesat e përbashkëta mbi muzikën, teknikat e ndërtimit dhe përdorimin e instrumenteve të traditës popullore, ku patën rastin të diskutojnë dhe shkëmbejnë përvojat personale. / KultPlus.com
Një mural ikonik i realizuar në Kabul nga grupi i artistëve ArtLords pas marrëveshjes së Dohas është fshirë nga talebanët, njoftoi në Twitter një prej autorëve Omaid H. Sharifi, i cili ka lënë Afganistanin me familjen e tij këto ditët e fundit.
“Ata kanë filluar. Talebanët kanë filluar të pikturojnë mbi pikturat tona murale. Ata kanë filluar me atë murale historike që shënoi nënshkrimin e marrëveshjes së Dohas. Muralja e Baradar Khalilzad është zhdukur. Në vend të saj një shkrim bardh e zi që thotë “Mos i beso propagandës së armikut”, një citim nga Mullah Haibatullah”, shkroi artisti duke postuar një fotografi të veprës ashtu siç ishte pranë imazhit të murit pas kalimit të talebanëve, transmeton KultPlus.
Vepra, e cila u bë një nga imazhet simbolike të marrëveshjeve të shkurtit 2020, portretizoi të dërguarin special të Trump për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, duke i shtrirë dorën Mullah Abdul Ghani Baradar. / KultPlus.com
epa09041870 Afghan boys play in front of a wall painted with a photo of Zalmay Khalilzad, U.S. special envoy in Afghanistan (L), and Mullah Abdul Ghani Baradar, the leader of the Taliban delegation, on the first anniversary of the agreement between the United States and the Taliban, in Kabul, Afghanistan, 27 February 2021 (issued 28 February 2021). Afghanistan marks the first anniversary of the agreement between the United States and the Taliban that was signed in Doha on 29 February 2020 for bringing Peace to Afghanistan, the withdrawal of US troops and launching intra-Afghan negotiations. EPA/HEDAYATULLAH AMID
Një vendbanim antik në brigjet e Liqenit të Ohrit është mijëra vite më i vjetër nga sa mendohej më parë. Zbulimi është bërë nga një grup studiuesish zviceranë, të cilët kanë kryer datimin me radiokarbon të 800 shtyllave të drurit, të gjetura në fund të liqenit.
Ata kanë arritur të hedhin poshtë pretendimet e mëparshme se ky vendbanim datonte në datonte në 1.000 pes.
Vendbanimi që ndodhet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tashmë është provuar se ka qenë i banuar nga mesi i Mijëvjeçarit të 5-të deri në Epokën e Bronzit (Mijëvjeçari i 2-të).
Sipas Studiuesve nga Universiteti i Bernës, datimi u bë i mundur për shkak se druri ishte i privuar nga oksigjeni nën ujë, duke i rezistuar algave apo erozionit bakterial. Nivele të tilla të ruajtjes janë gjetur më parë vetëm në rajonet alpine.
Pranë drurëve që u morën për analizë, u gjetën edhe bimë të kultivuara.Në një njoftim për shtyp, Universiteti thotë se zbulimi është me rëndësi të veçantë pasi kjo zonë ka luajtur një rol kyç në përhapjen e bujqësisë. “Fermerët e parë në Europë jetuan këtu”, thonë studiuesit.
“Mbarështuesit e hershëm të bagëtisë dhe fermerët nga Anadolli arritën së pari në rajonin e Egjeut, veçanërisht në Greqinë veriore, dhe më pas në Evropën Qendrore përmes Italisë jugore dhe Ballkanit më shumë se 8,000 vjet më parë.”.
Studiuesit, të cilët e kryen kërkimin e tyre si pjesë e programit EXPLO të Këshillit Evropian të Kërkimit “Eksplorimi i dinamikës dhe shkaqeve të ndryshimit të përdorimit të tokës parahistorike në djepin e bujqësisë evropiane”, tani shpresojnë që zonës t’i jepet statusi i mbrojtjes kulturore. /shqiparja/ KultPlus.com
Task Forca Federale e Koronavirusit, në raportin e saj më të ri supozon se çdo pacient i tretë i kujdesit intensiv është infektuar me korona gjatë pushimeve në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut. Kjo nxit urrejtje, paralajmërojnë ekspertët, shkruan nau.ch, transmeton KultPlus.
Dina Wyler, drejtoreshë e Fondacionit kundër Racizmit dhe Antisemitizmit, shikon në mënyrë kritike zhvillimet e tilla në popullatë. Nuk është ndonjë gjë e re që në kohë krize të kërkohen “fajtorë kujdestarë”, thotë Wyler.
“Pandemia e koronës shqetëson shumë njerëz. Por urrejtja, ksenofobia dhe racizmi nuk mund të justifikohen asnjëherë”, shton ajo.
Faji u ngarkohet pakicave
“Secilën herë, pakicat janë ato që fajësohen për krizën dhe fyhen”, thotë ajo për Nau.ch. Dhe një gjë e tillë nuk prek vetëm kosovarët. Në mesin e të fajësuarve ishin shpesh hebrenjtë, të huajt në përgjithësi ose njerëzit me prejardhje migrimi.
Ndërsa Lars Haefner nga Shoqëria Zvicër -Shqipëri bën po ashtu një paralajmërim: “Nuk ndihmon asgjë duke ua ngarkuar fajin qtyre që udhëtojnë – askush nuk sëmuret me qëllim”, thotë Haefner.
Në vend të kësaj, do të kishte qenë më mirë që autoritetet në të dy vendet të reagonin me kohë ndaj kërcënimit që shihej se po afrohej, përcjell albinfo.ch. Në Kosovë, masat e reja janë vonuar shumë. Haefner mendon se për këtë arsye Zvicra duhej t`i paralajmëronte më qartë për rrezikun ata që udhëtonin.
“Fajtori kujdestar” për koronavirusin
Karantinimi i hershëm për të kthyerit e pavaksinuar mund të frenonte përhapjen e koronës, shton Presidenti i Shoqërisë Zvicër-Shqipëri. /albinfo/ KultPlus.com
Nora Tschanz, Gruppenleiterin Pflege betreut, einen Covid Patienten in der Isolationsstation des Universitaetsspital USZ, fotografiert am 19. November 2020 in Zuerich. (KEYSTONE/Christian Beutler)
Koalicioni i Organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, edhe një herë ka kritikuar qasjen e subjekteve politike për promovimin e demokracisë dhe barazisë gjinore.
Sipas të dhënave nga DnV-ja, nga 167 kandidatë për kryetar komunash, vetëm 13 prej tyre janë gra apo më pak se 8 për qind. Ndërsa, nga gjithsej 270 bartës të listave të subjekteve politike, grave u është besuar kjo pozitë në vetëm në 34 raste, transmeton KultPlus.
