Asnjë nga maturantët nuk i mori 100 pikë në testin e maturës

Nga rreth 22 mijë maturantë që iu nënshtruan provimit të maturës asnjë nxënës nuk ka arritur që t’i marrë 100 pikë.

Kështu tha në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin Info Klania, Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit.

Elezi tha se vetëm një nxënës ka arritur të marrë 95 pikë derisa 77 i kanë mbi 90 pikë.

“Kemi rast me 95 pikë, ndërkaq vetëm 0.4 për qind e nxënësve i kanë mbi 90 pikë, ose 77 nxënës janë mbi 90 pikë. Janë mbi 22 mijë maturantë”- tha Elezi.

Ai theksoi se për rreth 6 mijë maturantët që nuk kanë arritur ta kalojnë provimin e maturës në afatin e parë do t’i nënshtrohen në afatin e dytë në muajin gusht.

Për të kaluar me sukses testin e maturës nga 100 pyetje një nxënës duhet t’i ketë 40 për qind prej tyre të sakta. / KultPlus.com

Vepra gjigante “Carmina Burana” i dhuroi Prishtinës momente të paharrueshme, solli 280 muzikantë në skenë

Mbrëmë në një mjedis fantastik, në qiellin e hapur të Prishtinës, u vërtetua edhe njëherë në mënyrë të jashtëzakonshme kapaciteti muzikor që ka vendi ynë.

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff, e bazuar në 24 poema nga koleksioni mesjetar Carmina Burana, u prezantua për herë të parë për publikun kosovar, duke dhuruar momente të paharrueshme artistike muzikore.

Plot 280 persona numëron ekipi madhështor i përbërë nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, Kori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Kori i fëmijëve “Okarina” dhe solistët Adelina Paloja, Arta Jashari – soprano, Safet Berisha – kontratenor dhe Xhemil Gjini – bas, e gjithë kjo e realizuar nën bashkëpunimin e institucioneve të Filharmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe partnerëve të tjerë.

Një interpretim dhe shfaqje e mrekullueshme e kapacitetit performues në vendin tonë, plot energji, fuqi ekspresive artistike dhe performuese në koncertin më të madh të këtij lloji të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

Krahas përgëzimit për shfaqjen e mbrëmshme që dëshmon kapacitetin botëror të institucioneve tona të artit, dua t’i shpreh falënderimet e përzemërta për të gjithë udhëheqësit dhe artistët për punën vetëmohuese. Kosova është me fat që ka profesionistë të tillë të muzikës. / KultPlus.com

Petrit Halilaj pjesëmarrës në Manifesta 14 Prishtina, ju fton të krijoni bashkë një qiell të ri

Petrit Halilaj do të jetë pjesëmarrës në Manifesta 14 Prishtina dhe ka një ftesë të hapur që të krijoni bashkë një qiell të ri, shkruan KultPlus.

Duke u nisë nga Grand Hotel, një vend që i reflekton shndërrimet që i ka përjetuar shoqëria në Kosovë, Halilaj do të ndriçojë yjet dhe qiellin duke kompozuar një mesazh poetik për kryeqytetin, i mundshëm vetëm përmes bashkëpunimit me ju.

“Jam fort i gëzuar me u kthy në Prishtinë me një projekt të ri! Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin do të jetë një gjithësi, të cilën ju ftoj ta pikturojmë dhe ndriçojmë bashkë më 22 korrik. Puna do të fillojë me shkronjat në maje të Grand Hotel Prishtina, me yjet e tij— të cilat tash për tash janë të shkapërderdhura në kulm të kësaj ndërtese dhe të cilat do të rimontohen, shumohen dhe të shpërndahen nëpër krejt qytetin”, thotë Halilaj.

Lexoni ftesën e tij në këtë link: https://manifesta14.org/…/kur-dielli-te-ike-do-ta…/

‘Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin’ është porositur nga Manifesta 14 dhe mbështetet nga Autostrada Biennale dhe Ammodo. / KultPlus.com

Profesori grek prezanton në shqip dokumentarin mbi emigrimi shqiptar në Greqi

Dokumentari “Emigrimi shqiptar në Greqi si faktor i lindjes së një identiteti të ri shqiptaro-grek në fillimin e shekullit të 21të”, tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Ambasada shqiptare në Greqi pas komunikimit me Dimitris Christopoulos, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Politike të Universitetit Panteion Athinë, Greqi edhe autor i dokumentarit konfirmon lajmin.

Ky dokumentar i realizuar në bashkëpunim me studentët që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi trajton çështjet e ndërtimit të identitetit kolektiv, për emigrimin, për nacionalizmin etj.

Dokumentari është shfaqur më herët edhe në Shqipëri në Universitetin Mesdhetar ku studentët patën mundësinë të diskutojnë këto çështje me Dimitris Christopoulos

Dimitris Christopoulos është profesor i teorisë së shtetit dhe teorisë juridike në Departamentin e Shkencave Politike dhe Historisë së Universitetit Panteion të Athinës ku jep mësim që prej viti 2003.

Në vitin 2021 zgjidhet Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit Panteion. Ka dhënë mësim si profesor i ftuar në universitete të ndryshme në Evropë dhe SHBA. Ai ka botuar në greqisht, anglisht, frëngjisht, portugalisht, hebraisht, shqip dhe serbo-kroatisht në revista shkencore apo revista në fushën e teorisë juridike dhe politike duke u fokusuar në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, të djathtën ekstreme, minoritetet, migrantët dhe shtetësinë. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Sot, përkujtojmë 78-vjetorin e masakrave ndaj popullsisë Çame

Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit. Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.

Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat l286, në Gumenicë l92, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.

Si pasojë e këtij gjenocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpërnguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve . Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944. / KultPlus.com

Kolegji Universum ri-akreditohet në nivel institucional për 5 vite me vlerësimet më të larta!

Pas takimit të mbajtur me 8 & 11 Shkurt në Kolegjin Universum, në qendrën në Prishtinë dhe Ferizaj dhe pas të cilave u shqyrtuan raportet finale për vlerësimin institucional dhe atë të programeve të studimit, të hartuara nga panelet e ekspertëve ndërkombëtar. Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka ri-akredituar në nivel institucional Kolegjin Universum për 5 vite në të dy degët në Prishtinë dhe Ferizaj. Duke dalur kështu Kolegji Universum institucioni nr. 1 në Kosovë nga ky proces me vlerësimet më të larta.

Sipas tyre nga 11 kategori në bazë të të cilave vlerësohen institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, Kolegji Universum ka marrë vlerësimin maksimal Fully compliant në shtatë kategori dhe vlerësimin “Substantially compliant” në katër kategori, më mirë se çdo institucion publik apo privat i arsimit të lartë në Kosovë. Kliko këtu për të parë vendimet – Kampusi Prishtinë (vendimi) & Kampusi Ferizaj (vendimi).

Me numrin më të madh të bursave ndërkombëtare Erasmus+ në rajon, me vlerësimin më të lartë në procesin e akreditimit dhe i vetmi nga Kosova i ranguar në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga agjencia prestigjioze Eduniversal.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.  

Lista e plotë e fituesve të “BET Awards 2022”

Çmimet BET, të cilat festojnë arritjet e njerëzve me ngjyrë në muzikë, kulturë dhe sport, u prezantuan të dielën.

Në shfaqje pati shumë befasi dhe performanca të shkëlqyera, ku Lizzo e nisi shfaqjen me një performancë të hitit të saj të fundit, “About Damn Time”.

Disa nga prezantuesit, interpretuesit dhe fituesit e çmimeve bënë thirrje për veprim pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar “Roe kundër Wade”.

Megjithatë, pati edhe momente gëzimi, raporton CNN. Brandy bëri një performancë surprizë me Jack Harlow, dhe Mariah Carey në një performancë surprizë me Latto.

Sean “Diddy” Combs mori çmim për arritje të jetës. Ai u festua nga një mori kolegësh artistësh dhe ish-bashkëpunëtorësh si Mary J. Blige dhe Kanye West, përcjell rtv21.tv

Will Smith, i cili ngjalli polemika në Academy Awards duke goditur me shuplakë Chris Rock në skenë pak para se të fitonte Oscarin për aktorin më të mirë, fitoi çmimin BET për aktorin më të mirë të dielën.

Lista e plotë e fituesve:

Artistja më e mirë femër R&B/Pop

Jazmine Sullivan

Artisti më i mirë mashkull R&B/Pop

The Weeknd

Grupi më i mirë

Silk Sonic (Bruno Mars dhe Anderson .Paak)

Bashkëpunimi më i mirë

Wizkid feat. Justin Bieber & Tems – “Essence”

Artistja më e mirë në zhanrin hip-hop

Megan Thee Stallion

Artisti më i mirë në zhanrin hip-hop

Kendrick Lamar

Video e Vitit

Slik Sonic (Bruno Mars & Anderson .Paak) – “Smokin Out The Window”

Regjia më e mirë e një videoklipi

Anderson .Paak aka Drejtor .Paak

Artisti i ri më i mirë

Latto

Albumi i Vitit

Silk Sonic (Bruno Mars & Anderson .Paak) – “An Evening with Silk Sonic”

Dr. Bobby Jones Best Gospel / Inspirational Award

Lil Baby X Kirk Franklin – “We Win”

Artistja BET më e mirë

Mary J. Blige – “Good Morning Gorgeous

Akti më i mirë ndërkombëtar

Tems (Nigeri)

Filmi më i mirë

“King Richard”

Aktori më i mirë

Will Smith – “King Richard”

Aktorja më e mirë

Zendaya – “Euphoria” / “Spider-Man: No Way Home”

Çmimi i Yjeve të Rinj

Marsai Martin

Sportistja e Vitit

Naomi Osaka

Sportisti i Vitit

Stephen Curry./21Media/ KultPlus.com

(Aaron J. Thornton/Getty Images)

Pas operës ‘Mrika’, Enver Hoxha e përgëzoi Prenkën dhe i kërkoi të bënte edhe një gjë tjetër

Në shtatorin e vitit 1942, Prenka shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” të Romës, në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta” dhe kur u kthye në Shqipëri, pak pas mbarimit të Luftës, ai u arrestua dhe u mbajt disa kohë në burg, pasi një vëlla i tij, ishte vrarë duke luftuar kundra forcave komuniste.

Suksesi i madh i Prenkës me vënien në skenë të operas së parë shqiptare, “Mrika” ku asistoi vetë Enver Hoxha në shfaqjen që u dha në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, ku doli në skenë ministri i Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu dhe kur Enveri e përgëzoi për atë punë kolosale që kishte bërë dhe i kërkoi të bënte dhe një opera tjetër për Skënderbeun, Prenka iu përgjigj: “Shoku Enver, operat nuk janë si bukët që i fut në furrë…”?!

Por edhe pse i dha atë përgjigjie, Enver Hoxhës, Prenka iu vu punës dhe e shkroi operan “Skënderbeu”, por kur e solli në Tiranë për t’ja miratuar, i sollën shumë pengesa duke i kërkuar të hiqte disa pjes prej saj, gjë të cilën ai nuk e pranoi, kjo i solli shumë shqetësime, saqë më datën 9 shtator 1969, ai i dha fund jetës në mënyrë tragjike…?!

