Hapet Panairi i Turizmit dhe Sportit

Është hapur edhe zyrtarisht Panairi i Sportit dhe Turizmit, si dhe Panairi i Edukimit, të cilat po mbahen në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Të pranishëm në hapje ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidenti Gazmend Maxhuni dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv, Musa Selimi.

Në fjalën e tij, presidenti Krasniqi, foli për vlerat dhe rëndësinë që ka sporti në promovimin e turizmit në Kosovë.

“Organizimi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën, kanë ndikim edhe me benefitet multidimensionale, të cilat përveç atyre sportive, kanë edhe efekte ekonomike, duke pasur fokusin e veçantë tek turizmi, që sporti ia sjell vendit. Nja nga qëllimet e KOK-ut dhe federatave sportive në vend, janë edhe organizimi i garave të ndryshme ndërkombëtare, ku krahas sportit, hoteleria do të ishte përfituesi më i madh”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi, duke i bërë thirrje Qeverisë të vazhdojë investimet edhe në infrastrukturën sportive, veçanërisht atë dimërore, e cila do të luante rol kyq në turizëm.

Të pranishëm të tjerë ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësues të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, mysafirë nga organizatat turistike të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe udhëheqës të Odës Hoteliere dhe Turizmit të Kosovës, të cilët vlerësuan lartë Panairin, duke përmendur edhe sportin si mundësi të mirë të zhvillimit të turizmit.

Në Panair, ofertat e tyre, krahas bizneseve hoteliere dhe turistike, si dhe atyre të institucioneve arsimore, po i paraqesin edhe federatat dhe klubet e ndryshme sportive./ KultPlus.com

Vizatimet e murit në kishën e Romës kujtojnë strehimin e fshehtë të hebrenjve dhe antifashistëve

Kisha e San Gioacchino në Romë është plot me afreske, mozaikë dhe dritare të ndërlikuara prej xhami me njolla, por ndoshta kryeveprat e saj të vërteta janë vizatimet e mureve me qymyr të fshehura në papafingo, transmeton KultPlus.

Vizatimet u bënë nga një prej 35 burrave – duke përfshirë hebrenj, të krishterë antifashistë dhe dezertorë ushtarakë – të cilët ishin fshehur në papafingo gjatë pushtimit nazist të Romës në Luftën e Dytë Botërore, disa për gjashtë muaj.

At Ezio Marcelli i zbuloi vizatimet në vitin 1984, 40 vjet pasi ushtarët aleatë çliruan Romën nga pushtuesit nazistë në qershor 1944. Ai kujtoi se kishte dëgjuar nga një prift më i vjetër se njerëzit ishin fshehur në kishë gjatë luftës dhe filloi të kërkonte në arkivat e famullisë për të dhëna .

“Kam arritur të gjej këtë vend të fshehtë. Ne bëmë këtë zbulim të jashtëzakonshëm,” tha ai. “Isha shumë emocionuese”.

“Kuptimi i asaj që ndodhi këtu, i njerëzve të përndjekur, të gjuajtur për t’u dënuar me vdekje, ka ende një rëndësi të vërtetë sot”, tha Marcelli.

Pavarësisht 90 viteve të tij, Marcelli ngjit pa frikë shkallët e jashtme spirale që të çojnë në papafingo.

“Ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë dhe të kujdesshëm në mënyrë që askush të mos mund të bëjë më veprime të tilla të liga,” tha ai, duke i çuar vizitorët përmes një kalimi sekret që dikur ishte ndërtuar për të fshehur njerëzit brenda nga bastisjet e mundshme naziste./ KultPlus.com

ANDRRA dhe Petrit Çeku sjellin këngën “Shën Gjergji” (VIDEO)

Artistja ANDRRA (Fatime Kosumi), puna e së cilës bazohet në impaktin e trashëgimisë dhe traditave në shoqërinë e sotme moderne e cila jeton dhe vepron në Berlin, ka sjell sot këngën e re, shkruan KultPlus.

Kënga titullohet “Shën Gjergji” dhe vjen në bashkëpunim me kitaristin e njohur Petrit Çekun.

ANDRRA ka falënderuar gjithë artistët me të cilët ka bashkëpunuar për të sjell këtë këngë, dhe është shprehur shumë e lumtur për këtë bashkëpunim.

“Shën Gjergji feat. Petrit Çeku – Live at St. Elisabeth, Berlin

Faleminderit shumë të gjithëve të përfshirë. Unë me të vërtetë mund ta kisha titulluar feat. Petrit Çeku, Larry Mullins, Earl Harvin, Federico Albanese, Lih Qun Wong, Visar Kuçi, Tara Nome Doyle, Mone Humienna por Petriti është vetëm në dy këngë dhe kjo është njëra prej tyre ❤

Me bo muzikë me këta artistë të jashtëzakonshëm në këtë vend magjikë ishte ndër momentet më të kënaqshëm në karrierën time muzikore deri më tani”, ka shkruar ANDRRA. / KultPlus.com

Shqipëria, pjesë e Konferencës së Donatorëve për Ukrainën në Varshavë

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Varshavë, Poloni, ku do të jetë pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkëorganizuar nga kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

Konferenca do të diskutojë masa konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.

Në përgjigje të rritjes së shpejtë të nevojave, OKB-ja ka ngritur strukturat e posaçme për të hyrë në zonat më të goditura në ndihmë për shpëtimin e jetëve, duke vendosur ekspertë, për koordinimin, angazhimin e komunitetit, mbrojtjen dhe menaxhimin e informacionit. Ndërkohë, që kërkohet më tepër nga komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur intensitetit të këtyre nevojave.

Edhe Shqipëria do të radhitet përkrah vendeve kontribuuese, angazhim të cilin Kryeministri Edi Rama do ta shprehë gjatë kësaj Konference.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet gjithashtu Konferencës përmes një videomesazhi. /j.p/ KultPlus.com

Torra Veneciane, vijon puna për restaurimin e simbolit të Durrësit

Në Torrën Veneciane, një nga simbolet e qytetit bregdetar të Durrësit vijon puna me ritme të larta për restaurimin e saj, përmes programit “EU4Culture”.

Në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve, specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një inspektim në Kullën Veneciane.

Projekti i restaurimit, i cili filloi në muajin shkurt, synon rijetësimin e Kullës, duke e kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aplikacioneve, performancave digjitale etj, duke ofruar për vizitorët, një mënyrë te re të të njohurit të historisë unike të qytetit të Durrësit.

Torra Veneciane është pjesë e siteve të programit EU4Culture financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Torra Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit. Torra ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit. / atsh / KultPlus.com

Liberation për Gjon Milin në vitin 1946: Fotografi më i madh në botë është në Paris

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Maj 2022

“Libération” ka botuar, të enjten e 26 shtatorit 1946, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me ardhjen e bujshme të Gjon Milit në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fotografi më i madh në botë është në Paris

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin të gjithë: Mili, Gjon Mili, është fotografi më i mirë në planet; 6 East, 23 Rd Street në Nju Jork, ai ka studion më të madhe dhe më moderne në botë.

Dhe brenda pak ditësh, të gjithë fotografët e Parisit do të mund të zbulojnë në Galerie du Bac, ku, nën kujdesin e Shërbimeve Inteligjente Franceze në SHBA, do të ekspozojë veprat e tij, një teknikë krejtësisht e panjohur për kontinentin tonë.

Mili, i cili mbërriti në Paris pak ditë më parë me 250 kilogramë pajisje për të depërtuar në misteret e Konferencës së Luksemburgut, do t’u shpjegojë me kënaqësi sistemin e tij.

— Jeni fotograf prej kohësh ? e pyetëm Gjon Milin që na priti me dashamirësi në zyrat e kolegut tonë të “Life”.

— Unë jam inxhinier elektrik.

Pikërisht për të mësuar elektricitetin, në fakt, ky shqiptar, pasi kishte mësuar frëngjisht në Bukuresht, shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishte ende, në vitin 1939, vetëm një fotograf amator.

Gjatë luftës, këshilltar në “Laboratorin e të dhënave teknike – Technical Data Laboratory”, ka punuar veçanërisht në studimin e predhave. Falë sistemit të tij, ai ka bërë të mundur, nëpërmjet studimit të kujdesshëm të lëvizjeve të ecjes, përmirësimin e mëtejshëm të këmbëve të artikuluara ortopedike.

