Filmi ‘Rreth’ selektohet në festivalin ‘Gold Star Movie Awards’ në New Jersey

Regjisori Jon Saqipi ka njoftuar se filmi ‘Rreth’ është selektuar në festivalin Gold Star Movie Awards në New Jersey, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Saqipi ka njoftuar se filmi ‘Rreth’ është selektuar në kategorinë e filmave më të mirë të shkurtër.

Gold Star Movie Awards promovojnë kinemanë botërore për një gamë të gjerë audiencash si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Jon Saqipit:

Kam kënaqësin të ju informoi që filmi – RRETH (CIRCLE) – është selektuar në festivalin Gold Star Movie Awards në kategorinë e filmave më të mirë të shkurtër në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gold Star Movie Awards promovojnë kinemanë botërore për një gamë të gjerë audiencash si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.

Fillimishtë do doja që të falenderojë profesorët e mi, Ismet Sijarina dhe Durim Kryeziu, pastaj do doja që të falenderojë që të gjith stafin i cili ka qenë i angazhuar ne këtë projektë.

Duke filluar nga aktorët, Sherif Bega, Shengyl Ismaili, Shkumbin Veseli, Rabije Kryeziu, Fatmir Haliti. Pastaj edhe pjesen tjetër të ekipës, Ard Islami, Kastriot Saqipi (Producent), Qëndresë Krasniqi (Asisten Director), Fitim Saqipi (Cinematographer), Shqiptar Dervisholli (Sound Recorder), Ben Haliti (Sound Designer), Antigona Bajrami Xhemaili (Editor), Bleron Hevziu (Organizer), dhe një falenderim special shkon edhe për Burim Berishën, Besa Hoti, Qerkin Kurti, Frida Kurti, Arlinda Haliti, Arlind Haliti, Ajser Haliti, Anika Haliti. /KultPlus.com

Ambasadori i Kosovës në Arabi, promovon ajvarin e Krushës në këtë shtet

Ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lulzim Mjeku, ka promovuar ajvarin e Kosovës në shtetin ku shërben si diplomat.

Ai është takuar me zyrtarin e Arabsië Saudite, Abdulhakim Alhashim të cilit i ka prezantuar ajvarin e Krushës.

“Duke promovuar ajvarin e Krushës me z. Abdulhakim Alhashim në mënyrë që të shërbehet deri te tavolinat e Arabisë”, ka shkruar Mjeku./ KultPlus.com

Adele konfirmon se do të performojë në BRIT Awards

Superylli britanik i muzikës, Adele, ka konfirmuar se do të performojë në BRIT Awards javen e ardhshme, dy javë pasi mes lotëve u tha fansave se po shtynte shfaqjet e saj në Las Vegas për shkak të infektimit të një pjese të stafit me COVID-19, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Adele do të ngjitet në skenë në qytetin e saj të lindjes, Londër, më 8 shkurt për nderimet vjetore të muzikës pop në Britani, ku ajo është nominuar për katër çmime.

“Jam shumë e lumtur të them se do të performoj për britanikët javën e ardhshme!!”, shkroi Adele në Instagram të martën vonë, duke thënë se ajo do të shfaqet gjithashtu në shfaqjen televizive “The Graham Norton Show”.

Në fillim të kësaj jave, disa media britanike kishin raportuar se Adele, e cila jeton në Los Angeles, nuk do të performonte në BRITs. Ajo ka fituar më parë nëntë çmime BRIT.

Muajin e kaluar, 33-vjeçarja shtyu një seri koncertesh në Las Vegas që do të fillonin më 21 janar, sepse gjysma e ekipit të saj ishte e sëmurë me COVID-19. /KultPlus.com

Shfaqet në Lucern drama e Jeton Neziraj, King Lori

King Lori – Instagration, drama e autorit kosovar Jeton Neziraj do të shfaqet me datë 7 dhe 8 shkurt në Kleintheater Lucern të Zvicrës, në kuandër të festivalit Unfrisiert, përcjell KultPlus.

Në këtë shfaqje, me regji të Katharina Cromme, luajnë aktoret Sysanne Avelein dhe Marie Gesien. Drama është përkthyer në gjermanisht nga Andrea Grill. Menaxher i produksionit është Roland Amrein, kostimet dhe muzikën i ka punuar Bebi Hartig SCM, kurse skenografinë Lukas Stucki.