Ka qenë data 9 shtator e vitit 1969, kur në të gjithë qytetin e Shkodrës, u hap lajmi i hidhur se kishte vdekur në mënyrë tragjike, Prenk Jakova, një nga mjeshtrat e muzikës shqiptare, i cili kishte shkruar dhe vënë në skenë operan e parë shqiptare “Mrika”. Kush ishte Prenk Jakova, nga ç’familje rridhte, ku kishte studjuar dhe si arriti ai që të bëhej një nga kollosët më të mëdhenj të muzikës në Shqipëri?

Familja dhe mësuesit e parë
Prenk Jakova u lind në 27 qershor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës dhe origjina e familjes së tij është nga Gjakova. Gjyshi i Prenkës quhej Dedë Jakova dhe që në rininë e tij ai ishte i dhënë pas muzikës, duke luajtur me klarinetë në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës. Deda vdiq në moshë fare të re dhe ai la një djalë të quajtur Kolë, i cili nga kushtet e vështira ekonomike të familjes, u fut në punë si shegert në Pazarin e Shkodrës. Prenka ishte fëmija i parë i Kolë Jakovës, i cili në atë kohë punonte në një dyqan argjendarie dhe njëkohësisht njihte e këndonte mjaft mirë këngën popullore të ahengut shkodran, gjë e cila ndikoi shumë dhe në formimin e mëvonshëm të djalit të tij, Prenkës. Përveç Prenkës, Kola kishte dhe djemtë tjerë më të vegjël se ai në moshë, ku dy prej tyre: Deda e Çesku, punuan si fotografë e muzikantë. Që në moshën shtatë-vjeçare, i nxitur nga babai i tij, Prenka u aktivizua në role të ndryshme që viheshin në skenë nga Shoqëritë Teatrore të asaj kohe “Bogdani” dhe “Vllaznia”.

Arsimin fillor Prenka e mbaroi në vitet 1924-‘29 në shkollën “Skanderbeg” dhe më pas ai u regjistrua e vazhdoi mësimet në Liceun “Illyricum”, po në qytetin e Shkodrës. Nga dega klasike që Prenka studjoi në atë Lice, ai kaloi në degën e përgjithshme të gjimnazit të shtetit po në Shkodër, ku u diplomua në vitin 1935. Kur fillloi Liceun “Illyricum”, ai mori pjesë në bandën muzikore të shkollës, e cila më vonë u bë dhe banda e qytetit të Shkodrës, duke qenë klaniretist i saj. Në këtë periudhë Prenka u formua si muzikant dhe filloi të drejtojë disa grupe korale e formacione të vogla orkestrale, me anë të cilave nisi të stilizonte e përpunonte këngën e re popullore, si p.sh.: “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi”, “Shkoj e vi flutrim si zogu”, etj. Dy nga mësuesit e parë të Prenkës prej të cilëve ai mori dhe mësimet e para në muzikë, ishin Martin Gjoka dhe Zef Kurti. Kur nuk ishte më shumë se 18-vjeç, Prenk Jakova u bë drejtuesi artistik i bandës muzikore të Liceut “Illyricum” dhe nxënësit e tij të parë ishin: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Rrota, Zef Gruda etj. Në atë kohë që Prenka mori drejtimin e bandës së qytetit të Shkodrës, shkroi partiturat e para duke kompozuar marshe për bandë dhe potpuri këngësh popullore shkodrane.

Mësues në Bërdicë e Orosh
Në 2 janar të vitit 1936, Prenka u emërua mësues në fshatin Bërdicë të Prefekturës së Shkodrës. Lidhur me këtë, në kujtimet e vëllait të tij, Çeskut, midis të tjerash shkruhet: “Në atë fshat Prenka kreu jo vetëm detyrën e arsimtarit, por ai u kujdes dhe u mësoi këngën pothuaj të gjithë nxënësve të shkollës. Gjatë asaj kohe Prenka mësoi vetë pa pasur asnjë metodë dhe kitarrën, e kur i erdhën metodat nga jashtë, ai pa se aty nuk kishte asgjë të re nga ato që ai kishte mësuar nga nevoja. Në pushimet verore të vitit 1939, Prenka me kursimet e tij bleu një fizarmonikë të markës “Settimio Sopreni”, e cila kishte 80 base dhe metodën e saj. Brenda një kohe shumë të shkurtër Prenka e mësoi në mënyrë të përsosur atë instrument, në atë kohë njihej vetëm me veshë dhe jo me metoda. Pasi kishte mësuar të luante në mënyrë virtuoze me klarinetë, kitarrë dhe fizarmonikë, Prenka fitoi njohuri të mjaftueshme edhe në instrumentat e tunxhit e të drurit, mësimin e të cilave e kishte filluar që në gjimnazin e Shkodrës.

Në vitin 1939 Prenka u shkëput për herë të parë nga familja e tij, pasi u emërua mësues në fshatin Orosh të Mirditës. Në atë fshat, ai shkroi një pjesë për fizarmonikë të titulluar “Mall” dhe më pas edhe këngën “Fyelli i Bariut”, teksti i së cilës edhe sot ka ngelur i panjohur. Kjo shënoi provën e parë të Prenkës për të shkruar fjalët edhe melodinë së bashku, ashtu ishte koncepti i këngës popullore të ahengut shkodran. Pasi qëndroi për më shumë se një vit në Orosh, në 1940-ën, Prenka u transferua në qytetin e lindjes në Shkodër dhe në atë kohë ai shkroi një cikël këngësh për fëmijë dhe operetën me dy akte të titulluar “Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve”. Në vitin shkollor 1941-‘42, Prenka u transferua në Katër-kollë të Ulqinit dhe Oshos të Krajës, ku për të mos humbur aktivitetet artistike në qytetin e Shkodrës, ai e bënte çdo ditë me biçikletë vajtje-ardhje atë rrugë, duke përshkuar 50 km. Në Katër-kollë Prenka nuk qëndroi shumë, pasi në shtatorin e vitit 1942, ai shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” të Romës, në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta”, thuhet në kujtimet e vëllait të tij Çeskut

Përgjegjës i Shtëpisë Kulturës
Fundi i vitit 1944, e gjeti Prenk Jakovën si mësues në qytetin e Shkodrës, ku atë e morën për të ndihmuar në aktivitetet që zhvillonte në atë kohë kori i Brigadës së Parë partizane në Shtëpinë e Rinisë, ku ai u emërua përgjegjës i saj. Në atë kohë Prenka u arrestua nga komunistët dhe u mbajt për disa muaj në hetuesi, pasi vëlla i tij u vra duke luftuar kundra forcave partizane të ndjekjes, në një fshat të Shkodrës.

Ish nxënësit e tij Çesk Zadeja e Tonin Harapi, të cilët më pas u bënë kollosët e muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre Prenk Jakova, dëshmojnë se gjatë asaj periudhe Prenka shkonte në punë në orën shtatë të mëgjesit dhe punonte pa pushim deri në orët e vona të natës, me korin, solistët dhe instrumentistët e shumtë që kishte në patronazh.

Aq i prerë, strikt dhe konsekuent ishte Prenka në punën e tij me amatorët, saqë për të justifikuar mungesat e tyre në prova, ai u kërkonte vërtetim nga drejtoria e ndërrmarjes ose e shkollës, apo nga Komiteti Profesional. Në atë kohë me grupet që përgatiste, Prenka dha shfaqje të ndryshme, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në Ulqin, Cetinjë, Titograd etj.

Në vitin 1947, Prenka përgatiti dhe përpunoi një cikël këngësh të titulluar “Dasma Shkodrane”, me të cilat përveç shfaqjeve të suksesëshme që dha në Shkodër, u paraqit dhe në Festivalin Kombëtar që u zhvillua në Tiranë. Përveç asaj pune raskapitëse, Prenka gjente kohë dhe punonte përsëri edhe në shtëpinë e tij, duke u marë me përpunime këngësh popullore. Ajo periudhë shënon dhe formimin e plotë të Prenkës si muzikant në mënyrë autodidakte.

Në vitet 1948-1951, Prenka punoi si mësues i muzikës pranë shkollave “11 janari” dhe “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës dhe nuk u shkëput për asnjë ditë nga provat e korit dhe orkestrës të Shtëpisë së Kulturës. Në atë kohë ai kompozoi këngën “Gruri i ri” me tekst të Dhimitër Shuteriqit, e cila u inskenua nga aktori Pjetër Gjoka bashkë me disa këngë të tjera që u paraqitën në Festivalin e vitit 1950 në Tiranë.

Shkruan operën e parë
Një nga kulmet e krijimtarisë së kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, është konsideruar opera e parë shqiptare “Mrika”, e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1958. Po si e ka zanafillën kjo opera dhe si arriti Prenka ta shkruante atë? Për këtë ngjarje të madhe të kulturës shqiptare, i vëllai i tij, Çesku, në kujtimet e tij midis të tjerash ka shkruar: “Në prag të çeljes së Festivalit të vitit 1952, ishin formuar kushtet që në muzikën shqiptare të hidheshin hapa të mëtejshëm, të cilat duhet ta kalonin pragun e këngës.

Kjo gjë vinte pasi ishin krijuar rrethanat me solistë të aftë dhe të përgatitur dhe me orkestër me formacion simfonik. Kështu në qershorin e vitit 1952, u thirr poeti Llazar Siliqi që të shkruante diçka mbi Hidrocentralin që po ndërtohej mbi lumin Mat. Në fillim ajo nisi si këngë dhe më pas mori formën e një veprimi me dy tablo të titulluar “Dritë mbi Shqipëri”, e cila u shfaq në korrikun e vitit 1952 në Tiranë.

Kjo ishte dhe embrioni i operës së parë shqiptare “Mrika”, që i filloi përgatitjet që nga data 2 maj e vitit 1958, ndërsa vënia në skenë filloi 12 nëntor të vitit 1958. Provat për atë shfaqje bëheshin paralelisht në Shtëpinë e Kulturës, në Teatrin e vjetër dhe në Teatrin e ri “Migjeni”, pas orës 15.00, të cilat vazhduan deri në datën 27 nëntor që u dha prova e përgjithshme. Pas kësaj pune të lodhshme, më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e saj në Teatrin “Migjeni” dhe pas disa shfaqjesh në atë qytet, më 27 e 28 dhjetor ajo u dha në sallën e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Në atë shfaqje asistoi dhe Enver Hoxha së bashku me pjesën më të madhe të udhëheqjes e trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në fund të shfaqjes doli në skenë Kadri Hazbiu, i cili pasi falenderoi të gjithë artistët e saj, ngriti një dolli të veçantë për Prenk Jakovën. Vënia në skenë e operas “Mrika”, pati një jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Suedi, Çekosllavaki etj, gjë e cila u mësua prej letrave e telegrameve të shumta që i erdhën Prenkës nga këto shtete. Një personalitet i artit nga Praga që merrej me historinë e operas botërore, me anë të një letre e përgëzoi Prenkën për suksesin e arritur me amatorët shkodranë dhe i kërkoi atij t’i dërgonte pamfletin, afishet, fotografitë e reklamat e shfaqjes”, ka shkruar në kujtimet e tij për suksesin e operas “Mrika”, i vëllai i Prenkës, Çesku.

