Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në këtë shtet
Kjo vizitë do t`i rikonfimojë marrëdhëniet e shkëlqyshme me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, Presidentja Osmani do t`i diskutoj mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore.
Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë.
Kurse Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në këtë shtet do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë slloven.
Në agjendën e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni do të jetë edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës./ KultPlus.com
Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.
Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.
Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara. “Të martohesh, të themelosh një familje, t’i pranosh fëmijët e tu që të lindin, t’i bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, t’i udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”. / KultPlus.com
Sotir Kolea, leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928 u nda nga jeta 76 vite më parë, më 3 korrik 1945.
Lindi në Berat, më 4 shtator 1872. Kreu gjimnazin në gjuhën greke në Manastir. Më 1896 punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës.
Më 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt. Mori pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Organizoi tok me Faik Konicën Kongresin e Triestes, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913.
Më 1915, drejtoi në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës.
Më 29 qershor, 1919 i drejtoi poetit italian D’Anuncio, një promemorie, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Mori pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, vendos t’i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të tij, Mit’hat Frashërit shprehet se: “Kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart e dolën”.
Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në vitet 1928-1945 kontribuoi në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4 000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, kur doli në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14 000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita te veçanta për mbledhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër te cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 Nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Jani Vruhon, Jani Vreton, Fan Nolin, Shirokën etj., fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë. Më 1937 Sotir Kolea doli në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e gjithë kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studiuesish të njohur të gjuhës, si: Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Lef Nosi, Kristo Floqi etj. Me 8 prill 1940 u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare me kryetar Ernest Koliqin ku qenë grumbulluar intelektualë të shquar si P. Anton Harapi, Eqerem Çabej etj.
Puna më e madhe, më e plotë studimore e tij mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund tw jetës duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit Shqip-Frëngjisht, një për orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin Shqip-Greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht, etj. Studiues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë, etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studiues. Në vitin 1944 u botua në Tiranë vepra e tij “Një tufë proverba” me ndihmën e Lef Nosit./qbd/ KultPlus.com
“L’Express de Mulhouse” ka botuar, të hënën e 10 marsit 1919, në ballinë, kërkesën e Turhan Pashës në Konferencën e Paqes në Paris në lidhje me kthimin e territoreve shqiptaredhënë Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëria dhe kërkesat e saj
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Shqipëria, gjatë shekujve, ka qenë gjithmonë pre e fqinjëve të saj, më të fuqishëm se ajo, të cilët e lakmuan atë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike shumë tërheqëse.Dikush do të mendonte se diplomatët modernë, duke kuptuar domosdoshmërinë e vendosjes së rendit në Gadishullin Ballkanik, do t’i kishin kthyer Shqipërisë atë që i takon dhe do ta kishin mbrojtur nga orekset e popujve të tjerë.
Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i quajtur “varrimi i Shqipërisë”, ishte i pari që shpërfilli të drejtat e kombit shqiptar, pasi i privoi këtij vendi territoret e Tivarit, Hotit, Grudës, Triepshit (Trieshit), Kuçit, Podgoricës, Plavës dhe Gucisë në dobi të Malit të Zi, dhe një pjesë të Shqipërisë së Jugut, midis Gjirit të Prevezës dhe lumit Kalamas (Kalamait) në dobi të Greqisë. Shqiptarët, natyrisht u revoltuan nga ideja e copëtimit të atdheut të tyre dhe formuan Lidhjen e Prizrenit, e cila bëri një rezistencë energjike ndaj pretendimeve sllave dhe greke.
Në vend që të korrigjonte këto padrejtësi, Konferenca e Londrës e vitit 1913 i përkeqësoi ato.Nuk u mjaftua të vendoste si kufi vijën e Kalamas-it (Kalamait), të refuzuar nga shqiptarët, por i dha Greqisë të gjithë rajonin nga Arta deri në Kepin Satos;ky vend quhet Çamëri; në veri i dha Malit të Zi dhe Serbisë territoret e Krajës, Anës së Malit, fiset e Hotit dhe Grudës, rrethet e Plavës dhe Gucisë, Pejën, pjesën lindore të rrethit të Mitrovicës, rrethet e Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Kaçanikut, një pjesë të rrethit të Shkupit, rrethet e Prizrenit, Kalkandelenit (Tetovës), Gostivarit, Kurçovës, Dibrës, Strugës dhe Ohrit.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Sot, delegacioni shqiptar ka dalë para Konferencës së Dhjetëve për të zhvilluar kërkesa të bazuara vetëm mbi barazinë, pasi ato konsistojnë në kthimin e territoreve në mëmëdhe, të cilat vitet e fundit i janë shkëputur padrejtësisht.
