Sopranoja e njohur Marie Kraja, mbetet ndër më të preferuarat për të gjithë ata që e dëgjuan për vite me radhë zërin e saj magjik, zë ky i cili edhe sot mbetet ndër më të komentuarit e dëgjohet me shumë nostalgji.
Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare.
Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,
Ajo interpretoi në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.
Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë,
Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari,
Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. / KultPlus.com
Një video e cila së fundmi është bërë virale në rrjetet sociale është e një vajze nga Irani, e cila shihet duke kënduar “Bella Ciao” në gjuhën e saj, shkruan KultPlus.
“Bella Ciao” është një këngë e njohur italiane si simbol i rezistencës, e cila daton që një kohë të gjatë.
KultPlus ka sjellë edhe videon e vajzës e cila këndon në gjuhën perse. /KultPlus.com
Marie Kraja ka lindur më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë në Kroaci, në vitin 1911.
Ajo dallohej për një natyrë të qeshur por më shumë për një këngëtare të rrallë me një timbër të qartë muzikor në kanto. Zëri i saj i pastërt dhe i kthjellët ishte një mrekulli në publikun shqiptar të prapambetur të kohës kur u zhvillua ajo. Kishte një dinamikë të qartë të qëndrueshmërisë të vokalit të saj.
Që e vogël bashkë me familjen ajo vendoset në Shkodër. Më pas duke filluar nga 1930 ajo studion si shumë shkodranë në Graz të Austrisë deri në vitin 1934.
Shkodra edhe sot gjysma këndon, gjysma bën humor, ose më mirë gjithë shkodranët kanë për zemër aq shumë artin, sa gjysma e shkodranëve edhe sot dalin artistë, gjysma kanë dialog aq të këndshëm sa të ofrojnë me këndshmëri kulturën e tyre.
Marije Kraja herë-herë interpretonte kur studionte në Austri kompozimet e Bethovenit, Brunkerit, Vangerit, Pucinit, Verdit e Moxartit. Kryevepra këto që të bëjnë madhështor dhe profesionist në profesion ashtu si ishte edhe ajo, një yll i muzikës kombëtare.
Me tipare të qarta sopranoje, ajo mishërohet profesionalisht në kumbimin e zërit në rolin e Ollgas në operan “Rulaska”, në vitin 1950.
Në Konservatorin e Gracit, mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tande” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, gjë që ishte një kontribut edhe për muzikën shqiptare që të merrte një karakter ndërkombëtar.
Ajo solli një traditë të re të kantos në Shkodër krahas femrave të tjera përparimtare në muzikë siç ishte Tefta Tashko Koço. Ishte një nga femrat përparimtare që thyente tabu atëherë kur mjerimi ndalonte femrën për gjithçka.
Fare mirë ajo mund të quhej shumë e emancipuar sa ishte e gjithë Shkodra me kulturën e saj të dalluar. Një femër e një lloj Hollivudi shqiptar ku përulesh me repsekt.
Njësoj si sopranoja e famshme dhe kolegia Tefta Tashko Koço, të dyja bashkë u munduan me mish e me shpirt për të sjellë një repertor të këngëve tradicionale popullore shqiptare dhe ia dolën. Kjo traditë është e fuqishme edhe sot në instrumentistë dhe muzikologë klasikë që e dashurojnë me zemër muzikën e tabanit popullor nga janë rritur.
Kur ajo këndonte shpërthente në zërin e saj i rrjedhshëm si një perlë e rrallë e muzikës. Krah për krah me Ibrahim Tukiqin, në këngën “Kush më rri karshi karshi” vjen, aq kumbues, sa i tejkalon instrumentat dhe kumbonin tek artdashësit. Zëri i saj rrjedh si burim pa ndalesë dhe gjithmonë shpërthen ëmbël. Ka një vazhdueshmëri të njëtrajtshme të shpërthimtit të vokalit të saj në çdo këngë e sidomos këngëve popullore që ajo i donte aq shumë.
Në vitin 1936 është pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Gjë që kontribuoi në ngritjen e një gjenerate të re dhe me mendim ndryshe për kulturën dhe muzikën. Kushedi sa këngëtarë të njohur dhe të dëgjuar kanë kaluar nga kjo femër e jashtëzakonshme e operas shqiptare.
Në 1946 ajo punon në Radio-Tirana dhe Liceut Artistik ‘’Jordan Misja’’.
Në vitin 1962 ajo është pedagoge Konservatorit Shtetëror të Tiranës ku vazhdon derisa mbaron karrierën e saj të plotë e del në pension në vitin 1966.
Është një nga gurët e themelit të muzikës operistike dhe të këngës në Shqipëri dhe një nga zërat më të rrallë. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para në premierën e parë të këtij institucioni. Ajo merr pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare ‘’Mrika’’.
Aktiviteti i saj jashtë Shqipërisë është i dendur dhe i pasur ku ndër të tjera kalon në skenat e mëdhaja të shteteve të Italisë, Austrisë, Gjermanisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik.
Ajo u rrit, u mbrujt dhe bashkëpunoi me një grup të madh artistësh që në vetvete ishin të gjithë divë të muzikës si Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,
Ka marrë pjesë në emër të Shqipërisë në Vjenë në “Mbrëmjen e kombeve me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”.
Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me profesorin dhe pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Ky profesor ishte i njohur me bashkëpunimin e tij me të gjitha këngëtaret e njohura të kohës.
Disa nga rolet kryesore të veprave artistike që ajo i zhvillon me një profesionalizëm të lartë janë në operat shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.
