Kolonia e piktorëve “Ditët e Mios” nis rrugëtimin e përvitshëm

Në Shtëpinë Muze të piktorit Vangjush Mio u zhvillua ceremonia e çeljes së Kolonisë Ndërkombëtare të Pikturës “Ditët e Mios” 2022.

Artistë nga Italia, Greqia, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Polonia si dhe artistë korçarë do të jenë këtë vit pjesë e kolonisë, duke hedhur në telajot e tyre magjinë e vjeshtës në Korçë dhe rrethinat e saj.

Si çdo vit një nga veprat e tyre realizuar gjatë ditëve të kolonisë do i dhurohet Galerisë së Artit “Guri Madhi”, në Korçë.

Kolonia “Ditët e Mios” do të vazhdojë deri më datë 28 tetor. Ky aktivitet është bërë traditë tashmë. Që prej vitit 2007, cdo fund tetori, në Korçë, zhvillohet kjo mbledhje artistësh nga vende të ndryshme, në nder të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, emrin e të cilit e mban edhe Qendra kulturore e Korçës. Ditën e fundit të Kolonisë, zhvillohet ekspozita me punimet e të gjithë piktorëve pjesëmarrës.

Vangjush Mio njihet si impresionisti i parë në Shqipëri. Peizazhet e tij, të frymëzuara nga Korça e Pogradeci, janë vlerësuar maksimalisht nga kritika. Njëkohësisht ai ka qenë brilant edhe në realizimin e portreteve si dhe në skenografitë e kryera për teatrin e Korçës. / atsh / KultPlus.com

Hulumtim: Gratë kalojnë dukshëm më shumë kohë në punë të papaguar sesa burrat

Në Republikën e Kosovës, gratë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë dhe burrat 3.5 orë në punë përkujdesi të papaguar në ditë. Kjo është një nga të gjeturat kryesore të raportit hulumtues « Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë », që e ka zhvilluar Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.

Të gjeturat e hulumtimit dëshmojnë se përderisa një individ shpenzon mesatarisht 4.9 orë në punë përkujdesjeje të papaguar në Kosovë (në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë), gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë për punë të papaguar se burrat, përkatësisht gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie, 1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve.

Ndërkaq burrat shpenzojnë 2.97 orë duke bërë punë shtëpie, 0.95 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 0.42 orë në kujdesin e të moshuarëve.

Sa i përket punës me pagesë, gratë dhe burrat shpenzojnë mesatarisht një sasi të ngjashme kohe, gratë 5.6 orë dhe burrat 5.7 orë.

Sipas vlerësimeve të fundit, nga gjithsej 520.495 gra (18-65) dhe 518.820 burra (18-65) që jetojnë në Kosovë, vlera totale e punës së kujdesit të papaguar në Kosovë është 2,824,248,757 Euro; respektivisht 1,792,626,900€ (63.47%) për gratë dhe 1,031,657,675 euro (36.52%) për burrat. Kjo vlerë e punës së papaguar të kujdesit përfaqëson 33% të GDP-së së Kosovës – 22% gra dhe 11% burra.

Publikimi i raportit « Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë » sjell rezultatet nga hulumtimi sasior dhe cilësor mbi përkujdesin si punë e papaguar në nivel vendi. Nëpërmjet anketës për matjen e shpenzimit të kohës së qytetarëve janë mbledhur të dhëna statistikore mbi kohën që shpenzojnë kosovarët në punë të kujdesit për fëmijët, për të moshuarit dhe për punë të shtëpisë. Po ashtu, nëpërmjet gjashtë fokus grupeve janë hulumtuar perceptimet e qytetarëve rreth këtij lloji të punës.

Prezantimin e të gjeturave të raportit e ka bërë sot në Prishtinë, Marigonë Drevinja, Drejtore e Programit në Institutin për Politika Sociale Musine Kokalari, në kuadër të tryezës “Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë”, ku për përkujdesin si punë e papaguar, praktikat evropiane dhe modelet e mundshme të politikave publike në Kosovë, ka prezentuar Ardiana Gashi, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Raporti « Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë » është zhvilluar në kuadër të projektit për të Drejtat e Njeriut – HumanRightivism dhe është mbështetur nga Embassy of Sweden in Pristina përmes Community Development Fund – CDF dhe Sida – Styrelsen för Internationellt Utvecklingssamarbete. / Express / KultPlus.com

“Labirinti i Migracionit”, instalacioni i veçantë në sheshin Skënderbej

Labirinti i Migracionit, instalacioni i veçantë i ndërtuar nga GIZ Albania do të qëndrojë nga data 25-31 tetor në sheshin Skënderbej.

Ky instalacion është konceptuar në formën e një Muzeu Social që simbolizon migracionin e jetës së një emigranti. Në të gjitha panelet e instalacionit janë vendosur informacione të ndryshme të cilat i shërbejnë personave të kthyer nga emigracioni për t’u riintegruar më lehtë pas kthimit në Shqipëri.

Gjithashtu instalacioni përmban informacione edhe për personat e interesuar për mundësitë që ofrohen në Gjermani për të kryer studimet apo për punësim.

Për më tepër, çdo ditë në këtë pjesë të Sheshit Skënderbej do të ndërthuren seanca informative, trajnime dhe performanca artistike të krijuara enkas për qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm.

Sesionet informuese do të fokusohen kryesisht tek shërbimet që mund të përfitojnë qytetarët e Tiranës të kthyer nga emigracioni, por jo vetëm, si dhe informacione të vlefshme për të rinjtë që duan të vazhdojnë shkollimin e tyre jashtë Shqipërisë.

Një seksion i veçantë do t’i kushtohet rolit që Diaspora mund të ketë në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit duke sjellë në Tiranë eksperiencën e përftuar në Gjermani.

Ky instalacion vjen në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe është i ndërtuar nga GIZ Albania me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar dhe bashkia Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Çmimet Nobel, ambasadorët rusë dhe bjellorusë mbeten jashtë eventit

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel, zakonisht janë të ftuar të gjithë ambasadorët por këtë vit Rusia dhe Bjellorusia janë përjashtuar, sipas The Guardian.

“Si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, Fondacioni ka zgjedhur të mos ftojë ambasadorët e Rusisë dhe Bjellorusisë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm”, thuhet në deklaratë.

Ceremonia e këtij viti do të mbahet më 10 dhjetor.

Fondacioni i dha çmimin e paqes të këtij viti Qendrës për Liritë Civile, një organizatë ukrainase për të drejtat e njeriut, në bashkëpunim me Memorial, një grup rus për të drejtat e njeriut dhe aktivistin veteran bjellorus Ales Bialiatski, i cili ndodhet në burg./abcnews.al / KultPlus.com

Java kulturore e OKB-së, aktivitete edhe në qytetin e Pukës

Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj në kuadër të aktiviteteve për javën e OKB-së, ku Puka është përzgjedhur për festimet e kësaj jave krahas Tiranës, Durrësit dhe Përmetit, priti në një takim zyrtar delegacionin e përfaqësuesve të prezencës së OKB në Shqipëri, kryesuar nga Fiona McCluney, kordinatore e përhershme e OKB.

Gjatë takimit, Gjonaj falënderoi McCluney dhe përfaqësuesit e tjerë të OKB në Shqipëri për përzgjedhjen e Pukës si një prej qyteteve ku do të zhvillohen aktivitete.

Më tej, kryebashkiaku u ndal dhe tek mundësitë e bashkëpunimit, ku theksi kryesor u vendos tek bashkëfinancimi për ndërtimin e një rezidence për të moshuarit e mbetur në vetmi.

McCluney teksa falënderoi kryebashkiakun Gjonaj për mikpritjen, bashkëorganizimin e aktiviteteve të planifikuara në Pukë, tha se çështjet e ngritura nga Gjonaj sigurisht do të adresoheshin me shpresën e një zgjidhjeje të duhur.

Përfaqësuesja e OKB, McCluney tha se ishte e lumtur që aktivitetet në kuadër të javës dhe ditës së OKB tashmë nuk po zhvillohen më vetëm në Tiranë.

Ajo vlerësoi transformimin dhe investimet e kryera në Pukë.

Më tej gjatë takimit, mundësi bashkëpunimi u ofruan dhe nga përfaqësuesit e organizatave të OKB në Shqipëri.

Gjatë kësaj jave Shqipëria do të mikpresë Kombet e Bashkuara. Është një javë me fokusin tek paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi duke mbrojtur mjedisin. Java e Kombeve të Bashkuara, vjen në kuadër të javëve kulturore ndërkombëtare, të cilat po zhvillohen prej disa muajsh dhe kanë gjallëruar jetën artistiko-kulturore, jo vetëm në kryeqytet, por edhe qytete të tjera të vendit./ atsh / KultPlus.com

Koalicioni Antiwar me program dy ditor në kuadër të Manifesta 14

Koalicioni Antiwar në kuadër të Manifesta 14 ka organizuar një program dy ditor në Prishtinë me datën 29 dhe 30 tetor. Ky program përbëhet nga 2 panele diskutimi, një workshop si dhe shfaqje e filmave.

Koalicioni Ndërkombëtar i Punëtorive të Kulturës kundër Luftës në Ukrainë është një platformë e hapur online që mbledh, ndan dhe shpërndan deklarata kundër luftës të krijuara nga artistë nga e gjithë bota. E shtyrë nga agresioni rus dhe lufta kundër Ukrainës, kjo plaformë paraqet një mundësi për të protestuar kundër luftës, diktaturës dhe autoritarizmit. Është një mundësi për të shprehur solidaritetin me ata në Ukrainë që janë prekur nga agresioni ushtarak rus, dhe me ata që i rezistojnë represioneve dhe terrorit kolonial, patriarkal, imperialist dhe politik kudo në botë. / KultPlus.com

Çfarë është nostalgjia, sipas Gabriel Garcia Marquezit

Shkrimtari fitues i çmimit Nobel, Gabriel García Márquez

Për të filluar ditën, ju sjellim një fjali të bukur nga Márquez, marrë nga romani “Dashuri në kohërat e kolerës” (1985). “Mënyra më e keqe për të ndjerë mungesën e dikujt, është t’i ulesh pranë dhe të dish se nuk do ta kesh kurrë”.