Shokët e pasionet e Prenkës
Ish-nxënësit e Prenkës, Zadeja, Harapi, Gruda, Rrota, Daija etj., që më vonë u bënë mjeshtrit më të mëdhej të muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre, kanë treguar se Prenka ka qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe në vitet 1945-‘49 ai pati disa oferta për të shkuar në Tiranë, por i refuzoi ato sepse nuk ndahej dot nga Shkodra dhe Shtëpia Kulturës e atij qyteti. Po kështu ai e refuzoi edhe ofertën që iu bë në vitin 1953 për të ardhur si dirigjent në Tiranë. Disa vite më vonë Prenka refuzoi edhe disa oferta për të vazhduar studimet e larta në Pragë apo në Moskë. Sa herë që ai kthehej nga ndonjë turne i zhvilluar jashtë shtetit, në valixhen e tij gjeje vetëm albume muzikore dhe partitura, si dhe grepa peshku për shokët e tij amatorë të gjuetisë me të cilët ai shkonte shpesh në Bunë dhe Liqenin e Shkodrës.

Prenk Jakova gjithashti ishte i pasionuar pas futbollit shkodran dhe kur u ndërtua stadiumi “Vojo Kushi”, ai shkroi marshin e Sport-Klub “Vllaznisë”, të cilin e këndonin shpesh tifozeria e zjarrtë shkodrane. Ndonëse në mosha të ndryshme, shokët e miqtë më të ngushtë të muzikës për Prenkën, ishin: Kolë Jakova, (klarinetist e mësues), Loro Kovaçi, (ish-klarinetist) Gjon Karma, (ish-flautist) Pjetër Gjoka, (tenor dhe aktor) Ndoc Shllaku, (violinist) dhe Pjetër Gjergji, kitarrist e këngëtar. Më pas shokë dhe bashkëpuntorë të ngushtë të Prenkës u bënë dhe dirigjenti Mustafa Krantja, kompozitori Tonin Harapi dhe sidomos poeti Llazar Siliqi.

Kërkesa e Enver Hoxhës ndaj Prenkës
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: “Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: ‘mor shoku Enver, puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë’. Pas përgjigjies së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën.

Pas atij takimi, Prenka filloi duke punuar nga mëngjezi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha. Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me rradhë u mor vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorrën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për vlersimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit. Ndonëse opera “Skënderbeu” u shaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjëndjen shpirtrore të tij. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, e cila ia rëndoi së tepërmi gjëndjen e tij shpirtërore.

Vdekja tragjike e Prenk Jakovës
Nga këto strese që iu krijuan, më 9 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në ceremoninë e varrimit të tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte krijuar vetë katër dekada më parë. Krijimtaria muzikore që la Prenk Jakova, është shumë e pasur e konsiston në dhjetra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzkë filmash e deri tek operetat e operat. / KultPlus.com

Prizreni merr pjesë në takimin e Rrjetit Ballkanit të Qyteteve “B40” në Stamboll

Përfaqësues të Komunës së Prizrenit ishin pjesë e takimit të dytë të Rrjetit Ballkanik të Qyteteve B40 në Stamboll, ku morën pjesë zyrtarë të qyteteve nga Kosova (Prizreni dhe Prishtina), Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi dhe Kroacia.

Ky takim, në të cilin morën pjesë dy grupe zyrtarësh (Sektori i Kulturës dhe ai i Teknologjisë Informative), ishte i një rëndësie të veçantë dhe mundësi për promovimin e dialogut mes qyteteve, miqësisë mes njerëzve dhe të ardhmes së rajonit. Çdo përpjekje që do të bëhet në kuadër të Rrjetit Ballkanik të Qyteteve B40 do të jetë një investim i rëndësishëm për Prizrenin dhe një shërbim për qytetarët tanë.

Si Kryeqytet Historik i Kosovës, Prizreni vendosi marrëdhënie me qytetet e B40 dhe zyrtarët tanë i njoftuan pjesëmarrësit se Komuna jonë synon të zhvillohet në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në turizëm dhe në tregti si dhe vazhdon të punojë në këtë drejtim.

Çështje e rëndësishme e këtij takimi ishte krijimi i një strukture ku çdo qytet të jetë i barabartë dhe i përfaqësuar njejtë, pavarësisht numrit të popullsisë apo pozitës gjeografike. Me këtë rast, do të bëhet shkëmbimi i artistëve të Prizrenit me artistët e qyteteve pjesëmarrëse të B40, gjë që do të ndihmojë në ndërkombëtarizimin e artistëve prizrenas, të të gjitha fushave të artit, në të ardhmen.

Përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit takuan Kryetarin e Stambollit, Ekrem Imamoglu, në “Festivalin e Demokracisë”, si dhe zhvilluan takime me pjesëtarët e Menaxhmentit të Komunës Metropolitane të Stambollit, por, edhe me biznesmenë që janë të gatshëm të investojnë në Prizren, ku do të krijoheshin vende pune për prizrenasit. / KultPlus.com

105 vite nga lindja e kompozitorit Prenk Jakova

Prenk Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar Mrika. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

Prenk Jakova u lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935.

Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollë dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj.

Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi” dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi presidenten e Singaporit, Halimah Yacob

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së punës në Singapor është pritur në takim nga Presidentja e Singaporit Halimah Yacob.

Pavarësisht distancës së largët gjeografike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për intensifikimin e marrëdhënieve me këtë shtet të Azisë Juglindore, sidomos duke e ditur potencialit e bashkëpunimit tregtar.

Në kontekst të thellimit të marrëdhënieve më këtë shtet, Presidentja Osmani ka potencuar se Singapori ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në teknologji si dhe në fushën e mbrojtjes, ndaj ka shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të fokusuar në këto fusha. Ky bashkëpunim sipas Presidentes Osmani duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera, si ajo e arsimit, energjisë, e shumë fusha të tjera.

Presidentja poashtu prezentoi potencialin e Kosovës, si një mundësi për investime nga Singapori dhe në këtë kontekst përmendi, ndër të tjera popullsinë e re dhe dinamike, tregun e punës me kosto efektive dhe incentiva të shumta për investitorët e huaj. Në këtë takim mori pjesë edhe ministrja e Shtetit për Zhvillim dhe Politikë të Jashtme, znj. Sim Ann. / KultPlus.com

Rama: Ne shqiptarët mendojmë se jemi më të vjetrit, grekët mendojnë se majmunët erdhën pas tyre

Kryeministri Edi Rama të shtunën ka marrë pjesë bashkë me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në Forumin Europian Wachau me temën “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE’së”.

Në fjalimin e mbajtur, përvec kritikave që i adresoi ndaj BE’së që nuk po lëviz në raport me shtetet e Ballkanit, Rama bëri batuta edhe për ballkanasit. Ajo që mori vëmendjen ishte beteja për të “vërtetat historike” rreth lashtësisë së popujve ballkanikë. Rama, në këtë aspekt, përmendi garën ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve se kush është më i moçmi në Gadishull.

“Në Ballkan ne të gjithë kemi në mendje se jemi më të vjetrit. Ne shqiptarët mendojmë se jemi më të vjetrit, ata që erdhën pas majmuneve në evolucionin e Darvinit. Po t’i pyesësh serbët nuk të lënë hapësirë, e lëre me grekët që mendojnë se vetë majmunët erdhën pas grekëve. Le te shkojmë te turqit, ata mund të nisin një zënkë të madhe nëse është kafe turke apo kage greke. Nje kafe mjaftë e fortë që me mirë mos ta provoni. Keshtu edhe maqedono veriorët dhe bullgarët e njëjta gjë” ka thënë Rama.

Tutje Kryeministri Rama i cili gjatë javës që shkoi ishte i ashpër me BE’në gjatë fjalimit në Austri e pranoi se jo vetëm BE ka faj që nuk i zgjat dorën rajonit të Ballkanit Perëndimor.

 “Keshtu që keni durim me ne miqtë e dashur dhe mos harroni dhe pavarësisht problemeve tona që më duhet t’i theksoj, sepse kjo nuk nënkupton se jemi viktimë e ndonjë padrejtësie nuk është kaq e thjeshtë është më e komplikuar se kaq. Jemi të gjithë viktima të historisë sonë e herë viktima të vetës, por jemi njerëz të mirë, jemi njerëz besnikë dhe jemi të çmendur, kështu që më mirë të na keni me ju. Keshtu që kur na keni me ju mund ta keni më të mirën tonë të qenit besnikë të qenitë të mirë, çmendurinë tonë mund tonë kur të merreni me të tjerët” ka theksuar Rama./ KultPlus.com

Qindra të ndaluar në një marsh për komunitetin LGBT në Stamboll

Policia në Stamboll ka penguar një marsh në mbështetje të komunitetit LGBT (homoseksualë, lesbike, biseksualë dhe transgjinorë) dhe ka ndaluar qindra protestues më 26 qershor.

Zyra e guvernatorit ka ndaluar marshin rreth Sheshit Taksim, në zemër të Stambollit, mirëpo qindra protestues kanë mbajtur flamuj shumëngjyrësh afër asaj zone, duke sfiduar ndalesën.

“Ne jemi këtu. Ne nuk jemi duke shkuar askund”.

Organizatorët kanë thënë që më shumë se 200 pjesëmarrës dhe aktivistë për komunitetin LGBT, janë ndaluar dhe policia ka refuzuar t’iu mundësojë qasjen te avokatët e tyre.

Disa prej tyre më pas janë liruar.

Një gazetar turk ka thënë se disa persona janë rrahuar nga policia.

Autoritetet, në anën tjetër, nuk kanë bërë të ditur numrin e arrestimeve.

Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejta të Njeriut, Dunja Mijatoviq, u ka bërë thirrje autoriteteve më 24 qershor që të lejojnë marshin dhe të garantojnë sigurinë e pjesëmarrësve.

Turqia është bërë një prej shteteve të pakta myslimane që ka lejuar Paradën e Krenarisë më 2003.

Megjithatë, marshe të tilla janë ndaluar prej vitit 2015, duke përmendur çështje të sigurisë. /Rel / KultPlus.com

Lajçak sot në Kosovë, zbulohen detaje nga vizita e tij

Emisari special evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën në datat 27 deri më 29 qershor.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë vizitës së tij, diplomati sllovak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, liderë të opozitës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës. Fjalimi për media i Lajçak është planifikuar për të mërkurën, datë 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, thuhet në njoftim.

Kjo është vizita e parë e Lajçak pas nënshkrimit të marrëveshjes për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të zhgënjimit të qytetarëve kosovarë me Bashkimin Evropian pasi sërish nuk u dha drita jeshile për vizat.

Vizita e Lajçak u tha se mund të jetë edhe në kuadër të përgatitjes së një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, i cili është paralajmëruar se mund të ndodhë së shpejti./KultPlus.com

Sportistët kosovarë i vazhdojnë sot garat në Lojërat Mesdhetare

Garuesit kosovarë do ta vazhdojnë sot eksperiencën në Lojërat Mesdhetare, që po mbahen në Oran të Algjerisë.

Sot do të garojnë sportistët e karatesë, tenisit, mundjes, boksit dhe gjimnastikës.

Të parët do ta nisin eksperiencën e tyre garuesit nga karateja, Melot Gashi e Fortesa Orana, shkruan “Gazeta Express”.

Më pas, në fushë do të zbresë tenisti Vullnet Tashi, për të vazhduar me mundësit Alban Sopa e Egzon Shala.

Dhe, në fund sot eksperiencën e tyre në “Oran 2022” do ta nisin edhe gjimnasti Elvis Çitaku dhe boksieri Lorent Murati.