Kërkesat e tij përfshijnë kthimin e territoreve shqiptare të përfshira në Mal të Zi, Serbi dhe Greqi pas vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës. — Kundërshtim ndaj pretendimeve të reja sllave dhe greke.
Të gjitha arsyet historike, gjuhësore dhe etnike militojnë në favor të Shqipërisë. Larg nga dëshira për t’u zgjeruar në kurriz të të tjerëve, Shqipëria kërkon vetëm të riintegrohet në kufijtë e saj të vërtetë, për të parë t’i kthehen grupimet (territoret) që i janë shkëputur nga dhuna në të kaluarën.
Më në fund Shqipëria, e rraskapitur nga grabitjet e njëpasnjëshme të të cilave ka qenë viktimë, shpreson të marrë dëmshpërblime ekonomike nga Konferenca e Paqes për shkatërrimet e bëra si nga grekët në Epirin e Veriut, ashtu edhe nga ushtritë e Perandorive qendrore në të gjithë vendin.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të tij të shkatërruar pasi të përfundojë lufta.
“Është e nevojshme jo vetëm të riparojmë gjithçka që banorët kanë shkatërruar, por edhe të krijojmë një bazë të re për jetën tonë: të sigurt, moderne, të rehatshme, të aksesueshme”, tha ai në një fjalim.
”Kjo do të kërkonte investime kolosale, miliarda, teknologji të reja, praktika më të mira, institucione të reja dhe, natyrisht, reforma”, tha ai.
“Pavarësisht se sa e vështirë është për ne sot, duhet të kujtojmë se do të ketë një të nesërme”, tha Zelensky.
Një takim i rreth 40 vendeve potenciale donatore do të mbahet të hënën në Lugano të Zvicrës, ku qeveria ukrainase synon të prezantojë për herë të parë prioritetet e saj për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta./ KultPlus.com
Uliks Fehmiu, aktor i filmit dhe teatrit, i biri i aktorit të madh Bekim Fehmiut feston ditëlindjen shkruan KultPlus.
Fehmiu ka studiuar në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Ai është fitues i çmimit “Perandori Kostandin” në Nish, dhe “Zemra e Sarajevës” në festivalin në Sarajevë për rolin e saj në Ustanicka ulica si aktori më i mirë
Uliks Fehmiu ka lindur në Beograd më 3 korrik të vitit 1968. /KultPlus.com
THËNIE PËR VDEKJEN, TRISHTIMIN DHE HIDHËRIMET E DASHURISË…
• Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!
• Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!
• Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!
• Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!
• Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!
• Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!
• Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!
• Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!
• Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!
• Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!
• Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!
• Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!
• Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!
• Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret, po kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!
• Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!
• Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!
• Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!
• Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!
• Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!
• Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!
• Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!
• Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!
• Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!
• Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!
• Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!
• Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!
•- Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!
• Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!
• Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…
Një e moshuar në Boston, e cila ka punuar në aeroplan për 65 vjet, u emërua stjuardesa më jetëgjatë në botë nga Rekordet Botërore Guinness.
Bette Nash, 86 vjeç, filloi të punojë si stjuardesë në vitin 1957 për Eastern Airlines dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite në American Airlines pa asnjë mungesë pune,.
Nash tha se ajo e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së saj duke punuar në anijen Nju Jork-Boston-Uashington, sepse e lejon atë të kthehet në shtëpi natën për t’u kujdesur për djalin e saj, i cili ka aftësi të kufizuara.
Guinness tha se Nash është gjithashtu stjuardesa më e vjetër që shërben aktualisht në botë.
Nash tha në vitin 2017, kur ajo festoi 60 vjetorin e saj me kompaninë, se puna ka ndryshuar ndjeshëm që nga ditët e para.
“Duhet të kishe një gjatësi të caktuar, duhet të kishe një peshë të caktuar. Dikur ishte e tmerrshme. Hidhesh disa kilogramë dhe duhej të vazhdoje të peshoje veten, dhe më pas nëse do të qëndroje ashtu, do të të hiqnin. listën e pagave”, tha ajo për WJLA-TV./abcnews.al/ KultPlus.com
Festivali teatrove – Ferizaj (FTF) ka ndryshuar datën e mbajtjes së tij.
Këtë vit, edicioni i 52-të i FTF do të organizohet nga 10 deri 17 shtator në Teatrin Adriana.
FTF do të shënojë vitin e 52 të organizimit të tij dhe vit festivali do të organizohet si një event i institucionalizuar rishtazi dhe i ribrenduar në të gjithë imazhin e tij, por duke ruajtur e kultivuar traditën e organizimit e bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me personalitetet që për shumë vite kanë kontribuar në këtë festival si dhe me shtëpinë e përhershme nikoqire – Teatrin Adriana.