Gabriel Garcia Márquez, babai i realizmit magjik

Ndër shkrimtarët më të famshëm në gjuhën spanjolle, Gabriel García Márquez konsiderohet babai i realizmit magjik. Me talentin e tij të jashtëzakonshëm ai kontribuoi në tërheqjen e vëmendjes mbarëbotërore drejt letërsisë së Amerikës Latine.  Shkrimtarë si Isabel Allende dhe Paulo Coelho u frymëzuan prej tij. Në romanet e tij, realiteti dhe fantazia, historia dhe legjenda ndërthuren derisa ngatërrohen mes tyre. Një udhëtim nëpër kohë dhe hapësirë ​​falë përdorimit të shpeshtë të rikthimeve dhe proliksave, të cilat e transportojnë lexuesin në një vorbull kohore shumë sugjestionuese.

Romani i tij më i famshëm, “Njëqind vjet vetmi”, u votua në vitin 2007 si vepra e dytë më e rëndësishme në gjuhën spanjolle e shkruar ndonjëherë. Një tjetër kryevepër absolute është “Dashuri në kohërat e kolerës”, nga e cila është nxjerrë fjalia e Markezit.

“Dashuri në kohërat e kolerës”

Një dashuri romantike dhe e pafund, në gjendje për të pritur me durim, me besim të palëkundur, për “pesëdhjetë e tre vjet, shtatë muaj e njëmbëdhjetë ditë, duke përfshirë edhe netët”. Në fakt, Florentino Aziza, poeti dhe pronari i Compagnia Fluviale del Caribe, duhet të presë kaq shumë përpara se të shohë më në fund ëndrrën e tij të realizuar me Fermina Daza, vajzën më të bukur në Kolumbi. Është kronika e një pritjeje të gjatë e të sigurt, e një dëshire që nuk shuhet por shtohet me kalimin e viteve, duke kapërcyer të gjitha pengesat.

Një histori dashurie dhe shprese me të cilën, Márquez braktis shqetësimin e tij të zakonshëm dhe angazhimin e tij ndaj denoncimit social, për të treguar një epope magjepsëse pasioni dhe optimizmi. Një roman atipik dhe i shkëlqyer nga i cili del shija intensive për një rrëfim të plotë dhe përrallor, me përshkrimet plot ngjyra të Karaibeve me diell dhe njerëzve që jetojnë aty. / bota.al / KultPlus.com

Writer Gabriel Garcia Marquez, who won the Nobel Prize in 1982, died Thursday at 87.

Shtrembërimi i fakteve për Skënderbeun dhe origjinën e tij

Nga Gjon Keka

Që nga shekulli i XV-të e këndej janë shkruar vepra të ndryshme nga historianë e autor të ndryshëm nga e mbarë bota, për kryezotin e Arbërisë Gjergj Kastrioti, duke u thënë ,e përësëritur disa herë e vërteta,por edhe pse është shkruar kaq shumë prapë ka hapësirë për t’u marrë me jetën dhe veprën e këtij njeriu të madh e të pavdekshëm,sepse biografia e tij është e pashterrshme dhe shumë e pasur.

Megjithëse pasqyra e jetës dhe veprës së kryezotit tonë është e plotë, mjaftë e njohur dhe e pastër për nga aspekti i të vërtetës historike, ka disa çështje e që ndoshta janë tepër të vogëla për t’u marrë me to ,por duke ditur se nga ato janë bërë një mal gabimesh disa me qëllim e disa për t’ia përshtatur dhe disa sipas tendencës për ta përvetësuar këtë figurë të madhe kombëtare europiane të arbërorëve.

Këtu do të përpiqem t’i sjellë disa sqarime dhe fakte për kërkuesit e të vërtetës historike,dhe për pjesën tjetër që mbajnë në kokat e tyre dyshimin(specialitetin e gënjeshtrës sllave) që ia kanë mbjellë pikërisht disa autorë,historianë e pseudostudiues me prirje sllave,duke e paraqitur Gjergj Kastriotin si një figurë heroike me gjak dhe origjinë sllave.

E vërteta historike e origjinës së Gjergj Kastriotit(Skënderbeut)

Gjergj Kastrioti i vërtetë ai që e njohim ne arbërorët e tij dhe që e njeh bota e civilizuar në bazë të dokumenteve dhe fakteve historike ,është një arbëror i pastër që i dha atdheut të tij djersën ,gjakun,shtetin, lirinë,identitetin,flamurin,bashkimin,pavarësinë dhe civilizimit të përbashkët europian mburojnë e tij si një engjëll mbrojtës i saj.

Pra ,kur them ,se historia e vërtetë që njohim ne dhe bota, mbështetem në faktin se për të janë shkruar tri vepra nga vetë bashkëveprimtarët dhe bashkëkohësit e tij sikur që janë:

1.Vepra e Pal Engjëllit ,“La Vita di Scanderbeg di Paolo Angelo”i ribotuar më 1539, e Ipeshkvit dhe sekretarit e këshilltarit të Gjergj Kastriotit(vepra e Pal Engjëllit thuhet se ka humbur, e që me vonë është gjetur dhe tani ekziston si një vepër e botuar nga një bashkëveprimtar i Skënderbeut sikur që ishte në fakt Pal Engjëlli)

2.Vepra e Dhimitër Frangut,“Gli illustri et gloriosi gesti, et vittoriose imprese, fatte contra Turchi, dal sign. D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, prencipe d’Epirro” e botuar në botimin e parë në vitin 1480,pastaj e ribotur në vitet në vijim.Frangu ishte klerik i kishës katolike arbërore dhe arkëtar i Gjergj Kastriotit(Skënderbeut), i cili, ishte dëshmitar edhe ky ,sepse,ishte bashkëshoqërues i tij në shumë udhëtime jashtë vendit,dhe mbi të gjitha ishte pjesë e strukturës institucionale të shtetit tr Arbërit dhe kryezotit arbëror dhe sigurisht se ka përshkruar atë që ka parë dhe përjetuar sëbashku me Gjergjin e Madh ,si një bashkëpjesmarrës e bashkëveprimtar,

3.Vepra e Marin Barletit,“Historia del magnanimo, et valoroso signor Georgio Castrioto, detto Scanderbego, dignissimo principe de gli Albani”.Botimi i parë i tij konsiderohet ai i vitit 1508 dhe më pas u ribotua ndër vite dhe u përkthy në gjuhë të ndryshme të botës.Barleti ishte një klerik katolik arbëror nga Shkodra, me formim dhe edukim të lartë .njeri më njohur të thellë e profesor,ai ishte bashkëkohës, i cili më shumë ka dëgjuar dhe është informuar nga njerëzit e afërt të Gjergj Kastriotit ,pra njerëz që shërbenin në oborrin apo pallatin e kryezotit arbëror.

Sikur që shihet faktet historike për Gjergj Kastriotin i kemi pikërisht nga bashkëveprimtarët e tij ,dhe nëse ata e kanë thënë të vërtetën ,gjë që e kanë thënë me siguri të plotë sepse ishin dëshmitar okular.Atëher tezat e dala nga duar e mendje të oborreve sllave për ta përvetësuar e shtrembëruar këtë të vërtetë janë të kota, sepse e vërteta është si dielli, ndërsa gënjeshtra që e mbulon një të vërtetë është si një pluhur që e merrë një erë e madhe e kohës dhe e nxjerrë të vërtetën ashtu si është në dritën e diellitDhe jo vetëm kaq, sikur që dihet kryezoti ynë arbëror, jo vetëm që ishte një arbëror i pastër si nga Babai i tij Gjoni, por edhe nga nënëa e tij Vojsava e Pollogut.Dhe se Gjergj Kastrioti kur u rikthye në atdhe ai u rkthye në Krujën e tij në trojet atërore e të nënës së tij dhe jo në ndonjë atdhe të pretenduar e të imagjinuar nga shtrembëruesit e të vërtetës ,pra nëj atdhe sllav të imagjinuar sipas pretenduesve dhe përvetësuesve të kësaj figure madhore,fisnike arbërore europiane.

Ndërkaq një tjetër gjë që duhet nënvizuar është se gjuha me të cilën i fliste Gjergj Kastrioti, si ushtarëve të tij ,ashtu edhe popullit të tij ishte gjuha e nënës,pra gjuha arbërore.Sepse po të ishte ndryshe ,as ushtarët e as populli nuk do ta merrte atë vesh ,nëse ai do t’i fliste në ndonjë gjuhë të pretenduesve, përvetësuesve, dhe mbi të gjitha as që do ta mirëpëritshin me aq zemër të hapur arbërorët rikthimin e tij duke e bërë atë zot përbashkues të vendit dhe udhëheqës të tyre.

Ajo që më ka lënë përshtypje mua kur kam lexuar veprat e bashkëveprimtarëve të tij ,si Frangut, Engjëllit e bashkëkohësit Barletit ,është kjo se kryezoti i Arbërisë Gjergj Kastrioti i njihte me skatësi trojet arbërore ,madje të gjitha pjesët e saj. Kjo më ka lënë përshtypje, ngase sikur dihet ai si i vogël u dërgua peng në oborrin e sulltanit,edhe pse ishte në oborrin e armikut, ai ,gjaku i tij në vena, gjuha e tij, zemra e tij, mendja e tij dhe ai vetë ishte ruajtur për Arbërinë, dhe nuk e kishte harruar që nga vegjëlia atdheun dhe trojet e tij, as gjuhën e tij ,as gjakun e tij fisnik të lashtë të Kastriotëve, gjak ky që rridhte nga lashtësia, nga mbreti Pirro.