Garuesit kosovar janë pritur si heronj në Algjeri, ndërsa synojnë të fitojnë medalje në këtë kompeticion prestigjioz. /Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Jam i gatshëm të pranoj se mund të mos kem gjithmonë të drejtë, por kurrë nuk e kam gabim’

Samuel Goldwyn  i njohur gjithashtu si Samuel Goldfish, ishte një producent filmi polako-amerikan.

Ai ishte më i njohur për të qenë kontribues themelues dhe ekzekutiv i disa studiove filmike në Hollywood.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një koleksion me thëniet e tij më të mprehta e më të bukura.

Si gjithnjë, në përfundim të leximit presim nga ty të na thuash cilën prej thënieve mëposhtë pëlqeve më së shumti.

Jam i gatshëm të pranoj se mund të mos kem gjithmonë të drejtë, por kurrë nuk e kam gabim.

Një kontratë dore vlen po aq sa letra në të cilën është shkruar.

Një ekran i gjerë thjesht e bën një film të keq dy herë më keq.

Kushdo që shkon te një psikiatër duhet të ekzaminojë kokën.

Mos lejoni që mendimi juaj të ndikojë në gjykimin tuaj.

Më jep një idiot të zgjuar në vend të një gjeniu budalla çdo ditë.

Zoti bën yje. Unë thjesht i prodhoj ato.

Unë nuk mendoj se dikush duhet të shkruajë autobiografinë e tij derisa të ketë vdekur.

Unë nuk dua asnjë “po zotëri” rreth meje. Unë dua që të gjithë të më thonë të vërtetën edhe nëse kjo u kushton atyre vendin e punës.

Unë kurrë nuk kam veshur një palë këpucë derisa t’i kem mbajtur veshur të paktën pesë vjet.

E lexova një pjesë të saj gjatë gjithë rrugës.

Unë do të marr pesëdhjetë për qind efikasitet për të marrë një besnikëri qind për qind.

Nëse do të mund të vdisja tani, do të isha njeriu më i lumtur i gjallë.

Nëse do të isha në këtë biznes vetëm për biznesin, nuk do të isha në këtë biznes.

Nëse Roosevelt do të ishte gjallë sot, ai do të kthehej në varrin e tij.

Nëse je dakord me mua, si do ta kuptoj që kam të drejtë?

Do t’ju jap një ndoshta të sigurt.

Me dy fjalë, e pamundur.

Le të kemi disa klishe të reja.

Nëntëdhjetë për qind e artit të të jetuarit konsiston në shoqërimin me njerëz që nuk mund t’i durosh.

Asnjë person që është entuziast për punën e tij nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga jeta.

Fotografitë janë argëtuese, kartolinat duhet të shpërndahen nga Western Union.

Televizioni e ka ngritur shkrimin në një nivel të ri mëposhtë.

Sa më shumë të punoj, aq më shumë fat kam.

Ky libër ka shumë komplot dhe histori jo të mjaftueshme.

Ne po e paguajmë më shumë atë, por ai ia vlen.

Kur dikush bën diçka të mirë, duartrokit! Ju do të bëni dy njerëz të lumtur.

Pse vetëm dymbëdhjetë dishepuj? Dilni dhe merrni mijëra./ KultPlus.com

‘Dashuri Diktatori’ nga Xhevat Mustafa, libri që rrëfen tmerrin e dhunës dhe krimit në kohën e komunizmit

Prologu

Romani “Dashuri Diktatori“, shkruar nga Xhevat Mustafa, publicist, shkrimtar dhe ish diplomat i karrierës, është strukturuar në rrefime të shkurtëra kronologjike, të cilat mund të botohen edhe si skica a rrëfime veç e veç. Një tmerr i tërë dhune e krimi urdhëruar nga Enver Hoxha mbi Elitën Intelektuale të kohës! Të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë për fatin e shumë intelektualëve shqiptar, veçmas ata që kanë lexuar dhe janë ndikuar nga dokumentet e PPSh-së, Historia e PKSh-së dhe sidomos nga librat e Enver Hoxhës, (të cilët i kam lexuar dikur edhe vetë me pasion), ua sugjeroj ta lexojnë këtë roman, i shkruar mbi fakte e dokumente historike. Personazhet e romanit janë figura reale, sikurse edhe ndodhitë e shumta. Rrefimi i ngjarjeve është letrarizuarar mirë e bukur, për të qenë më tërheqës dhe më i pranueshëm për lexuesin.

Bukuritë fatkeqe

Fill pas mbarimit të shërbimit ushtarak në APJ, në verën e vitit 1984, për të parën herë kam udhëtuar jashtë Federatës së atëherëshme Jugosllave. Përveç kontaktit me lëvizjet ideologjike, kryesisht marksiste-leniniste, kam pasur fatin të lexoj veprat e Enver Hoxhës si dhe dokumente të tjera dhe Historinë e PKSh-së. Në këto janë apostrofuar edhe personazhet e romanit. Ata janë cilësuar si grupe antikombëtare dhe të dëmshme për doktrinën komuniste, që ndiqte Partia Komuniste e Shqipërisë e shndërruar me vonë në Partia e Punës e Shqipërisë. Besimi im në PPSh dërmohet në Varshavë të Polonisë gjatë vitit 1987, kur për të parën herë vizitova atë vend të katandisur nga doktrina komuniste. Realiteti që pashë në Poloni, hidhte poshtë dhe çvleftësonte përfundimisht hymnizimin propagandistik, që i bëhej Shqipërisë si “vend i zhvilluar“, dhe me një popull të “lumtur“, nën qeverisjen e Diktatorit, siç thuhej në “demokracinë” e proletariatit komunist. Në anën tjetër, për mua ishte krijuar një konfuzion mbi doktrinën komuniste e staliniste, në ideologjinë e organizatave gjysëm ilegale të shqiptarëve në Zvicër dhe Gjermani. Siç dihet, qysh më 6 gusht 1940, me vendim të parlamentit, në këtë vend, është ndaluar veprimtaria e Partisë Komuniste në Zvicër, që udhëhiqej nga Franz Ëelti. Kurse në Republikën e Gjermanisë Federale veprimtaria e Partisë Komuniste ndalohet më 17 gusht 1956. Çuditërisht veprimtaria e “Frontit të Kuq Popullor” të shqiptarëve nga Kosova e ka nismën në vitet e shtatëdhjeta. Në ato vite, nga krerët e saj, me mburrje, u është thënë gjermanëve se koncepti stalinist për Gjermaninë është doktrina më e bukur dhe më e drejtë për ta, kur dihej se ajo bukuri fatkeqe kishte përpirë gjysmën e Gjermanisë, pas kapitullimit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për mua ky konfuzion ka vazhduar, siç thash më lartë, deri sa i kam vizituar disa nga vendet e Paktit të Varshavës gjatë vitit 1987. Mëpastaj kam arritur të dyshoj në ato prosperime propagandistike që vinin nga propaganda e PPSh-së. Ndërsa me ndryshimet e sistemit politik, dhe veçmas atëherë kur filloi të thuhet e vërteta për krimet dhe barbaritë e sistemit komunist në Shqipëri, doli në pah bukuria fatkeqe e sistemit totalitar. Pra, filloi të ndriçohej e vërteta për shumë personalitete dhe intelektualë, të cilët sistemi komunist i kishte burgosur me shumë vite, internuar, eleminuar dhe pushkatuar. Në këtë fokus të qartësimeve ideologjike, si ndihmesë artistike për të ndriçuar të vërteta historike e jetësore, është edhe romani i Xhevat Mustafës, “Dashuri Diktatori”.

Mesazhi dhe trajta e re e rrëfimit historik

Romani përçon artistikisht mesazhe historike. Në planin artistik, me mjaft mjeshtri janë letrarizuar pjesë të gjëra nga jeta e disa prej figurave – personazhe. Krahas këtyre është letrarizuar artistikisht edhe masakra e 26 marsit 1951 në Tiranë, ku me urdhër të Enver Hoxhës dhe nën drejtimin e Mehmet Shehut, janë pushkatuar 22 intelektualë dhe tregtarë të mëdhenj atdhetarë, mes të cilëve edhe e vetmja femër, Sabiha Kasimati. Autori ka rikthyer në vetëdije dhe me vetëdije kujtimin për tri gra të jashtëzakonshme, Sabiha Kasimati, Aurelia Terrusi dhe Musine Kokalari, jetët e të cilave e shkatërroi diktatori komunist Enver Hoxha. Veçanërisht për njohësit e asaj periudhe dhe për ato gjenerata që e përjetuan atë diktaturë, romani “Dashuri Diktatori”, është rrëfim në formë të re të historive tragjike, realizuar në formën e rrëfimit, nga Xhevat Mustafa.

Romani “Dashuri Diktatori”, pavarësisht rrëfimit artistik dhe përpunimeve të herëpashershme letrare, përcjell emocione tronditëse, qoftë për mënyrën e bukur të realizimit të syzheut, dhe për psikologjinë e krimit, që ka zbatuar diktatori Enver Hoxha, duke i zhdukur dhe eliminuar të gjithë kundërshtarët e tij. Ai i ndëshkoi të gjithë ata që mund t’i kenë ditur bëmat e tij, qoftë në Liceun e Korçës, në vitet e para të shkollimet, në Universitetin e Montpelje të Francës, për sjelljet e tij në Konzullatën e Shqipërisë në Bruksel e më vonë në Korçë, sa ishte mësues, në Tiranë dhe gjetiu.

Çuditërisht edhe sot, ajo diktaturë, ka ndryshuar vetëm formën, por jo edhe mendësinë e qeverisjes e të veprimit. Tashmë fuqia e shtetit është koncentruar në duart e tyre. Prandaj dhunimi i Elitës Intelektuale të kombit, po vazhdon edhe në ditët e sotme. Romani i Xhevat Mustafës, si strukturë tematike është tërheqës dhe me tronditje marramendëse, dhe ashtu si në histori e jetë përfundon me tragjedi.

Fobia e Diktatorit

Protagonisti kryesor i romanit është diktatori Enver Hoxha. Në tërë historinë jetësore, udhëheqëse ai ishte kontravers dhe egoist, veti karakteristike që i shpalosen edhe brenda romanit. Për të qenë më i pranueshëm, Xhevat Mustafa, nis me dromca letrare, rrëfime të shkurtëra qysh nga mosha e re, veçmas nga periudha sa Enveri ishte nxënës në Liceun Francez të Korçës. Me mjeshtri artistike janë relativizuar sjelljet e kompleksitetit që kishte Enver Hoxha qysh në atë moshë, vese të cilat vetëm sa i shtoheshin, rriteshin dhe zgjeroheshin, varshmërisht nga mundësitë që ia krijonte koha. Pasionin e tij për femra, autori e pasqyron në mënyrë psikoanalitike. Përmes kësaj linje ai do t’i zbulojë mjaft teka të tij, dhe në mënyrë të shkëlqyeshme do t’i arsyetojë edhe refuzimet e tri shoqeve të tij të moshës së rinisë. Ato nuk do të pranojnë të kenë lidhje të afërta e dashurore me një karakter përplot dyshime, por fundi i jetës së tyre përmbyllet dhunshëm dhe tragjikisht.