Nga ky vit, FTF krahas organizimit kryesor të shfaqjeve konkuruese, do të organizojë në vazhdimsi punëtori e evente të tjera paralale si dhe një kategori të veçantë konkuruese, ate të studentëve. Gjithëashtu organizatorët e edicionit të 52-të, kanë ftuar grupe të ndryshme muzikore, performues e DJ të cilet do të sjellin atmosferë të jashtëzakonshme në ndejat e Festivalit./ KultPlus.com
Pas rrënimit nga tërmeti, ringrihet kulla 1500-vjeçare në Kalanë e Durrësit, një tjetër vlerë e shtuar e trashëgimisë sonë kulturore.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga kulla e restauruar.
Muret bizantine të kullës në kalanë e Durrësit janë rindërtuar pas një pune më shumë se dyvjeçare të restauratorëve.
Restaurimi i saj u mundësua nga programi i Fondit të Ambasadorëve dhe qeveria suedeze me një vlerë rreth 350 mijë dollarë.
Kalaja e Durrësit është simbol i lashtësisë së qytetërimit. I gjithë muri rrethues, përfshirë kullën C i përket periudhës së perandorit bizantin “Anastasi I” në shekullin e V-të, që fortifikoi qytetin./ KultPlus.com
“L’Information financière, économique et politique” ka botuar, të premten e 18 qershorit 1920, në ballinë, intervistën ekskluzive të Mit’hat Frashërin mbi origjinën asokohe të konfliktit italo-shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Ngjarjet e Shqipërisë
Një intervistë me Mit’hat Frashërin
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ngjarjet e Vlorës dhe vrasja e Esad Pashë Toptanit e kanë nxjerrë në sipërfaqe çështjen e përjetshme shqiptare të lidhur aq ngushtë, siç mund ta shohim, me atë të Adriatikut. Shqiptarët që i dhanë vetes një qeveri kombëtare në kuvendin e Durrësit në shkurt 1919 dhe në atë të Lushnjes në janar 1920, kërkojnë vetëm pavarësinë e tyre, në përputhje me traktatin e parë të Londrës të vitit 1913, në të cilin ata kërkojnë që të rikthehen, pavarësisht nga kombinimet diplomatike që kanë ndodhur që atëherë. Qeveria shqiptare, e cila tani ndodhet në Tiranë, përbëhet nga 10 anëtarë, 4 prej të cilëve, që formojnë Drejtorinë e Lartë (Këshillin e Lartë të Regjencës), janë Imzot Bumçi, Dr. Mihal Turtulli, Aqif Pashë Elbasani dhe Abdi Toptani, kushëri, por kundërshtar politik i Esad Pashës. Kryetari i delegacionit shqiptar në Paris është që nga rikthimi i Imzot Bumçit, zoti Konica.
Si gjenden sot shqiptarët në konflikt me italianët që pretendojnë se nuk kanë qëllim tjetër përveç mbrojtjes së tyre kundër serbëve dhe grekëve ?Padyshim që orekset e Italisë për Shqipërinë nuk janë të kohëve të fundit.Roma pushtoi rrugët dhe pikat strategjike të këtij vendi.Në shekullin e pesëmbëdhjetë, pas vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut, Venediku u përpoq të vendosej atje.Cila është më konkretisht origjina e konfliktit aktual ? Për këtë, shkuam të pyesnim delegacionin shqiptar.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Edhe pse na sigurojnë se “shqiptari që s’ka pushkë nuk është shqiptar”, zoti Frashëri që na pret nuk ka asgjë të një mbreti malësor, madje është i paarmatosur.Ai na siguron se bashkatdhetarët e tij nuk janë barbarë të paaftë për t’u vetëqeverisur, por patriotë të lodhur nga nënshtrimi ndaj zgjedhës së të huajve.