Një pjesë tjetër e patrajtuar është edhe kjo se ai pasi u rikthye në atdhe, dhe konsolidoj mbretërinë e tij dhe të shtetit të Arbërit duke e forcuar vendin dhe sigurinë e qytetarëve të tij ,ai sëbashku me motrat e tij dhe bashkëushtarët e tij i bënë nderime babit të tij Gjonit dhe nënës së tij Vojsavës që kishin vdekur e që nuk arriti t’i shihte dhe u çmall duke kujtuar kohën e tij kur ai u rritë në vatrën e tij ,në duart e nënës dhe babait të tij dhe u përkund në vegjëli deri në ditën që u morrë peng nga sulltani.

Nga kjo mund të nënvizoj se nëse bazohen të gjithë në fakte,pra në të vërtetën historike të kësaj familje fisnike arbërore, atëherë nuk mund asnjë popull tjetër ta pretendoj këtë figurë, e as të përvetësoj,as me anë të gënjeshtrave dhe imagjinatave apo shtrembërimit të dokumenteve historike.

Sikur që shihet nga kjo që u tha më larët ,faktet janë kokëforta dhe të vulosur nga vetë dëshmitarët okular të kohës apo epokës së Gjergj Kastriotit,pastaj edhe nga kronistë e historianë të shumtë që u mbështetën në fakte dhe të cilët jo vetëm na e sjellin të vërteten e familja fisnike arbërore si gjak i pastër arbëror ,por edhe me rrënjë të thella që shkojnë deri në lashtësi e posaçërisht tek rrënjët e mbretit Pirro.Nga kjo nuk ka asnjë dyshim, dhe se e vërteta flet dhe rrezaton si dielli ,se Gjergj Kastrioti ,respektivisht familja Kastrioti përfaqësonte elementin e pastër arbëror.

Në fakt nuk jam unë i vetmi që po shkruaj këtë Apologji të shkurtër në mbrojtje të origjinës arbërore të Kastriotëve.I pari që e ka mbrojtë origjinën e tij se prej nga vjenë është vetë Gjergj Kastrioti i cili në letrën drejtuar princit të Tarantit ,tregon qartë se “arbërorët dhe ai vetë kanë si paraardhës Aleksandrin(Lekën) e Madh dhe Mbretin Pirro”.Në kuadër të kësaj është edhe Frang Bardhi i cili në “Apologjinë e Skënderbeut” të botuar në vitin 1636 e mbron origjinën arbërore të Kastriotit.

Mendimi i gabuar i Hopf i vitit 1868 dhe pëvjelja e krahëve e autorëve sllavë për të përvetësuar figurën e Gjergj Kastriotit

Në kohën kur doli teza e tillë e shtrembërimit të origjinës së familjes së Kastriotit,ishte në fakt kohë kur elementi sllavë po përpiqej të bënte terrenin dhe të zinte rëndësinë politike në gadishullin ballkanik, kështu i përvjelën krahët autorët sllavë dhe ato me prirje sllave duke mos patur figura të krenarisë së tyre, sepse ata nuk ishin autokton, u kapën pas figurave të tjera të huaja sikur që është figura heroike e arbërorëve Gjergj Kastrioti duke tentuar që ta pretendojnë si të tyre dhe ta përvetësojnë si dhe figura tjera të gadishullit Ilirik.Sikur që dihet koha kur po flasim ishte pikërisht pak para se të ndodhte Kongresi i Berlinit(1878) i cili e la jashtë Shqipërinë.

Në këtë kohë duke ditur se sllavët(serbët) nuk kishin asnjë fakt ,as edhe një dëshmi për ta prezantuar veten si një komb, sepse ata nuk i takonin kombeve autoktone në gadishullin Ilirik, ata sikur e kanë specialitet gënjeshtrën e bëjnë të besueshme përrkohësisht para botës dhe më pas gënjeshtra mbetet gënjeshtër me këmbë pa asnjë bazë dhe pa asnjë fakt.Kështu vepruan edhe me figurën e Gjergj Kastriotit, për ta larguar rishfaqjen apo më mirë të them për ta penguar ringjalljen e kombit arbëror dhe identitetit të tij,ata dhe bashkëautorët tjerë me prirje sllave i përvjelën krahët që me anë të figuravë heroike që bota i njihte sikur që ishte Gjergj Kastrioti ,respektivisht më përvetësimin e tyre dhe pretendimet për të dal me ta para çdo tryeze si shenja të krenarisë së tyre sllave ata me anë të këtyre gënjeshtrave arritën të pranohen edhe në kongresin e Berlinit ,duke mos harruar se serbia u pranua në kongresin e Berlinit(1878) me ndihmën dhe vulën e Perandorisë otomane(turke).

Përvetësimi i figurës së Skënderbeut nga sllavët u pritë mirë nga sulltanët dhe perandoria otomane(turke) ,por ,edhe nga vezirët e renegatët e tyre, sepse ata donin që Shqipërinë ta mbanin ashtu sikur e kishin planfikuar pa ndërgjegje kombëtare, pa gjuhën ,pa figurat heroike sikur ishte Gjergj Kastrioti ,pa territor të definuar ,pa bshkimin e trojeve etj, por me anë të vezirëve e renegatëve ta mbanin Shqipërinë në bazë të “mileteve e vilajeteve” që i kishin përcaktuar. Por , edhe përkundër kësaj sikur që dihet perandoria otomane(turke) u shemb dhe trojet arbërore i dhuruan sipas marrëveshjeve të mëparshme në mes të sllavëve dhe turqve të cilët mbanin aleancat e tyre tradicionale historike.

Megjithkëtë, ashtu si shumë personalitete mbikohore që nga antikiteti për të cilët mungojnë dokumente të shumta dhe autentike edhe origjina e Gjergj Kastriotit, apo më mirë familjes Kastrioti ra pre e pretendimeve dhe pëvetësimeve nga disa popuj tjerë të huaj të ardhur në gadishullin Ilirik.

Deri në vitin 1868 nuk kishte asnjë mendim,dhe asnjë tezë mbi çështjen e origjinës së familjes Kastrioti,përpos asaj të dokumentuar nga Frangu,Engjëlli e Barleti të cilët ishin dëshmitar okular dhe bashkëkohës të Skënderbeut,se familja fisnike arbërore Kastrioti ishte me origjinë të pastër arbërore dhe përcaktoheshin edhe zotërimet e saj pikërisht në hapësirën autoktone iliro-arbërore. Por, nga viti 1868 kur profesori gjerman Karl Hopf i cili bazuar në një dokument të nxjerrë nga libri i autorit Fr.Milosich, “Monumenta Serbica spectantia Historiam Serbiae Bosnae Ragusii,i vitit 1858” ,ku përmendet që në datën 2 Shtator 1368 ,një emër Branilo,por që sipas dokumentit që kam parë nuk ka të bëjë aspak me Kastriotët ,ai Branilo që përmendet nuk ka asnjë lidhje me familjen Kastrioti.Nga ky gabim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm i profesorit gjerman Hopf ,e që është gabim i madh, sepse u bë ushqim për shumë autorë ,historianë sllavë dhe me prirje sllave të cilët menjëherë vrapuan që ta pretendojnë figurën e Skënderbeut për qëllime të tyre politike dhe interesa të kohës.

Karl Hopf në fakt ka gabuar rëndë me hedhjen e një mendimi të tillë të pa studiuar mirë dhe të pa përkthyer mirë,por edhe të panjohur mirë për shkak të mungesës së dokumenteve mbështetëse dhe të vetë dokumentit i cili mund të konsiderohet si një devijim i tij në nxjerrën e mendimit të tij të gabuar dhe me pasoja e në dëm të historisë së popullit shqiptar dhe një shtrembërim i dëmshëm i origjinës së familjes Kastrioti.Hopf u bazua në atë dokument pa e studiuar mirë, dhe pa e përkthyer saktë dhe pa e shpjeguar mirë,sipas tij “i pari nga familja e Kastriotëve ka qenë Branilo”,që në bazë të dokumentit ai ishte një nga firmëtarët,dhe një Kastriot i Kaninës,por që as Branilo dhe Kastrioti nuk kanë lidhje me njëri tjetrin.Ka mundur të jetë një Branilo i ndonjë vendi tjetër që ka bërë tregëti aty apo ka qenë në shërbim por që nuk ka asnjë lidhje me Kastriotët.Kështu e hodhi mendimin e gabuar Karl Hopf duke ia ngjitë mbiemrin e Kastriotit atij Branilos i cili nuk dihej se nga e kishte origjinën e vërtetë,pastaj pa e përkthyer mirë,sepse aty shihet qartë se është një gënjeshtër që i shërbeu më pas autorëve dhe historianëve sllavë dhe atyre me prirje sllave.Ngase aty në dokument kemi të bëjmë më dy persona dhe jo më nje person, sepse aty në përkthim të pastër qëndron edhe një “dhe” personin tjetër dhe jo vetëm një person pra sikur e ka hedh mendimin e gabuar e të gënjshtërt ai.Ky mendim i Hopf është hedhur poshtë nga shumë autorë, historianë e studiues serioz duke e konsideruar hedhjen e kësaj teze si të gabuar dhe se përkthimi ishte barbar e i pasaktë dhe pa shpjegime konkrete e dëshmi shoqëruese.

Pas hedhjes së këtij mendimi të Karl Hopf në botimin e “Griechenland in Mittelalter und Neuezeit” së vitit 1868, dhe pastaj edhe në”Chroniques gréco-romanes inédites ou peu connues” të vitit 1873 ,iu bashkuan kësaj gënjeshtre ,kësaj teze të pasaktë dhe me pasoja edhe autorë,historianë tjerë me prirje sllave, në mesin e tyre që e miratoi mendimin e gabuar të Hopf ishte historiani dhe orientalisti gjerman Franz Babinger,e që ishte një gabim sepse më pas u botuan vepra të ndryshme dhe u bazuan në këtë gënjeshtër të madhe dhe gabim që e dëmtojë gjenealogjinë e familjes fisnike arbërore Kastrioti.