Pasioni i saj i madh ishte mbledhja dhe kënga popullore ku dallohen 300 këngë popullore sidomos nga zona e veriut të Shqipërisë të mbledhura nga qytetet Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj ku u ruajten në institucionin e Radio-Tirana si fond i trashëgimisë kulturore shqiptare.
Disa nga këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja mund të përmendim:
“Çila sytë me të pa”,
“Dola në penxhere”,
“Marshalla bukurisë sate”,
”O bilbil, i mjeri bilbil’’
‘’Unë ty moj të kam dashtë’’
‘’Të martoj nana’’
‘’Midis t’ballit ma ke një pikë’’
‘’Iftida moj Lulja e Allit’’
‘’Vetë më ke çu fjalë’’
‘’Moll e kuqe topsheqere’’
“Çilni ju moj lule”.( kënga e parë e regjistruar në pllakë gramafoni në 1940)
Maria ka pasur dhe peripeci në lidhje me sistemin komunist ku ishte shënjestruar si një eksponent që vinte siç thuhesh nga ajo kohë me ‘’biografi të keqe’’ ku mendohesh se nga familja e saj kishin pasur lidhje me eksponentë të nazizmit për t’u gjetur mënyra që të kryqëzohesh artistikisht, dhe një mënurë për ta demigruar.
Megjithatë, ngeli në zemrën e publikut gjithmonë një krenari e këngës shqiptare dhe një profesioniste me rang botëror në mënyrën e interpretimit. Një këngëtare virtuoze që nderoi Shqipërinë.
Në Tiranë janë organziuar evente si “Konkursi Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marie Kraja” me pjesëmarrje vokalistësh nga vende të ndryshme të botës.
Ajo mban titullin më të lartë artistik “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.
U nda nga jeta në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999, duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet gjithmonë me respekt.
Maria Kraja erdhi si një mrekulli e këngës shqiptare në një kohë të vështirë për Shqipërinë, dhe si një njeri e dashur dhe e ngrohtë për të gjithë artdashësit që e kanë shumë për zemër në repertorin e saj, ajo ishte me plot gojën yll i muzikës klasike. Iku si një divë e plotësuar dhe e përmbushur.
Ajo rivjen sërish me këngët e saj të kullura nga burimi i pashtershëm i kulturës që ajo e dashuroi gjithë jetën e saj. /EugentKllapi/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri thirrje edhe një herë Kosovës dhe shteteve të tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës sëBallkanit të Hapur, shkruan KultPlus.
Kjo nismë, sipas Ramës, i cili pati një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të lehtësonte shumë dialogun e kahershëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri shqiptar tha edhe një herë se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, derisa Serbia të njohë si Republikë të pavarur dhe sovrane.
“Duke forcuar marrëdhëniet me Serbinë, Shqipëria nuk do të lëviz asnjë centimetër për mbështetje që të njohë Serbinë. Është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit dhe të bëjnë rolin e tyre për një marrëveshje të mbështetur nga BE dhe SHBA. Dialogu është i nevojshëm dhe Ballkani i Hapur do ta ndihmojë këtë proces.”
“Nëse do të ecësh shpesh ec i vetëm. Nëse do të ecësh lart, ec krah për krah”, tha ai mes tjerash. /KultPlus.com
Europe Halles (TEH) është një rrjet Europian i qendrave kulturore, të iniciuara nga qytetarët dhe artistët që avokojnë dhe promovojnë kulturën. Me rreth 90 organizata anëtare dhe bashkëpunëtorë në të gjithë Europën, rrjeti funksionon si një forum dinamik i ideve, përvojave dhe shkëmbimeve, duke mbështetur anëtarët dhe komunitetin e tyre.
Organizatat anëtare të Trans Europe Halles kanë përvoja të veçanta dhe njohuri se si të transformohen hapësirat e braktisura industriale në qendra të gjallëruara kulturore, duke përfshirë dhe angazhuar artistët dhe komunitetin. 7Arte gjatë këtij viti ka filluar së zbatuari projektin “Vizionimi i hapësirave industriale të Mitrovicës” krahas së cilës do të zhvilloj edhe më tej projektin ideor të titulluar “TrepçArt City, i cili sugjeron dhe synon rivitalizimit të zonës industriale të Fafosit/Trepçës, në një hapësirë që do mbështeste e promovonte industrinë kreative, zhvillimin ekonomik përmes bizneseve inovative e të qëndrueshme, si dhe do të konzervonte pjesën më vitale të hapësirës duke i dhënë funksione të reja e në përputhje me kërkesat e tregut ndërkombëtar.
Duke qenë se Trans Europe Halles kontribuon në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për sektorin e pavarur kulturor, përfshirja e organizatës 7Arte në këtë rrjet konsiderohet një hap para drejt zhvillime të reja kulturore në rajonin e Mitrovicës, si dhe rritjes së bashkëpunimeve ndërkulturore në nivel evropian.
7arta është themeluar në vitin 2006, dhe ka për qëllim mbështetjen e artistëve kosovarë, si dhe promovimin e zhvillimin e një kulture të përbashkët evropiane. 7arte viteve të fundit e ka deshmuar se është një prej qendrave kulturore më aktive në skenën e pavarur kulturore në Kosovë. /KultPlus.com
Fotoreporteri i njohur, Ilaz Bylykbashi, vazhdon të publikojë fotografi që nuk i kemi parë më parë, shkruan KultPlus.
Përmes postimeve në “Facebook”, Bylykbashi po rikthen kohën e luftës, duke kujtuar shumë ngjarje, një ndër to edhe helmimet e marsit 1990.
