Osmani: Ata që ishin në krah të Millosheviqit më 1999, sot janë në krah të Putinit

Krerët e shtetit të Kosovës sot kanë pritur gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në shënimin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e Kosovës për Ukrainën e pushtuar nga Rusia, dhe ka thënë se duhet punuar ngushtë me aleatët ndërkombëtarë në uljen e ndikimit të autokratëve në rritje.

“Të nderuar të pranishëm, si asnjëherë më parë bota po përballet me tendencat hegjemoniste të autokratëve në pjesë të ndryshme. Lufta e paprovokuar në Ukrainë tregon për rrezikun nga regjime autoritare si ai i Putinit që kërkon zgjerimin e fuqisë, ndikimit dhe territorit duke cenuar të drejtat dhe sovranitetin e kombeve të tjera, e duke kryer krime të llahtarshme për t’i arritur këto qëllime”, ka thënë Osmani në konferencë për media.

“Ne duhet të jemi unikë dhe të vendosur kundër çdo përpjekjeje për t’i minuar vlerat dhe parimet tona evropiane. Për më tepër, duhet të punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për të pamundësuar ndikimin e autokratëve dhe për ta mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla ku kombet e shtetet mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe duke respektuar njëri-tjetrin”.

Osmani tha se Ukraina në rrugën e saj për çlirim do ta ketë përkrahjen e pakushtëzuar të Kosovës, dhe akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe shtetin serb që po qëndrojnë në krah të homologut rus, Vladimir Putin, ashtu siç i kishte ndenjur afër Slobodan Millosheviqit.

“Më 1999 bota demokratike u vu në anën e Kosovës duke na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Sot bota demokratike është në anën e Ukrainës sepse e drejta është në anën e saj”.

“Për vitin 1999 në Kosovë dhe ky vit që po e lëmë pas në Ukrainë duhet të na mësojë edhe shumë mësime të tjera. Mbi të gjitha, nuk duhet ta harrojmë se kush ishin ata që ishin në krah të Millosheviqit në vitin 1999 e që qëndrojnë në krah të Putinit sot në vitin 2023, e të kuptojmë njëherë e mirë se ata që avokojnë për gjenocid njëherë, nuk mund të shndërrohen në agjentë të paqes asnjëherë”.

“Ata që kryejnë, mbështetin apo arsyetojnë gjenocid ndaj një populli të pambrojtur, përgjigjen e vetme duhet ta kenë drejtësinë, e jo akomodimin e përkëdheljen”. / KultPlus.com

Si kthehet dimri në armë lufte në Ukrainë

Sapo ka filluar periudha më e bukur e vitit. Të paktën për Polinën dhe shoqet e saj. Lista e dëshirave për t’ia dërguar plakut të vitit të ri është përpiluar dhe tani madje fillon të bjerë edhe borë. Pothuajse të gjithë fëmijët e tjerë kur nisi lufta janë larguar nga fshati i largët që ndodhet në skajin verilindor të rajonit të Harkivit dhe shkolla ka kohë që është mbyllur. Prandaj bora e parë e vitit është një ndryshim i mirëpritur.

Frikë nga temperaturat në rënie

“Tani mund të luajmë me slitë dhe të bëjmë luftë me topa bore,” tregon Polina e entuziazmuar. Dhjetëvjeçarja e ka bërë bashkë me shoqet njeriun prej bore, të parin për këtë vit. Ato arritën madje të gjenin një karrotë për t’ia venë në vend të hundës. Dhe parashikimi i motit thotë, se njeriu prej bore nuk do të shkrijë shumë shpejt. Ditët e ardhshme temperaturat pritet të jenë minus 12 gradë celsius.

Frikë nga temperaturat në rënie - Ukrain​​​​a ka dimër të ashpër me temperatura minus 10 gradë

Pjesa më e madhe e të rriturve në rajon, nuk gëzohet nga parashikimi i motit. Përkundrazi, me rënien e temperaturave është rritur shqetësimi se nuk do jenë në gjendje të zgjohen mëngjesin e ardhshëm. “Ngrica është duke u bërë gjithnjë e më e madhe e nata duhet kaluar në errësirë. Nuk dua ta mendoj se ku jemi duke shkuar,” tregon Iryna. Ajo është pensioniste dhe jeton në periferi të qytezës Isjum, në lindje të Ukrainës, në një banesë parafabrikate nga koha e Bashkimit Sovjetik. Pallati gjashtëkatësh është goditur disa herë me artileri, gati të gjithë fqinjët e saj janë larguar. Iryna ka qendruar. “Ku të shkoj? Për të ikur duhet të paktën një makinë dhe disa kursime,” shpjegon pensionistja. “Pjesa më e madhe e të moshuarve të këtushëm nuk e kanë të lehtë të largohen. Përveç kësaj, nëse këtu nuk ndodhet më askush me siguri që do të vijnë plaçkitësit.”

Kiev: Banesat janë shkatëruar nga bombardimet, por edhe impiantet e elektricitetit dhe të ngrohjes kanë dalë jashtë funksionit

Paratë e fundit që kishte, Iryna i investoi për të bërë dritare të reja, sepse të vjetrat u thyen nga presioni i shpërthimeve. Përveç kësaj ajo ka varur në dritare batanije të trasha, për të mos e lenë të ftohtit e madh të hyjë brenda. Nga sulmet e muajve të fundit u shkatërrua edhe ngrohja qendrore e bllokut me pallate. Gjatë vjeshtës, vullnetarë erdhën dhe i sollën Irynës një ngrohës elektrik për të kaluar muajt e dimrit. Ajo ia di atyre për faleminderit, megjithatë në shtëpinë e saj është shpesh ftohtë.