Ky fat e përcolli edhe Aurelian, vajzën e një italiani, i cili ishte vendosur në Gjirokastër dhe jetonte me familjen në një shtëpi fare afër me atë të prindërve të Enver Hoxhës. Derisa babai i saj punonte ndërtues dhe meremetues i shtëpive, ajo vazhdonte shkollimin në një kolegj murgeshash në Selanik. Diktatori bie në dashuri me Aurelian, e cila përveç intelegjencës, ishte edhe e bukur. Por ajo kategorikisht e ka refuzuar Enver Hoxhën, gjë që ai do të xhindoset nga ky qëndrim refuzues i saj. Po ashtu, sa ishte në Korçë, Enveri i vardisej edhe një vajze tjetër, që e kishte shoqe të klasës në Liceun Francez të Korçës. Sabiha Kasimati ishte e bukur dhe e sjellshme, kurse Enver Hoxha pa humbur kohë i shpreh dashurinë, siç dinte ai, me lajka e premtime, për t’u martuar dhe për ta bërë të lumtur. Refuzimi edhe i Sabihasë do ta tërbojë edhe më tej Enver Hoxhën. Për këtë arësye ai qysh në atë kohë ishte betuar se do t’u hakmerrej kur t’i vinte koha. I kësaj natyre është edhe raporti i tij me Musine Kokolarin, vajza gjirokastrite, e cila bashkë me familjen, jetonin në qytetin e vogël të Gjirokastrës dhe për më tepër, ishte kushërirë jo fort e largët.

Frika nga epërsia intelektuale

Pas mbarimit të Liceut francez në Korçë, Sabiha Kasimati shkon për studime në Universitetin e Torinos në Itali, në fushën e biologjisë, dega Ihtiologji, përkatësisht për studimin e pasurive nën-ujore dhe shumimin e peshqve në ujrat e Shqipërisë. Përveç studimeve, që i kreu me sukses të lartë, ajo po në Torino i përfundoi edhe studimet e doktoraturës, duke u bërë gruaja e parë shqiptare me gradën kaq të lartë në këtë fushë deficitare për Shqipërinë. Profesorët e atjeshëm do ta këshillojnë Sabihanë të mos kthehej në Shqipëri, pasi lufta tashmë ishte zgjeruar edhe nëvendlindjen e saj. Por Sabihaja ishte e vendosur të kthehej dhe ashtu bëri. Me pikëpamje politike ajo ishte liberale, prandaj asnjëherë nuk e mbështeti komunizmin, por as nuk iu kundërvu hapur. Megjithatë, kudo në biseda, ajo fliste për veprimet e dëmshme, që bënte shoku i saj nga Liceu Francez i Korçës. Pa dyshim, zgjuarsia dhe epërsia intelektuale e Sabihasë e pengonte Enver Hoxhën, i cili tashmë e kishte futur në listën e njerëzve që do t’i hakmerrej. Bashkë me Musine Kokalarin do të jenë tri gratë fatkeqe, që do të pësojnë nga hakmarrja komuniste e Enver Hoxhës.

Trajtimi i figurës së Aurelias dhe Sabihasë përbëjnë pjesën kryesore të romanit, pasi edhe subjekti kishte për qëllim pasqyrimin sa më real të Ego Karakterit të Enver Hoxhës. Autori jep detaje të hollësishme, ku përmes personazhit dhe dramave jetësore të këtyre tri grave ai do të nxjerrë në pah karakterin e një individi me komplekse, deri në shkallë skizofrenie. Për shkak të fobisë që kishte nga njerëzit që e njihnin për bëmat e tij jetësore, do t’i eleminon njërin pas tjetrit, për të vazhduar karrierën e tij prej një përbindshi monstër. Para pushtetit të tij absolut Enver Hoxha nuk do të njihte mirësitë dhe ndihmat e askujt, as të njerëzve tëfamiljes e rrethit familjar. Janë të njohura ndëshkimet e pashpirt nga Enver Hoxha të dhëndrrit të tyre, Bahri Omari, burri i motrës së madhe Fahrijes. Ai, edhe pse e kishte ndihmuar për shkollim e punësim, u pushkatua më 14 prill 1945, me udhër e dijeni të Enverit, pa u prekur aspak as nga lutjet dhe lotët e të motrës, një ditë më herët. Po kështu, shpreh mosmirënjohjen edhe ndaj Abaz Omarit, djali i vajzës së axhës. Pastaj Enver Hoxha do të burgosë drejtorin e bankës italiane në Vlorë, Xhuzepe Terrusin, burrin e Aurelia Pozelit, poetin e publicistin Manush Peshkëpia, Qemal Kasaruhon dhe shumë të tjerë.

Ndëshkimeve të Enver Hoxhës nuk i shpëtoi, pothuajse asnjë intelektual që kishte studiuar në Francë, Itali, Austri, Gjermani, Kroaci e gjetkë. Me theks të veçantë kanë pësuar të gjithë ata intelektualë që i kishte fqinjë në Gjirokastër, shokë shkolle në Liceun Francez në Korçë, sikurse edhe të njohur të tjerë, që dinin për sjelljet e turpshme të tij gjatë studimeve në Montpelje (Montpellier),të Francës, dhe sa kishte punuar në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel.

Vetëdija e EGO Karakterit

Hakmarrja e Enver Hoxhës, jo vetëm kundër tri grave që nuk u dashuruan me atë, por të të gjithë atyre që e ndihmuan dhe e njohën, është esenca e nënvetëdijshme e romanit. Nëpërmes tre protagoisteve gra, autori ka zbërthyer tërë maninë e një diktatori, cili të gjitha i arrin falë aftësisë së tij spekulative, dhe me kalimin e kohës, është shndërruar në monstrum, në përbindësh, kundër të gjithëve që kanë mundur të shprehin mospajtime me të. Por dashuria si nocion ngërthen vetëm pjesën e brendshme aventuriere të Enver Hoxhës, pjesa tjetër është refuzimi i Aurelias, Sabihasë dhe Musine Kokalarit, që e shndërrojnë karakterin e tij në egocentrik dhe hakmarrës. Pa dyshim, romani është pasuri shumë e bukur e letërsisë së sotme shqipe, falë qasjes tematike që ka trajtuar. Mbase më duket është i pari i këtij lloji që i kushtohet veprimit dhe manisë së diktatorit Enver Hoxha. Së këndejmi autori përveç se ka qenë njohës i saktë i rrethanave duket të ketë shfrytëzuar material arikivor dhe është shërbyer edhe me rrëfime të përjetuara të të afërmëve dhe të atyre pak shokëve e miqve të Aurelias, Sabihasë e të Musinesë, të cilët i kanë shpëtuar diktaturës komuniste.

Arroganca e Enver Hoxhës, jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por ndaj të gjithëve që e njihnin, ndaj atyre që e kishin ndihmuar, po sidomos kundër shokëve të shkollës dhe studimeve, të cilëve nuk ua duronte epërsinë intelektuale e bëjnë Egon e Diktatorit specifike dhe unikale. Nga romani shihet se ai nuk ua duronte gradat akademike, që ata i kishin fituar nëpër universitetet prestigjioze të kohës. Vetë Enver Hoxha e degradoi vlerën intelektuale, duke e kthyer vendin nën udhëheqjen e çobanëve dhe individëve të kompleksuar siç ishte ai vetë. Ky karakter udhëheqësi nuk ndeshet askund në kampin socialist dhe as në udhëheqjet më primitive që ka njohur historia e njerëzimit. Enver Hoxha i posedonte të gjitha epitetet e një udhëheqësi me marrëzi të bollshme, duke persekutuar dhe ekzekutuar vajza, të cilat nuk iu kanë nënshtruar epsheve të tij qysh në rininë e tyre të hershme. Pushkatimi dhe internimi i bashkëpunëtorëve të vet ka vazhduar tërë karrierën e tij politike. Por, në roman kjo ilustrohet vetëm me rastin e Nako Spiros. Eliminimet e kundërshtarëve politikë, kualifikoheshin si vetëvrasje ose me epitete të tradhtisë ideologjike dhe të vlerave të revolucionit komunist, i cili tashmë kishte triumfuar në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, dhe madje karshi numrit të banorëve duhet të jetë shembull i krimit ndërvëllazëror. E nëse statistikat reale nxjerrin numrin e pushkatimeve, internimeve dhe eliminimeve ndaj Elitës Intelektuale në raport me numrin e kufizuar të të shkolluarve, që kishte Shqipëria në ato vite do të duhej diktatura staliniste e Enver Hoxhës, të hynte në Librin e Rekordeve Guiness, për krime që ia ka bërë shoqërisë dhe Elitës Intelektuale të vendit. Padyshim sundimi i tij do të konsiderohet si pushteti më diktatorial në tërë Kampin Socialist, jo vetëm në Evropën Lindore, por në përmasa globale. Këtë të vërtetë historike dhe trishtim e përjetojmë edhe nga romani “Dashuri Diktatori” të Xhevat Mustafës. Ai ka ndërtuar një roman monumental kushtuar tri grave, që kanë pësuar tragjedi nga hakmarrja e Enver Hoxhës. Po ashtu ai ka ndërtuar një piedistal artistik për 22 viktimat në natën e 26 marsit 1951, nën komandën e Mehmet Shehut dhe drejtuesit të lartë të Policisë, Arqile Derrit (emër i trilluar nga autori), ku janë pushkatuar intelektualët e pafajshëm: Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Pjerrin Guraziu, Gjon Temali, Zyhdi Herri, Ali Qorraliu, Petro Konomi, Thoma Katundi, Pandeli Nova, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Niko Lezo, Anton Delhysa, Tefik Shehu, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni, Haki Kodra, Mehmet Shkupi dhe Lluka Rashkoviç, (faqe 314).

Viktimat e 26 marsit 1951, deri në vitet e nëntëdhjeta u anatemuan, madje nuk iu diheshin as eshtrat, kurse për gjatë viteve të diktaturës komuniste u trajtuan si tradhtarë, antikomunistë e epitete të tjera, por e vërteta shkon në dy kahe. E para, hakmarrje e drejtpërdrejt e Diktatorit me të gjithë ata që njihej. E dyta, ishte fobia e sistemit komunist nga intelektualët, të cilët pse mbajtën qëndrim refuzues ndaj partisë komuniste ose drejtpërdrejt ndaj diktatorit Enver Hoxha, nëpërmes intrigave që i sajonin njerëzit e pushtetit, ndëshkoheshin egërsisht. Çfarëdo epiteti kundër atyre viktimave ndoshta mund të kapërdihej, por në asnjë mënyrë si bandë terroriste që paskan hedhur Bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Për Diktatorin dhe diktaturën komuniste, Bomba në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, ishte pretekst dhe u bë shkas për t’u hakmarrë, për t’i eliminuar edhe disa nga intelektualët që ua kishte frikën edhe vetë Diktatori. Ndërsa në anën tjetër kishte për qëllim ta shtonte frikën dhe tmerrin te pjesa tjetër intelektuale, e cila kësaj radhe i kishte shpëtuar hakmarrjes së paskrupullt komuniste.