“Për mos me u harru: Helmimet mars 1990 Foto të pa publikura, pamje nga oborret e Qendrës Univerzitare të Prishtinës!”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Sot është e shtunë… Për mua dhe për ty Për të gjithë. Për të gjithë ata Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që janë mërzitur Për ata që nuk dinë të jetojnë. Është e shtunë edhe për ata Që nuk janë më.
Sot është e shtunë Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë Për lodrat që u luajtën Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë Që vuajnë e s’janë të lumtur. Vetëm sot është e shtunë, E dëgjova në rrugë Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë Edhe sikur askush të mos e kujtojë… Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur, Por për madhështinë e një dite Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër Si kjo e sotmja Dhe dikush mund të thotë Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë, Se asnjëherë, asnjë ditë Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh Jetën e madhe përpara një bluze Të thjeshtë dite Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot Që u përsërit aq shumë Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot Me lehtësinë e atyre që jetojnë Të mbështjellë nga e shtuna Që si letër karamelesh Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi Për t’ua bërë më njerëzore, Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës, Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune Ndaloi lozonjare dhe tha: Sot është e shtunë Kur filluam të kuptojmë Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë Për të larguar diku drejt pafundësisë Nyjen e vërtetë, Që lëkundet me përkëdheli Brenda thellë së shtunës Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim Për të bërë një hap Në botën e vogël të njerëzve. / KultPlus.com
Një tërmet me magnitudë 6.4 ra në orën 03:56 të mëngjesit. Vështirësitë e ndryshme, ndjenja e shpresës që luhatet nëpër skaje kontrastesh dhe të qenurit i qetë në një situatë pa rrugëdalje, është ajo me çfarë duhet të përballet personazhi kryesor, Armando i cili zgjohet nga gjumi në orët e hershme të mëngjesit dhe i shpëton dollapit që bie mu në shtratin e tij. Bazuar në ngjarje të vërtetë, filmi i metrazhit të mesëm “Richter” nga regjisori Koloreto Cukali është shpalosur mbrëmë me rastin e premierës në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.4 me një epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në 03:56 më 26 nëntor 2019. Dridhja u ndje në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, si dhe në vende aq larg sa Taranto dhe Beograd, rreth 370 kilometra në verilindje të epiqendrës. Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3,000 vetë u plagosën. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.
Armando (Besmir Bitraku) vihet në kërkim të ndonjë personi që potencialisht ka mbetur gjallë. Nën rrënoja, ai zbulon trupa të vdekur të banorëve në pallatin ku ai banonte. Prek këmbë e duar të vdekura por asnjëherë nuk ndalon së gjeturi të paktën ndonjë person që ka nevojë ndihmën e tij.
Nuk kalon shumë kohë kur ai dëgjon të qarat e një fëmije, nënë e së cilit është Jerina, personazhi të cilin asnjëherë nuk e shohim por vetëm e dëgjojmë. Të dytë ndërrojnë ca muhabete, teksa mësojnë më shumë për jetët e njëri-tjetrit. Të vetmuar, në errësirë dhe të shtrirë, ata bëhen spiranca shpëtimi për njëri-tjetrin derisa shpresojnë që dikush të vijë për t’i ndihmuar, shpresojnë që të mos jetë shumë vonë dhe shpresojnë që të dalin gjallë nga aty.
05:15
Armando zbulon se valët në telefon i punojnë. Me të shpejtë thirr ndihmën e gjithë shërbimeve, por më kot, askush nuk e hap. Provon të thërrasë edhe burrin e Jerinës, por ai nuk e hap.
06:05
Dridhje të vazhdueshme sa vijnë e shtohen, duke shkaktuar kështu lëndime në dorën e Armandos, i cili shqyen bluzën e tij për të lidhur dorën e për të larguar sadopak dhembjen. Asnjëherë nuk shihet duke qarë, por duke buzëqesh edhe përkundër dhimbjes së tij në kyçin e dorës.
Edhe humori i zi përgjatë skenave të ndryshme, nuk është se mungon. Pastaj, nis e kërkon ndonjë dalje, por çka të shoh tjetër përpos trupave të vdekur. Kthehet në vendin ku ka qenë dhe nis të flasë me veten, duke thënë se ai i mjeri që nuk beson në Zot është gjallë, ndërsa njerëzit e Zotit (fqinji) kanë vdekur tashmë.
06:32
Gjumi për të shndërrohet në një rutinë më të shpeshtë se zakonisht. Pastaj, vazhdon të lexojë lajme nga telefoni i tij. Në ndërkohë, edhe nëna e tij nga Anglia e telefonon dhe i bën presion që të gjejë një nuse, por Armando asnjëherë nuk e zbulon se ai gjendet i gjallë, nën rrënoja. Vazhdon e shpreson se do të dalë i gjallë nga aty.
Edhe pse asnjëherë nuk kemi ndonjë perspektivë nga bota e jashtme dhe ndodhive jashtë, regjisori Cukali na dhuron botën e brendshme të Armandos.
Duka vazhduar që përsëri të lexojë lajme, Armando sheh se ekipet e shpëtimit po vijnë në vendin e ngjarjes.
Tutje, nuk mungojnë as thirrjet nga puna e tij duke i kërkuar që të vijë më shpejtë apo edhe nga banka ku i kërkojnë që ta paguajë kredinë, të cilat bien ndesh me realitetin që Armando vendos t’ia shfaq atyre.
Ndërsa, edhe pse i shoqi i Jerinës del të jetë një person arrogant që shtyp gruan e tij, Armando vihet në rolin e babait dhe nis e këndon për fëmijën e Jerinës, në mënyrë që sadopak t’ia heq urinë.
16:15
Telefoni i tij është për pak duke iu fikur. Ekipet e shpëtimit më në fund arrijnë në rrënojat ku Armando gjendet, por duhet të presin edhe pak derisa do të mund që potencialisht ta nxjerrin nga aty.