“Ajo që ne i qortojmë, tha ai, Italisë, është që, pavarësisht pretendimeve të saj për të mbrojtur integritetin e territorit shqiptar kundër fqinjëve të saj sllavë apo grekë, është se ajo ishte autore e traktatit sekret të Londrës të vitit 1915 për copëtimin e Shqipërisë; se ka dashur, në bazë të marrëveshjes së 20 janarit 1920, të sakrifikojë Shkodrën te jugosllavët për të marrë Fiumen, se ka dashur të sakrifikojë Korçën dhe Gjirokastrën te grekët për të marrë Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë.Ne qortojmë autoritetet ushtarake italiane që sillen në Shqipëri si në një vend të pushtuar, që shfrytëzojnë çdo mundësi për të poshtëruar krenarinë tonë kombëtare dhe për të vënë në siklet qeverinë tonë në Tiranë.Dërgimi i kolonel Castoldi-t helmoi marrëdhëniet italo-shqiptare. Qeveria refuzoi të njihte titullin e tij të komisionerit të lartë mbretëror dhe njoftoi Romën se mund ta njihte atë vetëm si konsull ose ministër.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një lëvizje kryengritëse kundër qeverisë në Tiranë shpërtheu pak javë më parë, e cila zgjati vetëm një ditë, sepse bazohej vetëm mbi baza artificiale.Udhëheqësit ishin mbështetës të Esadit, njëri prej të cilëve ishte ndihmuar nga serbët, dhe tjetri kishte marrë armë dhe municione nga vetë koloneli Castoldi, siç thotë “El Tempo”, armët u kthyen sot kundër italianëve, të cilët, shihni, u vëllazëruan kundër nesh me serbët dhe Esad Pashën.
Lëvizja aktuale, vijon zoti Frashëri, nuk mund të drejtohet siç pretendon shtypi italian, as nga grekët që lakmojnë krahinat tona jugore dhe me të cilët për pak luftuam gjatë evakuimit të Korçës nga francezët, 28 majin e kaluar, as nga jugosllavët që lakmojnë krahinat tona veriore dhe nxitën intrigat antinacionaliste të Esadit, as më në fund nga turqit, sepse i ashtuquajturi Mustafa Kemal për të cilin folëm nuk ekziston në Shqipëri, dhe nëse ai është lider i lëvizjes nacionaliste turke, të gjithë e dinë se aktualisht ndodhet në Azinë e Vogël.
Në këtë moment, përfundon zoti Frashëri, italianët që nuk guxojnë të zbarkojnë në breg, po shkatërrojnë me luftanijet e tyre të gjitha fshatrat në afërsi të Vlorës.Ata dërguan 3000 banorë të qytetit në ishullin e shkretë Sazanit, ku nuk ka strehë apo ujë të pijshëm.Vetë populli italian, me të cilin ne kërkojmë vetëm të kemi marrëdhënie të mira, është indinjuar dhe ka treguar, duke kundërshtuar largimin e përforcimeve, se është kundër politikës imperialiste të Konsultës.”
Sa më shpesh që ta lexosh këtë letër, aq më dendur të vërtitet një ndjesi ankthi dhe përshjellimi. Një lojë e trishtë ndjesish dhe shije e athët të godet kaq fort sa të përmend. Të duket sikur gjithçka rreth teje ka lëvizuar në ritmin e vet, dhe vetëm ti ke mbetur i murosur në guskën e ndrydhjeve, frikës, mëdyshjes dhe një lloj stepje që e ka stampur veteveten tënde në murin e rrjepur të kohës.
Fjalë pas fjale dhe rrjeshta pas rrjeshti do të mund të kuptosh dhe të ndjesh aq shumë sa vjen një moment dhe të duket sikur këtë letër e ke shkruar ti, ose e ka shkruar vetë Franc Kafka në vendin tënd. Të duket se kjo është një letër që ti ke dëshiruar aq shumë ta shkaush, por pas hezitimit dhe pamjaftueshmërisë ajo ka ngelur diku në skutat e mendimeve tuaja, që zgjohen ndërsa e përcjell këto radhë, këtë letër, të cilat vetë autori nuk arriti t’ia dërgonte babait. Edhe përgjigjja e babait Hermann, ishte aq e vonuar sa nuk arriti të mbushte atë zbrazëti që kjo marrëdhënie kishte krijuar. Por gjithsesi ky lëtërkëmbim është trajtëzuar duke plotësuar në tërësinë e vet kuadrin e kësaj stuhie epistolare.
Ndoshta jo të gjithë kanë ndërmend të shkruajnë një letër të këtillë për babain e tyre, por gjithsesi marrëdhëniet at-bir në shumësinë e herëve domosdoshmërisht kanë kaluar përmes shtjellas të këtilla përpirëse.