Saktësia e shtjellimit dhe fati tragjik

Shtjellimi i saktë, i ndjeshëm dhe përjetues i figurës së vajzës së re italiane, siç ishte Aurelia, e cila asaj kohe jetonte në Gjirokastër bashkë me familjen e saj dhe përshkrimi aq i përafërt me realitetin, e bën romanin për t’u përjetuar, dhe për të mos u harruar shpejt. Përfytyrimet e figurës së Aurelias në romanin “Dashuri Diktatori”, janë fine, dhe të kapshme. Portreti i saj shpaloset nga rrjeshti në rrjesht dhe nga faqja në faqe, prandaj mendoj se me pak mund, kinomatografia shqiptare ose ajo italiane, mund ta shndërronin këtë prozë në film, për t’i shprehur nderim familjes Terrusi dhe të gjitha viktimave të tjera italiane, të cilët bartnin të vetmin mëkat se kishin ushtruar veprimtari ekonomike dhe të biznesit në Shqipëri, kurse koha e luftës i kishte gjetur në këtë vend, nga i cili nuk nxituan të iknin, edhe kur koha shënoi fitoren e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Për fat të keq të të gjitha viktimave dhe të vendit në përgjithësi, në krye të Partisë Komuniste u gjend manjaku, që vuante nga komplekset e inferioritetit intelektual. Prandaj eliminimi i të afërmëve dhe i shumicës së gjeneratës së tij, i të gjitha grave që i kishte njohur dhe ëndërruar, ishte shndërruar në mani, kurse me kalimin e kohës iu bë paranojë, eliminimi i të gjithëve, nga të cilët ai mund të shihte ndonjë rrezik. Epshet e shfrenuara të Diktatorit dhe defektet psikike të tij, artistikisht dhe letrarisht nuk janë trajtuar asgjëkundi më bukur se në këtë roman, i cili urojmë të jetë i pari, por jo edhe i fundit, që trajtojnë njeriun monstrum, sundimtar abosolut i Shqipërisë për më shumë se gjysëmshekulli diktaturë të hekurt dhe primitive.

Nëse romani “Dashuri Diktatori“, i Xhevat Mustafës, merret me vesin hakmarrës ndaj tre grave dhe të një elite të caktuar intelektuale, vepra të tjera dhe nga autorë të tjerë, mund t’ia zbulojnë edhe veset e tjera siç janë prirja e tij homoseksuale, (shih faqe 62), dhe dyshimi për atësinë biologjike, ku pjesa e parë brenda romanit nuk është interes i trajtimit, pasi këto vese i janë përmendur në mënyrë periferike, ndërsa dyshimi për atësinë theksohet edhe nga Fahria, motra e Enverit (faqe 187). Diktatori ka pasur edhe shenja të pedofilisë, kanibalizmit, kur dihet se nëpër koluare është shkruar se janë sakrifikuar me dhjetëra foshnje për gjakun e tyre të mirë, sa për t’i zgjatur jetën atij. Gjithashtu është e njohur edhe urrejtja patologjike dhe fobia e Diktatorit kundrejt klerit shqiptar dhe kundrejt shtresës aristokrate të Shqipërisë, që nuk janë pjesë e romanit, por janë me interes për t’u trajtuar. Kjo, sepse vetëm veprat artistike e letrare mund ta shkëpusin shoqërinë demokratike nga mëdyshjet dhe nostalgjia, për një periudhë kaq të errët, me pasoja të bartura edhe në vitet e demokracisë së brishtë, e cila nuk po këndellët. Prandaj si në asnjë vend të Evropës Lindore tranzicioni nga botëkuptimi komunist në mendësinë pluraliste ka zgjatur së tepërmi në Shqipëri. Për fat të keq edhe sot ka prirje të mendësisë së dhunës, eliminimit dhe të diktaturës.

Romani “Dashuri Diktatori” është një vepër e mirëfilltë artistike në shërbim të proceseve dhe të vërtetës historike. Njëkohësisht, mund të konsiderohet një homazh artistik për Sabiha Kasimatin, Aurelia Poceli Terrusin, Musine Kokalarin dhe për të gjithë viktimat e 26 marsit 1951.

Format e hakërrimit egoist

Fatin e Aurelias, vetëm me një formë tjetër, do ta pësojë Sabiha Kasimati. Derisa hakmarrja e Diktatorit kundër italianes kap linjën e nxirjes së jetës, duke ia burgosur burrin dhe shkatërruar familjen, te Sabihaja ndiqet një linjë kriminale tjetër, e hakërrimit egoist, një urrejtje patologjike, duke mos ia duruar suksesin universitar, akademik dhe shkencor. Prandaj hakmarrja e Diktatorit përfundon me pushkatimin e saj, pa pasur mëshirë se ajo ishte e vetmja shkencëtare që merrej me kultivimin dhe shtimin e peshkut në ujrat e Shqipërisë. Po ashtu në roman shpaloset edhe një linjë tjetër e hakmarrjes komuniste të vetë Diktatorit kundrejt Musine Kokalarit, të parës grua shkrimtare që kishte Shqipëria. Kësaj intelektualeje, përveç se ia shkatërroi familjen, duke ia vrarë dy vëllezërit, të cilët ishin edhe mësimdhënës të tij, do ta përplasë e poshtrojë gjatë tërë jetën nëpër burgje e kampe internimi, pa shprehur pendim dhe pa bërë asnjë amnesti për të. Dhe sikur të ishin vetëm këto tre raste ia vlente të shkruhej ky roman. Autori ishte i vetëdijshëm se përmes këtyre tre grave kryente një shërbim edhe për gratë e tjera, që pësuan ngjashëm tragjedi tronditëse nga diktatura komuniste.

Tragjikët dhe pësimi i tyre tragjik

Një ditë më parë në duart dhe zyrën e Mehmet Shehut ishte vrarë tregtari Januz Kaceli, të cilin ai së bashku me një tjetër, e kishin hedhur për vdekje nga dritarja e zyrës së tij. Për të treguar mosmirënjohjenn, ligësinë apo çmendinë, Enver Hoxha me të rrëmbyer pushtetin në duart e tij, kishte vrarë Bahri Omarin, bashkëshortin e motrës së madhe Fahrijes, pastaj Abaz Omarin, djalin e vajzës së axhës, që i bie nipin e vet. Në vijim, kishte vrarë dy vëllezërit e Musine Kokalarit, kurse vetë ajo kishte kaluar vite të tëra në Burgun e Burrelit. Po ashtu Diktatori kishte degdisur në burgun e tmerrshëm të Burrelit edhe Xhuzepe Terrusin, burrin e Aurelias, ish drejtor i filialit të Bankës Italiane në Vlorë. Ky personazh është ndër më tragjikët e romanit, prandaj zë vemendjen e autorit. Ai ka pësuar tragjikisht për fajin e vetëm pse ishte martuar me Aurelian. Akuzat e tjera kundër tij janë farsë dhe sajesa për të justifikuar krimin morbid. Roli i Aurelias, në këtë roman është trajtuar dinjitetshëm, si personalitet i gruas fisnike e të ndërgjegjshme, por me fat tragjik pse për shumë vite ishte fqinja e Enver Hoxhës në Gjirokastër. Refuzimi i saj për lidhje dashurie me Diktatorin në kohën e rinisë së tyre është vetëm shkas i hakërrimit të Enver Hoxhës, për t’ia nxirë jetën Aurelias së gjorë.

Dhuna si mani për vetëkënaqësi

Vetëkënaqësia, përmes dhunës dhe krimit, ishte shndërruar në mani për Diktatorin, siç përshkruhet edhe në këtë roman. Këto detaje janë përfolur në shtypin e kohës, nëpër artikuj të shumtë, po sidomos nëpërmes intervistave dhe rrëfimeve të viktimave, që kanë mbetur gjallë. Ky narracion artistik sjell në vetëdijen e shoqërisë së sotme atë kohë që ishte shndërruar në frikë e tmerr për shoqërinë, sidomos për Elitën Intelektuale.

Dashuria e Diktatorit me Aurelian është vetëm një histori dhe një rast i trajtuar me finesë e besueshmëri nga autori autori, i cili ka arritur që t’i zbërthejë disa pamje të panjohura nga karakteri i Diktatorit. Për atë djalosh të ri me urrejtje kundër të gjithëve, që nuk iu kanë nështruar veprimeve aventureske, e bëjnë edhe më paradoksale prirjen kriminale për moshën që kishte. Aurelia, është vajzë italiane, e bukur dhe e admiruar nga brezi i saj, pra edhe nga Enver Hoxha i cili i prirë nga ambiciet egoiste dëshironte të realizonte me këtë vajzë çdo pasion dhe epsh që kishte. Ishin përpjekje të kota për ta bindur Aurelian për lidhje serioze, për fejesë dhe martesë me të. Ajo e njihte prandaj e refuzoi, gjë që do ta dëshpërojë Enver Hoxhën. Refuzimi i saj, në Egon e Diktatorit që po lindte, do të ngjallë instiktin për hakmarrje të herdokurdoshme, instikt ky që shkon duke ia sforcuar egon dhe pasionin për të dominuar mbi rrethin dhe shoqërinë e brezit, në kohën kur shkollimi dhe studimet nuk i kishin shkuar mbarë.

Lajmi për fejesën e Aurelias me drejtorin e Filialit të Bankës Italiane në Vlorë Xhuzepe Terrusi, do ta xhindosë tejmase diktatorin e ardhshëm dhe shefin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhën, dhe si duket egoja hakërruese këtu nis fillin e deformimit të saj. Jeta e Aurelias me Xhuzepen do të përshkruhet e lumtur në ato vite. Por me të përfunduar lufta dhe me triumfin komunist, do të kthehet në ferr, pasi atëherë do të nisë kalvari i vuajtjeve të saj. Hezitimi për t’i nisur apo jo një telegram urimi, dëshirë të cilën e kishte shprehur fillimisht Xhuzepe Terrusi, është një detaj i vogël që shpreh frikën e tmerrshme që prej kohësh e kishte kapluar Aurelian (faqe 97), e cila ia njihte edhe karakterin hakmarrës Enver Hoxhës. Kjo njohje dhe frikë do të frenojë Aurelian për t’ia nisur telegramin e urimit Diktatorit, që ta uronte për triumfin komunist. E pikërisht për shkak të këtij triumfi edhe martesa e saj me Xhuzepe Terrusin do të jetë jetëshkurtër.

Triumfi komunist dhe pasojat ideologjike

Siç dihet Shqipëria përfshihet në Luftën e Dytë Botërore, kurse mbarimi i saj lidhet me triumfin komunist, me ardhjen e Enver Hoxhës në majat e pushtetit absolut komunist. Nga atje ai do të nisë hakmarrjen ndaj të gjithë atyre, që e njihnin dhe dinin shumë të vërteta diskretituese për atë. Po ashtu, hakmarrja egoiste do të nisë edhe kundër tri grave tashmë protagoniste të këtij romani. Diktatori, më parë se të vinte rendin popullor, yshtet për aventurë hakmarrëse kundrejt Aurelias, të cilës do t’ia burgosë burrin. Me burgosjen e Xhuzepes do të nisë kalvari i vuajtjeve të saj dhe këtu e ka fillimin edhe zhgënjimi i madh i Aurelias. Ngjarjet zhvillohen përplot me emocione dhe mbresa. Nëpërmjet tyre utori shpalos edhe pamje të panjohura të Ego Karakterit, që posedonte Diktatori me probleme të rënda psikike, dhe asnjëherë të një udhëhqësi normal, për të cilin kishte nevojë Shqipëria e asaj kohe. Këto ambicie hakmarrëse lidhen me një datë historike, të triumfit komunist në Shqipëri, më 29 nëntor 1944, kur Enver Hoxha, arriti të bëhej kryetar i Partisë Komuniste dhe kryeministër i Shqipërisë.