Shfaqja është prodhuar nga Zürcher Institut für bewegende Künste në bashkëpunim me Qendrën Multimedia nga Prishtina dhe Kleintheater Luzern.

Pas Zvicrës, shfaqja gjatë muajit Mars do të shfaqet edhe në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.

Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. King Lori – Instagration është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten. Përmes muzikës dhe debatit, shfaqja ndriçon makinacionet kontroverse të yllit të muzikës, Loredana dhe politikanës së suksesshme, Ylfetës. Të dyja nga Lucerni, të dyjat me sfond emigrimi. Por, krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë insistojnë që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflx-i, ose nga Instagrami./ KultPlus.com

Vdes aktori Anastas Kristofori

Arti shqiptar humbet një tjetër emër të njohur të kinematografisë. Aktori Anastas Kristofori ndërroi jetë sot në moshën 78-vjeçare.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970,fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.

Të shumtë do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri. Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli I sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës,rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.

Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot liria në derë”. Në kinematografi roli I tij I parë do të jetë në vitin 1976 roli i Stavrit ,Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982,rolin e z.Antonio,Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984,rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.

Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit. Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”./ KultPlus.com

Rugova në mesin e laureatëve të Çmimit Saharov në ekspozitën e PE-së në Lubjanë

Zyra e Parlamentit Evropian në Slloveni ka ekspozuar në ambient të hapur në Lubjanë fotografitë e disa prej laureatëve të Çmimit Saharov për Lirinë e Mendimit të titulluar “Të Drejtat e Njeriut në Zemër të Evropës”, përcjell KultPlus.

Nga më shumë se 40 personalitete dhe organizata ndërkombëtare laureatë të këtij çmimi prestigjioz, janë ekspozuar fotografitë dhe nga një përshkrim i shkurtër për veprimtaritë e disa prej tyre, duke përfshirë Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në përshkrimin për Presidentin Rugova thuhet se “Presidenti i parë i Kosovës së pavarur ka punuar parreshtur për zgjidhje paqësore dhe dialog dhe ia ka kushtuar jetën rezistencës jo të dhunshme të shqiptarëve të Kosovës kundër represionit serb. Ai njihej si “Gandi i Ballkanit” duke avokuar për konfirmim global të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për emancipim politik duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ofrojë mbrojtje Kosovës”.

Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit është nderimi më i lartë i bërë nga BE-ja për punën për të drejtat e njeriut.

Në vitin 1991, laureat i parë i Çmimit Saharov nga Kosova ka qenë veprimtari i shquar dhe emblema e rezistencës, Adem Demaçi./ KultPlus.com

Ditë e mahnitshme

Poezi nga Dritëro Agolli

Ditë e mahnitshme!
Lulet lahen me vesë,
Kuajt hingëllijnë e lopët pëllasin për viçat,
Shtërgu në plepin pa majë rri mes folesë
Dhe trëndafili i bardhë fsheh spicat
Fletëve të dendura nën kurorat me palë,
Ndërsa këndezi mburret, se tej nga plevicat,
Mposhti një natë, megjithse ngadalë.
Ditë e mahnitshme!
Duket sikur kësaj dite, që herët me natë,
Zoti kishte mbaruar të gjitha krijimet
Dhe nisej tani drejt një pushimi të gjatë
Majë Tomorrit diku në burimet,
Ose atje në Kulmak në barakë
Pa gjë në trastë,
Pa skicat, pa zhgarravitjet, pa vizatimet,
Veç me peshqirin e bardhë në qafë.
Ditë e mahnitshme!./ KultPlus.com

Dolce & Gabbana heq dorë nga gëzofi i kafshëve në favor të alternativës ekologjike

Një nga kompanitë më të famshme në botë të veshjeve Dolce & Gabbana i është bashkuar një liste në rritje të shtëpive të modës për të ndaluar gëzofin e kafshëve duke njoftuar se do të përdorë materiale të leshta ekologjike në koleksionet e ardhshme, sipas CNN.

Në një deklaratë të përbashkët me grupin për të drejtat e kafshëve Humane Society International, D&G tha se do të heqë gradualisht gëzofin nga ky vit.

Megjithatë, ajo do të vazhdojë të punojë me mjeshtër të gëzofit për të krijuar një alternativë të qëndrueshme të leshit artificial që përdor materiale të riciklueshme.

