New York Herald Tribune në vitin 1955: Presidenti Eisenhower i ofron ndihma ushqimore Shqipërisë komuniste

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Prill 2022

“New York Herald Tribune” ka botuar, të shtunën e 5 marsit 1955, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me propozimin e ndihmës ushqimore të presidentit të SHBA-ve për Shqipërinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Eisenhower ofron ushqim për Shqipërinë

Uashington, 4 mars (A.P.). — Presidenti Eisenhower i ofroi sot Shqipërisë komuniste furnizime ushqimore amerikane për të ndihmuar në zbutjen e asaj që ai e quajti “mungesën aktuale të ushqimit” në atë vend.

Presidenti e bëri ofertën përmes Lidhjes së Shoqatave të Kryqit të Kuq. Shtëpia e Bardhë tha se ndihma e parashikuar do të kushtonte rreth 850,000 dollarë, me një shpenzim shtesë prej rreth 125,000 dollarë për transportin e mallrave nëpërmjet oqeanit.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)./ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/new-york-herald-tribune-1955-presidenti-eisenhower-i-ofron-ndihma-ushqimore-shqiperise-komuniste-te-nje-vlere-prej/

Faktet që karakterizojnë çmimet ‘Grammy’ të këtij viti

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, do të përformojë në ndarjen e çmimeve ‘GRAMMY 2022’, si njëra prej fituesve të mëhershme, shkruan KultPlus.

Lista e larmishme e prezantuesve në GRAMMY 2022 përfshin të nominuarat aktuale për GRAMMY, Megan Thee Stallion, Joni Mitchell dhe Questlove; Fituesit e GRAMMY-t Lenny Kravitz, Dua Lipa, Ludacris, Billy Porter, Bonnie Raitt dhe Keith Urban; dhe shumë të tjera

Disa fakte që e karakterizojnë këtë event këtë vit:

Një këngë e vitit 1934 është në listën e rekordit të vitit.

Do të kujtohen Stephen Sondheim dhe Taylor Hawkins.

Drake ende po bojkoton shfaqjen.

Kanye West i është kërkuar të mos performojë.

Adele nuk ka marrë një ftesë.

Billie Eilish mund të bëjë historinë e Grammy-t./KultPlus.com

‘Njeriu i vërtetë është më interesant se të gjithë heronjtë legjendarë të marrë së bashku’

Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore, shkruan KultPlus.

Noli dhe thëniet e tij kanë prekur thellë në shpirtin e gjithësecilit, e njëra prej tyre është edhe kjo më poshtë:

“Njeriu i vërtetë është më interesant se të gjithë heronjtë legjendarë të marrë së bashku”. /KultPlus.com

Agron Shujaku dhe Ledian Shala promovojnë veprat kosovare për piano 4 duar

Një mbrëmje për mos t’u harruar, një kurorësim i nismës së pianistit Agron Shujaku së bashku me pianistin e ri Ledian Shala, për të promovouar dhe dokumentuar veprat kosovare për piano 4 duar.

Pas publikimit të video-inçizimeve profesionale në kanalin Youtube muajin e kaluar , më 1 Prill 2022 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë është realizuar koncert pianistik me qëllim të promovimit të CD-së me veprat e kompozitorëve kosovarë Artan Hasani, Kreshnik Aliçkaj, Memli Kelmendi, Valton Beqiri, dhe Mendi Mengjiqi.

Mungesa e inçizimeve të performancave live të veprave të kompozitorëve kosovarë ishte shtytja kryesore për realizimin e audio-arkivimit/dokumentimit të veprave të kompozitorëve kosovarë.

Koncerti mblodhi dashamirë të muzikës, nxënës, profesorë si dhe kompozitorë të veprave në fjalë të cilët e çmuan dhe vlerësuan realizimin e koncertit. Shujaku deklaroi që kjo iniciativë do të vazhdohet edhe me tutje me projekte të reja që kanë synim dokumentimin e trashëgimisë kulturore muzikore.

Ndërsa pianisti Ledian Shala ndihet i lumtur për realizimin e projektit si dhe i motivuar për koncertin e ardhshëm solistik që do të realizojë si fitues i garës “Pianisti i ri 2021” në “Dam Festival”.

Ky koncert është realizuar përmes mbështetjes financiare të Drejtorisë së Kulturës, Komuna e Prishtinës. /KultPlus.com

75 vjet nga lindja e aktores shqiptare, Drita Haxhiraj

Më 3 prill 1947, në Tiranë lindi Drita Haxhiraj, aktore e njohur shqiptare, e cila ka luajtur edhe në skenën ndërkombëtare.

Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në vendlindje, në degën e dramës, në vitin 1967.

Menjëherë pas diplomimit u emërua aktore në Teatrin Popullor.

Për 25 vjet rresht interpretoi mbi 70 role në karrierën e saj në Teatrin Kombëtar, si edhe në kinematografi. /KultPlus.com

“O Margjela e malësisë, thuja kangve të çobanisë” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.

Moj margjel mori malsore
ku po shkon me at kosore
ku po shkon moj tuj vrapue
a po me pret o vash dhe mue
bashkë të shkojmë me punue
bashkë të korrim tuj këndue

Margjelo mori Margjel
çilma synin që më ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Moj margjel mori fisnike
bija e malësisë kreshnike
mos t`lshoj zemra ble sonjike
trim i mirë që shkon si erë
mendjen kthyer ka gjithherë
e tash kthen sot bëhet verë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com

Kurti për fitoren e Markut: Na bëri krenarë të gjithëve

Florian Marku ka nokatuar në raundin e katërt Chris Jenkis dhe kësisoj ka arritur ta mbrojë titullin IBF në peshat e lehta, shkruan KultPlus.

Për fitoren e Markut ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është krenuar me sukseset e boksierit.

“Floriani jonë mbetet kampion i pamposhtur. Ndeshja e tij e 12-të, fitorja e 11-të. Kësaj radhe nuk iu deshën më shumë se 4 raunde për të mbrojtur titullin e tij, e për të na gëzuar e bërë krenarë të gjithë ne”, shkroi Kurti në “Twitter”.

Në 12 ndeshje, Marku nuk ka akoma asnjë humbje. /KultPlus.com

Ndërtesa e Presidencës dhe Kuvendit ndriçohet me ngjyrë të kaltër në shenjë solidariteti me personat me autizëm

2 Prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Autizëm, e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shkruan KultPlus.

Ndërtesa e Presidences dhe Kuvendit është ndriçuar në mënyrë simbolike me ngjyrë të kaltër, në shenjë të solidaritetit me personat me autizëm dhe në funksion të ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë.

Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike. /KultPlus.com

Poezia ‘Poçari’ nën interpretimin e aktores Margarita Xhepa (Video)

Vargjet e poetit të madh shqiptar Dritëro Agollit tashmë janë ngulitur edhe në këngë të Ilir Shaqirit e Selami Kolonjës, kurse me një emocion të jashtëzakonshëm e sjell edhe aktorja e madhe shqiptare, Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.

Poezia “Poçari”, është shkruar vite më parë nga poeti i njohur shqiptar Dritëro Agolli. “Fjala shqipe s’blihet në Pazar”, është një nga fjalitë e fuqishme të kësaj poezie që tregon rëndësinë e gjuhës për një mërgimtar. Kjo poezi tregon se si në një dyqan në Stamboll, një vazo e thyer nxjerrë një sharje në gjuhën shqipe, e që e shuan mallin e poçarit shqiptar për të dëgjuar qoftë edhe një sharje në këtë gjuhë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com

‘Ushtarët rusë vranë fotoreporterin ukrainas’

Një fotoreporter ukrainas, i cili ka punuar për disa media të rëndësishme perëndimore, përfshi Reuters dhe BBC, është vrarë nga forcat ruse, pranë Kievit.

Trupi i pajetë i Maksym Levin është gjetur në distriktin Vishgorod, në veri të kryeqytetit, bëri me dije në Facebook zyra e prokurorit.

 “Sipas informacioneve paraprake, ushtarët rusë kanë vrarë fotoreporterin e paarmatosur Maksym Levin me dy plumba”, lexohet në statusin e postuar në rrjetet sociale.

Levin kishte humbur që nga data 12 mars, tha fotografi Markiian Lyseiko për CNN.

Maksym Levin bëhet gazetari i 8 që humb jetën në Ukrainë, që prej nisjes së konfliktit./ KultPlus.com

‘Tre dimra’ ngjisin në skenën e Teatrit Metropol Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin, Marjeta Ljarjen dhe Viktor Zhustin

Teatri Metropol  vë në skenë për herë të parë, duke çelur sezonin e ri artistik shfaqjen “Tri dimrat” një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani.

Shfaqja vjen me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.

Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.

Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.

“Janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë.

Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre net të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale” shprehet regjisorja Rozi Kostani. Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar.

“Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, shprehet regjisorja Rozi Kostani.

Stiviçiç pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.

Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile! premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit.

Tena Stiviçiç jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër. Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt. Drama “3 dimrat” e Tena Štiviçiç u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015.