I vetmi fotograf zyrtar i Konferencës së San Franciskos, ai thjesht, pa blicet e llambave të tij që t’i shqetësonin debatet e tyre, fotografoi të gjithë të mëdhenjtë e kësaj bote. Në Luksemburg pajisjet e tij kanë bërë bujë dhe ai ende nuk ka marrë të gjitha lehtësitë që dëshironte. Kështu ai vërtitet rreth Montmartrit (Montmartre). Bretanja (Bretagne) dhe Pirenejet (Pyrénées) e tundojnë.

Ai kërkon një studio në Paris dhe nëse e gjen do të kthehet çdo vit :

— Ka kaq shumë gjëra të ëmbla në Francë sa mund të bësh gjëra të mira atje.

Teknika e tij? Ju thashë, ai është një inxhinier elektrik.

Rezultatet ? Për sa i përket rezultateve: nuk dimë dëshmitar më të mirë se këto tri foto, me firmën e Milit, dhe që jemi të parët në shtypin francez që i publikojmë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto 1 : Gjon Mili arriti, në një pamje të vetme, të kapte lëvizjen me aq saktësi sa kinemaja. Gjestet e kësaj vajze të vogël duke kërcyer me litar e mbajnë (tërheqin) vëmendjen si një vepër arti.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto 2 : Vini re pozën e këmbës së djathtë të njeriut që shihet përballë; syri juaj përfundon lëvizjen e nisur.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto 3 : Sapo i është hedhur një gotë ujë në fytyrë kësaj gruaje; ne tundohemi ta ndihmojmë të fshihet

https://www.darsiani.com/la-gazette/liberation-per-gjon-milin-ne-1946-fotografi-me-i-madh-ne-bote-eshte-ne-paris/

Drejtori i Muzeut të Krujës për ATSH: Fluks turistësh nga Europa dhe SHBA

Mbi 8 mijë vizitorë vizituan gjatë muajve janar-prill të këtij viti Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik në Krujë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se në katër muajt e parë të vitit këta dy muze u vizituan nga 8666 vizitorë, nga të cilët 3780 janë të huaj”.

“Turistët e huaj janë kryesisht nga Evropa Perëndimore, si Polonia, Sllovenia etj, si dhe nga Shtetet e bashkuara të Amerikës. Një numër të lartë kanë shënuar edhe nxënësit e shkollave të Shqipërisë dhe Kosovës”, theksoi Hafizi.

Sipas tij, këto janë shifra optimiste për një sezon të mirë turistik në vendin tonë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë Hafizi u shpreh se “kjo shifër tregon dyfishin e vizitorëve të të njëjtës periudhë të vitit 2021, trefishin e vizitorëve të të njëjtës periudhë të vitit 2020. Pra jemi shumë pranë numrit të vizitorëve të të njëjtës periudhë të vitit 2019, vitit më të mirë turistik në Shqipëri”.

Hafizi tha se “që prej muajit prill muzeu Etnografik i është nënshtruar rikonstruksionit dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.

Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri. Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga qytetet më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas Pazarit, Muzeut Historik dhe Etnografik, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita ‘Vend i pafiksuar, Koha e paqartë’ e artistit Vigan Nimani

Sot në Kino Armata do të hapet ekspozita ‘Vend i pafiksuar, Koha e paqartë’ e artistit Vigan Nimani, e kuruar nga Seda Yildiz.

‘Vend i pafiksuar, Koha e paqartë’, më 5 maj do të qëndrojë e hapur në Kino Armata, më 6 maj nga ora 18:00 do të hapet në Grand Hotel Prishtina ndërkaq më 7 maj nga ora 18:00 do të ketë bisedë me arististin dhe kuratoren, në studion e Nimanit, pranë objektit të RTK-së, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë shpaloset si tre pjesë të veçanta ekspozite dhe fokusohet në praktikën shumë shtresore artistike te Vigan Nimanit (l. 1981, Prishtinë). Është një mënyrë prezantimi në të cilën shikuesit ftohen të shëtisin midis disa pikave urbane te qytetit gjatë tre ditëve, të përfshira me piktura, muzikë, vizatime dhe fotografi.

I shkolluar si piktor, Vigan Nimani luante në grupin muzikor të muzikës improvizative dhe eksperimentale Tetris, punon si punëtor kulturor në Kino ARMATA dhe drejton një restorant (një zgjerim në studion e tij, duke ekspozuar disa nga pikturat e tij). Që në vitet 2000, ai ka qenë një figurë aktive në formim skena lokale e artit dhe kulturës në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, i cili është zhvilluar nga eksperimentimi dhe vetë-organizimit të banorëve. Lidhja e ngushtë e Nimanit me vendlindjen e tij bëhet e dukshme në artin e tij. Kjo ekspozitë multidisiplinare, për herën e parë, mbledh piktura, vizatime, tinguj dhe fotografi për të marrë një vështrim më të gjerë në praktikën e artistit nga fillimi i viteve 2010 deri më sot.

Zgjedhja e vendeve do të ndihmojë gjithashtu për të zbuluar fokusin tematik te ekspozitës; nocioni i kohës kujtesa kulturore. Kino ARMATA, një ish-kinema në “Shtëpia e Ushtrisë Jugosllave”, e cila ishte përdoret më vonë si seli e Kombeve të Bashkuara, do organizojnë një performancë audiovizive. I rrethuar nga pikturat e Nimanit do të ket edhe muzikë live pa e nda publikun nga skena. Grand Hotel Prishtina, një pikë arkitekturore moderniste në të cilen do të ekspozohen piktura të vogla në dru dhe sipërfaqe tjera. Studio e artistit në qytetin e vjetër do të jetë vendi i takimit për të zhvilluar një bisedë dhe shqyrtoni nga afër modus operandì të tij.

Vigan Nimani (l. 1981, Prishtinë) është artist pamor, muzikant dhe punëtor kulturor me seli në Prishtinë, Kosovë. Kryesisht duke punuar me pikturë, vizatim dhe fotografisë Praktika e Nimanit merret me nocionin e kujtesës dhe të kaluarës nga një këndvështrim jonostalgjik, progresiv. Puna e tij, që zhvillohet përmes fragmentimeve dhe abstraksionit, fton shikuesi të angazhohet në mënyrë aktive në procesin e kuptimbërjes të së kaluarës, në të tashmën.

Seda Yıldız (l. 1989, Stamboll) është një kuratore dhe shkrimtare e artit e pavarur dhe e bazuar në Hamburg. Praktika e saj është frymëzuar nga të menduarit nëpër disiplina duke përfshirë artin, muzikën, dizajnin, letërsinë, kinemanë dhe aktivizmin. Ajo është veçanërisht e interesuar për të marrë pjesë në procese të orientuara, të hapura dhe projekte eksperimentale të cilat nxisin bashkëpunimin dhe shkëmbimin dhe synon të arrijë një audiencë më të gjerë./ KultPlus.com

Sonte fillon edicioni i 33- të i festivalit “Hasi Jehon”

Në Gjonaj të Hasit sonte fillon Festivali tradicional folklorik “Hasi Jehon”.

Drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtje sa më të suksesshme të edicionit të 33-të të këtij festivali. Ai ndjehet i lumtur që pas periudhës dy vjeçare, si pasojë e pandemisë, “Hasi Jehon” po rikthehet në shtratin e tij në Kodrën e Pajtimit.

Sipas tij, interesimi i grupeve artistike për të marrë pjesë në festival ka qenë tejet i lartë, ndërsa njofton se nga ky edicion, është vendosur një rregullore re dhe grupeve pjesëmarrëse iu është kërkuar që programin e tyre t’ia përshtatin kritereve të reja të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të festivalit, pasi Festivali është në proces të pranimit nga Ministria e Kulturës që të jetë si aset në mbrojtje të përhershme.

Në edicionin e radhës së festivalit ” Hasi jehon”, do të marrin pjesë 16 grupe artistike nga hapësirat mbarëshqiptare, ndërsa tradicionalisht festivali hapet nga nikoqiri SHKA “Malësori” nga Gjonaj.