Përfshirja e grave nuk është mirë as në listat zgjedhore, sipas modelit ‘zebër’ – ku çdo i dyti kandidat i përket gjinisë tjetër, subjektet politike edhe në këto zgjedhje janë mjaftuar me respektimin e kriterit pothuajse minimal ligjor prej 30%. Nga 5,239 kandidatë të certifikuar për kuvendet komunale, vetëm 1,943 prej tyre janë gra, apo vetëm rreth 37%, sipas DnV.
“Demokracia në Veprim u rikujton subjekteve politike se gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit, andaj anashkalimi i tyre nuk i shërben demokratizimit të partive e as barazisë gjinore dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të dy gjinitë”, thuhet në reagimin e tyre. / KultPlus.com
Vaftë në djall konformizmi: nuk dua të jem thjesht kujtim.
Dua të jem një dashuri e pamundur, të bëhem dhembja jote e pakëmbyer, të jem muza jote më ligë, të shndërrohem në emrin që ti skalit në çdo shtrat ku prehesh, në secilin krevat që nuk është i imi syresh, të jem ajo që ti mallkon gjatë netëve pa gjumë, ajo që ti ke për të dashuruar me ndjenjën e tërbuar, që ngjall veç urrejtja e ndërsyer.
Nuk dua të më thuash që ti vdes për mua, dua të të gjallëroj me dashurinë time, sidomos kur të përlotesh, atëherë kur më tepër ti ripërtërihesh.
Nuk dua që bota jote të përmbyset, sa herë unë të largohem, dua që atëherë kur të ta kem kthyer shpinën, kjo gjë të ketë veç domethënien e lirisë për instinktet e tua më parësorë.
Nuk dua të të çliroj nga vuajtjet duke të dënuar, dua thjesht të jem e vetmja nga e cila të varet trishtimi yt, ngase kjo do të ishte mënyra më egoiste dhe e guximshme për t’u kujdesur për ty.
Nuk dua të të lëndoj, dua thjesht ta mbush trupin tënd me plagë, që pastaj të t’i lëpij, dhe mos të shërohesh, që mos të të harroj.
Nuk dua të lë gjurmë në jetën tënde, dua thjesht të bëhem shtegu yt, dua që të përhumbesh, të dalësh, të ngresh krye, të shkosh kundër rrymës, asnjëherë mos të më zgjedhësh, që gjithmonë të kthehesh në gjirin tim për ta gjetur sërish vetveten.
Nuk dua të të premtoj asgjë, dua veç të të jap gjithçka pa kompromise, as marrëveshje, të ofroj në pëllëmbën e dorës tënde çdo dëshirë që shqiptohet nga goja jote pa asnjë ngurrim, të jem menjëherë e tashmja jote.
Nuk dua që ta ndiesh mungesën time, dua që të mendosh aq shumë për mua, saqë mos ta dish çfarë është mungesa ime.
Nuk dua të jem e jotja, as që të jesh ti e imja, dua thjesht që ndonëse mund të jemi me këdo tjetër të na duket më e lehtë të jemi së bashku.
Nuk dua të të shpëtoj nga acari, dua thjesht të të jap motivet e duhura që kur të kesh ftohtë, të shohësh vegimin e fytyrës time dhe lëkura të të harliset.
Nuk dua që çdo natë të jetë si mbrëmje dite të premte, dua që gjithë javën tënde ta bëj si të dielat, e të mendosh se çdo ditë është një kremte, ndërsa të gjitha të kushtohen veç ty.
Nuk dua të nevojitet të qëndroj pranë teje, që mos të përmallohesh për mua, dua që kur të pandehësh se nuk ke asgjë dhe ta kesh lëshuar veten, të ndiesh duart e mia në shpinën tënde, që të mbajnë larg humenerës, dhe të rrish mbi këmbët e mia, teksa vallëzojmë në majë të gishtave në varreza duke përqeshur vdekjen.
Nuk dua të kesh nevojë për mua, dua të kesh besim tek unë pafundësisht gjersa bota e përtejshme të bashkojë strehat tona.
Nuk dua të të bëj të lumtur, dua të t’i fal lotët e mi sa herë të qash me dënesë dhe të përlotemi bashkërisht, dua të të dhuroj një pasqyrë kur të duash një arsye për të buzëqeshur, të paraprij shpërthimet e gajasjeve të tua kur të qeshurat ta pushtojnë kraharorin, dhe ta pushtoj unë kraharorin tënd kur dhembja të brengosë sytë e tu.
Nuk dua që mos të më frikësohesh, dua t’i dashuroj edhe përbindëshat e tu, që asnjëri prej tyre mos të ketë emrin tim.
Nuk dua të ëndërrosh për mua, dua thjesht të më frysh si qiririt dhe të jem dëshirë e përmbushur për ty. S’dua që me ty të bëj dashuri, dua të të zhvesh nga dashuria e munguar.
Nuk dua të jem thjesht kujtim, e dashura ime, dua që kur të më vështrosh ta kesh parë edhe të ardhmen tënde. / KultPlus.com
Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare.
Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.
Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqipe.
Sonte KultPlus ju sjell “Kjo dashnia kjoft mallku”, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Kjo dashnia kjoft mallkue Qi s’po m’len me ndej rehat. Ty moj lule pa t’i shkrue, S’paku dy tri fjalë. Ty moj lule pa t’i shkrue, S’paku dy tri fjalë.
Oh, malli yt s’më len derman, aman! Oh, malli yt s’më len derman, aman!
Të kisha krah un’ i mjeri Të vijsha në prehnin tand! Të kisha krah un’ i mjeri Të vijsha në prehnin tand!
Ty moj lule njiherë t’zgjodha E në zemër të mbaj ndry’. Ndonse larg prej teje ndodha Mendjen e kam n’ty! Ndonse larg prej teje ndodha Mendjen e kam n’ty!
Oh t’shkretën zemër Ç’ma ke therrë, aman! Oh t’shkretën zemër Ç’ma ke therrë, aman!
Drue po vdes i mjeri, Pa të marr un’ erë! Drue po vdes i mjeri, Pa të marr un’ erë!
Sytë prej lot’ve rrinë pa u terun Loti i jem’ n’ty pikoftë! Çka t’i tham kësaj zemre t’therrun Kurr hallall mos t’kjoftë!
Oh n’andërr m’vjen E më trazon, aman! Oh n’andërr m’vjen E më trazon, aman! Zemrën teme të ngratën N’vaj përher m’a çon! Zemrën teme të ngratën N’vaj përher m’a çon!/ KultPlus.com
Gara e dytë e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (Balkan Composers Competition in Prishtina) do të mbahet prej 6 deri më 10 shtator 2021, transmeton KultPlus.