Letra e Kafkës për babain, Hermannn
I dashur baba! Kohet e fundit rasti e solli te me pyesesh se perse kam frike prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur te pergjigjem, dhe kjo, pasi nga njera ane, me kall friken, dhe nga ana tjeter, sepse, per ta gjetur arsyen e kesaj ndjesie do te me duhej te hyja ne te thella, shume me teper se do te ma lejonte nje leterkembim i thjeshte. Duhet ta dish se, kur po te shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika qe me ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjeter, diapazoni i gjere i temes qendron shume me lart se kujtesa dhe inteligjenca ime…
Duke permbledhur gjykimin tend per mua, del qe ti me akuzon per sjellje te keqija apo per veprime te padenja (ndoshta, me perjashtim te planit tim te fundit per t’u martuar), me akuzon per ftohtesi, indiference, mosmirenjohje dhe m’i perplas ne fytyre, sikur vetem une qenkam fajtori, sikur me nje shkop magjik do te mundja te ndreqja gjithcka, ndersa ti nuk paske kurrfare faji, pervecse je sjelle me mua me mire se c’duhej…
Padyshim, nuk them se u bera i tille vetem per shkakun tend, do te ishte teprim i tejskajshem. Ka shume gjasa qe edhe po te isha rritur plotesisht i cliruar nga ndikimi yt, per ty une kurre nuk do te isha ne lartesine e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqofte serish do te isha shendetlig, i lekundur, i trazuar e plot ankthe… Do te isha i lumtur te te kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithese dyshoj per kete) edhe vjeherr. Ndersa si baba ke qene teper i ashper me mua…
U rrita femije frikacak, por edhe kokeforte sic jane femijet. Padyshim, mamaja m’i plotesonte tekat, por nuk besoj se kam qene i bezdisur, s’mund ta besoj qe nje fjale e ngrohte, nje veshtrim i perdellyer, duke me marre qetesisht per dore, te mos e platitnin qenien time, dhe te arrije cka deshiroje. Se ti, ne thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjem që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.
Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone.
Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua.
Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokëulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.
Kundervenia jote godiste si mendimet ashtu edhe personat. Mjaft qe une te shprehja nje fare interesi per dike, qe nuk ndodhte shpesh, fale karakterit tim, dhe ti shpejtoje t’ia beje gropen me fyerje, shpifje, sharje, pa treguar piken e respektit per ndjenjat e mia dhe pa marre parasysh gjykimin tim.
Pamundesia per te komunikuar qetesisht me ty coi ne nje rrjedhoje logjike:u c’mesova te flas. Ti shume here ma ke ngecur fjalen ne gryke. Kanosja e perhershme:”Nuk dua kundershtime!” dhe dora e ngritur lart, urdheruese nuk me jane shqitur nga mendja edhe sot e kesaj dite… dhe meqe ti ke qene edukatori im i vetem, pasojat jane pasqyruar ne te gjitha fushat e jetes sime. Eshte nje keqkuptim i cuditshem fakti qe, siaps teje, une s’ditkam te jem i bindur. “Kundershtimi i perhershem” kurre nuk ka qene parimi i ekzistences sime, edhe pse ty te eshte ngulitur kjo ide dhe vazhdimisht me qorton. Perkundrazi, nese do te tregohesha me rebel, sigurisht, do te kishe mbetur me i kenaqur prej meje. . .
Franci
Letër babait – Franc Kafka
Kam një kafshë të çuditshme; gjysmë mace, gjysmë qingj. E kam trashëguar nga im atë, po ajo është zhvilluar që kur e mora unë; më parë ishte më shumë qingj se sa mace. Tani është gjysmë ashtu gjysmë kështu. Nga macja ka kokën dhe kthetrat; nga qingji ka trupin dhe formën, nga të dyja ka sytë, që janë të përqendruar dhe të egër, qimen të butë e të shkurtër, lëvizjet që janë edhe kërcime edhe zvarritje. Kur ka diell ajo rri në parvaz të dritares, gërrhet dhe mblidhet kutullaç; në livadh rend si e çmendur sa mezi mund ta zësh. Kur ndodhet para maces ia mbath, kur është përpara një qingji sulmon. Kur ndrit hëna bredh nëpër ullukë se ajo është rruga që i pëlqen më shumë. Nuk di të mjaullijë dhe ndjen neveri për minjtë. Mund të qëndrojë me orë e shtrirë para pularisë, po kurrë s’ka përfituar nga rasti që të mbysë ndonjë shpend.
E ushqej me qumësht e sheqer, se ai i bën mirë. Ajo e thith me hurpa të mëdha, duke e kaluar në mes të dhëmbëve si të një shtaze të egër. Kjo gjë i tërheq shumë fëmijët. Të dielën në mëngjes kam vizita. Unë mbaj në mes të gjunjëve kafshën e vogël, kurse përqark zënë vend fëmijët.
Ata bëjnë pyetjet më të çuditshme, të cilave askush nuk mund t’u përgjigjet. Pse ka vetëm një kafshë të tillë? Pse ajo është pikërisht në dorën time? A ka pasur para saj ndonjë kafshë të këtij lloji? A ndjehet ajo e vetmuar? Si e ka emrin?