Pas një dridhjeje tjetër, Armando pëson dëmtim edhe në bark për shkak të peshës së rëndë që i bie përsipër.
Nga lëndimet e shumta që pëson, nën meloditë e një pianoje që dëgjohej në prapavijë, Armando fillon të gjakosë nga goja dhe vdes.
Bateria në telefon ndërkaq vie drejt një fundi, duke portretizuar tashmë edhe vdekjen e tij që ngadalë po vinte.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet ato që u dëgjuan në publik. Ndërsa, para shfaqjes së filmit, për një fjalë rasti në skenë doli regjisori Koloreto Cukali.
“Shumë faleminderit që keni ardhur. Është një film i bërë me shumë halle në fakt, financiare dhe jo vetëm. Është një film për dramën e madhe që kemi kaluar si komb në rastin e tërmetit. Dhe më shumë sesa filmi im, ky është filmi i Besit, sepse ju do e kuptoni që filmi me të vërtetë është Besi si aktori në rolin kryesor”, ka thënë Cukali.
Kujtojmë se filmi “Richter” ka arritur të ketë suksesin e parë në “Best Istanbul Film Festival”. Besmir Bitraku ka arritur që të rrëmbejë çmimin “Best Male Performance” me rolin e tij në këtë film. / KultPlus.com
Ylli britanik i popit Sir Elton John dha një performancë të veçantë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë për presidentit e Shteteve të Bashkuara, Zonjës së Parë dhe rreth 2 000 “krijuesve të historive të përditshme”.
Ngjarja pa një audiencë të përbërë nga mësues, studentë, infermierë, mbështetës LGBTQ +, familje ushtarake dhe avokatë të shëndetit mendor të mbledhur në South Laën për të dëgjuar performimin e artistit të shumëfishtë fitues të Grammy.
Sir Elton performoi shumë nga hitet e tij, duke përfshirë Tiny Dancer, Rocketman dhe Don’t Let the Sun Go Doën on Me, përpara se presidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden ta befasonin këngëtarin me ”Medaljen Kombëtare të Shkencave Humane” për punën e tij në luftën ndaj SIDA-s dhe për të ndihmuar ata që jetojnë me këtë sëmundje përmes fondacionit ”Elton John Aids”.
”Ndihem i nderuar dhe i emocionuar nga çmimi. Që kur themelova Fondacionin në tryezën time të kuzhinës në Atlanta 30 vjet më parë, jam zotuar të mos lë askënd pas dhe do të vazhdoj në këtë mision”, theksoi Elton John.
“Ne po luftojmë për një të ardhme ku njerëzit e të gjitha racave, etnive, kombësive, orientimeve seksuale dhe identiteteve gjinore të kenë mundësinë të jetojnë të lirë nga SIDA, stigma, padrejtësia dhe keqtrajtimi – dhe unë jam shumë mirënjohës që njohja si kjo mund të na çojë në hap përpara për ta bërë realitet”, shtoi ai.
Bashkëshorti i këngëtares, David Furnish, i cili është edhe president i fondacionit Elton John Aids, tha: “Na takon ne ta bëjmë botën një vend më të mirë dhe më të drejtë dhe Eltoni është dikush që ecën me të vërtetë./ KultPlus.com
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) për herë të parë organizoi një mbrëmje “Artist Talk”, me praninë e Ben Blushit, kësaj here jo si politikan, as si shkrimtar, por në pozitat e artistit-fotograf, të cilit i duhet t’i shpjegojë audiencës “Ukrainën në 10 orë”.
Në takim ishin të pranishëm artistë të artit pamor, si piktori e drejtori i GAT, Abaz Hado, profesori i fotografisë, Albes Fusha, të apasionuar të fotografisë, gazetarë por edhe gjimnazistë kuriozë për të zbuluar botën përmes fotografisë.
Duke rrëfyer “Ukrainën e tij”, Blushi tha se ky pasion i ri, nuk do të shuhet me këtë ekspozitë. Ai tha për ATSH se është duke përgatitur një tjetër vepër e cila bën bashkë shkrimin dhe fotografinë. Bëhet fjalë për një libër i cili pritet të shohë dritën e botimit në fillim të muajit nëntor.
Ky libër-album do të ketë portrete personazhesh të qëndisura nga pena dhe aparati fotografik i Blushit.
I pyetur nga drejtoresha e COD, njëkohësisht kuratore e ekspozitës, Eridana Çano, Blushi e pranoi si njëri nga personazhet e librit të ri do të jetë presidenti ukrainas, Zelensky.
Portreti i Zelensky-t është një nga fotot më goditëse të ekspozitës në COD. Tashmë mbetet të zbulojmë historinë që Blushi do i bashkangjisë kësaj fotografie dhe dhjetra personazheve të tjerë që do të jenë në librin e ardhshëm.
“Ukraina në 10 orë” përmban 67 fotografi, nga një vend i tjetërsuar vizualisht, siç tregon zgjidhja kuratoriale e Eridana Çanos, ne pjesën e parë të ekspozitës. Ndërsa në brendësi shohim shpirtin njerëzor, që nuk e braktis shpresën dhe lidhet fort pas jetës./atsh/ KultPlus.com
I bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi “Nanë” me regji të Valbona Jasharit është i vendosur në vitet 1950 në Shqipëri, ku një djalosh i ri me emrin Leka përpiqet të shpëtojë nënën e tij që po vdes. Është një realitet i ashpër i jetës me të cilin ai ballafaqohet në një moment dhe pafajësia e tij si fëmijë është ajo që të rrëmben pas ekranit e të bënë të ndjesh dashurinë, zhgënjimin, vështirësitë dhe të gjitha emocionet që portretizohen përbrenda njëzet minutave, me rastin e premierës së filmit në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Është një përvojë emocionale që ka prekur të gjithë të pranishmit mbrëmë në ditën e katërt të festivalit “Pri Fest”. Salla e mbushur në Kino Armatë ka përjetuar një histori sa prekëse e të dhimbshme, aq edhe të bukur e përrallore.