Festivali  Folklorik  “Hasi Jehon 2022 ”

Programi:Dita e parë ( 5 maj 2022 , ora 18.00 hapja e ekspozites se bukes)

1.     SHKA  “ Malësori “ – Gjonaj

2.     SHKA  “Çeta e Profetëve” –  Krumë

3.     Kengetaret: Hamit Kastrati dhe Klevi Gaxha

4.     Emin Sallahu – Melodi me Okarinë

5.     AKV   “ Deçani ”  –  Deçan

6.     Kengetarja:  Blerina Dibra

7.     AEK   “ Katarina Josipi ” – Zym

Dita e dytë ( 6 maj 2022 ora 18 e 30 min )

1.     SHKA “ Bajram Curri ” – Prishtinë

2.     SHKA “ Kastriotët ” – Ferizaj

3.     SHKA “ Rapsha” – Tuz

4.     SHKA  “ Zëri i Kosovës ” – Fushë Kosovë

5.     SHKA  “ Minatori i Ri ” – Kizhnicë

6.     SHKA  “ Kemajl Aziz i” – Viti  

 Dita e tretë  ( 7 maj 2022 ora 18 e 30 min )

1.     SHKA  “ Bajram  Curri “ – Krushë e Madhe

2.     SHKA  “ Bresana” – Bresanë

3.     Rapsodi: Jeton Fetahu

4.     Ansmabli  “ Besa “ –  Kavajë

5.     SHKA “ Shqiponja “ – Shkup

6.     AFA  “ Rugova ” – Pejë

7.     SHKA  “ Malësori ” –  Gjonaj. / KultPlus.com

Erosi dhe Tanatosi në simbiozë

Mira Meksi, është shkrimtare dhe përkthyese shqiptare. E nderuar me shumë çmime në letërsi si për romanet e po ashtu edhe për përkthimet. Në vitin 2014 romani i saj “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” ka përfaqësuar Shqipërinë në garën për çmimin letrar “Ballkania”, po ashtu e njohur si përkthyese e poetëve me famë botërore si Marquesit, Borhesit, Bodlerit e Nerudes ka marrë çmime të ndryshme, këtë herë na vjen me veprën “Hakmarrja e Kazanoves”.

Vepra është e përbërë nga një novelë dhe gjashtëmbëdhjetë tregime. Në tërë përmbledhjen dalin temat si dashuria, jeta e vdekja. E pasuruar me figura historike e legjenda të cilat dekonstruktohen, me figura fiksionale që përçojnë sindroma psikologjike. Me një stil i cili na afron më shume drejt fantazisë dhe më pak drejt reales por duke i mbajtur në një balacim të konsiderueshëm. Që në titull vepra është shënjuese që na dërgon tek një figurë historike. Për t’u pasuar nga tregimet të cilat janë në komponim midis letërsisë, historisë, psikologjisë e filozofisë së autores. Tregimet lexohen të lidhura mes vete në ide dhe të ndara për shkak të personazheve.

Çmitizimi i miteve të dashurisë

Në vepër, idenë e dashurisë autorja e ndërton duke përzgjedhur figura historike e legjenda të cilat në laboratorin e saj krijues dekonstruktohen me qëllimin e vetëm që lexuesit t’i ofrojë një perspektivë tjetër të vështrimit. Kështu novela për Kazanovën, personalitetin e të cilit historia njerëzore e kualifikojë si: ushtarak, spiun, filozof, prift, shkrimtar dhe mbi të gjitha me mitin si dashnori më i madh i të gjitha kohërave, vjen i shpalosur për të na ofruar një këndvështrim tjetër. Të nisur nga një gjurmë e vetme Sydney Fox dhe Arbër Muzaka me një grup historianësh vihen në aksion për të gjurmuar jetën e njeriut të njohur si dashnori ma i madh historik. Zbulesa e tyre ndryshon komplet qasjen ndaj kësaj figurë. Deshifrimi i ditarit të Kazanovës nga Arbër Muzaka e nxjerrë në publik të fshehtën e tij e që është dhimbja për një dashuri të humbur. Kështu figura e Kazanovës nga një dashnor, që koleksionon marrëdhënie erotike me shumë femra, në fakt del të jetë një fatkeq i cili vuan për dashurinë e humbur.

Duke qenë se autorja është përkthyese e Marquezit kjo ide me të cilën ajo paraqet Kazanovën na asocon me idenë e dashurisë së humbur në veprën “Dashuria në kohërat e kolerës”, ku aty kemi figurën e Florentino Arizos i cili është në dashuri të përjetshme me Fermina Dazën por, duke qenë së dashurinë e tij s’mund ta realizojë edhe ai shndërrohet në një Kazanovë i cili krijon marrëdhënie erotike me shumë femra. Në këtë relacion ideja është e njëjtë, një grua ma shumë në shtrat është një numër më shumë për ta shpaguar dashurinë e humbur. Në këtë mënyrë autorja çmitizon figurën e Kazanovës të njohur si një dashnor i madh në një të përvuajtur të madh. Në tregimin tjetër “Shiriti prej mëndafshi blu” kemi figurën e Beatriçes, legjendës spanjolle të dashurisë. Teuta e fiksuar pas ngjarjeve mistike, të komunikimit të shpirtrave, të dyzimit të dy botëve, të thyerjes së barrierës që ndanë botën e gjallë nga bota e vdekur merr pjesë në një ritual të natës së shpirtrave. Një tregim që pasqyron botën e fantazisë i motivuar nga dëshira për njohjen dhe ruajtjen nga dhimbja e dashurisë. Frika dhe brishtësia e ndjenjave e çojnë në një ritual ku e vdekura si simbol i dashurisë komunikon me të gjallën për t’i dhuruar një shirit blu që e ruan nga vuajtjet e mundshme. Tregimi e arrin çmitizimin e tij kur Teuta humb shpirtin blu për të nënkuptuar se fati i secilit në dashuri është i veçantë në vete.

Tregime me bazë psikologjike

Disa nga tregimet janë të ndërtuar për të pasqyruar sindroma psikologjike. Të tillë janë tregimet Nobelisti dhe Vrasësit e vegjël ku del sindroma e sapioseksuales dhe blatofobia. Në tregimin e parë e kemi personazhin Ajo që dashurohet në poetin Julio Cortazar. Dashuri e bazuar vetëm në magjepsjen e madhe që përjeton nga shkrimet e autorit. Një dashuri pa kontakte fizike dhe me bazë admirimin. Në këtë aspekt autorja paraqet sapiofilisten të shndërruar në një sapioseksuale e cila është në një ekstazë të vazhdueshme me dashurinë ndaj poetit favorit. Kështu tregimi del si një ndërtim psikologjik ku personi dashurohet në mendjen e tjetrit më shumë se sa një dashuri erotike. Në tregimin me vrasësit është sindroma e frikës nga milingonat e njohur si blatofobia. Ana vuan me një frikë të madhe nga milingonat, frikë që e çon në vdekje pasi nuk arrinë ta kontrollojë këtë çrregullim. I tërë tregimi është për të pasqyruar defektin psikologjik që shndërrohet në një depresion kronik dhe kthehet në fatalitet për protagonisten e tregimit.

Portreti i poetit

Autorja duket se ka një lidhje të veçante me poetin argjentinas Jose Luis Borgesin. Janë dy tregime në të cilat shpalosë fatin e shkrimtarit në dy linja të ndryshme. Tregimet Aksidenti dhe Emri absolut. Në tregimin e parë del vdekja e tij në një aksident rrugor, i vdekuri shëtitë në mesin e të gjallëve për të kuptuar se ka vdekur fizikisht për të mos vdekur asnjëherë artistikisht. Ndërsa në tregimin e dytë del autorja që e ndjekë në shkrimin e tij Vdekja dhe Busulla e bindur se aty është emri i Zotit i ditur vetëm nga autori. Duke përçuar erudicionin e madh të poetit tregimin e përfundon duke përshkruar se nuk arrinë ta kuptojë emrin e Zotit dhe duke aluduar se emrin e tij e di vetëm Borghesi. Kështu ajo përçon admirim e madh që ë ka ndaj këtij poeti

Biografema e pasqyruar në tregim

Edhe pse ngjarja është fiksionale në tregimin Takimi tjetër është autorja e vendosur në dy periudha të ndryshme. Në atë të rinisë kur lexonte dhe përkthente poetët francezë dhe në periudhën e pjekurisë kur lexon dhe përkthen autorët amerikanolatin. Tregimi vjen si një ballafaqim i ndërdijes me vetëdijen. Kështu një udhëtim nëpër Francë bëhet shkak kur autorja ndodhet në këtë ballafaqim. E kaluara e saj në fillet e leximeve, në fillet e përkthimeve vjen si një ballafaqim me të tanishmen për t’i kërkuar llogari për “tradhtinë” e bërë. Autorja sado që ka nostalgji për letërsinë franceze dashuria e saj jetësore është për atë amerikanolatine dhe kështu tregimi përmbyllet duke shpalosur biografemën e autores si një përkthyese e dalluar dhe e veçuar në këtë letërsi. 