Top Channel./ KultPlus.com

Më dëgjo siç dëgjohet shiu

Poezi nga Oktavio Paz

Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu
as me vëmendje por as me shpërqëndrim,
gjurmë të lehta, rigim i hollë,
ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha
dita është akoma e gjallë
nata ende s’ka lindur
trajta të mjegulluara
në kthesën pas qoshes
trajtat e kohës
në lakimin e heshtjes,
dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu
pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them
me sytë të hapur për së brëndëshmi, në gjumë
me të pesta shqisat zgjuar,
po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh,
ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë:
që jemi dhe që janë,
ditët dhe vitet, ky moment
kohë e papeshë dhimbje që rëndon,
më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu,
asfalti i lagur shkëlqen,
avulli ngrihet dhe ikën larg,
nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë,
ti je ti dhe trupi yt prej avulli,
ti dhe fytyra jote e natës
ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme
ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim,
gjurmë uji përballë syve të mi,
degjomë, siç dëgjohet shiu,
asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën
në mjegull, përhumbur në natën,
në këtë natën që flen në shtratin tënd,
është dallga që fryhet në frymën tënde
gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin,
gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë
gishterinjte e tu prej ajri hapin qepallat e kohës
një ujvarë pamjesh dhe ringjalljesh
dëgjomë, siç dëgjohet shiu
vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú
i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër?
nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon
prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti
dëgjoi gjurmët e kohës
krijueses së vëndeve të papesha, të pandodhëshme
dëgjoje shiun si vrapon mbi taracë
nata ështe tani e errët natë varri,
shkrepëtimat flenë në foletë mes gjetheve,
një kopësht i paqetë bredh në mëshirë të fatit
hija jote mbulon këtë faqe libri.

Shqipëroi: Merita Paparisto./ KultPlus.com

Kurti vë fjongon e kaltër në gjoks, premton më shumë mbështetje për njerëzit me autizëm

Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë një deklarim përmes platformës Twitter. Ai ka premtuar më shumë përkujdesje në të ardhmen për këtë kategori të qytetarëve.

Ai ka thënë se sot, edhe në qeveri janë vënë fjongot e kaltra për të njohur dhe nderuar talentet unike të njerëzve me autizëm.

 “Për Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ne vendosëm fjongot e kaltra për të njohur dhe nderuar talentet dhe aftësitë unike të njerëzve me autizëm”, ka shkruar Kurti.

Ai ka premtuar më shumë ndihmë profesionale për realizimin e potencialeve të autikëve.

“Me buxhetin e rritur për kujdestarët profesionalë në fushën e edukimit, ne do të ofrojmë më shumë mbështetje për realizimin e potencialit të tyre”, ka shkruar kryeministri Kurti. / KultPlus.com

Ç’më ndodhi me një shkronjë?

Poezi për fëmijë nga Tasim Gjokutaj.

Me rrëmujë detyrat
i bëri Besniku,
la fletoren hapur
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo, ç’të lexoj,
në çdo fjalë të shkruar
mungon nga një shkronjë.

Atë ditë Besnikun
e hoqa nga loja:
– Sot, – i thashë, – je ngopur,
se ke ngrënë… shkronja!

– Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja
vetëm për një shkronjë!

– Nuk bëhet hataja
vetëm për një
shkronjë?!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një d-ë
që ti s’e vë,
fjala derë
bëhet erë
dhe shtëpia
ngel pa derë…

Për një m-ë
që ti s’e vë,
fjala mik
bëhet ik…

(Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?!)

Shih pa shih,
ka dhe më keq:
për një b-ë
që ti e heq,
fjala bujk
bëhet ujk.

(Bujkun tonë
që prodhon bukë,
për një shkronjë
ti e bën ujk…)

Sytë e Nikut
mbushen lotë…
Do të flasë,
por çfarë të thotë?! /KultPlus.com

Së bashku me shumë yje, Dua Lipa do të performojë në çmimet ‘Grammy’

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, do të përformojë në ndarjen e çmimeve ‘GRAMMY 2022’, si njëra prej fituesve të mëhershme, shkruan KultPlus.

Lista e larmishme e prezantuesve në GRAMMY 2022 përfshin të nominuarat aktuale për GRAMMY, Megan Thee Stallion, Joni Mitchell dhe Questlove; Fituesit e GRAMMY-t Lenny Kravitz, Dua Lipa, Ludacris, Billy Porter, Bonnie Raitt dhe Keith Urban; dhe shumë të tjera

Çmimet ‘GRAMMY’ do të ndahen më 3 prill, ku edhe transmetimi do të bëhet LIVE në Internet.