E themeluar më 2018 si platformë për promovimin e muzikës së kompozitorëve të Ballkanit, BCCP vjen si rezultat i bashkëpunimit të DAM Fest (Kosovë) dhe kolektivit “Oerknal” (Holandë). Ndryshe prej paralajmërimit, gara bienale, nga formati hibrid do të mbahet tërësisht në formatin “online” dhe pas modifikimeve të fundit jemi të lumtur ta prezantojmë programin e edicionit të dytë. Përveç garës e cila nga 6 finalistë do të nxjerrë fituesin e çmimit kryesor “Rrëqebulli i Argjendtë”, BCCP ka edhe programin artistik i cili këtë vit sjell katër koncerte, radio-performancë / DJ set dhe DAMcademy (Shkolla për Muzikën e Re).
Seria e ngjarjeve “online” do të nis me transmetimin e koncertit të flautistes Susanne Peters, respektivisht finalen e garës ku do të interpretohet 6 vepra të 6 kompozitorëve finalistë, garues për çmimin “Rrëqebulli i Argjendtë”. Sivjet gara ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia.
Finalistët e edicionit të dytë janë: Arda Bayram (Turqi), Bardh Dubovci (Kosovë), David Mastikosa (Bosnjë-Hercegovinë), Deniz Aslan (Turqi), Petra Strahovnik (Slloveni) dhe Tomislav Oliver (Kroaci). Fituesi i garës do të bëhet i ditur më 10 shtator 2021. Po ashtu jemi jashtëzakonisht të lumtur që garës i janë bashkuar tre emra eminentë të muzikës bashkëkohore: kompozitori holandez Klaas de Vries (Kryetar i jurisë), flautistja amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitori iranian Ashkan Behzadi i cili jeton e vepron në Kanada. Përveç çmimit kryesor, “Rrëqebulli i Argjendtë”, i cili shpërblehet me 500 euro dhe një vepër të re të komisionuar për DAM Fest 2023, do të ndahet edhe çmimi i publikut i cili përcaktohet me votën “online” dhe i cili përfshin vepër të komisionuar për programin e BCCP 2023 (Gara e 3-të e Kompozitorëve të Ballkanit). Për të votuar për konkurrentin e preferuar, publiku duhet të votojë në e-mailin [email protected] me emrin e konkurrentit të preferuar.
Gara e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP), është konkurs / rezidencë për kompozitorë. Është themeluar në vitin 2018 nga Dardan Selimaj – themelues dhe drejtor artistik i Festivalit DAM – dhe Rreze Kryeziu-Breznica – drejtoreshë e përgjithshme e Festivalit DAM – me qëllim të krijimit të një programi për kompozitorë nga vendet e Ballkanit të cilët mund të punojnë me instrumentistë e ansambël të klasit botëror për muzikë bashkëkohore. Udhëhequr nga dirigjenti amerikan dhe kompozitori Gregory Charette, ky program u mundëson kompozitorëve të zgjedhur që të punojnë drejtpërdrejt me anëtarët e ansamblit “Oerknal”.
Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë është mbështetur nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Fondi Holandez i Arteve Performuese dhe KOHA ndërsa është përkrahur edhe nga partnerët e garës: Fakulteti i Arteve – Departamenti i Artit Muzikor (Universiteti i Prishtinës), “Paper Gallery”, “Paper Radio”, “Lumbardhi” dhe “Kino Armata”. / KultPlus.com
Një drejtor shkolle në Singapor ua dërgoi këtë letër prindërve para fillimit të provimeve të fëmijëve të tyre.
Të dashur prindër
Provimet e fëmijëve tuaj do të fillojnë së shpejti. E di që të gjithë jeni vërtet në ankth që fëmijët tuaj të dalin sa më mire në provime.
Por, ju lutem mbani mend, që në mesin e nxënësve që do të ulen për provime ka një artist, i cili nuk ka nevojë ta kuptojë Matematikën. Ka një sipërmarrës, të cilit nuk i intereson Historia e letërsisë Angleze. Ka një shkrimtar, për të cilin shënimet në Kimi nuk do të kenë rëndësi. Ka një atlet, aftësia fizike e të cilit është më e rëndësishme sesa vet Fizika. Nëse fëmija juaj merr pikë të larta, do të ishte e mrekullueshme! Por nëse ai ose ajo nuk e bën këtë, ju lutemi mos e hiqni besimin dhe dinjitetin prej tyre.
Thuaju se është në rregull, është vetëm një provim! Ata janë të prerë për gjëra shumë më të mëdha në jetë. Thuaju atyre, pavarësisht se çfarë rezultati arrijnë, se ju i doni ata dhe nuk do t’i gjykoni.
Ju lutemi bëni këtë, dhe kur ta bëni, do ti shihni vërtet aftësitë e fëmijëve tuaj. Një provim ose një pikë e ulët nuk do të heq ëndrrat dhe talentin e tyre. Dhe ju lutem, mos mendoni se mjekët dhe inxhinierët janë të vetmit njerëz të lumtur në botë.
Me përshendetje të ngrohta. /fotografitëqëkanëbërëhistorinë/ KultPlus.com
Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka njoftuar për bisedën telefonike që ka pasur dje me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, transmeton KultPlus.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Harris ka thënë se me Osmanin janë pajtuar që të vazhdojnë forcimin e raportit të rëndësishëm SHBA-Kosovë.
“Ishte kënaqësi të flisja me Presidenten Vjosa Osmani dje për t’ia shprehur falënderimet e kombit tonë Kosovës për strehimin e afganëve të ndjeshëm në Kampin Bonsteel. U pajtuam që ta vazhdojmë fuqizimin e raportit të rëndësishëm ShBA – Kosovë”, ka shkruar Harris.
Te rrosh është dhimbje, Është dhimbje vërtet! Ngrysesh, gdhihesh i zgjuar a në ëndërr, S’e di se c’të ndodbë, a c’të prêt. Dhimbje të ecësh i vetëm në rrugë, Këpucët e tua të ndjesh, Dhimbje të hash pak supë e pak bukë, Te presësh me dhëmbë një presh. Dhimbje të ndjesh një sharje pas shpine Nga një udhëtar qe s’e njeh, Dhimbje kur miqtë s’ta shkelin shtëpinë Dhe s’duan të dinë si je./KultPlus.com
Honore de Balzac u lind në Turs (Francë) më 20 maj 1799. Balzacu është një nga themeluesit e realizmit në letërsinë evropiane.
Ka qenë gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie, së cilës ai përfundon duke iu imponuar. Për bashkëkohësit ishte thuajse një mit: burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë, ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.