Unë nuk e vras mendjen t’i përgjigjem, po vetëm u tregoj atë që kam. Nganjëherë fëmijët sjellin mace, një herë sollën dy qingja. Ndryshe nga ç’prisnin ata, takimet nuk treguan ndonjë shenjë njohjeje. Kafshët vështruan njëra-tjetrën me qetësinë më të madhe; ata e quajtën ezksitencën e tyre si një dhuratë e Krijuesit.
Kur është në prehrin tim kafsha e vogël nuk njeh as frikë, nuk është agresive. E ndjen veten shumë mirë kur ndodhet pranë meje, e ngjeshur tek unë. Është e lidhur me familjen që e ka rritur. S’është ndonjë besnikëri e jashtëzakonshme, po më shumë instikti i një kafshe që, megjithatë ka shumë farefis, nuk ka asnjë shok në tërë botën dhe e quan të shenjtë mbrojtjen që ka gjetur tek ne.
Më zë gazi kur e shikoj që nuhat, më rrëshqet në mes të këmbëve, po nuk mundet ta kryeje atë veprim. Mbase është e pakënaqur që është mace edhe qingj dhe kërkon të jetë edhe qen! Një ditë kur unë s’po iu jepja dot rrugë halleve të mia tregtare dhe pasojave që vijnë prej tyre- dhe pasi desha t’i heq qafe, u mbylla në shtëpi dhe u shtriva në kolltuk, me kafshën e vogël ndër gjunjë; kur ula kokën vura re se lotët rridhin mbi mustaqet e saj të bardha. Ishin lotët e mi apo të sajat? Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore? Unë nuk kam trashëguar shumë, por duhet të them se kjo kam diçka vlen.
E them serizosht.
Kafsha ka shqetësimet e të dyve, të maces dhe të qigjit, sado të ndryshëm qofshin, prandaj e ndjente veten ngushtë brenda lëkurës ku ndodhej. Nganjëherë kërcen nga një karrige që më ven këmbët në sup dhe përplas turirin në veshin tim. Duket sikur më thotë diçka dhe vërtetë pastaj largohet dhe, më sheh në fytyrë për të parë përshtypjen që më ka bërë ajo që më tha. Që t’ia bëj qejfin tund kokën dhe bëj sikur e kam kuptuar. Atëherë ajo hidhet në dysheme dhe vallëzon rreth meje.
Mbase thika e kasapit mund të jetë shpëtimi për të, po pasi e kam trashëgim, nuk jam i atij mendimi. Ajo duhet të presë ditën, kur t’i mungojë fryma, megjithëse nganjëherë më vështron me sy aq njerëzor, sikur më fton të kryej një veprim të arsyeshëm. / pergatiti Albert Vataj/KultPlus.com
Nëse do të dish të më rrish pranë, dhe të mund të jemi të ndryshëm, nëse Dielli do të na ndriçojë të dy, pa u mbivendosur hijet tona, nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë. Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi dhe jo të kujtojmë se cilët ishim, nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit, nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi… Atëherë do të jetë dashuri dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë.
Shqipëria nuk ndalet në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, pasi ka siguruar medaljen e katër. Këtë herë është Erkand Qerimaj që ka arritur të fitojë medaljen e argjendë me shkëputje.
Peshëngritësi mori medaljen në stilin me shkëputje të peshave 73 kg, në një garë që nuk kaloi pa polemika, ku sërish u bënë protagonistë gjyqtarët, pasi peshëngritësi shqiptarë “dështoi” në dy provat e para me 148 kg, ndërsa prova e tretë rezultoi edhe e vërteta me peshën 149 kg.
Çuditërisht dy nga tre gjyqtarët e konsideruan fillimisht provën të pa rregullt. Kjo gjë solli protesta të forta nga Qerimaj, trajneri Sokol Bishanaku dhe presidenti i FSHP-së Elez Gjoza. Më pas në rishikim, gjyqtaria vendosi ta quante si provë të rregullt.
Ky rezultat i jepte momentalisht të artën shkodranit, por në provën e fundit italiani Mirko Zanni ngriti 150 kg, duke e marrë ai vendin e parë. Kjo ishte medalja e katërt për Shqipërinë në “Oran 2022”, pasi më parë kanë fituar medalje ari atletja Luiza Gega, mundësi Zelimkhan Abakarov, ndërsa një bronzi e ka marrë mundësi Islam Dudaev. /KultPlus.com
Nga 3 korriku 2022 kanë mbetur saktësisht edhe një vit derisa Lojërat e 12-ta Botërore të Korit Gangneung 2023 të hapen në qytetin pritës të Koresë së Jugut Gangneung.