Më 2018 Dua kishte fituar dy çmimet e para ”Grammy” në karrierë, atë për artisten më të mirë të re dhe për incizimin më të mirë dance. /KultPlus.com

‘2 prilli’, 31 vite nga masakra e fundit e komunizmit

Plot 31 vite më parë, më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Sot përkujtohet ajo që njihet ndryshe masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri.

Gjatë një proteste kundër manipulimit të zgjedhjeve të 31 marsit të atij viti, u vranë katër djem dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Shkodra humbi katër bijtë e saj, idealistë e plot shpresë për Shqipërine ku po pritej të vinte demokracia. Tragjedia e tyre nuk u zbardh kurrë.

Familjarët e viktimave ende janë të zhgënjyer për mungesën e dënimit të personave që urdhëruan vrasjet.

Dëshmorët e 2 prillit:
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Këto janë disa foto dëshmi të 2 prillit të fiksuara nga fotografi Angjelin Nënshati, i cili nuk jeton më, por djemtë e tij, pasardhës në këtë profesion, i përcjellin për publikun.ImageImageImageImageImageImage

Image

‘I përndjekuri yt erotik, i përndjekur të mbetet gjithmonë’

Poezi nga Dritëro Agolli

Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë
Po çudi, as qelia s’më mbyt,
Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua.
Është rast i pashembullt ta dish,
Që xhelatin ta puth a ta dua!

I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë!
Erotik i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Will Smith futet në histori pas dorëheqjes nga Akademia e Filmit

Will Smith ka dhënë dorëheqjen nga akademia e filmave pas shuplakës së tij gjatë natës së Oscars ndaj Chris Rock, përcjell KutPlus.

“Unë do të pranoj plotësisht të gjitha pasojat për sjelljen time. Veprimet e mia në prezantimin e 94-të të çmimeve Oscar ishin tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme,” tha Smith në një deklaratë.

Will Smith është i vetmi person në histori që ka dhënë ndonjëherë dorëheqjen vullnetarisht nga Akademia.

Gruaja e tij, Jada Pinkett Smith mbetet një anëtare, pasi u bashkua në vitin 2018. /KultPlus.com

Jada Pinkett Smith poses on the red carpet during the Oscars arrivals at the 94th Academy Awards in Hollywood, Los Angeles, California, U.S., March 27, 2022. REUTERS/Eric Gaillard

Për herë të tretë, Rrahman Jasharaj rizgjedhet si kryetar i Sindikatës së Arsimit

Rrahman Jasharaj është rizgjedhur kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK).

Zgjedhja e tij është bërë me 121 vota.

Kundërkandidat i Jasharit ishte Emrush Ahmeti.

Ky është mandati i tretë që Rrahman Jasharaj do të jetë në krye të kësaj sindikate. /KultPlus.com

Margariti: Sami Frashëri, një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot Sami Frashërin, në kuadër të “Muajit të Librit” me disa fjalë të mençura të thëna prej tij; “Ajo që qeveris botën, nuk është as forca, as ligji, por është mirësjellja dhe edukata”.

“Me fjalët e mençura të një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashërit, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Margariti.

Sami Frashëri u lind në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865, së bashku me pesë vëllezërit dhe dy motrat e tij, u vendos në Janinë. Këtu së bashku me Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Më vonë ai mësoi arabisht, persisht dhe turqisht në Tetovë, nga Mahmut Efendiu.

Në vitin 1872 ai u vendos në Stamboll, ku zhvilloi veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Sami Frashëri ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” në vitin 1879, u zgjodh kryetar i saj.

Ai drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe si  “Drita” dhe më pas “Dituria” në Stamboll në vitet 1884-85, në të cilat shkroi një varg artikujsh. Për të ndihmuar disa prej nevojave të shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” në vitin 1886, “Shkronjtore e gjuhës shqipe” dhe “Shkronjë”, libër ky që kryente funksionin e gjeografisë në vitin 1888.

Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari, patrioti, demokrati dhe iluministi është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” e botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky botim, i cili mori formën e një traktati, u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në këtë libër u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Një ndër kontributet që  Sami Frashërit donte të jepte për gjuhën shqipe ishte dhe hartimi i një fjalori, i cili mbeti i pabotuar, si dhe një dorëshkrim me përmbledhje këngësh popullore shqiptare.

Çështja shqiptare dhe historia e popullit shqiptar ishin disa nga temat më të preferuara që Sami Frashëri trajtonte në veprat e tij në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

Sami Frashëri, si një dijetar i madh i kohës, dha kontributin e tij të vyer në shumë fusha të shkencës, ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Ai është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamus-i türki” në vitin 1901, botim ky i cili ruan vlerën e vet edhe në ditët e sotme. Ky fjalor përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë autori.