Skena e parë është ajo me të cilën nis gjithçka dhe qysh në fillim regjisorja Jashari ka vendosur të shpalos dashurinë e nënës ndaj fëmijëve dhe anasjelltas. Është një melankoli e mahnitshme që shpërfaqej në tërë hapësirën teksa nëna e Lekës i këndonte fëmijëve me aq ëmbëlsi. Ndërsa, Leka si një djalosh i urtë, i cili punon në pazar ngaqë babai i tij, Gania, gjendet në burgun e Goli Otokut për arsye të mbrojtjes së vatanit, detyrohet të punojë e të kujdeset për nënën dhe tre vëllezërit e tij.
Në anën tjetër, ishin kuadrot e mahnitshme që i ngjasonin fotografive të vjetra të kulturës së hershme shqiptare, ato që thjesht të detyronin që sytë të nguleshin tek ekrani. Bukuria e Parkut Kombëtar të Valbonës në Shqipëri, fshatit Kukaj në Kosovë, fshatit Dardhë në qytetin e Korçës, të linin pa frymë e pa fjalë.
“Nanë” është një version i rritur i një përralle që me vendndodhjet, kostumet dhe dizajnin e prodhimit ka kaluar pritshmëritë e gjithsecilit. Çdo aspekt i filmit ka arritur të arrijë përsosmërinë dhe kjo vërehej qysh në minutat e parë.
Nëna e Lekës qe personazhi që vuante më së shumti. Ishte diçka që nuk e kuptonte as ajo vetë. Teksa lante këmishën me gjak, djersët i shkonin rrëke dhe ishte vetë djali i saj, Leka që ishte i pranishëm në ato momente. Siç shprehej ajo vetë se shpirti i saj po kallej, teksa mushkëritë e saj po nxeheshin, ajo i kërkon Lekës të shkojë e të gjejë tezën Minire, por që fatkeqësisht ajo nuk ishte prezente në shtëpinë e saj. Ndërmjet fjalëve, ajo kërkonte borën: “Ta kisha pas do borë”, dhe kjo ishte tashmë një paralajmërim për atë se çka do të pasonte.
Leka, entuziast në personalitet e naiv në sjellje, vihet në kërkim të borës me shokun e tij më të ngushtë të fshatit. Por, kalon një kohë e gjatë derisa të dytë arrijnë në bjeshkë dhe e mbledhin atë me dy parë duar të vockla. Të gjitha emocionet që lidheshin drejtpërdrejt me personazhet, vinin akoma më me intensitet atëherë kur meloditë e këngëve si “Baresha” dhe “Këngë me fyell” hynin si një rrjedhë e pastër mallëngjimi, me ç’rast e zgjuan nga gjumi të gjithë mëshirën e mbledhur përbrenda secilit të pranishëm në sallë.
Me të kthyer në shtëpi, Leka e gjen nënën e tij të shtrirë në dyshek, ia vendos borën e pakët mu në vendin ku ajo kishte dhimbje, ia puth duart e fytyrën, e i lutet Zotit për ta shpëtuar. Ndërsa, qiriri i dhomës digjej ngadalë në një kënd, edhe shpirti i Lekës nga pak fillonte të digjej.
Një lloj i dëlirë i dashurisë mes nënës dhe fëmijës dhe pafajësia e fëmijërisë janë temat të cilat u shtjelluan në filmin “Nanë”.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta e të gjata ato të cilat zunë vendin e duhur në publik. Ndërsa, para shfaqjes së filmit, për një fjalë rasti në skenë doli regjisorja Valbona Jashari.
“Faleminderit shumë të gjithëve që keni ardhur sonte, e në veçanti familjes time dhe miqve të mi. Ky film është shumë personal për mua dhe ka të bëjë me ngjarjen se si e ka humbur gjyshi im, nënën e vetë. Si të gjithë filmat e tjerë, edhe ky film është bërë me shumë dashuri e përkushtim. Shpresoj shumë që të ju pëlqej”, ka thënë Jashari. / KultPlus.com
Lufta po përjeton një skenar pasigurie në ditët e fundit. Ukraina ka kundërsulmuar me sukses ditët e fundit në jug dhe lindje të vendit, Rusia ka mbajtur referendume në rajonet e Donbasit dhe në të njëjtën kohë Vladimir Putin ka shpallë një mobilizim të pjesshëm ushtarak dhe tashmë po rekruton rezervistë për të luftuar në front.
Konflikti mund të përshkallëzohet në çdo kohë, në mos ka shkuar në një pikë të pakthyeshme tashmë. Kështu mendon shkrimtarja e njohur ruse Liudmila Ulitskaya, e cila pohon se “Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar”.
Ulitskaya tregoi se parandjen “katastrofën bërthamore” dhe e sheh Putinin si “të aftë për të shtypur butonin”. Por, ajo shpreson që njerëzit përreth Putinit ta bindin atë që të mos e bëjë këtë gjë.
Shkrimtarja e ka të qartë të vetmen rrugëdalje nga lufta: negociatat.