Kryevepra e tij është Komedia Hyjnore, që përshkruan jetën e shoqërisë franceze pas rënies së Napoleonit. Kjo vepër përbëhet nga 90 romane dhe novela dhe përfshinte më shumë se 2000 karaktere, personazhe nga të gjitha klasat dhe profesionet. Romanet kryesore të tij janë: “Luis Lambert”, “Evgjeni Grande”, “Në kërkim të absolutes”, “Xha Gorio”, “Iluzionet e Humbura”, “Kushërira Betë” dhe “Kushëriri Pons”.
Më poshtë kemi përmbledhur disa nga thëniet e tij më të mençura:
“Femrat, kur nuk dashurojnë, e kanë gjakun e ftohtë si atë të një avokati të vjetër.”
“Shpirtrat e mëdhenj mezi besojnë se ka në botë ligësi dhe mosmirënjohje.”
“I pasur bëhesh, elegant lind.”
“Zgjuarsia është leva me të cilën mund të lëvizësh lëmshin e tokës.”
“Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh?”
“Kush di të lajkatojë, di edhe të shpifë.”
“Zakonet që ka njeriu në rini, shfaqen me më shumë forcë në pleqëri.”
“Vullneti i dashnorëve mposht çdo pengesë.”
“Veshja është të shprehurit e shoqërisë.”
“Zemra juaj është një thesar, por po e shpenzuat në një herë të vetme, morët fund.”
“Njerëzit shpirtmëdhenj janë zakonisht tregtarë të pazot.”
“Shpotia vyshk zemrën dhe tret çdo ndjenjë.”
“Mospërfillja është si i ftohti i poleve; ngrin gjithçka.”
“Të pakuptueshmit ndahen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.”
“Njeriu superior nuk ndjek hapat e askujt.”
“Çelësi i të gjitha shkencave është pyetja.”
“Zemra e një nëne është një abis në fundin e të cilit gjendet gjithmonë një falje.”
“Policia trillon më shumë nga ç’zbulon.”
Qeveria që kupton interesat e të gjithëve është gjë e zakonshme. Qeveria që i parashikon është qeveri e madhe.
Besoni çdo gjë që dëgjoni mbi botën, asgjë s’është aq e keqe sa për të qenë e pamundur.
“Secila orë e humbur gjatë rinisë është një rrezik palumturie për të ardhmen.”
“Opinioni publik është më e llastuara e prostitutave.”
“Sovrani duhet t’i falë gabimet, jo t’i harrojë.”
“Vetëm dashuria e fundit e një femre mund të kënaqë dashurinë e parë të një mashkulli.”
“Të varfrit apo të pasurit, kurrë nuk kanë para për nevojat e jetës, por për kapriçot e tyre i gjejnë përherë.”
“Një natë dashurie është një libër i palexuar.”
“Koha është tërë kapitali i njerëzve që s’kanë tjetër pasuri përveç mençurisë së tyre.”
“Femrat do të ishin për t’u qarë hallin, po të dilnin fajtore për çdo dëshirë që na ngjallin.”
“Privilegji i të qëndruarit, kudo, si në shtëpi të vet, u përket vetëm mbretërve, kurvave dhe hajdutëve.”
“Gjeniu u ngjason të gjithëve, kurse atij askush.”
“Popullit i duhen dhënë festa të zhurmshme. Budallenjtë i duan festat e zhurmshme dhe turmat përbëhen nga budallenjtë.”
“Fama është helm që duhet marrë me doza të vogla.”
“Nëse drita është dashuria e parë e jetës, a nuk është dashuria drita e zemrës?”
“Koprracia fillon aty ku varfëria mbaron.”
“Ka një jetë të tërë në një orë dashurie.”
“Dashuria është poezia e shqisave.”
“Burokracia është një mekanizëm gjigant i vënë në lëvizje nga pigmei.”
“Nuk është skandaloze që disa bankier kanë përfunduar në burg, skandaloze është se gjithë të tjerët janë të lirë.”
“Një bashkëshorte është një skllav që duhet ditur si të vihet në fron.”
“Një shoqëri ateistësh do të shpiknin menjëherë një fe”.
Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare, mjeshtri i madh i humorit shkodran, Paulin Preka. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar pasditen e sotme në Itali, ku edhe jetonte prej disa vitesh me familjen.
Aktori i njohur, emrin e tij të vërtetë e ka Palok Prek Gjergji, por Paulin Preka nisi që të thirrej nga shoqëria, duke u bërë kështu identiteti i tij i parë, me të cilin u njoh nga të gjithë shqiptarët.
Aktori i njohur i humorit shënon me dhjetra role në estradën e Shkodrës, por rolin më të spikatur ka atë të brigadierit në filmin “Çifti i lumtur”, ku luan krah Bep Shirokës dhe Tinka Kurtit. Preka është nderuar me titullin “Artist i merituar”. Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta.
Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”./KultPlus.com
Sot ka ndërruar jetë dirigjenti dhe kompozitori kosovar,Riza Dolaku, shkruan KultPlus.
Ai nuk mundi t’i mbijetonte sëmundjës së rëndë në mushkëri.
Ai ishte pjesë e shumë festivaleve duke përfshirë këtu “Akordet e Kosovës”, “Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjerë, ndërsa mbetet ndër orkestruesit e parë të muzikës jazz në Kosovë.
Për vdekjen e kompozitorit Dolaku ka reaguar edhe Ministria e Kulturës.
“Humbje e madhe për artin dhe kulturën. Komuniteti artistik dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e përkujton figurën e tij dhe e çmon lartë kontributin që ka dhënë shoqërinë tonë.” – shkruhet në telegram ngushëllimin e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com
Drejtoria e Arkivave përkujtoi sot në ditën e lindjes klerikun Vinçens Prennushi.
Më 4 shtator 1885, në Shkodër ka lindur Vinçens Prennushi. Eseist, publicist, poet, folklorist, përkthyes, klerik dhe shenjtor shqiptar.
I pagëzuar me emrin Kolë, Vinçensi mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në seminarin e Troshanit, ku iu kushtua Urdhrit Françeskan (OFM). Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë.
Më 14 mars 1914, ai mbajti fjalimin me rastin e ngritjes së flamurit kombëtar në kalanë e Rozafatit. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare” në Shkodër. Ishte drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”.
Botoi disa vepra, ndër të cilat “Fjala e Zotit”, “Grueja shqyptare”, dramën “E tradhtuemja”, përmbledhjen poetike “Gjeth’ e Lule”, broshurën “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, në të cilën jep mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Gjithashtu edhe ka përkthyer, ndër të cilat, “Fabiola” apo “Kisha nën dhè e mbi dhè” e Kardinalit Visseman; disa vepra të Dantes; romanin “Quo Vadis” të E.Sienkievicz-it dhe romanin e Silvio Pelicos “Burgjet e mia”.