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Nga Edon Thaqi / KultPlus.com

Sot, kujtojmë 5 majin, Ditën e Dëshmorëve

Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar. / KultPlus.com

15 vite nga vdekja e këngëtares së shquar shqiptare, Nazmie Hoxha

Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.

Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.

Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë inxhizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 është si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.

Më 8 mars 2003, stacioni televizi RTV 21, transmeton një intervistë biografike të Nazmijes dhënë Florim Kelmendit për programin e rregullt të natës së shtunë, programit “Në orët e vona”.

Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com

Përkujtesë historike, kuvendi i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Nga Jusuf Buxhovi

Përkujtesë historike: 5 maj 1991

KUVENDI I PARË I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Kuvendi i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shënoi kapërcimin historik nga kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, që doli në Kuvendin Themelues të 23 dhjetorit 1989, te ajo për shtet të pavarur. Këtë ndryshim e imponuan rrethanat që lidheshin me fillimin e luftës në Jugosllavi si dhe vendimin e Konferencës së Hagës, që pranoi shpërbërjen e federatës jugosllave.

Kuvendi i Parë i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”,  i mbajtur në Prishtinë më 5 maj 1991, në amfiteatrin e medresës “Alauddin” e ku morën pjesë 350 delegatë të zgjedhur nga degët dhe nëndegët e partisë, shënon një ngjarje të rëndësishme  meqë, kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, nga Kuvendi   Themelues të 23 dhjetorit 1989, u redifenue në kërkesën për shtet të pavarur. Këtë kapërcim  historik e përcaktuan rrethanat e kohës dhe faktorët që krijuan realitete të reja politike, ndër të cilat përcaktuesi ishin: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, me ç’rast delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia si dhe vendimet e Kuvendit të Kaçanikut në kuvendin e 7 shtatorit 1990 me ç’rast Kosova shpallet republikë e pavarur në kuadër të federatës jugosllave me të drejtën e barabartë me njësitë tjera federative. Rol të rëndësishem madje edhe vendidmtar të ky përcaktim pati shpërthimi i luftës në maj të atij viti, kur ushtria Jugosllave e dominaur nga ushtarakët serbë, bëri agresion në Slloveni, ndërkohë që faktori ndërkombëtar reagoi me mbajtjen e konferencës së Hagës në gusht të atij viti,federatën jugosllave e shpalli në shpërbërje e sipër. Pra, evolucioni politik i kërkesave nga ajo për barazi tek pavarësia dhe shteti i pavarur, që do të fillojë të organizohet pas mbajtjeve  të zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në prill 1992, mund të kuptohet drejt dhe mirë në saje të vendimeve që u morën në Kuvendin e Parë të LDK-së, meqë ato ia hapën rrugën rezistencës institucionale (me shtetin paralel që funksionoi deri në mars të vitit 1999) si dhe asaj të armatosur, që u shfaq në nëntor të vitit 1997.

Edhe në planin e brendshëm partiak, Kuvendi i Parë i LDK-së, që duhet dalluar nga Kuvendi Themelues i 23 dhjetorit 1989, nxori dhe përcaktoi strukturën e re organizative, sipas Statutit të aprovuar në Kuvend – Këshillin Qendror – organ kryesor të partisë. Kishte dymbëdhjetë komisione qendrore, ku ai i sistemit politik, i arsimit dhe kulturës, i çështjeve të mbrojtjes sociale, i shëndetësisë, i informimit, i çështjeve juridike, i vetëmbrojtjes, i ekonomisë, i marrëdhënieve me jashtë dhe i ekologjisë, përbënin bërthamën e filleve të shtetit paralel.

Këshilli Qendror i LDK-së që u zgjodh në Kuvend kishte këtë përbërje:

          Dr. Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, dr. Idriz Ajeti, prof. Fehmi Agani, dr. Bujar Bukoshi, dr. Ali Aliu, dr. Rexhep Ismaili, dr. Sabri Hamiti, dr. Gani Bobi, dr. Ejup Statatovci, dr. Nexhat Daci, dr. Fatmir Sejdiu, dr. Faik Brestovci, Ramë Buja, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, dr. Ismet Salihu, dr. Fadil Raka, Anton Kolaj, Mujë Rugova, Edi Shukriu, Ibrahim Berisha, Rexhep Gjergji, Skender Blakaj, dr.Binak Kastrati, Mehmet Kraja, Fadil Hysaj, Kadri Halimi, dr. Zenel Kelmendi, Mensur Fejza, dr. Shaqir Shaqiri, Adil Pireva, Mujë Krasniqi, dr. Abdyl Krasniqi, Ibush Jonuzi, Engjëll Berisha, Agim Çavdërbasha, Selatin Novosella, Xhemail Mustafa, Isa Haxhiu, Myrvete Dreshaj, Shyhrete Malaj, Agron Dida, Milazim Krasniqi, Nexhat Krasniqi-Nekra, Basri Çapriqi, Skënder Kastrati, Arif Bozaxhi, Naip Zeka, Irfan Pashoja, Fadil Kryeziu, dr. Simë Dobreci, Idriz Berani, Abdyl Rama, Paulina Lumezi dhe Melihate Shala.

         Komisionet përfshinin edhe anëtarë të jashtëm, kryesisht profesionistë, të cilët merrnin pjesë në krijimin e politikave të caktuara.

  Këshilli Qendror i LDK-së, me një përbërje të tillë ndër më reprezentativet e kohës, deri në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në prill të vitit 1992, luajti rolin e një kuvendi kombëtar.

(Në foto, në kryesin ë e punës, nga e majta: prof. Fehmi Agani, Flora Brovinar,Dr. Ibahim Rugova dhe prof. Latif Berisha)./ KultPlus.com

Ennio Dybeli, i pari shqiptar që bëhet pjesë e “Apple” në Kaliforni

Ennio Dybeli është i pari shqiptar që bëhet pjesë e headquarter-it në kompaninë “Apple” në Kaliforni. Gjeniu 28-vjeçar i elektronikës është pjesa e stafit të ngushtë të designer pas një oferte fantastike.

Djaloshi që lindi dhe u shkollua në Tiranë në të gjitha ciklet e arsimit shqiptar ka arritur një super sukses falë talentit dhe përkushtimit. Historia e veçantë e gjeniut që në adoleshencë kishte idhull Steve Jobs pa e mendur se një ditë do punonte në stafin e ngushtë të “Apple” që Jobs la pas vdekjes. Një portret dhe rrëfim i rrallë nga vetë Ennio Dybeli si dhe një këshillë për kryeministrin Edi Rama: Dëgjo vetëm të rinjtë!

Në headquarter-in e kompanisë “Apple” në Kaliforni, të themeluar nga Steve Jobs, së fundmi punon edhe një djalë shqiptar. Mes 154 mijë punonjësve që ka gjigandi elektronik dhe me të ardhura 370 miliardë dollarë në vit, 28-vjeçari Ennio Dybeli mund të quhet gjeni. Prej disa javësh ai është bërë pjesë e stafit të ngushtë të designer-ave dhe është shqiptari i parë që arrin në këtë nivel. Nuk është emigrant. Nuk është klandestin. Madje nuk është diplomuar as në SHBA, e as në ndonjë shtet tjetër të Evropës Perëndimore. Edukimi i tij ka ndjekur ciklin tradicional vetëm në kryeqytetin shqiptar. Mbaroi shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”, të mesmen “Harry Fultz”, u diplomua në Fakultetin e Shkencave në Universitetin e Tiranës dhe pas kësaj jeta e tij u ngrit si raketë. Që nga Tirana u interesuan për të, që punonte në Barcelonë si pjesë e kompanisë “Typeform” dhe kompanisë amerikane “Skyscanner” dhe prej suksesit aty, mori një superofertë nga kompania me simbolin mollën e kafshuar “Apple”. Që prej asaj dite që hodhi firmën në kontratë, sa herë që të shikojmë në ekranin e një kompujteri apo celulari ikonat e këtij gjigandi, duhet të mendojmë se në designer-in e tyre ka dorë edhe shqiptari Ennio Dybeli.