“Dolce & Gabbana po punon drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme që nuk mund të mendojë për përdorimin e leshit të kafshëve”, tha përfaqësuesja e marketingut e grupit, Fedele Usai.

“I gjithë sistemi i modës ka një ndikim të rëndësishëm social që duhet promovuar dhe nxitur”, shtoi ajo.

Me kompani si Chanel, Prada dhe Burberry që kanë bërë premtime të ngjashme në vitet e fundit, D&G është përballur me thirrje në rritje për të ndaluar leshin e kafshëve, përfshirë atë të dhelprës dhe vizonit nga koleksionet e saj.

D&G nuk zbuloi detaje të mëtejshme se si do të prodhohet leshi i saj artificial, por tha se politika e saj e re përmbush udhëzimet e përshkruara nga Fur Free Alliance, një grup organizatash për mbrojtjen e kafshëve.

Në vitin 2017, kompania e njohur italiane Gucci u bë një nga markat e para të mëdha luksoze që njoftoi se do të punonte pa lesh, një lëvizje që Humane Society International e përshkroi në atë kohë si “një ndryshim i madh”./ KultPlus.com

Piktura e rrallë e Franz Marc del në shitje, pritet të arrijë rekord të ri botëror për artistin

Një pikturë e rrallë e ekspresionistit gjerman Franz Marc pritet të vendosë një rekord të ri botëror për artistin kur të ofrohet për shitje në një ankand muajin e ardhshëm, transmeton KultPlus.

“Dhelprat” (Die Füchse), që shfaq dy dhelpra me ngjyra të ndezura, të ndërthurura, vlerësohet të arrijë rreth 35 milionë paund (47 milionë dollarë) kur të dalë në shitje në Christie’s në Londër më 1 mars.

“Do të jetë një moment i mrekullueshëm për botën e artit, sepse pikturat e rëndësishme të Franz Marc janë tepër të rralla”, tha Jussi Pylkkänen, presidenti global i Christie’s, për Reuters.

Marc, një figurë udhëheqëse e lëvizjes ekspresioniste gjermane, lindi në Mynih në 1880 dhe vdiq në betejën e Luftës së Parë Botërore të Verdun në moshën 36 vjeç. Karriera e tij e shkurtër do të thotë se vepra e tij janë në numër të vogël dhe pikturat e tij janë në duar private.

“Dhelprat” u ble në vitin 1928 nga koleksionisti gjermano-hebre Kurt Grawi, i cili sipas Christie’s u detyrua ta shiste për të ndihmuar familjen e tij të mbijetonte dhe të largohej nga Gjermania naziste. Piktura më vonë iu dha Muzeut Kunstpalast në Düsseldorf.

“Fotografia iu rikthye familjes vitin e kaluar pas një procesi të gjatë dhe ata kishin marrë tashmë vendimin që kur ta merrnin përsëri, të dilte në treg që një koleksionist tjetër i madh të kishte mundësinë ta zotëronte atë. ”, thaPylkkänen. /KultPlus.com

A person poses with ‘The Foxes’ (1913) by painter Franz Marc at Christie’s Auction House in London, Britain, January 31, 2022. REUTERS/Henry Nicholls

Sepse më dashurove

Poezi nga Maria Poliduri
Shqipëroi Maksim Rakipaj

Nuk këndoj meqë re në dashuri
me mua vitet që shkuan.
Edhe gjatë verës, në zagushi
edhe në borë, edhe në shi,
s’po këndoj meqë u dashuruam.

Por vetëm sepse më mbajte ndër krahë
dhe më puthe në buzë atë natë
ja përse ndjehem çelur si zambak
dhe ky shpirti ende fërgëllon,
kur më duket sikur më përqafon.

Vetëm sepse më shikoje me ngulm,
qe shpirti yt që vështronte,
që shpirtin ma zbukuronte
gjithçka ty të dhuronte
vetëm sepse më shikoje me ngulm.

Sepse veç më vije re kur shkoja
dhe shihja ndër sytë e tu të kalonte
si ëndërr e brishtë hija ime
që lodronte, që lëngonte,
Sepse veç ti më vije re kur shkoja.

Sepse më fole ashtu, me drojtje
dhe unë të zgjata duart
të pashë të turbulluar
i shtrenjti im i paharruar,
sepse më fole ashtu, me drojtje.