Më 19 mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi ipeshkëv të Sapës, detyrë që e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua Arqipeshkëv Metropolitan i Dioqezës së Durrësit. Pas arrestimit të Don Mikel Koliqit, Imzot Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.
Ai ka deklaruar se lufta e tij ishte kundër komunistëve dhe se shpresonin që kur të formohej pushteti, me zbarkimin e amerikanëve, Partia Komuniste të mos ekzistonte.
U arrestua më 19 maj 1947, ndërsa vdiq më 19 mars 1949 në burgun e Durrësit. Më 8 maj 1993 u shpall “Martir i Demokracisë”.
Më 26 prill 2016 Papa Françesku lëshoi dekretin e martirizimit. Lumnimi dhe shenjtërimi i tij u bë më 5 nëntor 2016 në Shkodër.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi me këtë rast një fotografi të një grupi klerikësh françeskanë ku mes tyre Vinçens Prennushi, Anton Harapi, P. Bardhi, P. Marini, etj./KultPlus.com
Ed Sheeran ka mbajtur një koncert në falas për të githë fansat e tij për arsye se festoi 10 vjetorin e albumit të tij debutues.
Artisti dhe gruaja e tij, Cherry Seaborn u panë teksa po dilnin nga ‘O2 Shepherd’s Bush Empire” në Londër, shkruan daily mail.
Muajin e kaluar, Ed ka njoftuar albumin e tij të ardhshëm, i cili shqiptohet (=) i barabartë dhe do të publikohet më 29 tetor.
Kantautori gjithashtu ka bërë të ditur se albumi i ti do të përmbaj 14 këngë, ku përfshihet edhe kënga, Visiting Hours.
Krijuesi i hitit ”Thinking Out Loud” theksoi se albumi është “vërtet personal” dhe konfirmoi se ai e sheh pjesën si “rekordi i tij në moshë madhore”, pasi u bë baba dhe u martua që kur lëshoi albumin e tij të fundit.
Ed ka treguar se jeta e tij ka ndryshuar aq shumë vitet e fundit pas martesës e sidomos pas lindjes së vajzës së tij, Lyra Antarktida.
”Unë e shoh atë si rekordin tim të ardhjes në moshë dhe mezi pres të ndaj këtë kapitull tjetër me ju”, ka thënë Ed./KultPlus.com
Filmi artistik “I treturi” me skenar dhe regji të Arben Thaçit, do të tregohet në programin zyrtar të TIFF – Tiranë në kategorinë e filmave shqiptarë ku do të garojë edhe me 11 filma tjerë shqiptarë. Festivali filmik ndërkombëtar në Tiranë këtë vit do të mbahet nga data 24 deri më 30 shtator.
TIFF-Tiranë është festivali i parë shqiptar që e fitoi shenjën e kualifikimit OSCAR në kategorinë e filmave të shkurtër. Gjithashtu në kategorinë e konkurencës në kategorinë e filmave të shkurtër ëshrë filmi i shkurtër i Marija Apçevska “Poli verior” i cili këtë vit ishte në Festivalin e Kanës, ndërsa në programin kryesor ndërmjet shtatë filmave do të luajnë edhe dy filma artistik nga Kosova “Zgjoi” nga Blerta Basholli dhe “Në kërkim të Venerës” nga Norik Sefa.
Filmi “I treturi” e kishte premierën në kinemanë Sinepleks në Shkup në qershor të këtij viti, më 26 gusht ishte luajtur në kategorinë “projeksioni special” në Prifilm Fest në Prishtinë, ndërsa më 28 gusht e bëri hapjen solemne të festivalit TIFF ODA në Tetovë./KultPlus.com
Në vitin 1848 De Rada boton gazetën “L’Albanesi d’Italia”, e cila konsiderohet e para gazetë shqiptare,… Vepra e tij e parë, që i dha famë është poema liriko-epike “Këngët e Milosaos” (1836),… Vepra e dytë e De Radës është Kënga e Serafina Thopisë, princesës së Zadrimës në gjysmën e dytë të shekullit 15,… Në gjuhën italiane ka botuar tragjedinë “Humidi”,… Në vitin 1883 De Rada botoi në shqip revistën “Flamuri i Arbërit”,… Me rëndësi të madhe është edhe vepra e De Radës “Skënderbeu i pafat”,… De Rada ndërtoi të parën gramatikë të gjuhës shqipe dhe u përpoq për të futur në përdorim alfabetin pellazgo/etrusk në gjuhën shqipe, e cila në atë kohë shkruhej me shkronjat te ndryshme arabe etj….
De Rada gjatë gjithë jetës së tij ka punuar nën botëkuptimin e tij të thellë për lidhjen e shqiptarëve me pellazgët, popullin më të vjetër të identifikuar në Europë… De Rada ka mbrojtur me prova të plota faktin, se gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e lashtë pellazge dhe shqiptarët janë pasardhës të tyre… De Rada që në rininë e tij ka pasur miqësi dhe marrëdhënie mjaft të ngushta me dijetarin tjetër të madh arbëresh Zef Krispin… Nga idetë revolucionare të Krispit mbi prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe, i riu De Rada u përfshi shpejt dhe u bë një përkrahës i zjarrtë mbi lashtësinë pellazge të gjuhës shqipe… De Rada në vitin 1840 botoi të parën vepër të tij mbi këtë problem të madh gjuhësor dhe historik nën emërtimin “Divinazioni Pelasghe” (Hyjnitë Pellazge)… Më 1844 De Rada botoi veprën tjetër të tij në këtë fushë “Identita degli Albanesi con i Pelasghi” (Identiteti i shqiptarëve me pellazgët)… Në vitin 1864 De Rada e zgjeroi më tej këtë tematikë me njohuri më të thella në librin mm“Antichita della Nazione Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar)… Një studim mjaft i rëndësishëm i De Radës është edhe studimi “Pelasghi ed Elleni” (Pellazgët dhe helenët), që doli në vitin 1885… De Rada është studiuesi i parë, që ka mbështetur mendimin se të gjitha perënditë e lashta kanë prejardhje pellazge… Megjithë se pellazgët kanë qenë aspekt mjaft i rëndësishëm i veprimtarisë së De Radës, me të cilët ai ka lidhur shqiptarët dhe gjuhën shqipe, nga studiuesit e ndryshëm, që merren me veprimtarinë e këtij njeriu të madh, qëllimisht ose nga padija, ky aspekt mjaft i rëndësishëm është lënë në harresë…. Në mënyrë anti shkencore është hequr nga jetëshkrimi i dijetarit të madh arbëresh, e gjithë veprimtaria shkencore, ku De Rada bën fjalë mbi pellazgët, gjuhën dhe hyjnitë e tyre dhe i lidh ata me gjuhën shqipe dhe shqiptarët me pellazgët….