Një tjetër autor B.Makuchew në veprën e tij “Mémoire sur les Slaves en Albanie, en russe” të vitit 1871 e mbështetë mendimin e Hopf dhe si gjithë autorët tjerë sllavë edhe ai i përvjelet punës demoniake për ta bërë gënjeshtrën sa më të besueshme duke i mbështetur edhe tezat se gjoja “Kastriotët nuk janë nga familja shqiptare sikur është thënë më parë ,por me origjinë sllave”, një gënjeshtër kjo që edhe sot mbështetet nga qarqe të caktuara si nga jashtë ashu edhe nga brenda vetë kombit shqiptar.Këtë mendim të gabuar e të gënjështër të Hopf ,ai e konsideron si të pamohueshëm mbi origjinën e Skëndebreut,pa ofruar asnjë dokument ,asnjë fakt dhe asnjë shpjegim ,por vetëm mbi bazën e një gënjeshtre, apo përkthimi të pasaktë apo te keq të një dokumenti,e mbi të gjitha pa një shpjegim të detajuar as nga Hopf e as nga Makuchew në atë vepër të tij e cila i shërbente sigurisht politikës pansllaviste.

Mendimit të gabuar të Hopf iu bashkuan edhe shumë autorë tjerë me prirje sllave të cilët në veprat e tyre e potenconin atë madje me shumë dëshirë dhe duke e konsideruar atë ,por pa dhënë asnjë dëshmi ,asnjë fakt asnjë dokument mbështetës, madje kishte edhe autorë e historian që i cilësonin veprat burimore ,të bashkëkohësve të Skënderbeut si p.sh. Veprën e Barletit si “Fabul” sikur ishte historiani katolik e diplomati austriak  Ludwig von Pastor,në veprën e tij, “Geschichte der Päpste seit den Ausgang des Mittelalters,1886”.Edhe autorë e historianë tjerë me prirje sllave mbështetën dhe patën rol të madhë në shpërndarjen e kësaj gënjeshtre apo këtij mendimi të gabuar të Karl Hopf mbi origjinën e Kastritotëve sikur që janë: Pavel Jozef  Šafárik ,Leopold von Ranke,Konstantin Jireček etj.Sikur dihet edhe Pavel Jozef Šafárik ishte një autor me prirje sllave i cili i shërbej gjithnjë me anë të veprave të tij elementit sllavë,sidomos atij në ballkan dhe me gjerë, me anë të kësaj ai donte ta bënte elementin sllavë me rëndësi politike.Edhe Šafárik ka tentuar ta paraqes si sllave origjinën e Kastriotëve ,por që nuk ka pas asnjë mbështetje dhe dokument e fakt historik.Ashtu si shumë autorë e historianë me prirje e sllave edhe Šafárik i shpërndau me zellë gënjeshtrat dhe të pavërtetat që kishin filluar t’i ndërtonin sllavët në hapësirën e gadishullit ilirk,duke i përvetësuar objektet dhe figurat dhe vendbanimet e iliro-arbërorëve.

Rol të madh në shpërndarjen e këtij mendimi dhe kësaj gënjeshtre mbi origjinën e Kastriotëve pati edhe historiani e diplomati çek Konstantin Jireček ,i cili në veprat e tij e mbështet mendimin e Hopf dhe të tjerëve madje një hapësirë të madhe ai i kushton këtyre pretendimeve që i shërbejnë në fakt etjes sllave për ta përvetësuar figurën e Gjergj Kastriotit. Ajo që është për t’u nënvizuar këtë është kjo se Jireček duke patur një rol të tillë edhe si historian edhe si diplomat,ndikojë në formësimin e elementit sllavë në ballkan, dhe në shpërndarjen e gënjeshtrave mbi origjinën e Kastriotëve.

Duke ditur se Jireček ishte edhe pjesë e udhëheqjes së Institutit të historisë së Europës juglindore në Universitetin e Vjenës,kjo ndikojë që gënjeshtra apo mendimi i gabuar i Karl Hopf ,të mbështetet dhe të merret si bazë,por, pa asnjë dëshmi, pra duke qenë se ai kishte edhe kompetenca të tilla në kuadër të Institutit edhe botimet e studimet e mëvonshme u botuan me referenca të mbështetura nga ky grup i autorëve sllavë dhe i atyre më prirje sllave për ta bërë elementin sllavë me një rëndësi të madhe në gadishullin ilirik duke i mohuar kështu arbërorëve autoktonin dhe rrënjët e tyre e aq më tepër duke i ndërtuar këto mendime e ide të gabuara e gënjeshtra mbi themelet e historisë dhe të figurave të kombit iliro-arbëror(sot shqiptar).

Pasi e panë se polemika rrethë origjinës sllave nuk kishte asnjë mbështetje në asnjë dokument dhe se teza e Hopf, ishte qesharake dhe pa asnjë fakt, madje një shtrëmbërim demoniak që u bë më pas “ushqim ideologjik” për pretendentët sllavë dhe autorët me prirje sllave apo që ishin edhe vetë sllavë.Atëhre ata u kapën pas tezës tjetër se gjoja nëna e Gjergj Kastriotit,Vojsava ishte me origjinë sllave, duke e lidhur me Tribalët, edhe kjo si teza e parë nuk kishte asnjë mbështetje,asnjë fakt sepse sikur dihet Tribalët janë fis i lashtë ilirë,ndërsa Pollogu ishte historikisht i banuar me arbëror të Maqedonisë, edhe kjo tezë djallëzore e pretendentëve sllavë për ta përvetësuar figurën e Gjergj Kastriotit si nga ana e babait ashtu edhe nga ana e nënës u hodhën në koshin e plehrave ,askush ,asnjë studiues serioz, as historianë me vlerë dhe me autoritet e kompetencë nuk i morri për bazë tezat e tilla e as sot nuk duhet marrë ato teza dashakeqëse që kanë për qëllim shtrembërimin e të vërtetës dhe përvetësimin e kësja figure madhore të kombit tonë iliro-arbëror.

Krejtë në fund për ta përmbyllë këtë Apologji timen për Gjergj Kastriotin dhe origjinën e pastër të tij arbërore, kërkoj me sinqeritetin me të thellë nga autorët, studiuesit dhe historianët serioz shqiptar që nëse duan të vërteten dhe faktet historike ,të mos i marrinë asnjëherë në referencë dhe as në trajtim e as për bazë veprat e autorëve me prirje sllave që u lartëcekën, sepse vetëm në këtë mënyre duke mos e trashë gënjeshtrën e tyre ,mendimin e gabuar dhe tezat e tilla demoniake ato do të zhduken si errësira përballë dritës së madhe të së vërtetës. / KultPlus.com

Promovohet ‘Kinematë e humbura të Mitrovicës’, 25 rrëfime personale shpalosin të kaluarën e bujshme së jetës kulturore të qytetit  

Rrëfimet nga Melihate Qena, Ismajl Beqiri Smaja, Sadedin Prekazi, Bejtë Jusufi, Gani Barani, Xhelal Hama, Jashar Klisurica, Sejdi Zeka, Bedri Selmani, Adem Zhitopotoku, Skender Idrizi, Shpend Feka, Skender Sadiku, Mehmet Hetemi, Fahredin Spahiu, Shukran Osmani Abazi, Sabërnaze dhe Kujtim Ramadani, Mevlude Mezini Saraçi, Shukri Kacaniku, Gani Shala, Nexhat Mungolli, Shenaj Zeneli, Atifete Luzha Karakashi dhe Fatmir Suhodolli, janë jetësuar mrekullueshëm përbrenda librit “Kinematë e humbura të Mitrovicës” së autores Nora Prekazi, promovimi i të cilit gjeti pikënisjen mbrëmë në ish-objektin e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, shkruan KultPlus. 

Ky libër që sjell pas vetes 25 rrëfime personale të qytetarëve të Mitrovicës, paraqet të kaluarën e bujshme të jetës kulturore në këtë qytet. Shpalosja e mënyrës së organizmit në kinematë e rajonit të Mitrovicës gjatë ish-sistemit jugosllav të shekullit XX, është një nga pikat kyçe që shtjellohet në detaje. Zhvillimi i veprimtarisë së kinemasë, punonjësve të saj, programit të shfaqur si dhe ngritja e rënia e këtij institucioni, shpalosen në mënyrë kronologjike përgjatë rreshtave. 

Libri konsiderohet të jetë një reflektim mbi jetën në një qytet që dikur kishte me shumë se një kinema aktive. Pra, është një thirrje për ta kujtuar dhe për ta dokumentuar atë. 

Historiku i kinemave në Mitrovicë dhe rrethinë, kujtimet mbi kinematë e humbura si dhe shtojcat e fotografive dhe të dhënave të ndryshme, janë krejt ato që përthekojnë këtë libërth që i trajton këto ndarje në një mënyrë intime e aq edhe reale. 

Në panel për të promovuar dhe diskutuar rreth këtij libri të pranishëm ishin: aktorja Melihate Qena, regjisori Sadedin Prekazi, autorja e librit Nora Prekazi si dhe Merishahe Syla e cila ishte në rolin e moderatores. 

Fillimisht, autorja e librit, Nora Prekazi nisi diskutimin rreth idesë që e pati për ta krijuar këtë libër. 

“Inspirimi ka ardhur fillimisht në shtëpi, ka ardhur nga prindërit e mi të cilët kanë jetuar në një qytet që ka qenë shumë ndryshe nga qyteti prej të cilit unë jam rritur. Inspirimi ka ardhur prej artistëve si këta dy sonte me ne. Inspirimi ka ardhur prej asaj që unë e kam njohur për qytetin, duke marrë parasysh që dhjetë vite punoj në Muzeun e qytetit, merrem me të kaluarën e qytetit por jam një gjeneratë që nuk i ka mësuar këto hapësirat që ju i keni parë. Arsyeja pse, është se gjeneratat e reja duhet ta kuptojnë se një qytet si Mitrovica ka pasur shumë infrastrukturë dhe shumëçka që për mua dhe gjeneratat pas meje, janë absurde. Duke e ditur që jemi rrit në një qytet me shumë telashe, hapësirat thjesht janë tjetërsuar”, thotë ajo. 