Ka javë që Rusia i ka shtrirë sulmet shumë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe ikja e dritave janë pjesë e ngjarjeve të ditës. “Sapo kaluam dy ditë pa drita,” thotë pensionistja. Në situata të tilla nuk mbetet gjë tjetër për të bërë po të vishesh trashë dhe të harxhosh rezervat e fundit të gazit për të zier çaj të ngrohtë.

Të moshuarit nuk largohen nga shtëpitë

Kudo përgjatë frontit, të moshuarit ndodhen në rrezik të madh nga rënia e temperaturave në javët e ardhshme. Edhe po të kenë familjarë të tjerë që jetojnë në rajonet ku nuk ka luftë ose jashtë vendit, shumë prej tyre nuk duan të largohen nga ambienti ku janë mësuar të jetojnë. E ëma e Oxana Melnyks-it, jetonte deri para pak ditësh në një fshat në anën tjetër të linjës së frontit, në ato pjesë të Ukrainës Lindore që është pushtuar nga rusët. Oxana u mundua muaj me radhë t’i mbushte mendjen që të ikte nga fshati. Ajo e paralajmëroi të ëmën për luftimet që ishin duke u bërë gjithnjë e më të ashpra dhe për dimrin që pritej të vinte. Por shtatëdhjetëvjeçarja ishte kokofortë. “Ajo kujtonte se do t’ia dilte disi të mbijetonte, se çdo gjë do të merrte fund në njëfarë mënyre,” tregon Oxana. “Por ne të gjithë e dimë, se nuk do marrë fund kaq lehtë.”

Më në fund ajo mori guximin dhe hipi në makinën lada, makinë që ka 40 vjet që e përdor. Së bashku me një të njohur ajo kaloi rrugët e shkatërruara të korridorit të vetëm që lidh territoret e kontrolluara nga ukrainasit dhe ato të pushtuara nga rusët. Kur mbërriti tek e ëma arriti ta bindë që të bënte gati valixhet. “Mbeta duke i shpjeguar se jeta e saj është në rrezik. Çfarë ka vlerë më të madhe se jeta? As banesa, as makina, as ndonjë gjë tjetër çfarë do që të jetë. Vetëm jeta ka vlerë në fund fare.”

Irpin, njerëzit gatuajnë jashtë në ngricë

Gjatë rrugës gratë ngecën shumë herë në baltë, u ndalën në dhjetra postblloqe kontrolli ukrainas dhe rus dhe makina pati një dëmtim të motorit. Por në fund ato arritën të shkonin në një qendër humanitare në Saporishshja, në kryeqytetin e rajonit lindor të Ukrainës, të ngritur për të ndihmuar të larguarit nga territoret e pushtuara nga rusët.

Për gratë, kjo qendër është pika e parë ku u ndien të sigurta pas shumë ditësh, dhe vendi i parë ku mundën të ngrohen më në fund. Këtu në Saporishshja tregon Oxana, nuk donin ta besonin në fillim se Rusia e përdor dimrin me qëllim për të luftuar popullsinë civile. Por pikërisht kjo është duke ndodhur tani. “Unë i lutem Zotit që t’u japë një arsye që të ndalin,” psherëtin ajo. “Të largohen në paqe. Vetëm të largohen nga vendi ynë, që të mos vdesin më shumë njerëz.”

Gratë nuk e dinë çfarë do të ndodhë më tej me to. Në fillim duan të shkojnë në Odesa. Oxana ka atje një banesë. Atje nuk është siguri e madhe, sepse si shumë vende të tjera edhe Odesa është kthyer në objektiv të sulmeve ajrore. Por të paktën muajt e dimrit nuk janë aq të ftohta në qytetin port të Detit të Zi. /DW/ KultPlus.com

Një miliarder heq dorë nga shtetësia ruse për shkak të luftës në Ukrainë

Miliarderi rus, Oleg Tinkov, ka hequr dorë prej shtetësisë ruse, për shkak të luftës së nisur nga Moska në Ukrainë.

Ai, po ashtu, ka dënuar “fashizmin e Putinit”, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.

Tinkov e ka themeluar bankën online, Tinkoff, një prej ofrueseve më të mëdha të kredive.

Aktualisht kjo bankë ka mbi 20 milionë konsumatorë.

Përmes një postimi në Instagram, ai ka thënë se “nuk mund të jem i lidhur me një shtet fashist që ka nisur luftë kundër fqinjit paqësor”.

Edhe disa manjatë tjerë rusë kanë kritikuar publikisht luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e turpshme për mua që të vazhdoj të mbaj këtë pasaportë”, ka thënë miliarderi.

Ai besohet se aktualisht jeton në Londër, mirëpo është subjekt i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar, sikurse shumë anëtarë të elitës biznesore ruse.

Aleksandr Subbotin kishte qenë menaxher i Lukoil, kompanisë më të madhe private të naftës në Rusi.