“Duhet folur sepse herët a vonë të gjitha luftërat kanë përfunduar. Të bësh paqe do të thotë të negociosh dhe të negociosh do të thotë të flasësh”, u shpreh Liudmila Ulitskaya./ KultPlus.com
Ekipet përfaqësuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ato të Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë trajnuar së bashku para se të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të marrin pjesë në stërvitjen/garën më të famshme të patrullimit ushtarak ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2022”, shkruan KultPlus.
Këtë e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili publikoi disa fotografi në rrjetin social “Facebook”.
“Ekipet përfaqësuese të FSK-së dhe FA të Republikës së Shqipërisë stërviten së bashku para dislokimit në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të marrin pjesë në Stërvitjen/Garën më të famshme të patrullimit ushtarak ndërkombëtar ‘Cambrian Patrol 2022’.
Së bashku gjithmonë më të fortë dhe më të suksesshëm!”, shkruan ai mes tjerash. /KultPlus.com
Përpjekja e jashtëzakonshme e një nëne dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja e tyre për të marrë atë që ato e meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve, janë shpalosur mbrëmë nëpërmjet premierës së filmit “Ditë e Kuqe” nën regjinë dhe skenarin e Besim Ugzmajlit, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtë gjeti fillimin e tij tek në orën 17:08, teksa të pranishmit veçse kishin zënë vendin e tyre në ulëset në sallën e Kino Armatës. Me një sallë pothuajse të mbushur, errësira qe shoqëruesi i publikut për gjatë gjithë pesëmbëdhjetë minutave.
Me një mënyrë unike, regjisori Ugzmajli ka hedhur dritë mbi shumë faktorë negativ të shoqërisë. Ai nëpërmjet simboleve të ndryshme, artit filmik dhe mënyrës së trajtimit të ngjarjeve, na sjell historinë e Arsa Nolit, një 13 vjeçare e cila është një person me aftësi të kufizuara dhe pasi që ajo nuk mund të flas, ndeshet me sfida të shumta që i hedhen rrugëtimit të saj artistik për të interpretuar lirshëm në një skenë teatri.
Arsa, një vogëlushe e shurdhër dhe nëna e saj Dodona, ish-aktore, duan të jenë pjesë e “Festivalit të Performancës”. Arsa nuk është në listën e pjesëmarrësve por ajo dhe mamaja e saj janë gati të bëjnë gjithçka.
“Ditë e Kuqe” simbolizon një ditë alarmi për shoqërinë, duke sjell në vëmendje gruan si vlerë kulminante. Çështjet sociale krejt lehtazi tregohen nëpërmjet rrëfimeve që ndërtohen në rrafshin psikologjik të situatave dhe personazheve. Imazhet komunikuese janë ato që të shtyjnë drejt njohjes së secilit karakter dhe secilës ndodhi.
Është i realizuar vetëm në “One-Shoot”, dhe xhirimet e filmit kanë përfunduar brenda vetëm një dite, mirëpo në realizimin e tij janë përfshirë afro 150 persona të cilët kanë sjell një pikëpamje ndryshe nga e zakonshmja. Sinkronizimi dhe harmonia përbrenda ekipit, dukshëm kanë rezultuar që filmi të arrijë perfeksionimin. Kjo vërehet më së miri edhe nga puna e mahnitshme e aktorëve si: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Bin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu e të tjerë.
Ndërsa, përgjatë gjithë filmit në sekuenca të ndryshme vërejmë edhe këndimin njëzëri të korit tashmë të suksesshëm “Siparantum” të cilët qëndrojnë në prapaskenë tërë kohën, me ç’rast këtij filmi ia kanë shtuar edhe një plus tjetër.
Nëpërmjet “Ditë e Kuqe” shpalosen mesazhe shumështresore, andaj edhe perceptimi i tyre mëton të jetë ndryshe për çdokënd. Diskriminimi, pabarazia gjinore, ngacmimet seksuale, shtypja ndaj grave, paragjykimi, egoizmi e nënçmimi, shtjellohen në mënyrë të duhur dhe shumë reale. E gjitha ndodh në prapaskenë, aty dhe ku këto raste ndodhin më së shpeshti në realitet.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që dukshëm dëgjoheshin në mesin e audiencës. Ndërsa, para shfaqjes së tij ishte ekipi i filmit “Ditë e Kuqe”, anëtarët e të cilit dolën në skenë për një fjalë rasti.
“Faleminderit që sonte jeni këtu me neve. Filmi ka pasur një udhëtim të gjatë, mirëpo asnjëherë ne nuk jemi ndjerë të plotësuar përderisa nuk e kemi shfaqur premierën vendore këtu. Ky film është bërë me shumë pak para por tepër shumë dashuri. Janë mbi 150 persona që kanë marrë pjesë në këtë film dhe ndjej një nevojë të veçantë për t’i falënderuar për gjithë angazhimin e tyre, për shkak se kemi punuar në kushte jo më të mirat të mundshme, mirëpo dashuria i ka tejkaluar krejt ato telashe dhe sot pas këtij viti relativisht të suksesshëm të filmit, kemi fatin që ta shfaqim para jush me shumë kënaqësi”, ka thënë regjisori Ugzmajli.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Ditë e Kuqe’, i pranishëm ishte vetëm regjisori Besim Ugzmajlit.
“Shpeshherë perceptimi i audiencës për të famshmit apo për njerëzit që merren me industrinë e filmit, konsideroj që është komplet një lloj stigmatizimi. Ideja jonë ka qenë për të prezantuar atë se shpeshherë ajo që ndodh prapa perdeve është shumë herë më interesant sesa ato që ne i prezantojmë publikut dhe për të treguar se sa e vështirë është ajo rrugë, në jo vetëm shoqërinë ballkanike por edhe në botë”, thotë ai.