Sepse, vetëm sepse ty të pëlqente,
prandaj më qe e këndshme ecja
më dukej se të kisha pas kudo
dhe ndokur pranë do të të ndjeja
Sepse, vetëm sepse ty të pëlqente.

Vetëm sepse më deshe ti jam lindur,
ndaj jeta s’m’u dha kot.
Mjerim jeta bosh, e palumtur,
por imja është plot.
Vetëm sepse më deshe ti jam lindur.

Veç për dashurinë tënde të veçantë
më zbret agimi nëpër duar.
Të të ndrit udhën çdo çast
Me yje m’i mbush sytë çdo natë,
Veç për dashurinë tënde të veçantë.

Vetëm se më deshe mrekullisht
u linda dhe jetova
ti mbret, në ëndrrat e tua mbretërova
dhe vdekja më vjen kaq ëmbëlsisht
vetëm se më deshe mrekullisht./KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë rrënojat e tempullit antik të Athinës

Arkeologët në Italinë jugore kanë gërmuar rrënojat e një tempulli 2500-vjeçar, si dhe objekte nga një betejë e madhe detare të ruajtura në vendin e shenjtë.

Tempulli iu kushtua Athinës, perëndeshës së mençurisë, dhe u zbulua në parkun arkeologjik Paestum në jug të qytetit të Salernos, sipas një deklarate nga Ministria e Kulturës.

Struktura, e cila ishte afro 18 metra e gjatë dhe 7 metra e gjerë, ofron një pasqyrë të fazës më të vjetër të Paestum, dikur një qytet i madh grek që u themelua nga kolonistë nga Azia e Vogël, sipas deklaratës.

Reliket nga beteja detare e Alalia-s, e cila besohet të ketë ndodhur midis 540 pes dhe 535 pes, ishin brenda tempullit, tha drejtori i përgjithshëm i Muzeve Italiane, Massimo Osanna.

Midis gjetjeve ishin dy helmeta. Sipas Osanna, pritet të kryhet një ekzaminim laboratorik për të zbuluar nëse në to fshihen mbishkrime që mund të japin informacion për identitetin e ushtarëve që i mbanin.

Studiuesit supozojnë se tempulli është ndërtuar pas betejës detare, për të cilën historiani i lashtë grek Herodoti tha se u zhvillua në bregun lindor të ishullit mesdhetar të Korsikës./ KultPlus.com

32 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se Kryetar u zgjodh dr.Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.

Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Prof. Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani. / KultPlus.com

Faik Konica: Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

KultPlus ju sjell një pjesë të shkëptur nga Vepra 1 e Faik Konicës, shikojeni cfarë thotë për shqiptarët:

Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie.

(Vepra 1, f. 271-272)./ KultPlus.com

Sami Frashëri: Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten

Thënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. 

/ KultPlus.com

Albumi ‘Future Nostalgia’ shënon histori në platformën Spotify, tejkalon 9 miliardë transmetime

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, po vazhdon të shënojë sukses pas suksesi në fushën në të cilën ajo e zotëron më së miri; muzikën, shkruan KultPlus.

Së fundmi albumi i saj i mrekullueshëm i titulluar ‘Future Nostalgia’, ka tejkaluar 9 miliardë transmetime në Spotify, duke shënuar histori në këtë platformë.

Albumi ‘Future Nostalgia’ është alubmi më i transmetuar nga një artiste femër në historinë e platformës. / KultPlus.com

Konferenca e gjashtë mbarëkombëtare e Arkivistikës vjen më 10-11 qershor në Kosovë

Në vazhdën e konferencave të zhvilluara në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, arkivistët prej të gjitha trevave do të mblidhen në Boletin, Kosovë, në datat 10 dhe 11 qershor 2022.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) njoftoi se do të organizojë Konferencën e gjashtë Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Drejtoresha e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në DPA, Elsa Saka tha sot në një deklaratë për mediet se “qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme”.

DPA-ja fton studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe të marrin pjesë në konferencë me studime, ide dhe propozimet e tyre.

“Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive”, tha Saka.

Abstraktet duhet të jenë jo më shumë se 300 fjalë dhe pranohen deri më datë 1 prill 2022 në gjuhën shqipe ose anglisht në faqet zyrtare të dy institucioneve.