“Shpresoj që më shumë biznesmenë do të jenë pas meje, në mënyrë që të dobësojnë regjimin e Putinit dhe ekonominë e tij, dhe që në fund ai të humbë”, ka thënë Tinkov.

Ai ka vazhduar duke thënë se e urren Rusinë e Putinit, mirëpo i do të gjithë rusët që janë kundër luftës.

Sanksionet perëndimore ndaj tij, dhe figurave tjera biznesore të Rusisë – të njohur si oligarkë – përfshijnë ndalesa në udhëtime, ngrirje të aseteve dhe konfiskim të aeroplanëve dhe jahteve.

Fuqia politike dhe ushtarake e Putinit varet shumë nga mbështetja e miliarderëve, të cilët janë pasuruar përmes lidhjeve me Kremlinin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/ KultPlus.com

Sulmohen qytetet pranë centralit bërthamor të Ukrainës

Raketa dhe artileri ruse goditën zonat përtej lumit Dnieper, pranë centralit më të madh bërthamor në Evropë, bënë të ditur të dielën zyrtarët ukrainas. Zhvillimet vijnë ndërsa është rritur frika se luftimet në afërsi të impiantit mund ta dëmtojnë atë, duke shkaktuar një rrjedhje radioaktive.

Forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor Zaporizhia menjëherë pas fillimit të luftës dhe kanë gjithashtu kontrollin e territorit ngjitur, përgjatë bregut të majtë të lumit Dnieper. Ukraina kontrollon krahun e djathtë të tij, përfshirë qytetet Nikopol dhe Marhanets, secili prej tyre rreth 10 kilometra larg nga impianti.

Sulmet gjatë natës lanë pjesë të Nikopolit pa energji elektrike bëri të ditur guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk Valentyn Reznichenko. Po kështu janë dëmtuar rreth 12 objekte banimi në Marhanets, sipas Yevhen Yevtushenko, kreut të administratës së rajonit, që përfshin qytetin me rreth 45,000 banorë.

Gjatë natës u sulmua edhe qyteti i Zaporizhias, rreth 40 kilometra nga centrali bërthamor, si pasojë u plagosën dy persona, tha anëtari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev.

Në Ukrainën lindore, ku forcat ruse dhe separatiste po përpiqen të marrin kontrollin, sulmet me artileri goditën qytetet e mëdha e me rëndësi strategjike Kramatorsk dhe Sloviansk, por nuk u raportuan viktima, tha Pavlo Kyrylenko, guvernatori i rajonit Donetsk.

Pjesa më e madhe e rajonit të Donetskut kontrollohet nga forcat ruse dhe separatiste. Ai është një nga dy rajonet e Ukrainës që Rusia ka njohur si shtete sovrane.

Javën e kaluar autoritetet filluan shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët që jetojnë pranë impiantit të Zaporizhias në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit, i cili mund të shkaktojë probleme shëndetësore.

Pjesa më e madhe e shqetësimeve lidhet me sistemet e ftohjes të reaktorëve bërthamorë të centralit. Sistemet kërkojnë energji për të funksionuar. Të enjten centrali u shkëput përkohësisht nga rrjeti për shkak të dëmtimit nga zjarri të një linjë transmetimi. Një dështim i sistemit të ftohjes mund të shkaktojë një shkrirje bërthamore.

Forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor në fillim të luftës, por funksionimi i tij kontrollohet nga personeli ukrainas. Kievi dhe Moska kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për bombardimin e impiantit dhe zonave përreth, duke rritur frikën për një katastrofë të mundshme.

Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike po përgatitet të dërgojë një ekip për të inspektuar dhe ndihmuar në garantimin e sigurisë së centralit. Zyrtarët thanë se përgatitjet vazhdojnë pa dhënë detaje se kur pritet të zhvillohet vizita./ KultPlus.com

Një furrë buke në Ukrainë shërben ushqim falas për qytetarët në nevojë

Në Kiev, një furrë buke shumë e veçantë dërgon mijëra bukë në javë për ukrainasit në nevojë. E krijuar në vitin 2017, si një projekt gjithëpërfshirës që punëson individë me aftësi të kufizuara, tani furra është përqendruar në misionin për të ushqyer falas ukrainasit në nevojë në vendin e shkatërruar nga agresioni rus.

Mëngjesi është koha më e zhurmshme e ditës, thonë vullnetarët në këtë furrë të vogël në Kiev të quajtur “Bukë e Mirë nga Njerëz të Mirë”. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, kjo furrë ka pjekur më shumë se 120,000 bukë për njerëzit në nevojë. Ekipi i Zërit të Amerikës në Kiev bisedoi me zotin Dmytro Zarazhevskiy, i cili drejton veprimtarinë e furrës së bukës.

“Tashmë veprojmë në Makariv, Chernihiv, rajonin Donetsk, Kharkiv dhe po zgjerojmë zonat ku dërgojmë bukë për njerëzit në nevojë. Buka nuk është vetëm për të shuar urinë, por është simbol i mbështetjes për njerëzit në nevojë”.

Furra e bukës e filloi veprimtarinë në vitin 2017 si një projekt gjithëpërfshirës që punëson individë me aftësi të kufizuara mendore. 27 vjeçarja Kateryna Kovalchuk thotë se aty ka gjetur një vend pune dhe mbështetje miqësore.