Sipas tij, para së gjithash, për të, procesi është ‘imazhet’ dhe atmosfera, andaj ai këto i vendos në një situatë të caktuar duke i inkuadruar edhe personazhet që ai i konsideron që janë interesant për t’i parë mes vete.
“Filmi ka qenë pjesë e më shumë se tridhjetë festivale, deri tash ka marrë dy çmime dhe momentalisht është i nominuar për ‘filmin më të mirë’ në Gjeorgjia të Amerikës dhe së shpejti do t’i marrim edhe rezultatet. Dje ishte premiera kombëtare e filmit dhe sigurisht që ky nuk është fundi i tij”, përfundon ai.
Kujtojmë se filmi “Ditë e Kuqe” i metrazhit të shkurtër me regji të Besim Ugzmajlit, është shpallur filmi më i mirë në “KO:SH FILM FEST / National Competition”.
Po ashtu, filmi me regji të Besim Ugzmajlit “Ditë e Kuqe” është shpërblyer edhe me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Cerdanya” në Spanjë, konkretisht me “Kinematografia më e mirë”. / KultPlus.com
Media shtetërore iraniane raporton se të paktën 35 njerëz janë vrarë në më shumë se një javë protesta në Iran, që po organizohen pas vdekjes së 22-vjeçares, e cila u arrestua nga Policia e moralit për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes së hixhabit.
“Numri i njerëzve që vdiqën në trazirat e fundit në vend është rritur në 35 persona”, tha agjencia e lajmeve Borna, e cila është e lidhur me ministrinë e Sportit të Iranit, vonë më 23 shtator, duke cituar televizionin shtetëror.
Numri zyrtar i të vdekurve kishte arritur më parë në 17, përfshirë pesë zyrtarë policorë.
Protestuesit kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha anembanë Iranit, përfshirë Teheranin, për tetë ditë rresht, që nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.
Gruaja kurde u shpall e vdekur tri ditë pasi Policia e moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e Kodit të rreptë të veshjes për gratë në Iran, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e shamisë së kokës në mënyrë “të pahijshme”.
Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.
Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran. /KultPlus.com
Në muajin shtator të këtij viti, EBC ka vendosur të ofrojë zbritjen e madhe -30% në të gjithë artikujt vetëm për blerje online dhe vetëm me datën 24 Shtator
EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 9 pika zyrtare dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.
Në platformën për blerje online : www.ebc.shop ju mund të realizoni blerjen nga të gjitha qytet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi./ KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj shkruan se Shijaku ishte ikonë e Tiranës dhe një piktor i jashtëzakonshëm.
“Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes”, thekson Veliaj.
Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe do të zhvillohen nesër në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00./ KultPlus.com
Zot: erdhi koha. Vera e madhe shumë ish. Hidh hijen tënde mbi orët diellore, e në korridore erërat lësho sërish.
Urdhëro frutat e fundit të jenë të zënë; por lër akoma dy ditë më të jugta me to, ndilli në pjekje ngadalë e pastaj lësho ëmbëlsi të fundit në verën e rëndë.
Kush mbet pa shtëpi, nuk e nderton më tani. Kush mbet i vetëm, vetëm do mbetet përsëri, do vigjëlojë, lexojë, shkruajë letra të gjata dhe do vërdalloset i paqetë bulevardeve gri ndërsa prej degëve bien fletët e thata./ KultPlus.com
(Original Caption) Portrait of German poet Rainer Maria Rilke, 1906. He is shown seated, holding an open book.
Në “Ditët Evropiane të Trashëgimisë” duke ju bashkëngjitur temës së këtij viti, “Trashëgimia e Qëndrueshme”, Qendra Muzeore Berat në vazhdim të veprimtarive “Thesare të Muzeve” organizoi prezantimin e veprës më të re të Prof. Shyqri Nimanit, monografisë “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë”, e cila vjen e riparë nga autori pas 35 vitesh nga botimi i parë më 1987.
Rishikimi dhe plotësimi i botimit nuk ka prekur thelbin e strukturës së botimit të parë, i cili në ato vite u prit me shumë kuriozitet dhe pati vlerësime maksimale, pasi ishte dhe botimi i parë serioz, luksoz dhe me ilustrime cilësore mbi Onufrin dhe mjeshtrat e tjerë të artit mesjetar shqiptar.
Duke e lexuar me kujdes librin e Prof. Nimanit ndjen dhe kupton penën e një studiuesi serioz, i cili ka hulumtuar thellësisht si historian jo vetëm krijimtarinë e Onufrit dhe mjeshtrave të tjerë ikonografë, duke i vendosur me mjaft kujdes ne kontekstin e kohës, të ngjarjeve dhe vështirësive të ndryshme, por ka dhënë këndvështrimin e tij si artist dhe studiues në analizat, krahasimet dhe vlerësimet mjaft interesante si nga ana kompozicionale, koloristike, stilistike dhe artistike.
Pjesë e kësaj veprimtarie ishte edhe ekspozita ikonografike “Onufri në koleksionet e muzeve” ku u ekspozuan 13 imazhet e ikonave te këtij mjeshtri të madh të realizuara për kishat e Kalasë së Beratit, të cilat ndodhen në koleksionet e muzeve të tjerë shqiptarë./atsh/ KultPlus.com
“The Nation” ka botuar, me 18 maj 1942, në faqen n°33, një shkrim – intervistë për Faik Konicën (studiuesi, politikani, diplomati dhe atdhetari i shquar shqiptar do të ndërronte jetë vetëm pak muaj më vonë, me 15 dhjetor 1942), të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
I dërguari i harruar
Burimi : The Nation, 18 maj 1942, faqe n°33
Mbreti Zog mori pasuritë e Shqipërisë – Ministri Konica thjesht i kujton ato
Ndër botimet e Uashingtonit, vetëm numëratori telefonik i jep tani Faik Bej Konicës një titull zyrtar. Ashtu siç u fut për herë të parë në vitin 1921, edhe numri aktual përmend :“F. Konica, ministër shqiptar”.