Viti 2014 është dyqind vjetori i lindjes së Jeronin De Radës, njeri nga studiuesit më të mëdhenj të kulturës sonë të shekullit 19. De Rada paraqitet si mësues, poet, publicist e studiues i famshëm arbëresh dhe njëra prej figurave më të shquara të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare. De Rada në të gjithë qenien e tij na shfaqet sot një atdhetar i shquar, studiues mjaft i thellë dhe përkrahës i zjarrtë i luftës për liri të popullit shqiptar. Ai përkrahu me gjithë forcën e vet Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881) dhe kundërshtoi me forcë vendimet e Kongresit të Berlinit, për copëtimin e trojeve shqiptare, sepse ka qenë i lidhur ngushtë me fatet e popullit të vet dhe një luftëtarë i paepur për lirinë e tij.
De Rada lindi në vitin 1840 në Macia Albanese, krahina e Kozencës në Kalabri (Itali) në familjen e një prifti katolik. Arsimin e filloi në vendlindje dhe më pas ndoqi Universitetin e Napolit për drejtësi, duke ndjekur këshillat e të jatit. Megjithë këtë drejtimi i tij në jetë ka qenë gjuha dhe letërsia shqipe. Ai vdiq në vitin 1903.
Shpejt De Rada u bë mbledhës i folklorit shqiptar midis krahinarëve të tij, që i dhanë vrullin e parë në drejtimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1848 De Rada boton gazetën “L’Albanesi d’Italia”, e cila konsiderohet e para gazetë shqiptare, që shërbeu për përhapjen e kulturës ndër shqiptarët e Italisë.
Veprimtaria e De Radës mund të ndahet në dy drejtime kryesore:
1- drejtimi artistik i punës së tij e rendit De Radën midis poetëve dhe publicistëve më të shquar arbëresh. Vepra e tij e parë, që i dha famë është poema liriko-epike “Këngët e Milosaos” (1836), përmbledhje e poezisë shqipe të shekullit 15, birit të sundimtarit të Shkodrës. Kjo vepër letrare është vlerësuar shumë lart, të cilën shkrimtari i famshëm francez i kohës Viktor Hygo e ka quajtur “vepër e përkryer romantike”. Pasi u prek nga sëmundja e rëndë e kolerës, që kaloi në këtë kohë, i la studimet dhe u kthye në vendlindje, por shpejt e mori veten.
Vepra e dytë e De Radës është Kënga e Serafina Thopisë, princesës së Zadrimës në gjysmën e dytë të shekullit 15, botuar në Napoli në vitin 1843. Në gjuhën italiane ka botuar tragjedinë “Humidi”, që u pasua më pas nga vepra të tjera letrare. Në vitin 1883 De Rada botoi në shqip revistën “Flamuri i Arbërit”, e cila u përhap në të gjitha trevat shqip folës në Itali dhe Ballkan dhe luajti rol të madh në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.
Me rëndësi të madhe është edhe vepra e De Radës “Skënderbeu i pafat”, për të cilën harxhoi shumë kohë dhe mundë, ku përshkruan heroin kombëtar Gjergj Kastriotin, Iskanderbeun dhe bëmat e tij në betejat me turqit.
2 – Drejtimi shkencor është fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë së De Radës, që e bëjnë atë mendimtar dhe historian të madh të gjuhës shqipe. De Rada ndërtoi të parën gramatikë të gjuhës shqipe dhe u përpoq për të futur në përdorim alfabetin pellazgo/etrusk në gjuhën shqipe, e cila në atë kohë shkruhej me shkronjat greke, arabe etj. Abecedari ose alfabeti pellazgo / etrusk është më i lashti në botë dhe e ka zanafillën qysh nga qytetërimi Vinkë-Turdos, i mijëvjeçarit të 6 p.e.s., kur shfaqet për herë të parë. Ashtu si i gjithë qytetërimi romak lindi dhe u zhvillua nga qytetërimi më i lashtë etrusk edhe abecedari pellazgo/etrusk është përdor nga latinët për të shkruajtur gjuhën e tyre, por që gabimisht u quajt alfabeti latin. Në të njëjtën mënyrë ky abecedar është huazuar edhe nga grekët dhe ai që quhet alfabeti cirilik nuk është gjë tjetër vetëm se kopje e abecedarit pellazgo/etrusk. Bashkë me gjuhën latine abecedari pellazgo/etrusk u përhap në të gjithë botën perëndimore dhe përdoret edhe sot.
De Rada gjatë gjithë jetës së tij ka punuar nën botëkuptimin e tij të thellë për lidhjen e shqiptarëve me pellazgët, popullin më të vjetër të identifikuar në histori. Nën këtë botëkuptim shumë të qartë De Rada ka mbrojtur me prova të plota faktin, se gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e lashtë pellazge dhe shqiptarët janë pasardhës të tyre. Ky është boshti filozofik i trashëgimisë kulturore që ka lënë De Rada, nga e cila duhet të mësojmë të gjithë.
De Rada që në rininë e tij ka pasur miqësi dhe marrëdhënie mjaft të ngushta me dijetarin tjetër të madh arbëresh Zef Krispin. Zef Krispi ka qenë profesor në Universitetin e Palermos, ku ligjëronte mbi gjuhën shqipe, latine dhe greke. Në vijim të studimit të Iliasit te Omerit dhe të veprave të tjera antike, Krispi në “Ilias”, që përbën veprën e parë letrare te letersise perendimore, zbuloi shumë fjalë dhe shprehje, që gjenin kuptimin në gjuhë shqipe. Në librin e tij të famshëm “Shqipja-nëna e gjuhëve” (Palermo, 1831), Krispi jep shumë fjalë shqipe të ndeshura në Iliasin e 0merit. Kështu Krispi hapi një dritare të re në botën shkencore botërore lidhur me Iliasin, që më pas do të thellohej nga studiues të tjerë, që vepra e parë e letërsisë perendimore “Iliasi” është shkruar fillimisht në gjuhën e lashtë pellazge/shqipe dhe në fakt përbën veprën e parë të letërsisë shqipe.
Krispi i pari ka shquar dhe ka nxjerrë nga Iliasi I Omerit dhe shkrimet e autorëve te tjere antikë shumë fjalë pellazge dhe ndërtoi fjalorin e parë pellazgjisht-shqip. Disa prej këtyre fjalëve janë.ImageFOTO GALERI
Nga idetë revolucionare të Krispi’t mbi prejardhjen pellazgjike të gjuhës shqipe, i riu De Rada u përfshi shpejt dhe u bë një përkrahës i zjarrtë mbi lashtësinë pellazge të gjuhës shqipe.