“Punoj këtu që nga 2 marsi i vitit 2020. Nëse e di mirë punën, nuk ka asgjë të vështirë”.

Ish ushtari amerikan Patrick Longfield, i martuar me një ukrainase në vitin 2017 dhe banues në atë zonë, ka dalë vullnetar në këtë furrë buke pavarësisht se nuk kishte asnjë lloj eksperience.

“Kam luftuar më parë si ushtar për amerikanët, një punë shumë e vështirë dhe e rrezikshme. Tani nuk jam aq i ri. Por doja ta ndihmoja vendin në një farë mënyre, kështu që vendosa të dal vullnetar”.

Ky furgon me ngjyra të shumta është i mirëpritur për njerëzit në zonat më të goditura të Ukrainës.

“Tani nuk kemi dyqane dhe është shumë e kushtueshme vajtja në qytet për të marrë bukën”, thotë një banore.

Vladyslav Malashchenko, pronar i furrës, shpesh shoqëron vullnetarët ndërsa shpërndajnë bukën dhe bisedon me njerëzit në nevojë.

“Sot sollëm 600 bukë. Gjyma e tyre u shpërnda sot dhe pjesa tjetër do të shpërndahet nesër nga vullnetarët vendas. Do të kthehemi përsëri këtu javën që vjen”.

Ai thotë se buka e shpërndarë është falas dhe se furra ekziston falë dhurimeve. Njerëzit dhurojnë para, miell dhe përbërës të tjerë. Me një kosto prej 13 mijë dollarësh në muaj, furra e bukës furnizon falas rreth 12 mijë vetë. /VOA/ KultPlus.com

Një grup fëmijësh ukranias me shfaqje në Nju Jork, mbledhin fonde për ushtrinë ukrainase

Një grup fëmijësh ukrainas (7-14 vjeç) do të interpretojnë shfaqjen e tyre, “Mom in Skype”, në teatrin Irondale të Nju Jorkut këtë fundjavë, si pjesë e një mbledhjeje fondesh për ushtrinë ukrainase, shkruan Euronews, transmeton KultPlus.

Hera e parë që tetë fëmijët performuan shfaqjen ishte nga një strehë për bomba në Lviv, Ukrainë, vetëm dy muaj pas fillimit të pushtimit rus.

Historia frymëzuese u zbulua nga Terry Greiss, drejtori ekzekutiv i The Irondale Centre, i cili shpejt kontaktoi mësuesin e artit të grupit, i kthyer në ushtar aktiv, Oleg Oneshcak.

“Unë po mendoj, kjo është e mahnitshme që me bombat që bien ndoshta jashtë dritares, çfarë bëjnë këta njerëz? Ata vendosin të bëjnë një shfaqje. Nëse ka ndonjë gjë që flet për rëndësinë e artit për kulturën e një komuniteti, për mbijetesa e individëve në atë komunitet. Ky është projekti”, tha Greiss.

Oneshcak iu përgjigj menjëherë propozimit të Greiss dhe Irondale mblodhi shpejt fondet për t’i sjellë në Nju Jork./ KultPlus.com

Jetë kulturore në mes të luftës, mbrëmje gala në operan e Odesës kushtuar ushtrisë

Një teatër opere në qytetin port të Odesës, në jug të Ukrainës, ka mbajtur një shfaqje gala kushtuar ushtrisë ukrainase.

Vendi, i cili është bombarduar vazhdimisht nga rusët në javët e fundit, iu rikthye në njëfarë mënyre jetës kulturore.

Odesa është identifikuar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës si një objektiv kyç për forcat e Vladimir Putin.

Është qyteti i tretë më i madh i Ukrainës dhe një qendër e rëndësishme industriale dhe importi. /abcnews/ KultPlus.com

100 ditët e luftës në Ukrainë përmes fotove

Nga pushtimi rus në shkurt dhe deri te beteja e fundit për Ukrainën lindore, po ju sjellim një përzgjedhje fotografish, që tregon disa nga momentet më të rëndësishme të luftës së vazhdueshme në Ukrainë 100 ditë pas fillimit të konfliktit.

Euronews ka përzgjedhur këto foto, shumica e të cilave tregon shkallën e lartë të brutalitetit të luftës, të cilat mund të jenë shqetësuese për disa shikues. Por këto pamje kanë luajtur gjithashtu një rol në mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, si dhe për të drejtuar gishtin ndaj përgjegjësve për mizoritë e luftës.

Që nga fillimi i luftës, 32 gazetarë u vranë në Ukrainë, një numër që nuk përfshin punonjësit e mediave që u regjistruan në ushtri për të mbrojtur Ukrainën.