Drejtoria diplomatike e hoqi atë nga lista e saj në qershor 1939. Sepse kur trupat e Musolinit kaluan Adriatikun atë prill dhe larguan mbretin Zog nga Tirana, Britania vazhdonte të ndiqte zbutjen (qetësimin e marrëdhënieve) dhe në këtë rast Shtetet e Bashkuara me sa duket ndoqën shembullin. Në çdo rast, pasi Duçe shkriu kurorën shqiptare me atë italiane dhe shfuqizoi shërbimin e jashtëm të Zogut, Departamenti i Shtetit njoftoi Konicën se njohja e tij ishte tërhequr.
Në Shqipëri Konica pati qenë pronar, studiues dhe politikan. Ai i rafinoi dialektet e vrazhda të shqipes në gjuhën e parë letrare të vendit të tij. Dhe me peshkopin Fan S. Noli, Patriark i Kishës Ortodokse Shqiptare, tani në Boston, ai ndihmoi në krijimin e republikës së pas-Versajës, e cila i dha fund 500 viteve të sundimit osman.
Diplomatët ballkanikë i vlerësojnë Konicës rolin kryesor në bërjen e aventurierit fantastik Zog një monark pas prishjes së sundimit republikan të fiseve primitive, baritore të Shqipërisë. Konica nuk bën asnjë mohim. Dikur një “bon vivant” dhe zot i një legate të vendosur në hotelin Mayflower, por tani një burrë i lodhur e i moshuar, ai vëzhgon muret e rreshtuara me libra të apartamentit të tij modest e beqar dhe thotë :“Jam dënuar për mëkatet e mia.”
Krijuesi i mbretit Konica jeton në mënyrë të thjeshtë pa makinë apo shërbëtor, me mjete personale të plotësuara herë pas here me kontribute nga Vatra, organizata kulturore e 40.000 shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Përveç telegrameve të nxituara të dërguara në Stamboll dhe Paris gjatë rrugës nga Tirana, Konica nuk ka dëgjuar asgjë nga Zogu që nga arratisja e tij nga italianët.
Nga ajo arratisje vetë Zogu nxori një fitim të madh. Ai shtoi rezervën e arit prej 350.000 dollarësh të Thesarit Shqiptar në pasurinë e tij të madhe personale, të depozituar më parë në bankat zvicerane dhe angleze. Ai tha atëherë se ari do të ndihmonte shërbimin e jashtëm të Shqipërisë të mbante gjallë shkëndijën e pavarësisë. Zogu, mbretëresha Geraldinë dhe grupi i tyre prej 37 personash kanë tani një apartament në Ritz në Londër dhe një pronë në fshat në Ascot, marrë me qira Lord Patmore, vëllait më të madh të Sir Stafford Cripps.
Një zëdhënës i bashkatdhetarëve që organizojnë një lëvizje për pavarësinë shqiptare në Londër së fundmi ka njoftuar këshillat e Konicës mbi udhëheqjen dhe synimet. Në një përgjigje të shquar për vlerësimin e sinqertë të monarkut të tij dhe të vetes së tij, si dhe për vështrimin që jep në rrjetat e shtrira të politikës ballkanike, Konica u përgjigj :
“Ju e dini mendimin tim për inkoherencën e tij pompoze dhe prirjen e tij për tradhti. Zogu më dukej një përzierje kurioze e dy personazheve shekspiriane, domethënë Dogberry dhe Iago. Por peshkopi Noli, të cilin e vizitova kohët e fundit në Boston, ia doli të shkundte skepticizmin tim. Noli beson se Zogu mund të ketë mësuar në shkollën e fatkeqësisë dhe, nëse mbështetet nga qeveria britanike, mund të luajë ende një rol të rëndësishëm si një simbol për pavarësinë e Shqipërisë. Shumica e anëtarëve të Vatrës besojnë se një grup që kombinon Peshkopin Noli, Zogun dhe mua do të ishte efektiv në miratimin bindshëm popullor.”
Ndërsa pret paqen që do të rregullojë fatin e vendit të tij, Konica udhëton mes shqiptarëve këtu, punon me intervale mbi historinë e vendit të tij dhe mbledh materiale për P. T. Barnum – kredon e showman-it të të cilit ai e konsideron mishërimin e filozofisë moderne dhe të cilin e fut në një listë me Poe dhe Franklin si tre amerikanët më të mëdhenj./ KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare piktori i mirënjohur, Sali Shijaku.
Lajmin e bënë të ditur familjarët e të ndjerit, saktësisht djali i tij Orges Shijaku, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë piktorit te Popullit, Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku”, shkruan ai./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës së bashku me Teatrin Shqiptar në Shkup, Teatrin Kombëtar të Shqipërisë si dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Ky lajm është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në mes të teatrove shqiptare u dakorduan për bashkë-organizimin e “Festivalit të Teatrit Shqiptar – MOISIU” i cili këtë vit do të mbahet në Shkup dhe do të vazhdojë çdo vit në rotacion në tre kryeqytetet, si dhe për bashkë-prodhimin e përvitshëm të një shfaqje me karakter kombëtar në mes të tre teatrove kryesore shqiptare – nga viti 2023.”, thuhet në njoftimin e TKK-së./ KultPlus.com