Kjo ngjarje nuk do të festohet vetëm në vetë qytetin pritës, por edhe ndërkombëtarisht me disa evente online, si dhe me një ofertë speciale dhe surpriza për të gjitha koret në mbarë botën që mezi presin më të takohen më në fund në ndërkombëtarin më të madh në botë.
Edhe kompozitori nga Kosova, Memli Kelmendi, do të jetë pjesë e një eventi online që do të mbahet nesër.
“Jam shumë i lumtur që puna ime po vlerësohet ndërkombëtarisht. Jam shumë i lumtur që jam ndër dirigjentët më të famshëm në botë. Këtë herë do të jemi me Korin Siparantum dhe me kontributin e madh të 6 koreve më të mira nga e gjithë bota. Mos e humbisni mundësinë për të ndjekur koncertin nesër 3 korrik 2022, ora 14:00 (CEST): “Këngëtarët e Paqes Botërore ” – Koncert i Paqes (Ngjarje Ndërkombëtare Online). Faleminderit Fred Sjöberg, Drejtor Artistik i INTERKULTUR dhe Zëvendës President i Këshillit Botëror të Korit. Dr. Michael Barrett-Berg (Afrika e Jugut), Maria Guinand (Venezuela), Memli Kelmendi (Kosovë), Dr. Maria-Emma Meligopoulou (Greqi), Brady Allred (SHBA), Dr. Ryan Goessl (SHBA/Republika e Koresë) dhe Romāns Vanags (Letoni) kanë marrë pjesë në këtë projekt me koret e tyre, duke aranzhuar këngë dhe video të bukura”, thuhet në njoftimin e tij. /KultPlus.com
Ti qave dhe më the me zë të ulët Se unë të trajtoja si prostitutë. Aherë lotëve të tu s’ua vura veshin Të desha, pa ditur se të desha.
Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk, Aherë e kuptova ç’kisha humbur, Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.
Më rrëzëllinte si smerald mërzitja, Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re… Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja Sepse seicila m’e bukur se tjetra qe.
Se ish i tillë ky koleksion bizhush Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht, Që njëqindfish etjen për jetën shtonte, Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish. /KultPlus.com
Bad News Eagles është një hap larg për ta fituar çmimin prej 25.000 dollarësh në turneun Elisa Invitational, derisa takimi pritet të fillojë shumë shpejt.
Bad News Eagles ndeshjen finale do ta zhvillojnë ndaj ekipit HEET.
Finalja e madhe ndërmjet Bad News Eagles dhe HEET do të transmetohet në kanalin zyrtar të Elisa Esports në platformën Twitch duke filluar nga ora 20:00.
Fituesi i takimi fiton çmimin prej 25.000 dollarësh. /KultPlus.com
Në 32 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti ka thënë se 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.
Kurit përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” ka shkruar se më 2 korrik të vitit 1990, përmes Deklaratës Kushtetuese u shpall Republika e Parë e Kosovës.
“Në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë, delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, meqë nuk lejoheshin të hynin brenda. 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë”, ka shkruar Kurti.
“Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim”.
“Me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi. I paharrueshëm është kujtimi për ta dhe veprën e tyre”, ka shkruar ai.
Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. /KultPlus.com
Superylli performoi një set prej dy orësh, në koncertin e saj të parë publik pas pesë vjetësh, transmeton KultPlus.
Adele u kthye në skenë të premten për koncertin e saj të parë të vitit 2022 – dhe shfaqjen e saj të parë publike të epokës së saj si 30 vjeçare – në Hyde Park të Londrës.
Këngëtarja, e cila performoi për herë të fundit në Brit Awards në shkurt, dha një setlist me 18 këngë të mbushura me hite nga të tre LP-të e saj në studio, plus “Skyfall” dhe interpretimin e saj të “Make You Feel My Love” të Bob Dylan.
Ky ishte rikthimi i Adeles pas 5 viteve, derisa ajo u shpreh shumë e lumtur që i pa mbështetësit e saj në koncert. /KultPlus.com
Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të kompiluar.
Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës race i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.
E pra, ky është gjeniu, por edhe thumbuesi, ndaj kemi zgjedhur sot 40 shprehje nga ai; sigurisht që prej Ajnshtajnit ka gjithnjë për të mësuar…
Albert Ajnshtajni (Albert Einstein) ishte një nga mendjet më të mëdha të shekullit të 20-të, dhe kontributet e tij në dijen njerëzore janë të pashembullta.