Ndërkohë, Amnesty International tha në fillim të majit se ka dokumentuar krime të shumta lufte nga forcat ruse në komunitetet rreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke përfshirë ekzekutime arbitrare, bombardime banesash dhe tortura. / KultPlus.com

Një burrë ecën pranë ndërtesave të dëmtuara rëndë dhe makinave të shkatërruara pas sulmeve ruse në Bakhmut, rajoni Donetsk, në Ukrainën lindore. 24 maj
Klavidia, 91 vjeçe, mbahet në një barelë të improvizuar teksa hipën në tren, duke ikur nga lufta në Severodonetsk në një stacion treni në Pokrovsk, Ukrainë. 25 prill 2022
Foto e kapur nga një video e publikuar nga Rusia tregon anëtarët e shërbimit ukrainas teksa kontrollohen nga personeli ushtarak rus, pasi u larguan nga uzina e rrethuar e çelikut Azovstal. 17 maj 2022
Ushtari i regjimentit Azov qëndron në një rreze drite në fabrikën e çelikut Azovstal gjatë rrethimit të saj nga ushtria ruse. maj 2022
Luftëtari i plagosur i regjimentit Azov merr ndihmë mjekësore në një spital me turne brenda fabrikës së çelikut Azovstal gjatë rrethimit të tij, Mariupol, Ukrainë. maj 2022
Një luftëtar i regjimentit Azov qëndron në rrënojat e fabrikës së çelikut Azovstal gjatë rrethimit të tij. maj 2022
Nadiya Trubchaninova, 70 vjeç, ulet pranë një qese plastike që mban trupin e djalit të saj Vadym, 48 vjeç, i cili u vra nga ushtarët rusë në Bucha në mars. Foto më 12 prill 2022
Një vinç heq kufomën e një burri nga një varr masiv për t’u identifikuar në një morg, në Bucha, në periferi të Kievit, Ukrainë. 10 prill 2022
Një civil i vdekur me duart e lidhura pas shpine shtrirë në tokë në Bucha afër Kievit, Ukrainë. 4 prill 2022.
Mjetet e blinduara ruse të shkatërruara në periferi të Kievit, Ukrainë. 31 mars 2022
Ira Gavriluk mban macen e saj teksa ecën pranë trupave të burrit, vëllait dhe një burri tjetër, të cilët u vranë jashtë shtëpisë së saj në Bucha, Ukrainë. 4 prill 2022
Një pamje brenda teatrit Mariupol, i cili funksiononte si strehë për qindra civilë, u godit në Mariupol, Ukrainën lindore. 4 prill 2022
Punonjësit dhe vullnetarët e urgjencës ukrainase mbajnë një grua shtatzënë të plagosur nga një maternitet që u dëmtua nga granatimet në Mariupol, Ukrainë. 9 mars 2022
Gratë shtatzëna ecin në një bodrum të një materniteti ndërsa sirenat bien për të paralajmëruar për sulmet ajrore në Mykolaiv. 14 mars 2022
Një grua ulet me dy foshnja që trajtohen në një spital pediatrik pasi ato u zhvendosën në bodrumin i cili po përdoret si strehë për bomba, në Kiev. 28 shkurt 2022
Ushtarët ukrainas Anastasia dhe Vyacheslav ndajnë një moment përpara ceremonisë së tyre të dasmës në një park të qytetit në Kiev, Ukrainë. 7 prill 2022
Vullnetarët përgatisin kokteje molotov në një park lokal në Uzhgorod, Ukrainën perëndimore. mars 2022
Një grua mëson se si të përdorë një pushkë sulmi AK-47 gjatë një kursi të vetëmbrojtjes civile në periferi të Lviv, Ukrainën perëndimore. 4 mars 2022
Një burrë merr sende nga një dyqan që mori flakë nga një sulm rus në Kharkiv. Ukrainë. 25 mars 2022
Rrënojat e një palestre shihen pas granatimeve ruse të një qendre tregtare të ndërtuar së fundmi, në Kiev, Ukrainë. 21 mars 2022. Tetë persona u vranë në sulm.
Stanislav, 40 vjeç, i thotë lamtumirë djalit të tij David, 2 vjeç dhe gruas së tij Anna, 35 vjeç, në një tren për në Lviv në stacionin e Kievit, Ukrainë. 3 mars 2022

OBSH apelon për 147.5 milionë dollarë mbështetje mjekësore për ukrainasit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për ndihmë në vlerë prej 147.5 milionë dollarë amerikanë për të ofruar shërbime shëndetësore për civilët në Ukrainë dhe për refugjatët ukrainas që u strehuan në vendet fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë, Dr. Jarno Habicht, vlerësoi gjendjen e fundit të shërbimeve shëndetësore në Ukrainë.

Habicht tha se që nga 2 qershori numri i sulmeve nga trupat ruse në qendrat shëndetësore në Ukrainë u rrit në 269, nga të cilat 76 persona humbën jetën dhe 59 persona u plagosën.

Duke theksuar se disa ndërtesa shëndetësore u shkatërruan si rezultat i sulmeve, Habicht tha se shumë spitale dhe klinika në zonat e konfliktit nuk mund të ofrojnë shërbime shëndetësore për ata që kanë nevojë.

Ai theksoi se lufta shkaktoi dëme të rënda psikologjike për popullin ukrainas, si dhe njoftoi se OBSH ka rritur numrin e personelit në vend dhe ka ofruar 543 tonë pajisje mjekësore në rajonet e prekura nga konfliktet për të shëruar plagët e ukrainasve.

Duke theksuar nevojën për të rivendosur shërbimet shëndetësore të dëmtuara nga lufta në Ukrainë, Habicht njoftoi se OBSH ka rritur thirrjen e saj aktuale të donacioneve dhe ka nisur një fushatë dhurimi prej 147.5 milionë dollarësh për ukrainasit.