SI U NGRIT NJË YLL

Ennio Dybeli ishte vetëm 14 vjeç kur dëgjoi për herë të parë për çuditë e gjeniut amerikan Steve Jobs. Ishte i etur të dëgjonte për të, të lexonte për të dhe ndonëse ende adoleshent të ndiqte një rregull që Jobs e kishte motiv në jetë: Suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë. Dhe djaloshi nga Tirana po ecte në këtë gjurmë. Ndryshe nga moshatarët e vetë në Tiranë Ennio pati kurajon të ndiqte intuitën dhe jo dogmat apo rregullat idiotë “mos këtë e mos atë”. Pati intuitën të ndiqnte pasionin në vend të shpenzimit pa vlerë të kohës, të ndiqte dëshirën duke e plotësuar atë me mundësinë që po i krijohej hap pas hapi. Ishte një oqean i tërë mes artit dhe designer, por ai ia doli falë talentit po e po, por sidomos punës.

“Nuk kam qenë i prirur shumë në matematikë por kam pasur kureshti. Jo veçanti të rrallë. Njohuritë në Shqipëri nuk ndryshojnë shumë me vende të tjera”

Ishte 13 vjeç aq sa edhe Steve Jobs kur ëndërronte të prodhonte kompjutera, ndërsa Ennio Dybeli se si të dizenjonte postera, afishe dhe cover-a. Mbi të gjitha “A”-ja e gjithçka ka qenë mësimi shumë mirë i gjuhës angleze që shërbeu si një dritare. Sikur ta ndjente që një ditë do përballej me kulturën amerikane apo vetëvetiu po ndiqte rregullin se një njeri i edukuar vetëm në shkollë është i paedukuar. Ennio tregon se nuk ka qenë ekselent, madje nuk ka qenë i preferuari i mësuesëve:

“Jam mësuar vetë, jo nga shkolla. Ka qenë në fakt një përzierje në shkollë dhe në kurse. Nga tre ciklet, shkolla shqiptare nuk të mësonte shumë për teknologjinë por mësoja ato që nuk t’i mësonin.”

Në mësime spikatja ka qenë një përzierje mes matematikës dhe letërisë. Dhe cilët janë ata që kanë ndikuar te formimi i Ennio Dybelit? Përgjigjja është befasuese: Teknologjia në shkollën e mesme “Harry Fultz” dhe shkrimtari Ismail Kadare në letërsi. Shkolla teknike i dha teknikën për të njohur elektronikën dhe romanet e Kadaresë, veçanërisht “Kështjella”, i dha teknikën për të shprehur bukur një histori. Pasionanti i kompjuterave thjesht provoi të konkurojë dhe garojë me moshatarët e vetë vetëm nëpërmjet internetit. Pas një përvoje në Barcelonë në kompaninë “Typeform” dhe “Skyscanner”, arriti majën duke u bërë pjesë e “Apple”. Prej gjashtë vitesh aty jo thjesht mësoi një profesion, por perfeksionoi gjithçka që ka të bëjë me fushën e designer. Dhe më në fund erdhi edhe shpërthimi i madh. Kompania “Apple” i bëri një ofertë befasuese. Sigurisht që i erdhi mirë, por në fillim Ennio nuk pati ndonjë ngazëllim. Puna në kompaninë “Typeform” dhe “Skyscanner” dhe jeta komode në Barcelonë ishin të tilla që i kishin krijuar një stabilitet. Kishte lënë Shqipërinë për Spanjën dhe kjo ishte jo pak. A duhej të linte Barcelonën dhe të shkonte në Kaliforni? Por a mund të shpërfillej “Apple”? Për disa javë udhëtimi nga Barcelona e Spanjës në Kupertinon e Kalifornisë u bënë të shpeshta derisa një ditë një nga shefat i vuri përpara një kontratë. Ajo firmë që hodhi aty ishte ndoshta firma e jetës.

“Kur hyra ditën e parë të punës në ‘Apple’ ishte kënaqësi sepse ka një impakt të madh. Por ama nuk kisha ndonjë emocion të veçantë sepse e njihja këtë lloj pune. Nuk kisha një shok të madh. E kisha kaluar në Barcelonë mitin e iluzionit”.

Kur të shtypni ikonën “App store”, fiks po aty është dora e Ennios tonë shqiptar. Për këtë punon skuadra prej 10 vetë dhe një prej tyre është djaloshi nga Tirana. Për ta shpjeguar më fjalë të tjera kjo është skuadra pasardhëse e atyre që më 24 janar 1984 themeluan kompjuterin e parë modern “Macintosh”. Në skuadrën prej 10 gjenish në godinën qendrore me 10 mijë punonjës janë koreanë, anglezë, austriakë, polakë, turq. Për të gjitha ka nga një perceptim, por për Ennion ishte e tmerrshme që për një shqiptar nuk kishte asnjë perceptim. Tregon se e ngatërronin me armen, apo turk. E megjithatë, tashmë që kanë kaluar disa javë, Ennio shqiptari ka krijuar në stafin e ngushtë jo vetëm perceptimin për shqiptarët. Dhe për cilësitë dhe pozitvitetin që zotëron Ennio jemi me fat se apple-stat mendojnë që shqiptarët janë të qetë, shumë të aftë, socialë dhe kanë aftësi të punojnë në grup. Nuk ka rëndësi se ne mund të mendojmë ndryshe për veten tonë. Tashmë Ennio Dybeli e ka krijuar mitin e shqiptarit në kompaninë “Apple”. Themeluesi dhe drejtori i parë i “Apple” Steve Jobs kishte një rregull në punë: Gjërat e mëdha në një biznes nuk bëhen kurrë nga një njeri i vetëm, por nga një grup njerëzish. Dhe kjo devizë funksionon edhe sot që ai nuk jeton më. Ennio tregon se aspekti social dhe bashkëpunues si në “Apple” nuk ndodh në kompanitë e tjera që janë shumë agresive. Për Ennion kjo duket si një “old school” por ama është e famshme dhe rezultative.

PRINDËRIT, ATA QË E MBËSHTETËN

Mirela dhe Haxhi Dybeli janë prindërit më të lumtur në botë për atë që kanë arritur me dalin e tyre. Suksesi i Ennios tani që është i rritur është prova më e mirë se si ata e kanë edukuar atë kur ishte fëmijë. Dhe Ennio e shpreh në ekstrem mirënjohjen ndaj prindërve teksa thotë:

“Mami dhe babi kanë ndikuar shumë tek unë për faktin se kanë qenë mendjehapur. Më kanë lënë të lirë t’i ndiqja dhe vazhdoja pasionet e mia. Asnjëherë nuk më ndërprenë interesat dhe kishin besim te mua”.

Dhe tani që ka arritur një gjë jo të vogël në jetë jep për prindërit dy përcaktime që kur ata t’i lexojnë padyshim që nuk do mbajnë lotët. Përkujdesja e mamasë dhe mbështetja e babit për t’i bërë gjërat vetë janë dy modelet që sipas tij e kanë ndjekur në jetë. Provojmë të bisedojmë për këtë çështje me të dy prindrit e Ennio Dybelit. Si fillim kuptojmë se për çfarëdo ta pyesësh Haxhi Dybelin ai të jep përgjigje vrik. Por kur i zëmë në gojë të birin Ennion emocionohet shumë dhe pamjes në fytyrë i jep një lumturi të veçantë. Edhe pse duket hapur sa i dhënë ka qenë dhe mbetet me të birin modestisht thotë:

“Ato që ka arritur është vetëm meritë e Ennios. Ai realizoi ëndrrën që kishte. Nga mua si baba nuk i mungonin ato që i duheshin, kompjuterat. Por gjithçka është arritur nga puna dhe talenti i tij”.