Sipas saj, ideja ka qenë që të dokumentohet diçka shumë modeste për një veprimtari shumë të madhe. Është filluar me intervistat dhe asaj i ka nisur t’i dalë një botë tjetër. Libri cilësohet si një version i thjeshtë ku autorja vetëm ka dëshirë që libri të jetë si thirrje që njerëzit e tjerë të vazhdojnë të studiojnë këtë fushë, që është shumë e madhe.  

“Çdo herë kur fillon një rrugëtim, është njëfarë arritje personale. Unë jam kënaqur shumë me këtë hulumtim dhe në fakt ka qenë një kënaqësi tejet e madhe. Përpos arritjes, është edhe një dhimbje, për arsye se shumë prej këtij hulumtimi, nuk ekziston më. Nuk ekziston si hapësirë, nuk ekziston ajo shoqëri e demografi. Unë tanimë e kam kujtesën e prindërve të mi, por nuk është diçka e imja. Për mua, do të mbetet si një ndër hulumtimet më të veçanta deri më tash. Pra, është ideja që demografia ndërroi dhe ndryshoi komplet shpirti i qytetit. Neve na duhet ndihma e jo vetëm juve, por e gjithë Kosovës”, përfundon Prekazi. 

Ndërsa, aktorja Melihate Qena ka folur rreth kujtimeve që i ka pasur në atë kohë në Mitrovicë. 

“Ne jemi një popull shumë i çuditshëm. Ne kemi një dëshirë për të fshirë krejt se çka ka ekzistuar para neve dhe për të vazhduar e filluar nga vetja. Kjo është dëmi më i madh që ia bëjmë popullit tonë. Një qytet që ka pasur tri kinema aktive, që vazhdimisht kanë dhënë filma, tani ndodhet në fund të pusit. Është e dhimbshme për një qytet që ka pasur muzikën, artin, vallëzimin dhe gjithë atë pasuri, që në fund të fundoset. Natyrisht, në atë kohë nuk ka pasur frymë tjetër. Kanë qenë kinematë nëpër të cilat vazhdimisht kam shkuar”, thotë Qena. 

Sipas saj, krejt ato përjetime atëherë, gjithmonë do të kujtohen përherë nga ana e saj. 

“Tash, tek teatri Zvezda është ndërtuar një qendër tregtare dhe duhet si hajn që të shkosh rreth e rreth për të shkuar në teatër. Është e dhimbshme dhe e patolerueshme. Këtë nuk ta ka bërë as Millosheviqi, as Hitleri e as njerëzit e tu, prandaj edhe është më shumë se tragjike. Andaj edhe ia shtrojmë pyetjen vetes: A meritojmë ne diçka më mirë apo jo. Ndoshta edhe nuk e meritojmë, meqë po na ndodhin gjithë këto”, përfundon Qena. 

Po ashtu, regjisori Sadedin Prekazi ka thënë se të gjithë atë kohë, kanë qenë të infektuar për të shkuar në kinema. 

“Atëherë ka qenë një interesim i jashtëzakonshëm për kinema, dhe njerëzit hynin në rresht por hynin edhe disa që i merrnin nga disa bileta. Ato bileta pastaj shiteshin jashtë, për një çmim më të lartë. Ka ndodhur shpesh, dhe e pata praktikuar edhe unë këtë. Me dy duar, merrnim nga dhjetë bileta gjithsej. Si dilja nga rendi, unë i shitsha ato bileta, dhe me këtë desha që të ilustroj se gjinia mashkullore gjithmonë gjendet pak më shumë në situata të tilla”, thotë ai. 

Sipas tij, ata gjithmonë kanë qenë të infektuar për të shkuar në kinema, prej ku konsiderohet se e kanë marrë edhe kulturën. 

“Unë dua ta përgëzoj Norën për idenë e saj dhe dua ta falënderoj që i ka ra në mend asaj dhe jo neve. Një qytet i tillë me aq shumë hapësira, sot nuk ka asnjë gjurmë të vetme. Nuk mund të mendojmë ne më për Mitrovicën sepse Mitrovica më nuk ekziston”, përfundon Prekazi. 

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të thirrjes për projekte individuale. / KultPlus.com

Për të ndryshuar të ardhmen tonë, duhet të ndryshojmë mënyrën se si ua mësojmë fëmijëve historinë

Nga Yuval Noah Harari

Ne nuk mund t’i mbrojë fëmijët nga historia. Në Ukrainë, miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre për shkak të luftës së nisur nga Vladimir Putin. Në Nju Delhi të Indisë, temperaturat rekord prej 50 gradë Celsius i detyruan fëmijët të qëndronin mbyllur brenda shtëpive të tyre këtë verë, duke mos pasur mundësi të studiojnë apo luajnë.

Çmimet globale të ushqimeve po rriten, duke bërë që jo pak fëmijët në të gjithë botën të vuajnë pasojat e urisë. Pra është e pashmangshme që brezi i ardhshëm do të dojë të përballet me pyetjet e mëdha: Pse ka luftëra? Cili është vendi ynë në natyrë? Çfarë është paraja, dhe pse është ajo kaq shumë e rëndësishme?

Shpeshherë, fëmijët i marrin këto pyetje shumë më seriozisht sesa të rriturit. Ata vënë në dyshim gjërat që të rriturit i marrin si të mirëqena. Të rriturit mund të bezdisen kur një fëmijë reagon me pyetjen “Pse?” pas çdo përgjigje që japin. Por zakonisht, fëmija vetëm sa po përpiqet t’i gjejë fundin disa gjërave, në një mënyrë që të rriturit nuk e bëjnë më.

Një gjë tjetër, ajo nga e cila s’mund t’i mbrojmë dot fëmijët është ekspozimi ndaj rrëfimeve të rreme historike. Që në moshë shumë të hershme, të rinjtë bombardohen me mite dhe informacione të gabuara, jo vetëm mbi ngjarjet aktuale, por edhe për historinë bazë të vetë njerëzimit. Pra kush jemi, nga vijmë dhe si arritëm këtu.

Për shembull, në vendin tim të lindjes, Izraelin, edhe nxënësit në shkollat laike mësojnë zakonisht historinë e Kopshtit të Edenit, dhe shohin imazhe shumëngjyrëshe të Arkës së Noes, shumë kohë përpara se të dëgjojnë për Neandertalët apo të shohin artin e shpellave të Lasko dhe Sulauesi.

Dhe kjo qasje ka ndikimin e vet. Pasi është e mundur të gjurmohet një vijë e drejtpërdrejtë nga urdhri i Zotit për njerëzit tek libri i Zanafillës “popullojeni Tokën dhe nënshtrojeni atë” deri në Revolucionin Industrial dhe krizën e sotme ekologjike. Një linjë tjetër e drejtpërdrejtë e ndikimit mund të nxirret nga rrëfimet historike që mësojnë fëmijët rusë në shkollë, tek pushtimi i Ukrainës nga Putin dhe kriza globale e ushqimit që ka shkaktuar ai.

Në rast se i lëmë fëmijët në mëshirën e miteve, çmësimi i këtyre ideve më vonë gjatë jetës do të jetë një detyrë e vështirë, dhe ndonjëherë e pamundur. Prandaj është jetike që ne të flasim hapur me fëmijët në lidhje me çështjet e mëdha dhe në një mënyrë të përgjegjshme, shkencore të bazuar në prova, në vend të besimit dogmatik.

Kjo është një sfidë me të cilën jam përballur kohët e fundit, kur po shkruaja historinë e botës për fëmijët. Ajo që kam mësuar nga ky projekt, është fakti se adresimi i çështjeve të mëdha për fëmijët është një punë tepër delikate. Disa lëndë janë argëtuese, si eksplorimi i jetës së përditshme të gjuetarëve-mbledhësve të epokës së gurit, kur njerëzit jetonin në natyrë dhe kur fëmijët i kalonin ditët duke mësuar sesi të ngjiteshin në pemë, si të gjurmonin kafshët dhe të ndiznin zjarrin.

Por temat e tjera janë më sfiduese. Për shembull, analiza e asaj që ndodhi kur Sapiensët e lashtë takuan Neandertalët, na nxit të diskutojmë se si mund të ishte jeta e një fëmije me një nënë Sapiens dhe një baba Neandertal, duke nxjerrë në pah tema të tilla si racizmi, lufta, gjenocidi dhe zhdukja.

Është thelbësore që ne t’u flasim fëmijëve për anën e errët të historisë. Por si të shmangim paralizimin e tyre nga frika? Një parim udhëzues në këtë rast, është se ne duhet të shmangim përshkrimet në detaje të ngjarjeve të tmerrshme, derisa fëmijët të jenë mjaftueshëm të pjekur për t’i kuptuar si duhet ato.

Ndaj kur duhet të flasim për katastrofa dhe padrejtësi, është më mirë të vihet theksi tek liria: pavarësisht se sa të tmerrshme janë gjërat, njerëzit zakonisht mund të bëjnë një ndryshim për mirë. Dhe ky nuk është mendim i dëshiruar, por vetë thelbi i historisë. Në fund të fundit, historia nuk është studimi i së kaluarës, ose thjesht një listë luftërash, fatkeqësish, dhe mbretërish të vdekur që sunduan mijëra vjet më parë.

Historia është studimi se si ndryshojnë gjërat. Në rast se ne mendojmë se bota ka qenë gjithmonë e njëjtë, dhe se mënyra se si jetojmë sot është vetmja se si duhet jetuar, atëherë është e natyrshme të ndjejmë sikur ndryshimi është i pamundur, dhe se problemet me të cilat përballemi janë të pazgjidhshme.