Habicht po ashtu theksoi se 80 milionë dollarë nga kjo shifër do të përdoren për ndihmë mjekësore për civilët brenda vendit dhe 67.5 milionë dollarë për ndihmë mjekësore për refugjatët ukrainas që u strehuan në vendet fqinje./ KultPlus.com

OKB thotë se janë vrarë më shumë se 4.000 civilë në Ukrainë

Më shumë se 4.000 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, megjithëse numri i saktë është ndoshta shumë më i lartë, tha Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Gjithsej 4.031 njerëz u vranë, duke përfshirë gati 200 fëmijë, sipas OHCHR, e cila ka dhjetëra vëzhgues në vend. Shumica u vranë gjatë bombardimeve ose sulmeve ajrore.

OHCR nuk ka përmendur se kush ishte përgjegjës për vdekjet e civilëve. Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët në konflikt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke folur me aktivistët indonezianë, më 27 maj, tha se rreth 12 milionë njerëz ishin zhvendosur për shkak të luftës në Ukrainë dhe se rreth 5.5 milionë ishin larguar nga vendi.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës fqinje më 24 shkurt./ KultPlus.com

UNICEF: Të paktën 100 fëmijë kanë humbur jetën brenda një muaji në Ukrainë

Të paktën 100 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e luftës në Ukrainë në harkun kohor prej një muaji.

“Me çdo ditë që pason, gjithnjë e më shumë fëmijë të Ukrainës ekspozohen ndaj horroreve të kësaj lufte. Vetëm në muajin që shkoi,  OKB ka verifikuar që thuajse 100 fëmijë janë vrarë dhe ne besojmë se shifrat e vërteta mund të jenë akoma më të larta.”

Deklarata e mësipërme u bë nga drejtori ekzekutiv i UNICEF, Omar Abdi gjatë një mbledhjeje e Këshillit të Sigurisë në Ukrainë.

“Të paktën 15 nga 89 shkolla të mbështetura nga UNICEF në lindje janë dëmtuar ose janë shkatërruar që në fillim të luftës. Me qindra shkolla rreth e qark vendit thuhet se janë goditur nga artileri e rëndë dhe sulme ajrore në zonat e populluara….Kjo situatë ka një impakt afatgjatë tek fëmijët dhe mundësisë që ata kanë për t’iu rikthyer edukimit,” thuhet më tej. /abcnews/ KultPlus.com

‘Ushtarët rusë vranë fotoreporterin ukrainas’

Një fotoreporter ukrainas, i cili ka punuar për disa media të rëndësishme perëndimore, përfshi Reuters dhe BBC, është vrarë nga forcat ruse, pranë Kievit.

Trupi i pajetë i Maksym Levin është gjetur në distriktin Vishgorod, në veri të kryeqytetit, bëri me dije në Facebook zyra e prokurorit.

 “Sipas informacioneve paraprake, ushtarët rusë kanë vrarë fotoreporterin e paarmatosur Maksym Levin me dy plumba”, lexohet në statusin e postuar në rrjetet sociale.

Levin kishte humbur që nga data 12 mars, tha fotografi Markiian Lyseiko për CNN.

Maksym Levin bëhet gazetari i 8 që humb jetën në Ukrainë, që prej nisjes së konfliktit./ KultPlus.com

UNESCO: Mbi 50 vende historike të Ukrainës janë dëmtuar

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Trashëgiminë Kulturore (UNESCO) thotë se të paktën 53 vende historike, ndërtesa fetare dhe muze të Ukrainës janë dëmtuar ose shkatërruar pjesërisht që nga fillimi i luftës.

UNESCO thekson se lista nuk është përfundimtare dhe ekspertët vazhdojnë të kontrollojnë raportet për dëme të tjera.

Dëmet në 29 objekte fetare, 16 objekte historike, katër muze dhe katër monumente u verifikuan nga imazhet satelitore dhe raportet e dëshmitarëve.

Më shumë dhjetëra lokacione ndodhen në Kharkiv, një nga zonat më të prekura nga granatimet në Ukrainë.

Lista nuk përfshin asnjë informacion për vendeve apo ndërtesat në qytetin e rrethuar të Mariupolit./ KultPlus.com

Të rrënuara nga luftimet dhe bombardimet ruse, foto nga objektet fetare në Ukrainë

Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka dëmtuar ose shkatërruar të paktën 59 objekte fetare, në të gjithë vendin, që nga fillimi i pushtimit të saj. Në listë përfshihet një katedrale ortodokse, një shkollë hebraike dhe kishat famullitare pothuajse të rrafshuara.

Sipas ligjeve ndërkombëtare të Konventës së Hagës, synimi për të bombarduar monumentet historike dhe vendet e trashëgimisë kulturore, është një krim lufte. Megjithatë, Rusia mohon të ketë shënjestruar infrastrukturën civile dhe atë kulturore, por BBC ka identifikuar, përmes fotografive, një numër objektesh fetare që kanë pësuar dëmtime.

Një katedrale e granatuar

Katedralja e Shën Michael u përshkrua nga zyra turistike e Mariupolit si vendi më i bukur në qytet. Duke ofruar pamje panoramike të Detit Azov, kodrave të gjelbra dhe fshatrave bregdetare, katedralja, e hapur në 1997, ka tërhequr një numër të madh adhuruesish dhe vizitorësh. Por pas bombardimeve të pamëshirshme ruse në qytetin-port, kupola e katedrales është shndërruar në një grumbull të gërryer çeliku, me mure të copëtuara dhe dritare të thyera.