Akoma edhe më e lumtur është nëna e Ennios. Mirela tregon se që kur ishte fëmijë ai ishte tip i qetë, i dashur, vizatonte dhe krijonte sipas fantazive te tij. Kësaj i shton faktin se më vonë qendronte me orë të tëra duke gdhirë në dhomën e vet duke prodhuar muzikë elektronike duke mësuar fotoshopin dhe kështu deri sa e gjeti veten të bënte atë që i pëlqente më shumë: designer. Për Mirelën suksesi i Ennios lidhet me gjërat e bukura si pasioni, durimi dhe këmbëngulja për të arritur maksimumin por mbi të gjitha thjeshtësia që ka. Për rolin e saj në suksesin e Ennios e ëma, Mirela, është në sinkron me të të atin, Haxhiun:

“Ne si prindër kemi dashur që ai te vazhdonte IT (Information Technology) dhe për këtë e kemi regjistruar në shkollën “Harry Fultz” për elektronikë. Por ndërkohë ai vazhdonte me shumë pasion dhe durim me orë të gjata të dizenjonte dhe të bënte gjëra shumë të bukura. Mendoj që këto të dyja shkuan shumë mirë me njëra-tjetrën. Unë isha personi i parë që m’i tregonte dhe isha “uauu” shumë e befasuar dhe shumë e lumtur kur shihja punët e tij. Ne e kemi lënë të lirë të bënte atë që i pëlqente më shumë dhe ai na ka bëre gjithmonë të ndihemi më tepër se krenarë për të”.

Tani i bëjmë disa pyetje alla shqiptare të tipit: a të merr malli për mamin dhe babin? Dhe për mamanë ai gjithçka e lidh me gatimin teksa thotë se përpiqet të gatuajë po ato që gatuante nëna e tij në Shqipëri. “Mundohem t’i riprodhoj, por nuk e arrij dot”, thotë dhe me humor shton se fastfood-i: bukë, vaj ulliri dhe djath nuk i harron asnjëherë. Ndërsa për të atin thotë se i ka marrë cilësinë që vlerëson më shumë: të bërit shumë për të tjerët.

DJALOSHI QË KISHTE IDHULL STEVE JOBS

Ennio Dybeli ndiqte regullin e gjeniut që ndonëse e mbaroi shkollën nuk ishte një nxënës apo student ekselent. Idhulli i tij ishte Steve Jobs pa e menduar se një ditë do punonte në kompaninë “Apple” që ai themeloi dhe në headquarter-in që drejtoi:

“Isha fans i muzikës elektronike. I kërkova babit një kompjuter “Apple” dhe në vitin 2011 ai më bleu një laptop. Kushtoi jo pak por ama ia vlejti. Gjithçka që unë bëja ishte një përzierje midis teknologjisë dhe mendimit analitik”

Ennio e përsërit disa herë që ishte vërtetë e rrallë që një shqiptar që ka bërë të gjitha ciklet e shkollës në Tiranë një ditë të punësohet në “Apple”. Por ama sipas tij ka qenë me fat që ka jetuar në Tiranë dhe specifikisht në qendër të saj. Dhe për këtë është i bindur se po të kishte lindur larg Tiranës nuk do kishte mundur të ndiqte pasionet elektronike.

Sa të lumtur ishin prindërit Haxhi dhe Mirela Dybeli kur në orën 18.40 të 24 marsit 1994 në maternitetin e vjetër lindi fëmija e tyre. Fëmijëria kaloi mes lojrave dhe pasioneve të moshës. I ati, Haxhiu, tregon se arsimin e nisi në shkollën “Lidhja e Prizrenit dhe më pas në shkollën “Emin Duraku”. Sapo kishin dalë kompjuterat e parë në Tiranë dhe ndër klinetët e parë ishte edhe Ennio. I ati tregon se vinte re diçka që nuk e kishte parë te moshatarët e vet. Kishte dëshirë të rrinte shumë në sallat e internetit dhe kostoja 200 lekë të rinj ora ishte një faturë jo e vogël për kohën. Adresa e e-mail [email protected] duhet të jetë edhe ndër të parat në Tiranë që mund të ketë pasur një shqiptar veçanërisht për moshën e tij. Por Ennio kishte lindur për të qenë gjeni. Ishte në vitin e dytë të gjimnazit në Institutin “Harry Fultz” kur ai fitoi paratë e para në jetën e vet. Krijoi designer elektronik për një biznes dhe u pagua 20 mijë lekë të rinj, që në vitin 2011 ishte jo pak për kohën. Por Steve Jobs e ndoqi ngado. Edhe në shkollën e mesme “Harry Fultz” vijoi programimin. Diplomimi në Shkencat e Natyrës për Informatikë ishte një gjë, por jo gjithçka. Ai u kontaktua  nga kompania “Typeform” në Barcelonë nëpërmjet internetit dhe filloi punë aty më 6 gusht 2016.  Pasi punoi tre vite aty, më 2019 fillon punë në kompaninë britanike “Skyscanner”. Ishte ky çasti që ndau përfunimisht të ardhmen në jetën e tij. Aty fitoi të drejtën për të punuar dhe që nga ai çast deri në fillim të vitit 2022 ishte pjesë e kësaj kompanie. Hija e idhullit të vet Steve Jobs e ndiqte përherë por pa e menduar kurrë se një ditë një e-mail do t’i ndryshonte sërish jetën. Kompania “Apple” kishte vlerësuar punën e tij në designer dhe i ofroi një bisedë për të vijuar punën atje. Kaloi gjashtë ditë në Kaliforni me intervista dhe biseda dhe nga ky çast ai u bë pjesë e saj. Dhe kurrë ama nuk harroi teknologjinë që ishte talenti dhe pasioni tij si dhe letërsinë e Kadaresë që ndikoi të shprehë idetë dhe fantazinë. Një shkrimtar aq i madh që e ka nxjerrë një komb i vogël si Shqipëria dhe për të cilin Ennio shpreh dëshirë ta takojë një ditë. Edhe këtu po ashtu si idhulli Steve Jobs kur thoshte se do jepte të gjithë teknologjinë e “Apple” për të kaluar një pasdite me Sokratin.

SLLOVENIA QË I RRËMBEU ZEMRËN

Zor se mund të gjesh histori lidhjesh shqiptarësh me sllovenë. Dashuri ose martesa të tilla, ose janë pak, ose aspak. Në ndihmë na vjen poeti i komunizmit Aleks Çaçi me një poezi të rrallë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë kohës së dashurisë së Shqipërisë së Enver Hoxhës me Jugosllavinë e Josif Titos. Titulluar “Sllovenia” Çaçi përshkruan me vargje një dashuri naive me emocione rurale dhe me vargje që më shumë vijnë në formë bejtesh. Ti erdhe që nga fundi i Sllovenisë/ Tunelin e Vranikut bëre jetë/ Shikoni hekurudhën e Rinisë/ Si ecën nëpër male dhe si shket/ Me pluhur në fytyrë dhe në ballë/ U ktheve nga tuneli duke qeshur/ Mos malli të ka zënë shoqe vallë/ Për jetën që po vjen me lule veshur./ U lave me burimin e kulluar/ Dhe mblodhe me nxitim ca lule shqerre/ I puthe dhe i more nëpër duar/ Pastaj me këngë i vure në penxherë.

E botuar në revistën “Literatura Jonë” të muajit korrik 1947, kjo poezi u ndalua të publikohej dhe të lexohej madje. U zhduk nga të gjitha tekstet dhe sigurisht u zhduk edhe dashuria e shqiptarit dhe sllovenes komunistë. Por pas afër 7 dekadash, në një formë krejt tjetër, një shqiptar dhe një sllovene janë lidhur në dashurinë e tyre si për të përmbysur mitin se shqiptarët dhe sllovenët nuk kanë kështu historish. Vajza quhet Maja Cerar dhe për shqiptarin Ennio nga Tirana ajo është dashuria e jetës. U njohën kur të dy punonin në Barcelonë në kompaninë “Typeform” dhe të dy tashmë kanë fituar të drejtën të punojnë në kompaninë “Apple”. Sigurisht që ata i kanë bashkuar shijet dhe pasionet e njëjta por nuk mund të mos bëjmë bashkë edhe faktin se janë të dy nga Ballkani dhe pavarësisht disa dallimeve, kulturat e gadishullit mbetet me pak ndryshime. Maja e njeh Shqipërinë tashmë nëpërmjet Ennios, por për të “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë dhe “Të Lirë” i Lea Ypit janë super vepra.