Fizikani realizoi studime të reja mbi mënyrën se si funksionon universi ynë, formuloi Teorinë e Relativitetit dhe parashikoi ekzistencën e valëve gravitacionale, një shekull para se ne t’i vëzhgonim ato.
Ajnshtajni nuk ishte vetëm i shkëlqyeshëm, ai ishte i thellë: një shkencëtar-filozof, i cili e dinte se si të përshkruante gjendjen njerëzore.
Ky gjenialitet, bashkë me ulje-ngritjet e forta të racës njerëzore që Ajnshtaini përjetoi gjatë jetës së tij, shërbejnë si një këndvështrim, për një jetë që ende nuk ka të ngjashme.
40 thënie nga Ajnshtajni
Vetëm dy gjëra nuk kanë kufij, Universi dhe budallallëku njerëzor, dhe për të parin nuk jam i sigurt. E rëndësishme është të mos ndalosh se bëri pyetje. Të gjithë e dinë që një gjë është e parealizueshme, derisa arrin një që nuk e di dhe e realizon. Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim. Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate te ndryshme. Sëmundje shume e keqe racizmi. Por mbi të gjitha e çuditshme: sëmur të bardhët, por vret të zinjtë.
Kompjuterët janë shumë të shpejtë, precizë dhe budallenj. Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak precizë dhe inteligjentë. Së bashku përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.
Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë veprime të këqija, por për shkak të atyre që shikojnë pa thënë gjë. Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj. Ndryshimi midis gjenialitetit dhe budallallëkut është se gjenialiteti ka limit. Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm duke kuptuar njëri-tjetrin. Jeta është si të ecësh me biçikletë: në qoftë se do të jesh në ekuilibër duhet të lëvizësh. Nuk e ke kuptuar me të vërtetë një gjë, nëse nuk je në gjendje t’ia shpjegosh gjyshes tënde, apo… një 6-vjeçari. Nuk mendoj asnjëherë për të ardhmen. Ajo arrin aq shpejt…
Mos u shqetëso për vështirësitë e tua në matematikë, të siguroj se të miat janë akoma më të mëdha. Nuk mund të zgjidhet një problem, me të njëjtin mentalitet që e ka krijuar atë. Asgjë nuk është më praktike se një teori e mirë. Për sa kohë që ligjet e matematikës i referohen realitetit, ato nuk janë të qarta, dhe për sa kohë janë të qarta, ato nuk i referohen realitetit. Në qoftë se do të lindja përsëri, do të bëhesha hidraulik. Në qoftë se të dhënat dhe teoria nuk përputhen, ndrysho të dhënat. Në qoftë se në momentin e parë një ide nuk është absurde, atëherë nuk ka asnjë shans që ajo të realizohet. Është më mirë të jesh optimist dhe ta kesh gabim, sesa të jesh pesimist dhe të kesh të drejtë. Barku i zbrazët nuk është këshilltar i mirë politik. Zemërimi banon vetëm në gjoks të budallenjve. Edukata është ajo që mbetet, kur njeriu harron atë që ka mësuar në shkollë. Intelektualët zgjidhin problemet, gjenitë i parandalojnë ata. Gjëja kryesore është të mos ndaloni së pyeturi. Logjika do të të shpie nga A tek B. Imagjinata të shpie kudo. Dashuria është mësues më i mirë se detyra. Vetëm jeta e jetuar për të tjerët është me vlerë. E vetmja gjë që bie ndesh me diturinë time është arsimimi. Për sa i përket përputhjes së ligjeve të matematikës me realitetin, ato nuk janë të sigurta; për sa i përket sigurisë së tyre, ato nuk përputhen me realitetin. Logjika praktike është mbledhja e paragjykimeve të përfituara në moshën 18-vjeçare. Çlirimi i energjisë atomike nuk ka krijuar një problem të ri. Ka bërë më urgjente nevojën për të zgjidhur një ekzistues. Nëse jeni në botë të përshkruani të vërtetën, lërjani elegancën rrobaqepësit. Nuk e di se me cilat armë do të bëhet Lufta III Botërore, por Lufta IV Botërore do të luftohet me shkopinj dhe gurë. Sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet. Vendose dorën mbi furrë për një minutë dhe të duket si një orë. Ulu pranë një vajze të bukur për një orë dhe të duket si një minutë.
Ky është relativitet.
Është arti suprem i mësuesit ai që shpalos gëzimin e krijimtarisë dhe të vetëdijes. Një tavolinë, një karrige, një kanistër me fruta dhe një violinë; çka i duhet më shumë një njeriu për të qenë i lumtur?/KultPlus.com