Dëmet brenda kishës ortodokse ukrainase në Yasnohorodka

Një kishë famullitare e shkatërruar

Një kishë në fshatin e vogël Yasnohorodka, rreth 40 km në perëndim të Kievit, është goditur gjithashtu nga granatimet, thotë Kisha Ortodokse e Ukrainës. Ata thonë se dy predha goditën kupolën e kishës, më 5 mars, duke dëmtuar rëndë edhe kullën e saj. Në dritaret dhe dyert e saj shihen gjurmët e plumbave nga një mitraloz i kalibrit të rëndë. Mes luftimeve të ashpra, rusët vranë gjithashtu një prift nga kongregacioni i fshatit.

Një sinagogë e dëmtuar

Në Kharkiv, një predhë ruse shpërtheu në çatinë e një “Yeshiva” – institucion arsimor i përdorur për studime fetare. Lajmi u bë i ditur nga komuniteti hebre i qytetit në një postim në Facebook. Ndërtesa “Yeshiva” funksiononte gjithashtu si një sinagogë, një shkollë e mesme dhe një konvikt. “Raketa nuk shpërtheu, por bëri një gropë të madhe në çati”, tha gruaja e rabinit kryesor të Kharkiv, Moshe Moskovitz.

Sulmi bëri që kreu i Organizatës Botërore të Sinagogës, David Ben-Na’eh, t’i shkruante kryerabinit rus, Berel Lazar, duke iu lutur atij që t’i kërkonte Vladimir Putinit të urdhëronte ushtrinë ruse të ndalonte dëmtimin e sinagogave dhe vendeve të shenjta. “Sinagogat janë një tempull i vogël për popullin hebre kudo. Këto kanë qenë shtyllat kryesore të hebrenjve kudo në botë për mijëra vjet”, shkroi ai.

Rusia mohon të ketë goditur qytetin e shenjtë hebre në Ukrainë

Në një fjalim në parlamentin e Izraelit, presidenti i Ukrainës Zelensky, pretendoi se Rusia kishte goditur qytetin Uman, një vend i nderuar nga shumë hebrenj. Zelensky, i cili është hebre, tha se raketat ruse goditën qytetin në ditën e parë të pushtimit në shkurt. Dhjetëra mijëra hebrenj Hasidikë udhëtojnë në Uman çdo Rosh Hashanah (Vit të Ri hebre), për të vizituar varrin e rabinit Nachman të Breslovit, i cili ringjalli lëvizjen Hasidike dhe vdiq në vitin 1810.

Vizitorë hebrenj në Uman të Ukrainës

Moska ka mohuar pretendimin, duke shpërndarë imazhe të tjera duke thënë se ishin forcat ukrainase që ngarkonin armë pranë një sinagoge. “Dua të nënvizoj se forcat e armatosura ruse nuk godasin objektiva civile, si pjesë e operacionit special ushtarak”, tha zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Por komuniteti hebre i Umanit ka hedhur poshtë pretendimet për armë pranë sinagogave. “Të gjitha sinagogat dhe vendet hebraike në Ukrainë përdoren ekskluzivisht për qëllimin e tyre, për të kryer aktivitete fetare ose për të ndihmuar anëtarët e komuniteteve hebraike dhe popullsinë vendase”, shkroi Komuniteti i Bashkuar Hebre i Ukrainës në Telegram.

Një kishë e rrafshuar

Një kishë në qytetin juglindor të Volnovakha, ka pësuar dëmtime të rënda nga bombardimet ruse. Tempulli i Kishës, i ndërtuar për të nderuar ushtarët ukrainas që vdiqën duke luftuar me militantët prorusë në vitin 2014, është shkatërruar, gjithashtu. Kupola e artë e kishës është e prishur dhe punimet prej druri janë copëtuar.

Guvernatori rajonal i Donetsk ka thënë se Volnovakha, dikur shtëpia e rreth 22 000 njerëzve, “nuk ekziston më”. Imazhet satelitore të shpërndara nga Maxar Technologies, të marra para dhe pas sulmit, zbulojnë shkallën e dëmit.

Shkatërrimi i vendeve shpirtërore të Ukrainës ka tronditur thellë komunitetet e saj fetare.

“Është një lloj makthi, nuk mund të gjej asnjë fjalë për ta përshkruar. Është e tmerrshme, është antinjerëzore. Unë nuk e di pse trupat ruse qëllojnë mbi kishat, nëse jemi të krishterë, duhet të kujdesemi për paqen. Është një vend ku njerëzit mund të gjejnë ndihmë, mbështetje. Ne po lutemi për vendin tonë, për secilin ukrainas, për t’i shpëtuar ata”, tha Sergiy Berezhnoy, një prift nga Kisha Ortodokse e Ukrainës./A2CNN

Vritet në Ukrainë gazetari i New York Times

Një gazetar amerikan i New York Times është vrarë në Ukrainë nga forcat ruse, transmeton KultPlus.

Kreu i policisë në rajonin e Kievit tha se Brent Renaud ishte vrarë dhe një tjetër u plagos nga forcat ruse në Irpin, në lindje të kryeqytetit.