GJENIU ENNIO DHE SHQIPËRIA

Ennio i Apple një ditë mund të jetë Ennio i një marke shqiptare. Jo në kuptimin e mirëfilltë të fjalës por që një ditë mund të jetë duke punuar edhe në Shqipëri. I mban ende kontaktet me miqtë e vjetër në Tiranë dhe lexon pothuajse çdo ditë për ato që ndodhin në Shqipëri. Vlerëson pa masë homologët në Tiranë në fushën e programimit për të cilët thotë se nuk kanë diferenca të mëdha me të njëjtët në Evropë dhe SHBA. Njeh me emra ata 10-20 designer që punojnë në Shqipëri dhe mes tyre veçon shokun e ngushtë Vasjen Katro që sipas tij është një aset në fushën e vet. Por Ennion, si dhe ne që jetojmë këtu, e shqetëson shumë hemoragjia e popullsisë, veçanërisht e rinisë. Madje edhe Vasiani mund të ikë një ditë. Ai jep arsyet e veta të këtij largimi me të cilin Shqipëria i ngjan orës me rërë:

“Nuk ikin për arsye të qeverisjes. Sigurisht që ka ndikim edhe qeverisja. Por arsyet janë më të thella. Ka shumë pesimizëm dhe mentaliteti i të rinjve është që nuk presin. Kjo lidhet me mënyrën se si e shikojnë jetën. Për mendimin tim të rinjtë në Shqipëri nuk janë të vetëdijshëm që i kanë aftësitë.”

Kur i kujtojmë se një prej atyre që janë larguar është edhe ai, Ennio e pranon se do ta kishte shumë të vështirë në terrenin shqiptar, por ama nuk e fsheh dëshirën që një ditë të kthehet dhe të punojë në vendin ku lindi dhe u rrit. Dhe i jep vetes një lajm në formë zotimi teksa thotë se një ditë do të donte të jepte një kontribut në vendin e vet. Jo të kërkojë punë në administratë apo të futej në politikë por të ketë një aktivitet të vetin në fushën e programimeve. Kur ta lexojë këtë lajm e ëma dhe i ati do hidhen përpjetë. E megjithatë kur e pyesim nëse ka dëshirë të kthehet, e ëma thotë vetëm se i uron të jetë i lumtur dhe të bëjë punën që i pëlqen, të tjerat nuk kanë rëndësi. Si një specialist mes artit dhe elektronikës Ennio shprehet i pezmatuar për arkitekturën e objekteve në Tiranë që sipas tij ndikojnë edhe në anën mendore të banorëve. “Me të tilla forma, më keq nuk shkon”, thotë.  Por përvoja që po akumulon një ditë mund të jetë e dobishme në terrenin e ashpër shqiptar. Vlerëson jashtë mase bukuritë natyrore të Shqipërisë por shpreh keqardhje se shqiptarëve nuk u jepet mundësia t’i shijojnë këto bukuri pa qenë të sforcuar. Dhe mungesa e indiferencës për Shqipërinë duket kur e pyesim se cila do ishte një këshillë që do t’i jepte kryeministri Edi Rama nëse do i kërkohej, gjeniu e lidh gjithçka me rininë:

“Të dëgjojë, të dëgjojë të rinjtë, dhe sidomos zërat më të heshtur midis tyre. Mendoj se të dëgjuarit është hapi i parë dhe më i rëndësishëm për të zgjidhur problemet që kanë”. përndjekur njerzit dhe familjet tona nder dekada. Të dëgjuarit me dëshirën më të sinqertë për të identifikuar dhe kuptuar thellësisht problemet, e jo për të gjykuar”.

Ku i dihet. Me stilin që ka kryemnsitri Edi Rama, edhe mund ta telefonojë dhe të bisedojë me gjeniun nga Tirana. Ennio Dybeli nuk është krenari vetëm e mamit dhe e babit. / Fjala.al / KultPlus.com

Hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit, kuratori Ballazhi: Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë

Duke ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, elementet e artit qeramik të cilat vinë të shpërfaqura nëpër gjurmë të kohëve të ndryshme dhe që njëkohësisht hulumtojnë historinë e praktikave të reja mbi bazën e atyre të vjetrave, duke sjell modernen në syrin e të pranishmëve, janë pikërisht themeli kryesor mbi të cilin ngritet ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi, shkruan KultPlus.

Qysh në fillim, dëshmia për një rrugë të gjatë të artistes shihet në qeramikat e plasaritura në muret e KultPlus Caffe Gallery, me ç‘rast krijimtaria e saj unike ka arritur të spikatë detajet e bukura nga veshjet tradicionale të cilat konsiderohet se formulojnë imazhe si kujtime të ndjera për kombin. Veçantia e kostumeve popullore, thasëve ose torbave të lidhura herë me bukë e herë me bosh, shfaqen vazhdimisht nëpër sipërfaqet e qeramikave të cilat duken se janë shndërruar në rrënjët e veprave të saj dhe kësisoj po i japin jetë atyre.

Nën mbizotërimin e ngjyrës kafe, veprat artistike të Buliqit morën vëmendjen e të pranishmëve të cilët qysh në fillim po i ngopnin sytë me magjinë e portretizuar para tyre. Disa të pozicionuar nga afër e disa nga larg, ishte publiku ai i cili po shijonte format diversive, dekorimin grafik, gdhendjen e përsosur si dhe lustrimet e paraqitura mrekullueshëm.

Ndërkaq, hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.

“Sot Lirije Buliqi ka zgjedh që të prezantohet me ekspozitën e punës në qeramikë dhe është një kënaqësi sepse përpos faktit që ekspozita është hap dhe patëm rastin të shohim veprën dhe krijimtarinë e zonjës Buliqi, kemi festë të dyfishtë për arsye se ajo ka sot datëlindjen. Ndërkohë, këtë ekspozitë e ka kuruar Zeni Ballazhi i cili tutje do të shpjegojë më shumë rreth ekspozitës”, thotë Pajaziti.

Ndërsa, kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi tha se teknika e artistes Buliqi është një teknikë që rrallëherë shihet në Kosovë.

“Unë në emrin tim dhe në emër të Lirijes, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ekspozitën e saj personale. Nuk ka qenë lehtë për të bërë një përzgjedhje të tillë të qeramikave. Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë dhe për mua ka qenë mjaft e vështirë për shkak që Lirija disponon me një numër jashtëzakonisht të madh të qeramikave dhe këtu jemi munduar të bëjmë një përmbledhje të cikleve të ndryshme që Lirija është prezantuar edhe më herët me to, mirëpo me shumicën e tyre nuk është parë. Kryesisht janë kompozime të cilat inspirimin zakonisht ajo e gjen qoftë edhe në kostume tradicionale ose përmes tradicionales duke e kthyer në kompozicione moderne bashkëkohore”, thotë Ballazhi.

E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, artistja Lirije Buliqi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për kohën e tyre të ndarë enkas për këtë ekspozitë.

Pastaj, pas hapjes zyrtare të ekspozitës, ishin pikërisht të pranishmit ata që nën meloditë shqiptare vazhduan të admironin qasjen eksperimentale të artistes Buliqi. Puna e saj në qeramikat bashkëkohore po zgjonte kureshtjen e tyre për të deshifruar nivelin e lartë të shkathtësisë të artistes e cila nëpërmjet materialeve të ndryshme copëzash, ka krijuar një thjeshtësi të objekteve etnike.

Qeramikat nga balta shpërfaqën një diversitet dhe një imazh mjaft të fuqishëm që lehtazi ka lënë gjurmë të cilat do të mbahen mend për një kohë të gjatë.

Ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi do të qëndrojë e hapur deri në dy javë dhe atë do ta keni rastin ta shijoni në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Ndryshimi i klimës do të shkaktojë pandemitë e ardhshme

Merrni tregun e Vuhanit në Kinë, një shkaktar i mundshëm i pandemisë së Covid-19, dhe shtrijeni atë në një nivel planetar: Ndryshimi i klimës po e transformon Tokën në një pellg të madh patogjenësh në ajër të hapur, gati për të kërcyer nga njëra kafshë në tjetrën.

Rritja e temperaturave, po detyron gjithnjë e më shumë specie të migrojnë në zonat tashmë të pushtuara nga njeriu, duke favorizuar kontaktet me kafshët e tjera dhe shkëmbimin reciprok të mijëra viruseve. Pandemia e ardhshme, do të lindë pikërisht nga këto kontakte, thotë një artikull i botuar së fundmi në revistën “Nature”, që shqyrton marrëdhëniet midis ngrohjes globale dhe të gjithë viruseve që kolonizojnë gjitarët.