Pra edhe nëse gjërat janë shumë të padrejta, çfarë mund të bëjmë? Kështu është bota, i themi vetes. Por duke studiuar historinë, ne mësojmë se njerëzit nuk kanë jetuar gjithmonë si ne, dhe se bota po ndryshon gjatë gjithë kohës. Njerëzit e bënë botën atë që është sot, dhe janë po njerëzit ata që mund ta ndryshojnë atë.

Sigurisht, kjo nuk është një detyrë e lehtë, por kjo gjë ka ndodhur shumë herë në të kaluarën. Kjo është arsyeja pse historia është kaq e fuqishme. Ajo është çelësi për të ndryshuar botën. Kjo është aq e vërtetë saqë në shumë vende, qeveritë kanë frikë nga historia.

Udhëheqësit i ndalojnë rrallëherë njerëzit që të mësojnë matematikë ose fizikë. Por shumë qeveri i ndalojnë njerëzit – sidomos të rinjtë – të mësojnë të paktën disa pjesë të historisë. Gjithçka kthehet pas tek ata mbretër të vdekur që sunduan mijëra vjet më parë, me duart e tyre të akullta që zgjaten nga përtej varrit për të kapur mendjet tona, dhe për të ngrirë ndryshimet.

Tek e fundit, kanë qenë këta mbretër të vdekur prej kohësh që shpikën dhe përhapën histori të ndryshme mbi Perënditë, kombet, paratë dhe dashurinë, të cilat besohen nga shumë njerëz sot dhe u përmbahen. Për të fituar njëfarë lirie nga këto rrëfime dhe për t’u sjellë ndryshe, ne duhet të kuptojmë se si u krijuan dhe u përhapën ato.

Përndryshe, nuk do t’i shohim kurrë ashtu siç janë: thjesht tregime. Fëmijët që pyesin “Pse?” janë një forcë e fuqishme që mund t’i shkundë deri në themele këto përralla të vjetra. Por përveçse duhet të shmangim terrorizimin e tyre, ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe për të mos i ngarkuar të rinjtë me përgjegjësitë tona.

Mëkati më i vjetër që bëjnë shpesh të rriturit, është pritshmëria që fëmijët të marrin përsipër projektet tona, dhe sidomos të zgjidhin problemet, të cilat donim t’i zgjidhnim ne, por nuk e kemi kuptuar se si.

Kur flasim me fëmijët mbi çështje të mëdha, ne duhet që herë pas here të pyesim veten pse po e bëjmë vërtet këtë. Çdo njeri në botë bart një barrë të rëndë. Kur u mësojmë historinë të rinjve, ne e bëjmë ndonjëherë këtë për të zhvendosur një pjesë të barrës sonë mbi supet e brezit të ardhshëm. Ne duam që të rinjtë të vazhdojnë të bartin me vete besimet, kujtimet, identitetet dhe konfliktet që na kanë rënduar gjatë gjithë jetës sonë.

“Ja pra fëmijë, unë i çova këto gjëra deri në këtë pikë, tani është radha juaj!” Por kjo qasje është e padrejtë. Një arsye shumë më e mirë për të mësuar historinë, është të ndihmohen fëmijët të çlirohen nga të paktën një pjesë e frikës, iluzioneve dhe urrejtjeve të tyre.

“I shihni këto gjëra, fëmijë? Unë jam përballur me to për vite me radhë, dhe ato e kanë bërë të mjerë jetën time. Ndaj bëni kujdes! Nuk duhet të merreni me to!” Shpresoj që historia të bëhet një mjet për të çliruar njerëzit dhe jo për t’i mbajtur ata peng të së kaluarës. Ajo duhet të jetë një mekanizëm për të krijuar marrëveshje të reja, në vend se të përjetësojnë konfliktet e vjetra. Tek e fundit, qëllimi i mësimit të historisë nuk është të kujtosh të kaluarën, por të çlirohesh prej saj.

Shënim: Libri i ri “Ne të pandalshmit: Si njerëzit e pushtuan botën” nga historiani i njohur izraelit me famë botërore, Yuval Noah Harari, ka dalë në treg më 20 tetor. / “The Guardian” – Bota.al / KultPlus.com

Letra e fuqishme e Hillary Clinton, drejtuar vetës së saj në adoleshencë

Më 26 tetor të vitit 1947 lindi Hillary Diane Rodham Clinton. Ajo është ish-Sekretare e Shteteve të Bashkuara, senatore amerikane, dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 2001.

Kohë më parë Teen Vogue botoi një letër që Clinton e kishte shkruar për veten e saj si një vajzë e re në kolegj, letër kjo të cilën KultPlus e sjell sot në ditëlindjen e kësaj gruaje të fuqishme e të njohur në mbarë botën.

Në letër, ajo ofroi disa këshilla shumë të vlefshme dhe nxjerri në pah disa nga pasiguritë me të cilat është përballë si një studente e re. Duke iu drejtuar vetes si një studente e semestrit të parë në Wellesley College, ajo kishte shkruar.

“Kur erdhe për herë të parë në kampus, u gjenda e rrethuar nga gra të mrekullueshme dhe të kualifikuara. Ato flisnin rrjedhshëm në shumë gjuhë të tjera. Ato kishin jetuar jashtë vendit. Ato kishin lexuar tashmë gjysmën e librave të programit mësimor. Kjo më frikësonte – ishte aq e frikshme për mua sa që u telefonon prindërve për t’u thënë se nuk i përket kolegjit Wellesley, dhe në fund të fundit duhet që të ktheheshe në shtëpi”, kishte shkruar Hillary.

Mësimi që Hillary kishte nxjerrë nga kjo përvojë ishte. “Rrezikoni dhe mos kini frikë të kapeni duke u përpjekur”, tha Clinton. “Bëni çmos për të përqafuar entuziazmin që vjen me mosnjohjen e asaj që vjen në të ardhmen dhe mos harroni se besimi dhe mendja e hapur gjithmonë do t’ju shërbejnë më mirë se pasiguria dhe dyshimi”, kishte shkruar Hillary Clinton. / KultPlus.com

133 tituj librash i shtohen Bibliotekës Publike në Elbasan

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë sot në një takim me punonjës të bibliotekës së Elbasanit dhe të rinj, në kuadër të Tetorit të Librit.

Në takimin e zhvilluar në një nga bibliotekat më të pasura, sidomos me fonde albanologjike e balkanologjike, “Qemal Baholli”, u diskutua për librin si dhe problematikat e të rinjve dhe qytetit të Elbasanit, në përgjithësi.

Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare dhuroi 133 tituj librash për Bibliotekën Publike duke e pasuruar me vepra të autorëve tanë klasikë, nobelistë e klasikë të huaj, si dhe botime origjinale të para Luftës II Botërore.

Tetori është një muaj, i cili e lidh lexuesin më shumë me librin dhe nevojën që ata kanë për t’u mbështetur te leximi. / KultPlus.com

li

Kopshti më i madh në botë, janë të mbjellura mbi 150 milionë lule

Dubai Miracle Garden, përkatësisht kopshti magjik në Dubai, është kopshti më i madh me lule natyrale në botë.

Nga viti 2013 është hapur për vizitorë. E në këtë kopsht janë mbjellë mbi 150 milionë lule, dhe shtrihen në një hapësirë prej 72 mijë metra katrorë.

Për ujitjen e këtyre luleve, shpenzohen mbi 700 mijë litra ujë në ditë.

Ky kopsht nga viti 2016 ka arritur të mbajë rekordin në librin Guiness, për skulpturën më të madhe të bërë nga lulet.

Fjala është për skulpturën në formë të aeroplanit Emirates Airbus A380. Dubai Miracle Garden është bërë destinacion i preferuar për numër të madh të adhurues të natyrës dhe shëtitjeve.

Gjithashtu atje shkojnë çifte që duan të martohen në një ambient të përkryer. Këtë kopsht e vizitojnë 1.5 milionë njerëz.

E çmimi për të hyrë në këtë kopsht për një person të rritur është 13 euro e për fëmijë 9 euro. / KultPlus.com

‘Më mirë të hash rrush se sa dajak’

Rifat Kukaj

Ti një kokërr unë një kokërr

mos më quaj plak

sepse s’kam deshirë aspak

që të bëhem plak zemerak

e të t’rrah me dajak

më mirë me quaj plakush

kështu rimohet me rrush

e rrushin e do gjithkush

e trillojmë një kalavesh

që i thonë edhe vile

e mirremi vesh

dhe e ndajmë pa hile

ti një kokërr

unë një kokërr

ti një kokërr

unë një kokërr

mos u nxito, kalaveshi është i madh

ti një kokërr

unë një kokërr

ti një kokërr

unë një kokërr

deri te kokrra e fundit

ti më sheh me lakmi drejt në sy

unë e marr e ta jap ty

prandaj më mire më quaj plakush

se sa plak

më mirë të hash rrush

se sa dajak/ KultPlus.com

Parkingu nëntokësor i Prishtinës afër përfundimit, kryetari Rama publikon pamjet për herë të parë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se parkingu nëntokësori kryeqytetit është pranë përfundimit.

Sot, pasdite, ai ka publikuar disa fotografi nga parkingu, ku thotë se 90% e punimeve kanë përfunduar.

Sipas Ramës, zyrtarisht parkingu hapet në muajin nëntor.

“Parkingu Nëntokësor i Prishtinës po përfundon! 90% e punimeve veçse janë kryer, e hapja zyrtare pritet të bëhet në nëntor”, ka njoftuar ai. / KultPlus.com

Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi” (FOTO)

Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj Abdurrahman Shala si dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”.

“Era dhe lisi” është një film shqiptar i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1979. Regjisor i këtij filmi ishte Besim Sahatçiu.

Abdurrahman Shala (25 tetor 1922 – 9 mars 1994) ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. U lind në Vushtrri, ndërsa vdiq në Prishtinë. Abdurrahmani punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloj dhe udhëhiqi Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës – UAFK deri në vitin 1990.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.