Një gjysëm viti më vonë, (më 25 mars 1945), me urdhër të Enver Hoxhës, do të burgoset Xhuzepe Terrusi, me porosinë e Diktatorit për t’ia nxirë jetën jo vetëm Aurelias, por të gjithëve që guxonin të flisnin e vepronin kundër tij. Edhe Xhuzepe Terrusi ishte viktimë e Egos së Diktatorit. Ai dënohet me tetë vjet burgim të rëndë dhe pas një kohe e transferojnë në Burgun e Burrelit. Autori ka përshkruar me ndjenjë përjetimi, përpjekjet e Aurelias për ta shpëtuar burrin e saj. Po ashtu ajo bën përpjekje për ta takuar Enver Hoxhën me shpresë se do ta zbuste shpirtin e një xhindi që tashmë gllabronte viktimat, duke i sjellë vendit zi. Po ashtu përjetuese janë takimet nga vizitat e saj në Burgun e Vlorës dhe në Burgun e Burrelit. Xhuzepe Terrusi ishte i vetëdijshëm për fundin e tij tragjik, prandaj e këshillon Aurelian për t’u riatdhesuar në Itali, të paktën ajo të mos vuante dhe në anën tjetër t’ia shpëtonte Aldon, djalin e vetëm të tyre. Këto ngjarje kanë zhvillimin e vet, dhe në secilin rast autori ka dhënë emocione të çastit e rastit, që janë përjetime të rënda dhe mbresëlënëse, pasi përmes këtij rrëfimi është sjellë në këtë kohë realiteti i hidhur, i cili errësonte Shqipërinë e asaj kohe.

Romani, përveçse rrëfen Dashuritë e Diktatorit, shpalos egërsinë e tij të pamëshirshme, qoftë në takimin e vetëm që pati me Aurelian, kundrejt së cilës është sjell si diktator, duke u arsyetuar se ai nuk mund ta ndihmonte, pasi nuk ndërhynte në punët e drejtësisë, që ushtronte Pushteti Popullor!? Enver Hoxha i thotë Aurelias se ai nuk kishte ndërhyrë në punët e drejtësisë as për familjarët e tij, të cilët i kishte ndëshkuar pamëshirshëm. Këto momente janë përjetime trishtuese edhe për lexuesin e sotëm se si ka mundësi të vinte në majat e Pushtetit Komunist një njeri kaq i pashpirt, siç u tregua Enver Hoxha me të gjithë, dhe veproi kundër të gjithëve që e njihnin dhe ia dinin bëmat aventureske të tij. Sikurse me Aurelian, Enver Hoxha, ngjashëm është sjellë edhe me Musine Kokalarin dhe familjen e saj, si dhe me motrën e tij të madhe, të cilës do t’ia pushkatojë burrin. Më në fund Aurelia riatdhesohet diku në fund të viteve të dyzeta, kurse Xhuzepe Terrusi nuk do ta përballojë gjendjen e rëndë në Burgun e Burrelit. Ai vdes në mars të vitit 1952, kurse vetëm pas tre muajsh Aurelia merr telegramin nga personeli i burgut me njoftimin se Xhuzepe Terrusi ka vdekur, pa informacione shtesë se ku dhe si ishte varrosur.

Hakërrimi egoist për shkak të nivelit intelektual

Historia e njohjes së Diktatorit me Sabiha Kasimatin nis qysh në vitet e shkollës, në Liceun Francez të Korçës. Më vonë Sabiha Kasimati, kryen studimet në Itali dhe bëhet shkencëtare në fushën e biologjisë. Edhe Sabihaja e ka refuzuar kërkesën e Enver Hoxhës, për t’u fejuar e martuar me të. Edhe ky rast do ta xhindoste Diktatorin e ardhshëm, i cili edhe ndaj saj ishte betuar qysh atëherë se do t’i hakmerrej. Refuzimi i Sabihasë lidhet drejtpërdrejt me njohjet që kishte për karakterin e Enver Hoxhës, pastaj ajo dinte shumë edhe për të shkuarën aventureske të tij, qysh në Liceun Francez në Korçë dhe në Montpelje (Montpellier), të Francës. Por refuzimi që Sabihaja i kishte bërë Enver Hoxhës, në vetëdijen e tij do të ndikojë në forcimin e egos, për t’ia rritur dozën e hakmarrjes së mëvonshme. Hakmarrja ndaj Sabihasë duket të jetë edhe më primitive. Derisa hakmarrja e Diktatorit kundër Aurelias kishte qëllim t’ia nxinte asaj jetën, përmes burgosjes së bashkëshortit dhe nëpërmes formave të dhunës fizike e psikologjike, hakmarrja kundër Sabihasë është e motivuar kundër nivelit të saj intelektual, pasi Diktatori nuk mund t’ia duronte sukseset Sabihasë, e cila kishte arritur t’i kryente me sukses të gjitha studimet universitare dhe akademike.

Enver Hoxha, do të arrijë t’ia shkatërrojë jetën dhe madje edhe ta pushkatojë shkenctaren e vetme që kishte Shqipëria në fushën ihtiologjisë. Ajo, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, bashkë me 22 të tjerë do të pushkatohet në mbrëmjen e datës 26 mars 1951. Autori ka përshkruar me hollësi jetën e saj, përipecitë jetësore, shkollimin, mjekimin në sanotorium në Torino të Italisë, pastaj punën e saj shkencore dhe takimin e saj me Enver Hoxhën, të cilit do t’ia përplasë në surrat pikëpamjet e saj, përkitazi me udhëheqjen e gabueshme, veçmas për krimet monstruoze që bënte në ato vite. Sabihaja, si shoqe e Liceut Francez të Korçës, duhet të mbetet figura më tragjike e krimit komunist, e cila bashkë me Musine Kokalarin do të pësojnë për shkak te njohjeve, që kishin me Diktatorin, po më shumë për shkak të epërsisë së tyre intelektuale dhe krejt natyrshëm edhe për shkak se nuk iu kishin nënshtruar pasioneve aventureske, që kishte Enver Hoxha qysh në rininë e tij të hershme. Krimi dhe aventurat do t’i bëhen pasion i përhershëm në tërë karrierën e tij udhëhëqëse, kurse vrasjet dhe krimet vazhdojnë njëri pas tjetrit, madje ato bëhen pjesë e procesit të spastrimit ideologjik edhe brenda udhëheqjes së lartë shtetërore. Kjo ego kriminale e drejtuesit të partisë dhe të shtetit e kanë shëndërruar atë në monstrum dhe në kanibal, veçmas për shkatërrimin e familjeve të shumta intelektuale. Ato kishin të vetmin faj pse ishin intelektualë dhe nuk iu ishin nënshtruar diktaturës komuniste, e cila tashmë bënte kërdinë mbi secilin individ që guxonte të mendonte ndryshe.

Kur jemi te Sabihaja duhet përmendur koha e Studimeve sa ishte në Torino, këshillat e dekanit të fakultetit, (faqe 114), vallëzimet me Enrikon, një studenti italian, i cili pastaj kishte sakrifikuar për të ardhur në Shqipëri në kuadër të kontigjentit ushtarak italian, që vepronte në Shqipëri, për ta bindur Sabihanë për sinqeritetin e tij, (faqe 124-126). Gjatë këtij shërbimi, në një aksident ai do të humbasë sytë, kurse jeta e tij merr tjetër kahe, (faqe 131-132). Ky detaj është mjaft prekës dhe përjetues. Po kështu, edhe vizita e Sabihasë sa ishte në sanotorium, kur ajo do ta vizitojë Enrikon e verbër në shtëpinë e tij. Ai takim është rrëfyer me ndjenjë dhe posedon nota tejet prekëse, (shih faqe 144-149). Po aq interesant duket edhe njohja me shkrimtarin Manfredo Bernardini, në kohën sa ishte për shërim në atë sanotorium, (faqe 133-144). Po me kaq nota lirike janë përshkruar edhe raportet e Sabihasë me të fejuarin e saj Astritin. Një personalitet i qetë, intelektual i formuar që me sjelljen e tij i kishte krijuar asaj çaste të lumtura, telin e të cilave e këputi hakmarrja e Diktatorit, kur e pushkatoi Sabihanë si “armike e popullit”, duke dëshmuar për mizorinë e pashpirtshme që kishte ndaj të gjithëve, që nuk iu kanë nështruar diktatit të tij komunist.

Rreziku që mund t’i vinte nga ata që e njihnin

Në kuadër të këtyre eliminimeve, vend me rëndësi në romanin e Xhevat Mustafës zë edhe rasti i poetit dhe publicistit Manush Peshkëpia, sidomos në vitet pas triumfit komunist në Shqipëri, deri në pushkatimin, tashmë të njohur në vitin 1951. Gjithsesi mbresa të përjetuara dhe njëkohësisht edhe të trishtëta janë ato në natën e fundit para se t’i pushkatonin, siç është biseda e Sabihasë me Reiz Selfon ose me Qemal Kasaruhon dhe të tjerët. Të gjithë këta emra bashkë me tregtarin Jonuz Kaceli i mbytur një natë më parë nga Mehmet Shehu, kanë pasur njohje të drejtpërdrejta me Enver Hoxhën, në periudha të ndryshme, madje disa sish edhe e kanë ndihmuar. Por për Diktatorin kjo s’kishte rëndësi, pasi fobia e tij kishte krijuar paranojen se rreziku mund t’i vinte pikërisht nga njerëzit që e njihnin, prandaj të gjithë i pushkatoi më datën 26 mars 1951, duke gjetur pretekstin e hedhjes së Bombës në Ambasadën e Sovjetike në Tiranë, që kishte ndodhur, më 19 shkurt 1951.

Arti letrar flet për të vërtetën historike

Ky përceptim letrar e artistik lidhet drejtpërdrejt me të vërtetën historike, si dhe me realitetin e kompleksuar të Enver Hoxhës. Lidhet me urrejtjen e shëmtuar, e cila nga fobia i ishte shndërruar Diktatorit në ves me përmasa patologjike. Xhevat Mustafa, ka përdorur me mjeshtri faktet historike, njohjet me të afërmit e disa prej viktimave dhe shfrytëzimin e arkivave shtetërore, gjë që si askush tjetër ka arritur t’i letrarizojë si duhet ngjarjet, për t’u përjetuar kjo prozë artistike sa më mirë.

Ngjarja me Bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, e cila ka ndodhur më 19 shkurt 1951, dhe pushkatimi pa procedura të rregullta gjyqësore të 26 marsit 1951, e bëjnë rastin historik edhe më tragjik, i cili tash vjen në mënyrë artistike në romanin “Dashuri Diktatori”, si rrëfimi më i përjetuar për hakmarrjen komuniste ndaj Elitës Intelektuale. Fati i këtij krimi, i cili u mbulua me heshtje, madje duke bërë përpjekje për t’ua humbur edhe gjurmët, do të zbulohet vetëm pas dyzet e ca vitesh, në saje të një bariu (Xha Bedriu), që i ka përgjuar në natën e errët dhe të punëtorit teknik (Eskavatoristit), i cili të nesërmen duhej të rrafshonte terrenin për t’i fshehur e mbuluar të gjitha gjurmët. Edhe ky detaj është mjaft interesant dhe përjetohet thellë, sikurse edhe përpjekja e Aldo Terrusit, i biri i Xhuzepe Terrusit i cili as pas shtatëdhjetë e sa vitesh nuk ka arritur t’i gjejë eshtrat e babait tij, të groposura diku në oborrin e Burgut të Burrelit, që mbetet epilogu më tragjik i këtij krimi, i kësaj barabarie në romanin “Dashuri Diktatori” të Xhevat Mustafës.