Sipas shkencëtarëve në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington, kafshët e afta për të strehuar rezerva të rëndësishme virale, dhe po ashtu për të rrugëtuar në distanca të mëdha –siç janë lakuriqët e natës – për të gjetur habitatin e tyre në klima më pak të nxehta, do të ndeshen për herë të parë me gjitarë të tjerë.

Prandaj, patogjenët e aftë të shkaktojnë një pandemi, si Ebola ose koronaviruset , do të kenë mundësinë të kolonizojnë zona të reja dhe të shumohen tek bujtësit e rinj, që mund të veprojnë si një trampolinë për tek njerëzit.

Destinacionet e reja të kafshëve, do të përkojnë gjithnjë e më shumë me zonat me një densitet të lartë të popullsisë njerëzore, duke u bërë vatrat e reja të nxehta për një përhapje të mundshme të pandemisë. Ky proces është tashmë duke u zhvilluar tashmë në një botë që ka arritur një temperaturë +1.2 ° C më të lartë se nga epoka para-industriale, dhe kur njeriu e ka tejkaluar konsumin e habitateve dhe burimeve.

Por studimi shkon një hap më tej, dhe sugjeron se kriza klimatike do të bëhet faktori kryesor i rrezikut për shfaqjen e pandemive të reja, madje më shumë se sa shpyllëzimi , trafikimi i kafshëve ekzotike apo përhapja intensive e blegtorisë dhe bujqësisë.

“Ne shqetësohemi për tregjet, sepse kontakti me kafshë që nuk janë të shëndetshme, dhe kombinimet e panatyrshme, krijon mundësinë e shfaqjes graduale të sëmundjeve të reja. Ashtu si SARS që kaloi nga lakuriqët e natës tek vjedulla, dhe nga vjedulla tek njerëzit.

Por tregjet nuk janë më vende kaq të veçanta. Pasi me ndryshimin e klimës, ky proces do të bëhet realitet për çdo vend natyror, thotë Kolin Karlson, autori kryesor i studimit.

Përveç shkaktimit të pandemisë së ardhshme, shkëmbimi i viruseve mund të kërcënojë shëndetin e kafshëve, si dhe të rrezikojë ruajtjen e specieve të përfshira. Prandaj, do të jetë inevojshëm kombinimi i studimeve mbi migrimin e kafshëve për shkak të ngrohjes globale,me një mbikëqyrje në kohë të rreziqeve epidemiologjike të lidhura me të.

“Kur një lakuriq nate brazilian udhëton deri në rajonin e Apalasheve në SHBA, ne duhet të shqetësohemi se cilët virusë janë duke e shoqëruar atë. Vetëm duke u përpjekur të identifikojmë në kohë reale këto kapërcime midis specieve, do të jemi në gjendje të parandalojmë që ky proces të përkthehet në përhapje të tjera apo pandemi të tjera”, thekson Karlson. / Focus – Bota.al / KultPlus.com

Dua Lipa njofton se ka lënë duhanin

Dua Lipa po përqafon një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe së fundmi ka zbuluar se më në fund ka lënë duhanin, përcjell KultPlus.

Duke folur në episodin më të ri të podcast-it të saj “Në shërbimin tuaj”, krijuesja e hiteve “Levitating” iu përgjigj pyetjeve të fansave dhe njëri e pyeti se si e menaxhon “taksën fizike” të orarit të saj kërkues të turneut.

“Më është dashur të bëj ndryshime shëndetësore në stilin tim të jetesës kur të filloj këtë turne,” shpjegoi Dua. “Unë në fakt pata laringit në dhjetor dhe kjo disi më bëri të lija duhanin një muaj më herët se sa ishte menduar!”

“E bëra dhe i kam qëndruar”, deklaroi Dua me krenari, duke shtuar se ajo ka një “gjurmues zakoni” në telefonin e saj për ta ndihmuar atë të qëndrojë në qëllimet e saj. “Çdo natë shënoj të gjitha gjërat e mira që kam bërë për trupin tim dhe gjërat që kam bërë për veten time.”

Dua tha se lënia e duhanit është një mënyrë se si ajo ka qëndruar në krye të shëndetit të saj mendor dhe se kjo “e jep energji” për të vazhduar punën e mirë.

Këngëtarja e “New Rules” është aktualisht në turneun e saj të vonuar nga pandemia Future Nostalgia, i cili luajti mbi 70 takime që nga fillimi në shkurt. Ai fillon në vjeshtë, me një ndalesë përfundimtare të planifikuar në Peth, Australi më 16 nëntor.

Dua po punon gjithashtu për albumin e saj të tretë në studio. /KultPlus.com

‘Arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut’

Dhimitër Pasko, i njohur ndryshe me psudonimin Mitrush Kuteli, ka qenë një shkrimtar, përkthyer dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria, shkruan KultPlus.

Ai ka lënë pas vetës verpa të shumta, përfshirë këtu edhe thënie të ndryshme.

Njëra prej më të njohurave është ajo mbi artin, të cilin Kuteli e vlerëson shumë.

Arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut”. /KultPlus.com

‘Edhe një herë o veç edhe një herë, këngët që i këndoj të kam o kujt të ia dhuroj’ (VIDEO)

Armend Rexhepagiqi njihet për muzikën e tij të veçantë, tekstin me mesazh të thellë dhe zërin e tij të fuqishëm, shkruan KultPlus.

Një ndër këngët e pavedekshme të tij është “Edhe një here”, e cila është një ‘lutje’ dashurie.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngn “Edhe një herë”:

Ka shumë ditë që pikëllimi më mban

Si një sëmundje e rëndë

Që bar nuk ka e s`më lë të jetoj

Ka shumë ditë që rrugët përherë na janë ndarë

E ditët e mia netë e mija kot unë i harxhoj

A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje

O më beso se faj nuk kam që forca po më lë

Se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe endërrat për dashuri

Edhe një herë o veç edhe një herë

Këngët që i kujtoj të kam o kujt të ia dhuroj

Edhe një herë o veç edhe një herë

Gjakun o prap ta ndez

Veç një mengjes me ty ta pres

Edhe një herë o veç edhe një herë

Të të takoj e veç një çast

gëzimi ta jetoj me ty

Edhe përherë t’i mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri

Edhe një herë o mos të vdes pa t’pa, pa t’pa edhe një herë

Vetem edhe një herë

Diçka e rëndë sikur hyri në mua

Më shtrëngon e po dhemb

Ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri

Dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe endërrat për dashurinë

Edhe një herë o veç edhe një herë

Të të takoj e veç nje çast

gëzimi ta jetoj me ty

Edhe përherë t’i mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri

Edhe një herë o mos te vdes pa t’pa, pa t’pa edhe një herë

Vetëm edhe një herë… / KultPlus.com

Premiera e shfaqjes “Burrnesha” më 10 maj

Më datë 10 maj, nga ora 20:00, Qendra Multimedia sjell në Teatrin Oda në Prishtinë, premierën e re të shfaqjes “Burrnesha”, me regji të Erson Zymberit.

“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështje gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore.

Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezantimeve publike në London University.

Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sose,-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.

Reprizat e radhës janë paraparë për datat 11 dhe 12 maj, po në teatrin Oda në Prishtinë.

Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i Forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.

Në shfaqje luajnë aktorët Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi. /KultPlus.com

“Përse ta lidhësh fatin tënd, me një pafat si unë”

Poezi nga Mitrush Kuteli

Sime Shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë. /KultPlus.com

Të premtën jepet shfaqja “Kuartet” në TKK

Të premtën do të jepet shfaqja “Kuartet” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje me regji të Alban Beqirajt, e shkruar nga Heiner Muller, do të nis me fillim nga ora 20:00.

Ndryshe, Teatri Kombëtar ka publikuar orarin e shfaqjeve për muajin maj.

Përpos “Kuartet”, të tjera shfaqje që do të jepen janë edhe “Jerusalem”, “Oqeani Margherita”, “Carmen”, “Muslimani”, “Zgjimi i Pranverës”, “Hollyshit”, “Sisters”, “Kater Epoletat”, “Zhurmë Ujërash”, “Bisha në hënë”. /KultPlus.com

Të dashuruar

Teodor Keko 

Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg t’i shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve -karficë e bardhë.

Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrash galop kish marrë.

Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.

Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetsisht të bukur thotë.

Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna-karficë e bardhë. /KultPlus.com