A nuk duhet, që këto fjalë të bekuara të gjuhës shqipe, të zbuluara në Ilias, ti vlerësojmë lart dhe ti kemi në themel të gjuhës sonë?
Pse gjuhtarët shqiptarë këto nuk i vlerësojnë?
Duke u marrë disa dekada me problemin pellazgjik, jemi mahnitur me këto ide të reja në shkencë të këtyre studiuesve arbëresh, të mbështetura në njohuri të thella shkencore. Këto njohuri të reja të kohës u përqafuan shpejt nga dijetarë të tjerë europianë si Von Han, J. Pokorny, Kreçmer etj., si dhe rilindësit tanë të shquar Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Vaso Pasha etj.
Në këtë rrugë të re studimore De Rada në vitin 1840 botoi të parën vepër të tij mbi këtë problem të madh gjuhësor dhe historik nën emërtimin “Divinazioni Pelasghe” (Hyjnitë Pellazge). Autori të gjitha hyjnitë e lashtësisë, me në krye Zeusin Pellazg dhe që përmenden si perëndi greko-romake, i quan perëndi pellazge. Më 1844 De Rada botoi veprën tjetër të tij në këtë fushë “Identita degli Albanesi con i Pelasghi” (Identiteti i shqiptarëve me pellazgët).
Në vitin 1864 De Rada e zgjeroi më tej këtë tematikë me njohuri më të thella në librin “Antichita della Nazione Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar). Në këtë vepër të re De Rada lashtësinë e popullit shqiptar e lidhe ngushtë me pellazgët e lashtë, banorët më të hershëm të identifikuar në histori.
Një studim mjaft i rëndësishëm i De Radës është edhe studimi “Pelasghi ed Elleni” (Pellazgët dhe helenët), që doli në vitin 1885. Në këtë studim De Rada vuri në dukje se të gjithë emrat e perëndive greko-latine shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Kjo, sipas autorit, ka një domethënie të madhe, sepse të gjitha këto perëndi së pari janë perëndi të popullit pellazg, që është para grek dhe para latin, por që më pas u huazuan nga popullsitë më të reja greke dhe latine dhe u tjetërsuan si perëndi të tyre.
De Rada është studiuesi i parë, që ka mbështetur mendimin se të gjitha perënditë e lashta kanë prejardhje pellazge. Gjatë shekullit të kaluar dhe sot shumica e studiuesve e kanë pranuar këtë fakt, por ende ka falsifikatorë, që perënditë pellazge ja atribuojnë grekëve apo latinëve.
Pellazgët janë populli më i lashtë, që është identifikuar në histori, qysh gjatë gurvonit (neolit) në kulturën pellazge në Vinkë-Turdas-Dispilio, gjatë mijëvjeçarit të 6 p.e.s. Pellazgët janë të parët që përdorën gurin dhe baltën, prodhuan poçerinë e tyre të famshme, ata të parët filluan përdorimin e arave dhe ngritjen e fermave, me të cilat fillon bujqësia. Rruga e ngritje së farmave, qe forma e re dhe më e përparuar, ku në arat e punuara mbillej fara e bimëve (nga fjala pellazge/shqipe FARA erdhi edhe emërtimi i organizimit të ri farma), në krahasim me formën e vjetruar mbledhës-gjuetarit, që kërkonte më shumë forca dhe kohë. Pellazgët të parët bënë tjerrjen e fijes dhe endjen e pëlhurës me vegjët e ndërtuar prej tyre, keshtu u shpik rrota e pare ne histori, përpunuan të parët lëkurën dhe qumështin, prodhuan verën. Ata përmenden se kanë shfrytëzuar të parët mineralin nga MINE (minierat) dhe shkrirjen e metalit-bakrin, më pas arin dhe argjendin, me të cilët bënë jo vetëm armë dhe vegla pune, por edhe zbukurime për gratë e tyre të bukura. Me anijet e tyre Direme dhe Trireme (me dy dhe tri radhë rremash) pellazgët zotëruan detin, prandaj quhen shpesh edhe “Njerëz të Detit”.
Shpikja e shkrimit është një arritja me e madhe e këtyre njerzve të talentuar, me të cilin shkruan gjuhën e tyre: fjalët e para të shkruara në botë janë “UIJ” dhe “DOR”, dy fjalë të zakonshme të gjuhës pellazge/shqipe, ndeshur në enët prej balte në Vinkë dhe Turdas. Prandaj këta njerëz nga Omeri dhe pasues të tij janë quajtur “Pellazgë Hyjnorë”, si njerëz të ardhë nga qielli, të dërguar nga zoti-Zeusi. Me këto dije të mëdha dhe guximin e pa parë, pellazgët pushtuan të gjitha kontinentet e botës dhe i emërtuan sipas gjuhës së tyre.
Megjithë se pellazgët kanë qenë aspekt mjaft i rëndësishëm i veprimtarisë së De Radës, me të cilët ai ka lidhur shqiptarët dhe gjuhën shqipe, nga studiuesit e ndryshëm, që merren me veprimtarinë e këtij njeriu të madh, qëllimisht ose nga padija, ky aspekt mjaft i rëndësishëm është lënë në harresë. Duke mos vlerësuar veprimtarinë shkencore të De Radës mbi prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve nga pellazgët dhe të hyjnive pellazge të botë së lashtë, këta autorë e ulin shumë vlerën e veprës së De Radës dhe rolin e saj në botën e dijes. Përgjegjësia kryesore për këtë cungim të veprës së dijetarit të madh De Rada bie mbi studiuesit arbëresh, që në mënyrë antishkencore e kanë cunguar veprën e tij dhe padrejtësisht me këtë veprim i kanë zvogëluar shumë meritat e këtij dijetari të madh. De Rada nuk mund të quhet dijetar i madh, siç është në fakt, po ti heqësh këtë veprimtari, që përbën thelbin e veprës së tij.
Francesko Altimari, profesor dhe shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, ka shkruar emërtimin “De Rada” në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (vëll. 1, 2008, f. 421-422, bashkë me K. Kodrën dhe J. Kastratin). Në mënyrë anti shkencore është hequr nga jetëshkrimi i dijetarit të madh arbëresh, e gjithë veprimtaria shkencore, ku De Rada bën fjalë mbi pellazgët, gjuhën dhe hyjnitë e tyre dhe i lidh ata me gjuhën shqipe dhe shqiptarët me pellazgët. Altimari kështu i ofron një të pavërtetë publikut mbi përmbajtjen e veprës së De Radës, duke zvogëluar shumë rolin e këtij dijetari të famshëm në fushën e dijes. Nga ana tjetër me këtë akrobaci antishkencore gjuhës shqipe i hiqet privilegji i natyrshëm i gjuhës më të vjetër midis gjuhëve të lashta europiane dhe origjinën e saj natyrale pellazgjike. Kjo i sjell dëm të madh gjuhës shqipe dhe historisë së popullit shqiptar.