Temat e propozuara janë: Crowdsourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara prej përdoruesit; Automatizimi i arkivave dhe etika; Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave; Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit; Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin; Trashëgimia arkivore e përbashkët, përtej kufijve politik; Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale; Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore; Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare; Etika dhe arkivat; Ndryshimet klimaterike dhe arkivat; Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional dhe Turizmi dhe promovimi i arkivave. / KultPlus.com

Eshtrat që vijnë vonë

Poezi nga Teki Dervishi

prej shtëpisë sime me çati prej kashte
dola me hejben plot vegla
e mora rrugë Veriun e Thellë
kurbet me kobër dola mjeshtër me pagë
pas erës së bukës 
rrugë më rrugë shkretëtirës
kah Lindja
kah Perëndimi

latues mermeri me daltë
ikonograf me brushë e ngjyrë
godita pirgjet e larta të botës
gjurmë lash shenjën e qartë
pikturat e amshuara nëpër tempuj
lirikën – fjalë të zjarrtë
aktor me pseudonim
palaço në oborrin mbretëror
pa emër pa datë

disa shekuj pastaj
në Atdhe
eshtrat më vijnë vonë
me anije
– deti çohet dallgë / KultPlus.com

Veshjet popullore të Beratit ekspozohen në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

“Vishu me trashëgimi” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit.

Kjo ekspozitë u hap nga Qendra Muzeore e Durrësit dhe Qendra Muzeore e Beratit, me qëllim njohjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.

Përmes kësaj ekspozite është sjellë pranë publikut durrsak një pjesë e çmuar e trashëgimisë beratase, veshje autentike dhe origjinale, të fotografuara mjeshtërisht nga Ardian Fezollari në mjediset e Muzeut Etnografik të Beratit.

“Vishu me trashëgimi” është një formë e re edukimi, ndërgjegjësimi e sensibilizimi në shërbim të njohjes së vlerave muzeale e trashëgimisë sonë kulturore. Veshjet popullore janë pa dyshim një pasuri e madhe e kombit shqiptar.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 11 shkurt, në pritje të vizitorëve nga qyteti i Durrësit. /atsh/ KultPlus.com

Si i drejtohej Zef Jubani nëpërmjet poezisë Elena Gjikës

142 vite më parë ka vdekur patrioti dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani.

Si i lindur në Shkodër, Jubani ka qenë nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar e ideolog i Rilindjes Kombëtare.

Ai është i njohur për botimin e një Koleksioni të Këngëve Folklorike Shqipe dhe Rapsodive në dialektin geg. Jubani mbrojti krijimin e një alfabeti unik të gjuhës shqipe.

Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”, ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Illija-Jubani.

Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar shqiptarë e arbëreshë.

Nëna e tij ishte nga Malta, kështu që midis 1830 dhe 1838 ai studioi atje ndërsa jetonte me xhaxhain e tij. Pas kthimit në Shkodër ai punoi që nga viti 1848 si sekretar në konsullin francez të qytetit dhe gjithashtu u bë asistent i zv/konsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853.

Jubani kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij në Trieste, Venecia dhe Mali i Zi modern. Ndërroi jetë më 1 shkurt 1880. / KultPlus.com

‘Në varrin e aktorit’, kushtuar Istref Begollit

Nga Musa Tullari

Në varrin e aktorit
(I.Begollit)

Ngadal pikë shiu i së dielës
Si me lotë nga sytë e qiellit
Njërin të dashur vajton, në heshtje:
Pllaka e mermert me emrin e tij
Dritëson nga pikat e sermta
Të cilat herë herë pikojnë nga gjethet
E mështeknes , përkulur motërsisht
Mbi vetmitarin e madh.
Pelegrin nga larg, përshëndes
Hijen e tij, ajo më falet
Nga shiu, nga gjethi, nga vjeshtë lulet,
Nga perdja e zezë e dheut.

Një të diele , të hirt me shi… / KultPlus.com

Portret i rrallë i kryeheroit Gjergj Kastrioti, në mesin e figurave tjera të historisë botërore

Nga Gjon Keka

Një portret i rrallë i kryeheroit dhe mbretit Arbëror Gjergj Kastrioti, në mesin e portreteve të mbretëve, perandorëve dhe figurave tjera të historisë botërore si Karli i Madh, Justiniani, Juda Makabeut, Davidit mbret etj.