Sami Frashëri  i kushton një vend të dukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e tij gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.

Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare e Sami Frashërit  “Besa”, është botuar më 1875  dhe e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Para se të botohej në një libër, kjo vepër u vu në skenë në teatrin perandorak në Stamboll më 1874.

Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar, i cili ka shkruar disa shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si “Sabah” (“Mëngjezi”), ku për një kohë ishte kryeredaktor, “Hafta” (“Java”) etj.

Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e Sami Frashërit kishte 20 000 vëllime.

Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që shoqëron të gjitha veprat e tij, Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Madje në vitet e fundit atij i është ndaluar të dilte nga shtëpia. Sami Frashëri u nda nga jeta në moshën 50 vjeçare në Stamboll të Turqisë./ atsh/ KultPlus.com

Kopshti ‘Lidhja e Prizrenit’ në Kamzë fiton çmimin ndërkombëtar të arkitekturës

Kopshti i ri i “Lidhja e Prizrenit” në Kamzë, ka fituar çmimin ndërkombëtar të arkitekturës “BigSEE Architechture Award 2021”.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamje nga ky kopsht.

“Duke u cilësuar si një nga ndërtesat bashkëkohore mësimore më të bukura të ndërtuara në Evropë vitin e shkuar, në përshtatje me kërkesat dhe dëshirat e fëmijëve, kopshti i ri i rindërtimit “Lidhja e Prizrenit” në Kamzë, ka fituar çmimin ndërkombëtar të arkitekturës: “BigSEE ARCHITECTURE AWARD 2021″”, tha Rama.

Kopshti “Lidhja e Prizrenit” në Kamzë u rindërtua nga fillimi, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në këtë kopsht mësojnë 224 fëmijë, të cilët në vend të ngrehinës së vjetër e të amortizuar kanë një mjedis si në çdo vend të Evropës.

“Kopshti “Lidhja e Prizrenit” synon të krijojë hapësira bashkëkohore edukative që përshtaten me nevojat e ndryshme të fëmijëve.Projekti buron nga koncepti sipas të cilit aktivitetet në natyrë janë vendimtare për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve. Pra, ishte e nevojshme të kishim një “hapësirë jashtë” por, brenda territorit të kopshtit gjatë ditëve me shi. Kjo hapësirë shërben si një vend për disa tubime dhe aktivitete. Për më tepër, ndarësit e klasave janë prej xhami për të lehtësuar hapjen dhe komunikimin, vizual dhe fizik, me oborrin e brendshëm. Një tipar tjetër dallues është fasada. Për shkak se kjo qendër është afër banesave, fasada e dyfishtë mundëson privatësinë e kërkuar dhe ofron një pikë referimi vizuale në zonë. Fasada me një si derë nga oborri ndikon në mënyrën se si dritat natyrore hyjnë në ndërtesë dhe kontribuojnë në ajrosjen natyrale. Ngjyrat e fasadës përfaqësojnë karakterin e gjallë të ndërtesës, duke tërhequr interesin dhe angazhimin e fëmijëve”, thuhet në faqen e “BigSEE ARCHITECTURE AWARD 2021”.

Osmani: Do të angazhohemi për t’i fuqizuar njerëzit me autizëm që të arrijnë potencialin e plotë

Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shkruan KultPlus.

Për këtë ditë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një ecje në shesh së bashku me shoqatën “Autizmi”.

Më pas, Osmani ka shkruar në “Twitter” se përfshirja dhe dhembshuria na mundëson një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë.

“Ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ne jo vetëm që zotohemi, por do të angazhohemi për të fuqizuar njerëzit me autizëm për të arritur potencialin e tyre të plotë”.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike. /KultPlus.com

Hapet minibiblioteka e parë rome në Kosovë

“Pasurimi i literaturës në gjuhën rome” është projekt individual i mësueses rome Urma Menekshe, i cili është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me synim të angazhimit profesional në hulumtimin e letërsisë rome, përpunimin, ribotimin dhe botimin e materialeve të reja letrare.

Kjo minibiliotekë që gjendet në Prizren posedon më shume se 180 libra të autorëve vendor dhe ndërkombëtar ndërsa është e hapur për të gjithë qytetarët.

Me këtë projekt është fuqizuar pasurimi i literaturës rome. Një numër i konsiderueshëm i veprave janë sjellur nga shtetet e rajonit si Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Rumania.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe zëvendësministri i MKRS, Sejnur Veshall. /KultPlus.com