Fotografitë në të cilën janë bërë së bashku dy aktorët janë publikuar më parë në :Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history./ KultPlus.com

“Rajmonda” e Aleksandar Gllazunov do të shfaqet në skenën e Operës dhe Baletit Nacional

Opera dhe Baleti Nacional, paralajmëron për paraqitje të dyfishtë të një prej perlave të artit të baletit, veprën e shquar klasike të baletit “Rajmonda” të Aleksandar Gllazunov që do të shfaqet në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 29 tetor 2022 dhe 01 nëntor 2022 me fillim në orën 20:00. Balet i pakohë që shpreh bukurinë e plotë ta vallëzimit klasik, përcjell KultPlus.

Dirigjente e shfaqjes është Bisera Çadllovska, koreograf është Viktor Jaremenko nga Ukraina. Kostumet e mrekullueshme dhe skenografia spektakulare janë të mysafirëve ukrainas, Gana Ipatieva dhe Andrej Zllobin.

Në rolet kryesore paraqiten: Marija Kiçevska Shokarovska, Mimi Popo Aleksova Atanasovska, Balazh Locei (Hungari), Francisko Himenaz Ruiz (Spanjë), Abdurrahmani: Vasil Çiçiashvili (Gjeorgji).

Marrin pjesë solistë, ansambli i baletit dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.

“Rajmonda” është balet në dy akte. Premiera botërore e saj është mbajtur në Teatrin e Marinskit në Sankt Peterburg, në janar të vitit 1898. Libretoja e baletit “Rajmonda” bazohet në dramaturgjinë tipike që e karakterizon kohën e Romantizmit. Në dramat (rrëfimet) e kësaj rryme artistike dominojnë temat për heroizmin, dashurinë, dhuntinë, dinjitetin dhe nderin. / KultPlus.com

83 vite nga lindja e Rifat Kukajt, shkrimtari pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e letërsisë për fëmijë

Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.

Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.

Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.

Rifat Kukaj, vdiq më 11 shtator 2005./ KultPlus.com



‘Mora harçe dola në bahçe çorapet mej thur, prej merzis’ permbi çorape plasa tuj lotu’ (VIDEO)

Nazmie Hoxha është një nga zërat e rrallë që u dëgjua mjaft shumë në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar.

Muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektivë dhe i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë “Si dukat i vogël” je dhe “Oj zogo dhe disa të tjera”. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 ndërsa u varros në Prishtinë.

Ky zë ka sjellë edhe një nga këngët më të njohura shqiptare “Kur e përcolla ylberin”. KultPlus ju sjellë sot interpretimin e mahnitshëm të kësaj kënge.

Kur e përcolla ylberin
Ktheva hyra n ‘odë
Kur ia pash manxerren varun
Ia lava me lot

REF
Mos e laj me lot oj zano
Mos e laj me lot
Se shkoi viti parë oj zano
Porsi dita sot (2x)

II
Shkuan muaj shkuan vite
Zemra mu dogj flak’
S’na lan’ hallet s’na lan’ dertet
Me jetue bashkë

REF
O ylberi dadës o
A thu m’ke harru
Ditët e gurbetit ylber
Qofshin të mallkum (2x)

III
Mora harçe dola ne bahçe
Çorapet mej thur
Prej merzis’ permbi çorape
Plasa tuj lotu

REF
O ylberi dadës o
Athu m’ke harru
Ditet e kurbetit ylber
Qofshin te mallkum (2x) / KultPlus.com

25 tetori, Dita Botërore e Operës

25 tetori ka hyrë në kalendarin botëror si Dita Botërore e Operës. Kjo ditë është përzgjedhur në nder të Zhorzh Bize dhe Johan Shtraus, të cilët lindën më 25 tetor dhe janë nga më të famshmit kompozitorë për opera e opereta. Dita Botërore e Operës kremtohet prej 4 vjetësh.

Motoja e këtij viti është “Unboxing Opera”, një tentativë për t’i afruar më shumë njerëzit ndaj këtij zhanri muzikor, duke përjetuar e ndarë, të njëjtin entuziazëm që haset në miliona videot e ngarkuara në internet, kur njerëzit bëjnë “unboxing”. Ky term tashmë ka marrë kuptimin e njohjes dhe hapjes ndaj diçkaje të re.

Me këtë rast, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka kujtuar operën e parë shqiptare, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Opera e parë shqiptare njihet opera “Mrika”, me muzikë të Prenkë Jakovës e libret të Llazar Siliqit. Premierën e saj e pati në 1 dhjetor të 1958-ës, në teatrin “Migjeni”, në Shkodër. Opera kishte 4 akte dhe u vu në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti, i ndihmuar nga Kristaq Antoniu. Premiera në Teatrin e Operas dhe Baletit erdhi në 1959-ën, me regjinë e Pandi Stillut e dirigjimin e Mustafa Krantjes.

Në rolet kryesore interpretonin: Marie Kraja si Mrika, Jorgjia Velo si Mara, Avni Mula si Gjeta, Ibrahim Tukici si Doda, Luke Kacaj si Gjini, Rozmari Jorganxhi si Mira, etj. / KultPlus.com

10 fakte interesante nga jeta e Pablo Pikasos

Më 25 tetor 1881 lindi Pablo Pikaso, piktor dhe skulptor spanjoll (vdiq më 8 prill në vitin 1973).

Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre origjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës.

Bashkë me Georges Braque e themeloi Kubizmin. Duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë.

Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.

Shpesh herë punët e Pikasos kategorizohen në periudha. Në vitet e parë të shekullit të 20-të e ndante jetën mes Parisit dhe Barcelonës, kur nisi edhe një marrëdhënie me Fernande Olivier, me të cilën u bë objekt i shumë faqeve rozë në gazetat e kohës.

Pasi fitoi famë dhe pak pasuri, Pikaso e la Olivier për Marcelle Humbert, të cilën ai e thërriste Eva. Dashurinë për të ai e shprehu në shumë prej veprave të tij kubiste.

U martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Në 1918 u martua me balerinën Olga Kholhlova, e cila e integroi piktorin në shoqërinë e lartë. Por jeta e tyre ishte një luftë e vazhdueshme. Jeta e lartë që dëshironte Olga binte ndesh me jetën boheme të piktorit. Gjatë kësaj kohe pati edhe një lidhje të fshehtë me 17-vjeçaren Maria Therese Walter. Gjithsesi qëndruan ligjërisht të martuar deri në vdekjen e balerinës në vitin 1955.

Fotografja dhe piktorja Dora Maar ishte gjithashtu një shoqe dhe e dashur konstante e Pikasos. Pas çlirimit të Francës pati një tjetër lidhje me një studente të re arti Françoise Gillot, me të cilën pati dy fëmijë. Ajo u nda prej tij për tradhti. Më tej pati të tjera të dashura edhe pse në një moshë të thyer.

Gjatë luftërave ai mbajti një qëndrim neutral, duke refuzuar të luftojë në njërën, apo tjetrën anë. Edhe pse nuk e komentonte asnjëherë një gjë të tillë, e grishte ideja e të qenët pacifist.

Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50 mijë.

Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo–shqiptare.

Pikaso është pagëzuar Pablo Diego Jose Francisco de Paula Juan Nepomuceon Maria de los Remedios Cipriano de la Santisima Trinidad Martyr Patricio Clito Ruíz y Picasso, sipas disa të afërmve të tij. Emri Pikaso i vjen nga e ëma, Maria Pikaso y Lopez. Babai quhet Jose Ruiz Blasco.

2- Ai lindi më herët

Pikaso pati një lindje kaq të vështirë dhe ishte një bebe kaq e dobët kur lindi, sa mamia mendoi se mos kishte lindur para kohe. Ajo e la në tavolinë që të kujdesej nëna e tij. Ishte xhaxhai i tij që i vuri emrin Don Salvador, që e shpëtoi. Ai thotë: “Doktorët në atë kohë i thanë se nuk do të mbijetonte, por ai ia doli shumë mirë. I fryva duhan në fytyrë dhe menjëherë ai reagoi”.

3- Fjala e parë: laps

Pikaso duket se ka lindur artist. Fjala e parë ishte laps, “piz”, shkurtimi në spanjisht. Babai i tij, Ruiz, një profesor arti dhe artist, e arsimoi në këtë fushë duke filluar nga mosha 7 vjeçare. Ruiz u zotua se do të hiqte dorë nga piktura, pasi në moshën 13-vjeçare, Pikaso ia kishte kaluar për mjeshtëri.

4- Vizatimi i parë i Pablos

Në moshën 9-vjeçare, Pikaso përfundoi pikturën e parë, “Le Picador”, një burrë që kalëronte një dem. Piktura e parë në moshë madhore quhet “First Communion, ku portretizohet babai, nëna dhe motra e vogël, të gjunjëzuar në altar. Pikaso ishte 15 vjeç kur e përfundoi.

5- Pikaso ishte nxënës i tmerrshëm

Për këtë nuk ka dyshim, Pikaso ishte brilant, nga ana artistike. Ai ishte shumë vite më para se shokët e klasës, edhe pse ishin katër ose pesë vite më të vjetër se ai. Por Pikaso shpesh sillej keq dhe dënohej. Atë e nxirrnin nga klasa dhe e linin të ulur në stol në fund të klasës.

6- Puna e parë e Pikasos

Pikaso e nënshkroi kontratën e parë në Paris me një shitës arti, Pere Menach, i cili ra dakord ta paguante 150 franka në muaj (750 dollarë sot).

7- A e grabiti Pikaso Mona Lizën?

Në të vërtetë, jo, por në vitin 1911, kur Mona Liza u grabit nga muzeu i Luvrit, policia mori shokun e Pikasos, poetin Guillaume Apollinare, në polici. Apollinaire i vuri gishtin Pikasos si të dyshuar, kështu policia e mori në pyetje edhe atë. Të dy më vonë u liruan.

8-Kubizmi: Plot me kuba të vegjël

Në vitin 1009, Pikaso dhe artisti francez, Georges Braque, themeluan lëvizjen e artit, kubizmin. Në të vërtetë, ishte kritiku francez i artit, Louis Vauxcelles, që fillimisht e quajti “kuba të çuditshëm”, pasi vuri re se Pikaso dhe Braque pikturonin piktura “plot me kube të vegjël.