“Pushtuesit vrasin në mënyrë cinike edhe gazetarë të mediave ndërkombëtare që përpiqen të tregojnë të vërtetën për mizoritë e trupave ruse në Ukrainë”, shkroi Andriy Nebitov në Facebook./ KultPlus.com

Artistët përdorin artin për të nxjerrë në pah luftën në Ukrainë

Artistët e frymëzuar për të krijuar vepra rreth luftës në Ukrainë thonë se është një “mjet i fuqishëm” për t’i bërë njerëzit të mendojnë, transmeton KultPlus.

Artisti i rrugës Steve “Jenks” Jenkins tha se ndjente se nuk mund të bënte shumë për të ndihmuar mijëra milje larg në Llanelli, Carmarthenshire, por “vendosja e pak boje në një mur mund të tregojë mbështetje”.

“Është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u përcjellë mesazhe njerëzve,” tha ai.

“Dhe mund të marrësh diçka sa hap e mbyll sytë dhe kjo të bën të mendosh dhe zgjon gjëra brenda teje.”

“Është një mjet i fuqishëm për t’u përdorur.”

Artisti i popit Nathan Wyburn, nga Ebbw Vale, tha: “Arti, jo vetëm që dokumenton kohën, por gjithashtu mund të ndihmojë në përcjelljen e një mesazhi, ndonjëherë, që fjalët nuk munden”.

Historiania e artit Joanna Burke, nga Birkbeck, Universiteti i Londrës, tha se artistët “kanë një mënyrë të fuqishme të komunikimit, shumë më të fuqishme se transmetimet e lajmeve”./ KultPlus.com

‘Lufta është çmenduri’, Papa Françesku thirr për paqe

Në adresimin e së dielës nga dritarja e tij, Papa Françesku ka thënë se Vatikani është i gatshëm të bëjë gjithçka që mundet për paqen në Ukrainë.

Françesku tha se ai ka dërguar dy kardinalë në Ukrainë për të ndihmuar në përpjekjet humanitare dhe këtë e ka bërë “jo vetëm si shenjë për të treguar prezencën e Papës, por për të gjithë ata njerëz që duan të thonë se ‘lufta është çmenduri, ju lutem ndaloni, shikoni këtë mizori!’”.

 “Në Ukrainë po rrjedh një lum gjaku dhe lotësh. Nuk është vetëm një operacion luftarak, por një luftë që prodhon vdekje dhe shkatërrim”.

Papa falënderoi edhe gazetarët që “po rrezikojnë jetën” për të raportuar për këtë luftë.

“Faleminderit vëllezër dhe motra për këtë punë që po na mundëson neve të jemi afër dramës së njerëzve dhe që të shohim mizorinë e kësaj lufte”, i është drejtuar gazetarëve Papa./ KultPlus.com

Historiani i njohur hebre: Heroizmi ukrainas po sfidon tanket ruse

Episodet heroike të ukrainasve po rezultojnë më të forta se tanket ruse, komenton historiani i njohur hebre, Yuval Noah Harari në një artikull për gazetën izraelite ”Yediot Ahronot” me titull ”Pse Putini tashmë ka humbur”.

Sipas Hararit, autor i librave të famshëm “Sapiens. Lindja e njerëzimit” dhe ”21 mësime për shekullin XXI”, ”për të përmbushur qëllimin e tij, Putinit do t’i duhej një fitore me pak gjak dhe e pasuar nga pak urrejtje”.

Por, në vend të kësaj, po ndodh krejt e kundërta.

”Historitë janë materiali nga të cilat kombet janë formuar. Për breza të tërë ukrainasit do të flasin për presidentin e vendit të tyre, i cili i tha SHBA-së se i duheshin armë dhe jo të largohej nga vendi, për ushtarët që nuk iu bindën urdhrit të anijes luftarake ruse apo për civilët që ndaluan tanket”, thotë Harari.

”Në të njëjtën kohë këto histori do të kenë një ndikim më të madh sesa ato të tankeve. Putini duhet të kujtojë ndikimin e heroizmit të rusëve në rrethimin e Leningrad, nga ku edhe vetë u edukua”, thekson historiani.

Harari vëren se, ndërsa Gorbaçovi la si trashëgimi miqësinë mes popullit rus dhe atij ukrainas, Putini i bëri ata armiq.

”Nëse dikush ka firmosur certifikatën e vdekjes së Perandorisë Ruse ai nuk është Mihail Gorbaçovi, por vetë Vladimir Putini”, përfundon Harari./atsh/ KultPlus.com

Sulmet në Ukrainë nëpërmjet fotografive

Këto foto tregojnë sulmin shkatërrues të Rusisë ndaj Ukrainës.

Edhe pse mund të duket e pabesueshme që ka një luftë në shekullin e XXI, është e vërtetë, ‘dita e zezë’ erdhi.

Vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar të vendosin sanksione në përgjigje të veprimeve të Rusisë. Një vorbull përpjekjesh diplomatike në javët e fundit deri më tani nuk ka arritur të qetësojë tensionet në rajon.

Rusia ka forcuar kontrollin e saj ushtarak rreth Ukrainës që nga viti i kaluar, duke grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë, si dhe pajisje e artileri, në pragun e vendit.

Përshkallëzimi në konfliktin shumëvjeçar ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, duke ngritur spektrin e një përballjeje të rrezikshme midis fuqive perëndimore dhe Moskës./ KultPlus.com

срочно займ на карту онлайн без проверок