Një renditje e tillë në mesin e perandorëve, mbretërve dhe figurave historike botërore me ndikim edhe të portretit të Mbretit tonë arbëror Gjergj Kastrioti tregon vlerësimin e madhe që i është kushtuar këtij personalitetit ,burrështeti dhe vizionari të madh të Arbërisë dhe Europës.

Aty tek shigjeta poshtë gjendet portreti i mbretit,strategut dhe vizionarit Gjergj Kastriotit, ky portret është nxjerrë nga një kronikë e vitit 1648 (I.m.e.s.mdb.Giorgio Castrioto,1648], ku poashtu ka edhe përshkrimin mbi jetën dhe veprën e tij./ KultPlus.com

“Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit do të shfaqet në Ostend Film Festival

Filmi ”The Albanian Virgin” nën regjinë e Bujar Alimanit pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar ku fitoi dy çmime kryesore, tani do të shfaqet edhe në Ostend Film Festival të Belgjikës, shkruan KultPlus.

Kështu, shënohet një sukses i radhës i filmave shqiptar, premierat e të cilëve po jepen gjithandej në Festivale Ndërkombëtare.

Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur aktori Astrit Kabashi, i cili ka shpërndarë lajmin në rrjetet sociale.

Biletat mund ti rezervoni KËTU.

Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. / KultPlus.com

‘Eh ç’liri që sjell një shpirt pa frerë’

Poezi nga Emily Dickinson

Një libër

Hëngri e piu të vyerat fjalë,
Shpirti vigan i ishte bërë;
Harroi krejt se qe i varfër
Dhe se trupn’ e kish rërë.
E ky amanet flatrash ishte
Veç një libër, ditëve sterrë
Teksa vallëzonte. Eh ç’liri
Që sjell një shpirt pa frerë!

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

(Photo by Wendy Maeda/The Boston Globe via Getty Images)

Urdhëri i Mbretit Zog për realizimin e reformës agrare: Toka është pasuria më e madhe e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 11 Dhjetor 2021

“The New York Herald” ka botuar, të dielën e 27 janarit 1929, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me kërkesën e Mbretit Zog ndaj qeverisë shqiptare për të realizuar reformën agrare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Mbreti Zog urdhëron reformën agrare në planin e politikës së tij

Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3
Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3

Lideri shqiptar thotë se do të kërkojë bindje.

I shkruan kryeministrit

Modernizimi u shmang për të mos demoralizuar jetën në fshatrat malore.

(Nga The Herald dhe Herald Tribune Bureau.) Vjenë, e shtunë. — Mbreti Zog i Shqipërisë nisi sot një deklaratë politike në përputhje me premtimet e tij të mëparshme dhe gjithashtu tregoi se ai duhet t’i bindet.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të tij, ai shpjegon projektet e tij, të cilat do të kulmojnë me një reformë të plotë agrare, me qëllimin kryesor për shpërndarjen më të drejtë të tokës.

Mbreti thotë se toka është pasuria më e madhe e Shqipërisë, se ajo duhet punuar me efikasitet dhe tërësisht, duke shtuar se aty ku është e pamjaftueshme për të ushqyer njerëzit, duhet të krijohen ndërmarrje industriale.

Pjesë të tjera të “dekretit” thonë se zyrtarët fajtorë për abuzime ose për shpërfillje të detyrës do të shkarkohen dhe Mbreti i paralajmëron zyrtarët e tij që të kuptojnë se çdo qytetar që vjen tek ata është një anëtar i kombit.

Duke treguar një dëshirë për të tërhequr kapital të huaj, Mbreti shpjegon se përfaqësuesve të ndërmarrjeve të huaja duhet t’u jepet shpejt çdo informacion i dëshiruar.

Mbreti Zog, megjithatë, me sa duket nuk dëshiron të modernizojë vendin e tij — ose të paktën shumë shpejt — sepse ai deklaron se traditat e vjetra duhet të respektohen, pasi braktisja e tyre mund të demoralizojë banorët primitivë të fshatrave malore.

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-amerikane-1929-urdheri-i-mbretit-zog-per-realizimin-e-reformes-agrare-toka-eshte-pasuria-me-e-madhe-e-shqiperise/ / KultPlus.com

Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3