Në të njëjtën rrugë jo shkencore vazhdon edhe akademiku shqiptar Kolec Topalli. Në shkrimin e tij “De Rada dhe historia e gjuhës shqipe” (gazeta Telegraf, dt. 10 nëntor 2014) e përmend De Radën si shkrimtar të madh “me kontribut të çmuar edhe në historinë e shqipes”, por ka hequr nga vepra e tij thelbin pellazgjik me marifetin antishkencor. Duke vepruar në këtë rrugë antishkencore edhe në këtë rast De Radës i është hequr thelbi historik i veprës së tij.
Në se të dy profesorët i quajnë të papranueshme tezat pellazgjike në veprën e De Radës, rregullisht duhet të shpreheshin dhe ta kritikonin këtë pjesë të veprës, por rruga e ndjekur nga ata, duke mos e përmendur këtë anë të rëndësishme në veprën e De Radës, përbën shkelje të disiplinës shkencore dhe sjellje të padenjë me veprimtarinë e këtij dijetari të madh arbëresh.
Përgjegjësi mban edhe Akademia Shqiptare e Shkencave, që ka lejuar të botohet në FESh jetëshkrimi i cunguar i De Radës, gjë që duhet rregulluar në ribotimet e kësaj enciklopedie.
Këta lloj vlerësimesh të një anshme të veprës së De Radës vijnë nga mungesa e shikimit profesional të problemit dhe mos njohja e shkoqitjeve të shumta të bëra nga Z. Krispi, J. Han, I. Thomopollo, Z. Majani, N. Vlora, A. Kola, Dh. Pilika dhe shumë autorë të tjerë të shekullit të kaluar dhe bashkëkohorë për historinë e gjuhës shqipe dhe të lidhjes së saj me pellazgët.
Është e çuditshme ndër ne shqiptarët: ata që duhet ta mbrojnë dhe zhvillojnë me shumë fanatizëm gjuhën shqipe, bëjnë të kundërtën: e luftojnë atë me mjete jashtë shkencore, që ajo të mos njihet nga shkenca botërore si gjuha e parë në botë. Vetë asnjë herë nuk e studiuan origjinën e gjuhës shqipe, nuk treguan zotësi as me ilirët ta lidhin atë me provat e duhura, pa le pastaj me pellazgët. Provat që paraqesin studiuesit e tjerë ata as nuk i pranojnë, por as nuk i kundërshtojnë, por në heshtje sabotojnë futjen e të rejave të shkencës në dobi të gjuhës shqipe dhe historisë së popullit shqiptar. Në vendet e tjera këta “lloj studiuesish” do ti kishin larguar prej kohësh nga qendrat studimore, si të mefshtë dhe pa brumë. Shkenca ka rregullat e veta, të cilat secili detyrohet ti zbatojë: një mendim ose tezë e paraqitur ose pranohet ose kundërshtohet dhe hidhet poshtë me prova bindëse. Rrugë të mesme nuk njeh shkenca.ImageFOTO GALERI
Lista e veprave të Jeornim De Radës, mungojnë titujt e librave për pellazgët!
Ata në një kohë, që janë studiues profesionistë të gjuhës shqipe, me veprimin e tyre antishkencor i kanë sjellë dëm të madh gjuhës sonë dhe historisë së popullit shqiptar: gjuhës shqipe i është hequr, me qëllim të keq ose nga padija, rrënja e saj natyrale pellazgjike dhe popullit shqiptar i janë mohuar padrejtësisht stërgjyshat e tij, pellazgët. Me prova bindëse këto janë sprovuar nga mjaft dijetarë dhe mohimi i tyre në rrugën antishkencore, përbën krim të dyfishtë ndaj gjuhës sonë të bekuar.
Se ku e marrin të drejtën të veprojnë në mënyrë antishkencore me veprën e De Radës këta studiues unë nuk e di, por mendoj se problemi duhet të diskutohet thellë në qendrat përkatëse shkencore, ku ata bëjnë pjesë, për tu prerë rrugën abuzimeve të tjera. Le të shpresojmë, që institucionet do të kryejnë detyrën tyre para popullit, që i paguan dhe shkencës, nga e cila kanë marrë gradat dhe titujt e lartë.
Studiuesit e mbledhur këto ditë në Tiranë në Simpoziumin e tretë Ndërkombëtarë: “10 mijë vjet histori: nga Pellazgët tek Shqiptarët”, organizuar për nder të albanologëve të shquar Zef Krispi dhe Spiro Konda, sollën mbështetje të plotë të përkufizimit që: gjuha shqipe është vazhdimi i gjuhës pellazge dhe nga kjo shqiptarët janë të vetmit pasardhës të pellazgëve të lashtë.
Ka qenë ngritur një bust i De Radës në Tiranë, pranë sheshit të sotëm Uillson, në mes të një lulishte të bukur, por nuk është më. Në lulishte u ngrit një pallat i madh. I propozojmë Qendrës Albanologjike të ndërmarrë hapat e duhura për ti ngritur albanologëve të shquar Zef Krispi, Spiro Konda dhe De Radës përmendore, në sheshet e qyteteve të Tiranës dhe Korçës. /LUFTULLA PEZA/KultPlus.com
Rreth 100 afganë të cilët janë evakuuar në SHBA dyshohen për lidhje të mundshme me talibanët ose grupet terroriste.
Kështu ka raportuar me burime mediumi prestigjioz amerikan ‘NBC’, derisa ka bërë me dije se shqyrtimi i të paktën dy prej atyre afganëve ka zbuluar informacione mjaftueshëm aq sa SHBA planifikon t’i dërgojë ata në Kosovë për shqyrtim të mëtejshëm.
Tutje, ata raportojnë me burime se çdo afgan tjetër që shkakton shqetësime të ngjashme gjithashtu do të dërgohet në Kosovë.
Burimet e këtij mediumi paralajmërojnë se vetëm për shkak se një person është shënjuar nga SHBA’ja nuk do të thotë se është terrorist ose paraqet kërcënim.
Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s. Deri më tani në Kosovë janë strehuar rreth 500 afganë.
Lajmi vjen një ditë pas zhvillimit të një bisede telefonike të presidentes Vjosa Osmani me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. Në këtë bisedë, përveç tjerash, Osmani ka paralajmëruar se ka biseduar për çështjen e strehimit të afganëve.
“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentit. / express / KultPlus.com