9- Pikaso ishte Don Zhuan

Duke qenë se ishte artist i njohur, Pikaso kishte shumë sukses me vajzat. Në të vërtetë pati shumë të dashura. Ja një liste e shkurtër e më të njohurave. Fernande Olivier, Marcelle Humbert, Marie-Thérèse Walter, Dora Maar, Françoise Gilot.

10- Makina e Pikasos

Kjo nuk është me saktësi makina e tij, por e ka një histori. Para tre vitesh, mekaniku Andy Saunders nga Dorset, Angli, e konvertoi makinën e tij “Citroen 2CV” në një vepër arti të frymëzuar nga Pablo Pikaso. Saunders e quajti makinën “Picasso’s Citroen”, sepse dukej më e bukur nga sa ishte fillimisht. / KultPlus.com

Si u formua Hëna brenda pak orësh

Shumica e shkencëtarëve bie dakord me hipotezën se Hëna u formua nga përplasja me Tokën e një objekti afërsisht të njëjtë me planetin Mars, të quajtur Teia, pikërisht në fillimet e jetës së planetit tonë. Në realitet ka ende disa të panjohura lidhur me detajet e kësaj ngjarje.

Përbërja kimike e shkëmbinjve hënorë të studiuar deri më tani, nuk është plotësisht në përputhje me këtë hipotezë. Lidhur me këtë çështje, ka pasur kohët e fundit një studim të ri nga shkencëtarët e Institutit për Kozmologjinë Kompjuterike në Universitetin Durham nëBritaninë e Madhe dhe nga Qendra Kërkimore e NASA-s në Silicon Valley, Kaliforni.

Studiuesit përdorën simulime të bëra me një super–kompjuter që gjendet në laboratorët e universitetit, falë të cilave ata krijuan një panoramë më të detajuar të asaj që ndodhi dikur. Në veçanti, shkencëtarët simuluan qindra “variante” të mundshme të ngjarjes, duke e ndryshuar në çdo rast këndin e goditjes, shpejtësinë e përplasjes, si dhe masat dhe rrotullimet e dy trupave që u përplasën.

Pra u përpoqën të eksploronin një numër të madh skenarësh të mundshëm që çuan në përplasjen Tokë-Teia. Grupi i studimit arriti në përfundimin se shumica e simulimeve me rezolucion të ulët që ishin kryer nga planetologët deri më tani, kishin lënë pas dore aspekte të rëndësishme të përplasjes.

Ndaj vetëm me një super–kompjuter ishte e mundur nxirrja në pah e elementëve që nuk ishin shfaqur në studimet e mëparshme. Dhe në fakt, vetëm simulimet me rezolucion të lartë çuan vërtet në formimin e një sateliti shumë të ngjashëm me Hënën.

Sipas studimit të ri, të publikuar në “Astrophysical Journal Letters”, pjesa më e madhe e Hënës u formua menjëherë pas goditjes, madje brenda disa orëve, dhe jo në shkallët kohore

të shekujve apo dhjetëra shekujve. Kjo mund të nënkuptojë se ajo u shkri më pak gjatë formimit sesa sugjerojnë teoritë standarde, sipas së cilave Hëna u rrit dalëngadalë brenda një disku mbeturinash që rrotullohej rreth Tokës.

Një Hënë që u formua shpejt do të shpjegonte për shembull (në kundërshtim me hipotezat e mëparshme) se si mundi të mbante pjesën më të madhe të ujit të shkëputur nga Toka. Do të justifikonte gjithashtu edhe faktin që në shumë zona të satelitit, përbërja është kaq e ngjashme me atë të Tokës.

Prandaj, ky skenar hap rrugë të reja në interpretimin e të dhënave të disponueshme dhe misionet e ardhshme hënore, mund të konfirmojnë më tej të dhëna të reja mbi llojin e ndikimit që çoi në formimin e Hënës, dhe të tregojë detaje të reja rreth historisë së vetë Tokës./bota.al/ KultPlus.com

jme

Edgar Allan Poe, biografia e një shkrimtari misterioz

Edgar Allan Poe është një nga gjenitë më të mëdhenj të letërsisë botërore. Rreth jetës së tij tejet të pazakontë, kanë lindur jo pak mite dhe legjenda, të cilat kanë tentuar ta lënë në hije  vlerën e madhe të veprës së tij. Ai ishte një tregimtar i jashtëzakonshëm, i talentuar dhe menjë krijimtari të bollshme.

Pas vdekjes së tij, gjinia e thrillerit nuk ishte më e njëjta. Ky shkrimtar i madh amerikan konsiderohet si shpikësi i zhanrit të romanit thriller. Po ashtu ai ishte një novator i madh i letërsisë gotike, dhe i dha zhanrit horror një element psikologjik shumë të rafinuar.

“Unë nuk kam besim tek përsosmëria e qenies njerëzore. Njeriu tani është më aktiv, por jo më i lumtur, as më inteligjent nga sa ishte 6000 vjet më parë”- do të shprehej në një rast shkrimtari amerikan. Poe pati një jetë të karakterizuar nga përvoja të vështira, madje edhe tragjike.

Disa kritikë kanë qenë të interesuar ta përshkruajnë atë si një njeri të shthurur dhe me një jetë çrregullt. Dhe pjesërisht ia arritën qëllimit. Por edhe pse ai nuk ishte sigurisht model i një njeriut me një jetë të ekuilibruar, nga ana tjetër nuk ishte as qenia monstruoze që ata pretendonin t’u tregonin të tjerëve.

Një fëmijëri e vështirë

Edgar Allan Poe lindi në Boston të SHBA-së më 19 janar 1809. Prindërit e tij ishin aktorë shëtitës. Ata vdiqën kur Edgar ishte vetëm 2 vjeç. Ai dhe dy vëllezërit e tij u birësuan nga familje të ndryshme. Kështu Edgar u adoptua nga John Allan, një biznesmen i pasur, i cili e mirëpriti atë në shtëpi i nxitur nga një shpirt bamirësie.

Vdekja e nënës dhe marrëdhënia traumatike që kishte me njerkun e tij ishin tema të përsëritura në jetën e tij dhe veprat e tij. Me familjen e tij birësuese ai jetoi për disa vite në Angli dhe Skoci. Duket se pikërisht nga ato përvoja e ka burimin edhe atmosferën gotike që është aq tipike në veprën e tij. Më vonë, ata u rikthyen në Shtetet e Bashkuara, ku Poestudioi në shkollat më të mira.

Një rini e turbullt

Shkrimet më të hershme të Poe datojnë që kur ai ishte 14 vjeç. Në atë kohë, ai u dashurua marrëzisht me nënën e njërit prej shokëve të tij të klasës. Ajo dashuri platonike zgjati derisa ajo vdiq papritur. Në rininë e tij, ai ishte një sportist i talentuar dhe një astronom i pasionuar,edhe pse në nivele amatore.

Ai studioi për gjuhë në Universitetin e Virxhinias. Atje u bë i varur nga bixhozi dhe alkooli, gjë që solli edhe dëbimin e tij. Njerku e punësoi si punonjës në një nga kompanitë e tij, por kjo nuk zgjati shumë. Në vitin 1827 ai botoi fshehurazi librin e tij të parë “Tamerlani dhe poezi të tjera”.

Më vonë shkoi në ushtri, ku qëndroi për dy vjet. Më vonë, njerku e ndihmoi të gjente një punë të re, por sërish u pushua nga puna. Ndërkohë botoi edhe dy libra të tjerë me poezi. Në vitin 1832 u transferua në Baltimora ku u martua me kushërirën e tij 13-vjeçare.

Një shkrimtar i mallkuar

Edgar Allan Poe u largua nga prindërit e tij birësues. Për të mbijetuar, nisi të punonte për disa gazeta, duke shkruar artikuj kritikë mbi artin. Stili i tij i veçantë i dha njëfarë fame. Ndërkohë vazhdoi të botonte veprat e tij. “Bulkthi i artë”, “Korbi”, dhe poezi të tjera hynë në analet e historisë së letërsisë.

Gruaja e tij e re vdiq nga tuberkulozi në vitin 1847. Ajo ngjarje e forcoi varësinë e Poe ndaj alkoolit dhe drogës. Thuhet se në të njëjtën kohë ai filloi të konsumonte laudanum, një opioidi fortë dhe të vuante nga problemet e para shëndetësore.

Nisi të kërkonte plot ankth një bashkëshorte të re. Kaloi nga një marrëdhënie në tjetrën pa konkretizuar asgjë. Thuhet se në atë kohë ai tentoi edhe vetëvrasjen me laudanum, por pati të vjella të forta, dhe kjo e pengoi aktin ekstrem.

Vitet e fundit

Në ato vite ai rifilloi të takohej me një grua, me të cilën dikur në rini kishte pasur një lidhje kalimtare:Sarah Elmira Royster. Midis të dyve u ndez sërish flaka e pasionit, dhe ata vendosën të martoheshin më 17 shtator 1849. Megjithatë, pak pas dasmës, shkrimtari u zhduk në mënyrë misterioze.

Ai u gjet në rrugë më 3 tetor, në gjendje të përhumbur, dhe i veshur me rroba të tjera. Një nga miqtë e tij e çoi menjëherë në spital, ku vdiq më 7 tetor. Nuk mund të mos e dimë kurrë se çfarë ndodhi në ditët e asaj zhdukjeje të çuditshme. Edhe rezultatet e autopsisë janë zhdukur. Ndaj ende sot nuk dihet shkaku i saktë i vdekjes së tij. Gjithsesi, mund të thuhet me siguri se vepra e Poe, kaq prekëse, e fuqishme dhe e thellë, ka ndikuar tek të gjithë shkrimtarët e mëdhenj që e kanë pasuar. / bota.al/ KultPlus.com