Epilogu

Mund të përfundojmë se Enver Hoxha ka vuajtur nga fobia e përhershme e të kaluarës aventureske që kishte, prandaj të gjithë të njohurit i ka pushkatuar, internuar dhe eliminuar për t’i fshehur gjurmët e tij, të cilat duken se përfaqësojnë udhëheqësin me komplekse të pashërueshme, shndërruar në mani. Nga kjo që thamë, mund të përfundojmë se Diktatori i Dashuruar, nuk ka mundur të mbajë pushtetin e vet diktatorial pa vrasje dhe krime makabre, andaj është shndërruar në kanibal, elemente të cilat janë përfolur edhe në dokumente të tjerë. Ai ishte vetë xhindi që përpiu tërë mirëqenien e Shqipërisë, pasojat e së cilës po i përjeton edhe sot e kësaj dite shoqëria shqiptare.

Autori Xhevat Mustafa, përmes këtij romani të bukur, tronditës dhe emocionues ka synuar të arrijë e të rikthejë, artistikisht, për aq sa ka mundur, të kundërtën e asaj urrejtjeje, që kishte kultivuar diktatori Enver Hoxha!

CH – St. Gallen, 19 qershor 2022.

Shefqet Dibrani./ KultPlus.com

Nënës time

Poezi nga Hermann Hesse

Kaq shumë kisha për të të thënë
Po mbeta larg e larg mërguar
Në këto ditë, e dashur Nënë,
Më mirë ti më ke kuptuar.

Për ty dhuratën kam menduar
Edhe punuar gjat’ e gjatë,
Porse më mbet këtu, në duar.
Ti mbylle sytë këtë natë. 

Por ndjej se, duke e lexuar,
Më zbutet dhimbje e kësaj zije.
Mirësia jote e patreguar
Më lidh me ty me mija fije.
Edhe çdo natë e njëjta ëndërr

Në ëndërr ti më rri kaq larg
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, vallë s’di
Tek unë si të vish?
E njëjta ëndërr net për net!
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, përse nuk do
Këtu, tek unë, të vish?
Në fushat

Në qiell enden retë pafund,
Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime,
Në fushat endet e endet gjithkund
Fëmia i humbur i nënës sime.
Në rrugë era fryn gjethet e thata,
Në pemë zogu klith me vajtim,
Atje, matanë malesh të larta,
Ndodhet, diku, atdheu im. / KultPlus.com

Raportuesi për strategjinë e re të zgjerimit të BE-së: ‘Kosovës t’i hiqen vizat’

Parlamenti Evropian ka emëruar deputetin kroat Tonino Picula si raportues për strategjinë e re të zgjerimit të BE-së, u njoftua sot nga zyra e tij.

Pas vendimit të PE-së, detyra e tij është të formulojë një propozim për një strategji të re të zgjerimit, e cila më pas duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe më pas t’i referohet Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Draft-raporti që më besuan nga kolegët e mi thekson qartë vlerën e politikës së zgjerimit si një investim strategjik në sigurinë dhe prosperitetin e Evropës dhe se ai tashmë ka kontribuar shumë në paqen në zonat e shkatërruara nga lufta”, tha Picula.

Sipas tij, zgjerimi është instrumenti më efektiv i politikës së jashtme të BE-së dhe një nga politikat më të suksesshme të BE-së.

“Është gjithashtu e rëndësishme për Kroacinë, sepse për sa kohë që ne nuk kemi anëtarë të tjerë të BE në të gjithë kufijtë tanë, ne nuk do të jemi në gjendje të përdorim plotësisht të gjitha mundësitë e anëtarësimit tonë”, tha Picula.

Në draft-raport, Picula propozon përshpejtimin e integrimit të vendeve që tregojnë orientim strategjik dhe përkushtim ndaj reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE, si dhe vendosjen përfundimisht standarde më të qarta, më transparente dhe konsistente, si dhe përmirësimin e progresit dhe sigurimin e vazhdueshëm politik. dhe mbështetje teknike gjatë gjithë procesit të anëtarësimit.

Draft raporti bën thirrje për njohjen e arritjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe miratimin pa vonesë të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai beson gjithashtu se zgjerimi është veçanërisht i rëndësishëm sot në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë perspektivën e anëtarësimit të mundshëm, por edhe për t’i dhënë vetë politikës së zgjerimit shtysën dhe vrullin e ri të nevojshëm.

“Përparimi dhe siguria e të gjithë BE-së varet nga aftësia e tij për të mbrojtur demokracinë brenda dhe jashtë kufijve të tij, si dhe nga të drejtat e njeriut dhe një rend shumëpalësh i bazuar në rregulla të qarta,” tha eurodeputeti kroat.

Është gjithashtu e nevojshme që BE të ndihmojë Bosnje e Hercegovinën të marrë statusin e kandidatit sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe të inkurajojë përshpejtimin e procesit të pranimit të Malit të Zi si vendi kandidat më i avancuar, përfundoi Picula./ KultPlus.com

Java Kulturore e Spanjës, shfaqje e veçantë e grupit “Consequencies” në Tiranë

Java Kulturore e Spanjës po sjell në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit aktivitete kulturore që përcjellin trashëgimi dhe autenticitetin e këtij vendi.

“Shqipëria mikpret Spanjën”, ka nisur aktivitetet që në 18 qershor ku gjatë këtyre ditëve qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi të njihen më nga afër me artin, sportin e arkitekturën spanjolle.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale foto të aktiviteteve të zhvilluara në sheshin “Skënderbej”.

“Një shfaqje e veçantë, me energji e sekuenca gazmore ishte koreografia e grupit “Consequencies” në kryeqytet, pjesë e javëve kulturore ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Nën magjinë e hapave të flamengos, Java e Kulturës Spanjolle zbriti gjatë kësaj jave edhe në Kalanë e Gjirokastrës. ku artistët spanjollë sollën një spektakël të vërtetë ndërsa performuan vallëzimin tradicional spanjoll

Të parët që hapën këtë udhëtim më 25 prill ishin francezët, për të vijuar me Bashkimin Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa do të përmbyllet me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën.

Për 17 javë, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin në vendin tonë një larmishmëri kulturash./ KultPlus.com

Për herë të parë pas 3 vitesh, mbi 6,000 persona mblidhen për të pritur solsticin e verës në monumentin prehistorik

Mbi 6,000 persona janë mbledhur në Stonehenge, në Wiltshire për të festuar solsticin e verës.

Ata që dëshironin të shihnin spektaklin e dhuruar në monumentin e Wilshire janë zgjuar shumë herët në mëngjes për të parë diellin teksa përshkronte horizontin në orën 04.49.

Si pasojë e pandemisë së koronavirusit, sot ishte edhe hera e parë në tre vite që njerëzit patën mundësi që të mblidheshin sërish në Vendin e Trashëgimisë Botërore për të shënuar ditën më të gjatë të vitit. Vitin e kaluar, turmat sfiduan kufizimet e koronavirusit duke u mbledhur për solsticin e verës, por ata u shpërndanë më pas nga policia. /abcnews.al/ KultPlus.com

Si la gjurmë Ukraina në Glastonbury

Paul McCartney tregoi solidaritetin e tij me Ukrainën duke valëvitur flamurin e vendit gjatë spektaklit të tij epik Glastonbury të shtunën mbrëma, transmeton KultPlus.

Legjenda e Beatles fitoi një brohoritje të madhe teksa qëndronte nën vijat blu dhe të verdha të flamurit, por për muzikantët ukrainas në festival, ishte më shumë se thjesht një gjest.

“Për ushtarët, për njerëzit në Ukrainë dhe në mbarë botën, kur yjet tuaj të mëdhenj ju mbështesin dhe ju kuptojnë, kjo tregon se keni të vërtetën në anën tuaj,” thotë Marko Galanevych i kuartetit folklorik DhakaBrakha.

“Na jep frymëzim për të qëndruar.”

Fituesit ukrainas të Eurovizionit, Orkestra Kalush, gjithashtu vlerësuan yllin për mbështetjen e tij.

“Shumë njerëz ndjekin dhe dëgjojnë idhujt e tyre, kështu që superyjet si ai duke shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën na ndihmon vërtet të promovojmë kauzën tonë,” thotë frontmeni Olek Psiuk.

Të dy grupet performuan në festival këtë fundjavë, duke ndihmuar në përhapjen e mesazhit të tyre të rezistencës – dhe shpresojmë të fitojnë fansa të rinj gjatë rrugës.

Orkestra Kalush ishte e para, duke luajtur një set herët në mëngjes në Skenën e së Vërtetës së Shangri-La të premten, duke tërhequr një audiencë prej rreth 3,000 personash me përzierjen e tyre dehëse të folkut ukrainas dhe hip-hop-it.

Ata luajtën këngën e tyre fituese të Eurovizionit, Stephania, dy herë për shkak të kërkesës popullore, madje arritën të angazhojnë audiencën në një këngë telefonike dhe përgjigjeje, pavarësisht pengesës gjuhësore.

“Kush nuk e njeh gjuhën ukrainase? O i dashur…” tha Psiuk me shaka nga skena.

Reperi thotë se është “e rëndësishme” që Kalush të jetë në Glastonbury “për të treguar se si ne bëjmë muzikë në Ukrainë dhe për të fituar më shumë fansa” – por përpjekjet e luftës nuk janë kurrë larg mendjes së tyre.

Gjatë shfaqjes së tyre, ata vendosën një kavanoz bakshish në skenë në mënyrë që fansat të mund të dhuronin para për kauzën. Vetëm javë më parë, ata nxorën në ankand trofeun e tyre të Eurovizionit për të njëjtën arsye.

“Ne morëm rreth 900,000 dollarë për të,” i thotë Psiuk BBC, “dhe e gjithë kjo shkon për të mbështetur ushtarët ukrainas dhe njerëzit që janë zhvendosur brenda Ukrainës.”/ KultPlus.com

Ti dhe hëna

Poezi nga Ismail Kadare

“Ti dhe hëna”

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhem ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi./KultPlus.com

“New York Times” zbulon manovrat e fshehta amerikane në Ukrainë

“New York Times” ka zbuluar se një rrjet zyrtarësh amerikanë po punojnë fshehurazi në territorin ukrainas. Sipas informacioneve, këta persona po furnizojnë me armë, informacione dhe po trajnojnë ushtrinë ukrainase.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Presidenti amerikan Joe Biden ka theksuar në shumë raste se nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, por informacionet që disponon gazeta e njohur e Nju Jorkut e hedhin poshtë këtë gjë.

Burimet e “New York Times” pohojnë se zyrtarët amerikanë nuk janë në vijën e parë të frontit me trupat ukrainase, por po i këshillojnë ato nga pjesë të tjera të vendit ose përmes komunikimeve të koduara.

“Shenjat e mbështetjes së fshehtë logjistike, trajnimit dhe inteligjencës janë të prekshme në fushën e betejës”, thuhet në informacion. /A2CNN/ KultPlus.com